id_post
int64 8
45.9k
| post_link
stringlengths 34
113
| author_name
float64 | entry_date
stringlengths 19
19
| entry_title
stringlengths 1
73
| entry_content
stringlengths 1
66k
⌀ |
---|---|---|---|---|---|
12,712 | https://peizazhe.com/2013/05/27/zbritje/ | null | 2013-05-28T03:23:48 | ZBRITJE | Demografia në zonat rurale shqiptare po ndryshon me shpejtësi. Këto njëzet vitet e fundit kahu i migrimit të brendshëm ka respektuar modelet e përhershme të lëvizjes së njerëzve: nga zonat e pazhvilluara drejt zonave më të zhvilluara. Nga pikëpamja grafike kjo mund të përkthehet me shigjeta në hartë, që tregojnë kahet madhore të largimit, ose më saktë drejtimin nga zonat rurale drejt zonave urbane, nga zonat urbane periferike drejt kryeqytetit.
Lëvizja e popullsisë shqiptare nuk ka qenë e njëtrajtshme. Nga një anë kemi pasur emigrimin jashtë shtetit, që jo gjithnjë ka kaluar nga migrimi i brendshëm, nga ana tjetër lëvizjen e popullsisë nga vendet malore, që shpeshherë përfundon drejt kryeqytetit, pa ndalime të ndërmjetme. Përbën temë tjetër hulumtimi, por nuk duhet harruar se emigracioni i jashtëm është i lidhur ngushtë me të brendshmin, sepse ndërveprojnë e kushtëzohen midis tyre.
Sipas Instat shqiptar vëmë re një rënie të ndjeshme të popullsisë rurale. Besoj se për këtë rast të dhënave mund t’u besohet, të paktën përsa i përket tendencës demografike. Po t’i konsultojmë tabelat e popullsisë rurale del se në vitin 2001 atje jetonin 1.774.191 vetë. Në fillim të vitit 2013 rezultonin 1.264.985. Pra për dhjetë vjet kemi pasur një ulje prej gjysmë milioni banorësh në zonat rurale. Po në zonat urbane ç’ka ndodhur gjatë këtyre viteve? Në 2001 atje jetonin 1.293.549 vetë, kurse në fillim të 2013-s numri shkoi në 1.522.630. Rritja me rreth 230 mije vetë tregon gjithsesi qartë lëvizjen drejt qyteteve. Pra popullsia rurale zvogëlohet, kurse popullsia urbane rritet.
Të dhënat e Instat që iu referuam marrin parasysh vetëm dhjetë vitet e fundit. Po të shikohen statistikat e viteve nëntëdhjetë me siguri shifrat do të jenë dramatike, tamam prej eksodi: nga vendet rurale drejt qendrave urbane, ose jashtë shtetit.
Le t’i hedhim një sy të dhënave. Të marrim si shembull qarkun e Kukësit. Popullsia e përgjithshme më 2001-n ishte 111.018, nga të cilët 27.225 jetonin në zona urbane, kurse pjesa tjetër (83.793) jetonte në zona rurale. Dhjetë vjet më vonë situata, gjithnjë sipas Instat-it shqiptar, paraqitej kështu: popullsia e përgjithshme 83.276 vetë, në zonat urbane 28.376 banorë, kurse në zonat rurale 54.899. Përtej numrave të mërzitshëm, çfarë mund të vërejmë? Popullsia në qarkun e Kukësit ka pësuar rënie të përgjithshme, që në pamje të parë duket se ka ndodhur gjithkund, por në të vërtetë është verifikuar kryesisht në zonat rurale.
Nga Jugu po marrim si shembull qarkun e Korçës, pa ndonjë pretendim të veçantë krahasimor. Më 2001-n popullsia e përgjithshme ishte 265.284 persona, nga të cilët 96.927 jetonin në zona urbane, kurse 168.358 banonin në zona rurale. Po pas dhjetë vjetësh si paraqitej situata në qarkun e Korçës? Sipas Instat-it shqiptar, më 2013-n popullsia e përgjithshme ishte 216.429 vetë, në zonat urbane 84.002 banorë, kurse në zonat rurale 132.427.
Çfarë del nga ballafaqimi midis qarkut të Kukësit e atij të Korçës? Ngjasojnë natyrisht në disa pika si p.sh. në uljen e popullsisë së përgjithshme, ose rënien e popullsisë në zonat rurale; por ndryshojnë në popullsinë urbane. Ndërsa popullsia urbane në qarkun e Kukësit është rritur, edhe pse me shifra në pamje të parë modeste (rreth 4,2%), në qarkun e Korçës popullsia është ulur me masën rreth 13,3%. Lidhur me popullsinë rurale shohim se në Kukës është ulur me 34,5%, kurse në Korçë me 27%.
Është e vështirë të nxjerrësh përfundime me këto shifra, aq më shumë në kuadrin e mosbesimit të përgjithshëm ndaj rezultateve statistikore, mungesave të të dhënave dhe vështirësive metodologjike. Megjithatë, si prirje të padiskutueshme mund të shohim largimin e njerëzve nga zonat rurale drejt zonave urbane. Popullsia e këtyre të fundit nuk rritet kudo, ndoshta për shkak të emigracionit drejt vendeve të tjera, ose drejt kryeqytetit. Tani, meqë Shqipëria kishte përqindje të papërballueshme midis banorëve në qytet e në fshat, është afërmendsh se fshatarët do të kalonin në qytet, si kudo në botë. Porse, nuk duhet harruar, ekonomia e qytetit ka pësuar një ndryshim të thellë pas kalimit në sistemin e ri.
Mirëpo, këto zhvendosje biblike brenda e jashtë Shqipërisë kanë ndodhur pa politika konkrete përshoqëruese. E nuk flas për një qeveri apo një tjetër, për një kryetar bashkie apo një tjetër. Përshtypja është se lëvizjet demografike më shumë ndiqen se sa paraprihen, ose më shumë pësohen se sa shoqërohen me shërbime e masa të ndryshme. Ndërkohë, lëvizja duket fotokopje e asaj që ka ndodhur në vende të tjera gjatë periudhës së industrializimit, kur zonat urbane thithnin krahë pune nga zonat rurale, sepse fabrikat kishin nevojë të ngutshme për punëtorë; ose në vendet që kanë ndërruar sistem politik, duke lejuar lëvizjen e lirë të popullsisë. Në këtë drejtim, sidomos po të kemi parasysh dukurinë e mbipopullimit, migracioni mund të konsiderohet jo vetëm i natyrshëm, por edhe i nevojshëm.
Po në rastin e moszhvillimit, të krizës, ose të stanjacionit ekonomik, përballë lëvizjeve demografike spontane, duhet të rrimë duarkryq? Nëse është e vërtetë që në demokraci njeriu është i lirë të lëvizë sipas dëshirës, është e vërtetë vallë që nuk duhet t’i shoqërojmë lëvizjet demografike me politika që ta ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë si në vendet nga ku nisen migrantët, ashtu edhe në vendet e mbërritjes? Lëvizjet demografike lypin një sërë shërbimesh në favor të migrantëve, të ikurve ose të ardhurve. E kërkon, së pari, dinjiteti i tyre si njerëz. Sikurse e kërkon dinjiteti i atyre që jetojnë në vendet e mbërritjes dhe cilësia e jetës në bashkëjetesë.
Mirëpo çka thamë më sipër shërben vetëm si parathënie për një shqetësim që hë për hë nuk e ngacmon sa duhet opinionin publik shqiptar. E kam fjalën për shpopullimin. Ngaqë kryeqyteti shpeshherë na e monopolizon vëmendjen, ngaqë raporti midis banorëve në fshat me banorët në qytet ka qenë tradicionalisht i shpërpjestuar, ngaqë mungojnë sistematikisht të dhënat përkatëse, harrojmë se ka plot zona të Shqipërisë ku nuk ka dyndje, madje ato nuk shihen nga të rinjtë si vende ku mund ta ndërtojnë të ardhmen. Këtu duhet të përmendim patjetër çka nuk shihet nga të dhënat e mësipërme: zonat malore. Nëse popullsia rurale është ulur në përgjithësi, siç e vërtetuam me shifra, jam i sigurtë se ajo malore ka rënë në mënyrë katastrofike. E në rast se prirja do të vijojë e tillë, të njëjtin cilësor do të përdorim për pasojat socioekonomike.
Nga ana tjetër popullsia shqiptare nuk është e imunizuar nga plakja. Emigracioni i lartë dhe rënia e vazhdueshme e lindjeve të çon drejt asaj rruge. Mosha mesatare ka filluar të rritet. Mos janë vallë rrudhat e para të shoqërisë shqiptare?
|
26,535 | https://peizazhe.com/2017/09/01/non-nocere/ | null | 2017-09-01T07:33:49 | NON NOCERE | Një histori që lexova në librin Do No Harm, të neurokirurgut Henry Marsh, më bëri të mendoj për mënyrën si i marrim vendimet për çështje të shëndetit.
Një grua 30-vjeçare shkon të vizitohet në klinikën neurologjike, për një dhimbje koke. I bëjnë një CAT scan të kokës, për të përjashtuar ndonjë tumor; por ky ekzaminim befas zbulon një aneurizëm të vogël në tru.
Siç e shpjegon Marsh, aneurizmi është një hollim i murit të një arterieje cerebrale; i ngjashëm me çfarë e kemi pasë quajtur “(bën) skopio”, për gomën e biçikletës. Në fakt, për shkak të presionit të gjakut, ena e gjakut mund të fryhet shumë në atë pikë dhe eventualisht të çahet, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme nga hemorragjia, ose dëmtim tjetër katastrofik në tru.[1]
Në qoftë se diagnostikohet në kohë, aneurizmi trajtohet me rrugë kirurgjikale: qëllimi i operacionit është që të vendosë një kapëse (clip) rreth qafës së aneurizmit, për të parandaluar çarjen. Ka një rrezik real që aneurizmi të çahet gjatë operacionit, duke shkaktuar sërish vdekjen ose ndonjë dëmtim tjetër katastrofik.
Ndryshe nga më parë, kur operacione të tilla bëheshin “nga jashtë”, ose duke e hapur kafkën, sot teknologjia ka bërë të mundur që aneurizmi të neutralizohet “nga brenda”, duke futur një kateter deri në tru nëpërmjet arteries femorale (që nga fundbarku). Këtë ndërhyrje nuk e bën më neurokirurgu, por mjeku radiolog.
Megjithatë, vëren Marsh, ndodh që aneurizmi të jetë i tillë që të mos riparohet dot “nga brenda”; dhe të kërkojë ndërhyrjen e neurokirurgut. Për fat të keq, i tillë ishte edhe aneurizmi i pacientes së re, që tani kish ardhur në studion e dr. Marsh-it.
Natyrisht, dhimbjet e kokës nga të cilat ankohej gruaja nuk kishin lidhje me aneurizmin; madje ishin larguar vetvetiu, pas pak javësh. Siç ndodh rëndom, aneurizmi u zbulua aksidentalisht, teksa mjekët kërkonin për diçka tjetër.
Pacientja tani duhej të vendoste nëse do ta operonte aneurizmin apo jo; dhe këtë vendim do ta merrte duke krahasuar rreziqet.
