id_post
int64 8
45.9k
| post_link
stringlengths 34
113
| author_name
float64 | entry_date
stringlengths 19
19
| entry_title
stringlengths 1
73
| entry_content
stringlengths 1
66k
⌀ |
---|---|---|---|---|---|
2,122 | https://peizazhe.com/2009/06/29/gjermanet-shqetesohen/ | null | 2009-06-30T02:24:24 | GJERMANËT SHQETËSOHEN | Pakkush e vë në dyshim që lajmet për zgjedhjet, gjatë kohës që zgjedhjet ende janë duke u kryer, ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.
Për shembull, në qoftë se në një zonë garojnë dy kandidatë, Trashi dhe Holli; dhe exit polls, të marra në mesditë, njoftojnë se Trashi po merr gati 60% të votave, ndërsa Holli 40%, atëherë Partia e Hollit mund t’u bëjë thirrje militantëve të lëkundur që të shkojnë e të votojnë për njeriun e tyre që përndryshe rrezikon humbjen e menjëhershme; por mund të ndodhë edhe që Partia e Trashit të shpallë fitoren që pa u mbyllur kutitë e votimit, dhe simpatizantët e Hollit që ende nuk kanë votuar të binden se vota e tyre nuk vlen më dhe ta kalojnë mbrëmjen me ndonjë veprimtari, si me thënë, më produktive.
Kam përshtypjen se në shumë vende ligji e ndalon që rezultatet e exit polls të shpallen para se të përfundojë procesi i votimit; kjo është tashmë pjesë e kulturës kushtetuese demokratike standard.
Hyn tani në skenë Twitter, ose e ardhmja e demokracisë.
Informacioni i përhapur me Twitter, ose me mjete të ngjashme, jo vetëm që nuk mund të kontrollohet nga lart, por as mund të verifikohet.
Në kontekstin e zgjedhjeve aq të kontestuara në Iran, Twitter u përfol si fjala e fundit e vullnetit të popullit ose, alternativisht, arma sekrete e zionizmit për të përmbysur rendin kushtetues të atjeshëm.
Megjithatë, nuk janë vetëm ajatollahët që shqetësohen për marrëdhëniet midis autoritetit politik dhe natyrës së komunikimit në Rrjet; dhe pavarësisht nga interpretimi politik që i bëhet një teknologjie të riprodhimit të informacionit, mbetet fakt i padiskutueshëm që faktori Twitter e çrregulloi ecurinë e procesit elektoral në atë vend, qoftë edhe vetëm ngaqë shpërndarja e informacionit nëpërmjet rrjetesh të tilla kapilare nuk ishte e rregulluar me ndonjë farë ligji.
Një artikull i fundit i Spiegel Online lë të kuptohet se edhe demokraci të konsoliduara prej kohësh, si ajo në Gjermani, i druhen kaosit që sjell me vete pamundësia për të kontrolluar informacionin në momente kritike, si për shembull e pikërisht gjatë zgjedhjeve.
Sipas artikullit, autoritetet tani janë seriozisht të shqetësuara, se zgjedhjet e ardhshme të shtatorit 2009 mund të ndikohen nga rezultate të “cicëruara” të exit polls, të cilat është e vështirë të mbahen sekret, siç e lyp ligji.
Mbikqyrësi i zgjedhjeve federale në Gjermani, Roderich Egeler, vëren se “do të ishte me pasoja shkatërrimtare, sikur rezultatet e exit polls të bëheshin publike para se të mbylleshin kutitë e votimit.”
Zëdhënësi i SPD-së për politikën e brendshme, Dieter Wiefelspütz, shton se mund edhe të formohen rrjete (në Twitter), të cilat t’i përdorin rezultatet e cicëruara të exit polls “për të ndikuar mbi votuesit në minutën e fundit.”
Nëse një gjë e tillë ndodh dhe rezultatet e anketave bëhen të njohura para afatit të përcaktuar me ligj, thuhet në artikull, zgjedhjet mund të shpallen të pavlefshme nga pikëpamja e kushtetutshmërisë; meqë qytetarët ose partitë mund t’i kontestojnë rezultatet e tyre dhe të kërkojnë përsëritje të votimit.
Ligji zgjedhor federal në Gjermani e përcakton qartë se rezultatet e exit polls nuk mund të botohen para “përfundimit të periudhës së votimit”. Megjithatë, thotë Spiegel, vështirë se informatorët në Twitter do të shkurajohen nga kjo pengesë…
Sa vlejnë këto përsiatje për zgjedhjet e djeshme në Shqipëri?
A ka pasur gjatë ditës së djeshme, para se të mbylleshin qendrat e votimit, kontaminim të publikut me informacion nga exit polls? A e përcakton ligji shqiptar, po aq qartë sa edhe ligji federal gjerman, se kur lejohet që të bëhen publike rezultatet e anketave me votuesit ditën e zgjedhjeve?
Më në fund, a ka pasur cicërima, ose leaks të rezultateve të exit polls ose edhe të votimeve vetë, në Twitter ose në rrjete të ngjashme?
Këtyre pyetjeve nuk u përgjigjem dot. E kam të qartë që fushata elektorale në një vend me kulturë demokratike ende primitive, si Shqipëria, nuk mund të mos modelohet sipas reklamës që kërkon t’u shesë zgjedhësve një kandidat çfarëdo; më bën përshtypje edhe shkalla e politizimit të mediave, që nga televizioni në gazetat e deri në faqet dhe forumet në Internet, të cilat kohët e fundit iu përkushtuan krejt zgjedhjeve, thuase u varkan fatet e Shqipërisë prej tyre – pjesëmarrja e elektoratit në votime flet për të kundërtën.
Por ende them se mund të diskutojmë nëse mënyra si e trajtuan mediat fushatën elektorale dhe vetë votimin ishte aq perverse, sa ta ketë vënë në pikëpyetje vetë kushtetueshmërinë e këtyre zgjedhjeve.
Kjo do të thotë edhe që të diskutojmë nëse mund të kryhen vërtet zgjedhje demokratike në Shqipëri, në gjendjen e sotme të përpunimit dhe të manipulimit të informacionit publik.
U lutem më të informuarve se unë të më ndihmojnë.
|
10,799 | https://peizazhe.com/2012/08/14/gegerishtja-e-kolonizuar/ | null | 2012-08-14T14:27:11 | GEGËRISHTJA E KOLONIZUAR | Herë pas here lexon shkrime, në gazeta dhe në mediat elektronike, nga autorë që përpiqen të sfidojnë “hegjemoninë” e standardit në shkrim dhe të shkruajnë në ndonjë formë të gegërishtes.
Motivet për këtë janë të shumta dhe si rregull mbeten të padeklaruara; shpesh gegërishtja është për këta autorë një formë e ligjërimit bisedor ose intim, e cila ua bën më të lehtë të shprehen; më rrallë, të shkruarit në gegërishte vjen si deklarim ose pozicionim haptazi ideologjik dhe politik.
Një gjë mbetet, megjithatë, e sigurt: praktikisht asnjë prej këtyre autorëve nuk e ka mësuar ta shkruajë gegërishten në shkollë.
Dhe bash për këtë arsye, nga ligjërata e tyre, duket sa e vështirë ta shkruash mirë një variant të një gjuhe përballë standardit dhe si sfidë ndaj standardit, në rrethanat kur ty vetë të ka kolonizuar, kulturorisht, standardi.
Lexoja këto ditë një prozë pak a shumë informale, intime, të çlirët, të poetes E.M., e cila edhe më parë ia ka hapur derën, në shkrimet e veta, gegërishtes.
Çfarë më tërhoqi vëmendjen te ky shkrim, megjithatë, dhe më bëri t’i shkruaj këto dy rreshta, është paragrafi i mëposhtëm (të cilit ia kam rregulluar pak alfabetin):
Për herë të parë kam shku në Tiranë, kur jam ba 13 vjeç. 13 vjeç kam hangër për herë të parë akullore. 13 vjeç kam pirë për herë të parë arranxhatë. Dhe nuk shkova në Tiranë, për të ngrënë akullore, as për të pirë arranxhatë […]
Në këtë paragraf të shkurtër, pjesorja e së njëjtës folje ha del më parë në formën gegërishte hangër, dhe pastaj në formën toskërishte ngrënë.
E njëjta folje, e njëjta pjesore, dy forma të ndryshme, në distancë prej jo më shumë se 10 fjalësh.
Jam i sigurt se autorja, kur flet me njerëzit e vet në familje ose në rrugë, përdor rregullisht pjesoren hangër; sikurse jam i sigurt se në shkollë asaj ia kanë mësuar formën ngrënë, si formë të standardit shqip.
Normalisht, një folës me kompetencë gjuhësore normale është në gjendje të kalojë lehtë nga njëri regjistër në tjetrin, p.sh. të flasë gegërishte dhe të shkruajë në standard. Të gjithë e kemi bërë këtë dhe e bëjmë; veçanërisht të gjithë ne që jemi rritur në Tiranë, dhe që kemi folur toskërisht në shtëpi me gjyshërit, gegërishten e Tiranës në rrugë (de rigueur) dhe standardin në shkollë.
Ndërrimi i regjistrit është normal; përzierja e regjistrave, si në shembullin më lart shqetëson.
Nga pikëpamja thjesht gjuhësore, do të vëreja se paragrafi më lart, sikurse krejt shkrimi i E.M., tregon se gegërishtja e shkruar e pjesës dërrmuese të autorëve përkatës tashmë është kolonizuar nga standardi dhe, në rastin më të mirë, nuk është veçse një shqipe standard e suvatuar me trajta fonetike dhe morfologjike të gegërishtes; ndërsa në rastin më të keq, një përzierje formash paralele, ose recetë për rrëgjim të shprehjes dhe të mendimit.
Çfarë shfaqet në shkrime të tilla nuk është aq gegërishtja, sesa ideja ose dëshira e një gegërishteje, në trajtat e subversionit ndaj standardit.
Kjo gegërishte fiktive është më shumë kazmë sesa mistri; ajo shkatërron, shpesh pa ndërtuar asgjë; pështjellon pa sjellë ndonjë rregull alternativ.
Dy pjesore paralele, të së njëjtës folje, brenda praktikisht të njëjtës fjali, tradhtojnë një kompetencë gjuhësore të lënduar për vdekje.
Prej kohësh kam shpjeguar, në publik, nevojën që gegërishtja të studiohet, si variant letrar, në shkollën e mesme; krahas standardit; jo gegërishtja e katundeve dhe e krahinave, por gegërishtja variant letrar, me të cilin kanë shkruar Fishta, Gurakuqi, Migjeni dhe autorët kosovarë para vitit 1972, dhe që ekziston deri e kodifikuar në një sistem rregullash drejtshkrimore.
Ashtu edhe bartësit dialektorë të gegërishtes do të mësoheshin, gradualisht, me idenë se të qenët bartës i një të folmeje gege çfarëdo nuk kualifikon askënd për t’u vetëshpallur si sfidues i hegjemonisë së standardit.
Shqipja e shkruar – si toskërishte letrare, si gegërishte letrare, si arbërishte letrare – ka, për fat të mirë, një traditë të vetën, të kristalizuar në vepra që janë pjesë e pasurisë kulturore mbarëkombëtare.
Me qindra, në mos mijëra njerëz, ia kanë përkushtuar jetën kësaj letrarishteje, duke u munduar që t’u japin shqiptarëve një shqipe të shkruar moderne, harmonike dhe dinjitoze në format e veta.
Sa kohë që të shkruarit e shqipes standard në mediat nuk është sanksionuar gjë me ligj, kushdo është në drejtën e vet të eksperimentojë me variantet letrare dhe të distancohet, me mënyrën si shkruan, nga hegjemonia e standardit.
Megjithatë, shembuj si ai që solla më sipër, dëshmojnë se orvatje të tilla për subversion nuk mbështeten nga ndonjë kompetencë gjuhësore alternative e pranueshme; dhe se gegërishtja, e sjellë kësisoj në mediat nga ithtarët e saj, nuk është veçse fantazmë, simulakër ose deri edhe dordolec i asaj tjetrës, të traditës.
|
40,427 | https://peizazhe.com/2022/02/07/kolona-zanore-e-socializmit-ne-shqiperi/ | null | 2022-02-07T12:17:17 | KOLONA ZANORE E SOCIALIZMIT NË SHQIPËRI | Parulla “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën” u hodh në Kongresin II të PPSH-së (1952), në kontekstin e miratimit të direktivave të planit të parë pesëvjeçar, të cilat synonin “shpejtimin e ritmeve për ndërtimin e bazës ekonomike të socializmit dhe për zhvillimin e forcave prodhuese me qëllim që në fund të pesëvjeçarit Shqipëria të shndërrohej nga një vend i prapambetur bujqësor në një vend bujqësor industrial; forcimin e aleancës së klasës punëtore me fshatarësinë punonjëse dhe rritjen e nivelit material dhe kulturor të masave punonjëse”[1].
Me kohë, kjo parullë do të përçonte idenë se ndërtimi i socializmit në Shqipëri (kazma) ishte i pandarë nga vigjilenca për mbrojtjen e vendit dhe të regjimit nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm (pushka). E tillë edhe do të përcillej në media të tjera, veçanërisht në pllakate, piktura dhe skulptura, duke u shndërruar kështu kazma[2] dhe pushka në barasvlerat shqiptare të draprit dhe çekanit.
Në vitet 1960, parullën “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën” e shihje kudo në dekorin urban dhe në përgjithësi publik, në formë të shkurtër por edhe në formë më të gjatë: “Ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën”. Po në ato vite, u popullarizua fort kënga korale me të njëjtin titull, e kompozuar me gjasë nga Prenk Jakova me tekst të Paulin Sekujt[3]:
Ndër ara fabrika, kantjere,
Vlon puna dhe kënga ushton,
Atdheu si lule pranvere,
Çdo ditë më bukur lulëzon.
Të etshëm armiqt’ kobëtarë
Kërcëllojn’ ato dhëmbët me mëni,
Por s’preket, jo, trolli shqiptarë,
Të kemi shqiponjë, Parti!
Në njërën dorë kazmën atdheun ndërtojmë,
Në tjetrën dorë pushkën fitoret i mbrojmë.
Na ecim përpara, përpara gjithmonë
Se prin fitimtare Partia e jonë!
Në kopshte fëmijët si bilbila,
Sa këngë për paqen këndojnë,
Dhe rriten të qeshur si lila,
Se prindja frut djerse dhurojnë.
Në qoftëse ndonjëherë armiku
Don gzimin ta shuajë gjithnji,
Do binte në predha çeliku,
Partia me popull janë nji!
Në njërën dorë kazmën atdheun ndërtojmë,
Në tjetrën dorë pushkën fitoret i mbrojmë.
Na ecim përpara, përpara gjithmonë
Se prin fitimtare Partia e jonë![4]
Këngën e dëgjoje kudo: në marshime dhe parakalime, në kremtime dhe në koncerte solemne, të aranzhuar për kor operistik dhe të orkestruar për bandë frymore dhe të kënduar nga grupe ushtarësh e pionierësh të shoqëruar me fizarmonikë. Ashtu edhe u përfshi në programet shkollore të muzikës dhe u mësua e praktikua nga fëmijët anembanë Shqipërisë. Të tillë do ta ndeshje edhe në dokumentarët e Kinostudios dhe më pas, në vitet 1970, në programet televizive – aq sa do të perceptohej, nga dëgjuesit, si kolona zanore e ndërtimit të socializmit në Shqipëri. Një version i stilizuar i saj u përdor si sigla e emisioneve të Radio Tiranës me valë të shkurtra (edhe si sinjal i intervalit), të cilat në ato vite gëzonin popullaritet në botë.
Kartolinë, me të cilën Radio Tirana u përgjigjej dëgjuesve që i dërgonin letra, nga jashtë Shqipërisë. Courtesy Elidor Mëhilli.
Vëzhgime gjuhësore
Kënga është e vitit 1961, çfarë edhe mund të deduktohet nga disa elemente të tekstit. Autori i vargjeve, Paulin Sekuj, përdorte gegizma në ligjërimin e vet poetik, që nga forma të tilla si mëni (për mëri), trolli (për trualli), prindja (për prindërit), pronori e jonë për jonë (Partia e jonë), don (për do), gzimin (për gëzimin, çfarë mund të jetë edhe licencë poetike), përemri femëror ato për emrin mashkullor armiqtë, gjithnji dhe nji (për gjithnjë dhe një), dhe disa leksema si kërcëllojnë, na ecim (për ne ecim), lila, prij, kob(ë)tar, të etshëm, parafjala ndër (ndër ara) në vend të në e ndonjë tjetër. Këto gegizma pajtohen me prirjen e rregullt të atyre viteve, që vazhdoi edhe pas Kongresit të Drejtshkrimit në 1972, për t’i lënë më shumë vend gegnishtes letrare në tekstet e këngës së kultivuar, për shkak të traditës së të kënduarit të kultivuar shqip por edhe të disa karakteristikave fonetike të gegnishtes (është më lehtë të thuash kangë se këngë, kur këndon).
Simbolika
Nga tekste të tilla nuk mund të presësh shumë – tek e fundit, kënga rreket të shtjellojë, me mjetet vetvetiu të kufizuara që ka në dispozicion, idenë e parullës në titull – ndërtimin e socializmit në Shqipëri, gjithë duke mbajtur lart vigjilencën ndaj armikut. Shqiptarët punojnë në ara, fabrika dhe kantiere, dhe punën e shoqërojnë me këngë; atdheu lulëzon; armiqtë kërcëllojnë dhëmbët por trualli shqiptar nuk preket, sepse kemi Partinë shqiponjë.
Pjesa e dytë e këngës e zhvendos “kamerën” te fëmijët në kopshte, që këndojnë “këngë për paqen” dhe “rriten të qeshur si lila”, teksa prindërit u dhurojnë frutet e djersës. Niveli bie edhe më tej, me strofën që flet për armikun që “do binte në predha çeliku”, nëse do të donte ndonjëherë që “të na e shuante gëzimin”, vargjet tingëllojnë si të ngjitur me pështymë, aq sa nuk kuptohet se çfarë funksioni logjik ka vargu “partia me popull janë nji”.
Mirëpo pjesa e dytë e këngës pothuajse nuk këndohej live; të paktën unë nuk e mbaj mend as edhe ta kem mësuar ndonjë herë. Kjo e fëmijëve që këndojnë “këngë për paqen” nuk tingëllon e vërtetë për Shqipërinë e viteve 1960 – ideja e këngëve për paqen duket sikur i përket pathosit sovjetik të një dekade më parë, ku edhe do ta ketë origjinën. Edhe metafora e “predhave të çelikut” ka lindur e vdekur.
Klishetë
Siç mund të merrej me mend, teksti i këngës është i mbytur me klishetë karakteristike të poezisë shqipe të viteve 1950. Që nga vlon puna dhe kënga ushton (ndërtimi i socializmit si operetë), te krahasimi i atdheut me lule pranvere, që lulëzon çdo ditë më bukur. Armiqtë janë të etshëm dhe kobëtarë, kërcëllojnë dhëmbët me mëni, epiteti shqiponjë për Partinë (që e tokëzon PPSH-në në kombëtarizëm), na ecim përpara, Partia prin fitimtare, fëmijët këndojnë si bilbila dhe rriten të qeshur, e të tjera të ngjashme. Më shumë edhe se pikturë e realitetit socialist, teksti i këngës është koleksion i shqipes së drunjtë të gazetave dhe të poezisë skematike të viteve 1950, të klisheve që janë zbrazur nga kuptimi dhe që përftohen nga pranëvënia e shpeshtë e fjalëve; duke shërbyer edhe si manual praktik i mënyrës si i duhet kënduar realitetit socialist (didaktizmi).
Aq i dobët është teksti, sa mund të përligjet vetëm në funksionin e vet, që të mbushë me fjalë performativin e korit që interpreton. Sepse “Në njërën dorë kazmën…” është kompozuar që në krye si këngë korale, që ekzekutohet në skena solemne ose shërben si kolonë zanore shoqëruese ngjarjesh të mëdha, pa folur pastaj për përshtatjet për bandë frymore (marsh) dhe forma të tjera thjesht orkestrale. Për këgë të tilla, mund të përfytyrohet edhe ajo rrethanë kur teksti ta humbë kuptimin dhe të artikulohet thjesht për hir të performativit – për çfarë edhe klisheja ndërmjetëson shkëlqyeshëm.
Ndoshta kjo mund të shpjegojë edhe pse disa prej nesh e kemi keqkuptuar tekstin duke ia shtrembëruar disa vargje: në vend të armiqt’ kobëtarë kemi kënduar armiqt’ kombëtarë; dhe në vend të Të kemi shqiponjë, Parti kemi kënduar Se kemi shqiponjën Parti.
Leksikisht, tekstin e përshkon një izotopi e haresë dhe këngës: në ara fabrika kantjere kënga ushton, teksa atdheu lulëzon; flitet për fitore dhe për Partinë që prin fitimtare; edhe në kopshte fëmijët këndojnë si bilbila dhe rriten të qeshur; teksa armiku rreket ta shuajë gzimin. Duket sikur poeti përshkruan jo realitetin, sa një dokumentar filmik entuziast për realitetin socialist, ku punohet së bashku dhe këndohet së bashku, të mëdhenj e të vegjël, si në skenën e një operete a një baleti proletar. Sërish, referenca të çon te imagologjia staliniste sovjetike e konsoliduar në vitet 1950.
E megjithatë, Partia në këngë tingëllon si element i shtuar artificialisht, pse është i vetmi entitet abstrakt, të cilit nuk i kuptohet mirë roli, përveçse që “prin fitimtare” dhe që e mban “trollin shqiptar” të paprekur – por si? Sa kohë që pushkën e mbajmë në dorë na? Më e materializuar rezulton pamja e armikut, që i etshëm dhe kobtar, kërcllon dhëmbët, si ujku në ilustrimet e një përralle për kalamaj – për t’u habitur, që atëherë mund të kalonin imazhe dhe metafora të tilla puerile; e vetmja arsye mund të ketë qenë neutralizimi që u vjen nga shndërrimi në klishe; lexuesi (dëgjuesi) në kontakt me to nuk përfytyron armikun kobtar që kërcllon dhëmbët por vetëm e njeh vargun e këngës si “poetik”. Klisheja është shndërruar tashmë në uniformë të zhanrit.
Marshi në tekst dhe në muzikë
E kompozuar si e zhanrit “këngë masash”, kënga filloi të dëgjohej rëndom në parakalime dhe parada, e luajtur me orkestër frymore, si marsh; këtë me gjasë e ndihmoi edhe struktura e frazës muzikore origjinale.
Marshimi ose parakalimi (parada) ishin, në ato vite, inskenime koreografike simbolike të ndërtimit të socializmit dhe të progresit. Prandaj natyra muzikore e këngës paralelizohet nga elementet simbolike dhe metaforike në tekst – që nga “na ecim përpara, përpara gjithmonë” te “Se prin fitimtare Partia e jonë!”, për të mos përmendur “pushkën”, si aksesor dhe prop të individit marshues. Kjo simbolikë abstrakte e progresit e bën më të pranueshme përplasjen logjike mes punës, mbrojtjes së atdheut dhe ecjes (marshimit) përpara.
Në vitet totalitare, parakalimi ishte edhe forma dinamike e masës njerëzore në publik – duke u artikuluar si versioni ritual dhe i stilizuar i marshimit ushtarak. Marshimi ushtarak, nga ana e vet, e referonte parakalimin dhe muzikën shoqëruese te kolonat dhe këngët partizane. Këto të fundit, nga pikëpamja mirëfilli muzikore, sollën elemente heteroklite dhe gjithsesi absolutisht të reja në muzikën publike shqiptare – të cilat pastaj i hapën rrugën edhe përpunimit të një stili muzikor specifik për muzikën e kultivuar “socialiste”, e tillë që të dallonte qartë nga muzika popullore e përpunuar dhe muzika klasike.
Por totalitarizmi në Shqipëri ishte dashuruar fort pas ushtrisë dhe jetës ushtarake – që nga masat e të rinjve që jetonin së bashku në baraka dhe kapanone, tek uniformat dhe uniformiteti dhe bindja e pakushtëzuar ndaj komandës, disiplina e hekurt, minimizimi i individualitetit dhe gatishmëria për t’u sakrifikuar. Disa forma të aktiviteteve rinore, që nga kampet e pionierëve te aksionet e rinisë dhe veprimtaritë sportive të organizuara (spartakiadat, edhe ato një import sovjetik), pa folur për stërvitjen ushtarake të civilëve, u modeluan sipas organizimit ushtarak – duke e ndjekur këtë edhe në format simbolike, si paraqitja e forcës, sinjali i borizanit, uniforma dhe emrat e njësive dhe funksioneve organizative, si brigadat sulmuese, komandantët, etj. Parulla “I gjithë populli ushtar” i qasej këtij realiteti nga një drejtim tjetër.
Ky modelim i jepte edhe këngës korale një funksion të ri; duke e riformuluar si metronomin e një mase revolucionare në lëvizje, me hapin marcial të këngës. Te “Na ecim përpara, përpara gjithmonë” le të vërehet edhe veta e parë shumës e foljes dhe përemri “na”, si shenjues të kolektivitetit, i cili sa e mundëson marshimin e grupit, aq edhe përftohet prej tij.
Konsiderata të fundit
Sa më lart, kërkon të ndriçojë funksionin e këngës korale, marshit dhe të muzikës “revolucionare” për të ruajtur dhe forcuar kohezionin kulturor dhe social të masave, gjatë periudhës së totalitarizmit në Shqipëri, nëpërmjet analizës së një kënge nga më të njohurat e kohës. “Në njërën dorë kazmën, në tjetrën pushkën” e Prenk Jakovës dhe Paulin Sekujt i përket zhanrit që aso kohe njihej si “këngë masash”, një lloj transpozimi muzikor i pllakatit, i cili nuk synon të argëtojë dëgjuesit dhe as të shërbejë si muzikë vallëzimi, por – duke angazhuar emocionalisht – i shërben drejtpërdrejt koreografisë fizike dhe mendore të shtetasve në skenën publike. Vetë kori, si këngë e sinkronizuar e një kolektivi dhe një nga format e rralla me të cilat një grup njerëzish mund të artikulohet dhe komunikojë gjuhësisht (përtej parullave, ovacioneve dhe zhurmave të ndryshme), përfaqëson masën në rolin e interpretuesit të këngës; ndërsa ritmi marcial dhe konotacionet ushtarake i shërbejnë disiplinës së grupit, mobilizimit dhe entuziazmit revolucionar. Me popullarizimin e organizuar të këngës që analizuam, interpretuesit erdhën duke e humbur ndjeshmërinë linguistike dhe poetike ndaj tekstit dhe filluan ta artikulojnë këtë në mënyrë performative, si pjesë e një rituali kompleks të pjesëmarrjes në jetën publike socialiste. Këngë të tilla, të cilat shpesh shoqëronin veprimtaritë festive, parakalimet dhe raportet e arritjeve, shërbyen si kolonë zanore e ndërtimit të socializmit në Shqipëri, duke shënjuar edhe mishërimin muzikor të parullave dhe të sloganeve me të cilat regjimi riprodhonte praninë e vet në jetën e përditshme të qytetarëve.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Falënderoj Mikaela Mingën dhe Elidor Mëhillin, që më ndihmuan me informacion dhe materiale, gjatë hartimit të këtij shkrimi.
[1] Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë, botimi i dytë, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1981, f. 269.
[2] Zgjedhja e kazmës si veglën simbol të ndërtimit nuk duket nga më të lumturat: njëlloj si pushka, edhe kazma shkatërron nuk ndërton, dhe e shumta mund të përdoret për të “shkatërruar të vjetrën” (“botën e vjetër ne do ta shkatërrojmë”, Internacionalja) dhe për të shkallmuar gërmadhat.
[3] Këto të dhëna janë nxjerrë nga monografia e Spiro Kalemit, Prenk Jakova, Gjergj Fishta, 2006, f. 196.
[4] Tekstin e kam marrë nga Interneti, por e kam krahasuar me versionin e këngës në YouTube, me gjasë të interpretuar nga Ansambli Amator Artistik i qytetit të Tiranës dhe të regjistruar në pllakë gramafoni në vitin 1968.
|
39,762 | https://peizazhe.com/2021/11/20/gjurme-te-apofonise-i-e-ne-shqipe/ | null | 2021-11-20T08:03:09 | GJURMË TË APOFONISË I.E. NË SHQIPE | parathënie e monografisë me këtë temë
nga Albert Riska
Në veprën e Andre Martinet “Des steppes aux oceans” (Nga stepat në oqean), teksa bëhet paraqitja dhe përshkrimi i shkurtër i gjuhëve dhe i grupeve gjuhësore të familjes indoevropiane, për gjuhën shqipe shkruhet se “ajo gëlon nga fjalët e huazuara prej gjuhëve sllave, turqishtes, greqishtes dhe gjuhëve romane”. [1]
Është për t’u vënë re se në këtë listë të gjuhëve dhënëse Martinet përmend gjuhët romane, por jo vetë latinishten, çka do të implikonte problemin e rëndësishëm të natyrës, por edhe të kronologjisë së huazimeve latine në gjuhën shqipe.
Veç kësaj, ndoshta duke pasur parasysh vetëm faktin e sipërpërmendur, menjëherë më poshtë autori shton se “shqipja është nga ato gjuhë që më shumë i paraqesin probleme, sesa i ofrojnë zgjidhje komparativistit”.
Nuk ka të dyshuar se konsiderata të tilla burojnë, para së gjithash, nga mosnjohja e gjuhës, por edhe nga mangësitë në njohjen e arritjeve të studimeve historiko-gjuhësore në fushë të shqipes.
Do të përmendnim këtu edhe një tjetër fakt si shfaqje të keqvlerësimit.
Në trajtimet etimologjike që u bëhen përkimeve të fjalës borë, në gjuhët greke, latine, por edhe italiane, pavarësisht ngjashmërive të dukshme fonetike, nuk përmendet gjëkundi kjo fjalë e trashëguar e shqipes.
Praktikisht mund të vihet re se në shpjegimet etimologjike të këtyre fjalëve të gjuhëve klasike shfaqen probleme, si për burimin e tyre, ashtu edhe për lidhjet brenda- apo jashtëgjuhësore që ato mund të shfaqin.
Kështu, për etimologjinë greke fjala μπόρα (bora) pranohet si një huazim nga italishtja veneciane bora, kjo nga latinishtja bŏreās “erë e veriut, veri”, e cila vetë sillet nga greqishtja e vjetër βορέας|βορράς (boreas/borras).[2]
Ndërsa, për etimologjinë italiane trajta dialektore bora shihet si variant i trajtës borea, kjo si zhvillim i trajtës latine bŏreās, që, si më lart, konsiderohet si një huazim nga greqishtja βορέας (boreas); por nuk përjashtohet, gjithashtu, edhe mundësia që të jetë një huazim nga sllavishtja буря/бура (burja/bura) “stuhi, furtunë”. [3]
Nga ana e vet fjala sllave буря/бура (burja/bura) “stuhi, furtunë” implikon edhe një fjalë tjetër shqipe, burë “batica e detit; gjendje e trazuar e detit kur fryn erë e ka dallgë”. Duke qenë krahinore, fjalën e shqipes etimologët e kanë menduar, pa mëdyshje, si të huazuar nga maqedonishtja бура (bura). Madje, prej këtej edhe rumanishtja búră “llohë, mjegull”, megjithëse kjo është lidhur edhe me latinishten boreas “erë e veriut”.[4]
Siç mund të shihet, nën këtë frymë është më e lehtë të pranohet që shqipja “detare” të huazojë nga maqedonishtja “tokësore” një fjalë që lidhet me detin, sesa të kërkohen lidhjet midis fjalëve shqipe burë e borë, që, për natyrën fonematike, me /b/-në nistore nga një /bh/ indoevropiane, do të mund të konsideroheshin si bazë për përftimin edhe të fjalës greke βορέας|βορράς e fjalës latine bŏreās, pse jo edhe të derivateve dialektore italiane borea, borana, burrasca, buriana.
Nuk do të ishte, normalisht, rasti që të diskutonim për problemin e raportit midis elementeve vendase dhe atyre të huaja në gjuhën shqipe, vetëm se do të sugjeronim të kihen parasysh vërejtjet e C. Tagliavini-t mbi statistikat e G. Meyer-it, prej të cilave do të përmendnim, së pari, se fjalët e një gjuhe nuk mund të vlerësohen njësoj pa një “dallim cilësor” dhe, së dyti, se studimet e mëvona etimologjike në fushë të shqipes i kanë kthyer fondit vetjak të shqipes mjaft fjalë që më herët janë gjykuar si huazime.[5]
Nga ana tjetër, është mëse e qartë se në vlerësimin e natyrës së një gjuhe, më shumë se statistikat për burimin a origjinën e fjalëve, duhen peshuar elementët e natyrës sistemore që përcaktojnë karakterin dhe organizimin e brendshëm të saj në të gjitha nivelet e sistemit, përfshi edhe atë leksikor.
Nga ky këndvështrim, me lëndën që ofrohet nga brumi i shqipes do të gjykohen rastet e ruajtjes së gjurmëve të një dukurie shumë të hershme indoevropiane, apofonia apo ablauti, me një natyrë mjaft komplekse, por që shfaqet në fjalë a fjalëforma të disa gjuhëve të familjes.
Dhe, në përgjithësi, kur flitet për rastet e shfaqjes apo për ruajtje të gjurmëve të dukurisë së apofonisë në gjuhët indoevropiane, përmenden rregullisht greqishtja e sanskritishtja, por edhe latinishtja e gjuhët gjermanike, normalisht gjuhë me dokumentim relativisht të hershëm.
Veçse, është për t’u përmendur se do të mjaftonte edhe një hetim sipërfaqësor në lëmë të kërkimeve etimologjike për të kuptuar se gjurmët e dukurisë indoevropiane të apofonisë në gjuhën shqipe janë mjaft më të rëndësishme nga ç’përmendin edhe vetë veprat tona sintetizuese.
Duhet theksuar paraprakisht se këtu nuk është për t’u diskutuar thjesht numri i fjalëve shqipe që ruajnë gjurmët e kësaj dukurie të trashëguar të fazës së përbashkët indoevropiane, megjithëse edhe ky numër nuk rezulton i parëndësishëm (po të kemi parasysh raportin midis elementeve leksikore të shqipes që janë trashëguar nga faza e përbashkët indoevropiane, qoftë me ato të krijuara apo të përftuara më vonë brenda gjuhës, qoftë edhe me elementet e huazuara nga gjuhët e tjera); pra, nuk do të tregohet se shqipja është thjesht e vetëm një pjesëmarrëse.
Shkurt, këtu është fjala për të gjykuar peshën e gjurmëve, për të gjykuar natyrën dhe vlerën e tyre, në mënyrë që të mund të tregojmë se gjuha shqipe mund të ndihmojë në njohjen më të thellë apo në përfytyrimin më të drejtë të kësaj dukurie që besohet se duhet të jetë shfaqur që në indoevropianishten e përbashkët.
Pra, çështja e gjurmëve të apofonisë indoevropiane në gjuhën shqipe mund të shihet nën dy këndvështrime që do t’i etiketonim, në mënyrë thjesht konvencionale, si “sasior” dhe “cilësor”, të cilët do të përkthenin në njëfarë mënyre marrëdhëniet midis dijes albanistike dhe asaj indoevropianistike.
Njohja “sasiore” e gjurmëve, që ka të bëjë me identifikimin e dukurisë në gjuhën shqipe, do të na tregonte se si indoevropianistika, duke ofruar modelin, ndihmon në njohjen e historisë së fjalëve të gjuhës shqipe, ose, për të qenë më të qartë, do të na tregonte se si indoevropianistika mund të ndihmojë albanistikën; ndërsa njohja “cilësore” e gjurmëve në shqipe do të na tregonte, nga ana tjetër, se si albanistika do të ndihmonte, qoftë edhe në mënyrë modeste, indoevropianistikën. Jemi, pra, në kushtet e marrëdhënieve të ndërsjella, megjithëse në raportet e pjesës me të tërën.
(c) 2021 Albert Riska. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Andre Martinet, Des steppes aux océans. L’indo-européen et les “Indo-européens”, Payot, Paris 1986; sipas variantit në italisht: L’indoeuropeo. Lingue, popoli e culture, Gius, Laterza e Figli Spa, Roma-Bari, quarta edizione, 1994, fq. 66.
[2] Γεργιου Μπαμπινιτη, Λεξικο τησ νεασ ελληνικησ γλcσσασ, Αθηνα, 2002, fq. 1145.
[3] Dizionario etimologico della lingua italiana DELI (varianti elektronik).
[4] E. Çabej, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe II, Tiranë, 1976, fq. 379.
[5] Për më gjatë shih: E. Çabej, Hyrje në historinë e gjuhës shqipe II, Tiranë, 1976, fq. 159-162.
|
44,816 | https://peizazhe.com/2023/09/15/unesco-dhe-shqiperia/ | null | 2023-09-15T08:48:16 | UNESCO DHE SHQIPËRIA |
Hyrje; 2. Edhe njëherë për Konventën e Parisit; 3. Shqipëria dhe Lista e Pasurive të Trashëgimisë Botërore; 4. Roli monitories i UNESCO-s dhe Butrinti; 5. Një raport i papërfunduar për Butrintin; 6. Shën Llazari në Paris – dhurim apo huazim? 7. Zagoria e Gjirokastrës dhe Zagoria e Pindit; 8. Një propozim i vyer i deputetes së Vlorës.
Hyrje
Në Riad të Arabisë Saudite ka çelur punimet më 10 shtator 2023 Sesioni i 45-të “i zgjeruar” dhe i rregullt i Komitetit të Trashëgimisë Botërore [KTB] të UNESCO-s, apo organizmi ekzekutiv i Konventës për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore [Konventa e Parisit]. KTB-ja mblidhet çdo vit dhe përbëhet nga 21 Shtete Palë të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e Shteteve Palë, me mandate të kufizuara kohore. Falë teknologjisë së sotme, seancat mund të ndiqet edhe drejtpërdrejt.
Edhe njëherë për Konventën e Parisit
Konventa e Parisit – e cila kremtoi 50 vjetorin e vet më 16 nëntor 2022, është traktati ndërkombëtar me numrin më të lartë të ratifikimeve në histori. Atë e kanë ratifikuar deri më sot 195 Shtete Palë. Thelbi i saj është angazhimi i komunitetit ndërkombëtar përmes Shteteve Palë që kanë si “detyrë parësore“ “identifikimin, mbrojtjen, konservimin, prezantimin dhe transmetimin tek brezat e ardhshëm” të trashëgimisë kulturore dhe natyrore me vlera të jashtëzakonshme universale që ndodhet në territoret e tyre.
Cilësia më drejtpërdrejt e prekshme e Konventës së Parisit është, pra, inskriptimi i pasurive me Vlera të Jashtëzakonshme Universale në Listën e Trashëgimisë Botërore. Deri më sot në këtë Listë janë inskriptuar 1157 pasuri natyrore dhe kulturore në 167 vende të globit.
Shqipëria e ratifikoi Konventën e Parisit më 10 korrik 1989, dhe ka vetëm katër pasuri të përfshira në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.[1] Dy prej tyre – Butrinti dhe Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës (dy qytetet përfshihen në të njëjtin inskriptim] janë në fushën e kulturës; një pasuri është në fushën natyrore – Pyjet e Lashta të Ahut në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe të Shebenik-Jabllanicës në Rrajcë; dhe një pasuri e përzierë natyrore dhe kulturore – Liqeni i Ohrit.
KTB-ja luan rol thelbësor në zbatimin e Konventës së Parisit, sidomos në përcaktimin e pasurive për t’u inskriptuar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, apo për t’u fshirë prej saj, shqyrton raportet e rregullta për gjendjen e tyre dhe “u kërkon Shteteve Palë që të marrin masa kur ato Pasuri nuk administrohen siç duhet”. KTB-ja vendos gjithashtu për përdorimin e Fondit të Trashëgimisë Botërore dhe e shpërndan atë sipas kritereve të veta dhe kërkesave të Shteteve Palë. Shtetet evropiane me mandate përfaqësimi në KTB-së gjeografikisht më afër Shqipërisë janë Bullgaria, Greqia dhe Italia.
Shqipëria dhe Lista e Pasurive të Trashëgimisë Botërore
Shtetet Palë kanë detyrimin për të raportuar rregullisht para KTB-së për gjendjen dhe konservimin e Pasurive të Trashëgimisë Botërore në territorin e tyre [Neni 29 i Konventës së Parisit]. Shqipëria ka raportuar rregullisht për gjendjen e konservimit të tre pasurive: Pyjeve të Lashta të Ahut, për Beratin dhe Gjirokastrën, si dhe për Liqenin e Ohrit. Raportimet më të fundit për to janë të vitit 2021, dhe do të shqyrtohen në Sesionin e tanishëm.
Sa i takon Butrintit, çuditërisht, raportimi i fundit periodik për gjendjen e konservimit të tij është kryer në vitin tashmë të largët 2009. Një nga detyrat e lëna nga KTB-ja në atë raport ishte që Shteti Palë duhet të raportonte për rekomandimet dhe progresin e bërë brenda datës 1 shkurt 2011. Çuditërisht kjo porosi nuk u zbatua asnjëherë, dhe tash u bënë plot 14 vjet që, për Butrintin, Shqipëria nuk ka paraqitur asnjë raport në UNESCO, paçka se Butrinti – si Pasuri e Trashëgimisë Botërore – pranohet përgjithësisht si gjerdani i kurorës i trashëgimisë kulturore të vendit – si dhe i turizmit – si dhe përbën një ndër pikat referuese të identitetit kombëtar.
Shtetet Palë inkurajohen të propozojnë edhe pasuri të tjera për t’u inskriptuar në Listën e UNESCO-s të Trashëgimisë Botërore. Për këtë qëllim shërben Lista Provizore – Tentative List. Me gjithë pasuritë e çmuara dhe shpesh unikale të vendit, vetëm katër pasuri janë përfshirë deri tani në të. Ato janë Varrezat Ilire të Selcës së Poshtme në Mokër,[2] Amfiteatri i Durrësit,[3] Qyteti Antik i Apollonisë,[4] dhe Kalaja e Bashtovës.[5] Ka vend për të theksuar se Bashtova, në përshkrimin e vlerave të jashtëzakonshme universale krahasohet me Rozafatin, mirëpo Kalaja e Rozafatit dhe ansambli natyror përreth saj ende nuk e kanë nisur rrugëtimin për në UNESCO.
Kuptohet që puna e Shtetit Palë nuk mbaron tek Lista Provizore, dhe as tek ajo e përhershme. Kjo e fundit, siç thamë, ngërthen detyrime të rregullta e thelbësore për mbrojtjen, konservimin dhe ruajtjen e vlerave të jashtëzakonshme universale, çka pasqyrohet jo vetëm në raportimet e detyrueshme të Shtetit Palë, por edhe në monitorimin e rregullt nga ana e Qendrës së Trashëgimisë Botërore.
Përveç neglizhimit institucional për Butrintin dhe dokumentacionit të cunguar për Varrezat Ilire të Selcës së Poshtme dhe Qytetin Antik të Apollonisë, karakteristikë për Shqipërinë është numri relativisht i pakët dhe statik i Listës së Trashëgimisë Botërore e i Listës Provizore.
Roli monitorues i UNESCO-s dhe Butrinti
Një nga instrumentet që përdor UNESCO-ja për zbatimin e Konventës së Parisit është monitorimi i gjendjes së konservimit të pasurive përmes misioneve të veta të vëzhgimit. Është me interes të vërejmë se në Raportin e vitit 2019 Për Fuqizimin e Efektshmërisë së Procesit të Monitorimit Reagues, Butrinti paraqitet si rast pozitiv, ku Shteti Palë kërkoi vetë që Pasuria të futej në Listën e Pasurive të Rrezikuara të Trashëgimisë Botërore pas ngjarjeve të vitit 1997.
“Gjatë kësaj periudhe – theksohet në Raport – menaxhimi i pasurisë u përmirësua thelbësisht me caktimin e një manaxheri, të personelit të përkushtuar dhe me zhvillimin (me ndihmën ndërkombëtare) të planit të menaxhimit brenda vitit 2005.”[6]
E theksojmë këtë pikë për të mbështetur argumentin se Shqipëria i paska, pra, kapacitetet e veta të brendshme për të menaxhuar apo administruar më së miri pasuritë e veta të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, ndryshe nga sa po vepron Fondi Shqiptar Amerikan i Zhvillimit apo AADF-ja sot për sot në Butrint.[7]
Një raport i papërfunduar për Butrintin
Sesioni i tanishëm ka një agjendë të ngarkuar dhe do të zgjasë rreth dy javë, deri më 25 shtator 2023. Një nga veprimtaritë më të rëndësishme është Raporti i Qendrës së Trashëgimisë Botërore për veprimtarinë e saj dhe për zbatimin e vendimeve të KTB-së gjatë dy viteve të fundit. Lidhur me Shqipërinë Raporti përmend misionin e përbashkët WHC/ICOMOS/ICRROM për Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës të dhjetorit 2021, si dhe shkurtimisht, rekomandimet përkatëse.
Sa i takon “patates së nxehtë” të Butrintit, ku dihet kundërshtimi i fuqishëm i opinionit publik, por edhe institucional nga Presidenca si dhe të paktën nga ¼ e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ndaj planeve të AADF-së për marrjen në dorë të kontrollit, posedimit, menaxhimit dhe përdorimit të Butrintit përmes të ashtuquajturit fondacion të dedikuar[8], Raporti jep një të dhënë shumë të rëndësishme. Aty theksohet se Raporti i Misionit të Përbashkët WHC/ICOMOS në Butrint në tetor 2022 është “duke u përfunduar”.[9]
Me shumë gjasë Raporti i shumëpritur do të shprehet edhe për modelin e pashembullt të menaxhimit të Butrintit, të nxitur dhe sponsorizuar nga AADF-ja, model i cili, siç e kemi përmendur më herët tek Peizazhe të Fjalës, përbën shkelje të frymës dhe gërmës së Konventës së Parisit. Lidhur me rolin e AADF-së kemi shprehur opinionin se AADF-ja ka devijuar jashtë mandatit të miratuar nga Kongresi i SHBA, si dhe nga ligjet, politikat dhe praktikat më të mira të SHBA-së në fushën e trashëgimisë botërore të materializuara përmes Shërbimit Kombëtar të Parqeve [National Park Services].
Shën Llazari në Paris – dhurim apo huazim?
Konventa e Parisit u nënshkrua në nëntor 1972. Në nëntor 2022 ajo mbushi 50 vjet. Sesioni i Riadit do të shqyrtojë edhe raportin për 50 vjetorin e Konventës së Parisit, që u shndërrua në një moment reflektimi për arritjet dhe për sfidat e së ardhmes. Ky përvjetor nuk duhet ngatërruar me themelimin e UNESCO-s më 1946, dhe as me anëtarësimin e Shqipërisë në të në vitin 1958.
Tema e kremtimeve për Konventën e Parisit ishte “50 vitet e ardhshme: Trashëgimia Botërore si burim qëndrese, humanizmi dhe risije”. Në mbarë botën u zhvilluan rreth 65 të aktivitete të larmishme si dhe dy konferenca të rëndësishme në Kamerun dhe Greqi.[10]
Shqipëria nuk përmendet në raport, edhe pse me siguri në vend janë ndërmarrë aktivitete për Konventën e Parisit me rastin e 50 vjetorit të saj.
Gjithsesi, në këtë drejtim tërheq vëmendjen një Vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2018, me propozim të Ministres së Kulturës M. Kumbaro, “Për Dhurimin UNESCO-s të Ikonës “Ngjallja e Llazarit” në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë”. Sipas tij, Ministria e Kulturës ngarkohej për lidhjen e kontratës së dhurimit mbështetur në Kodin Civil të Shqipërisë. VKM-ja ngarkonte Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar, Arsimit dhe Arkeologjik, Korçë, që të kryente procedurat përkatëse “deri në dorëzimin e saj tek UNESCO-ja”. Kurse Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore ngarkohej të ndiqte procedurat “deri në tjetërsimin e pronësisë së veprës”.[11]
Vendimi për ”dhurimin”, pra, mban datën 29 shtator 2018. Kaluan saktësisht 13 muaj, dhe një VKM e dytë anulloi të parën.[12] Nuk dihet se ç’ndodhi në Paris dhe si reagoi realisht UNESCO-ja ndaj kësaj dhuratë sa të papritur, aq edhe të çmuar të ikonografisë shqiptare të shekullit XVIII, me autor Kostantin Shpatarakun.[13] Me shumë gjasë UNESCO-ja duhet ta ketë refuzuar me takt diplomatik këtë gjest njëkohësisht bujar dhe bizar të një Shteti Palë të Konventës së Parisit. Kujtojmë se kjo Konventë, për ironi, materializon pikërisht detyrimet e Shtetit Palë për identifikimin, mbrojtjen, konservimin, publikimin dhe përcjelljen tek brezat e ardhshëm të pasurive të trashëgimisë kulturore, siç ishte edhe kjo ikonë me vlera të paçmuara. Në thelb, UNESCO-ja nuk mund të shkelte me të dyja këmbët një nga parimet themelore mbi të cilin është krijuar.
“Ringjallja e Llazarit” ekspozohet në UNESCO.
Duhet theksuar se akti i çuditshëm – që me gjasë Konica do ta quante si “levantin” – u kundërshtua me forcë nga shkencëtarë, specialistë dhe dashamirës të trashëgimisë kulturore në vend. Përmendim, për shembull, reagimet e ashpra të arkitektit të ndjerë Kliti Kallamata, si dhe të arkeologes Lida Miraj, apo restauratorit Pavlo Shkarpa, etj.[14]
Velloja e misterit të dhurimit dhe anullimit rëndohet më tej tek lexon një njoftim zyrtar të Ministrisë së Kulturës të datës 20 nëntor 2019. Shkruhet aty:
Ikona “ishte pjesë e ekspozitës së një viti më parë, e hapur me rastin e 60-vjetorit të UNESCO-s, dhe pas mbylljes së saj, “Ringjallja e Llazarit”, së bashku me veprat e tjera të ekspozitës u rikthye në Shqipëri, pranë Muzeut Mesjetar të Korçës. Me Urdhër të Ministrit të Kulturës dhe mbi një kontratë 2-vjeçare me UNESCO-n, ky objekt udhëtoi drejt Parisit dhe do të qëndrojë i ekspozuar në ambientet e UNESCO-s.”[15]
Ky njoftim, po aq bizar sa edhe vendimi i dhurimit, ngre pyetje të tjera. Së pari, duhet saktësuar se ngjarja nuk ka fare lidhje me 60 vjetorin e UNESCO-s, pasi UNESCO-ja është themeluar në vitin 1946. Së dyti, VKM-ja e parë e vitit 2018 bënte fjalë për dhurim, jo huazim apo ekspozim. Përkundrazi, ekspozimi me gjasë u realizua vetëm pas refuzimit hipotetik të UNESCO-s, dhe pas anullimit të dhurimit, përmes një kontrate dyvjeçare bazuar në një Urdhër të Ministres E. Margariti. Dhe e treta, sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, “Ngjallja e Shën Llazarit” e paska bërë dy herë ecejaken e mundimshme Korçë – Paris – Korçë: herën e parë me rastin e “60 vjetorit”, dhe herën e dytë me kontratën dyvjeçare. Cila është e vërteta?
7. Zagoria e Gjirokastrës dhe Zagoria e Pindit
Fiaskoja e Shën Llazarit sjell në vëmendje një tjetër problematikë lidhur me UNESCO-n. Organizmi i OKB-së – ndryshe nga sa mendojnë disa – nuk ka të bëjë vetëm me trashëgiminë kulturore. UNESCO-ja ka si mision të vetën edhe fushën e arsimit dhe shkencës. Kjo duhet të ketë qenë logjika mbështetëse e një VKM-ja tashmë të harruar, të nënshkruar nga ish-Kryeministri I. Meta, e cila institucionalizonte marrëdhëniet e Shqipërisë me UNESCO-n përmes ngritjes së Komitetit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n, të kryesuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.[16] Duket se Komisioni Kombëtar ekziston vetëm në letër, paçka se shfaqet si kontakti kryesor me Shqipërinë i UNESCO-s në faqen zyrtare të saj.[17] Praktikisht, duket se Komisioi Kombëtar është lënë në harresë, çka rezulton nga anashkalimi i plotë i tij prej Ministrisë së Kulturës gjatë procedurave të hartimit dhe konsultimit të ligjit famëkeq 50/2022 , ligj i cili i çel shtegun tjetërsimit të Butrintit.
Por le të kthehemi tek Sesioni i 45-të i Riadit. Komiteti i Trashëgimisë Botërore pritet të shqyrtojë edhe propozimet për Pasuri të reja të Trashëgimisë Kulturore. Lista sivjet përfshin rreth 53 pasuri nga të githa anët e botës. Pasuritë e propozuara i nënshtrohen një procedure komplekse e shqyrtimi të imët nga organizmat këshillimore të KTB-së. Si rrjedhojë, propozimet mund të rekomandohen për inksriptim, për referim, për shtyrje, për ndryshim të kufijve, ose edhe mund të refuzohen.
Tërheq vëmendjen propozimi i Greqisë për përfshirjen e Zagorisë së Pindit në Listën e Pasurive të Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore me përdorim të përzier. Lënda e paraqitur tregon për një punë serioze të autoriteteve greke, si dhe të organizmave këshillimore të UNESCO-s. Me sa duket, rekomandimi është që shqyrtimi të shtyhet për shkaqe teknike.
Në këtë drejtim, ndofta organizmat e shtetit shqiptar mund t’i propozonin UNESCO-s një qasje të përbashkët me palën greke që të përfshinte edhe Parkun Natyror të Zagorisë në Gjirokastër, krahinë kjo me vlera të rralla të trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Raste të pasurive të përbashkëta ndërkufitare për dy ose më shumë shtete janë të zakonshme për UNESCO-n, e cila e nxit një qasje të tillë integruese e gjithëpërfshirëse. Disa shembuj janë parqet ndërkufitare të Banesave karakteristike në Alpe, apo për Kufijtë e Perandorisë Romake, por edhe në Shqipëri tek Liqenit i Ohrit.
Një propozim i vyer i deputetes së Vlorës
Edhe pse Shqipëria si Shtet Palë nuk ka paraqitur ende zyrtarisht ndonjë propozim të ri për Listën e Trashëgimisë Botërore, vërejmë nismën e veçantë dhe të guximshme të deputetes së Vlorës, Ina Zhupa, për vlerësimin me procedure të përshpejtuar të Gjirit të Gramës në bregun e Vlorës. Kërkesa e datës 10 shtator 2023 i është përcjellë Drejtorit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Paris. Nisma, me sa duket, mori shkas nga një denoncim i publicistit Blendi Fevziu për vandalizmin e ndodhur në faqet shkëmbore të Gjirit të Gramës. Sipas një studimi të Prof. Neritan Cekës, në Gjirin e Gramës ka me qindra inskriptime emrash të gdhendura qysh në shekullin e VI para erës së re, kur Gjiri përdorej si gurore, dhe në vijim, ku personalitete të shquara, detarë e udhëtarë të tjerë, ndaleshin aty për të shmangur stuhitë jo të rralla të Kanalit të Otrantos, duke na lënë edhe sot e gjithë ditën “kartëvizitat” e tyre të gdhendura në shkëmb.
Pa dyshim që Gjiri i Gramës e meriton të shqyrtohet me seriozitet nga organizmat këshillimore të UNESCO-s. Mirëpo propozime të tilla shoqërohen edhe me një Deklaratë të Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të Gjirit të Gramës, të mbështetur në kriteret e posaçme të nominimit, si dhe me përshkrimin e integritetit, autenticitetit dhe rrezikut iminent të Pasurisë. Komiteti i Trashëgimisë Botërore është tejet i ndjeshëm për trashëgiminë që rrezikohet për shkaqe të ndryshme, dhe qasja e ndërmarrë nga deputetja e Vlorës duket më e përshtatshmja. Nisma është e dyfishtë: së pari kërkohet inskriptimi në Listën e Trashëgimisë Botërore, dhe së dyti, inskriptimi në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Kjo nismë e vyer lyp mbështetjen e mbarë spektrit politik dhe opinionit publik. Të gjithë shqiptarët fitojnë nëse Gjiri i Gramës renditet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ndofta u takon autoriteteve shtetërore, gjegjësisht Ambasadores në UNESCO, znj. Besiana Kadare, Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, apo Komisionit Kombëtar, që ta ndjekin deri në fund propozimin e deputetes Zhupa. Sesioni i tanishëm i 45-të i KTB-së në Riad është rasti fatlum që Shqipërisë t’i shtohet edhe një pasuri tjetër me vlera të jashtëzakonshme universale, aq më tepër të rrezikuar.
© 2023 Agron Alibali. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Lejohet riprodhimi me kusht që të citohet kjo revistë si burimi parësor.
[1] Bazuar në konventa të tjera të UNESCO-s, Shqipëria ka edhe dy “elemente” të inskriptuara në Listën e Trashëgimisë Jomateriale (polifoninë labe dhe xhubletën) dhe një pasuri në Kujtesën e Koleksionit Botëror (Codex Purpureus Beratinus). https://www.unesco.org/en/countries/al
[2] https://whc.unesco.org/en/tentativelists/909/ – listuar më 1996 me propozim të Institutit të Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, (kriteri iii).
[3] https://whc.unesco.org/en/tentativelists/910/ – listuar po në vitin 1996 dhe po nga Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri”, (kriteri iv).
[4] https://whc.unesco.org/en/tentativelists/5885/ – listuar më 2014 nga Ministria e Kulturës, sipas kritereve (ii), (iii) dhe (x).
[5] https://whc.unesco.org/en/tentativelists/6259/ – listuar nga Delegacioni i Përhershëm i Shqipërisë në UNESCO, sipas kriterit (jv).
[6] Review – World Heritage Reactive Monitoring Process – Strengthening The Effectiveness Of The World Heritage Reactive Monitoring Process, tek https://whc.unesco.org/en/reactive-monitoring/
[7] Sikur Shqipërisë t’i mungonin burra apo gra të afta me aftësi menaxheriale dhe me njohuri të thella në fushën e trashëgimisë kullturore dhe natyrore, AADF-ja vendosi të zgjedhë në krye të të ashtuquajturit Fondacion për Menaxhimin e Butrintit një shtetas të huaj që, pa dashur aspak ta paragjykojmë, na sjell ndërmend shprehjen “nuk mbahet shtëpia me miell hua”.
[8] “With the support from the Albanian Ministry of Culture, the Albanian American Development Foundation (AADF) has taken over management of the archaeological site with a view of developing a pilot project for cultural heritage in…” Butrint. Richard Hodges in Spatialities of Byzantine Culture from the Human Body to the Universie, 2022, p. 128.
[9] “Report under finalization”. WHC23/45.COM/5A, f. 40.
[10] https://whc.unesco.org/archive/2023/whc23-45com-13-en.pdf
[11] VKM Nr. 564, datë 28/09/2018, FZ Nr. 143 dt 08/10/2018 tek https://qbz.gov.al/eli/vendim/2018/09/29/564
[12] VKM Nr, 702, dt. 29/10/2019, FZ Nr. 147 ft. 31/10/2019, tek http://qbz.gov.al/eli/vendim/2019/10/30/702
[13] Gazeta Shqiptare e raportoi ngjarjen më 22 nëntor 2019; shih Fatmira Nikolli, “Ngallja e Llazarit”, nga dhurimi tek anulimi e ekspozimi – historia njëvjeçare e një ikone midis Shqipërisë dhe UNESCO-s. Me përjashtim të Gazetës Sot dhe të znj. Nikolli, reagimi i shtypit shqiptar ishte i zbehtë dhe konformist.
[14] Për reagimet dhe kritikat e ashpra të tyre shih Gazetën Sot, datë 5 tetor 2018.
[15] https://www.kultura.gov.al/ringjallja-e-llazarit-ekspozohet-ne-unesco/
[16] VKM nr. 36, dt. 28.1.2000. Me riorganizimin e fundit të Akademisë së Shkencave, ndofta vetë kjo mund të merrte rol qendror në marrëdhëniet me UNESCO-n.
[17] Country representation to UNESCO: https://www.unesco.org/en/countries/al
|
7,753 | https://peizazhe.com/2011/07/08/drejt-mbylljes/ | null | 2011-07-08T16:10:01 | DREJT MBYLLJES | Katedra e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut rrezikon t’i mbyllë dyert, për arsye pas gjase financimi dhe burokratike.
Këtë katedër, ku kanë dhënë mësim në të shkuarën Martin Camaj dhe Wilfried Fiedler, e drejton tani Bardhyl Demiraj, ndoshta albanologu shqiptar më i shquar i brezit të vet.
Në mediat po qarkullon një thirrje, e sinqertë, që autoritetet shtetërore në Shqipëri dhe në Kosovë të mos e lënë katedrën të mbyllet, duke ia siguruar të paktën mbështetjen financiare.
Se sa do të dëgjohet kjo thirrje, mbetet për t’u parë, sikurse mbetet për t’u parë se si do të funksionojë kjo katedër, po të financohet nga qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Bardhyl Demiraj ka bërë punë të mirë jo vetëm si studiues, por edhe si pedagog dhe organizues veprimtarish shkencore. Nëse katedra rrezikon të mbyllet, kjo nuk besoj se lidhet me ndonjë mangësi të tijën si drejtues.
Arsyeja kryesore, për këtë katastrofë të mundshme, është rënia e interesit për shqiptarët, kulturën shqiptare dhe albanologjinë në Perëndim dhe sidomos në Gjermani.
Interesi akademik europian për kultura minore, si e jona, kushtëzohet nga dy faktorë kryesorë: faktori gjeopolitik, siç mund të ishte Lufta e Ftohtë në vitet e Camajt; dhe faktori akademik i mirëfilltë – p.sh. orientimi ndaj studimeve indo-europiane ose balkanologjike si të tilla.
Të dy këta faktorë nuk ekzistojnë më. Kultura shqiptare jo vetëm mbetet minore në krahasim me kultura të tjera kombëtare europiane, por edhe nuk po jep ndonjë kontribut për të qenë, në kulturën europiane bashkëkohore.
Që këtej, s’ka asgjë për t’u habitur me studentët gjermanë, që nuk kanë interes për albanologjinë.
Kam punuar për disa vjet në Institutin Oriental të Napolit, në katedrën e Letërsisë Shqipe të drejtuar nga Italo Fortino; dhe e kam përjetuar drejtpërdrejt indiferencën e studentëve atje. Sikurse Demiraj tani në Mynih, edhe Fortino-ja është bërë copë për ta gjallëruar veprimtarinë albanologjike në Napoli, duke organizuar gjithfarë konferencash dhe botimesh – mjaft të kujtoj këtu se Atlasi Dialektologjik i Shqipes u botua pikërisht nën kujdesin e kësaj katedre. Megjithatë, kaq nuk mjafton. Nëse albanologjia mbetet ende gjallë në universitetet italiane, kjo vjen nga interesimi, jo gjithnjë mirëfilli akademik, i studentëve arbëreshë të atjeshëm, të cilëve u bashkohen, zakonisht thjesht për oportunizëm, shqiptarët nga Shqipëria; si dhe nga inercia vetëmbrojtëse e filologëve arbëreshë.
Gjermanisë i mungon faktori arbëresh, kaq i pranishëm në albanologjinë italiane. E vetmja mënyrë për ta kompensuar këtë mangësi, do të ishte aktivizimi akademik i qarqeve të interesuara për historinë e gjuhës shqipe në vetvete, si gjuhë indo-europiane ose si gjuhë ballkanike. Për fat të keq, sot kjo nuk po ndodh, edhe ngaqë shqipja nuk zë ndonjë vend qendror në indo-europianistikë dhe ata indo-europianistë që janë marrë me shqipen nuk kanë sjellë ndonjë kontribut të spikatur në nivel europian ose botëror.
Ironikisht, përveç Italisë, vendi tjetër europian ku studimeve albanologjike u mbetet një arsye e fortë për të vazhduar brenda hapësirës akademike është Greqia – sepse i ka universitetet të mira, sepse ka interes për studimet shqiptare, e kështu me radhë, pa harruar edhe praninë e një komuniteti të madh imigrantësh shqiptarë atje.
Po çfarë mund të bëhet tani për Mynihun? A është i përligjur alarmi për mbylljen e katedrës dhe fushata për ta shpëtuar këtë institucion, nëpërmjet fondeve publike nga Shqipëria dhe Kosova?
Alarmi është doemos i përligjur – katedra në Mynih ka krijuar tashmë traditën e vet dhe mbyllja do të linte një boshllëk të pafalshëm, aq më tepër duke pasur parasysh se në ç’gjendje ndodhet albanologjia sot në Tiranë dhe në Prishtinë. Sa për fondet, unë do të isha më i qetë sikur të siguroheshin me rrugë private, nëpërmjet ndonjë fondacioni ose dhurate; meqë kam frikë se ndërhyrja e qeverive në punët e katedrës do të shoqërohet menjëherë me presione në lëmin e politikave të kuadrit (si kudo gjetiu).
Një faktor i rëndësishëm që i mban gjallë institucione të këtilla është bashkëveprimi me katedrat dhe institucionet simotra në Shqipëri; mirëpo veprimtaria albanologjike sot në Shqipëri nuk është veçse një hije e asaj të dikurshmes.
Profesorë dhe doktorë sa të duash, tituj pa fund aq sa nuk i nxe faqja kur i rreshtojnë titullarët, por vepra të pakta dhe të dobëta, madje mediokre dhe dështake, me përjashtime që veç vërtetojnë prirjen e përgjithshme (ngaqë janë rezultat përpjekjesh sporadike, jo i punës së organizuar institucionale).
Çfarë të bëjë një Demiraj ose një Fortino ose një Altimari, kur të ftuarit në konferenca dhe simpoziume nga Tirana u mbajnë kumtesa sofomorike, të tipit “fjalët e reja që ka krijuar Ismail Kadareja”?
Nga Tirana (dhe ndoshta edhe nga Prishtina) nuk po vjen ndonjë prodhim dituror për të qenë, por vetëm rrahje gjoksi dhe ripërtypje arritjesh të djeshme. Kështu dëmtohet rëndë perspektiva e albanologjisë jo vetëm në trojet shqiptare në Ballkan, por edhe gjetiu në Europë.
|
6,832 | https://peizazhe.com/2011/02/08/si-te-udhetoni-per-ne-tirane/ | null | 2011-02-09T02:16:07 | SI TË UDHËTONI PËR NË TIRANË | nga Pllaka e Pionierit
Gjirokastër 22 nëntor. Të jesh në mëngjes në Gjirokastër, në fund të nëntorit, nuk është dhe nga opsionet më të mira që mund të kesh për të filluar ditën. Sidomos kur mëngjesi shoqërohet me një të ftohtë që të depërton dhe një shi i cili edhe pse i hollë të ngrinte nervat. Shto këtu edhe rrugët e prishura, pellgjet me ujë, makinat që kalonin me shpejtësi dhe spërkatnin (kryesisht mbi njerëzit) ujin dhe për finale… autobuzi…
Ishte pikërisht autobuzi i Tiranës ai që kaloi para sysh, i fishkëlleva, bëra sikur vrapova, tunda dorën, i bërtita me fuqi por efekti Doppler bëri punën e vet. Shumë bukur, e humba autobuzin, nuk ngelet veçse të kap tjetrin. Më pëlqen kur gjej optimizëm tek vetja, sidomos kur nuk ka arsye për diçka të tillë. Dhe sidomos kur autobuzi tjetër për Tiranë nisej pas dy orësh.
U ktheva mbrapsht, atje që ishin mbledhur disa furgonë, disa njerëz, disa plaçka të gjithë duke pritur nisjen. Tabelat e furgonëve ishin nga më të larmishmet; Tepelenë, Përmet, Sarandë-Delvinë… dhe andej nga fundi i rrugës, bingo! Tiranë. Ishte një furgon ngjyrë vishnjë, diçka më shumë se modest për preferencat e mia por kishte tabelën magjike që shkruante: Tiranë! Iu afrova, kur niseni? Tani? Shumë bukur. Do sjellim içik rrotull tha, mos gjejmë dhe ndonjë pasagjer tjetër (e tha me një ton sikur po thoshte, “ndonjë viktimë tjetër”). Fine by me, mua më intereson që do ikja për Tiranë. U futa brenda dhe gjithë shijen e mirë që kisha nga qumështi i mëngjesit dhe çokollata ma hoqi ekrani LCD që po villte turbofolk. Nuk prisja në fakt orkestrën simfonike të Berlinit, por jo dhe turbofolk në pikë të mëngjesit!
Furgoni bëri disa rrethe, disa kthesa majtas-djathtas, si qentë që kërkojnë të kafshojnë bishtin e vet, gjeti një djalë tjetër (klient le të themi) për Tiranë dhe pastaj ndaloi. Shoferi përshëndeti një furgon tjetër, ngjyrë të bardhë, dhe duke u kthyer pastaj nga ne na tha, -Zbrisni, do shkoni me atë. Diçka s’shkon këtu thash me vete por shoferi nuk dukej nga ata tipa që u pëlqejnë argumentet… Zbritëm, vajtëm tek ajo rrangalla tjetër që për eufemizëm le ta quajmë furgon. Në pamjen e jashtme u ngjante atyre furgonave që gjermanët transportonin çifutët në kampet e përqëndrimit gjatë luftës së dytë botërore. Bëhu optimist i thashë vetes, mund të ishte edhe më keq. Mund të ishte ndonjë spond i pambuluar Zisi… Unë edhe pasagjeri tjetër ia hipëm furgonit të dytë. Edhe ky, si tjetri, filloi prapë duke bërë kthesa majtas-djathtas dhe duke bërë xhiro rreth vetes për të gjetur pasagjerë të tjerë. Me diferencën se ky shofer hapte dritaren dhe bërtiste çdonjerit që i afrohej furgonit. Je për Tiranë? (vallahi, me gjithë atë zë që lëshonte edhe sikur të isha për Tiranë nuk do i afrohesha… por rrethanat e sollën që i kisha hipur)!
Pasi gjetëm dhe tre pasagjerë të tjerë (një plakë, një indiferente dhe një krijesë të bukur që zbriti tek Ura Vajgurore or whatever) u nisëm. Kithi i mëngjesit ishte zhdukur dhe koha bëri sikur u hap. U nisëm. Ndaluam! Shoferi hapi dritaren e vet dhe përshëndeti një furgon që po vinte nga ana e kundërt e rrugës. –Po, ia futa me levë! Të më thotë mua se nuk kam licencë? Un kam 15 vjet që punoj taksi ore! O Zot, thash me vete, ç’po më dëgjojnë veshët (të paktën ka eksperiencë, 15 vjet nuk janë pak)! Mirëpo, deri sa të dolëm nga Gjirokastra e njëjta skenë u përsërit nja tre-katër herë akoma, duke ndaluar furgona e autobuza, vetura e kamjona, biçikleta e motora, për t’u treguar sesi i kërkoi policia (njëfarë polici që nuk më kojtohet emri dhe që shoferi ynë i njihte të jatin) letrat dhe si kishte reaguar shoferi ynë. Shyqyr që pasi lamë Gjirokastrën, trafiku u lehtësua dhe kështu nuk ndaloi më.
Tek Ura Vajgurore lamë krijesën e bukur afër një Ure që s’kishte ndonjë diferencë nga ura e lumit Kwai. Shoferi nuk i mori pará, Ik tani, e di unë atë punë, tha. Krijesa buzëqeshi dhe pasi mori sekretet me vete u zhduk ashtu siç ishte shfaqur në skenën e teatrit tonë surrealist. Kudoqofsh o krijesë kalofsh mirë, me shoferin apo pa të!
Në pjesën tjetër të rrugës shoferi e gjeti të arsyeshme të na tregonte me çdo lloj hollësie sesi kishte vajtur në Kakavie si taksi, dhe si e kishte ndaluar policia (Arjani! Ia kujtova emrin policit!) dhe i kishte thënë se nuk kishte licencë për Kakavie dhe mund t’i sekuestronte furgonin. Kjo e fundit përbënte kulmin për shoferin tonë, nuk duronte gjëra të tilla, nxorri një levë dhe e goditi (policin!), pastaj i ndanë, pastaj e morën në degë, pastaj e lanë. Nuk di për ç’arsye e lanë por sigurisht ka qenë për të torturuar ne. Unë një mjet desha i shkreti për Tiranë, asgjë më tepër.
Tepelenë. Sa arritëm, hapi dritaren dhe bërtiti, -A ka njerëz për Tiranë oreee?! Shyqyr Zotit, jo. Vazhduam rrugën, u kthye për një çast nga mua, -Beqar je? Po, thash (duket?). E pyeti edhe djalin tjetër, po tha dhe ai. –Hë mo mirë, tha, të rinj jeni akoma. Dhe filloi të na tregonte prapë për licencën dhe levën dhe Kakavien. Shyqyr që e ndërpreu telefoni ku e morri një tjetër shofer i etur për të mësuar ndodhinë me levën dhe ky yni me gjithë kënaqësi filloi (duke bërtitur) t’ia tregonte…
Memaliaj. Zbriti plaka me gjithë plaçkat (ca presh të njomë, patate, një pako oriz dhe dy pako sheqer. Nuk pashë kafe). Memaliaj është nga ato qytete interesante për antropologët, të tregon sesi do të jetë bota pas luftës së tretë botërore. Vazhduam pa ndonjë gjë interesante. Veçse kësaj here shoferi po drejtonte mjetin me një dorë, pasi e dyta ishte e zënë me byrekun me lakra që po hante dhe me copën e djathit që më kalli datën. Pasi lëpiu gishtat i fshiu në xhaketë (po, po, në xhaketë!) dhe në pantallona! Dua të zbres, dua të zbres, dua të zbres (u dëgjua brenda meje një zë që ulërinte)!
Ndaluam diku që mund të ishte dhe fundi i botës ose i shijes. Në një bar-restorant (qesha me vete) me emrin “Gjuetarët e Magjepsur”. Në fakt nuk quhej kështu por nuk e mbaj mend mirë sesi quhej. Për nevojat fizike iu drejtova asaj godine me tabelën WC. Gabim! Dhe e kuptova gabimin sa hapa derën dhe era më goditi nervat e frymëmarjes. Një banjë alla turka, me një çezëm që rridhte në mes dhe një dritare me xham të thyer. Më mirë të kisha shkuar prapa ndonjë peme, të shijoja natyrën të paktën. Pasi lava duart shkova në bar-restorant. Mbas atyre që kisha “shijuar” gjatë rrugës nuk më hahej diçka. Veçse mora një paketë cigare, dhe një shishe uji. Dola jashtë për të ndezur cigaren dhe sapo e kisha ndezur më ra çakmaku (që sapo e kisha blerë) nga dora dhe u bë 100 copë. Si ishte e mundur nga një lartësi më e vogël se dy metra të shpërbëhej çakmaku? Ende e kam kureshtje.
Erdhi shoferi dhe u nisëm. Diku në një fshat gjysëm të braktisur lamë indiferenten. Ishte kaq indiferente që nuk meriton më shumë se dy rrjeshta në këtë rrëfim. U nisëm prapë. Shqipëria e mesme më dukej në gjendje skamnore. Lapidare me kryqe apo gjysëmhëna anës rrugës të kujtonin aksidentet, rrugën e mjeruar dhe mungesën e qytetërimit automobilistik. Syri të mbushej ose me kasolle e bunkera ose me vila groteske pa estetikë; modele të kitsch-it dhe ekzemplarë të pasurisë postkomuniste. Ndonjë flamur tek tuk, i kthyer në ngjyrë portokalli nga rebeshi të kujtonte se ishe në Shqipëri… Dhe ajo era e rëndë të kujtonte se po i afroheshe Ballshit. E thashë dhe më erdhi në mendje era e squfurit dhe gazi i metanit apo i propanit, ose i kirozinës apo ç’dreq quhen ato produkte të përpunimit të thellë të naftës. Atje nuk ndaluam. Duket se as shoferit tonë i pëlqente Ballshi. Shënova një plus këtu për shoferin tonë.
Fier. Koha ishte bërë e zymtë, kishin filluar të duken rretë e para të zeza. Këtë herë nuk ishte shoferi që ndaloi por një burrë që sapo pa furgonin ngriti dorën. U hap dera, dhe hyri një burrë në të tridhjetat, dhe me një theks të rëndë myzeqar pyeti nëse shkojmë për Tiranë. La çantën dhe u ul. Shoferi filloi t’i tregonte historinë me levën, Kakavien, licencën… Mirëpo myzeqarit nuk i pëlqeu historia. Për habinë time filloi t’i shpjegonte shoferit se reagimi i tij ka qenë jashtë kuadrit ligjor (leva!), se në botën e sotme të kulturuar e demokratike nuk ka vend për dhunë (leva!!!), se në Shqipëri duhet të mësohemi me ligjin… Ngela gojë hapur! Edhe shoferi bashkë, që mezi priste edhe një tjetër që t’i konfirmonte se kishte të drejtë dhe se bëri mirë që i theu policit kokën apo brinjët.
Rrogozhinë. Deri në Rrogozhinë koha ishte e zymtë, me re të zeza. Sapo arritëm në Rrogozhinë shpërtheu një shi i tërbuar, u hap qielli dhe uji binte me urrejtje mbi rrugë dhe mbi makinë. Edhe pse pastrueset e xhamave po punonin në superxhiro, shikimi ishte bërë i vështirë. Pamë nja-dy njerëz poshtë një strehe dhe ndaluam. Hipi njëri nga ata për Tiranë. Siç mund ta prisni, shoferi filloi të tregonte prapë histori, me diferencën se kësaj here na thoshte mbi eksperiencën e tij të drejtimit të automjeteve dhe jo për levën. Kuptoni, publiku i ishte shtuar, dhe duhet të krijonim më shumë besim tek shoferi ynë. Na tregoi sesi kishte qenë shofer në ushtri dhe sesi kishte kaluar nga çdo cep i Shqipërisë, që nga Vermoshi deri në Konispol (që nga Tivari deri në Prevezë shtova unë) duke ngarkuar e duke shkarkuar, duke pritur e duke përcillur dhe sesi pastaj në demokraci ishte bërë shofer taksie (furgoni).
Edhe njëherë tjetër për mysafirin e ri të këtij ekskursioni drejt çmendinës shoferi filloi të tregonte historinë me levën. Prapë leva, prapë licenca, prapë Kakavia! Plaku që kishte hipur i jepte të drejtë duke tundur kokën, pastaj në një nëndialekt të gegërishtes filloi të na tregonte dhe ai eksperiencat e tij me ligjin dhe shtetin e korruptuar. Siç na tregoi, vëllai i tij për arsye gjakmarrjeje nuk kishte bërë diçka serjoze, veç se kishte therrur (fjalë e tij!) një person dhe ishte në hasmëri dhe duhet të paguante avokatin tani dhe gjykatësin për të dalë nga burgu. Diku këtu, thashë me vete, hymë në Twilight Zone. Vetëm kjo e bën burrin burrë, tha plaku duke tërhequr këmbëzën e pistoletës imagjinare që mbante në dorën drejtuar qiellit (të furgonit). Të lumtë goja, tha shoferi. Duan Enverin këta, se s’bëhen njerëz. Hë, thash me vete, edhe Enveri na duhej tani në bisedë. Dhe qesha pasi m’u kujtua ligji i Godwin-it i cili mjaft mirë mund të aplikohet për Shqipërinë e sotme dhe bisedat në lidhje me gjithçka.
Që nga Kavaja deri në Durrës nuk pashë dhé. Autostrada ishte e përmbytur në ujë, dhe furgoni ynë e çante ujin si ndonjë varkë. Shoferi ishte kthyer tani në kapiten dhe ne në ekuipazh. Arritëm në Durrës dhe dikush informoi kapitenin tonë se rruga kryesore (e reja) ishte e mbyllur apo kishte përfunduar në fund të detit, kështu që morri vendimin të shkojë nga rruga e vjetër. Gjë që shkakoi shqetësim tek myzeqari i cili kishte hall të arrinte aeroplanin me destinacion një qytet të Perëndimit (pas gjasash në Itali). Mos u merakos, i tha shoferi, e di unë atë punë. U nisëm drejt Tiranës. Po kalonim ca fshtara dhe shoferi filloi të na tregonte prapë historitë e veta. Na tregoi sesi në behar kishte punuar si shofer i një autobuzi që bënte xhiro skuadrën e Partizanit nëpër Rivierën Shqiptare. Por ajo që i kishte bërë më shumë përshtypje, nuk ishte as Riviera (se mbase e kishte parë), as sportistët, por sesi një femër shqiptare shoqëronte një lojtar zezak (fjalë e tij!) të kësaj skuadre. Si është e mundur, thoshte i indinjuar. Nuk ka familje ajo vajzë? Nuk ka vëllezër? Plaku tundte kokën… Zor se mund ta nxirrje shoferin nga deliri i tij në ato momente. Por, ja që myzeqari prapë mendonte ndryshe. Ç’të keqe ka këtu, thoshte. Vajza është e lirë të zgjedhë atë që do. Atë gjeti më të mirë, atë mori. Argumente jo bindëse për shoferin këto. Në shpellën e tij bëhej ndryshe siç dukej.
Kaluam Pezën heroike dhe hymë në periferi të Tiranës. Diku atje zbriti dhe djali i ri, kishim filluar të rralloheshim. Pamjet e para nuk ishin fare mbresëlënëse. Shi dhe ujra të zeza shikoja, si dhe njerëz që lëviznin në mënyrë të çrregullt për të gjetur strehim dhe mbrojtje nga natyra. Në një çast që kishim ndaluar nga trafiku, pashë nga dritarja dy gra që hoqën këpucët, përveshën patallonat dhe tentuan të kalonin rrugën. Nuk e fsheh se më shkau një buzëqeshje, thjesht në mendimin se këmbët e mia ishin të sigurta në këpucët ushtarake që kisha veshur, kurse ato vdekataret ecnin tani të zbathura e të bëra qull. Mirëpo, ku ta dija unë se…
Kishim hyrë tashmë në Tiranë, nga një rrugë që siç më thanë më vonë ishte ajo e Kavajës. Trafiku po bëhej edhe më i dendur. Zbrit ti, më tha shoferi. Ti arrite. Dymbëdhjetë mijë lekë të vjetra dhe zbrita. Ende i mpirë nga sedilja dhe nga ngrohtësia e furgonit, era e ftohtë mbi fytyrë më solli në realitet. Ishte katër e gjysëm mbasdite. Shiu binte ende por i hollë. Vura kapuçin e xhupit në kokë, hodha çantën në shpinë dhe iu drejtova një stacioni të urbanit. Nën strehën e tij ishin të mbledhur nja pesë veta. Vajta të ndizja një cigare por u kujtova se çakmaku im ishte bërë njëqind copa. Me mirësjellje iu drejtova njërit prej bashkëvuajtësve poshtë strehës i cili ma ndezi. Kur kalon urbani për Qendër? e pyeta. Nuk e shikon çfarë bëhet, më tha, rrugët janë të mbyllura nga trafiku dhe shiu, as taksi nuk do gjesh. Jam larg nga qendra? e pyeta prapë. Tundi kokën dhe duart në mënyrë të tillë që tregonin se seriozisht isha larg. Në fakt, shumë larg.
Vendosa të nisesha me këmbë duke ecur Rrugën e Kavajës në një drejtim që instinktivisht mendoja se do më nxirrte në qendër. Tani shiu ishte i dendur, por xhupi i Bundeswehr-it tregonte cilësinë e vet. Makinat nuk lëviznin nga trafiku i rrënduar dhe nuk dëgjohej diçka tjetër veçse motora të ndezur, sharjet dhe klithmat e shoferave dhe boritë shumëngjyrëshe. Një kaos i vërtetë. Gjithçka i ngjante Saigon-it ditët e fundit të luftës së Vietnamit. Vazhdoja të ecja deri sa arrita tek bulevardi Bajram Curri. Atje tek Pallati me Shigjeta thashë me vete se duhet të eci në bulevard. Krejt instiktivisht. Nuk mund të pyesja as njerëzit sepse ose ishin poshtë çadrave dhe ecnin shpejt, ose nuk kishin çadra dhe ecnin akoma më shpejt.
Duke ecur në bulevard u kujtova se nuk kisha marrë me vete karikuesin e iPhone-it. Fatkeqësi e madhe, por shpresat nuk humbën. Duke ecur pashë një dyqan që po shiste aksesorë celuarësh. U futa brënda, duke pikuar gjithëkund. Keni kabllo USB për iPhone? Po tha, urdhëro. Sa bën? Pesë mijë lekë, tha. Të reja? Jo, të vjetra. Nuk e prisja të ishte kaq i lirë dhe mora një. Për qendër thash, mirë më çon rruga? Mirë or burrë i dheut, m’u përgjigj, por je larg. Ku ta dije ti, thash me vete nga jam nisur unë, dhe dola jashtë në suferinë.
Bulevardi tani po bëhej familjar. Kisha kaluar këtej para dy vitesh, kur kisha qenë prapë në Tiranë (në rrethana më njerëzore). E dija se diku këtu afër që kaloja e kishte shtëpinë një shoku im dhe pak më poshtë ishte shkolla Vasil Shanto. Nuk u përgënjeshtrova, pak më poshtë arrita tek shkolla Vasil Shanto. Grupi Komunist i Shkodrës! Anastas Lula, Zjarri, Shulja, Tarasi, Vjosa, fraksionistët, elementi antiparti, Ambasada Jugosllave, të gjitha më kalonin para sysh tani. E dija se duhet të kthehesha djathtas dhe t’i drejtohesha Komunës së Parisit (lagje të këtij kalibri ka Tirana!). Ishte Rruga Sulejman Delvina dhe tani Tirana bëhej më e qartë. Ende në kaos, por tashmë e qartë. Ndenja poshtë një strehe për t’u çlodhur dhe për të kulluar ujin.
I dërgova një mesazh kushëririt tim, njeriut që do i bija në qafë ato ditë që do rrija në Tiranë, me koordinatat e vendndodhjes sime dhe m’u përgjigj të shkoja drejt Universitetit NY (relativisht afër). Sapo kisha futur celularin në xhep shikoj një fytyrë të njohur që po kalonte në rrugë para meje. Më pa dhe u shtang, ktheu kokën dhe vazhdoi rrugën. U ndal, dhe u kthye prapë drejt meje. Diçka i kujtoja dhe atij. Hoqa kapuçin nga koka. I fola, xhaxhi Q.! Si je? Ishte xhaxhai im, Q.K. Në gjithë atë kaos, në gjithë atë shi, në gjithë atë pamundësi të probabilitetit, gjeja në Tiranë xhaxhain tim! I shpjegova se kisha ardhur pak a shumë incognito në Tiranë dhe po të kisha mundësi do kaloja dhe nga shtëpia e tij.
Më shoqëroi deri tek kryqëzimi i përballë stadiumit të Dinamos, tek Rruga Medar Shtylla dhe më tregoi drejtimin që duhet të ndiqja. Atje që po flisnim na dëgjoi një plakë dhe më tha të prisja urbanin për të shkuar drejt Universitetit se pak më poshtë rruga ishte e përmbytur dhe nuk kalohej me këmbë. Fjalë plakash, thash me vete. Mos kij frikë nëno, i thashë. Kam këpucë të mira, sado ujë që të ketë s’ka problem për mua, dhe i fala një buzëqeshje. Përshëndeta xhaxhain, i dhashë një premtim që nuk do ta mbaja kurrë dhe u nisa.
Me të vërtetë nuk isha i përgatitur për pamjen që më doli përpara. Në fakt, duhet të them për liqenin që më doli përpara. Nuk ishte e mundur! Makinat kalonin, dhe uji u arrinte deri në mes (vetëm kjo më bëri të besoj se nuk po shikoja shtratin e Lanës) dhe njerëzit kishin ndaluar anës bregut të hutuar. Nuk kisha me vete as varkë, as kalë (kalova lumin…), si do t’ia bëja i shkreti? Nuk di as not! Mora frymë thellë; Kabo Dalipi e kishte kaluar me sukses lumin tek “Malet me blerim mbuluar”, pra edhe unë mundesha. Veçse Kaboja ishte partizan kurse unë isha i veshur me një xhup të Bundeswehr-it. Mora vendimin e madh, do futesha në ujë. I premtova vetes, se nëse dal i gjallë prej andej do bëhesha njeri më i mirë në jetën time. Çova pantallonat gjer tek gjunjët dhe bëra hapin e parë. Ujë i ftohtë akull! Më ndaloi qarkullimi i gjakut. Vazhdova me hapat e tjera, me avash, duke mbajtur ekuilibër. Kaloi një makinë e cila më solli një dallgë me ujë që desh më rrëzoi. Pas njëzet metrash dola në anën tjetër të rrugës. Këmbët nuk i ndjeja fare nga të ftohtët, dëgjoja vetëm atë flap-flap që bënte uji brenda këpucëve.
Pas disa minutash arrita tek Universiteti i NY dhe ndënja përballë, poshtë një strehe. Bënte ftohtë dhe uji më kishte arritur gjer në palcë. E ndieja veten nja dhjetë kile më të rëndë nga uji i akumuluar. Momente dëshpërimi. Desha të ndez një cigare por nuk kisha çakmak. Atje që kisha ndenjur ishte shkolla private Kristaq Rama dhe kishte një mesoburrë për roje, apo thjesht një njeri që hapte derën. I thash mos kishte çakmak. Shyqyr Zotit që besonte, kishte. Më dha diçka që nuk kisha parë asnjëherë, por meqë ai e thoshte, duhet të ishte çakmak. Provova ta ndizja por nuk ndizej. E ktheva rrotull, e tunda, e shkunda por pa fat. Nuk ndizet. Me siguri produkt japonez, shpikësi i të cilit tani fërkonte duart në ndonjë vilë në Tokio. Kishte dhe një kuti shkrepse, e cila bëri punën e vet. Metodë e vjetër por efikase.
Atë moment vendosa ti dërgoj një mesazh Zanës. Me këtë kohë po më pret? Jam lagur deri në kockë, dhe të gjitha këto për një kafe! Nuk u përgjigj… Në atë çast u prenë edhe dritat në lagje! Diçka që në fakt ishte përfundim logjik për një radhë fatkeqsish të kësaj natyre që kishin ndodhur atë ditë. Pas dyzet minutash (!) erdhi kushëriri dhe më mori. Shkuam në shtëpi ku analizova gjendjen. Çizmet nuk visheshin, çorapet po ashtu. Hiq edhe xhupin që duhej shtrydhur. Do qarkullonim tashmë me mall hua. Televizori më verifikoi atë që kisha përjetuar. Titull karakteristik tek lajmet: “Gjendje apokaliptike në Tiranë”. Është ngushëlluese të dish që mjerimi që hoqe ishte i përbashkët dhe kishte dhe njerëz të tjerë që kishin vuajtur. Google Maps më verifikoi edhe ai dyshimet. Kisha ecur plot katër kilometra! Jo keq natyrisht.
Dolëm për kafe me kushëririn, gruan e tij dhe princin e vogël. Mendja më shkoi prapë tek Zana. I dërgova një mesazh kësaj radhe nga rrjeti. Ku do takohemi nesër? A, tani do të takohemi? m’u përgjigj. Po mirë, do vija unë në Tiranë dhe nuk do të gjeja? Nuk do më zinte gjumi pastaj, i thashë. Bla, bla, bla, më tha! Po mirë, vetëm ke ardhur apo me shokun tënd V.? Jo, thash, krejt vetëm. Ashtu të rrish, si qen! Jo qen, thash me vete. Mace e lagur do shkonte më mirë.
U kthyem në shtëpi. Shikoj mesazhet dhe më kishte dërguar prapë. Nesër jam në mësim deri në orën gjashtë. Do flasim prapë nga rrjeti, ose në qoftë se ke Vodafone Club. Jo, nuk kisha. Nesër pra. Nesër do ishte dita që do shikoja për herë të parë dhe të fundit Zanën në Tiranë.
E marta u gdhi pa tensione dhe pa të papritura. Do gjeja një shokun tim, A.S. dhe do shkonim për kafe. Kushëriri më kishte lënë çorape të reja, një xhup që ishte në numrin tim dhe një palë çizme që më vinin një çikë të vogla, por punën e tyre e bënin. Mbi të gjitha, më kishte lënë dhe një çadër. Wise man! E takova shokun tek shkolla Vasil Shanto dhe pasi morëm urbanin iu drejtuam Bllokut. Sapo u takuam e pyeta mos kishte Vodafone Club. Kishte! Dita fillonte me lajme të mira. Zbritëm në Bllok dhe shkuam në një café. I tregova planin e ditës dhe ia bëra të qartë se nuk do kishim në dispozicion shumë kohë. Pasi piu dy dopjo espresso dhe gjysëm paketë cigare (pa iu dridhur fare qerpiku) u nisëm. Do shkonim nga qendra për të blerë libra.
I thashë të më jepte telefonin që kishte ofertën. Do merrja Zanën. Formova numrin dhe i rrashë ziles. Zemra fillonte të më rrihte fort por përgjigje nga ana tjetër e linjës nuk erdhi. Provova përsëri, tani linja u ndërpre më shpejt. Kishte shkelur reject! Nejse thashë, shkojmë. Pas disa minutash erdhi mesazhi. Kushdoqofsh, nuk mund të përgjigjem. Jam në mësim. Do të të bëj zile unë, kur të mbaroj. Iu përgjigja. Të dhjefsha mësimin! Kur të marr unë në telefon dua të më përgjigjesh. U dhjefsh vetë! më tha. Fair enough… Do më merrte ajo tek ky numri kur të mbaronte.
Dolëm tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kaluam Tajvanin dhe Kullat Binjake dhe nga ana tjetër pashë Piramidën (mbase për herë të fundit). Qendra e Tiranës ngjante me Bagdadin, pas bombardimit të amerikanëve. Atje ku dikur gjendej sheshi Skënderbej ishte një gropë e madhe e rrethuar me gardh metalik dhe tabela që tregonin se po bëheshin punime për pamjen e re të sheshit. Vetëm Gjergji mbi kalë kishte ngelur në vend, në pozicion parade si gjithmonë. Ishim nga ana e Bankës dhe duhet të shkonim tek Opera, kështu që u desh të bënim një rreth, duke ecur në baltë dhe në ujë. Fasada e Operës ishte e mbuluar me një rrjet të madh i cili kishte të shënuar largësinë e qyteteve të mëdha europiane nga Tirana. Vjena kaq kilometra larg, Madridi kaq kilometra larg, Berlini kaq kilometra larg. Mënyrë elokuente për t’u thënë shqiptarëve se duhet braktisur Shqipëria me rast liberalizimin e vizave. Mua në fakt më kujtoi Dr Göbbels-in gjatë betejës së Stalingradit ku kishte kërkuar që çdo qytet gjerman të shënonte largësinë e tij nga qyteti sovjetik për t’u ngritur moralin ushtarëve.
Arritëm tek Opera, libraria ishte simpatike. Sapo kisha kapur në dorë librin e Maks Gjerazit, pashë se shoku im po fliste në telefon. Po, këtu është, tha shoku im dhe më solli telefonin. Po?! Ishte Zana! Për herë të parë e dëgjoja në telefon por zëri karakteristik i saj nuk linte dyshime. Për respekt ndaj njerëzve që po shikonin një njeri që fliste në telefon brënda në një librari dhe për hir të privatësisë dola jashtë. I tregova me pak fjalë për rrugën që kisha bërë, më pyeti për fshatin, e pyeta për mësimet. I tregova se kisha ardhur për të blerë libra, qeshi. Do dilnim? Po, do dilnim. Do sjellësh dhe shoqet e tua. Jo? S’ka gjë, dhe ti mjafton. Unë për ty kam ardhur. Po ku do dilnim? Unë nuk dija, unë isha i huaj. Mirë, do më dërgonte ajo mesazh që të më informonte për vendin dhe orën. E mbyllëm dhe shkova prapë brenda për të vazhduar blerjen e librave.
Kur mbarova isha pak më i varfër në pará, por pak më i pasur në njohuri. Klishé, e di. Po ecnim prapë gjatë Bulevardit kur më erdhi një mesazh i ri. Më njoftonte Zana për vendin dhe orën. B. përballë piceri E. në gjashtë e gjysëm. Tek Blloku është, informohu dhe gjeje. I thashë shokut. Ku është B. përballë picerisë E.? Nuk dinte. Keq puna. Duhet ta gjejmë i thashë, çështja është delikate. Filloi telefonatat tek shokët e tij, pastaj tek shokët e shokëve, pastaj tek Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacioneve. Si përfundim na thanë se ishte diku midis Presidencës dhe Librit Universitar, gjithsesi nuk duhet të dilnim nga Blloku. Më në fund, pas shumë përpjekjesh dhe pasi kishim kaluar nga i njejti vend nja dy-tri herë e gjetëm. Wine-Bar B. Piceria E., ishte përballë. Informacionet përputheshin, s’kishte mundësi gabimi.
I kërkova të më tregonte dhe një mënyrë si të shkoja në shtëpi me qëllim që mbasdite ta bëja nga ana e kundërt dhe të vija prapë pa u humbur. Më tregoi dhe mbajta në mendje disa shenja të rrugëve të cilat u ngulitën në kujtesën time dhe do shërbenin si litari i Ariadnes në rast nevoje. E përshëndeta shokun tim, i dhashë edhe atij një premtim që nuk do ta mbaja kurrë dhe u ktheva me këmbë në shtëpi.
Hëngra një drekë të shijshme me menu kineze që kishte përgatitur gruaja e kushëririt tim dhe rashë i lodhur për gjumë. Në pesë e gjysëm zilja e iPhone-it më nxorri nga ëndrrat dhe solipsizmi. U bëra gati dhe u nisa rreth orës gjashtë. Binte pak shi, kështu që kisha marrë çadrën me vete. Rrugës që po ecja dëgjova zilen e celularit. Ishte Zana, një thirje e humbur. I bëra dhe unë një zile dhe vazhdova rrugën. Më erdhi një mesazh. E hapa me frikë, besoja se do anulonte takimin. Gjë që në fakt edhe mund ta meritoja pas atyre që i kisha bërë. Hë mo ku je? Të nisem? E gjete ku është B.? Mora frymë i lehtësuar. Thamë në gjashtë e gjysëm, do më gjesh atje në gjashtë e gjysëm, iu përgjigja.
Arrita para B. përballë picerisë E. në gjashtë e njëzet e katër minuta. Nuk kishte ardhur ende. Natyrisht, pasi nuk ishte gjashtë e gjysëm. Shikova brënda lokalit por nuk e dallova gjëkundi. Pra, me të vërtetë nuk kishte ardhur. Vajti gjashtë e gjysëm, në mendje po më vinte kënga e Vaçe Zelës, “Djaloshi dhe shiu”, jo rastësisht. Pas dy orësh shikoj se kishin kaluar vetëm pesë minuta. Koha po kalonte. Më në fund e pash që vinte. Ishte me të vërtetë Zana. U përshëndetëm. U vonove plot tetë minuta i thashë. Pse nuk ke hyrë bënda, më tha.
Hymë në lokal dhe ndenjëm diku nga krahu i djathtë. U ul përballë meje. Për herë të parë e shikoja kështu. Me buzë të kuqe, një makijazh të lehtë, një bluzë të zezë që linte të hapur krahun prej bronxi, dhe pantallona në ngjyrën e hënës së zbehtë. E kuruar, tha ajo në zhargonin e rinisë së Tiranës. Fjalë e panjohur për mua. Pyet kushëririn tënd më tha, se mbase e di. Kushëriri im është doktor, me siguri ka kuptim tjetër për të i thashë. Qeshëm. Unë mora një cocktail mojito dhe ajo diçka që nuk kuptova, por në shishe kishte një fetë limon. Folëm për gjithçka, për atë, për mua, për Tiranën dhe odisenë e pabesueshme (të një populli parahelen) për të arritur deri tek wine-bar B. (përballë picerisë E.). Kisha pa e parë që nga gushti në fshat dhe ishte e natyrshme që do flisnim dhe për fshatin, mbresat tona nga pushimet dhe çdo gjë tjetër që do ta bënte të përdorte atë zë të të veçantë që më kishte bërë përshtypje që nga hera e parë që e kisha dëgjuar, dy vjet më parë.
Mora dhe një cocktail të dytë. Ajo nuk deshi. Shikoi orën në celular. Mos është vonë? pyeta. Jo, tha nuk ka problem. U ngrit në një çast dhe shkoi në tualet. U vonua… u kthye me buzëqeshje. Desh ngela në tualet, më tha. Nuk po hapej dera. Në qoftë se do shkosh, ki kujdes derën e dytë sepse nuk hapet mirë. Ishte rradha ime të shkoja në tualet. Lokali kishte një tualet, ose të paktën një pashë unë. Dera e parë u hap pa problem, siç kishte thënë Zana. E dyta nuk hapej. Trokita se mos ishte ndonjëri brenda. Nuk u përgjigj kush. Provova ta hap me forcë, vura shpatullën dhe fillova të shtyja. Rezistonte keq. U tërhoqa i djersitur. Papritur shikoj dorezën që lëviste. U hap dera dhe shikoj një grua të hutuar, për të mos thënë në frikë. Tunda kokën i skuqur nga turpi. Kush e di çfarë do mendonte me vete…
U ktheva tek Zana. Orët po kalonin pa u ndier. Atje nga ora dhjetë e gjysëm filluam të kuptojmë se kishin kaluar katër orë dhe koncertit në fund të stinës po i vinte fundi. Ajo duhet të arrinte konviktin se mbyllej në njëmbëdhjetë, kurse unë duhet të kthehesha në shtëpi tek kushëriri që nuk e kisha lajmëruar se do vonohesha kaq. Ke çadër më pyeti? Kam, thashë, por duhet të kisha thënë jo. Buzëqeshi…
Dolëm nga lokali dhe shëtitëm për disa metra. Nuk binte shi. Kishte ardhur momenti i lamtumirës. Ishte ai moment që fjalët nuk kanë vlerë, kështu që e kapa, e shtrëngova fort dhe u dorëzua në puthjen time. Në fakt jo, por kështu u bë në një univers paralel i cili tash nuk ekziston. Hasta la vista Gori im. Hasta la vista Zana ime.
Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
Si të harroj unë dalëngadalë.
Si vdes tek unë vështrimi yt,
Si vdesin flokët dhe gjithçka.
Finis.
|
30,893 | https://peizazhe.com/2019/03/13/djegia-e-mandateve-dhe-tagri-i-perfaqesimit/ | null | 2019-03-13T08:44:28 | “DJEGIA E MANDATEVE” DHE TAGRI I PËRFAQËSIMIT | Agron Alibali
Hyrje; 2. Roli i Gjykatës Kushtetuese; 3. Përfaqësimi në të drejtën kushtetuese dhe të drejtën pozitive; 4. Përfaqësimi në të drejtën zakonore; 5. Rregullat e kuvendimit; 6. Përfundim 7. Post scriptum
Hyrje
Rasti hipotetik është ky: Gjergj Mullaga është deputet i Partisë Shqipëria e Re nga një zonë zgjedhore në rrethin e Tiranës. Shaban Murrizi është zgjedhës i tij nga Zall Bastari. Gjergj Mullaga vendos të tërhiqet nga detyra e deputetit pa u këshilluar me zgjedhësit. Murrizi e ankimon aktin e Mullagës në Gjykatën Kushtetuese me arsyetimin se akti apo vendimi i Mullagës është nul, pasi ka shkelur tagrin e përfaqësimit. Çfarë vendimi do të japë Gjykata Kushtetuese?
Roli i Gjykatës Kushtetuese
Rasti ynë hipotetik është katërcipërisht brenda kompetencave të Gjykatës Kushtetuese. Dispozitat subtanciale kontrolluese do të ishin Neni 2 [sovraniteti i takon popullit, i cili e ushtron atë përmes përfaqësuesve ose drejtpërsëdrejti), dhe Neni 70.1 [“Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”].
Gjykatës në rastin tonë do t’i duhet të interpretonte rastin e deputetit Gjergj Mullaga bazuar “në doktrinën e mandatit të lirë”, dhe duke u mbështetur edhe në jurisprudencën e saj, sikurse do të shpjegohet më poshtë. Gjykata do të shqyrtonte paraprakisht nëse tërheqja e Mullagës [djegia e mandatit] ishte njëmendësuar përmes një urdhëri partiak, apo këshillimi të drejtpërdrejtë me zgjedhësit. Nëse nga shqyrtimi i fakteve dhe rrethanave të çështjes do të dilte se deputeti vërtet kishte vjelur përgjithësisht mendimin e zgjedhësve, atëhere vendimi do të ishte kundër ankuesit. Përndryshe, në rast se tërheqja e deputetit rezultonte të ishte pasojë e urdhërit partiak, atëhere me gjasë Gjykata Kushtetuese do ta shpallte nul aktin e tërheqjes të deputetit.
Mirëpo në realitet, sot në Shqipëri Gjykata Kushtetuese është jo-funksionale. Atëhere, ç’duhet bërë?
Kemi mendimin se mosfunksonimi i Gjykatës Kushtetuese, megjithë vakuumin e theksuar institucional, nuk përjashton interpretimin dhe zbatimin nga ana e organeve shtetërore dhe shoqëria shqiptare. të Kushtetutës, si frymë dhe si gërmë.
Ndihmë në rastin tonë mund të përcjellë edhe urtësia popullore e përcjellë përmes normave të së drejtës së pashkruar, të transmetuara brez pas brezi ndër shekuj.
Përfaqësimi në të drejtën kushtetuese dhe në të drejtën pozitive
Kriza e sotme politike në Shqipëri është kryesisht krizë përfaqësimi. Shoqëria shqiptare në thelbin e saj është pjesëmarrëse. Mirëpo pushteti sot është përqëndruar në duart e kryetarëve të partive dhe kryetarëve të bashkive. Zëri i zgjedhësve dëgjohet vetëm një herë në katër vjet, ndërsa ndërmarrja e nismave referendare është e vështirë, për të mos thënë i pamundur.
Kuptohet se tagri i përfaqësimit ka kuptim të ndryshëm në të drejtën kushtetuese, të drejtën civile dhe atë zakonore. Në të drejtën kushtetuese ka mbizotëruar mendimi se tagri i përfaqësimit në Kuvend është “i lirë”, d.m.th. deputeti – pasi zgjidhet – nuk ka detyrim të përfaqësojë zgjedhësin. Sipas këtij interpretimi, mandati i tij nuk është “detyrues”, pasi deputeti përfaqëson popullin në tërësi, dhe jo domosdoshmërisht zgjedhësit e tij. Debati përcillet si qasje kundërvënëse midis pikëpamjeve të J.J. Rousseau për “sovranitetin popullor” me ato të C. Montesquieu për “sovranitetin kombëtar”. [1] Kjo qasje “anti-sovraniste” është argumentuar më tej kinse si relik i vendeve ish-socialiste të Europës Lindore.[2]
Mirëpo mandate detyrues ose imperativ, apo parime të tij, përdore në Indi – vendi më i madh demokratik në botë, si dhe në SHBA, përmes procedures së çzgjedhjes [recall].
Sikurse dal nga analiza e normave kushtetuese, ligjore dhe jurisprudences përkatëse, rasti shqiptar ngjan me një hibrid apo përzierje midis mandatit përfaqësues me atë detyrues. Mandati i përfaqësimit është de facto “i lirë”, por “de jure” raport midis përfaqësuesit dhe zgjedhësit është bashkëpunues e dinamik.
Kjo nënkuptohet edhe me Nenin 2.1 të Kushtetutës, ku shpallet se sovraniteti popullor ushtrohet “nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejtë”.
Edhe Neni 71, që në dukje ekskludon mandatin detyrues, priret në thelb kah mandati hibrid. Së pari, ai nuk mund të kuptohet i veçuar nga Neni 2.1 i Kushtetutës. Së dyti, fraza që “deputetët përfaqësojnë popullin”, nuk mund të mos interpretohet ngushtë se “deputeti përfaqëson zgjedhësit e tij”.
Mandati hibrid shfaqet më kthjellët në Ligjin për Statusin e Deputetit.[3] Për shembull, lidhja midis deputetit dhe zgjedhësve të tij shprehet qartë tek kodifikimi i marrëdhënies deputet-zgjedhës përmes përcjelljes në Kuvend të “mendimeve të zgjedhësve”,[4] si dhe tek “takimet periodike” dhe këshillimi me ta.[5]
Për mandatin përfaqësues dhe detyrues është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese.[6] Në disa pasazhe relevante në çështjen për konstantimin e papajtueshmërisë së deputetit Ilir Beqja[7], Gjykata është shprehur:
“…Parlamentarët, nëpërmjet mandatit të marrë nga zgjedhësit, ushtrojnë sovranitetin kombëtar. Mandati parlamentar, në parim, është i përgjithshëm, domethënë parlamentarët përfaqësojnë kombin si të tërë dhe jo një grup votuesish, gjithashtu, ai është dhe përfaqësues, që do të thotë se deputetët nuk janë të lidhur pas ndonjë urdhri apo dëshire që vjen nga elektorati. Parlamentarët gëzojnë pavarësi të plotë përballë elektoratit por edhe ndaj grupimit politik ku ata bëjnë pjesë. Ata mund të largohen apo bashkohen sipas dëshirës dhe vullnetit të tyre. Për këtë arsye, pranohet se mandati parlamentar në një demokraci është i parevokueshëm.”.[8][Theksimi A.A.]
Dhe më tej:
Nga parimi i mandatit përfaqësues dhe të pavarur nga urdhrat dhe ndikime të tjera rrjedhin disa pasoja juridike të tilla si: mosdetyrimi i deputetit për të qenë apo mbetur pjesë e një grupi parlamentar të caktuar, mosrevokimi i mandatit nga zgjedhësit apo partia politike etj. Mandati i deputetit duhet të kuptohet së pari si një akt përfaqësimi individual që lidhet me deputetin si individ dhe më pas me partinë politike ku ai bën pjesë. Si i tillë, deputeti ushtron në pavarësi të plotë mandatin e tij duke vendosur në bazë të veprimtarisë së tij interesin e të përfaqësuarve. Këtë ai e bën duke marrë vendime me vullnet dhe bindje të plotë, të cilat jo gjithmonë korrespondojnë me vullnetin e zgjedhësve që ai përfaqëson ose të grupimit politik ku bën pjesë. [Theksimi A.A.][9]
Dhe më tej:
“…Nëse një deputet, për arsye të ndryshme, ndalohet ose pengohet të ushtrojë funksionin e tij si pjesë e parlamentit, atëherë cenohet parimi i përfaqësimit, si dhe raporti shumicë/pakicë i vendosur nga vullneti i zgjedhësve dhe që duhet të gjejë patjetër pasqyrim në parlament gjatë gjithë legjislaturës….”.[10] [Theksimi A.A].
Dhe së fundi:
Gjykata thekson se neni 70/1 i Kushtetutës parashikon shprehimisht se deputeti gëzon mandate të lirë. Kjo mbrojtje kushtetuese shtrihet natyrshëm edhe ndaj ushtrimit faktik të tij. Deputeti ushtron mandatin e tij të lirë nga çdo lloj ndërhyrje, në pavarësi të plotë, dhe pa iu nënshtruar urdhrave apo kërkesave të ndryshme, por vetëm bindjes dhe ndërgjegjes së tij… Nga tërësia e karakteristikave që mbart në vetvete mandati parlamentar, është e qartë se deputeti gjatë ushtrimit të detyrës së tij nuk i nënshtrohet urdhrave, ndryshe nga pjesa tjetër e punonjësve ose nëpunësve të shërbimit civil. Ai pranon në mënyrë krejtësisht të lirë mandatin e tij dhe vendos me përgjegjësinë e tij të plotë mbi mënyrën e ushtrimit të mandatit. Veprimtaria e tij si deputet duhet të përshkohet gjatë gjithë kohës që ai ushtron këtë funksion nga përgjegjshmëria, ndershmëria dhe korrektesa. Ky detyrim për deputetin fillon që në momentin e fillimit të mandatit parlamentar.[11]
Një parim tjetër i rëndësishëm i konceptit të mandatit parlamentar është se ky duhet të ushtrohet realisht dhe efektivisht. Bojkoti nuk lejohet, madje është antikushtetues.[12]
Ndalimi i bojkotit apo mospjesëmarrjes në Kuvend del edhe në drejtën e pashkruar shqiptare. Gjoba parashikoheshin për mospjesëmarrjen e “vogjlisë”, por ato ishin pesëfish më të rënda kur “Plaku i fisit,katundit apo bajrakut, …pa arsye në ditë të caktueme, nuk del në kuvend…”. Madje, sanksione të ngjashme parashikoheshin edhe për lajmëtarin [kasnecin] nëse për faj të tij nuk paraqiteshin në kuvend “vogjlia” ose pleqtë. [13]
Përfaqësimi në të drejtën zakonore
Në traditën e lashtë vetëqeverisëse shqiptare, kuvendet shquheshin për pjesëmarrjen e tyre të plotë e të gjerë. Kjo pjesëmarrje materializohej mandej me vendimmarrjen, që buronte nga debati i gjallë, sipas rregullash të qarta e të prera, për çështjet për të cilat duhet të vendoste kuvendi i thirrur.[14]
Duhet të qartësojmë se e drejta pozitive, apo ligji i shkruar, nuk përbën domosdoshmërisht kriterin parësor të vlerësimit të një akti apo veprimi politik. Dihet se Anglia, si një ndër vendet me demokraci më të lashtë e të konsoliduar, udhëhiqet nga një kushtetutë “e pashkruar”. Ndër burimet e saj janë edhe “konvencionet”, që janë “tradita të konsolidura për një kohë të gjatë, jo pse i nënshtrohen sanksoneve në rast moszbatimit, por sepse thjesht janë shndërruar në një mënyrë të gjithëpranueshme të sjelljes”. [15]
Në të drejtën e lashtë zakonore shqiptare pjesëmarrja në Kuvend ndahej në:
pjesëmarrje me përfaqësim, përmes krerëve ose sipas parimit “burrë për shpi”;[16] dhe
pjesëmarrje e drejtpërdrejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Kjo e fundit materializohej përmes Kuvendit të Burrave të Dheut, i cili, pasqyronte shkallën më të lartë të pjesëmarrjes në vendimmarrje,[17] si dhe të “mençurisë” popullore.[18] Kuvendi i Burrave të Dheut në shumë aspekte ngjan sot me referendumin.
Përfaqësimi, pjesëmarrja e gjerë dhe rrahja e imtë dhe e kthjelltë e mendimeve haset gjerësisht edhe në të drejtën zakonore të Jugut. Kësisoj, në krahinën e Bregut, cdo fshat vetëqeverisej nga një pleqësi e zgjedhur, e përbërë nga 5 pleq, të cilët përfaqësonin interesat e fshatrave të tyre në kuvendet krahinore, por edhe në raport me të huajt.[19]
Përfaqësimi, në rastin tonë pra, ishte njëfarë lidhjeje apo kontrate e pashkruar midis të përfaqësuarit dhe përfaqësuesit.
Thelbi i tagrit të përfaqësimit sipas së drejtës së pashkruar është përcjellja në kuvend e vendimit, mendimit dhe interesave të të përfaqësuarve, pa i ndryshuar apo cenuar ato. Në asnjë rast ky tagër nuk mund të tejkalohet duke përcjellë një vendim a mendim të ndryshëm, pa u marrë paraprakisht miratimi i të përfaqësuarve. Nuk e gjejmë këtë parim të shprehur më mirë se sa tek Kanuni i Skanderbegut. Shpallet aty:
“Para mbledhjeve të përgjithshme të bajrakut[20], zakonisht bahen mbledhje katundesh; burr per ship e secili katund e ban nji mendim qe do ta paraqesi mandej plaku i katundit në mbledhje të bajrakut”;[21]
dhe
“Kur mbledhja bahet vetëm prej parisë, secili plak flet fjalen e fisit a të katundit të vet e pertej fjalës qe të kenë pasë nuk mund të vendosin pa u marrë vesht edhe nji here secili plak me fis e katund të vet”.[22]
Kuptohet që ky është shembull i pastër i mandatit detyrues në trajtën e vet origjinale e të lashtë. Duhet thënë se mandati detyrues në të drejtën e pashkruar shqiptare haset krahasimisht edhe në të Drejtën Romake dhe në Spanjën Mesjetare.[23]
Rregullat e kuvendimit
Nuk mund të mos përmendim këtu disa “rregulla të kuvendimit”, që kanë relevancë edhe sot. Po i përcjellim përmes të drejtës zakonore të mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi dhe Frano Illia. Nuk lypin koment.
Neni 1118: Në kuvend, sá të flasë njani, të tjerët do të ndigiojn e të heshtin.
Neni 1122: Fjala e randë nuk bâhet në kuvend.
Neni 1123: Kanûja s’bán qi të shahet kush në kuvend; po bani kush ket pûnë, do të giobietet mje në 5 desh.
Neni 1124: Po i tha kush kuej se rrênë në kuvend, do të giobitet mje në 500 grosh.
Dhe nga Kanuni i Skënderbeut:
Neni 1971: Burrat në kuvend flasin me rend. Pa krye njeni ç’ká per të thanë, nuk mund ta ndërpresë tjetri. Sa flet njeni, të gjithë të tjeret veshtrojnë.
Neni 1972:…Kush don të marri fjalen në kuvend, çon doren në drejtim të parisë dhe me të mbarue parafolsi thotë fjalën e vet.
Neni 1972. Burrat në kuvend kanë të gjithë njisoj të drejtë fjale.
Neni 1980: Në çdo kuvend burrat do te nderojnë njeni – tjetrin dhe kurrë s’do të theren me fjalë as do ta ngasin njeni tjetrin as shtruet as me bende.[24]
Përfundim
Përfundimisht, dhe mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e vendit, por edhe në konvencionin kushtetues të buruar nga e drejta e pashkruar shqiptare, a ka të drejtë deputeti Gjergj Mullaga të heqë dorë nga tagri i tij i përfaqësimit si deputet apo “ta djegë mandatin” pa u këshilluar paraprakisht, dhe pa marrë mendimin e zgjedhësit të tij, Shaban Murrizit nga Zall Bastari? Nëse jo, a nuk është nul veprimi i tij bojkotues, apo mospjesëmarrës?
Nga zhvillimet kushtetuese të çerek shekullit të fundit del qartë se reformat kushtetuese dhe ajo e pushtetit vendor e kanë minimizuar pjesëmarrjen e popullit në vendimmarrje, duke e përqendruar pushtetin tek kryetarët e partive dhe kryebashkiakët.
Mirëpo në praktikat demokratike ndikimi i zgjedhësit tek deputeti prevalon ndaj ndikimit të partisë. Sikurse theksohet në një analizë krahasimore të Komisonit të Venecias “deputeti, pasi zgjidhet, përgjigjet maspari para votuesve që e kanë zgjedhur, dhe jo para partisë së tij politike. Kjo rrjedh nga fakti se mandati i deputetit buron nga populli, dhe jo nga partia e tij”.[25]
Duke iu kthyer kazusit tonë hipotetik, ndofta parlamenti e KQZ-ja mund ta kishin refuzuar aktin e tërheqjes, apo “të djegies së mandateve”, duke i kërkuar deputetëve t’u drejtoheshin zgjedhësve të vet, të paktën për t’u konsultuar.
Normalisht deputetin e kanë zgjedhur votuesit, dhe pra, vetëm ata të paktën duhet të konsultohen kur deputeti vendos të tërhiqet. Prandaj, aktet përkatëse të parlamentit për miratimin e tërheqjes, dhe të KQZ-së për zëvendësimin e tyre, janë po aq nul, sa edhe akti i largimit i deputetit.
Gjithsesi, ndërkohë që kriza politike e përfaqësimit në Shqipëri vijon, kujtojmë thënien e dikujt se politika është art i kompromisit. Kompromisi ndofta do të lypte zbatimin e parimit status quo ante, d.m.th. kthimin e gjendjes në momentin përpara krizës.
Përfundimisht mund të shtrohet kjo pyetje: A nuk do të ishte më e arsyeshme një strategji bashkëpëlqyese, që do të sillte zgjerimin e hapësirave demokratike të zgjedhësve, rritjen e pjesëmarrjes në vendimmarrje të popullit, duke ndërmarrë nisma kushtetuese dhe ligjore përkatëse që:
do të vendosnin një sistem të pastër maxhoritar për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë;
do të sillnin ndërtimin e një Kuvendi me dy dhoma, ku Dhoma e Lartë do të garantonte përfaqësimin e barabartë sipas rretheve dhe krahinave[26], pavarësisht nga dyndja migruese e popullsisë në kahjen rrethe – kryeqytet dhe fshat – qytet;
do të lehtësonin ndjeshëm nismat referendare në nivel kombëtar dhe vendor; dhe
do të zhbënin reformën e qeverisjes vendore, duke rivendosur rrethet dhe duke zhvendosur pushtetin vendor nga duart e kryebashkiakëve për tek atje ku ka qenë gjithnjë, tek populli?
Post Scriptum
Trajtesa e mësipërme nuk ka aspak si qëllim që të “rikthejë” Kanunin e Skënderbegut apo të Lekë Dukagjinit në Shqipëri. Përkundrazi, në analizën tonë për tagrin e përfaqësimit, e drejta kushtetuese përgjithësisht pajtohet me të drejtën e pashkruar në disa parime të rëndësishme.
Duhet thënë se e drejta e pashkruar shqiptare [jus non scriptum], ose e drejta zakonore, sot përgjithësisht nuk kuptohet, keqkuptohet, keqinterpretohet, e shumë shpesh shtrembërohet e keqzbatohet. Gjaku e gjakmarrja, cenimi i rolit të gruas dhe dhuna ndaj saj[27], për të përmendur vetëm këto, janë përgjithësisht shmangie të rënda dhe të papranueshme të së drejtës së pashkruar shqiptare. Por pavarësisht nga këto njolla, e drejta e pashkruar shqiptare përbën një vlerë të rrallë e të pamohueshme të kombit shqiptar. Institute të lashta të saj, si ndorja, besa, mikpritja, pleqësitë, rregullat e përfaqësimit, sjelljes dhe debatit në kuvend, përbëjnë elementë thelbësorë të kodit gjenetik të shqiptarit.
Jo më kot, në veprën e vet madhore “E drejta e pashkruar në Shqipëri” studiuesja dhe zbuluesja britanike Margaret Hascluck pat shkruar: ““Vetëqeverisja e malësorëve shqiptarë – ishte shumë më tepër se sa një demokraci e mirëfilltë në kuptimin anglo-amerikan të asaj fjale aq fort të shpërdoruar. Në paraqitjen e saj më të hershme ajo ishte me të vërtetë një qeverisje e popullit, prej popullit, për popullin.”[28]
© 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Një vështrim krahasimor për mandatin detyrues jepet nga Komisioni i Venecias tek: https://www.venice.coe.int/webforms/documents/default.aspx?pdffile=CDL-AD(2009)027-e. Shih edhe Mandati dhe Imuniteti Parlamentar, Leksioni 10 – Mandati Parlamentar, tek https://shtetiweb.org/wp-content/uploads/2013/01/Leksioni-10.pdf Autori nuk jepet.
[2] Mandati dhe Imuniteti Parlamentar, Leksioni 10 – Mandati Parlamentar,
[3] Ligj Nr. 8550, dt. 18.11.1999 , Statusi i Deputetit, i ndryshuar. Tek www.parlament.al
[4] Neni 4.3, “Deputeti ka të drejtë të shprehë lirisht mendimet e tij dhe të zgjedhësve që përfaqëson, nëpërmjet diskutimeve, propozimeve, debatit, interpelancave, pyetjeve, mocioneve, deklaratave dhe votës.”
[5] Neni 5. Deputeti takohet periodikisht me zgjedhësit ose kur e kërkojnë ata. Deputeti i përfaqëson ata duke iu marrë mendime apo duke iu dhënë shpjegime për projektligje, amendamente, vendime, rezoluta apo deklarata që shqyrtohen dhe miratohen në Kuvend.
[6] Shih Vendimin Nr. 44, datë 7.10.2011, si dhe mendimin paralel të Gjykatësit Vladimir Kristo në Vendimin Nr. 25, dt. 8.5.2012.
[7] Vendim Nr. 44, datë 7.10.2011, F.Z. Nr. 138, 7 tetor 2011, ff. 6231 – 6244.
[8] Po aty, Pjesa III, paragrafi 18.
[9] Po aty, paragrafi 20.
[10] Po aty, paragrafi 21.
[11] Po aty, paragrafi 23
[12] Shih Mendimin paralel i Gjykatësit Vladimir Kristo në Vendimin Nr. 25, dt. 8.5.2012. “Në këtë kuptim është e domosdoshme të bëhet dallimi midis bojkotit si pjesë e luftës politike me bojkotin e institucioneve kushtetuese, në rastin konkret Kuvendit. Ndërsa e para është një praktike normale në veprimtaritë me karakter politik të partive politike, përkundrazi, bojkoti i Kuvendit për çfarëdolloj arsye është një praktikë antikushtetuese, e papranueshme për një shtet të së drejtës. Nga momenti i certifikimit të zgjedhjeve politike dhe konstituimit të Kuvendit pjesëmarrja e deputetëve në veprimtarinë ligjvënëse të tij është e detyrueshme në kuptimin kushtetues për të formuar atë që quhet “mandati kolektiv i parlamentit”, si dhe vullnetin politik të zgjedhësve.” F.Z. 55, 18 maj 2012, F. 2783
[13] Po aty. Përkatësisht neni 1985 dhe Neni 1986, 1988, f. 135.
[14] “Kuvendarët e Nëntë Maleve të Dibrës, para se me u mbledhë kuvendi, i jepnin njëri-trejtrit “leje kuvendi”, garanci e plotë mos me përdorë armë për gjakmarrje e për asnjë arsye tjetër. Kuvendin e hapte kreu i Malit ku bëhej mbledhja…që tregonte përmbajtjen e qëllimin e kuvendit, shrtronte problemet që do të diskutoheshin. Kivendarët flisnin për problemin e shtruar, jepnin mendimin si duhej vepruar. Kura to mendime nuk gjenin kundërshtim, zgjidhja quhej e drejtë. Drejtuesi i Kuvendit ngrihej e pyeste të pranishmit: “A e lamë kështu”? Kur të gjithë thoshin “e lamë”, kuvendi kishte marrë fund. Ata që kishin mendime të kundërta, detyroheshin me i ndejtë kararit [vendimit, A.A.] të vënë prej shumicës.” Kanuni i Dibrës, mbledhur nga Xhaferr Martini, Botimet M&B, Tiranë, 2016, f 140, Shënim në fund të faqes.
[15] “Conventions are not law, but long-established traditions which tend to be followed, not because there would be any legal sanction if they were not, but because they have simply become the right way to behave.” English Legal System, by Catherine Elliott, Frances Queen, 9th Edition, Pearson Education Limited, 2008, ff. 1-4.
[16] Kanuni i Dibrës, mbledhur nga Xhaferr Martini, Botimet M&B., Tiranë 2016, Neni 953, f. 138.
[17]Kuvendi i Burrave të Dheut ishte Kuvendi më i madh që ka njoftun Dibra”, ku nuk kishte asnjë kufizim në pjesëmarrje, pasi “aty vinte kush e quente veten burrë”. Po aty, Neni 975, f. 144.
[18] “Kuvendet e krenve të Maleve s’e kanë arritê shkallën e naltë të mençurie të Kuvendit të Burrave të Dheut, Populli kishte në mes vedit mendjet më të ndrituna. Shumë prej ktyne mendjendritunve as që njifeshin.” Po aty, Neni 980, f. 145. Shih edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit: “Sa të jenë në kuvend burrat e dheut s’ka tager kush i huej me u përzie nder ‘ta”. Neni § 1115.
[19] Pleqtë përfaqësonin njësi të tëra të popullsisë së Bregut, në rastet tona, fiset, farët, katundet, fshatrat apo lagjet përkatëse të tyre. Ata ishin përfaqësues të popullit të tyre i cili, si i përfaqësuar, i kishte mandatuar apo dhënë pleqve besimin që të mernin vendime në emër të tyre. Pleqtë gjykonin çështje civile dhe penale dhe, për çështje me rëndësi të përgjithshme për komunitetin thirrnin kuvendin. Si rast i pastër i demokracisë së drejtpërdrejtë, pas diskutimit e debatit, pleqtë propozonin, propozimi hidhej në votë dhe vendimin e merrte populli. Shih, Pëllumb Xhufi, “Arbërit e Jonit”, raport i të dërguarit të Venedikut, Mocenigo, v. 1691, Tiranë, Onufri, 2016, f. 1231. Në disa raste pjesëmarrja dhe përfaqësimi vështirësonin vendimmarrjen. Kësisoj, në raporte të Venedikut vërehej se pleqtë e Bregut [Himarës] nuk sillnin dot një mendim të vetëm e të përbashkët në negociatat e tyre me të dërguarit e Serenissimas. Po aty.
[20] “Në realitet, pa marrë parasysh emrin, shumë herë “bajrak” nuk është tjetër veçse një fshat i rritur, prandaj një bajraktar nuk është tjetër veçse një krye i një rangu më të lartë. Një “krye”, në krahasim me bajraktarin, është si i pari i lagjes”. Tek Franc Nopça, Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e Drejta Zakonore e Tyre, përkthyer nga Dr. Jur. Mihallaq Zallari, QSA, Instituti i Historisë, Tiranë, 2013, ff. 253-354.
[21] Kanuni i Skanderbegut, Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Illia, Editrice La Rosa, Milot 1993, Neni 1976, f. 134.
[22] Po aty, Neni 1978.
[23] “The origins of imperative mandate are to be found in Roman law. In Medieval Spain and particularly in the Kingdom of Leon and Castilla, representation of cities and towns in the Cortes (i.e. the Parliament) was based on imperative mandate.” Raport i Komisionit të Venecias për Mandatin Imperativ [Detyrues] dhe Praktikat e Ngjashme, Studim Nr. 488/2008, CDL-AD(2009)027, Strasbourg, 16 qershor 2009, f. 7.
[24] Po aty, f. 134.
[25] Raport i Komisionit të Venecias për Mandatin Imperativ [Detyrues] dhe Praktikat e Ngjashme, Studim Nr. 488/2008, CDL-AD(2009)027, Strasbourg, 16 qershor 2009, f. 7. “Once elected, deputies should be accountable primarily to the voters who elected them, not to their political party. This flows from the fact that they hold a mandate from the people, not from their party.”
[26] Duke garantuar moscenimin e tërësisë territoriale të vendit.
[27] “Gruja asht magjja e jetës”, është një ndër normat themelore të së drejtës zakonore të Shqipërisë Verilindore, që e vendos gruan në qendër të botës shoqërore, shpirtërore e juridike të shqiptarit. Kumtuar gojarisht autorit kohë më parë nga U. B., njohës i thellë i së drejtës zakonore të Tropojës.
[28] Margaret Hasluck, The Unwritten Law in Albania, Cambridge University Press, 1954, f. 11.
|
22,843 | https://peizazhe.com/2016/06/26/dy-te-djathta/ | null | 2016-06-26T18:38:20 | DY TË DJATHTA | Të shtunën më qëlloi të lexoj dy analiza të kundërta, nga pikëvështrimi i së majtës, të rezultateve të referendumit BREXIT: një palë e lëvdonin votën si shprehje të vullnetit popullor anti-teknokratik, të një elektorati që e refuzoi Bashkimin Europian, sepse ky po funksionon tani vetëm si një vegël e financës së madhe ndërkombëtare dhe për rregullimin e tregjeve; një palë tjetër, e denonconin votën britanike si shprehje të populizmit, të ksenofobisë dhe deri të fashizmit, ose si hap mbrapa për Mbretërinë e Bashkuar. Vështirë të mos u japësh të dyja palëve të drejtë: Bashkimi Europian vërtet është shndërruar në një makinë burokratike që nuk ndien ndonjë përgjegjshmëri ndaj qytetarëve të vet; por nga ana tjetër, nuk do të ishte hera e parë që reagimi ndaj këtyre makinave të financës dhe të kapitalit të madh shumëkombësh të merrte trajtat dhe ngjyrat e para-fashizmit. Megjithatë, po të kemi parasysh se kush po e përshëndet shkëputjen e Britanisë së Madhe nga Europa – që nga Rusia e Putinit deri tek e djathta në ShBA – atëherë ndoshta do të kuptojmë edhe se lëvizjet centrifugale, brenda Bashkimit Europian, mund të çojnë në realitete gjeopolitike më të padëshirueshme, të paktën nga pikëpamja e së majtës, se i sotmi. Çështja mund të formulohet edhe kështu: Bashkimi Europian po u shërben vërtet interesave të lobeve financiare globale dhe elitave shumë-kombëshe, por as alternativa e tij aktuale, në trajtën e nacionalizmit dhe, eventualisht, shteteve me bazë dhe motivime etnike, nuk është e përtypshme për të majtën. Kjo aq më e vërtetë, po të kihet parasysh se një arsye madhore e krizës së sotme të Schengen-it dhe të vetë BE-së ka të bëjë me politikat e mikpritjes dhe të trajtimit të refugjatëve dhe, në përgjithësi, me qëndrimin ndaj dukurive multikulturore, duke filluar nga Islami; në kuptimin edhe që prania masive e imigrantëve të huaj, veçanërisht nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika, i ka jetërsuar prej së majtës ato shtresa që tradicionalisht i janë referuar asaj, dhe pikërisht të paprivilegjuarit dhe të papunët vendës; duke rrezikuar ta shndërrojnë të majtën në një atribut të studentëve, imigrantëve të natyralizuar, ithtarëve të politikave identitare, profesorëve të universitetit dhe elitave snobe multi-kulturore. Cila do të ishte rrugëdalja për këtë të majtë të kapur midis Shilës së globalizmit financiar dhe Haribdit të nacionalizmit para-fashist? Ndoshta decentralizimi progresiv i Europës së Bashkuar – nëpërmjet deglobalizimit; por kjo do të kërkonte një ripërkufizim të krejt bazës sociale të së majtës.
|
863 | https://peizazhe.com/2008/11/19/blini-nje-balon-me-ngjyra/ | null | 2008-11-20T00:41:36 | BLINI NJË BALON ME NGJYRA |
Të gjithë flasin për librin e historianit zviceran Schmitt për Skënderbeun, por pakkush duket ta ketë lexuar. Kjo farë zallahie duket se do të vazhdojë edhe ditët e ardhshme, sidomos e shndërruar në përplasje midis mbrojtësve dhe detraktorëve të mitit kombëtarist të Skënderbeut.
Dje Shekulli i kushtoi çështjes së heronjve në histori, në mit dhe në tekstet shkollore forumin me pjesëmarrjen e disa prej bashkëpunëtorëve të rregullt të asaj gazete. Në forum morën pjesë, me diskutime, këta autorë:
Ismail Kadare: Shpirt pseudointelektual
Ardian Klosi: Histori dhe përralla
Pëllumb Kulla: Taktikat e luftës
Virion Graçi: Tekste dhe pretekste
Franko Egro: Nevoja për heronj
Ardian Vehbiu: Nën hijen e mitit
Në këto ndërhyrje nuk diskutohet aq vepra e Schmitt, sesa teza e Ardian Klosit e shprehur veçanërisht në artikullin e tij “Një sendërgjim njëqindvjeçar”, botuar përsëri te Shekulli, ku thuhet, në thelb, se historia e Skënderbeut ashtu siç u mësohet kalamajve të shkollave shqiptare nuk ka gjë të përbashkët me historinë “e vërtetë” të Skënderbeut, të cilën e gjejmë në studimin e Schmitt.
Meqenëse Klosi edhe e ka përkthyer, edhe e ka botuar veprën e Schmitt (e cila nuk është botuar ende në gjermanisht), atëherë nuk i bën dot me faj ata si kolegu Julius, që te kjo polemikë panë një konflikt interesash, ose, për ta thënë me një term të anglishtes, një sales pitch të vetë autorit.
Këtë ma konfirmon edhe një lajm që më vjen informalisht nga Panairi i Librit në Tiranë, ku libri i Schmitt reklamohej, nga botuesi Klosi, me frazën “Skënderbeu ashtu siç nuk e keni njohur.”
Akti i fundit i kësaj farse është një “Falënderim” ironik i Klosit, botuar sot në krye të faqes online të Shekullit, ku thuhet:
Falënderoj miqtë dhe kolegët letrarë për vërejtjet e bëra dje në forumin e “Shekullit” lidhur me orvatje (kush i bën?) të kohëve të fundit për të rrëzuar mitologjinë e ngritur rreth Gjergj Kastrioti Skënderbeut.
Duke mos ndenjur dot pa shprehur habinë për aftësinë e tyre që të gjykojnë nga larg për monografinë rreth 500 faqëshe të Oliver Jens Schmittit, pa e njohur atë aspak, do t’u lutesha megjithatë, përunjësisht, ta lexonin veprën para se të shpalosnin idetë e tyre në debat.
Në të vërtetë, e siç mund të verifikohet me lehtësi, askush nga pjesëmarrësit në forum nuk ka gjykuar, as ka dënuar Schmitt-in ose veprën e tij për Skënderbeun. Kadare, Kulla dhe Egro nuk e përmendin fare, të tjerët vetëm shkarazi, për t’u përqendruar në metodologjinë e të mësuarit të historisë në shkolla, në raport me mitin kombëtarist. Në tryezën e Shekullit diskutohet rreth qëndrimeve të shprehura publikisht, më se një herë dhe me forcë të madhe, nga Klosi vetë, qëndrime të cilat janë të diskutueshme në vetvete, d.m.th. pavarësisht nga ç’mund të ketë shkruar Schmitt në libër (nga ndërhyrjet atje, vetëm ajo e Kadaresë m’u duk e papranueshme, jo vetëm për autoritetin që ka ky shkrimtar, por edhe për tonin padronizues prej patriarku ose prokurori kombëtarist; të tjerat, përkundrazi, më tingëlluan konstruktive).
Në forume të ndryshme Interneti, përkundrazi, fushata që ka nisur Klosi në mediat është gjykuar shumë ashpër – mjaft të lexohen komentet në temën Gjon apo Ivan te “Peshku pa ujë”. Po vallë nuk i shërben edhe kjo shitjes së librit, pavarësisht nga ekstremizmi i papranueshëm i disa zhgarravitësve? Gjetiu Klosin e kanë nxjerrë, me këtë rast, agjent të UDB-së të rekrutuar në 1994 (pse pikërisht atëherë vallë?), por këto marrëzira nuk kanë fare të bëjnë me temën në fjalë, por kanë të bëjnë me polarizimin patologjik të mendësisë shqiptare ose paranojën tonë folkloristike, së cilës Schmitt ndoshta do t’ia kushtojë veprën e vet të ardhshme.
Më në fund, dy fjalë edhe për të diskutuar nëse çështje të tilla duhen rrahur apo jo në mass mediat, dhe nga kush pikërisht. Nuk kanë munguar thirrjet që historia dhe veçanërisht diskutimi i librave si ky i Schmitt-it u duhen lënë historianëve, jo “letrarëve” siç i quan Klosi në falënderimin e vet, edhe pse ai vetë ka folur më shumë se kushdo tjetër në të gjitha mediumet, pa pasur ndonjë kredencial të veçantë prej historiani, por me meritën e vetme se, si përkthyesi përkatës, e ka lexuar i pari Schmitt-in në shqipe.
Unë besoj se çështjet e mirëfillta historiografike u duhen lënë historianëve t’i diskutojnë në forumet e tyre; por kjo e tanishmja prek drejtpërdrejt jo vetëm vetëdijen e të gjithë shqiptarëve për historinë e tyre, por edhe të mësuarit e historisë kombëtare në shkollat shqiptare, prandaj është gabim, mendoj unë, të thuash se “u duhet lënë historianëve”. Historianët kanë autoritet për çështje të historisë, por jo për çështje të raporteve midis historisë, mitit dhe vetëdijes kombëtare. Këto çështje normalisht i trajtojnë intelektualët, si zëdhënës të interesit publik.
“Lexoni librin para se të flisni,” thotë Klosi, që e quan tani veten “përkthyes për publik dhe për fytyra të vrerosura”; edhe pse askush nga kolegët e tij nuk ka folur këto ditë më tepër se ai vetë… në artikuj e intervista sa në një gazetë në tjetrën, për Gjonin dhe Ivanin, për Gjergjin që e paskësh motivuar gjakmarrja për të bllokuar osmanët 25 vjet me radhë, për tekstet shkollore shqiptarëve që u mësojnë fëmijëve përralla në vend të së vërtetës, dhe plot të tjera iluminacione të kësaj natyre, për Skënderbeun ashtu si nuk e kemi njohur kurrë!
|
32,457 | https://peizazhe.com/2019/09/02/migjeni-na-ngaterron-serish/ | null | 2019-09-02T15:40:36 | MIGJENI NA NGATËRRON SËRISH | Është ndjekur me polemika një shkrim i Artan Lames, Po të mos ishte Migjeni, ribotuar në Koha Jonë (pas botimit në 2011), dhe pikërisht ngaqë ky autor shkruan atje se “shkodranët nuk e donin Migjenin”, dhe “nuk e duan”; dhe sidomos Migjenin “nuk e donin priftat”, ngaqë Migjeni “e shqeu fasadën false” të konservatorizmit të kulturës katolike; madje priftat “nuk e duan as sot”, sepse “s’mund t’ia falin atë çka i bëri ai klerit të kohës kur qe gjallë.”
Më duket se Lamja i ka gabim të gjitha këto. Duke filluar me pohimin “shkodranët nuk e donin Migjenin” – pa çka se Migjeni kur ishte gjallë ishte relativisht i panjohur në Shkodër; dhe pa çka se nuk ekziston një entitet i tillë si “shkodranët”, sa kohë që Shkodra ka qenë dhe mbetet e ndarë jo aq sipas vijave klasore, siç e hedh fjalën Lamja, por sipas komuniteteve fetare. E ka gabim Lamja edhe kur flet për “priftat” që nuk e donin Migjenin – duke projektuar atje faktin e kundërt, që Migjeni ishte antiklerikal dhe nuk i donte priftat.
Arsyet pse ka pasur gjithnjë një ftohtësi ndaj Migjenit në Shkodër, sidomos nga komuniteti katolik, janë të tjera. Poeti i përkiste minoritetit ortodoks në një qytet të ndarë fort sipas vijave fetare; madje ka një mendim se fliste serbokroatisht në familje (Arshi Pipa), që është kundërshtuar (unë personalisht e gjej shqipen e Migjenit mjaft të lëkundur).
Një tjetër arsye pse katolikët e Shkodrës ishin të ftohtë me Migjenin ishte antiklerikalizmi i këtij.
Arsyeja e tretë, edhe ajo e fortë, që shkodranët e sotëm, për ta thënë me fjalët e Lames,
“gati druhen t’i zënë emrin me gojë; që më tepër se një here kanë dashur t’i heqin emrin nga Teatri; që i kanë thyer bustin, e i kanë harruar varrin midis plehrave të qytetit; që i kanë zhdukur çdo shenjë të ekzistencës së tij në qytetin e Madh të Veriut, shtëpi, dhomë, muze, e gjithshka tjetër”
ka të bëjë me përvetësimin gati brutal që ia bëri Migjenit propaganda e regjimit të Hoxhës, krahas dhe karshi denigrimit madje shfarosjes kulturore të kulturës katolike të Shkodrës; pra, lidhet me antikomunizmin, sado naiv, të disa shkodranëve sot.
Arsyeja e katërt, është që Migjeni nuk vazhdoi traditën letrare të Shkodrës as ia njohu autoritetin artistik patriarkëve katolikë si Fishta & temave idilike me malësorë me qeleshe,dhe as shkroi si “shkodran”; poezia e tij kish tingëllim tjetër dhe pretendime të tjera, dhe vetvetiu do të pritej me kundërshtime nga një publik letrar i mësuar me poezitë e rimuara dhe tetërrokëshin rilindës.
Lamja nuk përmend asnjë nga këto arsye në shkrimin e vet, por përqendrohet në atë që Migjeni ishte poet i kritikës sociale dhe tribun i të dobëtve, çfarë unë sërish nuk jam gati ta besoj. Në përgjithësi, Migjeni i vuan sot e kësaj dite pasojat e pompimit të pashije që ia bënë megafonët e regjimit të Hoxhës – në përpjekjet e dëshpëruara për t’ia gjetur një traditë realizmit të shartuar socialist. Vepra e tij është pasuri e vyer për letërsinë shqipe, por ende nuk e ka gjetur vendin e duhur, për shkak të manipulimeve politike kryesisht të kritikës dhe të ideologjisë totalitare dje.
© 2019, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht botimi në media të tjera. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.
|
44,982 | https://peizazhe.com/2023/09/25/kur-donim-te-dinim-gjithcka/ | null | 2023-09-25T11:06:15 | KUR DONIM TË DINIM GJITHÇKA | Më del përpara, rastësi e lumtur, një libër i fëmijërisë dhe të rinisë sime: “Dua të di gjithçka,” quhet, një libër që dilte në pjesë – ky është vëllimi i tetë dhe, me sa mbaj mend, i fundit. I vitit 1973. I gjerdanit “Enciklopedia e rinisë”, botim i Shtëpisë botuese të “Librit politik”. Nuk ka autor, sepse është përkthim, por në fund të librit thuhet se redaktor është Skifter Këlliçi.
Bashkë me revistën “Shkenca dhe jeta”, seria “Dua të di gjithçka” na ka shoqëruar mua dhe shokëve të mi viteve të shkollës dhe – besoj se nuk po ekzagjeroj – ka ndikuar në mënyrën si ka menduar brezi ynë për shkencën dhe teknologjinë. Në fakt, edhe ky libër vjen në formën e një përmbledhjeje shkrimesh me natyrë popullarizuese, me gjasë të nxjerra nga botime të ngjashme të huaja, të tilla që do t’i gjeje në çdo revistë shkencore-popullarizuese në vende të tjera.
Gjej aty një shkrim që rreket t’i përgjigjet pyetjes se “pse fluturojmë në kozmos”, dhe shtjellon motivet e eksplorimit të hapësirës jashtëtokësore. Një shkrim tjetër përshkruan historinë e përfytyrimeve që ka pasur njeriu për planetin Afërditë dhe realitetin atje, sipas të dhënave të fundit (për kohën). Ka copëza ku skicohet teknologjia që do të përdoret nesër nga astronautët, përfshi edhe ata që do të ulen në Afërditë, të tilla si veshja e posaçme ose mjetet që do të përdoren për transport në sipërfaqe. Shkrimi pasues i përgjigjet pyetjes: “Përse u duhet njerëzve Hëna?” dhe vjen si kombinim rrëfimesh për historinë e dijes në shekuj, me parashikime për të ardhmen e eksplorimit të satelitit të vetëm të Tokës. Vjen pastaj një shkrim për kultivimin e bimëve në kozmos. I ndjekur nga një përshkrim – futuristik – i stacioneve orbitale dhe një krahasim i habitateve në oqean, me ato që do të ngrihen në orbitë rreth tokës.
Një seri shkrimesh i kushtohet kozmologjisë, gjeologjisë dhe meteorologjisë. Flitet për marrëdhënies mes klimës dhe dherave, për përfytyrimet e njeriut të lashtë rreth shkaqeve të fenomeneve klimatike si shtrëngatat dhe marrëdhëniet e këtyre me morfologjinë e truallit. Një shkrim ndalet në përdorimin e insekticideve dhe impaktin e tyre në mjedis. Vijon një shkrim disi më i gjatë, që mëton të zgjidhë një varg enigmash historike, përfshi edhe zjarrin famëzi të Çikagos në 1871, me hipotezën e afrimit me Tokën të kometës Biella.
Shkrimi për kurthet e eksperimentimit dhe teknikat e shmangies së tyre, hap një drejtim të ri për vëmendjen e lexuesit. Ndiqet nga një shkrim për rendimentin e lëndëve djegëse dhe teknologjinë e akumulimit të energjisë dhe nga një shkrim tjetër për aplikimet e fushave magnetike në industri. Pastaj flitet për përdorimin e teknologjisë moderne në arkeologji – nga aerofotografia, te datimi me radiokarbon dhe pikëtakimet mes hulumtimit arkeologjik dhe kriminalistikës.
I vjen radha një shkrimi relativisht të gjatë për mikrobiologjinë (mikrobotën) dhe pastaj për bazat molekulare të kujtesës. I ndjekur nga një analizë për potencialin e makinës – ashtu e quanin kompjuterin atëherë – për të luajtur shah. Dy shkrime të tjera që mbyllin librin i kushtohen, përkatësisht, historisë së betonarmesë dhe historisë së modeleve të flokëve te gratë.
E kështu me radhë. Shkrimet shoqërohen nga copëza të shkurtra kuriozitetesh shkencore të dhënash të tjera, që shkelin hapësirën mes informacionit dhe argëtimit. Në ato vite, ende ruhej mirë besimi në virtytet zbavitëse të informacioneve të tilla.
Sa herë do ta kem lexuar?
Serinë “Dua të di gjithçka” nuk e linin të mblidhte pluhur në librari – vëllimi që kam unë ka dalë me një tirazh prej 10,000 kopjesh, e megjithatë do të zhdukej nga qarkullimi brenda pak javësh. Brezi im, por edhe breza më të moshuar se imi, rriteshin me kuriozitetin për arritjet shkencore dhe teknologjike – edhe pse një pjesë e madhe e informacionit, të përcjellë nga këto botime, nuk kish lidhje praktike dhe konkrete me çfarë ndodhte në Shqipëri.
Është edhe meritë e padiskutueshme, e të gjithë atyre që mundësonin dhe mbështetnin botime të tilla – qoftë edhe thjesht duke ndjekur prirje të ngjashme në vende të tjera. Në vitet 1960-1970 bota mbarë shpresonte se shkenca dhe teknologjia do të na çonin drejt një të ardhmeje më të mirë – një gjendje shpirtërore planetare krejt e ndryshme nga fryma e tanishme apokaliptike, që ka pllakosur shoqëri të pasura e shoqëri të varfra, me krizën klimatike në sfond dhe humbjen e autoritetit moral të shkencës. Simbolikisht, LEM-in që zbarkoi në Hënë, në vitin e largët 1969, e ka zëvendësuar – të paktën në imagjinatën popullore – i-phone-i, të cilin e përdorim të gjithë për të parë fotot e njëri-tjetrit (edhe pse ky i-phone ka brenda teknologji kompjuterike më të fuqishme, se ajo që mundësoi udhëtimin e njeriut në Hënë).
Çfarë më bën përshtypje, pas gjysmë shekulli, është cilësia e lartë me të cilën janë prezantuar temat në libër: gjuha e qartë dhe e pasur, toni i duhur, zgjedhja e saktë e fjalëve, lehtësia e shqipërimit të terminologjisë dhe natyrshmëria me të cilën shqipja vihet të flasë gjuhën e dijes botërore. Botimet shkencore-popullarizuese duken si të thjeshta, por në fakt janë nga më të vështirat; sepse autorët njëherazi duhet t’i njohin mirë temat për të cilat shkruajnë, por edhe të mbajnë parasysh nivelin jo-specialist të lexuesit. Mirënjohje për gazetarë si †Luan Dibra dhe Skënder Shkupi (“Shkenca dhe Jeta”), të cilët e mbajtën zjarrin të ndezur edhe në shpellat më të errëta; mirënjohje për Skifter Këlliçin përgatitës dhe ndoshta përkthyes të vëllimit që kam në dorë; dhe të gjithë atyre të tjerëve që e përgatitën dhe e mundësuan serinë. Këtë që e arrinin në dukje aq lehtë botuesit e serisë “Dua të di gjithçka”, sot mediat shqip e kanë të pamundur ta arrijnë, të mbytura siç janë mes injorancës së redaktorëve dhe absurditetit të përkthimit automatik.
Kur u kthehem atyre viteve të largëta, kujtoj edhe se shkenca, diskursi shkencor, njohja me arritjet teknologjike, të gjitha këto na mbanin ne – brezit që rritej në një Shqipëri përndryshe të izoluar – në kontakt me botën; na bënin të ndiheshim edhe ne qytetarë të botës dhe na lejonin të ëndërronim për të ardhmen tonë, veçanërisht në shkencë, në dije, në inxhinieri dhe në teknologji. Pak vite më vonë, në 1977, unë ende dëshiroja të vazhdoja studimet e larta në matematikë ose në fizikë. Shumë shokë të mi zgjodhën inxhinierinë në degë të ndryshme. Pas një mjedisi intelektualisht stimulues, që kishim në gjimnazin “Sami Frashëri”, ai ku përfundova në vitin e parë të studimeve, në Fakultetin Histori-Filologji, më zhyti në depresion.
Kjo bisedë mund të vazhdojë gjatë. Vetëm para pak ditësh, lexova që degët e matematikës, të fizikës dhe të kimisë në Universitetin e Tiranës rrezikojnë të mbyllen (!), sepse vetëm 27 vetë janë regjistruar (prej të cilëve vetëm 7 në fizikë dhe vetëm 6 në kimi).
Mbase këto të dhëna nuk mjaftojnë, për të nxjerrë përfundimin se brezi i ri, në Shqipëri, e ka humbur interesin për shkencën dhe në përgjithësi për dijen; por arsye për t’u alarmuar ka. Informacioni shkencor, i qarkulluar në shkollë por edhe nëpërmjet botimeve shkencore-popullarizuese dhe emisioneve televizive për shkencën dhe revistave (si dikur “Shkenca dhe jeta”) ushqen një mendësi racionale, e cila është themeli i një sistemi pluralist, republikan dhe demokratik dhe që tani po lihet të vuajë urie.
Kish dikur një Shqipëri, që donte të dinte gjithçka – ashtu e mbyllur në hekura dhe e rrethuar me tela me gjemba, siç ishte. Por nuk dua t’i përgjigjem pyetjes se çfarë duan të dinë sot shqiptarët e brezit të ri.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
34,221 | https://peizazhe.com/2020/03/16/tjetri-je-ti/ | null | 2020-03-16T18:05:20 | TJETRI JE TI | Një lider politik dhe i opinionit në Shqipëri, i jepte këtë këshillë publikut, që nga rrjetet sociale:
“Lani duart dhe mbani distancë nga kollitjet dhe teshtimat e të tjerëve.”
Porosi e thjeshtë dhe e arsyeshme, por edhe provë që tregon pse jemi ende kaq të rrezikuar dhe të ekspozuar ndaj Covid-19 – iluzioni ngushëllues, mbase deluzioni, që infeksionin e kanë Të tjerët.
Lexojeni edhe një herë këshillën më lart: u drejtohet të shëndetshmëve duke i quajtur “ju”, për t’i mbrojtur nga “ata” që kolliten dhe teshtijnë.
Edhe pse, siç e ka treguar historia e infeksionit deri më sot dhe siç e nënkuptojnë edhe vetë masat e karantinës dhe izolimit kolektiv anembanë, të sëmurët jemi ne.
Dhe kjo, jo thjesht ngaqë virusi mund të përhapet nga bartës pa simptoma (mundësi reale); por edhe ngaqë edhe të sëmurët, ata që kolliten dhe teshtijnë, kanë nevojë për t’u përfshirë seriozisht në muhabet.
Vërtet, sëmundjen e sjell tek ti Tjetri; por që nga momenti kur infeksioni përhapet dhe virusi shndërrohet në “armikun publik”, gjithkush nga ne mund të jetë vektor. Tjetri do të jesh ti.
Madje edhe më: gjasat janë që virusi yt të vrasë dikë tjetër.
Instinkti na shtyn të mbrohemi nga teshtima dhe kollitja e Tjetrit; por qytetaria duhet të na shtyjë të mbrojmë të tjerët nga teshtima dhe kollitja jonë.
“Lufta” po ndërmerret kundër virusit, jo kundër bartësve të virusit.
Dhe karantina ka marrë tashmë kuptim të dyfishtë: nëse deri dje mbanim në karantinë të sëmurët (të infektuarit), sot po na kërkohet të mbajmë në karantinë të moshuarit – për t’i ruajtur.
Sa kohë që nuk testohemi dot, le të mësohemi me idenë se virusin po e përhapim ne vetë.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejat të rezervuara. Kopjojeni, por mos ua ngjitni të tjerëve.
|
26,182 | https://peizazhe.com/2017/07/20/te-flasesh-dhe-te-thuash-ii/ | null | 2017-07-20T14:06:50 | TË FLASËSH DHE TË THUASH (II) | Si folje jokalimtare, flas shënjon ligjërimin e njeriut si akt në vetvete, pa i kushtuar ndonjë vëmendje përmbajtjes, ose asaj çfarë thuhet; të njëjtin akt, por këtë herë në mënyrë kalimtare dhe me fokusin te përmbajtja, e shënjon pastaj folja them, e cila merr kundrinë të drejtë (them këtë dhe atë). Edhe pse flas mund t’i referohet edhe një ligjërimi të vijueshëm, në të shkuarën dhe në disa modalitete të tjera (si në urdhërore), kjo folje priret ta japë aktin si të menjëhershëm, ose si produkt të çastit të një vendimi për ta thyer heshtjen: foli. Edhe titulli i një libri të njohur të Nietzsches, Also sprach Zarathustra, i përkthyer në shqipe si Kështu foli Zarathustra (njëlloj si në anglishte, Thus spoke Zarathustra dhe në italishte Così parlò Zarathustra) përdor foljen “foli”, në vend të “tha” (me interes do të ishte të krahasohej midis titullit ekzistues dhe atij hipotetik Këto tha Zarathustra ose Ja ç’tha Zarathustra); këtu foli, në të kryerën e thjeshtë, i referohet një akti të përmbyllur, i cili i kundërvihet heshtjes në mënyrë gati binare: dikush mund të heshtë ose të flasë, dhe brenda këtij ekuacioni elementar përmbajtja e atyre që thuhen del në plan të dytë ose gjithsesi nuk merret parasysh. Në këtë kuptim, dallimi midis foli dhe tha nuk ka të bëjë vetëm me mënyrën si e vendos folja raportin me veprimin përkatës, por edhe me aktin vetë: të vendosësh të flasësh është diçka tjetër nga të vendosësh të thuash këtë dhe atë; ai që flet, zgjedh të flasë ndaj alternativës së heshtjes, ndërsa ai që thotë këtë ose atë zgjedh midis shumë alternativave. Dallimi ka rëndësi edhe politikisht edhe ideologjikisht. Në çfarëdo tubimi publik, akti i dikujt që foli ka rëndësi përtej dhe pavarësisht nga çfarë ai tha; sepse të folurit e konstituon atë si subjekt publik në mënyrë të pavarur nga përmbajtja e fjalëve. Prandaj edhe, në praktikë, t’i heqësh dikujt të drejtën e fjalës (ose “gojën”) është gjë tjetër nga t’i heqësh të drejtën për të thënë këtë ose atë (p.sh. për të bërë agjitacion dhe propagandë). Kodi penal i regjimit të Hoxhës, përmes nenit 55, rregullon me ligj të drejtën për të thënë diçka, në një kohë që për të drejtën e fjalës si të tillë hesht; edhe pse shtetasit, si subjekte të ligjit, e kishin të qartë se regjimit i interesonte para së gjithash akti sovran i të folurit, ose i marrjes së fjalës në publik; dhe jo vetëm ngaqë, për një arsye gramatikore banale, nuk mund të thuash asgjë, pa folur. Duke kërkuar me çdo kusht të disiplinonte fjalën, ose aktin e të folurit, regjimi hiqej sikur po disiplinonte përmbajtjen e çfarë thuhej në publik. I interesonte jokalimtarësia e aktit ligjërimor, pa çka se dukej sikur shqetësohej vetëm për objektet e thënies, ose kundrinat. Dhe kjo kryesisht ngaqë liria, përfshi këtu edhe lirinë e fjalës, është jokalimtare – meqë është liri për të folur, jo liri për të thënë. Në tubimet e të gjitha llojeve, prej shtetasve pritej që të shprehnin solidaritetin e tyre, ose të mbështetnin pa rezerva çdo politikë që u shërbehej nga lart, që nga vendimet e instancave më të larta, te çikërrimat për orarin dhe shfaqjet e huaja. Nga pikëpamja diskursive, kjo do të thotë që prej folësve publikë pritej që të rimerrnin ose të ri-artikulonin diskursin zyrtar – të formuluar në dokumentet e PPSH-së, fjalimet e Enver Hoxhës dhe materiale të tjera të ngjashme, në mënyrë të tillë që të provonin, para kolektivit dhe eprorëve, se e kishin përvetësuar dhe e zotëronin këtë lloj zhargoni. Në këtë mënyrë, kush fliste në publik e bënte për të konfirmuar një situatë diskursive ndaj së cilës nuk kishte asnjë lloj kontrolli; dhe ndarja e kolektivit midis atyre që folën dhe atyre që nuk folën kish më tepër domethënie se analiza e çfarë u tha pikërisht. Përkundrazi, kur një mbledhje a tubim merrte përgjegjësinë e gjyqit popullor, atëherë të akuzuarit i kërkohej vërtet të fliste, por jo më për të ri-artikuluar zhargonin zyrtar; tani prej këtij kërkohej që të pranonte fajin, të tregonte “shokët”, ose “me kë kish folur (biseduar)”, pra të rrëfehej. Prandaj edhe për dikë dikur me pozitë në pushtet, por që pastaj përfundonte i arrestuar thuhej: “nuk ka folur,” në kuptimin që nuk ka treguar asgjë, nuk e ka pranuar akuzën. I akuzuari që rrëfehej në hetuesi, me ose pa shtrëngim, dhe pastaj në sallën e gjyqit, “e zbrazte edhe ai barkun” në një farë mënyre, ose nxirrte jashtë atë çfarë e kish mbajtur brenda; duke u detyruar të përsëritë, por në rrethana të tjera, një akt që do të konsiderohej armiqësor, po të ish konsumuar lirisht. Janë dy kuptime në thelb të kundërta, të së njëjtës folje, flas; por që i referohen realitetit social dhe politik, jo atij ngushtësisht gjuhësor. Kur në një mbledhje kolektivi sekretari i organizatës bazë u drejtohej të pranishmëve me pyetjen “kush do të flasë?” ose “kush ka për të folur?”, nuk është se kërkonte pranime fajesh ose rrëfime; por vetëm një lloj bashkëpunimi ligjërimor, të tillë që mbledhja të mos dështonte. Në këto raste, të folurit shërbente vetëm si qefin për të mbuluar heshtjen; meqë kush fliste nuk kishte asgjë për të thënë, dhe vetë të folurit reduktohej në akt performativ, të ngjashëm me votën ose duartrokitjet në fund të një fjalimi politik (askush nuk lëvdohej pse duartrokiti; por tregohen gjithnjë histori për shtetarë dhe pushtetarë që kanë përfunduar në hekura, ngaqë udhëheqësi i ka kapur në flagrancë, duke mos duartrokitur). Përkundrazi, atij që fliste “mbarë e mbrapsht” në një kafene, do t’i matej pastaj çdo fjalë dhe çdo nuancë – nëse regjimi e shihte të udhës që ta persekutonte; pa çka se, edhe në këtë rast, shpesh në vend që këtë ta përshkruante me fjalët “tha kështu dhe ashtu”, shqipja do të parapëlqente sërish ndërtimin jokalimtar, duke i shtuar foljes një ndajfolje: “foli kundra”. Ndërtimi është lapidar. Ajo “kundra” (ose edhe “kundër”), parakupton dhe nënkupton kundërvënien me gjithçka zyrtare, të imponuar, të miratuar, pozitive; sikurse parakupton dhe nënkupton rebelimin e njeriut që është lodhur së fshehuri sovranitetin e vet individual. Një shprehje e ngjashme me këtë ishte: “foli më shumë se ç’duhej”, e cila parakuptonte dhe nënkuptonte ekzistencën e një mase në të folur, të një caku, përtej të cilit e kishe kokën në rrezik.
[vijon]
|
40,051 | https://peizazhe.com/2021/12/25/rreth-bariut-te-onufrit/ | null | 2021-12-25T14:03:08 | RRETH BARIUT TË ONUFRIT | Bariu i Onufrit në Skenën e Lindjes së Krishtit në Kishën e Shën Kollit në Shelcan dhe Mbetjet Komuniste në Historinë tonë të Artit dhe Edukimin Kulturor
nga Konstantinos Giakoumis[1] & Arjan Prifti[2]
Një video mësimore e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (2021) nga koha e pandemisë, prezantuar nga mësuese Vjollca Vladi Musha, të synuar për nxënësit e klasës IV të shkollës fillore, në lëndën e gjuhës shqipe, përmbledh disa nga pikat që do të shtjelloj më pas. Video përshkruan një takim imagjinar midis piktorit “elbasanas” Onufrit dhe një bariu në gërxhet e fshatit Shelcan, ku kishte dalë piktori për të mbledhur rrënjë bimësh të nevojshme për përgatitjen e pigmenteve. Sipas tekstit përkatës shkollor, bariu dhe piktori njiheshin prej kohe. Bariu plak jetonte vetë në stan dhe s’kishte njeri tjetër, pasi i ati i kishte vdekur në betejë duke luftuar me Skënderbeun. Përshkruhet si njeri erudit, i cili e ndihmonte piktorin në gjetjen e rrënjëve të bimëve që i duheshin Onufrit. I joshur nga fyelli që bariu kishte trashëguar nga i ati që i binte atij para dhe pas betejave, si edhe nga muhabeti i ëmbël i bariut, Onufri qëndroi një natë në stan. Të nesërmen, bariu i dha një susak me qumësht të porsamjelë dhe e përcolli. Tregimi mbaron kur, disa ditë më vonë, Onufri pikturonte skenën e Lindjes së Krishtit në kishën e Shën Kollit dhe i erdhi në mendje portreti i bariut, të cilin e pikturoi në skenë, por skenën nuk e cilësoi të përfunduar para se të pikturonte edhe susakun, që ndjeu i mungonte (Fig. 1-2). Edhe pse tregimi-bazë të mësimit, i shkruar nga i ndjeri Mojkom Zeqo (1998), ka veti letrare dhe nuk ngre pretendime shkencore të historisë së artit, mësimi pretendon karakter ndërlëndor duke përfshirë edhe artet pamore në të.
Fig. 1: Onufri, Lindja e Krishtit, afresk, 1547-1550, muri jugor, Shën Kolli në Shelcan.
Përqendrimi te bariu në tregimin që përmblodhëm në fillim është mbetje nga koha e komunizmit. Sikleti i pajtimit të artit ikonografik me ideologjinë komuniste për studiuesit e kohës ka qenë i madh, siç vetë ata pohonin pas viteve 1990. Rrjedhimisht, për të mos përjashtuar tërësisht këtë pjesë të trashëgimisë nga vëmendja e publikut, përkujdesja shtetërore dhe studimet albanologjike duheshin gjetur elemente që e lidhnin këtë pjesë të trashëgimisë me ideologjinë komuniste. Prandaj edhe në ekspozime popullarizuese të artit të Onufrit studiues të asaj kohe përpoqën të shfrytëzonin elemente realistë të këtij arti (siç u bë edhe me farëhedhësin e piktorit David nga Selenica në kishën e Shën Kollit në Voskopojë), në mënyrë që të pretendonin se fillesat e ‘realizmit’ në artin ‘shqiptar’ gjendeshin para socializmit tek ata piktorë, si Onufri, të cilët i përdornin në artin e tyre gjoja kundër kufizimeve të Kishës ndaj piktorëve (krhs. Zeqo 1980 dhe te tjerë). Ideologjema këtu qe se një art i tillë hapi rrugën për artin e realizmit socialist. Prandaj, disa detaje dytësore realiste, trajta të veçanta stilistike, një ndjeshmëri e caktuar koloristike dhe disa zgjidhje estetike u shkëputën nga konteksti i tyre dhe u interpretuan veçmas, nën prizmin e ideologjisë së kohës.
Në murin jugor të Kishës së Shën Kollit në Shelcan, Shpat, Elbasan, paraqitet një shfaqje e bukur e Krishtlindjeve me një detaj tepër interesant. Kisha është pikturuar për herë të parë nga Onufri më 1547-50 dhe e mbipikturuar pjesërisht në të paktën dy faza të mëvonshme, në shek. XVII dhe XVIII. Paraqitja e Krishtlindjeve ndodhet brenda në hieroren dhe përmban episode të standardizuara prej periudhës së fundit të Paleologëve, disa prej të cilave ishin të preferuara në artin Italian të Trecento-s, Quattrocento-s dhe Cinquecento-s, të praktikuar prej piktorëve të mëdhenj të asaj kohe, si Bonaventura Belingheri, Cimabue, Giotto di Bondone, Giovanni Bellini, Antonio Vivarini, etj. Në Ballkanin perëndimor gjatë periudhës së parë osmane arti italian i fundit të mesjetës pati ndikim të qëndrueshëm. Në grupin e artistëve me ndikime të tilla përfshihet edhe piktori ikonograf Onufri, ndikim i cili çoi në zhvillimin e një stili personal në frymën e sinkretizmit të artit venecian me pikturën në frymën e traditës bizantine. Por në veprën e tij gjejmë të gjitha cilësitë e artit paleolog të kombinuara me preferencat eklektike të Shkollës Kretase të fundit të shek. XV deri në mesin e shek. XVI.
Skena e Lindjes së Krishtit, që do të trajtojmë këtu, është pjesë e tregimeve biblike, dhe bazohet te rrëfimi i Ungjillit, sipas Mat. 2; 1-20 dhe Luk. 2; 1-17. Në shtesë të rrëfimit që bëhet nga Ungjilli, ky tregim ka edhe detaje të marra nga tradita apokrife, në veçanti nga Protoungjilli i Jakovit. Kompozimi i Lindjes së Krishtit është rreth pikës qendrore të djepit, ndriçuar nga drita nga qielli dhe ylli, në një seri prej gati gjashtë episodesh, të pavarur, por të lidhur së bashku në bazë të formave dhe ngjyrave të alternuara të shkëmbinjve në malin e Bethlehemit. Në hyrjen tepër të errët të shpellës, në pjesën mbi të cilën bashkohen shkëmbinjtë e pjerrët, prezantohet Jezusi foshnje i mbështjellë në një djep të endur, që të jepe idenë e një shporte. Ndërsa mbas grazhdit, rrethuar nga tonet e errëta që japin thellësinë (perspektivën) e shpellës (megjithëse piktura këtu është tepër e dëmtuar), evidentohet prezenca e dy kafshëve (të një kau dhe një gomari), referenca e të cilave është profecia e Isaiut: “Kau e njeh pronarin e tij, edhe gomari grazhdin e pronarit të tij. Por, Izraeli nuk do ta kuptojë se kujt i takon”. Grupi qendror përbëhet prej shpellës, grazhdit me Krishtin e vogël, me kafshët që ngrohin Krishtin e vogël me frymën e tyre (Apokrif).
Në një zonë më të sheshtë shkëmbore, Virgjëresha rri e shtrirë mbi një kuvertë të kuqe në formë ovale me kokën e anuar në të djathtë nga fëmija dhe të mbështetur në njërën dorë. Në të njëjtën kohë, preferencat e marra nga modelet paleologe dhe perëndimore, të tilla si djepi shportë e endur dhe teknika e ekzekutuar në grisaille, një teknikë e preferuar e piktorit, një përfaqësim i një ushtrie qiellore që lavdëron Perëndinë, që gjenden në të majtë në pjesën e sipërme (ku skena është tepër e dëmtuar), dhe që gjithashtu shfaqen dhe në vepra të tjera të këtij piktori eklektik, konfirmojnë njohuritë e tij për më herët dhe modele bashkëkohore. Në pjesën e sipërme të ikonës gati në bordurat e saj lineare është pikturuar një gjysmë-ylli i cili zbret drejtpërdrejt nga qielli në qendër të shpellës drejt figurës së Foshnjës Hyjnore. Ndërsa në të djathtë, mbi shpellë, një engjëll me krahë të ngritur, një shenjë e mbërritjes, i sjell lajmin e gëzuar bariut të ri, të ulur në një shkëmb të ulët me një fyell në duar…? Në të njëjtën kohë, grupi i mbretërve (Magët), të cilët vijnë nga Orienti i largët, mbërritën në Jerusalem me shpurën e tyre madhështore dhe kërkuan të shikonin mbretin që po lindte për ta nderuar. Të mësuar nga orakujt dhe profetët e vjetër, magët u kujtuan atëherë për profecinë e thënë dikur për Izraelin nga mbreti Moab, Balakut: “Unë shikoj, por jo tani” – thoshte ai – “unë e lavdëroj, po jo nga afër: një yll po ngrihet nga Jakovi dhe një njeri (një skeptër mbretëror) ngrihet nga populli i Izraelit” (Numrat 24: 17).
Grupi e mbretërve mjeshtër Onufri e paraqet të tërin me ngjyra të theksuara: mantelet janë pikturuar me cinabër ose me bordo të zbutur me theksime të bardha. Ata mbajnë në duar dhurata: kutia me temjan, mirë dhe ar, krejt të praruara. Fermanët dhe çallmat apo shallet në kokën e të gjithëve janë punuar nën tonalitetet e një cinabri të theksuar. Ky është grupi më i bukur nga shprehja dhe eleganca e punimit, fytyrat, lëvizjet e kokëve, pozicioni i kokës në qafë janë punuar me shumë art. Përdorimi i së kuqes prej cinabri në të gjithë skenën si dhe në fytyrat e personazheve është tepër i theksuar në ikonë, ndërsa dritat janë bërë me ngjyrë të derdhur, tepër të theksuar. Figurat e dobëta, me ngjyrë të errët, kujdesi dhe kompetenca e madhe e treguar në ekzekutim, përbërja e pjekur dhe tonet e pasura me ngjyra tradhtojnë dorën e piktorit Onufri.
Në regjistrin e poshtëm të freskut është paraqitur me mjeshtëri figura shprehëse e Josifit: ai qëndron i zhytur në mendime të thella; ai është i vrenjtur dhe madje mund të themi i mërzitur; sipas apokrifit atë e mundon dyshimi mbi fajësinë e Shën Mërisë. Figura e tij është plastike, e paraqitur në reliev, e gjallë. Rasti i bariut me susak pranë Josifit në paraqitjen e Lindjes së Krishtit nga Onufri është karakteristik. Asnjë nga manualet e njohura të pikturës kishtare nuk përmban detaje për paraqitjen e Lindjes së Krishtit (Dionysios 1900, 89; cf. Vapheiadis 2017), rrjedhimisht as për paraqitjen, veshjen dhe sendet që mbartte bariu. E dykuptimshme është edhe vetë simbolika e bariut që nga periudha paleologe dhe shek. XIV (Vokotopoulos 1962, 190), e mirë apo e keqe. Bariu i kishës e Shën Kollit në Shelcan (1547-50) paraqitet në pjesën e poshtme dhe djathtas të skenës, para Josifit të vrenjtur dhe të hutuar, të ulur me kurriz nga Shën Mëria (Fig. 3 dhe 4).
Fig. 3: Onufri, Lindja e Krishtit, afresk, 1547-1550, muri jugor, Shën Kolli në Shelcan (detaje).
Si Josifi, ashtu edhe bariu mbart një bastun, i cili në pjesën e sipërme paraqitet me degë dhe gjethe të vogla. Bastuni i bariut i referohet qartazi traditës së vjetër, mbase nga pjesët e humbura të ungjijve apokrifale (të fshehtë), sipas së cilës para Josifit u paraqit djalli në formë bariu Tirsus (gq. Thyrsos); Tirsus-i ishte emri i shkopit të Dionisus-it, i cili, me simbolikën e tij fallike, përdorej nga satire dhe bakhusantë (Lanzi & Lanzi 2003, 40).
Fig. 4: Onufri, Lindja e Krishtit, skicë e afreskut i viteve 1547-1550, muri jugor, Shën Kolli në Shelcan (detaje) nga Arjan Prifti, 2021.
Sipas së njëjtës traditë, Josifi, në mëdyshjet e veta, kishte pyetur, sipas himnit të Sofronit, patrikut të Jerusalemit (lindur 580 p.Kr.), që këndohet në Orën I të shërbesës së Krishtlindjeve:
“Kështu i thotë Josifi Virgjëreshës:
Maria, ç’është kjo dramë që po shikoj te ty? Kam pyetje dhe habitem dhe çuditem në trutë. Largohu shpejt tani prej meje. Maria, ç’është kjo dramë që po shikoj te ty? Në vend të nderit [më solle] turp; në vend të gëzimit [më solle] trishtim; në vend të vlerësimit më solle akuza. Nuk mbaj më përçmimin e njerëzve. Se të mora të paprekur nga priftërinjtë e tempullit dhe ç’është kjo që po shoh? (krhs. Ligji i përtërirë, 20:3)
Prania e djallit në ngjarjen e lindjes së Krishtit dëshmohet edhe te burime kishtare. Te Zbulesat (12:1-5), ku djalli paraqitet si dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, ndërsa në një fali të tij mbi Lindjen e Krishtit, Shën Joan Gojarti thekson se “Sot Krishti [u lind] te grazhdi, ndërsa djalli u mashtrua.” Bariu-djall mundohet të ngacmojë Josifin duke i thënë se sa është e mundur për një plak si ai të bëjë fëmijë dhe një e virgjër mund të lindë, aq e mundur është edhe që bastuni i tij të nxjerrë lule, fjalë që justifikonin “turbullim mendimesh” (Stanza VI i Himnit Akathist). Sipas traditës, në momentin që i tha kështu, shkopi i thatë çeli gjethe dhe lule (Evdokimov 1989), duke përmbushur me këtë mënyrë himnin që cilëson Krishtin si “shkop nga rrënja e Jesseut” (Zbritësorja IV e Krishtlindjeve). Me siguri Josifi e dinte që paraardhësi i tij i Dhjatës së Vjetër e shmangu djallin e kurvërisë përmes largimit (Gregori i Nisës 1858, 436), gjë që i shtonte dyshimin. Bastuni i bariut me degë dhe gjethe përmban pikërisht gjithë këtë sfond teologjik dhe njerëzor, pa të cilin është e pamundur të kuptohet absurditeti i bastunit të një bariu me degë dhe gjethe. Te kisha e Shën Premtes në Valësh, 1553/4 (Fig. 2) figura e bariut nuk është më figura djallëzore e bariut të mëparshëm, por merr formën e profetit Isaija me shkopin si simbol të Krishtit (Mikea 7:14, Isaia 11:4, Hebr. 1:8).
Fig. 2: Onufri, Lindja e Krishtit, afresk, 1553-1554, muri jugor, Shën Parashqevi në Valësh.
Është e kuptueshme për se interpretime të tilla, edhe po të diheshin, nuk mund të liheshin nga censura e regjimit komunist, mirëpo tridhjetë vjet më pas situata po vazhdon dhe tashmë kalon edhe te edukimi kulturor i fëmijëve. Për arsye të mungesës së formimit të shëndoshë dhe shumëfaqësh, sot e kësaj dite historiografia shqiptare e artit të krishterë mbetet më së shumti përshkruese dhe pothuajse aspak interpretuese. Prandaj, sot shumë se kurrë ndihet mungesa e një shkolle të mirëfilltë studimesh të pikturës mesjetare kishtare në Shqipëri, e cila do të trajnojë historianë të artit kishtar në të ardhmen.
(c) 2021 autorët, Konstantinos Giakoumis & Arjan Prifti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
LITERATURA
Dionysios nga Furna. 1900. Ερμηνεία της Ζωγραφικής Τέχνης. Shën Peterburg: Sinodi i Shenjtë.
Evdokimov, Paul. 1989. The Art of the Icon. Theology of Beauty, trans. Fr. Steven Bigham. Pasadena, CA: Oakwood.
Gregor i Nisës. 1858. “Ὁ δὲ πορνεύων εἰς τὸ ἴδιον σῶμα ἀμαρτάνει.” In Patrologia Graeca (S.P.N. Gregorii Episcopi Nysseni Opera Quae Reperiri Potuerunt Omnia), red. J.P. Migne, vol. 46. Paris: Imprimerie Catholique.
Lanzi, Fernando & Lanzi, Gioia. 2003. Saints and Their Symbols. Recognizing Saints in Art and in Popular Images, trans. Matthew J. O’Connell. Collegeville, Minnesota: Liturgical Press.
Ministria e Arsimit dhe Sportit. 2021. “Gjuhë shqipe 4 – “Onufri dhe bariu” – Pëshkruajmë ndjenjat e Onufrit natën, që qëndroi në stan.” Video URL: http://www.hashcut.com/v/x66mt3Z
Vapheiadis, Konstantinos. 2017. Εγχειρίδια Ζωγραφικής στο Βυζάντιο. Athinë: Andy’s.
Vokotopoulos, Panagiotis. 1962. “Αἱ τοιχογραφίαι τοῦ Ἁγ. Ἀντωνίου Ἀνάφης”. Δελτίον της Χριστιανικής Αρχαιολογικής Εταιρείας, 4 (2), 183-94.
Zeqo Mojkom. 1980b. “Piktura e piktorët shqiptarë në shekuj”. Pionieri, viti XXI, Nr. 5, 26i-iii.
Zeqo Mojkom. 1998. Onufri. Tiranë: Medaur.
[1] Konstantinos Giakoumis është Profesor i Asociuar i Historisë, Arteve Pamore dhe Metodikë pranë Kolegjit Universitar LOGOS.
[2] Arjan Prifti është drejtor i Muzeut Kombëtar ‘ONUFRI’ në Berat.
|
15,007 | https://peizazhe.com/2014/03/18/kur-te-tradhton-goja/ | null | 2014-03-18T17:11:54 | KUR TË TRADHTON GOJA | Përfytyroni këtë situatë: në një darkë, të afrohet dikush që sapo e ke njohur, dhe fillon të të flasë në dialekt të kulluar. Pyetja: cili do të ishte reagimi juaj?
Kjo më ndodh edhe mua ndonjëherë. Natyrisht, nuk pres që njerëzit në situata informale të më flasin si folësit e radios – edhe kjo do të kërkonte shpjegimin përkatës. Prandaj nuk e kam fjalën për theksin, ose ngjyrën që ia jep prejardhja të folurit; por për dialektin e mirëfilltë.
Nganjëherë pyes veten nëse unë di akoma të flas në dialekt. Kushedi, pak tironçe ia them, edhe pse ajo që përdor unë do të klasifikohej më tepër si gegnishte jugore e përgjithshme: ca pjesore të shkurtuara (paske vu bark), ndonjë rotacizëm të munguar (lene mos e pyt), ndonjë diftong i thjeshtuar (u vonun pak).
Por ai personi që të drejtohet në dialekt, shkon përtej këtyre shenjave të vogla të intimitetit – dhe meqë dialekti ka për veti të bjerë në sy, sidomos kur nuk është yti, atëherë ti nuk dëgjon më çfarë të thonë, por rri e kundron dialektin, siç do të kundroje një pemë në mes të fushës, ose statujën e Gjergj Aranitit në park.
Shpjegimi i parë që të shkon në mend: ky nuk e njeh shqipen standard, nuk e ka mësuar dot, nuk ka mundur. Duket si vërejtje triviale, por të mos dish të flasësh shqipen standard, ke tradhtuar njëkohësisht shumë mangësi të tjera, sidomos në arsimim – dhe kjo mund të të lërë pa punë, bie fjala, në Tiranë.
Shpjegimi i dytë: ky të ka ngatërruar me një bashkëfshatarin e vet. Asnjë problem, mjaftojnë dy fjalë, për ta sqaruar keqkuptimin.
Shpjegimi i tretë: ky është me një barrë shkollë dhe standardin e njeh për bukuri, por qëllimisht zgjedh të flasë në dialekt sepse (a) kërkon ta veshë dialektin si të ishte uniformë, ose kostum popullor me brekushe dhe qeleshe, për të treguar se nga vjen; (b) nuk e njeh legjitimitetin e standardit, dhe e refuzon atë, njëlloj siç refuzon biftekun vegjetariani në restorant.
Dhe në situata si këto që implikon shpjegimi i tretë, ti ndihesh i përdorur nga Tjetri, për çfarë ai e konsideron mision politik ose, e pakta, për vanitetin e tij krahinist.
Problemi lidhet drejtpërdrejt me arsyet pse ekziston standardi dhe pse mësohet në shkollë: për të na dhënë të gjithëve një mjet komunikimi të tillë, që të privilegjiojë të përbashkëtën mes nesh, ndaj asaj që na dallon (shihni edhe këtë shkrim të Pishakut, tani së fundi).
Por mua deri më sot kurrë s’më ka qëlluar që të më afrohet dikush dhe të më thotë: më fal, zotëri, por unë do të flas në dialekt, sepse unë nuk e njoh standardin (në të dy kuptimet e foljes njoh). Të paktën vegjetariani e deklaron kredon e vet, që në krye; madje edhe në mënyrë të tillë, që të të bëjë ty të ndihesh me faj për zakonet e tua gastronomike.
Thashë më lart që e flas disi tironçen, jo aq si të folmen e banorëve “autoktonë” të zonës, sa si zhargonin urban të kryeqytetit; i cili dallon vendësit nga të ardhurit, të brendshmit nga të jashtmit.
Kush është rritur në Tiranë, si unë, ka qenë i detyruar ta përvetësojë këtë manierizëm; përndryshe mund të përfundoje edhe i rrahur, mu në oborr të shkollës.
Një kujtim nga fëminia: pat zbarkuar në mëhallën tonë, gjatë pushimeve të verës, kushëriri i njërit prej çunave të atjeshëm, i cili fliste shkodranishte të pastër. E dinim që vinte prej Shkodre, nuk e ngacmonim; përkundrazi, i afroheshim dhe e preknim me kujdes, si të ishte ndonjë pëllumb i vyer race, ose ndonjë biçikletë e re.
Nuk e mbaj mend si e kishte emrin, sepse të gjithë i thërrisnim Shkodre.
Një kujtim tjetër, këtë herë nga rinia: në vitet 1980, e folmja tironçe filloi t’i kundërvihej njëfarësoj toskërishtes gjysmë-dialektore, që flitej në institucionet partiake.
Pushteti ishte nga njëra anë, rruga nga ana tjetër: vështirë të përfytyrosh, bie fjala, që të flitej tironçe në Klubin e Ministrisë së Brendshme.
Sot duket sikur raportet kanë ndërruar disi – meqë rruga ka hyrë dhe i ka marrë në kontroll institucionet, pavarësisht nga ngjyra politike; ndërsa rrugën e mirëfilltë e ka ripushtuar dialekti, edhe pse jo ai i Tiranës.
Të gjitha këto zhvillime, marramendëse, ia ndërlikojnë shumë punën atij që duhet ta negociojë pozitën e vet sociale dhe ambicjen, edhe duke kaluar nga një regjistër dialektor tek tjetri, në varësi të kujt i del përpara.
Shumë të njohur, me prejardhje nga provinca, më kanë thënë se i bezdis pa masë tironçja me të cilën përplasen në kryeqytet; jo standardi, të cilin e kanë mësuar në shkollë dhe pak a shumë mund ta përdorin lirisht, por pikërisht ajo tironçja gjysmë dialektore, që shënjon të qenët in, ose raportin e privilegjiuar me hapësirën urbane (territorin).
Unë këtë nuk e ndiej, njëlloj siç nuk e ndien peshku ujin që e rrethon në akuarium; por edhe mua më bezdis ndonjëherë kur, në një kontekst institucional, dikush më drejtohet në të folmen e Tiranës – sidomos kur nuk e kam njohur më parë.
Kjo sepse, kur ti nuk di se me kë je duke folur pikërisht, ti e përdor të folurit e tjetrit edhe si një lloj karte identiteti: kërkon të marrësh vesh se kë ke përballë, çfarë kërkon ai prej teje dhe, ndonjëherë, edhe se çfarë mendon ai për ty.
Prandaj edhe dialekti, kur ta hedhin ndonjëherë si pa të keq fytyrës, përjetohet si kërcënim – meqë duket sikur ai tjetri kërkon të provojë nëse ti i përket apo jo grupit ku ai bën pjesë. Je apo jo yni.
Përndryshe, në kontekste të tjera, mes miqsh ose të sunduara nga simpatia pa kushte, palët do të priren t’i afrohen njëfarësoj njëra-tjetrës, qoftë edhe duke i adoptuar, sado përkohësisht ose keq, manierizmat (tokens) dialektorë. Një përmetar do të përdorë një paskajore të tipit me fjetë, një kosovar do të përdorë tek-tuk diftongun ua të toskërishtes (kam banuar në Tiranë tash dy vjet).
Këta manierizma shkëmbehen si të ishin kartëvizita.
Dhe nëse kjo nuk ndodh; nëse nuk ka shkëmbim dhe shenja të hapjes, atëherë dialekti i tjetrit vjen dhe trupëzohet si haptazi armiqësor; ose të paktën si një xham akulli, që lë të duken veç siluetat e bisedës.
Paradoksalisht, kur pengohet në nivelin elementar të komunikimit, kontakti vjen dhe formalizohet; sa kohë që intimiteti vetë nuk vendoset dot, përveçse mbi përbashkimin (sharing) e veçanësive të gjuhës.
|
33,569 | https://peizazhe.com/2020/01/12/contratiempo/ | null | 2020-01-12T17:01:42 | CONTRATIEMPO | Etyd nga Flurans Ilia
“You are young and life is long,
and there is time to kill today.
And then one day you find,
Ten years have got behind you.
No one told you when to run,
You missed the starting gun.”
Pink Floyd
“I ulur në bythë”… Më kujtohet shpesh kjo shprehje e pleqve të vendit tim. Kjo frazë më grishte kureshtjen kur isha i vogël. Mendoj se qysh kur thua “i ulur” nënkuptohet që do jesh “në bythë”, sepse me vertikale nuk qëndrohet ulur![1]
Ndodhem në një kafé montréaleze “i ulur në bythë” (po pra!) në një orar të pazakontë përballë grykës së metrosë që vjell grumbullin e njerëzve nga brendia e saj nën dhé, drejt damarëve të qytetit, bllokuar aty-për-aty mu në kryqëzimet e semaforëve ku drita e kuqe si me qenë vet sëmundja e kolesterolit brenda trupit të metro dhe polit, ka përqendruar për disa çaste qarkullimin e lëvizjes së trupave që vrapojnë si rruaza gjaku.
Vrapohet me forma nga më të ndryshmet. Vrapohet nëpër qytetet e mëdha të botës. Ato pak çaste në pritje, shfrytëzon kohën e duhur të mendosh se njerëzit në një qytet metropolitan përngjajnë ekzaktësisht me turmën e milingonave që sodisje kureshtar dikur në fëmijëri.
Në kafenetë e ditëve tona pothuajse të gjithë njerëzit janë të pajisur me hi pod, hi phone, smartphones. Që të gjithë marrin dhe japin me hi speed ! Po t’i vëzhgosh me vëmendje, të gjitha “sporte të ulura në bythë” ! Sporte, sepse aktivizojnë trurin, sikurse shahu, tavlla, loja me letra, dominoja, dhe natyrisht gazeta me lajmet e ditës. Këtu, koncepti i “të vrarit të kohës” nëpër kafene nuk ekziston. Për më tepër koncepti “i ulur në bythë”. Sepse kafeja e javës kryesisht serviret në dorë, shpejt e shpejt, me vrap, drejt e në rrugë ku të ndal për fare pak çaste veç semafori. Kohë në të cilën vëzhguesi, sikurse zhytësi, ndalet disa sekonda së thithuri oksigjen. D.m.th. e mbart frymën me vete dhe fillon e vëzhgon nëpërmjet një këndvështrimi vertikal një botë tërësisht horizontale. A thua se je duke jetuar një tjetër jetë? A je duke jetuar një tjetër kohë? Koha akuatike. Një botë krejt e nënujshme. Kjo dalje, nga koha dhe bota, përbën, mu si ajo pika e shtrydhur fort në kafenë e mëngjesit, si ajo bulëza e ajrit që mbart në gjoks ndërsa zhytesh, çastin gjithmonë e më të rrallë të meditimit.
Pothuajse inmobile. Në një kombinim të rastësishëm lëvizjesh mendore, konstaton se termi muzikor contratiempo (nga spanjishtja) që është një “kundrakohë muzikore” në vallëzimin e njohur spanjoll të flamengos vjen si pasojë e përplasjes së takave të valltarit! Nëpërmjet përplasjes së thembrave, ai, valltari, protagonisti i kësaj jete në këtë çast, vjen dhe krijon përmes ritmit, një kundrakohë magjike, kohën e rivlerësimit të kohës, kohën reale të vlerësimit të lëvizjes pasuese në vazhdim.
Më kujtohet një çast Polifemi, gjiganti me një sy. Pastaj tufa e bagëtive nën barkun e të cilave Uliksi me shokët e vet mundën t’i shpëtojnë kontrollit të qiklopit. Në kohën e sotme duhet të kesh një lloj shqise të allasojtë që të përmbledh gjithë çfarë ikën dhe vjen rreth e rrotull. Aq i dendur është informacioni. Lexoj ndërkohë në internet një shprehje që ma zbukuron çastin e meditimit, Zoti jeton në fshat ! Kjo frazë përthyhet brenda meje ndryshe, nëpërmjet zërit unik të Giuseppe Ungaretti-t, M’illumino d’immenso !
Me mënyrën se si bota lëviz, contratiempo është gjithmonë e më tepër një veprim në zhdukje e sipër, në ditët që jetojmë. Njeriu modern sa vjen dhe i largohet peizazhit të natyrës së vet, duke marrë gjithmonë e më tepër hi speed.
Life’s a bitch and then you die
So fuck the world and let’s get high …
Çfarë i bën të rinjtë e sotëm të jenë kaq eksesivë? Përgjigja ndodhet tek pyetja. Jo se nuk ka përgjigje, nuk ka kohë. Sepse koha e të menduarit po vjen drejt një skadence në kontratën që individi sapo ka firmosur me lëvizjen. Ka dy zgjidhje. Ose t’u bësh naftën të gjithave. (Po ç’naftë o mik, mos na kujto naftën aman, nuk i shikon çmimet e naftës si kanë vajtur?! ) … Po qesh me zë. Me zë sikur Gustave Flaubert, kur shqyente me zë të lartë timpanët e veshëve të shekullit XIX me shprehjen, Madame Bovary c’est moi ! Ky shekull po na shpalos dy mundësi, ose të qeshësh me vete, ose të ngrihesh edhe …
… vrapo or mik,
… vrapo,
… Metro, boulot, dodo ![2]
…
(c) 2020, Flurans Ilia. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Një ndër ushtrimet joga përfshin meditimin kokëposhtë me vertikale 🙂
[2] Metro, punë, gjumë! Refreni i njohur i metropolit.
|
34,906 | https://peizazhe.com/2020/05/23/nje-stacion-i-vogel-dhe-i-parendesishem/ | null | 2020-05-23T22:12:29 | NJË STACION I VOGËL DHE I PARËNDËSISHËM | nga Ajkuna Dakli
Treni mbushet kapicë, dyert mbyllen më në fund dhe rrotat fillojnë të lëvizin. Stacioni që vjen quhet Davisville. Stacioni që sapo lamë pas është qendër komerciale plot me zyra një qendër tregtare dhe një lumë njerëzish që kalojnë tutje -tëhu në kryqëzim nga mëngjesi e gjer pasdite vonë.
Po ky stacion është i parëndësishëm. Mu në cep të një këndi të drejtë të vijës së metrosë që mbështjell një lagje pasunarësh, këtu mund të hipin e zbresin shumë- shumë tre katër vetë, ose nganjëherë në ditë të ftohta askush.
Pikërisht këtu më duhet të zbres për të vajtur në shtëpinë e zonjës në fjalë. Më pas duhet të eci edhe dy blloqe në drejtim të lindjes. Eshtë distancë e shkurtër nja 15-20 minuta rrugë në këmbë por kur bën shumë vapë ose ftohtë është gjithsesi e bezdisshme. Dhe në këtë vend zakonisht bën ose shumë ftohtë ose shumë vapë.
Zonja në fjalë nuk është e pasur. Ajo banon në një nga godinat për të moshuar që mbështeten financiarisht nga shteti. Shumica e tyre ndodhen në lagje të tilla të qeta pasunarësh jo shumë afër stacioneve të metrosë ngaqë pleqtë nuk lëvizin shpesh ose ngaqë këto janë vende të qeta e të bukura si një parathënie e parajsës të përkryera për të kaluar fund jetën. Por të shkoke në një vend të tillë nuk qenkësh fort e lehtë dhe zonjës në fjalë iu desh të priste shumë vjet t’i jepnin apartamentin një dhomë e kuzhinë ku banon tani.
Unë e njoha kur ajo ishte akoma në pritje, e paguante të gjithë qiranë nga xhepi dhe kjo i kushtonte një djall e gjysmë.
Ishim përshëndetur disa herë në ashensor, më kishte uruar për djalin tim të porsalindur dhe tha se nuk kishte parë beb më të bukur. Isha e porsaardhur në këtë vend e çdo shenjë miqësore, çdo bisedë disi më e gjatë se një përshëndetje e ftohtë në korridor a ashensor qe një dhuratë. Po u desh njëfarë kohe të quheshim mikesha.
Asokohe ajo mbante një qen, një puddle të bardhë e të urtë me emrin Samantha që më linte gjithnjë të përkëdhelja. Ngaqë dilte disa herë në ditë me qenin e saj, gjente lodrat që im bir motak i hidhte nga ballkoni dhe m’i sillte në shtëpi.
Këtu filluan vizitat e mia në apartamentin e saj në kat të tretë lyer me gri të butë në të cilin çdo herë shërbehej çaj me takëme porcelani me të njëjtin seriozitet dhe pasion.
Apartamenti qe mobiluar si në filmat anglezë të viteve 40-50 : një divan i veshur me damask të gjelbër të errët me trëndafila të vegjël rozë, një kolltuk i veshur njëlloj dhe një “ottoman” për të mbështetur këmbët, një karrige lëkundëse, komodinë, me një abazhur, dy rafte plot me libra, dy komo mbuluar me foto në korniza, dhe të tjera foto ne mure. Kishte nja dy foto grupi njerëzish po shumica e fotove qenë portrete. Po t’i vëreje me kujdes ishin të njëjtat personazhe – fëmijë që rriteshin gradualisht nëpër foto derisa arrinin në moshë diku në të njëzetat, të gjithë biondë ( po përmend këtu se edhe zonja në fjalë tashmë e zbardhur duhet të kish qenë bionde)
Fotot fillonin që në hyrje në murin e korridorit dhe vazhdonin në dhomën e ndenjes me të njëjtën dendësi, po një dendësi që nuk ta vriste syrin. Ama, po të mendoje se pas çdo fotoje ndodhej një gozhdë mund të thoje me plot gojën se ato në ato mure qenë ngulur shumë gozhdë.
Nuk e pyesja për personat ne foto. Asokohe, përpiqesha të pyesja sa më pak pasi asnjëherë nuk isha e bindur nëse pyetja ishte me vend.
Për disa muaj nuk mora vesh gjë për fatin e personave në foto derisa një pasdite të acartë dhjetori kur jashtë ngrinte edhe fëmija në barkun e nënës, duke rrufitur çajin nga filxhani i saj prej porcelani, zonja filloi të fliste:
– Kur vija nga Mançesteri me anije,ka qenë mars, 1964. Isha 20 vjeç. Isha e trishtuar sepse m’u desh të ndahesha me të dashurin dhe përpos kësaj më zuri deti keq. Po nxirrja zorrët në kuvertën e anijes kur ime më, ndërsa më mbante kokën më tha se sapo të zbrisnim duhet të shkoja te mjeku. Më ka zënë deti, I thashë mos u bëj merak do më kalojë. Nuk do të kalojë më tha. Je shtatzënë.
Heshti një hop rrufiti çajin dhe vazhdoi :
– Isha vërtet shtatzënë. Steve lindi pas disa muajsh. Ishte një bebe i bukur i shëndetshëm me flokë gështenjë të çelët po kur u rrit ca iu bënë ngjyrë ari si të miat. Shiko.
Ajo u zgjat dhe më tregoi një foto me një bebe faqekuq me sy të kaltër. Pastaj një tjetër me një djalë të vogël. Sytë e mi vajtën padashur te e njëjta fytyrë tashmë, diku te dhjetë vjeçët, diku te 15 vjeçët, diku në fillim të të njëzetave. Kaq. Nuk bëra pyetje.
Zonja rrufiti çajin dhe më pyeti nëse doja prapë.
– Të falemnderit – i thashë – jo.
Pasoi një heshtje pastaj unë tregova njërën nga dy komotë e mbuluara me foto. Sa më pëlqen kjo komo – i thashë. – Edhe ngjyra edhe lustra.
– Oh tha zonja. E bleva në një dyqan me mobilie amish. Këtë edhe atë tjetrën. Ishin të pazdruguara dhe sigurisht të palyera. Heshti një cast.
– Pas funeralit të Steve –tha
U gëlltita.
– Ndodhi menjëherë. – vazhdoi – Aksident ndërsa nje shok i tij ngiste makinën. Si mund të vdesë kaq lehtë një njëzetedyvjeçar? Pas funeralit shkova në një dyqan mobiliesh “amish” U thashë që doja këtë dhe atë tjetrën. I solla në shtëpi dhe fillova t’i lëmoj. M’u deshën jave që t’i lëmoja siç duhet. Pastaj i leva dhe i lustrova.
– Më vjen keq – thashë – Më vjen shumë keq. Duhet të ketë qenë shumë e dhimbshme.
– Të falemnderit “dear”. Steve ishte një djalë kaq i dashur. Dy ditë para se të vdiste, kishte lyer flokët për një festë “Halloween”- i. Padashur, me duart me bojë kishte prekur kornizën e derës. Nuk e leva shtëpinë për pesë vjet rresht. Pastaj erdhi një urdhër nga administrata e pallatit që të gjitha apartamentet duheshin lyer.
Ajo përkëdheli qenin qe u ngrit në dy putrat e para dhe i mbështeti kokën në prehër.
– Sa e lezetshme është – thashë unë.
– Shumë, shumë e lezetshme. Apo jo Sam? Ooo, hajde këtu.
Ndjenja edhe pak dhe mora leje të largohesha. Më përcolli deri te dera e apartamentit ndërsa qenushja i sillej nëpër këmbë.
Pas ca ditësh I bëra një vizitë tjetër. Më pas një tjetër. Bisedat vërtiteshin rreth Steve, motrës së saj Mary që jetonte në Sudbury, me të cilën shiheshin mbase një herë në vit dhe vëllait John që jetonte në Vancouver më të cilin shiheshin shumë më rrallë se aq. Bileta kushton thoshte. Pastaj për mbesën që më duket se quhej diçka si Beverly ose Deborah, nipin Tom ose Joshua dhe dhëndurët e nuset përkatëse me emrat e të cilëve kujtesa ime nuk kishte fat kurrë. Po kjo nuk prishte ndonjë punë sepse kur fliste ajo i ngulte sytë nëpër foto dhe të tilla kishte me shumicë.
Nganjëherë flisnim për libra – dhe këtu duhet të shtoj se zonja në fjalë kishte lexuar jo pak. Një ditë madje hapi një libër dhe me një zë të qetë grykor më lexoi poezinë më poshtë
Tek endesha vetëm si një re
Që pezull rri mbi kodrat t’ larta,
Sytë m’i lëbyrën zambakë të verdhë,
Qenë një mori kurorash t’arta;
Aty nën pemë buzë një liqeni,,
Petale dridhur në fllad shkëlqenin.
Si yjet radhë lidhur në varg
Në rrugë qiellore që ndrijnë errësirës
Pa fund lul’zonin gjer tutje larg
Përgjatë kufirit të një gjiri:
Sa hante syri dhjetë mijë mbase,
Krye zambakësh hijshëm në valle.
Më t’bukur qenë se dritë e valëve
Dhe gaz i tyre derdhur stërkalave
S’do mend poeti të tillë hare
Nuk mund të mos e vinte re
I pashë me endje po pa kuptuar
Se ç’pasuri më qe blatuar
Po tash, shpeshherë, kur jam në shtrat
i vetëm e shpirt boshatisur
nën bebëza ata me ndizen flakë
nga përshkënditja e vetmisë;
dhe zemra ime mbushet prapë,
dhe nis vallëzon tok me zambakët.” **
Kaluan tre dimra të ashpër gjatë të cilëve vizitat e mia po edhe ndonjë ndihmë me pazaret kur qe shumë ftohtë e ajo nuk merrte dot autobusin, vazhduan rregullisht. Dimrin e katërt zonja mori një letër ku njoftohej se ndihma e kërkuar i ishte akorduar nga qeveria dhe se atë verë mund të lëvizte në një apartament tjetër për seniors me qira shumë me të ulët – në një zonë shumë të këndshme – tha ajo.
– Po e di që do ta ndjej mungesën e gjithë fqinjëve këtu. Edhe tuajën.
– Oh mos u bëj merak –iu përgjigja – nuk është shumë larg dhe do vijmë të të vizitojmë shpesh.
Gjithsesi ideja e një ndryshimi dhe lehtësimi financiar e kishte bërë punën e tyre sepse ajo dukej e gëzuar.
Kishte ngelur vetëm. Samantha ngordhi pikërisht një muaj para lëvizjes në apartamentin e ri – sepse – siç sic tha – njeriu nuk mund ti ketë të gjitha. Humbja e qenit e kishte trishtuar shumë po ajo qe mësuar me humbje Am I not?
Shkova ta shoh në apartamentin e ri ndonjë javë pas lëvizjes dhe mu duk mirë. Shtëpia i pëlqente.Në komotë e lustruara qe shtuar një fotografi dasme dhe një foshnje ( prapë nuk qeshë në gjendje të kujtoja cili qe martuar e cili ishte bërë me fëmijë nipi apo mbesa) motra Mary dhe vëllai John kishin ardhur ta shihnin dhe kjo vizitë do mbante me siguri vlagë për ndonjë vit. Po ç’ishte më e rëndësishmja i kishin sjellë një tjetër “puddle” me emrin Jacob i cili qe një qenush llafazan që kërkonte gjithnjë vëmendje. Po ajo kishte plot kohë për këtë.
Nuk e mbaj mend në ç’kohë qe vizita ime pasuese, mbase në vjeshtë, nëntor, dhjetor… ose për Krishtlindje.
Nuk mund të them se nuk e ndjeva mungesën e përshëndetjeve të saj nëpër shkallë dhe lehtësinë e të pasurit të një dere ku mund të trokasësh nëse ke dëshirë për një bisedë gjysmorëshe. Po jeta ime në vendin e ri atëbotë filloi të rrotullohej gjithnjë e më shpejt, një tjetër fëmijë, punë, shtëpi të re e të tjera si këto dhe zonja në fjalë lëvizi heshtur nga lista ime e përparësive.
Tashme jetonte në kushte më të mira dhe pak nevojë kishte për ndihmën time, kështu qe nuk ndieja ndonjë ngut të madh për të shkuar.
Vizita tjetër qe dikur në verë dhe më pas për krishtlindje.
Ka nja dy vjet që kam filluar një punë të re, vetëm një stacion metroje më në veri se Davisville.
Por për ti bërë vizitë zonjës në fjalë kam zbritur vetëm tre herë gjithsej. Apo dy? Nuk jam e sigurt.
Herën e fundit shkova sepse më telefonoi e më tha që Jacob kishte ngordhur.
– Qe sëmurë dhe m’u desh ta çoja te veterineri to put him down – tha – sepse po vuante aq shumë sa nuk e shihja dot.
I thashë që më vinte shumë keq sepse ai ishte pa dyshim një qenush shumë i lezetshëm.
E pyeta në do merrte qen tjetër dhe mu përgjigj që nuk mund të duronte dot më ndarje për së gjalli prandaj kishte vendosur të rrinte vetëm. Deri në fund.
Mendova se “deri në fund” mund të qe një kohë mjaft e gjatë sepse ajo ishte te 70 vjeçët në atë kohë. Nuk fola. Në ndarje e përqafova dhe i premtova se do gjeja kohë të shkoja me shpesh.
Po ja që nuk kam vajtur. Koha me pakicë dhe dy blloqe në këmbë në dimër me atë erën që të than ose në verë në atë zagushinë që të merr frymën kanë bërë punën e tyre.
Pastaj ja ku janë telefonat. Për këtë punë janë shpikur.
Fillimisht i telefonoja rregullisht. Unë, sepse ajo nuk është nga ata njerëzit që i bien shpesh telefonit ngaqë nuk donte të më shqetësonte. E di që ke shumë on your plate thoshte.
Më pas më rrallë. Deri një ditë nga nga fillimi i këtij viti kur humba celin e bashkë me të edhe numrin e saj.
Duhet ta kem te shkruar diku po nuk jam bërë mbarë ta kërkoj. Sa kohë u bënë që nuk kemi folur? Disa muaj? Në fakt, tani që e mendoj herën e fundit që folëm qe Krishtlindja e kaluar. E mora për ta uruar e për t’i thënë se nuk shkoja dot pasi do shkonim me pushime atë javë.
Treni po afrohet në Davisville. Dua të ndaloj sigurisht që dua. Po pastaj më del para sysh një listë e gjatë punësh që më presin. Numri im i telefonit duhet të jetë me siguri te blloku I vogël I gjelbër që ajo mbante mbi komodinë pranë telefonit të saj. Po pse atëherë nuk është bërë e gjallë?
Po sikur t’i ketë ndodhur diçka mendoj shkarazi. Mbase do ta kisha marrë vesh. Ose mbase jo. Nuk di kë do lajmëronin. Motrën Mary dhe vëllanë John sigurisht.
Përfytyroj një zë në sportelin e ndërtesës që më njofton se ajo ka vdekur pyetjen time pse askush nuk më njoftoi dhe përgjigjen “Sepse ju zonjë nuk jeni e familjes”
Është fillim dhjetori. Tre javë deri në Krishtlindje. Nëse i ka ndodhur diçka unë nuk mund të bëj asgjë. Nëse jo atëherë nuk bën ndonjë diferencë nëse shkoj sot apo pas tre javësh. Sepse për krishtlindje, nëse nuk shkojmë me pushime, do t’i bëj patjetër një vizitë.
Mbase i bëj një telefon mendoj, sonte të marr vesh si është puna. Numrin duhet ta kem diku. Janë 15 minuta në këmbë dhe bën ftohtë. Nuk dua të më shkojë rruga kot. Dhe nuk dua të kthehem vonë në shtëpi. Im shoq, fëmijët, një varg I gjatë punësh më presin dhe nesër duhet të zgjohem prapë herët të shkoj në punë.
Treni arrin në Davisville. Ndalon. Shikoj nga dritarja po askush nuk duket të ngjitet as të zbresë.
Është një stacion i vogël dhe I parëndësishëm.
(c) 2020, Ajkuna Dakli
** William Wordsworth “Daffodils” shqipërim i autores
|
16,839 | https://peizazhe.com/2014/12/10/kombinati-iv/ | null | 2014-12-10T21:52:04 | KOMBINATI (IV) | E sotmja e së nesërmes
Për çfarë ka nevojë sot Kombinati? Si shumë periferi ka nevojë urgjente të dëgjohet. Në pak vite banorët e tij kanë pësuar ndryshime epokale. Me forcën e tsunamit, të rejat e post-murit kanë fshirë vende identitare, kanë lëngëzuar kufij, kanë tëhuajësuar hapësira.
Humbja e vendeve dhe e funksioneve e ka hedhur lagjen në përhumbje totale, duke e detyruar të strehohet në të kaluarën, pa pasur kurajën ta shikojë horizontin e së ardhmes.
Protagonizmi i Kombinatit, herë i vërtetë dhe herë i supozuar, nganjëherë i perceptuar e nganjëherë i vetëperceptuar, së bashku me krenarinë kryeneçe të lagjes, i kanë lënë vendin parëndësisë dhe padukshmërisë, në një agoni graduale e mizore, që kishte filluar në kohët e totalitarizmit.
Lëvizjet demografie janë baras me ato të pllakave tektonike, nuk dallohen me sy, por kanë pasoja gjigante. Kombinati ka pësuar në njëzetë vitet e fundit migracione të jashtme e të brendshme me rëndësi të madhe. Mijëra kombinatsa kanë shkuar jashtë shtetit, të tjerë janë zhvendosur drejt qendrës së Tiranës. Nga ana tjetër në Kombinat kanë ardhur imigrantët nga krahina të tjera të tjera të Shqipërisë, duke ndryshuar strukturën demografike të lagjes. Duhet thënë se deri më sot Kombinati u ka bërë ballë valëve migratore pa shumë probleme për sa i përket integrimit të të ardhurve të rinj, sipas gjasës falë edhe adn-së kulturore, i përbërë nga diversiteti e alteriteti që nga lindja e tij. Megjithatë problemet nuk mungojnë, disa syresh pa precedentë, sidomos po të krahasohen me periudhën kur zbatohej me grusht të hekurt kontrolli politik e social.
Nga pikëpamja urbanistike, Kombinati i sotëm është më pak periferi se dikur. Distanca e dikurshme me Tiranës, reale ose e perceptuar qoftë, është shkurtuar ndjeshëm, falë edhe automjeteve private. Kundërshtia qëndron në faktin se ndërsa lagjja po bëhet më qytet se më parë, ajo po i nënshtrohet një procesi periferizimi në aspekte të tjera. Ndjenja e banorëve të Kombinatit se po jetojnë në lagje fjetore, në anë të qytetit, është shumë e fortë. Kjo i detyrohet humbjes së autonomisë e të identitetit që lidheshin kryesisht me aspektin industrial, por edhe rritjes së kontakteve me jashtë. Tani topoi identitare gjenden në disa hapësira të qytetit e multi-përkatësia e relativizon identitetin kolektiv.
Çështja e punës nuk është më pak e rëndësishme. Heshtja e fabrikave flet qartë. Rrugët që nuk gumëzhijnë më nga punëtorët thonë shumë më tepër se trishtimi i dukshëm. Puna bën pjesë në personalitetin e individit dhe ka të bëjë me dinjitetin e tyre si njerëz. Punëtorët e Kombinatit, në një farë kuptimi, realizonin veten në punë, nëpërmjet të cilës mbanin jo vetëm familjet, por dhe marrëdhëniet sociale, megjithëse nuk ekzistonte kultura e vërtetë e punës, që t’i çonte drejt ekuilibrit përmasat e ndryshme të njeriut.
Nostalgjia aktuale për punën gjatë periudhës totalitare duhet parë edhe si kalim i munguar nga puna totalizuese dhe alienuese, në punën respektuese të personit e të kërkesave të tij ekonomiko-sociale. Për ta thënë me fjalët e Papës Gjon Pali II “është puna për njeriun e jo njeriu për punën”; për fat të keq në Kombinat puna, dikur e gjithkundgjendshme, sot nuk ekziston më, duke kaluar pra nga një skaj në tjetrin. Mbyllja e fabrikave, si zgjedhje ose detyrim, shkaktoi pashmangshmërisht plagosjen e subjektivitetit, të dinjitetit e të profesionalizmit të shumë personave që aty kanë kaluar jetën. Si pasojë kanë cenuar solidaritetin, lindur e rritur në bankat e shkollës profesionale e në makineritë e tekstilit, pra kanë cenuar idenë e komunitetit e të mirës së përbashkët, ndonëse të shtrembëruara nga propaganda totalitare.
Kombinati duket se gjendet në një limbo identitare. Nga një anë e njeh hapësirën e vet në historinë e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë, nga tjetra nuk arrin ta ndërtojë historinë e vet në realitetin e sotëm. Piedestali i Stalinit, ende bosh pas njëzet vjetësh, përveçse të bën përshtypje si çdo piedestal pa statujë, tregon qartë perëndimin e djeshëm, veçse e nesërmja nuk dallohet ende në horizont. Fakti që Kombinati u ka tërhequr vëmendjen studiuesve, vendas e të huaj, do të thotë shumë për kombinatsit. Nuk janë gjetur ende të gjitha çelësat për ta lexuar realitetin e kësaj lagjeje të njohur tiranase, e nëpërmjet saj të gjithë Shqipërisë. Në rast se projektorët e ndezur mbi lagje, përveç për njohjen e saj, do t’i ndihmojnë banorët për të jetuar më mirë, për të reflektuar për historinë e vet, për të gjetur një horizont të ri, pra për ta rigjetur vetveten, do të jetë suksesi i parë kryesor i atyre që flasin për të.
Sa për kombinatsit, e djeshëm e të sotëm, e për të gjithë ata që jetojnë në periferi, duhet të kujtojmë vetëm fjalët e Jean-Luc Godard, sipas të cilit: “Është ana ajo që e bën faqen e shkruar”.
[fund]
|
8,197 | https://peizazhe.com/2011/09/05/cikat-e-kreshnikeve-ii/ | null | 2011-09-06T03:25:47 | ÇIKAT E KRESHNIKËVE (II) | Ideologjia kombëtariste – dhe këtë e them me hidhërim – ia ka arritur ta shfytyrojë eposin e Mujit dhe të Halilit deri në atë pikë, sa të ndeshësh njerëz si kolegu në diskutimin e mëparshëm në blog, të cilët haptazi refuzojnë ta besojnë se një nga bëmat stereotipike të heronjve kreshnikë të Ciklit është të shtien në dorë një vajzë krajli a kreshniku sllav, për ta marrë nuse.
Martesa, në shumë prej këngëve, është vetëm rezultati final, por fort i dëshiruar, i një aventure ose bëme e cila nis me rrëmbimin e çikës (abduction); çka nënkupton ekzistencën e një pengese çfarëdo e cila e bën të pamundur negocimin paqësor të martesës ose të fejesës; pengesë e cila, në epos, zakonisht ka të bëjë me refuzimin e krajlit ose të kreshnikut baba të çikës. Meqë në kontekste të tilla si ato të Ciklit të Kreshnikëve vasha konsiderohet si zotërim i çmuar, ose plaçkë e lakmuar për t’u pasur, atëherë rrëmbimi është një formë e grabitjes, ose e përvetësimit të pasurisë së tjetrit. Përkundrazi, martesa është edhe një formë marrëveshjeje e cila jo vetëm e rehabiliton aktin e rrëmbimit a posteriori, por edhe lejon themelimin e aleancave horizontale me fisin e vajzës së rrëmbyer. Në këtë funksion të fundit, martesa vjen dhe i ngjan vëllamërisë ose probatinisë, një ritual i lidhjes së miqësisë që bën të mundur anashkalimin e barrierave të gjakut ose fisnore mes dy burrave që duan të besëlidhen mes tyre.
Te Orët e Mujit, Halili e ndesh Janukën e Bardhë rastësisht te kullat e Pajit Harambash; e merr si plaçkë lufte, por megjithatë, në fund të këngës martohet me vajzën (“për tri javë darsma s’ka pra.”) Njëlloj veprojnë kreshnikët edhe me çikat e Behurit – Behurin vetë e vrasin, por çikat i çojnë në Jutbinë dhe martohen me to: “ma t’mirë dazmat qi m’i kanë ba, t’mira nuset qi m’i paskan dalë.” Te Gjogu i Mujit, Muji ia prish dasmën Çoban Raspodinit, që po martohej me Rushën e Krajlit, dhe e rrëmben këtë, së bashku me një vashë tjetër, për ta çuar në Jutbinë së bashku me treqind krushq që i ka zënë rob; bën dasmën, pastaj i shkruan letër Krajlit:
T’falë me shndet ti Krajle Kapidan,
treqind shkje rob t’i kam xanë
e dy nuse t’i kam marrë
[…]
Ka qitë krajli e ka thanë:
Ma t’mirë mikun s’kam ç’e baj.
Te Zuku merr Rushën, Zuku Bajraktar u mburret agëve të Jutbinës se i ka hyrë Rushës së Krajlisë në kullë dhe ka fjetur me të tre netë. Kur këtë nuk ia besojnë, ai preket në sedër dhe zotohet “ndo po e la kryet n’Krajli/ndo po e marr Rushën e Krajlit.” Pas disa peripecish dhe pengesash, shkon Zuku natën në Krajli dhe i troket në Rushës në derë të kullës. Kjo e çon në odën e vet nalt, “ia pjek kafen me sheqer”, por Zuku kafen nuk ia pi, pa ia dhënë kjo besën e zotit. Pastaj Rusha i hipën Zukut në vithe të gjogut dhe të dy kthehen në Jutbinë.
Te Basho Jona, Mujit i duhet të luftojë me Radin, një freelancer që ia ka marrë gjënë dhe mallin plakut Basho Jona dhe që vetë Mujit ia ka vrarë “shtatë Omera”. Niset Muji të vrasë Radin, por ky i thotë:
Ndore tande, Gjeto Basho Muji!
Me ma falë ket ditë të sodit,
se shtatë Omera vetë t’i kam pre
veç t’i kam pre me grosh t’Krajlisë
e nji besë tu zoti ta kam dhanë
qi n’Jutbinë nuk po t’la me shkue,
për pa i marrë gjaqet, Muj, e me i teprue.
Për t’ia larë Mujit borxhin e gjakut, Radi shkon në Krajli dhe rrëmben Gjelinën e bardhë, të cilën e ndesh n’oborr të sarajit të Krajlit dhe vendos që t’ia çojë Halilit si tribut. Në përfundim të këngës, Muji dhe Radi bëhen vëllamë dhe “t’mira darsmat u kanë dalë.”
Te Muji e Jevrenija, kjo ua thotë hapur shoqeve se ka rënë në dashuri me Halilin dhe Krajli, kur e merr vesh këtë, vendos t’ua japë “gumanave”; vasha i lajmëron agët e Jutbinës me letër dhe këta mësyjnë kullën e Krajlit, për ta shpëtuar Jevreninë nga martesa te “gumanat e zez.” Agallarët maskohen si gumana dhe arrijnë ta marrin vashën prej Krajlit; kur ky e kupton se e kanë mashtruar, u thotë:
Udha e mbarë, krajli u ka thanë,
miq për zemër sot ju paça xanë!
Por me gojë, se hallall s’jau ka ba.
Në përgjithësi, eposi i Veriut lë të kuptohet, edhe pa e thënë haptazi, se familjet e krajlëve, nga ku rrëmbeheshin vashat, kishin status social më të lartë se agallarët e Jutbinës dhe nguronin për të vendosur lidhje familjare me ta, ndoshta edhe për shkak të dasisë fetare; edhe pse, për mendimin tim, dallimi qytet i Krajlisë/ malësi e Jutbinës vepron më fort në këto kontekste.
Martesa me rrëmbim ose vjedhja e nuses (bride theft) ka qenë e zakonshme ndër fiset sllave; për rusët, ajo dokumentohet që në shekullin XI; ndërsa në Serbi, Mal të Zi, Kroaci dhe veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, ku njihet me emrin otmiča, praktikohet rëndom sot e kësaj dite, edhe pse shpesh në forma të ritualizuara; sikurse ndodh edhe ndër shqiptarët, edhe pse jo në ato përmasa.
Megjithatë, jo gjithnjë ndodh që martesa në Epos të paraprihet prej rrëmbimit. Një nga këngët më të njohura të Ciklit shqip, Omeri prej Mujit, rrëfen historinë e të birit të Mujit, Omerit, i cili kish lindur e ish rritur pa baba, meqë Muji dhe Halili, që të dy, ishin të burgosur në Krajli.
Kur e merr vesh Omeri këtë, vendos të kuturiset në Krajli, për të shpëtuar të jatin dhe “migjën”; shkon atje, ulet te një krua dhe i bie sharkisë, derisa e dëgjon Rusha e Krajlit; të dy hyjnë në bisedë, dhe Omeri më në fund ia rrëfen Rushës hallin e vet (motiv i përsëritur në Cikël) dhe i kërkon këshillë, si t’i shpëtojë Kreshnikët.
Rusha e mëson si të veprojë: Krajli paska dy binjakë të vegjël, të cilët Omeri duhet t’i rrëmbejë dhe t’i çojë në Jutbinë dhe pastaj t’i kërkojë Krajlit “shkëmbimin” e pengjeve.
Krajli zihet ngushtë, nuk ka ç’të bëjë tjetër, veçse t’i lirojë Mujin dhe Halilin nga burgu. Kur marrin vesh këta si qenka puna, i kërkojnë Krajlit edhe gjëra të tjera, si dy atkina të mbështjella me cohë të kuqe, që t’u hipin këta kur të dalin prej burgut, tri mushka “plot me pare prej florinit!” dhe më në fund, Muji i thotë:
Për t’gjall s’dal, mbret, i ka thanë
Rushën djalit pa m’ia dhanë
Pa ma falë sofrën prej dukatit!
Ç’ka qitë krajli e ka folë?
Të dy sot m’u miqësue,
Rusha djalit i kjoftë për grue!
Vasha, në këtë rast, shkëmbehet si pjesë e një negociate të ndërlikuar, e cila ka për qëllim jo vetëm lirimin e Mujit dhe të Halilit prej burgut, por edhe krijimin e një aleance të lakmuar me Krajlin.
Natyrisht, të gjitha këto martesa mes agallarëve të Jutbinës dhe vajzave shkina nuk mund dhe nuk duhen analizuar si të dhëna sociologjike të drejtpërdrejta. Ne madje nuk dimë as edhe nëse ka pasur vërtet martesa të tilla mes arbërve dhe sllavëve në zonën e Bosnjes, apo mos ato duan marrë thjesht si element i eposit boshnjak që ka depërtuar edhe në eposin shqiptar duke mbetur i kufizuar, si të thuash, në universin narrativ, pa iu referuar ndonjë dukurie të spikatur në realitet.
Mirëpo vetë fakti që martesa me rrëmbim mes një heroi të ciklit – zakonisht Halilit ose Zukut Bajraktar – dhe një vashe sllave nga derë fisnike është një trop, ose klishe narrative në Ciklin shqip kërkon interpretim; sepse kjo martesë ndodh, si rregull, në fund të këngës, duke shërbyer si mbyllje e rrëfimit ose zgjidhje e konfliktit. Edhe sikur të mos thotë shumë për realitetin e marrëdhënieve midis sllavëve dhe shqiptarëve (alternativisht turqve dhe kaurëve, ose myslimanëve dhe të krishterëve), ajo shërben si dëshmi e qartë, madje elokuente, e pozicionimit etik të eposit, ose etosit të këtyre këngëve.
[Ka shumë të ngjarë që Ballkani i atyre kohëve të ketë qenë, përkundrazi, teatër i mizorive të pashembullta, prej formacioneve ushtarake dhe paraushtarake të të gjithë ngjyrave, ndaj popullsive të pambrojtura të brendësisë; përfshi këtu edhe kapjen e skllevërve, të cilët pastaj shiteshin, me përfitime të mëdha ekonomike, në portet e Dalmacisë (Zarë, Split, Raguzë), të kontrolluara fillimisht prej Bizantit dhe më pas prej Venedikut. Kapja e robërve ose e plaçkës njerëzore gjatë inkursioneve të agëve në bjeshkë ose në Krajli përmendet ndonjëherë në Ciklin sllav, por zakonisht nuk zihet shumë në gojë në atë shqiptar; madje edhe kur zihet, kjo bëhet në mënyrë eufemistike. Për shembull, te Zuku Bajraktar: Ishte çue djali n’sabah,/ […] don me dalë n’bjeshkë për me gjue./ Sa shumë bjeshkën djali e ka shetitë,/ as s’ka gjetë gje me gjue, /as s’ka gjetë ndoi shkja me e pre.” I del përpara Ora e malit dhe ia tregon se ku janë shkjetë; Zuku shkon aty dhe vret njërin prej tyre, Smilaliq Alinë, ndërsa tjetrin, Baloz Sedelinë e xen rob dhe e ndryn në kullën e vet: por nuk kuptohet pse.]
Gjithsesi, martesa me një vashë të Tjetrit, ose të “rrëmbyer” nga ana përtej kufirit, ose nga bota andej, është një gjest që bie ndesh, në thelb, me vetë natyrën e eposit si këngë kufitare (akritike ose liminale), të cilat i referohen botës delikate në kufi të dy pllakave gjeopolitike, fetare ose etnike. Duke vendosur lidhje midis dy botëve që i kundërvihen njëra-tjetrës dhe që e realizojnë këtë kundërvënie pikërisht në hapësirën e kufirit mes tyre, martesa është një mënyrë e tërthortë për ta mohuar kufirin, për ta anuluar, për të ndërtuar përmes tij një urë aleancash dhe miqësish, ose për të vendosur paqen mes palëve që janë në luftë mes tyre dhe që përftohen si të tilla pikërisht nëpërmjet konfliktit.
Për këtë arsye, mendoj unë, martesa me vashat shkina merr në Cikël një vend ndoshta më prominent se ç’ka pasur në realitet, madje edhe në realitetin e familjeve bujare, si ato të krajlit, të kapedanëve dhe të agallarëve, të kreshnikëve dhe të mercenarëve që sundonin hapësirën e ndërbotshme të kufirit; sepse realiteti social ku qarkullonte kënga, ose publiku i eposit, e kërkonte, si të thuash, një happy ending, ose një zgjidhje të konfliktit nëpërmjet vendosjes së paqes ose të miqësisë.
Analizat me frymë kombëtariste dhe etnocentrike që u kanë bërë këngëve të Ciklit autorë të ndryshëm tani vonë e kanë shtrembëruar këtë thelb, këtë etos, këtë frymë të eposit; duke e përçudnuar atë dhe duke e parë vetëm si dëshmi, si kronikë, ose si elaborim fantazmagorik të konfliktit primordial mes shqiptarëve dhe sllavëve; shumë më të ashpër jo vetëm se ç’paraqitet në narrativat e Ciklit vetë, por edhe se ç’ka qenë, para se të zinte rrënjë nacionalizmi në Ballkan, sidomos ndër sllavët. Edhe në qoftë se eposi shqiptar i Veriut u referohet konflikteve kufitare mes arbërve dhe sllavëve në mesjetën e hershme, ai e bën këtë jo në mënyrë fataliste dhe të pashpresë, por gjithnjë me shpresën uruese të llojit make love not war që, nëse nuk do të arrihej dot kurrë në realitet, së paku do të përmbushej në këngët.
|
45,279 | https://peizazhe.com/2023/11/12/para-se-ardhmes/ | null | 2023-11-12T13:36:22 | PARA SË ARDHMES | nga Endri Dani
Ekspozita “Para së ardhmes”, çelur në kuadër të “Tirana Design Week 2023”, organizuar nga Universiteti Polis, nën titullin “Design for the New World(s)” mori formë mbas një faze kërkimore mbi prodhimtarinë vernakulare në kontekstin shqiptar. Ekipi kuratorial i “TDW 2023” u përpoq të ekzaminojë disa krahina të Shqipërisë duke u përpjekur të “shpluhurojë” objekte të prodhuara kryesisht përpara boom-it industrial, ose ato të cilat janë prodhuar në formë autonome (në kontekste gjeografike të izoluara) paralelisht me zhvillimin e industrisë (prodhimit serial), duke zhvilluar proceset e objektifikimit në punishte me fizionomi të botës antike.
Me ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste, drejtuar nga Enver Hoxha, industrializimi dhe modernizimi i vendit u bënë prioritet politik i shtetit nën aspiratën ideologjike për ta modernizuar dhe ndryshuar shoqërinë. Nisur nga kushti specifik i shoqërisë shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e madhe e popullsisë jetonte në fshat me një marrëdhënie të një valence të lartë emocionale me pronën dhe mjetet e prodhimit. Ky dimension sentimental/etnografik do të sfidohej nga pushteti diktatorial për interes të një dialektike të re, asaj të kulturës së konsumit. Betejat rraskapitëse shekullore për demokraci duket se në shekullin e 20-të iu nënshtruan radikalitetit të proceseve proletarizuese të fshatarësisë në favor të administrimit dhe sundimit total të shoqërisë nga shteti shqiptar i konsideruar si diktatura komuniste më e egër në Europë. Ky proces tjetërsues, huazuar dhe frymëzuar nga perspektiva staliniste për zhvillimin e shoqërisë, u ndërmor për të neutralizuar pluralitetin e ideve, të pikëpamjeve dhe moraliteteve të sferës publike. Në një kontribut të rëndësishëm teorik nga Robert Castel në librin e tij “From manual workers to wage laborers: transformation of the social question” gjejmë të nënvizuar:
Të jesh apo të biesh në nivelin e punës me pagesë, do të thotë ta vendosësh veten në një kusht vartësie, të dënohesh të jetosh ditë pas dite, ta gjesh veten subjekt nënshtrimi të perandorisë së nevojës1 .
Disfata e autonomisë së “njeriut të ri” të shekullit të 20-të në Shqipëri, shkaktuar nga dy pilarët e modernitetit: shtetit dhe racionalitetit shkencor, artikulohet në Kushtetutën e vitit 1976, sidomos në nenin 25 ku shkruhej se:
Shteti organizon, drejton e zhvillon të gjithë jetën ekonomike e shoqërore në plan unik e të përgjithshëm, me qëllim që të plotësohen nevojat materiale e kulturore gjithnjë në rritje të shoqërisë; të forcohet pavarësia dhe mbrojtja e vendit, duke rritur e përsosur pareshtur prodhimin socialist mbi bazën e teknikës së përparuar2.
Kjo retorikë (fataliste) burokratike mbi lirinë dhe dëshirat njerëzore iu injektua mendësisë gjenuine rurale nga mendësia dinake e bllokut të udhëheqësve, si retorikë humaniste ndërmjet diskurseve vullnetare kamufluar nën sloganin “Aty ku ka nevojë atdheu”.
Strukturat analitike, psikologjike dhe libidinale të politikave revolucionare të shekullit të 20-të i ishin përkushtuar, me potencial të pakursyer, formës së përkohshme të së ardhmes – madje ky obsesion mbi “çelësin” e së ardhmes i dha edhe emrin lëvizjes së avangardës: futurizëm. Manifesti Futurist i vitit 1909 ishte një akt besimi tek e ardhmja, ku u skalit në nivel kulturor dhe ideologjik historia e shekullit të 20-të, e shekullit që i besoi së ardhmes. E ardhmja nuk është një dimension natyror i mendjes, përkundrazi, është një modalitet i perceptimit dhe imagjinatës. Modalitetet dhe tiparet e saj ndryshojnë përmes metamorfozave kulturore.
Elitat e shoqërive – kryesisht perëndimore – deklaruan se shkëlqimi i botës është pasuruar nga një bukuri e re: bukuria e shpejtësisë. Shoqëria globale zhvilloi struktura të ashpra konkurrence dhe nxiti narcizizmin në sistemet nervore të njeriut të ri. Progresi industrial gjeneroi një rend të ri shoqëror me dinamika të reja dominimesh. Inferioritete të akumuluara gjatë sistemeve shoqërore paraindustriale bënë që në nivel psiko-social klasat sunduese të shekullit të 20-të të impostohen me qasje autoritare dhe përbuzëse kundrejt komuniteteve nën proletariat, duke i shtypur, dënuar, persekutuar apo thjeshtë duke i detyruar t’u nënshtrohen formave të reja agresive të shfrytëzimit, sjellje këto të fshehura nën slogane ideologjike që propagandonin mundësi të barabarta nëpërmjet teorive të Marksit, ku në vetvete, mendimi marksist ishte një kritikë e çdo filozofie, e çdo shteti, një teori e tejkalimit të çdo filozofie, dhe si e tillë, e zhbërjes së shtetit. Siç pohon dhe Franco “Bifo” Beradi në librin e tij “After the future”, viti 1977 ishte një kthesë e madhe për mendësinë globale, një çast deluziv për shekullin që i besoi së ardhmes. Megjithatë, gjenealogjia moderne vazhdon të investojë kapitalin e vet në utopi të reja, të cilat e premtojnë përsëri të ardhmen. Psikosfera e qenies njerëzore po i nënshtrohet semiokapitalizmit, këtë herë me ritme të reja – ritmet e shpejtësisë digjitale. Ideologjia liberale që gjeneroi kiberkulturën e viteve ‘90 e transformoi tregun e punës në një mjedis racional, pothuajse matematikor. “Semiokapitalizmi” përthith produktivitetin e mendjes njerëzore në jomaterialitet dhe kjo konsiderohet parametër bashkëkohor. Depresioni, paniku, pakënaqësia, ankthi, frika, terrori – këto janë kushtet emocionale të punës në botën e sotme të bazuar në dogmat e konkurrencës dhe shterimit të energjisë sentimentale të trupave biologjikë.
Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.
Përmes mbledhjes dhe ekspozimit të këtyre objekteve utilitare të jetës së përditshme, pretendimi është të celebrohet përulja si gjendje biologjike në këtë mjedis hiperambicioz të shekullit të 21-të. Të gjitha këto objekte fshehin, në rëndesën e tyre fizike, procese meditative, brishtësinë e fantazisë njerëzore dhe papërsosmëri. Përzgjedhja e objekteve që përbëjnë ekspozitën “Para së ardhmes” ka kaluar një filtër të panegociueshëm për sa i përket sfondit historik të secilit prej tyre, të vendosur në raport me përpjekjet rraskapitëse për autonomi nga sistemet politike. Ambientimi i këtyre objekteve në kontekstin e një galerie arti akumulon kontradikta historike dhe gjeneron tensione specifike. Nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, “artisti” triumfoi mbi “artizanin”, duke u konsideruar si kategori prestigji nga normat mbizotëruese të sistemit modern të arteve (të bukura). Kategoria që nuk plotësonte normat e sistemit euroamerikan të arteve (të bukura) u reduktua në emërtimin “art primitiv”. Objektet që përbëjnë ekspozitën “Para së ardhmes” datojnë nga vitet ‘20 deri në vitet ‘90. Galeria Kombëtare e Arteve u themelua në vitin 1954 dhe u transferua në bulevardin “Dëshmorët e kombit” në vitin 1974. Për klasën sunduese të kohës, ku pozitat e saj të pushtetshme ishin formuar dy dekada më parë (nëpërmjet proletarizimit të fshatarësisë dhe klasëformimit), ky institucion u kthye në një arenë eprorësh që legjitimonin modelin e artistit shërbëtor ndaj kodeve të korruptimit të opinionit publik dhe ku efektiviteti e këtij institucioni margjinalizonte metodat paralele krijuese, duke i kategorizuar ato si zhanër minor (zeje). Shoqëria rurale tanimë i ishte skllavëruar plotësisht elitës politike komuniste, duke u kthyer në rrogëtare dhe taksapaguese sistematike. Nëpërmjet këtyre burimeve financiare dhe lëmoshave të “perandorive” aleate, në kryeqytetin shqiptar po themeloheshin institucione publike, të cilat ishin thellësisht aparate përjashtimi për shoqërinë dhe në shërbim të pangopshmërisë së egos së nomenklaturës komuniste, për të zbutur, me agresivitet, ndjesitë inferiore të të qenët periferi e sistemeve mitike kulturore perëndimore me porta të hekurta gjeopolitike. Meqenëse kjo ekspozitë artikulohet nëpërmjet prodhimtarisë vernakulare, le të përdorim një shprehje popullore shqiptare, që thotë: “Kur s’ke ç’i bën gomarit, i bie samarit”. Elita politike e kohës nuk u mjaftua me reduktimin e mprehtë të lirisë dhe autonomisë së klasës punëtore, të popullsisë fshatare së cilës po i “gllabëronte” qindarkat e djersitura për të mbushur thesarin “e pamoraltë” të shtetit, por shfrytëzimin ndaj tyre po e thellonte duke i përjetësuar si subjekte veprash monumentale nën kontrollin sqimatar të kulturës zyrtare. Një monumentalitet tërësisht i korruptuar në mossinkronizimin me kushtet reale jetike në dobi të impaktit psikologjik të gënjeshtërt mbi progresin dhe “lulëzimin” e vendit. Këto ishin vitet e akulturimit të shoqërisë shqiptare, duke e kategorizuar me statusin “amator” dijebërjen dhe utilitetin në favor të lartësimit të kritereve me karakter racionalist, estetizues, akademik. Aktorët e kulturës zyrtare gjatë sistemit totalitar në Shqipëri poseduan infrastrukturën institucionale për interesat e tyre të ngushta. Faktet që dëshmojnë karakterin koniunktural të institucioneve të botës së shekullit të 20-të janë pikërisht artistët shqiptarë që patën akses në institucionet dhe hollet prestigjioze të botës perëndimore (dhe jo vetëm). Artistët shqiptarë të legjitimuar në të ashtuquajturën kulturë elitare perëndimore janë zgjatime gjenealogjike të kulturës sunduese gjatë dhe pas sistemit komunist në Shqipëri, ku mendësia obsesive për kapitalizimin e jetës kulturore publike duket si trashëgimi gjenetike ndër gjenerata. Pinjollëve të “skenaristëve” të infrastrukturës institucionale gjatë diktaturës shqiptare u janë krijuar komoditetet e nevojshme për të skalitur një emër publik ndërkombëtar dhe nga infrastruktura lokale zyrtare kulturore konsiderohen “autoritete” dhe më së shumti, në mënyrë informale, udhëheqin vendimet institucionale të Shqipërisë së sotme. Rezultatet notojnë në një sipërfaqe eksplicite: dekadën e fundit në Shqipëri falimentuan organizata kushtuar artit pamor; Ministria e Kulturës shpërndan thërrmija financiare çdo fillim viti për organizatat që nuk qëndrojnë dot në këmbë pa paterica; u mbyllen çmime për artin pamor; mbështetje financiare nepotike; mbarëvajtje e një hapësirë ekspozuese në hollin e kryeministrisë; “lulëzim” organizatash të themeluara nga familjarë të pushtetit lokal; nepotizëm tenderizimesh për restaurime institucionesh kulturore etj. Dekadën e fundit kultura e absurdit dominoi agresivisht mbi kulturën e solidaritetit. Spekulimet publike mbi decentralizimin strukturor iu besuan një mendësie me tipare fashiste. Në vend të një riformatimi të sistemit të shtëpive të pionerit gjatë sistemit totalitar, paratë publike centralizuan politikat decentralizuese në sisteme të ngushta familjare me sita diskriminimi në duar duke injoruar të drejtat themelore të njeriut. Manifestimi i këtyre instikteve dominuese nxjerr në sipërfaqe spekulimet dhe oportunizmin e artit të shekullit të 20-të duke krijuar narrativa të rreme praktikash artistike për t’i rrëmbyer ndjenjat e keqardhjes sistemeve kulturore hermetike perëndimore nëpërmjet dramës së emigracionit (‘poveri noi albanesi’), apo nëpërmjet subjekteve ku uria është e ndërvarur nga një matrapik i ngulur në barin e një sheshi të qytetit të Shkodrës apo Tiranës.
Psikosfera totalitare sunduese e formuar gjatë shekullit të 20-të duket e hekurt dhe na imponon t’i nënshtrohemi faktit që potencialiteti i një gjenerate më të re nuk mund të takohet me gjenerozitetin ndaj shoqërisë, por ky potencialitet duhet t’i skllavërohet anomalive të një vendi pa vullnet politik që t’i japë fund tranzicionit rraskapitës të një shoqërie që periodikisht eksporton emigrantë. Mononarrativa ishte “religjion” për nomenklaturën komuniste shqiptare. Për ato individualitete që kishin kurajën ta shpërbënin sadopak narrativën zyrtare, klasa politike nuk i kursente mjetet, si: eliminime fizike, burgosje, tortura, internime, censurë, dëbime në kampet e punës së detyruar etj. Për gjeneratën time, shekulli i 21-të filloi me një utopi e cila, fatmirësisht, u shkërmoq shpejt – besimi për krijimin e një skene artistike të pavarur në Shqipërinë hermetike, ku pushteti vendor mbikëqyr çdo segment të vendit nëpërmjet patronazhistëve. Në një shoqëri të vogël si e jona është shumë e thjeshtë të diagnostikohet dhe të kuptohet se në fantazinë e kujt individi centralizohet fati i infrastrukturave institucionale. Verbalizimit (me zë të dridhur) të kërkesës: “Mos e shpërdoroni energjinë tonë rinore”, në një bar-kafe të Berlinit apo Milanos, ku punon dhe jeton diaspora kulturore shqiptare e trajtuar si autoritet nga aparatet vendore institucionale, në përgjigje zëri u tradhtua nga zëri i brendshëm që u artikulua përmes ngrysjes së vetullave. Nënkuptim i qartë që jeta publike nuk do të krijojë vakume tolerance nga xhandarët e saj.