Gjithnjë sipas dr. Marsh-it, rreziku që një aneurizëm të çahet është 0.5% në vit; dhe nëse ndodh kjo, 15% e viktimave vdesin menjëherë, ndërsa 30% të tjera vdesin gjatë pak javëve në vazhdim.
Nga ana tjetër, rreziku që kirurgu ta çajë aneurizmin pa dashur, gjatë operacionit, është rreth 4-5%. Prandaj, vëren Marsh-i, “rreziku akut i operacionit ishte, në vija të trasha, i ngjashëm me rrezikun në rast se mjekët dhe pacientja vendosnin të mos bënin asgjë.”
Atëherë?
Një dilemë e nisur si thjesht mjekësore, tani paraqitet si e teorisë së lojërave, me një komponente të fortë psikologjike.
Në fakt, edhe pse probabiliteti i rrezikut është i njëjtë, pavarësisht nëse bëhet operacioni apo jo, kjo përllogaritje nuk merr parasysh që pacienti, nëse vendos ta refuzojë ndërhyrjen, do të detyrohet të jetojë gjithnjë me frikën e një bombe të pashpërthyer brenda kafkës.
Edhe pse kjo frikë nuk është e thënë të shkaktojë vdekjen edhe në afat të gjatë, ajo krijon stres, i cili duhet përfillur, sidomos në perspektivë.
Ka njerëz që e përballojnë këtë lloj stresi me lehtësi, të tjerë që e vuajnë veçanërisht.
Në përgjithësi, ne nuk jemi të përgatitur, nga pikëpamja evolucionare, që t’i gjykojmë drejt probabilitetet; madje edhe kur i kuptojmë ato mirë (çfarë ndodh shumë më rrallë se ç’kujtohet).
Pacientja e dr. Marsh-it, që kish shkuar në klinikë për t’u konsultuar për dhimbjet e kokës, nuk kish pasur nevojë për CT scan-in; klinicisti ia kish rekomanduar, për t’i hequr merakun “e tumorit” – për fat të keq, ekzaminimi kish sjellë informacion krejt të padëshiruar, pa lidhje me dhimbjet e kokës, por me rëndësi kritike.
Në bisedë me gruan, Marsh-i i kish shpjeguar se aneurizmi i saj ishte i vogël, dhe se zakonisht janë aneurizmat e mëdhenj që rrezikojnë të çahen; nga ana tjetër, ai do të mund të trajtohej vetëm me rrugë kirurgjikale klasike, dhe se rreziku që të ndodhte diçka katastrofike gjatë operacionit ishte pak a shumë i njëjtë me rrezikun, sikur pacientja të vendoste të mos bënte asgjë.
E pyet gruaja: “Çfarë do të bënit ju në këtë rast?”
Dr. Marsh-i i thotë se ai do të zgjidhte të mos e bënte operacionin; por kjo lidhej edhe me atë që ai ishte mjaft më i moshuar se pacientja, dhe kjo ia ulte rrezikun për çarje spontane të aneurizmit, në raport me rrezikun e një aksidenti gjatë operacionit – i cili nuk varet nga mosha e të operuarit.
Gruaja i thotë se dëshiron ta bëjë ndërhyrjen. Po të lëmë mënjanë frikën e të jetuarit me këtë minë në tru, rol në vendimin e saj luajti edhe reputacioni i neurokirurgut; ose besimi i pacientes se ishte në duar të sigurta.
Operacioni shkoi mirë, me gjithë një ndërlikim gati me pasoja fatale; klipi i përdorur për ta mbyllur aneurizmin kish qenë defektoz dhe u desh të ndërrohej – ja një faktor tjetër i paparashikueshëm nga probabilistët; edhe pse një nga neurokirurgët më të zotët në botë, dr. Marsh-i harroi që ta kontrollonte klipin para se ta vendoste në arterien cerebrale të pacientes.
Por sa i saktë është krahasimi i probabiliteteve në vetvete? Nga njëra anë, ai nuk merr parasysh faktorin e stresit të pacientit, i cili e komprometon në mos vetë shëndetin fizik, të paktën cilësinë e jetës.
Nga ana tjetër, kur llogaritim rrezikun e mos-ndërhyrjes në afat të gjatë, nuk marrim parasysh mundësia që progresi teknologjik të bëjë të mundur, brenda pak vjetësh, që edhe aneurizmat sot të pa-operueshëm, si ky i pacientes në fjalë, të mund të riparohen dikur “nga brenda”.
Prandaj, një rrezik prej 0.5% në vit, ose një katastrofë për 200 aneurizma të patrajtuar, vlen për tani dhe për pak vitet e ardhshme; por jo për jetën e pritshme të një 30-vjeçareje.
Me fjalë të tjera: në momentin e bisedës me dr. Marsh-in, gruaja kish 0.5% rrezik që aneurizmi t’i çahej; në një kohë që po të operohej, rreziku që aneurizmi të çahej aksidentalisht nga kirurgu ishte 4%.
Ky rrezik i dytë ekziston vetëm gjatë operacionit; nëse operacioni del me sukses, atëherë rreziku i çarjes së aneurizmit bie në zero (edhe pse dr. Marsh-i nuk përmend të dhëna për ndërlikime afatgjatë të klipimit të një aneurizmi).
Le të themi: në momentin e marrjes së vendimit, rreziku që i bashkëlidhet ndërhyrjes ishte shumë më i lartë se rreziku po të mos bëhej ndërhyrja.
E megjithatë, pacientja zgjodhi trajtimin kirurgjikal, siç do të bënin shumë nga ne; që e kemi të vështirë, në mos të pamundur, të bashkëjetojmë me një rrezik permanent të konfirmuar, sado të ulët.
Analiza e riskut, në përgjithësi, i tejkalon njohuritë dhe kompetencat e mia; por edhe unë, si çdokush tjetër, jam gjendur dhe do të gjendem herë pas here përballë dilemës për të vendosur se çdo të bëhet, në lidhje me shëndetin tim.
Pacientja e dr. Marsh-it, që zgjodhi aty-për-aty opsionin kirurgjikal, u ndikua pa tjetër edhe nga stresi lemeritës i momentit; një njeri, të cilit sapo i kanë dhënë një informacion të tillë, nuk është në gjendje të arsyetojë qetë dhe lirisht.
Megjithatë, mjeku është i detyruar – me ligj dhe nga etika profesionale – që ta lajmërojë pacientin për diçka që, sipas gjykimit të tij prej mjeku, i rrezikon jetën.
Gjatë krizash të tilla, gjendja psikologjike e pacientit – tejet vulnerabël – lë shteg për abuzime të mëdha nga ana e institucionit; të cilat vetëm një mjek me profil etik të lartë mund t’i shmangë.
Veçanërisht në rrethanat kur institucioni dhe/ose mjeku mund të fitojnë të ardhura të mëdha duke e bërë ndërhyrjen kirurgjikale[2], pavarësisht nga sa është kjo e nevojshme për pacientin, a nëse përfitimet janë më të mëdha se rreziqet.
Përgjigjen ndoshta na e jep vetë titulli i librit të dr. Marsh-it: Do No Harm – Non nocere. Por është një përgjigje që për pacientin nuk mjafton.
[1] Të gjitha informacionet me karakter mirëfilli mjekësor këtu dhe më poshtë i kam marrë nga libri i Marsh-it.
[2] Më ka ndodhur disa herë të jem i pranishëm në situata kur mua ose një të afërmit tim na është dashur të marrim vendime të tilla delikate. Herën e parë, një mjek podiatër i rekomandoi vajzës sime 15-vjeçe një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë, për një problem fare banal (bunion): më erdhi ta pështyj në mustaqe. Një herë tjetër mua vetë deshën të më futnin thikën te kyçi i gishtit të madh të dorës, për një “ngrirje” që pastaj e kurova me 7-8 seanca akupunkture. Herën e fundit, për fat të keq, situata ishte shumë më e rëndë: duhej vendosur për një amputacion total të këmbës, të dikujt të prekur nga kanceri në kockë. Ishim kaq të tronditur atëherë të gjithë, sa sot e kësaj dite kam frikë të verifikoj nëse i afërmi im, me mbështetjen tonë, mori vendimin e duhur.
|
6,916 | https://peizazhe.com/2011/02/17/publiku-memec/ | null | 2011-02-17T05:18:12 | PUBLIKU MEMEC | Nuk di nëse i ka matur kush orët që kalojnë fytyrat e liderëve politikë shqiptarë në ekranet e televizionit, ose herët që u përmendet emri në lajmet, në debatet, ose në mediat e shkruara.
Televizioni transmeton drejtpërdrejt mbledhje të qeverisë, seanca parlamentare, konferenca shtypi të kryeministrit, të kryetarit të opozitës, të këtij apo atij politikani të shquar ose zyrtari të lartë.
Gazetat përcjellin të plota fjalimet e tyre, herë të nxira e herë të zbardhura.
Faqet zyrtare të institucioneve në Internet nuk mbeten mbrapa, edhe ato duke dokumentuar, me hollësi të admirueshme, çdo fjalë, psherëtimë, sharje, kollitje të liderëve përkatës.
I njëjti diskurs e fillon jetën para mikrofonave të kanaleve televizive (ndonjëherë publike), për të vazhduar më tej në faqe të gazetave dhe për të përfunduar në Internet.
Publiku që kërkon të ndjekë se çfarë ndodh në skenën politike nuk ka zgjidhje tjetër, veç t’i ekspozohet këtij përroi verbal të paparë, ku mbizotëron mediokriteti, klishetë, gjuha e keqe, retorika pesëlekëshe, shqipja e drunjtë.
A është kjo normale për një shoqëri që kërkon të jetë demokratike?
Vështirë se mund të jetë kështu.
Demokracia kërkon para së gjithash pjesëmarrje të vijueshme, të individit, të komuniteteve, të shoqërisë civile në qeverisjen e vendit.
Demokracia nuk mund të mjaftohet vetëm me zgjedhjet e lira, as vetëm me përfaqësimin.
Në nivelin e dialogut publik, demokracia kërkon shkëmbim të dyanshëm informacioni, nga lideri te qytetari, por edhe nga qytetari te lideri.
Rrymën e informacionit nga lideri te qytetari të gjithë e njohim dhe e provojmë çdo ditë, sa hapim gazetën, televizionin ose sajtin e ndonjë gazete online.
Kahun tjetër të kësaj rryme, atë që niset nga poshtë për të përfunduar në majat e sistemit, ende nuk e shohim gjëkundi.
Si do të komunikojë vallë qytetari me drejtuesit e vet politikë, krerët e institucioneve, zyrtarët e lartë, të cilët merren me punë që u interesojnë të gjithëve?
A është e mjaftueshme vetëm vota, një herë në hënëz, për të pohuar se qytetarët po marrin pjesë në procesin politik?
Natyrisht që nuk është e mjaftueshme.
Meqë demokracinë, si model të organizimit të jetës politike, e kemi marrë nga grekët e lashtë, ndoshta duhet të shohim si e realizonin ata, në atë kohë.
Për t’u bindur, me lehtësi, se demokracia e qyteteve greke, megjithë veçanësitë e saj që sot nuk përtypen dot, ishte demokraci që kërkonte pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve – si detyrë, jo si të drejtë.
Një shoqëri moderne nuk i rikrijon dot kushtet e një polisi grek, ku qytetarët mund të mblidheshin të gjithë në sheshin kryesor të qytetit dhe të debatonin haptazi me politikanët.