Nëpërmjet përfaqësimit të objekteve që përbëjnë ekspozitën “Para së ardhmes”, duke huazuar terma nga zhargoni i kulturës kapitaliste, pretendohet të gjenerohet një ofertë me horizonte mundësish në gjallërimin e mendësive që mund të “gdhendin” historinë e shekullit të 21-të, duke qenë se kjo ekspozitë ishte pjesë e nënkategorisë “Design Thoughts” të TDW 2023. Thënë ndryshe, zhvendosjen e vëmendjes kolektive nga Historia tek Historitë. Histori të treguara nga periferia dhe jo nga qendra, histori të jetës së njeriut të thjeshtë dhe jo të burokratëve, diplomatëve, gazetarëve të skllavëruar, drejtorëve buratin, akademikëve spekulues, samiteve apo mbledhjeve të jashtëzakonshme të byrosë politike. Objektet e mbledhura nga ekipi kuratorial i “Tirana Design Week 2023” datojnë nga vitet 20-të. Një dekadë më vonë u ndërtua, me karakterin e vet imponues, bulevardi i Tiranës, nëpërmjet të cilit kultura sunduese mori trajta specifike fizike. Godinat institucionale që formëzuan këtë bulevard mund t’i konsiderojmë si artefakte, ku ajri i paqarkulluar i tyre i brendshëm mbart në kujtesën e tij labirinte miqësish, armiqësish, komplotesh, konformimesh, spiunimesh, përndjekjesh, negociatash, servilizmash, kapërdimje idealesh, me të cilat shtresa e mesme e popullsisë duhej të përballej për të merituar një status shoqëror apo të historicizonte emrin e vet nëpërmjet veprave publike.
“Para së ardhmes” pajis me gravitet të lartë vëmendjeje mjete artizanale pune të cilat kanë objektifikuar, diku në një zonë të izoluar të vendit, një gardh, një kasolle për pula, një kolibe për një qen, një kanal ujitës për prodhime bujqësore, një mullar sane apo një karrocë kali për të transportuar prodhime të freskëta ushqimore në qytet. Brishtësia e ndërvarësisë mes njeriut dhe natyrës (me të gjitha format e saj) u sfidua nga moderniteti, por e shohim të artikulohet progresivisht në shekullin tonë si “dinjiteti klimaterik”. Mbi të gjitha, këto objekte trashëgojnë me modesti liri politike dhe rezistencë (të pandërgjegjshme ose jo) në moskompromentimin e autenticitetit e jetës.
© 2023 Endri Dani. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
1. Castel, R. 2003. From manual workers to wage laborers: transformation of the social question. Trans. Eduard Boyd. Transaction Publishers: New Brunswick & London, f.xiii.
2. Marrë nga Përmbledhës i përgjithshëm i legjislacionit në fuqi të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë 1945-1985, Vëllimi I, Botimi i Byrosë Juridike në aparatin e Këshillit të Ministrave, Tiranë, 1986.
|
28,507 | https://peizazhe.com/2018/04/09/lobbying-for-ruzhdie/ | null | 2018-04-09T12:43:06 | LOBBYING FOR RUZHDIE | nga Arjan Shahini
Ruzhdia, një fshat me disa qindra banorë në Fier, ka hyrë në historinë e zgjedhjeve elektorale në Shqipëri si epitomi i manipulimit të zgjedhjeve. Është pikërisht Ruzhdia, e çfarë simbolizon ajo e të tjera zona të kontestuara, që i detyron partitë tona politike të krijojnë aleanca jashtë vendit. Jo me shtetin e tyre, as me qytetarët, por me lobiistët që u sigurojnë legjitimitet në Washington, perandorinë e largët.
Investigimet e BIRN dhe të Mother Jones, mbi pagesat e padeklaruara të Partisë Demokratike ndaj disa lobiistëve në Washington, nxorrën në pah një dukuri interesante për mënyrën sesi organizohen fushatat elektorale në Shqipëri. Kur elektorati voton, perandoria miraton.
Tanimë nuk kemi vetëm një amerikanizim të fushatave elektorale në instrumente dhe politika, por edhe ndërhyrje direkte në zgjedhje (ndërkohë që i fryhet brirëve të kozakut). Kjo sikur të mos mjaftonin ndërhyrjet e ambasadës së SHBA-së dhe besimin e madh që ka publiku në epërsinë dhe vullnetin amerikan (Policin e Botës!) për të ndrequr problemet tona.
Jo vetëm partitë politike, që synojnë të ndikojnë publikun nëpërmjet idesë së “mbështetjes amerikane”, por edhe korporata shqiptare kërkojnë vëmendjen e Washingtonit (shih rasti i Top Channel). Edhe pse numri i lobiistëve të regjistruar në SHBA është në ulje (shih grafikun), përpjekjet e partive politike në Shqipëri janë në rritje për t’iu afruar veshit të presidentit apo kongresmenëve amerikanë.
Partitë politike, sidomos Partia Demokratike, ka rritur numrin e organizatave të pajtuara si lobiiste në Washington. Ndërkohë që numri i pajtimeve të organizatave lobiiste nga qeveria shqiptare ka rënë. Nga baza e të dhënave të OpenSecret.org rezulton se Partia Demokratike i ka frekuentuar më shpesh këto.
Këto shpenzime me konsulencat ndërkombëtare, disa herë kompani lobiimi, nuk figurojnë gjithmonë në bilancet e tre partive të mëdha. P.sh. në vitin 2017 LSI nuk ka deklaruar shpenzime konsulence, por ndërkohë ka pajtuar lobiist amerikanë. Ndërsa PS ka deklaruar më shumë shpenzime se të ardhura.
Pajtimi për lobiim i partive është tendencë në thuajse të gjitha vendet e rajonit, por kjo bie në sy sidomos për Kosovën dhe Shqipërinë. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit Shqipëria pajton relativisht shumë lobiistë.
Nga rrjeti mund të vërehet edhe se partitë politike janë tashmë të integruara në rrjetin e madh të organizatave lobiiste që pajtohen nga konkurrentë apo bashkëpunëtorë në vendet e rajonit (sidomos Kosovë, Serbi dhe Maqedoni).
Sikur vërehet në grafikun SNA (Social Network Analysis), niveli i lidhjeve ndërmjet njësive është shumë i vogël. Kjo tregon se klientët preferojnë të mbajnë lidhje të veçanta me firma të lobbiimit, dhe se e kërkojnë qasjen në Washington nga shumë porta. Qeveria e Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi e Greqisë, sikur edhe Partia Demokratike dhe kompania e lobiimit Patton Bogs kanë një numër të madh lidhjesh, çfarë tregon intensitetin e angazhimit të tyre në këtë veprimtari.
Me ndryshimin e qeverisjes në SHBA ndër firmat më të mëdha nga ato të pajtuara në Shqipëri janë S. Patton Boggs, Podesta Group dhe së fundmi edhe Ballard Partners, e cila ka marrë ndikim gjatë mandatit të D. Trump. Por partitë politike kanë zgjedhur bashkëpunim edhe me firma që nuk kanë shumë klientë të huaj.
Nga të dhënat duket se arsyeja kryesore për angazhimin e lobiistëve është ndikimi i zgjedhësve. Në një farë mënyrë kemi përzierjen e perandorisë në çështjet e periferisë. Këto ndërhyrje, për shkak edhe të tej-zgjatjes (imperial overreach) së perandorisë amerikane, mbërrijnë në natyra të përçudnuara në Shqipëri. P.sh. në formën e fotografive të blera, kohës së bisedave kalimthi nëpër konferenca, apo në formën e mbështetjes së senatorëve apo kongresmenëve amerikanë që ndodhen si mbledhës donacionesh apo turist në rajon. Përpjekjet e lobiistëve amerikanë nuk janë për Washingtonin, por për elektoratin shqiptar.
Këto para nuk hidhen për demokracinë shqiptare, por për të administruar frikën që partitë politike kanë një njëra-tjetra. Qytetarët duhet të ngrihen e të kërkojnë rregullimin e sistemit të financimit të partive politike e të ndalojnë lobiimin jashtë vendit, pasi është vota jona që këmbehet me garancitë e radhës nga jashtë.
(c) 2018, autori.
Të dhënat janë marrë nga Foreing Lobby Watch, OpenSecrets.org: https://www.opensecrets.org/fara.
Të dhënat i gjeni gjithashtu në Google Sheet këtu: Google Doc
|
36,026 | https://peizazhe.com/2020/08/06/visare-te-bibliotekes-kombetare-iii/ | null | 2020-08-06T14:51:51 | VISARE TE BIBLIOTEKËS KOMBËTARE (III) | nga Agron Alibali
“Lidhja” e veçantë midis BKSH-së dhe GoogleBooks
Për hulumtuesit e shumë fushave, interneti dhe sidomos shërbimet GoogleBooks dhe HathiTrust kanë siguruar një mjet të papritur dhe të hatashëm në kërkimin shkencor.
I nisur pa shumë bujë në fillim të Mijëveçarit, projekti GoogleBooks kishte një synim të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë praktik: sjelljen në domenin publik të të gjithë librave të vlefshme, të cilave u kishte skaduar e drejta e autorit. Në varësi të jurisdiksionit përkatës, librat e botuar para një date kufi prej 75 vjetësh do të skanoheshin, dhe varianti i digjituar do të përcillej në platformën GoogleBooks.
Kurse HathiTrust filloi në 2008 si bashkëpunim midis universiteteve të Kalifornisë për ruajtjen dhe shfrytëzimin digjital nga tre platforma: Google, Internet Archives dhe Microsoft, dhe më vonë në të u përfshinë biblioteka dhe universitete nga e gjithë bota.[1]
Përfytyroni, pra, libra të rralla, të ruajtura në bibliotekat kryesore të botës. Tashmë ato do të ishin të përdorshme për këdo që kishte qasje në internet, kudo ku mund të ndodhej personi i interesuar. Vërejmë se në projektin GoogleBooks kanë marrë pjesë duke ofruar koleksionet e tyre bibliotekat më të njohura private në SHBA dhe Evropë, përfshirë ato të universiteteve të Harvardit, Oksfordit, Stamford, etj.
Një mesazh i papritur nga Atë Liolin
Para ca vitesh, një mëngjes më vjen një mesazh i veçantë nga Atë Artur Liolin. I dërguar një numri anëtarësh të Kishës së Fan Nolit si dhe të komunitetit, mesazhi përcillte këtë njoftim: Familja e të ndjerit Vasil [Bill] G. do të shiste shtëpinë. Prandaj ofronin orendi dhe objekte të tjera falas. Menjëherë komunikoj me trashëgimtarët duke bërë pyetjen e drejtpërdrejtë: ”A keni libra?” U ftova të shkoj të shtunën i pajisur me një numër kutish. Kërkesa e vetme që m’u bë ishte: “Duhet t’i tërheqësh të gjitha…!”.
E çfarë nuk kishte biblioteka e aktivistit të ndjerë me prejardhje nga Zagoria. Pa humbur kohë i hyra punës bashkë me një mbeskën time. M’u desh të bëja dy rrugë me makinë. Tek mbushja kutitë vëreja me shpejtësi edhe kategoritë e librave që do të kisha fatin t’i merrja në dorëzim. Shumica ishin në shqip dhe disa në gjuhë të huaja, me temë kryesisht për Shqipërinë. Kishte botime të rralla para Pavarësisë, të shtypura në Sofie, Bukuresht, Egjipt, dhe më vonë botime të Vatrës në Boston, përfshirë shqipërimet e famshme të Nolit, Kalendarin e Vatrës të Motit 1918, botime të shtëpive botuese Luarasi e Kotti në Korçë, etj. Kishte edhe mjaft numra të rrallë të Diellit, sidomos që lidheshin me vdekjen dhe varrimin e Konicës, si dhe nga gazeta Liria.
Ndër botimet e rralla ishte edhe Fjalori i Marko Boçarit, i përcjellë nga Lumo Skëndo, si dhe vëllimi simpatik “Albanians of America”, i autorit Nini Demo, me kopertinë të trashë e të gjelbër dhe me nënshkrimin “C. Demo”, dikur pronë e autorit. Ndërkohë kisha njohur në Tiranë edhe stërmbesën e tij, Ederina Demo, një ndër punonjëset kryesore të BKSH-së.
Shkurt, biblioteka e Vasil. G. ishte një pasuri e paçmuar bibliotekare.
Figurë e shquar e komunitetit dhe themelues i organizatës AANO, i ndjeri kishte ardhur shpesh në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. Për pasojë kishte edhe botime të asaj periudhe, që gradualisht kishin filluar të bëheshin të rralla.
Vasil G. kishte qëlluar edhe muzikant i talentuar. Një broshurë e rrallë, e botuar në Boston nga vetë komuniteti kishte një numër tekstesh të këngëve të njohura popullore, të cilat shqiptarët i këndonin edhe për të ruajtur traditën. Ndër vizitat e shumta në atdhe, i ndjeri kishte lidhur shoqëri me një grup artistësh e këngëtarësh të shquar. Me ndonjë prej tyre, si p.sh. me tenorin Gjoni Athanas, ai e kishte ruajtur miqësinë edhe më vonë, kur ishin ritakuar sëbashkë në Amerikë.
Dhe ja, ndër gjetjet e papritura ishte edhe një kasetë magnetofoni, ku Vasil G. kishte inçizuar këngë të kënduara në Tiranën e viteve 1970 në një darkë sëbashku me artistë të njohur si Avni Mula, Gaqo Çako, Gjoni Athanas, Ibrahim Tukiqi, etj. Mund të përfytyrohet lehtë emocionet e veçanta që pati tenori Gjoni Athanas kur ia dhurova regjistrimin e çmuar.
Kopertina e shqitur e Kalendarit të Vatrës
Në fjalën e tij të famshme me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë në Boston, Fan Noli porositi Qerim Panaritin që të shikohej mundësia e ribotimit të Kalendarit të Vatrës të Motit 1918.
Kopertina e shqitur e Kalendarit. Dizenjoja nga Kolë Kuqali.
Po ç’është ky botim? Ishte befasuese ta kisha atë në dorë, si pjesë e trashëgimisë së Vasil. G.. Tek ia ktheja faqet më dukej sikur po shkelja piketat kryesore të historisë së Shqipërisë qysh nga lindja e gazetës Dielli, themelimi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, programi politik për autonominë e 4 provincave apo vilajeteve shqiptare të Perandorisë Osmane, më tej themelimi dhe zgjerimi i Vatrës, plasja e Luftrave Ballkanike, Shpallja e Pavarësisë, e deri tek Lufta e I Botërore, etj.
Mirëpo Kalendari ishte edhe enciklopedi e mbarë komunitetit shqiptar në SHBA. Me saktësi të rrallë aty jepeshin emrat e kontribuesve financiarë, si dhe foto me anëtarët e të gjitha degëve të Vatrës. Pa fjalë Kalendari ishte një tjetër kryevepër e dalë nga penda e Nolit – që ishte edhe “editori” i tij.
Kalendari i Vatrës ishte i një cilësie shumë të lartë botimi. Letra ishte e trashë, rezistente dhe me shkëlqim (çka ndihmonte në qartësinë e fotove). Mirëpo kopertina, një kompozim shumë domethënës dhe simpatik i Kolë Kuqalit, ishte shqitur dhe e ngrënë në pjesën e poshtme, me sa duket nga përdorimi i dendur.
Një kërkesë e pazakontë për Bibliotekën e Harvardit
Kjo kopertinë imperfekte u bë shkas për një kërkesë të pazakontë për Bibliotekën e Harvardit. Për arsye studimore kisha ndërtuar lidhje shumë të mira me dy biblioteka të famshme të Universitetit. E para ishte Harvard Law School Library, biblioteka më e madhe private juridike në botë.[2] Kurse tjetra, The Widener, ose Harvard College Library, kishte fond jashtëzakonisht të pasur në çdo fushë, përfshirë albanistikën.[3]
Ndaloja herë pas here tek punonjësit e sektorit të pasurimit që mbulonin Shqipërinë. Fillimisht aty ishte Charles F., që u bë mik i vyer dhe që, pasi doli në pension, më ndihmoi mjaft në kërkimet për gjurmimin e bibliotekës së humbur të Faik Konicës. Charlie u pasua nga Sebastian H. një gjerman inteligjent, i picigjatë dhe që, kur i vizitoja “qoshkun” e tij në një nga bodrumet e bibliotekës, më shfaqej gjithnjë i zhytur nëpër togje të larta me libra të pafund që prisnin me padurim përpunimin.
Gjithnjë e kam pasur shumë të dashur një dyqan të vogël libërlidhjeje tek Rruga e Dibrës në Tiranë, diku pranë ish “Broduejit”. Ata punonjës të rrallë, bartës të një zanati fisnik, kishin një veti krejt të pazakontë: t’i jepnin jetë librit që po jepte shpirt. Kushedi se sa libra më janë “rilindur” në atë punishte të çmuar, por tashmë të humbur të Tiranës.[4]
Me kujtimin e Broduejit tiranez në mëndje, një mëngjes të ftohtë shkurti të vitit 2002 marr Kalendarin e Vatrës me vete dhe shkoj drejt e tek Sebastiani.
“Këtë libër nuk e keni në koleksion”, i thashë. “A ju intereson ta përfshini?”. E pa, dhe pa e zgjatur ia bëri: “Na intereson shumë”. Syri i tij prej eksperti nuk mund të gabonte. “Shiko”, i them, “librin jeni mëse i mirëpritur ta riprodhoni. Unë vetëm dua që të ma ktheni me kopertinën të restauruar dhe të ngjitur”. “Falemnderit,” më tha. “Do të shikoj se ç’mund të bëj”. E lashë librin plot shpresë edhe i gëzuar se po rigjeja në Amerikë dyqanin restaurimit dhe libërlidhjes. Gjithshka u krye në marrëdhënie mirëbesimi, pa shkresa hyrjeje, daljeje, marrje në dorëzim e më the të thashë.[5]
Kaluan ditë, javë. Muaj. Nga Sebastiani asnjë llaf. U bëra merak, edhe pse kisha një ndjenjë sigurie se asgjë e papritur nuk mund të ndodhte. I bëj një vizitë të paparalajmëruar. E gjej, si përherë, të rrethuar e të mbytur nga pirgje librash. I kujtova me takt se kishte disa muaj që nuk kisha dëgjuar për Kalendarin.
Sebastiani u shqetësua. Por e gjitha ishte një përthyerje e përkohshme e korrektesës që ekziston si normë në mjedise të tilla. Brenda javës ma kthyen origjinalin e Kalendarit. Bashkë me mirënjohje e falenderime. Kishin bërë një kopje thuajse njëlloj si origjinali, me letër të qëndrueshme me kopertinën të riprodhuar e lidhur për bukuri. Kishin përdorur një kompani private të specializuar, të quajtur Acme Bookbinding në Charlestown, MA. Por….kopertina time kishte mbetur po atje ku e kisha lënë – si kokë e prerë, e shqitur, e ngrënë, e parestauruar…
Kuptohet që përpjekja ime për të vrarë dy zogj me një gur kishte dështuar… Megjithatë, isha i gëzuar se Kalendari ishte tashmë pjesë e koleksionit të Bibliotekës së Harvardit dhe mund të shfrytëzohej nga gjithkush[6]
GoogleBooks në veprim
Vitet kaluan pa u ndjerë. Herë pas here i kthehesha librit për Konicën, ku Kalendari i Vatrës më shërbente si burim parësor. Po ashtu, edhe numrat e posaçëm të Diellit, të viteve 1942-1943 që kisha përftuar nga biblioteka e Vasil G. Në atë kohë rashë edhe në gjurmë të arkivës diplomatike të Konicës dhe m’u desh të udhëtoja në Evropë. Kalendarin e Vatrës nuk mund ta merrja me vete, dhe dikur m’u desh ta konsultoja. Në pamundësi fizike për të referuar kopjen time, u hodha në GoogleBooks. Pas disa hapa kërkimesh, më në fund më doli përpara heroi ynë, i digjituar mirë e bukur. Befas njoha kopertinën e shqitur dhe të ngrënë. Vallë të ishte kopja e Harvardit? Për kuriozitet i hodha një sy faqes ku përmes vulës përcaktohet burimi prej nga e kishte marrë librin GoogleBooks.
Ç’të shikoj? Në rrjetin gjithëbotëror, Worldwide Web, ishte hedhur e digjituar, dhe pra, përjetësuar nga GoogleBooks, pikërisht kopja e riprodhuar me kujdes të veçantë nga Biblioteka e Harvardit.[7] Ishte emocionuese të mendoje se origjinali ishte në duar e mija. Kuptohet se vlera e tij bukinistike, muzeale por edhe shpirtërore ishte tashmë krejt e veçantë.
Nëntor 2016 – Kutia e 13
Në vitin 2016, pas përpjekjesh e kërkimesh të shumta në SHBA, dhe me mbështetjen e pazëvendësueshme të Drejtoreshës Persida Asllani në Tiranë, rashë më në fund në gjurmë të një pjese të konsiderueshme të bibliotekës së humbur të Faik Konicës. Librat gjendeshin në ruajtje nga njëri prej djemve të Andon Athanasit, shqiptarit të suksesshëm e patriotit të shquar nga Trebicka e Korçës. Bëhej fjalë përreth 280 blenj shumë të rrallë e të çmuar të cilët, të vendosur në 12 kuti të posaçme, prisnin t’i ktheheshin Bibliotekës Kombëtare në pajtim me amanetin e të zotit të tyre të shquar. Siç dihet, katër librat e parë të Konicës, tri të ruajtura nga Sarah Panariti, e shoqja e Qerimit, ishin kthyer në BKSH qysh me 13 janar 2016.[8] Dikur Sarah kishte pasur korrespondencë edhe me sekretaren e Fan Nolit, si dhe me Universitetin e Çikagos, ku kishte dërguar librat, ditarin dhe letrat e të shoqit.
Për këto ngjarje kam shkruar tjetërkund.[9] Por këtu dua të ritheksoj bashkëpunimin e shkëlqyer ndëriistitucional midis Ambasadës së Shqipërisë në Uashington, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Kulturës dhe, natyrisht edhe me drejtueset e BKSH-së në Tiranë, Prof. P. Asllanin dhe Dr. E. Domni. Në një shfaqje të mirëpritur të kujdesit dhe seriozitetit shtetëror, Tirana mbuloi shpenzimet e transportit.
Ndërkohë më në fund vjen momenti i postimit të bibliotekës së gjetur të Konicës. Jemi në mesin e nëntorit 2016. Librat e Konicës, sikurse përmenda, ishin në 12 kuti, gati për t’u nisur nga rezidenca time drejt e në Rinas. Mbas shumë përpjekjesh, telefonatash, imejllesh e traktativash, më në fund vjen kamioni. Sëbashku me një të njohur, Skënder K. që banonte afër dhe u ndodh tek unë në atë moment, siguruam kutitë dhe i bartëm në kamionin që priste përjashtë.
Në atë moment, aty për aty marr një vendim. Përpos 12 kutive vendosa të shtoj edhe dy të tjera: tek njëra, e katërmbëdhjeta, vendosa koleksionin e gazetës Liria, të mbledhur ndër vite nga Vasil G, që BKSH-ja nuk e kishte, dhe për çka kishte treguar interes.
Kurse tek tjetra, e trembëdhjeta, futa dosjen me dokumentet e fundit të Sarah Panaritit, përfshirë korrespondenca me Universitetin e Çikagos. Nuk përjashtohet që Sarah, bashkë me të të shoqit, të ketë dërguar edhe libra nga të Faikut, që në fakt do t’i takonin BKSH-së.
Pra, ideja ishte që, në një të ardhme të pacaktuar, BKSH-ja, tashmë edhe ajo depozitare apo ruajtëse e “papers” të Panaritëve sikurse Biblioteka e Universitetit të Chicagos, t’i drejtohej simotrës së vet në Amerikë për të verifikuar nëse, ndër ato 9 kutitë e Panaritit kishte pasur apo jo libra të Faikut.
Në kuti futa edhe numrat e rrallë të Diellit, që BKSH-ja nuk i kishte, etj. si dhe, në momentin e fundit vendosa të fus edhe Kalendarin e Vatrës të Motit 1918…
Përse?
Mund të duket e habitshme se si dhe pse e mora atë vendim. Kalendarin nuk e kisha hasur në skedarin e BKSH-së duke menduar gabimisht se nuk e kishin.[10]
Arsyeja e vërtetë ishte fare e thjeshtë: po ta mbaja vetë, mund të humbiste. Po ta kishte BKSH, atëhere do të ruhej përgjithmonë. Shembulli i dhimbshëm i librave të Vasil G., nuk më shqitej nga mendja!
Me të vërtetë, Kalendari i Vatrës ishte pjesë fare e vogël e një pasurie të rrallë e të çmuar kulturore, e lidhur ngushtësisht me Konicën e Vatrën, e cila ndodhej në duart dhe kujdesjen time. Mirëpo të gjithë jemi vdekatarë… Ç’do të bëhet me atë pasuri kur të largohemi? A ka garanci se do të mbetej në duar të kujdesshme? Apo mos do të ishte mirë që të shfrytëzohej momenti, vërtet historik, i dhëtimit të përbashkët të tyre me librat e Konicës?
Shkurt, kutia e famshme me numër trembëdhjetë mbërriti edhe ajo në BKSH me 16 nëntor 2016. Bashkë me të edhe Kalendari i Vatrës i Motit 1918. Pikërisht bleu i çmuar origjinal, burimi i kopjes së Harvardit, të digjituar nga GoogleBooks, sot ruhet përfundimisht dhe përjetësisht në koleksionin e Bibliotekës sonë Kombëtare në Tiranë.
Ja pra, lidhja e rrallë dhe e veçantë midis GoogleBooks dhe BKSH-së.
(c) 2020, Agron Alibali.
[Në vijim: Pjesa (iv): “raritete dhe ekskluzivitete” të BKSH-së; Pjesa e fundit: “Biblioteka e Edi Ramës dhe BKSH-ja”.]
[1] Për më shumë: https://www.hathitrust.org
[2] Aty do të kaloja netë të panumërta dimri duke lexuar e rrëmuar për të drejtën ndërkombëtare të detit.
[3] Si dëshmi e pandryshuar e kohës së fillimit të koleksionit të albanistikës, kjo fushë e dijes mbahej ende e indeksuar nën kategorinë Ott., shkurtesë për “ottoman”.
[4] Kam parasysh, për shembull, të famshmin Fjalor Osmanisht <> Frëngjisht të Diran Kelekian, që ishte bërë fije fije nga përdorimi i gati i përditshëm i tim gjyshi. Libërlidhësit duarartë të Rrugës së Dibrës i ridhanë jetën atij fjalori të paçmuar kundrejt një çmimi që nuk i kalonte 100 lekë (të vjetra) sipas kursit të kohës së fundit të vitit 1970.
[5] Rreth vitit 2009 Sebastianit i ofrova një tjetër kryevepër të Bibliotekës së V. Gunarit, e pikërisht Fjalorin e Marko Boçarit, të botuar nga Kristo Luarasi nën kujdesjen e Lumo Skëndos. Sot edhe ky fjalor i çmuar është bërë pjesë e Bibliotekës së Harvardit. Shih tek: http://id.lib.harvard.edu/alma/990121288890203941/catalog
[6] http://id.lib.harvard.edu/alma/990114249770203941/catalog Aty jepet edhe referenca se ku mund të aksesohet version i digjituar. Kurse HathiTrust e ka Kalendarin e Vatrës këtu.
[7] Sipas informacionit në fund të librit digjitimi nga GoogleBooks është bërë në vitin 2010.
[8] Për saktêsi, i pari ishte libri Popolo Lingua e Letteratura Albanese” 2a Tiratura con aggiunte e correzioni, [Populli, gjuha dhe letërsia shqipe, Botim i dytë me shtesa e korigjime], nga Prof. Papas Gaetano Petrotta, Doktor në Letërsi, Palermo 1932, i gjetur në Bibliotekën e Vatrës në Bronx , Nju Jork, me ndihmën e Kryetarit tê Vatrës, Ing. Agim Karagjozi, https://tinyurl.com/yylmtj4g
[9] Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati, Argeta Ltd, Tiranë, 2016, ff. 547-578.
[10] Në fakt, BKSH-ja ka 4 ekzpemplarë të Kalendarit të Vatrës, si dhe një në trajtë CD-je, të gjitha të gjetshme përmes skedarit fizit. Disa ditë më vonë në Tiranë pashë njërin prej tyre në ekspozitën që BKSH-ja organizoi për Diasporën Shqiptare. Katalogu online i BKSH-së ndër të tjera jep këtë informacion: “Materiali i fotokopjuar në vitin 2002, përbëhet nga 202 f….”. Përmë shumë tek: https://tinyurl.com/y628ntrh
|
11,194 | https://peizazhe.com/2012/10/25/mozart-ne-shqiperi/ | null | 2012-10-25T21:33:13 | MOZART NË SHQIPËRI | Që muzika ka fuqi të jashtëzakonshme e dinim të gjithë. Që muzika është dritë e harmoni duhet ta dimë të gjithë. Megjithatë ndikimi i drejtpërdrejtë mbi sjelljen e njeriut ose të kafshëve ishte i përfytyrueshëm, por jo i sigurtë shkencërisht.
Kohët e fundit po shtohen kërkimet shkencore për të verifikuar ndikimin e muzikës në jetën e njeriut. Lexoj në shtyp, për shembull, se muzika e Mozartit paska veti tejet pozitive. Sipas një studimi të Universitetit amerikan Madison në Wisconsin, lopët kur dëgjojnë tingujt e Moxartit prodhojnë sasi më të madhe qumështi (gati 7,5% më shumë). Madje është vënë re se lopët janë të predispozuara që të mblidhen në stallë më lehtë kur dëgjojnë muzikën e kompozitorit të famshëm. Çfarë ndikon në prodhimtarinë e lopës? Muzika? Përse pikërisht ajo muzikë? Pyetje ende pa përgjigje.
Reagim pozitiv ndaj muzikës së Mozartit është vënë re edhe tek bimët. Citohet një eksperiment me misrin, gjatë të cilit u vu re se bima që “dëgjonte” muzikë për 24 orë rresht, rritej më mirë se të tjerat. Në fakt koçanët u bënë më të mëdhenj. Thuhet se në eksperimente të tjera, p.sh. duke i ekspozuar bimët me muzikë “heavy metal” u vu re se ato përkuleshin nga ana e kundërt (si dikush që i dhëmb veshi nga zhurma dhe largon kokën instinktivisht), kurse muzika klasike i përkulte nga ana ku vinin tingujt.
Në Universitetin e Tel Avivit është vënë re se foshnjat e lindura para kohe rriten në peshë shpejt kur dëgjojnë kompozitorin austriak, kurse të rrahurat e zemrës të atyre që shpëtojnë nga goditje në tru normalizohen kollaj. Po të kërkosh në internet gjen mjaft muzikë të llojit “Mozart para Bebés – Música relajante para calmar el llanto“. Pra muzika si ninullë.
Lexoj gjithashtu se në Zelandën e Re kriminelët e vegjël bëjnë më pak krime kur dëgjojnë muzikë. Në Christchurch altoparlantët që japin gjithë kohës muzikë moxartiane kanë ulur nivelin e kriminalitetit. Në vende të tjera janë ulur vjedhjet, aksidentet për shkak të alkoolit e drogës, e kështu me radhë.
Cilat janë arsyet e ndikimit të muzikës së Mozartit? Nuk njihen. Ndoshta diçka që ka të bëjë me harmoninë qiellore e tokësore së bashku, që përcillet nëpërmjet tingujve të muzikës. Ndoshta ka arsye të tjera edhe më të thella. Megjithatë dobinë mund t’ia marrim me mend të gjithë. A nuk do të ishte mirë që Mozarti të transmetohej ditë e natë në Shqipëri? Për efektet e kësaj muzike kanë nevojë të gjithë. Kush është kundër muzikës deklarohet vetë cilën anë mban. Për Mozartin me sa duket vendi ynë ka shumë nevojë: në rrugë, dyqane, kopshte, shkolla, uzina, fusha, spitale. E gjeni dot çfarë kam harruar?
|
4,354 | https://peizazhe.com/2010/04/29/art-ne-raft/ | null | 2010-04-29T14:08:18 | ART NË RAFT | Këto ditë një koleksion privat arti, “Ca’ la Ghironda” i Francesco Martani-t, u ekspozua në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Veprat e ekspozuara i përkasin traditës dhe modernitetit dhe janë të organizuara në dy seksione: “Shkëlqime klasike” dhe “Atmosfera të shekullit XX”; arti modern prezantohet me autorë si Pablo Picasso, Réne Magritte, Giorgio de Chirico, Piet Mondrian, Marc Chagall, Lucio Fontana, Jean- Michel- Basquiat, Andy Warhol, Michelangelo Pistoletto.
Interesimi për ekspozitën ka qenë i madh, po të gjykosh nga çfarë thuhet në mediat.
Është normale që njerëzit të interesohen për të parë vepra të një arti që kulturës shqiptare iu mohua për gjysmë shekulli, me paternalizmin karakteristik, nga komisarët e kuq të regjimit.
Vizita në galeri, në këto rrethana, është edhe një gjest sfide ndaj tiranisë kulturore të atyre viteve. Prandaj edhe unë vetë do të doja të isha atje, dhe t’i shijoja Picasso-n, Chagall-in, De Chirico-n dhe Magritte-in ekspozuar në mjediset kur dikur kam parë e riparë bustet e bardha të Enverit, gjithfarë partizanësh e malësorësh mustaqellinj, muskulaturash proletare dhe Skënderbeun në profile të përbindshme.
Megjithatë, mendoj se ka vend të pyetet çfarë mund t’i japë kjo ekspozitë kulturës bashkëkohore shqiptare, sa i përket artit modern, i cili nuk ka kurrfarë tradite ndër ne.
Te një artikull i E. Demos në Shekulli lexoj, ndër të tjera, se disa prej vizitorëve të ekspozitës seksionin e artit të shekullit XX kanë zgjedhur ta quajnë shkurt “piktura absurde”.
Më anë tjetër, shumë prej artistëve vizualë në Tiranë duken të entuziazmuar pas veprave që janë sjellë. Thotë njëri prej tyre, piktori Aleksandër Filipi:
Është e magjishme kur je kaq afër me këto vepra, me autorë kaq mitikë. Natyrisht të gjithë të magjepsin, të mahnisin. Vihesh përballë kontaktit direkt me ta dhe nuk të besohet. Të gjithë autorët janë të famshëm, të mëdhenj, ata të artit modern, paramodernët deri tek klasikët, dhe të kohës së Rilindjes. Ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte kontakti me veprën e Andy Warholi-t. Është i mrekullueshëm. Nuk kisha pasur kontakt me një vepër të tillë dhe më krijoi dridhje gjunjësh. Për qartësinë e siluetit të figurës, konceptin estetik, për tonalitetin e ngjyrave dhe një lloj estetizmi që të magjeps.
[Artikulli nuk e specifikon se për çfarë vepre të Warhol-it bëhet fjalë, por ka shumë mundësi të jetë një autoportret – u lutem atyre që e kanë parë ekspozitën të ma konfirmojnë.]
Po çfarë mund t’i japë Andy Warhol publikut artdashës në Tiranë?
Dihet se një pjesë e madhe e veprës së këtij artisti përfshihet në të ashtuquajturin pop art, i cili nyjëtohej me imazhe stripash vizatimorë, fotografish të agjencive të lajmeve dhe të celebrities, reklamash komerciale dhe shenjash të tjera pamore bashkudhëtare të së përditshmes në Perëndim (visual commodities). Veçanërisht i ndjeshëm u tregua pop art-i ndaj imazheve që përdoren në reklamat, si etiketat dhe logot e produkteve; në kuptimin këta artistë komunikonin duke luajtur me kodin një publiku blerësish në një supermarket.
Vetë Warhol u bë i famshëm me pikturat e tij të kanoçeve të supës Campbell dhe të bankënotave; më pas të veturave BMW dhe Benz, karrigeve elektrike; ose me skulpturat e kutive të sfungjerëve për enë (Brillo Boxes).
Vepra e këtij artisti, në kohën kur u krijua dhe më pas, nuk mund të ndahet as nga konteksti kulturor dhe komercial i Perëndimit gjatë viteve 1950-1990, ose i së ashtuquajturës shoqëri të konsumit; as nga biografia e artistit Warhol dhe i lëvizjes artistike që i bashkëlidhej.
“Për ta parë [brillo box-in e Warhol-it] si pjesë të botës së artit, duhet të kesh zotëruar një pjesë të madhe të teorisë së artit, si dhe të historisë së pikturës të kohëve të fundit në New York,” ka shkruar esteti i njohur amerikan Arthur Danto.
Kodin artistik të Warhol-it, së paku në aspektet pop-art të veprës së tij, publiku nuk mund ta zbërthejë jashtë kodit komercial të supermarket-it, si metaforë të kulturës komerciale perëndimore; sepse e shkëputur nga referencat ndaj imazherisë të prodhuar në seri, reklamave dhe design-it industrial, por edhe vetë konceptit të produksionit serial të mallrave dhe të artit vetë, kjo vepër reduktohet në diçka edhe më banale se vetë produktet e supermarket-it të cilave u referohet.
Sa mund ta perceptojë publiku në Tiranë ironinë e pop art-it dhe ndërvartësinë e tij me supermarket-in e kulturës masive në Perëndim?
Dhe nëse ky perceptim nuk realizohet dot, atëherë çfarë mund t’i thotë Andy Warhol një vizitori çfarëdo të ekspozitës?
Piktori i intervistuar nga E. Demo, i cili me siguri e njeh veprën e Warhol-it më mirë se unë, çmon atje “qartësinë e siluetit të figurës, konceptin estetik, për tonalitetin e ngjyrave dhe një lloj estetizmi që të magjeps”; por këto janë fjalë të një piktori, i cili i qaset veprës së artit në mënyrë profesionale.
Po të tjerët?
Në admirimin tiranas për vepra arti të shek. XX, me siguri gjen një përzierje të dashurisë së publikut për Perëndimin dhe modernitetin, të sfidës ndaj censurës dhe të perceptimit të artit si materializim të lirisë së individit; sikurse gjen edhe elemente të snobizmit, dëshirës për “t’u njohur” si admirues i artit të hollë, vanitetit dhe nevojës së nouveaux riches të Tiranës sot për ta ankoruar dhe sublimuar pasurinë e tyre në art.
Nga ky këndvështrim, nuk mund të rri pa vërejtur që Andy Warhol, i cili e arriti famën në art duke ri-interpretuar ironikisht imazherinë e së përditshmes komerciale, të vijë e të perceptohet madje të shijohet e të japë shpirt, në Shqipëri, si të ishte një celebrity çfarëdo, ose një kryqëzim i një relikeje fetare nga Mesjeta e hershme me një parrukë të Lady Gaga-s. Ironi për ironi, ose chi di spada ferisce, di spada perisce, tha.
|
29,322 | https://peizazhe.com/2018/08/16/westworld/ | null | 2018-08-16T08:44:49 | WESTWORLD | nga Arjan Shahini
Seriali i dytë i Westworld (WW) kishte si tematikë kryesore lirinë e karaktereve për t’i thurrur vetë narrativat e tyre. Në “WW-I” krizat identitare ishin shpalosur në lidhje me qenien dhe kujtesën si shprehje e të parës. Ndërsa tek “WW-II” trajtohej problemi ekzistencial i lirisë së veprimit dhe i çështjes së agency: vështruar këto nga një perspektive probabilitare bajeziane subjektive. Pikëpyetjet mbi ekzistencën e robotëve në teatrin e WW vlejnë edhe për njerëzit në skenën e botës [shih Westworld and Philosophy (ed. J. B. South & K. S. Engels), pdf: https://polifilosofie.files.wordpress.com/2018/04/westworld-and-philosophy.pdf]. A është roli që përcakton identitetin? Apo është qëllimi, telos, i cili përcakton rolin dhe identitetin? Përgjigjja ndaj kësaj të fundit përmban edhe mundësinë e çlirimit nga robëria e parashikimit.
Në WW robotët nuk e dinë se po luajnë një rol me narrativa të paracaktuara, me lirinë për të improvizuar vetëm në funksion të kryerjes së rolit. Ngjashëm, si të ishin në një park “lojrash” (WW), mund të konceptohet edhe sjellja e individëve në regjimet totalitare. (Sikur propozon edhe A. Vehbiu te një trajtesë së fundmi bazuar mbi perspektivën sociologjike të E. Goffman.).
Në këtë prizëm mund të hulumtohen edhe raportimet e personave të ndryshëm në kontakt me të huajt gjatë regjimit totalitar. Nga raportimet e shoqëruesve, sportistëve e artistëve mbi marrëdhëniet e tyre me kolegë të huaj duket sikur ndiqej një skenar i paracaktuar, i vendosur jo vetëm nga formati i raportimit, por edhe nga pritshmëritë e eprorëve apo vëzhguesve në organet e Partisë apo të sigurimit.
Si udhëzime të pashprehura formalisht, këto pritshmëri janë kryesisht të nënkuptueshme nga reflektimet e raportuesve. Veç kësaj, shoqëruesit e vizitorëve, brenda apo jashtë Shqipërisë, ishin njëkohësisht edhe propagandues të regjimit, rol ky që vërehet herë pas here në reflektimet e tyre. Duke raportuar ata propagandonin mbi propagandën e kryer, çfarë në WW jepet në konceptin e pretendimit të të qenurit njeri, lopçar apo indian. Shoqëruesit e vizitorët mëtojnë të jenë.
Pse ndjekin një format të caktuar rrëfimi dhe skenari, këto raporte nuk pritet të paraqesin tablonë e vërtetë të kontakteve me të huajt. Por për studiuesit nuk ka burim tjetër të besueshëm (rrëfimet në të gjallë të atyre që i kanë përjetuar janë po aq të pabesueshme e të infektuara me lloj-lloj interpretimesh aktuale).
Konteksti ku ndërtohej skenari për perceptimin dhe realizimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore ishte politik. Marrëdhëniet me të huajt shfaqen tepër të politizuara dhe të orientuara sipas politikës së jashtme të Shqipërisë, duke pasqyruar skemën miq-armiq të regjimit (armiq: vendet revizioniste, imperialiste, borgjeze dhe agresive; miq: sipas rastit dhe aleancës së çastit). Ndonjëherë skema ishte shumë e ngurtë për shoqëruesit, të cilët kërkonin të konfirmonin e trajtonin ngjarjen e personalitetet sipas saj. Ishte më pas shoqëruesi që duhet ta zgjidhte këtë konflikt në mënyrën më të pranueshme. Në këtë mënyrë narrativa lejonte improvizimin, por gjithmonë në shërbim të kryerjes së rolit dhe përshtatjes me situatën e re, nën vështrimin gjykues të regjimit.
Për ta ilustruar, nga vizitorët jugosllavë priteshin provokime politike, e nëse këta nuk provokonin, ishin shqiptarët që provokonin (skenari i parashikonte me të njëjta probabilitete të gjitha alternativat, çfarë i lehtësonte punën raportuesve). P.sh. kur arbitri jugosllav K.Z (2.5.1968) nuk kishte shfaqur ndonjë interes për biseda politike, raportuesi e interpreton sjelljen e tij gjithsesi si të atillë: “Lenë me kuptuar se këta janë të porositur që të jenë korrektë në arbitrim me qëllim që para popullit tonë sportdashës të paraqiten sa më mirë dhe të mos nxitin urretjen e popullit tonë sportdashës kundra revizionistëve.” (Informacion mbi Qëndrimin në Shqipëri të Arbitrit Jugosllav Kostantin Z.; T.Gj., [AQSH, F. 511, D. 129, V. 1968, fl. 52-51]).
Po ashtu edhe sportistët nga të dyja kahet perceptoheshin se ndërmerrnin misione politike. Në një vizitë të ekipit Dinamo për një ndeshje me ekipin e Borit (relacion i 28.8.1969, ku hamendësohet se përkthyesi kosovar ishte agjent i UDB), shoqëruesi shprehet se: [sic] “Ata i kishin vene vetes si detyre, ndoshta edhe me orientim nga lart qe te na prisnin sa me mire. Motoja e tyre ishte ate shka nuk mun ta bejne ambasadoret tane ne Beograd e Tirane mund te arrihet nepermjet ekipeve sportive.“ [511/117/1969, fl. 67-68]. Ndërsa kur ekipi i volejbollit Partizani i Beogradit qëndroi në Shqipëri për disa ditë (6-8.12.1967) shoqëruesi (N. Pilku) shprehet se: “Duhet thënë se qoftë përgjegjësat, qoftë lojtarët nuk kishin asnjë farlloj pregatitje politike dhe kur neve hapnim ndonjë bisedë të tillë ata i shmnageshin përgjigjeve. [511/124/1967, fl. 80-82].
Në Jugosllavi sportistët shqiptarë priteshin shumë mirë nga bashkëkombësit e tyre kosovarë, për këtë regjimi udhëzonte që sportistët t’i shërbenin diplomacisë (kur zakonisht ata duhet t’i shmangin kontaktet me të huajt). “Gjatë qëndrimit tonë në Beograd, pjestaret e ekipit simbas udhëzime të mara prej këndej si dhe me porositë e shokëve të legatës tonë në Beograd, shpërndan 500 distiktiva të dala me rastin e 500 vjetorit të Skënderbeut si dhe distiktiva “Bëhuni gati për punë dhe mbrojtje” si dhe 200 copë fotografi të shokut Enver Hoxha.” [V. Afezolli, 511/124/1967, fl. 103].
Skemat politike të interpretimit i dinin edhe vizitorët e huaj për t’i përdorur në favor të tyre, e këto raportoheshin përpiktazi nga shoqëruesit. P.sh. në ndeshjet e futbollit të Shqipërisë me Gjermaninë, raportohet (15.12.1967, “në përgjithësi qëndrimi i tyre ishte i mirë”) se: “Gjatë takimeve nga futbollistët pati shprehje të tilla “pse t’ja jepni fitoren Jugosllavisë e cila është armike e juaj”., “jugosllavët [,] armiqtë tuaj [,] gjatë një ore e gjysëm janë miqtë tuaj”” [511/129/1968, fl. 69-70].
Shoqëruesit bëheshin ndonjëherë objekt i dyshimeve të vizitorëve, që gjithashtu prisnin që shoqëruesit e tyre të luanin një rol të paracaktuar. Shoqëruesi (N.P) i skuadrës holandeze Blokkeer të volejbollit, për një ndeshje me Dinamon (6-8 Janar 1967), raporton se “Këtu në bisedë e sipër përgjegjësi i tyre që ish edhe president i Shoqërisë Blokkeer mbasi tha fjalë të mira për pritje tha: se kush “nga neve ishte i policisë sekrete[?]”, pse kështu i kishin thënë në Jugosllavi, se: “posa të hyni në Shqipëri do tu shoqërojnë njerëz të policisë sekrete”. Atëhere Shoku Vaskë, megjithëse ishim prezantuar një herë në Hanin e Hotit, bëri edhe një herë prezantimin duke i treguar edhe funksionet e shokëve që i shoqëronin. [511/124/1967, fl. 71].
Skenari përcaktonte një tjetër format për marrëdhëniet me miqtë, si p.sh. kinezë (me të cilët komunikohej në rusisht apo frëngjisht), arabë etj. Në këtë kontekst shoqëruesit, zakonisht të imunizuar nga përplasjet me doktrinat armike (revizioniste apo perëndimore) përpiqeshin të konfirmonin bindjet e tyre, duke ia përshtatur atyre të regjimit. Kur këto bindje nuk pajtoheshin me realitetin, shoqëruesi ja atribuonte këtë injorancës ose ndonjë tipari tjetër të personalitetit.
Kur ansambli i këngëve dhe valleve të Laosit “Neo Lao Hak Sat” erdhi në Shqipëri (5.3.1966) raporti në pjesën më të madhe shpreh përshtypjet pozitive të vizitorëve dhe kritika u fokusua te niveli artistik i tyre [“shumë të dobët” e “amatorë të mbledhur nga fshatrat”]. Por shoqëruesi (A. R), i cili ishte udhëzuar të propagandonte për regjimin, apo donte të konfirmonte madhështinë e E. Hoxhës tej kufijve, shqetësohej pse përgjegjësi i grupit nuk përmendte Enver Hoxhën në fjalimet e tij.
“… në fillim [përgjegjësi] u tregu i rezervuar. Zakonisht në fjalimet e tij ai theksonte që ‘partia, qeveria e populli shqiptar përkrahin popullin Laosian në luftën e tij anti-imperialiste’ dhe e falenderonte për këtë përkrahje. … Më vonë ai bëri nji farë evolucioni dhe filloi të theksojë ‘populli shqiptar nën udhëheqjen e partisë dhe të K.Q. me në krye shokun Enver Hoxha ka korrur suksese të mëdha në luftën për ndërtimin e socializmit’… Me gjithë këtë duhet theksuar se gjatë gjithë fjalimeve … asnjëherë nuk përmendi politikën e jashtëme të partisë dhe qeverisë sonë, asnjëherë nuk e përmendi me emër revizionizmin modern dhe luftën që duhet zhvilluar kundra tij.” [511/123/1966, fl. 2].
Është në këtë kontekst të miqësisë që shoqëruesit gjejnë hapësira të kritikojnë përzgjedhjen e artistëve apo sportistëve në saj të meritave të tjera veç atyre artistike apo sportive. Gjithashtu, kur vizitorët marrin edhe rola të tjera nga ato politike, krijohen konflikte që shprehen më pas në pakënaqësi (në WW këto janë në formën e “glitches”, dialogë të paparashikuara që shkaktojnë konfuzione tek robotët). P.sh. Në vizitën e Asamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Kinën mike (21.12.1966-24.02.1967), për të cilin ishte përgatitur një “program luftarak” [511/114/1966, fl. 103] shoqëruesi shprehet se: “Futja e disa elementeve ne grupin e turneut për ne Kinë është bërë e pastudjuar mirë, është parë vetëm ana e përbërjes politike të njerezve dhe në disa raste është injoruar ana e nivelit të përgatitjes së tyre artistike.” [P. Pejo, 511/124/1967, fl. 56].
Në shumë raste politizimi i ngjarjeve sportive tejkalonte masën, siç ishte p.sh. refuzimi për të luajtur ndeshje me shtetet revizionistë apo imperialistë. Në futboll këto nevoja të ekipit shqiptar zgjidheshin nëpërmjet goglave të shortit që manipuloheshin lehtë nga drejtuesit e FIFA-s, por në sporte të tjera këto shkaktonin kokëçarje tek organizatorët. P.sh. në olimpiadën e 19-të shahut në Siegen (5 deri në 25 Shtator 1970), ekipi shqiptar refuzoi të luajë me shahistët e Afrikës së Jugut pas ndarjes në grupe, dhe nuk dëshironte të luante me ekipet e ShBA-së (Fischer), Spanjës, Rodezisë, Bashkimit Sovjetik (Spassky) dhe Izraelit. Pas një diskutimi të madh ekipi shqiptar u pranua të luajë me kë donte. Përndryshe ekipi shqiptar (Pustina, Duraku, Vila, Adhami, Omari, Muça, Zadrima) kishte gjetur një mjedis mikëpritës (“Mund të themi, se nga vendet që kemi qenë n’asnjërin nuk kam gjetur një ambient kaq të ngrohtë.” B. Hoxha, 511/166/1970, fl. 20). Ky diskutim u paraqit edhe në një gazetë lokale (“Albaner sorgten für politischen Paukenschlag” (Shqiptarët u bien tam-tameve politike). Por olimpiada u shoqërua edhe me ngjarje të tjera, si p.sh. grisja e flamujve të 20 shteteve [Berliner Zeitung, 11.09.1970, Jahrgang 26 / Ausgabe 251 / fl. 8], mashtrime (“nëse ndonjë lojtar i yni shkruante një lëvizje më tepër, kryetari i grupit vinte te unë dhe më tregonte këtë” [shih B. Hoxha më sipër], etj.)
Skenari gjithashtu parashikonte që marrëdhëniet me të huajt duhet të ishin dinjitoze dhe të fshihnin nevojat materiale të shqiptarëve. Kështu shmangej vendosja në pah e epërsisë ekonomike të të huajve nëpërmjet këmbimeve jo të barabarta apo dhuratave, çfarë mund të shkaktonte që vizitorët shqiptarë të dilnin nga roli i tyre dhe të vendoseshin në marrëdhënie më njerëzore me kolegët e tyre, apo edhe të kompromentoheshin nga shërbimet sekrete.
P.sh. gjatë një vizite të një ekipi të futbollit dhe basketbollit rumun në Shkodër, për ndeshje me skuadrat e Vllaznisë (10-13.06.1968), u problematizua çështja e dhuratave: “Çështja e këmbimit të dhuratave problem i ngritur nga përfaqësuesit e ekipit Rumun, ku nga ana e jonë u shpjegua se në kuadrin e revolucionarizimit të jetës sonë i është bërë dhe po i bëhet një luftë e madhe shpërblimeve të pa drejta të individëve që ndikojnë në prishjen e ndërgjegjes socialiste dhe se vendin kryesor tek ne e zen stimuli moral që kalit njeriun tonë socialist. Na u lutën që të na i japin dhuratat pamvarësisht nëse do ti japim ose jo…” [511/129/1968, fl. 62-63].
Ky këndvështrim analitik, duke iu qasur roleve dhe skenareve të ndryshëm, na ndihmon për të kuptuar jo vetëm kontekstin social e politik të raportimeve mbi marrëdhëniet me të huajt (tjetrin), por edhe krizat e krisjet nga linja e interpretimit dogmatik të kohës. Kjo vlen sidomos për ndodhi që kanë nevojë për një studim sistematik, sikur shmangiet nga normat socialiste të sjelljes: si vjedhje (Dinamo, 1971), kontrabandë orësh (Budapest, 1971), biseda me femra të huaja të sportistëve netëve vonë (Rumani, futbollistët e 17 Nëndorit, 1970), bisedat “e tepruara” të ndonjë shoqëruesi që raportoheshin menjëherë tek eprorët apo deri edhe dekonspirimi i ndonjë shoqëruesi si i policisë sekrete nga paaftësia e tij për ruajtur disiplinën tek artistët e sportistët.
(c) 2018, autori
Fotoja në kopertinë: Fillimi i ndeshjes Ajax – 17 Nëntori, Amsterdam, 30 shtator 1970 (Kupa e Kampionëve të Europës).
|
45,160 | https://peizazhe.com/2023/10/23/komisioni-i-festes/ | null | 2023-10-23T09:00:46 | KOMISIONI I FESTËS | nga Ilir Yzeiri
Titulli origjinal : « Komisioni i festës » së Kadaresë ose paradigma « Shqipërinë e kam gaz »
Novela « Komisioni festës » së Kadaresë (« Ura me tri harqe » – triptik Shtëpia botuese «Naim Frashëri», Tiranë 1978), ashtu si «Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave » (Emblema e dikurshme, Shtëpia botuese « Naim Frashëri, Tiranë 1981), janë krijime që riprodhojnë më së miri disa nga tiparet antropologjike universale, por që shfaqen më qartë kur ilustrohen me modelet tona të organizimit shoqëror. Temat mbi të cilat ngrihen këto dy krijime, ndër më të bukurat e Kadaresë, janë « festa » si institucion dhe « ëndrra » si mekanizëm kontrolli për vetëdijen dhe mendimet e një bashkësie të caktuar. Të dyja këto paradigma na shenjojnë edhe ne shqiptarëve sidomos në organizimin tonë institucional, atëherë kur ne riprodhohemi aty si një entitet i organizuar rreth manifestimeve, urrave, fishekzjarreve, pritjeve të organizuara me raste festash apo kur presim miq. Këtë triumf të festës dhe të shkrirjes së gjithçkaje për mikun ne e kemi të sanksionuar edhe në kodin tonë të sjelljeve, pikërisht aty ku e kemi lënë vendin e mikut në reshtin e parë, madje i kemi blatuar edhe shtëpinë. Ndërsa kontrollin e njëri-tjetrit, institucionin e përndjekjes e trashëguam nga kohët e vjetra historike, e përsosëm në diktaturë dhe e shfaqim tani si ves të dorës së parë në përndjekjen dhe përfoljen që i bëjmë njëri-tjetrit në rrjetet sociale. Duke qenë kështu, nuk duhet të habitemi pse ky riprodhim i vetjes sonë kombëtare përmes paradigmës së festës shfaqet edhe tani me po ato ngjyra groteske që përshkruan Kadareja në novelën e tij të famshme « Komisioni i festës ». Prej kohësh kam vënë re se ngjarjet e mëdha politike si takimet e nivelit të lartë, konferencat shkencore, tubimet e mëdha kombëtare e ndërkombëtare ndërtohen mbi një paradigmë opozicionale që organizohet rreth parimit të dukjes, të paradës, të manifestimit të jashtëm ; pra ajo që ndodh brenda këtyre takimeve nganjëherë sfumohet dhe errësohet nga shkëlqimi i festës që e shoqëron atë. Edhe ngjarjet e mëdha të tetorit ngjajnë se vuajnë nga kjo paradigmë. Dhe, në të tilla raste, për ta interpretuar këtë që ndodh, si në raste të tjera, të vjen në ndihmë letërsia e madhe.
Para disa ditësh në Tiranë u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit me pjesëmarrjen e udhëheqësve më të lartë të BE-së, Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian. Në të njëjtën ditë, pra më 16 tetor, që për ironi të fatit përkonte me ditëlindjen e diktatorit Hoxha, në veri të Tiranës, te 15-katëshi mbahej Konferenca « Nano Ballkan » me pjesëmarrjen e shkencëtarëve më të mirë nga e gjithë bota dhe nga të pesë kontinentet. Aty ishte edhe një nobelist nga Singapori, pikërisht Konstantin Novoselov, i cili në vitin 2010 e fitoi këtë çmim të madh pasi zbuloi grafenin, një material që përdoret sot në avione e në shumë fusha të tjera. Në jug të Tiranës ishte pushteti në veri shkenca dhe në pallatin e Brigadave, në një nga këto ditë, u nderua shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare me titullin e lartë Legjion i Nderit nga presidenti francez Emanyel Makron. Në konferencën shkencore, përveç nobelistit ishin edhe shkencëtarë shqiptarë me famë botërore si Niko Qafoku i cili në vitin 2019 hyri në 2% e shkencëtarëve më me ndikim në botë[1]. Vetë organizatori i këtsaj ngjarjeje, prof. Arben Merkoçi, është një nga personalitetet shkencore më të shquara në fushën e nanoshkencës në botë. Mirëpo këto ngjarje, Samiti i Berlinit, titulli i Kadaresë dhe Nano Ballkani u shuan nga shkëlqimi i festës. Konferenca ishte e organizuar me një shkëlqim verbues dhe shpenzimet për këtë ngjarje, në një hotel luksoz i habitën të gjithë. Pra, festa, organizimi, ato nënkomisionet që përmend Kadareja te Komisioni i Festës punuan natë e ditë. Prof. Arben Merkoçi në intervistën që më dha për emisionin tim ADN, me shumë elegancë më tregoi se, për fat të keq, vëmendja e publikut akademik dhe studentëve shqiptarë, kur foli nobelisti apo dhe të tjerë, ishte shumë e ulët. Të mendosh, tha ai, që një nobelist po mban një kumtesë dhe po tregon të rejat e fundit nga fizika dhe të shohësh sallën thuajse bosh, është një trishtim. Kur e pyeta se çfarë u bë me qendrën e Nanoteknologjisë që u përurua vjet në ambientet e Universiteti Bujqësor, ai më tha se, për fat të keq, asgjë, sepse mungojnë fondet. Pak më poshtë, në Piramidën e rindërtuar po zhvillohej Samiti i Procesit të Berlinit. Shumë pak vëmendje mori edhe aty përmbajtja e diskutimeve, ajo që u vendos dhe ajo që do bëhet. Ajo që ra në sy dhe ajo që iu servir publikut si vlerë shqiptare ishin vallet, këngët, pjatat e vizatuara, pra një dekor që për fat të keq në vend që ta pasuronte ambientin e bënte atë më grotesk. Nuk kishte menduar askush që në atë Samit të paraqiteshin shkencëtarët e mëdhenj shqiptarë që ishin 500 m larg. Në dhënien e çmimit të Kadaresë nuk u mor vesh se kush dhe si përfaqësohej Shqipëria në këtë ngjarje, sepse edhe aty u harruan shkencëtarët a thua se këto dy ngjarje zhvilloheshin në territore të ndara nga kufiri e padijes ose narcizizmit. Në mediat tona gjatë gjithë kohës jepeshin vallet, kërcimet dhe kostumet popullore me të cilat po gëzonim miqtë tanë.
Shqipëria nuk është ajo e 30 viteve më parë dhe sot njihet si një vend normal. Mirëpo ajo që bie në sy është se ende nuk po integrohemi sa dhe si duhet në institucionet ndërkombëtare, të cilat funksionojnë përmes eventeve të tilla si takimet, samitet, konferencat. Këto ngjarje janë vende ku punohet për të prodhuar vendime dhe për të hartuar projekte që më pas kthehen në veprime. Për fat të keq, ne i kushtojmë më shumë vëmendje anës së dytë : festës. Qeveria shqiptare, përmes Akademisë, jep miliona lekë për ta organizuar aktivitetin shkencor në një hotel super luksoz dhe shpenzon mijëra e mijëra euro për konferenca që nuk prodhojnë asgjë veç festës dhe nuk financon kërkimin shkencor. Edhe vetë ajo pëlqen të riprodhohet në festa më shumë sesa në vendime e projekte. Ndaj novela e Kadaresë të rri në vështrim si një hije që nuk e largon dot sepse ne e përsëritimi fabulën e saj ashtu si një ritual të përjetshëm. Novela e Kadaresë është përpjekur të ritregojë masakrën e Manastirit që mbështetetet mbi një ngjarje reale. Siç dihet, në një kurth të ngritur nga Sarasqeri i Rumelisë Mehmet Reshit Pasha, krerët e Toskërisë u thirrën në Manastir më 9 gusht 1830 kinse për t’u dhënë rrogat e prapambetura. Nga festë ajo u kthye në një masakër sepse turqit i vranë dhe i masakruan 500 prej tyre. Kadarenë e ka magjepsur kurthi, festa dhe gjithë novela e tij mbështetet mbi organizimin e saj. Masakra zë fare pak vend në novelë. Gjithë rrëfimi mbahet me përgatitjen e festës dhe me komisionet. Kjo të kujton « Makbethin » dhe darkën fatale, pastaj protokollet e festave që jepeshin e mbaheshin në diktaturë. Në romanet e tij « Dimri… » apo « Koncerti.. » festat, komisionet, kodi qe ato mbartnin, vendet ku uleshin, pjatat, helmi që mund të fshihej aty tregonin mekanizmat e një pushtetit që mund të mbahej në këmbë dhe të riprodhohej përmes hierarkisë së vendeve në një banket. Mirëpo nëse lexon sot këtë novelë dhe nëse e përqas kontekstin e saj të fillimit me tekstet e konferencave shkencore, samiteve qeveritare, pritjeve e përcjelljeve, ngjashmëra është fatale. Këtë radhë kjo ngjashmëri u bë edhe më gazmore, sepse nëse në novelën e Kadaresë tekstin e organizon dekreti i Sulltanit për t’u pajtuar me shqiptarët e Shqipërinë nën devizën « Shqipërinë e kam gaz » edhe këtu, sidomos fjalimi i Makronit, dukej se riprodhonte atë tekst të largët të Kadaresë, nëse me perandori do të shënjonim në këtë rast Europën nga e cila nuk duam të ikim, por të shkrihemi me të, ndryshe nga Perandodria otomane. Janë pak a shumë 45 vjet kohë e humbur si në rastin e Perandorisë, si në rastin e Europës. Edhe Makron ashtu tha : « Shqipërinë e kemi gaz », por nuk ju japim kohë se kur duhet të bëheni si ne. Paralelizmi i novelës së Kadaresë me narrativën e festës bëhet më i qartë. Në mendje tani nuk na ka mbetur Samiti po festa edhe te novela e Kadaresë ti mahnitesh me imagjinatën dhe groteskun e festës, sepse masakra bëhet vetëm shkak i aksionit letrar. Ne tani kishim shpëtuar nuk quhemi më « tokë haram » as dënimi më i rëndë ai i « kra-kra-së » nuk do të bjerë mbi ne. Pra nuk jemi më vend i mafies apo i krimit. Ndaj pasi mbarojnë eventet, ajo që mbetet në mendje është festa dhe organizatorët. Te Kadare janë Qogo Fejzullah efendiu që përpiloi listën e të ftuarve. Nënkomisioni i hoteleve me Haxhi Hazërin. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ahengjeve, Bandill agai që na i bëri ditët mjaltë do të marrë nishane të reja. Në novelën e Kadaresë ka edhe një nënkomision që është ai politik. Është e çuditshme se sa shumë ngjet ky komision me atë komisionin që përgatit dokumentacionin sot për përafrimin ligjor me BE-në. Ka edhe një paragraf për gjuhën e ngatërruar shqipe, për përkthimin që të kujton « Dimrin.. ». Pastaj vijnë me radhë kujdesi për bashtepsinë e bakllavasë, për bashpjatat. Aq shumë ironi e grotesk ka në këto faqe të novelës sa lexuesi në fund kur zbulon atë që ndodhi në hipodromin e kuajve e harron masakrën reale dhe mban në vështrim këtë riprodhim antropologjik të ceremonisë apo të festës që bëhet shenja e vetme e marrëdhënies sonë me perandoritë.
Kadareja e ka ndërtuar novelën duke transferuar në atë kohë paradigmën e burokracisë politike që mbahet dhe funksionon edhe përmes protokollit të festës. Në Shqipëri tri ngjarje të mëdha nuk arritën të shkriheshin në një : Samiti i Berlinit, Nano Ballkani dhe dekorimi i Kadaresë. Kumti që u dha në ato ditë ishte se gazi i Europës që na ka në sy u shfaq sidomos në hyrje të Piramidës aty ku valltarët tundën xhufkat e kuqe dhe trupat e hajthëm në lëvizje që me siguri europianët ose nuk i kanë kuptuar ose i kanë marrë tjetër për tjetër dhe te 15-katëshi ku një konferencë shkencore ndërkombëtare me nobelistë brenda ngjante më shumë si një dasmë shqiptare dhe jo si një dialog mes shkencëtarësh.
© 2023 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
[1] Bazuar në rezultatet e publikimeve në SCOPUS, një profesor i Universitetit të famshëm të Stanfordit në SHBA ka botuar listën e plotë të 2% të shkencëtarëve më me ndikim në botë. Studimi i Prof. John P.A. Ioannidis u botua nga shtëpia botuese Elsevier në 10 tetor 2022. Në listën e karrierës bën pjesë edhe shkencëtari shqiptar Profesor Nikolla P. Qafoku.
|
40,972 | https://peizazhe.com/2022/05/30/stalini_imagjinuar/ | null | 2022-05-30T07:09:25 | STALIN ON DEMAND | Më ra në sy që kopertina e botimit italisht të librit FREE të Lea Ypit (në italisht LIBERA) përkon krejt me atë të botimit amerikan – e njëjta statujë e Stalinit, me të njëjtën kokë pezull në hava.
Ilustrimi rimerr njëfarësoj skenën hyrëse të librit, ku rrëfimtarja fëmijë tregon si, e frikësuar nga “huliganët” që protestonin, vrapoi “për nja dy kilometra”, derisa arriti te një park i vogël, ku gjendej statuja e Stalinit; dhe pastaj e mbështeti faqen te kofsha e generalissimo-s dhe u rrek t’ia rrokte gjunjët. Si u qetësua disi, ngriti kokën për t’ia parë Stalinit sërish mustaqet, por ashtu përjetoi një tmerr të një lloji tjetër – huliganët ia paskëshin këputur idhullit të saj kokën.[1]
Për mua si lexues, ky është incidenti që ia jep librit tonalitetin, si çelësi i muzikës ia jep partiturës: dhe mbase për të njëjtën arsye edhe botuesi amerikan edhe ai italian e zgjodhën për ta pikturuar në kopertinë. Me të vetmin problem se incidenti nuk ka gjasë të ketë ndodhur, sepse në Durrës nuk ka pasur kurrë statujë të Stalinit, siç e kanë në vënë në dukje shumë nga ata që kanë shkruar për librin, në mediat shqip dhe jo vetëm atje.
Ndonjëherë autorët e memuareve bien viktima të iluzioneve të kujtesës dhe pafajësisht ngatërrojnë të qenat me të paqenat. Por historia me statujën e Stalinit pa kokë nuk i përket këtij skenari – Ypi e di mirë që incidentin e ka shpikur ajo vetë, por aq i fortë do t’i ketë rezultuar imazhi që ai incident përcjell, sa mund të ketë vendosur ta lërë në tekst, madje ta fillojë me të rrëfimin.
Jam nga ata lexues që, për ta shijuar një libër, qoftë ky memuar ose fiction, kam nevojë për një pakt besueshmërie me autorin – me fjalë të tjera, të besoj se autori nuk po më gënjen[2]. Në librin FREE, autorja Ypi e bën haptazi dhe gjerësisht të qartë se po rrëfen jetën e vet dhe të familjes së saj në Durrës, gjë që nënkupton premtimin e heshtur lexuesit se do të përpiqet t’i kujtojë gjërat ashtu siç kanë ndodhur, jo ashtu siç nuk kanë ndodhur. Por incidenti me statujën e Stalinit, duke qenë i sendërtuar fund e krye (sa kohë që një statujë e tillë në Durrës nuk ka ekzistuar ndonjëherë) e bën lexuesin të dyshojë se mos edhe gjëra të tjera, që rrëfehen në libër, janë njëlloj të sajuara. Dhe ashtu pakti i besueshmërisë autor-lexues prishet përfundimisht.
Andi Haxhiu, që e ka analizuar librin tani së fundi, ka një shpjegim tjetër për enigmën e statujës pa kokë në Durrësin pa statujë:
Ypi’s opening to the book thus appears to rather work as a metaphorical depiction of one’s inability to let go of a reality that is unexpectedly changing.
Por a nuk është të paktën e çuditshme, që ta hapësh një memuar me një “përshkrim metaforik” të një incidenti të sajuar, duke rrezikuar që lexuesi i informuar të dyshojë se autorja po e gënjen? Sepse le të pranojmë që një lexues model i librit të Ypit nuk ka ngé as dëshirë që të verifikojë çdo gjë që thuhet në libër – besnikëria e autorit ndaj realitetit të bashkëndarë së paku me disa lexues, sado subjektive, është pjesë e atij pakti të besueshmërisë që përmendëm më lart.
Në Durrës ka pasur një bust të Stalinit, peripecitë e të cilit mund të lexohen këtu: por nuk ka shans që rrëfimtari fëmijë i librit ta ketë ngatërruar këtë bust me “statujën”. Prandaj edhe lexuesit i lejohet të fillojë të dyshojë se Durrësi i librit të Ypit nuk i përket të njëjtit realitet me Durrësin “real” – tek i pari Stalini përfaqësohej me një statujë të vogël në park. Nëse duam të spekulojmë, mund ta marrim këtë si provë se memuari i Ypit, që rrugës nga anglishtja në shqip e pa veten të transformuar në roman, është fiktiv dhe i referohet një bote imagjinare, e cila vetëm sa i ngjan kësaj tonës, por gjithnjë me diferenca domethënëse.
Ja si e përshkruan rrëfimtarja fëmijë, në libër, statujën e Stalinit në parkun e Pallatit të Kulturës në Durrës:
It is possible that Stalin loved children. It is likely that children loved Stalin. What is certain, dead certain, is that I never loved him more than on that wet December afternoon when I scampered from the port to the little garden near the Palace of Culture, sweaty, shaky, and with my heart pounding so hard I thought I would spit it on the ground. I had run as fast as I could for a couple of kilometres when I finally spotted the tiny garden. When Stalin appeared on the horizon, I knew I would be safe. He stood there, solemn as usual, with his unassuming coat, plain bronze shoes, and his right hand under his coat, as if supporting his heart. I stopped, looked around to ensure that nobody was following me, and went closer. With my right cheek pressed against Stalin’s thigh and my arms struggling to circle the back of his knees, I was not visible.
I trembur nga zhurma e një proteste, rrëfimtari fëmijë vrapon për “nja dy” kilometra nga porti te kopshti i vogël afër Pallatit të Kulturës, dhe atje Stalini “i del në horizont” – solemn si gjithnjë, me pallton e vet të thjeshtë, këpucët e thjeshta prej bronzi dhe dorën të futur në pallto, si për ta mbajtur zemrën (në vend). Ky përshkrim duket sikur i referohet statujës së Stalinit dikur në Bulevardin e Madh në Tiranë (para vitit 1968, te sheshi Skënderbej), e cila përfundoi pastaj e ekspozuar tek oborri i Galerisë së Arteve, ku mbase do ta ketë parë së fundi autorja.[3]
Teksti më lart më sjell në mendje një thënie të Oscar Wilde-it, tek eseja “The Decay of Lying”: truth is entirely and absolutely a matter of style. Këtë thënie, kritiku William Giraldi e parafrazon kështu: Every book is true or false in its sentences before it’s true or false in its facts. Por analizën e fjalive të pasazhit më lart nuk mund dhe më ka hije që ta bëj këtu; vetëm po shënoj se, po të kish qenë statuja e Stalinit pa kokë, fëmija do ta kish vënë tashmë re, kur po i afrohej; dhe se, po të ketë qenë Stalini i statujës i veshur me pallto, siç thuhet në tekst, do të ketë qenë pak e vështirë që t’ia mbështetje faqen tënde pas kofshës dhe t’ia qarkoje me krahë pjesën e pasme të gjunjve (provojeni!).
I njëjti përshkrim i Stalinit i ofrohet lexuesit edhe dy-tre faqe më herët:
He always wore an unassuming coat and plain brown shoes, and he liked to put his right hand under the left side of his coat, as if holding his heart. The left hand, he often kept in his pocket.
Këtë herë, në ligjëratën e zhdrejtë të “mësuese Norës”.
Gjithsesi – mund të më pyesin – sa rëndësi ka vërtet, kjo pasaktësi me statujën e Stalinit (për të mos e quajtur “sajim”), e cila nuk është aq larg realitetit, sa kohë që në dhjetor të 1990-ës nuk do të ishte dhe aq e pagjasë që të ndeshje rrugës në një statujë të gjymtuar të Stalinit, në një qytet çfarëdo të Shqipërisë? A nuk kanë shërbyer – anembanë botës – imazhet ikonike të statujave të rrëzuara dhe të përçudnuara të liderëve komunistë botërorë dhe lokalë, për të simbolizuar kolapsin e totalitarizmit? Dhe a nuk është vallë zgjedhja e këtij imazhi të Stalinit për t’u vënë në kopertinë – njëlloj si edhe vetë zgjedhja e një incidenti të paqenë për ta filluar librin – shprehje e dëshirës a e vullnetit të botuesve, përkatësisht të autores Ypi, për ta kontekstualizuar memuarin e vet në kujtesën historike të botës mbarë?
Mbase ashtu është vërtet. Lexuesi në USA ose në Itali do të tërhiqet më fort nga imazhi i statujës së Stalinit se ç’do të tërhiqej, të themi, nga një foto familjare e familjes së autores, qoftë edhe nga periudha kur patriarku Xhafer Ypi ishte në krye të punëve, në Shqipërinë “tjetër”. Vetë skena e një vajze të vogël që përqafon statujën e dekapituar të kujt që lexuesi tashmë e njeh për një nga liderët totalitarë më gjakatarë të shekullit XX mund të gjykohet si emblematike – nga një publik që ngashërehet me skena të tilla.[4]
Por ka edhe lexues që nuk do ta gjenin të besueshme skenën dhe vetë karakterin e kësaj vajze të vogël kaq të lei-fenizuar nga indoktrinimi i mësuese Norës, sa të shkojë dhe të kërkojë ngushëllim duke përqafuar një statujë; dhe e vetmja mënyrë që do t’i qetësonte, këta lexues, do të ishte sikur skena të kish ndodhur vërtet, sepse realiteti, ndryshe nga fiction-i, nuk ka nevojë të jetë i besueshëm, që të jetë i vërtetë. Njerëzit janë në gjendje të bëjnë gjëra nga më të çuditshmet, por shkrimtarit që rrëfen një histori të sajuar i duhet gjithnjë të tregojë respekt ndaj lexuesit.
Prandaj ka rëndësi kapitulli hyrës i librit, meqë e vë lexuesin para një dileme njëlloj të pashijshme: ta kundrojë rrëfimtaren fëmijë si viktimë katastrofike të indoktrinimit komunist, apo të dyshojë se autorja e një libri memuaristik po i thotë gjëra të stisura? Kjo dilemë mua nuk m’u nda derisa e mbarova librin – edhe pse duhet ta pranoj që fajin për këtë e kish pikërisht sajimi me Stalinin, i njëjti që tani del në kopertinat e botimeve të librit anembanë.
Shqipëria totalitare paska pra ende nevojë të rrëfehet, megjithë memuaristikën e mirë madje serioze që është botuar deri më sot (Fatos Lubonja dhe Maks Velo më vijnë në mendje, por nuk janë kurrsesi të vetmit); por libri FREE, megjithë promovimin frenetik që po i bëhet, nuk i përgjigjet dot kësaj nevoje.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Bibliografi e vogël:
Gazmend Berlajolli, Dy sistemet, dy palë lexuesit dhe ‘dy librat’ e Lea Ypit
Andi Haxhiu, Book Review: Free: Coming of Age at the End of History by Lea Ypi
Iris Toto, Kush simulon-manipulon?
Lindita Komani: Një vështrim kritik mbi librin Të lirë
[1] Po tundohem fort që ta cilësoj këtë imazh si sugjestiv të kastracionit, temë që mund ta gjesh edhe gjetiu në libër, në kontekstin e rrëzimit të atij simboli falik, që ishte totalitarizmi; por edhe autoriteti patriarkal në përgjithësi, duke filluar nga familja dhe më tej në komunitet dhe në shoqëri. Por kjo përsiatje kërkon analiza veçan.
[2] Edhe një libër fiction mund të gënjejë – mjaft që autori të tingëllojë i pasinqertë jo në raport me realitetin, por me ty si lexues. Kjo temë meriton të trajtohet më gjerë, sidomos për letërsinë shqipe pas 1990-ës.
[3] Kjo statujë e Stalinit, dikur në sheshin qendror të Tiranës dhe pastaj e zhvendosur në Bulevardin e Madh, përballë Galerisë së arteve, është vepër e skulptorit sovjetik Nikolai Tomski. Dora e futur në xhaketë me gjasë shënjon solemnitet dhe renditet në një traditë disashekullore të paraqitjes figurative të mbretërve dhe udhëheqësve.
[4] Një lexim tjetër i mundshëm i përqafimit të rrëfimtarit fëmijë me statujën e Stalinit sugjerohet nga dinamika e ngjarjeve brenda familjes në qendër të librit: vajza e vogël atje duket sikur është gjithnjë në kërkim të një autoriteti, më suprem dhe më të padiskutueshëm se i ati, të cilin e gjen përkohësisht te Stalini; brenda këtij interpretimi, kriza që përshkruhet në pjesën e dytë të librit, pas vitit 1990, do parë edhe si krizë e autoritetit.
|
41,534 | https://peizazhe.com/2022/08/04/papa-joanna/ | null | 2022-08-04T08:02:49 | PAPA JOANNA | […] every woman who makes herself male
will enter into the kingdom of heaven
Jesus’ logion 114, Gospel of Thomas
nga Anisë Margjonaj
Një legjendë mjaft e përhapur në Mesjetë dhe në Kohën e re, e dëshmuar për herë të parë në Chronicon pontificum et imperatorum të Martin Polonus-it, rrëfen për Papën Joanna (Ioannes Anglicus, 855-857), grua që – falë aftësive të shkëlqyera dhe duke u tejveshur e maskuar si burrë – arriti të bëhej Papë dhe ta udhëhiqte kishën katolike për disa vjet.
Ioanna e tradhtoi veten si “uzurpatore” e fronit papal, gjatë një procesioni, kur lindi një fëmijë para kohe dhe pastaj u masakrua prej turmës, bashkë me foshnjën e porsalindur. Pas të tjerash versione, para se ta vrisnin, Joannën e tërhoqën zvarrë pas një kali, rrugëve të Romës.
Domenikani Jean de Mailly (i shekullit XIII), shkruan se kur doli sheshit gjinia e Joannës gjatë procesionit, u dëgjua një zë që foli kështu: Pietre Pater Patrum Papisse Proditum Partum (“O Pjetër, at i etërve, u tradhtove nga papesha që lindi”).[1]
Me gjasë, këto fjalë i paskësh shqiptuar vetë demoni.
Historianët sot priren ta gjykojnë rrëfimin dhe personazhin e Papës Joanna si të trilluar (fiksional), për arsye të ndryshme; por ka edhe që e marrin për të mirëqenë. Mbijetesa e rrëfimit, në shekuj, me gjasë ka të bëjë me shansin përndryshe tabu që një vajzë a grua të infiltrohej në radhët e klerit shekullar; tabu e cila vetë i ka rrënjët tek tabuja tjetër më e thellë, e gjinisë si konstrukt social dhe kulturor, prandaj edhe të ndërrueshme.
Ashtu, papa femëror tingëllon si një metaforë, e cila ka ardhur në jetë vetvetiu e mbarsur me rrëfim.
Në Mesjetë rëndshëm u pat përfolur edhe se, pas këtij skandali, u vendos që kandidatët për t’u zgjedhur Papë të ftoheshin për t’u ulur në një fron të posaçëm, të njohur si sedia stercoraria (karrige të pëgërash), me një vrimë në ndenjëse; përmes së cilës vrimë një kardinal do të fuste dorën nga poshtë, për t’ia kontrolluar seksin kandidatit.
Një sede stercoraria, por pa vrimë në ndenjëse, e sheh sot e kësaj dite në arqibazilikën San Giovanni in Laterano në Romë; frone të ngjashme i gjen edhe në Muzeumet e Vatikanit[2] dhe në Louvre. Historianët e kanë përgënjeshtruar legjendën se përdoreshin për verifikimin e papëve (madje disa duke e shpallur propagandë banale anti-katolike), por pa ofruar ndonjë shpjegim alternativ bindës për funksionin.
Pietro Ratto (te Le Pagine strappate: I trucchi della Chiesa rinascimentale per rimuovere le vicende storiche della Papessa Giovanna), beson se ka zbuluar prova që autoritetet kishtare, gjatë periudhës së Rilindjes dhe veçanërisht pas Koncilit të Trentos, u mobilizuan për të fshirë çdo gjurmë të skandalit së papës grua nga dokumentet historike. Edhe një statujë mermeri e Papës Joanna me skeptrin në njërën dorë dhe djalin e vet në tjetrën dhe që, sipas disa dëshmive, ngrihej në një rrugët afër arqibazilikës San Giovanni-t, duhet të jetë hequr që andej rreth vitit 1480 dhe hedhur në Tevere me urdhër të Papës Sixtus IV; fat të ngjashëm mund të ketë pasur një bust i Joannës në Siena.
Në libër, Ratto i referohet një rrëfimi relativisht të hollësishëm për Papën Joanna nga Bartolomeo Platina, prefekti i Bibliotekës së Vatikanit, autor i një historie të Papëve, të cilën e pat hartuar me urdhër të patronit të vet, Papës Sixtus IV.
Sipas Platinës, papa Joanna u pat lindur në Mainz dhe u edukua në Athinë, duke arritur një nivel të tillë të dijes dhe të urtësisë, sa të zgjidhej në krye të Kishës Katolike pas vdekjes së Papës Leo IV. Ky autor rrëfen edhe skenën fatale, ku zbulohet që Joanna është grua, duke shtuar se e gjithë kjo histori është e errët dhe e dyshimtë.
Në gjyqin e famshëm kundër tij, Jan Husi argumentoi se Kishës nuk i duhej detyrimisht Papa, sepse asgjë nuk ndodhi gjatë viteve kur Kishën e udhëhoqi një grua (duke iu referuar Papës Joanna) – komentatorët kanë vërejtur se trupi gjykues nuk reagoi me ilaritet, as me zemëratë ndaj këtij argumenti, duke ia marrë për të mirëqenë premisën. Edhe Petrarca dhe Boccaccio e përmendin Joannën në shkrimet e tyre.
Çuditërisht, nuk është thënë gjë për ndonjë të pabërë që mund të ketë kryer kjo grua kur rrinte në timon të Kishës; skandali kish të bënte me gjininë e saj, me mbetjen shtatzënë, lindjen e fëmijës gjatë procesionit dhe të tjera konflikte mes qenies së saj intime dhe dukjes publike.
Sipas legjendës, Joanna arrin të bëhet papë falë zotësisë për t’u maskuar si burrë, por pastaj gjinia e saj zbulohet nëpërmjet një akti ekskuziv femëror: lindjes së një fëmije. Babai i fëmijës nuk dihet, çfarë e rëndon edhe më mëkatin. Dinamika e skandalit, me Papën që lind një fëmijë dhe pastaj të dy, nëna dhe foshnja, masakrohen nga turma, duket sikur e kthen kokëposhtë historinë e Shën Mërisë dhe të Jesuit – gjithë duke mbajtur parasysh identifikimin simbolik të Kishës Katolike me nënën e Jesu Krishtit.
Në çdo rast, mënyra si u trajtua legjenda e Papës Joanna nga autoritetet e Kishës Katolike dhe forma që u lejua të marrë legjenda në rrjedhë të shekujve dëshmon edhe për konsolidimin e qëndrimit zyrtar të Kishës ndaj pjesëmarrjes së grave në hierarki.[3] Ashtu, edhe portretizimi i saj si moralisht e shthurur para se të hipte në fronin papal mund të pasqyrojë thjesht refuzimin absolut të ambicies së saj nga Kisha. Ndonjë historiane (Karen L. King) ka kujtuar, tani së fundi, se edhe Maria Magdalena, e cila “zyrtarisht” trajtohet për adultereshë dhe e përdalë, mund të ketë qenë në fakt një nga dishepujt më të shquar të Krishtit dhe prijëse e një krahu të lëvizjes së Krishterimit të hershëm që promovonte udhëheqësinë e grave, madje edhe si apostull (këtë thuhet se e ilustron edhe ungjilli gnostik i Marisë).[4]
Versionet e ndryshme të legjendës së Papës Joanna bien dakord në atë se, për t’u ngjitur në hierarkinë e Kishës, asaj iu desh të maskohej si burrë, duke u “tejveshur”. Në kontekstin e statusit që kish gruaja në Mesjetën e asaj periudhe, veçanërisht në komunitetet e krishtera, tejveshja (transvestizmi) shihej rëndom si një mënyrë për t’i shpëtuar një fati inferior. Gjithnjë kanë qarkulluar histori shenjtoresh (vajza dhe gra) që patën vendosur ta ndiqnin vokacionin e tyre brenda Kishës duke u veshur burrnishte. Sipas ndonjë historiani, femrat e tejveshura toleroheshin, madje inkurajoheshin, meqë duke synuar të bëheshin më të ngjashme me burrat, i afroheshin edhe një modeli më të përshtatshëm të virtytit.[5] Kjo përputhet edhe me një pasazh nga Shën Jeronimi, i cili pat shkruar: “Sa kohë që gruaja është për të lindur dhe rritur fëmijë, ajo ndryshon prej burrit siç ndryshon trupi nga shpirti. Por kur ajo dëshiron t’i shërbejë Krishtit më shumë se botës, ajo do të pushojë së qeni grua dhe do të quhet burrë.”[6]
Gjithsesi, imazhi “skandaloz” i një gruaje në fronin e Papës së Romës nuk mund të ndahet nga jehona e Shekullit të errët (saeculum obscurum), i njohur edhe si Pornokraci ose Heterokraci (sundimi i lavireve, gjerm. Hurenregiment) – një periudhë gjatë shekullit X (904-964), kur Romën e sundonte familja Theophylacti, veçanërisht Theodora – gruaja e Theophylactus-it dhe Marozia, e bija. Të dyja, nënë e bijë, thuhet se kontrollonin zgjedhjen e papëve të rinj. Marozia, e njohur edhe si Mariuccia ose Mariozza, u bë konkubina e kushëririt të të atit, papës Sergius III që kur ishte 15 vjeçe, dhe pati me të një djalë që do të bëhej pastaj Papa Gjon XI. E martuar tre herë, ajo mori edhe titullin e jashtëzakonshëm të senatrix dhe patricia e Romës nga Papa Gjoni X. Sipas Gibbon-it, një djalë bastard i Marozia-s, dy nipa, dy stërnipa dhe një stër-stërnip arritën të ulen në fronin papal.[7]
Kësisoj, legjenda për Papën grua dhe fatin e saj absorbonte dhe racionalizonte vetëdijen e frikës gjithnjë të perceptuar se Kishën Katolike mund ta merrnin në kontroll “femrat”, nëse klerikët shekullarë, dhe aq më keq Papa vetë, do ta shpërfillnin disiplinën e beqarisë (celibatit) në praktikë.[8] Si e tillë, legjenda mund të ketë shërbyer edhe për të përjetësuar dobinë e kësaj beqarie dhe në përgjithësi të dëlirësisë seksuale (castitas), për mbijetesën e institucionit në shekuj.
Një simbol tjetër, i bashkëlidhur me legjendën e Joannës, është karta e Priftëreshës së Lartë në Tarot, e njohur edhe La Papesse, të cilën disa studiues e lidhin edhe me Shën Mërinë, dhe të tjerë studiues me jehonën e kultit të Astarte-s. Ka edhe historianë që shohin te Papessa e Tarotit Visconti-Sforza një imazh të Motrës Manfreda, një murgeshë e urdhrit Humiliati, të cilën e pati zgjedhur si Papë sekti heretik i guglielmitëve, në Lombardi. Inkuizicioni e shfarosi këtë sekt dhe “Papesha” (ose eshtrat e saj) u dogj në turrën e druve, në vitin 1300.
Për personazhe të tilla, që jetojnë në rrëfim dhe në kujtesën kolektive të milionave, nuk ka shumë kuptim të kërkosh nëse kanë jetuar vërtet apo jo, nëse i përkasin historisë apo trillimit; ato e kanë zënë tashmë një vend në historinë e imagjinuar, edhe sikur të provohet se janë mirëfilli trillime. Ashtu Papa Joanna mund të krahasohet, për nga statusi ekzistencial, me Helenën e Trojës, Antigonën, Rozafën, Mbretin Artur, Don Kishotin, Guliverin, Robinsonin; figura me ekzistencë më të fortë se të vdekatarëve të zakonshëm.
© 2022 Anisë Margjonaj & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Qarkullojnë edhe variante të tjera të kësaj fraze.
[2] Karrigia në sallën Gabinetto delle Maschere të Musei Vaticani është prej porfiri dhe ka vërtet një hapësirë në ndenjëse, në formën e një vrime çelësi. Shpinorja e saj është e pjerrët, në një kënd prej 135 gradësh në raport me ndenjësen, aq sa në të mund të rrish vetëm si i shtrirë në shezlong. Sipas një shpjegimi që e lexoj te John Julius Norwich, gjeometria e pazakonshme e shpinores mund të shpjegohet si imitim të karriges “obstetrike”, që përdorej nga gratë shtatzëna për të lindur; dhe se kjo vegël ishte përfshirë në ceremoninë e kurorëzimit të Papës për të simbolizuar “Kishën si Nënë”.
[3] Disa komentatorë besojnë se legjenda u promovua – madje edhe duke falsifikuar provat dorëshkrimore – prej historianëve protestantë, në përpjekje për të diskredituar Vatikanin dhe autoritetin e Papës. Ka diçka qesharake tek imazhi i militantëve katolikë që fshijnë të dhënat për ekzistencën e Joannës nga dorëshkrimet historike, përballë militantëve protestantë që i shtojnë ato të dhëna jo rrallë duke i sajuar ose falsifikuar. Një luftë e heshtur, në gjysmerrësirën e arkivave, si kjo jona sot në Shqipëri me dosjet.
[4] Shkruan Karen L. King në vendin e cituar: “Çdo varietet i Krishterimit të hershëm që mbështeste legjitimitetin e udhëheqësisë së grave do të deklarohej herët a vonë heretik, dhe provat e roleve të hershme të grave si udhëheqëse do të fshihej ose zhdukej.”
[5] Vern Bullough, Sex, Society and History.
[6] Shih gjerësisht Peter Stanford, The She-Pope, A Quest for the Truth behind the Mystery of Pope Joan, William Heinemann Ltd, 1998.
[7] Këto të dhëna dhe më shumë, nga John Julius Norwich, The Popes, A History, Chatto & Windus, January 1, 2011.
[8] Sipas një bindjeje gjerësisht të pranuar, celibati i klerit ndihmon për t’i anuluar diferencat gjinore, çfarë gjen pastaj shprehje edhe te natyra androgjine e uniformave klerikale (aq sa, në shekuj, veshjet e priftërinjve janë konsideruar dhe shpesh qesëndisur si veshje grash).
|
12,551 | https://peizazhe.com/2013/04/26/efekti-rashomon/ | null | 2013-04-26T23:30:24 | EFEKTI RASHOMON | E keni vënë re që nuk po arrin njeri ta rrëfejë, qetë dhe natyrshëm dhe shtruar, incidentin e Vjenës, midis kryetarit të opozitës Edi Rama dhe një diplomati në ambasadën shqiptare në Vjenë, Egin Cekës?
Kemi parë deri më sot reagime, dënime, distancime, arsyetime, shpjegime dhe interpretime, nga të gjitha palët; e kemi lexuar dhe na e kanë lexuar incidentin si metaforë të gjithçkaje nuk shkon me politikën dhe shoqërinë civile sot në Shqipëri, por vetë kronikën e incidentit s’e ka rrëfyer dot kush.
Jemi të rrethuar nga gjithfarë mediash; dhe prej mediave presim që të funksionojnë si zgjatime të shqisave tona, për të na transmetuar çfarë ndodh gjetiu ose atje; ose për të na nxjerrë nga kafazi i këtu-së dhe tani-së.
Por mediat tona, në atë masë që janë shqisa, veprojnë si nën influencën e lëndëve topitëse, halucinative, psikadelike.
Nuk janë në gjendje të rrëfejnë dot asgjë, që nuk u ka ardhur e rrëfyer gati – nga një sekretarí partie, nga një megafon propagande, nga një agjenci e huaj, nga një raport burokratik policie.
Shumë-shumë, mund të kallzojnë se çfarë ka ndodhur në televizion; ose epika të llojit “ky i tha”, “ai i tha”, “ky ia ktheu”, “ai ia përplasi.”
Janë media të specializuara në ligjëratën e zhdrejtë, megafonë megafonësh.
Dhe jo rastësisht: perceptimi kaq disociativ që ia bëjnë botës si rrjedhë ngjarjesh rimerr saktësisht, besoj unë, përçarjen e sotme të shoqërisë shqiptare, sipas vijave partiake, ose kuqeblu.
Prandaj ndodh që jo vetëm interpretimet për ngjarjen të bien ndesh, por edhe përcjellja e vetë asaj çka ndodhur, thua se u referohet dy universeve paralele, të cilat ngjajnë mes tyre, por janë më interesante për nga ç’dallojnë.
Ja si e përshkruan kryeministri Berisha ngjarjen, në fjalimin e vet në Kuvend:
Diplomati i ri i thotë: zoti Rama, ne jemi këtu për të shërbyer, nuk jemi hajdutë votash. Si mund të na quash ne, hajdutë? Kjo mjaftoi për të shtrirë dorën dhe grushtin e pakontrolluar drejt diplomatit, në prani të dhjetëra e dhjetëra vetëve. Kjo mjaftoi për t’u lëshuar në sharje prej rrugaçi të mirëfilltë, me regjistër të gjendjes civile, ndaj familjes së diplomatit.
Ja si e përshkruan, të njëjtën ngjarje, relacioni i deputetëve demokratë:
Z. Rama pas këtij momenti ka reaguar çuditshëm, duke iu drejtuar me fjalët “kush të ka dërguar” dhe me ton arrogant dhe jashtë etike e ka urdhëruar të largohej nga ambientet e Akademisë. Diplomati Egin Ceka i është përgjigjur se nuk kishte pse të largohej nga një ambient publik. Pas këtij momenti, z. Rama me veprime fizike i është avitur dhe e ka kapur në pjesën e kokës dhe të flokëve, duke e tërhequr me dhunë.
Dhe, tani, si e ka rrëfyer ngjarjen vetë viktima, Egin Ceka (që, sipas GSh, ka pranuar të flasë për “ex-press.al”):
Këtu ai u irritua shumë. Në këtë moment drejtoi dorën ndaj meje, më kapi fort flokët dhe veshin dhe më tërhoqi me forcë. Në këtë moment u gjenda i befasuar, pasi nuk e prisja një dhunim të tillë, aq më tepër në një ambjent publik si Akademia Politike e Vjenës. Kam reaguar menjëherë, duke i larguar dorën.
Çfarë më bën përshtypje, në këto formulime të drunjta, është pamundësia për t’u shprehur shqip; sepse edhe kjo që thotë Egin Ceka “drejtoi dorën ndaj meje” mund të jetë gjithçka, veç shqipes dëftore; pa shkuar deri te zhgarravina e firmosur nga deputetët e PD-së, ku vërehet se z. Rama i është avitur Cekës “me veprime fizike” (si tamam, xhanëm?), për ta kapur “në pjesën e kokës dhe të flokëve” – çfarë është kjo pjesë? A është kjo pjesë e Egin Cekës? Si mund të flasësh, në shqip, për pjesë të një personi?
Më në fund Berisha, që për t’i shtuar dramacitet përrallës që tregon, i zëvendëson emrat e njerëzve me detyrat e tyre, duke e quajtur Cekën “diplomat”, pa çka se ai kish shkuar në takim si qytetar privat, jo si i dërguar i ambasadës; ndryshe nga Rama, që gjendej në takim si kryetar i PS-së dhe i opozitës…
Sipas kryeministrit shqiptar, fjalët që ia tha “diplomati i ri” Ramës mjaftuan, që ky “të shtrinte dorën dhe grushtin e pakontrolluar”…
Po çfarë ka ndodhur, xhanëm?
Flet zëvendësministrja e Jashtme, z. Edit Harxhi, e cila do të ketë marrë të dhëna nga burime të brendshme, diplomatike nga Vjena (Mapo):
Zoti Rama ka reaguar në mënyrë mjaft agresive, ka përdorur dhunë fillimisht verbale, më pas në dhunë fizike, e cila ka rezultuar me një konflikt të hapur mes dy palëve, Ramës dhe diplomatit Ceka. Ky konflikt është shpërndarë nga të pranishmit në sallë dhe diplomatët e huaj që ishin prezent.
Ndërsa Drejtoria e Komunikimit me Median, e PS-së, e ka rrëfyer ngjarjen kështu (Mapo):
Pas takimit djali i Neritan Cekës, që për hatër të babait paguhet me taksat e shqiptarëve si diplomat, i është afruar Edi Ramës duke derdhur një lumë fjalësh të padenja kundër opozitës. Ndërsa kryesocialisti është përpjekur ta qetësojë, të pranishmit e kanë larguar djalin e Neritan Cekës nga mjedisi i Akademisë Politike.
Te letra e hapur që ia dërgon Ramës, botuar sot në Panorama, i jati i viktimës, Neritan Ceka, i thotë kolegut të tij politikan:
“[…] E ke kapur për veshi, si një fëmijë kopshti.”
Ndërsa Gazeta 55, për të njëjtën ngjarje:
Kryetari i opozitës ka tmerruar gjithë të ftuarit në një konferencë të Akademisë Diplomatike të Vjenës, teksa ka sulmuar fizikisht diplomatin e Misionit të Shqipërisë në Vjenë Egin Ceka.
Dhe pikërisht:
Nga ana e tij Edi Rama nuk ka preferuar që të japë përgjigje për kërkesën e bërë nga diplomati Egin Ceka, por e ka kapur prej veshi dhe si të mos mjaftonte kjo, e ka goditur më pas në kokë.
Ndërkohë, sipas MAPO-s, Fate Velaj, që e kish organizuar takimin e Ramës në Vjenë, e ka treguar ngjarjen kështu:
Ata dialoguan me njëri-tjetrin dhe Rama i ra shpatullave dhe i tha, ik o djalë se nuk kam ardhur për ty, por kam ardhur për punë të tjera. Kjo ishte e gjithë historia”, – tha Velaj.
Ja edhe një version tjetër i ngjarjes, sërish nga viktima Egin Ceka, këtë herë nga MAPO-ja (e cila, natyrisht, i referohet një interviste që Ceka ia ka dhënë TV Klan-it; sikurse i ka hije një gazete, që ta mbajë lexuesin në korrent të çfarë ndodh në TV):
Zoti Rama nuk e mori parasysh argumentin dhe e ktheu diskutimin shumë shpejt në një çështje harbute, duke thënë që je i dërguar politikisht, kush të ka dërguar? Pse je këtu dhe vajti puna deri në një reagim fizik të zotit Rama. Bëri një akt provokativ për vete. Ai vuri dorën si për të thënë ‘djalë i mirë’ dhe e shfrytëzoi këtë taktikë për të tërhequr atë që mund të kapte dora e tij nga flokët dhe nga veshi im. Kaloi kufirin e kontaktit verbal me njeriun dhe bëri një gjest provokativ, siç duket me llogaritjen që do reagoj në të njëjtën mënyrë, gjë që unë nuk e bëra.
Edhe një herë, sipas kësaj dëshmie, Rama ka “tërhequr atë që mund të kapte dora e tij nga flokët dhe veshi” i diplomatit. Të thuash se është fjala për një pirg me fara kungulli.
Të gjitha këto “deponime” duket sikur i ka shkruar një polic; e njëjta vëmendje ndaj detajit të shkëputur nga konteksti; e njëjta shurdhëri ndaj sfondit të ngjarjes, ose e skenës, për t’u përqendruar te kontakti fizik vetëm, ose konsumimi i “veprës penale të dhunimit të personit”.
Shqiptari publik nuk po arrin dot të nyjëtohet normalisht – përveçse kur është fjala për të rimarrë fjalët e të tjerëve, ose për ligjëratën e zhdrejtë.
Të cilën ia kanë përcjellë mediat, mundësisht televizioni, i rimarrë të nesërmen nga kryetitujt e gazetave.
Dhe në këtë mënyrë, debatit publik, që me të drejtë po shtjellohet rreth këtij incidenti që disi ka ndodhur, i mungon një premisë elementare e përbashkët, ose një konsensus për, të paktën, realitetin.
Ose për çfarë ka ndodhur.
|
6,338 | https://peizazhe.com/2010/12/19/zooparqe-fjalesh/ | null | 2010-12-19T22:26:10 | ZOOPARKU LEKSIKOR | Mes përfundimeve të Konferencës gjuhësore të Durrësit, ai për leksikun e shqipes standard lexon kështu:
Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme.
Për mua, paragrafi është formuluar keq dhe në mënyrë simpliste; nuk zgjidh asgjë por vetëm përsërit formula të vjetruara; meqë leksiku standard tashmë nuk pasurohet aq me prurje drejtpërdrejt nga dialektet, sesa nga sociolektet; dhe pasurimi i këtij leksiku do të bëhet sipas kriteresh funksionale, ose me fjalë për të cilat ndihet nevoja; jo me kritere filologjike, ose me fjalë të cilat kanë meritën të jenë përdorur nga autorët e traditës letrare gege.
Po ashtu, leksiku nuk pasurohet nëpërmjet fjalëformimit, meqë fjalëformimi në vetvete, edhe madje sidomos kur ndjek “gjedhet fjalëformuese të shqipes” prodhon njësi boshe (punësoj, i punësuar, punësim, i punësueshëm, punësisht, punësi, punësueshmëri, punësueshmërisht, i papunësuar, papunësi, papunësisht, i papunësishëm, papunësoj, papunësim, i papunësueshëm, papunësueshmëri, i ripunësuar, i ripunësueshëm, ripunësim, ripunësueshmëri), të cilat, në rastin më të mirë, mbushen me kuptim vetëm gjatë përdorimit; por fjalëformimi në vetvete nuk garanton kurrfarë përdorimi.
Më në fund, flitet atje për “pastërti ndaj huazimeve të panevojshme”, edhe pse nuk kuptohet se kush do ta përcaktojë nëse një huazim është i panevojshëm apo jo; meqë për përdoruesin ai është natyrisht i nevojshëm; ndërsa gjuhëtari, i cili është i vetmi që mund të ligjësojë nëse huazimi vlen të përdoret apo jo, nuk mund t’ia japë vetes rolin e kujt u tregon përdoruesve ç’fjalë të përdorin dhe çfarë jo (pikërisht ai gjuhëtar që përndryshe shkon në konferenca dhe shpjegon se norma leksikore nuk ekziston); pa përmendur pastaj vetë konceptin e pastërtisë, i cili tingëllon krejt arkaik, madje anakronik, në rrethanat e sotme të integrimit të detyruar në fshatin global.
Për mua, ai përfundim nuk ka ndonjë vlerë, as pasqyron ndonjë rezultat të debateve në konferencë. Një përgjigje më të zgjeruar këtyre çështjeve u kam dhënë në kumtesën time.
Gjatë diskutimeve për kumtesën, m’u vu në dukje, nga disa diskutantë (M. Çeliku, R. Ismajli) se vetë koncepti i normës leksikore nuk qëndron; madje Ismajli shkoi deri aty sa të vërente se norma leksikore nuk ekziston; më anë tjetër, paragrafi i mësipërm, i nxjerrë nga dokumenti përfundimtar i Konferencës, për mendimin tim nuk mund të interpretohet, veçse si formulim i normës leksikore: përkrahje e fjalëve dialektore, e fjalëve të traditës gege, e fjalëve të formuara rishtaz nga njëra anë; dëbim i fjalëve të huaja të panevojshme nga ana tjetër. Më qartë se kaq, një politikë në fushë të leksikut nuk mund të formulohej.
Megjithatë, çështja nuk është aq e thjeshtë. E ritheksoj: ai paragraf është formuluar keq; i përket gjuhësisë romantike, jo gjuhësisë bashkëkohore. Standardi jo vetëm që nuk merr më fjalë nga dialektet, por edhe po i mbyt këto me gjithfarë fjalësh të reja; ato nevoja që ka standardi dialektet nuk i përmbushin më drejtpërdrejt, por vetëm nëpërmjet domestikimit të fjalëve të rralla nga terminologët ose shkrimtarët; ose tërthorazi, sa herë që një sociolekt e kapërcen barrierën midis ligjërimit të folur dhe atij të shkruar, për të depërtuar, zakonisht në letërsi.
Në një diskutim timin atje, unë përmenda normën – jo doemos leksikore – që krijohet vetvetiu në forumet virtuale dhe rrjetet sociale online; kjo normë herët a vonë do të derdhet edhe në ligjërimin publik konvencional, në një kohë që gjuhëtarët do të vazhdojnë të mallëngjehen me emrat e deshëve sipas formës së brirëve. Më në fund, vetë koncepti i transferimit të fjalëve të rralla nga të folmet në standard është i diskutueshëm, siç do të përpiqem ta ilustroj më poshtë, me një parantezë relativisht të gjatë.
Një subversion letrar
Në vjeshtë të vitit 2004 pata botuar, në Alb-Club, me pseudonimin Maks Gjerazi, një të ashtuquajtur “sonet geg”, të cilin po e kopjoj këtu më poshtë:
PLLANCA
Pashkaminue kapllak qi pshteh merrllaku
S’e marravec me tartabak kurdimi
As me kardhnue yrkybet fllag shimi
Dirgji-dirgji, shabak krahet terpaku.
Dintue zermak, mos e shpurthiq kamshatin,
Ani pse anshta s’krydhet prej sqepahu
As krydhet pshtuka prej perlegja zahu
Pashkaminue kapllak qi mogji rrxatin.
Mirrqina golli. Shqupi sodna xhisi
T’merreshet kapllaku mbas kurrgjije
Kardhnon kurdimi, por me shqutek mrrisi.
E njaj shigjrret qi shpupullis kakrrije
Nuk e shpaluq, as e bushtrret shulisi
Nji lom t’kurrzue qi shtret gollza mije.
Natyrisht, soneti nuk ka asnjë kuptim; ai veç “tingëllon” gegnisht, pa qenë i tillë. Unë pata marrë si model, të paktën eufonik, tingëllimat e Ndre Mjedës – por edhe të tjerë autorë katolikë shkodranë të asaj periudhe do të vlenin.
Reagimi i lexuesit para një teksti të tillë ishte, përgjithësisht, shumë i kujdesshëm. Lexuesi i sotëm e ka humbur kontaktin me gegnishten letrare klasike; dhe kur ndesh në fjalë të pakuptueshme, te Fishta, Mjeda ose Prenushi, ia vë fajin vetes që nuk i njeh këto fjalë, duke i cilësuar si të rralla. Nga kjo pikëpamje, soneti më sipër shërbeu për të matur shkallën e jetërsimit të lexuesit sot nga letërsia gege e traditës.
Duke e shtyrë këtë interpretim në ekstrem, mund të vërehet se, për lexuesin bartës të standardit të sotëm, gegnishtja letrare është një zhargon i mbushur me fjalë të pakuptueshme; madje jo vetëm është i tillë, por edhe do të përkufizohet si i tillë, çka do të ishte në vetvete skandaloze.
Gjithsesi, arkivat e Alb-Club-it, për ato vite, nuk hapen dot; mbaj mend që pati njerëz të cilët haptazi e pranuan se nuk e kuptonin sonetin, ndoshta as arsyen pse Maks Gjerazi e kishte shkruar dhe po ua ofronte alb-clubasve. Meqë atmosfera ishte e përshtatshme për ta vazhduar lojën, ose “eksperimentin”, vendosa të shkruaj një interpretim kritik të kësaj vepërze, nga një alter ego tjetër e imja, pedanti Dale Hashorva, i cili, ndër të tjera, vërejti:
Autori shkruan një sonet në gegërishten e kultivuar të Mjedjes, Fishtës e pse jo, të Zarishit, De Martinos e të tjerëve autorë katolikë të harruar të shekullit XIX – një orvatje arkaizante doemos post-moderne, ku ekspresiviteti ka të bëjë më shumë me shtim dimensionesh, sesa me eksplorim të hapësirës konvencionale ekzistuese.
Nuk mund të mos vë re një numër të madh pseudo-turqizmash, të tilla si: kapllak, merrllak, tartabak, kurdim, yrkybet, dirgji, shabak; të cilat më çojnë më tepër te De Martino e Zarishi, pra në një periudhë kur poetika gege ende nuk ishte konsoliduar, të paktën për sa i përket zgjedhjes së fjalëve. Filozofia e leksikut poetik në këtë rast është doemos para-rilindëse.
Nga ana tjetër, vetë zgjedhja e një forme metrike konservative si soneti (njëmbëdhjetërrokësh strikt, me rima të trajtës ABBA, CDDC, EFE, GFG) tregon një lloj neveritjeje – sado indirekte – me formën e vargut të lirë e cila sot mbizotëron shprehjen poetike. Por jo vetëm kaq: soneti iu imponua poezisë shqipe, në kohën e vet, edhe si një sfidë ndaj metrikës orientalizante të bejtexhinjve; pra si një formë oksidentalizante, praktikisht bartëse e një mesazhi pothuajse politik.
Kjo sepse rilindja favorizoi centripetizmin në kulturën (embrionale) shqiptare – pra edhe tetërrokëshin dhe monokolonën si forma tradicionale folklorike – në një kohë që soneti, si formë poetike, ende i referohet një epoke kur përkatësia kulturore kishte përparësi ndaj afirmimit të identitetit.
Për çfarë flet Pllanca konkretisht? Po lejohem të vërej se strofa e parë ka një natyrë deskriptive të përshenjuar nga natyra intranzitive e foljeve; vetëm se përshkrimi përforcohet nga dy mohime të njëpasnjëshme: (1) s’e marravec; (2) as me kardhnue. Pra te ekzistuesja arrijmë nëpërmjet asaj që nuk është (ose nuk është më).
Zemërimi i poetit, sepse unë prirem të besoj se për zemërim është fjala, nxjerr krye që në fillim të strofës së dytë: “Dintue zermak, mos e shpurthiq kamshatin,” – një urdhër a thirrje e dëshpëruar (e dishprueme); një zemërim i mbështetur edhe në të vërteta elementare të tilla si: “anshta s’krydhet prej sqepahu”, “as krydhet pshtuka prej perlegja zahu”; dikush nuk i përfill më këto të vërteta, ose i mohon qëllimisht – që këtej edhe indinjata kaq karakteristike për poezinë shqipe të mijëvjeçarit të shkuar.
Ndërkaq, strofa e tretë, me cezurën e papritur në mes të vargut, dhe me konstatimin e kobshëm se “Mirrqina golli.” na lë të kuptojmë se katastrofa tanimë nuk mund të ndalet, i përket së kaluarës. Për këtë arsye, poetit i shpaloset para sysh një pejzazh ku “t’merreshet kapllaku mbas kurrgjije” e ku “kardhnon kurdimi.”
Fundi i sonetit rimerr mohimin e dyfishtë: psherëtimë për botën si mund të ishte, po të mos ishte dënuar nga indiferenca soditëse: “nuk e shpaluq, as e bushtrret shulisi.” Një botë ku ju e unë nuk do të dëshironim kurrë të jetonim, edhe pse tani është tepër vonë – poeti na i ka hapur sytë. Sepse është vërtet tepër vonë për të mbyllur sytë e për të mohuar realitetin e këtij “lomi t’kurrzue qi shtret gollza mije…”.
Çfarë është Pllanca? Vendlindja e poetit? Fushë e një beteje të lavdishme, por të harruar? Djepi i kombit shqiptar? Vend-masakra e një populli të pafajshëm? Lexuesi është i lirë të zgjedhë cilëndo përgjigje, duke e kompletuar kështu eksperiencën e leximit.
Natyrisht, e gjithë kjo vlen me kusht që soneti të jetë shkruar njëfarësoj në shqipe.
Deri këtu Hashorva – i cili parodizon, teksa parodizohet.
Nëse Pllanca i përket letërsisë shqipe apo jo, sado modestisht, këtë nuk më takon mua ta diskutoj as ta vendos. Por nuk besoj se mund të mohohet se ai tekst, përveç një diskursi mirëfilli poetik (falë ritmit, vargut njëmbëdhjetërrokësh, rimës dhe strukturës strofike prej soneti) është në gjendje të përftojë edhe një diskurs kritik, atë të Dale Hashorvës, i cili anashkalon aspektin semantik (të diskutueshëm, në rastin më të mirë), për t’u ndalur në efektet gramatikore, strukturore dhe prozodike, të cilat kanë semantizmin e tyre.
Tani dua të pyes nëse i njëjti tekst mund të përdoret edhe për një diskurs të llojit meta-gjuhësor, ose pikërisht një diskutim të natyrës, ose më mirë statusit leksikor të fjalëve, ose më mirë “fjalëve” të poemës.
Statusi problematik i fjalës së rrallë
Kur e shkrova Pllancën, u rreka, me aq sa kisha mundësi, që të mos përdorja fjalë të mirëfillta të gegnishtes; por edhe vetë kjo ndërmarrje është paradoksale, meqë për një fjalë mund të themi me siguri që ekziston, por nuk mund të themi dot, me po aq siguri, se nuk ekziston. I vetmi kriter praktik mbetet prania e fjalës në një fjalor – p.sh. në fjalorët normativë të shqipes së sotme, ose në fjalorë të fjalëve të rralla (si ai që ka botuar së fundi M. Elezi).
Po marr një fjalë si mirrqina; e cila, pas gjase, nuk ekziston gjëkundi në të folmet gegërishte; por si mund ta provoj këtë? Sikur të dalë dikush nesër e të thotë se mirrqina është emri i një shpendi të familjes së shkurtës (Turnix sylvatica), kush do ta kundërshtojë? A nuk është karakteristikë e fjalës së rrallë që kjo të jetë praktikisht e panjohur për shumicën e përdoruesve të gjuhës?
Mbetemi kështu brenda kufijve të absurditetit, nga ku nuk do të dalim dot, përveçse po të pranojmë se, përtej kriterit funksional, i vetmi autoritet në lëmë të normës leksikore mbetet fjalori; në një kohë që fjala e rrallë, me përkufizim, mungon në fjalor, madje, po të dëgjosh disa gjuhëtarë, është dëbuar që andej qëllimisht.
Sipas këtij arsyetimi, pasurimi i standardit nëpërmjet hapjes së këtij ndaj dialekteve dhe traditës letrare gege (citoj gjithnjë përfundimin no. 5 të Konferencës) do të kryhet vetëm nëpërmjet pasurimit të fjalorëve përkatës. Mirëpo këtu ka diçka që nuk shkon: meqë prej fjalorëve presim që të fotografojnë një gjendje të caktuar të gjuhës, jo ta përcaktojnë këtë; përjashtim bëjnë vetëm fjalorët terminologjikë.
Sa për këta të fundit, nëse autorëve u duhet të zgjedhin mes një termi të huaj dhe një termi vendës të bazuar në një fjalë të rrallë (nxjerrë, bie fjala, nga Gazulli, Tase, Giordano ose Elezi), kriteri funksional sugjeron që të preferohet termi i huaj, sa kohë që ky është fonetikisht dhe morfologjikisht i pranueshëm për gjuhën; një term si anaphylactic shock do ta preferoja ta kisha në shqipe si shok anafilaktik, meqë ashtu shqipja më lidhet me gjuhë të tjera perëndimore; sesa, bie fjala, plemëz (term popullor që do ta ketë ndeshur ndonjë prift a mësues i përkushtuar diku në Zvarrishtë ose në Munellë), ose xuhallë, fjalë drejtpërdrejt e marrë nga dorëshkrimi i padre Bratit (whatever). Në rrafshin funksional (sinkronik), fjala e rrallë është më “e huaj” se fjala e huaj; meqë kjo e fundit të lidh me një gjuhë tjetër, ndërsa fjala e rrallë veç të lidh me një mit…
|
15,415 | https://peizazhe.com/2014/05/07/pluralizem-atje-ku-sduhet/ | null | 2014-05-07T20:13:13 | PLURALIZËM ATJE KU S’DUHET | Muhabeti që bënim këto ditë për pluralizmin në standard m’u kujtua, kur po kërkoja përkthimin e miratuar të termit Pictures në MS Windows.
E dimë që Pictures është nga ato terma të anglishtes që nuk përkthehet aq lehtë, sepse përfshin edhe fotot, edhe vizatimet, edhe pikturat – ose çdo lloj skedari që përmban figura.
E kanë përkthyer “imazhe”, çfarë krijon problem menjëherë duke u përplasur me përkthimin shqip të images; ndonjë mund ta ketë dhënë edhe si “figura”, çfarë nuk tingëllon aq mirë, për arsye të tjera.
Gjithsesi, nuk e prisja larminë gati folklorike të termave që më sugjeroi sajti terminologjik i Microsoft-it.
Krahas përkthimit Imazhet dhe variantit imazhe, del edhe termi fotografitë, i cili është në fakt hiponim i pictures; si dhe versioni piktoresk fotografijat, që besoj se është edhe termi që favorizonte në kohën e vet Marubi.
Pesë përkthime dhe tre probleme të ndryshme: së pari, luhatja midis formës së shquar dhe të pashquar, të cilën shqipja detyrohet ta zgjidhë gjithnjë në kontekst, sa kohë që trajta e shquar e emrit është funksion më shumë i tekstit sesa i një thënieje të shkëputur, aq më tepër njëfjalëshe; më tej, pështjellimi midis dy termave të ndryshëm, imazhe dhe fotografi, i cili me siguri e ndan më dysh krejt strukturën terminologjike të MS Windows-it.
Dhe më në fund, la ciliegina, ose forma jostandard fotografijat, që kushedi si e ka gjetur rrugën në këtë listë të kodifikuar me kujdes.
Shoh që termi e ka burimin nga një paketë shërbimi (Word 2003 LIP SP2), e cila do të ketë përfunduar në duart e një përkthyesi plot mallëngjim krahinor dhe dëshirë për të lënë gjurmë në historinë e shkallmimit të standardit shqip.
Kushedi ç’kuriozitete të tjera gjuhësore ka futur ky hero subversiv në paketën e shërbimit, dhe që nxjerrin krye sot e kësaj dite në ekranet e atyre pak përdoruesve që guxojnë ta përdorin MS Windows në shqip; dhe që me siguri shkurajohen sapo iu del kjo fotografijat përpara (e cila, le ta pranojmë, rimon me arkapijat).
Ose, më keq akoma, ka të ngjarë që përkthyesi ynë ekzotik të mos e ketë ditur se po shtie në punë një trajtë jostandard dhe të mos e ketë kuptuar se ka një dallim midis fotografijat dhe fotografitë, i cili duam s’duam duhet respektuar; dhe ta ketë marrë përsipër këtë detyrë shqipërimi thjesht “për të nxjerrë ndonjë lek.”
Atyre që, në këtë moment, po mendojnë se po e teproj, ju kujtoj që janë pikërisht këta përkthyes të improvizuar që e mbysin tregun me tarifat e tyre të ulëta, duke i lënë të tjerët, përkthyesit profesionistë, me gisht në gojë.
Përndryshe, edhe më e rëndë është, nga pikëpamja terminologjike, luhatja sistematike midis imazhit dhe fotografisë; aq më tepër që ky term i fundit përdoret edhe për të përkthyer anglishten photo(graph)s. Në fakt, jo rrallë, përdoruesit i duhet të bëjë dallim midis pictures dhe photos, ngaqë termi i dytë është më specifik; sikurse i duhet të bëjë dallim midis pictures dhe images.
Nëse duam vërtet ta pasurojmë shqipen, madje edhe duke shfrytëzuar gurrën popullore, duhet t’i krijojmë mundësi të shprehë dallime kuptimore të tilla të holla, të cilat janë sot më të rëndësishme se sinonimet për eshkën, ose përpjekjet patetike, për të sajuar neologjizma ose hedhur në përdorim ekzoticizma gjithfarësh.
|
3,344 | https://peizazhe.com/2009/12/29/muzike-per-neser/ | null | 2009-12-29T05:52:11 | MUZIKË PËR NESËR | Sonte më ra rruga afër kryqëzimit, në Upper West Side, ku ka pasë qenë tregtorja e madhe muzikore Tower Records, një nga tempujt e mi privatë në Manhattan, derisa i erdhi radha të mbyllej para disa vjetësh, për t’u zëvendësuar nga një dyqan mobiljesh.
Për katastrofën e tregut tradicional të muzikës në New York kam shkruar tashmë dhe nuk po dua të përsëritem; e vërteta është se sot muzika shitet dhe blihet e tëra online, nëpërmjet dyqaneve si amazon.com, ose gjithnjë e më dendur e natyrshëm, duke u shkarkuar në formatin numerik.
Qëlloi që sot paradite të kisha shfletuar edhe një prezantim, në The Huffington Post, të 12 sendeve që skaduan gjatë kësaj dekade; mes të cilave përmendej edhe CD-ja si suport muzikor. Të gjithë ata që, një brez para meje, e kanë vajtuar vdekjen e disqeve të gramafonit dy dekada më parë, tani kanë rast të gëzojnë një moment të shkurtër shpagimi.