Shoqëritë moderne i kompensojnë mangësitë e tyre nëpërmjet formave të reja të organizimit të shoqërisë civile dhe teknologjisë së komunikimit masiv.
Në një shoqëri qindra-milionëshe, si ajo në ShBA, Presidenti mund t’u drejtohet e t’u flasë teorikisht të gjithë qytetarëve, nëpërmjet ekranit të televizionit.
Qytetarët, nga ana e tyre, nuk mund t’i drejtohen Presidentit nëpërmjet ekranit të televizionit, as është e mundshme që secili qytetar të komunikojë, drejtpërdrejt, me Presidentin – sikurse mund të ndodhte në Athinën e dikurshme.
Kur Sali Berisha, në Shqipëri, merr nëpër gojë shefin e opozitës dhe krye-prokuroren, duke i sulmuar me fjalë të rënda, qytetari nuk ka mundësi t’i bërtasë dhe t’i thotë që ta mbledhë veten. Ose më mirë, mund t’ia thotë këto dhe të tjera, por ai kanal komunikimi ose feedback-u nuk ekziston.
Pa këtë feedback, demokracia nuk ekziston.
Komunitetet në vendet e zhvilluara perëndimore, ku demokracinë e marrin seriozisht, këtë lloj feedback-u e realizojnë nëpërmjet veprimtarive të shoqërisë civile.
Përndryshe, nëse unë i shkruaj një letër presidentit Obama, ai do të më “përgjigjet” nëpërmjet zyrës së vet, por vështirë se do ta lexojë letrën time, për arsye të kuptueshme – përveçse po të kem shkruar ndonjë gjë vërtet të jashtëzakonshme.
Edhe me letrat që botohen në gazetat, debatet televizive, intervistat, takimet e politikanëve me popullin ose të tjera forma kontakti që mundësojnë komunikimin e dyanshëm, vështirë se mund të arrihet ndonjë nivel i arsyeshëm i shkëmbimit të informacionit.
Këtu e vite më parë, kur teknologjia mundësoi që qytetarët të transmetonin masivisht informacion nëpërmjet rrjetesh elektronike (telematike), disa futurologë hodhën dhe mbrojtën idenë e demokracisë së menjëhershme, ose plebishitit elektronik; ku qytetarëve do t’u kërkohej të hidhnin votën e tyre, me rrugë elektronike, për çdo çështje me interes publik.
Megjithatë, plebishiti elektronik është më tepër karikaturë e procesit demokratik dhe e votës së lirë, meqë i jep vendimit përparësi absolute ndaj informimit, dhe veprimit ndaj debatit paraprirës.
Natyrisht, tingëllon absurde t’u kërkosh qytetarëve të votojnë, sot me nesër, nëse janë dakord, për shembull, që studimi i qelizave germinale të financohet me fonde publike; por nuk do të ishte aspak absurde, sikur të gjendej një mënyrë për të marrë vesh se çfarë mendojnë pikërisht qytetarët për këtë çështje.
Për fat të mirë mënyra të tilla ekzistojnë dhe praktikohen gjerësisht – sondazhet e opinionit publik.
Në vitin 2004, presidenti amerikan i atëhershëm Bush propozoi që të fillonte puna për të çuar njerëz në planetin Mars, deri në vitin 2020.
Ky propozim e pati jetën shumë të shkurtër dhe u la të ngordhte urie; arsyeja për këtë ishte se sondazhet e opinionit treguan se publiku amerikan nuk e kishte përkrahur fare këtë diversion të presidentit të tyre.
Jeta politike në ShBA nuk mund të konceptohet pa sondazhet e opinionit publik, të cilat përfaqësojnë mënyrën më të sigurt për të realizuar atë komunikim të dyanshëm, midis liderëve dhe qytetarëve, për të cilën fola më lart.
Teoria dhe teknika e sondazheve janë kolauduar tashmë, së bashku me metoda pak a shumë shkencore për zgjedhjen e kampioneve dhe analizën e rezultateve.
Megjithatë, asnjë sondazh nuk do të kish vlerë, sikur të mos gëzonte institucioni që e kryente sondazhin besueshmërinë e publikut dhe të politikanëve vetë.
Nga kjo pikëpamje, agjencia anketuese ose institucioni të cilit i është porositur sondazhi luan rol të njëjtë, edhe pse të përkundërt, me atë të mass mediave; nëse këto të fundit janë të përshtatshme për t’ia lejuar, bie fjala, presidentit që t’u flasë njëkohësisht 300 milionë vetëve, sondazhi bën të mundur që presidenti të mësojë, një ditë më pas, se çfarë mendon pak a shumë publiku për fjalën e tij dhe programin e tij politik.
Unë do të shtyhesha deri atje sa të pohoja që një shoqëri ku mungon drejtpeshimi midis mass mediave dhe institucioneve të anketimit të opinionit publik nuk mund të jetë kurrsesi demokratike.
E kam fjalën, konkretisht, për shoqërinë shqiptare, ku mungon edhe kultura e anketimit, edhe nevoja për informacion të kësaj natyre, edhe institucione të besueshme dhe të përgatitura për të kryera anketimet.
Në të njëjtën kohë, mass mediat shqiptare janë, së paku teknikisht, të nivelit europian; çfarë u jep një avantazh të patolerueshëm elitave politike dhe deri-diku mediatike, në raport me qytetarin.
Kur doli Berisha para kamerave dhe foli haptazi për një puç të bashkërenduar midis opozitës, prokurorisë së përgjithshme dhe presidencës, a nuk do të ishte mirë që një sondazh, të nesërmen, t’i tregonte atij se çfarë mendonte publiku për këtë hipotezë kaq të guximshme?
Do të ishte mirë për publikun, mirë për demokracinë në Shqipëri dhe për shoqërinë civile, mirë edhe për vetë kryeministrin, i cili do të merrte një informacion të cilin sot për sot nuk ka se nga ta marrë.
Pse nuk bëhen sondazhe të tilla në Shqipëri, në një kohë që mass mediat, veçanërisht ato televizive i kemi të nivelit teknologjik optimal (p.sh. Digitalbin)?
Ka shumë arsye, disa prej të cilave i ceka më lart; por kryesorja më duket se është që në Shqipëri askush nuk u beson lajmëtarëve.
Paradoksalisht, dhe sado e vërtetë të jetë që sondazhi është ana e kundërt e medaljes së mediave, këtë mosbesim në publik e kanë kultivuar mediat vetë, të cilat me pavarësi zakonisht kanë parasysh pavarësinë nga pala “kundërshtare” ose “armike”.
Mirëpo një shoqëri ku pavarësia e një institucioni konsiderohet si teorikisht e pamundur – ose një shoqëri ku pjesëmarrja në jetën publike zakonisht realizohet duke shkelur syrin – nuk mund të jetë demokratike.
A nuk do të kish vlerë kritike, për ecurinë e procesit politik në Tiranë, që të dihej se ç’mendojnë qytetarët, bie fjala, për 21 janarin, ose zgjedhjet lokale të majit të ardhshëm, ose ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e krizës politike, ose për punën e komisionit hetimor parlamentar, ose për kompetencën që tregon në detyrë kryeministri, kryetarja e Parlamentit ose vetë Presidenti?
Çfarë e kompenson vallë këtë mungesë, madje zbrazëti informacioni?
Është thënë prej kohësh se një politikan i mirëfilltë, i ndershëm dhe i sigurt në pikëpamjet e veta, nuk duhet të druhet të marrë edhe vendime që nuk do të përkrahen nga masa e qytetarëve; dhe se është shenjë dobësie që një lider politik ta ndërtojë politikën e vet sipas feedback-ut që i vjen prej sondazheve të opinionit.
Të gjitha këto janë të vërteta.
Por janë të vërteta për një shoqëri ku mediat dhe sondazhet e opinionit dialogojnë mes tyre si të barabarta; dhe nuk kanë vlerë për një shoqëri parademokratike si ajo në Shqipëri, ku liderit, që të marrë vesh se ç’mendojnë shtetasit, i duhet akoma të vishet tepdil si lypës a si myshteri i GABI-t dhe të zbresë në terren, incognito, si në përrallat e qëmotit.
Në një nga shpërthimet e veta të paradokohshme, kryeministri Berisha u ankua se Shërbimi Informativ Shtetëror nuk e kishte informuar si duhet, në lidhje me çfarë po përgatitej për 21 janarin.
Kur e dëgjova këtë, pyeta me vete nëse e kish informuar kush kryeministrin, në lidhje me çfarë mendojnë qytetarët shqiptarë në përgjithësi – për ekonominë, për jetën urbane, për trafikun, për taksat, për prioritetet, për marrëdhëniet e tij me opozitën dhe institucionet e pavarura.
Kjo nuk është natyrisht detyra e SHISH-it; as e atyre burimeve “të tjera”, të cilave iu referua dinakërisht kryeministri. Kjo është detyrë e atyre institucioneve, që në Shqipëri ende nuk ekzistojnë.
Qytetarët, nga ana e tyre, e ndiejnë, madje edhe kur nuk e kuptojnë, se komunikimi i liderëve me bazën ka mbetur njëkahësh; e përjetojnë xhamin që i ndan nga kupola e pushtetit; madje s’është për t’u çuditur që ky komunikim i ndërprerë, kjo mungesë feedback-u, ky gjymtim i demokracisë, të bëhet pastaj shkak për manifestime publike që dalin nga kontrolli, ose mënyra irracionale të komunikimit, siç i pamë në 21 janar, nga të dy palët.
Nuk ka forcë që ta bëjë zap instinktin e të komunikuarit në politikë; edhe pse kur kanalet normale mungojnë, ose nuk mirëmbahen, ky instinkt do të materializohet në forma të pazakonshme, ndonjëherë të dhunshme; dhe këtu s’e kam fjalën vetëm te shkopinjtë e protestuesve, madje as edhe vetëm te plumbat e atyre që qëlluan atë ditë, por edhe te vetë sjellja e shfrenuar e shumë politikanëve në rolet dhe misionet e tyre institucionale.
|
19,927 | https://peizazhe.com/2015/12/05/eksodi-i-te-miturve/ | null | 2015-12-05T15:20:03 | “EKSODI” I TË MITURVE | Problemi i të miturve shqiptarë të pashoqëruar në Itali po bëhet gjithnjë e më i mprehtë. Para disa kohësh, diskutuam për këtë çështje, por situata po rëndohet, çka nuk përbën të vetmen risi.
Krahina Emilia Romanja njofton se është zhvilluar një takim i jashtëzakonshëm midis asesorëve kompetentë të komunave kryesore. Alarmi për “dukurinë e braktisjeve të të miturve shqiptarë”, siç thotë njoftimi zyrtar, po shtohet edhe më tepër. Në qendër të vëmendjes janë të miturit shqiptarë që shkojnë në Itali me vizë turistike, por pastaj mbeten në strukturat krahinore të shërbimit, ku mund të qëndrojnë e të ndjekin shkollën.
Që kjo është një mënyrë për të siguruar qëndrim të rregullt, shkollë e shërbime të tjera, e kanë kuptuar qartë edhe autoritetet italiane, të cilat e dinë tashmë se të miturit, pavarësisht se futen në programin e të miturve të pashoqëruar, i kanë familjet e të afërmit në Shqipëri ose në Itali.
Shifrat janë përnjëmend shqetësuese. 11,9% e të gjithë të miturve të pashoqëruar në Itali janë shqiptarë. Saktësisht 1.159. Kurse në krahinën në fjalë, të miturit shqiptarë përbëjnë 63,7% të numrit të përgjithshëm. Praktikisht Emilia Romanja strehon një të tretën e të gjithë të miturve shqiptarë të pashoqëruar që jetojnë në Itali. Më pas vjen krahina e Toskanës.
Qëndrimi i krahinës Emilia Romanja është shumë i qartë. Zv/presidentja dhe aksesorja e welfare, Gualmini, nuk ka dyshime: “Bëhet fjalë për braktisje të vërtetë të të miturve nga ana e familjeve të veta, një shkelje e Konventës së Nju Jorkut për të drejtat e fëmijëve dhe një shmangie e pastër e normave dhe legalitetit”. Sipas zyrtares së lartë, kemi të bëjmë me një dukuri të pambajtshme nga ana e Komunave: “Nuk mund t’ua japim welfare-n tonë atyre që u bëjnë dredhi ligjeve, ose atyre që vijnë në Itali për të studiuar”.
Propozimet konkrete nuk mungojnë. Nga takimi urgjent i lartpërmendur kërkohen disa masa që kanë të bëjnë me bashkërendimin e punës së institucioneve vendore e qendrore, por edhe ligje të reja për të përballuar situatën. Së fundi, në mënyrë fare të qartë, kërkohen “veprime të reja e incizive ndaj qeverisë shqiptare dhe ndaj komunave prej ku nisen flukset e të miturve, nga ana e krahinës dhe qeverisë kombëtare, në mënyrë që të gjenden marrëveshje alternative ndaj ikjes masive drejt Emilia Romanja-s” (njoftimi i datës 1.12.2015 këtu).
Për herë të parë kërkohen kaq hapur veprime energjike ndaj qeverisë shqiptare e për herë të parë po flitet për të miturit me termat eksplicitë “flukse”, apo “ikje masive”. Për pak, rrezik të përdoren fjalë edhe më mbresëlënëse. Nuk ka dyshim se situata është bërë tejet shqetësuese. E tregojnë, gjithashtu, numrat në rritje. Ndërkohë nga institucionet shqiptare nuk duket se po fillon ndonjë nismë serioze për ta zgjidhur problemin e të miturve të pashoqëruar, madje nuk po konsiderohet as edhe si simptomë e ndonjë sëmundjeje edhe më të rëndë sociale.
|
2,112 | https://peizazhe.com/2009/06/26/muzgje-idhujsh/ | null | 2009-06-27T02:05:00 | MUZGJE IDHUJSH | Vdekja e pop star-it Michael Jackson pati efektin e papritur që ta zhvendosë nga kryetitujt “revolucionin” në Iran.
Ka megjithatë një lidhje më të thellë mes këtyre ngjarjeve, që ilustron edhe natyrën e trazirave në botën e sotme, të përcjella e ndonjëherë të katalizuara nga mediat.
E them këtë edhe ngaqë, gjithë këtë javë dhe pavarësisht nga ç’i ndodhi Michael-it, kam përtypur në mend disa ngjashmëri strukturale midis ngjarjeve në Iran dhe atyre në Shqipërinë e pas 1990-ës, të sotme dhe të djeshme.
Korriku dhe dhjetori i 1990-ës asnjëherë nuk do të ndriçohen dot; ka mundësi që revolta popullore të jetë nxitur, madje ndezur sa prej agjenturave të huaja aq edhe prej vetë Sigurimit të Shtetit, që vetëm ashtu do të mund ta ruante disi kontrollin mbi ngjarjet.
Edhe pse nuk kam qenë në Tiranë atëherë, e mendoj veten si një nga ata që mezi e kanë pritur ditën kur do të rrëzohej statuja e krimbur e diktaturës; prandaj e kam të lehtë të identifikohen me banorët e Teheranit, që dalin të protestojnë rrugëve kundër regjimit të atjeshëm obskurantist, censurës brutale dhe sundimit të ajatollahëve mbi jetën kulturore dhe filozofike.
Megjithatë, e kam të qartë sa thellë është zhgënjyer brezi im nga rruga që mori Shqipëria e pas 1990-ës. Mjaft të marr me mend se kush rrezikoi më tepër gjatë viteve 1970-1980, dhe kush përfitoi më tepër pas 1990-ës; kush u varfërua nën diktaturë dhe kush u pasurua në “demokraci” – materialisht dhe shpirtërisht.
Totalitarizmin e kam përjetuar në Tiranë, banor i kryeqytetit; qëkur fillova të mendoj në terma të së drejtës dhe të krimit, të lirisë dhe të shtypjes, të dritës dhe të errësirës, nuk mund të mos i mbaja sytë e kthyera nga Perëndimi, që – për ne të Tiranës në ato vite – ishte Italia, e parë përmes televizionit, e dëgjuar përmes radios.
Përveç të deklasuarve dhe të persekutuarve politikisht, më të ndrydhurit në Shqipërinë totalitare ishin punëtorët e mendjes: intelektualët, studentët, shkrimtarët, artistët, mësuesit, përkthyesit; ata e përjetonin intimisht robërinë e mendimit, ata e përfytyronin identitetin e tyre të realizuar mirëfilli në një botë me dyer të hapura.
Të tillë janë iranianët që kanë marrë sot rrugët e Teheranit, për të protestuar kundër primitivizmit të regjimit të atjeshëm; rezultatet e zgjedhjeve, manipulimet dhe mashtrimet, janë ndoshta vetëm preteksti për të ngritur zërin.
S’ka pikë dyshimi se shumë prej iranianëve që kanë pasur kontakt me Perëndimin, kulturën shekullare, kultin e lirisë individuale dhe të fjalës, të drejtat e njeriut e veçanërisht të gruas, përbuzjen ndaj autoritarizmit old fashioned, gjenden në të njëjtën agoni, si edhe elitat intelektuale të Tiranës, në fund të viteve 1980.
Agjenturat e huaja, të interesuara për të destabilizuar Iranin, do të fokusoheshin pikërisht në këtë pakënaqësi difuze, për ta kanalizuar drejt revoltës së hapur, sikurse bënë atëherë në Tiranë; vetëm se, njëlloj si në Shqipëri, elitat pro-perëndimore në Iran nuk mund veçse të jenë një pakicë e papërfillshme.
Kur kam qenë student, në vitet 1977-1983, gjithnjë e merrja veten me të mirë me një përfytyrim të përsëritur, madje obsesiv; doja të montoja, në pika strategjike të oborrit të Fakultetit Histori-Filologji, altoparlantë të fuqishëm, nga të cilët të buçiste pastaj, anembanë, kënga “Another Brick in the Wall” (Part II) e Pink Floyd.
E kaloja këtë përfytyrim në mendje deri në hollësitë më të papërfillshme, si të isha producenti i një videoklipi: fytyrat e studentëve, ngërdheshja në fytyrën e sekretarit të Partisë, urdhri i një mësuesi fizkulture për t’i rrëzuar altoparlantet, shija që do të më jepte në gojë cigarja, teksa do të ndihesha krenar për katrahurën që kisha shkaktuar.
Mënyra ime për t’u Jan Palach-izuar, si të thuash.
Unë e kisha kapur me Pink Floyd, por ndonjë moshatari im, vetëm pak vjet më vonë, do të ketë pasur të njëjtën fantazi, edhe pse ndoshta me “Bad” ose “Thriller”, të Michael Jackson-it.
Idetë i kishim të mira, por mjetet për t’i realizuar i kishim blerë në tregun e zi të kulturës.
Nuk më duket rastësi, megjithatë, që rënia e Murit të Berlinit u kremtua, ndër të tjera, edhe me një mega-koncert të Roger Waters – dikur pjesëtar i Pink Floyd dhe autor i konceptit të albumit “The Wall”, ose i metaforës pop muzikore dhe kulturore së Murit. Ironikisht, në atë koncert luajti edhe Orkestra Ushtarake e Armatës Sovjetike…
Përfytyroni tani totalitarizmin pothuajse fetar të Lindjes, në format e veta herë politike, herë teokratike nga njëra anë; ekumenizmin rinor të kulturës pop nga ana tjetër.
Kush do të fitojë?
Për fat të keq, diskursi për Iranin rrëshqet në dy shina që po vijnë duke iu larguar njëra-tjetrës; pro-perëndimorët e Twitter-it kanë të drejtën e tyre të revoltohen ndaj katundarisë politike të Ahmadinejad-it; por ky i fundit ka me vete votën e popullit. Prandaj nuk ka pikë kuptimi të ngatërrosh demokracinë me lirinë; sikurse nuk kishte pikë kuptimi ta ngatërroje në Shqipërinë e 1990-ës, pavarësisht nga parullat e brohoritura në oborret e ambasadave te rruga “Skënderbej” në Tiranë.
Në një Iran të lirë, qytetarët e Teheranit duan ta kalojnë natën duke ndezur qirinj poshtë portreteve dhe posterëve të ikonës pop Michael Jackson-it; në një Iran demokratik, vese të tilla nuk do të tolerohen dot, sikurse nuk janë toleruar.
Autoritarizmi bashkëjeton për bukuri me demokracinë; aq më tepër në kushte si të sotmet, kur Perëndimi e ka humbur të drejtën morale për të dhënë leksione të etikës politike. Teksa Neda Agha Soltan-it i lakohej emri anembanë infosferës në Perëndim, gjetiu ende komentohej masakra që kish bërë një avion robot i NATO-s gjatë një funerali në Pakistan (80 të vrarë, si me shaka).
Unë vetë e paskam tani të vështirë të përfytyroj një koncert të Roger Waters-it në Baghdad.
Shumë ujë ka rrjedhur, që nga vitet euforike të pas 1990-ës; Irani i sotëm i ngjan, në shumë aspekte, Lindjes europiane të para 20 vjetëve – por Perëndimi është katandisur në fantazmë të çka përfaqësonte atëherë, edhe pse avionët, raketat dhe gjeneralët i ka përmirësuar (pa përmendur hyrjen e Shqipërisë në NATO).
Michael Jackson-i mund t’i zhvendosë fatet e Iranit nga titujt kryesorë të Reuter-it e të AP-së; por nuk i energjizon dot më ushtritë e Twitter-it në Teheran. Revolucionet nuk bëhen dot pa sakrificat e idealistëve; po vallë nuk kanë nevojë, edhe idealistët, për ideale?
|
9,966 | https://peizazhe.com/2012/03/28/brekushet-uniseks/ | null | 2012-03-28T04:33:09 | BREKUSHET UNISEKS | Ka pasur, këto ditë, një zallahi në mediat për çështjen e paradës së homoseksualëve që do të mbahet në Tiranë në maj – për të festuar Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe për arsye të tjera të njohura.
Nga njëra anë, një eksponent i së djathtës në pushtet (Ekrem Spahia), deklaroi se gay-t shqiptarë të Paradës u dashkan kapur në hu; nga ana tjetër, ResPublica botoi një letër të një anonimi, pas gjase provokacion i thjeshtë, ku vizioni gay i kundërvihej hipokrizisë heteroseksuale borgjeze, me një patos të ngjyer mirë në lëngjet biologjike.