Unë vetë shtëpinë e kam të mbushur me koleksione CD-sh, për shkak të një obsesioni të cilin ia detyroj edhe urisë për muzikë nën regjimin komunist; por tani të shumtën e muzikës që dëgjoj, e marr nëpërmjet shërbimit numerik Rhapsody.
Muzika ka qenë gjithnjë e rëndësishme për mua, edhe pse nuk e kam të lehtë ta shpjegoj pse. Jo vetëm muzika “serioze” ose jazz-i, por edhe muzika pop, e të gjitha llojeve. Më pëlqen ta dëgjoj live në koncert dhe të riprodhuar, sikurse më pëlqen edhe të këndoj dhe t’i bie një vegle; e më në fund, të lexoj për historinë e saj dhe domethënien.
Brezi im e ka nisur ta shijojë muzikën në radio, ose në mëshirë të programacionit çfarëdo – edhe sot e kësaj dite më vjen turp me veten, kur kujtoj ca këngë tepër, tepër të këqia që na detyronte Hit Parade italiane t’i dëgjonim për javë të tëra pa pushim.
Me kohë, radion e ka zëvendësuar televizioni, koncertet live, shiritat e magnetofonit, disqet e gramafonit (vinilet), kasetat, CD-të, videot muzikore e tani së fundi lexuesit MP3, ose thjesht kompjuteri dhe klipet në YouTube.
Do të gabonim, po t’i homologonim mes tyre këto media, për t’i konsideruar vetëm si suporte materiale të një produkti që, në thelb, mund të transpozohet lirisht nga një medium në tjetrin.
Përkundrazi, mediumi gjithnjë ka ndikuar dhe do të ndikojë në mënyrën si e përjetojmë muzikën.
Shumë ujë ka rrjedhur që nga ajo kohë, kur një kompozitor dhe pianist si Rachmaninov-i thoshte haptazi se e vetmja mënyrë për t’i shijuar koncertet e tij ishte duke i ndjekur në sallë, drejtpërsëdrejti; dhe se riprodhimi në radio ose në disqe gramafoni nuk ishte veçse surrogato – ndoshta i ngjashëm me riprodhimin e pikturës në poster ose në kartolinë.
Me Benjamin-in, e dimë se çfarë shtyse i ka dhënë teknologjia riprodhimit të veprës së artit, përfshi këtu edhe muzikën. Një interpretim të mirë të koncerteve për piano të Rachmaninov-it vështirë se mund ta gjesh live kur e si të duash; përkundrazi, një CD me një version të pacen të interpretimit mund ta blesh për 2-3 dollarë, në Internet.
Mediumin mund ta vlerësosh edhe për nga liria që i lejon publikut: nga kjo pikëpamje, koncerti live është më detyruesi, së bashku me transmetimin drejtpërdrejt në radio ose TV; pas kësaj, radioja t’i imponon zgjedhjet muzikore, çka nuk është doemos diçka e keqe, veçanërisht për dëgjues që kërkojnë të përmirësojnë shijen ose të tjerë, që i gëzohen efektit surprizë; disku i gramafonit, ose kaseta e magnetofonit, të japin shumë më tepër hapësirë për zgjedhje, por të detyrojnë t’i dëgjosh këngët sipas një radhe të caktuar.
Nga kjo pikëpamje, formati numerik lejon liri maksimale, duke i dhënë dëgjuesit mundësi maksimale të zhvendosjes, në të gjitha përmasat e mesazhit muzikor.
Mirëpo liria ka kuptim për ata që i kanë jo vetëm mjetet dhe dhuntitë për ta shijuar, por edhe interesin intelektual dhe artistik për t’iu qasur. Formati numerik, siç praktikohet nga sajtet e njohura online që ofrojnë ose shesin muzikë, privilegjion njësinë këngë, duke e atomizuar objektin muzikor.
Për një brez si imi, të mësuar ta dëgjojë dhe ta ndjekë muzikën me albume, një format i tillë nuk mund të jetë veçse regresiv – meqë kënga i përshtatet konsumit të muzikës për dëfrim, por në vetvete nuk e ka forcën shprehëse të albumit, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për concept album-in; por në përgjithësi për një produkt muzikor që, në tërësinë e vet, i përgjigjet një koncepti estetik unitar në mendjen e artistit që e ka krijuar.
Për fat të keq, formati i ri numerik e ka rrezikuar albumin jo vetëm nga perspektiva e publikut, por edhe si formë drejt së cilës synon krijimtaria muzikore. Shtëpitë diskografike u kërkojnë artistëve këngë të veçanta, sepse këngët e veçanta shiten; në një kohë që albumi, si diçka më tepër se një përmbledhje mekanike këngësh, po elitizohet po aq shpejt sa ç’po skadon formati muzikor i CD-së.
Si dëgjues muzike i apasionuar, unë nuk di nëse duhet të ndihem i lumtur, përballë mundësive të pakufishme që më jep, sot, formati numerik, për të eksploruar të gjithë muzikën që dëshiroj; apo i trishtuar, përballë dyshimit se mos revolucioni në medium do ta trivializojë muzikën deri në atë shkallë, sa t’i detyrojë muzikantët seriozë të kthehen në sallonet aristokratike – çka në kohët e sotme do të thotë t’i bien pianos në lounge-t e rrokaqiejve të korporatave.
Rreziku nuk ka të bëjë vetëm me albumin si formë muzikore; por edhe me të gjitha ato elemente paramuzikore, që e shoqërojnë produktin muzikor në treg, duke ia lehtësuar komunikimin me publikun: arti grafik, tekstet e këngëve, fotografitë e broshurës shoqëruese, biografia e autorit, të dhëna për pjesët muzikore, etj.
Kush e njeh sado pak historinë e pop-it, rock-ut dhe jazz-it gjatë 50 vjetëve të fundit, do ta dijë se çfarë rëndësie i jepnin muzikantët, këngëtarët, kompozitorët dhe producentët paketimit grafik të produktit të tyre; deri aty sa autorëve të disa mbulesave të albumeve u përmendet emri në historinë e artit grafik.
Një vitet 1960-1980, një album pop – të themi një Abbey Road, një Led Zeppelin IV, një The Dark Side of the Moon, një Graceland, një Brothers in Arms, një The Joshua Tree nuk ishin aspak koleksione këngësh të rastit; por objekte sinkretike, të cilat përfshinin një tërësi muzikore të përftuar nga kombinimi i një numri njësish më të vogla, por gjithnjë të ndërvarura dhe të plotësuara nga një bashkësi elementesh grafike të paketimit. Shto këtu edhe tour-in e koncerteve që shoqëronte albumin, personalitetet e artistëve dhe veprimtarinë e tyre jashtë-artistike, filmin ose videot, intervistat e kështu me radhë, për të kuptuar si albumi, për shkak të sinkretizmit të vet, vepronte në shumë plane njëherësh, duke u shndërruar njëkohësisht në pikë referimi për masat e dëgjuesve.
Ç’të ardhme i rezervojnë kësaj tradite formati numerik, skadimi i suporteve materiale të mirëfillta si CD-ja, degradimi i elementit grafik (nga arti i mirëfilltë dje, në klipet amatoriale të YouTube sot) dhe tkurrja e interesit të shtëpive diskografike për produkte muzikore më komplekse se kënga 5-minutëshe?
Ç’do të ndodhë me muzikën masive, kur të dalin nga skena dinosaurët e fundit të pop-it dhe të rock-ut, që vijojnë t’i falen albumit si formë shprehëse?
Pyetjeve si këto do të doja t’u përgjigjej, para meje, brezi që e ka marrë formimin muzikor nga Interneti dhe që e dëgjon muzikën kryesisht nëpërmjet kompjuterit ose telefonit celular.
Përgjigjja ime nuk do t’i interesojë askujt që nuk e ka deduktuar tashmë nga sa më lart.
|
35,862 | https://peizazhe.com/2020/07/23/larg-duart-nga-camaj/ | null | 2020-07-23T16:18:06 | LARG DUART NGA CAMAJ | nga Hajro Emiri
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit festoi këto ditë 95-vjetorin e lindjes së Martin Camajt, në një atmosferë të rënduar sa nga Covid-i, aq edhe nga polemikat që pasuan shkrimin e Auron Tares, që prekte disa anë pak të njohura të jetës së atij shkrimtari në mërgim.
Botuesi i Camajt në Shqipëri, Bujar Hudhri i Onufrit, kundërshtoi kritikën e Tares, se kinse dy ministritë e Kulturës, në Shqipëri dhe në Kosovë, po përpiqeshin ta shndërronin Camajn në mit. Ai tha se e kundërta ka ndodhur : « shteti shqiptar jo vetëm që s’e ka ngritur Camajn dhe Koliqin, por do të thoja të kundërtën, ka qenë indiferent. »
Duke dëgjuar këto fjalë, m’u duk pak problematike, që një botues t’i kërkojë « shtetit » të promovojë një autor të botuar prej tij, sepse (1) Onufri i ka mjetet që ta promovojë Camajn pa ndihmën e institucioneve dhe të fondeve publike dhe se (2) nuk shkon që një botues t’i kërkojë haptazi shtetit që t’ia mbështesë autorët dhe librat e vet.
A ka nevojë Camaj për mbështetjen e shtetit ? Dhe sidomos : A ka nevojë Camaj për mbështetjen e shtetit shqiptar sot, në kontekstin e politikave kulturore aktuale ?
Camaj mbetet autor pak i njohur nga lexuesi shqip. Shumë e kanë dëgjuar, por më tepër si emër të lakuar në konferenca, përkujtime dhe përvjetorë dhe në botime veprash luksoze – edhe më shumë e kanë dëgjuar si përfaqësues të shqiptarit në diasporë, ndonjëherë të pikturuar madje si antikomunist. Për Camajn është folur shumë, por kjo nuk ia ka ndihmuar letërsinë.
A ka shans Camaj të kthehet në autor jastëku, për lexuesin e sotëm shqip ? Përgjigjja kësaj pyetjeje varet nga natyra e letërsisë që bën Camaj : hermetike dhe të vështirë për lexuesin. Pothuajse të pamundur për lexuesin e sotëm, gjithnjë e më të dëmtuar nga analfabetizmi funksional.
Duhet të ketë mënyra për ta promovuar Camajn edhe me këtë lexues dhe për ta afruar veprën e Camajt me kulturën bashkëkohore. Këto mënyra duhet të gjenden nga njerëz që janë të apasionuar pas atij autori. Dhe sidomos, duhet të gjenden në rrethana si të tanishmet, kur nuk gjen dot shkrimtar shqiptar, që të gëzojë popullaritet. Deri edhe Kadareja, i adoptuar si autori zyrtar i bashkëkohësisë shqipe, rrezikon të humbë terren me brezin e ri, i cili nuk e gjen gjithnjë veten në dilemat dhe fantazmagoritë e atij autori.
Bujar Hudhrit, i cili kërkon më shumë vëmendje nga shteti për autorin e vet, mbase nuk i shkon mendja se politikat kulturore të shtetit sot janë kaq kitsch, kaq « të sigurta », kaq të orientuara ndaj kombëtarizmit naiv, sa çdo interes zyrtar ndaj një autori ia dëmton këtij vetvetiu reputacionin dhe rolin aktiv në shkëmbimet kulturore.
Kur shteti fillon të merret me një autor dhe ta glorifikojë, kjo sjell si efekt të parë balsamosjen dhe mumifikimin : shtatorja e atij autori zhvendoset me fondet e shtetit nga panteoni i kulturës, në panteonin e fesë kombëtare. Në të vërtetë, politikat kulturore të shtetit sot janë të tilla, që priren ta shohin autorin jo në vetvete, jo si krijues vlerash dhe formues mendjesh individuale, por si kontributor në kauzën kombëtare.
Jo më kot, një nga argumentet që u soll në « mbrojtje » të Camajt dhe të Koliqit, gjatë debatit të fundit, ishte që këta « e donin atdheun ».
Po si ndodhi që kjo, dashuria e një autori për atdheun, të adoptohet edhe si kriter për vlerësimin e veprës së tij ? Si u kthyem kështu, kaq urtë e butë, në nivelin e mësonjëtoreve të Rilindjes ?
Kjo ndodhi, me gjasë, që nga momenti kur shteti, përmes disa nëpunësve të vet ambiciozë por të paaftë, filloi të besojë se mund të ndihmonte në integrimin më intensiv të disa autorëve të përzgjedhur me kritere « kombëtariste » në kulturën kombëtare.
Edhe pse kjo qasje mumifikuese është gjëja më e keqe, që mund t’i bëhet sot një autori, dhe aq më tepër një autori pak të njohur dhe të meritueshëm për t’u njohur më tej, si Camaj. Është një qasje që leximin e veprës e zëvendëson me pjesëmarrjen në konferenca dhe përvjetorë, me recitime kumtesa referate dhe manifestime, me botime aktesh dhe akte botimesh, me një liturgji të tërë shekullare, kinse të ndërtuar rreth një figure të njohur, por që i shërben e tëra shtetit vetë.
Nuk del qartë se çfarë do të kërkonte pikërisht një botues si ai i Onufrit, ndaj shtetit, në lidhje me Camajn – më shumë konferenca ? Aktivitete me nxënës shkolle ? Financimin e përkthimeve të letërsisë së atij autori anembanë botës ? Angazhimin e ambasadave në shpërndarjen e kësaj letërsie – të cilën përndryshe nuk e kërkon tregu ?
Një kontribut nga shteti, që mbase do të ndihmonte për përhapjen e veprës së Camajt, do të ishte subvencionimi i veprës së tij : duke ia përgjysmuar çmimin. Duke ia ulur në një të tretën. Por as kjo nuk do të funksiononte, pa një angazhim të drejtpërdrejtë të botës kulturore, në promovim. Mund të jetë paradoksale, por edhe debati i tanishëm, i nxitur nga artikulli i Auron Tares, e ka ndihmuar ekspozimin e Camajt ndaj lexuesit më shumë se dhjetë konferenca që mund të bëhen për t’ia festuar këtij autori datëlindjet. Interesi letrar nuk ndjek rrugën e drejtë të indinjatës morale.
Pyesni libërshitësit !
Duhet të jemi në gjendje, pra, të dallojmë midis gjesteve dhe akteve kulturore që i shërbejnë drejtpërdrejt një autori dhe pritjes së tij nga lexuesi, dhe gjesteve dhe akteve që i shërbejnë një morie njerëzish dhe institucionesh, të cilët kërkojnë të mbijetojnë dhe të riprodhohen, duke u ushqyer me emrin, veprën dhe reputacionin e atij autori.
Historia tregon se ndërhyrjet e shtetit në kulturë, për të ngritur disa vlera (dhe paralelisht për të ulur ose mbajtur në heshtje disa të tjera) kanë natyrë autoritare dhe kundërprodhuese. Sa më shumë që të promovohet një autor, nga fytyra qeveritare dhe entuziazëm kitsch, aq më antipatik do të bëhet ai për lexuesin.
Camaj është ende pak i njohur, që të sakrifikohet në muret e Rozafës kombëtare : Camaj ka vërtet nevojë të mbrohet nga shteti, por vetëm në kuptimin që të mbahet larg sallave ku riprodhohen institucionet dhe hierarkitë shtetërore të kulturës.
© 2020, Hajro Emiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
22,614 | https://peizazhe.com/2016/06/05/nje-rakete-nga-bashkia/ | null | 2016-06-05T23:30:40 | NJË RAKETË NGA BASHKIA | Në vazhdën e debateve të këtyre ditëve rreth parkut të liqenit dhe protestave të shoqërisë civile, doli një lajm se Eljan Tanini, një prej aktivistëve kryesorë kundra ndërtimit në park, paska fituar një projekt për ndërtimin e një skulpture të ashtuquajtur “Raketa” në zonën e ish Fushës së Aviacionit.
Interesante është se, në këtë mes, duket se lajmin e përbënte Eljani, dhe jo skulptura vetë. Në të kundërt, dyshoj fortë se do të merrnim vesh gjë për “Raketën”, përveçse kur ta shihnim duke u inaguruar prej kryetarit.
Problemi është që mua, si një banor i zonës, “Raketa” më intereson në vetvete si e tillë, dhe jo vetëm si subjekt i një show mediatik mes bashkisë dhe shoqërisë civile.
Në vitin 2011, kur kryetari i atëhershëm i bashkisë Edi Rama e inaguroi këtë hapësirë, e cilësoi me të drejtë si një model të ri të zhvillimit urban, ku komunitetit nuk i ofrohej vetëm një batërdi betoni e hekuri, por një park, një pedonale, lodra për fëmijë, etj.
Fakti është që prej asaj dite, parku ka degraduar në gjendje të mjerueshme, si pasojë e një angazhimi mediokër nga ana e bashkisë në mirëmbajtjen e tij të vazhdueshme.
Ka nje disproporcion përherë e më të madh mes hapësirës së betonizuar dhe asaj të gjelbër ; ajo e para vazhdon të rritet si pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme për bare dhe biznese gjithfarësh, teksa e dyta reduktohet nga dëmtimet dhe mosmirëmbajtja.
Të gjithë fushat e basketbollit dhe futbollit të ndërtuara për të luajtur fëmijët e të rinjtë, janë shkatërruar dhe lënë në mjerim të plotë.
Shatërvanët, të cilët punuan vetëm pak ditë pas inagurimit, tashmë përngjajnë me makrofagë prej betoni, të gatshëm për të gllabëruar gjithë ç’kanë pranë vetes.
Pamje të viteve 90-të, me pirgje të tërë rrobash (më saktë ekskrementesh) të ardhura prej kushedi se ku dhe që shtrihen dingazi mbi asfalt për t’u kontrolluar prej qindra e mijëra duarsh, mund të shihen ende të gjalla në pedonale.
Lloj lloj motorrësh picerish (ose kamikazët, sic i quajmë rëndom në qytet), që rrezikojnë përditë këmbësorët dhe sidomos fëmijët.
Kam arritur një ditë të numëroj mbi 80 qen rrugësh vetëm në pedonale (seriozisht), mbartës të kushedi se çfarë sëmundjesh pre-hitorike që shkenca sot i njeh vetëm nëpër librat.
Sikurse ka dhe nga ata qen të shëndetshëm e të fryrë, me bishtin shpesh të prerë, natyrisht me pronarë, emrin ua thonë pit-bull, e që bëhen subjekt ndeshjesh emocionuese gjatë orëve të mbrëmjes.
Akoma dhe më problematik është rasti i disa gropave të frikshme të hapura dikur për një pallat i cili nuk u ndërtua kurrë. Gropat prej kohësh janë kthyer në moçalishte, ku një kor pothuajse profesionist bretkosash jep shfaqje cdo natë, perpos gjithë qelbësirash e mushkonjash që kanë gjetur oazin e vetë.
Në këtë kontekst, unë dhe banorët, marrim vesh se këtu do na u ndërtoka një skulpturë, 12.5 metra.
Ja diçka për të qeshur : në mes të gjithë kësaj problematike, ku ne ndjejmë nevojën urgjente për ndërhyrje të qënësishme nga ana e bashkisë, kjo e fundit pa u konsultuar me askënd, na marrka një vendim që të na mbushi lagjen me simbolikë dhe art të hollë. Si të thuash, parkun nuk ua garantojmë dot, por po u japim simbolikë!
Dhe këtu vjen prapë Eljani, i cili me të drejtë protestoi bashkë me qytetarë të tjerë kundra ndërhyrjes në parkun e liqenit, mbi të cilin bashkia veproi jo vetëm pa asnjë farë transparence dhe konsultimi me qytetarët, por ndoshta edhe jashtë cdo konteksti ligjor (po për këtë nuk e vë dot dorën në zjarr ; në fund të fundit këtu edhe ligjin e kopsit kur ta do puna).
Lodra dhe parqe për fëmijët duhen ndërtuar patjetër, por ky lloj modeli duhet filluar prej ambjenteve të aksesueshme nëpër lagjet, dhe jo duke sakrifikuar një park si ai i liqenit, që përndryshe e kryente mjaft mirë funksionin e vetë edhe ashtu sic ishte.
Ish Fusha e Aviacionit pra, dhe jo vetëm ajo por edhe lagje e lagje të tëra, të ngërthyera mes gurësh dhe asfalti dhe makinash dhe lokalesh : ky do të ishte një model për t’u ndjekur. T’ja çosh fëmijës parkun dhe lodrat në lagje, për të rifilluar një marrëdhënie që dikur ka ekzistuar mes komunitetit dhe hapësirës ku jeton, marrëdhënie e cila fatkeqësisht tashmë kufizohet vetëm me ashensorin dhe parkimin e makinës.
Ironike vërtetë, sesi Eljanit nuk i shkoi kjo ndër mend kur protestonte për parkun, por ndërtimi i një skulpture. Dhe sa e gatshme ishte bashkia për më tepër.
Kjo paraqitje diapozitivash lyp JavaScript.
|
14,965 | https://peizazhe.com/2014/03/12/martesa-e-halilit/ | null | 2014-03-13T01:33:23 | MARTESA E HALILIT | nga Gjergji Shuka
Kënga Martesa e Halilit është sot një ndër më të njohurat e Ciklit shqiptar të Kreshnikëve dhe arsyet mund të lidhen me subjektin mjaft tërheqës, poezinë e përshkrimeve dhe përgjithësisht të gjithë mënyrën magjepsëse të rrëfimit prej rapsodit Mëhill Preka. Njëkohësisht gjashtëqind e shtatëdhjetë e katër vargjet që e kompozojnë kanë një vlerë të konsiderueshme historike dhe gjuhësore.
Kërkimi mbi këtë pjesë të vyer të epikës sonë, nisi me dallimin e afërsive fonetike mes emrit të gjeneralit dardan Germanus Anici dhe emrave apo patronimeve të heronjve të epikës dhe të legjendave të shqiptarëve, malazezëve dhe sllavëve myslimanë; dhe për pak kohë u përqendrua në vetë këngën “Martesa e Halilit”, në të cilën emri i heroinës Tanushë na kujton atë të princeshës ostrogote Matasunta, gruas së dytë të Germanusit.
Në rrafshin historik kërkimi vijoi; mbi ngjarjet e martesës, në gjithë historinë e gjeneralit dardan, në ngjarjet e konfliktit bizantino-vandal në Afrikën veriore të viteve 530; dhe përfundon, për këtu, me paraqitjen e korrespondencave mes vargjeve dhe pasazheve të përkthyera prej teksteve historikë të Mesjetës së Hershme; më së shumti prej kronikave të historianit Prokop i Cezaresë.
Të dhënat e transmetuara në shekuj në malësitë e Nikaj-Mërturit janë të mjaftueshme për të kuptuar dhe vërtetuar se poetë mesjetarë arbër e kanë ndërtuar fillimisht në formën e një poeme të gjatë gjestesh duke u mbështetur në një bazament të konsiderueshëm informacionesh të marra sidomos prej veprës së Prokopit, por do të shohim gjithashtu në shkrimet në vazhdim prova të tjera që e vërtetojnë këtë fakt.
Në shkrim janë paraqitur; në fillim shkurtimisht paralelizmat më të dallueshme mes historisë dhe elementëve të epikës; më pas në pjesën e dytë është propozuar kuadri historik të cilit i referohej, ose mund t’i referohej, rrëfimi i vendosur në poemën burimore; dhe në pjesën e tretë janë sqaruar korrespondencat mes vargjeve dhe çdo informacioni historik të transmetuar që ishte e mundur të kuptohej.
Megjithëse objekti i këtij studimi mbetet gjithnjë vetë kënga e malësorëve shqiptarë; përmenden në të episode të poezisë epike të popujve të tjerë, dhe sidomos të lëndës së Francës. Në vetvete dallimi i lidhjeve mes epeve francezë dhe ballkanikë nuk është një risi; afërsi të shumta dhe shpesh befasuese mes Cikleve më të vjetra franceze me këngë të epikës shqiptare dhe sllave – apo elementë të toponimisë dhe historisë arbre të vendosur në poema franke – janë dalluar duke nisur prej fundit të shekullit XIX nga folkloristë të huaj dhe shqiptarë. Po përmendim këtu emrat e autorëve; Aleksandr Veselovskij, Nikola Banašević, Henri Grégoire, André Vaillant, Kolë Luka dhe Moikom Zeqo. Ndërkohë që pjesët e eposit francez të shënjuara si mbartëse të paraleleizmave me epikën ballkanike janë; Cikli i Gijomit hundëshkurtër (Guillaume au cort nez), poema «Roman de Florimont » dhe Poema e Rolandit; sidomos një pjesë e veçantë e kësaj të fundit, e njohur përgjithësisht me emërtimin « Episodi i Baligantit ».
Në shkrim do të flitet për korrespondenca të mëtejshme dhe për origjinën, të paktën pjesore, të Ciklit të Gijomit, Episodit të Baligantit dhe këngëve të tjera ballkanike nga epika arbëre e shekullit XI, dhe megjithëse, sa për tani, referimet janë në funksion të kuptimit apo vërtetimit të të dhënave të këngës së Halilit dhe Tanushës, studime mbi eposin e fqinjëve ballkanikë dhe lëndën e Francës do të pasojnë në një të kohë jo të largët.
Në përgjithësi bibliografia e kronikave dhe përmbledhjeve me poezinë epike çon drejt veprave që mund të gjenden të publikuara në internet, ndërkohë që për lexime të mëtejshme mund të konsultohen edhe dy shkrime të Xhaxhait në këtë blog, të cilat më kanë ndihmuar për studimin; Rolandi në Epir dhe Gjuha e Halilit.
Shënim: kapitullin të plotë mund ta lexoni këtu.
|
15,393 | https://peizazhe.com/2014/05/04/cfare-mund-te-beje-shteti-me-gjuhen/ | null | 2014-05-04T12:19:48 | ÇFARË MUND TË BËJË SHTETI ME GJUHËN? | nga Dr. Vincent W.J. van Gerven Oei
Qëkur mbërrita në Shqipëri në fund të vitit 2010, e kam ndjekur me interes debatin e këtushëm për gjuhën standard dhe imponimin, mbrojtjen dhe ndryshimet e mundshme të saj. Vjet madje përgatita një artikull të gjatë për revistën letrare hollandeze nY, të titulluar “Staatstaal en taalstaat” (“Gjuha e shtetit dhe gjendja [literalisht: shteti] i gjuhës”), që ishte një hulumtim i rolit që luajti njësimi i gjuhës shqipe, në konsolidimin e shtetit shqiptar.
Një nga idetë e mia ishte që, nëse në vendet fqinje feja e përbashkët ofronte një forcë lidhëse në ngjizjen e lëvizjeve kombëtariste, në rastin e Shqipërisë ky rol i kish mbetur shqipes si gjuhë e përbashkët. Kjo varësi nga gjuha e përbashkët si garanci e një kombi të njësuar ende përmendet në debatet e tanishme rreth gjuhës shqipe standard.
Tani vonë, një grup prej njëzet autorësh i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama që të mos miratojë ndryshimin e shqipes standard, por të ngulmojë për përdorimin e saj korrekt anembanë Shqipërisë. Kjo mund të shihet si përgjigje ndaj propozimeve që janë përsiatur në publik, mes të tjerash nga Akademia e Shkencave, për të përfshirë elemente të ashtuquajtura “gegë” në një gjuhë standard të re, me gjasë më të drejtpeshuar. Meqë blogu ku po del ky tekst i ka kushtuar kohë dhe hapësirë të madhe debatit për reformën gjuhësore, nuk është qëllimi im të ofroj edhe një opinion tjetër të radhës krahas atyre të autorëve të tjerë, shumë më të kualifikuar. Përkundrazi, do të doja të ofroj një studim të shkurtër dhe krahasues me gjendjen e gjuhës në Holandë, për t’i dhënë një përgjigje të mundshme pyetjes që shfaqet në titullin e këtij teksti: “Çfarë mund të bëjë shteti me gjuhën?” Mendoj se kjo është një nga çështjet kryesore që duhen prekur gjatë debatit të tanishëm në Shqipëri për reformën gjuhësore, dhe se holandishtja meriton të studiohet në këtë vështrim, meqë shumë paralele mund të hiqen midis gjendjes në Holandë dhe asaj në Shqipëri.
Dhe po e them që në fillim përgjigjen e pyetjes më sipër: fare pak.
Në Holandë, gjuha standard quhet holandishtja standard. Holandishtja standard flitet dhe shkruhet në Holandë, në Flandër (Belgjika veriore), Surinam dhe në pak koloni të mbetura në Karaibet. Një institucion i quajtur Bashkimi për Gjuhën Holandeze kujdeset për rregullat e holandishtes standard nëpërmjet konvencioneve ortografike, botimit të listave të fjalëve, fjalorëve dhe kështu me radhë. Kjo holandishte standard mund të krahasohet me shqipen standard të sanksionuar nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në 1972.
Holandishtja standard është gjuha e folur nga, për shembull, spikerët e lajmeve në televizionin kombëtar, politikanët kombëtarë dhe në sistemin arsimor. Megjithatë, njëlloj sikurse shqipja standard bazohet në toskërishten, holandishtja standard flitet “natyrshëm” vetëm në provincën e Holandës Veriore, rreth qytetit të Haarlem-it. Kudo gjetiu në zonën e holandishtes, folësit rriten duke folur dialekte të ndryshme, edhe pse të gjithë e mësojnë holandishten standard në shkollë. Dhe, njëlloj si në çdo komunitet tjetër gjuhësor, gjen diferenca gramatikore dhe leksikore mes folësve, të cilat varen nga mjedisi social, arsimimi, prejardhja etnike, etj.
Holandishtja standard ndryshon shumë nga një grup dialektesh (të cilin disa madje e quajnë gjuhë) që flitet në Flandër. Këto dialekte, që njihen me emrin e përbashkët flamandishte, ndryshojnë po aq shumë nga holandishtja standard, sa edhe disa dialekte të gegërishtes në Kosovë ndryshojnë nga shqipja standard, dhe keqkuptime komike si ai midis Ramës dhe Thaçit së fundi (“A nirthte?…”) ndodhin po aq rëndom. Njëlloj si Kosova dhe Shqipëria, Holanda dhe Belgjika kanë qenë pjesë e një shteti të bashkuar për një periudhë të shkurtër historike dhe, për ta plotësuar analogjinë, ka edhe një grup kolonistësh holandezë që, si arbëreshët në Itali, u larguan nga Holanda për t’u vendosur në Afrikën e Jugut, ku ende sot e kësaj dite flitet një formë e veçantë e holandishtes, e njohur si afrikanishte (Afrikaans). Ka edhe një pakicë të vogël në veri të Holandës, të ngjashme me pakicën greke në Shqipërinë e Jugut, e cila flet një gjuhë krejt të ndryshme – frizishten. Të drejtat e kësaj pakice rregullohen me ligj dhe frizishtja, për shembull, mund të mësohet në shkolla dhe lejohet të përdoret si gjuhë në gjykatat lokale.
Tani le të përpiqemi të ngremë një numër analogjish të ndërlidhura me debatin e tanishëm për reformën gjuhësore të shqipes. E para do të lidhej me nevojën për ta “ndrequr” shqipen standard pas gjase të imponuar nga shteti, duke përfshirë në të “elemente të gegërishtes”. Këtu sillet zakonisht shembulli i ndërtimit të tipit me + pjesore si alternativë ndaj formës për të + pjesore, p.sh.: me punue në vend të për të punuar.
Le të përfytyrojmë sikur një grup intelektualësh flamandë të ngrihej dhe t’i sugjeronte shtetit holandez se holandishtja standard duhej pasuruar me disa ndërtime të flamandishtes, si dëshmi e pasurisë së holandishtes dhe ngaqë holandishtja standard është produkt i shtypjes së provincave jugore nga provincat më të pasura veriore.
Tani, argumentet e sjella nga intelektualët flamandë do të qëndronin, në vetvete; ndryshe nga holandishtja standard, flamandishtja ka ruajtur shumë elemente “arkaike” të holandishtes, të tilla si eptimin rasor; dhe më tej, e vërteta është se holandishtja standard u bazua në dialektin e Amsterdamit meqë ky qytet ishte më i fuqishmi, gjatë Rilindjes Holandeze.
Megjithatë, asnjë nga këto argumente nuk do të mjaftonte që shteti të bënte ndryshime në holandishten standard. Jo vetëm që ndërtimet “origjinale” të flamandishtes janë të panjohura për shumicën e folësve të holandishtes meqë ato nuk studiohen në shkolla; por edhe, pasi të pranohet një ndreqje e tillë, ajo do të vendoste një precedent për shumë ndryshime të tjera të mëvonshme. Për shembull, në qoftë se përfshijmë kallzoren në holandishten standard, pse të mos përfshijmë edhe format e zhdrejta të përemrave lidhorë (që i ka flamandishtja) ose edhe tonet (që i ka dialekti limburgian); ose pse të mos përfshijmë edhe një dallim në mënyrën si shqiptohen ch dhe g (mbi lumenjtë kryesorë të Holandës dhe në holandishten standard, këto shqiptohen njëlloj; nën lumenjtë, ndryshe).
Përpjekjet për të kënaqur preferencat individuale të (grupeve të) folësve të holandishtes nuk do të mbaronin kurrë. Duke lejuar ndryshime të tilla “rrënjësore” do të minonim funksionin e holandishtes standard, i cili është të ofrojë një standard – përmes sistemit arsimor dhe mediave kombëtare – në të cilin gjithkush që flet një variant të caktuar të holandishtes, të jetë në gjendje të komunikojë me të tjerët dhe me shtetin.
Edhe pse kjo mund të mos na pëlqejë, gjuha standard është nga gjërat më konservative në botë. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se nuk mund të ndryshojë. Për shembull, anembanë trojeve ku flitet holandishtja, duket se nyja shquese asnjanëse het po zhduket dalëngadalë. Fare mirë mund të presim që, pas pesëdhjetë ose njëqind vjetësh, kur shumica e folësve të holandishtes të mos e përdorë më het dhe ta ketë zëvendësuar me de, kjo rregull gramatikore të ndryshojë. Por kjo vetëm në qoftë se një ndryshim i tillë i rregullave zyrtare të mos ngrejë peshë për përdoruesin e gjuhës së përditshme. Në fakt, shteti nuk mund të ndërmarrë ndryshime të standardit, përveçse në rrethana të një regjimi shtypës.
Mund të përfytyrojmë një skenar tjetër, kur një gjuhëtar zbulon një thesar të mrekullueshëm fjalësh të harruara të holandishtes, të cilat mund të zëvendësojnë për bukuri neologjizmat e ndryshëm që kanë “ndotur” gjuhën holandeze gjatë shekujve. Për shembull, ky gjuhëtar zbulon fjalën flamande wentelwiek, e cila i referohet atij objekti, të cilin holandishtja standard e quan helikopter.Gjuhëtari ynë do të shpjegonte se wentelwiek është “shumë më tepër holandisht” se huazimi grek (përmes frëngjishtes) helikopter. Dhe ai mund të ketë të drejtë, në kuptimin se edhe wentelen (vërtit, përdredh) edhe wiek (flatër) kanë prejardhje gjermanike, pa çka se, ndryshe nga wentelwiek, fjala helikopter përdoret në të gjitha shkollat e vendit. Pra cila fjalë është, në analizë të fundit, “më holandeze”? (Fakt zbavitës: te zëri “helikopter”, në Fjalorin Etimologjik të Holandishtes, lexojmë: “Ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme për të futur purizmat hefschroefvliegtuig dhe wentelwiek.”) Kjo nuk do të thotë se holandishtja është e pambrojtur ndaj dyndjes së fjalëve të huaja, pa çka se, si gjuhë, ajo gjithnjë ka qenë shumë mikpritëse ndaj huazimeve prej gjuhëve të tjera. Mirëpo një fjalë e huazuar pushon së qeni huazim në momentin që hyn në ligjërimin e përditshëm dhe në tekstet; dhe në këtë kuptim, helikopter është fjalë e holandishtes, pavarësisht nga prejardhja e saj greko-franceze.
Për shembull, fjala holandishte beamer është huazim nga anglishtja, edhe pse kuptimi i saj (“projektor”) është tjetër nga ai me të cilin përdoret në anglishte. Një rast i ngjashëm, me shqipen, do të ishte famëkeqja kinge, e një huazim nga anglishtja tashmë i përshtatur me një prapashtesë të gjinisë femërore. Si mund të pretendohet se kinge nuk është fjalë shqipe? Gjithsesi, fjalë të reja krijohen përditë në holandishte. Shembuj të mirë do të ishin doemdenker (pesimist) dhe regelneef (ndërmjetës, sekser), dhe tani së voni otofoto (selfie). (Fakt zbavitës: të gjitha këto fjalë janë krijuar prej të njëjtit autor, Kees van Kooten.) Fjalët e reja nuk krijohen prej gjuhëtarëve hulumtues të emrave të bimëve të rralla ose pjesëve të një mulliri të vjetër me erë, por prej poetëve, autorëve, politikanëve dhe figurave të tjera publike që ndërhyjnë në debatet publike dhe sajojnë fjalë që “zënë vend.” Askush tjetër s’mund ta bëjë këtë, dhe aq më pak shteti!
Prandaj, në bazë të këtij ushtrimi të shkurtër në imagjinatë, mund të sugjerojmë se:
Ndërmarrja e reformave me natyrë sintaksore ose morfologjike potencialisht jetërson një masë të madhe të popullsisë nga gjuha që ata përdorin përditë në komunikim me njëri-tjetrin dhe me shtetin; çka minon funksionin thelbësor të një gjuhe standard. Një reformë e thellë, siç do të ishte përfshirja e paskajores me punue mund të ketë sukses vetëm në qoftë se (pothuaj) të gjithë tashmë e përdorin këtë formë në të gjitha nivelet e komunikimit. Por nuk është ky rasti i tanishëm.
Futja puriste e fjalëve të rralla “të humbura” për të zëvendësuar fjalët “e huaja” nuk mund të imponohet anembanë vendit nëse nuk ekzistojnë disa rrethana të caktuara, p.sh. në komunitete të vogla dhe të kufizuara me pak ndikime të huaja (Islanda) ose nga një institucion i respektuar dhe me status të padiskutueshëm, si Académie française në Francë. E vetmja rrethanë tjetër që vjen në vështrim, është diktatura, si në rastin e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Përndryshe, fjalët e reja zënë vend vetëm kur mbushin një zbrazëti në ligjërimin e përditshëm, e cila ende nuk është zënë nga ndonjë fjalë tjetër. Këto dinamika duket se përkojnë shumë më tepër me nocionin e optimizimit, sesa me atë të imponimit nga shteti.
Po çfarë mund të bëjë shteti, kur vjen puna për reformën gjuhësore, pa iu kundërvënë komunitetit të përdoruesve të gjuhës? Ja, mund të punojë pak me drejtshkrimin. Në fakt, reformat arbitrare të drejtshkrimit janë bërë një nga engledisjet kombëtare në Holandë, teksa një numër ortografish “të rishikuara” janë propozuar gjatë njëzet viteve të fundit. Po çfarë reformohet në këtë rast? Siç mund të pritet, gjëra që askush nuk i vë re, kur e përdor gjuhën: nëse do të përdoren dy pika apo një vizë ndarëse me disa fjalë (zeeëend ose zee-eend), nëse do të shkruhet një n në emrat e përbërë apo jo (pannekoek ose pannenkoek), dhe të gjitha këto, natyrisht, të shoqëruara me lista të gjata përjashtimesh dhe rregullash që bien ndesh me intuitën. Kjo gatishmëri për reformë ka arritur një nivel të tillë absurditeti, saqë në Holandë aktualisht po përdoren dy (në mos më shumë) drejtshkrime: njëri i mbështetur nga shteti dhe nga Bashkimi për Gjuhën Holandeze (i quajtur “Librushka e gjelbër”) dhe tjetri i mbështetur nga botuesit e mëdhenj dhe gazetat (i quajtur “Librushka e bardhë”).
Duke pasur parasysh çka u tha më lart, nuk do të habitemi me faktin se propozimet kryesore për reformën drejtshkrimore të shqipes që kanë qarkulluar së fundi, lidhen me çështjen e ë-së së pazëshme.Çfarëdo që të vendoset për të, ne s’do ta dëgjonim dot! Megjithatë, le ta kemi të qartë: edhe kur vjen puna për një shkronjë relativisht të parëndësishme, si ë-ja e pazëshme, ajo është unike për shqipen dhe mbizotëruese në “imazhin e fjalës” për këtë gjuhë dhe në mënyrën si duken tekstet e shkruara. Edhe këtu do të ishte me vend, para se të merrej ndonjë vendim i nxituar, të mbaheshin parasysh shembuj nga historia tani së fundi e reformave (të dështuara) të drejtshkrimit në frëngjishte dhe në gjermanishte. Në Francë, edhe thjesht sugjerimi për të hequr theksin cirkumfleks në ô-në e fjalës hôtel gati shkaktoi një revoltë publike; dhe janë të shumtë gjermanët që ende vajtojnë humbjen e ß-së elegante dhe refuzojnë të pranojnë reformimin e saj në ss. Këto shkronja të pazakonshme janë bërë pjesë e identitetit kombëtar dhe kam një ndjesi se e njëjta gjë vlen edhe për ë-në e shqipes.
Pra, në mbyllje të kësaj eseje, arrijmë në një paradoks mahnitës: edhe pse gjuha standard është një nga forcat më konservative në shoqëri, ajo është aq konservative, sa edhe shteti nuk mund ta ndryshojë dhe as, përkundrazi, ta mbrojë. Dhe kështu duhet të jetë, meqë nuk është ky funksioni i një shteti ndaj një gjuhe kombëtare. Çfarë mund të bëjë shteti është ta përdorë gjuhën standard në mënyrë dinjitoze dhe gramatikisht korrekte. Kjo vlen për ligjëratat politike brenda dhe jashtë parlamentit, fjalimet presidenciale, konferencat e shtypit, etj. Çfarë mund të bëjë shteti, është edhe të sigurojë një infrastrukturë arsimore adekuate, e cila t’i japë mundësi çdo qytetari shqiptar, pavarësisht se ç’variant të shqipes flet në shtëpi, që të komunikojë me shqipfolësit e tjerë brenda dhe jashtë vendit dhe të gëzojë të drejtat e veta të plota si qytetar, në marrëdhënie me qeverinë dhe sistemin juridik. Kjo nuk ka fare të bëjë me “dashurinë për atdheun”, “rishikimin e historisë” ose ndonjë “detyrë të shenjtë”, por ka shumë të bëjë me kujdesin e shtetit për shoqërinë. Shteti nuk duhet të kujdeset, pra, për gjuhën; por për përdoruesit e saj.
[përktheu nga anglishtja: AV. Versioni origjinal mund të lexohet këtu.]
(c) 2014, autori. Për përkthimin shqip, (c) Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen e autorit.
|
17,030 | https://peizazhe.com/2014/12/25/kyltyr-nga-vjena/ | null | 2014-12-26T00:54:59 | KYLTYR NGA VJENA | E kam të vështirë të përfytyroj çfarë ju shkon në mendje kur dikush ju përmend Koncertin e Vjenës; e pranoj se më fatlumëve prej jush do t’ju përhihej veç një monolog i improvizuar, mjaft i njohur, i Keith Jarrett-it; por sa për të tjerët, transpozimi në sallonet e aristokracisë habsburgase më duket i pashmangshëm; dhe, sa për brezin tim, Koncerti i Vjenës ishte edhe një moment kryekrejet “sublim” (thonjëzat janë të detyruara në këtë rast) si hapje e një viti që nuk mund veçse të ishte, madje detyrohej të ishte vazhdim i të mëparshmit.
Në vitet 1970-1980, Koncerti i Vjenës i Vitit të Ri ishte një nga ato pak evente televizive të RAI-t, krahas ndonjë ndeshjeje ndërkombëtare futbolli, që i transmetohej publikut në Tiranë nga ripetitori i Dajtit; krejt elita kryeqytetëse, dhe jo vetëm, mblidhej para ekranit të vogël për ta ndjekur, paraditen e 1 janarit, me kokën ende të rënduar nga rakia a vera e një nate më parë dhe zemrën të shtrënguar nga ankthi për ndonjë batutë risquée që mund të kish shpëtuar një natë më parë, në pije e sipër.
Nuk më pëlqente dhe aq Koncerti; ndoshta ngaqë paraditja e 1 janarit ishte momenti më i keq, i tërë vitit, për të shijuar artin e rafinuar mittel-europian; ndoshta ngaqë veshi më kërkonte tjetër lloj muzike. E megjithatë, vetëm shumë më vonë, i ndikuar edhe nga leximet, kam guxuar të vë në diskutim statusin artistik të eventit; dhe kjo pasi e kam kuptuar, një ditë, se muzika e luajtur atje – valset, polkat, gallopet dhe marshet gjithfarësh, e kompozuar kryesisht nga familja Strauss – ishte e cekët, shijekeqe, ripetitive dhe pasqyrë e vanitetit të balsamosur të kryeqytetit të një perandorie, të mbetur pezull midis traditës dhe dekadencës.
Njëlloj më vonë kam mësuar edhe një fjalë për kësi dukurish: kitsch. Kur t’ju pyesin tjetër herë se çfarë është pikërisht kitsch-i, mund t’i sillni pa frikë shembullin e Koncertit të Vjenës.
Sipas Umberto Eco-s, një vepër artistike është kitsch jo thjesht ngaqë synon të përftojë efekt sentimental te publiku; por ngaqë vazhdimisht përpiqet t’i sugjerojë publikut se, duke e përjetuar këtë efekt, ai po bëhet pjesë e një eksperience estetike të privilegjiuar.
Megjithatë, përshkrimin ndoshta më të hollë të kitsch-it e ka dhënë Milan Kundera: Kitsch-i, shkruan ai, “shkakton dy lot të ndjekin njëri-tjetrin me të shpejtë. I pari thotë: sa bukur është t’i shohësh këta fëmijë që vrapojnë në bar! Ndërsa i dyti thotë: Sa bukur është të prekesh, së bashku me mbarë njerëzimin, teksa i sheh fëmijët që vrapojnë në bar!”
Duke komentuar këtë pasazh të Kundera-s, Robert Scruton vëren se kitsch-i e zhvendos vëmendjen nga objekti te subjekti, për të krijuar një fantazi emocioni pa koston reale të së ndjerit të këtij emocioni.
Dhe nëse është kështu, atëherë kitsch-i afrohet me bullshit-in, së paku në përkufizimin që i ka dhënë këtij të fundit Harry Frankfurt-i.
Të gjitha këto i gjen edhe në mënyrën si prezantohej Koncerti i Vjenës – që nga skenari ose narrativa e koncertit, me emrat e mysafirëve dhe të autorëve, duartrokitjet oqeanike, veshjet qëllimisht retro të orkestrës plot burra të thinjur dhe të publikut të plastifikuar, dirigjentët me pamje akademike, buzëqeshje të ngrirë prej buratini dhe rrudha të dyllosura, duke filluar që nga metuselahu Willi Boskovsky i brezit tim; mbajtja e skriptuar e ritmit me duartrokitje nga publiku gjatë ekzekutimit të Marshit të Radecki-t (kushtuar një kalbësire imperiale si mareshali në fjalë); mjediset si të pikturuara, skenografi prej ëndrre të zhytura në lule (të importuara nga Sanremo-ja), grila, statuja kinse klasike prej stukoje, ku luheshin baletet; dhe sidomos zëri i ulët, deri në pëshpërimë, i komentatores italiane – shpesh ka qenë Peppi Franzelin – e cila i përcillte të gjitha këto me bindjen se po ia bënte kronikën diçkaje të jashtëzakonshme, kulturalisht titanike; si për shembull, fakti që Annen-Polka i ishte kushtuar perandoreshës Maria Anna von Savoyen (Ohmigod!), dhe trivia të tjera njëlloj kutërbuese naftalinë.
Elitat e Tiranës – sidomos ato kulturore – e shfrytëzonin Koncertin e Vjenës për t’u riprodhuar si shtresë lehtësisht por domethënshëm e distancuar nga shfaqjet më brutale të pushtetit totalitar (çka quhej atëherë disidencë); sepse me prapanicat në zgrip të karriges, qoftë edhe për pak minuta, në sallonet e Vjenës dhe duke dëgjuar muzikën e sherbetosur të Strauss-ëve, i provonin vetes se ishin pjesë e Europës; në gjendje të përjetonin ato ngashërime të holla borgjeze të ornamentit dhe të dantellës dhe të opulencës dhe të përulësisë para shkëlqimit aristokratik, që përndryshe totalitarizmi ua kish mohuar. Rituali i 1 janarit, ose komunioni me kitsch-in vjenez të transmetuar me Eurovizion, ua shpëtonte shpirtin, duke i bërë ndoshta edhe përnjëmend të besonin se, tek e fundit, jeta nuk ishte edhe aq keq; sa kohë që regjimi, gjithë duke mbetur gjakatar dhe anti-njerëzor, ua lejonte megjithatë këtë dekikë të bashkëjetesës imagjinare me pjesën tjetër të kontinentit.
Nuk mbaj mend të ketë pyetur kush ndonjëherë se ç’interes kishte regjimi i Enver Hoxhës & Co., që t’ua shërbente elitave tiranase këtë tortë të zhyer në margarinë të thartuar; këtë piramidë sheqeri pluhur dhe niseshteje; këtë koleksion skulpturash porcelani, njerëzish dhe muzike të balsamosur. As unë nuk e kam pyetur gjë veten atëherë – Koncerti i Vjenës vinte si dhuratë e mirëpritur për të gjithë, dhe ne ishim aq të kapitur nga dieta kulturore gati monastike e gjithë vitit, sa do të pranonim gjithçka krahëhapur, mjaft që të na zbriste nga qielli me valët e RAI-t. Kësisoj, konsensusi elitar i Tiranës për aristokracinë vjeneze dhe kitsch-in e saj të vjetëruar shndërrohej në konsensus për të sotmen totalitare dhe çizmen moniste në zverkun e së përditshmes shqiptare.
Valset e Strauss-it (ose më mirë të Strauss-ëve) u shërbenin kuadrove, teknokratëve, burokratëve, drejtorëve të drejtorive, aparatçikëve, shkrimtarëve, mjekëve, profesorëve, studiuesve, gazetarëve, artistëve, akademikëve, regjisorëve, përkthyesve, kryeredaktorëve, ideologëve, kryetarëve dhe sekretarëve gjithfarësh, anembanë Tiranës, për t’u krekosur para pasqyrës me rrobet e festës, duke ndarë botën në dy grupe të papritura: ata që e prisnin, e ndiqnin dhe e shijonin Koncertin, dhe ata të tjerët që nuk e kishin idenë se ky mbahej ose edhe ekzistonte; mesazhi i fundit i shpresës se, megjithë brutalizimin rutinë, një grimë fisnikërie na kish mbetur ende.
Sot natyrisht nuk e shoh më Koncertin; as muzika, as salla, as koreografitë nuk më thonë absolutisht asgjë, dhe do ta kaloja kohën më mirë edhe thjesht duke ushqyer ketrat në park me kikirik (nuk është vendi këtu të shpalos kredencialet e mia si amator i muzikës dhe të deklaroj se krejt produksioni muzikor i Strauss-ëve dhe të tjerëve si këta nuk e ka vlerën e një valsi të Chopin-it; as të shpjegoj se Vjenën e fin-de-siècle do ta dëshiroja të prezantuar, bie fjala, nga simfonia e parë e Gustav Mahler-it).
E di që e kam gabim; sepse ka shumë mënyra si mund të shihet diçka – dhe ky i Vjenës është një nga ritualet mbi të cilat themelohet krejt kitsch-i kontinental i praruar, ose vetëkënaqësia e të gjithë atyre individëve, klaneve dhe institucioneve, anembanë Europës, që e shohin veten si shtylla të traditës, të pushtetit aristokratik dhe të klasit të lartë që buron nga prestigji. Ndoshta do ta kisha shijuar pa masë, sikur të arrija të ulesha para televizorit dhe ta ndiqja me po aq kureshti dhe lezet, sa ç’ndjek edhe lojën e ngadalshme të kukullave të pispillosura, në vitrinat tradicionale të qendrës tregtare Macy’s, në Manhattan.
Shënim: Shkas për këto meditime u bë ky artikull i Norman Lebrecht, botuar në The Spectator; si edhe në shumë shembuj të tjerë shkëlqimi verbues, format e sotme të luksit vezullues që përcjell Eurovizioni fshehin një origjinë të turpshme: atë të Vjenës së spastruar prej hebrenjve, në vitet e Anschluss-it – e cila nuk ka kurrfarë filiacioni kulturor me Vjenën kryeqytet të Austro-Hungarisë multi-etnike, tolerante ndaj diversitetit dhe ferment zhvillimesh intelektuale dhe artistike të pashoqe, me pjesëmarrjen kritike të komunitetit hebre të atjeshëm. Nuk jam nga ata që mendoj se vijimi i një tradite kushtëzohet pashmangshëm nga origjina e saj; por informacioni i sjellë në artikull më ofroi një shpjegim të ri, kuptimplotë, për refuzimin tim të djeshëm.
|
35,394 | https://peizazhe.com/2020/06/20/gjumi-dhe-vdekja/ | null | 2020-06-20T14:54:38 | GJUMI DHE VDEKJA |
nga Gerasimos Laskaratos
Dëgjova dialogun e mëposhtëm mes Vdekjes e Gjumit:
Vdekja: Mirëmëngjes, miku im!
Gjumi: Lërmë të lutem, se pamja jote më kall datën.
Vdekja: Çfarë gjëje tmerruese kam unë?
Vështromë mirë, thonë që ngjajmë.
Gjumi: Nëse ngjajmë në diçka, nuk ngjajmë për nga pamja jote e neveritshme, e ashpra Vdekje.
Vdekja: Më quan të ashpër, por nëse do me njihje më shumë, do më respektoje më tepër. Jam i nevojshëm për njerëzit, sepse pa mua sipërfaqja e tokës, do ishte shumë e vogël për t’i nxënë të gjithë, pa mua do bëheshin krime të panumërta. Vetëm unë arrij t’i përmbaj njerëzit brenda kufijve të detyrimeve të tyre, i bëj më të ndjeshëm, dhe përmes lavdisë i udhëheq drejt aksioneve të mëdha. Për më tepër çliroj fatkeqët nga dhimbjet e vuajtjet e tyre.
Gjumi: Cilido qoftë ndryshimi mes nesh, njerëzve përgjithësisht u vjen ndot prej teje, ndërsa mua më duan, më japin emrat më të bukur, hidhen netëve gjithë hare në prehrin tim; përmes hireve të mia, u zbus shqetësimet, ndërpres përkujdesjet e tyre dhe u risjell fuqitë. Ndonjëherë, atyre që nguten, u jap kënaqësi më të madhe. Je frika dhe tmerri i gjinisë njerëzore, kurse unë jam Ngazëllimi.
Vdekja: Po më thua, që njerëzit më urrejnë? Përkundrazi, besoj që më dëshirojnë. A s’ vriten mes tyre për hiçgjë? A nuk bëjnë gjithfarë shpërdorimesh, që të përshpejtojnë ardhjen time? Nëpërmjet sistemeve të reja gjuajtëse, githfarë armëve, aeroplanëve bombardues e luftanijeve, a nuk më ftojnë vazhdimisht? Ndër beteja, a nuk luftojnë në emrin tim? Nëpër luftëra, a s’jam unë gjithmonë fituesi? Çfarë ke ti për të thënë? Cilët punojnë për ty? Vetëm farmacistët dhe ca oratorë.
Gjumi: Më duhet të rrëfej që pamja jote e pështirë, nuk mjafton që njerëzit të heqin dorë nga pasionet e tyre keqndjellëse. Por, pavarësisht kësaj, vazhdojnë të tmerrohen prej teje.
Vdekja: Frikësohen prej meje? Njerëzit mendjelehtë mendojnë që, me kalimin nga bota e tyre në botën tjetër, do vazhdojnë të kenë të njëjtat dëshira, siç kishin dhe më parë në tokë. Për më tepër, ndryshimi ynë nuk është aq i madh. Ty të quajnë vdekje e vogël, mua gjumë i përjetshëm. E sheh, që vetëm nga kohëzgjatja ndryshojmë?
Gjumi: Pikërisht, kohëzgjatja është ajo që i frikëson. Fakti, që njeriu nuk rikthehet në jetë pas vdekjes, është tmerrues.
Vdekja: Sa i padrejtë dhe paradoksal, që është njeriu! Asnjëherë s’u ankua, që fillesa e jetës nuk përllogaritet që në krye të botës, por proteston, që nuk do jetojë të shohë fundin e saj.
Gjumi: Arsyeja është, se tashmë që njeriu njeh jetën, i vjen keq që pas vdekjes s’do ekzistojë më.
Vdekja: Njeriu duhet të mësojë, që jeta është dhuratë e natyrës, që fillimi i saj është zeroja dhe fundi, vdekja. Madje, duhet të dijë, që natyrës duhet t’i jepet, gjithçka që ajo ka nevojë.
Gjumi: E kuptoj, që duhet të zmbrapsem, dhe po zmbrapsem paqësisht, pasi nëse do vazhdoj të debatoj me ty do mposhtem, kur dihet, që askush s’ arrin të mposhtë vdekjen.
Autori: Gerasimos Laskaratos, 1910
Përshtati në greqishten e sotme, Aleksandros Laskaratos
Përktheu në shqip: Eleana Zhako
|
17,873 | https://peizazhe.com/2015/04/12/sipas-meritave/ | null | 2015-04-12T14:51:49 | SIPAS MERITAVE | Megjithëse Shqipëria ka hyrë në rrjedhën botërore të informacionit, të paktën potencialisht, nuk është e thënë që debatet kulturore që hapen në Perëndim mund të zhvendosen mekanikisht në hapësirën shqiptare, pa zhvilluar një reflektim të mëtejshëm. Le të marrim çështjen e meritokracisë.
Meritokracia, term fatlum që shënjon shoqërinë ku përgjegjësitë drejtuese dhe rolet publike u besohen atyre që kanë më shumë merita, inteligjencë e aftësi. Kjo fjalë është përdorur fillimisht me konotacion negativ, por më pas i është dhënë mundësia të tregojë alternativën pozitive të dhënies së posteve në bazë të egalitarizmit, ose ca më keq të nepotizmit.
Debati që lind herë pas here në vendet perëndimore ka të bëjë me aberracionin që sjell meritokracia. Në fakt, termin e krijoi sociologu britanik Michael Young (1915-2002), në librin e tij The Rise of the Meritocracy, të cilin e botoi më 1958. Libri nuk është shkencor, në kuptimin që flet për një shoqëri të imagjinuar ku mbizotëron meritokracia dhe inteligjenca. Për nga tipologjia libri i ngjan pak 1984 të George Orwell. Shoqëria që përshkruhet në libër është regjim despotik, që vë në qendër të vet meritën, duke i ndarë individët sipas kuocientit intelektiv që në fëmijëri. Young praktikisht tallej me zbatimin e një parimi të tillë në shoqëri, e cila nëpërmjet meritokracisë kishte eliminuar klasat e mëparshme, duke i ndarë njerëzit sipas meritave që kishin.
Në një shkrim të vetin për meritokracinë, prof. Damiano Palano, i kujton lexuesit se sociologu Michael Young nuk duroi dot e në një farë pike ndërhyri në debatin për meritokracinë, sepse neologjizmi, sipas tij, ishte shtrembëruar krejtësisht. Ai e kishte shkruar veprën kundër teknikave të matjes së inteligjencës, kurse tani meritokracia kuptohej si parim kryesor i një ideologjie antiegalitare. Përveç kësaj, shkrimi i sociologut britanik polemizonte edhe me Tony Blair, duke kundërshtuar rezultatet e sistemit arsimor.
Duhet të pranojmë se termi “meritokraci” është përdorur edhe me kuptim pozitiv, si antidot i barazisë ekstreme midis njerëzve, ose kur flitet për punësimin e njerëzve sipas aftësive e jo sipas njohjeve. Po të tregohemi metikulozë, përdorimi i termit duhet të quhet i gabuar, sepse do të ishte më saktë të flitej për sistem të meritës, qoftë me ndonjë neologjizëm që mund të tingëllojë keq si p.sh. meritueshmëri ose meritësi. Vetë prapashtesa –kraci e komprometon fjalën deri në fund, sepse kemi të bëjmë me forcën, pushtetin, imponimin e meritës.
Kritikët e matjes së meritave, shprehet Palano, e vënë në dyshim “objektivitetin” e mjeteve që i masin ato. Nga ana tjetër, kur flasim për meritë flasim vetëm për një individ, duke harruar veprimtarinë e bashkësisë, pra të shumë njerëzve. Problemi i vërtetë, nënvizon ai, është moral, sepse meritat duhet të vlerësohen në bazë të objektivave që ka shoqëria, kompania ose organizata çfarëdo. Nyja kryesore gjendet tek qëllimi i sistemit, që shpeshherë nuk njihet asfare nga personat që ekzaminohen nga pikëpamja e meritës. Pra objektivat vendosen nga lart, ose nga jashtë. Pastaj, cili është ai arbitër e mbi ç’baza i vlerëson meritat e njeriut? Këtë pyetje të fundit e bën filozofi Roberto Esposito, i cili e konsideron thelbësisht të padrejtë shoqërinë meritokratike. E nuk është rastësi që këto mendime, na përshoqërohen me romane distopike si Divergent e Veronica Roth, ku klasat (fraksionet) caktoheshin në moshë të re me mjete e vlerësime teknike.
Këtu na vjen në ndihmë përvoja e totalitarizmit shqiptar. Ta zëmë se regjimi mori në punë një spiun/hetues, i cili doli më pas se ishte “As” i hatashëm në aktivitetin e vet, një qen roje kufiri, si i thoshin atëherë, me nuhatje të jashtëzakonshme; një që nuk linte njeri pa rrasur brenda për një fjalë goje e që i përdorte të gjitha mjetet për t’i çjerrë maskën “armiqve të popullit”. Rendimentin e punës ky do ta kishte fantastik, me shifra tejet të larta. I zellshëm deri në vdekje. Pra, sipas sistemit meritokratik, do të thoshim se për njeriun e duhur, u gjet vendi i duhur; ose e kundërta. Çdo gjë në rregull? Jo, aspak, sepse “fuksi” ishte caktuar vërtet sipas meritave të tij në atë vend, dhe Pushtetit të atëhershëm i duhej jashtëzakonisht shumë, por qëllimet e asaj veprimtarie ishin rrënjësisht të mbrapshta, sepse padrejtësisht merrnin në qafë jetë njerëzish.
Mirëpo ky arsyetim, që na shpie direkt tek çështja e etikës, na nxjerr përpara një dileme tjetër. Ishin synime të mbrapshta për etikën e sotme, apo për atë të djeshmen? Sepse “lufta e klasave” pa kompromis ishte detyrë e asaj kohe dhe etika e dikurshme ia lejonte atij të denonconte armikun e Partisë. Porse, siç e dinë dëshmitarët e asaj periudhe, kishte si hetues e gjykatës, ashtu edhe policë e gardianë, që nuk e bënin me aq zell punën e tyre, e gjithsesi një gotë ujë ua jepnin të burgosurve, sikurse e bënin ndonjëherë veshin shurdh përballë ndonjë fjale pas rakisë, ose syrin qorr përballë ndonjë antene mbi çati. Cilës etike i përgjigjeshin ata? Sidoqoftë, nga pikëpamja e meritokracisë, rezulton se kategoria e fundit nuk ishte aq e mirë për regjimin totalitar.
Në qoftë se do ta zhvendosnim këtë arsyetim në kohën e nazizmit, do të na kujtoheshin oficerët çnjerëzorë në kampet e përqendrimit, ku meritokracia matej paradoksalisht me shfarosjen e njerëzve të pafajshëm. Kurse po ta kthejmë muhabetin në ditët e sotme, mund të përmendim prodhimtarinë e laboratorëve të drogës, apo aftësinë e trafikantëve të saj. Sa jetë njerëzish kushton kompetenca e një trafikanti? E po ta shtyjmë çështjen në ekonomi, ku të korruptuarit kanë aftësi të pashoqe, mund të pyesnim: Sa varfëri krijon një politikë e korruptuar?
Mirëpo, ky debat ka kuptim në vende me demokraci të konsoliduar. Në Shqipëri, meritokracia rrezikon të marrë detyrimisht konotacione pozitive, për faj të mjedisit kulturor mbizotërues. Le ta pranojmë se shoqëria shqiptare vuan prej kohësh nga e ashtuquajtura miqësi e sëmurë, ose klientizmi (klientelizmi), sikurse është infektuar rëndë nga nepotizmi. Në rastin e klientizmit kemi një sistem marrëdhëniesh ndërpersonale, që ndërtohet mbi shkëmbimin e favoreve, që ka të bëjë me shpërndarjen e të mirave, jo në bazë të së drejtës ose meritës, por në bazë të njohjeve dhe interesit.
Nepotizmi duket më i thjeshtë si mekanizëm, edhe pse bazohet gjithnjë tek mohimi i meritës. Fjala rrjedh nga latinishtja nepos dhe i referohet periudhës mesjetare kur disa papë e ipeshkëv u jepnin poste e favore fëmijëve të tyre, por që i quanin nipa sepse nuk mund t’i konsideronin si fëmijë natyralë. Në kohët moderne, fjala e ka zgjeruar kuptimin e vet, duke përfshirë favorizimin e paligjshëm e të padrejtë të kushërinjve ose miqve me detyra e ofiqe publike. Pra dukuria është më e gjerë, pavarësisht se etimologjia flet vetëm për nipa. Në Shqipëri, nepotizmi mund të shtrihet deri tek bashkëfshatari, të cilit i jepet një vend pune në shtet thjesht ngaqë vjen nga një krahinë e caktuar.
Të mos harrojmë se shqipja ka edhe shprehjen “i fus mik”, që dikur përdorej më shumë se sa në ditët e sotme. Për një notë të mirë, dikur i fusje profesorit mik, me fjalë të tjera i gjeje një të njohur të përbashkët që i rekomandonte trajtim të mirë në provim. Kjo nënkuptonte që në të ardhmen edhe profesori, mund t’i kërkonte atij mikut ndonjë nder tjetër, ta zëmë një autorizim për lavatriçe, ose për kabinë në plazh. Si të thuash, njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën.
Me kalimin e viteve “miku” erdhi duke u zbehur si mekanizëm; ose më mirë “njohjet” u monedhëzuan, sepse filloi të përdorej paraja si mjet universal rekomandimi. Ky mekanizëm, që duhet të studiohet më tej në shoqërinë parakapitaliste shqiptare, e tregon krimbësinë e vet kur marrim si shembull studentin e mjekësisë. Si dajë, ti vërtet mund t’i gjesh mik profesorit, që t’i japë notë të mirë nipit tënd, ose t’i bësh një dhuratë të çmuar, ose ca më keq, t’i japësh një dorë parà, por ai mjek nesër mund të të operojë në urgjencë, madje pa anestezi, se do t’i humbësh ndjenjat sapo ta shohësh në fytyrë. Më duket se ka pasur edhe një skeç për këtë punë. Por ky model mund t’i aplikohet patentës së shoferit, që drejton automjetin, ose vetë ministrit, që drejton vendin.
Kjo është edhe arsyeja përse e përdorim me kuptim pozitiv fjalën meritokraci, sepse duam që tek një shoqëri të korruptuar si e jona të vlerësohet puna, aftësia, angazhimi, dhe jo aspektet e tjera. Megjithatë, pavarësisht nga pasaktësitë semantike, që mund të korrigjohen duke përdorur një term të ri, nuk mund ta fshehim edhe kontradiktën tjetër. Nuk është e vërtetë se politikani shqiptar fut dikë në punë pa pasur parasysh “meritokracinë”, si p.sh. në rastin kur i gjen punë ministrore drejtuesit të fushatës së tij elektorale, ose militantit të zonës zgjedhore. Politikani pikërisht se ia vlerëson “meritat” i jep një vend pune. A mund të flasim për meritokraci në këtë rast? Siç mund ta kuptojmë pa vështirësi, meritat e punëmarrësit nuk kanë të bëjnë me postin që i jepet, por me të tjera aktivitete, që nuk ka lidhje me punën e shtetit. E këtu shfaqet përsëri çështja e etikës, që ka të bëjë me të gjithë qytetarët, jo vetëm me politikanët.
Bibliografi minimale
Michael Young, The Rise of the Meritocracy, (botime të ndryshme).
Michael Young, Down with meritocracy, “The Guardian”, 29.06. 2001.
Roberto Esposito, La grande ingiustizia di una società meritocratica, “La Repubblica”, 12.12.2014.
Damiano Palano, Meritocrazia, l’utopia «rovesciata» della società dispotica, “Avvenire“, 13.03.2015.
|
18,782 | https://peizazhe.com/2015/07/31/per-nje-albanologji-te-mbeshtetur/ | null | 2015-07-31T12:49:51 | PËR NJË ALBANOLOGJI TË MBËSHTETUR | Lexova me trishtim të madh thirrjen e hapur të prof. Ardian Marashit (drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike), drejtuar Presidentit Nishani, Kryetarit të Kuvendit Meta dhe kryeministrit Rama, në lidhje me humbjen e statusit ligjor të QSA-së pas miratimit të ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.
QSA është kthyer tani, de facto, në një institucion fantazmë, shpjegon Marashi; dhe po përjeton “gjendjen e falimentimit të pashpallur.”
Me aq sa mund të them kështu së largu, mendoj se kjo që i ka ndodhur QSA-së lidhet jo vetëm me dritëshkurtësinë sa karakteristike, aq edhe anti-intelektuale të politikës sot në Tiranë, por edhe me dobësimin e prestigjit të albanologjisë shqiptare, gjatë këtyre dy dekadave të fundit. Megjithatë, arsyeja kryesore që albanologjia në Shqipëri ka marrë tatëpjetën është mungesa e mbështetjes financiare publike për veprimtaritë deri edhe më elementare, që duhet të kryejë një institucion akademik për të përligjur vetveten.
Kjo mbështetje i ka munguar QSA-së edhe kur e ka pasur statusin ligjor; prandaj nuk më duket se kërkesa e Marashit, për rikthim të statusit, do të ketë ndonjë ndikim në fatet e këtij institucioni. Në çdo rast, QSA-ja nuk do të mund të mbijetojë, si qendër e krijimit dhe e rrezatimit të dijes, në qoftë se nuk merr në mënyrë sistematike mbështetjen financiare të nevojshme për projektet e saj. Për fat të keq, midis rënies së prestigjit të institucionit dhe indiferencës me të cilën e ka trajtuar shteti tani vonë, është e vështirë të dallosh shkakun nga pasoja.
Publiku e ruan interesin ndaj albanologjisë, por nuk duket se shqetësohet shumë për fatet e QSA-së si institucionin që e sekreton këtë albanologji brenda Shqipërisë. Ky problem serioz dëshmon, të paktën për mua, se QSA-ja ka dështuar në marrëdhëniet me publikun teksa ka lejuar, nëpërmjet mefshtësisë së vet, që gjithfarë amatorësh, sharlatanësh dhe spekulatorësh të marrin në dorë, në sytë e njerëzve, flamurin e studimeve albanologjike bashkëkohore në Shqipëri.
Për t’u bindur për këtë, mjaft të hedhësh një sy në raftet e librarive dhe të lexosh faqet e gazetave dhe të revistave që botohen sot në Tiranë, ku budallallëqe dhe fantazi obsesive mendjesh të trullosura nga entuziazmi dhe obsesioni shpallen, si pa të keq, kryevepra të dijes albanologjike bashkëkohore; dhe autorët e tyre kremtohen si “mohikanët e fundit.” Një kulturë që ka pasur në gjirin e vet dijetarë të rangut të Çabejt, duhej të kish pasur një sistem imunitar aq të fortë, sa t’i flakte tutje marifete të tilla; dhe që kjo nuk ka ndodhur, nuk mund të mos bësh me faj QSA-në dhe përparësitë e saj.
E vërteta është që albanologët në Shqipëri e kanë parë të arsyeshme të tërhiqen nga skena publike dhe të merren me punët e tyre; ose edhe kur kanë dalë në publik, e kanë bërë për të çuar përpara beteja në të cilat vetë publiku nuk i ka përkrahur, sikurse ka qenë rasti me hapësirën që u është dhënë përpjekjeve për të reformuar drejtshkrimin e shqipes, në një kohë kur problem madhor nuk janë mangësitë e drejtshkrimit, por vetë të kuptuarit masiv të nevojës për të shkruar drejt, ose në mënyrë të njësuar.
Nga ana tjetër, edhe pse qendra e studimeve albanologjike tashmë është zhvendosur drejt Mynihut, Vjenës dhe Cosenza-s e Palermos në Itali, pa mbetur prapa as Prishtina; dhe studime të shkëlqyera në këtë fushë po ndërmerren nga dijetarë anembanë botës, nga Moska në Chicago, sërish studiuesit në Shqipëri mund dhe duhet të vazhdojnë të sjellin prurjet e tyre të pazëvendësueshme; pa çka se kjo mund të arrihet jo nëpërmjet konferencave të zbehta provinciale dhe ritualeve të tjera riprodhuese të hierarkive, por nëpërmjet studimeve të mirëfillta dhe botimeve me peshë.
Tek e fundit, institucionet akademike dhe universitare anembanë botës u qasen studimeve albanologjike nga këndvështrime të ndryshme dhe në përputhje me interesat e tyre specifike, që jo gjithnjë përkojnë me ato të publikut në Shqipëri.
QSA-ja i ka ende specialistët që mund të ndërmarrin studime peshërënda dhe të vazhdojnë kështu pa ndërprerje traditën e çelur nga brezi i dijetarëve që themeluan Akademinë e Shkencave të RPS të Shqipërisë, në 1972. Çfarë i mungon, është mbështetja financiare e garantuar. Megjithatë, nëse vazhdohet kështu, asnjë studiues ambicioz dhe i talentuar nuk do të pranojë të angazhohet më tej në projekte të një institucioni që e kanë lënë pa pará; dhe fundi i albanologjisë në Shqipëri do të shndërrohet në një profeci vetë-realizuese.
Për këtë arsye, më duket e pashpresë thirrja e Marashit, për ta kapërcyer krizën me mjete juridike. Çfarë duhet në këtë moment, është krijimi i një Fondacioni Albanologjik, të kryesuar nga një grup dijetarësh me emër dhe prestigj në publik, i cili të kujdeset për mbështetjen financiare afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të studimeve albanologjike në hapësirën shqiptare, pra në Shqipëri dhe në Kosovë – duke kërkuar dhe siguruar fonde nga burime publike dhe private anembanë botës dhe sidomos në shqiptarët e diasporës; si dhe për ruajtjen dhe pasurimin e thesareve materiale të administruara sot për sot nga QSA-ja dhe që i rendit Marashi në thirrjen e vet.
Dijetarët e QSA-së, studiuesit me eksperiencë dhe ata të rinj, nuk ka pse të trokasin, si lypsarë, në dyert e shtetit, për të kërkuar fonde deri edhe për botimin e revistave shkencore të fushës. Ndërprerja e traditës, madje edhe në detaje, do të ishte me pasoja të rënda për të ardhmen e dijes shqiptare akademike. Një fondacion si ai që përmenda më lart do të shërbente si buffer midis dijes dhe politikës, duke u specializuar njëkohësisht edhe për të mirëmbajtur marrëdhëniet me publikun.
|
38,035 | https://peizazhe.com/2021/03/12/motra-mbe-tenezone/ | null | 2021-03-12T09:02:40 | MOTRA MBË TENËZONË | nga Bardhyl Demiraj
(LMU München)
Debati i hapur së fundi në “Peizazhe të fjalës” mbi gruan (shqiptare) dhe përsiatjet, qofshin këto edhe individuale, ndaj pozicionit të saj në jetën sociale dhe atë kulturore (po-shqiptare) glorifikon rishtas alternativën që përcjell si nëntitull kjo revistë, sepse, ja!!!, kështu qenka e thënë: është gatuar e sendërtuar për “natyra jo aq të qeta”. Prashtu për këtë arsye dhe me këtë rast u josha edhe unë t’i rikthehem një çështjeje të mbetur pezull dikur gjatë analizës gjuhësore-filologjike të tekstit Mallkimet që lëshon ipeshkvi të Enjten e Madhe[1], i cili i takon trashëgimisë së hershme në kulturën e shkrimit shqip në Arealin të Veriut (katolik) e që shpresojmë ta kemi saktësuar ndërkohë se është hedhur së pari në letër më 1704 prej Imz. Ndue Babit (= Msgr. Antonio Babbi) dora vetë gjatë periudhës kur mbarështonte grigjën e vet si ipeshkëv i Dioqezës së Shkodrës: 1703-1728.[2] Bëhet fjalë në këtë tekst për shkishërimet në formë mallkimi që jo vetëm i lejohej, por edhe duhej t’i bënte ipeshkvi gjatë Javës së Pashkëve, bash të Enjten e Madhe, një ditë para të Premtes së Zezë, që përkujton Kryqëzimin e Krishtit. Këtë të drejtë e gëzonte atëbotë vetëm ipeshkvi dhe vetëm atë ditë me anatemuar sipas rastit besimtarë e klerikë që kishin kryer herezi ose shkelje të rënda, përkatësisht sosh që binin në kundërshtim të hapur me të drejtën kanonike dhe nomet e Kishës Katolike-Romake.
Ndër mallkimet e numëruara në tekst me shifra arabe është shi ai i fundit (nr. 19) që bart ende enigma të rastit, sa i përket zbërthimit kuptimor të frazës që ngërthen edhe titullin e këtij punimi: /Kjoft mallëkuem kush baft motra mbë Tenëzon./ Më shumë se një sekuencë sintaksore e rastit ndërmjet njësish të ndryshme leksiko-semantike brenda një fraze komplekse emërore, kemi të bëjmë këtu padyshim me një sintagmë të ngulitur të natyrës frazeologjike, që vjen me thënë se kuptimin e saj nuk e përcjell mirëfilli rrjedha kuptimore që përftohet nëpërmjet bashkëlidhjes së njësive leksiko-semantike në varg. Këtë situatë e qartëson bindshëm përqasja e saj me gjegjësen italisht në të njëjtin mjedis tekstor: it. sorelle giurate, të cilën lejohemi ta përkthejmë fjalë për fjalë, pra qoftë edhe ad hoc si “motra të (për)betuara”, çka mundëson paraprakisht perifrazimin, përkatësisht zbërthimin e kuptimit të sekuencës sonë si motra në besë ndaj Zotit.
A kemi të bëjmë në këtë rast me një përkthim të lirë (ad sensum) të Imz. Babit për gjegjësen italisht (qoftë edhe me radhë të përkundërt), apo hasim këtu sintagma të ngulitura në dy gjuhë të ndryshme që bartin në vetvete të njëjtin funksion, duke shenjuar si të tilla kategori a grup të veçantë personash të gjinisë femërore: ‘femër’, ‘motër’, ‘morgë, murgeshë’ etj., që gëzonin a mëtonin të gëzonin dikur një status të veçantë brenda bashkësisë katolike shqiptare? Kësaj pyetjeje i kam anashkaluar në shkrimet e mia të mëparshme, sepse thjesht nuk isha në gjendje të jepja një përgjigje bindëse, andaj edhe u mjaftova atëbotë paraprakisht t’i përcillja lexuesit në një fusnotë të përbashkët mendime të vjela deri atë kohë për këtë çështje.[3]
Asgjëmangut, edhe në këtë shkrim modest nuk synoj assesi të analizoj në detaj njërën apo tjetrën tezë ase mendim të kumtuar deri sot, por thjesht dhe vetëm dua t’i përcjell lexuesit dashamir një përsiatje alternative timen lidhur me kuptimësinë dhe funksionin përkatës të kësaj sintagme të ngulitur, duke e mbështetur me material dokumentar, të qëmtuar ndërkohë në dy burime kohësh të ndryshme, si vijon:
a) (Kopje) dekreti i Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fide-s, dërguar Imz. Pal Pema Kampsit (dt. 30. nëntor 1743) – AQSH F.132/A, V.1744, D.1 46:
“Dekret i së sipërthënës Kongregatë të Shenjtë:
Shumë i ndritur e i nderuar Imzot si vëlla!
Meqenëse kjo Kongregatë e ka çmuar si detyrë të mbikëqyrjes së saj të hetojë se çfarë është saktësisht zakoni i quajtur vëllazëri [= vëllamëri – B.D.] në besë, të cilin e ka dëgjuar të përdoret në këto anë jo vetëm ndër laikë shekullarë, po edhe ndër klerikë, ka ardhur në dijeni se ky është pikërisht ai zakoni shumë i keq, për të cilin foli aq shumë Shën Gjon Gojarti në Omelinë Contra eos, qui apud se fovent Sorores adoptivas [= Kundër atyre që përkrahin motra të adoptuara – B.D.]. Për këtë arsye ngarkon me anë të kësaj letre zellin baritor të Shenjtërisë Suaj, që të përdorë çdo mënyrë e përpjekje me e zhdukur në Dioqezë këtë zakon kaq të dëmshëm, nga i cili nuk mund të rrjedhin veçse skandale të pahijshme dhe mëkate, duke marrë parasysh afërsinë e familjaritetin që hyn me anë të këtyre gjoja vëllamërive të paligjshme mes personash gjinish të ndryshme dhe me një statusi të ndryshëm. Por klerikëve, e sidomos priftërinjve Ju duhet t’ua ndaloni shprehimisht, me dënime që do t’i gjykoni të përshtatshme, për të zhdukur prej tyre një çrregullim të tillë. E duke pritur rezultatet e veprimit tuaj, mbetem duke lutur Zotin që t’ju ruajë e t’ju mbrothësojë,
Romë, më 30 nëntor 1743…”[4]
Sqarime:
Në këtë dekret mësojmë se Kongregacioni i Shenjtë është i përditësuar me dukurinë sociale të vëllamërisë në besë ndaj Zotit së paku në Dioqezën e Shkodrës, një dukuri kjo që paska rrokur në larminë e saj edhe bashkëjetesën mes personash gjinish të ndryshme jo vetëm ndër besimtarët e krishterë por edhe sish në vetë klerin. Kongregacioni dekreton me këtë rast marrjen e masave të rrepta ndaluese ndaj kësaj dukurie, që vjen me thënë mënyre bashkëjetese, e cila krijonte mundësi abuzimi konkret, pas gjase ndaj Sakramentit të Martesës sikurse ndaj detyrimit të Celibatit. Që në këtë dekret citohet expressis verbis omelia në fjalë e Sh. Gojartit, është kjo një tregues fare i qartë sidomos ndaj rrezikut të cënimit të Celibatit në radhët e klerit e të famullitarëve që strehonin në ospicet e tyre besimtare të seksit tjetër që u ishin përkushtuar tërësisht besimit ndaj Zotit e në të njëjtën kohë përkujdesnin edhe mbarështonin nevojat e jetës së përditshme në kishë.
2) Një pasazh në veprën postume në dorëshkrim të misionarit austriak Msgr. Ernesto Cozzi (1903), Kreu. VII: Gruaja shqiptare, §§ 520-529: Virgjiniteti:
[….. § 529] Veçse në arkivin e famullisë së Shoshit ka një dokument, i cili na tregon se në fisin e Planit ka pasur shumë vajza të reja që, me anë të predikimit dhe të shembullit të mirë të P. Angelo da Braciliano, nga viti 1715 vendosën të marrin statusin e virgjëreshës dhe t’i përkushtohen Zotit, një gjë e pazakonshme në këto krahina. Kur e panë këtë, banorët e vendit menduan të ndërtonin një shtëpi të veçuar për ato murgesha, në mënyrë që t’i kryenin më lehtë punët fetare. Mirëpo Kongregata e Shenjtë romane, me urdhër të Klementit XIII e ndaloi këtë tubim murgeshash në vitin 1763, megjithëse ua lëvdonte qëllimin e mirë dhe dëshirën për dëlirësi, dhe urdhëroi që secila prej tyre të qëndronte në shtëpinë e vet. Ndërtesa ku banonin këto murgesha mund të shihet [sot] e shkatërruar nën kopshtet e shtëpisë së famullitarit të Planit, të cilit i përket edhe sot.
Por me ndalimin e këtij grupimi murgeshash nuk u ndërpre zakoni i të bërit murgeshë [kursiv prej nesh – B.D.]. Dhe shumë vajza tashmë të fejuara pa pranimin e tyre, kur mbërrinin në moshë martese e duke dashur t’i shmangen dhunës, ngjyenin rrobat në të zezë dhe lidheshin me një litar të trashë si murgeshat e hershme të Shën Kjarës, gjë që shkaktoi shumë thashetheme në popull. Misionarët u përpoqën me gjithë fuqinë e tyre t’i bënin të hiqnin dorë nga kjo veshje e çuditshme, por më kot. Madje, një ditë u paraqitën që të gjitha në kishë dhe në mes të popullit të grumbulluar u betuan për virgjëri të përjetshme. Por me kalimin e kohës ky zakon fetar erdhi duke u zhdukur, dhe sot nuk ka mbetur më gjurmë tek malësorët; përveç tre-katër lëneshave që, duke qenë rritur në ndonjë institut fetar në Shkodër, por pa përqafuar urdhrin fetar, u vunë në shërbim të ndonjë misionari, duke çuar një jetë shembullore murgeshash në çdo gjë, edhe në veshje, saqë vetë malësorët i quajnë me emrin murgesh-a(1), për t’i dalluar nga “virgjëreshat” e tjera për të cilat fola më lart, dhe me të cilat nuk kanë të bëjnë fare.
[….]
[Fusnotë (1)]: ose thjesht morg-a. Në malësi përdoret zakonisht ky emërtim për të shenjuar edhe “virgjëneshat” e tjera. Edhe në qytetin e Shkodrës janë me shumicë murgesha të tilla, të veshura tërësisht në të zeza, [e] të mbuluara me shall në këtë ngjyrë. Por vitin e shkuar (1910), krerët e krishterë të qytetit nxorën një ligj, me fuqinë e të cilit “qysh nga ky çast e më pas u ndalohet vashave të mbeten ‘murgesha’ përpos atyre që do të donin të hynin në kuvend. Gjithsesi sosh që e kanë përqafuar ndërkohë këtë status, ato mund të vijojnë në vetvete të mbajnë shallin e zi. Veçse ato murgesha që do të dilnin nga shtëpia jo me këtë shall, por të mbuluara me çarçaf (lenzuolo), tregojnë se do të donin të martoheshin.”[5]
Sqarime:
Pasi është ndalur më parë në përshkrimin e të shpallurit “virgjëneshë” te malësoret shqiptare si dukuri sado anësore e jetës sociale ndër bashkësitë e ndryshme fetare në Shqipërinë e Veriut së bashku me larminë dhe arsyet e shfaqjes, përkatësisht njohjen dhe ndërkalljen e saj në nomet e së drejtës zakonore (§§ 520-528: Verginità), autori i përcjell lexuesit në fillim të paragrafit përmbyllës (§ 529) përfundimin e vet, se gjithçka kishte përshkruar e interpretuar më sipër ishte pjesë integrale e jetës zakonore e nuk kishte të bënte assesi me përkushtimin tërësor vetëm ndaj Zotit, Kishës, përkatësisht kalimit në jetën e murgeshave bash në një vend ku nuk ekzistonin as institucione kulti, të tilla si manastiret.
Parë nga perspektiva e studimit tonë pjesa më domethënese e këtij paragrafi është vazhdimi i tij, ku autori përcjell raste të ngjashme të shpalljes së virgjinitetit vajzëror në bashkëlidhje pikërisht me përkushtimin jetik-shpirtëror vetëm ndaj Zotit, e kushtëzuar kjo me shkëputjen e vetëdijshme, në mos të dëshiruar prej jetës zakonore dhe sociale-ekonomike të bashkësisë ku bënin pjesë. Po aq domethënës është gjithashtu edhe kumti i autorit se këto raste dokumentohen qysh prej fillimit të shek. XVIII dhe se kjo dukuri, megjithë masat parandaluese, të marra kohë pas kohe e rast pas rasti prej Kurisë së Shenjtë, vijoi të gjëllijë në një formë a një tjetër edhe përgjatë shek. XIX e fillimet e shek. XX, anipse gjithnjë në rrëgjim. Tejet domethënëse është sidomos arsyeja, në mos njëra ndër arsyet themelore, se përse vajzat e besimit katolik ndërmerrnin një hap të tillë e krejt të pazakonshëm në jetën sociale-zakonore të bashkësisë që i përkisnin. Ani, sipas autorit “…E shumë vajza, të fejuara ndërkohë pa pëlqimin e tyre e që kishin ardhur në moshë martese, duke dashur t’i shpëtojnë ushtrimit të dhunës [= detyrimit martesor – B.D.], ngjyen robat me të zezë dhe ngjeshën në brez një konop të thjeshtë në mënyrë të ngjashme me murgeshat e vjetra të Sh. Klarisës, [= Santa Chiara-s – B.D.], çka shkaktoi thashetheme të shumta në popull. Misionarët u përpoqën me të mirë për t’i bindur ato që të hiqnin atë veshje të pazakontë, por më kot. Dhe ja që një ditë ato të gjitha u shfaqën në kishë dhe para popullit të mbledhur bënë betimin e përhershëm të dëlirësisë [ndaj Zotit].”
Facit
Edhe pse jemi të ndërgjegjshëm se po shkelim në një fushë të panjohur, që vjen me thënë ende të pastudiuar sa e siç duhet deri sot, shpresojmë të kemi gjetur fillin lidhës midis dukurisë që i nënshtrohet mallkimi i 19-të në listën e shkishërimeve që bënte ipeshkvi të Enjten e Madhe dhe asaj forme të re virgjiniteti – pa tumirje as në familje, fis a Kanun!!! – që ndërmorën qysh në shek. XVIII do Hana shqiptare, parë e konceptuar ky si çlirim prej vargojve të jetës patriarkale dhe normave zakonore diskriminuese ndaj saj. Që kjo dukuri nuk u mbështet madje u luftua në vazhdimësi prej Kurisë së Shenjtë, kjo ka të bëjë më fort me zbatimin papërjashtimor të nomeve dhe kanoneve të Kishës Katolike[6] e pas gjase edhe me rrethanat sociale dhe kushtet materiale-ekonomike aspak të përshtatshme për mbarështimin e kësaj dukurie në trevat malore të Arealit Kulturor të Veriut (katolik) shqiptar.
Priten e janë të mirëseardhura ndërkohë studime në detaj që mund ta tumirin ose ta hedhin poshtë këtë përsiatje paraprake që shtruam këtu për diskutim. Debati aktual në Pejzazhet e Fjalës – një revistë e gatuar (vetëm?) për natyra jo të qeta!!! – është një shtysë fanmirë, e bërë në mot më se të përshtatshëm.
(c) 2021 Bardhyl Demiraj. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autorit.
Bibliografi e cituar
AQSH Arqipeshkvia; Nr. F.132/A, V.1744, D.1 (Bleu i dytë dhe i vetëm i Regjistrit të Arqipeshkvisë së Shkodrës, alias R. i Famullisë së Tophnës)
Cozzi, Ernesto
1903 Fra i Monti d’Albania. Cenni su gli Usi e Costumi delle Montagne di Scutari” Vol. 1 (material në dorëshkrim i redaktuar nga Zef Valentini = Msgr. Giuseppe Valentini e që po përgatitet për shtyp prej Peter Bartl dhe Bardhyl Demiraj.)
Demiraj, Bardhyl
2014 Mallkimet që lëshon ipeshkvi të Enjten e Madhe (1744 ?), në: „Hylli i Dritës” 3-4, f. 140-163, Shkodër
2017 Areali Kulturor i Veriut në shek. XVI – XIX, Onufri, Tiranë
Kamsi, Kolë
1958 Një dokument gjuhësor shqip dhe disa vjersha e materiale gjuhësore të kolonive arbëreshe të Kalabrisë e të Basilikatës, në: BUSHT SSHSH 2 210vv.
Nika, Nevila
2001 Dioqeza e Shkodrës gjatë shek. XVIII sipas dorëshkrimeve arkivore. Shkodër.
Palnikaj, Mark
2020 Dëshmi shkrimi shqip në Regjistrin e Kishës së Shalës në Dioqezën e Pultit (shek. XVIII), në: „Hylli i Dritës” 2, f. 193-197.
Sinani, Shaban
2014 Kodikët kronografikë të Shqipërisë. Shkrime dhe dorëshkrime prej Rilindjes Europiane deri në Rilindjen Kombëtare. Naimi Tiranë
Sheldia, Gjush
1957/8 Kryeipeshkvia Metropoliane e Shkodrës e dioqezat sufragane (Shënime historike). Shkodër.
Shënime:
[1] Demiraj: 2014 140-162; 2017 456-480 – Titujt origjinalë: <Maλekimet chi lescion Vpesckepi Teinten Emaξe> ~ it. <I Scommunicati nel Giovedi Santo>
[2] Demiraj 2017 6vv.
[3] Kështu p.sh. Kolë Kamsi (1958 211), që është, në mos zbuluesi, të paktën botuesi i parë i tekstit shqip, sqaron se: “…baft motra [mbë] Tenzon: probateshë, motrë. Duket se n’at kohë jo vetëm dy djelm u bajshin probatina tue i pi gjakun njeni tjetrit, në nji filxhan me pak raki, por probatinoheshin edhe vajzat. Edhe Arbneshet e Italisë e kanë ruejtë këtë rit që e quejnë “vlamje” e probateshën “motërmë”.” Në atë fusnotë janë shtuar gjithashtu mendimet e dhëna gojarisht ose me rrugë elektronike nga disa kolegë, si vijon: “Sillet si aluzion edhe episodi biblik i dyshimit të motrave të Shën Vasilit ndaj fuqive shëruese të Jezu Krishtit (kumtim nga Matteo Mandalà dhe Shtjefën [Tefë] Topalli), ose ndalesa që i bëhet me kanun femrës për të ushtruar benë si akt kanunor-juridik (kumtim nga Italo Sarro).” (Demiraj 2014 157; 2017 476); ndërsa Sinani (2014 335) pa ndërmarrë paraprakisht historikun e studimit, d.m.th. pa cituar, i bie shkurt si “ndalim kundër vllamërisë e motërmave pa dallim feje.”
[4] Teksti origjinal: “Decreto d[ell]a Sac[r]a Cong[regatio]ne sud[dett]a
Ill[ustrissim]o e Re[verendissim]o M[onsigno]re come Fr[at]ello. Avendo questa Sagra Cong[regatio]ne stimato debito di sua vigilanza indagare in che precisam[en]te consista l’uso, comunem[en]te détto delle Fratéllanze giurate, che hà più volte udito correre in codeste parti non solo frà le persone Secolari, mà ancora frà gl´Ecelasiastici è venuta in cognizione, esser appunto questo quel grande abuso, sul quale fin da suoi tempi declamò tanto S. Gio[vanni] Crisostomo nell’Omelia contra eos, qui apud se fovent Sorores adoptivas. Incarica pertanto in virtù della presente il zelo pastorale di V[ostra] S[antita], che voglia impiegare ogni studio, e premura per abolire in codesta sua Diocèsi un tal pernicioso costume, dal quale non possono derivare che inconvenienti scandali, e peccati atteso l’attaccam[en]to e familiarità, che per mezzo di somiglianti abusive fratellanze s’introduce fra persone di diverso sesso, e di differente stato. Agl’Ecclesiastici però, e singolarm[en]te ai Sacerdoti Ella dovrà esspressam[en]te proibirlo sotto le pene, che crederà convenienti, per più èfficacem[en]te togliere da Essi un tal disordine. E nell’ attendere i riscontri del suo operato resto pregando Dio Il S[ignore] che la conservi, e la prosperi
Roma 30. Novembre 1743
Comme Fr[at]ello
V[ostro] Card[inale] Petra Pref[ett]o
Mons[igno]re Vesc[ov]o di Scuttari N. Antonelli Prosegret[ari]o”
[5] Pasazhi origjinal në tekst: Cap. VII: La donna albanese, §§ 520-529: Verginità:
“529. Devo inoltre notare che questa dichiarazione di verginità non ha alcunché di comune col voto di castità della chiesa, e collo stato monacale religioso che in queste montagne non esiste.
Solo nell’archivio parrochiale di Shoshi avvi una memoria, la quale ci racconta che nella tribù di Plani vi furono molte giovane che mediante la predicazione ed il buon esempio del P. Angelo da Braciliano[5] stabilirono verso l’anno 1715 di abbracciare lo stato verginale e consacrarsi a Dio, cosa insolita in queste contrade. Veduto ciò gli abitanti del luogo pensarono di fabbricare una casa appartata per le dette monache, acciò potessero più facilmente attendere alle cose spirituali. La S. Congregazione Romana però per ordine di Clemente XIII abolì per giusti motivi questa adunanza di monache nel 1763, sebbene ne lodasse il buon proposito e il desiderio di castità, e ordinò che ognuna avesse a rimanere nella propria casa. L’abitazione, ove dimoravano queste monache, si vede demolita sotto gli orti della casa parrochiale di Plani, a cui tutt’ora appartiene. Cessata quella adunanza non cessò però il costume di farsi monaca. E molte ragazze già fidanzate senza il loro consenso, arrivate all’età maggiorenne volendo sottrarsi alla forza, si tingevano in nero le vesti, cingevansi con una rozza fune a guisa delle antiche monache di S. Chiara, il ché cagionò grandi dicerie fra il popolo. I missionari cercarono a tutta possa di persuaderle a deporre quell’insolito vestire, ma indarno. Anzi un dì si presentarono tutte alla chiesa ed in mezzo al popolo congregato giurarono perpetuo voto di castità. Però coll’andar del tempo quest’uso religioso andò scomparendo, ed ora non ne rimane traccia presso i montagnoli; se togli però tre o quattro zitelle che essendo state allevate presso qualche istituto religioso di Scutari, senza abbracciarne poi la regola, si posero al servizio di qualche missionario conducendo in tutto, anche nel vestito, una vita monacale esemplare, si che gli stessi montagnari le chiamano col nome di murgésh-a(1) = monaca, per distinguerle dalle altre „vergini“ delle quali tenni parola, e colle quali non hanno a che fare.
[Shënim/fusnotë (1)]: Oppure semplicemente morg-a. Nelle grandi montagne usassi di solito quest’ultimo termine per designare anche le altre „vergini“. Anche nella città di Scutari si danno in abbondanza di tali murgesha vestite completamente in nero, velate con uno sciallo di questo colore. L’anno scorso (1910) però i capi cristiani della città emanarono una legge in forza della quale „d’ora in poi è vietato alle ragazze di rimanere ‘monache‘ ad eccezione di quelle che volessero entrare in convento. Inoltre quelle che già hanno abbracciato questo stato, potranno perdurare in esso ed usare tutte lo sciallo nero; quelle murgesha invece che uscissero di casa non con lo sciallo ma coperte col çarçaf (lenzuolo), indicano che desiderano di maritarsi.” “529. Duhet të vërej gjithashtu se kjo deklaratë virgjërie nuk ka asgjë të përbashkët me betimin e dëlirësisë që ka kisha dhe as me gjendjen fetare të murgjërisë që në këto male nuk ekziston.
[6] S. Gio[vanni] Crisostomo nell’Omelia (V) Contra eos, qui apud se fovent Sorores adoptivas; ndër të tjera në: Sancti patris nostri Ioannis Chrysostomi Archiepiscopi Constantinopolitani Opera omnia [in duodecim tomos distributa]. Graece et Latine coniunctim edita: ex Bibliotheca Christianissimi Francorum et Navarrae Regis. Fronto Ducaeus Burdigalensis; Societatis Iesu Theologus, variantes lectiones ex Mnss. Codd. erutas selegit, veterem interpretationem editarum olim homiliarum recensuit, aliarum novam edidit, utramq[ue] notis illustravit. Tomus Quartus. Parisiis, Apud C. Morellum, Typographum Regium, via Iacobaea ad insigne Fontis MDCXXXVI / Paris, C. [Claudius] Morellus 1636.
|
7,220 | https://peizazhe.com/2011/04/13/pamje-nga-dritarja-e-banjes/ | null | 2011-04-13T15:29:34 | PAMJE NGA DRITARJA E BANJËS | Fushatën e tanishme, për zgjedhjet lokale, nuk e ndjek dot lehtë, meqë nuk i veçon dot lajmet nga propaganda dhe skriptet e zyrave partiake; në një kohë që sondazhet, siç dihet, nuk i bën kush ose nuk i beson kush.
Unë, me aq sa më vlen fjala, e pata thënë dhe e përsërit që këto zgjedhje nuk duheshin mbajtur tani; ose në rrethanat e një krize institucionale që u krijua brenda shtetit shqiptar pas 21 janarit – vrasjeve të demonstruesve dhe akuzave të Kryeministrit kundër Prokurores së përgjithshme, Presidentit të Republikës dhe kreut të Opozitës.
Nuk kish asnjë arsye për t’i mbajtur këto zgjedhje, përveç kalendarit. Po politikë me kalendar bënin Maya-t, të cilët edhe u zhdukën pastaj nga historia.
Më tërheq vëmendjen edhe varfëria e programeve elektorale nga të dy palët: do të bëjmë këtë, do të bëjmë atë; do të ndërtojmë, do të shtrojmë, do të inaugurojmë, do të sjellim, do të çojmë, do të hapim vende pune… Festë e kohës së ardhme të dëftores, për harenë e të gjithë gramatikanëve.
Ndërkohë shpenzohen miliona për fushatën, të cilat vijnë nga burime jotransparente.
Në Tiranë, normalisht, përplasja politike duhej të orientohej sipas polaritetit kritik qytet-kryeqytet; por nuk kam dëgjuar të thuhet asgjë për emigracionin e brendshëm, ose dyndjen e gjithë Shqipërisë drejt kryeqytetit – çka po e shkatërron nga themelet Tiranën vetë dhe krejt Shqipërinë.
Lobi i ndërtuesve, të cilin disa e quajnë edhe mafie, është i vetmi i interesuar që t’i mbushë pallatet e reja me të ardhur nga provinca dhe të zbritur nga mali; sa për të tjerët, le të luajnë me tramvaje, teksa ndërtuesit vetë mbushin xhepat, kasafortat dhe llogaritë bankare, ndërsa PD-ja e Berishës merr votat që i duhen.
Edhe vetë ballafaqimi personal Rama-Basha është ndotur tashmë nga faktorë që s’kanë të bëjnë me politikën lokale drejtpërdrejt; Rama është lodhur dhe konsumuar si figurë, për shkak të veprimtarisë në krye të opozitës, duke u mbushur me clutter, si kompjuter i vjetër; Bashës i rëndon akuza për përvetësim fondesh të rrugës Durrës-Kukës, akuzë të cilën ai ndoshta arriti ta shmangë formalisht, por kurrsesi jo moralisht.
Ndërkohë, opozita, e cila është nëpërkëmbur nga pushteti qendror dhe ka kohë që nuk merr pjesë në parlament, e ka gati opsionin për t’i shpallur edhe këto zgjedhje si të pavlefshme, nëse humbet. Përkundrazi, nëse qëllon të fitojë e majta (gjëra edhe më të çuditshme kanë ndodhur), atëherë do të delegjitimohet vetë raporti i forcave i dalë nga zgjedhjet parlamentare të mëparshme.
Cilido qoftë rezultati i zgjedhjeve, produkti kryesor i 8 majit rrezikon të jetë, edhe një herë, instabiliteti politik; në një kohë që kriza institucionale e pazgjidhur nuk do të ndihmojë.
Në fushatë për vrasjet e 21 janarit nuk flitet më; as për akuzat pa doganë, që lëshoi kryeministri Berisha kundër institucioneve. Kjo është përshëndetur prej shumëve, por vetëm sa provon amoralitetin e politikës shqiptare; amoralitet i cili nuk mund veçse ta jetërsojë qytetarin nga politika.
Prisja më shumë nga e majta; por obsesioni me Berishën duket se ia ka varfëruar mesazhin. Duke gjykuar nga forumet e mediave online (kampione të opinionit, kur mungojnë sondazhet), duket sikur Berishës dhe të tijve po i kundërvihen më me vendosmëri enveristët dhe nostalgjikët e komunizmit – çka është, në vetvete, katastrofë për të gjithë.
I vetmi indikacion premtues, nga kjo fushatë, është përvijimi i nevojës së ngutshme për një forcë të re politike, e cila ta shndërrojë çështjen morale në flamur, disiplinë dhe kredo të vetën; duke filluar nga vetë-disiplina e pashembullt. Herët a vonë dikush do të lëvizë; le të shpresojmë për mirë.
|
16,408 | https://peizazhe.com/2014/10/06/le-ta-quajme-faltore/ | null | 2014-10-06T16:44:37 | LE TA QUAJMË FALTORE | Do të keni dëgjuar, besoj, për banorët e fshatit Malbardhë (disa herë e quajnë edhe Mal i Bardhë), në Laç, të cilët edhe pse shumica të besimit mysliman, financuan restaurimin e një kishe katolike 600-vjeçare në trojet e fshatit.
Për këtë gjest, Ambasada e ShBA-së në Shqipëri i dha komunës së Malbardhës çmimin “Act NOW Champion” për muajin shtator, duke shpërblyer kështu bashkëpunimin ndërfetar.
Për çmimin mediat kanë raportuar motivime të ndryshme: Top Channel, në lajmet e veta në anglisht, flet për një “model religious co-existence”, ndërsa citon Henry Jardine, të Ambasadës së ShBA, të flasë për “inter-religious cooperation and […] voluntary initiative to build an all-inclusive belief”.
Natyrisht, këto tre motivacione nuk përkojnë. Bashkekzistenca model parakupton ekzistencën e feve të ndryshme, njëlloj sikurse bashkëpunimi ndër-fetar; në një kohë që shprehja all-inclusive belief të shpie gjetiu, sidomos me implikimet e saj.
Pyetja këtu është nëse harmonia ndërfetare, kaq shumë e përmendur dhe e lëvduar në Shqipëri, parakupton forcimin e feve të veçanta, apo afrimin e tyre deri në shkrirjen në një?
Është fjala, pra, për lavd të pluralizmit fetar, apo për sinkretizëm?
Një opinion i botuar në Tema nga Marenglen Rexhaj, i cili është pikërisht nga ky fshat, duket sikur anon nga versioni i dytë.
“Ne e ndërtuam kishën jo si vendi ku besojnë katolikët, por si vendi ku i gjithë fshati shkon e ndez një qiri dhe qan hallet me Zotin,” pohon atje Rexhaj.
Kjo do të thotë se vendimi i banorëve kryesisht myslimanë të Malbardhës, për të ndërtuar një kishë katolike, nuk ka qenë aq i shtyrë nga altruizmi, ose nga dëshira për t’i ofruar diçka palës tjetër, sa thjesht nga dëshira për të restauruar një objekt të cilin vetë myslimanët e shihnin dhe e trajtonin si vend kulti të tyrin.
Ky farë eklektizmi, ose pragmatizmi i shqiptarëve, veçanërisht i atyre myslimanë, është në fakt i mirënjohur.
Disa e kanë interpretuar këtë që ndodhi, dhe ashtu edhe e interpretojnë në komentet që shoqërojnë shkrimin e Rexhajt, si provë se feja “reale” e shqiptarëve është ajo e krishterë (feja e të parëve); sikurse provohet edhe nga fakti që myslimanët e Malbardhës ia njihnin shenjtërinë kishës, madje edhe rënojave të saj.
Nuk besoj se ky është i vetmi interpretim logjik, as i vetmi interpretim historik.
Për më tepër, ky raport i myslimanëve me institucionet e kultit të fesë së krishterë nuk mund të përkthehet, vetvetiu, në provë të harmonisë midis komuniteteve – nëse pranojmë që këta myslimanë i duan kishat, manastiret dhe reliket e krishtera jo sepse janë “të atyre të tjerëve”, por për vete.
Rexhaj e gjen zgjidhjen te përparësia e kombit ndaj fesë: jemi të gjithë shqiptarë. Edhe këtë herë, kam frikë se ky është vetëm një nga shpjegimet e mundshme, dhe kushedi edhe jo më i mbështeturi.
Gjithsesi, çfarë kanë ndodhur meriton vëmendje – nga sociologët dhe antropologët; dhe nuk mund të likuidohet, me haré propagandistike, si provë e harmonisë fetare mes shqiptarëve. Mund të jetë kështu, por me siguri është edhe shumë më tepër se kaq: meqë raportet tona me fenë – ose në daçi me fetë – nuk kanë qenë të ndërmjetësuara nga nevoja, ose imperativi, për bashkëjetesë.
Eklektizmi duket të ketë qenë një faktor; krahas pragmatizmit dhe, natyrisht, supersticionit. Unë do të anoja për këtë të fundit, duke parasysh motivimet praktike të riteve fetare historikisht ndër shqiptarët: për të shëruar të sëmurët, për të sjellë mbarësi, për të mbrojtur nga syri i keq ose nga tersi.
Në këtë mes, edhe imazhi i këtij besimi “gjithë-përfshirës” nuk duket dhe aq i çuditshëm – pse një komunitet i ballafaquar në rrjedhë të kohës me fe të ndryshme fare mirë mund të distilojë, prej këtyre feve, një esencë për ta bërë të vetën – duke ua lënë diferencat të ardhurve.
|
15,852 | https://peizazhe.com/2014/07/15/per-nje-gramatike-te-foljes-politike/ | null | 2014-07-15T13:02:32 | PËR NJË GRAMATIKË TË FOLJES POLITIKE | Shkrimi i Pishakut për sindromën “do të”, më bëri të mendoj për nevojën e një skice gramatikore të foljes politike në shqipe.
Duke filluar nga…
E ardhmja: e cila vjen e dyfishtë, si e ardhme elektorale, dhe e ardhme profkatare. Këto dallojnë mes tyre ngaqë, gjatë një fushate elektorale, profkat mbrohen nga shteti – ose, më mirë akoma, nga gjuha vetë. Një politikan që përdor të ardhmen, gjatë një fjalimi me zgjedhësit, është duke premtuar; dhe premtimi, si akt gjuhësor, nuk mund të gjykohet si pohim faktik (me vlerë vërtetësie), por si dëshirë e dikujt që, sikur të marrë besimin e zgjedhësve, mund edhe ta realizojë. Kandidatit për deputet i lejohet të thotë, bie fjala, se do ta lidhim Zvarrishtin me rrugë automobilistike – me kusht që zgjedhësit ta mbajnë mend këtë premtim dhe pastaj t’ia kujtojnë premtuesit, kur të vijë koha e bilanceve – përndryshe premtimi i djeshëm kthehet edhe ai, retroaktivisht, në profkë. Përkundrazi, e ardhmja profkatare, për të cilën më duket se flet edhe Pishaku, duhet shpallur non grata në ligjëratën e ekzekutivit: një ministri nuk i ka hije të përdorë të ardhmen, sidomos kur i flet publikut (do ta lyejmë fasadën e shkollës së fshatit me ngjyrat e flamurit; sepse publiku pastaj mund t’i përgjigjet: nga ne e ke lejen me pashë, o ministër); por vetëm të tashmen e aktualizuar: po punojmë për ta përfunduar rrugën brenda këtij viti; ose jemi duke negociuar një çmim të përshtatshëm për bojërat ose edhe po presim të gjejë pak kohë për të ardhur nga Kanadaja artisti konceptual Loro Kcira me projektin përfundimtar. Dhe, gjithsesi, në gojën e ministrit, e ardhmja rrezikon ta humbë forcën ilokutive – meqë ky këtë kohë të foljes bën mirë ta përdorë vetëm kur flet me shefin e vet dhe në kontekste kur i duhet të dalë pa lagur, por jo me publikun; nëse nuk do të akuzohet pastaj se ka filluar fushatën elektorale tjetër të radhës.
E kryera: këtë kohë duam ta dëgjojmë më shpesh, sidomos në vetën e parë: kemi hapur 2500 vende pune; kemi ulur çmimin e bukës me 5%; kemi siguruar furnizimin me ujë të pishëm për plazhin e Nënkolonelit; i kemi dhuruar ambasadorit belg një çift fajkonjsh e kështu me radhë. Koha e kryer dëshmon një ekzekutiv që ka punuar, ka arritur rezultate dhe tani po ia njofton këto publikut, me ballin lart: kemi rritur numrin e shfaqjeve të baletit në një kohë që ky art gjendet në krizë në gjithë Europën dhe Lindjen e Afërme; gjatë nëntë muajve të para të këtij viti, kemi nxjerrë 352 gomerë nga balta; kemi marrë masa që qytetarit të Shkodrës të mos i duhet më barka për të qarkulluar në qytet.
Lidhorja e tashme: Këtë formë të foljes e komprometuan praktikat e shqipes totalitare, duke e përdorur si formë mobilizimi. Të zbatojmë vendimet e Kongresit VII të PPSh-së! T’u qepemi kodrave dhe maleve… Megjithatë, e dëgjon ndonjëherë në mbledhjet me dyer të mbyllura, pse ende nuk e ka humbur aftësinë për t’i trembur të tjerët, ose për të përcjellë praninë e një autoriteti sa difuz, aq edhe të pashmangshëm: t’i ngremë pritë korrupsionit; t’i themi JO racizmit; t’i japim fund abuzimit me oborret e brendshme të garnizoneve osmane. Kjo lloj lidhoreje me funksion urdhëror, nga njëra anë shmang ambiguitetin e së ardhmes, e cila gjithnjë luhatet midis premtimit dhe konstatimit parashikues; dhe nga ana tjetër, shmang agresionin implicit të urdhërores. Të krahasohet, në këtë kontekst, edhe shprehja parazitare ju bëj thirrje, zotërinj, e cila paralajmëron një modalitet urdhëror (ose ftues) dhe që tashmë sinjalizon zhargonin e çdo parvenu-je politike, i cili arrin t’i afrohet një mikrofoni me logo.
E kryera e thjeshtë: kjo është koha e nekrologjive: mbrëmë u nda prej nesh, pas një sëmundjeje të rëndë por të shkurtër, agronomi veteran Rëndo Shkurti, por edhe koha e sihariqeve kozmike: Edhe ishulli Bonga-Bonga e njohu më në fund Republikën e Kosovës; ose, më mirë akoma, Shqipëria u pranua si vëzhguese në Organizatën Botërore të Bletarisë. Të vërehet edhe që disa të ardhme, të tipit: Leo Mesi do të vizitojë privatisht Vlorën, e përmbajnë një të kryer të thjeshtë implicite, të tipit Leo Mesi tha (deklaroi) se do të vizitojë privatisht Vlorën; ose u bë e ditur, u njoftua, zyra e shtypit pranë ekipit të Barcelonës lajmëroi se… Merita e së kryerës së thjeshtë është se, thjesht duke qenë e pranishme në thënie, e vështirëson shumë profkën; të krahasohet, për shembull, Shqipëria pritet të jetë një nga destinacionet turistike të preferuara të zviceranëve këtë verë (bullshit) me Ministri zviceran i turizmit shpalli se Shqipëria pritet të jetë një nga destinacionet turistike të preferuara të zviceranëve këtë verë… etj. Deklarata e ministrit, si një fakt ose akt gjuhësor që ka ndodhur në një pikë në të shkuarën, mund të verifikohet menjëherë; dhe përgjegjësia e vërtetësisë i mbetet deklaruesit, me cilësinë përkatëse prej ministri. Dhe gjithsesi, publiku dëshiron të dëgjojë më shumë të kryera të thjeshta nga politikanët e vet; në vend të do të ndërtojmë stadiumin e ri në Tiranë, një premtim që ka forcën ilokutive të ta boftë Zoti mbarë, të na thuhet Banka qendrore e Kuvajtit e livroi huanë e nevojshme për të ndërtuar stadiumin e ri në Tiranë; në vend të do t’i strehojmë të gjithë romët e Bregut të Lumit në hotele me tre yje të na thuhet I dërguari i BE-së na vuri si kusht për statusin që t’u sigurojmë strehim romëve të Bregut të Lumit.
Pësorja në vetën e tretë ose e mospërgjegjësimit: kjo është edhe forma foljore e parapëlqyer për të folur për dështimet – të krahasohet Këtë vit siguruam për herë të parë furnizimin e rregullt me barna të spitaleve për fëmijë me Edhe këtë vit, barnat e nevojshme për spitalet e fëmijëve nuk u siguruan dot; ose e paguam në kohë këstin e huasë që ia kemi FMN-së me kësti i huasë që ia kemi FMN-së nuk u pagua në kohë. Kjo lloj pësoreje, në vetën e tretë, ka vetinë magjike që ta bëjë fajtorin përgjegjës të padukshëm, të papërfillshëm, ta heqë nga fusha e lojës; t’i shndërrojë gafat e thjeshta për shkak të inkompetencës ose të intrigës në acts of God, të krahasueshme me dëmet nga shpërthimi i një vullkani. Megjithë përpjekjet e palodhura të drejtuesve të anijes, përplasja e Titanikut me ajsbergun nuk u shmang dot (!).
Mohimi: politikani i shkathët u vidhet ndërtimeve mohore – duke u ardhur rrotull, falë edhe mundësive të mëdha që i jep shqipja. Kështu, në vend që të thotë se edhe këtë sezon turistik, nuk arritëm të sigurojmë furnizim të rregullt me ujë të pishëm në plazhin e Bërdicës ai do të shprehet se ky do të jetë viti i fundit kur pushuesit në plazhin piktoresk të Bërdicës do të kenë tek-tuk probleme me furnizimin e rregullt me ujë të pishëm (vëreni edhe të ardhmen profkatare, të kamufluar si pseudo-profetike, ose të llojit “në mos qoftë u sajoftë”). Ose, pyetjes së gazetares se a do të përballojë dot diga e Zabzunit një përmbytje si ajo e vitit 2012, politikani nuk mund t’i përgjigjet më falni, por unë nuk di as se ku bie diga e Zabzunit, por vetëm me jam i sigurt se specialistët tanë të shkëlqyer i kanë marrë të gjitha masat, në bazë edhe të eksperiencës që fituan gjatë përmbytjes së vitit 2012. Kështu do të shmanget, falë padijes (e cila mund të mos jetë argument, por të nxjerr megjithatë nga bataku) edhe fataliteti i pohimit tjetër, se diga e Zabzunit nuk do të përballojë dot më asnjë lloj përmbytjeje.
Foljet modale: këto u shpëtojnë lëkurën të gjithëve. Duke filluar nga e kudogjendura duhet të cilën politikani e var në qafë, zakonisht si dëshmi, në mos si medalje të virtytit të vet publik: duhet siguruar zbatimi i ligjit; kur nuk e var si etiketë emërore të parashikuesit të motit të keq, në mos të plakës që sheh në filxhanët e statistikave. Jo kushdo mund të thotë duhet pa iu skuqur faqja – më parë, kërkohet një farë autoriteti teknokratik ose moral, që vjen, për shembull, nga mbipesha e titujve që renditen para ose pas emrit, e llogarisë bankare ose adresave e koordinatave në Google të pallateve dhe tokave në pronësi; pa harruar këtu edhe se, mbi këtë premisë, çdo përdorim i mëtejshëm i duhet e përforcon edhe vetë autoritetin moral. Çuditërisht, ndërtimet me duhet përmbajnë një forcë ilokutive urdhërore, por të kamufluar mirë; në vend të t’u shoh të gjithëve në miting, qelbësira, politikani mund të thotë: duhet siguruar pjesëmarrje e plotë në miting. Në fakt, një pjesë e mirë e diskursit politik mund dhe duhet të analizohet si shprehje e larmishme e modalitetit urdhëror; edhe pse politikani që i flet vazhdimisht me duhet publikut të vet nuk ka as guximin histrionik të atij tjetrit, që flet me do të dhe së paku e merr mbi vete modalitetin pseudo-dëftor të së ardhmes. Përndryshe, ndërtimet me duhet janë, si rregull, lajmëtare të rëndomta të profkës; çka nuk mbetet vetëm me klishetë, e tipit duhet të respektojmë të moshuarit, por edhe me pohime nga ato që ta bëjnë mishin kokërr, të tipit duhet të shohim nga e ardhmja, por pa humbur kontakt me të shkuarën. Jo rrallë, ai që thotë duhet, e ushqen një shpresë të brishtë se ndokush mund t’ia marrë fjalët seriozisht dhe të fillojë ta kundrojë, duhet-thënësin, si autoritetin e ngarkuar me detyrën fisnike të parashtrimit të ndonjë misioni ose direktive (strategjike).
Paskajorja gege: Në gojën e një profesionisti, kjo formë gramatikore (ende) jostandard mund të shndërrohet në armë që garanton fitoren: Duhet me i thënë gjërat ashtu siç janë! Për shembull, gjatë një fjalimi elektoral në trevat ku ende flitet ose është rijetësuar gegnishtja, si shenjë elegante e populizmit krahinor, por jo vetëm; politikani i shkathët e kupton se zotësia për të ndërruar regjistrin do t’i vlerësohet si formë e ekumenizmit pan-kombëtar që nuk përjashton por përfshin, ose edhe atje ku regjistri përkatës nuk përdoret fare; dhe publikut këto marifete nuk i shpëtojnë kurrë – kush hedh valle në gjuhë, nesër do të hedhë valle edhe me gjuhë.
|
3,731 | https://peizazhe.com/2010/02/23/kur-flasim-per-shqipen/ | null | 2010-02-24T04:19:27 | KUR FLASIM PËR SHQIPEN | Si diskutohet për gjuhën shqipe në kuvendet publike mbarëshqiptare? Çfarë i intereson publikut të dijë dhe si ndërlidhet kjo me qëmtimet dhe interesat e specialistëve të fushës? Ç’trajta po merr debati për gjuhën në moshën e Internetit dhe të prurjeve gjerësisht anonime në debatin vetë?
1. Shqipja gjuhë e lashtë
Asnjë diskutim i mirëfilltë për shqipen nuk do të respektohej nga publiku i gjerë, nëse nuk do t’i kushtonte vëmendje historisë së gjuhës.
Ende bij të Rilindjes, ne shqiptarët jo vetëm e respektojmë lashtësinë, por vetvetiu e duam të lashtë gjithçka që respektojmë. Megjithatë, mosha e një gjuhe nuk matet dot në mënyrë kalendarike, ndryshe nga dokumentet, të cilat datohen; dhe shqipja jonë është po aq “plakë” sa edhe çdo gjuhë tjetër indo-europiane.
Për gjuhëtarët, historianët dhe antropologët historia e shqipes është burim i çmuar njohurish për marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera dhe evoluimin e strukturave të saj; por edhe për historinë e hershme të vetë shqiptarëve dhe të parëve të tyre, arbërve e më tej në të shkuarën, sidomos po të kihet parasysh se shqipja dokumentohet me shkrim relativisht vonë.