Nuk ka dyshim se ka shqiptarë homoseksualë, sikurse edhe ka pasur; dhe që këta diskriminohen në mënyra të ndryshme. Për fat të keq, diskriminimi në shoqërinë shqiptare është praktikë transversale, nga e cila nuk shpëton askush – dhe jo vetëm në aksin hetero/homo, por dhe në atë burrë/grua, qytetar/katundar, verior/jugor, shqiptar/tradhtar, i fortë/i pafortë, komunist/antikomunist, i bardhë/jevg, mysliman/i krishterë, i PD-së/jo i PD-së, e kështu me radhë.
Kjo shoqëri shqiptare sot as që mund të përfytyrohet pa diskriminimin e gjithanshëm.
E reja e të tanishmes ka të bëjë, para së gjithash, me përgjithësimin e barazisë, si të drejtë elementare të njeriut; meqë diskriminimi mund të ndodhë vetëm në një kontekst barazie, ose midis palësh që, në teori, duhej të ishin të barabarta mes tyre.
Megjithatë, kur flitet për paradë gay në Tiranë, nuk kemi të bëjmë më thjesht me çështje diskriminimi dhe barazie; meqë kjo paradë është një praktikë e importuar në mekanikisht, madje e tillë që të përfaqësojë një nga format më elokuente të kultit të kargove sot mes shqiptarëve.
Parada gay është zhvilluar në kontekstin kulturor specifik të Perëndimit të zhvilluar; edhe pse i ka rrënjët sa në procesionet fetare, aq edhe në festat e karnevaleve dhe të tjera të ngjashme; dhe po të duam mund të zbresim deri në ritet e Dionisit së lashti.
Kjo traditë nuk vepron më ndër shqiptarë, ose është shumë e dobët; veçanërisht në kryeqytet, ku praktika e paradës u politizua aq shumë gjatë shekullit që shkoi, sa u kthye në trajtë komunikimi të popullit me udhëheqjen, ose një lloj triumfi, në kuptimin romak, të raporteve ekzistuese të pushtetit.
Gjithsesi, parada tek ne ende përfaqëson pikën kulmore, apoteozën e realizimit të identitetit vetjak në publik; ose momentin kur privatja vjen e tkurret deri në zhdukje.
Pavarësisht nga synimi subjektiv që mund të kenë homoseksualët shqiptarë për paradën e tanishme, ajo do të perceptohet doemos si një orvatje për ta bërë krejt publik versionin alternativ të jetesës gay; në një kohë kur ndër shqiptarët ende nuk ka zënë vend mirë toleranca ndaj manifestimeve publike edhe të seksualitetit normativ (çka e konfirmon edhe, paradoksalisht, fakti që disa gra dhe vajza në Tiranën metroseksuale e festuan 8 marsin në strip clubs).
Të kemi parasysh se në Shqipëri kemi gay dhe lesbians, baballarët dhe nënat e të cilëve do t’i kenë mbajtur radhët burrat veç e gratë veç, në dyqanet dhe zyrat.
Irritimi që manifestohet shpesh, ndonjëherë edhe haptazi, ndaj homoseksualitetit është, në thelb, irritim jo ndaj praktikës vetë, sesa publicitetit të diçkaje që duhej të mbetej e fshehtë.
Sa më publike bëhet sjellja e homoseksualit, aq më e kërcënuar ndihet një kategori heteroseksualësh në privatësinë e vet.
Kjo nuk përligj dhunën dhe diskriminimin; edhe pse shpjegon – ndoshta – disa tensione, të shprehura edhe në mediat sociale.
Natyrisht, parada gay është edhe një mënyrë, e sprovuar, për të përftuar, farkëtuar dhe konsoliduar një komunitet gay në Shqipëri, si kundërpjesë sociale e shoqatës përkatëse.
Që ka homoseksualë, dhe këta përfaqësojnë një përqindje të caktuar të popullatës, kjo nuk do të thotë, doemos, se ka edhe një komunitet homoseksualësh; madje nuk do të thotë as edhe se një komunitet i tillë duhet të ekzistojë, as që duhet të krijohet.
Gjithsesi, një individ që diskriminohet, është një individ të cilit i mohohet plotësia e të qenit njeri; dhe askush nuk duhet të guxojë t’ia mohojë kujt këtë plotësi – dhe komuniteti nuk hyn këtu fare, meqë s’është e thënë të jesh gay, për t’i dalë në mbrojtje gay-t të nëpërkëmbur.
Megjithatë, nëse këto organizata homoseksualësh në Shqipëri luftojnë kundër diskriminimit të tyre dhe të së tjerëve, atëherë ato meritojnë solidaritetin dhe admirimin e të gjithëve.
Përkundrazi, parada gay, si formë e kultit të kargove, ose importim i një praktike që mbërrin në teatrin shqiptar të rrugës më tepër si zhguall i zbrazët, sesa si shishe me një mesazh brenda, nuk mund t’i ofrojë Tiranës ndonjë model qytetar të dobishëm, së paku për momentin.
Publiku u indinjua vërtet me reagimin folklorik të z. Spahia; por folklorizmi i z. Spahia, i mbështjellë me populizëm dhe parada gay, e importuar si të ishte deodorant sqetullash ose kufje Bluetooth, janë dy skajet e të njëjtës dukuri: përballë modernizimit formal, në kufi të provokacionit, dhe gjithsesi të pamotivuar shoqërisht, do të ketë gjithnjë një shtresë konservatore dhe të kërcënuar, e cila do të përgjigjet me folklor.
E keqja është, pra, te imitimi; ose ajo mënyrë të menduari magjik, e cila këto njëzet vjet na ka paralizuar, duke na shtyrë të braktisim çdo lloj orvatjeje ose gjakimi për zhvillim organik, në emër të kopjimit mekanik të hieroglifeve Perëndimore.
|
88 | https://peizazhe.com/2007/07/09/perlavdim-dhe-neperkembje/ | null | 2007-07-09T02:27:01 | Përlavdim dhe nëpërkëmbje | Ripërtëritja dhe riprodhimi i kulturës shqiptare në këtë periudhë kalimtarie e ndonjëherë krize varen në masë të madhe nga perceptimi që i bën publiku historisë së kulturës ose çka është quajtur përmasë diakronike. Raportet e kulturës së re, krijuar a konsumuar rishtas, me të shkuarën e vet, nga një palë mbahen si themelore për mbijetesë e zhvillim, nga një palë tjetër si pengojca që duhen hequr qafe. Vetë e shkuara priret të marrë trajta të ndryshme e shpesh të pabashkëmatshme, sipas ideologjive, mitologjive dhe bestytnive të atyre që i referohen, për ta ngritur në qiell ose shpërfillur. E gjithë kjo ethshmëri mund të tregojë gjallëri dhe fermentim, por edhe obsesion me një përmasë që, fare lehtë, mund të shndërrohet në fantazmën e vet groteske.
Makdonaldizim i alfabetit?
Prej kohësh është vënë re se futja e kompjuterave në jetën publike, së bashku me shtegtimin e një pjese të komunikimit kulturor në hapësirat virtuale të Internetit, i sfidon drejtpërdrejt kulturat kombëtare, sa kohë që gjuhë dhe formë kulturore e universit digjital mbetet anglishtja. Sfida u paraqitet shqiptarëve në trajta të ndryshme, por kohët e fundit ka pasur debate deri edhe për nevojën e një rishikimi a reforme të pjesshme të alfabetit të shqipes, i cili nuk iu përshtatka mirë modeleve shkronjore të anglishtes për shkak të shenjave të posaçme që përdor me ë-në dhe ç-në. Mjaft t’u hedhësh një sy botimeve shqiptare në linjë – pa përmendur forumet e ndryshme ku përdoret shqipja – për të parë se nuk ka një mënyrë të vetme të pranuar për ta zgjidhur kokëçarjen e këtyre dy grafemave kryeneçe. Një palë i bien shkurt dhe i mënjanojnë krejt; një palë tjetër duan t’i përdorin, por jo gjithnjë shfletuesit ua interpretojnë drejt kodet; një palë e tretë kërkojnë ta përdorin këtë krizë për të sugjeruar reforma të alfabetit dhe zëvendësim të shenjave të posaçme (diakritike) me zgjidhje të tjera të praktikueshme me alfabetin standard. Sa herë që hapet një diskutim i tillë, më vjen në mend një mik imi i dikurshëm, filozof “pozitivist”, që gjysmë-seriozisht i parashtronte viktimës së radhës idenë e vet për ta thjeshtuar sistemin morfologjik të shqipes sipas modelit të kolauduar të anglishtes; në mënyrë të tillë që, bie fjala, një folje çfarëdo të zgjedhohej kështu: unë shkoj, ti shkoj, ai shkoj, ne shkoj, etj. Të gjithë atyre që s’e mbanin dot gazin, miku im u vërente se gjuha është tek e fundit marrëveshje për adoptim të një sistemi rregullash arbitrare. Mirëpo kur vjen fjala tani për shkrimin e shqipes kompjuterike, deri edhe Panorama, gazetë qendrore në Shqipëri, disa herë e ka rimarrë çështjen seriozisht duke propozuar, nëpërmjet analistit të vet Kopliku, që ë-ja të fillojë të shkruhet ee, dhe ç-ja cz ose ch. Kjo zgjidhje më tingëllon tipike prej teknokratësh miopë ndaj përmasës historike të alfabetit dhe domethënies kulturore të atyre pak shenjave që ndriçimtarët e Rilindjes u detyruan t’i lënë në alfabet, megjithëse të vetëdijshëm për kokëçarjet teknike që po u sillnin tipografëve të së ardhmes. Në krahasim me gjuhë të tjera madje madhore si spanjishtja, frëngjishtja dhe italishtja, e jona i përdor shenjat e posaçme vetëm në dy raste; në një kohë që alfabetet e polonishtes, çekishtes, sllovakishtes, kroatishtes, rumanishtes e turqishtes janë të krimbura me diakritikë. Natyrisht, një ndryshim çfarëdo në alfabet do t’ua ndërlikonte krejt kot brezave që vijnë komunikimin me trashëgiminë kulturore, sepse alfabeti është nga ato fillesa që duhet t’u mbijetojnë ndryshimeve për t’u siguruar vijueshmërinë e duhur; ndërsa vështirësitë e të shkruarit në kompjuter dhe të afishimit në Internet nuk kanë të bëjnë me mangësi të alfabetit vetë, por me papajtueshmëri të programeve kompjuterike, prandaj edhe mund të zgjidhen natyrshëm me rrugë administrative (siç e shpjegon mirë Bato Bujku në blogun e vet “Kurveleshi”). Shqipja përndryshe e ka alfabetin relativisht të ri dhe ende krejt funksional; madje këtij funksionaliteti të kënaqshëm i detyrohet pjesërisht alfabetizimi masiv i shqiptarëve gjatë shekullit XX, i cili ende mbahet me të drejtë si arritje për t’u krenuar e programit kombëtarist të Rilindjes.
Kultura si nostalgji
Merita Halili, këngëtare e shquar e folklorit urban të Shqipërisë së Mesme, prej kohësh është vendosur në SHBA, ku e shoqëruar nga një grup instrumentistësh të thekur vazhdon të japë koncerte për një publik kryesisht të mërgatës shqiptare të Përtejdetit. Për një artiste që kërkon t’i mbetet besnike repertorit tradicional, vështirësitë e karrierës të njëmendtë në kushte të mërgimit kanë të bëjnë kryesisht me pritjet jo gjithnjë racionale, as mirëfilli estetike, të mërgimtarëve artdashës. Shqiptarëve muzika popullore u shërben edhe si sfond momentesh kritike të jetës së familjes dhe të komunitetit; madje për shumëkënd këngët e folklorit urban janë të pandashme nga dasma tradicionale shqiptare, ku gëzimi i ritualizuar shpesh i përshoqërohet natyrshëm sentimentalizmit të skajshëm. Çështja është nëse një funksion i tillë mund të bartet në rrethanat të reja të mërgimit, pa e humbur mesazhi ngarkesën artistike. Koncerti i fundit i Merita Halilit në New York e konfirmoi edhe njëherë kundërvënien e sotme midis artistit me frymëmarrje kombëtare dhe publikut të vet më të përkushtuar, njëlloj sikurse konfirmoi magjinë estetike të repertorit klasik të këngëtares. Për fat të keq, programi i koncertit jo vetëm ishte përzgjedhur i tillë që të kënaqte një turmë sa më gjithëpërfshirëse shqiptarësh të djegur për shqiptarë të tjerë, por edhe dukej se mëtonte jo aq kumtin muzikor sesa nostalgjinë për një mot tanimë të lënë pas, të kapërcyer, të mbetur peng të kujtesës. Pati çaste kur këngëtarja, derdhur posaçërisht në një fustan të kuq me shqipen dykrenare ngjitur në abdomen, dukej sikur po i deklamonte publikut në ekstazë alfabetin muzikor të gjeografisë kombëtare. Ky masazh atdhetarizmi u kurorëzua pastaj me interpretimin e papritur të “Bjeri gajdes, gajdexhi,” një këngë e lehtë ahengu që, ndër të tjera, përmban vargje të tilla si “sot ka festë kooperativa”, duke iu sjellë haptazi asaj të kaluare mitike kur shqiptaria përvijohej si diçka më e madhe se shuma e pjesëve të veta. Kështu, finalja rituale e koncertit sikur e la pak në hije pjesën e parë, ku vlerat artistike kishin përparësi ndaj mesazhit ideologjik; edhe pse lirizmi i atmosferës intime të disa prej këtyre këngëve i përshtatet më mirë natyrës dhe personalitetit muzikor të artistes. Muzika – opium apo komunikim? Si koncert, ky i Merita Halilit u përjetua me ngazëllim të paparë nga plateja dhe do mbajtur mend si sukses, por suksesi s’i jep dot përgjigje pyetjes së mësipërme. Vetëm sugjeron që, për shumëkënd, ajo kulturë kombëtare që i mbledh shqiptarët së bashku nën një çati e zhytur në të njëjtat gëzime, ende vijon t’i referohet kohës kur gjithçka kompaktësohej nga totalitarizmi i regjimit – të paktën gjithçka përtej mishrave të pjekur dhe gotës së rakisë.
Muzeu i mureve
Nëse totalitarizmi ishte edhe përpjekje për t’iu imponuar shqiptarëve një identitet kulturor tejkrahinor të themeluar në adhurimin e shtetit, periudha post-totalitare po shtjellohet, të paktën në kulturë, edhe si përpjekje për restaurim të fillesave krahinore dhe shumëfetare të vetëdijes kombëtare. Dallesa të tilla si komunistë dhe antikomunistë, të majtë dhe të djathtë, të krishterë dhe muhamedanë, gegë dhe toskë, katolikë dhe ortodoksë, kombëtaristë dhe kozmopolitë po kristalizohen shpesh e sidomos në kulturë, duke u betonuar pas personaliteteve përkatëse dhe duke mbjellë segmentim të mëtejshëm në jetën normale të komuniteteve. Një debat i kohëve të fundit në hapësirat e Internetit rreth figurës së Gjergj Fishtës si poet dhe vendit të tij në historinë e letrave shqipe tregoi, ndër të tjera, sa i vështirë po bëhet komunikimi mes shqiptarëve që qëllojnë të gjenden në dy anë të kundërta të një barrikade çfarëdo. Për disa, poeti autor i Lahutës është i pandashëm nga Fishta personalitet i shquar i Rilindjes; ndërsa për disa të tjerë s’është aspak e parakohshme që vepra letrare e Fishtës të gjykohet me kritere thjesht estetike në raport me veprën e shkrimtarëve të tjerë romantikë të kohës, ose edhe nga perspektiva e interesit që ka për atë poet lexuesi i sotëm shqiptar tipik. Debate të tilla nuk bien ndonjë kontribut kritik të mirëfilltë, pse shpesh shtjellohen midis amatorësh të rrëmbyer, që identifikohen me heronjtë e tyre njëlloj siç identifikohen tifozët me skuadrat e zemrës; mirëpo diskutimet ndonjëherë lënë të tejduken zhvillime të vetëdijës shqiptare që fare lehtë mund të rrezikojnë nesër vetë integritetin kulturor të shqiptarisë. Nëse një palë adhurimtarësh e nderojnë Fishtën në atë masë që vepra e tij, letrare dhe joletrare, është edhe mishërim i një frymëzimi kombëtarist tejkrahinor të kulluar, një palë tjetër e mbajnë për “të tyrin” vetëm ngaqë e kanë të krahinës ose të fesë së tyre. Tolerimi shpesh dashamirës i një partikularizmi të tillë ka doemos të bëjë me kujtimin e përndjekjes së pamëshirshme, prej Hoxhës & Co., të fesë katolike në veri të Shqipërisë dhe kulturës që i përshoqërohej asaj feje. Mirëpo kjo nuk më duket se ia përligj qëndrimin, bie fjala, një autori si Zef Simoni, kur ky shkruan në një artikull (shpërndarë në Internet) se po e lut Zotin “mos me harrue kurr figurat e shqueme të religjionit e të atdheut tonë, tue fillue me Shën Jeronimin […] me Marin Barletin meshtar e shkrimtar i fuqishëm, së bashku me Beçikemin, me Buzukun, Budin, Bardhin e Pjeter Bogdanin e veprave monumentale, grup i denjë i letërsisë së vjetër shqipe […] me autorët e fuqishëm kryesorë të letërsisë shqipe, si: Mjedën, Harapin, Fishtën, Zadejen, Palajn e sa të tjerë […]”; dhe pikërisht në një trajtesë ku denoncohet ateizmi i një poeti tjetër shqiptar, Migjenit. Veç autorit blasfem të Vargjeve të Lira, në Top-Ten-in letrar të ipeshkvit ndihmës në Arqipeshkvinë e Shkodrës nuk kanë gjetur dot vend as De Rada, as Naimi, as Samiu, as Asdreni, as Lasgushi, as Konica, as Noli, as Skiroi… për të mos përmendur të tjerë të mëvonshëm që na i lexon bota mbarë. Natyrisht, partikularizmi dhe parrokializmi nuk duan marrë si viktima të diktaturës prandaj edhe nuk ka pse të rehabilitohen; dhe aq më pak në kuadrin e një kombëtarizmi shpesh sentimental, mitizues e ndonjëherë edhe instrumental.
Kujdes me kujdestarët!
Janë të shumtë ata shqiptarë, brenda e jashtë Shqipërisë, që duan ta përdorin kulturën për të arritur qëllimet e tyre – fisnike e shpirtvogla, të larta e të ulëta, utopike dhe praktike. Por njëlloj të shumtë janë edhe ata që kulturën shqiptare e shohin si substancë të identitetit, ose medium të komunikimit me bashkësitë në të cilat përfshihen. Për këtë arsye kaq ekzistenciale kujdesi për kulturën nuk u duhet besuar kurrsesi as reformatorëve të alfabetit as nostalgjikëve që e duan sa kohë ua riprodhon hierarkitë dominuar prej atyre vetë, e më në fund as krahinoristëve, që e shohin me dyshim çdo fillesë kulturore jolokale. Në të vërtetë, të gjitha këto grupime duket se po e përjetojnë mundimshëm përmasën kohësore (diakronike) të kulturës; meqë duan ose ta lënë mënjanë në emër të modernizimit abstrakt, ose ta adhurojnë si të ishte perëndi e të sotmes, ose ta shpërbëjnë në emër të një autenticiteti “filologjik”, gjithsesi anakronik nëmos arkaik. Edhe pse lëvizje e dëshira të tilla periferike nuk duket se ngrenë peshë përballë trysnisë së frikshme të kulturës pop amerikanizante ndaj mekanizmave riprodhuese dhe mirëmbajtëse të komunikimit kombëtar, ato megjithatë kanë ndikim të shpërpjesëtuar në elitat me dhe pa pushtet, sa kohë që elitat ushqehen me këtë apo me atë utopi të radhës. Shqetësimi i sotëm ndaj rravgimeve të tilla do të mund të parandalonte materializimin e tyre nesër, kur do të ishte vonë për t’i mjekuar.
[2004]
|
12,700 | https://peizazhe.com/2013/05/21/pleh/ | null | 2013-05-21T14:12:38 | PLEH | Gazeta “Shekulli” rrëmon në kazanë plehrash.
Gjej sot të botuar një shkrim me titull “38-vjeçarja mbetet shtatzënë me të vdekurin”, i cili pa frikë mund të merret edhe si nadiri i gazetarisë shqiptare trash.
Jo vetëm që lajmi është i pabesueshëm në vetvete, por edhe është i vjetër; i 11 nëntorit 2010; kur u botua nga një faqe online e quajtur Dead Serious News, e cila ka natyrë satirike dhe parodike, e ngjashme me The Onion, ose – meqë jemi në hapësirën e PTF – me Obobo News.
Kjo lloj gazetarie pastiche nuk synon të gënjejë kënd, por vetëm të qesëndisë teprimet e shtypit, duke i çuar deri në absurd. Si e tillë, ajo parakupton një lloj publiku në gjendje ta kuptojë absurdin – jo analfabetët funksionalë, të cilëve u drejtohet lajmi më lart.
Ka edhe më – lajmi është përgënjeshtruar tashmë Snopes.com, çka tregon se Shekulli nuk ishte as i pari që e bëri një mufkë të tillë; në fakt, budallallëkut nuk i mungon kurrë konkurrenca, brenda dhe jashtë vendit.
Mjerë publiku në Shqipëri, që mësohet të zbavitet me kësi lëtyrash.
P.S. Mos humbisni, nga teksti i lajmit, që policia e paska akuzuar gruan në fjalë edhe për përdhosje të… nekrologjisë së viktimës; kushedi ngaqë në këtë nekrologji nuk përmendej fertiliteti i tij formidabël.