Përndryshe, lashtësia e shqipes dhe fytyra e saj legjendare në parahistori, si tema të nxehta të debatit publik, janë shkëputur tashmë nga tryezat akademike, për të kërcyer drejt hapësirave irracionale të mitit, ku qarkullojnë ngazëllyeshëm sot e kësaj dite.
2. Shqipja e pastër
Opinioni mbarëshqiptar e ka ruajtur ndjeshmërinë ndaj fjalëve të huaja në shqipen e ligjërimit publik, sidomos kur këto fjalë janë huazuar së voni ose po sillen në përdorim nga ligjërues individualë të shkujdesur dhe snobë.
Nga ana tjetër, nocionet e pastrimit dhe të pastërtisë së shqipes i kanë rrënjët në filozofinë dhe vizionin kulturor të Rilindjes sonë kombëtare dhe të romantizmit përkatës; por të tejbartura në realitetin e sotëm gjithnjë kërcënojnë t’i imponojnë debatit publik pseudo-probleme.
Opinioni publik vëren, me të drejtë, edhe se përmbytja e leksikut nga fjalë të huaja tradhton një pafuqi ose sëmundje jo aq të shqipes vetë, sesa të institucioneve që merren me mirëmbajtjen e saj.
Megjithatë, nga kaosi i sotëm në normën leksikore nuk dalim dot duke pastruar, fshirë me fshesë ose dëbuar fjalët që s’na pëlqejnë. Në thelb, nocionet mitike të pastërtisë dhe të pastrimit i referohen një modeli arkaik të mirëmbajtjes së gjuhës nëpërmjet dezinfektimit. Aq më tepër që, sikurse e di çdo kopshtar i mirë, kopshti nuk selitet vetëm duke ia qëruar barërat e këqija; duhet treguar kujdes e vëmendje edhe për perimet vetë.
Prandaj ia vlen të diskutojmë, seriozisht, si mund ta pengojmë këtë vërshim fjalësh të huaja ose si t’ia forcojmë imunitetin shqipes, përballë agresionit që i vjen natyrshëm e detyrimisht nga jashtë; duke mbajtur parasysh se përmbytja nuk mund të ndalet e tëra, por vetëm të mbahet nën kontroll e të kanalizohet me mençuri.
3. Shqipja e pasur
Shqipja mund të jetë vërtet gjuhë e pasur në fjalë, shprehje dhe forma; por pasuria e shqipes sot u përngjan më shumë magazinave pa inventar dhe arkivave të fjetura të një muzeu ku fjalët ruhen të kataloguara shkeleshko.
Prej shekujsh dijetarë të përkushtuar i kanë dhënë kulturës shqiptare lista dhe fjalorë fjalësh e shprehjesh të rralla, të qëmtuara poshtë e lart trojeve shqiptare e të organizuara në stenda po aq baroke e të admirueshme sa ato të entomologëve: flutura, brumbuj e kandrra shumëngjyrëshe kapur lëndinave gjuhësore e ngulur me thumba në kartonet arkivore, për kënaqësinë e vizitorit gjuhëdashës e të rafinuar.
Mirëpo sot shqipes i lypen më shumë fjalë monedha në qarkullim tregu, sesa njësi të çmuara koleksionesh numizmatike; sepse visaret në fjalorët nuk përdoren dot me përfitim, sa kohë që publiku nuk i njeh as i arrin dot në trajtat ekzistuese, as i ndien t’i tringëllijnë në xhep.
Si çdo gjuhë tjetër moderne, shqipja do të pasurohet në ligjërim e sipër – si gjuhë e politikës dhe e shkencës, e sallës së gjyqit dhe e teatrit, e gazetës dhe e poezisë, e tempullit dhe e galerisë së artit, e romanit dhe e Internetit, në një shoqëri plurale dhe të hapur ndaj diversitetit.
Edhe në këtë kontekst, debati publik bën mirë t’i rrijë larg kapardisjes provinciale me “pasurinë” leksikore të shqipes; sepse shqipja që sot flasim e shkruajmë mbetet e varfër për nga shprehësia dhe zhdërvjelltësia, madje artificialisht e varfëruar; dhe kjo nuk ndodh ngaqë po shpërfillen fjalorët e fjalëve të rralla, plaka e të harrueme; por për shkak të lëvrimit asimetrik që i është bërë dhe po i bëhet shqipes publike vetë.
Pasuria e gjuhës nuk ndahet dot nga pasuria e kulturës; dhe kjo e dyta varet prej zotimit tonë kulturor të përgjithshëm, duke filluar që nga mësuesja e klasës së parë fillore, deri në lartësitë e Nobelit të letërsisë.
4. Standardi dhe gegërishtja
Nga të gjitha keqkonceptimet, ky i standardit gjuhësor është më i mbarsuri me konflikt; meqë kërcënon të futë në luftë kulturore veriun me jugun, të majtën me të djathtën, katolikët me ortodoksët; duke u shndërruar në metaforë kobzezë të të gjitha kundërtive të qena e të paqena që e përçajnë sot shoqërinë dhe kulturën shqiptare.
Natyrisht, kultura bashkëkohore shqiptare e kërkon debatin të gjallë për standardin; çështja këtu është nëse ky mund të mbahet larg pseudo-debatit për marrëdhëniet e toskërishten me gegërishten. Në fakt, problemet e sotme të shqipes publike janë probleme të zhvillimit dhe të modernizimit mbarëshoqëror, të cilat pak lidhen me rrënjët dialektore të standardit, grupet ua/ue dhe paskajoren e flijuar… prandaj edhe nuk mund të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të qëndrueshme veçse brenda standardit vetë.
Për fat të keq, edhe në këtë aspekt shqetësimi publik ka mbetur peng i një vizioni historik-romantik që refuzon të marrë parasysh se, para se të mbështetet në këtë ose në atë dialekt a variant letrar dhe pavarësisht nga mënyra e dhunshme si u imponua gjatë regjimit komunist, standardi ekzistues ngrihet kryesisht mbi ç’kanë të përbashkët dialektet mes tyre.
Nëse disa përdorues sot e kanë të vështirë ta përvetësojnë dhe ta përdorin standardin siç duhet, kjo me siguri varet, para së gjithash, nga statusi i tyre social; sikurse lidhet pastaj edhe me plogëtinë e vetë institucionit të autoritetit dhe të modelit në ligjërimin shqip, në të gjitha fushat.
Përfundime
Shqipja publike, përdorimi i saj dhe mirëmbajtja, sikurse kujdesi për lëvrimin e saj janë çështje tepër kritike për t’iu besuar emocioneve politike, entuziazmit romantik për lashtësinë dhe krenarisë provinciale të koleksionistëve.
Debati publik për gjuhën ndikon drejtpërdrejt në shkallën e integrimit të ndërsjellët midis kësaj dhe kulturës, në një periudhë kur areali shqiptar në Ballkan dhe anembanë botës po komunikon së brendshmi më dendur e më frytshëm se kurrë më parë.
U takon specialistëve të gjuhës dhe intelektualëve publikë të luftojnë për ta mbajtur këtë debat larg pasioneve të diletantëve dhe të fokusuar në çështjet e mirëfillta të përdorimit dhe shëndetit të gjuhës shqipe, veçanërisht të shqipes publike, në rrethanat e sotme sociale dhe kulturore, kur shqiptaria ballafaqohet gjerësisht me sfidat e integrimit në Europë.
[Shekulli, dt. 22 shkurt 2010]
|
30,917 | https://peizazhe.com/2019/03/18/diaspora-kombi-global-dhe-drejtimi-i-duhur/ | null | 2019-03-18T06:19:57 | DIASPORA: KOMBI GLOBAL DHE “DREJTIMI I DUHUR” | Nga Eduard Alia
Nuk ka popull që ka marrë me kaq vrull rrjetet sociale Facebook e Instagram sa shqiptarët. Dhe mund të pyesësh, pse janë shqiptarët digjitalisht kaq qënie sociale? Jepen shpjegime të ndryshme: papunësia, thashethemet, vojerizmi, etj. Të gjitha arsye të vlefshme pse njerëzit hapin një llogari online dhe dakord, ka papunësi, dhe jemi aq vojeristë e thashethemexhi sa të gjithë komshinjtë tanë të jugut të Europës.
Por arsyeja kryesore, llogjikisht, duhet të jetë fakti që ne shqiptarët jemi shpërndarë gjithandej nëpër botë këto 2-3 dekada. E thënë me humorin e Shkodrës, jemi shpërndarë ‘si me’ pa gjue n’ qyfte’. Dhe kjo shpërndarje në një formë të pa-preçedent (për të përdorur edhe gjuhën e preferuar të politikanëve shqiptar, këta shakaxhinj të pandreqshëm!).
Dhe nuk do mend: rrjetet sociale mundësojnë kontaktin mes shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë e për këtë arsye jemi aty, ditë e natë.
Të shpërndarët, pjesa më aktive e kombit
Është e vështirë të ju besosh statistikave për numrin e vërtetë të shqiptarëve të shpërndarë. IOM, një agjensi e Kombeve të Bashkuara për imigracionin e cakton numrin e Shqiptarëve përtej kufinjve tek 1,4 miljon, kjo shifër rezulton vetëm nga republika e Shqipërisë. Shifra të besueshme për sa i përket trevave shqiptare në Mal të Zi, Kosovë, jug të Serbisë e Maqedoni të Veriut ka pak. Nëse thua që gjysma e popullsisë shqiptare jeton përtej trojeve etnike askush nuk të merr për budalla. Më së pakti, një e treta e popullsisë shqiptare janë shpërndarë – kryesisht për arsye ekonomike, ne vende më të zhvilluara (shih hartën).
Të shpërndarët kanë shkaktuar një brain drain, dhe kemi humbur edhe krahun e punës. Shkurt, Shqipëria ka humbur pjesën më aktive të popullsisë.
Imazhi: © Gaspër Sopi, përdorur me lejen e autorit.
Breaking news: jemi një komb global, pa dashje
Dashur, pa-dashur, ne duhet të ndërgjegjësohemi që jemi bërë një komb global, ndoshta i pari i tillë në histori! Një komb global megjithë që kemi një trung të patundshëm, një terra firma, në një prej qosheve më të bukura të mesdheut.
Të shpërndarët, fillimisht emigrantë ekonomik, sot nuk e gjejnë vetveten 100% as në vendet ku jetojnë e korrin suksese e as në trojet etnike shqiptare prej nga vijnë. Këtij grupimi çdo ditë e më shumë po i referohemi si “diaspora” (term që buron nga greqishtja e vjetër që do të thotë ‘të shpërndarët’) dhe që nënkupton një segment komunitar.
Dhe deri më sot diaspora ka qenë pa bari, por as një tufë. Politika dhe media e dy republikave shqiptare i kanë kushtuar fare pak vëmendje. Me shoqata e organizata nashente ne, diaspora, jemi munduar të organizohemi aty ku jemi. Rrjete sociale si Facebook përbëjne ‘kuvendin’ ku jemi mbledhur për të diskutuar çështjet politike e shoqërore që na përkasin. Facebook na ka bërë edhe të ndërgjegjshëm që jemi pjesë e një ‘komuniteti’ tashmë, ndoshta kohesiv deri diku në vende si Athina apo Boston. Por ky komunitet kryesisht ngelet in limbo: me një dashuri obsesive për atdheun por pa asnjë mbështetje nga trojet shqiptare.
Tragjedi apo një mundësi e jashtëzakonshme?
Fakti që shoqëria shqiptare ka pësuar një hemoragji të forcës më aktive të saj përbën pikën më të dobët për ne si komb. Por varet se si e sheh problemin:
Menaxhuar në mënyrën e duhur të shpërndarët janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë që promovojnë emrin e saj në muzikë, sport e profesione si dhe sjellin mbrapsht në atdhe përvojën e investimet që nxisin ekonominë.
Keq-menaxhuar – siç janë fatkeqësisht gjithë trojet shqiptare sot – dhe plaga sa vjen e rëndohet.
Që ta bësh realitet vizionin optimist më lart nevojitet një strategji politike që e ri-aktivizon këtë pjesë aq dinamike në shoqërinë shqiptare përtej remitancave dhe turizmit patriotik. Duhet një dialog i dy-anshëm, duhen ura bashkëpunimi që e zvogëlojnë shoqërinë shqiptare si dhe mbi të gjitha maturi politike nga ana e dy republikave nga terra firma e këtij kombi aksidentalisht global.
Është në kohën e duhur që mediat shqiptare po i kushtojnë kohë rrëfimeve, historive e aspiratave të shqiptarëve të diasporës. Kudos për Petrit Kuçanën, redaktorin e The Albanian në Londër dhe Ledia Likut, autore pranë Top-Channel për dy nisma fisnike në këtë drejtim. Unë isha ndër të parët që ofrova veten vullnetar për këto projekte. Jo çdo gjë ka qenë e lehtë për ne “bijtë e qyqes” këtej, bota nuk i pret emigrantët me krahë hapur fatkeqësisht. E mbi të gjitha, diaspora është më shumë se ata njerëzit e stereotipikuar të cilët vijnë me makina të shtrenjta e derdhin lekë në dasma e bare si një skenë nga filmi Ujku i Wall Street.
Politikisht, i përket Shqipërisë e Kosovës që ti prijnë hulli strategjisë ndaj diasporës me mbështetjen e liderëve shqiptar nga Mali i Zi e Maqedonia e Veriut (e ku e mundur edhe të luginës së Preshevës).
Dhe shumë hapa janë marrë: ekziston prej kohësh një ministri e diasporës në Kosovë dhe, nën instigimet e ndërkombtarëve, shqiptarët e Kosovës e kanë në parim të drejtën e votës (them në parim se ka shumë probleme administrative për ta quajtur një “e drejtë”).
Meritë i takon qeverisë Rama për krijimin e rolit të ministrit të shtetit për diasporën, një agjensi të diasporës e një fond të zhvillimit. Për sa i përket votës, në Shqipëri flitet po ende nuk ka diçka konkrete.
Por a ndjehet efekti i këtyre dikastereve në diasporë?
Një samit për të sunduar gjithçka
Shqipëria sapo organizoi samitin e dytë të diasporës. Ide e përkryer! Ama i pari nuk hodhi gjë në dritë. Nuk presim të shohim shumë rezultat as nga i dyti. Çfarë mund të presësh të burojë nga një takim dy-ditor ku diaspora lekturohet në një bisedim të një anshëm nga qeveria shqiptare e të tjerë? Për më tepër, jo të gjithë liderët komunitarë të diasporës ishin pjesë-marrës aty, si p.sh. Vatra 110-vjeçare e Boston-it.
Për ne që jetojmë në pjesën liberale të perëndimit dhe jemi mësuar të kërkojmë llogari funksionarëve na duket e pabesueshme që një qeveri të shpenzojë më shumë se 600 mijë dollarë në një takim 2-3 ditor. Një shkollë apo qendër shëndetësore mund të ishte ndërtuar me ato fonde. Por çfarë është ofenduese për shqiptarin liberal të diasporës është fakti që buxheti vjetor i axhensisë për diasporën qëndron më pak se gjysma e shumës së shpenzuar për samitin – një demonstrim vanitoz i qeverisë që pas pak kohe do jetë harruar.
Imagjino që secili nga pjesëmarrësit e samitit shpenzoi minimumi 1 mijë dollarë për bileta e hotel dhe sikur të kontribuonin 200 dollarë për shpenzimet e samitit (asgjë për ta!) do të kishe në buxhet 200 mijë dollarë që do mbulonin shpenzimet (gjithsesi nuk mendoj që një takim dy ditor le në Tiranë po as në Monaco apo Manhattan nuk do kushtonte 600 mijë dollarë e kusur).
Diaspora natyrisht është dyshuëse ndaj atyre që udhëheqin trojet shqiptare – po të ishin bërë reformat si duhet mbase nuk do ishim detyruar të lëshojmë atë vend aq të bukur pikë së pari. Shpenzimi marramendës për samitin vetëm sa e thellon dyshimin. Tre hipoteza dominojnë nga mulliri i diasporës (që siç përmenda më lart, bluan në Facebook):
(1) partia socialiste bëri një farsë për përfitim politik;
(2) çarqe të caktuara përfituan nga shumat/tenderat si gjithmonë; dhe
(3) vërtet qeveria nuk mendon për diasporën por dëfrimi dy-ditor ishte me qëllim për të zhvatur investime nga diaspora (jo për të dhënë ndonjë mbështetje).
Hendeku mes diasporës dhe liderëve tanë zgjerohet kur vërtet zëri i diasporës nuk dëgjohet, ajo nuk ka të drejtën e fjalës, pra ‘dialogu’ është i një-anshëm.
Dakord, nuk ka iniciativë njerëzore perfekte dhe vërtet qeveria duhej të fillonte diku. Por me 1% (theksoj: një përqind) të fondeve të shpenzuara për samitin në Tiranë në bashkëpunim me rrjete shqiptare nëpër botë ne, diaspora vetë, mund të kishim organizuar një samit ku diaspora flet dhe liderët nga terra firma marrin pjesë e dëgjohen edhe ata. Pra, krejt çfarë nevojitet nga Tirana e Prishtina është një politikë në drejtimin e duhur, koordinim dhe vetëm 1% e fondeve.
Efekti i samitit
Shumë që duhej të merrnin pjesë aty nuk ishin në formë proteste – përfshirë autorin e këtij shkrimi. Germin, shoqata kryesore e diasporës shqiptare shkruajti një note proteste qeverisë ku shprehu shqetësimet e saj. Dhe nuk ka diçka cinike apo anësi politike këtu – ankimimi e protesta janë pjesë e demokracisë. Në fakt drejtuesja e Germin, Liza Gashi, një kontributore e madhe në kauzën e diasporës mori edhe një dekoratë në samit.
Pas samitit, Mark Kosmo – një amerikano-shqiptar nga Boston e lider i komunitetit të diasporës, me plot të drejtë nisi një peticion qeverise mbi zhgënjimin për pikat e përmendura më lart. Kohë kjo që z. Kosmo sigurisht mund ta kishte përdorur për gjëra më pozitive për komunitetin. Ju rekomandoj lexuesve që ta firmosin e ta shpërndajnë peticionin!
Drejtimi i duhur për strategjinë ndaj diasporës
Mulliri social i diasporës ofron përveç kritikës (e cila shpresohet të merret si konstruktive) edhe zgjidhje për problemin – nëse dikush do të dëgjojë. Urdhëroni një përmbledhje të katër pikave kryesore që sugjerohen nga komuniteti, e pesta duke qenë një ide e autorit.
Pikë së pari, qeveritë shqiptare të gjejnë qasjen e duhur me diasporën. Dialogu duhet të bëhet i dy-anshëm që ta quajmë vërtet ‘dialog’. Pandeli Majko, ministri i shtetit për diasporën në Tiranë, një njeri i cili gëzon respektin e shumë shqiptarëve në diasporë dhe me përvojë në politik-bërje, erdhi në Londër dhe tha fjalët e duhura. Ama nga Tirana zyrtare komuniteti shqiptar i Londrës nuk është konsultuar mbi projektligjet që kanë të bëjnë mbi vetë diasporën (lejmë mënjanë projektligje mbi reforma të ekonomisë apo drejtësisë ku përvoja e diasporës do të ishte e paçmueshme). Komuniteti i diasporës nuk njeh një adresë email ku mund të dërgojë sugjerimet apo problemet e veta. Përsëris, dialogu ngelet i njëanshëm – Tirana duket sikur nuk do të dëgjojë. Kjo duhet medoemos të ndryshojë.
Së dyti, institucionet për diasporën në Tiranë e Prishtinë duhet të dalin me një strategji të bashkuar. Imazhi i liderëve politik nga trojet shqiptare të bashkuar në samit është vërtet për tu përshëndetur. Përtej imazheve, duhet që dikasteret e Prishtinës e Tiranës të bashkojnë resurset e fondet për diasporën në mënyrë që të mos duplikojnë punën e njëri-tjetrit me shkollat e shqipes apo dhomave tregtare/profesionale. Ne në diasporë jemi një. Shqipëria e Kosova të jenë një në qasjet ndaj nesh. Le të jetë diaspora ura simbolike e bashkimit kombtar përpara botës!
Së treti, e drejta e votës së diasporës është një domosdoshmëri për të ri-angazhuar në jetën politike shqiptarët nëpër botë – këtë pjesë vitale të shoqërisë. Demokraci të avancuara si Franca sanksionojnë këtë të drejtë me ligj (krahasimisht Franca ka një diasporë relativisht shumë më të vogël). Në Shqipëri vota e diasporës duhet të bëhet realitet sa më shpëjt. Sugjerohet krijimi e një distrikti te 13-të të caktuar për diasporën me kandidatë të cilët vijnë po nga diaspora. Kosova duhet që të reformojë të drejtën e votës për diasporën: një e drejtë e komplikuar nga kleçkat administrative është efektivisht një e drejtë e mohuar. Nëse Tirana e Prishtina duan vërtetë të thithin investimet e jashtme që diaspora ofron, ato pikë së pari duhet ti përfshijnë komunitetet e saj në vendim-marrje. Nuk ka nevojë të iterojmë që dy qeveritë duhet të punojnë më vrullshëm për të luftuar korrupsionin, ndërtimin e shtetit të së drejtës e për të bërë reformat ekonomike – proçese në të cilat diaspora mund të kishte kontribuar pozitivisht.
Së katërti, në mënyrë që diaspora të kontribuojë në zhvillimin ekonomik në atdhe me kapitalin e dijet e fituara në vende më të zhvilluara kërkohet koordinimi qendror për rrjetet profesionale e të biznesit. Kaq. Një zyrë me kosto të ulët diku në trojet shqiptare që koordinon, d.m.th. që mban lista kontaktesh, organizon takime nëpër botë dhe një faqe në internet që liston profesionistët, sipërmarrësit, studentët e shoqatat shqiptare në botë dhe mundëson shkëmbimin me vendlindjen. Krijo urën e kontaktit dhe habitesh se çfare mund të arrish nëpërmes shpirtit sipërmarrës shqiptar.
Së fundmi, një ide e autorit. Krijimi i një fondi investimesh i rregjistruar e i mbikqyrur nën legjislacionin e një shteti europian si inkubator e akselerator i sipërmarrjes së re ku diaspora investon. Një bankë investimesh me qëllim të mirën publike duke nxitur sipërmarrjen, digjitalizimin e punësimin e rinisë në Shqipëri – të tilla në Britani ju referohemi si community interest companies. Investitorët fillestarë marrin lekët e tyre mbrapsht, përfitimet ri-investohen e ndërkohë që menaxhimi është jo-fitimprurës. Krejt çfare nevojitet nga politik-bërësit është një zyre koordinimi low cost për ta krijuar këtë dhe njëfarë zotimi që autoritetet nuk ndërhyjnë duke lejuar që start-ups përzgjidhen në bazë të meritës (e jo me nepotizëm!).
Në përmbyllje
Thirrja e diasporës drejt atdheut është simbiotike: na ndihmoni ne pak që të ndihmojmë ne Shqipërinë më shumë!
Nevojitet strategjia e duhur me një politik-bërje të maturuar për ta kthyer pikën më të dobët të shoqërisë shqiptare në avantazhin e saj më të madh. Le të mos jenë diaspora një plagë shoqërore, le të jenë katalizatorët ekonomikë dhe ambasadorët global që ngrejnë emrin e Shqipërisë nëpër botë, kombit të vogël me një histori të vështirë, i cili aksidentalisht u bë kombi i parë global.
Qeveritë aktuale duhet të veprojnë sot. Jo për gjë por pas pas pak vitesh bëhen plot 30 vjet që kur filloi emigrimi në masë i shqiptarëve: tranzicioni në Shqipëri dhe trazirat që shkaktuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. 30 vjet është kohështrirja e një brezi. Për brezin tjetër shqiptar të lindur jashtë, të cilët shqipen e flasin me vështirësi dhe aq më pak kuptojnë problemet e shoqërisë shqiptare, një term qeveritar më vonë mbase do jetë tepër vonë.
*Av. Eduard Alia është themelues i rrjetit të profesionistëve shqiptar në Britani, UK Albanian Professionals. Komentet konstruktive janë të mirëpritura në email: eduard.alia@nyu.edu.
|
12,469 | https://peizazhe.com/2013/04/15/male-me-barre/ | null | 2013-04-15T17:39:46 | MALE ME BARRË | Ky shkrim te Shekulli jepte të dhëna reth disa sugjerimeve për ndryshime në drejtshkrimin ekzistues të shqipes, prej Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.
Jam i bindur se të gjitha sugjerimet janë me vend, dhe të arsyetuara mirë; edhe pse për disa mund të gjenden lehtësisht kundërargumente. Gjithsesi, anëtarët e Këshillit janë profesionistë të padiskutueshëm të fushave të tyre dhe e dinë për çfarë flasin.
E megjithatë, duke lexuar edhe kritikën e Memushajt në krye të shkrimit, por në bazë edhe të disa konsideratave tona këtu në PTF që nuk kemi pse t’i rimarrim, të habit miopia e këtyre burrave të mençëm të shqipes.
Të cilët kanë muaj, në mos vite, që i rrahin këto çështje, krejtësisht irrelevante për fatet e shqipes publike, në momentin e tanishëm.
Këshilli Ndërakademik ka turp nga gjërat që ka qejf; ose, për ta thënë më seriozisht, ngurron t’i deklarojë qëllimet e veta, ose motivet e mirëfillta që e shtyjnë t’i qepet me kaq këmbëngulje drejtshkrimit të shqipes.
Pse u dashka shpenzuar kaq energji intelektuale, kulturore dhe sociale me reformën e drejtshkrimit në momentin e tanishëm?
Sikurse e cek edhe Memushaj në shkrimin e cituar, dhe sikurse e kemi thënë edhe ne këtu shpesh, reforma e drejtshkrimit nuk është problem gjuhësor, por problem social dhe kulturor; dhe këtë e provon – paradoksalisht – edhe konstatimi i tanishëm që ndryshimet e sugjeruara përligjen për bukuri, nga pikëpamja thjesht gjuhësore.
Promotorët e ndryshimeve të tilla, megjithatë, ndoshta duhej të kishin sqaruar, paraprakisht ose në udhë e sipër, nëse sugjerimet e tyre mëtojnë të zgjidhin vërtet ndonjë problem real të përdorimit të shqipes sot, dhe jo probleme thjesht teorike dhe formale të sistemit drejtshkrimor.
Më mirë akoma, para se të sugjeroheshin ndryshimet në drejtshkrim, duhej organizuar një studim i gjerë, sociolinguistik, anembanë hapësirës ku flitet dhe shkruhet sot shqipja, për të identifikuar ato zona të normës, ku përdoruesit ndeshin në vështirësitë më të mëdha me drejtshkrimin sot.
Gjasat janë që një studim i tillë hipotetik do t’i kish bindur anëtarët e nderuar të Këshillit Ndërakademik se sot ka urgjencë jo për reformë të drejtshkrimit, por për një fushatë serioze, kapilare dhe të përkushtuar për t’i bindur përdoruesit që të respektojnë rregullat drejtshkrimore dhe gramatikore të shqipes standard, dhe ashtu të mbrojë shqipen publike nga përpjekjet, ndonjëherë haptazi krahinore, për privatizim.
Ka një dallim parimor midis nevojës për të respektuar këtë apo atë rregull specifik, dhe nevojës tjetër, të një niveli më abstrakt, por shumë më kritike, për të respektuar një kod pak a shumë konvencional, por absolutisht të domosdoshëm, në komunikimin publik.
E para mund të vendoset në tryeza ndërakademike; por të dytën këto tryeza veç e konstatojnë dhe vënë alarmin, kur shohin se ka marrë të krisur e po shkërmoqet; pse përndryshe i takon shtetit, institucioneve arsimore e kulturore dhe shoqërisë civile që ta mirëmbajë.
Duke lexuar parashtresën e shkurtër të sugjerimeve për ndryshime, nuk pashë ndonjë lidhje midis ndreqjeve të propozuara në drejtshkrim dhe problemeve reale që ka sot shqipja publike; sepse ndryshimet janë thjesht teknike, ndërsa problemet reale kanë të bëjnë me marrëdhëniet shoqërore mes përdoruesve të gjuhës.
Vërtet, kalime si ky nga lajmëtar në lajmtar e nga mjekësi në mjeksi, ose ky tjetri nga hasm në hasëm mund të arsyetohen bindshëm; por çfarë efekti të përfillshëm mund të kenë stukime të tilla, në një kohë kur përdoruesit e shqipes, veçanërisht të brezave të rinj, janë duke humbur vetë disiplinën e brendshme gjuhësore, pse nuk po e ndiejnë më të vetvetishme shtysën për t’u shprehur në publik sipas rregullave që imponon qytetaria moderne?
Gjëja më e mirë, ose shërbimi më i vyer që mund t’i bëjë në këtë moment Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe gjuhës, kulturës, dhe shoqërisë shqiptare është të rishikojë përparësitë e veta dhe ta ndërpresë këtë përpjekje të kotë dhe të dëmshme për të suvatuar pallatin që po digjet.
|
43,689 | https://peizazhe.com/2023/03/22/perse-spo-del-zeri-i-popullit/ | null | 2023-03-22T06:53:25 | PËRSE S’PO DEL ZËRI I POPULLIT | nga Idlir Nivik
Dobësimi i kundërshtarit tonë i jep krahë sigurisë sonë kombëtare;
dhe kjo po kryhet (me luftën në Ukrainë), e pa derdhur një pikë gjaku amerikan.
Mitt Romney, ish-kandidat për president i ShBA
Ky titull, enkas ironik, përmend kalimthi artikullin Pse po del Zëri i popullit, me të cilin Enver Hoxha pat inauguruar organin e PKSh (më vonë PPSh). Organ ky i propagandës zyrtare shqiptare asokohe, për rreth 50 vite… Ku, disa prej anatemave drejtuar ‘botës imperialiste’ dhe sidomos administratës amerikane, duket sot se s’kanë qenë dhe fare pa bazë.
Kur bëhet trau qime
Ka pak javë, filozofi Noam Chomsky (1), po intervistohej në video, prej banesës së tij. Totalisht i mënjanuar nga e ashtuquajtura mainstream media, me pamjen që sjell ndërmend personazhin e persekutuar Ivan Denisoviç të Sholzenicinit, larg kamerave profesioniste të medias farfuritëse, pamja e semiologut të moshuar dukej e mbërthyer në kllapën e periudhës së mbylljes së madhe për shkak të Covidit. Gjatë intervistimit, dëgjohej zilja e telefonit, dhe zëri, ndoshta i bashkëshortes së tij, tek përgjigjej në sfond. Skenë kjo e përafërt me ato të prindërve tanë të moshuar, në komunikimet face-time me fëmijët në emigrim. Çka e bënte filozofin e mënjanuar nga media dhe më shumë “popullor”.
Agjitator kundër militarizmit, Chomsky denoncoi sërish “total-propagandën ruse” dhe pasojat gjakatare të luftës. Lidhur me propagandën ukrainase, ai theksoi se ‘it’s a different story, është vend i sulmuar, në luftë, është më se e kuptueshme’.
Por, fokusi kryesor i tij mbetej niveli dhe intensiteti i habitshëm i propagandës së mediave perëndimore. Si dhe roli i tyre agresiv, për të mbajtur gjallë makinerinë e luftës, duke nxitur dhe më sakrifikimin e popullsisë ukrainase.
‘Propaganda perëndimore, sidomos amerikane, është tani tej çdo kufiri, përtej çdo lloj arsyetimi (outlandish)’. Filozofi i semiologjisë së propagandës, citoi më pas Graham Fuller, zyrtar i shërbimeve informative amerikane në Rusi: ‘As në kulmin e luftës së ftohtë nuk kemi hasur një nivel të këtillë të rusofobisë sa sot’. Chomsky përmendi raste të cancel-kulturës ruse në disa vende e shkolla perëndimore. Por, më problematike, mbetej për të mënyra e beftë dhe e padrejtë sesi ‘ne mbyllëm, në Perëndim, të gjitha mediat ruse (Russian outlets)’. Dhe se kjo sillte një avari në sistemin e informimit qytetar e mediatik. ‘Nëse duam të dimë se ç’deklaron Lavrovi, etj, na duhet tani të drejtohemi nga Al Jazeera, apo mediat shtetërore indiane’, përmbyllte Chomsky.
Si vuri në dallim Propagandën nga Gënjeshtra, Chomsky solli në vëmendje sesi propaganda mediatike perëndimore tani po pleksej ngushtë me termin, fort në modë, “narrativë”. Pra, me rrëfimet që gjeneron shteti, për rastet e dezinformimit ‘pa evidencë’. Sërish ai nënvizoi rrëfimin shtetëror drejt luftës në Irak. Rrëfim, të cilin mediat mainstream ndihën ta shtrijnë e ta intensifikojnë, deri në justifikimin e agresionit amerikan në Irak. Këtë veti ‘luftëdashëse’ e përmendi disa ditë më pas dhe Dominique de Villepin, ish-kryeministër i Francës. Në përvjetorin e agresionit ndaj Irakut, në radion RFI, ai bëri paralelen se ‘të dy konfliktet – në Irak nga ShBA, e tani në Ukrainë nga Rusia – u provokuan nga pretekste të rreme’.
Kaq shumë pushkë për një qeros si Halil Nurja!?
Chomsky, në bisedë, ngurron ta quante median si ‘burim të së vërtetës’. Ai sheh në të vetëm lloje formash të transmetimit të informacionit, pjesore e të kornizuara nga përzgjedhje, nga background-i kulturor e historik vetjak, e nga qëllimet e prirjet e organit ku botohet.
Porse, një seri me (diz)informacione, lidhur me ngjarjet në terren e statusin material të konfliktit në Ukrainë, ka vënë në pikëpyetje analistë e gazetarë. Vihet re një keqinformim, ose çinformim lidhur me taktikat e strategjitë përkatëse në këtë luftë. Sidomos lidhur me avancimet në terren, me numrin e të vrarëve, me dëmet, me manovrat, kulisat e të dyja palëve. Kjo ka krijuar bindjen se mediat e mëdha formatojnë ‘shikues e lexues mediokër e jo-reflektues’, sipas gazetares kanadeze të CBC, Trish Wood. Në një intervistë me kolonelin amerikan Douglas Macgregor (2), ajo ia faturon dozën e madhe të propagandës perëndimore, lidhur me Ukrainën, një ‘lloj nevoje të audiencave sot për besim, çfarëdo lloj besimi, në mes të jetës së vokët (senseless life) e të kaosit të krijuar’. Në përgjigje, ish-ushtaraku amerikan përgjigjej se (diz)informimet e mediave lidhur me ‘gjoja situatën katastrofike, të prapambetur të ushtrisë ruse, dhe dështimin e supozuar të taktikave të saj, dhe rrënimin e saj, si strategjik, edhe material’, vetëm sa çojnë në qorrsokak audiencën në Perëndim. Si dhe mbajnë gjallë, prej muajsh, iluzionin e dëmshëm, se gjoja Perëndimi po përballej me një “tigër prej letre, ose gjigand me këmbë brumi”.
Sipas aktivistes pacifiste Medea Benjamin, ky keqinfomim nuk shpjegon dot faktin se Rusia kontrollon (për momentin) rreth 100 mijë km katrorë të territorit ukrainas. As nuk justifikon pse kaq armatim masiv e kaq fonde astronomike euro-atlantike iu ofruan Kievit në ndeshje me këtë “tigër rus prej letre”. Dhe se u desh 15 muaj rezistencë e sakrificë e pashembullt ukrainase, derisa Jens Stoltenberg, shef i Nato-s, të pranonte se ‘nuk duhej nënvlerësuar potenciali i Rusisë’. Të gjitha këto, pas 15 muajsh fshehjeje e manipulimi të informacioneve lidhur me situatën reale në front. Dhe veç një lapsus i kryekomisioneres Von der Leyen, disa muaj më parë, se ‘Ukraina do asistuar, pasi ka humbur mbi 100 mijë trupa’, mjaftoi të autodenonconte bilancin e rremë, që vetë ajo kish përhapur para mediave e tribunave. Ish-ushtarakë amerikanë kanë këmbëngulur që mediat t’u largohen ‘maniakëve luftënxitës’ në Kongresin amerikan. Disa prej këtyre i referohen Rusisë ende me stampat e ‘sovjetikut’, çka mendohej si qasje e tejkaluar në këtë brez të ri. ‘Uashingtoni është në luftë sot’, shton koloneli Macgregor këtë javë në blogun e tij. Ai vëren se zyrtarët ushtarakë të Nato-s janë gjendur kësaj here ‘para një fronti, të cilin as a kishin çuar ndërmend’. ‘Beteja ukraino-ruse është diçka që Nato nuk e ka hasur më parë’. Dhe shton se ‘fuqia e zjarrit (fire rounds) në këtë konflikt’ tejkalon pesëfish atë në Irak e Afganistan. ‘Ukraina e Rusia kanë humbur në një vit më shumë trupa, sesa ushtria amerikane humbi për 10 vite në Afganistan e në Irak’, shton ai.
Vampirët e proxy-t
Douglas Macgregor denoncoi dhe hipokrizinë e Uashingtonit lidhur me fatin e rezistencës ukrainase para ushtrisë ruse. Ai e konsideron dëmsjellëse deklaratën e Biden-it për luftë ‘sa të zgjasë’. Dhe e komenton si të krrupshme deklaratën e Zelenskit për qëndresë ‘deri te ushtari më i fundit’. Bashkë me kolonel Tony Shaffer, ai mendon se ShBA po ushqen një konflikt pa rrugëdalje për të; se Uashingtoni po kupton se fitorja e Rusisë në Ukrainë është e dukshme. Sipas tyre, mbi 250 mijë ushtarë ukrainas kanë rënë në front, e raporti i tyre me humbjet ruse mbetet 1 me 10. Ata theksojnë se tashmë edhe mediat, si Washington Post, kanë nisur gradualisht të shprehen për këto fakte. Administrata amerikane enkas po e drejton vëmendjen e opinionit drejt një konflikti me Kinën, sipas tyre. Analistë të tjerë theksojnë mungesën e homazheve amerikane në funeralin e komandantit ukrainas 27-vjeçar “Da Vinci”, hero në betejën për Bakmutin. E ndërsa hamendin se, përtej fasadës mediatike të vizitës pompoze të Zelenskit në Uashington, Kievi po ndjen braktisjen graduale të Amerikës, teksa Nato-s iu desh të pranojë se aktualisht ‘konsumi ukrainas i municionit 155 mm e tejkalon prodhimin e Nato-s për ta kompensuar’(CNN, 17 shkurt 2023). Po aq, në interpelancën para Senatit këtë 26 janar, senatori republikan Ted Cruz i kërkoi me tone të ashpra zv.sekretares Nuland sqarime lidhur me fatin e Nordstream 2 dhe pretendimit të administratës se ky sabotim do parandalonte luftën.
The Democrat’s Progress (3)
‘Është e habitshme lidhja ideologjike e krahut demokrat amerikan me tezat e bashkëshortit të zonjës Nuland, Robert Kagan, paçka orientimeve progresiste e revizionuese të këtij krahu’. Kështu, Chris Hedges, ish-korrespondent i The New York Times në Lindjen e Mesme, sheh një shproporcion mes orientimeve progresiste demokrate dhe tezave thelbësisht amerikano-centriste, hegjemoniste e koloniale të R. Kagan. Ideologu i sotëm i Uashingtonit, trumbeton opinionin neokonservator (neo-con) se ‘gjithçka progresive që ka ndodhur në botë është produkt i ShBA’.
Ky qëndrim shkon paralel me ‘ngërthimin e kampit demokrat prej lobit të industrisë ushtarake e korporatave të armatimit’. Kështu e sheh Denis Kucinich, kongresmen demokrat i Ohios. Sipas tij, ‘Clintoni e ktheu Nato-n në organizatë ofensive. Si rrjedhim, Nato i shtriu këmbët më shumë se jorganin’. Pasi evokon fiaskon e komisionit të hetimit mbi praninë e hamendësuar të armëve të shkatërrimit në masë në Irak – ku ai merrte pjesë – ai shprehet për rolin shkatërrues të Nato-s e BE-së në konfliktin në Ukrainë. ‘Unë parashikoj se, si rezultat i këtij roli, as Nato, as BE nuk do mund të ekzistojnë më në dy vitet e ardhshme’.
Në kanalin e tij në YouTube, Chris Hedges e trajton vijimësisht instalimin e propagandës shtetërore në median e madhe amerikane (4). Dhe rolin e saj për të rikthyer, më me vrull tani, imazhin e “rrezikut rus”, përkrah “rrezikut të verdhë” kinez. ‘Unë mendoj se eliminimi i ligjit kundër difuzionit të propagandës qeveritare, prej administratës Obama (5) në vitin 2012, ka ndikim në rritjen e propagandës aktuale’. E më tej kongresmeni rendit një sërë faktesh politike, që media kryesore nuk ka denjuar t’i paraqesë, as t’i shtjellojë. Kështu, sipas tij, NY Times refuzoi të paraqiste rezultatet e hetimit 10-mujor të FBI-së (në 2016) lidhur me ndikimin e hamendur rus në zgjedhjen e Trump-it. ‘Demokratët e evituan këtë raport, i cili nuk zbuloi gjë tamam; ata u rrekën t’ia faturonin ardhjen e Trump-it manovrave ruse, e jo ta shihnin si një tmerr tonin (a national horror)’, thekson Kucinich.
Mirëpo lista e mënjanimeve është më e detajuar. Media e madhe në vendet e Nato-s nuk u thellua aspak mbi deklaratën e ish-kancelares Merkel në gazetën Die Zeit këtë janar. Ku ajo pranonte se marrëveshjet e Minskut as bëhej fjalë të zbatoheshin; ato qenë ‘vetëm një tentativë për t’i dhënë kohë Ukrainës’ të gatitej për luftë. Çka përforcon opinionet e shpeshta që denoncojnë një proxy war në Ukrainë. Krejt media e madhe “harroi” deklaratën e beftë e aspak diplomatike të ministres së jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në Parlamentin Europian (24.1.2023): ‘Ne jemi në luftë me Rusinë, jo kundër njëri-tjetrit’. Sërish, aktivistja Medea Benjamin “nxori” lajmin e patrajtuar, por të konfirmuar nga siti shtetëror i Kievit në anglisht, kyivindependent.com (19 janar 2023), sesi Facebook ‘e hoqi më në fund grupin me prirje naziste Azov nga lista e organizatave të rrezikshme’. Në televizonin LCI në Paris (fasadë e propagandës ukrainase në Francë), sekretarja e OJQ-së Stand with Ukraine shprehu ‘detyrën për një fitore ushtarake të aleatëve ndaj Rusisë’. Kurrkush nuk e pa me vend të pyeste sesi e kur ishte shpallur kjo aleancë, ndërkohë që të gjitha vendet e Nato-s kanë theksuar se nuk janë në luftë me Rusinë. Në Francë, sidomos, asnjë media nuk ka intervistuar deri më sot gazetarin Seymour Hersh (6), pas artikullit të tij, që hedh detaje mbi rolin e hamendur të Uashingtonit në sabotimin e Nordstream 2. Krejt i mënjanuar nga mediat e mëdha amerikane, gazetarin e mirënjohur e paraqesin kalimthi si “85 vjeçar”, pra për të vënë në dyshim kapacitetin e tij mendor!
Lista mbetet e gjatë.
Si po del Zëri i Popullit
Por është çdo ditë e dukshme se audiencat kudo kanë nisur të reagojnë ndaj kësaj propagande en bloc perëndimore. Shumë e shohin tani të mundur t’i bëjnë rezistencë këtij dezinformimi masiv, gjithë duke mbajtur distancë nga aksioni rus, përkrah rezistencës të pazakontë popullore ukrainase (jo klikës së Zelenskit). Protestat e fundit nëpër Europë janë shtuar rregullisht. Mbi 50 mijë veprimtarë anti-luftë marshuan në Berlin (24 shkurt). Në Wuppertal, protestuesit nuk nguruan të gjuanin me vezë ministren Bearbock, një nga tamburet kryesore luftënxitëse në këtë periudhë. Mijëra manifestuan kundër luftës dhe buxhetit astronomik ushtarak në ShBA, kundër nxitjes artificiale të konfliktit amerikan me Rusinë e Kinën, pranë Shtëpisë së Bardhë në 20 mars. Në Angli punëtorët e Amazon kryen në 12 mars grevën e parë ‘historike’ ndaj kësaj kompanie.
Këto manifestime, të anashkaluara nga mediat kryesore në Francë e gjetiu në Perëndim, kanë origjinë edhe bjerrjen ekonomike, ku Perëndimi duket futi veten dhe më thellë, nën kumtin e sanksioneve ndaj Rusisë. Zëri kontestues po del, si me thënë, prej xhepit, për shkak të pauperizimit të skajshëm të proletariatit botëror (fantazma e Marx-it, sa reale!). Por kjo është temë e një shkrimi tjetër.
Duket se Historia politike (reale) e globit po rivjen. Disa pika janë evidente: çarje e madhe gjeopolitike; polarizimi i forcave; rikonfigurimi i lojtarëve politikë në skenën botërore. Audiencat kanë nisur të kuptojnë lidhjen e propagandës mediatike me gënjeshtrën ashiqare qeveritare. Brezi tani ka mundësinë të përjetojë ndryshime të forta historike.
Sado e gjorë dhe e trishtë ajo pamje e Noam Chomsky-it të strukur në banesë, jashtë studiove high-tech të mediave të mëdha, na ofron një opsion për të gjetur burime reale informimi e debati te “mjerimi”, te tej-fasada e mediave kryesore. Si thirrje për të rishikuar rolin e besueshmërinë e medias kryesore. Rolin e asaj antipopullor, elitëpërforcues.
Pyetjes se si vallë ta dallojmë të vërtetën në këtë tymnajë, filozofi Chomsky iu përgjigj, duke çokitur gishtin tregues në ballë: Për këtë e ka njeriu mendjen (That’s why you have a brain for!)
© 2023 Idlir Nivik. Të gjitha të drejtat janë të autorit.
Shënime:
1.Filozof, semiolog e aktivist politik, kontestues i hegjemonisë së fuqive të mëdha, mbetet nga figurat e rralla madhore të filozofisë amerikane ende gjallë. Librat e tij mbi propagandën, gjuhën, mbi imperiumet e sotme, mbi farkëtimin e mendimit konsensual etj, janë vepra kryesore të mendimit botëror.
2.Pjesëmarrës e drejtues i operacioneve ushtarake në Irak e në Kosovë, njihet si kritik i ashpër i politikës ushtrake amerikane. I pozicionuar në spektrin republikan, ka theksuar nivelin e pakënaqshëm të njohjes së terrenit real nga ushtarakët amerikanë të Nato-s, sidomos lidhur me Ballkanin dhe Rusinë. Mainstream-i politik i Uashingtonit e pat mënjanuar, pas deklaratës se “Amerika tani di vetëm të humbasë luftëra e të lërë rrënoja në vendet që pat sulmuar’.
3.Aluzion ndaj titullit The Pilgrim’s Progess, të poetit anglez John Bunyan, shek XVII.
4. John Pilger, reporter i pakontestueshëm australian, ka analizuar, në një konferencë në Berkley, në 2014: ‘në epokën e medias, lufta shoqërohet nga propaganda nëpërmjet informacionit; kryhet kështu një dezinformim përmes informimit (a deformation thru information). Pilger shprehet për një meta-luftë (meta-war), betejë frazash e ligjërimesh që ngërthejnë opinionin publik.
5. Sipas revistës Foreign Policy, administrata Obama pezulloi në janar 2012 ligjin me emrin Smith-Mundt Act, ligj “që evitonte ushtrimin e propagandës qeveritare amerikane ndaj subjekteve të saj”. Ky ligj, i nxitur nga senatori J. William Fulbright në vitet 1970-të, kufizonte përhapjen e programeve propagandistike të qeverisë së ShBA. Për detaje shih U.S. Repeals Propaganda Ban, Spreads Government-Made News to Americans.
6. Seymour Hersh, figurë madhore e gazetarisë botërore, shquhet për artikuj me rëndësi historike. Veçanërisht ai që zbuloi masakrën e My Lai në Vietnam, ku ushtarët amerikanë shfarosën një fshat të tërë. Ky artikull ndikoi rrënjësisht në qëndrimin qytetar ndaj luftës në Vietnam. E mandej artikulli që nxori në dritë skandalet e ushtrisë amerikane ndaj robërve irakianë në burgun e Abu Graib, për të cilin meritoi Pulitzer. Artikulli i tij Si Amerika hodhi në erë Nordstream 2, ishte tronditje për politikën botërore.
|
24,189 | https://peizazhe.com/2016/11/19/medalja-ka-gjithmone-dy-ane/ | null | 2016-11-19T06:22:51 | MEDALJA KA (GJITHMONË) DY ANË | Një aktiviste e Lëvizjes Për Universitetin, spërkati me salcë jo më larg se dje mbrëma Ministren e Arsimit Lindita Nikollën në formë proteste në një event publik. Ky gjest, siç edhe u komunikua nga vetë lëvizja, ishte një akt simbolik kundër retorikës së ministres dhe reformës qeveritare në arsim, për të cilën ka patur jo pak debate dhe përleshje. Shumëkush e konsideroi aktin gjest të dhunshëm dhe të pahijshëm, ndërsa studentët u kundërpërgjigjën duke u shprehur se e dhunshme është sjellja e qeverisë ndaj protestuesve dhe mënyra si po imponohet reforma në arsim.
Të dyja palët kanë të drejtë. Kush më shumë e kush më pak është çështje tjetër. Konfrontimi fizik i të resë me ministren është gjest dhune. Fakti që është simbolik nuk e zhvesh atë nga dhuna. Nga ana tjetër, ofezat me të cilat protestuesit vazhdimisht janë përballur, së pari prej kryeministrit të vendit e pasandaj prej autoriteteve të tjera qeveritare, sikurse përleshjet fizike dhe presioni që është ushtruar ndaj tyre prej policisë së shtetit; prangosja dhe shpënia në komisariat e disa prej studentëve pas një sërë grumbullimesh paqësore, nuk është tjetër veçse dhunë e pastër, e zhveshur nga çdo lloj simbolike. Një përndjekje që u është bërë dhe vazhdon t’u bëhet zërave të lirë sa herë që këta kundërshtojnë vendimet dhe sjelljen e qeverisë.
Megjithatë ajo që mbart vlerë në këtë mes nuk është doemos fakti nëse gjesti ishte i dhunshëm apo jo, nëse u përdor salcë apo bojë, por arsyeja që e shtyu të renë të vepronte kësisoj. Pse ministrja u mbulua me salcë krejt papritmas në një aktivitet publik në qendër të Tiranës? Sepse që kur draftet për reformën në arsim i janë paraqitur publikut, këto kanë hasur në mosaprovim të gjerë, sidomos ndaj aspektit ekonomik të reformës. Ky mosaprovim është artikuluar në mënyrë dinjitoze, me argumente të paraqitura me shkrim dhe gojë; gjithashtu kryeministri është ftuar prej kundërshtuesve të reformës për të biseduar me ta; por ajo çfarë ndodhi ishte injorimi dhe fyerja e tyre. Madje u shkua deri atje sa edhe media i bojkotoi thirrjet; një media e cila duhet theksuar se po i krijon probleme të mëdha demokracisë në Shqipëri, pasi i mungon si objektiviteti ashtu edhe profesionalizmi. Dhe kjo prodhoi pastaj frustrim. Injorimi dhe shtypja morën menjëherë formën e një lëvizjeje civile protestuese, e cila dëshmoi të ishte e vendosur në qëndresën e saj për mbrojtjen e universitetit publik dhe arsimit, për mbrojtjen e as më shumë e as më pak pos se të ardhmes e dijes në Shqipëri.
Është e rëndësishme të kuptohet se kur komunikimi dështon, kur dialogu shndërrohet në fyerje, në arrogancë, në poshtërim dhe në përpjekje të vazhdueshme për t’i shtypur zërat e rebeluar në vend të një përpjekjeje të mëtejshme për t’i kuptuar ato, përballja e fundit do të jetë luftarake; mjeti i vetëm për komunikim do të mbetet dhuna. Nuk mund të pretendosh respekt apo vlerësim, kur i drejtohesh tjetrit me “sharlatan”, “idiot’’ apo ‘’i paaftë’’; kur në vend që të përpiqesh ta dëgjosh, i rras atij shqelmin dhe e degdis pa një pa dy komisariateve, sikurse ka bërë pushteti i tanishëm.
Do të ishte më e favorshme për të gjitha palët e konfliktit sikur qeveria të ndryshonte mënyrën e komunikimit me studentët protestues dhe të pushonte së injoruari ata. Këta të fundit janë pjesë e shoqërisë. Nuk mund të pretendohet se ky grup “thjesht nuk ekziston,” përndryshe protesta do të vijë në jetë në një formë që nuk ngjall kënaqësi për kënd. Qeveria nuk mund të ndërmarrë politika dhe të kalojë ligje nëse këto hasin kundërshtime sistematike në popull; qeveria nuk mund t’i njohë vetes pushtet të pakufishëm e ta manifestojë këtë me arrogancë dhe dashakeqësi ndaj qytetarëve; qeveria nuk mund të zgjedhë as injorimin, as ofendimin dhe as dhunën ndaj qytetarëve të saj si mjet për të krijuar bindje dhe rregull, përndryshe do të përballet jo vetëm me pakënaqësi të artikuluara në thirrje e britma por edhe me dhunë që ka premisa të shtohet.
Protestuesit nga ana tjetër nuk mund të pretendojnë të dalin mbi ligjin. Në rastin kur vendoset të thyhet ligji për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve, s’mund të anashkalohen pasojat që e shoqërojnë një veprim të tillë. Konfrontimi fizik është vepër penale dhe e dënueshme. Nuk mund të kryesh një vepër penale me ndërgjegje të plotë dhe të pretendosh t’i ikësh dënimit apo ta zhbësh ligjin, vetëm pse mendon se kauza jote është e drejtë. Ligji në Shqipëri nuk funksionon njëlloj për të gjithë: ky është fakt. Sistemi është i korruptuar dhe i ngërthyer nga pushteti, ndërsa studentët protestues janë të zhveshur nga fuqia përballë këtij pushteti, çfarë do të thotë se vetëm duke i mëshuar ligjit, pushteti mund t’ia hedhë paq (siç edhe ka rezultuar). A është e drejtë kjo? Jo, nuk është.
Cilat janë pasojat e një kryeneçësie të tillë (nëse do të mund ta quaja rebelimin (edhe) ndaj ligjit kështu)? Protestuesit vijojnë të përfundojnë rajoneve. Shamata nuk duket të prodhojë gjë të re veç sensacionit mediatik dhe instrumentalizimit të ngjarjes nga secili kah partiak. Reforma në arsim vazhdon të integrohet; një reformë që po e shtrydh ekonomikisht klasën e mesme dhe të varfër; një reformë që po i çon ujë privatit duke e financuar këtë të fundit nga buxheti i shtetit dhe po e dëmton akoma më shumë sistemin e këputur arsimor, sidomos ndërmjet politikës për rritjen e tarifave studentore dhe kthimin e akademisë në qendër biznesi. Cili është qëllimi pas akteve të tilla që përsërisin vetveten? Çfarë u arrit pasi u godit kryeministri me vezë? Studenteve që e qëlluan iu hap proces gjyqësor, të cilin duhet ta ndjekin akoma sot dhe projektligji për reformën kaloi në Parlament. Çfarë u arrit pasi ministrja u spërkat me salcë? Aktivistja u dërgua në komisariat dhe qyteti u kaplua nga një tjetër potere e madhe.
Pavarësisht sa personale mund të jenë këto akte të qeverisë për shumëkënd, qasja emotive ndaj problemit nuk sjell dot zgjidhje. Në rastin më të mirë, krijon shumë zhurmë për asgjë; në rastin më të keq e thellon ndërlikimin. Cilat janë çështjet emergjente për momentin? Mijëra maturantë (nxënës të mirë dhe të shkëlqyer) kanë mbetur pa shkollë të lartë. Disa degë të universiteteve publike janë mbyllur dhe një pjesë e maturantëve të mbetur pa shkollë, janë detyruar të përplasen në dyert e universiteteve private. Tarifat ekonomike për arsimin do të rriten edhe më tej. Universitetet private do të gëzojnë ato para nga buxheti i shtetit që deri dje u shkonin universiteteve publike. Shumica dërrmuese e të rinjve nuk kanë asfare mundësi ekonomike të ndjekin shkollimin. A zhbëhet dot reforma? Nëse po, si? Nëse po, kur? Tani apo pas zgjedhjeve? Metodat e deritanishme për t’u dëgjuar nuk kanë rezultuar efektive. Ku është gabuar? Çfarë duhet të ndryshojë tek forma e protestës dhe aktivizmit në mënyrë që të shkohet tek ndryshimi i politikave?
Ndryshimi kërkon kohë dhe koha kërkon durim e gjakftohtësi. Politika mbi të gjitha, lyp strategji racionale, pothuajse si një lojë shahu të cilën në Shqipëri deri më tash e kontrollon kasta e politikanëve autoritarë.
|
38,079 | https://peizazhe.com/2021/03/16/te-garantosh-fjalen-e-lire/ | null | 2021-03-16T13:28:34 | TË GARANTOSH FJALËN E LIRË | Se si i përjeton dikush sfidat e lirisë së fjalës, kjo kushtëzohet edhe nga raporti që ka vendosur me fjalën – si dëgjues a lexues, si protagonist i fjalës publike, si autor, si botues a si administrator i forumeve ku mishërohet dhe realizohet kjo liri. Lista mund të zgjatet më tej, qoftë edhe thjesht për të treguar se fjalën e lirë nuk e ndan dot nga subjekti përkatës.
Shumë vjet më parë, në 2007, patëm vendosur – me një grup miqsh – që të themelonim një faqe online, ku të ndiheshim të lirë për të shkruar, parashtruar, sugjeruar dhe debatuar me njëri-tjetrin dhe me të tjerët: një utopi të fjalës së lirë. Vetë ky projekt kish arsyet e veta – deri atëherë, dëshirën dhe nevojën tonë për pjesëmarrje në fjalën publike e realizonim nëpërmjet një forumi kolektiv, Alb-Club-it, i cili ishte vjetruar tashmë dhe ku nuk ndiheshim më në elementin tonë, ose të lirë.
Alb-Club-i na kish zhgënjyer, por besimin tek Interneti, si e ardhmja e lirisë së fjalës, e kishim të patundur.
Faqja që themeluam, më parë si blog e më pas si revistë, ishte “Peizazhe të fjalës”, që sot është konsoliduar si prani e përhershme në hapësirën publike të fjalës shqip. Që nga korriku i vitit 2007, kur nxorëm shkrimin e parë, janë botuar atje mbi 5000 shkrime origjinale – kryesisht ese, analiza dhe përsiatje; dhe mbi 43 000 komente nga lexuesit.
Projekti fillestar i përfytyronte “Peizazhet” si një agora, një forum të hapur për këdo që kërkonte të angazhohej me fjalën e vet në publik; çfarë i bënte komentet e lexuesve pjesë integrale e debatit, në vijim edhe të një tradite tashmë të përpunuar nga Alb-Club-i dhe forume të tjera të ngjashme.
Mirëpo sot, 14 vjet më pas, shumëçka ka ndryshuar edhe në natyrën e revistës sonë; e cila nga njëra anë e ka zgjeruar ndjeshëm rrethin e autorëve të rregullt dhe të autorëve të ftuar, por nga ana tjetër ka humbur një gjymtyrë që dikur e kishim menduar si esenciale: hapësirën e komentimit.
Thashë “ka humbur”, edhe pse vendimin për t’i mbyllur komentet e morëm ne si redaksi e revistës, të ndodhur para një problemi të cilit nuk po i jepnim dot zgjidhje tjetër: degradimit të kësaj hapësire në një moçal, që po na mbyste me miazmën e vet.
Në konceptin tonë fillestar të dyerve të hapura, kushdo mund të vinte tek ne dhe të linte një koment poshtë një shkrimi – për të shtuar diçka, për të zgjeruar një ide, për të bërë një pyetje, për të kritikuar një argument, për ta hedhur poshtë shkrimin krejt. Tek e fundit, te kjo mundësi dialogu me çdo lexues na dukej se realizohej edhe liria e fjalës në shenjtërinë e vet, çfarë ishte një nga synimet e forumit vetë.
Vit pas viti, ne që kujdeseshim për faqen “nga brenda” – si administratorë, moderatorë dhe botues – filluam të konstatojmë, të zhgënjyer, se komentet nuk po shkonin ashtu siç e kishim përfytyruar, dhe se dora-dorës nuk po i shërbenin më revistës sonë dhe idealit të saj.
Që në krye, unë isha mësuar ta këqyrja këtë hapësirë të komenteve si hapësirë publike, të cilën duhej ta mirëmbanin përdoruesit; nëpërmjet një lloj vetë-rregullimi. Ashtu edhe nuk duhej të isha pezmatuar, kur të vija re se rrëgjimi i kësaj hapësire publike virtuale do t’i ngjante, deri në hollësi, rrëgjimit në përgjithësi të hapësirave publike në Shqipëri dhe në përgjithësi në botën shqiptare.
Ka një koncept në ekonominë politike, të njohur me emrin anglisht, si tragedy of the commons, të cilin mund ta përkthejmë edhe si “tragjedia e pasurisë së përbashkët”, dhe që përshkruan një situatë të tillë ku përdoruesit individualë të një pasurie të hapur për të gjithë, veprojnë në mënyrë të pavarur, duke ndjekur secili interesin e vet, dhe ashtu edhe e shkatërrojnë pasurinë. Metafora që e ilustron këtë, është ajo e kullotave të përbashkëta në një fermë: në qoftë se një bari vendos të rritë numrin e bagëtive që sjell aty për të kullotur, kjo mund të çojë në varfërim dhe shkatërrim të kullotës.
Tragjedia e pasurisë së përbashkët është ndoshta patologjia më karakteristike e bashkëjetesës shqiptare, këto 30 vjetët e fundit: mjaft të shohësh se çfarë ka ndodhur me mjedisin, natyrën dhe pasuritë natyrore në Shqipëri.
E përkthyer në problematikën e hapësirave të fjalës së lirë, të dialogut dhe të debatit, dukuria shfaqet si përpjekje – nga palët e interesuara – që t’i shfrytëzojnë këto hapësira të përbashkëta për të çuar përpara interesat e tyre partikulare.
Të vetëdijshëm se pasuria e tyre e përbashkët u rrezikohet nga tundimet grabitqare dhe shfrytëzuese të palëve private, qytetarët zakonisht mbështetin çdo përpjekje për mirëmbajtjen e asaj pasurie nëpërmjet rregullimit, ose imponimin e detyruar të rregullave mbrojtëse. Kështu, e drejta e qytetarëve për të shëtitur të patrazuar në park mbrohet nëpërmjet një rregulle e cila ndalon përdorimin e automjeteve, stërvitjen e qenve ose kullotjen e lopëve në hapësirat e parkut. Në thelb, çdo rregull e tillë themelohet mbi ndalimin e një veprimtarie të gjykuar – me ligj – si të dëmshme ose penguese për pasurinë ose hapësirën e përbashkët.
Por kjo politikë, e zbatuar në mjediset dhe hapësirat e përbashkëta virtuale, ku ushtrohet liria e fjalës, mund të shpjerë dhe në fakt shpie në paradoks: sa më të rregulluara të jenë këto hapësira, aq më fort do të pengohet liria e fjalës e disave nga ata që duan ta ushtrojnë.
E tillë ishte edhe situata që u krijua te “Peizazhe të fjalës”: si drejtues dhe administratorë të revistës, ishim të vetëdijshëm se komentet e lira nuk po i shërbenin më synimeve për të cilat ishte themeluar dhe ekzistonte revista: dialogut, debatit, rrahjes së mendimeve dhe krijimit të një atmosfere nxitëse të shkëmbimeve intelektuale. Muaj pas muaji, hapësira e lirë e komenteve ishte kapur nga aktorë që ose çonin përpara axhendat e tyre, ose pozicionoheshin si parimisht armiqësorë dhe dyshues me revistën, ose vinin thjesht për të bërë trollin.
Arsyet pse ndodhi kjo nuk janë ende të qarta. Mund të supozohet se, dora-dorës që “Peizazhe të fjalës” e rriti praninë e vet dhe peshën e fjalës së vet në hapësirën publike, filloi edhe të perceptohej – nga disa qarqe, palë dhe grupe interesash – si faktor për t’u penguar dhe antagonizuar; aq më tepër që ne vetë kemi qenë shpesh kritikë, polemikë dhe denoncues, ndaj jetës publike dhe protagonistëve të saj në hapësirën shqip. Një supozim tjetër, është se rrëgjimi i hapësirës së komenteve tek ne erdhi si pasojë e rrëgjimit të këtyre hapësirave në krejt kulturën mediatike të shqipes; duke krijuar dhe edukuar, vit pas viti, një lloj komentuesi publik – herë anonim herë të identifikuar – që aktivisht synonte çrregullimin e debatit, dialogut dhe këmbimit intelektual. Një supozim i tretë, më i hidhur, është se hapësirat publike të përbashkëta herët a vonë do të rrëgjohen detyrimisht, për shkak të predatorëve, cilëtdo qofshin këta dhe synimet e tyre.
Mjetet për t’i ndalur këto çrregullime njihen dhe mund të zbatohen lehtë – mjaft të përmendet këtu censura. Për një kohë të gjatë, moderatorët e komenteve të “Peizazhet” u përfshinë në një përpjekje sa optimiste, aq edhe donkishoteske, për t’i edukuar komentuesit me frymën e revistës dhe të projektit të saj, madje edhe nëpërmjet ndërhyrjeve të drejtpërdrejta dhe në mirëbesim. Komentet që shkelnin rregullat elementare të komentimit do të moderoheshin – çfarë është një eufemizëm për “do të hidheshin në koshin e plehrave.” Por këtu janë edhe rrënjët e paradoksit: a mund të luftosh për lirinë e fjalës dhe për një hapësirë ku të praktikohet kjo liri fjale, duke u mbyllur gojën (disa) të tjerëve?
Si moderatori kryesor i komenteve te “Peizazhe të fjalës”, e kam ndier absurditetin e kësaj dileme sa herë që vendosja ta hiqja një koment – ngaqë më dukej i papërshtatshëm. Dhe komenti mbase ishte vërtet i papërshtatshëm, jashtë teme, provokues, keqdashës, fyes, çrregullues, i trashë, grotesk; por pyetja që i bëja vetes ishte tjetërlloj: ç’të drejtë i paskësha dhënë kështu unë vetes, si administrator i hapësirës, për të vendosur se kush duhej të fliste dhe kush duhej ta mbante gojën të mbyllur? Çfarë dëmi po i bëja vetes, si ithtar i patundur i lirisë së fjalës, duke ua hequr këtë liri disa (sado pak) të tjerëve – pavarësisht si po e ushtronin këta?
Diskutimet, debatet dhe dialogët publikë nuk janë shpikje e Internetit dhe as e hapësirave virtuale. Përvoja dhe historia e kulturave që i kanë përsosur këto forma komunikimi tregojnë se edhe një tubim i thjeshtë në sheshin kryesor të qytetit ka nevojë të rregullohet, për të garantuar kushtet minimale të ushtrimit të lirisë së fjalës. Në një debat publik live, kush kërkon të marrë fjalën nga salla, duhet të presë radhën dhe të identifikohet, para se të bëjë një pyetje ose një kritikë. Një gazetë mund të jetë mishërim i lirisë së shtypit, e megjithatë kjo nuk parakupton që kushdo mund të botojë në faqet e saj. Të ftuarit për debat në një studio televizive janë gjithnjë të filtruar; dhe as që mund të mendohet që dikush të vijë nga rruga dhe të futet në studio, me kokë të vet, për të thënë një mendim.
Paradoksalisht, liria e fjalës nuk mund të garantohet, pa u penguar.
Shumë nga ata që e mbrojnë fjalën e lirë (free speech) si të pakufizuar dhe të pakufizueshme, e bazojnë argumentin e tyre në ekonominë e tregut dhe në aftësitë e asaj që ata e quajnë “tregu i ideve” (the marketplace of ideas) për t’u vetë-rregulluar, njëlloj siç vetërregullohet tregu. Argumenti është kompleks dhe nuk merr parasysh – më duket mua – që edhe tregu, si praktikë sociale elementare, ndryshon nga një kulturë në tjetrën dhe varet edhe nga etika e atyre që vijnë për të tregtuar. Tek e fundit, le të mos harrojmë edhe se nuk ka treg sot në botë, që të mos jetë i rregulluar në një mënyrë ose në tjetrën.
Të gjitha këto, si probleme teorike, meritojnë vëmendje. Paçka se debatet për lirinë e fjalës, sidomos në kontekste të jurisprudencës, të filozofisë dhe të së drejtave të njeriut, nuk ndihmojnë drejtpërdrejt ata që përballen drejtpërdrejt dhe çdo ditë me sfidat prej fjalës së Tjetrit, ose – si në rastin tonë të redaksisë së Peizazheve – të së drejtave të njërës palë për t’ia zhvlerësuar lirinë e fjalës palës tjetër. Për ne, imperativi për ta mirëmbajtur dhe mbrojtur projektin tonë ka pasur dhe ka gjithnjë përparësi; tek e fundit, vetë “Peizazhe të fjalës” kërkon t’i shërbejë – dhe me gjasë i ka shërbyer mirë – fjalës së lirë në hapësirën shqipe.
Vendimi që morëm ishte një lloj kompromisi: e mbyllëm krejt hapësirën e komenteve, me arsyetimin se “Peizazhe të fjalës” synonte të ishte hapësirë e fjalës së lirë për autorët e shkrimeve (dhe në përgjithësi për titullarët e faqes), jo për publikun e gjerë dhe aq më pak për persona të tretë të cilët ndonjëherë nuk i bashkon asgjë me ne; dhe se nuk ka qenë as është pjesë e misionit tonë kulturor, që t’i garantojmë lirinë e fjalës kujtdo që kërkon ta ushtrojë në hapësirat tona. Për t’u ngushëlluar, e përfytyruam veten si ai kopshtari, që kujdeset për bimët e kopshtit duke pastruar barërat “e këqija” dhe gjykuam se, për të qenë produktive, fjala e lirë ka nevojë për rregullim dhe se e ashtuquajtura fjalë e lirë e parregulluar (unregulated free speech) jo vetëm që çon pashmangshëm në paralizë të dialogut, por edhe mbase nuk është më speech.
Megjithatë, realiteti i hidhur i vendimit për të mbyllur komentet nuk mund të fshihet pas disa pak metaforave: fakt është që ne tashmë e rrethuam revistën tonë “Peizazhe të fjalës” me mur, për t’ia ruajtur natyrën dhe rolin dhe misionin. Nuk është hera e parë që një përpjekje kulturore e sheh të arsyeshme të fortifikohet me mure – kur ndihet e rrezikuar; dhe as jemi të vetmit që kemi reaguar kështu. Gazeta, revista dhe faqe të rëndësishme online, anembanë botës së qytetëruar, madje edhe nga ato që i kushtohen lirisë së fjalës dhe kultivojnë shenjtërinë e saj dhe që ende zotërojnë mjete të fuqishme financiare për t’ia kushtuar mirëmbajtjes së fjalës së lirë, i kanë mbyllur komentet. Nëse kjo do të precipitojë kalimin drejt një feudalizimi të hapësirës publike të dialogut, mbetet për t’u parë. Alternativa ose është shumë e kushtueshme – e tillë që të kërkojë një ushtri në thelb kërcënuese mbikëqyrësish dhe moderatorësh të paguar për të përballuar entropinë e Tjetrit; ose asgjësuese, ose e tillë që t’ua dorëzojë trollëve dhe interesave partikulare çelësat e pasurisë qytetare.
© 2021, Peizazhe të fjalës™ dhe Instituti Shqiptar i Medias. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: Ky shkrim është pjesë e një projekti të Institutit Shqiptar të Medias dhe botohet njëkohësisht edhe në faqen e atij instituti.
|
37,749 | https://peizazhe.com/2021/02/09/femrat-e-pamoralshme-te-kadarese/ | null | 2021-02-09T09:02:30 | FEMRAT E PAMORALSHME TË KADARESË | nga Eda Derhemi
“Në letërsi femrat i kam trajtuar zakonisht si femra problematike, me një moral jo të përsosur. Femra të tilla më dukeshin interesante. Dhe është e vërtetë kjo që këto lloje femrash të lirshme, jo fort të moralshme, janë interesante. Të tjerat nuk më kanë interesuar. Më duket se të gjithëve nuk u interesojnë të tjerat. Femrat me një tis “negativ” janë interesante. Sepse ato krijojnë edhe problemet, edhe pakënaqësitë, edhe dramat.”
E morët me mend nga titulli që paragrafi më lart i takon Kadaresë. Por imagjinoni sikur të mos e dish kush e ka shkruar, dhe ta profilizosh shkruesin thjesht duke analizuar tekstin më lart, çfarë do të të shkonte në mend: 1. shkrimtar i gjinisë mashkullore 2. provincial (shoqërisht, jo detyrimisht gjeografikisht) 3. i bindur për superioritetin dhe autoritetin e vet 4. me mangësi shprehëse 5. që insiston t’i quajë karakteret e rëndësishme të cilave u referohet ‘femra’ dhe jo ‘gra’ 6. që i përket një ideologjie të stërkaluar e patriarkale si për gruan (femrat) ashtu edhe moralin, – dhe është kjo e fundit, pika gjashtë, që më intereson më fort në këtë shkrim, sidoqë e lidhur me pikat e tjera. Citimi më lart nuk ka nevojë të shpjegohet përse është kulturalisht arkaik, patriarkal e maskilist, se unë besoj se ky shkrim tani po lexohet nga njerëz të shkolluar e me hapje të mjaftueshme ndaj Ideve Ndryshe, që edhe kur vetë rastisin seksistë (burra apo gra), dinë të paktën se si duhet të ishin, kanë dëgjuar a parë forma alternative të vështrimit të gruas, se çfarë do të thotë respekt i vërtetë për gruan dhe barazinë kulturore, politike, ekonomike e shoqërore të saj me burrin. Edhe Kadare e di mirë si duhet qenë, por artikulimin bisedor e ka të vështirë, se s’i vjen nga brenda, dhe as është i mësuar sa duhet me të; them, ndoshta, prandaj edhe varfëria leksikore, shprehja e shpëlarë dhe përsëritjet në citim. Them, pasojë e një pështjellimi mes dëshirës së një mendjeje të hollë si e tija që ta konsiderojë e shpjegojë si progresive marrëdhënien e tij me personazhet e veta “femra”, dhe paaftësisë për ta bërë realisht këtë. Ka gjasë se nuk del dot nga bataku ku e fut ideja e seksit të burrit të epërm me të cilin e ka mësuar koha… edhe korteu meskin që i është sjellë përjetësisht vërdallë duke i bërë fresk, korte që fatkeqësisht Kadareja e ka adhuruar dhe kërkuar. Çështje e llojit të sedrës. Do që t’ia përkëdhelin. Por kjo është thjesht dobësi e Kadaresë, dhe pak punë prish. Por mënyra sesi ia sheh syri gruan (his gaze) është tjetër gjë; sensualizimi si epiqendra e saj, e si domosdoshmëri për t’u marrë në konsideratë, përforcon të njëjtat ndarje e raporte të vjetëruara varësie gjinore, dhe i le shqiptarët atje ku ishin.
Fragmenti më lart u shfaq çuditërisht në rrjetin FB, (fillimisht në faqet Letersia dhe Qyteti dhe Revista Saras). Mënyra si ishte përcjellë figurativisht në postim dukej si të qe zgjedhur për të zbukuruar një anë të pasme kopertine të librit me intervista dhënë A. Bardhylit prej Kadaresë në “Kohë për rrëfim” (shih foton në krah). Nuk kuptoj pse të jetë zgjedhur pikërisht ky fragment. Nuk e kam lexuar, dhe s’them dot se qenkësh apo jo kjo, thënia “më interesante” në gjithë librin. Dhe aq më pak shpresoj të jetë. Nuk gjej dot shkak tjetër, pos që është menduar se pikërisht ideologjia që gufmon lirshëm në atë paragraf, a)të tërheqë lexuesit apo b)të intrigojë kritikët. E para arsye bie ndesh me jo-vlerën progresive të paragrafit. Nuk i bën nder lexuesit ta joshësh me këtë fjali. Nuk i bën nder sidomos gruas lexuese dhe gruas në përgjithësi. Nëse arsyeja e përzgjedhjes së fjalisë ishte e dyta, pra të tërhiqte kritikë, them se ia ka dalë. Por kjo arsye fatkeqësisht nuk i bën nder autorit, dhe e nxjerr atë cullak në një ndër dobësitë e veta.
“Ke ndonjë kunj me Kadarenë?”, më tha një mik poet i bezdisur nga rishfaqja e shkrimit “Kukulla dhe Kurva në Kandarin e Kadaresë” https://peizazhe.com/2017/09/05/kukulla-dhe-kurva-ne-kandarin-e-kadarese/ që e kam shkruar para disa vjetësh e që doli rishtas online në të njëjtën kohë si edhe pasazhi nga Kadare për femrat. Përkimi i të dyjave më bëri t’i rikthehem temës së gruas tek Kadareja dhe paprekshmërisë së autorit idhull. Kujtoj që para shumë vjetësh P. Kulla në një email pas një shkrimi timit për një tjetër roman të Kadaresë (“Darka e fundit” në mos gaboj), roman që më kish tërhequr shumë, më thoshte diçka si “habitem me guximin dhe autoritetin për ta diskutuar Kadarenë si të barabartë”. Pjesa në thonjëza mund të ishte fjalësuar ndryshe, por kish këtë ide. Kulla nuk po më sulmonte në mesazhin e vet. Ai sinqerisht ia bënte pyetjen më shumë vetes se mua, dhe nuk po më tundte gishtin “Si guxon të guxosh?!”; thjesht i dukej surprizë (ndoshta jo e këndshme) kjo dukuri. Një tjetër lexues në Peizazhe pas artikullit për Kurvën më shkruante “Nuk i kërkojmë dot hesap Kadaresë pse s’është feminist.”
Nuk kam asnjë lloj kunji dashakeq me Kadarenë. Është autori që më ka rritur. Letërsia e tij më ka mbajtur gjallë në rini, dhe më ka dhënë atë copë të vogël gazi e shprese gjatë socializmit se gjërat mund të ndryshonin, se s’ishin të gjithë viça që qurraviteshin kur Enveri shfaqej, festonte apo vdiste. E shihja gjithnjë Kadarenë në xhirot e mbrëmjeve apo të përhumbur mëngjeseve në rrugët gri të Tiranës socialiste, e ndiqja me qejfin e madh që ishte gjallë, shkruante, dhe nuk e kishin burgosur. Ishte shpresa ime dhe e shumë njerëzve që urrenin gjithçka me shenjën socialiste mbi të. Nuk e kam besuar kurrë se i ka bërë hyqme regjimit dhe Enverit. Kompromisi i tij është bërë në emër të jetës dhe lirisë për të shkruar, dhe e ka bërë në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Edhe sot e njoh si shkrimtarin më të mirë që kemi. Ia kuptoj dhe dua fort forcën imagjinuese, asociacionet origjinale e të fuqishme që gjen në botën që përshkruan, lehtësinë me të cilin i kap syri universalen mes banalitetit, aftësinë për të shprehur shkoqur dukuri psikologjike apo koincidenca komplekse që tjetërkujt nuk ia formulon dot as ëndrra më fatlume, shpejtësinë e mendimit dhe ironinë sa popullore aq edhe te rafinuar që të befasojnë njëlloj, absurdin aq të pranishëm që i ngjan jetës vetë dhe groteskun figurativ në formësimin e absurdit, forcën e poezisë brenda prozës së tij.
E gjithsesi, kam të drejtë ta lexoj me sy hapur, kam të drejtë ta analizoj dhe kam të drejtë të them se mënyra se si e sheh femrën nuk është aspak progresive, madje peng ideologjish tipike maskiliste. Kjo është një ndër dy vijimësi ideologjike që demonstrojnë obsesione kognitive dhe kulturore të Kadaresë (tjetra, ajo kombëtariste që lidh Europën/kombin/armikun kombëtar). Sado i madh qoftë Kadare, dhe sado të mira të tjera pastë, ka edhe këto. Dhe ia njoh vetes këtë të drejtë pa cak, pikërisht sepse nuk po i kërkoj llogari pse s’është feminist. Por ama nuk është mëkat dhe duhet thënë që atij i mungon kjo ndjeshmëri. Kur dikush të thotë se i do, madje i adhuron gratë, kjo s’do të thotë aspak se është feminist. Burri e ka dashur gruan sa ka qenë jeta. E ka dashur, e ka dashur edhe të nënshtruar. E ka dashur edhe atë tjetrën, të pamoralshmen dhe problematiken. E ka dashur shumë. Atë ama, ndaras gruas, për qejfet më të mëdha e më të veçanta, por pa merita e temena publike, kollaj të përdorshme dhe të braktisshme. Si i tillë, Kadare është thjesht një prej këtyre burrave që i duan gratë – “femrat e pamoralshme”- për sytë e bukur, për mishin ndryshe, për “pëllumbin e bardhë” (varg folko-lirik tek “Zonjat e vogla të letërsisë shqipe”) e, tjetërkund të zi, mes shalëve.
Isha shumë e vogël kur kam parë dikë që e rrahu të shoqen në rrugë dhe, pasi ajo u shtri përtokë pa fuqi, e qëllonte me shkelm në një bark stërmadh shtatzanie. Kam parë rreth moshës tetë a nëntë vjeçare në një zyrë të mjerë fronti afër shtëpisë, edhe gjyqin e hapur gjatë një divorci të një mësueseje (jo nga shkolla ime) që kalonte dy herë ditës para rrugës sime e përshëndetej me time më, gjyq ku merrte pjesë kush donte, edhe ne kalamajtë që ndërpremë topa-luftash të bënim sehir, aq me interes na u duk çfarë po ndodhte aty. Ishte verë, dyert e dritaret ishin të hapura dhe zyra e frontit qe në katin përdhes plot e përplot me sehirxhinj më të rritur se unë. Ajo grua e mjerë ezmere me flokë kapur thjesht me dy karfica pas veshëve, vuante një turp e siklet që më therte në zemër edhe pa e kuptuar hiç. I shoqi thoshte çfarë gruaje e keqe ishte, ndërsa dy djemtë e vegjël qanin heshtur e s’donin t’i rrinin afër. I kam në sy këto dy gra shpesh. Të mos jesh si këta burra të historive që sa tregova, nuk do të thotë aspak që je feminist. Të imagjinojmë p.sh. një kryeministër modern që krijon një kabinet me shumicën femra, por kur negocion me ministreshat femra u bën atyre kërkesën që të buzëqeshin sa më shumë e lirshëm që t’u marrin burrave votat; ose një kryeministër që pasi ka krijuar një kabinet të tillë femëror, aplikon bunga-bunga në vilat e veta jashtë qytetit. Ky lloj “progresisti”, nuk është as ky feminist sido që nuk rreh gra. Madje këta dyfytyrësha kthejnë mbrapsht edhe hapa të vogla bërë për rikthimin e dinjitetit të gruas. Kadare mund të jetë më i avancuar në ideale se këta. Kadare është shkrimtar i rrallë. Nuk ka dyshim që është më kompleks e njerëzor se gjithë të mësipërmit. Por kjo s’do të thotë asgjë lidhur me feminizmin e tij. Se burri apo gruaja nuk janë 39.7% feministë. Të jesh feminist s’është numër që rrumbullakoset kollaj, çështje klasi a shkollimi e pasurie: do të thotë thjesht të respektosh gruan në tërësinë e vet ashtu si burrin, e të besosh vërtet në barazinë mes tyre. Gjë kaq e thjeshtë për t’u kuptuar, kaq qytetare dhe morale… si morali ngadhënjyes i “femrave me moral të papërsosur”; aq e vështirë për t’u jetuar.
Një tjetër kritikues më thosh “Kadareja është shkrimtari që i del zot Kurvës.” Vëlla: këtu është gjithë çështja, si e jotja edhe e Kadaresë. Kurva apo gruaja nuk kanë nevojë për zot, e as që t’u dalë kush zot. Se është pikërisht ky “zot” dhe kjo “dalje zot” që i bëri kurva dhe gra në kuptimin tuaj – praqenie “me moral problematik”, qenie “jo fort” e “jo dhe aq”, me tipare orientaliste dhe ekzotike që u rrinë si një “tis negativ” mbi akt, ku negativ nuk ka fort rëndësi, por “tisi” ama të bën të veçantë. Kadareja ka ngelur një burrë i vogël, me ëndrra paramoderne prej dandy parizien. Nuk ka qenë dhe nuk u bë kurrë pro-grua në kuptimin e vërtetë të fjalës. A e bën kjo shkrimtar të keq? Jo. A e bën kjo të mos pranohet prej një mase kritike shoqërore sidomos feministe, sensibilitetet emancipuese të së cilës në erën postmoderne janë të ndryshme, më kërkuese se ato të viteve 80 kur ndriti ylli i Kadaresë si simbol i progresit për Shqipërinë? Pa dyshim që po. A mjafton kjo kontroversi lidhur me të për të mos e konsideruar intelektual publik për Shqipërinë? Jo. Kadare është njeri që jeton në sferën e ideve dhe nëpërmjet tyre është gjithnjë i lidhur me publikët shqiptarë kudo qofshin, edhe sepse ai do të ketë një mision shoqëror, edhe sepse shqiptarët ia lypin vazhdimisht këtë rol. Pra mendoj se, po: Kadare është një intelektual publik. Veçse këtu duhet specifikuar se është një intelektual publik i stampës së vjetër, së cilës i ka ikur koha: Kadare sot nuk turbullon status-quotë kulturore ndërshqiptare në mënyrë që ta avancojë njohjen, kulturën shoqërore drejt një barazie, paqeje e mirëkuptimi më të madh. Sahati ka ngelur. A ka arsye për këtë. Pa dyshim. Por fakti që mund t’ia shpjegojmë problemet, nuk do të thotë që për Kadarenë mund të diskutojmë veç për të mirat, si patriotë që jemi.
Edhe diçka për ata që e adhurojnë dhe mendojnë se e kam me Kadarenë: a e dini pse ju duket ashtu? Sepse ndoshta dua më shumë se ju të mos e kish atë vështrim të mangët e fyes ndaj gruas. Dhe besoj se e meritonim dhe na nevojitej shumë një shkrimtar që ta artikulonte një vështrim progresiv në letërsi apo në diskursin publik. Unë e kam ngritur vërtet lart stekën për Kadarenë, sepse e konsiderojmë më të madhin ndër ne. Ju duket se e kam me Kadarenë, sepse edhe unë si ju, vuaj nga një raport idhullizues me të. Veçse juve ju duket se idhulli është perfekt, ndërsa mua më vjen keq që nuk është. Dhe, ndryshe nga ju, unë vazhdoj të përleshem me pyetjen “një burrë i paemancipuar a mund të jetë një shkrimtar i madh?”
(c) 2021, Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në mediat. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht, për cenim të së drejtës së autorit.
(Lutje redaksionale për gazetën TemA: mos na i merrni shkrimet, sepse ashtu na përvetësoni edhe mundimin që bëjmë për t’i siguruar, duke punuar bashkë me autorët. Pyesni veten pse autorët i sjellin te ne, jo te ju. Ne nuk kemi burimet tuaja financiare as pushtetin tuaj: por nëse ju interesojnë shkrimet tona, mund të bisedojmë. E vetmja gjë që po ju kërkojmë me forcë – për të satën herë: SA MË LARG NESH!)
|
33,544 | https://peizazhe.com/2020/01/07/sugjerime-per-nje-ligj/ | null | 2020-01-07T13:31:20 | SUGJERIME PËR NJË LIGJ | Lexoj se Kryetari i ASHSH, Skënder Gjinushi, do t’i propozojë qeverisë miratimin e një ligji për “ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe”, i cili, gjithnjë sipas lajmit të shpërndarë, parashikon edhe hartimin e një “fjalori të plotë” në gjuhën shqipe.
Angazhimi i Akademisë së Shkencave në lëmin e shqipes është për t’u përshëndetur, sidomos po të shoqërohet edhe me mbështetje aktive nga shteti. Por – ka gjithnjë një por – objekti, fushëveprimi dhe synimi i këtij ligji kanë gjithnjë nevojë të përcaktohen qartë që në krye.
Duke filluar nga premisa se gjuha shqipe, si e tillë, nuk ka nevojë as për ligj, as për mbrojtje nga shteti. Çfarë ka nevojë të rregullohet me ligj është komunikimi me shkrim i institucioneve publike. Prandaj ky do të jetë një ligj në mbrojtje të institucioneve dhe të shtetit vetë.
Kur flitet për “mbrojtje të gjuhës nga shteti”, duket sikur vijnë në vështrim dy gjëra kryesore: (1) detyrimi i zbatimit të standardit dhe (2) mbrojtja e gjuhës nga huazimet “e panevojshme”.
Mirëpo, nëse ligji do të ketë për objekt komunikimin e shkruar institucional publik, atëherë “standardi” ka nevojë të specifikohet me kujdes, që të mos katandiset (të mos dhaskalizohet) në policim drejtshkrimor pedant.
Çfarë duhet bërë me ngut, për mendimin tim, është të detyrohen me ligj institucionet publike – të gjitha – të përdorin shqipen e shkruar me alfabetin në fuqi, ose atë me 36 shkronja. Kjo mund të shoqërohet me detyrimin për të përdorur tastiera fizike të shqipes në kompjuterët desktop dhe versionet e MS Windows dhe të MS Office në gjuhën shqipe (së bashku me kontrollet drejtshkrimore automatike përkatëse). Ashtu mbase do të mund t’i jepet fund shkrimit të shqipes pa ë-të dhe pa ç-të, në nivel institucional publik.
Kjo e shkronjave nuk ka të bërë aq me drejtshkrimin dhe standardin, sa me teknologjinë (raportin e përdoruesve me teknologjinë). Dikush që shkruan eshte për është, e bën jo sepse nuk di ta drejtshkruajë atë fjalë, por ngaqë nuk di si ta përftojë ë-në, ose i duket sikur nuk ia vlen të mundohet “për një shkronjë”. Pra, bëhet fjalë për një pengesë teknologjike banale, e cila vepron ngaqë përdoruesit e gjuhës nuk e kanë të zhvilluar sensin gjuhësor etik ose nuk u vjen keq, as turp, që po e gjymtojnë shqipen në regjistrin formal institucional; dhe që mbështetet në bindjen e rrejshme se shqipes së shkruar mund t’ia zëvendësosh ë-në me e, dhe ç-në me c, pa e komprometuar komunikimin; dhe se këtë zëvendësim është i autorizuar ta bëjë kushdo (“demokracia” drejtshkrimore).
Pasi të ndreqet kjo shkelje kaq e hapur e normës, ligji i supozuar duhet të përcaktojë fushën ligjërimore ku do të imponohet ligjërisht standardi – fushë, e cila nuk mund dhe nuk duhet ta tejkalojë hapësirën e shqipes institucionale formale: gjithçka e shkruar që e ka zanafillën te një institucion publik (ekzekutiv, gjyqësor, legjislativ). Por jo më tej, sepse shteti nuk ka pse të ngatërrohet drejtpërdrejt me shqipen e shkruar të botimeve ose të mediave në përgjithësi.
Mirëpo edhe ky standard i shqipes së shkruar, i imponuar kësisoj me ligj brenda një fushe të caktuar, ka nevojë të formalizohet sërish me ligj: dhe këtu nuk mjafton vetëm një fjalor drejtshkrimor, meqë duhet edhe një gramatikë normative dhe një fjalor i emrave të përveçëm (të së gjitha llojeve), sikurse duhet edhe një institucion që të merret me terminologjinë dhe ta sanksionojë dora-dorës, pranë autoritetit të standardeve.
Ka fjalorë drejtshkrimorë të shqipes të botuar edhe së voni dhe që ndjekin vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, dhe që janë hartuar me kompetencë nga specialistë të lëmit përkatës. Këtyre fjalorëve mund t’u bashkëngjiten edhe tabela gramatikore normative, nëse nuk i kanë.
Por ata fjalorë mbase duhen rishikuar, nën dritën e realitetit të sotëm ligjërimor mbarëkombëtar. Çfarë duhet bërë, në momentin e tanishëm – gjithnjë sipas mendimit tim – është të hapet norma drejtshkrimore ndaj dysorëve, ose të kodifikohen shmangiet e pranueshme (në bazë edhe të disa sugjerimeve të bëra këto dekadat e fundit nga specialistët). Me dysorë, kam parasysh forma që mund të përdoren paralelisht, p.sh. qumësht dhe qumsht, fëmini dhe fëmijëri, burrni dhe burrëri, etj.; në kuptimin që të mund të shkruhet fëmini pa u konsideruar kjo shkelje e normës drejtshkrimore në asnjë instancë. Shumë gjuhë anembanë botës i pranojnë dysorët lirisht, pa u shkaktuar kjo ndonjë krisje të strukturave.
Ligji i ri duhet të adresojë njëfarësoj shkrimin e emrave të huaj; meqë parimi pak primitiv i “respektuar” deri më tash (shkruhen ashtu siç shqiptohen) nuk mund të zbatohet dot më. Emra nga gjuhët e mëdha perëndimore mund të ruajnë grafinë e origjinalit; për gjuhët e tjera (përfshi emrat nga gjuhë me shenja diakritike jo-standard, si polonishtja ose çekishtja, ose emra nga gjuhë me alfabete të tjera, si greqishtja, rusishtja, arabishtja ose koreanishtja; ose edhe me sisteme të tjera shkrimore, si kinezçja) duhet të vendosë një komision i posaçëm; zgjidhja më pak e kushtueshme është, këtu, të ndiqet praktika e konsoliduar për një gjuhë dhe kulturë të afërt me shqipen, si italishtja (ose rumanishtja) – në kuptimin që le ta shkruajmë emrin e një shkrimtari kinez siç e shkruajnë italianët.
Për mediat e shkruara, mediat elektronike të shkruara dhe shtëpitë botuese (përfshi edhe ato të teksteve shkollore), ligji duhet t’u kërkojë atyre institucioneve që, brenda 2-3 vjetësh, të hartojnë “manuale të stilit”, ku të përcaktojnë politikat normative që do të ndjekin në botimet e tyre. Shteti nuk mund të ndërhyjë në shqipen e enteve private të botimit – por ka të drejtë t’u kërkojë këtyre që ta rregullojnë formalisht shqipen e tyre.
Më në fund, shteti duhet të ndihmojë, financiarisht dhe moralisht, hartimin e një drejtshkrimi dhe gramatike të gegnishtes letrare, i cili të shërbejë si model nga të gjithë ata që duan ta shkruajnë atë variant letrar (kjo duhet bërë në bashkëpunim të ngushtë edhe me kolegët në Kosovë që kanë ide shumë specifike për këto çështje). Këtë gegnishte letrare të normëzuar mund ta përfshijnë pastaj, në manualet e stilit, të gjitha ato institucione që botojnë tekste të shkruara rishtas në gegnishte – meqë nuk mund të pranohet që një autor të shkruajë âsht, një tjetër asht, një i tretë osht dhe një i katërt ôsht, për të njëjtën formë të foljes jam; sikurse është mirë të zgjidhet nëse do të shkruhet me punue, apo me punu, e kështu me radhë. Nuk është puna për të normëzuar gegnishten si dialekt, por për të kristalizuar variantin letrar që do ta përfaqësojë në shekullin XXI; sepse nuk mund të ecet përpara me parimin “nga një normë për çdo autor”, siç edhe nuk është ecur. Ky standard hipotetik nuk ka lidhje, megjithatë, me mënyrat si e transkriptojmë gegnishten e folur, ose si i shkruajmë disa forma të stilizuara të saj (p.sh. në tekstet e këngëve), të cilat kërkojnë zgjidhje ad hoc.
Ligji për shqipen institucionale nuk duhet të ngatërrohet fare me punë të shqiptimit – madje as në instancat më të larta dhe formale. Një deputet mund të flasë në dialekt edhe nga foltorja e parlamentit (është punë e tij si do ta prezantojë veten para dëgjuesve), por dokumentin që lëshon me firmën e tij si deputet, duhet ta ketë në standard (përndryshe ai dokument nuk do të ketë vlerë juridike). Kjo mbase duhet përligjur edhe teorikisht, duke hequr dorë njëherë e mirë nga parulla naive se “shqipja shkruhet ashtu siç shqiptohet” – ngaqë kjo nuk është më e vërtetë; sikurse nuk është e vërtetë që “shqipja shqiptohet ashtu siç shkruhet”; prandaj këto parulla u duhen kursyer deri edhe kalamajve.
Rregullimi me ligj i komunikimit të shkruar publik nuk është ide e keqe dhe, po të zbatohet me kujdes, do të ketë efekte pozitive edhe në punën, dinjitetin dhe autoritetin e këtyre institucioneve. Me kusht që të heqim dorë nga megalomania e tipit “të shpëtojmë shqipen” – meqë sa më specifik të jetë ligji dhe fusha e veprimit të tij, aq më të mëdha janë shanset që të ketë sukses dhe t’i shërbejë publikut, shoqërisë dhe kulturës shqipe.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi pa lejen e një administratori të revistës.
Shënim: Ky shkrim m’u sugjerua nga një pyetje që më drejtoi sot në mëngjes gazetari Salih Mehmeti, i “Koha ditore”, në lidhje me ligjin në fjalë. Nuk pata mundësi t’i përgjigjem në kohën e duhur, por tema në vetvete më ngacmoi dhe m’u duk e denjë për shtjellim të menjëhershëm.
|
19,048 | https://peizazhe.com/2015/08/27/amicus-sacer/ | null | 2015-08-27T11:28:11 | AMICUS SACER | Po i shkruaja një mikeje privatisht sot, dhe nuk e gjeja dot mënyrën si t’i them – në shqip – se there’s nothing like friendship. Kjo fjalë e thjeshtë, por e pasur në jehona përjetimesh të shtrenjta: friendship; më erdhi të shkruaj shoqnia, sepse shqipja standard, shoqëria, nuk më tingëllonte mirë.
Në fakt, edhe ngaqë shkruaj ndonjëherë për punë sociologjie dhe antropologjie, jam mësuar që fjalën shoqëria ta bashkëlidh me society – dhe, më tej, me zhargonin e materializmit historik, që ende e kam të tatuuar në kore të trurit, që nga vitet e universitetit. Ndoshta duhej të kisha parapëlqyer miqësia – por miqësia në krahasim me friendship më dëgjohet shumë më e dobët.
E keqja nis që me konceptin – dhe mitologjinë intime – të shokut (dhe shoqes). Fjalë e bukur, por që pati fatin e keq të rekrutohej sakaq nga shqipja totalitare, për t’u përdorur – në fillim krejt artificialisht por pastaj gjithnjë e më si ndajshtesë rutinore – si barasvlera shqipe e “comrade”, “Kamerad”, “tovarishç (Товарищ)”, “compagno” – ose e krejt aradhës së titujve që komunistët, anembanë botës, kishin zgjedhur për të zëvendësuar të dikurshmet signore, monsieur, mister, gospodin (Господин), Herr… dhe zotni.
Për të kaluar pastaj, dora-dorës, te shokët kryesorë, shokët e udhëheqjes, e bisedova me shokët e Byrosë, kanë ardhur shokët nga qendra, shoku ministër, shoqja kryetare e Gruas, e kemi shok me përvojë, shoku polic… e deri tek një barcaletë e vjetër, kur një grua trazon shtrat me dikë që nuk e njeh me emër, dhe pastaj i thotë në afsh e sipër: ku paskësh qenë gjithë ky qejf i madh, mor shok!
Dhe që mund të shërbente si shembull, sado grotesk, ku fjala shok vjen e shenjon të panjohurin, atë që nuk ka emër, individin brenda turmës; duke u shndërruar praktikisht në përemër.
Shqipja kish në thesarin e vet edhe fjalën mik, të trashëguar sërish nga koha e kontakteve me latinishten; nëse socius i referohej, në gjuhën burim, aleancave ushtarake të Romës me fiset e tjera italike, amicus lidhej drejtpërdrejt me foljen amare.
Por çfarë fati pati edhe kjo fjalë në shqipe: më parë e kapur peng në ligjin zakonor të mikpritjes, ku miku përfundoi i shndërruar në një homo sacer, ose perëndi sa minore aq edhe të frikshme; dhe më pas i rekrutuar agjent të favoritizmit, falë shprehjes së tmerrshme: i futa mik, e cila e kthente mikun në instrument të përjashtimit ndaj ligjit dhe rregullave dhe fair play-t në marrëdhëniet sociale…
Nga njëra anë, shokët ishin anëtarë të super-masonerisë komuniste-totalitare; nga ana tjetër, miqtë ishin anëtarë të mafies anti-shtet. Dy fjalë të nevojshme, dy koncepte të shtrenjta, dy palë konotacionesh të vyera u plagosën dhe u gjakosën nga sistemi.
Pa folur pastaj për rrugën “Miqësia” në Tiranë dhe “Dy popujt miq” dhe për të gjitha ato raste të tjera, kur fjala mik dhe derivatet e saj përfunduan të përdorura për të shënjuar dikë ose diçka, me të cilin a të cilën nuk të lidhte asgjë e veçantë; por që gjithsesi nuk mund ta shpërfillje krejt e të bëje sikur nuk e njihje… një farë lubrifikanti social, ose inhibitor i armiqësisë (!).
Pa folur pastaj edhe për formulën përbuzëse “X. me shokë”, ku me shokë thjesht shënjonte ndjekësit e verbër, sejmenët; aq të përbuzshëm, sa edhe emrat nuk vlente t’ua përmendje.
Këto dy fjalë, shok e mik/shoqe e mike, që ishin tonat por na i uzurpuan, kushedi mundemi t’i rivendikojmë dhe t’i “shërojmë” duke i përdorur ashtu siç duam ne – duke ua dobësuar konotacionet totalitare, sakrale, mafioze.
Janë tepër të çmuara, që t’i depozitojmë në arkivat; ose t’i përdorim veç me ironi; ose me nënkuptime negative, si atëherë kur mik do të thotë thjesht “not a friend”; dhe shoqe do të thotë “not a wife or a fiancée…”
Kameraderitë, masoneritë, ortakëritë, krushqitë vijnë dhe shkojnë; por shoku dhe shoqja, në kuptimin friend janë hyjni të sferës personale, të cilave ia vlen t’u falesh; sepse hedhin dritë pikërisht aty ku mbaron pushteti i gjakut e i farefisit dhe ku fillon përtej pushteti i Tjetrit.
Ensë dashunit të shoqënisë sanë…
|
31,316 | https://peizazhe.com/2019/04/30/poetika-e-nje-kalldremi/ | null | 2019-04-30T12:48:02 | POETIKA E NJË KALLDRËMI | Anëtarët e shoqatave të marshuesve u ngjajnë pak gjuetarëve. Kanë qejf të takohen me njëri tjetrin dhe të tregojnë histori të çuditshme ku, le ta themi këtë midis nesh, nuk mungon edhe pak aromë mitesh… Kështu kur shoqatës sonë i erdhi një ftesë nga një shoqatë belge, që t’i ngjiteshim të hënën që shkoi malit Saint Aubert, ne pa vonesë dërguam miratimin tonë dhe shprehëm kënaqësinë e madhe se do të ngjisnim një mal për të cilin nuk dinim asgjë.
Në origjinë qëllimi i shoqatave është që të mbajë në « gjendje pune » antarët e saj, të vërë në provë kapacitetet e tyre para se secili të vendosë për t’u nisur drejt Santiagos së Spanjës, një udhëtim ky që kur nuk kryhet me etapa, mund të zgjasë dy deri tre muaj.
Pika e grumbullimit është në fshatin Kain, në Valoni. Por vetëm kur mbërritëm aty, kuptojmë se bëhet fjalë për një ritual të vjetër që vendasit e njohin me emrin “marche à bâton”, pra i vetmi kusht është që të mbash një dajak në dorë. Mali e ka fituar shenjtërinë e tij që në kohët romake, kur vendësit, tashmë pjesë e asaj perandorie, ngjiteshin aty e i blatonin dhurata perëndeshës Minerva. Dikur pastaj një ditë aty kishte ardhur dikush me emrin Aubert të meditonte. Më tej vendasit i kishin dhënë emrin e tij.
Gerald D., një nga veteranët e grupit tonë, që atë ditë kishte ardhur aty me të shoqen, pyeti një prej organizuesve vendas se sa i lartë ishte ai mal. 150 metra iu përgjegj ai, me theksin e tij valon, por pa lënë të pikonte gjësendi për të kuptuar se sa serioz ishte në ato që thoshte. Pastaj shtoi: saktësisht është 149, por ne besojmë se nuk e ekzagjerojmë kur themi 150 m.
Ne u përpoqëm të kontrollonin çdo grimasë të mundshme, por edhe ndonjë shprehje të tepruar habie për atë lartësi marramendëse. Mali vërtet është disi modest (dhe me sa dukej kjo shpjegonte faktin që ende nuk po e shihnim gjëkundi ku ishte), por siç thotë një fjalë e këtyre anëve, secili bën aq sa mundet me atë që ka. Ishim të bindur se po të kishin gjësendi tjetër më të lartë, ata nuk do të na e mbanin fshehur. Do të na e propozonin, me zemër në dorë.
Nëpër rrugë rendnin dhjetëra e qindra vetë, shpesh në grupe familjesh të tëra, që ndiqeshin me entuziazëm edhe nga qenushët e shtëpisë, të cilët edhe ata e ndjenin se ajo ditë do t’u blatonte qejfe të pazakonëshme. Bashkë me ne lëvizte me nge edhe një diell i bukur, i ngrohë, gjithë lezet dhe i shkujdesur derdhte mbi peizazhet e Valonisë një dritë refleksesh të florinjtë që na përçonin tej e tej të gjithëve, si të qemë të tejdukshëm e pa asnjë hije të dyshimtë.
Për t’u ngjitur deri në majë komisioni ka përcaktuar tre itinerare, njëri 6 km., tjetri 12 dhe një i tretë 20 km. i gjatë. Eshtë e tepër të themi se për ne, një rreth i vogël “profesionistësh”, është rezervuar itinerari i tretë. Dhe të fakt ishim të vetmit sepse edhe mikpritësit tanë vendalinj, parapëlqyen të na lënë vetëm dhe zgjodhën një tjetër më të shkurtër, por pa harruar të na inkurajonin duke në thënë se me të arritur atje lart na priste një vezë e zier falas.
Edhe pse kishin pika ku priteshin, të tre itinerarët ndiqnin pista të veçanta. Po të niseshe nga fshati poshtë e t’i ngjiteshe drejtpërdrejtë majës, bëheshin vetëm tre kilometra, tre të tjera shtoheshin në të kthyer. Pra, që të plotësonim 20 kilometërshin tonë neve na duhej t’i binin plotësisht rrotull malit, si çifutët Jerikos (natyrisht pa buritë e tyre) dhe vetëm pasi të kishim plotësuar kilometrazhin tonë do t’i drejtoheshim majës së tij. Dhe ishte vërtet diçka ngazëlluese të ndiqje rrugët e shtigjet që kalonin përmes kullotave të mrekullueshme, rrugëve këmbësore, ca zonave të pyllëzuara dhe anash kopështve që u ngjanin veprave të artit, ku protagoniste ishin pemët që sapo kishin çelur lule, veçanërisht qershitë, të cilat ngjanin si fyshekzjarre që kishin shpërthyer me të gjitha ngjyrat dhe ashtu kishin ngrirë në ajër, në pritje të na tregonin se një bukuri e tillë ekziston edhe jashtë sfondeve të ekranit.
Majës që kulmohej nga kambanorja e kishës mua dhe grupit të miqve me të cilët kisha ardhur, na qëlloi t’i ngjteshim nëpërmjet një rruge të ngushtë me kalldrëm, që një tabelë e ngulur në anë të saj na mëson se quhet: Rruga e poetëve. M’u duk i veçantë e mjaft vlerësues një homazh i tillë, edhe pse në një fshat që nuk e dija se ekzistonte.
Por kishte ende gjëra të tjera për të parë. Madje, shumë. Diku nga mesi i asaj rruge sytë më zunë ca pllaka guri apo çimentoje që pa përjashtuar funksionin e kalldrëmit të cilin e kryenin me devotshmëri dhe pa u ankuar, në kurriz mbanin edhe vargje poezish. Ishin kryesisht vargje poetësh belgë bashkëkohorë, një pjesë e mirë e të cilëve kishin jetuar a vazhdonin të jetonin në qytete të ndryshme të Valonisë.
Asgjë për t’u habitur, në të vërtetë. Belgjika e vogël ka nja dymbëdhjetë çmime Nobel e midis tyre nuk mungojnë edhe shkrimtarët.
Dhe ajo lojë drite e hijesh që luante nën këmbet e mia sikur më shndërruan në një nxënës shkolle që nxitonte nga një pllakë te tjetra për të lexuar e kuptuar atë univers poetik që ishte shfaqur aq befasisht. Kisha kaluar diku aty pranë me qindra herë me makinë (pak më tutje kalon një autostradë evropiane që zbret nga deti i Veriut e deri në Mesdhe), por kurrë nuk do ta besoja se mund të ekzistonte edhe një rrugë e mbushur plot me vargje.
Së pari u përkula mbi një varg të tillë: Nues, sous un manteau des paroles (Lakuriq nën një pallto fjalësh) Poshtë tyre ishte emri i poeteshës Anne-Marie Derese.
E kemi njohur, më thanë Gerald D. dhe e shoqja, Marie-Yvonne. Dhe ishin ata që pastaj më treguan se ruanin në shtëpi edhe një libër me autografin e saj. E kishin njohur gjysmë shekulli më parë dhe thanë se kishte qenë një grua e bukur.
Ky detaj më shtyu të gjej një fotografi të sajën e ta sjellë këtu. Thjesht për të kuptuar si e mbanin mend miqtë e mi.
Pastaj ishte vargu i një poeti simbolist, Georges Rodenbach, që kishte lindur në qytetin e bukur Tournai, diku jo larg prej aty. Les rêves sont des clés pour sortir de nous-meme… (Endrrat janë çelsa për të dalë nga vetja jonë).
Tu crois finir, tu commence (Ti kujton se mbarove dhe ti fillon nga e para), thonin vargjet në gur të Liliane Wouters.
Një pllakë më lart shkruhej: Dans l’haleine des nuits/l’âme continue de veiller. (Në frymën e natës/ shpirti vazhdon të përgjojë. Ishin vargje që i përkisnin A. Ayguesparse.
Ndërsa më tej Gaspard Hons thoshte: Nous signeron toute pact avec un brin d’herbe (Nënshkruajmë çdo pakt me një fije bari)
Diçka më gjatë, madje shumë më gjate ndenja mbi vargun e Bernadette Bodson-Mary-së: Ton ombre ne sera jamais mienne (Hija tënde kurrë nuk do të bëhet imja).
Nuk do t’i uroja vetes të identifikohesha me personin të cilit i drejtoheshin ato vargje. Se e vërteta është se ai duhet të ekzistojnë diku, në natyrë. Eshtë e pamundur që një varg i tillë të dalë nga një shpirt që nuk ka provuar diçka që kërkon ta harrojë sa më shpejt. Por që nuk do të mundë kurrë…
Viellir avec la minute d’un vol de cigogne (Të plakesh me përkujdesjen e fluturimit të lejlekut), thotë diku më tutje Jean Dumortier, ndërsa Paul Mahieu i drejtohet një regjistri tjetër tingujsh: Tu touches la peau/ et c’est l’âme qui vibre (Prek lekurën dhe është shpirti që drithëron)
Nga Colette Nys Mazure (që më thonë se edhe ajo nuk banon larg prej aty), kanë sjellë vargjet: Célébrer les silences et leur ouvrir les ailles (të kremtosh qetësitë dhe t’u hapësh krahët).
Një pllakë më lart që sjell vargun e një poeti më të ri në moshë, Otto Ganz, lexoj: Nous gravimes le niveau pour nous retrouver (Ngjitemi lart që të takohemi). Varg i mrekullueshëm! Nuk e di se si mund të japësh më thjeshtësisht nevojën për t’u ngritur e lartësuar shpirtërisht që të mund të qëndrosh në nivelin e një dashurie të denjë për t’u quajtur e tillë, mund të jetë një nga interpretimet e saj.
Pastaj kthehem nga vargjet e Marianne Kirsch, Philippe Mathy, Gilbert Delhaye, Maurice Carems, Jean Tordeur, Carl Norac, Louise Janson- Scheidt (ka shkruar me pseudonimin Louis Dubrau), Roger Foulon, Géo Librecht…
Por e kam të vështirë të shkëputem menjëherë nga vargjet e Marc Dugardin: Une rumeur doucement desarme la memoire (Një llomoti ngadalë çarmatos kujesën). Përfytyroni dikë që dëgjon diçka (e vërtetë apo jo) për një qenie të rëndësishme për të. Dhe befas, si dëm i parë anësor, nis e preket ana funksionale të kujtesës, qelizat ku është rregjistruar gjithçka që lidhet me personin në fjalë, dalin jashtë luftimi, refuzojnë të luajnë funksionin e mëparshëm… (dhe kjo pavarësisht nëse llomotija është e vërtetë apo jo). Si mund të shprehet më qartë se edhe në dashuri njeriu nuk mund të mbajë nën kontroll gjithçka…
Vazhdoj t’i ngjitem rrugës e vargjeve dhe e shoh veten që pa dashje, e zgjas a shkurtoj hapin që të mos shkel në pllakat ku janë gdhendur ato, të mos i vë këpucët e mia të marshimit mbi ato miniuniverse që shprehin e prekin një gamë ndijesish që talenti i poetëve na shtyn të besojmë se është e përbashkët për të gjithë.
Përpara kam gjithnjë miqtë e mi të moshuar, Gerald D. dhe Marie-Yvonne D. Ecin ngadalë. Nuk ishte e vështirë të kuptoje se seksi do të ishte ishte zhdukur nga peizazhi i tyre bashkëshortor, por lumturia që ua lexoja në sy tek marshonin bashkë, dhembshuria me të cilën e shihnin njëri-tjetrin, frika gati mistike tek hidhnin me mundim hapat dhe pastaj mënyra se si menjëherë e mblidhnin veten që ai që kishin në krah të mos e kuptonte se sa të vështirë e kishte të ruante ritmin, të gjitha këto më linin përshtypjen se megjithatë “seksi” ishte aty, veçse ishte sublimuar dhe shfaqej në trajtën e një sensualiteti tjetër, jo më pak ekzaltues, por që tashmë shprehej me gjeste të vogla e kalimtare, si kapja nga duart dhe lidhja për pak çaste e dy gishtave të vegjel të njeri tjetri, mënyra se si përkuleshin dhe u jepnin jetë atyre vargjeve, tek ua lexonin njëri-tjetrit, sikur të ishin dedikime personale…
Duke ndjekur ata të dy, së fundi edhe unë mund të shkëputem nga vargjet që kisha gjetur përtokë dhe mbërrita te sheshi i fshatit, në majë të malit. Por përpara se të shkoj e të marr vezën e premtuar, më tërheq vemëndjen diçka e pabesueshme. Në anë të kishës gjendeshin varrezat, si në çdo fshat. E tamam në hyrje të tyre, që shkruar Jardin des poetes (Kopështi i poetëve).
Nuk e kuptova menjëherë se përse ishte fjala. U futa brenda dhe vazhdova të ec në në një rruginë të shtruar me granil, që kalonte permes varresh të vjetër e të mirëmbajtur. Dhe kështu u bë e mundur të arrij te Jardin des poetes, që nuk ishte tjetër veç një parcelë e ndarë veç, ku ishin varrosur vetëm poetë.
U ula te nje stol, që ishte përballë tyre dhe nisa t’i vështroj me rrallë. Pastaj u ngrita dhe iu afrova secilit veç e veç. Munda të dalloj edhe ndonjë nga emrat e atyre poetëve të cilëve sapo u kisha lexuar vargjet në gurët e kalldrëmit.
Dikush ishte përpjekur t’i mirëmbante e të shkulte barërat e egër, por kjo nuk me pengoi të ndermend dy vargje të Roger Foulon-it, që sapo kisha lexuar pak më parë, mbi një pllakë: Il poussera de l’herbe/ et je ne serai plus qu’un peut de poésie (do të mbijë bar dhe unë nuk do të jem veçse pak poezi, varg ky që me pak liri mund të përkthehet; dhe prej meje nuk do të mbetet veçse pak poezi).
Një homazh i mrekullueshëm! Por nuk e di pse u turbullova pak. Mbase sepse m’u kujtua se në të njëjtën kohë në një vend tjetër poetët i kalonin në plumb për vargjet e tyre, ndërkohë që ata të cilët nuk patën mundësi t’i varnin, ua kishin hedhur eshtrat në lumë…
U përpoqa ta largoj mendjen, por nuk është fort punë e lehtë. Në të vërtetë, ka kohë që habitati i endrrave nuk është më Shqiperia, madje nuk shoh ëndrra fare, por nuk do ta kisha besuar se njeriu mund të kontrrollojë ëndrrat, por jo mendimet, edhe pse problemi nuk ishte fare pa zgjigdhje, madje ajo ishte aty afër. M’u poshtë murit të varrezave, në anë të një çadre të madhe ku po hapeshin fuçitë e birrës, një grup simpatik muzikantësh, në mesin e të cilëve ishin dy gra të bukura me mikrofon në dorë, kishte nisur të shpaloste programin e tij.
Dalëngadalë të gjithë marshuesit që kishin mundur të ngjiteshin deri aty, po u mblidheshin rrotull, duke hedhur tutje dajakët e tyre për të marrë në njërën dorë shishet e birrës dhe në tjetrën vezën e zier, dhuratë e kryesisë së fshatit.
Shenim: Fotot janë të gjitha të autorit të shkrimit
|
23,135 | https://peizazhe.com/2016/07/29/prishesit/ | null | 2016-07-29T08:02:02 | PRISHËSIT | “Pas meje, kiameti!” thotë shprehja e njohur franceze e kohës së Luigjit të XV-të. Mirëpo pushtetarëve shqiptarë u ka munguar durimi. Kështu që edhe kiametin e kanë prurë me vete: “Bashkë me mua, fadromat!” Administrimi i kryeqytetit, për shembull, dhe sidomos ideja e ndryshimit në politikë-bërje, prej kohësh përjetohet si një koncert prishjesh.
Kujtoni tërë ato plane urbanistike për Tiranën, të bëra pirg diku në ndonjë bodrum të bashkisë, të cilat do të mjaftonin për të veshur muret e zyrave të dhjetë kryebashkiakëve qejflinj.
Edhe vizionet urbanistike franceze, edhe endërrimet belge, edhe fantazmagoritë me piramida dhe liqene shëtitëse në sheshin ‘Skënderbej”, edhe e ardhmja jeshile e Tiranës-kopësht zoologjik, na janë shfaqur edhe si premtime për prishje sistematike. Mirëpo prishjet vazhdojnë të bëhen ad hoc, duke krijuar alibi të tjera në të ardhmen.
Stadiumi “Qemal Stafa” qe viktima më e fundit në një histori të hershme prishjesh zyrtare e gjysmë-zyrtare, që janë bërë pa teklif, për popullin, në emër të popullit.
Edhe këtë herë, si zakonisht, debati u përqëndrua tek çështje të estetikës, në vend që t’i mëshohej çështjeve të financave, administrimit të publikes, po dhe goditjes që i bëhet kulturës materiale të së shkuarës nën gjethen e fikut të ekspozitave ministrore, bunkerëve-muze, dhe ritualeve të shpurës së Kryeministrisë. (Nuk bindin as arsyetimet se do të ruhet fasada a stadiumit, a thua se Bosio dhe projektuesit e tjerë italianë krijonin fasada, dhe jo një ansambël urbanistik të mirëfilltë.)
Ndërtimi i stadiumit në kryeqytet, 14 maj 1940
Pushtetit i pëlqen të diskutojë për estetikën. Pushteti ushqen kontakte me galeritë perëndimore më në zë, me arkitektët e gatshëm për të eksperimentuar në vendin-laborator ballkanik, me artistët-kontraktore të vendeve nordike.
Ndryshe nga pushteti i djeshëm i të djathtës, që mbahej në këmbë me treçerek-analfabetë të trashur nga lufta imagjinare me komunizmin, ky i sotmi flirton me post-modernen. Flet rrjedhshëm gjuhën e rrjeteve sociale.
Ngaqë debati zhvendoset ritualisht drejt estetikës, të krijohet përshtypja sikur publiku, që s’pyetet për pothuajse asgjë me rëndësi, ka shansin të japë demokratikisht mendimin e vet.
Diskutimi përftohet si një farë ankandi popullor shijesh. Të pëlqen super-arena kuq-e-zi? E do fasadën me shqiponjë të vogël apo me shqiponjë të madhe? Sa të lartë ta bëjmë kullën? (As pushtetarët komunistë, që qytetin e shihnin si shtojcë të planeve pesëvjeçare, nuk ishin kaq të fiksuar me kullat.)
Tirana = kulla + shqiponja.
Publiku online klikon imazhet futuriste të prodhuara me kompjuter nga ndonjë stazhier në Milano. Në terren: #punavazhdon me fadromat.
Do të ishte më e kollajshme të diskutohej seriozisht për të ardhmen e Tiranës sikur mos të të krijohej ndjesia se vazhdon të xhirohet i njëjti film prej shumë vitesh. Para ca kohësh, iu turrën mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar (ca administratorëve të djathtë u dukej shumë komunist). Piramidën e lanë të rrënohej. Pastaj donin ta prishnin, ngaqë ishte e rrënuar, sipas të njëjtës logjikë — qark i mbyllur — që përdorte PPSH-ja me kishat në fillim të viteve ‘60. Hotel Dajti: histori e ngjashme. Shtëpitë e viteve të para-luftës: zhdukur një nga një.
Perëndon kujtesa historike e Tiranës, e kaluara e të cilës që tani po shkruhet me kartolina në internet dhe me “më ka thënë gjyshja tironse.” Nostalgjia për Tiranën “e vjetër” është në proporcion të zhdrejtë me gjurmët e ruajtura.
Më tej, zhvendosja e debatit për publiken nën kornizën e estetikës është edhe një lloj arratisjeje nga e tashmja e mërzitshme deri në agoni me gjyqësor të kapur, me korrupsion si mënyrë jetese, dhe me krimin e ulur në sallën e parlamentit.
Ndërtimet, prishjet, rindërtimet, riprishjet, kushtojnë miliona. Por ja vlen çdo qindarkë, sepse prishjet kanë qenë edhe beteja politike (kujtoni kacafytjen e dikurshme për Zogun e Zi). Prishjet kanë patur edhe sfond politiko-klanor (prishja e pallatit të vjehrrit të ministrit-figurinë në Vlorë).
Prishjet janë përjetuar edhe si një lloj hakmarrjeje popullore, ngaqë pushtetarët kanë bërë kërdinë me territorin, me ndërtimet me dhe pa leje, dhe me hapësirën publike të bastisur, të tkurrur, të zvetënuar. Aq shumë u është marrë fryma qytetarëve prej vitesh (sidomos atyre që s’kanë mundur të zhvasin ndonjë copë), sa prishja përjetohet edhe si një mundësi për të marrë përkohësisht frymë.
Prishin kollaj, së fundmi, edhe sepse nuk kanë mësur kurrë ta shohin veten si të përkohshëm. U duken të tyret: rrugët, sheshet, zyrat, ndërtesat e italianëve, pallatet e sovjetikëve, armët e kinezëve, stadiumet, galeritë e diktaturës, liqenet, deti, kështjellat, parqet, fushat, malet, ajri.
Mirëpo, nëse historia e planifikimit dhe e çmontimit të Tiranës rrëfen diçka, është pikërisht fakti se prishjet (bashkia e vjetër, pazari, kinematë, kafenetë) lënë gjurmë. Çfarëdo lloj kullash t’i zëvendësojnë, sado shqiponja të majmura nga trafiqet të mballosin mbi fasada, sado arkitektë-turistë të vijnë e të shkojnë: zhvatjet lënë gjurmë.
Në Tiranë, shpesh, çfarë është ngulur me forcë, si pasqyrim i vullnet të njëshit të padiskutueshëm, është prishur prapë. Dhe kur qyteti imagjinohet si një koncert prishjesh, ka të ngjarë të kthehet edhe në një fole fantazmash.
|
30,976 | https://peizazhe.com/2019/03/23/magjia-e-fjales-se-panjohur/ | null | 2019-03-23T18:55:01 | MAGJIA E FJALËS SË PANJOHUR | Spanjishtja nuk është gjuha ime e preferuar për të lexuar, por herë pas here, kryesisht për arsye “ekonomike”, më qëllon ta përdor për tekste edhe non-fiction edhe fiction (librat spanjisht në Kindle i gjen shpesh shumë më lirë se origjinalët anglisht, ose e kundërta).
Por spanjishtja nuk është aq gjuhë sa arqipelag: ka spanjishte “castellano”, që flitet në Spanjë, dhe që më vjen më për mbarë; ka spanjishte të Kolumbisë, që më lexohet edhe ajo këndshëm; ka spanjishte të Argjentinës, që më ngec në fyt; ka spanjishte të Perusë, me të cilën shkruan Vargas-Llosa dhe për të cilën lexuesit ankohen se ka shumë “peruvianizma”; ka spanjishte të Meksikës, me të cilën ndoshta gjithashtu jam mësuar sepse më ndodh shpesh të shoh ndeshje futbolli të komentuara spanjisht (çështje abonimesh dhe çmimesh); ka edhe spanjishte të Puerto-Ricos, që flet super-intendenti Hernán në pallatin tim, të cilit ende nuk i kam lexuar gjë.
Kur lexon në gjuhë të huaj (por jo vetëm) gjithnjë do të dalin përpara fjalë që nuk i di. Në rastin tim, gjasat janë që kjo të ndodhë më rrallë në anglisht ose në italisht, dhe më shpesh në frëngjisht ose spanjisht. Lexuesi mund t’i mbajë kuajt, në këto raste, dhe ta shohë fjalën në fjalor; por mund edhe të vazhdojë, duke e marrë me mend se për çfarë flet teksti, në bazë të kontekstit ose me imagjinatë.
Këtë që ndodh, po dua ta ilustroj me një fragment nga një roman i Ernesto Sábatos, Sobre heroes y tumbas, të cilin po e lexoja vërtet këto ditë, në spanjisht.
Ja paragrafi, me përkthimin tim më poshtë:
Recuerdo muy bien aquel 14 de junio: día frígido y lluvioso. Vigilaba el comportamiento de un ciego que trabaja en el subterráneo a Palermo: un hombre más bien bajo y sólido, morocho, sumamente vigoroso y muy mal educado; un hombre que recorre los coches con una violencia apenas contenida, ofreciendo ballenitas, entre una compacta masa de gente aplastada.
E mbaj mend kaq mirë atë 14 qershor: ditë e ftohtë dhe me shi. Po vëzhgoja një të verbër që punon te metroja në Palermo: një burrë mjaft të shkurtër dhe trupngjeshur, morocho, tejet të fuqishëm dhe krejt të paedukuar; një burrë që kalon nga vagoni në vagon me një dhunë që mezi e mban në kontroll, duke ofruar ballenitas, mes një mase kompakte njerëzish aplastada.
Kam shënuar me të zeza fjalët që nuk isha i sigurt se i kuptoja. Nga këto, morocho e kisha lidhur në mendje me moro dhe e kisha përkthyer si “i zeshkët, me lëkurë të errët” (përkthim i saktë, edhe pse lidhja ime me moro nuk qëndron, dhe do të ketë qenë thjesht etimologjike); aplastada ishte një fjalë që nuk e dija, por që nga konteksti e kisha interpretuar si “të rrasur, të shtypur”, siç mund të jenë udhëtarët në një vagon të metrosë (sërish, interpretim i drejtë). E vetmja fjalë ku ngeca krejt ishte ballenitas.
Nga teksti, këto ballenitas i ofronte i verbri në metro; duke pasur parasysh se çfarë ofrojnë njerëz të tillë në metronë e këtushme, ballenitas m’u përfytyrua si çikërrima, çerte, çerturina, sende të vogla, siç mund të jenë stilolapsat, lapsat me bojë, çamçakëzat, karamelet ose blloqet e vogla të shënimeve, ose kalendarët në miniaturë dhe gjithçka tjetër pa vlerë në vetvete, por që i jep pak dinjitet atij që e ofron, duke e dalluar “profesionalisht” nga lypësi. Në Itali më kanë pasë ofruar riprodhime të vogla imazhesh të krishtera, shenjtësh etj., ose thënie të urta e të përshpirtshme, në kartona me madhësinë e një letre bixhozi.
Ky udhëtim imi, me përfytyrim, e zëvendësoi për një çast metronë e Buenos Airesit me atë të NYC dhe m’u shfaqën para sysh të gjithë këta banorë të hijeve, që lëvizin me metro por që nuk shkojnë asgjëkund, veç jetojnë me thërrimet e të tjerëve, si pëllumbat afër stolave të rrjepur të një parku periferie. E përfytyrova, pra, edhe unë, atë të verbrin e romanit, madje m’u faneps një i ngjashëm me të, edhe pse jo i verbër, që nuk mungonte kurrë në trenat e linjës circumflegrea në Napoli dhe që, me zell mekanik, gjithnjë recitonte në vagon një histori personale të trishtuar, që duhej të shërbente si kontekst për lëmoshat tona. Dhe m’u kujtua pikërisht ngaqë këtë tipin, që përgjithësisht mbante një shprehje të fytyrës gati për t’u shkrehur në vaj, e pashë një ditë duke i shkelur syrin një “kolegut” të vet, teksa ndërronin linjat në stacion. As unë nuk e di pse m’u kujtuan të gjitha këto, por di që ajo fjalë aq e panjohur, ballenitas, pikërisht për arsye të mundësive interpretative që krijonte, luajti një rol sa të ngjashëm, aq edhe të kundërt, me të famshmen madeleine të Proust-it; duke më riçuar te një botë tashmë e largët për mua – Napoli i fillimviteve 1990, por në mënyrë krejt intuitive, sepse unë ende nuk e dija se ç’janë këto ballenita që u ofronte i verbri i Sábatos udhëtarëve në metro.
Të kthehemi tani te tri fjalët ku më kish ngecur mua spanjishtja: morocho, aplastadas dhe ballenitas; dy nga këto janë mbiemra, dhe kanë natyrë qartazi përshkrimore; mund edhe të hiqen nga teksti, pa e ndryshuar shumë – sepse më shumë shërbejnë për të përcjellë atë që Barthes-i e ka quajtur “effet de réel”, ose iluzionin realist të një lloji tekstesh letrare – duke e ftuar lexuesin të bëjë sikur beson se është edhe ai vetë dëshmitar i një ngjarjeje reale, që po i ndodh para syve. Por i verbri nuk ka nevojë të jetë morocho, dhe as turmat e pasagjerëve aplastadas, që rrëfimi të shkojë përpara; aq sa mund të flitet, në këto raste, për ornamente a stuko diskursive. Përkundrazi, ballenitas jo vetëm është emër, por edhe lidhet me atë që bën pikërisht personi në qendër të përshkrimit; dhe lexuesi njëfarësoj është i detyruar ta marrë me mend çfarë po shpërndan ky tipi në vagon, duke iu referuar qoftë edhe thjesht eksperiencës së tij sado gjysmake; ose fundja, edhe thjesht duke përfytyruar.
Teksti vazhdon kështu:
En medio de esa multitud, el ciego avanza violenta y rencorosamente, con una mano extendida donde recibe los tributos que, con sagrado recelo, le ofrecen los infelices oficinistas, mientras en la otra mano guarda las ballenitas simbólicas: pues es imposible que nadie pueda vivir de la venta real de esas varillas, ya que alguien puede necesitar un par de ballenitas por año y hasta por mes: pero nadie, ni loco ni millonario, puede comprar una decena por día. De modo que, como es lógico, y todo el mundo así lo comprende, las ballenitas son meramente simbólicas, algo así como la enseña del ciego, una suerte de patente de corso que los distingue del resto de los mortales, además de su célebre bastón blanco.
Në mes të kësaj mizërie, i verbëri bën përpara me forcë dhe mëri, me njërën dorë të shtrirë ku mbledh blatimet që, me recelo sakral, ia ofrojnë punonjësit e palumtur të zyrave, ndërsa me dorën tjetër ruan ballenitas simbolike: meqë është e pamundur që dikush të mund të nxjerrë bukën duke shitur këto varillas, meqë njeriu mund të ketë nevojë për një palë ballenitas në vit, le të themi në muaj; por askush, as i marri as milioneri, nuk mund të blejë një dyzinë në ditë. Prandaj edhe, siç ta merr mendja, dhe siç e kuptojnë të gjithë, ballenitas janë thjesht simbolike, diçka si stema (shenja) e të verbrit, një lloj patente de corso që i dallon nga vdekëtarët e tjerë, përtej bastunit të tyre të famshëm.[1]
Nga ky pasazh, marr vesh që ballenitas qenkan një lloj varillas (por kjo nuk më ndihmon shumë, sepse as këtë fjalë nuk e di), dhe se njeriu ka nevojë e shumta për një palë të tilla në muaj – pra që vijnë me palë dhe që nuk konsumohen shumë, edhe kur përdoren shumë. Çikërrima pra, por specifike.
Më në fund shkoj të hap një fjalor për të parë se çfarë janë ballenitas tamam – dhe marr vesh që janë disa si gjuhëza plastike, që futen në jakën e këmishës për ta mbajtur këtë drejt (collar stays ose stiffeners në anglishte); dhe se, për më tepër, fjala qenka karakteristike për spanjishten (dhe kulturën) e Argjentinës; te një diskutim në wordreference.com, shoh se në Argjentinë këto i shesin zakonisht në rrugë ata që janë shumë të varfër – janë pra shenjë jo vetëm e verbërisë, siç shkruan Sábato më lart, por edhe e varfërisë; por fjala tashmë tingëllon e vjetruar edhe në Argjentinë (në Kili u thënkan barbas); dhe se fjala vjen nga spanjishtja ballena (balenë) meqë, dikur, këto sende i fabrikokëshin me dhëmbët-lastra të balenës; dhe se vender ballenitas (shes…) u përdorka si shprehje frazeologjike për dikë shumë të varfër, të këputur; dhe se, më në fund, edhe ballenas në spanjishte përdoret për të shënjuar këtë send, por edhe sende të tjera me funksione të ngjashme, si armaturat e korseve për gra ose të ombrellave. E kështu me radhë. Ja edhe qershiza mbi tortë: fjalën e paska edhe toskërishtja, si balina, në analizë të fundit, nga e njëjta origjinë (këtë e gjej tek Studime Etimologjike të Çabejt).
Një fjalë pra që paskam qenë krejt i justifikuar, për të mos e ditur; pse i referohet një bote sa të ndryshme nga imja, aq edhe të largët. Natyrisht, për lexuesin argjentinas të Sábatos, ballenitas vjen me të gjithë bagazhin konotativ të kohës – duke e përshkruar të verbrin edhe si të varfër dhe duke evokuar atmosferën e kryeqytetit argjentinas të atyre kohëve. Unë si lexues outsider nuk kam nevojë ta di këtë, për ta ndjekur tekstin; edhe pse më duhet të them se hulumtimet në fjalorë ma pasuruan eksperiencën e leximit, duke më bërë efektivisht dëshmitar të ngjarjes (effet du réel).
E përsërit, teksti mund të lexohet pa problem, pa e ditur se ç’janë ballenitas; kjo mua – dhe besoj të gjithëve ju – më ndodh edhe me tekste në shqip, kur bëhet fjalë për historizma ose terma teknikë që u referohen praktikave dhe traditave të kapërcyera; ndërprerja e leximit për ta kërkuar fjalën në fjalor nuk ia vlen, sepse prishja e vijueshmërisë ka kosto më të lartë se kalibrimi i “fokusit” të skenës; e megjithatë, fjala ballenitas ka ngarkesë të fortë kuptimore në tekst, tërheq vëmendjen, sepse vender ballenitas duket si diçka thelbësore, për të rrokur jetën e përditshme të një të verbri, në mes të një metropoli modern. Fjala do të ketë qenë problematike që në kohën kur u botua vepra e Sábatos, por sa vjen dhe problematizohet, teksa i largohemi në kohë dhe në hapësirë Buenos Aires-it të atyre viteve, aq sa mund të kërkojë fusnotë shpjeguese, në botimin kritik të romanit. Nga ana tjetër, lexuesi gjithnjë mund ta zëvendësojë imazhin e sugjeruar prej tekstit me një imazh të vetin, të nxjerrë nga eksperienca e vet; siç bëra unë. Përfytyrimi mund të mos i qëndrojë besnik tekstit, por i mbetet besnik frymës së tekstit, sa kohë që ideja e një të verbri që shet çikërrima në një vagon treni ruhet dhe përcillet. Madje ndonjëherë përkthyesi – dhe këtu e kam fjalën për përkthyesin profesionist të romanit, jo për lexuesin e rastit – duhet të mbajë parasysh mundësinë që fjala e sjellë saktë, për shembull shqipja për ballenitas (që ende nuk e di çfarë është) ta ngatërrojë lexuesin e përkthimit, duke i tërhequr vëmendjen në një mënyrë të paparashikuar nga origjinali; duke penguar, në vend që të ndihmojë.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] recelo – “dyshim”; varillas – “thupra”; patente de corso – “licencë”; këto fjalë, që nuk i dija gjatë leximit, nuk po i diskutoj më tutje.
|
44,972 | https://peizazhe.com/2023/09/23/te-huaja-per-ke/ | null | 2023-09-23T08:18:35 | TË HUAJA PËR KË? | Mbaj mend të kem lexuar – te një libër për Kinën gjatë Revolucionit Kulturor, nga Simon Leys – për një ushtar që e kalonte kohën e lirë duke kapur miza, të cilat i fuste pastaj në një kavanoz; dhe kur e pyetën pse po e bënte këtë, tha se kish marrë zotim para kompanisë, që të asgjësonte nuk di sa milion miza në vit, në zbatim të një porosie të rëndësishme të Kryetarit Mao; dhe këtë duhej t’ia provonte komandantit të vet, duke i treguar çdo mbrëmje nga një kavanoz plot miza të ngordhura.
Këtë kujtim, që nuk e verifikoj dot, ma sjellin tani në mendje të gjithë ata që protestojnë, ankohen dhe qortojnë, çdo ditë, për përdorimin e “fjalëve të huaja”, sepse këto po e marrin në qafë shqipen; sipas rastit, edhe duke sugjeruar një listë zëvendësimesh. Mua më vijnë shpesh protesta të tilla, por nuk i përfill shumë; dhe kam bindjen se shumë nga këta që protestojnë, as e kanë idenë se çfarë është “fjala e huaj”; dhe se gatishmëria e tyre për t’u sjellë si policë të leksikut të tjetrit nuk më lë mbresa të mira; më patetikët prej këtyre janë ata që vazhdojnë luftën kundër “turqizmave”, edhe pse këto që kanë mbetur në shqipen e sotme kanë marrë zakonisht vlera stilistike unike, dhe e pasurojnë gjuhën.
Ka edhe specialistë të leksikut, që herë pas here dalin me lista fjalësh – nga njëra anë të këqiat, nga tjetra të mirat; këtej fjala e huaj, andej fjala “shqipe”; veçori e këtyre është që ose kërkojnë ta thjeshtojnë e varfërojnë leksikun pa nevojë, duke sugjeruar largimin e sinonimeve; ose u shpallin luftë kufomave, duke kërkuar largimin e fjalëve tashmë të larguara.
Për mua, fjalët e huaja mund të mënjanohen vërtet, por në momentin e “produksionit” të tekstit; ai që shkruan, duhet ta ndiejë se po i jep lexuesit një fjalë të panevojshme dhe të kërkojë një tjetër të përshtatshme. Në qoftë se kjo ndjenjë leksikore mungon, atëherë thirrjet për vigjilencë leksikore kryesisht sinjalizojnë virtytin e kujt kërkon të arrijë në gjuhë pastërtinë nëpërmjet pastrimit – prandaj edhe më kujtojnë atë kinezin e mirë, që u kish shpallur luftë mizave të krahinës së vet.
Më rrallë, shumë më rrallë, dëgjoj thirrje, ankime dhe protesta për t’i përdorur fjalët – shqipe a të huaja qofshin – me kuptimin e tyre të saktë. Edhe pse sot nuk hap dot një faqe mediash online, pa ndeshur në fjalë që janë përdorur pa kuptim, nga shkrues që nuk e dinë se çfarë po thonë dhe shpesh as duan ta dinë: u mjafton të dëgjojnë zërin e tyre. Padija, kotësia dhe inkompetenca bashkëpunojnë, për t’ia dorëzuar subjektin shkrues rrymës së fjalëve që e rrëmben nga jashtë – teksa ky i nxjerr vetes një selfie me tekstin që thur për lexuesin.
Nga ata që të hutojnë me fjalë “të huaja”, ose përdoruesit patologjikë të zhargonit kulturor (shihni tekstet që prezantojnë a shoqërojnë ekspozitat, eventet e artit vizual dhe “projektet” abstrakte), më tipikët janë pikërisht përdoruesit që nuk ua dinë shumë fjalëve kuptimin dhe i shtien në punë vetëm sepse u kujtohen në atë moment, si jehona momentesh të ngjashme. Për këtë takëm folësish, fjalët e huaja me kuptim të gabuar janë si aksesorët e një modeleje të suksesshme në paradë mode: marrin kuptim në raport me trupin kockor, ngjyrat dhe dritat e skenës, gjithë duke u zhvendosur nga hiçi nistor drejt hiçit fundor. Duan të impresionojnë, duke u mbështjellë me një mjegull leksikore të parfumuar.
Çështja e fjalëve “të huaja” në gjuhë lidhet edhe me perceptimin e dëgjuesit/lexuesit (receptimin). Disa prej këtyre, të sensibilizuar tashmë për nevojën e mbajtjes pastër të shqipes, i klasifikojnë menjëherë si të huaja të gjitha ato fjalë të tjetrit që nuk i kuptojnë, ose nuk ua kapin nuancat – është më ngushëlluese që t’ia lësh fajin, për padijen ose inkompetencën tënde, vesit të tjetrit për ta ndotur ligjërimin. “Emra kalorësish” i quante këto dikur një miku im kokëbosh por sedërli, i detyruar nga rrethanat që t’i përçmonte. Sjell si shembull fjalën entropi, në një artikull të fizikës ose të teorisë së informacionit: shumë nuk do t’ia dinë kuptimin, dhe mes këtyre, do të ketë disa që do ta konsiderojnë si “fjalë të huaj”, madje ndonjëri do t’i drejtohej folësit, për t’i kërkuar ta zëvendësonte me ndonjë fjalë të bukur shqipe. Sot, kur padijen e ka certifikuar populizmi, edhe në politikë edhe në media, por edhe në arsim e kulturë, i padituri kokëgdhe nuk ngurron kurrë që t’ia lërë fajin tjetrit, sa herë që pikas ndonjë mangësi te vetja. Ndoshta këtu duhet të bëjmë të gjithë një përpjekje, për t’u shpjeguar kalimtarëve në muhabetet se jo çdo tekst duhet t’u flasë atyre; dhe se, kur ndeshin në vështirësi për të kapur një mendim ose arsyetim, kjo mund të vijë edhe për faj të atyre vetë. Askush nuk mund të bëhet me faj, pse nuk kupton një tekst që nuk i drejtohet atij; por edhe teksti vetë nuk ka faj, pse qëllon që dikush të mos e kuptojë. Mjerisht, jetojmë në një kohë kur janë shtuar shumë ata që i qasen fjalës (diskursit) të tjetrit jo me dëshirën për të mësuar, por për të konfirmuar ato që kanë në kokë (sa më gjepura të jenë këto, aq më të sigurt ndihen). Aq më tepër, në kontekste interaktive – apo të them bashkëtekste ndërvepruese? – këta me zor do të presin që t’u vijë radha për të ndërhyrë dhe sugjeruar korrigjimin përkatës.
Në thelb, fjala e huaj është e tillë, në ligjërim, vetëm kur ligjërohet si e huaj, dhe kjo vlen edhe për shprehjet. Nëse unë përdor në shqip shprehjen enfant terrible, e bëj këtë sepse jam duke kërkuar pikërisht efektin që vetëm shprehja frëngjisht mund ta përcjellë, dhe duke shpresuar se lexuesi do të ma kuptojë ashtu siç doja. Në këtë kontekst, vërejtja që enfant terrible është fjalë e huaj tregon thjesht mospërputhje mes kompetencës së lexuesit dhe asaj të folësit, ose mospërkim mes palëve. Po ashtu, një filozofi mund t’i vijë natyrshëm fjala Zeitgeist, në një ligjëratë për Hegelin, ose fjala Dasein në një ligjëratë për Heideggerin. Fjalë dhe shprehje të tilla, që e ruajnë huajsinë edhe kur përdoren në një gjuhë tjetër dhe që nuk e humbin karakteristikën e të qenit “citim”, Adorno i pat quajtur “hebrenjtë e gjuhës”. Të kërkosh shmangien ose heqjen e këtyre, është veprim të paktën i trashë, sepse tregon që nuk e ke marrë vesh pse përdoruesi ka preferuar të huajën ndaj vendëses.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
37,172 | https://peizazhe.com/2020/12/09/rrugaci-mes-kater-rrugeve/ | null | 2020-12-09T16:11:35 | RRUGAÇI MES KATËR RRUGËVE | nga Gjeto Bashari
Të çafsha ballin – histori e shkurtër e rrugaçërisë në Shqipëri (Botime Uqbar, Prizren 2020) është një ese e thukët në trajtë libri, që i vjen lexuesit nga pena e publicistit Ajdin Luto. I njohur edhe më parë nga lexuesi qibar, për trajtimin ballazi të temave të kithta, Luto kombinon, në esenë e tij, këndvështrimin historik me atë linguistik, duke ndjekur paralelisht konceptin e rrugës, në Shqipëri, si vend publik të ndryshëm nga ai i një hapësire që përdoret për t’u zhvendosur nga një pikë në tjetrën dhe zhvillimin e jetës qytetare (urbane), ku rruga shërben edhe si vendi ku riprodhohen normat e bashkëjetesës qytetare. Luto e vë rrugaçin në kontrast me pelegrinin, dhe më tej me endacakun dhe vagabondin, duke u kujdesur të saktësojë se ky personazh i qytetit dallohet ngaqë e ndien rrugën si shtëpinë e vet, duke u rebeluar ndaj moralit urban. Jo më kot, thotë ai, rrugaçi u përftua si epitet që zbatohet ndaj një të treti të pamiratuar dhe jo si instrument vetidentifikimi; duke e quajtur tjetrin rrugaç, klasa e mesme qytetare konstituohet si borgjeze, me normat e veta strikte, që parashikojnë ndarje të prerë mes jetës publike dhe asaj private; duke e parë kështu rrugaçin si person që nuk është në gjendje të negociojë si duhet mes atyre dy hapësirave (jo rastësisht rrugaçi i kundërvihet, në rrafshin semantiko-sociologjik, bariut shtegtar; dhe jeta e rrugaçit nomadizmit).
Rrugaçi vishet ashtu si nuk duhet, flet ashtu si nuk duhet, vepron ashtu si nuk duhet – duke sharë, duke ngritur zërin, duke ngacmuar vajzat, ndonjëherë edhe duke u zënë me grushte ose duke vjedhur – dhe vë në rrezik stabilitetin e hapësirës publike. Kësisoj, vëren Luto, rrugaçi shërben si kundërfigurë e edukatës së mirë qytetare, ose si kundërshembull i dikujt që (nuk) sillet “mirë” – duke qenë mirësjellja mishërim i pastërtisë në jetën publike (këtu Luto nuk lë pa përmendur edhe raportet, jo aq të tejdukshme mes rrugaçërisë dhe pranisë urbane të pakicave rom dhe egjiptiane, të cilat refuzuan për një kohë të gjatë që t’u nënshtrohen modeleve të shtangëta të qytetit borgjez). Duke iu referuar një antropologjie të pisllëkut, në kornizën e përcaktuar nga një Mary Douglas, Luto e përcakton rrugaçin si “materje qytetare jo në vendin e vet”, duke shënuar pastaj edhe morinë e fjalëve mohuese që përdoren në përkufizimet: ai që nuk sillet mirë, që nuk respekton të tjerët, që nuk ndjek normat e bashkëjetesës… (dhe eventualisht, ai që nuk është si ne, çfarë i hap rrugën edhe racizmit, në raport me pakicat urbane). Rreziku i rrugaçit, për komunitetin, ka të bëjë me cenimin e stabilitetit urban.
Rrugaç është jo vetëm ai që rri në rrugë, vazhdon autori, por edhe ai që e përvetëson rrugën (e uzurpon, do të thoshin moralistët), duke e bërë qytetarin të ndihet i pasigurt, në një hapësirë publike që përndryshe do t’i përkiste. Ky tension, mes qetësisë publike (mikro)borgjeze dhe lirisë negative që mishëron rrugaçi përdoret pastaj nga pushteti, për ta paraqitur rrugaçin si rrezik publik dhe për të përligjur policimin e rendit publik. Duke u zhvendosur edhe në leksik, Luto vëren se termi “rrugaçëri” shfaqet në Kodin Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, neni 129 i të cilit flet për “sjellje të padenjë në shoqëri për motive rrugaçërie”, të dënueshme edhe me heqje të lirisë; në një kohë që ideologët e regjimit të Hoxhës i kishin përcaktuar rrugaçët si kontingjent të ekspozuar ndaj shfaqjeve të huaja – nga parazitizmi (papunësia), te bixhosi dhe prostitucioni. Nga ana tjetër, thotë Luto, kjo fjalë, rrugaçëri, në togje të tilla si akte rrugaçërie, sjellje rrugaçërie, shfaqje rrugaçërie shërbente si shenjë dalluese e diskursit të dikujt në pushtet, i cili kishte titullimin që ta dënonte rrugaçërinë në publik.
Kërcënimi i rrugaçit, për një regjim totalitar si ai i Hoxhës, vazhdon Luto, ka të bëjë me vetë natyrën logocentrike të pushtetit totalitar – në kuptimin që marrëdhëniet sociale publike, përfshi ato të nënshtrimit politik, ai pushtet i artikulonte ekskluzivisht në hapësirën diskursive, e cila disiplinohej nëpërmjet kodeve të rrepta edhe diskursive edhe performative. Rrugaçi, duke qenë gjithnjë në prag të krizës, i gatshëm për të shpërthyer vargonjtë e moralitetit publik edhe konvencional edhe ideologjik dhe për një passage à l’acte, në kuptimin lakanian të termit, gjithnjë mund ta çekuilibronte balancën e rrugës, nëpërmjet dhunës verbale ose fizike, veshjes së papërshtatshme dhe akteve të tjera sfiduese të rendit – qoftë edhe aq banale, sa edhe ndezja e një cigareje në kinema. Pavarësisht nga pesha reale e aktit rrugaçëror, regjimi e vinte theksin te shembulli i keq i sfidës që përfaqësonte rrugaçi dhe tek mesazhi që u kumtohej qytetarëve – dhe pikërisht, që rendi publik, si cipë makijazhi e rendit ideologjik, mund të kundërshtohej dhe të futej në krizë me lehtësi të papërballueshme.
Nga ana tjetër, vazhdon Luto, specialistët e rendit publik të regjimit gjithnjë kujdeseshin të dallonin rrugaçin nga rebeli – i pari deri diku edhe mund të vihej në shërbim të përditshmërisë, duke u ofruar masave (grigjës) një dordolec, përballë të cilit të organizonin qetësinë; i dyti duhej shfarosur me çdo kusht. Aq më tepër që, siç e ka parë autori në dosjet që ka shfletuar, rrugaçi gjithnjë preferohej, nga organet e Sigurimit të Shtetit, për t’u rekrutuar, si informator por edhe më tutje; dhe jo vetëm ngaqë sillej rrugëve gjithë ditën, por edhe ngaqë jeta që bënte e sillte në kontakt me elemente potencialisht armiqësore për regjimin.
Mes rrugaçëve, thotë Luto, gjeje gjithfarë psikopatësh dhe sociopatësh madje personalitetesh skizoide, njerëzish me prejardhje nga familje problematike, ose që janë abuzuar seksualisht në fëmijëri; sikurse gjeje edhe të rinj të deklasuar, ose të përjashtuar nga mundësia për karrierë sociale. Por çfarë i dallon rrugaçët, nga moshatarët e tyre, shkruan autori, është gjithnjë personaliteti i fortë, refuzimi i pushtetit të tjetrit dhe, last not least, paranoja. Për këtë arsye, konkludon ai autor, rrugaçët jo rrallë përfundojnë në krye të protestave dhe të rebelimeve, të lëvizjeve politike dhe të kryengritjeve, duke u shquar për trimëri, makiavelizëm dhe mizori. Pas një kapitulli inkursiv që ia kushton Stalinit, Luto kthehet në Shqipëri, për t’u ndalur në rrugaçët e famshëm që kanë bërë Historinë e Shqipërisë, ashtu siç janë portretizuar prej atyre që i kanë njohur personalisht; dhe pastaj e përfundon librin me lëvizjen e madhe të “rrugaçëve” në vitin fatal 1990, i cili shënjoi fundin e regjimit totalitar në Shqipëri. Jo më kot, thotë ai, regjimi Alia në fillim i trajtoi refugjatët e ambasadave si rrugaçë dhe lëvizjen e tyre politike u përpoq ta likuidojë si problem të rendit publik; jo më kot, vazhdon ai, gjatë gjithë viteve 1990, por veçanërisht në gjysmën e parë të dekadës, kufijtë mes rrugaçëve, refugjatëve dhe emigrantëve erdhën duke u mjegulluar.
Kapitullin e fundit të librit, Luto ia kushton “rrugaçërisë në pushtet”, duke analizuar disa dukuri të reja, të viteve 2000 e këtej, në sjelljen publike të politikanëve dhe të figurave të njohura (celebriteteve), për të arritur në përfundimin se mesazhi që i përcillet sot qytetarit të Republikës, nga mediat, është se të jesh rrugaç mund të mos jetë virtyt, por mund të shërbejë si pakçka tjetër, në garën për të dalë në krye. Por rrugaçi i sotëm publik, vëren autori, nuk rebelohet më ndaj normave të vendosura nga pushteti, por i krijon vetë, normat e reja, në udhë e sipër. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe, thotë ai, në një jetë publike dhe sociale e cila e merr forcën nga rruga, ose pikërisht nga ai mjedis ku rrugaçi është mbret.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
13,779 | https://peizazhe.com/2013/10/27/na-kujtohet/ | null | 2013-10-27T09:56:02 | NA KUJTOHET | Rastësisht ndesha në librin Më kujtohet, të Ylli Demnerit, tek shëtisja në një librari; edhe pse kisha dëgjuar për të dhe, tani që e lexova, e mbaj për një nga librat më të mirë të zbuluar prej meje këtë vit, dhe jo vetëm në shqip.
Është një tekst kujtimesh të çlirëta, të pastrukturuara, ku autori i ofron lexuesit pamjet, zhurmat, aromat, shijet, zërat dhe personazhet e fëmijërisë dhe rinisë së tij në Tiranën e viteve 1960-1970.
Të gjitha këto marrin tingëllim magjik për mua, që i përkas të njëjtit brez me Demnerin, dhe që kam lëvizur në të njëjtat labirinte urbane dhe njerëzore, duke ndarë me të mbresa dhe reagime; aq më tepër që shtëpitë i kemi pasur relativisht afër (edhe pse kemi pasur veç një përshëndetje mes nesh).
Demneri, që nuk i fsheh modelet e veta letrare (Je me souviens, i Georges Perec) është vëzhgues i hollë dhe virtuoz i kujtesës; pakkush tjetër do të mund të shkruante një libër të tillë, ku e shkuara të sillej në tryezë si pjatë gourmet, jo në funksion të një ideje, një mburrjeje, një rehabilitimi ose një shpagimi.
Meqë edhe unë e kam zakon madje pasion të koleksionoj me kujdes në mendje kujtime në dukje të kota, udhëtova nëpër libër herë duke zbuluar me entuziazëm se disa gjëra i paskëshim përjetuar njëlloj me Demnerin; herë i zemëruar me veten se disa gjëra të tjera pothuajse i kisha arkivuar në bodrumet e pluhurta të kujtesës pasive; dhe herë i intriguar nga çfarë mua nuk më kujtohej më e që kushedi nuk e kisha ndeshur kurrë.
Autori është maestro i detajit: një autobus urban i amortizuar, i markës Saviem, që heq pantoflat zvarrë nëpër Tiranë duke ekspozuar ende shenjat e sistemit të transportit publik të Parisit, si dekorata luftërash të harruara; pllakat e gramafonit që vinin me një revistë propagandistike kineze, të cilat tiranasit praktikë i prisnin me gërshërë në formë gjysmë hëne dhe i përshtatnin për streha kapelesh verore; llambat e verdha në rrugën e Dibrës, që qëndronin të varura në qendër të rrugës; një çamçakëz i përdorur, të cilin e ruanim për ta përdorur të nesërmen, duke e zhytur në një gotë me ujë të ëmbël; fëshfëshet; flluskat e plogëta që ngriheshin në asfaltin e rrugës në mes të vapërs; një plak, kushedi veteran, që shiste privatisht portrete të udhëheqësve të vëna në xham pa guxuar kush ta pengonte në emër të ekonomisë politike të socializmit; teksti i transkriptuar kinezçe i një kënge për Mao Ce Dunin (“lindja skuq, dhe ndriçon/Mao Ce Duni në Kinë jeton”), të cilën duhej ta mësonim për ta kënduar të gjithë ne kalamajtë; dërrasa e lëmuar ku ulnin fëmijët te berberi, kur ishin tepër të vegjël për poltronën; karrocat me kuzhineta, si gjyshe neandertalase të skateboards-eve të sotme; Maria e sertë, e vetmja shofere taksie në Tiranë; një shkollë që quhej “50-vjetori i Pavarësisë”, edhe pse 50-vjetori kish kaluar me kohë, për t’u bërë 60-vjetor (e çuditshme do të ishte sikur shkollës t’i ndërrohej emri së bashku me fletët e kalendarit); zhurma e shisheve të qumështit natën që pa gdhirë në rrugën e shkretë; këpucët novelty me “gomë peshku”; topat italianë të artilerisë në oborrin e shtruar me zhavorr të Muzeut të Luftës Na-Çl te rruga e Barrikadave; zhurma e thatë e boçeve të pishës, kur binin mbi trotuarin e pasdites.
Natyrisht, libri nuk është një eksperiment banal nostalgjie – pse rresht pas rreshti e faqe pas faqeje Demneri evokon jo vetëm pamje të një të kaluare të brezit, por sjell edhe, të plotë, Tiranën e atëhershme, ose qytetin e njeriut, që i kundërvihej kryeqytetit të regjimit komunist; dhe ku çdo detaj, edhe ai më i pafajshmi, vjen e përvijohet si rezistencë ndaj gjakimit rrafshues që vinte nga lart.
Tirana e Demnerit, dhe imja, është një qytet i qetë, që përpiqet të jetojë normalisht, madje edhe në mes të pamundësisë; pse deri edhe fëmijët, nga njëra anë luajnë hapa-dollapa dhe kumançe, ose ndezin një kanoçe me karbit; por nga ana tjetër, ndonjë prej tyre, Pavlik Morozov i mbramë, do të denoncojë në polici një plakë të mjerë që ka mbetur rrugëve e dëbuar prej të vetëve, pse do t’i duket si “diversante.”
Kujtesa e palodhur dhe krejt e pafajshme e autorit lëviz nga një detaj në tjetrin, e kapur pas sendeve që formojnë, si gurëzat e mozaikut, jetët e përditshme. Në ato vite jeta nuk ishte uniformuar prej tregut; dhe sendet ende e ruanin aromën personale, të papërsëritshme, të kujt i zotëronte. Qëllonte që dikë ta njihje nga xhaketa që vishte, ose nga modeli i këpucëve. Ashtu do të kuptojmë më mirë, dhe do të shijojmë deri në fund, pse dikush filloi cigaren sapo i dhuruan një çakmak të bukur me gaz të sjellë nga jashtë; dhe pse autori vetë mban mend të ketë blerë një fjalor frëngjisht-shqip me kapak të fortë, jo pse kish interes për gjuhën, por ngaqë do ta përdorte për të vendosur pullat. Një botë të ndërtuar fund e krye mbi ripërdorimin dhe bricolage-in; dhe jo vetëm të çikërrimave, por edhe të krejt së përditshmes, përfshi këtu edhe marrëdhëniet njerëzore.
Vlera e evokimeve të imta të Demnerit lidhet edhe me atë që Tirana e tij, sikurse e imja, pothuajse nuk ekziston më; tashmë është shkatërruar, gërmuar, shfarosur, shkulur me rrënjë, riformatuar, riformuluar; toponimet e djeshme tani u referohen vendeve fantazmë; a thua se qyteti i dikurshëm është tërhequr mënjanë realitetit, për të lënë aty vetëm banorët e vjetër, të cilët fare irracionalisht i mbijetuan ndërrimit të epokave; kushedi ngaqë misioni i tyre, tashmë mistik, është të mbajnë mend çfarë ishte, por nuk është më, edhe pse mund të ishte ende.
Gjëma që i ka ndodhur Tiranës nuk është thjesht plakje; një qytet, aq më tepër kryeqytet, nuk shndërrohet kështu, me operacione plastike të njëpasnjëshme, për t’u bërë i panjohshëm prej banorëve të vet; ose më mirë nuk e ndërron kështu lëkurën, pa e pasur një hall të madh në vete, një sëmundje të ligë, një flamë, një mundim të pashembullt. Dhe të vjen keq që rezistenca jonë e atëhershme, vërtet pasive por e tillë që të na e ruante njerëzoren me të cilin kishim ardhur në botë, nuk pati aq forcë sa të mbronte edhe qytetin vetë; ne ishim, si të thuash, aktorët që mbetën në skenë edhe pasi skena vetë u shkërmoq dhe u rrëmbye tutje nga erërat e viteve.
Dhe të mendosh që, gjithsesi, kaq të lashtë nuk jemi; pa çka se në Tiranën e sotme ndihemi ndonjëherë si refugjatë nga e kaluara.
Libri i Demnerit nuk ka shtëpi botuese; do të jetë botuar privatisht nga autori, pa çka se, siç shoh aty, është tashmë në botimin e dytë. Si e lexova, më lindi edhe mua dëshira të shkruaj diçka të ngjashme, një “më kujtohet” timen personale; gati-gati si pjesë të një serie, të një gjerdani që do t’i sjellë lexuesit bukuritë dhe ndjeshmëritë e një epoke përndryshe të pabukur dhe të pandjeshme. Librat ndonjëherë janë e vetmja mënyrë për të ruajtur diçka; sepse sekreti i teksteve të tilla është që riprodhojnë, në vend që të mbyllin në muzeume.
Chapeau, Demnerit.
|
3,738 | https://peizazhe.com/2010/02/25/mama-maoja/ | null | 2010-02-25T05:17:22 | MAMI, MAOJA! | Një artikull i filozofit Agon Hamza, botuar në saktivista.com, më tërhoqi vëmendjen ndër të tjera edhe për autoritetet të cilave u referohej.
Artikulli në thelb kritikon “impotencën dhe obskurantizmin” e shoqërisë civile në Kosovë, duke marrë shkas nga deklarata e tyre e fundit kundër gjykimit të Albin Kurtit; dhe autori ia bën jo vetëm shoqërisë civile në Kosovë dhe marrëdhënieve të saj me EULEX-in, por edhe shoqërisë civile në përgjithësi një kritikë të ashpër teorike, nga pozicioni marksist.
Megjithë dështimet spektakulare në praktikën ekonomike dhe politike, marksizmi mbetet filozofi tërheqëse për të majtën kudo në botë, dhe Hamza këtu nuk dallon nga mijëra kolegët e vet anembanë universiteteve dhe akademive borgjeze të dijes. Pozicioni marksist në polemika të tilla është legjitim, megjithëse disa prej nesh që ua kanë provuar regjimeve komuniste dhëmbët në pulpë të këmbës do t’i afroheshin me neveri të madhe – por ky është problemi ynë, jo i autorëve si Hamza.
Çfarë më bëri veçanërisht përshtypje në artikull ishin autorët të cilëve Hamza u referohet si autoritete: Besnik Pula, Hegeli, Wallace Stevens dhe Mao Ce Duni (ky i fundit dy herë).
Ka njerëz në botë të cilët për Mao Ce Dunin nuk kanë dëgjuar kurrë (God bless them!); ka të tjerë të cilët e quajnë burrë shteti të madh që modernizoi Kinën; të tjerë akoma e konsiderojnë si kriminel masiv, përgjegjës për vdekjen e 70 milion kinezëve; më në fund, ka edhe filozofë si Hamza, që e mbajnë për autoritet në lëmin e filozofisë marksiste dhe të sociologjisë.
Po i jap më poshtë dy instancat kur përmendet Maoja në artikull:
Ne, të gjithë, duhet të insistojmë jo vetëm në kritikën ndaj [shoqërisë civile], por të krijojmë hapësirën tonë të veprimit politik e intelektual, e cila në strukturimin e vet do të ishte jo vetëm jashtë këtij spektri reaksionar, por në të njejtën kohë edhe kundër saj. Siç do të thoshte Mao, është e drejtë të rebelohesh kundër reaksionarëve!
Të qenurit bashkë, kundër reaksionarëve, mjafton! Mao thotë se të gjithë reaksionarët janë tigra prej letre – aparenca e tyre është tmerruese, por në realitet, ata nuk janë aq të fuqishëm. Dhe Mao ka të drejtë, në periudhën afatgjate, nuk janë reaksionarët, por masat ato që janë të fuqishme. Reaksionarët e politikës ose të shoqërisë civile, janë tigra prej letre sepse janë të shkëputur nga masat.
Në të dy herët Maoja nuk përmendet, por citohet si autoritet në mbështetje të një argumenti të caktuar (i cili këtu nuk më intereson). Duket qartë se Hamza shkruan këtu për një lexues i cili gjithashtu Maon e njeh dhe vlerëson si autoritet në lëmë të filozofisë dhe të sociologjisë; ose një lexues të indoktrinuar me një formë radikale të marksizmit, ku maoizmi ende konsiderohet si alternativë ndaj –izmave të tjera të brendshme (leninizmit etj.). Megjithatë, është ironike për mua, të rritur me propagandën totalitariste në vitet e flirtit të madh komunist shqiptaro-kinez, ta shoh të rimarrë metaforën e tigrit prej letre, të cilën e pat bërë telef revista Hosteni e viteve 1960-1970.
The New Yorker
Gjithsesi, pyetja ime këtu është nëse mund ta citosh sot Maon si autoritet në filozofi dhe në sociologji, duke e ditur se ky njeri, në rolin e vet si udhëheqës i revolucionit në Kinë, është drejtpërdrejt përgjegjës për vdekjen e dhjetëra milion vetëve, duke ia kaluar, për nga sasia e viktimave, edhe Stalinit dhe Hitlerit, për të mos përmendur Pol Potërat & Co.?
Rudy Rummel, profesor emeritus i Shkencave Politike në Universitetin e Hawaii-t dhe studiues i revolucionit kinez, ka vlerësuar se leadership-i i Mao-s i ka kushtuar Kinës rreth 77 milion të vrarë (në krahasim me 62 milion të vrarë në BS gjatë viteve 1917-1987 dhe 21 milion në Gjermaninë naziste, gjatë viteve 1933-1945). Këto shifra me shumë zero marrin edhe më shumë kuptim, po të krahasohen me numrin total të viktimave të të gjitha luftërave midis viteve 1900-1987, duke përfshirë këtu Luftën I dhe të II Botërore: 34 milion.
Pyetja ime këtu është nëse i mbetet autoritet në një lëmë të caktuar dikujt që vret miliona njerëz pikërisht nëpërmjet veprimtarisë së tij në atë lëmë? Një inxhinier projektues dhe ndërtues i një ure që pastaj shembet për arsye strukturore duke marrë me vete në humnerë edhe trenin me pasagjerë mund të përfundojë në burg për neglizhencë profesionale; vallë nuk ka një burg virtual për ata filozofë dhe sociologë që janë përgjegjës për vrasjen e milionave, me teoritë dhe praktikat e tyre politike, filozofike dhe sociale?
Pak muaj më parë, patëm një diskutim të ngjashëm në blog, në lidhje me qëndrimin ndaj Leninit dhe leninizmit; por Maoja tani i shton këtij debati një aromë të re, sa kohë që versioni maoist i marksizmit, në forma të ndryshme, u kushtoi shtrenjtë edhe shqiptarëve – meqë vitet 1960 ishin edhe vitet kur u rrënuan institucionet fetare, u spastruan programet mësimore dhe bibliotekat nga mbeturinat “borgjezo-revizioniste”, u denoncuan anembanë intelektualët si kontingjent i armikut, iu dha dërrma strukturave sociale “patriarkale” në fshat, u krye kolektivizimi i plotë i bujqësisë dhe i artizanatit dhe biznesit të vogël në qytetet, u inauguruan institucione dhe praktika të tilla si kontrolli punëtor dhe fshatar, qarkullimi i kuadrove, puna prodhuese, trekëndëshi revolucionar mësim-punë prodhuese-stërvitje ushtarake, fletë-rrufetë, botimi i parë i stripave të Lei Fenit etj.
Shkatërrimin e asaj shoqërie civile, të cilën Hamza e quan “reaksionare” duke thirrur edhe Maon në ndihmë të këtij etiketimi dhe të ftesës për shkatërrim, unë e mbaj mend ta kem ndjekur live në vitet gjashtëdhjetë në Tiranë, edhe pse ende fëmijë dhe pa i kuptuar të gjitha nuancat e hovit revolucionar që kishte pushtuar Shqipërinë.
Natyrisht Hamza artikullin nuk e ka shkruar për mua; por për atë takëm lexuesish që e konsiderojnë Mao-n si një fishek më tepër në vezme, ose si një shishe Molotov më tepër, në kacafytjen e tyre me realitetin ekzistues. Artikulli vetë nuk rreket të bindë, por të mobilizojë, dhe të mobilizojë nëpërmjet fshikullimit filozofik. Aty lexon pasazhe të drunjta profesorale si ky i mëposhtmi:
[S]i funksionon predikati “oportunist” karshi materialitetit ideologjik në të cilën oportunizmi civil funksionon shoqërisht?
Ndjekur nga pasazhe po aq të drunjta, por këtë herë të sferës së agit-propit, si ky tjetri:
Baza ideologjike mbi të cilën shoqëria e ndërton aktivitetin e vet, dhe njëkohësisht e arsyeton atë, nuk ka se si të emërtohet ndryshe përveç se reaksionare. Dhe kjo nuk duhet të na zbrapsë nga ata, e për më tepër, nuk duhet të frikësohemi t’i quajmë reaksionarë. […] Forcat progresive të vendit tonë, të organizuar nën strehën e asaj që arbitrarisht e kualifikojnë si shoqëri civile, dhe në mënyrën më të paturpshme e quajnë veten përfaqësues të saj, janë thelbësisht reaksionare.
Këto fjalë të fundit si prej komisari që u bën punë politike ushtarëve të vet, më kujtuan një përkufizim të njohur të marrëzisë si “të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të ndryshme”.
Nuk ka nevojë të jesh marksist as maoist, për të kuptuar se situata politike dhe sociale në Kosovë gjendet në krizë, për shkak edhe të rolit që luan aty faktori i jashtëm (për probleme të ngjashme në shoqërinë shqiptare bashkëkohore kemi folur disa herë edhe në PTF). Megjithatë, nuk mund të lihet të kalojë fakti se Hamza dhe kolegët e vet po përpiqen ta radikalizojnë kritikën ndaj kësaj situate duke marrë pozicione përndryshe të komprometuara prej kohësh, ose duke u futur në llogore të vjetra, të gërmuara prej filozofësh që kanë përfunduar në vrasës masivë edhe kur nuk kanë përfunduar të instaluar në po ato frone të cilave donin t’u vinin deri dje zjarrin. Përmendja e Mao-s në materiale të tilla mund të jetë shqetësuese për një brez lexuesish (si imi); por për të tjerë mjafton të shërbejë si sinjal, qoftë edhe pavlovian, se po manipulohen.
|
20,275 | https://peizazhe.com/2016/01/13/mizoqene/ | null | 2016-01-13T23:40:07 | MIZOQENË? | Ndoshta vetëm gruaja mund të konkurrojë me qenin për nga forca e sharjeve dhe lehtësia e prodhimit të konotacioneve negative që u janë rezervuar në shqip. Qeni ende nuk ngjit në kulturën tonë, sido që numri i njerëzve që mbajnë qen në shtëpi si beniaminë dhe jo si kafshë utilitare, është rritur nëpër qytete.
Sot shqiptarët kanë nisur t’ia hapin dyert e dhomave të gjumit qenit, ndërkohë që deri vonë qeni e kish vendin në oborr, me ose pa kolibe. Dëgjon edhe ndonjë zë të vetmuar (a organizatë) që mbron shfarosjen e qenve të rrugës që deri vjet ende shëtisnin në kope nëpër Tiranë, por shumica e njerëzve do donte t’i hiqte qafe, qoftë edhe me rrugë asgjësimi kolektiv. Është e natyrshme që shqipja nuk ka edhe një korpus joanonim thëniesh të kohëve moderne që të lidhet me qentë. Këto të fundit në vende të zhvilluara kanë tendencën të jenë thellësisht pro-qen (e anti-njeri), edhe në rastet kur kulturat tradicionale përkatëse u kanë ruajtur qenve skuta pa nder. Por shqipja befason me galerinë e pasur antiqen që ka përpunuar në shekuj.
Megjithëse po të pyesësh dikë për cilësi të qenit, merr përgjigje racionale të tipit: besnik, me nuhatje të fortë, që do të zotin, e vërteta gjuhësore na çon në një tjetër gjendje. Krahasimet e zhvilluara në shqip për qenin janë kryesisht negative: është si qen, sillet si qen, ha si qen, leh si qen, mban erë qen, si qen i lëshuar nga zinxhirët. Po këtu mund të futeshin edhe përdorimet ndajfoljore si qençe ose qenërisht. Nuk është çudi që shqipja është e pasur në sharje direkte që nisin me më të thjeshtën dhe më të fuqishmen “Qen!”, e vazhdojnë me variantet “qen bir qeni”, “qen rrugësh” etj. Po të kalojmë pastaj në variantin femëror të qenit, kuptimi sharës, vetiu, intensifikohet më tej, dhe, po vetiu, përkon absolutisht me sharje të fuqishme kundër grave: bushtër, bushtërz, kuçkë, buçe, gore etj. (Kompozita “llapaqen-e” që përdoret për gra më shumë se për burra, do futej gjithashtu në këtë grup). Nuk zë me gojë këtu, barceletat vlonjate për gruan “qëne”. Këto sharje bazuar në fjalët për femrën e qenit, bartin edhe më shumë përçmim, urrejtje dhe ndot e neveri për të sharin, që në këtë rast kuptueshëm është grua dhe jo burrë. Për njeriun jo-qen që rezervon këtë ndjenjë për të sharin, mashkulli-qen mund edhe të meritojë vdekjen, ndërsa bushtrës e kuçkës nuk ka dyshim që u duhet qepur buçja lehëse për hir të së mirës kolektive. Shkurt: për kulturën tonë tradicionale dominante e dinim fort mirë që është mizogjine, por na del që është edhe mizoqene.
Kuptime të forta dhe sidomos shumë si ato më lart kanë shërbyer si nxitës të një galerie idiomash dhe proverbash të fuqishëm lidhur me qenin. Qenit tregoji shkopin! Përmend qenin, bëj gati shkopin! Mos e trazo qenin që fle! Kush fle me qen, zgjohet me pleshta! (Disa prej proverbave i ndajmë edhe me gjuhë të tjera.) Kemi edhe plot të tjera, tërthorazi negative: “është për t’ia hedhur qenve”, “s’ia ha qeni shkopin”, “ka sa të hanë qentë”, ”s’kishte ku e kapte qeni” “ishte bërë si qeni në qerre”, “qeni që leh, nuk kafshon”, “shkoi për dhjamë qeni”, “është si qen i rrahur”; “qeni mbahet për të lehur”, “ç’i duhen qenit brekët”; ose të tjerë proverba ku qeni del si pa vlerë ose si një burim bezdie e ngatërresash si “erdhën me qen e me mace/erdhën me kuç e me maç”, “e vrave qenin, hidhe në përrua”, “luante qeni i kallajxhiut”, “shkojnë si qeni me mace”, dhe proverbi që hyri e u fuqizua në kohë të socializmit “qentë të lehin, karvani shkon përpara”. Edhe kuptimi i togut emëror “jetë qeni”, duhet përkufizuar me një sfond të tillë kuptimor në mendje.
Pra, na rroftë që qenin e karakterizojmë si besnik dhe si mikun më të mirë të njeriut, sepse në realitetin gjuhësor, e trajtojmë thjesht si qen! Kam gjetur veç një proverb ndoshta-ndoshta neutral: “qeni qepën të hajë”, dhe vetëm në “s’e njeh qeni të zotin” (devotshmëria) ose në “është qen pune” (i paepur, që s’i ndahet dikçaje pa e mbaruar) del ndoshta-ndoshta si pozitiv. Dhe, pa dyshim, ka një numër përdorimesh emërtuese a terminologjike, si “not qeni” e “qen deti”, si edhe emërtime grupuese të llojit si “qen stani”, “qen rojë”, “qen race”, “qen kufiri”, “qen gjahu” apo edhe “qen i tërbuar”.
Dihet që kafshët dhe zarzavatet përdoren rregullisht si sharje në shqip, shpesh edhe në gjuhët mesdhetare, dhe përtej. Por më bën përshtypje pasuria e lidhjeve negative me qenin ruajtur në shqipen, dhe niveli herë i urrejtjes (në to zakonisht qeni perceptohet si agjent i sulmit, egërsisë, kafshimit, rrezikut), dhe herë i përçmimit (në to zakonisht qeni perceptohet si pësues veprimi ose si agjent dytësor a i rastësishëm) për këtë kafshë. Në kushtet tona ku ekzistenca ishte në rend të ditës dhe edukata humane ende jashtë pragut, qeni me siguri është keqtrajtuar, mbajtur për vlerën e përdorimit në rastin më të mirë. Ai edhe është rritur që të jetë i egër, sepse bota në fund të fundit ishte armik. Por qeni më lart shfaqet më shumë si armik, i egër dhe i rrezikshëm, i poshtër, sesa si mbrojtës nga armiku, egërsia dhe rreziku. Në gamën që dhuron shqipja, qeni del si një kafshë që në në simbolikën njerëzore lëviz mes ujkut dhe hienës. Dhe ne jemi popull me traditë fshatarake dhe blegtorale, ku qeni duhet të ketë pasur rol të rëndësishëm në mirëqenien e grupit.
Kam pasur një frikë të jashtëzakonshme nga qeni. Kur lashë Shqipërinë në fillim nuk i kuptoja njerëzit që ishin marrëzisht të dashuruar me qentë e vet. U kthehem disa eksperiencave të mia me qenin në Shqipëri. Mbaj mend se në fshat në Kolonjë kur shkoja për të kaluar rreth dy javë në verë më kanë ndjekur qentë disa herë. Nuk ishte lodër; ishte ndjekje reale për jetë a vdekje. Një herë, kur kalonim poshtë një mali me një stan dhensh në majë, na u vërsulën tre prej tyre. I pamë që larg që vinin me vrap të marrë. Xhaxhi Piloja ne kalamajve na tha të rrinim pas gomarit, ndërsa ai me një hu që kish në dorë nisi t’i luftonte aq fort, sa skena violente e ndeshjes më rri ende në tru sot sikur sapo ta kisha jetuar. E njëjta gjë më ka ndodhur disa herë në Himarë. Shkonim në Spile për plazh. Ne shtëpinë me qera e merrnim gjithnjë afër detit (atëherë kur ajo zonë ish qelibar) e jo në majë të kodrës, por e zonja e shtëpisë nuk kish televizor. Ndaj me ca çuna e goca që bënin plazh me ne, shkonim për të parë televizor në majë të kodrës tek një shtëpi ku nuk na e prishnin qejfin. Ah, ato kthime e rrotullime nëpër ullinjtë e shtigjet me baltë të thatë e erë sherebele të Himarës, që i bënim me vrap të çmendur, me qentë e shtëpive përreth (pa porta oborresh) turrur pas që nuk na lanë kurrë të ktheheshim në paqe. Ende sot, kur dal për qejf të eci apo vrapoj jashtë qytetit, ka një shqisë mbrojtëse që më punon ende dhe nis automatikisht të bëj hartën e pemëve apo objekteve të larta ku mund të kacavirrem sikur të më sulmojë një qen. E nuk po përmend qen të marrë që më kanë ndjekur duke u kthyer për Tiranë pa lejë nga festa e Arbanës, jo andej nga kthehej gjithë tufa, por mes për mes kodrave, tek Lapidari mbi liqenin artificial, turravrap drejt Tiranës poshtë; apo ata që më zunë rrugën në mes të fushës në Mamurras kur kisha ikur (me lejë) nga zbori; apo ata natën nëpër Tiranë pas alarmeve ushtarake kur kishim sistem njoftimi stafetë e duhet të dilnim natën rrugëve për t’u paraqitur në pikën e grumbullimit të batalionit pasi simulohej një sulm nga imperialistët amerikanë!
Kur isha rreth 7 vjeç nuk harroj një traditë që u zhvillua në Tiranë ku polici vinte shtëpi më shtëpi dhe merrte qentë nga të zotët, që pastaj i fusnin në tufë në një si rimorkio ndërtuar prej listelash druri në formë gardhi, mbi një karrocë me kalë. Atëherë pashë për herë të parë dashurinë që lidhte qentë me të zotët. Deri atëherë unë qenve u ruhesha, disa të tjerë i qëllonin. Këta qentë që grumbullonin lagjeve, më pas vriteshin… nuk më kujtohet pse, e ç’punë prishnin. Të ishin të sëmurë? Një mesogrua e veshur me një fustan shtëpie që qante me vajtim duke ndjekur karrocën përgjatë rrugës Qemal Stafa, dhe i thërriste qenit të vet që kuiste fort me noçkën nxjerrë mes listelave. Isha tronditur, por as nuk e ndihmoja dot, as nuk e kuptoja tamam gruan. Mbaj mend që i ndiqja një copë rruge karrocat që dhembnin, e pastaj kthehesha në shtëpi. Unë isha me fat që nuk kisha qen. Dhe që nuk isha qen.
U desh të kisha qenin tim, që hidhej përpjetë në tri-katër salto ajrore kur na shihte, dhe që në një ditë pranvere para disa vjetësh, sikur të mos kish fryrë erë, sikur dera e kopshtit të mos qe hapur, sikur të mos kish dalë në atë moment në rrugë, sikur të mos kish parë një ketër në oborrin kundruall, sikur tamam atëherë të mos kish kaluar një makinë, do ishte ende ulur këtu afër meje duke ndjekur me sy të zgjuar çdo lëvizje timen tani që shkruaj dhe që them se marrëdhëniet e njerëzve me qentë, edhe të atyre që u tremben apo nuk i duan, mund të ndryshojnë. Madje, duhet të ndryshojnë.
|
41,432 | https://peizazhe.com/2023/10/17/kush-e-zhveshi-doruntinen/ | null | 2023-10-17T10:08:10 | KUSH E ZHVESHI DORUNTINËN? | Kush i ndjek produksionet e sotme të show business-it, por edhe apasionohet pas imazheve të vajzave (dhe grave) celebrities në faqet e tabloidëve, pa folur për kulturën e imazhit gjysmë-lakuriq të çuar përpara në rrjetet sociale dhe praktikat seksuale të ndërmjetësuara nga një medium dhe as për modën që i ndjek hap pas hapi këto trende, do ta ketë vënë re qasjen asimptotike ndaj trupit lakuriq, zakonisht femëror; që asnjëherë nuk shfaqet i plotë, por që gjithnjë e nënkupton lakuriqësinë totale. Në kontekste të tjera, zhveshjen – të gruas por jo vetëm – e kanë parë edhe si dëshmi të emancipimit, ose të paktën të refuzimit ndaj preceptit “për t’u mbuluar”; ndërsa sot këtij interpretimi tradicional i është shtuar edhe një tjetër, që e ndan imazhin e trupit nga komunikimi me natyrë drejtpërdrejt seksuale; në kuptimin që lëkura e zbuluar (rishtas) nuk është detyrimisht ftesë, as licencë për agresion erotik dhe aq më pak seksual.
Mund të diskutohet edhe roli që luan principi pornografik në këtë mes, veçanërisht atëherë kur trupi femëror përdoret – në mass media – për të shitur programe dhe produkte, duke e trajtuar publikun si një masë voyeurësh, madje duke e përftuar të tillë. Megjithatë, nuk është e thënë që atraksioni i imazhit të një vajze a gruaje të zhveshur në ekran të lidhet detyrimisht me seksualitetin; madje mund të argumentohet se, më fort edhe se për trupin femëror lakuriq, publiku voyeur interesohet për aktin e zhveshjes, të përfaqësuar si strip-tease; dhe frymëzohet nga shtresa se ky akt i “zbulimit” të trupit do ta arrijë, më në fund… të vërtetën (origjinën).
Byung-Chul Han (te La scomparsa dei riti, Una topologia del presente) vëren se sot deri edhe leximi i një teksti letrar ka marrë formë pornografike, duke u modeluar sipas një strip-tease-i heuristik, sa kohë që narracioni artikulohet në trajtën e një zbulimi progresiv, gradual, të së vërtetës. Prandaj edhe nuk lexojmë më poezi, shkruan ai; sepse poezitë nuk përcjellin ndonjë të vërtetë finale dhe nuk e lejojnë leximin “pornografik”, ose të paktën fokusimin pornografik. Dhe nuk është rastësi që zhanri letrar karakteristik për modernitetin është romani i verdhë (policor), ku kënaqësia e leximit buron sa nga katharsis-i i vendosjes së drejtësisë a të paktën i shpagimit, aq edhe nga aventura intelektuale e zbulimit të vrasësit (kriminelit), nëpërmjet zhveshjes së fakteve.
Romani policor nuk ia detyron suksesin vetëm aftësisë për ta mbajtur lexuesin të ngjitur pas tekstit, falë një teknike narrative që e lejon autorin t’ia mbajë këtij lexuesi disa gjëra të fshehta aq gjatë sa e gjykon të arsyeshme, por edhe vetë mendësisë moderne, e cila na shtyn të besojmë se të vërtetën mund ta arrijmë duke u zhvendosur nga dukja drejt thelbit, ose nëpërmjet zhveshjes së realitetit sipërfaqësor. Kjo përkon edhe me metodën shkencore të qasjes ndaj realitetit, e cila themelohet mbi besimin se njohja është e mundshme dhe se mendja njerëzore mund ta rrokë të vërtetën, nëpërmjet arsyes. Pikërisht ky botëkuptim na bën që të tërhiqemi ndaj një misteri, por vetëm me kusht që të duam ta anulojmë si të tillë.
Edhe një roman post-modern tipik, si Il nome della rosa i Eco-s, organizohet narrativisht si një rrëfim policor, ku personazhi qendror, murgu Guglielmo de Baskerville, kërkon të ndriçojë një numër krimesh të pashpjegueshme që ndodhin në manastirin ku bun si mysafir. Metoda hetimore që ndjek Guglielmo-ja është absolutisht racionale, por ai nuk arrin, megjithatë, ta ndalë vazhdën e krimeve dhe as të parandalojë katastrofën finale. Në atë vepër Eco-ja e përdor arketipin e romanit policor edhe për të ilustruar krizën e modernitetit dhe të vetë racionalizmit. Ndërkohë dhe praktikisht në po ato vite, nga ana tjetër e Adriatikut, edhe Kush e solli Doruntinën e Ismail Kadaresë adoptoi të njëjtën strukturë narrative të romanit policor, për të “racionalizuar” një legjendë mesjetare.
Veprat “policore” klasike, nga tregimet e Edgar Poe-s që e përuruan zhanrin, te Sherlock Holmes-i i Conan Doyle-it dhe romanet e Agatha Christie-s, themelohen të gjitha mbi presupozimin se autori i krimit do t’i zbulohet lexuesit në fund të romanit; dhe mbi presupozimin tjetër se protagonisti – që mund të jetë një oficer policie, një detektiv privat, por edhe një amator çfarëdo, zakonisht me profil të lartë intelektual (hero i arsyes) – i ka mundësitë për ta arritur të vërtetën “lakuriqe”. Mënyra si operon Sherlock Holmes-i e shëmbëllon mirë atë zhveshje për të cilën flet Byung-Chul Han-i, pa çka se aftësitë deduktive të qiraxhiut të Baker Street janë ndonjëherë të ekzagjeruara. Lexuesit, kur arrin fundin e rrëfimit dhe shijon “zgjidhjen”, nuk i lejohet të dyshojë nëse krimi është zbardhur dhe autori është identifikuar, meqë këtë e implikon vetë struktura racionale narrative e zhanrit; madje edhe në atë rast kur autori luan me pritjet e lexuesit dhe bën që – bie fjala – krimin ta ketë kryer vetë narratori (si te The Murder of Roger Ackroyd, nga Agatha Christie).
Një shkrimtar francez, Pierre Bayard, e kthen tani kokëposhtë zhanrin policor, duke i “rihapur dosjet” e disa prej krimeve më të njohura të letërsisë së verdhë: që nga L’Affaire du chien des Baskerville, te Qui a tué Roger Ackroyd?, për të “provuar” se heronjtë e zhanrit, si Holmes dhe Poirot, gabuan në zgjidhjen e enigmës; çfarë do të thotë se romanet në fjalë, nga më të famshmet, janë rrëfime “gabimesh”. Suksesi intelektual i eksperimenteve interpretative të Bayard-it (që nuk e prekin rrafshin narrativ të tekstit) varet nga ajo që lexuesi e ka pranuar zgjidhjen ekzistuese si të vërtetë absolute, madje si edhe më absolute se një e vërtetë e sanksionuar nga një hetim policor dhe proces gjyqësor. Duke vepruar kështu, Bayard sikur i thotë lexuesit: po sikur ajo që ke parë, kur përfundove së zhveshuri tekstin, të mos jetë trupi lakuriq i “femrës” narrative, por një konstruksion, një simulakër, një manekin prej allçie?
Kur e pata lexuar Kush e solli Doruntinën, të botuar atëbotë si novelë brenda një vëllimi me proza të tjera, kisha kujtuar për një çast se enigma ish lënë prej autorit e pazgjidhur, dhe racionaliteti i Stresit nuk e kish depërtuar dot murin irracional të legjendës. Kjo, sepse më kishin shpëtuar disa indicie, në rrëfim, se Doruntinën e paskësh sjellë vetë Stresi; i cili qenkësh dyzuar pastaj mes rolit të hetuesit të ngarkuar nga autoritetet me zbardhjen e një “krimi”, dhe rolit tjetër të autorit të po atij “krimi” – si një lojtar që luan shah kundër vetes. Ashtu edhe kisha menduar se misteret e një legjende nuk mund të dekonstruktohen me arsye ose pa rënë në paradoks; dhe se ishte koha edhe për ne në Shqipëri që një shkrimtar ta rrëfente këtë. Por ky lexim nuk ishte veçse efekti i saturimit dhe i lodhjes sime, me optimizmin dhe pozitivizmin e kulturës realist-socialiste në vitet 1980; përndryshe, zhbirimet e Kadaresë, të zbatuara ndaj legjendave folklorike por pastaj edhe ndaj disa kryeveprave të letërsisë botërore – nga Iliada te teatri i Eskilit, Dantja dhe Shekspiri – e vendosnin atë me të dy këmbët në racionalitet; dhe në fund të “zhveshjeve” të tij interpretative do të gjendej gjithnjë një trup lakuriq i pareduktueshëm, e Vërteta me V të madhe.
© 2022-2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
23,325 | https://peizazhe.com/2016/08/19/shqip-serbisht-vajtje-ardhje/ | null | 2016-08-19T07:33:41 | SHQIP-SERBISHT, VAJTJE-ARDHJE | Duke marrë fjalën te një debat i organizuar gjatë festivalit të filmit Dokufest në Prizren, Halil Matoshi shpjegoi se përse nuk flet serbisht (Përse nuk flas serbisht, botuar te Pasqyre.al).
Rrëfimi i tij përçon dramën e një kulture të detyruar t’i nënvendoset një tjetre, me forcën e armëve; por edhe revoltën që mund të shprehet nëpërmjet gjuhës.
Episodet e përplasjeve me policinë, ku edhe diferenca më e vogël në shqiptim ose në gjuhën e zgjedhur për komunikim, mund të shënjojë dallimin mes burgut dhe lirisë, të bëjnë të mendosh se në ca vende të Ballkanit shibboleth-i biblik ende ecën si valutë shkëmbimi.
Teksa shqiptarët e Kosovës përballeshin me dhunën policore të Serbisë, serbishtja vinte dhe merrte trajtat e një gjuhe me të cilën kjo dhunë përcillej (për këtë temë kam shkruar më gjatë këtu).
Për fat të mirë Matoshi shpëtoi i gjallë nga burgu dhe kampi i përqendrimit serb; dhe eksperienca e tij e hidhur, që tani e njoha për herë të parë edhe pse ia kam lexuar rregullisht shkrimet, më ndihmoi për të kuptuar më mirë edhe pozicionet e tij për çështje të tjera.
Përfshi edhe ato që merr gjatë kësaj bisede, në lidhje gjuhën si të tillë, dhe gjuhët në marrëdhënie dhe konflikt mes tyre: si serbishtja me shqipen, por edhe e për fat të keq, si standardi i 1972-shit dhe shqipja e Kosovës.
Autori thotë se nuk ndihej mirë në bisedat shqip, aq sa një ditë do ta shmangte të folmen sipas standardit, meqë kjo:
kishte marrë për bazë dialektin toskë, që vlon nga paraziti -uar, zor i duruar, që të bëhet sikur po flet diçka për shkretëtirën e Saharës ose thënë në mënyrë sarkastike “Qenke bërë tërë rërë.” […]
Një gjë mund të deduktohet nga ky pasazh i çuditshëm: që Matoshit nuk i duhet vënë shumë veshi, kur merret me analiza gjuhësore: në fakt, ajo -uar e toskërishtes dhe e standardit, që këtij i duket “parazit”, ka një rol për të kryer, brenda morfo-fonologjisë së shqipes së njësuar; nuk është as “parazitare”, as e tepërt.[1]
Matoshi duket sikur ka rënë edhe ai viktimë i hiperkorrektizmit kosovar – që shpesh shfaqet te ky ngatërrim mes standardit, që zbatohet kryesisht ndaj shqipes së shkruar; dhe mënyrës si flasim.
Do ta shmangia të folmen sipas standardit të gjuhës shqipe të vitit 1972, thotë ai. Mirë se vjen në klubin më të madh të shqipfolësve, z. Matoshi – ku askush nuk flet me standard; sepse standardi nuk pretendon autoritet mbi gjuhën e folur në përgjithësi, por vetëm mbi atë të shkruarën; madje edhe sistemi i rregullave i dalë prej 1972-shit quhet “i drejtshkrimit” dhe jo i “drejt-të-folurit”.[2]
Qytetarëve të arsimuar në Shqipëri dhe besoj edhe në Kosovë nuk u kërkon kush që të flasin patjetër sipas standardit (“të flasin me drejtshkrim”, siç shprehen disa); por vetëm që të dinë të flasin sipas standardit. Dallimi është me rëndësi.
Dikujt si Matoshi, nuk do t’i duhet ndonjëherë të zbatojë normat e drejtshqiptimit dhe të gramatikës standard në ligjërimin e folur – përveçse po t’i kërkohet ndonjëherë të drejtojë emisionin e lajmeve në televizionin kombëtar, ose të punojë si zëdhënës i Presidentit të Republikës, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë. Sot madje as aktorëve të teatrit e të filmit nuk po u kërkohet më të drejtshqiptojnë e të ndjekin gramatikën e standardit, kur interpretojnë.
Përndryshe, është zgjedhja e atij vetë, nëse do të përdorë shqipen standard në të folur, apo do të përpiqet të flasë “sipas një fjalori shumë të vjetër idiomatik, me një shqipe arkaike, që është shumë larg asaj letrare, por që nuk përkon gjithaq as me gegnishten e veriut,” sikurse shprehet.
Përcaktimi i mësipërm i sjellë nga vetë autori, është ai i një idiolekti; dhe idiolekti i Matoshit mund të ketë interes për biografin e tij, ose për publikun e ligjërimit të tij të folur – por përndryshe nuk i prish, as i ndreq punë kujt.
Nëse dikush del para një publiku të panjohur, dhe flet “me një shqipe arkaike, që është shumë larg asaj letrare, por që nuk përkon gjithaq as me gegnishten e veriut,” ky publik me siguri do të supozojë disa gjëra për ligjëruesin, por jo për integritetin e shqipes standard.
Do të supozojë, bie fjala, se ky ligjërues nuk i ndjek normat e shqipes së folur formale (si version i folur dhe relativisht artificial i standardit të shkruar[3]) ngaqë (1) nuk i zotëron këto norma, sepse e ka bërë shkollimin të mangët, ose nuk ka arritur t’i zotërojë, edhe pse është munduar; ose (2) refuzon që t’i nënshtrohet disiplinës gjuhësore të shqipes së folur formale, sepse e gjen të padrejtë ose pa vend ose kërkon të promovojë një disiplinë alternative ose thjesht ngaqë është rebel ose dëshiron t’u komunikojë të pranishmëve origjinën e vet krahinore; fundja edhe anti-konformizmin e vet.
Asnjë problem deri këtu. Por më tej kam frikë se Matoshi vetë bie në kontradiktë me çfarë ka pohuar më parë, kur thotë se:
Sot, 17 vjet pas luftës së Kosovës, ende dikush, ndonjë mendje kriminale ose dorë fantome, “vjedh” germa e fjalë të tjetrit, që pandehen si germa të armikut! […] Vendbanimet e pakicave etnike në Kosovë ndonjëherë shkruhen me gabime drejtshkrimore e gjuhësore, e ndonjëherë edhe sipas shqiptimit […]
Dhe bie në kontradiktë, sepse ndoshta harron që njëlloj veproi ai, kur e etiketoi si “parazit” një mbaresë foljore të toskërishtes e të shqipes standarde; ose duke e interpretuar një diferencë gjuhësore si patologjike. Me të njëjtën logjikë, edhe disa kosovarëve mund t’u duken “parazitare” mbaresat e të tjerëve – dhe kështu mbërrijmë pikërisht atje ku nuk dëshironim: ose nga diagnostikimi te mjekimi i patologjive nëpërmjet amputimit.
Të tregojmë kujdes me gjuhën e pakicave etnike në Kosovë, porosit autori dhe nuk mund të mos jem dakord me të; por kur vjen puna për shqipen, që është gjuhë e shumicës, më lini të qetë që të ushtroj “shqipe[n time] arkaike, që është shumë larg asaj letrare, por që nuk përkon gjithaq as me gegnishten e veriut”, edhe pse mund të ketë, dhe do të ketë partnerë të Matoshit në komunikimin gojor, që janë të interesuar të dëgjojnë çfarë ka ai për të thënë, jo të marrin vesh – nga idiolekti që përdor – origjinën e tij krahinore ose qasjen e tij idiosinkratike ndaj standardit gjuhësor.[4]
E kam të vështirë t’i pajtoj këto dy qëndrime – të cilat veç e veç do t’i kisha kuptuar pa problem. Pështjellimi këtu pjesërisht ka të bëjë me mosdallimin e qartë, ndoshta pa dashur, midis rrafshit të shkruar dhe rrafshit të folur të një gjuhe: i pari kërkon detyrimisht më shumë njësim se i dyti, ndoshta ngaqë është më pak context-sensitive; aq sa ka gjuhëtarë që besojnë se gjuha e shkruar nuk është version i shkruar i gjuhës së folur, por sistem më vete.
Pjesërisht, megjithatë, konfuzioni ka të bëjë me mënyrën si është pritur shqipja standard në Kosovë – si disiplinim jo i shqipes së shkruar, por i krejt komunikimit.
E megjithatë, që trauma e përjetuar nga shqiptarët në Kosovë dhe gjetiu në ish-Jugosllavi si pasojë e konflikteve dhe diskriminimeve ndër-etnike mund të reflektohet tani edhe si armiqësi e heshtur dhe vende-vende folklorike ndaj standardit, kjo meriton vëmendje.
[1] Në çdo sistem gjuhësor, parimi i ekonomizimit të mjeteve parakupton edhe redondancën, ose teprinë informacionale – për t’i dhënë mesazhit versatilitet dhe për ta mbrojtur nga humbjet dhe zhurmat që shoqërojnë komunikimin. Veç kësaj, norma gramatikore e shqipes standard, sikurse edhe e shumë gjuhëve të tjera, mbështetet jo vetëm në parimin e ekonomizimit, por edhe në atë të ruajtjes së unitetit të njësive morfo-fonematike; çfarë do të thotë se variantet fonetike të së njëjtës morfemë duhen mbajtur nën kontroll, për të ruajtur integritetin gramatikor të sistemit por edhe, në analizë të fundit, për t’ua bërë përdoruesve më të lehtë, ose më eficient nga pikëpamja e energjive mendore të shpenzuara, përdorimin e sistemit gramatikor gjatë përftimit të thënieve.
[2] Për shembull, unë kam lindur dhe jam rritur në Tiranë, i ekspozuar në familje ndaj dialektit të Gjirokastrës dhe në rrugë ndaj atij të Tiranës; kam mësuar standardin në shkollë dhe jam në gjendje ta përdor edhe me shkrim edhe në situata formale me gojë – p.sh. kur komunikoj në publik; por në shtëpi flas gjithnjë një gegnishte të zbutur, të cilën e kthej në një toskërishte të zbutur, kur flas me nënën time. Zotërimin prej meje të shqipes e mat jo me njohjen e rregullave drejtshkrimore, por me aftësinë për të kaluar rrjedhshëm nga një regjistër në tjetrin, sipas situatës. Për këtë më ka ndihmuar edhe ekspozimi ndaj formave dhe të folmeve të ndryshme të shqipes, që nga fëmijëria deri më sot; dhe fakti që kam jetuar në Tiranë, një ‘melting pot’ i dialekteve të shqipes. Këto karakteristika i ndaj me shumë bashkatdhetarë nga Shqipëria, që jo vetëm e kanë gjetur një drejtpeshim mes të folmes së tyre dhe standardit, por edhe kanë pasur nevojë ta shtrijnë këtë drejtpeshim edhe në marrëdhëniet me bartës të dialekteve të tjera. Për shembull, në një konvikt universitar në Tiranë (por edhe në një kasermë ushtrie), gjeje në të njëjtën dhomë studentë (ushtarë) nga Korça, Elbasani, Shkodra dhe Tropoja; familjarizimi me dialektet përkatëse e anashkalon kështu nevojën për të gjetur një mënyrë bashkëjetese me standardin. Kam përshtypjen se Kosova, duke qenë më homogjene nga pikëpamja e të folmeve që përbëjnë shqipen e atjeshme, nuk e ka përjetuar këtë afrim spontan; dhe shqipen ndryshe është prirur ta identifikojë me standardin që mbërrinte atje nëpërmjet teksteve të shkruara dhe radio-televizionit nga Tirana. E gjithë kjo, pa folur për faktin që shqiptarët sot në Shqipëri nuk e kanë përjetuar ndonjëherë gjuhën e huaj si gjuhë të armikut dhe vektor të dhunës; por kjo është gjithsesi çështje tjetër.
[3] I krahasueshëm me detyrimin për burrat për t’u veshur me kostum dhe kravatë, ose për gratë gjithsesi në mënyrë elegante dhe formale, në situata sociale të caktuara; duke pasur parasysh që kravata nuk luan ndonjë funksion utilitar në veshje, por vetëm shënjon formalitet dhe, në rrethana specifike, edhe ekstravagancë.
[4] Dhuna simbolike, në situata të tilla jo dhe aq hipotetike, është gjithnjë e dyanshme: nëse Matoshi e percepton si të dhunshëm imponimin e standardit në komunikim me palë të treta, këto palë të treta mund ta perceptojnë si të dhunshme këmbënguljen e Matoshit ose të kujtdo tjetër për të tërhequr vëmendjen ndaj identitetit të tij dhe pikëpamjeve të tij për shqipen. Madje mund të ndodhë edhe më keq – sikurse edhe, për fat të keq, ka ndodhur; dhe dikush që flet në dialekt në ato situata kur prej tij do të pritej së paku një përpjekje për të marrë në konsideratë vështirësinë e palës tjetër për t’ia kuptuar dialektin, do të perceptohet si i pagdhendur dhe “katundar” ose “malok.” Sërish, nuk përbën problem të folurit në vetvete, por aftësia për të zgjedhur midis regjistrave.
|
27,495 | https://peizazhe.com/2017/12/05/mjeku-qethir-dhe-kryeministri-trudeau/ | null | 2017-12-05T08:33:44 | MJEKU QETHIR DHE KRYEMINISTRI TRUDEAU | nga Kanadaja, Kristi Pinderi
Qethiri, ishte një ndihmës-mjek i përkushtuar në Pogradec në vitet ’70-të dhe ’80-të. Njerëzit e respektonin për profesionalizmin që kishte në punë, mirëpo i qëndronin larg. Me raste e tallnin dhe e vinin në lojë për zërin e tij të hollë.
Për pak kohë, Qethiri kishte vuajtur dënim me burg pasi kishte shkelur nenin 137 të Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Ky ishte neni më i shkurtër në të gjithë historinë e ligjeve shqiptare.
Me vetëm 46 karaktere, i quajtur neni për “Pederastinë”, kjo fjali që ngjante si një mallkim sanksiononte me një gjuhë të thatë, të shpejtë dhe evazive (sikur edhe në ato pak karaktere të ndihej njëlloj neverie) se, “Pederastia dënohet: me heqje të lirisë gjer në dhjetë vjet”.
E mbaj mend shumë mirë Qethirin, pasi vetëm përmendja e tij ma bënte mishin kokrra kokrra kur isha i vogël e kur njerëzit e rritur më hakërreheshin se, nëse nuk do e forcoja zërin si burrë, do përfundoja edhe unë si Qethiri! Sot edhe kësaj dite nuk arrij ta besoj si mundet që fëmijët të traumatizoheshin në atë mënyrë, por më vonë do të kuptoja që kjo traumë ishte në fakt, pjesë e një sistemi të frymëzuar nga shteti.
Unë atëherë isha 7 apo 8 vjeç dhe përmendja e atij emri shkaktonte tek unë një lloj pështjellimi të përzier me frikë, neveri dhe kompleksim të atillë sa kur një mëngjes, teksa ndodhesha me time më në spitalin e qytetit e ajo më mërmëriti në vesh: “shikoje, ky është Qethiri”, mua sa nuk më ra të fikët!
Ishte i shkuar në moshë, me flokë të thinjur, i gjatë, me trup të drejtë dhe dinjitoz, ndërsa mbante një përparëse borë të bardhë dhe të hekurosur për merak. Mirëpo ai imazh nuk i shkonte fare përfytyrimit tim prej fëmije. Deri përpara atij momenti Qethiri kishte qenë për mua subjekt, jo objekt. Fenomen, jo njeri i hekurosur! E nëse do duhet të ishte njeri, atëherë duhet të ishte me mjekër e flokë të zgjatura si diversantët e fshehur në male dhe i pisët, me baltë e më thonj të palarë!
Por kur nisi të fliste me zë të hollë si të një gruaje, atëherë e kuptova përnjëherë, pa pasur nevojë për sqarime të mëtejshme se pse të qenit si Qethiri “me zë të hollë si grua” mund të përbënte problem.
Arsyet pse në Shqipëri komuniteti LGBTI vazhdon të paragjykohet dhe të marxhinalizohet nuk kanë të bëjnë thjesht me mungesën e informacionit apo me mungesën e emancipimit të shoqërisë. Rrënjët janë të largëta, që kur marrëdhënia intime mes dy burrave u kriminalizua dhe u bë pjesë e Kodit Penal.
Është pafund interesant dokumenti zyrtar i shkruar në gjuhën shqipe që hedh dritë mbi tentativat e para të kriminalizimit të homoseksualizmit. Ndryshe nga çfarë mund të mendohet, kriminalizimi ndodhi jo gjatë periudhës së komunizmit, por shumë më herët, që në 1925.
Në vitin 1925 Shqipëria me siguri kishte probleme shumë më të mëdha dhe ekzistenciale për një shtet të sapokrijuar, megjithatë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme shkruanin faqe të tëra relacion për Këshillin e Ministrave për të argumentuar domosdoshmërinë e futjes në Kodin penal të marrëdhënies mes dy burrave.
Unë kam mundur ta shikoj me sytë e mi këtë dokument në Drejtorinë Qendrore të Arkivave të Shtetit mirëpo nuk arrij të kuptoj se për çfarë arsye shtetarët e asaj periudhe shqetësoheshin për diçka të tillë. Një teori e besueshme do të ishte se kjo bëhej ndoshta për të ndjekur gjurmët e Gjermanisë së Bismarkut, imituar më pas nga Austro-Hungaria aq shumë e rëndësishme për pavarësinë dhe frymëzimin e shtetit shqiptar, vende këto që e kishin kriminalizuar homoseksualizmin (në Shqipëri konsiderohej pederasti, ndërsa termi homoseksualizëm është një term i mëvonshëm i dalë nga qarqet mjekësore).
Ja çfarë thoshte ky dokument që “Kryesija e Republikës” ia dërgonte Ministrisë së Drejtësis në vitin 1925 (arkivuar në skedarët me titullin “Krime të Kundërnatyrshme” në Arkivin e Shtetit, vitet 1912-1944):
“Për t’u studiue nga ajo Ministri e për të na u njoftue mendimi i saj, këtu ngjitur ju dërgohet kopja e një projekt ligji mbi ndalimin e pederastis paraqit për në Kryesi të Këshillit t Ministruer me shkresa numër 2166 datë 30-10-925 (dmth viti 1925) të Ministris së P. Mbrendshme.
Aktet të na kthehen prap.”.
Më poshtë fillon edhe arsyetimi për këtë projekt ligj. Arsyetimi kryesor ka të bëjë me faktin që deri në atë moment në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë pederastia dënohej vetëm në rastet e marrëdhënieve seksuale mes një të rrituri dhe një të mituri (nën moshën 15 vjeçare).
Duhet thënë që në fakt, kjo me konceptet aktuale nuk quhet marrëdhënie mes së njëjtit seks, por pedofili (!) e për pasojë ai kod penal ishte më se normal dhe që duhet përshëndetur. Por shikoni se çfarë ndodh më poshtë me amendimin e tij. Thotë Kryesija:
“Në nenin 197 të Kodit të sipërthan dënohen ata q’i bajn punën e shëmtuet një tjetrit q’i asht pesë me dhet vjeçe e posht e nuk ndëshkohen ata q’i i bajn po kët vepër nji personi 15 vjeç e nalt. Dmth në ligjet sod në veprim Pederastia asht e ndalueme kur qi pasivi asht 14 vjeç e poshtë dhe e lirë kur qe ay asht 15 e nalt”.
M’u kujtuan të gjitha këto detaje këtë javë kur kryeministri i Kanadasë Justin Truedeau mbajti një fjalim të shumëpritur për të kërkuar ndjesë, në emër të shtetit kanadez, të gjithë pjesëtarëve të komunitetit LGBTQ2S (2 spirit apo njeriu me 2 shpirtra është termi që përdorin banorët e parë indigjenë të Kanadasë për personat gej ose lezbike ose transgjinorë ose biseksualë, persona që përpara se Kanadaja vetë të kolonizohej nuk ishin të kriminalizuar).
“Mua më vjen keq! Ne të gjithëve na vjen keq!”, tha Trudeau teksa lexonte ndjesën zyrtare. “Një nga zgjedhjet më të nderuara që një person mund të bëjë në jetën e tij është të zgjedhë t’u shërbejë qytetarëve. Ndoshta t’u shërbejë në qeveri, ose në ushtri, ose në polici. Në çfarëdolloj detyre që dikush vendos të shërbejë, ta dedikosh jetën për ta bërë Kanadanë, – e në fakt të gjithë botën, – një vend më të mirë, është një nga thirrjet më fisnike. Mirëpo mundohuni tani të përfytyroni, nëse mundeni, që vendi të cilit ju keni vendosur t’i shërbeni, nuk ju do! Befas vendos të mos ju pranojë! Ky vend ju shikon ju si me defekte, madje ju konsideron si rrezik kombëtar. Dhe jo sepse ju nuk mund ta bëni punën tuaj, apo se ju mungon patriotizmi, apo kurajoja, por për shkak të asaj që ju jeni si individë dhe për shkak të asaj që janë partnerët tuaj”.
Mijëra e mijëra vetë u dënuan në kohën e Mbretërisë shqiptare, e më pas në Republikën Popullore Socialiste. Dënimet janë mbajtur të fshehura në shumicën e rasteve ngaqë pushteti shqiptar nuk ka dashur në asnjë rast të pranojë publikisht ekzistencën e individëve të cilët i konsideronte si një rrezik për moralin shoqëror, e për pasojë u druhej sikur të ishin një rrezik kombëtar.
Janë me mijëra familjet e atyre qytetarëve të shkatërruar nga ai neni i shkurtër me 46 germa. Disa prej tyre nuk dolën nga burgjet, disa të tjerë u detyruan të bëheshin pjesë e sistemit të shtypjes përmes spiunimit, disa të tjerë u shkatërruan përfundimisht për fajin e vetëm se nuk e fshehën dot që ishin, deri diku, ndryshe nga shumica.
Pati, ndër ta, edhe njerëz si Qethiri, të cilët u detyruan të vuajnë një dënim më të madh se dënimi me burg. Ata u detyruan që pas burgut të ktheheshin në shoqëri, jo për tu integruar, por për tu shndërruar në tabele qitjeje për të mbrojtur me demek moralin shoqëror!
Përndjekja ndaj njerëzve si Qethiri ishte sistematike, ishte shtetërore, ishte zyrtare dhe ligjore. Dhe pastaj, ishte edhe shoqërore…
Unë e kam të vështirë të besoj që dikush që është lindur dhe rritur në atë sistem të pranojë befas brenda një kohe kaq të shkurtër se e ka gabim tërë botëkuptimin me të cilin është formuar, qoftë dhe në mënyrë të dhunshme, në një shoqëri të padrejtë dhe hipokrite. Si mund t’u thuash sot shqiptarëve se ajo me të cilën ata janë brumosur si detyrë ndaj vendit nuk është gjë tjetër veçse përndjekje dhe krim i frymëzuar nga shteti?
Çfarë është më e dhimbshme është fakti që në Kuvendin aktual ka njerëz të pushtetit të dikurshëm totalitar që e kishin pjesë të karakterit dhe të punës së tyre përndjekjen e të tjerëve.
Nuk e harroj se si në një emision televiziv deputeti Tritan Shehu, i cili në politikë nuk mbahet mend, sipas mendimit tim, për asgjë tjetër veçse për një episod në Lushnjë ku askush nuk e di ku mbaron realiteti e ku fillon legjenda urbane, pra nuk e harroj dot momentin kur ky zotëri tha se edhe në vitin 1995 kur Shqipëria e dekriminalizoi homoseksualizmin, pra e shfuqizoi nenin 137, ky vetë e votoi jo sepse ashtu e besonte, por sepse kishte qenë presioni i Këshillit të Europës që e kishte detyruar Parlamentin të votonte ashtu!
Pra njerëz si ky edhe sot do donin që individët ose të futeshin në burg, ose të trajtoheshin si të sëmurë për shkak të mënyrës dhe personit që dashurojnë.
Unë nuk jam budalla që meqë tani jetoj në Kanada, të besoj vërtet se Shqipëria do ndjekë tani përnjëherë shembullin e Kanadasë dhe do i kërkojë ndjesë atyre qytetarëve të vendit që i ka përndjekur sistematikisht për më shumë se 70 vjet. Unë jam idealist vërtet, por jam edhe i ndërgjegjshëm që kjo gjë nuk ka për të ndodhur tani shpejt në vendin tonë të dashur të zaptuar nga pesimizmi, korrupsioni, fataliteti dhe mungesa e shpresës.
Ama, nëse nuk i kërkoj unë sot Shqipërisë të kërkojë falje për krimet që ka bërë ndaj komunitetit LGBT, nuk mund të rroj dot i qetë as tani e as për vitet në vijim. E sigurisht, e di edhe se deri ditën kur ky vend të bëjë paqe me krimet e së kaluarës, ndaj kujtdo, jo vetëm ndaj LGBT, ditët e mira e të bardha për fëmijët tanë do të jenë akoma larg.
|
964 | https://peizazhe.com/2008/12/11/pucrra-urbane-adoleshente/ | null | 2008-12-11T06:49:42 | PUCRRA URBANE ADOLESHENTE | Trazirat e fundit në Greqinë fqinje nisur për shkak të vrasjes së një të riu ndoshta edhe aksidentalisht gjatë një loje që bënte ky i fundit me policinë, apo ndoshta edhe kjo e fundit me të, kanë të bëjnë gjithnjë e më pak me shkakun e fillimit të tyre dhe po tregojnë çdo ditë e më tepër krizën sociale në të cilin gjendet kjo shoqëri evropiane relativisht demokratike. Për shkak se Greqia është shndërruar jo me dashjen e çdokujt në modelin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare në të ardhmen, do të ishte e mirë që zhvillimet në Greqinë e sotme shqiptaret t’i shikonin si një formë profecie për zhvillimin e shoqërisë së tyre.
Përmbledhur në pak konstatime dhe larg hollësive të karakterit konvencional (kush e filloi i pari, apo në lojën “policë-adoleshentë” kush ishte “macja” dhe kush ishte “miu”) mund të vihet re se trazirat e fundit në Greqi pasqyrojnë një gjendje të pakëndshme të përgjithshme të shoqërisë greke. Ndryshe nga trazirat e para disa vitesh në Paris, kur përsëri të rinj vendas të shtresave të ulëta u rrahën me policinë e dogjën disa dhjetëra mijëra makina në të gjithë Francën, në Greqi bërthama e protestave të dhunshme janë të rinj vendas pa elementë emigracioni në biografitë e tyre, të cilës i përkasin shtresës së mesme të shoqërisë të hapësirave urbane. Pakënaqësia e të rinjve grekë është e drejtuar kundër modelit aktual të shoqërisë greke, model ky që sipas grekeve të rinj u heq atyre çdo shans për ta vazhduar jetën si të rritur sipas modeleve normale të Evropës Perëndimore, ku faktorët e zhvillimit të individit si rregull janë aftësitë personale, ndërkohë që edukimi i tyre shkollor dhe etika e përvetësuar gjatë këtij procesi vijon për ata deri në një farë moshe sipas këtyre modeleve.
Shoqëria greke si një e tillë ballkanike nuk mund t’i ikte aq shpejt vetes dhe të emancipohej e të arrinte nivelin e simotrave të veta evropianoperëndimore të sqaruara, pasi një zhvillim i tillë, sikur kjo ndonjëherë do të ishte e mundshme, kërkon kohen e disa brezave. Siç duket shoqëria e greke për t’i ikur vetes nën peshën e kompleksit të rëndë e të qenit një shoqëri e zakonshme ballkanike, pra me të gjithë “kontornon” orientale të periudhës së perandorisë osmane, adoptoi së bashku me demokracinë e re edhe modele komplete të zhvillimit të një shoqërie, të cilat nuk i kishte gjeneruar vetë në mënyrë të vetëkuptueshme gjatë një procesi zhvillimi gradual. Pas rënies së diktaturës së kolonelëve forcat progresive që udhëhoqën atë vend adoptuan sigurisht me dashamirësi sisteme qeverisjeje politike sipas modeleve të huaja për Greqinë, të cilat me kalimin e një kohe jo shumë të gjatë rezultuan si të papërshtatshme, duke braktisur funksionin e tyre fillestar për t’u shndërruar në fasadë, duke i lënë gjithnjë e më shumë vend sistemeve orientale të qeverisjes sipas kastave dhe tarafeve. Grekët e rinj lindin e edukohen fillimisht si evropianë dhe më pas vërviten në një realitet të huaj për ta, që në fakt është ai autokton oriental vendas. Në një farë mënyrë përplasja e brezit të të rinjve me strukturat drejtuese politike e sociale greke në mënyrë paradoksale ka të përbashkëta me konfliktet në Francë, ku përsëri të rinj konfrontohen me faktin se shoqëria, ku ata duhet të ndërmarrin hapin tjetër për të hyrë në botën e të rriturve, është e huaja për ta. Në këtë mënyrë greku i ri evropian gjendet një ditë në një lloj emigracioni brenda shoqërisë prej nga ka ardhur dhe për shkak se modelet e përjashtojnë njëra tjetrën plas edhe konflikti.
Dhuna konkrete fizike e ushtruar nga të rinjtë ditët e fundit në hapësirën urbane greke është e drejtuar kundër simboleve të mirëqenies qytetare, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin ekonomik grek por iluzionin e normalitetit social dhe mirëqenies ekonomike. I gjithë ai luks, të cilit ju vu flaka, u dogj si simbol i boshllëkut shpirtëror që kasta burokratike e korruptuar e cila drejton politikisht prej tridhjete vitesh Greqinë, e kompenson me një mirëqenie të rreme, të shtirur, e cila buron nga një korrupsion që ushqehet pikërisht nga modeli ballkanik e oriental i të bërit të gjërave. Ky luks qëndron si fasadë arrogante për të justifikuar statusin e elitës kombëtare greke, katapultimin e saj atje sipër, dhe është në fund të fundit jo shumë më ndryshe nga demokracia e shtirur që rri si maskë për të fshehur pikërisht perandorinë osmane nga pas.
Se sa mund ta ndjejnë të rinjtë, se është pikërisht kjo forcë që i shtyn ata të djegin dyqane e të shkatërrojnë banka e super-markete, nuk mund të thuhet pa spekuluar, por fakti se dhuna e tyre drejtohet pikërisht kundër simboleve ekonomike të elitave politike tregon faktin se ata të rinj, ditën që duhet të hyjnë në shoqëri si të rritur, janë të pakënaqur me modelin e shoqërisë greke.
Në Tiranë gjendja është diçka më ndryshe se në Athinë sot sepse Tirana u bë urbane dje dhe se zhvillimet shqiptare janë relativisht të sfazuara nga to greke. Megjithatë, në se vëzhgimet e mia më sipër lypsen të jenë të sakta, atëherë tensionet midis brezave në Shqipëri mund të devijojnë si në modelin grek ashtu edhe atë francez. Tirana ka dy burime potenciale dhune ne dhjetëvjeçarin e ardhshëm.
I pari është modeli grek i sotmi. Fëmijë të shtresës së mesme, të cilët janë të edukuar mirë, madje duke shijuar edhe arsimim privat, të veshur sipas modeleve evropiane, me heronj dhe ëndrra evropiane të ndërmjetësuar bollshëm nga media shqiptare, që janë të palexuar por shumë të parë e të dëgjuar, aftësitë analitike sociale të të cilëve vijojne për shkak të mungesës së arsimimit klasik tradicional në mënyre spontane dhe impulsive, mund të gjenden një ditë të bukur me në vend të një Caipirinha një ” molotov cocktail” në dore përpara një vitrine Hugo Boss në Bllok, pikërisht se kjo firmë merret me transplantimin e lëkurës së politikanit aktual shqiptar, i cili të veten, pra atë që i ka bërë nëna ja ka shitur prej kohe djallit apo të birit të tij për shumë para. Pikërisht ajo shtresë djemsh e vajzash të larë, të krehur, të veshur me Dolce&Gabbana nuk e duron dot presionin e rrethanave, përplasjen e vazhdueshme me strukturat orientale përgjegjëse për fatin e saj dhe reagon me dhunë.
Dhuna e lindur në rrugë nga brezi i të rinjve dhe e tejçuar prej saj nëpër institucione, është në fazën fillestare e pastër, idealiste, e justifikon moralisht herë më shumë dhe herë më pak ekzistencën e vet. Djegia e tempujve prej tekstili të elitave bastarde politike është një veprim politik korrekt, djegia e vilave të politikanëve të financuar pa asnjë përjashtim nga burime financiare ilegale, imorale është një veprim i përfaqësueshëm moralisht, shkatërrimi i simboleve të arrogancës politike me mjete të dhunshme nuk është dëmtim material por një gjest politik, është një prononcim publik në momentin kur dialogu midis shtresave është ndërprerë, kur demokracia ka dalë kallp, kur demagogjia është shndërruar në fe dhe mashtrimi më perëndi. Sipas tyre gjithnjë.
Sigurisht që dhuna politike midis brezave është një dhunë revolucionare dhe si e tillë e destinuar që pas një farë kohe të bjerë në duar të tjera, të cilat do ta instrumentalizojnë për të ndërruar pushtetin apo pushtetarët, por parë në mënyrë metafizike nga një perspektive ajo është fillimi dhe nga një tjetër ajo është fundi i një cikli, i cili përgjakshëm kalon në një fazë të re, ku në të sotmen nga e djeshmja ka shumë më pak nga ç’kishte në të djeshmen nga e sotmja.
Në qoftë se ky do të ishte burimi analog grek i dhunës midis brezave në Tiranën e nesërme, burimi i dytë do të ishte ai analog francez. Tirana është metropoli i vetëm në Shqipëri dhe emigrantët e atjeshëm janë të ardhurit nga veriu, të cilët jetojnë në hapësirën e pushtuar ilegalisht përreth qytetit. Brezi i parë i të ardhurve atje ka lënë ferrin pas vetes, prandaj atyre njerëzve jo vetëm Gërdecin, por edhe bombën atomike t’u hedhësh nuk të thonë gjë. E durojnë, e pranojnë në heshtje, pak a shumë më mirë një bombë e madhe herë pas herë, sesa Malësia e Krumës. Brezi i dytë i të ardhurve do të njohë dot vetëm realitetin e të jetuarit në periferi gjeografikisht të Tiranës dhe sociologjikisht të shoqërisë shqiptare, për të cilët nuk ka asnjë të ardhme me përjashtim të punëve të rënda fizike apo prostitucionit, drogës dhe armëve. Këto vese nuk janë shpërndarë në atë mënyrë që të shkaktojnë probleme sociale brenda për brenda komunitetit të verioreve të shpërngulur në periferi të Tiranës, pasi kodet morale brenda familjes se madhe veriore akoma funksionojnë. Brezi i dytë duke jetuar në Tiranë do ta ndjejë veten në shtëpinë e vet, ku e lënë vetëm të shikojë pak nga pragu. Në momentin e parë që frenat e sistemit të vjetër patriarkal verior për arsye të vjetrimit të brezave nuk do të funksionojnë më, ka shumë mundësi që edhe ata prononcohen publikisht në mënyrë të dhunshme për të kërkuar ndryshimin e statusit të tyre social.
Tirana si metropol në zhvillim do të arrijë shpejt në një kompaktësi sociale e cila dhe do te kalojë nëpërmjet gjithë cikleve, ku kanë kaluar edhe metropolet e tjera. Ka dhunë në Athinë, ka dhunë në Stamboll, në Romë, në Berlin, madje ka dhunë politike në rruge edhe në qytetëza aq të përgjumura dhe të këndshme si Zyrihu, sepse Qyteti është fytyra e shoqërisë dhe atje dalin zakonisht puçrrat. Apo të paktën ato që shihen.
|
3,441 | https://peizazhe.com/2010/01/09/profesori/ | null | 2010-01-10T04:05:01 | PROFESORI | Gjatë Operacionit të Dimrit, kur Shtabi i Përgjithshëm i forcave nacional-çlirimtare ishte gjendur i rrethuar prej nazistëve nga të gjitha anët, një nënoficer gjerman i kapur rob prej tanëve, një farë Uwe G., u mor në pyetje prej vetë Shefit të shtabit, gjeneral-kolonel Hito Z., i cili kërkoi të dinte, me një gjermanishte të çalë, nëse forcat e armikut do të godisnin nga Lindja, nëpërmjet Qafës së Kiçokut, apo nga Perëndimi, nëpërmjet Qafës së Xhepit; së cilës pyetje Uwe G., që dridhej sa nga frika aq edhe nga të ftohtët, iu përgjigj se të vetët do të sulmonin nga Lindja, ose pikërisht nëpërmjet Qafës së Kiçokut.
Dy ditë më pas, kur informatat e robit armik kishin rezultuar të sakta dhe trupat gjermane kishin mësyrë përnjimend nga Lindja, duke i kapur tanët gjithsesi të papërgatitur e duke i detyruar të tërhiqen me ngut të madh përpjetë faqes së malit të Shkrepëtimës, drejt vendit të njohur si Kullotat e Fiqos, Shefi i shtabit Hito Z. u kujtua për të gjorin Uwe G., të cilin e kishin hequr zvarrë edhe atë gjatë zbythjes, së bashku me një grusht dhish që duheshin për t’i siguruar qumësht të freskët Shtabit dhe mushkash që transportonin arkivin e proces-verbaleve; madje jo vetëm u kujtua, por edhe dha urdhër që ta pushkatonin Uwe-n në vend, meqë duke u dhënë tanëve një informatë në dukje të saktë, në thelb ishte rrekur t’i mashtronte, i bindur se strategët e Shtabit të Përgjithshëm nuk do të tregoheshin aq naivë e syleshë, sa të merrnin për të mirëqenë fjalën e një rreshteri gjerman çfarëdo, të cilin nuk kishin pasur as kohë të mjaftueshme për ta torturuar.
Që atëherë shokut Hito i mbeti nofka “Profesori”, se vetëm një profesor i mirëfilltë, nga ata të qytetit, do ta kishte pikasur një kurth kaq të hollë; dhe se po të mos kish qenë për mendjen femër të Shefit Hito, Shtabi vetë, së bashku me shpurën dhe forcat shoqëruese do të kishin rënë në duar të agresorit barbar.
|
31,556 | https://peizazhe.com/2019/06/04/mjekimi-si-art/ | null | 2019-06-04T13:08:35 | MJEKIMI SI ART | Te një artikull i Jerome Groopman në The New Yorker (The Troubled History of Psychiatry), ku përshkruhet edhe efekti terapeutik i barnave psikotrope duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XX, lexoj mes të tjerash këtë thënie që, sado pa dashur, më jep një pamje, sado të pjesshme, të psikiatrisë në të ardhmen:
Për një psikiatër, të japë një recetë mbetet po aq art sa edhe shkencë.
(For a psychiatrist, writing a prescription remains as much an art as a science.)
Përkufizimi i mjekësisë në përgjithësi, dhe i psikiatrisë në veçanti si art gjithnjë më ka tërhequr; po aq sa ç’më ka trembur dhe më tremb përkufizimi i mjekësisë në përgjithësi dhe i psikiatrisë në veçanti si shkencë; dhe kjo jo thjesht ngaqë për trupin dhe mendjen nuk dimë pothuajse asgjë.
Por, kur vjen puna te psikiatria, mendoj se barnat e ndryshme në dispozicion të mjekut ndryshojnë, secila, një parametër të caktuar në biokiminë e trurit; nivelet e një neutransmetuesi, një enzime a të një lënde të ngjashme, madje edhe atëherë kur çdo ndërhyrje nga jashtë do të sjellë detyrimisht një pështjellim sistematik, të mendjes dhe të trupit, për të çuar – në rastin më fatlum – në një rivendosje të ekuilibrit.
Dhe kështu e përfytyroj psikiatrin – e së ardhmes – si piktorin; dhe të gjitha këto barna, që veprojnë veç e veç në përqendrimet e neurotransmetuesve, neurohormoneve dhe receptorëve, i përfytyroj si bojërat me të cilat ky piktor, edhe kur synon thjesht të rikthejë normalitetin në një vetëdije të turbulluar a të çakorduar, vetëm sa krijon imazhin e një mendjeje të re, për t’ia mbivendosur së vjetrës, me shpresë se ashtu do ta dëbojë.
Madje kjo do të vlente jo vetëm për psikiatrinë konvencionale, që përpiqet të ndërhyjë në mendje me rrugë kimike; por edhe për psikoterapinë, e cila – në daç e thellë, në daç e cekët – e rithemelon këtë mendje, ndonjëherë deri edhe pa e pretenduar se po restauron ndonjë normalitet të humbur. Edhe psikoterapeuti a psikanalisti modifikojnë, me mënyrat e tyre, kanavacën e mendjes, për ta mbuluar imazhin e vjetër me një të ri; gjithnjë me shpresë se i riu do të sjellë pak më shumë paqe ose dritë.
Dhe nëse akti i të mjekuarit është i ngjashëm me ndërhyrjen e artistit në realitet, atëherë edhe pacienti, pas kurës ose seancës psikoterapeutike ose psikanalizës, del që andej, njëfarëlloj, i transformuar në vepër arti dhe ashtu edhe i shtohet botës; pa çka se ky lloj arti ka për efekt estetik jo të bukurën, por vetëdijen e të sëmurit se diçka e mirë ka ndodhur brenda tij, një lloj kthjellimi ose rikthim i energjisë për të rikomunikuar me botën; ose edhe thjesht i fuqisë për t’u ngritur nga divani ose – në rastin ekstrem – nga balta.
Barnat psikotrope, SSRI-të dhe të ngjashmet me to, nuk do të kishin kështu më shumë vlerë – dhe prestigj – se bojërat që shiten në një dyqan materialesh për artistë; të njëjtat bojëra, në duar të ndryshme, mund të çojnë në kryevepra, sikurse mund të shndërrohen në katastrofa. Tek e fundit, mjek i mirë, dhe në veçanti psikiatër i mirë, nuk do të ishte ai me suksesin më të madh ndaj të sëmurëve, por ai që nuk do ta shpjegonte dot me argumente racionale suksesin e vet, sado të madh.
Analogjia me pikturën ndoshta funksionon më mirë se një analogji me muzikën; pa çka se mendjen nuk e përfytyrojmë dot veçse si një entitet që shtjellohet në rrjedhë të kohës. Ndoshta ngaqë, megjithë instancat e panumërta të mendjes, sërish jemi mësuar të identifikohemi me diçka të përbashkët që kanë këto instanca, ose që të paktën ua atribuojmë ne; atë që filozofët e kanë quajtur “identiteti i subjektit”. Dhe mjeku i mirë, si artist, arrin ta modifikojë këtë identitet në një mënyrë të tillë, që pacienti ta interpretojë modifikimin si restaurim; ose duke krijuar, në terapi e sipër, iluzionin e një normaliteti në të shkuarën, për t’u synuar. Të krijosh një mendje të re, e cila ka bindjen se ashtu është kthyer te vetja autentike – ja një mrekulli, a një vepër arti, që për fat të mirë politika dhe ideologjitë nuk e kanë arritur dot. Që këtej edhe mahnia e tyre, konstante, pas psikiatrisë.
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
32,967 | https://peizazhe.com/2019/11/17/nje-diskutim-linguistik-i-lirise-se-fjales-ii/ | null | 2019-11-17T09:16:44 | NJË DISKUTIM LINGUISTIK I LIRISË SË FJALËS (II) | Pushtetin e vet mbi qytetarët, shteti totalitar e realizon jo vetëm drejtpërdrejt, por edhe duke ndërhyrë në sistemet e produksionit ligjërimor, për të kushtëzuar mendimin. Kësisoj, mendimi i lirë rrezikon të bëhet i pamundur, sepse subjektit ligjërimor do t’i mungojnë mjetet për ta realizuar.
Një hap kritik drejt realizimit të kësaj distopie është konsolidimi i të folurit me parafabrikate – ose ndërtime gjuhësore që shkojnë përtej togfjalëshave terminologjikë dhe frazeologjikë. Këto ndërtime janë quajtur tradicionalisht klishé, vetëm se roli i parafabrikateve ndryshon nga ai i klisheve: të parat synojnë ta fortifikojnë a korracojnë ligjërimin totalitar, ndërsa klishetë mjaftohen t’i referohen rutinave ligjërimore, për mbështetje ose manierizëm.
Në Shqipërinë totalitare, folësit publikë erdhën duke e përvetësuar këtë lloj ligjërimi duke filluar nga vitet 1960, krahas me normalizimin e arsimit publik masiv dhe krijimin e një “arkivi” intertekstual të shqipes së pushtetit – ose arritjes së një numri kritik dokumentesh, aq sa të mundësohej intertekstualiteti në masë. Me përvetësim, në këtë kontekst, kam parasysh aftësimin e folësve për të dalluar çfarë duhej thënë nga çfarë nuk duhej thënë, jo me kritere të përmbajtjes (“nuk mund të kritikosh Enver Hoxhën në publik”) por me kritere formale (“rroftë KQ i PPSH me shokun Enver Hoxha në krye” është forma standard; “jetë të gjatë udhëheqësit Enver në drejtim të KQ të PPSH” do të ngrejë shumë vetulla nga shumë anë). Këtë aftësi dallimi mund ta quajmë edhe “kompetencë diskursive”, në analogji me terminologjinë e Chomsky-t për rrafshet e produksionit gjuhësor.
Të shohim një shembull të nxjerrë nga një dokument publik çfarëdo:
Partia jonë, vazhdimisht, i është përmbajtur me vendosmëri vijës së luftës të klasave dhe e ka zhvilluar këtë luftë me konsekuencë si kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm, ashtu edhe në gjirin e popullit e në radhët e saj. Në procesin e kësaj lufte është grumbulluar një përvojë e pasur revolucionare, me vlerë të madhe teorike e praktike.
(nga parathënia e vëllimit “Dokumente kryesore të Partisë së Punës të Shqipërisë”, vëllimi VII, 1976-1980).
Edhe analiza më e shpejtë e këtij paragrafi do të dallojë cilësorët e shumtë, si “vazhdimisht”, “me vendosmëri”, “me konsekuencë”, “e pasur”, “të madhe”, të cilët shpesh janë pleonastikë; por edhe një obsesion me mbulimin e plotë të territorit diskursiv (“si… ashtu edhe”; “teorike e praktike”). Këto dy karakteristika – cilësorët pleonastikë dhe totalizimi mund të abstragohen si rregulla të gramatikës diskursive të totalitarishtes, ose të tilla që të lejojnë të formulosh – me rrugë shabllone – diskurse të ngjashme, njëlloj të pranueshme:
Kolektivi ynë punonjës, i mobilizuar i tëri për të realizuar para afatit Planin e pestë 5-vjeçar dhe i frymëzuar nga mësimet e çmuara të Partisë dhe të Shokut Enver Hoxha, ka arritur suksese të mëdha si në sasinë e prodhimit të letrës së ambalazhit, ashtu edhe në cilësinë e letrës së ambalazhit të prodhuar, duke garantuar furnizim të rregullt dhe konstant të tregut me këtë artikull…
[Këtë shembull e sajova unë.]
Që nga momenti kur folësit publikë dhe dëgjuesit e tyre e kanë përvetësuar këtë lloj “zhargoni” totalitar, riprodhimi i skemave përkatëse, në kontekste të ndryshme, merr përparësi ndaj përmbajtjes që përcillet – dhe vetë ligjërimi publik e merr vlerën si një tërësi aktesh ligjërimore, synimi i të cilave është (ri)konfirmimi; në kuptimin që folësve nuk u kërkohet të thonë ndonjë gjë të madhe, por vetëm të provojnë se e zotërojnë zhargonin dhe janë gati ta riprodhojnë, kur kjo t’u kërkohet. Ashtu ligjërimi publik priret të marrë format e një tërësie të organizuar ritualesh.
Përballë këtyre ritualeve, mendimi i lirë nuk mund të mbrohet dhe as të kultivohet; sepse subjektit vijnë dhe i mungojnë mjetet e duhura, sikurse i mungon edhe hapësira komunikative. Brezat e rritur dhe të arsimuar në shkollat publike të regjimit nuk do të ishin më në gjendje ta artikulonin mendimin e tyre lirisht, dhe aq më pak të praktikonin ligjërimin subversiv. Pakënaqësitë, të cilat natyrisht ekzistonin, gjenin shprehje nëpërmjet emocionit, refuzimit, ose akteve jo-gjuhësore (p.sh. arratisja). Edhe kur dikush guxonte dhe vinte në dyshim versionin zyrtar të së vërtetës (“Beqirin e dënuan kot”), do ta kishte të vështirë të arrinte në përfundimin se regjimi totalitar funksiononte në mënyrë të tillë, që Beqiri gjithnjë do të dënohej kot. Ato pak thërrmija dhe spore virale që arrin të depërtonin përmes, të themi, radiove të huaja, nuk kishin shans përballë trysnisë konformuese të zhargonit totalitar; sidomos ngaqë ky i fundit riprodhohej nëpërmjet akteve (të folurit).
Të folurit me parafabrikate sa vinte dhe integrohej me kompetencën diskursive standard, sidomos në rrethanat kur diskursi totalitar nuk kish ndonjë konkurrencë serioze nga diskurse të llojeve të tjera dhe gëzonte hegjemoni të plotë, të paktën në sferën publike. Me fjalë të tjera, koercioni në ligjërim do të vepronte edhe nga poshtë, nëpërmjet rregullsive të gjuhës, edhe nga lart, nëpërmjet rregullsive të ndërtimit të diskursit me parafabrikate duke e ngushtuar në maksimum hapësirën e lirisë së fjalës; teksa folësi i shqipes publike do të detyrohej të fliste (të paktën) dy gjuhë njëkohësisht: shqipen dhe totalitarishten.
Çdo gjë që themi, pavarësisht nga konteksti dhe regjistri, gjithnjë u referohet gjërave që janë thënë më parë: për fjalët a njësitë leksikore kjo tingëllon truizëm, meqë këto i marrim zakonisht të gatshme dhe vetëm rrallëherë na qëllon të shtiem në përdorim një fjalë të re, të krijuar rishtas, ose që nuk i përket kontekstit a regjistrit; por e njëjta gjë ka vlerë edhe për togfjalëshat frazeologjikë dhe terminologjikë, të cilët sillen si të ishin njësi leksikore unike – vras mendjen nuk përftohet në ligjërim e sipër, duke kombinuar foljen vras dhe emrin mendjen, por ofrohet i gatshëm nga kompetenca leksikore; çfarë vlen edhe për terminologji (nomenklaturë), të tillë si makinë larëse, sapun rroje ose këpucë me qafa. Edhe proverbat nuk përftohen gjatë të folurit, por vijnë atje në trajtë citimesh: i zoti e nxjerr gomarin nga balta, sa herë që përdoret rishtas, u referohet instancave të mëparshme kur është përdorur. Kështu funksionojnë edhe klishetë (parafabrikatet): të frymëzuar nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha është një formulë që përcillet nga një tekst në tjetrin, por pa përcjellë ndonjë urtësi a të vërtetë eksperienciale si proverba, meqë funksioni i saj është para së gjithash të shprehë konformim. Autori i kësaj formule nuk ka rëndësi, madje nuk duhet të ketë rëndësi; përsëritja dhe referimi marrin përparësi ndaj origjinës.
Si i ndërtuar që është me parafabrikate, ligjërimi totalitar publik është tejet intertekstual, sepse jo vetëm që e tregon haptazi borxhin që u ka ligjërimeve të mëparshme, por edhe e bën këtë nëpërmjet citimit, shpesh eksplicit, të një autoriteti (“shoku Enver Hoxha ka thënë…”); në më të shumtën e rasteve, folësi nuk synon të thotë gjë të re, por vetëm të përsëritë atë çfarë konsiderohet unanimisht si normale. Kësisoj, ligjërimi vetë priret të zbrazet nga përmbajtja (“tha”) dhe të reduktohet në një akt performativ (“foli”); fort të ngjashëm me votën në favor ose përshëndetjen me grusht ose duartrokitjet gjatë një kongresi. Refuzimi për ta kryer këtë akt, nga një subjekt që pritet ta kryejë, është po aq armiqësor, në mos edhe më armiqësor, se ligjërimi potencialisht subversiv. Dikush që thotë diçka të gabuar mund edhe të “(ri)edukohet”; por dikush që hesht ka shpallur grevë ligjërimore (“një dreq e di se ç’bluan përbrenda”).