P.P.S. Vëreni edhe që lajmi i botuar në Dead Serious News shoqërohet me një foto-kuadër nxjerrë nga seriali televiziv Lost, ku tregohet personazhi John Locke (Terry O’Quinn, në arkivol.
|
38,925 | https://peizazhe.com/2021/07/26/1x10-antologji-e-poezise-bashkekohore-greke/ | null | 2021-07-26T12:37:50 | 1×10: ANTOLOGJI E POEZISË BASHKËKOHORE GREKE | Titulli: Antologji e Poezisë Bashkëkohore Greke
Shtëpia botuese: Berk, 2021
Përzgjedhur dhe përkthyer: Sokol Çunga
Parathënie
Ndër kohëra titulli “antologji” ka marrë kuptimin hijerëndë të një prodhimi mbrujtur nga autoritete akademike dhe zyrtare dhe, afërmendsh, pyetja e parë e dikujt do të ishte: “cili autoritet e ka përpiluar këtë antologji”. Përgjigja është e thjeshtë: asnjë autoritet. Është një “antologji jozyrtare”, nuk hedh shtat në hijen e asnjë institucioni apo autoriteti. Nuk është, kurrsesi, simbol vetëkënaqësie mbledhja e kësaj antologjie. Vetvetiu, askush s’i afrohet dot poezisë me arrogancë dhe vetëkënaqësi. Përndryshe, s’ka aty poezi. Kjo përmbledhje është krejt spontane, e mbështetur në lexime të përditshme gjatë 15 e më shumë viteve, dhe kriter të vetëm ka artin që na bën ta soditim dhe të heshtim.
Emri “antologji”, huazuar nga greqishtja “ἀνθολόγιον”, në kuptimin e parë bart domethënien “buqetë lulesh”. Kur dalim fushave, apo kur shkojmë në shitore lulesh, nuk zgjedhim lulet sipas kritereve akademike, duke pasur parasysh përbërjen biologjike të tyre. Kështu, edhe kjo buqetë është përfundim i luleve të poezisë greke që kam mbledhur ndër vite, dhe i shërbehen sot lexuesit përkthyer në shqip nga vetë përzgjedhësi.
Mbledhja e këtyre poezive i nënshtrohet vetëm një kriteri: së bukurës që me lëmimin estetik dhe pjalmin shpirtëror, nxjerr nga amullia mendjen dhe shpirtin. Nga ana tjetër, kur përpara ke poetë që janë të rinj sipas moshës fizike, siç janë shumica e poetëve që shërbejmë këtu, udha e të cilëve në letërsi, me gjasë, ka për të qenë e gjatë, vetvetiu mbledhësi çlirohet dhe nga tensioni që dikton kërkimi për të gjetur të përkryerën. Ndoshta e përkryera nuk është shkruar ende. E rëndësishme, në këtë çast, mbetet përvoja e leximit dhe e marrëdhënies që arrin të vendosë lexuesi me poezinë e shërbyer. Nga ana tjetër, është krejt e pamundur që poezia bashkëkohore greke të paraqitet në një vëllim të vetëm. Por njëkohësisht, do të kishte qenë ëndërr e marrë përfshirja e gjithë poetëve bashkëkohorë në një vëllim të vetëm. Prandaj dhe, me shpresën se do të mundem të vijoj këtë projekt edhe në të ardhmen, këtu sjell vëllimin e parë të poezisë bashkëkohore greke.
Poezia e shkruar në greqishte daton që në shek. VIII para Krishtit, me dy veprat e mirënjohura të antikitetit, Iliadën dhe Odisenë e Homerit. Teksa në këtë pikë bien në një mendje të gjithë studiuesit, për fillesat e letërsisë moderne greke (pra, asaj jo klasike), debati akademik vijon. Sipas njërit prej varianteve, letërsia moderne greke ndahet në gjashtë periudha, si më poshtë:
Shek. IX – 1453 (rënia e Konstandinopojës);
1453 – 1669 (rënia e Kretës nën sundimin e Perandorisë Osmane);
1669 – 1821 (fillimi i Revolucionit Antiosman);
1831 – 1880 (shfaqet Shkolla e Re e Athinës);
1880 – 1930 (Brezi i viteve ’30 dhe ’31, shfaqja e J. Seferisit në letrat greke);
1930 deri në ditët tona.
Një tjetër variant i qëndrimeve teorike sugjeron ndarjen e letërsisë greke në tre periudha të mëdha: Antike, Bizantine dhe Moderne. Dikush tjetër propozon vetëm dy periudha: Antike dhe Moderne (duke vendosur si kufi mes tyre vitin 1453), e kështu me radhë. Për të tjerë autorë moderniteti fillon aty rreth vitit 1700, duke quajtur “letërsi mesjetare” periudhën mes viteve 1200-1700. Pavarësisht debateve, pika kyçe e poezisë moderne greke mbetet Eposi i Digjenis Akritas i shek. XII. Kurse zonat në të cilat lëvrohet letërsia greke e kësaj periudhe, afërmendsh, ndodhen jashtë kufijve gjeografikë të Greqisë së sotme. Letërsia moderne greke është lëvruar në Athinë, Kretë, Qipro, Rodos dhe ishujt e vegjël të Mesdheut, në Peloponez dhe Epir, në Stamboll, Trakë dhe Azi të Vogël.
Gjithsesi, diskutimi i periudhave mbetet çështje krejt teknike dhe rreptësisht akademike për këndvështrimin e kësaj parathënieje. Ajo që vlen për t’u nënvizuar është se, pavarësisht klasifikimit në periudha e shkolla, e gjithë letërsia shkruar në greqisht, por veçanërisht ajo e periudhës fundbizantine dhe pas-bizantine janë thelbësore për zhvillimin e letërsisë greke të shek. XX e më prapa, gërshetuar me elementet kozmopolitë të epokës së internetit.
Veç disa poetëve të kanonit të poezisë greke, të cilët i kemi përfshirë këtu për arsye që do t’i shpjegojmë më poshtë, synimi kryesor i kësaj antologjie është të sjellë disa prej zërave të poezisë bashkëkohore të poezisë greke. Këta poetë janë të njohur për lexuesin e kultivuar grek dhe cilindo që ndjek revistat letrare (tradicionale apo elektronike) kombëtare a ndërkombëtare, si dhe botimet e reja në Greqi. Kurse në rastin tonë, në Shqipëri, mbeten të panjohur. Secili nga këta poetë bashkëkohorë ka botuar të paktën një libër, e shumë prej tyre janë edhe fitues të çmimeve të ndryshme letrare. Kësisoj, kjo antologji është, kryesisht, përzgjedhje poezish për t’i ndarë me njerëz që dëshirojnë të ngjërojnë poezinë bashkëkohore greke, kurse në aspektin personal, në mos i shërbeftë vetë Poezisë, le t’i shërbejë, aq sa mundet, njohjes së tjetrit, njëkohësisht të ndryshëm dhe të ngjashëm.
Në tekstet shkollore dhe universitare në shqip që trajtojnë poezinë greke, por edhe trajtesat akademike që merren me të, hyrja e zakontë dhe e parashikueshme nuk harron të përmendë se letërsia mesjetare dhe romantike e dy popujve tanë, atij shqiptar dhe atij grek, si dhe folklori ynë, kanë shumë të përbashkëta. Pavarësisht metodologjisë shkencore, shumë shtjellime mëtojnë të gjejnë pikëtakimet mes eposeve të dy vendeve dhe në përrallat popullore. Megjithatë, marrëdhëniet letrare të dyanshme janë shumë më të varfra se marrëdhëniet njerëzore, ekonomike, politike dhe, së fundmi, edhe ato gjeo-strategjike të këtyre 30 viteve të fundit. Pavarësisht afërsisë dhe komunikimit, çuditërisht, lexuesi shqiptar dhe publiku i gjerë njeh variante fragmentare të kulturës greke, të stereotipizuara prej muzikës apo industrisë së argëtimit në përgjithësi, dhe pak letërsi. Po t’i hedhim një vështrim diakronik botimeve të autorëve grekë në gjuhën shqipe në Republikën e Shqipërisë (theksojmë mosnjohjen tonë për realitetin e këtyre botimeve në Kosovën e para dhe pas pavarësisë), nga Lufta II Botërore, deri në fund të periudhës së partisë-shtet, vërejmë se autorët që botoheshin, qoftë në formë libri, qoftë në revista apo gazeta letrare, ishin komunistë, të cilët preferohej të ishin edhe pro-stalinistë (meqenëse stalinist vijonte të thoshte se ishte edhe ish diktatori ynë). E vetmja antologji e poezisë greke në gjuhën shqipe gjatë periudhës së shtetit diktatorial u botua më 1986[1]. Më 1984 ishte botuar i famshmi libër i diktatorit të Shqipërisë, ku theksohej tradita e gjatë miqësore mes popullit shqiptar dhe atij grek, dhe nevoja e kultivimit të mëtejshëm të saj. Prandaj, nuk mund të mos aludoj dhe nuk mund të mos mëtoj se botimi i antologjisë 2 vjet më pas ishte nismë e shtyrë nga temperatura e politikës së kohës, dhe jo mirëfilli nga synimet dhe shijet letrare, realitet i pagjasë për Shqipërinë e asaj kohe. Kjo ide përforcohet edhe më shumë kur shohim botimet e periudhës pas-diktatoriale. Sigurisht, nuk mungojnë përpjekjet e vazhdueshme të shtëpive të ndryshme botuese për të sjellë letërsi greke në shqip (për të mos i hyrë kujt në hak, nuk po marr përgjegjësinë t’i rendis). Në tregun e librit gjenden lehtësisht autorë grekë, si të traditës, aq dhe të letërsisë bashkëkohore, së shumti në prozë. Por këta autorë, pavarësisht në janë të mirënjohurit Nobelistë dhe pjesëtarët e listave të projekteve kulturore Evropiane apo Ballkanike, apo autorë krejt të panjohur, mbeten njëfarësoj të shkëputur nga bisedat apo nga ato pak kritika që shkruhen për letërsinë në Shqipëri. Veç kësaj, fakti që përkthimi i letërsisë greke në shqip ende ka vellon e mistikes dhe të ekzotikes, ndryshe, fjala vjen, nga përkthimi prej anglishtes apo frëngjishtes, tregon se letërsia greke është “tjetri” i një realiteti ku “uni” është shumë i ngurtë dhe shpërfillës. Arsyet janë të shumta, por do të ishte më me vend t’i shtjelloja në një trajtesë tjetër.
Pavarësisht synimit kryesor, sjelljes së poetëve të brezit të sotshëm të Greqisë, në këtë antologji kam përzgjedhur edhe disa prej poetëve-simbol të poezisë greke, për shkak të vulës së pashlyeshme që kanë lënë në letërsinë e vendit të tyre dhe tek publiku ndërkombëtar. Emrat emblematikë të tyre i kam përfshirë me synimin që të shërbejnë si metaforë e mbajtësit të dikurshëm të një stafete, e cila sot ndodhet në të tjera duar, me tjetër frymë, tjetër përmbajtje, tjetër formë, të tjera shqetësime dhe tjetër ndikim. Sido që të jetë, poezia e Seferisit, Elitisit a Ricosit (gjerësisht por jo plotësisht të përkthyera edhe në shqip), janë, tashmë, të tejkaluara. Veç qëndrimeve të ndryshme letrare dhe artistike që kanë, ata qenë, njëfarësoj, “të përkëdhelurit” e regjimeve gjatë të cilëve jetuan (duke bërë dallimin e domosdoshëm se, mes tyre, Ricosi ishte disident dhe i dënuar me burg dhe internim gjatë periudhës diktatoriale të Greqisë).