Gjatë vitit 1990, kur regjimi në Tiranë ishte në grahmat e fundit, u shfaqën edhe shenjat e para të krisjeve strukturale, në këmishën e hekurt totalitare të ligjërimit publik. Ndodhën ngjarjet e korrikut, kur me mijëra qytetarë u futën me forcë në oborret e ambasadave, për të kërkuar të largohen nga Shqipëria dhe që andej bërtitën LIRI DEMOKRACI. Regjimi Alia u dorëzua para trysnisë diplomatike ndërkombëtare dhe i lejoi kundërvajtësit të largohen, me shpresë se ashtu do të mund të jetonte edhe pak; por ndërkohë organizoi edhe një miting “madhështor” në sheshin Skënderbej, në mbështetje të “vijës së Partisë”, dhe ku folësit e njëpasnjëshëm nuk munguan të riprodhojnë të njëjtat klishe dhe parafabrikate si në mitingje të tjera të mëparshme (business as usual). Pak ditë më pas, në qendrat e punës u organizuan mbledhje kolektivi rutinë, për të “dënuar” aktin e arratisjes së atyre mijëra kryesisht të rinjve. U thanë, nga autoritetet, gjëra që pritej të thuheshin, dhe që askush nuk ua vinte më veshin, teksa të gjithë shihnin orën. Një e tillë mbledhje u thirr edhe në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë ku punoja unë. Të ikurit u qortuan me përtesë si të gënjyer në mos si tradhtarë të atdheut, si të provokuar dhe të nxitur nga agjenturat e huaja, si njerëz që u kishin kthyer shpinën të afërmve të tyre dhe familjeve, si bukëshkalë – me retorikë e kopjuar nga materialet e gatshme që shpërndanin Komitetet e Partisë së Rajoneve. Dhe këtu befas ndodhi diçka e papritur: e mori fjalën një punonjëse e Institutit, Lola K., një grua që askush nuk e kish njohur ndonjëherë si rebele, por që tani i kishin ikur të dy djemtë me ambasadat; “asgjë nuk është e vërtetë nga këto që thoni,” tha ajo. “Djemtë e mi janë dy azganë, dhe guxoni të ma thoni në fytyrë, nëse mendoni ndryshe!” Heshtje, tronditje, krizë, përpjekje për ta ftuar folësen të pushonte, të mos vazhdonte më. Lola, me kundërshtimin e saj aq spontan prej nëne, kish thyer një nga tabutë më jetëgjata, në historinë e ligjërimit publik totalitar: kish arritur të thoshte diçka haptazi, faqe të gjithëve, që nuk i kish rrënjët në ligjërime dhe shtresëzime të mëparshme, nuk rimerrte ndonjë rutinë dhe as i referohej ndonjë citati të liderit. I thanë: jo, prit, nuk mund të flasësh kështu, je e tronditur prandaj, mos e thello edhe më, e kështu me radhë; por ajo e mbaroi fjalën e vet të shkurtër dhe u ul, flakë e kuqe në fytyrë. Për mua, më shumë edhe se vetë incidenti i ambasadave, fjalët e guximshme të Lolës ishin shenja – aq e pritur – se ngrehina logokratike e regjimit totalitar në Shqipëri nuk do ta kishte të gjatë (Lolës vetë nuk do t’i ndodhte asgjë, asnjë reperkusion politik, për sfidën e saj aq “skandaloze” ndaj autoritetit: regjimit i kishin rënë dhëmbët; por ajo pat zgjedhur të vringëllinte darët, e vetëdijshme se po rrezikonte shumë).
(fund; fillimi këtu)
© 2019, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet kopjimi: kundërvajtësit do të ndiqen ligjërisht.
|
40,377 | https://peizazhe.com/2022/01/30/mendime-te-pakrehura-lxxiv/ | null | 2022-01-30T09:02:50 | MENDIME TË PAKREHURA (LXXIV) | (nga Stanislaw Lec*)
Njeriu: një nënprodukt i dashurisë.
Satiristi i frikësuar krijon një shaka të vetme: veten.
Shpifjeve nuk u ecën jeta: pasi ua çjerrin maskën, besojnë se janë bërë të vërteta.
As tirani nuk do të përfitonte gjë nga liria e shprehjes.
Më e keqja, është papastërtia morale: kërkon një banjë gjaku.
Mos jini mizorë, mos ua ëmbëlsoni jetën mazohistëve.
E varnin krenarisht në gjoks çmimin me të cilin nuk mund t’i blije.
“U shmangem njerëzve,” tha një mik i tyre. “Që të mos u bëj keq.”
Ca zebra do të pranonin deri edhe të rrinin në kafaz, që t’i merrnin për kuaj të bardhë.
Urtësi duhej të kish me bollëk; kush e përdor, në fund të fundit?
Mund ta adhurosh Zotin thellësisht dhe të mos besosh se ekziston.
“Kokën lart!” i tha xhelati, kur po ia vinte litarin në qafë.
Thembrën e Akilit shpesh e mbulon një çizme tirani.
Të vjen keq kur shtylla vertebrale rri drejt vetëm në kryq.
Jeta e një njeriu ndonjëherë merr fund me vdekjen e një tjetri.
Ata që i kanë horizontet më të gjera, i kanë perspektivat më të këqija.
Atje ku të qeshurat ndalohen, shumë shpesh nuk ekziston as e drejta për të qarë.
Jam për riprivatizimin e jetës së brendshme.
Sa e lodhshme jeta: edhe budallallëqet, duhet t’i bësh!
Po sikur të zbulohej se pikturat prehistorike, aq të mrekullueshme, kanë pasë shkuar në shpella për t’u fshehur?
Mos shani kurrë njeri në një gjuhë që ai nuk e di. Do të ishte një lloj sadizmi.
Budallallëku nuk i kalon kurrë kufijtë: ku vë këmbën, e bën truallin e vet.
Atë tipin e kisha kujtuar për luan, por kur e pashë që ecte këmbadoras, e kuptova që nuk ishte.
Sa keq që Abeli dhe Kaini nuk ishin vëllezër siamezë.
Ka kohë që viçi i florinjtë është bërë lopë qumështore.
Këshillë Don Kishotit: mos i sulmo mullinjtë, po të mos e kesh erën në favor!
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).
|
8,180 | https://peizazhe.com/2011/09/03/dega-histori-gjeografi/ | null | 2011-09-03T13:07:19 | DEGA HISTORI-GJEOGRAFI | Ka qenë zakoni, në Shqipëri, që degët e historisë dhe të gjeografisë në studimet e larta të shkriheshin në një histori-gjeografi, që të krijonte iluzionin se historia dhe gjeografia kishin mes tyre diçka thelbësisht të përbashkët.
Ndoshta ky zakon vazhdon edhe sot e kësaj dite; edhe pse nuk ka ndonjë arsye që historia t’i bashkëlidhet gjeografisë, as gjeografia historisë.
Iluzioni ka krijuar dhe vazhdon të krijojë perceptime të shtrembra në njerëzit dhe në mënyrën si këta e përjetojnë raportin e hapësirës me kohën. Për shumë nga ne, “Durrësi është një orë larg Tiranës” dhe “Durrësi është 40 km larg Tiranës” janë pohime të barasvlershme.
Shembulli nuk është aq trivial sa ç’mund të duket.
Një nga sfidat që i dalin përpara historianit është nëse do të merret me historinë e një populli apo me historinë e një trualli.
Jemi mësuar që ta pranojmë pa vërtetim se populli dhe trualli ku jeton ky popull janë të pandashëm.
Kjo mund të parafrazohet edhe kështu: jemi mësuar që ta themelojmë historinë në gjeografi, çka lidhet drejtpërdrejt me nocionin aq dramatik të autoktonisë.
I cili, nga ana e vet, i referohet, po aq drejtpërdrejt, nocionit pak qesharak të primatit, ose “ne erdhëm të parët.” Është i njëjti mekanizëm që rregullon radhën në një studio dentare ose te berberi.
Sa i përket Shqipërisë, kjo sot paraqitet si një entitet i përcaktuar mirë edhe gjeografikisht edhe politikisht; sikurse janë të përcaktuara mirë trojet e banuara nga shqiptarët në Ballkan.
Kombëtaristët ndonjëherë të tregojnë edhe harta të tjera, më të bukura, ku projektohen njohuritë e tyre për historinë dhe dëshirat e tyre, bie fjala, për Shqipërinë Natyrale.
Natyrisht, kjo krijon disa probleme për historianin. Për shembull, a duhet ta përfshijë ai Ohrin ose Janinën në një histori të shqiptarëve?
Përndryshe, Historia e Shqipërisë me përkufizim duhej të niste më 28 nëntor 1912; por në fakt nis që me paleolitin. Sa e drejtë është kjo mund ta diskutojmë, por që është e rreme duket sheshit.
Para asaj date, nuk ka pasur Shqipëri, por ka pasur shqiptarë; prandaj duhej të flisnim normalisht për Histori të shqiptarëve.
Problemi mbetet gjithsesi i hapur, meqë kjo histori e shqiptarëve nuk shtyhet dot më tutje në kohë se shekujt XVI-XVII, ose koha kur filloi të përdorej fjala shqiptar.
Më parë populli quhej arbër dhe vendi, ndoshta, Arbëri.
Paradoksalisht, të huajt nuk e kanë këtë problem: për ta, Albania si truall ose entitet gjeografik ka ekzistuar që në Mesjetë; së bashku me banorët e vet: albanët, albanenses, albanesi etj.
Gjithsesi, në të dy rastet, lidhja mes popujve dhe truallit përkatës merret si e mirëqenë, në formën “ne kemi qenë këtu.” Histori e gjeografi, një e të pandarë – ja një slogan imagjinar, për t’u shkruar në muret e akademisë kombëtariste.
Koncepti nuk është aspak naiv – meqë lidhet drejtpërdrejt, ndër të tjera, me nocionin e pushtimit, për të cilin kemi diskutuar aq gjatë. Çfarë pushtohet, në mos një truall i caktuar?
Ja, mbrëmë një koleg shkroi, ose na rikujtoi, se toponimet sllave në Shqipërinë e sotme janë pasojë ose mbeturinë e pushtimit sllav të këtyre trojeve në Mesjetë.
Pushtimit? Natyrisht, vetëm se sllavët ato troje ia morën Bizantit, nëse nuk gabohem. Kur ndeshen sllavët me bizantinët, për cilën palë jemi të lejuar të bëjmë tifozllëk?
Të tjerë flasin për pushtim romak të territoreve ilire, ndonjëherë duke tundur kokën me dhimbje. Ka ndonjë që e përfytyron Shqipërinë si gjithnjë të pushtuar; dhe shqiptarët si gjithnjë duke luftuar për liri. Ky vizion i bekuar prej fëmije nuk ka vend në tryezat e debateve.
Historiani profesionist nuk ka kohë të merret me fëmijë të kopshtit; por atij gjithnjë i duhet të vendosë nëse kërkimin e vet do ta bazojë në njësinë e truallit, apo të popullsisë?
Kështu, një historian që studion Epirin në mesjetë duhet t’u kushtojë vëmendje të gjithë popujve që kanë jetuar aty: arbërve, grekëve, vllehëve, sllavëve.
Legjitime është edhe të thuash: do të studioj arbërorët në Epir, gjatë shekujve XI-XV; vetëm se kjo kërkon zotësi të madhe, meqë të gjitha burimet për këta arbërorë janë të tërthorta, ose vijnë prej kulturash të tjera.
Dilema shkon shumë më thellë se kaq, duke prekur vetë natyrën indo-europiane të shqipes dhe të shqiptarëve. Si gjuhë, shqipja ka ardhur në Ballkan nga diku gjetiu; por të dhënat gjenetike i vendosin shqiptarët në trojet e sotme në Ballkan që para dyndjeve indo-europiane. Edhe një herë, gjeografia përplaset me historinë, në vend që të përkojë; sikurse përplaset kultura (gjuha) me biologjinë (genet). Ka shumë mundësi që gjuhët dhe popujt të mos kenë lëvizur në mënyrë të sinkronizuar; dhe që indo-europianizimi të ketë qenë më tepër një formë asimilimi.
Le të afrohemi sërish në kohë, për t’i hedhur një sy mënyrës si e perceptonin të parët tanë gjeografinë: a shihnin ata të njëjtin unitet truallsor në Shqipëri me këtë që shohim ne sot?
Arbëria e Skënderbeut linte jashtë pjesën më të madhe të Shqipërisë së Jugut; edhe pse emri Arbëri, si toponim, ka mbetur në përdorim në zonën e Vlorës. Arbëreshët e Italisë të thonë se e kanë atdheun e tyre në Moré. Pa folur pastaj që Muji dhe Halili vepronin në Jutbinë (në Kroacinë e sotme); ndërsa Shkodra del në këngët heroike serbe të Kraleviç Markut.
Shkodra del edhe te Rrethimi i Shkodrës i Barletit; kur i bën ballë heroikisht rrethimit osman, para se t’i dorëzohet fatalitetit, në 1478. Mirëpo kjo Shkodër i përkiste Venedikut, jo Arbërisë; madje Arbërisë nuk i kishte përkitur kurrë. Nëse flasim me të drejtë për pushtim osman të Arbërisë, do të flasim, me po aq të drejtë, për pushtim venedikas të Arbërisë?
Ose më mirë: çfarë ishte pikërisht ky bregdet arbëror, nëse qytetet kryesore të rripit bregdetar, ose ballinës detare (façade maritime), siç e quan Ducellier, i ka pasur tjetërkush në zotërim?
Pa folur pastaj që gjeografia e shqiptarit vetë, qoftë edhe vetëm para një shekulli, ka qenë tjetër. Gjirokastra jepte e merrte me Janinën, Shkodra me Sarajevën. Shqiptarët i bënte të tillë gjuha, jo gjeografia – e cila kishte logjikën e vet. Po të mendosh se Lidhja e Prizrenit erdhi vetëm 50 vjet pasi revolta e Sulit ishte shtypur mizorisht nga mercenarët mirditorë në shërbim të ushtrisë osmane, atëherë e kupton se ngjizja e Shqipërisë, siç e njohim ne sot, ka pasur në vete elementet e një mrekullie, të cilat mbijetojnë, në po këto trajta, edhe sot e kësaj dite.
Historianit që i duhet të përshkruajë, me ato mjete të pakta që disponon, gjenezën dhe ngjizjen e elementit arbër në Ballkan, i bie të vendosë e të zgjedhë midis njësisë truallsore dhe njësisë kulturore. Arbrit shfaqen në shekullin XI, mu te portat e Durrësit – një port kryesor i Bizantit të asaj kohe. Si ndodhi kjo? Dhe pse pikërisht në atë kohë? Pse nuk i përmend kush arbrit më parë, në një truall që del rëndom në kronikat dhe dokumentet e kohës?
Një lloj metodologjie do të ishte: të nisemi nga ky truall ku jetojmë sot, me këtë gjuhë dhe kulturë që kemi sot si shqiptarë, për t’u shtyrë mbrapa në kohë, aq sa të mundemi.
Kësisoj vepron gjuhëtari, të cilin dokumentet e shqipes së shkruar e çojnë deri në shekullin XV, ndërsa më mbrapa në kohë duhet të zbresë nëpërmjet rindërtimesh, dëshmish të tërthorta dhe arsyetimesh shpesh të ndërlikuara, të cilat themelohen të gjitha mbi huazimet.
Historiani e ka bagazhin më të rëndë; dhe atij gjithnjë i duhet të shohë tej për tej ballinave, për të kuptuar diçka për çfarë ka ndodhur. Nëse pastaj mund ta arrijë këtë, duke shmangur divorcin mes historisë dhe gjeografisë ose duke e mbajtur degën përkatëse të gjelbëruar, kjo mbetet për t’u parë.
|
779 | https://peizazhe.com/2008/11/05/teknokracia-e-gabimit-ii/ | null | 2008-11-05T22:59:12 | TEKNOKRACIA E GABIMIT (II) |
Sapo mora vesh që paska vdekur Michael Crichton, shkrimtar romanesh pulp fantastiko-shkencorë dhe autor njëlloj i sukssesshëm i kinemasë dhe televizionit, i njohur veçanërisht për idenë madhështore të Parkut Jurasik, të nyjëtuar në romanin dhe pastaj në filmin me të njëjtin emër.
Nuk e quaj dot shkrimtar të madh, as janë veprat e tij letërsi e mirëfilltë, por vetëm përralla pedagogjike, me strukturë kallëzimtare mjeshtërore, për komunikimin midis njeriut dhe teknologjisë. Megjithatë, më ka dhuruar shumë orë të këndshme me romanet që ia kam lexuar.
Në disa nga veprat e veta më të mira, si Jurassic Park, Andromeda Strain, Airframe dhe Westworld, Crichton i qaset problemit madhor të gabimeve në funksionimin e sistemeve komplekse të automatizuara ose të drejtuara nga kompjuterët, të cilat gabime çojnë në kriza me pasoja shpesh katastrofike.
Në Jurassic Park gabimi ka të bëjë me sigurinë e administratorëve të parkut se mund ta kontrollonin pa vështirësi sjelljen e dinosaurëve të klonuar; në Andromeda Strain kriza shkaktohet nga një virus që arrin t’i kapërcejë barrierat hermetike të një laboratori biologjik të sigurisë maksimale; në Airframe aksidenti ajror shkaktohet pjesërisht nga mosmarrëveshja në komunikim midis pilotit të avionit dhe kompjuterit të bordit; në Westworld janë robotët androidë të një parku lojërash që nuk u binden më komandave të padronit.
Tema e gabimit fatal madje katastrofik, të shkaktuar nga një mangësi në ndërfaqen (interface) njeri-makinë është trajtuar edhe më parë nga letërsia fantastiko-shkencore; por Crichton arriti ta aktualizojë, duke e lidhur me çështje me interes të përgjithshëm, të tilla si klonimi dhe manipulimi gjenetik, aviacioni komercial, armët biologjike, inteligjenca artificiale dhe nanoteknologjia (Prey).
Muajin e shkuar, kur tregjet financiare anembanë botës dolën nga kontrolli i mbikëqyrësve institucionalë, për të djegur me miliarda dollarë investime dhe për të dëmtuar rëndë ekonomitë e vendeve më të zhvilluara të planetit, më ka shkuar mendja shpesh te romanet e Crichton, sidomos sa herë që lexoja se përpjekjet e ngutshme për të kufizuar dëmet dhe për ta sjellë sistemin në ekuilibër bëheshin ato vetë shkak për ta keqësuar situatën edhe më.
Shumë makina, makineri dhe sisteme, sado të thjeshta, vijnë me mekanizma sigurie të cilat, në rast keqfunksionimi ose krize, ndërhyjnë për të parandaluar katastrofën. Deri edhe një furrë e thjeshtë elektrike, ose një hekur rrobash kanë termostate, të cilat e ndërpresin furnizimin me rrymë në qoftë se tejkalohet një temperaturë e caktuar dhe makina fillon të mbinxehet. Prej termostatit tek kompjuteri i sotëm që kontrollon çdo aspekt të fluturimit të një Boeing-u 747, zhvillimi ka qenë marramendës, por funksioni i mekanizmave të sigurisë është i njëjtë.
Edhe tregjet financiare mund të konsiderohen si makina të një lloji të veçantë, të vetërregullueshme nëpërmjet mekanizmave të sigurisë – prej të cilëve më i thjeshti është vendimi për ta mbyllur tregun, në rast se shmangia nga vlerat mesatare të shkëmbimeve arrin një madhësi të caktuar. Të tjerë mekanizma janë trupëzuar në programet e kompjuterëve të cilëve u besohen tani një përqindje të lartë të transaksioneve rutinë. Megjithatë, edhe ligjet dhe rregullat që lejojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e tregjeve nga ana e autoriteteve mund të konsiderohen si “termostate”, ose mekanizma që parandalojnë shpërthimin, djegien, shkatërrimin dhe katastrofën.
Drama e shumëpërfolur e presidentit i Federal Reserve Alan Greenspan, që i udhëhoqi e i frymëzoi tregjet financiare botërore për vite me radhë, në bazë të një filozofie të laissez-faire, por edhe të një ideologjie që e konsideronte tregun si rregullatorin kryesor të sistemit, më kujton tani dramën e ngjashme të super-teknokratëve tipikë të romaneve të Crichton, gjithnjë të sigurt për funksionimin e sistemeve që kanë projektuar dhe ndërtuar, por rregullisht viktima të limiteve të tyre mendore, ose robër të kafazeve ideologjike ku e kanë mbyllur veten.
Natyrisht, edhe makinat më të përsosura pësojnë defekte të cilat nuk mund të parashikohen; edhe sistemet më të mbrojtura nga rastësia ose pasojat e dukurive kaotike bien viktimë e një mjellme të zezë (për të përdorur shprehjen e Talebit); edhe kokat e mëdha si Greenspan gabojnë ose përgjumen. Më e frikshme është mundësia që gabime, defekte dhe përgjumje të tilla të jenë pasojë e pikërisht nevojës për përsosmëri, ose e asaj metode intelektuale që pretendon t’i ketë marrë parasysh të gjitha; meqë vetë funksionimi i teknologjisë mbështetet mbi presupozimin se makinat, programet kompjuterike dhe sistemet artificiale komplekse do të funksionojnë sipas parashikimeve të krijuesit.
Crichton vetëm sa e ka eksploruar dramacitetin e këtij konflikti, por pa ofruar dot përgjigje të re. Tek e fundit, këto tema të trajtuara prej tij janë variante të rrëfenjës primordiale të Frankenstein-it, ose të njeriut faustian që kërkon të imitojë Zotin, duke u dhënë “jetë” krijesave ose lodrave të veta.
Po ku ka vend më të përshtatshëm për të studiuar arrogancën ose hubris-in e teknokratit sesa Wall Street-i?
[vijon]
|
40,720 | https://peizazhe.com/2022/04/03/rreth-distancimit-ne-shah/ | null | 2022-04-03T08:02:10 | RRETH DISTANCIMIT NË SHAH | Ju kujtohet kur ish kampioni i botës dhe njëri nga shahistët më të mëdhenj të së gjitha kohërave, Gary Kasparov erdhi për vizitë në Tiranë, ku u takua edhe me kryeministrin Rama? Mua jo. Kjo ndodhi dikur në mars të vitit 2014, kur Kasparovi po bënte një fushatë si kandidat për kryetar të FIDE-s (në mos gabohem) dhe kërkonte votën e Shqipërisë. Me atë rast, Rama u pat treguar entuziast me një projekt për futjen e shahut në shkolla, të cilin Kasparovi do ta mbështeste, po të zgjidhej në postin e lartë, çfarë nuk ndodhi.
Lajmet për vizitën u shoqëruan, atëbotë, me një foto të Ramës me Kasparovin, të dy të ulur në një tryezë shahu groteske; me gjasë, foton e pat shkrepur Jutta Benzenberg, por ideja e tavolinës kish qenë e Ramës vetë.
Gjashtë vjet më vonë, në kontekstin e kremtimit të 1 prillit 2020, një uebsajt i specializuar për shahun, chessbase.com, u bë gati të botonte një lajm – të rremë – për Kasparovin që po bëhej gati të lançonte një projekt të ri, Corochess, të bazuar në një dizajn tryeze, e cila do të mundësonte distancimin e plotë fizik në matchet e kampionatit botëror të shahut. Në vend që t’i ekzekutonin lëvizjet vetë, lojtarët do t’ia diktonin me zë një softueri të posaçëm, i cili pastaj do t’i lëvizte gurët në tabelë. Megjithatë, uebsajti vendosi të mos e botojë lajmin, meqë situata e atëhershme me Covid-in ishte tejet serioze; duke u mjaftuar ta përshkruante, te një njoftim, se pse kish vendosur t’i linte shakatë mënjanë atë vit.
Siç mund ta shihni kur të hapni linkun më lart, për të ilustruar këtë Corochess të Kasparovit, chessbase.com kish përdorur foton e Ramës me ish-kampionin e botës.
Vetëm dy vjet më pas, i njëjti sajt i kthehet sërish idesë djallëzore për distancimin fizik në shah, këtë herë duke iu referuar – me shaka – një tryeze tjetër të bërë të famshme tani së fundi nga një rus tjetër: presidenti Putin, i cili para pak javësh e priti presidentin francez Macron në një sallë të mobiluar pak çuditshëm. Fotoja e atij takimi u përcoll nga të gjitha agjencitë, duke përfunduar si metaforë për distancën e madhe që ish krijuar tashmë mes Rusisë dhe Perëndimit, lidhur me Ukrainën.
Sipas autoriteteve të protokollit rus, ky ekzagjerim në feng-shui-n presidencial erdhi si pasojë e refuzimit, nga Macron-i, për t’iu nënshtruar një testi për Covid; meqë presidenti i Francës nuk dëshironte që t’ua jepte DNA-në e vet rusëve.
Gjithsesi, chessbase.com krijoi versionin e vet të tryezës fatale, duke e përmirësuar pak projektin origjinal të presidencës ruse dhe duke e kombinuar me dizajnin Rama™.
New chess table to ensure security – chessbase.com
Vështirë të thuash nëse tryeza putiniane reale, si zgjidhje e minutës së fundit, u pat frymëzuar nga fotoja në zyrën e Ramës në Tiranë. Ndryshe nga projekti Corochess, kryeministri shqiptar dhe ish-kampioni i botës në shah patën inskenuar atëherë një shaka që më shumë se surreale, do ta quaja dadaiste; dhe që, duke ilustruar pamundësinë fizike të së luajturit, të kujton fabulën e dhelprës dhe të lejlekut, që ftonin për darkë njëri-tjetrin, por duke e shërbyer ushqimin në pjata dhe enë që s’i përdornin dot të dy njëherësh.
Rama që shah me Kasparovin nuk luajti dot; Macron-i që me Putinin vesh dot nuk u morën – edhe sa zgjidhje të tilla protokollare do të duhen, për të na bindur se negociatat kanë nevojë për tryeza të vogla?
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
20,035 | https://peizazhe.com/2015/12/15/nevoja-per-avatare/ | null | 2015-12-15T08:33:01 | NEVOJA PËR AVATARË | Në një tekno-thriller që po lexoja këto ditë, një grup hacker-ësh ka arritur të krijojë “avatarë” të personaliteteve televizive; ose persona të rremë dhe të kopjuar, që përndryshe duken, flasin dhe sillen njëlloj si origjinalët. Ashtu duan të simulojnë një ndërhyrje kinse drejtpërsërdrejti të Presidentit të ShBA në rrjetet televizive, të tillë që të shkaktojë një crash të bursës.
Romanin nuk ia rekomandoj kujt; as unë nuk arrita dot ta përfundoj – por më ngacmoi një batutë e njërit prej hacker-ëve; sipas të cilit Presidenti paskësh rezultuar si një nga individët më të volitshëm, kur vinte puna për t’ia krijuar avatarin publik; pse algoritmet e sjelljes dhe të fjalëve dhe të gjesteve të tij ishin nga më të thjeshtat. Në thelb – dhe për këtë nuk ka nevojë të lexosh ndonjë tekno-thriller që ta marrësh vesh – personalitete në poste kaq të larta dhe me ekspozim publik absolut janë praktikisht fund e krye të skriptuara.
Këtë e them edhe në kuptimin që një President, a një Kryeministër a Kancelar a kushedi çfarë tjetër, në atë masë që flet dhe sillet në publik, mund edhe të mos e kalojë dot të ashtuquajturin “Turing test.”
Dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me aftësitë vetjake të kreut të shtetit ose të liderit politik, as me inteligjencën, as me kulturën e përgjithshme, as me aftësitë krijuese; por me nevojën – shpesh imperative – që të shmangen improvizimet, të cilat vetvetiu do të çojnë në gafa, në rrethanat e sotme ku gjithçka amplifikohet nga mediat dhe publiku, pa folur pastaj për kundërshtarët, nuk ta falin moskorrektesën politike.
Kaq tinzare janë sot kurthet diskursive dhe kaq i ndërlikuar dhe arkan është bërë kodi i korrektesës politike, sa mendja e vdekëtarit nuk arrin dot ta negociojë, sidomos në momentet kur guxon ndonjë improvizim, ose ndonjë fioritura personale në daljen e vet publike.
Përndryshe, edhe vetë reagimi i publikut, të nxitur dhe të manipuluar prej mediave, ndaj një gabimi të tillë politik a shkeljeje në dërrasë të kalbur, është aq i standardizuar, sa mund t’i besohet pa problem softuerit përkatës. Lideri politik largohet nga skripti, për të thënë një mendim të vetin çfarëdo, ose për t’i rënë si të thuash fyellit me vesh jo me partiturë; menjëherë ky mendim do të “fyejë” një grup interesash të caktuar, të cilët do të vënë kujën; incidenti do ta errësojë gjithçka tjetër që lidhet me eventin në fjalë; dhe pastaj lideri politik do të detyrohet – këtë herë me skriptim – që të bëjë një mea culpa, ose të shpjegojë si dhe pse gaboi, çfarë kishte parasysh dhe çfarë i shpëtoi. Ashtu edhe publiku shndërrohet si pa dashur në një masë viktimash, shoqëruar sipas rastit me keqardhje ose dëshirë për shpagim.
Për këto raste kanë thënë se “i foli goja para mendjes”; sot, përkundrazi, më mirë të thuhej “i foli mendja para gojës.”
Për ta ilustruar këtë, po sjell incidentin që ndodhi gjatë ose si pasojë e një fjalimi të kryeministrit Rama në zonën e Bregut; ku ai akuzoi Berishën se, për mbështetje politike, kish nxitur shqiptarë nga Veriu të zbritnin drejt Jugut dhe të zaptonin prona të së tjerëve buzë detit. Menjëherë pas kësaj, ia behu reagimi – si edhe herë të tjera grotesk dhe histerik – i kryesisë së PD-së; të cilët sakaq e akuzuan kryeministrin për “racizëm.”
Dhe jo ngaqë ky i kish vënë emrin një plage në fakt të hapur dhe të qelbëzuar, për atë zonë dhe për zona të tjera, shkaktuar nga manipulimi i lëvizjeve demografike brenda vendit prej politikës; por ngaqë kish sjellë në vëmendjen publike një faktor që duhej të kish mbetur tabu: ndarjen gjeografike-sociale të shqiptarëve dhe, veçanërisht, rolin e faktorit gjeografik në përçarjen e sotme politike kombëtare.
Si edhe herë të tjera, incidenti u përdor për të shumuar të vetmen monedhë politike kallpe, me të cilën janë mësuar elitat e sotme të shtojnë e të fuqizojnë kapitalin e tyre politik: indinjatën e turmës.
Thonë se një avion modern pasagjerësh, të themi një Boeing a një Airbus, kombinon në vetvete sisteme dhe nënsisteme kaq të ndërlikuara, që bashkëveprojnë mes tyre dhe me mjedisin përreth, sa do të ishte praktikisht e pamundur që ta pilotoje, në mënyrë të sigurt, pa ndihmën e kompjuterit në bord; çka do të thotë se avionin mund ta përfytyrosh tash e tutje edhe si një kompjuter që fluturon, dhe që ka vend brenda edhe për pasagjerë.
Ashtu edhe veprimtaria publike e liderit nuk mund t’i besohet më njeriut; qoftë ky edhe gjeni; madje sidomos nëse është gjeni dhe i ndien rregullat dhe shtrëngimet diskursive si pengesa të sjelljes dhe të veprimit. Nëse nga liderët ishim mësuar të prisnim një etikë politike, sot e kemi ulur stekën dhe presim veç etiketë; meqë për etikën kujdesen telenovelat.
Deri më tash, mungesën e një truri prej silikoni në krye të shtetit e ka kompensuar aparati i sekretarëve, fjalim-shkruesve, këshilltarëve privatë, farmacistëve, trajnerëve, grimierëve, guruve, regjisorëve, rrobaqepësve, fotografëve; por herët a vonë këta do t’i hapin vend kompjuterëve, dhe – me kohë – edhe avatarëve për të cilët fliste ai romani; dhe që nuk gabojnë, në kuptimin që nuk e shkelin dot korrektesën politike; sepse nuk ua lejon vetë programimi.
Shënim: qartë dhe mirë Lorenc Vangjeli, në këtë analizë të incidentit (Për një batutë, djeg jorganin).
|
25,913 | https://peizazhe.com/2017/06/21/ora-ne-maje-te-qytetit/ | null | 2017-06-21T07:33:53 | ORA NË MAJË TË QYTETIT | I këtyre ditëve ishte lajmi se “Ora e Kullës së Sahatit, simboli i Kalasë së Gjirokastrës”, do të fillojë (ose ka filluar) të punojë sërish, pas një ngecjeje disavjeçare.
Siç njoftohet nga mediat, “Rifunksionimi [sic] i Kullës së Sahatit u arrit falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës me Rotary Club Gjirokastra.”
Ministrja e Kulturës Kumbaro do të deklaronte, me këtë rast, që “Simbolika e rregullimit të orës së kullës së sahatit është një thirrje e kohës.”[1]
E një kohe që bën thirrje për t’u matur nga e para: ja një pohim që ia vlen të këqyret seriozisht.
Në veprën Technics and Civilization (1934), filozofi Lewis Mumford e ka cilësuar orën mekanike si makinën a makinerinë që mundësoi, më mirë se çdo shpikje tjetër teknologjike, kalimin nga Mesjeta në Modernitet. “Ora, jo makina me avull, është makina kyç e epokës industriale moderne.”
Si aparaturë matëse e kohës abstrakte, shkruan Mumford, ora mekanike i përgjigjet rregullimit që u bëhej ritmeve të ditës në manastiret e Perëndimit dhe futjes së të ashtuquajturave “orë kanonike” kur duheshin kryer shërbesat dhe devocionet.
Ky koncept i ri për rregullin u adoptua pastaj nga qytetet, të cilat ua kopjuan manastireve edhe kambanat lajmëruese të “orëve” me ndërmjetësimin e kishave (katedraleve).
Ora, vëren Mumford-i, nuk është thjesht një mjet për të matur kohën, por edhe shërben për të sinkronizuar veprimet e njerëzve.
Ndërkohë edhe kambanaret kishin filluar ta modifikonin vijën e horizontit urban, duke kombinuar segmentimin e kuptimshëm të ditës me rregullimin dhe organizimin e lutjeve dhe të veprimtarive të tjera liturgjike.
Kullat e sotme të sahatit, në qytetet europiane, janë produkt i një kryqëzimi të kambanareve dhe makinës orëmatëse. “Kambanat që binin rregullisht,” thotë Mumford, “sollën një rregullsi të re në jetën e punëtorëve dhe të tregtarëve. Kambanat e kullës së sahatit praktikisht e përkufizonin ekzistencën urbane […] Dhe teksa ndodhte kjo, Përjetësia pushoi gradualisht së shërbyeri si masa dhe fokusi i veprimeve të njeriut.”
Me kalimin e viteve, vazhdon ai, “edhe borgjezia e re do ta zbulonte, e para, se koha është pará.” Që këtej, ideali borgjez do të kërkonte për çdo makineri, çdo organizatë dhe çdo institucion që “të punonte si sahat.”
Mumford vëren edhe se, në funksionin e vet “për të mbajtur kohën”, ora mekanike zëvendësoi muzikën, që deri atëherë ishte përdorur me atë funksion, në formën e këngëve të punës.
Përndryshe, ora – në formën e kullës së sahatit që e bënte matjen e orëve të dukshme dhe të dëgjueshme nga gjithë qyteti –edhe e ndihmoi qytetin të distancohej nga fshati dhe jetën urbane nga jeta në gjirin e natyrës.
Kullat e sahatit si kambanare laike në qytetet shqiptare e dëshmojnë në mënyrën e tyre këtë rol historik të orës gjithashtu, krahas me vullnetin për ta zbutur sundimin e fesë së organizuar ndaj organizimit të ditës në qytet.
Që roli i orëve publike në qytetet Perëndimore përjetohej drejtpërdrejt nga qytetarët si në në rrafshin praktik ashtu edhe në atë simbolik, këtë duket sikur e konfirmon – mes të tjerash – fakti që, gjatë ditëve të para të Komunës së Parisit, siç shkruan Benjamin-i (“On the Concept of History”), një numër i madh kullash sahati në Paris u qëlluan me armë nga kryengritësit dhe dolën jashtë përdorimit.
Kjo ndodhi në të njëjtin Paris, vëren Benjamin-i, ku më pak se një shekull më parë pushteti revolucionar kish adoptuar një kalendar të ri, për të matur kohën.
Gjithë duke komentuar për këtë incident të turbullt, Herbert Markuse thoshte se ata që i goditën orët “shprehën nevojën se koha duhej ndalur njëfarësoj; së paku koha mbizotëruese, “zyrtare” (established) dhe se ashtu “do të niste një kohë e re.”
Në qytetet shqiptare, nga një periudhë historike në tjetrën, orët edhe punonin edhe mbeteshin; por nëse mbeteshin, kjo nuk ndodhte gjë në përgjigje të ndonjë nevoje urgjente për revolucion a përmbysje dhe as ngaqë i qëllonte kush me pushkë: thjesht mirëmbajtja çalonte dhe rrotullimi ia linte vendin stazës.
Edhe pse oraret ishin mekanizëm kyç për organizimin e ditës dhe sistemimin e rutinës nën totalitarizëm, qytetarët zakonisht nuk i merrnin të dhënat për orën nga këto kulla, të cilat ishin tepër të pakta për të mbetur funksionale.
Që këtej, fakti që punonte apo jo ora në qendër të qytetit nuk ndikonte në mbarështimin e ditës dhe sinkronizimin e jetës socialiste, por vetëm sa shënjonte kujdesin e Bashkisë përkatëse, në mirëmbajtjen e një funksioni gjithnjë e më tepër simbolik.
Një orë e mbetur, një orë e vdekur në majë të një kulle, sot e kësaj dite shkakton shqetësim publik; është në natyrën tonë që të duam ta shohim në punë, a thua se lëvizjet e akrepave të saj janë kritike për jetën e qytetit.
Përndryshe, ora e kullës së sahatit në Kalanë e Gjirokastrës sot nuk i duhet praktikisht askujt për të matur kohën, në këtë epokë kur nuk ka mbetur kush pa një telefon celular, pa folur për orë dore, laptop, PC, tableta dhe orë të tjera tavoline ose të varura në mure ose kudo tjetër.
Është një lodër ornamentale që i jep hijeshi qytetit tani edhe ngaqë nuk i hyn qytetarit as vizitorit në punë, përveçse për bukurinë e vet dhe vendin “e duhur” që ka në peizazhin urban.
Roli i saj nuk është të mbajë tempon e qytetit, por vetëm të lajmërojë se “unë jam orë në gjendje pune në një kullë” ose të shënjojë vetveten edhe pasi i ka humbur atributet praktike; njëlloj si qiriri dekorativ që vazhdon të digjet në një dhomë përndryshe të ndriçuar paq.
Madje një kullë sahati, aq më tepër e hijshme dhe në gjendje të mirë pune, tani bën sikur po e transporton soditësin dhe admiruesin e saj në të shkuarën, ose në atë kohë kur këto elemente të arkitekturës urbane e kishin një funksion praktik. Kushedi, ndonjë ditë një rehabilitim i ngjashëm mund t’u dhurohej edhe topave të kalasë…
Ironikisht, rivënia e orës në punë nuk është aq rikthim në funksionin kohëmatës dhe as provë e rehabilitimit të një urbanizmi arkaik, sa shenjë kuptimplote se për monumentet e qytetit tani ka dikush që kujdeset; ose provë që administrata lokale e ka qytetin në kontroll. Matja e orës nga rishtas nga kulla në kala i shërben dukshmërisë publike të pushtetit dhe një tundimi të lehtë mesianik, që manifestohet në dëshirën për ta rifilluar matjen e kohës si të bëhej fjalë për një Kohë të Re.
Besoj për humor, ABC News, këtë sihariq të rikthimit të orës në Gjirokastër e përcolli kështu: “Pas 27 vite heshtje do të dëgjohet tik-taku i saj.” Tik-taku i një kulle sahati në majë të kalasë? Të zotë ata burra dhe gra që do ta dëgjojnë…
[1] Simbolike është edhe që riparimin e kësaj ore mekanike po e mundëson një shoqatë – Rotary Club – që përdor si logo një rrotë me dhëmbëza, në harmoni edhe me “rrotullimin” në emër.
|
1,016 | https://peizazhe.com/2008/12/31/streha-e-fundit-virtuale/ | null | 2008-12-31T05:12:31 | STREHA E FUNDIT VIRTUALE | Na ishte njëherë një forum shqiptar diskutimesh online, i quajtur Alb-Club, i cili që prej themelimit në 1999 e ndoshta deri në fund të 2005 ishte më i ndriçuari, më i gjalli dhe më liberali i forumeve të shqiptarëve në Internet, ku u kultivuan fryma e lirisë së fjalës dhe dialogut dhe ku pjesëmarrësit u bënë të ndihen krejtësisht të lirë për të shprehur vetveten.
Alb-Club tani nuk funksionon më prej muajsh dhe, nga pikëpamja praktike, mund të quhet si i kallur në dhé. Varrosja e një institucioni dikur protagonist të Internetit shqiptar fton gjithnjë për reflektim, sidomos për t’iu përgjigjur pyetjes se çfarë e shkatërroi atë forum pikërisht, çfarë i shtyu njerëzit të largohen e të heshtin dhe nëse kolapsi i këtyre vatrave virtuale të komunikimit duhet konsideruar apo jo si dukuri e zakonshme në Internet.
Për mendimin tim, Alb-Clubin e shkatërroi kalcifikimi i mendimit, identifikimi i pjesëmarrësve me personazhet që kishin krijuar, dhe sidomos konformizmi sipas emëruesit më të vogël të përbashkët. Duket e natyrshme që një forum shqiptarësh, kryesisht të mërgatës, të anojë nga notat kombëtariste dhe atdhetariste; por në rastin e Alb-Clubit kombëtarizmi me kohë u kthye në ideologji asfiksuese, dhe çdo kundërvënie ndaj katekizmit kombëtarist folkloristik që qarkullon në diasporën shqiptare, do të damkosej vetvetiu si antikombëtare dhe do të dënohej, ndonjëherë njëzëri.
Kombëtarizmin e kanë quajtur streha e fundit e maskarenjve – dhe me shumë të drejtë. Si pjesëmarrës nga më aktivët në Alb-Club, kam përshtypjen se e keqja fatale që e pllakosi këtë forum nuk ka të bënte me dashurinë dhe përkushtimin për Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare; por vjen nga konformizmi i shumë zërave të Internetit shqiptar, të cilët thjesht e kanë shfrytëzuar dhe e shfrytëzojnë kombëtarizmin për të goditur të gjitha ato mendime, refleksione dhe autorë që ua vënë në krizë bindjet, siguritë e tyre të vogla, sistemimin in extremis që i kanë bërë botës së tyre, komplekset që kanë zhvilluar për të përligjur dështimin e tyre dhe sidomos të filozofisë së tyre në luftën për ekzistencë dhe për afirmim.
Askujt nuk mund t’i kërkohet të provojë se e do atdheun, popullin dhe kulturën e vet. Po ashtu, të thuash se je kombëtarist dhe nuk të ze gjumi natën për fatet e shqiptarëve, nuk do të thotë se je vërtet kombëtarist dhe nuk të ze gjumi natën për fatet e shqiptarëve. Fare mirë mund të jesh gënjeshtar, hipokrit ose i marrë.
Alb-Clubi shkëlqeu si forum diskutimesh, dialogu dhe shkëmbimi informacionesh mes shqiptarëve; jo si parti politike, as si shoqatë atdhetarësh në mërgim, as si shkollë luftëtarësh të lirisë. Megjithatë, një grup i madh njerëzish që mblidhen bashkë, qoftë edhe virtualisht, për të shkëmbyer mendime dhe për të ndarë shqetësimet e tyre për Shqipërinë, shqiptarët dhe kulturën shqiptare herët a vonë fitojnë edhe një ndjesi të bashkësisë dhe fillojnë të besojnë se i lidh mes tyre diçka më tepër sesa dëshira për të komunikuar. Integrimi i grupit bazohet në këtë farë iluzioni dhe mishërohet sipas parimit të emëruesit më të vogël të përbashkët; me kalimin e kohës, grupi ashtu i përftuar fillon të identifikohet duke përjashtuar antikonformistët, ose të gjithë ata që ia vënë në krizë integritetin. Në rastin e Alb-Clubit, çka nisi si një tryezë dialogu dhe shkëmbimesh të pasura intelektuale, përfundoi në një kult të meskinitetit mendor, ku origjinaliteti dhe shpirti hulumtues gjithnjë do të gjykoheshin dhe, sipas rastit dënoheshin, në përqasje me dekalogun atdhetarist të kultit.
Kultura shqiptare e komunikimit është kulturë e re, e një populli të vogël, të mbetur për shumë kohë jashtë shkëmbimeve të mëdha emancipuese të informacionit dhe të dijes në Europë. Si shoqëri, shqiptarët janë formuar kryesisht nëpërmjet integrimit të komuniteteve fshatare, të mbizotëruara nga konformizmi, konservatorizmi, frika ndaj së huajës (ksenofobia), nënshtrimi ndaj të fortit, besnikëria brenda komunitetit dhe, mbi të gjitha, autoritarizmi, në rrafshin social dhe psikologjik. Të gjitha këto tipare vijojnë të karakterizojnë komunikimin edhe brenda komuniteteve të sotme shqiptare, reale ose virtuale qofshin – jetën politike, parlamentin, marrëdhëniet midis institucioneve, jetën e partive, jetën kulturore, debatet madhore. Kombëtarizmi, në format me të cilat ekziston dhe riprodhohet sot e kësaj dite brenda shoqërisë shqiptare, është edhe ai produkt i kësaj kulture konservatore dhe autoritariste, e cila në thelb i druhet lirisë – së mendimit, të fjalës, të individit; dhe si i tillë luan të njëjtin rol ruajtës si feja në shoqërinë europiane në Mesjetë.
Dashuria për atdheun, popullin, gjuhën, kombin dhe kulturën tënde është virtyt; prandaj problemi me kombëtarizmin e sotëm, në trajtat që ia sheh të ketë marrë kudo, ka të bëjë më tepër me rolin që po kërkon të luajë, si qen roje i statu quo-së intelektuale, pikërisht në një kohë kur shqiptarëve u duhet një përpjekje vërtet e jashtëzakonshme për t’u emancipuar si shoqëri, nëse duan të mbijetojnë kulturalisht në një botë që po shkon duke u globalizuar.
Mendimi ynë kombëtar është ende i papërpunuar; çka ofron Rilindja janë vetëm embrione projektesh romantike e të vjershëruara, dëshira të sistemuara në trajta programesh, ngrehina të cilat shpesh mbahen në këmbë vetëm e vetëm nga bindja e idealizuar e virtytit të vetvetishëm të shqiptarit. Faza e mendimit kritik, që filloi të kultivohej gjatë viteve të mbretërisë së Zogut, zgjati shumë pak, për të lënë gjurmë të trashëgueshme në kulturën kombëtare; në një kohë që gjysmë shekulli totalitarizëm e gjymtuan kulturën shqiptare aq rëndë, sa ende nuk është e sigurt nëse do të rimëkëmbet dot. Për këtë arsye, çdo model autoritarist dhe konformist që kërkon t’i imponohet kësaj kulture është vetvetiu asfiksues, sepse i kërkon të ruajë vlera të paqena, fiktive, produkte dëshirash fëminore ose skizofrenike; në një kohë që çka lypet urgjentisht është krijimi i vlerave të reja, në të gjitha fushat dhe aspektet, dhe nëpërmjet dialogut, debatit dhe konfrontimit gjithëpërfshirës.
Pas perëndimit të Alb-Clubit, u duk sikur Peshku pa Ujë – i cili funksionon sipas një formati tjetër, më të përshtatshëm për komunikim – do t’ia ruante frymën dhe do t’ia çonte përpara traditën e dialogut të hapur intelektual, jashtë skemave politike dhe, sidomos, larg fortifikimeve konformiste kombëtariste ose tjetërlloj. Për fat të keq, kam përshtypjen se edhe Peshku pa Ujë ka hyrë tashmë në një fazë të re, ku pozicionimi kombëtarist ekstrem dhe refuzimi brutal i mendimit antikonformist po vijnë duke u konsoliduar, në dëm të krijimtarisë intelektuale dhe dialogut të lirshëm.
Rezultat i menjëhershëm i këtij kalcifikimi është zbehja e debatit, sipas të njëjtit mekanizëm pervers që çoi në shpërbërjen e Alb-Clubit – sa kohë që vendin e kuriozitetit intelektual dhe guximit të shprehjes së lirë e ka zënë fryma verifikuese, gjykuese, përçmuese dhe poshtëruese, e mbështetur në kriterin absolut të kombëtarizmit. Pozicionimet populiste shpesh primitive bëhen edhe më absurde, po të kihet parasysh se e shumta e kontributorëve të rregullt të atij forumi janë njerëz me formim intelektual bashkëkohor, të diplomuar në universitetet më të mira të Perëndimit e që jetojnë të zhytur në kulturën më të ndriçuar që ka parë ndonjëherë historia – atë Perëndimoren.
E megjithatë, një vështrim i shpejtë i temave të trajtuara dhe sidomos i frymës ose patosit të diskutimeve mjafton për të parë njëpolarizimin e mendimit dhe sidomos shndërrimin e forumit nga tryezë e rrumbullakët në juri vleftësuese, me atribute kualifikuese morale të shkallës më të lartë. Praktikisht, Peshku pa Ujë tani është marrë peng nga një klikë llafazanësh të pasionuar, të cilët nuk kanë asnjë interes ndaj dialogut dhe shkëmbimit të mendimeve, por kërkojnë vetëm të konfirmojnë vlerat e identitetit të tyre vetjak, nëpërmjet përjashtimit të mendimit ndryshe. Me fjalë të tjera, edhe Alb-Clubi dje, edhe Peshku pa Ujë sot u asfiksuan nga e njëjta formë intolerante, populiste dhe arrogante e kombëtarizmit, e cila e identifikon dhe e disiplinon grupin duke ia përjashtuar elementin antikonformist, kryesisht nëpërmjet dhunës verbale. Kjo ka bërë edhe që, në përsëritje të çka ndodhi dy-tre vjet më parë me Alb-Clubin, një pjesë e madhe e kontribuesve më të vyer të Peshkut pa Ujë largohen që andej, të neveritur ose ngaqë ndihen … si peshku pa ujë.
Paradoksalisht, rezultati kryesor i histerisë konformiste të kombëtaristëve në forumet është kolapsi i forumeve vetë, ose shndërrimi i diskutimeve në teatër komik përbetimesh se kush e do më shumë atdheun, kush thërret më fort për bashkim kombëtar, kush çirret më shumë kundër grekëve, kush e don më fort Kosovën, kush e tund më bujshëm flamurin kuqezi, kush e këndon më bukur himnin kombëtar – ose në një liturgji mjerane të kombëtarizmit si fé surrogato. Çka del e dëmtuar në këtë mes është vetë kultura shqiptare, e cila nuk ka nevojë për këto angullima, por për krijimtari, mendim intelektual, dialog dhe debat në të gjithë spektrin.
A ka mundësi që të ndalet kjo prirje dhe të mos lejohet, bie fjala, që Peshku pa Ujë të pësojë të njëjtin kolaps si Alb-Clubi para tij? Për mendimin tim, e vetmja rrugë për të parandaluar kolapsin është që të gjithë përdoruesit (lexuesit) e rregullt të forumeve të ngrenë zërin dhe t’i kundërshtojnë haptazi e me forcë orvatjet për t’i shndërruar diskutimet në gjyqe popullore dhe populiste ose për të vënë me shpatulla pas muri antikonformistët, ose siç njihen ndryshe, “antishqiptarët”. Në kontekstin e komuniteteve shqiptare virtuale sot, nuk ka antishqiptarë më të mëdhenj sesa këta të vetëshpallur vigilantes kombëtaristë, sepse janë këta që, me hipokrizinë e tyre dhe me komplekset e tyre psikologjike, çojnë detyrimisht në kolapsin e komuniteteve që duan të ruajnë, riprodhojnë dhe disiplinojnë me hir a me pahir.
Higjienizimi i komuniteteve, ose pastrimi i tyre nga parazitët, do të kryhet edhe ai, detyrimisht, nëpërmjet dialogut.
|
6,463 | https://peizazhe.com/2011/01/04/perpjekja-26-27/ | null | 2011-01-04T16:55:40 | PËRPJEKJA 26-27 | Ditët e fundit të 2010-s doli në qarkullim numri 26-27 i revistës “Përpjekja”, i cili këtë herë i kushtohet mërgimit shqiptar pas vitit 1990.
Numrin e ka përgatitur Eda Derhemi, si guest editor; në të ka shkrime nga Fatos Lubonja, Eda Derhemi, Russell King, Rando Devole, Filippo Davoli, Niko Gogonas, Gazmend Kapllani, Romeo Çollaku, Luan Xhuli, Zana Vathi, Albana Rexhepaj, Albana Shala, Juli Vullnetari, Erin Smith, Giuseppina Demetra Schiro’, Stephanie Schwandner-Sievers dhe Nick Mai.
Me këtë rast, edhe unë kam shqipëruar një kapitull të gjatë të librit La Scoperta dell’Albania, që kam shkruar me bashkautor Rando Devolen dhe botuar në Itali (Edizioni Paoline, Milano 1995; deri më sot, i papërkthyer shqip). Kapitulli i kushtohet trajtimit që ua rezervuan mediat e shkruara italiane dyndjeve të shqiptarëve në prill dhe në gusht të vitit 1991, duke përfaqësuar një përpjekje për t’ia zbuluar rrënjët imazhit stereotipik të refugjatit shqiptar, që dominoi pastaj mass mediat italiane gjatë viteve 1990 dhe më tej. Kam botuar gjithashtu edhe një shkrim timin të veçantë për kampet e refugjatëve ku i mbyllën shqiptarët e mërguar pas valës mërgimtare të prillit 1990 dhe efektet e këtij trajtimi në kriminalitetin shqiptar në Itali të viteve më pas.
Revistën, e cila u botua me ndihmën bujare të ambasadës norvegjeze në Prishtinë, do ta gjeni në libraritë kryesore në Tiranë.
Tryeza e lëndës për numrin mund të konsultohet këtu.
|
10,854 | https://peizazhe.com/2012/08/25/fustanella-dhe-fraku-ii/ | null | 2012-08-25T16:50:00 | FUSTANELLA DHE FRAKU (II) | nga Julius
Komentet që ndoqën pjesën e parë të shkrimit “Fustanella dhe Fraku”, më nxitën që të shkruaj disa gjëra më shumë, mbi disa ide interesante të shprehura në dokumentar.
Pikërisht, në episodin e katërt me titull të njëjtë si ky shkrim, përmendet ndër të tjera, një fakt historik interesant.
Prej jehonës që mori revolucioni grek i 1821-shit, shumë shpejt në brigjet e Peloponezit, çka përfshinte territorin e lirë të saposhpallur, zbarkojnë një numër i konsiderueshëm evropianësh filohelenë. Shumë të nxitur prej shkëlqimit të civilizimit të lashtë, në përpjekje për të gjetur Leonidhën dhe spartanët modernë aty, dhe disa të tjerë, të tërhequr në mënyrë gjenuine prej ngjarjeve aktuale që po ndodhnin.
Shumë shpejt të ardhurit evropianë, kryesisht francezë, anglezë, gjermanë, polakë do të zbrisnin me këmbë në tokë, prej realitetit ballkanik që kishin përpara syve. Pyetën se ku ishte qendra e komandës së ushtrisë, dhe grekët nuk iu përgjigjën, për faktin e thjeshtë se nuk kishin një të tillë. Gjithsesi, evropianët organizohen në një brigadë me rreth 600 trupa, dhe vihen nën komandën e njerit prej politikanëve më të dalluar në Greqi në atë kohë, Aleksandros Mavrokordatos.
Betejën e parë të tyre, thuhet në dokumentar se e zhvilluan në lokacionin Peta, në afërsi të Artës. Mes grekëve vendas dalluan se kishin shumë ndryshime, më të mëdha dhe të thella se petkat. Kështu, thuhet, evropianët ishin mësuar të luftonin në këmbë. I dilnin armikut përpara, vendoseshin në radhë, dhe krenaria e nderi i tyre ishte të binin në fushë të betejës më këmbë, ballë për ballë.
Grekët përkundrazi, kishin mënyrë krejt tjetër të luftuari. Ata zinin pusi, fshiheshin pas shkëmbinjve, dhe në rastet kur natyra nuk ofronte të tillë, ndërtonin vetë një strukturë mbrojtjeje me mjete rrethanore, që i lejonte të fshiheshin. Më pas, angazhoheshin në hedhje rromuzesh ndaj armikut, për ta dëmtuar këtë psikologjikisht – ky ishte qëllimi. Ndodhte shpesh, citoj të thuhet në dokumentar, se shumë vriteshin apo plagoseshin, se i tregonin armikut të pasmet.
Në betejën e Petës, merrte pjesë dhe një vendas me çetën e tij, i quajtur Gogos Bakolas. Ky ishte furnizuesi i vetëm me armë i të dy kampeve. Si atij grek, ashtu dhe atij turk. Përgjatë betejës, dhe duke qënë fillimisht në anën e grekëve, ai tërhiqet me të vetët, dhe i lë filohelenët në mëshirë të armikut. Çka ndodhi më pas, ishte disfatë. Të gjithë oficerët evropianë vriten në atë betejë, dhe pas kësaj eksperience të hidhur, shumica largohet nga Greqia. Pak prej tyre që mbetën, do të gjenin vdekjen disa muaj më vonë.
Këto detaje historike, nxitën një debat interesant, i cili ndodhte rregullisht menjëherë pas transmetimit të emisionit.
Në episodin e rradhës shkrimtari dhe filozofi i njohur Stelios Ramfos, argumenton ndryshimin e qenësishëm dhe në mentalitet mes grekëve ballkanas dhe evropianëve. Nisur prej faktit për mënyrën e luftimit, Ramfos argumenton se problemi qëndron pikërisht tek – identiteti. Identitet, apo “njohje sokratike e vetvetes”. Ndërsa evropiani mund t’i dilte ballë identitetit të vet, greku (por përgjithësisht ballkanasi) i përvidhet atij.
Sipas Ramfos, ideja dhe njohja fondamentale e vetes vjen në kohë dhe hapësirë, tek këta dy komponentë, Ramfos thekson mungesën e ballkanasit për KËTU dhe TANI. Projektimi i identitetit të grekëve, thotë Ramfos, bëhet përmes të shkuarës. Në momentin kur e shkuara vihet në dyshim apo revizionohet, greku e ndjen të humbasë veten – të protestojë, të ndihet ligsht, të ketë ankth etj. Kjo sepse ai e sheh të shkuarën si projektim të vetes, duke humbur kështu të tashmen, identitetin aktual.
Ramfos e shpjegon këtë me mungesën e individualitetit – çka sjell dhe mungesë personaliteti. Ai gjithë strumbullarin e këtij mentaliteti, e gjen tek feja. Amëshimi, oferta e një të ardhme amëshuese, eliminon të tashmen, argumenton filozofi. Jeta ndërtohet sipas parimit (lindor) kristian të premtimit për një të ardhme më të mirë. E tashmja kështu shndërrohet në një dhomë pritjeje, si taksë për të ardhmen e amëshuar. Përderisa e ardhmja është siguruar, e vetmja “kohë” reale, ngelet e shkuara.
Besimi fondamentalist tek e ardhmja e amëshuar, krijon disa probleme të tjera. Një nga këto probleme është delegimi.
Ramfos argumenton se individi ballkanas, ka nevojë për një urë lidhjeje me premtimin e së ardhmes. Ka nevojë ta ndjejë, ka nevojë t’i thonë, t’ia përsërisin premtimin. Dhe këtë punë, të deleguesit, e kryejnë shenjtorët. Të cilëve besimtari u lutet që të sigurojë të ardhmen.
Tani në shek. 21, punën e shenjtorit të atëhershëm, e kryejnë politikanët – thotë Ramfos, sekserët e sotëm. Fondamentalizmi i besimit, injoron agnosticizmin (agnostos, i huaji), thekson ai. Injoron TJETRIN e famshëm dhe të shumëdebatuar këtu. Ballkanasi i sotëm njeh vetëm familjen, klanin. Tek lidhjet e tij me klanin dhe të shkuarën projekton veten, dhe nuk arrin të ndërtojë marrëdhënie besimi të ndërsjelltë me të tjerë.
Për të bërë një parantezë, në lidhje me të ardhmen e amëshuar; ka pasur një debat filozofik këtu ca kohë më parë, për lidhjen e filozofisë së krishterë me vetëvrasjen. Edhe vetëvrasja, është e ndikuar prej besimit në filozofinë e të ardhmes së amëshuar. Xha xhai kishte sjellë disa të dhëna për këtë, citime dhe dëshmi. Edhe sulmet kamikaze, të shfaqura si dëshirë e thellë për të ekzekutuar veten, në emër të së ardhmes së amëshuar, ndodhin për shkak të kësaj forme besimi. Ramfos përfshin në mentalitetin lindor, si fenë islame, ashtu dhe atë të krishterë ortodokse, madje edhe atë katolike. Në thelb të kësaj përfshirjeje, qëndron një karakteristikë e përbashkët fondamentaliste: besimi në hyjni, apo autoritet absolut.
Thelbi për të kuptuar këtë përfshirje qëndron tek absolutizmi, është karakteristikë e përbashkët e të gjithë komuniteteve të përfshira më sipër. Rrugëtimi filozofik tek handikapi i mohimit identitar të vetes, pas kësaj bëhet i thjeshtë; pranimi i absolutizmit (zotit, papës, allahut, diktatorit) mohon unin (duke mohuar vullnetin e lirë), si shpërblim për këtë merret amëshimi (çek i bardhë, lugë floriri, parajsë, hyri etj), për tu siguruar për amëshimin përdoret deleguesi (prifti, hoxha, politikani).
Interesant është fakti sesi Ramfos nxjerr kuptimin filozofik të “filioque”, term i cili përkthehet “dhe prej birit”, dhe në thelb pohon tek formula e besimit se Fryma e Shenjtë, buron edhe prej Birit. Prej dogmës së krishterë, ndryshimi i Atit nga Biri, qëndron se ky i dyti ka dy natyra. Natyrën hyjnore dhe atë njerëzore. Pra “filioque” është pohimi se fryma e shenjtë mund të burojë edhe prej natyrës njerëzore të hyjnisë. Filioque, nuk është gjë tjetër, thotë Ramfos, veç pohimi se Fryma e Shenjtë, ka burim EDHE njerëzor. Këtu ai sheh preludin e humanizmit. Sipas këtij pohimi, ndarja e kishave në lindore dhe perëndimore, jo vetëm tregonte për ndryshimin në mentalitet mes të dyjave, por edhe e shfaqte këtë si arsye për t’u ndarë, brenda një fjale të vetme.
|
29,507 | https://peizazhe.com/2018/09/08/mendime-te-pakrehura-xli/ | null | 2018-09-08T17:07:20 | MENDIME TË PAKREHURA (XLI) | (nga Stanislaw Lec*)
Vetëm në art është e mundshme alkimia, ose krijimi i arit nga hiçi.
“Mos vraj” tingëllon njëlloj në të gjitha gjuhët. Por theksi i ndryshon.
Asgjëja është e madhe. Sa shumë filozofë banojnë atje!
Ka mendime që i përkasin një gjuhe të vetme.
Rritet konsumi i sapunit. I flluskave të sapunit.
Ka shekuj që vazhdojmë të ndërrojmë rrobat, por vdekja gjithnjë na njeh.
Pse të gënjesh, kur edhe e vërteta nuk është se i ngjan shumë realitetit?
Mjerë ajo jetë që varet nga një qime e ndarë më katërsh.
Hija e dikujt varet nga pozicioni që ka.
Po të kisha më shumë vullnet, do të isha në gjendje t’i shkoja kundër.
Nuk ka të vërteta të amshuara? Ndoshta, por gënjeshtra ka.
Medalja që i varej në gjoks dukej si kapaku i kutisë së bojës me të cilën lustronte këpucët.
Mëkatet ndryshojnë sipas ritit.
Lotët nuk e shuajnë zjarrin e turrës së druve.
Nuk mungojnë argumentet për të heshtur.
Kush u beson mrekullive? Ama të gjithë i presin.
Mos e qortoni shpurën, pse mbetet mbrapa.
Bota zgjerohet – por në kurriz të qiellit apo të ferrit?
Mos prisni që kanibalët t’ua japin martirët luanëve për t’i ngrënë. Një maskara çfarëdo do t’ju hajë.
Dua të lexoj “Jetët e atyre që kanonizojnë.”
Kur të pritet pylli, hija do të mbetet pa shtëpi.
Rrallë qëllon që demi të fitojë në torridë. I mungojnë incentivët ekonomikë.
Prej tij ka mbetur një hije që i rëndon mbi kujtimin.
Mendoj për gjithë këto gjëra? Që të mos mendoj për shumë gjëra.
Kur të më pyesë Inkuizitori i Madh, me siguri do të kërkojë të dijë se çfarë fshihet në intervalet mes mendimeve të mia.
Mbreti Mida duhet të ketë kaluar pranë kryqit të Shelbuesit. Ka kaq shumë të tilla prej ari!
Është vështirë të kthehesh te një dashuri që nuk lë gjurmë.
Popullsia e engjëjve nuk rritet. Prandaj ka gjithnjë e më pak të tillë mes njerëzve.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Pensieri spettinati (italisht).
|
42,220 | https://peizazhe.com/2022/09/29/radhe-dhe-privilegj-ii/ | null | 2022-09-29T11:02:15 | RADHË DHE PRIVILEGJ (II) | (shënime)
Sondazhe në vendet e ish-kampit socialist, pas 1990-ës, kanë treguar se edhe disa dekada pas shembjes së sistemit socialist, brezat e vjetër dhe të rinj jo vetëm vazhdojnë ta përmendin radhën në dyqane si dukurinë emblematike të atyre viteve, por edhe ta bashkëlidhin atë me varfërinë e tregut dhe mungesën e mallrave (shortage).[1] Ky shoqërim imazhesh dhe idesh kërkon shpjegim – meqë varfëria e tregut, në trajtën e dyqaneve të zbrazëta dhe të mangësive në furnizimin me artikuj të konsumit të gjerë, nuk përfton detyrimisht radhë; dhe vetë radhët dëshmojnë, në mos gjë tjetër, të paktën shpresën e atyre që presin se njëfarësoj, me pak durim, do të arrijnë ta blejnë në dyqan mallin që kërkojnë. Nga ana tjetër, e vetmja arsye për të ndenjur në radhë kur raftet e dyqanit janë bosh është shpresa për një furnizim së shpejti. Prandaj, dhe pavarësisht figurave të kujtesës kolektive, radha ka më shumë kuptim si simptomë e dështimit në shpërndarjen e artikujve në treg dhe e faktit që artikujt e dëshiruar janë gjithnjë në sasi të pamjaftueshme, në kuptimin që oferta asnjëherë nuk e kënaq dot kërkesën. Vetë ideja se “gjërat mezi gjenden” ushqen obsesionin e blerjes pa nevojë, siç mund të ndodhë në rrethanat kur njerëzit mbajnë radhë, në tetor, për topa ose pantofla plazhi, me bindjen se kur të vijë vera e ardhshme, këto nuk do të gjenden më. Më shumë se mungesa, radhët i ka ushqyer psikoza e mungesës, ose bindja se gjasat janë shumë të ulëta, që ti ta gjesh një mall në dyqan, kur të kesh nevojë për të; prandaj duhet të kujdesesh dhe të blesh gjithçka që “del” në treg, në momentin që “del”, ngaqë nuk dihet pastaj se kur mund të “dalë” sërish.
Për këdo që ka pritur në radhë, te një dyqan ose për një shërbim, pritja si eksperiencë nuk ka qenë fort e ndryshme nga ajo e punës “angari”, e aksionit (të dielave, me goditje të përqendruar, në ndihmë të fshatit e të bujqësisë), e punës “vullnetare” deri diku edhe e grumbullimit ushtarak; kohë e humbur, madje kohë e vdekur, duke ndenjur kot në një vend të mërzitshëm, në një shoqëri që nuk e ke zgjedhur ti vetë. Kjo përshtypje difuze madje mund të ketë ndihmuar që radha të gjykohej edhe ajo si e urdhëruar, ose e imponuar nga “shteti”, paçka se shteti mund të ishte vërtet fajtori për pritjes në radhë, por nuk është se e organizonte radhën vetë. Si të thuash, shumë njerëz e perceptonin të priturit në radhë si zbatim prej tyre të një urdhri abstrakt, si detyrim ndaj një instance formale ose administrative; edhe pse gjithkush pastaj paguante për mallin që blente; dhe ashtu edhe koha e kaluar në pritje do të interpretohej si një taksë që i jepej shtetit, kur nuk interpretohej si “punë” (labor) për të siguruar mallra të nevojshme, e cila mbetej gjithsesi e papaguar.
Nuk kam në duar asnjë material që të më ndihmojë për zanafillën e kulturës së radhës mes shqiptarëve, por mund të sjell këtu disa premisa, si (1) radha si formë e organizimit të grupeve që presin për një mall a një shërbim është shfaqur relativisht vonë edhe në Perëndim, në një kohë që disa kultura jo-Perëndimore nuk e njohin fare[2]; (2) radha kërkon një parakusht implicit të barazisë (aksesit të barabartë) mes një mase njerëzish që përndryshe mund edhe të mos e njohin fare njëri-tjetrin, në një kohë që tradicionalisht shoqëria shqiptare ka qenë themeluar dhe ka funksionuar mbi privilegjin, që është e kundërta e barazisë, por që lyp si rregull njohje paraprake; (3) sikurse kërkon që çdo individ “radhëtar” të pranojë – me veten ose me të tjerët – se është duke shpenzuar nga koha e vet personale për t’u bërë vend të tretëve të panjohur, të cilët kanë të vetmin avantazh që kanë ardhur para tij në radhë; (4) përjetimi i radhës nga “radhëtarët” varet edhe nga perceptimi subjektiv i kohës dhe kohëmatja e ditës nëpërmjet orëve.
Mund të spekulohet që format rudimentare të radhës, si praktikë e mbarështimit të turmave paqësore, të jenë shfaqur fillimisht në komunitete fetare (rituale, procesione), në shkolla, në ushtri, në praktikat e ruajtjes së rendit (burgje) dhe në mjedise të ndihmës për të varfrit (shpërndarje ushqimesh, nën mbikëqyrjen e të tretëve), për t’u adoptuar pastaj edhe gjetiu, si sisteme ekonomizimi të kohës dhe të hapësirës publike për qytetarët, në kushtet e ngushticës në mallra dhe shërbime. Edhe pse jo gjithnjë e drejtpërdrejtë, lidhja mes praktikës së radhës dhe kufizimit të lirive individuale mbetet e dukshme; por gjithnjë mund të argumentohet se bashkërendimi mes grupeve të mëdha të njerëzve gjithnjë kërkon sakrificën e pjesshme të këtyre lirive (të paktën në kuptimin e tyre relativ, ose si mungesë kufizimesh).
Vetë fjala radhë, në shqipen e sotme, ka disa kuptime themelore, të cilat i referohen konfigurimit hapësinor të elementeve të një bashkësie, por edhe sekuencës se kur ndodhin elementet e një bashkësie eventesh. Kur u referohet njerëzve që presin për të blerë diçka, radha është emër predikativ (i ngjashëm me punë, luftë, valle, vaj, bisedë); si aktivitet që kryhet nga ata që presin. Shqipes i mungon një folje sintetike për këtë aktivitet, prandaj përdor togfjalësh të tillë si mbaj radhën, rri në radhë, pres në radhë, në të cilat emrit radhë i bashkëlidhet një folje semantikisht e dobët, që tregon vijueshmëri të veprimit; në një kohë që foljet te hyj në radhë, zë radhën dhe dal nga radha tregojnë sipas rastit fillimin ose përfundimin e “të priturit”. Një krahasim i shpejtë i shqipes radhë me gjuhë të tjera konfirmon se, edhe në shqipe, radha shihet si spacializim i një renditjeje kohore, ose konfigurim në hapësirë që riprodhon (rimerr, pasqyron) një konfigurim në kohë; prandaj ti rri në radhë (hapësinore) por të vjen radha (kohore) – khs. anglishten to stay in queue ose on line, por it’s my turn. Për t’u shënuar edhe se radha, si ritual, i bindet parimit që në anglishte e kanë quajtur first come first served, çfarë do të thotë se renditja e personave në radhë varet nga koha kur kanë mbërritur te një vend i caktuar, që do të ishte edhe vendi ku “mbahet radha”. Si objekt matematik, radha ka zakonisht një përmasë (pritësit vendosen njëri pas tjetrit në njëshkolonë), duke i ngjarë një drejtëze, por ndryshe nga drejtëza çfarëdo, radha është e orientuar për nga hyrja e dyqanit ose sporteli (ka natyrë vektoriale), si t’i bindej një fushe “magnetike”, çfarë manifestohet fizikisht edhe në fytyrat e pritësve, që janë të kthyera në atë drejtim dhe në vetë drejtimin e lëvizjes së radhës.
Unë që jam rritur në Tiranë ende mbaj mend kur radha, te një dyqan, te sporteli i kinemasë ose te stacioni i autobusit, konsiderohej pothuajse unanimisht si formë e një sjelljeje të kulturuar (të qytetëruar); sikurse mbaj mend që në disa vende si dyqanet e bulmetit (qumështi) ose të vajgurit radha respektohej shumë më mirë se te sporteli ku shiteshin bileta kinemaje; te ky i fundit ndodhte rëndom që djem azganë të shtyheshin dhe të përlesheshin bujshëm, për të siguruar biletat për një film të sapodalë. Mbaj mend, më në fund, që radhën në Shqipëri shpesh e mbanin veç gratë dhe veç burrat, dy rreshta ose kolona që takoheshin te pika e shitjes, banaku ose sporteli; dhe ashtu mund të ndodhte që një djalë a burrë të rrinte në radhë edhe një orë, teksa një vajzë a grua të mbaronte punë për pesë minuta, edhe pse kishin ardhur atje njëkohësisht. Synimi i këtij segregacioni gjinor do të ketë qenë që të mbroheshin vajzat dhe gratë nga “kontakti” i pahijshëm me seksin tjetër; dhe ashtu rrallë qëllonte që të vihej në diskutim, edhe pse shpesh na ka qëlluar që t’i kërkojmë një gruaje të panjohur që të na blejë dy bileta kinemaje, për të kursyer kohë. Te një shkrim me këtë temë në Peizazhe të fjalës (Në radhë), Rando Devole e përmend shpjegimin tradicional që e sheh segregacionin gjinor të radhës si inerci të një tradite më të hershme për rolin dhe agjencinë e grave në hapësirën publike, por pastaj e krahason këtë dukuri me të njëjtën logjikë ndarëse në vende me disiplinë të fortë, si burgu dhe ushtria (kaserma).
Këtë e ilustron imazhi i mësipërm, i një monumenti gjigand të ngritur në Pragë në 1 maj 1955 dhe që u njoh me emrin “Monumenti i Stalinit”, për t’u shkatërruar pastaj në fund të vitit 1962. Gjatë atyre pak vjetëve që mbeti në piedestal, banorët e Pragës e mbiquajtën “Radha e mishit” (Pavel Pospěch, art. cit.), duke e vënë re menjëherë marrëdhënien implicite mes militarizimit, totalitarizmit dhe radhës.
(vijon)
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Imazhi: Von Miroslav Vopata, taken by my grand father, uploader Krokodyl – my own scan, CC BY 2.5
[1] Për Çekosllovakinë, këtë e ka analizuar Pavel Pospěch, në “The spectre of the queue: resignifying the past in the post-communist Czech Republic” (American Journal of Cultural Sociology, 8, 1919-213, 2020).
[2] Shkruan Donald Norman te Living with Complexity (2011, The MIT Press, Cambridge, Massachusetts, London, England, f. 195), duke cituar Encyclopaedia Britannica: “Atmosfera sociale në Hong-Kong-un kolonial të viteve 1960 nuk kish asgjë që sot do ta quanim të sofistikuar. Të thyeje një çek në bankë, të hipje në autobus a të blije një biletë treni kërkonte forcë të kulluar. Kur u hap McDonald’s në 1975, klientët filluan të grumbulloheshin rreth arkave, duke i ulëritur porositë dhe duke tundur paratë mbi kokat e atyre që kishin përpara. McDonald’s u përgjigj duke adoptuar praktikën e kujdestareve të radhës – gra të reja që i udhëzonin klientët për të mbajtur radhë të rregullta. Pas kësaj, mbajtja e radhës u bë karakteristikë e kulturës kozmopolitane klasë-e-mesme në Hong Kong. Banorët e vjetër të qytetit ia dinë për nder McDonald’s-it që e futi këtë praktikë, si element kritik të tranzicionit social.”
|
27,960 | https://peizazhe.com/2018/01/28/per-pasurine-dhe-pasuruesin/ | null | 2018-01-28T09:44:51 | PËR PASURINË DHE PASURUESIN | nga Teuta Toska
Në një ditë qershori të vitit të kaluar Biblioteka Kombëtare organizonte paraqitjen e katër librave të prof. Xhevat Lloshit me rastin e 190-vjetorit të lindjes së Konstandin Kristoforidhit, dhe midis fjalëve që zakonisht thuhen në këto ngjarje: lëvdata për autorin, vlerësime për mikun dhe shokun, gjykime objektive për studiuesin dhe shkencëtarin, prof.dr. Persida Asllani, drejtore e Bibliotekës Kombëtare, na rrëfeu me një farë ngazëllimi se prof. Xhevati kishte qenë dhuruesi i heshtur i shumë librave të vlefshëm, dokumente rëndësore për historinë e shqipes së shkruar. “Ju nuk e dini, por profesor Xhevati është ai që sjell në Bibliotekë një kopje të librit a dokumentit të rrallë që ka gjetur me aq mund dhe e ka gjurmuar me vite, duke e pasuruar fondin e albanologjisë së kësaj biblioteke”, ishin pak a shumë fjalët e saj. Profesori dëgjonte me sytë nga auditori me pamjen e tij të zakonshme: i kënaqur, pa asnjë emocion të fortë, por plot vetësiguri për “çmimin” e asaj që bënte.
Aty për aty mendova se pashë me sytë e mi kryerjen e një parimi që e kisha vetëm me të lexuar: jeta dhe puna e një njeriu të madh ka oreçast vlerë për jetën dhe punën e kombit të vet. Dhe aty për aty këtij parimi në mendjen time iu bashkëngjit figura e një njeriu, si shembull.
Kështu, me rastin e një ngjarjeje të spikatur, siç është data e lindjes, kur bëhet fjalë për një njeri që kryen një punë të tillë për bashkësinë e vet, ne që jemi duke e vështruar dhe lexuar prej shumë kohësh këtë punë është e udhës që të ndalemi në disa gjykime, më së pari që kanë rëndësi për veten tonë dhe për bashkësinë tonë.
Ndërsa shohim nga afër veprimtarinë shkencore që kryen prej vitesh prof.Lloshi, mund të përkapim sasinë e madhe të punës shkencore të kryer prej profesorit deri më tani. Por ajo që më habit është sasia e punëve që kryhet në një vit: kërkime (në terren, arkiv apo bibliotekë), përkthime, studime (duke përqasur e vlerësuar faktet e kërkuara në qetësinë e studios së vet), shkrime (të realizuara tashmë, të botuara në shtypin e përditshëm, në konferenca shkencore, në ngjarje promovuese, në libra të vet, por edhe shkrime të pabotuara ende, që presin radhën të botohen a rrethanat fatlume), vlerësime, kritika, redaktime (sa e sa tekste të kaluara nëpër duar duke u përkujdesur për shqipen e të tjerëve, duke vlerësuar se ajo gjuhë e atij teksti nuk është shqipja e tyre, por shqipja e vet dhe e jona), udhëtime (duke gjurmuar faktet shkencore nëpër vende të ndryshme të botës: Londër, Stamboll, Shkup, Maltë etj.), letërkëmbime (me tematikë shkencore), këshillime (për çdo studiues që ka mundësinë dhe fatin e mirë ta takojë) të gjitha njëherësh – një vëllim i pashoq pune, i paarritshëm. Nuk ka pasur fushë të veprimtarisë kulturore e shkrimore, ku ai të mos jetë përfshirë gjallërisht dhe të mos e ketë çuar përpara arritjen në atë fushë, të mos e ketë ngritur atë fushë nga niveli i amatorizmit dhe ta themelojë e ndërtojë në baza shkencore, duke u hequr një udhë studiuesve të tjerë pas vetes.
Nëse do ta flasim me terma më specifikë, për ata që duan të dinë fushën e kërkimit dhe gjerësinë e saj, mund të themi se shkrimet e profesorit përfshijnë disiplina të gjuhësisë, si: semantikë, leksikologji e leksikografi, terminologji, stilistikë, kulturë gjuhe, didaktikë e gjuhës shqipe, gjuhësi kontrastive, histori e gjuhës, filologji, albanistikë (duke studiuar figura të rëndësishme të huaja që janë marrë me shqipen), hartues fjalorësh, enciklopedist (bashkautor dhe redaktor përgjegjës i Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, 1985).
Profesor Xhevati e ka pasuruar edhe vazhdon ta pasurojë historinë dhe kulturën e shqiptarëve me emra të rëndësishëm, si Vangjel Meksi, Grigor Gjirokastriti etj., por edhe Robert Pinkertoni, Isaac Lowndes-i, Alexander Thomson-i, Martin-Leake, nënkontesha Strangford, konti Fedor Karaczay etj. Ai është pasurues i jashtëzakonshëm i kujtesës shkrimore të shqipes, me tekste që i kanë munguar asaj prej shkaqesh të ndryshme. Ky pasurim ka vijuar në të gjitha fushat e veprimtarisë së profesorit: qoftë si prodhues i librave me vlera të padiskutueshme në shqipe, qoftë edhe si sigurues i librave të rrallë që kanë interes të padyshimtë për albanologjinë, qoftë si përkthyes i librave që lidhen drejtpërdrejt me “shqiptaren” dhe që mund t’i vijnë në ndihmë qartësimit të debateve shkencore mbi identitetin e figurave të rëndësishme të kulturës shqiptare. Ky pasurim lidhet drejtpërdrejt me punën e tij si filolog, si njohës i varianteve historike të shqipes, por edhe si njohës i gjuhëve me të cilat shqipja ka pasur lidhje, zbulues i dokumenteve me rëndësi për historinë e shqipes dhe të shqiptarëve.
Ca radhë më sipër shkrova se një nga punët më të rëndësishme të profesorit është edhe përkujdesja për gjuhën e librave në shqipe, si redaktor i shumë botimeve. Këtë punë të mundimshme e modeste për nga vlera, profesori i madh vijon ta kryejë (për çudi) edhe sot e kësaj dite, sikur të kryente një mision: të ngrejë shqipen e atyre faqeve (të kujtdo që i ka shkruar) në një nivel edhe më të lartë, ta redaktojë një libër sikur të jetë nesër një dokument i rëndësishëm i kulturës materiale të shqiptarëve.
Në fillimet e leximeve të mia në fushë të gjuhësisë, ndërsa lexoja veprën e njohur të Roman Jakobsonit “Essay of general linguistics” u ndesha me një thënie të tij, që ishte edhe deviza e gjithë veprimtarisë së tij shkencore: “Linguista sum, linguistici nihil a me alienum puto.”[1] Nuk e kam harruar që prej asaj kohe këtë shprehje, por veçanërisht nuk harroj gjerësinë e jashtëzakonshme të interesit shkencor në lidhje me gjuhën [që duhet të kisha] dhe që shpaloste para meje kjo thënie. Kuptova në atë kohë madhështinë e një gjuhëtari të përmasave botërore si Jakobsoni, dhe largësinë e kësaj figure në raport me realitetin e studiuesve të shqipes. Por, kjo shprehje m’u kujtua e para ndërsa bëhesha gati të shkruaja këto radhë për profesorin dhe shembullin tim. Edhe mendoj se kjo shprehje i përshtatet pikë për pikë gjithë veprimtarisë së tij, dhe ajo largësi që perceptova në fillimet e leximeve të mia davaritet ndërsa marr në sy veprimtarinë aq të gjerë e të thellë dhe pa asnjë kufi konvencional që e kërkon disiplina shkencore kur bëhet fjalë për shqipen dhe shqiptaren. E në këtë pikë, prof. Xhevat Lloshi është një rast i përveçëm mes gjuhëtarëve shqiptarë të brezit të vet, të karakterizuar nga zotësia shkencore dhe kërkimi kryesisht në një disiplinë shkencore.
Magjepsja e atij çasti kur studiuesi i talentuar i një vendi të vogël dhe të vetizoluar, në arkivin e Shoqërisë Biblike në Londrën e madhe dhe të ëndërruar – mes grumbullit të dokumenteve të zverdhura e të vjetruara, plot pluhur nga kyçja në padepërtueshmëri -zbuloi gjuhën e popullit të vet ende nuk ka kaluar[2]. Emocioni i fortë që përshkon studiuesin në vetminë e atij zbulimi nuk e pëson ndryshimin që koha ua shtrëngon gjërave të tjera të kësaj bote. Prandaj me po atë pasion dhe me po atë kureshtì ai shtyhet në kërkim të zbulimit të radhës, të përjetimit të po asaj magjie të parë, duke e pasuruar kulturën dhe trashëgiminë shpirtërore të kombit tim dhe duke u shndërruar dalëngadalë, ai vetë, në një pasuri.
(c) 2018, autorja
[1] “Jam gjuhëtar; asnjë gjuhësore nuk është e huaj për mua.” Kjo thënie është një përshtatje që Jakobsoni i ka bërë një thënieje të njohur latine, si “Homo sum, humani nihil a me alienum puto”. Unë e kam lexuar këtë libër në një përkthim në italisht, “Saggi di linguistica generale”, a cura di Luigi Heilmann, Feltrinelli, Milano, 1966.
[2] Prof.Xhevati shkruan: “Kur pata mundësinë në pranverën e vitit 1972 që të merresha me kërkime arkivore në Londër, Shoqëria Biblike e kishte selinë në 146 Queen Victoria Street, jo larg bregut të majtë të Temzës. Në një kohë kur Shqipëria ishte shpallur i vetmi shtet ateist i botës, qe pak e vështirë t’i shpjegoja nëpunësit të pritjes se çfarë kërkonte një shqiptar aty.” “Thesaret për gjuhën shqipe të Shoqërisë Biblike. I. 1815-1883”, ISSHP, 2017.
|
32,783 | https://peizazhe.com/2019/10/18/listat-nje-veshtrim-me-abstrakt/ | null | 2019-10-18T10:44:43 | LISTAT – NJË VËSHTRIM MË ABSTRAKT | Nga pikëpamja linguistike, lista i ka disa tipare të përbashkëta me paradigmën gramatikore, p.sh. format e lakimit të një emri ose të zgjedhimit të një foljeje; por paradigma është gjithnjë metagjuhësore, në kuptimin që thënia punoj, punon, punon, punojmë, punoni, punojnë etj. nuk kumton veçse që këto forma – artificialisht të pranëvëna – janë në fakt të zëvendësueshme, si kallzues, në kontekstin e një fjalie.
Nga pikëpamja retorike, lista ka shumëçka të përbashkët me enumeracionin – akumulim njësish gjuhësore të barasvlershme, për të arritur një efekt stilistik të caktuar. Për shembull, ky fragment nga Bagëti e Bujqësia, e Naim Frashërit:
O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.
Njësitë që përftojnë enumeracionin nuk është e thënë të jenë fjalë; mjafton të jenë sintaktikisht të barasvlershme:
Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Në thelb, enumeracioni është derdhje e paradigmës në sintagmë – përmes një çarjeje të zinxhirit ligjërimor.
Nga pikëpamja semiotike, enumeracioni i ngjan panoramimit (në film) – çfarë edhe shpjegon pse është aq i kudogjendur te poema e Naimit; sikurse i ngjan një koleksioni objektesh – p.sh. trofesh, ose veprash arti ose eksponatesh në një galeri a muzeum, ose librash në një raft biblioteke, ose futbollistësh në formacionin e një skuadre, ose varresh në një varrezë, ose këngësh në një album, ose ndenjësesh në një teatër, ose mallrash në një dyqan a në një ekspozitë, ose sportistësh në një parakalim, ose ushtarësh në një paradë (ja ku e bëra edhe unë një listë përkufizuese të listave, e cila mbetet e hapur). Këto manifestime kanë të përbashkët pranëvënien e objekteve ose të shenjave, të themeluar mbi një tipar të përbashkët. Umberto Eco:
“listat (praktike) i japin unitet një bashkësie objektesh që, pavarësisht sa të pangjashme mes tyre, i nënshtrohen një trysnie kontekstuale – meqë janë të ndërlidhura thjesht ngaqë gjenden në të njëjtin vend ose ngaqë përftojnë synimin e një projekti të caktuar (një shembull do të ishte lista e mysafirëve në një festë).”
Sërish në kontekstin semiotik, listat janë forma të ndërmjetme midis gjuhës nga njëra anë dhe aritmetikës dhe algjebrës nga ana tjetër (përfshi këtu edhe seritë); pa harruar këtu që edhe numërimi është një lloj liste, sikurse edhe alfabeti.
Listat emërore, për të cilën kam folur në dy shkrimet e fundit, janë edhe ato enumeracione, por emrash të përveçëm; edhe pse synimi i tyre nuk është retorik dhe as mirëfilli panoramues, sërish kanë një efekt hipnotik, mu për shkak të çarjes që sjellin në ligjërim dhe “horizontalizimit” të paradigmës.
Për t’u kthyer tani sërish te qasja linguistike, listat edhe janë, edhe nuk janë ligjërim; mund t’i konsiderosh si një lloj specifik thëniesh, të cilave u mungon predikativiteti, meqë nuk kanë sintaksë, të paktën nuk kanë sintaksë eksplicite (kryefjalë, kallzues, kundrina, etj.). Organizohen në bazë të dy parimeve: prania ose mungesa e elementit dhe rendi, ose njëpasnjëshmëria (rendi është nga e majta në të djathtë dhe nga lart poshtë, të paktën për shqipen; gjuhë të tjera ndjekin renditje të tjera). Për shkak të një konvencioni të natyrshëm, elementi i parë në listë ka përparësi (siç e thotë edhe fjala) ndaj të dytit dhe kështu me radhë; çfarë megjithatë mund të shmanget, duke adoptuar kriterin e renditjes alfabetike, e cila është arbitrare.
Por lista nuk funksionon si një thënie e zakonshme në gjuhë; meqë kuptimi që përcjell është gjithnjë implicit. Lista e mëposhtme:
Czesław Miłosz
Jevgenij Jevtushenko
Ismail Kadare
Mund të jetë një listë shkrimtarësh, një listë shkrimtarësh nga vendet e Lindjes, një listë shkrimtarësh nga vende ish-komuniste, një listë poetësh, e kështu me radhë. Edhe renditja e tyre mund të ndjekë kriterin e moshës, ose të përhapjes së veprës, ose ndonjë kriter tjetër çfarëdo.
Kjo natyrë implicite e afron listën me mbishkrimin; prandaj edhe nuk është rastësi që listat i gjen në gjithfarë monumentesh (lapidarësh) ku kremtohen mbretër, fisnikë të një dere aristokratike, ose edhe dëshmorë.
Te Koncert në fund të dimrit Kadareja tregon si ndryshimet në renditjen e anëtarëve të Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës përdoreshin, nga vëzhguesit në Perëndim, për të kuptuar diçka rreth zhvillimeve politike sekrete në atë vend, gjatë periudhës së mbylljes totale ndaj botës. Në fakt, duke mos pasur kinezçja alfabet dhe as një kriter të rreptë për organizimin formal të ideogrameve (shih fjalorët e kinezçes, ku duhet pak mjeshtëri, për ta gjetur një fjalë), renditja e emrave të kupolës komuniste gjithnjë do të ndiqte kritere semantike. Ndryshe qëndronte puna me Byronë Politike në Shqipëri, ku – të paktën nga vitet 1960 e këtej – përdoreshin kritere të përziera për renditjen: i pari përmendej Enver Hoxha, i dyti Mehmet Shehu, pastaj anëtarët e tjerë në rend alfabetik (që konotonte barasvlerë në pushtet), dhe në fund kandidatët, sërish në rend alfabetik.
Çfarë i jep solemnitet një liste, është plotësia e saj: për shembull, Byroja Politike duhej përmendur e gjitha, sipas radhës së shtangët, të përcaktuar nga protokolli. Ishte e pamendueshme, që në një tekst publik, të gjeje një listë të tipit: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Abdyl Këllezi, Adil Çarçani, etj. Çfarë edhe provon, të paktën për mua, funksionin “ritual” të listës, në kuptimin që anëtarësia në Byro jo vetëm duhej përmendur veçan për çdo anëtar, por edhe ashtu sanksionohej në çdo akt listimi; prandaj edhe çdo alterim i listës do të interpretohej si sakrilegj.
Kjo na sjell edhe te natyra e asaj etj.; pjesëz me të cilën i mbyllim shpesh listat që bëjmë, meqë nuk dimë t’i çojmë deri në fund, ose ato vetë janë të hapëta nga natyra. Kjo etj. është, në fakt, shenja që ndan të rëndësishmen nga më pak e rëndësishmja; të përmendshmen nga e panevojshmja për të përmendur; të detyrueshmen nga opsionalja. Gjykoni vetë si do të tingëllonte një listë politikanësh shqiptarë bashkëkohorë e formës së mëposhtme: Erion Braçe, Astrit Patozi, Fatmir Mediu, etj.; edhe pse ajo nuk ka të sharë, nga ana logjike dhe semantike, sa kohë që të tre këta janë politikanë shqiptarë bashkëkohorë, krahas shumë të tjerëve (mbase mund të ndeshej si listë, po të fotografoheshin ndonjëherë bashkë duke dalë nga urinorja e Kuvendit). Kjo edhe na provon, nëse do të ishte akoma nevoja, që listat janë gjithnjë përzgjedhëse dhe përcaktojnë ose konfirmojnë hierarki.
Një tjetër shembull: Në tekstet kritike dhe historiko-letrare të Realizmit Socialist, gjithnjë do të gjeje listën e tre poetëve të viteve 1960: (Ismail) Kadare, (Dritëro) Agolli, (Fatos) Arapi, të cilët sollën një frymë të re në poezinë shqipe. Lista ka qenë e arsyeshme dhe e mbështetur në realitet – edhe pse fare lehtë mund të sillen emra poetësh të tjerë që ndihmuan për ta kapërcyer prapambetjen formale në këtë poezi. Por, si efekt edhe i rimarrjes së listës dhe i dëshirës për konformim, këta të tre erdhën dhe u kthyen në një triumvirat të poezisë shqipe moderne, madje edhe në vitet kur patën dalë poetë të tjerë, të një brezi më të ri (p.sh. Xhevahir Spahiu ose Adem Istrefi). Nuk dua të diskutoj këtu meritat letrare të treshes, në vetvete dhe në krahasim me të tjerët; por vetëm të vë në dukje se futja e tyre në listë dhe sanksionimi i listës me rrugë intertekstuale, luajtën rol të dorës së parë në kristalizimin e një hierarkie.
Dhe, me sa më kujtohet, askush nuk ka shkruar a thënë Ismail Kadare, Dritero Agolli, Fatos Arapi, etj.; ajo etj., duke e lënë listën potencialisht të hapur, në fakt do t’ia kish dobësuar efektin performativ, ose aftësinë për të imponuar dhe riprodhuar hierarkinë.
© 2019, Peizazhe të fjalës.™ Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet kopjimi. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.
Shënim bibliografik: një kornizë teorike për listat, edhe pse të fokusuar në poetikë, do të gjeni në dy libra të Umberto Eco-s:
Eco, Umberto, Confessions of a Young Novelist, Harvard University Press, Cambridge, Massachusetts, London, England, 2011 (The Richard Ellmann lectures in modern literature), veçanërisht kapitulli 4. My Lists, f. 121-206.
Eco, Umberto, Vertigine della lista, Bompiani 2012.
Imazhi në kopertinë: Monumenti i genocidit në Kigali, Ruanda. Solemniteti i vdekjes e përjashton vetvetiu shenjën etj.
|
15,042 | https://peizazhe.com/2014/03/22/dy-kenge-te-ciklit-te-kosoves/ | null | 2014-03-22T15:30:46 | DY KËNGË TË CIKLIT TË KOSOVËS | nga Gjergji Shuka
Dy këngët “Propast carstva Srpskoga” (Rënia e perandorisë serbe) dhe “Kënga e Luftës së Kosovës” janë dy prej varianteve të shumta sllavojugore dhe shqiptare që rrëfejnë betejën e famshme të 28 qershorit 1389, gjatë së cilës u përballën; koalicioni i të krishterëve ballkanikë i drejtuar nga princi serb Lazar Hrebeljanović, dhe ushtria osmane e sulltanit Murat I.
Arsyeja e përzgjedhjes të këtyre dy pjesëve të veçanta mes të gjithë lëndës epike që i referohet betejës, lidhet më së shumti me aksesueshmërinë dhe me afërsinë që paraqesin me ngjarje të rënies së perandorisë së justinëve. Kënga serbe është më e mirënjohura e të gjithë Ciklit sllavojugor, ndërkohë që mes këngëve të pakta shqiptare të cilat munda të konsultoj, në “Këngën e Luftës së Kosovës” ruheshin më tepër elementë të nënshtresës së vjetër ballkanike.
Beteja e vitit 1389 është një ndër më të ashprat e mesjetës së vonë. Luftimet janë vazhduar përgjatë gjithë ditës së 28 qershorit, duke përfunduar me të vrarë të shumtë në të dy kampet dhe duke sjellë më pas vështirësi të konsiderueshme për dy shtetet që mbartën peshën kryesore të luftës; për Perandorinë Osmane dhe sidomos për Principatën e knez Lazarit. Vetë dy kryeprijësit humbën jetën; sulltan Murati I u vra nga një kalorës ose një luftëtar i plagosur i krishterë i quajtur në dëshmitë e mëvona, Millosh Kobila (ose Kobilić), ndërsa më pas Lazari u kap rob dhe u ekzekutua me urdhër të djalit të Muratit, sulltanit të ardhshëm Bajazit I.
Në mbrëmje ushtritë e serbëve dhe aleatëve të tyre u tërhoqën duke e lënë Bajazitin zot të vendit, por megjithatë, më pas edhe sulltanit të ri iu desh të tërhiqej; për të konsoliduar pushtetin në krye të osmanëve dhe për arsye se trupat e tij, gjithashtu të decimuara, nuk mund të përparonin drejt veriut dhe as të qëndronin në Kosovë.
Sakrifica e luftëtarëve të krishterë mundësoi ruajtjen e principatave të tyre përkohësisht, por koalicionet antiosmane do të ishin të rralla pas vdekjes së Lazarit, ndërkohë që kundërshtarët e kishin gjithnjë pushtetin të përqendruar në duart e trashëgimtarëve të Osmanit. Siç është e mirëditur me kalimin e viteve njëra pas tjetrës zotërimet e sllavëve të jugut dhe të arbrëve do të kalonin në gjendje vasaliteti ndaj Portës së Lartë.
Prej studiuesve të mëparshëm të epikës ballkanike janë vënë re ndryshime të konsiderueshme mes grupit të këngëve të shqiptarëve dhe atyre të sllavëve të jugut, ndaj mendohet se janë kënduar veçmas prej një kohe të hershme. Vetë heroi qendror është i ndryshëm; në ciklin serb i këndohet më së shumti car Lazarit, dhe ndërhyjnë personazhe të tjerë siç Milloshi, Ban Strahina apo Marko Krajleviçi; ndërkohë që në epikën shqiptare në shumicën e këngëve Millosh Kopili është heroi i vetëm.
Megjithë ndryshimet, të dy grupet përmbajnë motive të shumta që korrespondojnë në mënyrë domethënëse me ngjarjet që sollën rënien e perandorisë së justinëve, dhe mund të pohohet se nënshtresa e tyre formohet prej elementëve të këngëve të vjetra të malësorëve shqiptarë dhe sllavojugorë. Përndryshe edhe të dhënat problematike të këtij cikli – siç janë episodi i pandodhur historikisht i tradhtisë së princit Vuk Branković, titulli “car” i Lazarit, motivi i vdekjes së nëntë jugoviçëve dhe disa të tjerë – kuptohen lehtësisht nëse i referohemi nënshtresës. Rapsodët shqiptarë dhe sllavë kanë ndërthurur motivet e këngëve të vjetra me ato të krijuara për betejën e parë të Kosovës, dhe kanë transmetuar në këtë mënyrë edhe ngjarje që në fakt i përkasin shekujve VI-VII duke pasqyruar një shëmbëlltyrë të padrejtë ndonjëherë të personazheve të rëndësishëm të historisë mesjetare serbe.
Përsa i përket procesit të ndërthurjes; hipoteza e parë është që fillimisht vargje ose këngë që në zanafillë rrëfenin rënien e perandorisë dardane – siç dy të mësipërmet – ti jenë përshtatur lëndës epike të Betejës Kosovës duke u modifikuar veçanërisht në të dhënat onomastike.
Ose prej krijimit të parë të këngëve mbi betejën e Kosovës mund të ketë ndodhur i njëjti proces mbështetjeje në traditë i vërejtur ndër këngët heroike të shekullit XIX mbi kryengritjet e serbëve kundër osmanëve. Krijuesi i tyre, rapsodi Filip Višnjić, e paraprin rrëfimin e ngjarjeve të humbjes së Perandorisë Osmane në Serbi me motive të huazuara prej Ciklit të Kosovës – siç manifestimet qiellore që paralajmërojnë fundin e botës së vjetër – që janë shpjeguar paraprakisht në librat e shenjtë.
Shënim: kapitullin të plotë mund ta lexoni këtu.
|
9,090 | https://peizazhe.com/2011/12/20/sindromi-i-kaposhit/ | null | 2011-12-20T05:38:07 | SINDROMI I KAPOSHIT | E keni vënë re sa pak humor që ka në media?
Ose më mirë, e keni vënë re që humori në media vjen gjithnjë i rrethuar me kornizë, i shënjuar me tabela, që të thonë: ky shkrim tani është për të qeshur, prandaj qesh të lutem?
Pjesa tjetër e gazetës nxin nga serioziteti; të gjithë, që nga autorët e shkrimeve e deri te personat për të cilët flitet, e marrin veten shumë seriozisht.
Këtë unë do ta quaja sindromi e kaposhit, sepse kaposhi, nga të gjithë shpendët, më duket ai që ka më pak humor.
Tema nga më të lehtat, për kulturën dhe spektaklin; ose për jetën e përditshme dhe çikërrimat e celebrities-ve, përcillen me tone simfonike; sikur protagonistët të jenë përballur befas me transhendencën ose të kenë komunikuar me hyjninë.
Humori nuk është se mungon. Te Shekulli, bie fjala, është gjithnjë i pranishëm në vargjet e rimuara të A. Dukës, që i gjen në rubrikën e opinioneve; ose te Tema, në rubrikën e mirënjohur Antena brenda familjes, me bëmat groteske të Saimirit e të Flamurit.
Megjithatë, duket sikur gazetat kanë krijuar zona të posaçme ku mund të ushtrohet humori, ose vathë të gajasjes; dhe brenda atyre zonave, humori është zakonisht i zhurmshëm, prej kabareje; humor që fluturon me cërka të pështymës.
Nuk ka gjë të keqe me këtë humor, as me vjershat dhe bejtet, madje as me cërkat e pështymës. E keqja është kur vjen e mungon ai tjetri, humori i hollë dhe nënqeshja, ironia dhe nënkuptimi, ose shpotia e gërshetuar me seriozitetin.
Humori jo aq i tekstit, sesa i nëntekstit.
Këtë të dytin e ndesh ndonjëherë te kolona e E. Tupes, në Panorama; por vetëm rastësisht, meqë Tupja ka vendosur të thyejë tabu të tjera dhe ka vite që rreh një kalë praktikisht të ngordhur.
Por Tupja, të paktën, është aq i rafinuar sa të të japë një ide se si mund të kish qenë ky zhanër i humorit inteligjent, i cili në një botë ideale nuk duhet t’i mungojë asnjëherë komunikimit publik.
Tek-tuk, gjen shkëndija humori të mprehtë te Artan Lame e te Kiço Blushi; dhe pikërisht në pasazhet më të goditura e të frymëzuara të këtyre dy opinionistëve sot nga më të mirët.
Në kulturën shqiptare, humori e ka ende të vështirë të shkëputet nga skena e estradës, skeçi folklorik dhe dialektor, Portokallija, ulërima dhe banaliteti, xha Brahoja dhe xha Vangjoja.
Si pa dashur, ka pllakosur kjo psikozë se gjërat e rëndësishme, çështjet me peshë për autorin dhe lexuesin, argumentet e thella dhe filozofike, mund të shërbehen vetëm me vetulla të ngrysura, profesorale, autoritare.
Paradoksalisht, sa më qesharake të jenë çështjet për të cilat flitet, aq më shumë i dëgjon zërat e protagonistëve të trashen. Podiumi i së përditshmes publike është katandisur skena e një opere ku këndojnë vetëm basë – jo ndonjë eksperiencë dëgjimi për t’u lakmuar.
Ndonjëherë të duket sikur tonet e ligjërimit publik, veçanërisht në debatet, kanë gjetur si emërues të përbashkët shprehjen ”nuk lejoj njeri të tallet me nënën time,” e cila vërtet i referohet një talljeje të supozuar, por tallja ndonjëherë është e kundërta e humorit; dhe shprehja vetë ka të bëjë më shumë me Kanunin dhe dorën në alltí, sesa me buzëqeshjen e mendjes.
Jo se tradita e humorit në kulturë dhe komunikim na mungon, përkundrazi. Mjaft të përmend autorë si Qamil Buxheli dhe Pëllumb Kulla, por edhe Dritero Agollin e Zylos së madh, që na kanë treguar, në vite, se si mund të bëhet art dhe filozofi me të qeshurën. Por edhe jashtë zhanrit, një vepër e lumtur si Kronikë në gur, e Kadaresë, i ka dhuruar lexuesit atë lloj humori të vetvetishëm, që vjen me hilaritet dhe nuk të lëshon më, derisa të shndërrohet në entuziazëm për një lexim të bukur.
Në mediat, humori për të cilin e kam fjalën është shenjë e mençurisë dhe e shëndetit mendor të autorit; por edhe përkujtesë për t’i mbajtur gjithnjë gati gjilpërat, në këtë botë tollumbacesh shumëngjyrëshe.
Që të shijohet, megjithatë, ky humor ka nevojë për pak qetësi – ose pikërisht për çfarë i mungon komunikimit publik sot, ku njerëzit më shumë se flasin, i recitojnë publikut poema epike si ato të Fishtës, ose shahen mes tyre si gra të liga (kështu zakonisht në Parlament).
Çfarë të shqetëson më tej, është se edhe lexuesit që komenton po i topitet shqisa e humorit; herë ngaqë e merr shumë seriozisht atë që shkruan, e më shpesh ngaqë e merr shumë seriozisht veten.
Kufiri mes dinjitetit dhe fryrjes së puplave është çështje shijeje, edukimi dhe… humori.
Çuditërisht, vetë imazhi i kësaj bote të populluar me kaposhë të bën të vësh buzën në gaz, se është antidot ngushëllues, për kapardisjet toksike.
|
23,270 | https://peizazhe.com/2016/08/10/shqiperia_40_miliarde/ | null | 2016-08-10T16:35:17 | SHQIPËRIA 40 MILIARDË | Sheiku Abdu-Salam Bin Nizam Maghub Tusheflika i ka ofruar qeverisë dhe popullit shqiptar të blejë Shqipërinë për 40 miliardë dollarë. Me premtimin se ai mund ta qeverisë më mirë këtë vend, ai i ka propozuar qeverisë një koncesion qeverisës prej 100 vjetësh.
Qeveria e Shqipërisë e ka shqyrtuar propozimin e Sheik Abdu-Salamit dhe po përgatit ndryshimet e duhura kushtetuese për mbledhjen e radhës së parlamentit. Partitë opozitare kanë kërkuar që koncesioni të miratohet vetëm me referendum. Kështu që fill pas ndryshimeve të duhura kushtetuese shqiptarët do të votojnë për referendumin e parë të këtij lloji.
Meqë kushtet e koncesionit dhe kontrata e synuar nuk janë publikuar për të ruajtur sekretin e biznesit, qytetarët do të votojnë vetëm në parim, pro ose kundër dhënies me koncesion të Shqipërisë. Sidoqoftë, qeveria ka bërë transparente disa përfitime që shqiptarët do të kenë nga ky koncesion.
Sheiku Abdu-Salam do të jetë shtetasi i vetëm në Shqipëri, e cila do të ruajë vendin e saj në organizmat ndërkombëtare dhe strukturën e organizimit politik të vendit. Ai do të zgjedhë i vetëm Bordin e Menaxhimit, ose Këshillin e Ministrave, dhe administratën që do të qeverisë Shqipërinë, që do të regjistrohet edhe si “Salam & Albania Co.”
Të gjithë qytetarët e tjerë do të paguhen nga $113,234.02 për të hequr dorë nga shtetësia e tyre, si dhe do të jenë aksionarë pa të drejta të “Salam & Albania Co.”
Shtetasit që do të largohen me vullnet e lirë do t’u paguhen biletat e avionit për vendin pritës, si edhe do të kenë liri hyrje-daljeje në Salam & Albania Co. për një periudhë 5 vjeçare.
Të moshuarit që nuk do të mund të largohen për shkaqe të ndryshme do të përfitojnë një pension mujor, me të cilën do të paguajnë qëndrimin e tyre në kampet e pensionistëve për një periudhë 5 vjeçare në ishullin e Sazanit. Eutanazia dhe kostot e varrimit do të merren përsipër nga Salam & Albania Co.
Vetëm 110 000 shtetas nga shtetasit e sotëm të Shqipërisë kanë të drejtë të punësohen në kompaninë Salam & Albania Co. dhe të jetojnë në vendbanimet e tyre aktuale, por me shtetësi të posaçme të Republikës së Burundit. Për administrimin e aplikimeve “Salam & Albania Co.” do të angazhojë kompaninë e saj të punësimit “Salam Working & Fostering”, ish-Ministria e Punës.
Nëpunësit aktual të administratës gëzojnë prioritet për punësimin në administratën e koncesionarit.
Ministritë e tjera do të emërtohen sipas funksioneve të tyre: Ministria e Arsimit do të pagëzohet me “Salam Education”; ajo e transportit do të quhet “Salam Transport & Travel”; Ministria e Bujqësisë do të emërtohet në “Agro-Salam & Production”; Ministria e Rendit në “Salam Protection” dhe Ministria e Financës dhe Ekonomisë do të shkrihen në “Salam Insertion & Friction.”
Nuk dihen ende masat që do të merren ndaj shtetasve që do të refuzojnë largimin nga Salam & Albania Co. dhe procedurat e çshtetëzimit të tyre.
Sheiku Abdu-Salam ka kërkuar largimin e menjëhershëm të klasës politike për të mos ndikuar në procesin e referendumit. Anëtarët e partive të përfaqësuara në parlament do të përfitojnë një shtesë prej $30,000 përveç shumës bazë. Shuma e përfitimit për deputetët nuk është publikuar.
Subjekti i vetëm politik që e ka kundërshtuar këtë koncesion është Partia Ekologjike. Ajo kundërshton shifrën e ofruar dhe kushtin për shpërblimin financiar të anëtarëve të partive në parlament. Ajo kërkon që të gjithë anëtarët e partive politike, pavarësisht prezencës së tyre në parlament, madje edhe ata anëtarë që janë në dy ose më shumë parti, të marrin bonuset përkatëse sipas përfaqësimit të tyre. Kjo, sipas kryetarit të tyre, Shingjin Nderske, është e drejtë, pasi në zgjedhjet e ardhshme ata mund të hynin në parlament.
Mbi 90% e shqiptarëve do të votojnë pro referendumit, sqaron studiuesi Aruted Lashonjza duke iu referuar një sondazhi të IKA (Instituti Karpuzian i Anketave). Sidoqoftë, siç edhe shprehet studiuesi Flamur Llakipari, referendumi duhet të organizohet nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve ndërkombëtare, pasi besimi në infrastrukturën zgjedhore është shumë i ulët sipas anketave të shoqatës së z. Llakipari. Ky propozim mbi mbikëqyrjen është kundërshtuar fuqishëm nga partia më e madhe opozitare, PD, për arsye se nuk respekton sovranitetin e institucioneve shqiptare.
Gazetarët tanë zbarkuan në terren dhe pyetën disa prej “të intervistuarve profesionistë” se ç’mendonin mbi referendumin dhe ku dëshironin të zhvendoseshin. Këta nuk janë kalimtarë të zakonshëm por profesionistë nga anketat dhe intervistat e shumta që kanë dhënë. Ata gjenden kryesisht në qendër të Tiranës pikërisht për intervista të tilla nga gazetat dhe televizionet e ndryshme në vend. Disa prej këtyre profesionistëve me opinione të forta kanë blogjet e tyre ose prezencë të ndjeshme në Facebook e rrjete të tjera sociale, dhe shërbejnë si termometër i gjallë i opinionit publik në vend.
Qytetari 1: “Tirana është bërë lëmsh. Nuk piqet njeriu me njeriun. Nuk ka asnjë pikë reference. Më parë lije takim tek pallati i Ismail Kadaresë apo shtëpia e Berishës. Tani e dimë se ku banon Edi Rama, por Surreli nuk mund të jetë pikë reference. Prandaj unë them të jepet me koncesion. Për dreq edhe Skënderbeun na e hoqën, që kur i vunë parkingun nën këmbët e kalit kam dëgjuar ti thonë “Humnera”. Sa të marrë paratë e më prit o Kubë, me ose pa Fidel Kastron.”
Qytetari 2: “Jam dakord të jepet me koncesion. Këta dështuan në qeverisjen e Shqipërisë. Vre veç se ç’kanë bërë me pensionin tim. Më dhanë 1.5% rritje dhe më morën 1230 lekë me rritjen e taksës së gjelbërimit dhe të televizorit. Tani më refuzojnë rimbursimin. Ja ku i kam letrat në xhep. Vëreji pak se kam harruar syzet! Po ku të ikësh? Si ta lë pensionin? Më kanë thënë se andej nga Republika Domenikane mund të blejë shtetësi për $8,000, të tjerat më dalin për të ngrysur jetën.”
Qytetari 3: “Shqipëria nuk bëhet. Ëndërroi Samiu. Apo ishte Abdyli. Nuk ka rëndësi. Makth u bë. Historia e shqiptarit është histori braktisjeje. Ne veç kemi ikur. E kemi pjellë. Tani le të ikim të gjithë e të pillemi gjëkundi tjetër. Për më mirë o Zot i madh. Veç larg këtyre. Unë do të iki në ishujt Fixhi. Gruan dhe fëmijët i kam nisur.”
Qytetari 4: “Tre vjet pa punë. I kam dhënë emër kësaj bordure, ku kam 4 vjet që ulem përditë. Por shpresa vdes e fundit. Kam besim tek Abdu-Salami. Por që tani kanë filluar allishverishet me shpërblimin që jep Abdu-Salami. Kërkojnë $12,000 të marrësh paratë e tua more vëlla. Ku ti gjejmë? Nuk i kemi marrë akoma, e këta politikanët e qelbur të fusin në duart në xhep. Sekserët vëlla, sekserët e hëngrën këtë vend. Ah Abdu-Salam ç’na bëre! Po them të shpërngulem në Venezuela. Me dashnoren, se gruan do e lë këtu. Shyqyr që erdhi kjo ditë!”
Qytetari 5: “Kam filluar të mbledh plaçkat. Aq sa kam. Më kanë ngelur nja dy divane të mamasë. I kam kujtim. Të 1978. Dhe një komo, se e harrova. I kam marrë me vete kudo kam lëvizur, nga Skrapari këtu në Tiranë. Një postiqe do e lë. Por besoj se ato para të na dalin për të filluar një jetë më të mirë në Kazakistan. I bëj thirrje Abdu-Salamit që të na i japë paratë vetë, dorazi, me firmë. Nuk bëhet me këta që janë.”
Qytetari 6: “Shyqyr! Këtu vetëm grindemi. Nga mëngjesi në darkë. Grindem me gruan. Sherr me motrën. Desh u therëm më vëllain. U rraha dje me komshiun. Para një muaji theva nofullën. Sot mezi po shoh nga syri i majtë. Nuk po di nga vete. Po më vjen Tirana vërdallë nga dhembja. E ja tani, sikur ta kish hedhur Perëndia me gjyle, vjen edhe ky sihariq. Do t’i marr ato para e nga sytë e këmbët. Nuk e sheh më Mitron këtu sikur edhe me flori t’ia shtrosh. Rrofsh e qofsh o Abdu-Salam! Ku do të vete? Po ç‘të duhet ty ku do vete? Pse pyet? Ç’dreqin do? Ik or çun m’ler rehat në hallin tim!”
Opinioni qytetar është tepër pozitiv. Stafi ynë i gazetës gjithashtu uron që ky koncesion të përfundojë me sukses, edhe pse së shpejti do të ndahemi nga kolegët për të filluar një jetë më të mire në mërgim.
|
45,234 | https://peizazhe.com/2023/11/05/nje-freng-ne-nekropol/ | null | 2023-11-05T10:01:58 | NJË FRËNG NË NEKROPOL | Gjatë viteve që shërbeu si konsulli i Francës në Shkodër, baroni Jules Alexandre Théodore Degrand ndërmori, mes shumë udhëtimesh në trojet shqiptare, edhe një ekskursion në kalanë e Dalmacës, afër fshatit Koman të Pukës, në vitin 1892, të cilin e ka përshkruar pastaj në librin e vet Souvenirs de la Haute-Albanie (Paris 1901).[1] Gjatë këtij ekskursioni a ekspedite, Degrand-i gërmoi në një pllajë ku shtrihej një nekropol misterioz, i cili më pas do të njihej në arkeologji me emrin “varrezat e Komanit”.[2]
Për këtë “zbulim” të Degrand-it është folur dhe shkruar mjaftueshëm, nga historianë, arkeologë dhe biografë të atij diplomati. Synimi im këtu është të komentoj kryesisht rreth kapitullit përkatës të kujtimeve të tij, për të nxjerrë në pah disa karakteristika të qasjeve “albanologjike” të atyre kohëve; por gjithnjë pa e prekur temën e kulturës së Komanit si të tillë dhe diskutimet rreth natyrës së saj.
Zona ku u kuturis Degrand-i ishte e thellë, e komplikuar për t’u arritur dhe tejet e varfër (nuk kam ndeshur ndonjëherë në ekskursionet e mia ndonjë fis më të mjerë, shkruan ai). Megjithatë, konsulli e kish dëgjuar tashmë nga vendësit, se vendi aty quhej “montagne des sépulchres” (mali i varreve), çfarë lë të kuptohet se vendësit e dinin që aty kishte varre, të cilat varre do të bëheshin – me gjasë – edhe synimi i ekspeditës së tij. Dhe, në fakt, pas disa peripecish të pritshme, konsulli dhe grupi shoqërues arrijnë te kjo montagne des sépulchres, ku varret janë kaq të shumta, sa gati prekin njëri-tjetrin; madje, thotë Degrand, edhe ishin ndërtuar njëri mbi tjetrin. Disa prej varreve përmbanin dy, tre madje edhe pesë të vdekur.
Varret që hapi Degrand-i (me të vetët) nuk i kishin hapur ndonjëherë më parë dhe përmbanin zbukurime bronzi. Të vdekurit, shkruan ai, duhet t’i kishin varrosur me stolitë dhe veshjet e tyre, sepse ndonjëherë fragmentet e pëlhurës përshkoheshin nga gjilpërat e fibulave. Kishte vathë, gjerdanë dhe byzylykë. Konsulli arrin të “heqë mënjanë” dy kafka pak a shumë të plota, të cilat përfunduan pastaj në një muze antropologjik të Parisit, ku edhe i matën.
Në gërmim e sipër, ia beh në varrezë një plakë zhelane, me pamje shtrige: duke tundur kërrabën, ajo u drejtohet zhvarrosësve me të shara e mallkime, duke i qortuar që ua kishin prishur qetësinë të vdekurve. Por punëtorët nuk duan t’ia dinë për këto mallkime: “Edhe ty, o plakushe, i thanë, do të të zhvarrosim një ditë.” Këtu Degrand-i i kërkon priftit shoqërues që t’i shpjegojë plakës se personat e varrosur kishin qenë paganë, prandaj nuk kish arsye të pezmatohej ashtu: ashtu edhe e ftojnë plakën të asistonte gjatë një hapjeje varri, për të parë se aty nuk gjenden as kryq, as rruzare, dhe ajo sikur bindet, para se të kthehet andej nga erdhi.
Vjen ora e drekës, punëtorët ulen të hanë, dhe konsulli u ofron një kuti sardelesh – por vendësit sardeleve u vlerësojnë veç vajin, të cilin e përdorin për të vajosur armët. Rrëfehen histori të dhimbshme gjaku dhe gjakmarrjeje, derisa njëri prej punëtorëve ngrihet në këmbë dhe vihet të “lexojë” një shpatull qengji, përballë diellit – për t’ia parashikuar të ardhmen të zotit të kafshës së therur.
Pas rrëmimesh e gërmimesh të tjera, Degrand-i shkruan se arriti të grumbullojë një inventar të shënueshëm objektesh me vlerë, të cilat pastaj do t’ia ofrojë Muzeut Kombëtar të Saint-Germain en Laye afër Parisit, mes të cilave rrathë qafe dhe gjerdanë prej bronzi, perla prej qelqi të ngjyrosur, byzylykë prej bronzi, vathë prej bronzi dhe argjendi dhe armë të ndryshme si sëpata dhe thika prej hekuri. Aty thuhet se i gjen të ekspozuara edhe sot, në sallën e “Arkeologjisë së Krahasuar”, te një kënd me mbishkrimin “Albanie”.
Është momenti edhe për hipoteza dhe interpretime: cilit popull i përkisnin këto gjëra? Cilat ishin doket e këtyre njerëzve, zakonet dhe feja; nga kishin ardhur?
Degrand-it i tërheq vëmendjen një imazh i punuar trashë i Merkurit, në një unazë. Por nuk gjeta, thotë ai, asnjë mbeturinë qeramike, asnjë gjë prej balte të pjekur, asnjë monedhë në varret që u hapën në praninë time; dhe malësorët më siguruan se edhe ata vetë, në varret që hapnin herë pas here me shpresën se do të ndeshnin në ndonjë thesar ose send me vlerë, nuk kishin gjetur të tilla.
Edhe pse numri i madh i këtyre varreve dhe rregullsia e tyre nuk na lënë që t’ia atribuojmë ndonjë populli endacak ose në kalim e sipër, vazhdon Degrand-i, unë nuk arrita të gjej asnjë shenjë vendbanimi në afërsi, me përjashtim të fragmentit të një rruge të shtruar me gurë, e cila sipas malësorëve ishte rruga e vjetër që të çonte në “kala”.[3]
Konsulli, që beson se e ka një farë ekspertize arkeologjike, shkruan se stolitë prej bronzi në varret duken si të prodhuara lokalisht, por ato prej argjendi dhe sidomos perlat dhe cilindrat e gjerdanëve janë të një finese që bie ndesh me ornamentimin primitiv dhe trashaman të së parave. Të vinin vallë nga një trevë tjetër? T’i kishin sjellë banorët me vete, kur kishin imigruar? Edhe rrallësia e sendeve prej hekuri është, gjykon ai, shenjë e lashtësisë.
Mos vallë, spekulon Degrand-i, kemi të bëjmë me mbetjet e një imigrimi pellazgjik, siç duket ta tregojë mungesa e mbishkrimeve dhe e monedhave? Ai krahason me disa varre të tjera që ka hapur në Samothrakë dhe përfytyron si pellazgët misteriozë, të dëbuar nga Greqia, dhe ndoshta stërgjyshër të shqiptarëve, kishin ardhur në këto anë, për t’u strehuar në malet.[4]
Një detaj, thotë ai, që nuk e lë dot jashtë dhe që duket se konfirmon opinionin se shqiptarët janë pasardhës në mos të pellazgëve, të paktën të atyre që prehen në këto varre, është afria deri në njëjtësi me veshjet e grave malësore dhe sidomos të grave lokale, dhe me stolitë prej bakri që këto ende mbajnë në brez dhe që shiten lirisht në pazarin e Shkodrës – edhe pse këto të sotmet janë prej “bakri të verdhë” (tunxhi), jo prej bronzi.[5]
Degrand-i largohet nga nekropoli me bindjen se kjo punë tani duhet vazhduar, dhe se duhet kërkuar për varre të tjera, në mënyrë që të gjurmohet kjo popullsi, gjatë shtegtimit të saj; ndoshta ka pasur të tjera, në pllajë, që janë prishur prej kërkuesve të thesareve; dhe se varret që ai “zbuloi” ia detyrojnë, ruajtjen e tyre, izolimit të tyre, distancës nga rrugët e komunikimit dhe vështirësisë për t’i arritur.
Çfarë ndodhi pikërisht gjatë kësaj ekspedite? Një amator, edhe në arkeologji edhe në histori, futet të gërmojë një numër pabesueshëm të madh varresh antike brenda një dite, pa qenë në gjendje të gjykojë se çfarë po trazon dhe pse; dhe sidomos pa e kuptuar se ashtu, në vend që të ndihmojë për të shkruar historinë e atyre anëve, është vënë të shkatërrojë monumente arkeologjike dhe historike të paçmuara, duke shkaktuar dëme të pallogaritshme (p.sh. duke shpërfillur stratigrafinë). Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, ai i plaçkit varret, merr që andej eshtra, objekte zbukurimi, armë dhe sende të tjera, për t’i çuar në Francë dhe për t’i ekspozuar atje në një muze.
Te Neritan Ceka[6] lexoj se pak vjet më pas nekropolin e vizitoi arkeologu gjerman P. Treger, i cili hulumtoi disa nga varret e hapura nga fshatarët dhe gërmoi katër varre të paprekura – por ky ishte specialist i mirëfilltë dhe me të drejtë i identifikoi objektet dhe kulturën si të antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme (siç konsiderohen edhe sot).[7] Më pas, për objektet e gjetura në varret shkruan konsulli austriak në Shkodër Theodor Ippen dhe Franz Nopcsa, dhe pastaj edhe Luigi Ugolini.
Nuk duhet të paragjykojmë dhe ta akuzojmë Degrand-in për plaçkitje: përvetësimi prej tij e sendeve dhe eshtrave nga varreza, për t’i çuar në Francë, ishte normale për kohën; aq më tepër që Perandoria Osmane nuk është se tregonte ndonjë interes për arkeologjinë e trojeve të saj në Ballkan.[8] Por gjithnjë mund të dyshojmë për seriozitetin e tij si kërkues, sa kohë që u ngut për të hapur me dhjetëra varre brenda një dite, duke u sjellë edhe ai – në thelb – si kërkuesit vulgarë të thesareve. Ose të paktën ta qortojmë për mendjelehtësi.
Qartazi, nekropoli i Dalmacës njihej prej vendësve, të cilët kishin rrëmuar aty, për thesare dhe sende të tjera të vyera, ndoshta edhe me nxitjen dhe bekimin e klerikëve të zonës. Tek e fundit, një pjesë e objekteve të varreve, që përshkroi Ippen-i në 1907, vinin “nga koleksioni i fretërve jezuitë, por edhe nga gërmimet klandestine të vendësve” (Ceka). Atje ku ne sot, me ndjeshmëritë e sotme, do të shihnim dhunim dhe përvetësim, bashkëkohësit e konsujve të Shkodrës mbase do të shihnin përpjekjet për të çuar përpara njohjen historike, në bashkëlidhje me dëshirën për t’i shpëtuar këto objekte nga asgjësimi dhe humbja. Të mos harrojmë se ishte koha kur në fshatrat anembanë trojeve shqiptare – dhe jo vetëm – ende shkriheshin për gëlqere dhe përdoreshin për ndërtime shtëpish gurët e rrënojave të qyteteve dhe vendbanimeve të mbijetuara nga lashtësia: helene, latine, ilire dhe kushedi ç’tjetër. Vendësit nuk u jepnin dot kuptim këtyre rrënojave, që nxirrnin kokën aty-këtu mes ferrave, shkurrishtave dhe pyjeve, pa i përkitur tamam “kësaj” bote; ndërsa të huajt merrnin ç’mundeshin, jo doemos për plaçkë; dhe linin pas vetëm çfarë nuk transportohej dot.
Incidenti me plakën dëshmon, nga ana tjetër, se varret e lashta i ka ruajtur edhe një faktor i papritur: supersticioni, sa kohë që vendësit kishin frikë t’ua prishnin të vdekurve qetësinë. Degrand-i mundohet të qetësojë, me argumentin se të varrosurit aty ishin paganë, meqë në varret mungonin sendet tipike të inventarit të krishterë, si kryqet dhe rruzaret. Megjithatë, Ceka vëren se “popullsia që krijoi varrezën e Kalasë së Dalmacës ishte e krishterë”, siç e dëshmon gjetja e unazave me mbishkrimin e lutjes drejtuar Krishtit. Por konsulli francez edhe një herë tregon se nuk ishte personi i duhur, për t’u marrë me zhbirime të tilla delikate.
Gjetiu në libër, Degrand-i përmend besimin popullor se thesaret e fshehura në dhé ose në rrënojat e kishave të shumta që ndesh në Shqipëri ruhen nga bisha me sy të përndezur, që dalin prej gropave të hapura prej kërkuesve – mjerë ata që gërmojnë, nëse nuk kanë ndonjë prift me vete… Thesaret e groposura mund t’i pikasësh nga “sonoriteti” i trojeve ku fshihen ose me marifete të tjera magjike; ndonjëherë vetëm pasardhësit e atyre që e kanë futur thesarin në dhe mund t’i gjejnë pa u rrezikuar; edhe pse duhet megjithatë të sakrifikojnë një kafshë, mu te vendi ku kanë ndërmend të gërmojnë.
Edhe myslimanët, edhe të krishterët, shkruan konsulli, megjithë kërcënimet e mbinatyrshme të cilave besojnë se po u ekspozohen dhe ndëshkimet e mundshme nga autoritetet, merren pa pushim me hulumtime të tilla, që i kryejnë zakonisht natën, me Hënë të plotë. Në çdo rast, varret e vjetra dhe të reja janë gjithnjë në marrëdhënie plotësuese me gërmimin e dheut për thesare – ku vlerën e arit dhe të argjendit dikur tashmë e zëvendëson ose të paktën e shton vlera arkeologjike. Për një popull që jeton i kapur në horizontalitetin e kulturës gojore, groposja dhe vertikaliteti i gërmimit janë kompensimi i një të kaluare të pasur, edhe pse tashmë në dukje të shndërruar në supersticion.[9]
Mënyrën si i trajtoi Degrand-i varret në Koman do ta kuptojmë më mirë, në kontekstin e përshtypjeve që një mendje si e tija kërkonte dhe merrte gjatë vizitave dhe ekskursioneve në brendatokën shqiptare. Ashtu mbase ishte edhe syri i tij kurioz, prej arkeologu (gërmuesi) amator, që e bënte të interesohej veçanërisht pas realiteteve të fshehura, të groposura, misterioze, edhe si metaforë për historinë e një populli që, për arsye politike, kish qenë shtrënguar ta varroste të shkuarën e vet para-osmane. Ashtu, gjatë një vizite në rrënojat e Sardës së lashtë (Shurdhahu), tashmë në një zonë të shkretë në mos të braktisur, ai vëren vragat e hidhura të një katastrofe kulturore dhe demografike. Kudo dheu i zhveshur është i mbjellë me varre, shkruan ai, disa prej tyre mjaft të vona: vdekja e ka marrë jetën në dorë… Pasi humbën, jo pa lavdi, kombësinë dhe lirinë e tyre… shqiptarët më duket se preferojnë varrezat e tyre të lashta ndaj atyre më të vonave; ashtu edhe protestojnë, në mënyrën e tyre.[10]
Rrënojat dhe varret shndërrohen në dëshmi të rrjedhës së kohës, në një vend dhe kulturë që – me pak përjashtime – nuk e njeh historinë e shkruar. Misteri i nekropolit të Komanit, edhe për Degrand-in, nuk është pa lidhje edhe me të tashmen ciklike të oralitetit, ku e gjejnë vizitorët të përfshirë popullsinë vendëse. Rrëfimet për gjaqe, vrasje dhe kundër-vrasje, krahas riteve folk-fetare dhe festave popullore, pikturojnë një tablo statike, ku – të themi – vrasja rituale e djeshme mund të jetë teknikisht shkaku i vrasjes rituale të sotme, por jo edhe detyrimisht më e vjetër. Perëndimori që takohet me shqiptarët e shekullit XIX sjell me vete obsesionin romantik me të shkuarën, zakonisht heroike dhe të lavdishme; aq sa shpesh ndërveprimi i tij me realitetin mikpritës reduktohet në një hulumtim të detyruar për mbijetoja të së vjetrës. Ta kuptosh një vend të tillë, sipas këtij vizitori antropolog amator, do të thotë t’ia zhvarrosësh të kaluarën që fsheh në dhé. Për këtë arsye, gërmimet e Degrand-it në Koman më duken emblematike, për krejt misionin kulturor që ky i kishte vënë vetes; sikurse më duken dëshmi të qasjes së tij po aq katastrofike, sa edhe ajo e historisë së kontinentit, ndaj shqiptarëve.
Nuk kam pse të dyshoj për “qëllimet e mira” të atyre gërmimeve, por kjo nuk ma ndryshon gjë bindjen se Degrand-i, me gjithë disa instinkte të spikatura arkeologjike që kishte, iu përvesh nëntokës lokale me zellin jo të një dijetari, por të një kërkuesi thesaresh; paçka se me siguri nuk synonte të pasurohej me gjetjet e mundshme. Nga ana tjetër, siç do të merret me mend, dëmet e zhvarrimit masiv të dhjetëra varreve të lashta, brenda një dite, do të kenë qenë të pallogaritshme, madje edhe po të vlerësohen me sytë e dijes profesioniste të kohës.
(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Libri është përkthyer në shqip (dhe botuar nga Plejad në 2019), por unë këtu e më poshtë po i referohem origjinalit, i cili është në domenin publik dhe mund të gjendet lirisht online.
[2] Këto shënime të miat nuk synojnë ndonjë vlerësim, madje as të pjesshëm, të hulumtimeve antropologjike dhe kulturore të konsullit Degrand në trojet shqiptare – këtë e kanë bërë të tjerë, përfshi Luan Ramën, autor i një biografie të diplomatit frëng; sikurse nuk synon të parashtrojë ndonjë analizë kulturore-kritike të rolit që luajti syri i udhëtarit Perëndimor në ngjizjen në mos të albanologjisë gjatë shekullit XIX, të paktën të sfondit të saj kulturor dhe sociologjik.
[3] Siç e treguan gërmimet e mëtejshme në zonë, konsulli frëng thjesht dështoi në përpjekjet e veta amatoriale për arkeologji fushore (të improvizuar).
[4] Që në kapitullin e parë të librit, Degrand-i pyet: “Të jenë shqiptarët vërtet pellazgë, të kësaj race që Homeri e cilëson si hyjnore; pellazgë që kanë mbetur deri në ditët tona të papërzier, që i kanë ruajtur të paprekura gjuhën dhe shumicën e zakoneve të tyre, siç thonë ata pak shkrimtarë modernë që i kanë studiuar? Jemi ende të ngecur në nivelin e supozimeve… thotë ai. Kjo përmendje gati “falas” e pellazgëve nga një autor që tregohet i matur në fluturimet e veta parahistorike më lexohet më shumë si një performativ, i kujt dëshiron ta kornizojë rrëfimin e vet brenda klisheve historiografike të kohës.
[5] Me intuitë të spikatur, Degrand-i e dallon ngjashmërinë mes këtyre objekteve dhe të tjerave të gjetura në Bosnjë.
[6] Neritan Ceka, Ilirët, Migjeni Tiranë 2005, kapitulli XIV “Nga ilirët te shqiptarët”, f. 325 e vazhdim.
[7] Edhe Treger-i bëri adetin dhe i çoi pastaj disa nga objektet e gjetura në Gjermani.
[8] Megjithëse ka një pasazh në libër, kur Degrand-i përshkruan rrënojat e njohura me emrin “kalaja e Gajtanit” (château de Gaëtani) dhe që atij i duken si mbetje muresh pellazgjike, ai flet për monedhat e shumta të lashta që gjenden atje, prej të cilave disa edhe ia kanë dhuruar (sjellë); dy ose tri ditë pune do të mjaftonin ndoshta për të nxjerrë në dritë ndonjë dokumentim dëshmues, por kjo është e pamundshme; autoritetet perandorake, shkruan ai, nuk do ta lejonin. Mjerë ai që dyshohet se ka gërmuar dheun ose edhe që thjesht ka marrë ndonjë gjë që ia ka dhuruar dheu; do të burgoset si hajdut dhe ndonjëherë edhe dëbohet; ato që gjen do të përfundojnë misteriozisht te argjendarët për t’u shkrirë sakaq, po të jenë sende ari apo argjendi; nëse sendi në fjalë është vështirë të fshihet, do ta shkatërrojnë ose do ta groposin sërish (f. 104).
[9] Diçka të ngjashme do të bënin edhe albanologët gjuhëtarë të kohës, të cilët do të “gërmonin” në leksikun e shqipes, për të gjetur aty gjurmë të lashtësisë së groposur.
[10] Te N. Ceka lexoj se këto varreza, të ngjashme me ato të Dalmacës (Komanit) janë gërmuar nga D. Komata; i përkasin fazës më të hershme të kështjellës së Sardës, të themeluar në shekujt VIII-IX (vep. cit. f. 331).
|
36,606 | https://peizazhe.com/2020/10/07/shkrimi-i-gjyshes/ | null | 2020-10-07T16:38:46 | SHKRIMI I GJYSHES | Vera Molnár Lettres de ma mère, 1987 Plotter and hand drawing, ink on paper Courtesy of Artspace
Eni Bendo kish postuar në FB një pamje të vizatimit Lettres de ma mère, nga Vera Molnár (1987), një artiste frënge me origjinë hungareze. Titulli i veprës më tingëllon dykuptimsh: “letrat e nënës sime” por edhe “shkronjat e nënës sime.” U përpoqa t’i përjetoj të dyja kuptimet të mbivendosura, si notat në një akord.
Më gozhdoi ky vizatim – sepse më kujtoi menjëherë gjyshen time; më kujtoi shkrimin e gjyshes sime. Nuk di të kem marrë ndonjëherë letër prej saj, nuk di çfarë mund të ketë shkruar ajo në letra, por format e dhëmbëzuara të shkrimit në ekran më sollën gjyshen vetë fare pranë.
Ka një këmbëngulje gati obtuze te “shkronjat” e nënës së Molnár-it, një avancim përpara si prej vemjeje, një ngadalësi gërvishtëse, një refuzim për ta hequr penën nga letra, për të bërë një pauzë – prej frikës se mos vdekja ia beh dhe ta ndërpret mendimin më dysh. Ka një dyndje të lehtë nga e majta në të djathtë, një lloj trysnie që e shtyp buzën e djathtë të tekstit, ku edhe strokat vertikale sikur fillojnë të rriten, një lloj gati refuzimi për ta mbaruar rreshtin dhe për të kaluar tek tjetri, të thuash se u merren mendtë përballë abisit.
Mendova: të gjitha të moshuarat shkruajnë njëlloj.
Këtë lloj arti vizual abstrakt e kanë quajtur shkrim asemik (asemic writing) – shkrimi i reduktuar në gjest, i distiluar në koreografinë e majës shkruese, por që megjithatë e ruan krenarisht identitetin e vet si praktikë e dorës. Teksti i shkruar nuk thotë asgjë, por përcjell – lakuriq – imazhin e atij që shkruan.
Henri Michaux, Narration (an excerpt) by Henri Michaux 1972
Grafologët e “lexojnë” shkrimin për të shkuar jo te përmbajtja (semantika) por te njeriu që shkruan: gjurmën e penës në letër e interpretojnë si një EKG të mendjes. Ndryshe nga semantika, që është gjithnjë e kthyer për nga jashtë (outward), forma e të shkruarit është e kthyer përbrenda (inward). Grafologët shohin tek kjo formë edhe një manifestim të trupit jetues, të reflektuar tek energjia e strokës, hapësirat mes fjalëve, gjatësitë e bishtave, masa e disiplinimit ndaj akseve të kontrollit (drejtvizimi), precizioni.
Shkrimi asemik niset nga kjo premisë, për të eksploruar përmasën jo-figurative të “gjurmës”, ngjashëm me të kënduarit me fjalë pa kuptim[1], që pastaj zgjon një lloj tjetër kuptimi, duke e çliruar mendjen pritëse nga kushtëzimet e kodit gjuhësor.
Ose edhe më mirë, ngjashëm me personalitetin që përcjell zëri i dikujt, i zhveshur nga fjala.
Në shtëpi, në Tiranë, ende i ruajmë fletoret e tim eti, disa që nga vitet 1960 – ku mbante rregullisht shënime, për librat dhe artikujt shkencorë që lexonte. Më qëllon që i hap ndonjëherë. Se çfarë është shkruar atje, ndonjëherë edhe drejtpërdrejt në gjuhë të huaj, nuk më intereson – protokolle të diagnozës dhe të mjekimit, tashmë me siguri të kapërcyera.
Por shkrimi është prania magjike e tim eti, më fort edhe se pamja e tij në fotografitë. Nuk kam nevojë të interpretoj asgjë, për të përjetuar – nëpërmjet shkrimit – fizikalitetin e tij, lëvizjet pak angulare, disiplinimin pas vijave të drejta, forcën e shpërpjesëtuar me të cilën e shtypte penën në letër, vullnetin për të vënë me çdo kusht rregull në kaos.
Grafologu, që nuk jam, më kthen te babai.
A mund ta (ri)përjetosh dikë nëpërmjet shkrimit, duke e hequr mendjen nga çfarë ka shkruar? Këtë lloj gjimnastike e kanë quajtur piknolepsi, sipas një intuicioni të Paul Virilio-s: “gjendje epileptike e vetëdijes e përftuar nga shpejtësia, ose më mirë, vetëdija e shpikur nga subjekti përmes mungesës së saj: zbrazëtitë, hapësirat midis, defektet dhe “gungat” e shpejtësisë.”
Një përkufizim më i mirë do të ishte: këmbimi i pandërprerë midis momenteve minimale të vetëdijes dhe vdekjeve po aq minimale të pavetëdijes…
Me gjasë, kjo hap edhe një shteg përmes të cilit kalon personaliteti i tjetrit, për të t’u shfaqur i plotë, por gjithnjë në periferi të fushëpamjes.
Siç më ndodhi me veprën me Molnár-it: m’u përhi gjyshja, tashmë prej 25 vjetësh e vdekur, që pa e kuptuar unë mirë se po më vinte e koduar në “valët” e gjurmës shkrimore asemike.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Shkrimit asemik do t’i afrohej – stricto sensu – të kënduarit me “fonema” që nuk janë fonema; sa kohë që vepra të tilla artisti nuk kombinon shkronja në fjalë pa kuptim, por vetëm monton pjesë shkronjash në imazhe pseudo-shkronjore.
|
10,011 | https://peizazhe.com/2012/04/04/superturku/ | null | 2012-04-05T02:40:22 | SUPERTURKU | Në vijim të temës – të debatit – që hapi Doani, po shtoj disa përsiatje që nuk kanë doemos natyrë historike, por lidhen më tepër me përjetimin e seksualitetit të Tjetrit, në rrethanat e pushtimit/sundimit, siç ka qenë rasti i marrëdhënieve të arbërve/shqiptarëve me osmanët.
Duke filluar nga feja; meqë marrëdhëniet e seksualitetit me fenë përthyhen gjithnjë në rregulla me natyrë vendimtare, në mos fare konstitutive të rendit shoqëror, në nivelet mikro dhe makro.
Nuk hyj dot në hollësitë e trajtimit që i bëhet seksualitetit nga Krishterimi ose Islami, meqë nuk e kam përgatitjen e nevojshme; por më duket me interes të madh të vërej se, ndërsa Krishti, si profet i Krishterimit, është pothuajse i deseksualizuar në qenien e vet, Muhameti, si profet i Islamit, na përvijohet si jashtëzakonisht seksual.
Nëse Krishtit nuk i njihet asnjë lloj marrëdhënieje mishtore, së paku nga Krishterimi i kodifikuar, Muhameti në jetën e vet është martuar shumë herë.
Edhe pse krahasimi mes dy profetëve kërkon kujdes të madh, megjithatë në rrafshin seksual nuk është vështirë të gjendet aty kundërvënia mes abstinencës dhe bollëkut seksual, refuzimit dhe pranimit.
Ironikisht, e njëjta kundërvënie ka vijuar më pas, duke u shprehur, këtë radhë, në kontrastin midis monasticizmit të krishterë, ose abstinencës seksuale të vullnetshme nga të dy sekset, dhe eunukëve të Lindjes Osmane; ku kastrimi në njërin krah ishte bërë nëpërmjet sublimimit, ndërsa në anën tjetër nëpërmjet thikës së xherahut hebre.
Me seksualitetin e kulturës islamike lidhet edhe poligamia; një lloj familjeje të cilën ne, produkte të kulturës monogamike, priremi ta konceptojmë si një lloj orgjie të ligjëruar; por që në të vërtetë ka të bëjë më shumë me konceptimin e gruas si qenie të papërsosur. Në këtë trajtë, poligaminë e pranon dhe përligj deri edhe Shën Agustini.
Megjithatë, një efekt jo shumë anësor i poligamisë është dobësimi i konceptit të çiftit – burrë e grua – si bërthamë të familjes.
Nëse ndër myslimanët shqiptarë poligamia mbeti më shumë përjashtim, kuriozitet, ose dukuri e shtresës më të lartë, kjo mund të lidhet me shumë tradita dhe kushtëzime; por unë do të përmendja veçanërisht traditën e krishterë, e cila e konsideronte monogaminë si të vetmen formë të moralshme martese.
Siç mund të merret me mend, nga pikëpamja e një shoqërie ku familja orientohet ndaj monogamisë, poligamia do të shihet si një lloj degradimi moral ose skllavërie.
Nga ana tjetër, njihet dhe është përshkruar mirë fakti që, për shumë shqiptarë në tranzicion midis Krishterimit dhe Islamit, ose në zona ku presioni për të ndërruar fenë ka qenë relativisht i lartë, kanë qenë burrat ata që janë konvertuar, ndërsa gratë e kanë mbajtur fenë e mëparshme.
Këtë e kam cekur në një shkrim të mëparshëm që mund të lexohet edhe këtu në blog; ku edhe kam vënë në dukje se, për shqiptarët, Islami është paraqitur shpesh si fe mashkullore, e identitetit publik dhe e marrëdhënieve me shtetin; ndërsa Krishterimi ka mbetur fe femërore, e votrës, e familjes, dhe – në radhë të parë – e gruas.
Nëse është kështu, atëherë shumë gra do t’i kenë rezistuar praktikës së poligamisë, për arsye edhe thjesht fetare; në një kohë që për burrat e tyre, të konvertuar përnjimend ose veç për sy e faqe, poligamia nuk është se ka qenë e detyrueshme nga ndonjë pikëpamje.
Paul Trouillebert (1874) - Servante du harem
Dhe, sërish, nëse është kështu, atëherë praktikat seksuale të osmanëve myslimanë, ose të paktën të atyre osmanëve myslimanë (turq) që binin në kontakt me popullsinë vendëse shqiptare, do të dukeshin si të papranueshme, të degraduara, të papastra – sa kohë që vinte në vështrim poligamia.
E gjithë kjo, pa e marrë fare në vështrim haremin.
Le të kujtojmë, më në fund, edhe se osmanët iu prezantuan arbërve si pushtues; çka do të thotë se kontakti i parë ka qenë me ushtarin osman, mashkull me përkufizim. Një ushtri pushtuese është edhe një masë meshkujsh seksualisht të privuar, por jashtëzakonisht grykës – të cilët do t’i shuajnë epshet e tyre me femrat, ndonjëherë edhe meshkujt, e popullit të mundur.
Edhe më pas, sado që studime për këtë kam përshtypjen se mungojnë, osmanët etnikisht joshqiptarë (turq, ndoshta boshnjakë e shumë pak arabë a persianë), që kanë vepruar në trojet etnike shqiptare, kanë qenë mbizotërimisht meshkuj; sikurse mund të shpjegohet me statusin e këtyre trojeve brenda Perandorisë, por edhe me vetë rolin e paktë publik të gruas në shoqërinë osmane. Pa u zgjatur në këtë pikë, dua vetëm të vërej se osmanët joshqiptarë u janë paraqitur shqiptarëve kryesisht, në mos ekskluzivisht, si meshkuj, çka e ka deformuar imazhin që kemi krijuar, për seksualitetin e tyre.
Natyrisht, i njëjti imazh ka lulëzuar edhe në Perëndim deri vonë; dhe pikërisht ai i “turkut” barkderr të rrethuar nga nimfa të haremit (rigorozisht flokëverdha), djem të rinj mustaqepadirsur, të rrëmbyer me forcë prej familjeve të tyre dhe eunukë të pështirë e dinakë. Mungon, në këtë imazh, figura e gruas osmane – pa çka se të tilla, me logjikë, do të ketë pasur, madje edhe në shtretërit e epshit.
|
28,408 | https://peizazhe.com/2018/03/22/provokacija-ii/ | null | 2018-03-22T08:44:41 | PROVOKACIJA (II) | Debati për (zh)veshjen e një moderatoreje të një emisioni televiziv për sportin, më kujtoi sakaq një pikturë të njohur të Édouard Manet-së, Le déjeuner sur l’herbe (1863), e cila i skandalizoi publikun e kohës. Dhe jo aq ngaqë aty paraqitej një nudo femërore – tek e fundit, galeritë dhe muzetë e artit europian ishin të mbushura me piktura dhe skulptura gjithfarë trupash lakuriq; sa për pranëvënien, aq të shpenguar, të dy burrave të veshur normalisht dhe të një gruaje që rrobat i ka hequr krejt.
Për kuptimin dhe domethënien e kësaj vepre është diskutuar shumë. Për momentin, le të vë në dukje se, si në rastin e moderatores në TV, që del gjysmë e zhveshur në kontekstin tradicionalisht mashkullor të gazetarisë sportive, ashtu edhe në rastin e vajzës lakuriqe në pikturën e Monet-së, imazhi “skandal” është i rrethuar me kornizë, ose i shënjuar si i një hapësire të ndryshme nga jona.
Korniza i përket pikturës nga njëra anë dhe caqeve anësore të ekranit televiziv nga ana tjetër; dhe të dy herët lajmëron një kufi, një demarkacion midis vendit ku tabuja vepron – dhe që do të ishte bota e publikut; dhe vendit ku tabuja ka pushuar së vepruari, që do të ishte bota brenda kornizës.
Në fakt, kultura si jona, por jo vetëm, gjithnjë i shoqërojnë ose i zbutin tabutë me përjashtime, të cilat përkufizojnë kushtet se ku, kur dhe si mund të shkelet tabuja. Përjashtimet mund të jenë hapësinore, p.sh. plazhi ku kushdo mund të dalë gjysmëlakuriq në sy të së tjerëve ose salla e vallëzimit në Shqipërinë e viteve 1980, ku një djalë dhe një vajzë mund të lëvizin të përqafuar me njëri-tjetrin, edhe pse jashtë sallës as për dore nuk do të kapeshin dot; kohore a kalendarike, p.sh. karnavalet, kur përkohësisht pezullohen hierarkitë sociale (ose, më herët, saturnalet); sociale, p.sh. kur njerëzve të një race ose të një statusi të caktuar – të themi ciganë ose skllevër – u lejohet tradicionalisht të shkelin tabunë (çengitë, në Shqipërinë osmane).
Sot në Shqipëri duket sikur televizioni dhe krejt show business-i është kthyer në një hapësirë të tillë të pezullimit të tabusë, për synime kryesisht komerciale. Në kuptimin që një vajzë mund edhe të zhvishet në ekran për të promovuar të drejtat e gruas ose për të protestuar opresionin politik, por në analizë të fundit edhe kjo zhveshje do të shitet. Çfarë veç tërthorazi lidhet me faktin tjetër që, mjedise të hiper-kontrolluara dhe të hiper-kodifikuara, si një mbrëmje gala ose një spektakël skenik, e përkufizojnë veten edhe duke luajtur me vijën e demarkacionit mes veshjes dhe lëkurës femërore; dhe ku protagonistEve u jepet mundësia të tregojnë shije, të mirë ose të keqe. Evente të tilla sociale, që përcillen gjerësisht në mediat, kanë shumëçka të përbashkët me karnavalet, sepse e mbështetin joshjen e tyre te ky pezullim i butë i tabuve.
Sa për statusin social të protagonistEve të eventeve të këtilla argëtuese, përfshi këtu edhe moderatoret e Digitalbit dhe “velinat” e tjera që mbushin ekranet e televizioneve komerciale në Shqipëri, është për t’u vërejtur se ato i shoqëron gjithnjë përjashtimi i përkohshëm nga normat e sjelljes në publik, si kusht për funksionimin e rolit të tyre skenik; përjashtim që është po aq konvencional sa edhe tabuja përkatëse dhe hyn në marrëdhënie simbiotike me të.
Në diskutimin që shoqëroi shkrimin tim “Provokacija” u tha, mes të tjerash, se sot në Tiranë po konsolidohet figura profesionale e “vajzës televizive”, e cila ofron praninë e vet gjysmë të zhveshur në ekran si të ishte ornament i emisionit, ose shenjë e një hapësire ku publiku ftohet të ndihet më i shpenguar dhe më “i çliruar nga komplekset”. E kotë të shtoj që, të rrethuara nga korniza e ekranit ose pjesë e një bote të arritshme vetëm përmes syve, këta trupa të zhveshur kryesisht shënjojnë atë që teoricienët e filmit e kanë quajtur male gaze, ose vështrimin mashkullor.
Për t’u kthyer tani te piktura e Manet-së, me të cilën e hapëm këtë shkrim: mes shumë kontributeve të tjera, ajo lajmëroi, në mënyrën e vet, fatin e trupit lakuriq të gruas, në modernitet, duke e shkëputur trupin nga aura klasike ose klasiciste, e artit të deriatëhershëm, për ta vënë në kontrast jo më me publikun relativisht bigot të galerive të artit, por drejtpërdrejt me konsumatorët e këtij trupi në pikturë; duke e joshur publikun të identifikohej me personazhet “borgjeze” të ulura në bar dhe pastaj të skandalizohej me absurditetin e këtij kombinimi. Stilemat skenike të televizionit komercial sot nuk e kanë këtë synim; gjithnjë shpresoj që ta kenë këtë efekt.
© 2018, Peizazhe të fjalës
|
258 | https://peizazhe.com/2007/10/24/njerezit-atje/ | null | 2007-10-25T01:09:57 | NJERËZIT ATJE | Të thonë: njerëzit atje janë shumë larg këtyre gjërave që të shqetësojnë ty. Nuk kanë drita as ujë, janë të sëmurë e nuk gjejnë dot spital ku të vdesin as parcelë në varreza ku të treten, kanë frikë për fëmijët që po u dalin duarsh, e mbajnë të ndezur ëndrrën për të ikur, jetojnë me sot me nesër, mësohen me varfërinë, urrejnë fqinjin.
Të thonë: njerëzit atje veç duan të fitojnë para e të mburren me njëri-tjetrin për veturat, dashnoret, kravatat, orët e dorës, vilat-kështjella, syzet e diellit, racat e qenve që u kanë dhuruar grave, hotelet në Dubai ku i kalojnë pushimet, kazinotë ku humbin paratë, kazinotë e tjera ku i fitojnë, miqtë e fuqishëm, llogaritë rrjedhëse në bankat e Zurich-ut e të ishujve Caiman.
Të thonë: njerëzit atje e kanë mendjen te Çiljeta dhe Bleona, tek automobilizmi, tek telenovelat, te futbolli spanjoll dhe rap-i prishtinali, dasmat dhe ziafetet, seksi në ndonjë hotel të heshtur, night club-et e diskot, kërpi pas darke, çizmet në vetrinën e dyqanit, një kuturisje qejfi në Turqi ose në Dubrovnik.
Të thonë: njerëzit atje spekulojnë me shtëpitë që blejnë e që shesin, korruptojnë doganierë e ministra, merren me trafiqe, u del gjumi natën për maunet që u kanë mbetur rrugës, nuk lexojnë as libra as gazeta, e kalojnë kohën kafeneve, e vrasin kohën kafeneve, merren me Salën e me Edin, kërkojnë e qëmtojnë pronat, studiojnë tapitë e vjetra e të reja…
Ndoshta vërtet ashtu, por unë e kisha fjalën për qytetarët: specie e rrallë, e kërcënuar me zhdukje, e pafavorizuar nga rrethanat; që mbijeton më mirë në parqet zoologjike imagjinare të mass mediave e të shoqërisë civile, qoftë edhe thjesht si kukull animatronike, figurë karnevaleske, ose shifër e ftohtë analize erudite në gazetë ose traktati sociologjik botuar me fonde fondacionesh fondamentale.
Ose më mirë, e kisha fjalën për atë pakicë e cila ende luan rol aktiv në fatet e Shqipërisë, për mirë ose për keq; meqë pavarësisht nga shijet dhe bëmat dhe mitet dhe kredot e njerëzve atje, është gjithnjë një pakicë që mbetet në kontroll të sendeve e që e sheh rrezikun te pakica tjetër, derisa u vjen radha të ndërrojnë vendet me ose pa dhunë, sipas vendit dhe kuvendit.
Ose edhe më mirë akoma: e kisha fjalën për atë pakicë në të cilën bashkëjetojnë idealizmi dhe maskarallëku total; meqë pushteti, ose shërbimi publik, është një nga ato llampa që tërheq gjithfarë mizash e fluturash – shfrytëzues dinakë, murgj, prostituta, vizionarë, vampirë, hakmarrës, sociopatë, entuziastë, njerëz që duan të shpëtojnë shpirtin, njerëz që duan të shpëtojnë të tjerët, njerëz që i thërret detyra, njerëz që mendojnë për të djeshmen, njerëz që mendojnë për të nesërmen.
Duam apo nuk duam ne që bëjmë sehir nga majët e pemëve, këta janë elita që vendos – teksa të tjerët, njerëzit atje, pa e prishur terezinë vazhdojnë me picat, cicat, çengitë, pantoflat, lavazhet e veturave dhe vizitat e paralajmëruara në floktore.
Këtu vjen në vështrim edhe shqetësimi im për keqpërdorjen e atdhetarizmit ose deformimin ose edhe karikaturizimin e patriotizmit në kitsch patriotik, duke u kushtuar vëmendje të shpërpjesëtuar mënyrës si na shohin të huajt. Unë shqetësohem sepse njerëzit që flasin sot për nevojën e një rilindjeje kombëtare e që, shpesh, marrin pozita mbrojtëse në debatet për kitsch-in patriotik, janë në të vërtetë pakica më qytetare mes pakicave, ose elita më qytetare mes elitave.
S’më bëhet vonë për derrat e kënaqun; as dua e kam ngé të hyj në debat me spekulatorët e pallateve, arkitektët e vilave, grosistët e gjeneratorëve, xhambazët e votave, tregtarët e xhamave të dritareve, bosët e hotelerisë e të motelerisë, kryedoganierët, biografët e mafiozëve, rrobaqepëset e miss-eve dhe teknikët e aparaturave të përgjimit.
Atij takëmi njerëzish nuk u mbërrin sinjali im; as ka pse t’u mbërrijë.
Por dua dhe përpiqem ta mbaj një kanal të hapur me të tjerët, që u ka ngecur lundra midis Skilës së konsumerizmit global dhe Kharibdit të idiotizmit provincial e të segmentimit krahinor e fetar; ose të gjithë ata që ende kanë shpresë te qytetaria shqiptare.
Sa për njerëzit atje…
|
40,810 | https://peizazhe.com/2022/04/21/mendime-te-pakrehura-lxxvi-2/ | null | 2022-04-21T08:02:09 | MENDIME TË PAKREHURA (LXXVII) | (nga Stanislaw Lec*)
Kufijtë e mendimit? Kërkoji në hartë.
Çfarë ua ka deformuar fytyrat? Fjalët e mëdha.
E keqja, edhe ajo, na don veç të mirën.
Po e torturonin. Kërkonin tek ai mendimet e tyre.
Njerëzit sa vjen e bëhen më të mëdhenj, do ta kenë të vështirë të fshihen.
Sa pavdekësi i kanë ngritur me jetët e të tjerëve!
Mashtrohu kolektivisht!
Edhe më i sheshti i njerëzve ka, për fat të keq, tre përmasa.
Ngopemi me mangësitë e të tjerëve.
Këndon në një kor, por vetëm pasazhet solo.
Thellësinë mund ta matësh duke e qëlluar me gur.
Të provokojmë intelektin, jo intelektualët.
Përsosmëria nuk mund të arrihet? E megjithatë, ka ca që e shkatërrojnë.
Ndonjëherë, heshtjen duhet ta shoqërosh me lirë.
Vështirë të besosh se shpifja ekzistonte që para se të shpikej shtypshkrimi.
Edhe antisemitët mund t’i dallosh nga hunda: nuhatin ku të munden.
Çdo regjim përfundon në ancien régime.
Ata që i tremben së vërtetës lakuriq, e rrjepin të gjallë.
Ja edhe një i opozitës. I ngre dollitë me gotën të shtrënguar në grusht.
Jam i bindur se, atë që ka lindur nën një yll të pafavorshëm, do të vijë dita që të arrijnë ta çojnë atje.
Rruga e virtytit është e rrezikshme. Ministria e Transportit bën sikur nuk e vë re trafikun në dy drejtime.
Luajti kartën e fundit. Tani është tejet i rrezikshëm, se i ka duart të lira.
O njerëz që ju kanë zhveshur lakuriq, cili prej jush do të fillojë të na dëfrejë me strip-tease?
Nga hartat janë zhdukur njollat e bardha, por janë shfaqur njollat e gjakut.
Sa ka të tillë që, për të soditur kërthizën, pranojnë që të përkulin qafën?
Ndiqte rrymën. Por e bënte duke notuar me kokën të fshehur në ujë.
Ka epoka kur njerëzit gënjejnë edhe kur flasin në gjumë.
(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).
|
33,634 | https://peizazhe.com/2020/01/18/the-dibraman/ | null | 2020-01-18T16:28:22 | THE DIBRAMAN | Filmi më i fundit i M. Scorcese, transmetuar në Netflix, mendova se do të ishte i fundit, para pensionit, sikur edhe aktorët që nxitojnë tanimë për atëbotë. Por lexova se njërin film e ka në prodhim, e tjetrin në kokë. Zoti i dhëntë ymër Scorcese-s. Irishman hyn kaq dinakërisht në mikrokozmosin e krimit të organizuar, sa nga poshtë duket shumë qartë se ç’ngjet aty sipër.
Siper parakalojnë: zgjedhja e Kenedit me ndihmën e organizatave mafioze e sindikatave që kishin lidhje me babanë e tij, instrumentalizimi i mafias për vrasje politike (Wormwood – E. Morris, Netflix), përpjekjet e Robert F. Kennedy për të pastruar makinerinë elektorale nga ndikimet mafioze, vrasja e presidentit etj. Se çfarë ndodh poshtë, shihni filmin. Dhuna e atyre poshtë, edhe pse mund të kërcejë ndonjëherë për të vendosur balancat sipër, i drejtohet përjashtimisht atyre poshtë (shih edhe Gangsters of New Yorks). (Shtresëzimi hapësinor, social apo gjenetik në këto filmat idiot distopik më duket aspak bindës: Divergent, Maze Runner, The Hunger Games etj.)
Filmi dhe historia e sindikalistit të lidhur me Mafien, Jimmy Hoffa, që përbën bazën e rrëfimit, ndihmon të kuptohet se çfarë po ndodh sot në industrinë minerare në Shqipëri: konfliktin ndërmjet sindikatave, sindikatave me pronarët, korrupsionin në sistemin gjyqësor, në sindikatat e në shoqërinë civile, turbokapitalizmi dhe lidhjet e tij me organizatat kriminale.
Me pak fjalë, historia që ka nisur në Bulqizë është: Organizata Politike, një organizatë joqeveritare radikale e majtë, që ka ndihmuar në themelimin e një sindikate të re (SMBB) më përfaqësuese për minatorët, ka nisur një konflikt me sindikatat e vjetra në Bulqizë dhe pronarin e kompanisë Albchrome, Samir Mane. Shkaku është largimi nga puna i disa minatorëve që kishin pranuar të organizoheshin në sindikatën e re. Inspektorati i Punës (ISHPSHSH) e ka parë të arsyeshme largimin e minatorëve dhe për pasojë sindikata e re ka gjasa të dobësohet. (Sami Curri në Reporter.al e ka mbuluar mjaftueshëm këtë konflikt.)
Nevoja për një sindikatë të re, për shkak të mungesës së përfaqësimit dhe aksidenteve të vazhdueshme në minierat e Bulqizës, nxjerr në pah problemet e ngjashme që kanë kaluar minatorët në vende e histori të tjera. P.sh. me ndodhitë gjatë Luftërave të Qymyrit në SHBA në vitet 1920, ku u vranë mbi 100 vetë në konfliktin ndërmjet sindikalistëve dhe grevëthyesve të mbështetur nga administrata e minierave. Ngjarja filloi kur administratorët e minierave që kishin korruptuar policinë, qeverisjen vendore, gjykatat dhe funksionin si organizata kriminale, u përleshën me armë me një grup minatorësh të armatosur. Pa hyrë në hollësi, me ndërhyrjen e qeverisë federale, minatorët e humbën davanë dhe u shpërndanë.
Por përveç konfliktit klasik ndërmjet minatorëve dhe korporatave të mbështetura nga strukturat shtetërore, unë mendoj se organizatat kriminale kanë infiltruar sindikatat, edhe pse një pjesë e tyre kontrollohen nga partitë politike dhe financohen kryesisht nga organizatat ndërkombëtare joqeveritare. Unë nuk di që lidhja e krimit të organizuar me sindikatat të jetë studiuar në Shqipëri.
Quajtur në anglisht „labor racketeering“ (Jacobs, 2006)[1], për disa kjo është një dukuri tipike amerikane. Qëmtuar edhe atje ndoshta jo mjaftueshëm, në SHBA ka një histori të gjatë të ndikimit mafioz mbi veprimtarinë e sindikatave. Disa prej veprimtarive janë gjobëvënia ndaj punëdhënësve duke i kërcënuar me greva, apo të tjera veprimtari ndërprerëse e sabotuese; mitmarrja; vjedhja e grabitja; vrasja e rrahja; zjarrvënia; krime financiare si krijimi i monopoleve e asgjësimi i konkurrencës etj. Këto organizata kanë qenë më së shumti të pranishme në sektorin e shërbimeve (shërbimet sanitare, të transportit, gastronomi etj.). Jacobs i referohet L. Adamic, sllovenit me prirje të majta jugosllave, i cili në librin e tij Dinamiti: Historia e Dhunës së Klasave në Amerikë (1931) hedh tezën, se përballë dhunës së pronarëve e kapitalistëve, punëtoria ishte e detyruar të krijonte aleancë me krimin e organizuar. Gangsterizmi, përkthyer këtu lirisht nga Adamic, „ishte një faktor i rëndësishëm në fillimet e luftës së klasave, fillimisht në anën e kapitalistëve e më vonë në anën e punëtorëve; dhe kjo histori është e lidhur ngushtë me historinë e punëtorisë së organizuar“. Dikujt mund ti kujtohet që komunistët e parë, Stalini, veç të kaluarës së tij, apo edhe Lenini, nuk u tutën nga përdorimi i kriminelëve për të mbushur arkën e partisë. Deri në vitet 80, krimi i organizuar e kishte ngulfatur dhe njollosur sindikalizmin në Amerikë. Në kurriz të punëtorëve mafiozët vendosnin interesat personale në radhë të parë dhe më pas të punëdhënësve. Ndërsa përpjekjet për ti çliruar organizimet e punëtorëve nga ndikimi dhe elementët mafiozë rezultuan të suksesshme vetëm kur sistemi gjyqësor federal u aktivizua seriozisht për zhdukjen e tyre (ligji special RICO – Racketeer Influenced and Corrupt Organizations Act).
Kromi ka qenë një mallkim për Bulqizën prej kur filloi të shfrytëzohej, dhe po kështu zonat e tjera ku ka industri nxjerrëse. Unë mendoj se vdekshmëria në këtë zonë ka qenë më e lartë edhe në periudhën e socializmit. A. Gjonça (2001)[2], që ka publikuar një libër mbi zhvillimin demografik të asaj kohe dhe mbështet tezën se populli ishte i mirëushqyer, jo nga bollëku, por nga dieta e shëndetshme, nuk merret me vdekjet në vendin e punës. Por statistikat tregojnë se vdekshmëria më e lartë ka qenë në zonat me miniera: Tropojë, Dibër, Librazhd dhe Pogradec. Ndryshe nuk ka si të shpjegohet, që ndër zonat me vdekshmëri më të lartë të të rriturve janë kryesisht ato veriore, dhe nga jugu vetëm Librazhdi dhe Pogradeci. Tezën e tij Gjonça e vërteton nga një krahasim i Shqipërisë me vendet përreth, duke mos u marrë shumë me dallimet rajonale në Shqipëri sa i përket të ushqyerit. Po të vërehen burimet e kromit në Shqipëri, harta përkon pikërisht me rrethet ku vdekshmëria ndër të rriturit është edhe më e lartë (shih hartën e vdekshmërisë për 1000 banorë).
Shpërndarja e burimeve të kromit në Shqipëri. Burimi: METE 2011.
Pas ndryshimit të regjimit, edhe me krimin e organizuar në lojë, miniera ka vazhduar të varrosë njërëz. Nga përllogaritjet e mia, prej 2012 deri në 2018, Dibra shënon numrin më të madh të vdekjeve nga aksidentet në vendet e punës për 1000 banorë. Në shifra absolute është thuajse sa Fieri, Elbasani dhe Shkodra, edhe pse popullsinë e ka shumë më të vogël (sipas INSTAT, në 2018 nuk ka të vdekur nga aksidentet në punë).
Një reportazh interesant për kromin e Bulqizën ka Sokol Çobo (Reporter.al, 28.05.2016). Fillimisht minierën më të madhe në Bulqizë, ndër 117 leje që janë dhënë për shfrytëzim (2016, nga totali në vend prej 264 lejesh), e ka pasur një koncesion Italian (2001, DARFO Albania). Në vitin 2009, licenca e kësaj miniere i kalon Albanian Chrome, kaluar korporatës mëmë Balfin. Një oficer policie citohet në reportazhin e Çobos, se disa prej galerive shfrytëzoheshin nga individë të dënuar apo të dyshuar për krime të rënda. Reportazhi evidenton përplasje me armë ndërmjet pesë-gjashtë fiseve, grabitje me armë të kromit, vrasje e plagosje, dhe lidhje me politikën dhe policinë lokale.
Në disa raportime të BIRN për gjykatës të korruptuar që nuk kanë kaluar Vetingun, janë vënë re se rastet e aksidenteve në punë janë mbyllur pa hetime të plota, ku kryesisht janë fajësuar minatorët (p.sh. është larguar nga sistemi i drejtësisë drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, H. Vata; gjykatësi A. Jangulli nga Gjykata Administrative e Shkodrës, mbiemri i të cilit figuron edhe si i një prej fiseve në konfliktet e kromit). Por veç një sinteze të gjithë kësaj katrahure, në këtë analizë mungon edhe roli i sindikatave.
Studiuesit e gazetarët lipset të analizojnë edhe veprimtarinë e sindikatave, e jo vetëm të industrisë së minerareve. E këtu duhet pak fantazi që të kujtosh se pikërisht përpara se Albanian Chrome të merrte koncensionin në vitin 2009, pati disa greva punëtorësh të drejtuara nga F. Xibri., ish-kryetari i sindikatës së minatorëve dhe aktualisht punonjës në administratën qendrore (në konflikt me kryetarin e konfederatës, sa edhe u zu me grushta në emision televiziv me të). Grevistët mbështeteshin edhe në grevat e 2008 nga disa personazhe të shoqërisë civile dhe opozita; sot dy syresh di që janë të punësuar në qeveri dhe Partia Socialiste deklaron se sindikatat nuk janë faktor. Andaj ftoj që Organizata Politike të mbështetet, se për herë të parë, veç kompanive private, goditen edhe sindikatat që janë bërë palë në aleancat kundër interesave të punëtorëve.
[1] JACOBS, J. B. (2006). Mobsters, unions and feds: the Mafia and the American labor movement. [New York, N.Y.], [John Jay College of Criminal Justice].
[2] GJONÇA, A. (2001). Communism, health and lifestyle: the paradox of mortality transition in Albania, 1950-1990. Westport, Conn, Greenwood Press.
|
39,048 | https://peizazhe.com/2021/08/25/enveri-lexon-celine-in/ | null | 2021-08-25T10:45:21 | ENVERI LEXON CÉLINE-IN | U habita (por pastaj e kuptova se nuk duhej të isha habitur) kur mësova, duke lexuar fragmente kujtimesh të Vedat Kokonës, se Enver Hoxha i ri, mësues në Liceun Francez të Korçës, e kalonte kohën duke lexuar Voyage au bout de la nuit, te Louis-Ferdinand Céline-it. U habita jo në kuptimin “më thuaj çfarë lexon të të them se cili je”, por për sa pak ende dimë, rreth rrënjëve intelektuale të një njeriu që e sundoi Shqipërinë për 40 vjet.
Rrënjë intelektuale ka kushdo që dëshiron madje kërkon ta trajtojnë si intelektual. Mjaft të marrësh lëvizjet e mëdha të viteve 1960 në Shqipëri – nga “emancipimi i gruas”, te “revolucionarizimi i shkollës (trekëndëshi punë-mësim-edukim fizik & ushtarak”), dhe më tej te mbyllja e institucioneve fetare, kolektivizimi i plotë i bujqësisë… Këto e kanë pasur të gjitha një bazë intelektuale, janë mbështetur në një doktrinë, në një filozofi; vërtet një pjesë u kopjuan prej sovjetikëve e ndonjë gjë edhe prej kinezëve, por një pjesë tjetër ishin origjinale të Hoxhës dhe të vetëve. Do të shtoja se, në rastin specifik të Hoxhës, poza e tij intelektuale mund të ketë qenë më qesharake se fibra e tij intelektuale. Hiqej si marksist (leninist, stalinist, etj.) por mbeti deri në fund mikroborgjez konvencional fashist, virtualisht i dalë nga sallonet mbretërore provinciale të Zogut. Historiografia shqiptare ende s’e ka realizuar këtë, çfarë tregon se enverizmi është ende gjallë dhe nuk lejon që të bjerë drita në vende të mbetura në errësirë.
Voyage au bout de la nuit të Céline-it e kanë cilësuar roman ku urrejtja pikturohet si karakteristikë e vetvetishme e njeriut, ose efekt i pandërmjetëm i marrëdhënies së individit me botën dhe me Tjetrin. Mbase edhe si pararendës të temave të njohura ekzistencialiste, të Sartre-it dhe të Camus-ë. Unë e kam lexuar romanin anglisht, por kam lexuar se frëngjishtja e Céline-it është gjykuar nga kritika si tipike për brezat e dëmtuar, që dolën nga Lufta I Botërore: një përzierje e thjeshtligjërimit, zhargonit dhe neologjizmave vernakulare. Hoxhën mësues në një vend ballkanik të prapambetur, që lexon Voyage-in e Céline-it pak vjet pas botimit, e shoh si rebelin në kërkim të një “kauze”, njeriun e mllefosur – nuk them dot të mbushur me urrejtje – për shkak të ambicies që nuk i realizohet dot. Çfarë mund të bënte me ambicien e vet, një mësues i frëngjishtes, në Mbretërinë e Zogut? Prandaj po dyshoj se romani – dhe temat që qarkullojnë atje – mund të ndihmojnë për të shpjeguar shndërrimin e Hoxhës nga dandy mikroborgjez gjysmë-parazit bon-vivant dhe qejfli në “revolucionarin” e viteve 1940. Siç mund të shpjegojnë atë tjerën, se autoritarizmi dhe diktatorializmi i tij i ardhshëm vjen më shumë nga Italia, fashizmi dhe fryma mussoliniane, se nga Lindja, Kominterni dhe Stalini. Céline-i do të shërbente kështu si hallka lidhëse, që e plotëson trajektoren e biografisë intelektuale.
Në çdo rast, motivet që e shtyjnë dikë të zgjedhë këtë apo atë libër për lexim, flasin shumë. Romani i Céline-it pat bërë shumë zhurmë në Francë fill pas botimit, prandaj Hoxha nuk është se shkoi dhe mori një libër çfarëdo, të parin që ia zuri dora, në librari. ish një libër ku, me gjasë, shkonte lexuesi me pritje të caktuara. Siç shkuan lexuesit në Shqipëri te Fifty Shades of Grey para ca vjetësh. Nuk besoj ta ketë blerë kush, këtë të fundit, sepse interesohej për chiaroscuro-t në fotot a në filmat bardhezi. Kështu edhe romani i Céline-it dikur. Kur ca libra përfundojnë në qendër të vëmendjes, zgjedhja e tyre për lexim shpesh është politike, madje edhe kur bëhet thjesht për vanitet, p.sh. për ta përdorur subjektin në biseda me seksin tjetër ose për t’u dukur në rrethin shoqëror. Sa më i famshëm libri, aq më gjasë ka që të përfundojë i përdorur nga lexuesi.
Në ditarët e vet, daljet në publik, bisedat e ndryshme dhe librat që ka shkruar, Hoxha përmend shpesh letërsi, zakonisht franceze, me të cilën është njohur që në kohën kur jetonte në Francë. Por Céline-in nuk më rezulton ta ketë përmendur gjëkundi. Siç kam dyshuar gjithnjë, librat që ai përmend, përfshi librat letrarë, janë pjesë e pozës së tij publike, projeksion i narcisizmit a efekt i ideal egos së tij. Dhe kjo heshtje e tij ndaj Céline-it mua më flet shumë. Sepse më tërheq vëmendjen ndaj heshtjes së diktatorit, ose pjesës së padukshme të mendjes së tij, ku veç Céline-it kushedi ç’tjetër ka pasur. Leximet e rinisë shquhen edhe ngaqë të formojnë kulturalisht; dhe nga Hoxha komunist i ardhshëm, do të pritej interes për, ç’të them, Romain Rolland-in ose Henry Barbusse-in… Céline është gjë tjetër. Hoxha flet rëndom për Rousseau-in, Diderot-in, Hugo-in, Balzac-un, i pëlqen të dalë në pazar si “ai lloj lexuesi”. Më pas i qëllon edhe të flasë për Sartre-in, për ta goditur. Kjo mbase i lidhet edhe me atë që Sartre-it, me siguri me vendim të diktatorit, iu refuzua miqësia me Shqipërinë! Hoxha kushedi kish frikë nga përballja me një filozof si Sartre-i… Në arkivat gjen edhe një letër që i pat shkruar dikur Betrand Russell-i (këtë ma ka sinjalizuar A. Shahini); por që me gjasë ka mbetur pa përgjigje. Sa për bibliotekën e tij, ajo – ashtu siç e kemi parë – është mirë të këqyret si një “selfie” intelektuale; dhe kjo është aq më e vërtetë, për bibliotekën që ia kemi parë të ekspozuar në muze, e cila do parë si një lloj instalacioni.
Që bagazhi intelektual i dukshëm i Hoxhës, nga Hegeli e Marksi te Hugo-i e Balzac-u, për të mos folur për Leninin e Stalinin, ka qenë në masë të madhe i rremë, ose pjesë e maskës me të cilën ai dilte në publik, kjo nuk duhet interpretuar si provë e “padijes” së tij, ose e “cektësisë” së tij intelektuale. Edhe argumenti se një diktator autor krimesh politike të përsëritura dhe burgosës i një populli të tërë nuk mund veçse të ketë qenë injorant, nuk qëndron; madje është argument injorantësh, që ngatërrojnë integritetin etik me kapacitetin mendor – të thuash se një njeri i ditur dhe i kënduar nuk e ka aftësinë për të kryer krime. Historia tregon të kundërtën: shembulli i komandantit nazist të një kampi të shfarosjes, që e kalon kohën e lirë duke recituar Goethe-n e duke luajtur Schubert-in me violinë është vërtet klishé, por që ende mund të sillet në vëmendje. Në fakt dija dhe erudicioni historikisht janë provuar të jenë shumë më malinje se padija.
Këtë lloj pseudo-argumenti, në literaturë, e gjen të përshkruar si rrejshmëria e “Hitlerit bojaxhi”; e cila manifestohet në këmbënguljen e disa historianëve dhe komentuesve për të theksuar, sa herë që preket tema përkatëse, se Hitleri mund ta ketë provuar vërtet dorën si piktor, por punët e tij kanë qenë shumë të këqia, madje të neveritshme; duke u mbështetur kjo në premisën se një artist i mirëfilltë nuk mund të jetë njëkohësisht edhe vrasës masiv, si Hitleri; ose e kundërta, që një kriminel i përmasave të Hitlerit nuk mund të ketë pasur talent artistik. E vetmja relevancë, e kësaj premise, është se po të kish shkëlqyer Hitleri si piktor, mbase do t’i ishte kushtuar artit dhe nuk do t’i kish hyrë politikës; por ky supozim mbetet sipërfaqësor. Edhe Lenini ishte shahist i zoti, Stalini poet i mirë, dhe Maoja gjithashtu poet i mirë; por këto dhunti nuk i penguan që të shfarosnin kundërshtarët e tyre pa mëshirë. Enveri tërë jetën e tij adulte e kaloi duke nanuritur ambicien që të bëhej shkrimtar i madh – edhe pse është e vështirë të thuash sa ia kanë shkruar të tjerët (ghost written) veprat e fundit me kujtime, që shfaqin pretendime artistike. Edhe këtu historiografia shqiptare s’e ka bërë dot punën e vet, sërish për faj të super-egos enveriste të historiografëve, përfshi këtu – dhe kjo ka rëndësi të theksohet – anti-enveristët.
Të flasësh për rrënjët intelektuale të enverizmit dhe t’i studiosh ato nuk është përpjekje për rehabilitimin moral të Enver Hoxhës, madje nuk është as përpjekje për rehabilitimin e tij intelektual. Përkundrazi, duke qenë enverizmi një doktrinë që i dha formën politikës së brendshme dhe të jashtme të regjimit totalitar në vend, nga 1945-a deri në 1990, analiza do të ndihmojë për të kuptuar më mirë se çfarë ndodhi me Shqipërinë dhe qytetarët e saj, gjatë atij gjysmë shekulli. Sikurse modeli i tij politik, Stalini, edhe Enveri e drejtonte sistemin totalitar duke u pozicionuar jashtë tij, në kuptimin që çdo vendim politik, çdo kthesë dhe ndërrim orientimi nuk gjeneroheshin brenda sistemit, por i imponoheshin arbitrarisht, nëpërmjet subjektivitetit të liderit total. Kjo e bën edhe më të rëndësishme njohjen me hollësi të rrënjëve intelektuale të Enverit, duke filluar me formimin e tij të hershëm, në Francë, për të cilin dihet dhe është shkruar shumë pak: çfarë ka lexuar, çfarë qarqesh dhe sallonesh ka frekuentuar, cilët ishin miqtë e tij dhe mikeshat – të gjitha këto të dhëna, të cilat në të gjallë të tij nuk bëhej fjalë të qarkullonin, sa kohë që nuk gjenin vend në narrativën fikse dhe mitike të “edukimit ideologjik” të udhëheqësit të ardhshëm. Informacioni për Voyage au bout de la nuit, që paska qenë libër i tij i preferuar, është vërtet një pjesë e vogël e asaj çfarë duhej të ish nxjerrë në dritë; por edhe në vetvete nxjerr në pah kontrastin mes pozës së mëpasme të Enverit politikan dhe mendimtar “marksist-leninist” dhe bagazhit që ky bartte me vete, që nga mosha e re; prandaj edhe, më shumë se fakt kritik, do parë si provë, se ç’mund të nxjerrin në dritë të dhëna të tilla në të ardhmen.
© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Pjesa e parë e kësaj eseje mbështetet në ndërhyrjet e mia te një diskutim në Facebook, që mund të ndiqet i tëri këtu. Në këtë kuptim, esenë nuk do ta kisha shkruar dot, pa kontributin e tërthortë të të gjithë atyre kolegëve që morën pjesë në diskutim.
|
20,165 | https://peizazhe.com/2015/12/31/nje-vit/ | null | 2016-01-01T04:59:10 | NJË VIT | Një vit është si një jetë: shumë i gjatë, sa nxë brenda kapërdredhjet më të çmendura të historive njerëzore, shumë i shkurtër, sa s’del për pemën që ti mbolle t’i shtrijë rrënjët sa do nën tokën që i takon.
Është aq i larmishëm një vit, sa ti – fëmijë që kurrë nuk do rritesh më shumë se rreth 10 dekada – mezi pret ta kalosh duke e festuar, e ta zëvendësosh hareshëm me tjetrin të ngjashëm me të, po aq eksitues edhe për ata që vuajnë dhe ata që kanë frikë. Në fakt, nuk të del jeta të familiarizohesh me dimensionin e kohës, sido që është më transparent dhe i kapshëm sesa ai i hapësirës. Rend, o mik, drejt një tjetër limiti që konvencionalisht kemi krijuar që të na duket sikur jetojmë shumë, sikur jetojmë intensivisht, sikur jetojmë! Ti po rend hareshëm, njëlloj si foshnja që sa ka mësuar të vrapojë, drejt mosqenies. Por rendja për ty, njerëzishëm dhe arsyeshëm, po aq sa paarsyeshëm, merr formën e amshimit. Ky vrap i vrullshëm drejt kohës, merr të gjitha format e imagjinueshme të haresë që sjell ngjarja për njeriun tokësor. Ti celebron nënndarjet pafund të kohës në copa e copa e copa që nuk shterrin: në vjet, ditë, orë, minuta mbushur me ngjarje; edhe në mos qofshin ngjarje që ti i kujton, çdo copë është një mitër potenciale që pjell ngjarje. Dhe ti i gëzohesh pikërisht potencialit, sepse hipnoza e këtij lloj të jetuari, është një lojë ku ti hyn me hare pa dalë kurrë.
Gëzimi vjen nga kjo pafundësi copash kohore, kujtimesh të mëdha e të vogla të vitit që kaloi, që, edhe kur të shëmtuara, koha vetë t’i zbukuron. Gëzimi vjen sidomos nga dëshira e marrë dhe që mban erë njeriu për të rinisur turrjen drejt copash të reja, ngjarjesh të reja të një ndarjeje iluzore të re kohore që ti vetë e ke emëruar me një numër të ri. Por ajo që ti përjeton në nivelin më intelektual që ka kuptim për qenien së cilës i takon, është se një vit të ka mësuar shumë, të ka konfirmuar ide, hedhur poshtë teori që kishe ngritur me mund, të ka bërë të lumtur si një re të bardhë e të ka zhgënjyer në honet e errëta të vetmisë, të ka këputur e përkëdhelur. Jeta është në gjërat e vogla, në shikimet që harrohen, në buzëqeshjet pa fund që të prodhon zemra e të reflekton syri, në lotë që thahen pa gjurmë, në fjalët e përditshme që lëvizin botën ku ti ke ndërtuar shtëpinë dhe mbajnë gjallë strehën me tërësinë e njerëzve që njeh e të njohin. Kësaj i gëzohesh këtë fundviti jete që të mbron e fsheh nga pafundësia dhe koha pa ndarje e pa copa që në fund të fundit është vdekja.
Në një vit ti ke parë e ç’nuk ke parë! Ke bërë e ç’nuk ke bërë! Dhe ke lënë pa bërë shumë më shumë sesa ke bërë! Prishjet e lëndimet i rëndojnë vitit më shumë se gjithçka: ato janë copa kohe që vdekja ia ka grabitur jetës sate në kohën kur ti ndiheshe parimor dhe i virtytshëm; i pakompromis!
Në një vit kupton që e do njëlloj dhe asnjë miligram më pak një shoqe me të cilën pate një diskutim të ashpër për çështje parimore, diskutim që e le të hapur me bindjen se nuk ia vlen më të vazhdohet; se çdo përpjekje që bëje për paqe i bëhej karburant shoqes sate, dhe rrezikonit së bashku të binit me shpejtësi, si në një rendje teposhtë ku inercia kontrollon arsyen dhe dëshirën. Ti ishe i bindur që mikesha jote fatkeqësisht e shihte veten si Zot të pagabueshëm; ato që thoshte tingëllonin slogane më fort se përfundime bazuar në ndodhi e kuptime të fjalësuara praktikisht. Ti gjen copa gazetash nëpër to, aq sa edhe principe të kalcifikuara që ia njeh asaj që kur ishit fëmijë. Punë e ngatërruar teksti! Ti je nxehur, je përpjekur të kuptosh çfarë nuk shkon, madje edhe e ke gjetur se shoqja jote ka kohë që ka një pozicion fuqie që e ka bërë të humbasë sensin kritik ndaj vetes, që e ka larguar nga toka, që e bën të këndojë predikime që, sa më të shpeshta janë, aq më shumë e përdëllejnë. Principet i janë ngurtësuar, ah i janë bërë kallkan, dogmë… Pastaj ndalon: ndoshta njëlloj siç të janë bërë edhe ty tamam tani që po e gjykon me këtë lloj bindjeje absolute? Dhe e di se viti i ri është në fakt kohë, më shumë kohë për të qenë më i mençur, për të parë më mirë brenda vetes, për simpati e empati, për të kuptuar e për të dashur.
Në një vit ti ke revolucionarizuar marrëdhënie të caktuara dhe je entuziazmuar me bukurinë e lidhjeve që për shumë vjet i kishe lënë të flinin se nuk i doje më të forta se aq. Por, po atë vit, ti merr po aq prova se kishe pasur të drejtë dikur më shumë se tani, dhe se duke e mbajtur larg e në gjumë, në fakt i kishe shpëtuar jetën lidhjes sate. Ti nuk e duron dot ndëshkimin e moralshëm psikologjik të përdorur si mekanizëm shpagues, dhe kur ndien se po ta drejtojnë si projektor që të të lejojë të shohësh gabimet e tua, i hedh në erë të gjitha bukuritë e lidhjet që mund të pjellin këtë lloj fëmije. Dhe e kupton që afrimi i tepërt paska pasur një çmim të cilit i je ruajtur instinktivisht gjithë jetën. Dhe tani, duke u përpjekur të mos e bësh thërrime një ekuilibër që po jep shpirt, do që të largohesh dhe të arrish distancën optimale ku marrëdhënia bëhej pozitive dhe funksionale (dhe ti ke prova shumëvjeçare për këtë distancë të artë); por nuk e arrin dot, se viti mbaroi, dhe ti s’ke më kohë. Ndaj gëzohesh rishtaz që viti është konvencion, është kohë që vazhdon, që një tjetër vit po vjen që të të japë shanse për ndreqje e bukuri largësish të reja.
Në një vit do më shumë njerëzit e afërt me të cilët ke kaluar ditë të acarta, ke qarë e qeshur me ethe dhe pa kuptim, ke ndarë bukë për dekadat e moskuptimit dhe errësirës fëmijënore, edhe në ato raste kur këta njerëz të janë dukur të pamençur apo bukëshkalë, pa kujtesë ose me tepër kujtesë. Ti nuk i beson gjakut, por një vit të mëson të besosh se racionalja dhe intelektualja janë shumë pak në tërësinë e materies dhe ideales që lidh njerëz e që lind a mban dashuri. Ka ca njerëz që i ke dhe të kanë përgjithnjë. Dhe vetëm rreth tyre rrotullohet bota e rrotullohesh edhe ti me të. Restoja është vegim. Dhe pastaj s’është më. Një vit të thotë të duash çfarë ke dhe të ka, sepse kur s’e ke dhe s’të ka, koha ka mbaruar.
Fundviti të bombardon vetëdijën me termin buzz “affluenza” (mbipasje), të rivlerësuar këto ditë nga mediat dhe ripërkufizuar në shtigjet ligjore. Por janë vitet para këtij që të mbrojnë me njohje e ngjarje të tjera, dhe nuk të lenë të biesh në kurthin e trajtimit të “affluenzës” si sëmundje mendore. Po ashtu jeta, si një vit i vetëm, të mbron nga rrëshkitja në përfundimin se komunizmi i Enverit ishte një mënyrë e mirë për t’u mbrojtur nga materializmi dhe konsumerizmi afluent i së sotmes. Ti e di se je kritik, je i fortë, je i drejtë, je prej vërteti, je feminist, je i paepur, jo se të ka bërë të tillë komunizmi, por s’e ke pasur jetë të vështirë, ke parë keq me empati dhe jo me indiferencë, se ke qëlluar i mençur, se ke punuar fort, se ke pasur dashuri njerëzish rreth vetes. Vitet e tjerë të vijnë në ndihmë në këtë fundviti dhe të mbrojnë nga simplicizmi i asyes që do prehje menjëherë e me çdo kusht.
Në një orë të mbrëmjes në ditën e fundit të vitit, ti mëson se kthimi i semaforit në të kuq mu para se të arrije ti, nuk është fundi i botës, dreqi e mori. O mik, mos u trishto, mos e prish gojën, mos prodho vrer veç se semafori u bë i kuq mu para teje! Ata që ikën këtij viti, dhe shijuan zbrazëtinë vakuume pa erë, pa shije, pa formë e pa fund të fundit të botës, duhet të trishtoheshin sikur të ishin gjëkundi. Jo ti! Ata që vdiqën tërë këtë vit dhe atë më parë, ata që vdiqën mbrëmë dhe nuk e festuan dot këtë fund viti sado banal dhe pa kuptim pastë qenë, ata, po, duhet të mallkonin fatin, po të ishin diku për ta mallkuar!
Ti i rri përpara dritës së kuqe të semaforit, dhe e sheh në sy me gëzimin e atij që është. Dhe i thua: “Më blloko sa të duash, më ndalo nga rendja pa kuptim në kohë, më ler këtu pas vijës së bardhë që shtrihet e dehur mbi asfalt! Unë kam gjithë kohën e botës të pres dritën e gjelbër, sepse unë jetoj.” Dhe një lot të rrjedh si rruazë që mban brenda gjithë dashuritë dhe gëzimet e atyre që kanë jetuar ndonjëherë. Një tjetër vit jete nis.
|
17,408 | https://peizazhe.com/2015/02/06/kulture-apo-trashegimi/ | null | 2015-02-07T02:08:32 | KULTURË APO TRASHËGIMI | Sa herë që dëgjoj për veprimtaritë e Ministrisë së Kulturës, gjithnjë më duket zgjidhje e gabuar që kjo ministri të mbulojë edhe Kulturën, edhe Trashëgiminë kulturore – e gabuar jo aq në vetvete, sa për rrethanat specifike të Shqipërisë dhe të shoqërisë shqiptare sot.
Natyrisht kultura dhe trashëgimia kulturore kanë shumëçka të përbashkët; por a mjafton kjo përbashkësi, për t’i mbledhur ato së bashku nën një ministri; aq më tepër kur bëhet fjalë këtu për ndoshta një nga ministritë kryesore, të paktën për nga dukshmëria e punëve dhe e projekteve, por edhe pesha që i jepet në veprimtaritë qeveritare?
Dhe këtu vijnë në vështrim veç anëve të përbashkëta, edhe dallimet mes kulturës dhe trashëgimisë kulturore; duke qenë e para më shumë energeia (ενέργεια), ose veprimtari, ndërsa e dyta më shumë një ergon (ἔργον), ose produkt (në kuptimin që iu jep këtyre koncepteve Wilhelm von Humboldt-i).
Si popull, ne kemi ruajtur dhe vazhdojmë të mirëmbajmë një perceptim të fortë historik të kulturës – duke e parë këtë si një koleksion figurash të rëndësishme dhe momentesh e monumentesh kyçe nga e shkuara. Ndërkohë, adoptimi kargo-kultist i rregullsive dhe kritereve të ekonomisë së tregut në kulturën si veprimtari ka bërë që kjo të përthithet pothuajse e tëra nga dëfrimi (entertainment).
Në këto rrethana, edhe trashëgimia kulturore edhe kultura kanë nevojë për vëmendjen dhe kujdestarinë e institucioneve qeveritare – e para, për t’u mbrojtur nga shkatërrimet dhe sidomos nga destruktivizmi i njeriut post-komunist; e dyta për t’u mbrojtur nga grykësia e dëfrimit dhe rreziku tepër real i shuarjes, përballë konkurrencës që i vjen nga plehu dhe krimbat që rriten atje.
Ndërkohë, për arsye që lidhen kryesisht me konceptimin fund e krye kitsch të punëve kulturore nga politika, kur është fjala për të zgjedhur midis trashëgimisë kulturore dhe kulturës, dihet se e para do të fitojë gjithnjë – një muze do të marrë përparësi ndaj një ekspozite; një kështjellë e restauruar ndaj një teatri të ri të muzikës jazz ose të teatrit alternativ; kremtimi i përvjetorit të një poeti të sigurt si De Rada ndaj fatit të letërsisë bashkëkohore në epokën e analfabetizmit funksional.
Një mënyrë si mund të zgjidhet kjo kontradiktë, është që kultura, si veprimtari e gjallë dinamike dhe përftuese vlerash të reja të ndahet krejt, sa i përket raporteve me administratën publike dhe financimeve përkatëse, prej trashëgimisë kulturore.
E kam të qartë që në disa vende dhe për disa mendësi Perëndimore vetë ideja e një ministrie të Kulturës do të ngrinte vetulla – por Shqipëria nuk e ka luksin të ngrejë vetullat; sepse, në fakt, nuk ka as vetulla, në momentin e tanishëm. Kultura bashkëkohore shqip është duke lënguar, me segmente të tëra që i janë nekrotizuar; dhe kësaj situate alarmante nuk i vjen asnjë zgjidhje nga meremetimet që u bëhen fortifikatave osmane ose nga rekuperimi i llagëmeve dhe i aparaturave të përgjimit të periudhës totalitare; sikurse nuk i vjen asnjë zgjidhje nga iluzioni – kriminal – se punët e kulturës do t’i zgjidhë tregu(!).
Nga ana tjetër, nëse trashëgimia ka nevojë urgjente për vëmendje mbrojtëse dhe restauruese nga ana e institucioneve, trajtimi si trashëgimi kulturore i kulturës veprimtari (energeia) do të çonte herët a vonë në funeralin e saj – nëpërmjet dhe falë mumifikimit.
Dhe nëse trashëgimia kulturore qenka me vlerë të paçmuar për turizmin, sikurse po thuhet, atëherë le t’i kalohet ajo në administrim një ministrie të Turizmit dhe të Trashëgimisë Kulturore; duke e lënë ministrinë e Kulturës të merret me librin, me filmin, me muzikën bashkëkohore, me teatrot dhe festivalet, me kujdesin për artistët dhe krijuesit, e kështu me radhë.
Ose fundja le të eksperimentojmë me një Ministri të Historisë…
Përndryshe, ambiguiteti i pashmangshëm i termit kulturë veç do të krijojë keqkuptime dhe do të rrezikojë mbijetesën e vetë dukurisë së emërtuar.
Natyrisht, këto janë vetëm ca mendime të miat shkeleshko, të cilat i sjell këtu pa kurrfarë autoriteti veç atij që më jep dëshira për t’i ndarë me ju, kryesisht për të ftuar kolegët të diskutojnë rreth temës.
Prandaj do t’ju lutesha të shprehnit mendimet tuaja, nëse ia vlen dhe sa ia vlen që trashëgimia kulturore dhe kultura të vijojnë të administrohen nën të njëjtën çati, sa kohë që problematikat i kanë kaq të ndryshme dhe zgjidhjet e ofrueshme po ashtu; dhe nëse është e vërtetë, siç më duket mua, se obsesioni me “trashëgiminë” po ua largon vëmendjen, institucioneve publike, nga kultura si veprimtari e gjallë, e përditshme dhe krijuese; dhe sidomos, se kjo ngatërresë ndonjëherë pa dashur dhe ndonjëherë e qëllimshme midis kulturës dhe trashëgimisë kulturore, përfaqëson edhe ajo, në vetvete, një rrezik real për jetën kulturore.
|
27,329 | https://peizazhe.com/2017/11/17/e-para-ishte-fjala/ | null | 2017-11-17T15:53:41 | E PARA ISHTE FJALA | Siç ju kemi lajmëruar tashmë, nesër të shtunën 18 nëntor 2017 do të mblidhemi tek Instituti Çabej në Tiranë (rruga Qemal Stafa, no. 315), më parë për të prezantuar librin e ri “Fjalë për fjalë” (në orën 19:00) dhe më pas (në orën 20:30) për të kremtuar 10-vjetorin e revistës “Peizazhe të fjalës”. Janë dy ngjarje të ndryshme, me sinergji të shumta dhe pika të përbashkëta – autorin, tematikat dhe sidomos lexuesit. Për festën e dytë, të revistës, kemi përgatitur posaçërisht libërtha të vegjël, nga një për çdo vit të revistës, me tekste – ese, analiza, artikuj – përfaqësuese nga shumë prej autorëve që kanë shkruar tek ne. Është botim përkujtimor, unik dhe me tirazh të kufizuar, që kërkon të simbolizojë edhe lidhjen e faqes sonë me tekstin e shkruar dhe botën e librit.
|
16,813 | https://peizazhe.com/2014/11/26/me-i-avashti-fiton/ | null | 2014-11-26T21:50:20 | MË I AVASHTI FITON | Këtë vjeshtë vendosa të ndiqja sërish filma televizivë pas një pauze gati njëvjeçare. E inaugurova kthimin me dy serialë jo fort të reklamuar në kontinentin plak: Under the Dome (Nën Kupolë), serial amerikan, dhe Broadchurch, britanik. Pritmëritë për të parin i pata fort të larta, sepse një histori e bazuar mbi romanin me të njëjtin titull të Stephen King premtonte, më në fund, diçka të paramenduar, pas një varg serialesh të tjerrura me zor sezon pas sezoni. Broadchurch s’më ngrohte aq, pa çka se një kishë e gjërë është lajm i mirë.
Në fund të dy serialeve hamendja se këto do të ishin eksperienca të kundërta doli e drejtë, por me një përmbysje brenda. Under the Dome, në sfondin e së përditshmes të shtresës së mesme amerikane, të përball me prezencën misterioze të një kupole të tejdukshme e të pakalueshme, që e ndan qytetin në bërthamë dhe periferi, në jetë brenda dhe jashtë hemisferës, në njerëz të zënë peng si miza nën burgun e qelqtë dhe në kuriozët që i vëzhgojnë insektet e ngujuara nga jashtë.
Broadchurch, i filmuar në bregdetin e mrekullueshëm të Lyme në jugperëndim të Mbretërisë së Bashkuar, i famshëm të paktën që prej romanit Bindje (Persuasion) të Jane Austen, merret me mistere, fatkeqësisht, më të përditshme se sa rënie kupolash nga qielli. Një djalë 11-vjeçar gjendet i vdekur në plazhin e qytezës turistike, çka vë në lëvizje ekipin hetues lokal. Pikënisje si kjo, standarti i mijërave serive CSI & Co., nuk përbën recetë suksesi përkrah pjatës ngacmuese që i servir kureshtjes fantashkenca e Stephen King.
Nuk dua t’ju lodh me përmbledhje – kush ka durim mund t’i konsultojë ato në www.imdb.com – jo vetëm sepse përmbledhjet janë tekste monotone, por sepse ç’dua të them ka nevojë për pak detaje: tek Under the Dome, obsesioni për ta mbajtur ngrehur vëmendjen e shikuesit, rezulton në një vargan marramendës vrasjesh të gati më shumë se gjysmës së personazheve kryesorë të sezonit të parë (thuajse e njëjta vlen për sezonin e dytë). Për çudi, këto personazhe fshihen nga narrativa sapo shikuesi ka nisur të interesohet për ta. Personazhet që mbijetojnë janë simpatikë, por me thellësinë e Bob Ndërtuesit. Në Broadchurch, botë në dukje më e mëshirme, ngjarjet përfshijnë një numër të vogël personazhesh kryesorë dhe, ndër këta, veç dy ndërrojnë jetë. Under the Dome, sipas skemës frojdiane, e zbut turrin drejt vdekjes me doza erotike, kurse Broadchurch, nën etosin e vetëpërmbajtjes puritane, që në episodin e tretë, mbyt në embrion një dashuri të ndaluar, ndonëse dashuritë e ndaluara janë strumbullari i kësaj historie.
Pas një bilanci të tillë, mund të kuptohet habia ime kur them se Broadchurch është ndoshta thriller/Krimi më i arritur që kam parë prej kohësh. Hijeshia elegjike me të cilën ky serial e vesh individin e ngrirë në izolimin e tragjedisë, të kujton Lovely Bones, edhe ky libër e film që vajton vrasjen e një fëmije. Të dy janë portrete të pamundësisë së atyre që ngelen pas për të ripërtërirë lidhjet familjare e miqësore, të cilat deri në prag të gjëmës ishin të nevojshëm për ta quajtur jetën jetë. Përpos, Broadchurch, edhe më ballhapur se Lovely Bones, ngre pyetje të makthshme: “Sa dijeni ke se ç’bëhet nën kubenë e shtëpisë tënde dhe të komshiut që përshëndet çdo mëngjes? Ç’duhet të dish e të mos dish?”
Under the Dome ka aleatë ndoshta sa të dëgjuar, aq edhe të dështuar. Për ata që dikur lidhën vite të jetës së tyre me Lost (si viktima e këtyre radhëve), afaret e kupolës janë një rikthim i mistereve, ringjalljeve, halucinacioneve që Lost nuk zbardhi kurrë. Një kthim i holluar me ujë, ose më mirë i holluar me shpejtësi, sepse edhe Lost qe më i ngeshëm e më i dhimbsur me personazhet e tij. Ky më duket është pikërisht mësimi që Broadchurch i jep Under the Dome: ngadalësia është virtyt i maskuar. Asgjesimet e vrullshme në Under the Dome të kujtojnë frenezinë e një manufakture kapitaliste ku prodhimtaria matet me numrin e fatkeqësive, ndërsa shikuesi nxitet, si lëvrues i një tregu me ofertë të larmishme sensacionesh, të gdhend me çdo vdekje një rreth më shumë në bastunin e eksperiencës së tij televizive. Pse të thellohesh në vrasjen e një personazhi, kur mund ta ri-ri-shohësh atë vrasje në petka të ndryshme?
Nëse do binim dakort, se një vepër arti funksionon, ndër të tjera, si udhëtim dhe jetim imagjinar në universe alternative, duket me vend, që spektatori i një vepre arti të mendohet si udhëtarë a turist në kolltuk. Dhe në fakt, projektimi i spektatorit-turist frymëzon haptazi skenaret me spiunazhe, shih The Tourist, Mission Impossible, Alias, Homeland and The Americans si shembuj të spikatur. Ndërkohë, ekperienca e turistave të sotshëm i ngjan kapërcimeve skenike, në urinë për ndërrim e konsum të hapësirave si edhe të personazheve. Çdo shkrepje arme tek Under the Dome ngjan me një shkrepje të kamerës së turistit moden, i cili rreket të kompensojë përjetimet fluturake, duke memorizuar e monumentalizuar çastet kyçe. Si shëmbull të turistit modern po jap japonezët, të cilët jo rrallë e përshkojnë Europën perëndimore brenda dy javësh, sot në kulmin e Jungfrau, nesër në Mynih, pasnesër në Amsterdam, si një rite de passage, binjak i përshpejtuar i Grand Tour-ës iluministe, ku gjashtë muaj rrugëtim ishin minimumi i minimumit (Sweet 2). Me pak fjalë, aty ku personazhi shndërrohet në pjesë të dekorit, ndërsa vendi turistik në thjesht dekor, ndërrimet jetëshkurtëra të piperosura me mbresa të forta ofrohen si ilaç ndaj mërzisë dhe amnezisë.
‘Travel to and fro and knowledge shall be encreased’ [sic], 1850
Hopi i shpejtësisë, fenomen që shfaq gjurmë të mirëpritura e shqetësuese me hekurudhat e shekullit të XIX, u ngrit në piedestalin e bukurisë moderne prej manifestit futurist të Filippo Tommaso Marinetti-t në 1909. Prodhuesit e Under the Dome duket se ndriçohen nga besimi i manifestit të njëqind viteve më parë, ku për çudi evokohen kupola e llampa dritëdhënëse. Broadchurch e trajton shpejtësinë si faktor errësues e pengues për udhëtime në brendësinë e ujërave njerëzore. Në dimensionin vertikal, që kërkon të hulumtojë ky serial, duket sikur ligji i konkurrencës së lirë është kthyer përsëmbrapthi: këtu më i avashti fiton. Së fundmi, tek bluaja lidhjet e paraqitura më sipër mes kultit të përshpejtimit sensacional në kinematografi apo turizëm m’u kujtua një tregim i Jorge Luis Borges rreth bandave të New York-ut, histori me më shumë marramendje se hijeshi (52).
Referenca
Sweet, Rosemary. Cities and the Grand Tour: The British in Italy, 1690-1820. Cambridge UP, 2012.
Marinetti, Filippo Tommaso. “Manifesto del Futurismo”. Gazzetta dell’Emilia. 5 febbraio. Bologna, 1909. “sotto lampade di moschea dalle cupole di ottone traforato” http://www.classicitaliani.it/futurismo/manifesti/marinetti_fondazione.htm
Borge, Jorge Luis. “El proveedor de iniquidades Monk Eastman”. Historia Universal de la Infamia. Barcelons: Círculo de Lectores, 1995. “más vertiginosa, más torpe”
Imazh: © http://lindseyled.blogspot.ch/ “Brain too Slow? Buy a new one!”
|
38,096 | https://peizazhe.com/2021/03/21/bugiardino/ | null | 2021-03-21T08:02:55 | BUGIARDINO | nga Arben Dedja
Po mbaja radhën për të bërë vaksinën antiCovid19 AstraZeneca, kur erdhi lajmi që qe pezulluar. Për mua, si ish i sëmurë, bëhej fjalë për një single shot. Ç’t’i bësh! Natyrisht, në radhë filloi diskutimi. Dikush ish me të vërtetë histerik.
“Po këta” më tha një koleg, ndër të paktët aty që shfaqte atë temperantia të latinëve që aq është zhvleftësuar sot e gjithë ditën sa e gjejmë të vështirë edhe ta përkthejmë, “i kanë lexuar ndonjëherë fletudhëzuesit e paracetamolit, brufenit, valiumit…?”
U ngërdhesha. Nuk ish shumë e qartë kush ishin “këta”: ankestarët pranë nesh apo, tamam-tamam, cilët kishin vendosur për pezullimin. Ndoshta të dyja palët. Por mua më bëri përshtypje që kolegu, për atë që në shqip e quajmë “fletudhëzues” (të ilaçeve), nuk përdori termin – le ta quajmë “term teknik” – “foglietto illustrativo”, por fjalën “bugiardino”. Është kurioze, por edhe ironike, që për një diçka kaq serioze si fletushkat që shpjegojnë përdorimin e ilaçeve, gjuha italiane ruan fjalën bugiardino.
Po të bëjmë pak etimologji, bugiardino rrjedh qartazi nga bugiardo. Bugiardo, fjalë e kahershme e italishtes (nel tempo de li dèi falsi e bugiardi, i rrëfen për veten Virgjili Dantes në Këngën e Parë të Ferrit) vjen nga një bugiare (nga gjuha provencale bauzar ose, siç thotë Devoto/Oli, nga latinishtja mesjetare bausiator). Por në italisht folja ka humbur, ka mbetur veç mbiemri bugiardo (i prodhuar me sufiksin e të folmeve të Italisë veriore -adro, e pastaj -ardo), që don të thotë: rrenacak, gënjeshtar, mashtrues, batakçi, i gënjeshtërt, kallp… (mund edhe të vazhdojmë, po të doni, se shqipja është tejet e pasur me kësi fjalësh). Me bugiardino kemi të bëjmë me trajtën zvogëluese të fjalës bugiardo dhe me kalimin e saj nga një mbiemër që i referohet një frymori në një emër që i referohet një jofrymori. I bukur kapërcim!
Po si ka ndodhur që për një fletëz letre me informacione aq thelbësore si përbërja, mënyra e përdorimit, efektet e padëshiruara të ilaçeve, të barnave në përgjithësi gjuha zgjedh një mënyrë të shprehuri aq sfiduese e skeptike, fataliste do të thosha? Nuk është shumë e qartë. Gjurmët më të sigurta – siç lexoj në një konsulencë të botuar nga Accademia della Crusca – na çojnë në Toskanë gjatë fashizmit, ku thërrisnin bugiardo posterat (ose pllakatet) e faqes së parë të gazetave, që gazetashitësit ekspozonin në qoshkun e tyre. Dhe dihej që, në atë kohë, gazetat gënjenin. Që këtu, ndoshta, u nisën folësit, duke i dhënë fjalës trajtën zvogëluese, meqë bëhej fjalë tashmë për një fletushkë që duhej të rrinte brenda kutiçkave të ilaçeve. Po përse “gënjente” fletushka? Kemi mbërritur ndërkaq në vitet gjashtëdhjetë, vite të boom-it ekonomik, që ishte, mes të tjerash, edhe boom farmakologjik. Nëpër fletushkat që i shoqëronin, barnat reklamoheshin si mrekullibërëse e kaloheshin nën rrogoz problemet, efektet e padëshiruara, ndoshta edhe kundërindikacionet. Pastaj erdhi koha kur, në të mirë të konsumatorit, ligjet u shtrënguan: sot rregullat e rrepta të shëndetit publik i detyrojnë kompanitë farmaceutike të shpallin me hollësi të gjitha efektet anësore të barnave, pa llogaritur përbërjen kimike e mënyrën dhe kohën e marrjes (pozologjinë). Mirëpo kutiçkat ku fletëzat do të futen njësoj të vockëla mbeten. Ndaj germat u zvogëluan, rreshtat u dendësuan, teksti u zgjat e u bë gjithnjë e më teknik – i pakuptueshëm, pra, për të shumtët ose, në rastin më të mirë, pak i kuptueshëm – teksa renditja alfabetike e efekteve anësore, po qe se syzet e të moshuarit ia bëjnë të mundur leximin, ishte aq gjithëpërfshirëse, sa më mirë të kalohej përciptazi ose, bile, të mos e lexoje fare. Pra, kohët ndryshuan, por një efekt i gënjeshtërt, i tëhuajshëm – kësaj radhe saje palexueshmërisë – gjithnjë ngeli. E bashkë me të edhe fjala bugiardino.
Teksa shkruaja këto rreshta, European Medicines Agency (EMA) u shpreh, në një konferencë për shtyp që, pas analizës të një numri trombozash – nganjëherë edhe dramatike – që kishin ndodhur te persona të sapovaksinuar, vaksina antiCovid19 AstraZeneca mbetej efikase dhe e sigurt. Fushata e vaksinimit me të mund të rifillojë, pra. EMA, ama, kërkoi që kompania farmaceutike që prodhon vaksinën të përditësojë “fletudhëzuesin” përkatës (për respekt, nuk po e quajmë më: bugiardino).
Padovë, 18 mars 2021
(c) 2021 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
17,717 | https://peizazhe.com/2015/03/20/kalendari-i-majmuneve/ | null | 2015-03-20T19:27:45 | KALENDARI I MAJMUNËVE | Javën që shkoi, na u komunikua se “linguistika” shqiptare ishte në ditë zie dhe se gjuha shqipe kish humbur “dashnorin” e vet të fundit.
Këto fjalë u shqiptuan në rrethana që kërkojnë, për momentin, heshtje në shenjë respekti; por ndërkohë nuk mund të mos lajmëroj lexuesin se ka ende shpresë; dhe se shqipja nuk ka mbetur, tek e fundit, pa dashnorë; dhe as do të mbetet kurrë.
Nëna e albanologëve alternativë është gjithnjë me barrë.
Një person i quajtur Sazan Guri, dhe që besoj se është i njëjti me një figurë publike zakonisht të identifikuar si ing. Sazan Guri, shkruan në Java për “ditën e verës” dhe demonstron, në ngazëllim festiv e sipër, aftësitë e veta etimologjike të pashembullta.
Ashtu mësojmë se, para edhe shumerëve, egjiptianëve dhe babilonasve, gjendej në botë një popull – pellazgët – që i thërriste muajt me emra që jetojnë sot e kësaj dite.
Kështu, frori (emri i vjetër i shkurtit) vjen nga “faruari ose muaji kur hidhej fara”; marsi vjen nga “mbarë”; prilli nga “prin”, si muaji që prin vitin; maji nga “i majmur, i madh”; qershori jo vetëm nga qershitë, por edhe nga “kur-shi”, ose “muaji kur bie shi”; gushti ngaqë ngushtohet dita dhe guna.
Guri përfiton nga rasti për të sjellë edhe disa etimologji të tjera – p.sh. dimën nga “ditë të mënuara”; vetë pellazg nga “prej larg” (d.m.th. “prej Atlantidës).
E kështu me radhë. Deri edhe fjala primavera përmban rrënjën shqipe (pellazgjike) “vera” – si stina që i paraprin verës.
Inxhinier Guri – sepse po e marr të mirëqenë që autori i këtyre etimologjive është i njëjti me specialistin e mjedisit – e nxjerr kështu linguistikën shqipe nga zia ku kish rënë.
Ai i thotë të gjitha këto në kontekstin e një artikulli për ditën e verës (“dita më e lashtë e motmotit shqiptar”), të cilën e quan “festë e primatëve europianë paganë”, i pavetëdijshëm se kështu i ka nxjerrë pellazgët jo vetëm të parët, por edhe më të afërt me majmunin se vëllezërit e tyre.
Do të pyesim këtu se ç’e shtyn këtë zotëri të merret me gjëra për të cilat nuk e ka haberin; dhe jo me gjëra të tjera, ku duket se nuk i mungon formimi, si p.sh. çështjet e mbrojtjes së mjedisit.
Vetëm dje lexuam, në mediat, për një plan – për mua katastrofik – për ta shndërruar Pasha Limanin në një kantier të skrapimit të anijeve të vjetra.
Me logjikë do të priteshin protesta prej veprimtarëve të mjedisit, OJQ-ve, banorëve të zonës. Në një botë të arsyeshme, në krye të këtyre protestave do të ishte ing. Sazan Guri, i cili të shpjegonte pse ky kantier i skrapit dhe kjo varrezë anijesh në Mesdhe do ta qelbte krejt Gjirin e Vlorës.
Mirëpo jetojmë në një botë të kthyer kokëposhtë, ku inxhinierët merren me etimologji të shqipes dhe zbulojnë se qershori është muaji kur bie shumë shi.
Ing. Guri nuk është i vetmi që e provon dorën me paleolinguistikë; por vetëm i fundmi në një radhë dijetarësh që e kanë kompletuar tashmë kalimin nga racionalizmi në misticizëm, në emër të “shqiptarisë.”
Çfarë duhet të shqetësojë, nuk është një hobby e mendjeve të papërgatitura ose irracionale, por fakti që linguistika shqipe, albanologjia dhe në përgjithësi dija tek ne duhej ta kishin kapërcyer tashmë këtë stad foshnjor.
Një kulturë që ka arritur t’i japë vetes dhe botës historianë të gjuhës si Çabej, Demiraj, Domi, Ajeti dhe të tjerë, tani ende pranon në krye të vendit fantazmagoritë e Gurit dhe të ca të tjerëve, që do t’u kthehemi në kohë më të përshtatshme.
Ky është kalim brutal nga drita në errësirë. Një inxhinieri mund t’i falet që nuk e njeh Çabeun dhe nuk arrin të kuptojë parimet elementare të gjuhësisë historike; por nuk mund t’i falet gatishmëria me të cilën ai shpërfill faktin që linguistika shqipe ka edhe ajo arritjet e saj – të cilat duhen respektuar.
Gjithçka dimë, për historinë e shqipes, e dimë falë përpjekjeve të atyre dijetarëve që iu qasën këtij argumenti me mjete racionale; dhe duke i bashkërenduar përpjekjet e tyre me dijen europiane të fushës dhe më gjerë.
Nuk duhet qortuar pra, ing. Guri për etimologjizimet e tij alternative; por duhet qortuar ajo kulturë, si kjo e tanishmja, e cila e konsideron normale që këto fantazmagori të qëndrojnë krah për krah, ndonjëherë edhe në të njëjtin raft të librarisë dhe të bibliotekës, me veprat që ia kanë dhënë tashmë dinjitetin dijes shqip anembanë botës.
Ironia në këtë mes është që kombëtarizmi shqip ka nevojë për albanologjinë, për të përligjur ideologjinë e vet dhe për ta rrënjosur historinë e shqiptarëve në historinë e botës antike; por pastaj ideologjia kombëtariste ka natyrë të tillë, që vetvetiu do t’ua japë të gatshme alibitë të gjithë atyre që duan të shkojnë “më tej” se dija racionale dhe, tek e fundit, t’i japin kësaj dërrmën duke e zëvendësuar me misticizëm ekstrem.
Ndoshta prandaj edhe, kur të shkatërrohet krejt mjedisi në Shqipëri dhe shqiptarët do të futen të jetojnë në shpella për t’u mbrojtur nga pluhurat dhe helmet, fëmijët do t’i ngushëllojmë me përrallat se pellazgët ua dhanë emrat e muajve gjithë botës, meqë e hidhnin farën edhe në kohët kur shumerët dhe egjiptianët e lashtë jetonin në shpella.
|
44,220 | https://peizazhe.com/2023/06/15/socializimi-moral-i-lea-ypit/ | null | 2023-06-15T07:15:39 | SOCIALIZIMI MORAL I LEA YPIT | nga Kaon Serjani
Lea Ypi prej muajsh ka lajmëruar se është angazhuar në shkrimin e një libri të ri. Libri i saj të Të lirë (Dudaj 2021) bëri jehonë të madhe në qarqet letrare dhe mediatike, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe është botuar tashmë në mbi 25 gjuhë të ndryshme. Mbase ky sukses, së bashku me angazhimin e saj akademik e publik kanë bërë që Ypi të cilësohet nga revista Prospect si një nga mendimtarët më me ndikim në botë për vitin 2022[1] dhe nga Frankfurter Allgemeine Zeitung si një nga personalitetet më të rëndësishme të kulturës për vitin 2022.[2]
Shumë shqiptarë mbase do të binin dakord se suksesi i saj në arenën ndërkombëtare i bën nder Shqipërisë për të ndihmuar në një imazh tjetër të vendit tonë në botë, i cili vitet e fundit është identifikuar më së shumti me lajmet e gazetave angleze të llojit “‘Rritje eksponenciale’ e emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin këtë vit”.[3] Do ishte e pasinqertë po të thoja se popullariteti dhe arritjet akademike të Ypit nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht përjetoj emocione të përziera; vërtitem mes ndjenjave patriotike dhe shqetësimit për themelin filozofik të vlerave që ajo promovon.
Duke qenë i interesuar për temat e moralit, më tërhoqi vëmendjen një leksion i Ypit i datës 7 shkurt 2023 me titull “Dinjiteti dhe Padrejtësia Historike” (“Dignity and Historical Injustice”) dhënë para një publiku të zgjedhur në Neubauer Collegium for Culture and Society i Universitetit të Çikagos. Vura re se leksioni ishte një ndërthurje mes leximit të fragmenteve nga libri i ri në proces i autores dhe shpjegimit se çfarë qëllimesh filozofike dhe letrare synon ajo me botimet e saj.
Ypi e nisi leksionin e saj duke lexuar një fragment nga libri në proces ku përshkruante rropatjet e saj në rrugët e Tiranës për të gjetur adresën e arkivave të ish-sigurimit të shtetit, me synimin për të parë dosjet e paraardhësve të saj. Kapitulli i zgjedhur për lexim dukej i përshtatshëm për të ndërtuar tensionin mes ‘padrejtësisë historike’ dhe nevojës për të rivendosur ‘dinjitetin’. Dosja e parë që Ypi shfleton në ambientet e arkivit është e gjyshes së saj, Leman Ypi, dhe llahtariset kur lexon se gjyshja cilësohej aty si agjente greke. Lea e ndjeu rrezikun e madh që i kanosej gjyshes në atë sistem por ishte e bindur se asaj po i bëhej një padrejtësi dhe iu duk sikur tani iu ngarkua misioni për të nxjerr në dritë të vërtetën dhe kështu të rivendoste dinjitetin e gjyshes.[4]
Pas leximit të fragmentit, Ypi bëri një analizë të gjatë ku mes të tjerash komentoi:
“Është një besim i përhapur në shoqëritë si ajo shqiptare se, duke njohur të vërtetën se si familjet ishin trajtuar, apo se si e kishin përjetuar këtë sistem shtypës, dhe duke ditur se cilët individë ishin përfshirë si bashkëpunëtorë për ta mbajtur në këmbë sistemin, më në fund dinjiteti i viktimave do të rindërtohet. Dhe argumenti është që vetëm kur kjo të ndodhë do të ndodhë edhe procesi i pajtimit që ende shqetëson shoqërinë shqiptare”.[5]
Sipas Ypit, libri i saj i ri mund të ilustrojë se kjo rivendosje dinjiteti mund të ndodhë vetëm nëse ka një të vërtetë që mund të gjendet në arkiva dhe nëse mund të besohet mekanizmi përmes së cilit e vërteta është transmetuar. Ypi vetë ngre pikëpyetje nëse arkivat përmbajnë të vërteta objektive.
Me siguri, kur libri të botohet, opinioni ynë do të jetë më i plotë për ato që Ypi trajton aty, por ajo që më ngacmoi mua është vullneti i shkrimtares për të mbajtur në qendër të librave të saj tema morale. Ajo përmend vazhdimisht se është e angazhuar për të promovuar një socializëm moral, që duket se vjen nga një lexim i ri i Marksit ose, sipas Ypit, një interpretim më i saktë i tij.
Shumë shqiptarë që kanë vuajtur gjatë regjimi komunist mbase do të thoshin (me siguri me ta do të bashkohej edhe bashkëshortja ime që sapo përfundoi së lexuari Rrno vetëm për me tregue të At Zef Pllumit): “Prapë me Marksin? A nuk na mjaftoi gjysmëshekulli?”. Ypi mbase do t’i përgjigjej këtij skepticizmi se diktatura komuniste shqiptare nuk ishte një socializëm i pastër marksist por i shtrembëruar nga stalinizmi. Ndaj, po ta interpretojmë saktë Marksin, e t’i shtojmë edhe pak Kant, ne mund të ndërtojmë një socializëm moral, i cili, sipas Ypit, ofron zgjidhje për shumë prej problemeve sociale e politike bashkëkohore.
Nga njëra anë, si një student i çështjeve etike dhe religjioze, sa herë që ndeshem me tema morale i shoh si një mundësi për diskutim të frytshëm, ndaj kontributin e Ypit për të folur për vlera të tilla si liria, dinjiteti apo drejtësia e mirëpres. Nga ana tjetër, më lind një shqetësim për socializmin moral të Ypit, për të cilin jam i vetëdijshëm se nuk mund ta trajtoj dot në mënyrë ezauruese në një shkrim të vetëm.
Cili është shqetësimi? Pas leximit të librit Të lirë, në një analizë timen të shkurtër (që mund të lexohet këtu) ngrita pikëpyetje nëse koncepti i lirisë mund të mbështetet apo të përligjet brenda botëkuptimit marksist që Ypi promovon. Edhe pse nocioni i lirisë në kontekstin që e përdor Ypi në publikime e saj mund të përmbajë dimensione ekonomike, sociale, apo morale, jam në pikëpyetje nëse përligjet premisa e lirisë në sistemin filozofik të sajin edhe për nocionin e saj më bazik, në kuptimin që secili prej nesh duhet të ketë të drejtën të kontrollojë vetë jetën.[6]
Në epilog të librit Të lirë Ypi shkruan se “Socializmi… ka në themel lirinë.”[7] Në opinionin tim ajo nuk e argumenton e as e mbështet nocionin e lirisë por vetëm e hedh si një lloj slogani se çfarë ajo beson për raportin mes socializmit dhe lirisë. Pra, sipas saj, socializmi ka për themel lirinë, por ajo nuk na tregon se mbi cilin themel ngrihet liria si vlerë.
Nëse Ypi do të përgjigjej se liria ka për themel socializmin, do të hynim në një arsyetim qerthullor (Pra, cili është themeli i socializmit? Liria. Cili është themeli i lirisë? Socializmi). Në këtë mënyrë do të mbërrinim aty ku u nisëm. Ndaj përgjigja e pyetjes se “Cili është themeli i lirsië?” nuk mund të jetë socializmi. Nëse përgjigja e Ypit do të ishte se liria ështe një ‘e drejtë natyrore’ e njeriut, sic pranohet sot gjerësisht në Perëndim – ku me fjalën ‘natyrore’ nënkuptohet se njeriu e përfiton këtë të drejtë meqë është njeri dhe për pasojë e zotëron që në lindjen e tij, në këtë rast pyetja pasuese që do të duhet t’i japë përgjigje Ypi është: kush ia dha këtë të drejtë njeriut dhe çfarë ka kontribuar që të pranohet në Perëndim kaq gjerësisht ky nocion i lirisë?
Nëse dikush do të ndërhynte këtu, për t’i mbajtur anë Ypit, dhe të thoshte se ajo nuk ka ndonjë obligim që të përligjë vlerat që mban apo mëson, ne mund të përgjigjeshim se çështja nuk mund të jetë ashtu pasi ajo tashmë ka zgjedhur të komunikojë publikisht idetë e saj. Nëse ajo do t’i mbante për vete këto bindje, nuk do të kishte asnjë problem që ato vlera të jenë të pambështetura apo të papërligjura. Përderisa ajo po komunikon me lexuesin, neve na lind e drejta të ngremë pyetje dhe të kërkojmë për shpjegime të arsyeshme.
Në mënyrë që ne si lexues të pranojmë diskursin e Ypit, nevojitet që vlerat morale si ‘liria’ dhe tani, ‘dinjiteti’ të tregohet se nga burojnë apo se ku mbështeten. Me fjalë të tjera, ne duhet t’i përgjigjemi pyetjes si legjitimohet thirrja që na bëhet për të vlerësuar ‘lirinë’ përkundrejt ‘skllavërisë’, ‘dinjitetin’ përkundrejt ‘përbuzjes’ (apo njollosjes së figurës) apo ‘drejtësinë’ përkundrejt ‘padrejtësisë historike’, po të përdorim fjalorin e Ypit. Lexuesi i kujdesshëm e kupton se me këtë unë po kërkoj për një bazë apo themel për vlerat dhe detyrimet morale e cila është përtej kulturave apo konvencioneve individuale, diçka që është transhendente, universale apo hyjnore.
Sigurisht që Ypi beson se vlerat janë universale. “Mendoj që liria është universale dhe ne e ndajmë gjithnjë. Ka të bëjë me instinktin moral që ne kemi dhe ndjejmë të gjithë dhe që na shfaqet në momentin e përgjegjësisë morale” shprehet ajo në lidhje me vlerën e lirisë.[8] Me shumë mundësi ajo beson të njëjtën gjë edhe për vlerat e tjera. Përsëri pyetja mbetet: Çfarë i bën vlerat universale dhe të detyrueshme? A mjafton “instinkti moral që ne kemi” si përgjigje? Nga buron instinkti moral? A është i vendosur te ne nga dikush dhe a është i njëjtë te të gjithë? Mos e ka vendosur atë një Krijues hyjnor? A del Ypi në këtë përfundim për themelin e moralit? Pra, që ka një qenie absolute transhendente nga e cila burojnë vlera dhe detyrime morale dhe për rrjedhojë ato bëhen të detyrueshme për ne të gjithë, individualisht dhe si shoqëri. A është ky socializmi moral i Ypit? Nuk e besoj.
Si një promovuese e marksizmit është e pritshme që ajo të jetë kritike ndaj religjionit dhe rrjedhimisht e përjashton Zotin dhe religjionin institucional si bazë apo themel për moralin. A mund ta kërkojmë themelin hyjnor për vlerat morale që Ypi promovon te filozofi tjetër gjerman që ajo ka studiuar, Imanuel Kant? Edhe këtë e dyshoj për arsyet e mëposhtme.
Kritika ndaj religjionit dhe Liria
Në një artikull të saj “From Revelation to Revolution: The Critique of Religion in Kant and Marx” botuar në Kantian Review në 22 Prill 2017[9] mua më duket se, në mënyrë të përmbledhur, teza kryesore e Ypit është se Kanti është më marksist se sa e kemi menduar ndërsa Marksi më kantian se sa e kemi menduar. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë, sipas Leas, se, nga njëra anë, jo vetëm Marksi por edhe Kanti ishte kritik ndaj religjionit. Dhe nga ana tjetër, edhe Marksi kishte në thelb të socializmit të tij lirinë morale të individit në mënyrë të ngjashme me Kantin. Në fakt, ajo që i bashkon këta dy filozofë, sipas Ypit, është kritika ndaj religjionit në funksion të lirisë morale të njeriut.
Duke komentuar mbi Marksin dhe Kantin, që me gjasë është edhe mendimi i saj për religjionin institucional, Ypi shkruan, “Religjioni lulëzon në tensionin midis ndërgjegjësimit të qenies njerëzore si burimi i vetëm i vlerës morale dhe një vlerësimi real të pengesave për emancipimin e tyre të plotë moral.”[10] Sipas saj, “Të dyja, institucionet religjioze (në termat e Kantit ‘religjioni i rogacionit’ ose ‘e kultit të thjeshtë’) dhe religjioni moral (‘religjioni i sjelljes për një jetë të mirë’), i kanë rrënjët e tyre në këtë tension (R, 6: 51).”[11]
Ypi sqaron se “Natyrisht, Kanti nuk shkoi kurrë aq larg sa Marksi në artikulimin e një kërkese për ‘heqjen e religjionit’, një thirrje për të ‘hequr dorë nga iluzionet’ për gjendjen njerëzore”, por ky ndryshim mund të shpjegohet me faktin se “Periudha në të cilën ai [Kanti] shkroi ishte shumë e ndryshme nga ajo e Marksit dhe orientimi drejt veprimit politik që përshkon shkrimet e Marksit gjendet vetëm si farë te Kanti.”[12] Ypi nënkupton këtu se ndoshta Kanti do të kishte dalë në të njëjtin përfundim (për heqje ose ndalim të religjionit) po të kishte jetuar në kohën e Marksit. Pra, me kushtet sociale që merr në konsideratë Marksi, sipas Ypit, fara që mbolli Kanti do të kishte mbirë dhe bima antireligjoze e tij do të rritej në mënyrë të ngjashme si ateizmi i Marksit.
Sipas Ypit, “Kanti dhe Marksi refuzojnë të dy religjionin institucional në emër të një kuptimi radikal të species njerëzore si në thelb të lirë dhe në kontroll të fatit të tij, pa pasur nevojë që faktorë të jashtëm të përcaktojnë kursin e veprimit të saj”.[13] Për Ypin, kritika radikale e Marksit ndaj religjionit “arrin kulmin me theksimin e lirisë njerëzore siç pasqyrohet në ‘imperativin kategorik për të përmbysur të gjitha rrethanat në të cilat njeriu poshtërohet, skllavërohet, braktiset dhe përbuzet’ (Marx 2000c: 72)”.[14] Religjioni (dhe këtu me së pari duhet të kemi në mendje Krishterimin), në mendimin e Marksit, është një skllavërues i njeriut. Pra, religjioni është diçka që i kërcënon njeriut lirinë, dhe, prandaj, refuzimi i religjionit nga ana e tij shihet si rruga drejt lirisë.
Mos po nxitohem në interpretim? Më shumë mundësi jo, pasi Ypi sigurohet edhe njëherë që ta kuptojmë drejt kur shkruan se “Ne pamë se, për Marksin, duke marrë imperativin kategorik të nënkuptuar në kritikën filozofike gjermane ndaj religjionit, kërkon që qeniet njerëzore ‘të përmbysnin të gjitha rrethanat në të cilat njeriu poshtërohet, skllavërohet, braktiset dhe përbuzet’ (Marx 2000c: 77).”[15] Pra, është në kontekstin e kritikës ndaj religjionit, na sqaron Ypi, që Marksi na bën thirrje që njeriu të përbuzë rrethanat skllavëruese.
Me fjalë të tjera, ne duhet të kuptojmë se, në gjurmët e Marksit, Ypi po promovon ose po synon një lloj lirie morale, jo thjesht pa nevojën e religjionit (siç ishte përpjekja e Kantit me imperativin kategorik),[16] por sidomos duke hequr religjionin i cili në optikën e Marksit është një skllavërues. Pra, Ypi argumenton në artikull se është e mundshme që njeriu të zotërojë lirinë për veprime të përgjegjshme morale pa e përligjur në religjion (se ndryshe, siç na mëson Marksi, nuk do ishte vërtetë i lirë). Surpriza për lexuesin këtu është portretizimi i Kantit antireligjioz njësoj si Marksi (Lexuesi mund ta lexojë vetë artikullin dhe të vendosë nëse teza e Ypit është bindëse).
Megjithatë, nga leximi im më rezulton se, edhe pse Kanti u përpoq të arsyetonte për obligimin e qenieve njerëzore për një sjellje morale, duke u bazuar vetëm në arsye (dhe jo në religjionin institucional), duhet bërë e qartë se ai nuk përqafoi premisën ateiste siç bëri Marksi. Për më tepër, duhet thënë se Kanti shikonte te ligji moral një teleologji (qëllim) që nuk shpjegohet dot pa ekzistencën e një Autori inteligjent të ligjit moral. Ja si shprehet Kanti në librin Kritika e gjykimit (1790): “Ne duhet të supozojmë një shkaktar të botës morale (një autor të botës), për të vendosur para vetes një qëllim përfundimtar në përputhje me ligjin moral, dhe për aq sa kjo e fundit është e nevojshme, deri tani (d.m.th. në të njëjtën shkallë dhe në të njëjtën arsye) e para duhet të supozohet domosdoshmërisht, dmth duhet të pranojmë se ekziston një Zot.”[17] Nuk më duket me gjasë që Marksi të binte dakord me Kantin në një deklaratë të tillë, sado të përbashkëta që mund të gjejë Ypi në kritikën e tyre për religjionin institucional, por kjo është një temë tjetër, ndaj nuk po ndalem më gjatë.
Kur marr në konsideratë këtë parashtrim të kritikës ndaj religjionit nga dy prej filozofëve që ajo ka studiuar dhe promovon, më duket e arsyeshme të nxjerr përfundimin se vlerat dhe detyrat morale të socializmit moral të Ypit nuk mbështeten në ndonjë sistem religjioz. Përveç kritikës ndaj religjionit institucional, Ypi e ka bërë të qartë edhe që nuk beson në Zot. Përgjigjes së gazetares së The Guardian nëse ajo është në ndonjë mënyrë besimtare, Ypi iu përgjigj: “Jam agnostike”. (Agnosticizmi është besimi se njohja e ekzistencës ose mosekzistencës së Zotit është e pamundur. Shpesh i referohen si botëkuptimi mes teizmit dhe ateizmit). Pra, për ta përmbledhur, vlerat dhe detyrimet morale për Ypin, përveç se nuk mbështeten në ndonjë sistem religjioz, nuk kanë as bazë transhendente hyjnore.
Atëhere nga buron morali në filozofinë e Ypit? Pra, si i mbështet apo legjitimon ajo në sistemin e saj filozofik vlerat e lirisë dhe dinjitetit? Në ndryshim nga Kanti, Ypit i mungon autori ose shkaku i teleologjisë se moralit. Me fjalë të tjera, Ypit i mungon ‘Pse’-ja e detyrave dhe vlerave morale dhe kush i cakton ato.
Bazuar në arsyetimin e mësipërm, më duhet të konkludoj se Ypi presupozon që ne duhet t’i pranojmë ato vlera por pa argumentuar themelin mbi të cilin ato ngrihen, dhe si të tilla atyre u mungon fuqia obliguese. Siç u shpreha më sipër, në pamundësi për të argumentuar në mënyrë ezauruese pikëpyetjet rreth socializmit moral të Ypit në një artikull të vetëm, do i kërkoja lexuesit mirëkuptim dhe durim të më durojë edhe në dy shkrime të ardhshme.
Ja cilat do të jenë tezat e mia në dy artikujt vijues:
Në artikullin e radhës unë do të rrekem të tregoj se vlerat morale si liria, dinjiteti, drejtësia, barazia apo vlera të të tjera të pranuara historikisht në qytetërimin Perëndimor, janë një ndikim direkt i besimit në Zot dhe më konkretisht janë ndikim i Krishterimit. Do të argumentoj se është për shkak të Krishterimit që ne i konsiderojmë këto vlera të natyrshme dhe gati pa nevojë për t’u përligjur, ashtu siç bën dhe Ypi. Ndaj, mund të themi se Ypi po promovon, si të thuash, një Krishterim të sekularizuar. Që do të thotë, ajo po promovon vlerat e krishtera por pa krishterim.
Dhe në artikullin e tretë do të synoj të tregoj se vlerat dhe detyrimet morale objektive që janë pranuar aq gjerësisht në Perëndim për një kohë të gjatë nuk mund të përligjen nga ateizmi apo agnosticizmi, që është botëkuptimi që Ypi përqafon, por vetëm nga teizmi i krishterë. Po hoqëm Zotin e krishterë nga vlerat morale Perëndimore, siç e kanë vënë në dukje shumë mendimtarë e filozofë, morali universal bie bashkë me të. Për këtë arsye, socializmi moral i Ypit pa Zotin në themel (Ai që do ta bënte të detyrueshëm moralin) duket më tepër një premtim utopik njësoj si dikush që do t’u premtonte banorëve të një fshati se pemët do të bëjnë plot fruta pasi u ka shkatërruar rrënjët; ose siç do kishte thumbuar britaniku C. S. Lewis, si ai që do të premtonte shtimin e popullsisë pasi ka tredhur të gjithë meshkujt.
© 2023 Kaon Serjani. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] https://www.prospectmagazine.co.uk/politics/38766/the-worlds-top-thinkers-2022
[2] https://www.faz.net/suche/?query=lea+ypi
[3] Phoebe Southworth and Charles Hymas, “‘Exponential rise’ in Albanian migrants crossing the Channel this year” in The Telegraph, 26 October 2022,
https://www.telegraph.co.uk/news/2022/10/26/exponential-rise-albanian-migrants-crossing-channel-year/
[4] Ypi sqaroi në leksion se kishte mësuar që nën vëzhgimin e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit ishin dy gra me emrin Leman Ypi dhe dosja në fjalë, me shumë gjasë, ishte ngatërruar me një Leman tjetër, pra nuk i përkiste gjyshes së saj.
[5] Lea Ypi, “Dignity and Historical Injustice,” February 7, 2023, https://www.youtube.com/watch?v=NxJnOeRGJeI. Shiko min 44:45-45:10!
[6] Lea Ypi mban një përkufizim të ngjashëm kur diskuton nocionin e lirisë në një artikull të sajin (të cilit do t’i referohemi edhe më posht) të titulluar “From Revelation to Revolution: The Critique of Religion in Kant and Marx” dhe të publikuar në Kantian Review në 22 Prill 2017. 22. Aty me liri ajo kupton gjendjen e njeriut i cili është “në kontroll të fatit të tij, pa pasur nevojë që faktor të jashtëm të përcaktojnë kursin e veprimit të saj.” Lea Ypi, “From Revelation to Revolution: The Critique of Religion in Kant and Marx” (Kantian Review, 22, 4, 2017), 673.
[7] Lea Ypi, Të lirë (Dudaj: Tiranë, 2021), 306.
[8] “Lea Ypi në Tetovë: Liria nuk ndërtohet vetëm me një individ! (Video)”, Nestori, 31 Maj, 2023.
https://nistori.com/kult/lea-ypi-ne-tetove-liria-nuk-ndertohet-vetem-me-nje-individ-video/?fbclid=IwAR2JqWoszGlNEJYGO1ZMVJAlUylQJO8Yxv7bke-lz-8GrIhh9FREn-eMxdk
[9] Dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen Lea Ypit që, pas një shkëmbimi komentesh në faqen e saj të Facebook-ut, tregoi gatishmëri për të ma dërguar këtë artikull dhe kështu mua nuk më duhej të abonohesha me pagesë për ta lexuar.
[10] Lea Ypi, “From Revelation to Revolution: The Critique of Religion in Kant and Marx” (Kantian Review, 22, 4, 2017), 664.
[11] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 664.
[12] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 666.
[13] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 673.
[14] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 667-68.
[15] Ypi, “From Revelation to Revolution”, 669.
[16] Kanti e formuloi imperativin kategorik në disa maksima të ndryshme. Njëra prej tyre është, “veproni vetëm sipas asaj aksiome të cilën do ta bënit një ligj universal”. Një tjetër është, “veproni gjithmonë në atë mënyrë ku njeriu trajtohet qëllim dhe kurrë si një mjet”.
[17] Immanuel Kant, Critique of Judgment (Hafner Pablishing: New York, 1951), 301.
|