Mirëpo, pas tyre vjen një tjetër periudhë, vijnë botimet e pavarura të shtëpive botuese të vogla apo botimet individuale, të cilat bartin orientim të pavarur në fokusin politik dhe shoqëror të poezisë. Po ashtu, sikundër brezi i viteve ’30 arriti të linte pas poezinë e deriatëhershme romantike dhe ia doli me sukses të përqafonte dhe të kultivonte poezinë moderne, edhe këta poetë të lindur a të rritur, kryesisht, pas diktaturës së kolonelëve (vitet 1967-74), janë shkëputur prej traditës moderne dhe rrezatojnë ngjyrat e tyre të përveçme pasmoderne. Temat e mëdha që trajton poezia e viteve ’70 e më herët fillojnë të shteren, dalë nga dalë, dhe duket se poezia e viteve ’80 e pas nuk ka më qëllim të shpëtojë botën a të luftojë për idealet madhështore, por thjesht të ruajë njerëzoren në marrëdhëniet e përditshme, të kultivojë, së pari, dashurinë në mikrobotën e secilit, me shpresë se gjithkush do të bartë këtë flakë dorë më dorë, jo podium më podium. Gjykova me vend të sjell në shqip këtë poezi me përmasë individuale, ku diskutohet marrëdhënia e individit me të shkuarën e afërt, me njerëzit apo sendet krejt të parëndësishme për epopetë historike apo muzetë kombëtarë, ku shtjellohet marrëdhënia me qendrat urbane që me rritjen e tyre të pafre anonimizojnë njerëzoren, ku shumica mbyt pakicën, vendosur përballë dukurisë ku pushteti i pakicës justifikon arbitraritetin me fjalën magjike demokraci. Autorët shkruajnë në gjuhë të huaj, por jo për dukuri të huaja për shqipfolësit.
Kjo tubë poetësh (duke nënkuptuar ata që ende jetojnë) banon ose ka banuar, kryesisht, në Greqi. Por ka mes tyre syresh që kanë banuar edhe jashtë kufijve administrativë të vendit, çka edhe duket, shpeshherë, përmes poezive të tyre. Dukuria e emigrimit është pjesë integrale e poezisë greke (që prej Homerit, po të duam të shkojmë aq larg). Përvojat e ndryshme njerëzore dhe ballafaqimi me kultura të tjera vetëm i kanë shtuar vlera dhe përmasë poezisë bashkëkohore greke (pa u deklamuar, domosdo, përmes tematikës së emigrimit dhe vajit për kurbetçinjtë, tipar dallues i poezisë folklorike). Duket se, veç frymës së emigrimit të grekëve jashtë Greqisë, që është trupëzuar në poezinë bashkëkohore greke, edhe emigrimi apo shpërngulja drejt Greqisë ka dhënë kontributin e vet.
Në të vetmen antologji të poezisë greke që kemi në shqip, Shqipëria vjen në poezinë greke përmes Jorgos Seferisit (meqenëse kishte qenë, dikur, pak kohë konsull në Korçë), një fragmenti poezie nga poema “Këngë heroike dhe e përzishme për nëntogerin e rënë në Shqipëri” e Odiseas Elitisit (poezi që kujton kohën kur poeti pati kryer shërbimin ushtarak në frontin italo-grek gjatë Luftës II Botërore) dhe poezia “Shqipëria – Vendi i shqiponjave” e poetes Rita Bumi-Papa (ngjizur gjatë një vizite në Shqipëri më 1980). Në këtë antologji tonën Shqipëria vjen ndryshe përmes poezisë greke. Mes poetëve të paraqitur në të, tri prej tyre, Eleni-Suela Dukshi, Kristo-Armando Gezos dhe Eno Agolli janë lindur në Shqipëri, por janë rritur e shkolluar në Greqi. Vetvetiu, dhe fjalën e tyre poetike e kanë shtruar në letër në gjuhën greke, duke zënë vend mes zërave të poezisë bashkëkohore greke, pavarësisht prejardhjes, kombësisë apo kulturës së paraardhësve të tyre. Mirëpo, nga ana tjetër, pavarësisht gjuhës greke në të cilën janë shkruar poezitë, nuk mund të mos ndjejë lexuesi i atyre poezive, qoftë i lexon në origjinal, qoftë në shqip përmes këtij vëllimi, shkrirjen e jehonave dhe kujtimeve të fëmijërisë në Shqipëri, me arkitekturën pasmoderne të një poezie që është sa greke, aq edhe botërore.
Sado që përzgjedhjen dhe përkthimin e kësaj antologjie e kreva me dëshirë dhe përkushtim, gjithmonë ka një metahistori, prapa asaj që duket, të cilën dëshiroj ta rrëfej. Në muajt e fundit të vitit 2020, z. Rudin Dakli, me të cilin, veç komunikimeve miqësore, këmbejmë edhe mendime për projektet e tij në kuadrin e Arkivit Digjital të Elbasanit dhe të projektit Dokumente për Shqipërinë dhe Shqiptarët, më shkroi thjesht dhe shkurt: “Më pëlqejnë poezitë e përkthyera nga greqishtja, që publikon, herë pas here, në Facebook. Nëse ke diçka, e botojmë ne, me ADE”. Nuk isha as gati, as i qartë se çfarë vlente të propozoja. E blova idenë me veten, pastaj zura të pyes ca miq të afërt: ç’të bëj, ç’vlen të botohet? Ndër kohëra më qenë mbledhur poezi të përkthyera nga greqishtja dhe anglishtja, të cilat mes viteve 2015-2018 i pata lexuar në disa mbrëmje poetike pagëzuar spontanisht me titullin “Antologji Informale e Poezisë”. A vlente të mblidhja ato? Nuk e riprodhoj dot besnikërisht radhën e miqve që pyeta, por kujtoj se mora ide të dobishme nga Mikaela Minga, Aida Baro, Eleana Zhako, Andi Rembeci, Edon Qesari. Që prej fillimit të veprimtarisë së shtëpisë botuese “Berk” kishim premtuar me Anna Shkrelin se do të botonim diçka së bashku. Kështu, krejt natyrshëm, disa prej këtyre bisedave i zhvillova edhe me të. Dhe po aq natyrshëm mbërritëm tek ideja që sendërtohet përmes këtij botimi: antologji e poezisë bashkëkohore greke.
Pasi u qartësua synimi, filloi pjesa tjetër e vramendjes: cilën poezi mund të mbledh në antologji, teksa poezia e re greke fillon në shek. XII dhe vijon të zhvillohet gjallërisht deri sot? Sigurisht, i kisha disa autorë të parapëlqyer në mendje dhe në përkthime të viteve të shkuar. Por asgjë nuk kishte një formë që t’i afrohej, deri diku, antologjisë. Mora t’u shkruaj, duke kërkuar leje për botimin, poeteve dhe poetëve me të cilët kam komunikuar, herë pas here, virtualisht. Ishte thelbësore ndihma bujare që më dha prej fillimit Eleni-Suela Dukshi, jo vetëm duke më sugjeruar të përfshij disa prej poetëve më në zë të ditëve të sotshme, por edhe duke kontaktuar ajo vetë me ta, për të ma thjeshtuar komunikimin. Autorët filluan të më dërgojnë tuba poezish ose librat e tyre, elektronikisht apo përmes postës tradicionale, duke më çelur vise poezie që s’i kisha njohur deri atëkohë. Njësoj më ndihmoi në komunikimin me disa autorë edhe Eleana Zhako. Tek shkruhesha me Kosas Dhespiniadhisin, i pranishëm ai vetë në këtë botim si poet, por edhe si botues i disa prej poetëve që përfshihen këtu, më përmendi dy autorë të tjerë, poezia e të cilëve më mrekulloi. Veç kënaqësisë së punës që më jep ngaherë përkthimi, kësaj here pata edhe kënaqësinë e komunikimit me njerëz mëse të gatshëm për të qenë të dobishëm. Uroj që, ashtu sikundër mua poezitë e kësaj antologjie më shërbyen për të përforcuar lidhje të vjetra dhe për të krijuar lidhje të reja, edhe lexuesi të ndërtojë përjetimet e veta dhe të ngjërojë ca vezullime të reja që vijnë prej fqinjëve tanë jugorë.
Veç kësaj parathënieje dhe vëllimit të antologjisë, që është thelbi i kësaj pune, gjatë përgatitjes, bisedave dhe rishikimeve të disahershme kuptova se disa fraza, emra, toponime, data apo ngjarje nuk mund të silleshin për lexuesin e shqipes pa disa shënime të thjeshta. Për këtë arsye, aty ku gjykuam të domosdoshme, vendosëm dhe shënime shpjeguese, të cilat ndodhen në fund të vëllimit.
Në gjithë këtë proces pune, nuk do të kisha mbërritur kurrë i vetëm, ndaj u mbetem mirënjohës gjithë atyre që kontribuuan në këtë ndërmarrje. Falënderoj thellësisht të kurdogjendurën Eleni-Suela Dukshi, falë së cilës njoha poezi dhe poetë të mrekullueshëm. Falënderoj, me radhë, poetët: Eno Agolli, Pelagjia Fitopulu, Kristo Armando Gezos, Anna Griva, Thomas Joanu, Lena Kalergji, Jazra Khaleed, Nikolaos Kucodhondis, Gjerasimos Likiardhopulos, Irini Margariti, Jorgos Moleskis, Titos Patrikios, Haris Vlavianos, Dhanai Sioziu, Kostas Dhespiniadhis, Eleni Nanopulu, Thanos Gogos, Jorgos Dhinezis, Vasilia Ikonomu, Jorgos Prevedhurakis, Stamatis Polenakis, Stathis Inxes, Tasos Porfiris.
Falënderoj Aida Baron, Mikaela Mingën, Eleana Zhakon, Andi Rembecin, Edon Qesarin për mendimet e çmuara dhe përkrahjen miqësore.
Falënderoj Anna Shkrelin që i besoi përkthimit tim pa pasur mundësi të drejtpërdrejta për të verifikuar cilësinë e kësaj pune, dhe më pas, si botuese, por edhe miqësisht, u bë oponenca pozitive e kësaj antologjie.
I gjithë ky udhëtim nuk do të kishte përfunduar pa mbështetjen e Rudin Daklit, të cilin e falënderoj thellësisht jo thjesht për kontributin e tij në shtypjen e këtij vëllimi, por edhe për gacën që shërbeu si pikënisje e kësaj ndërmarrjeje.
Sokol Çunga
qershor, 2021
1.
ENO AGOLLI
OXFORD COMMA
Pas një farë moshe kemi për t’u ngjatjetuar.
Gjithmonë kam dyshuar
mos më pat lindur binjak
nën një pemë Bodhi[2] në Delos[3]
dhe më kobiti që kërthi
me mantrat e nacionalizmit kallp:
Topi rrotullohet, portës i afrohet –
enc, penall, shyt, gol.
Qysh atëherë zvogëlohem.
Çdo ditë zvogëlohem edhe më
sepse, në fund,
madhësia matet dhe peshon.
S’ka njerëz të tjerë
veç nesh, pati thënë:
e besova dhe
s’besoj në dashuri, në miqësi,
e të tjera.
Sepse jam idhujtar,
krijoj idhujt e mi paganë
vetëm e vetëm që t’i shkatërroj.
Post festum, gjithmonë.
Një mbrëmje, kur nuk besonte tek bota,
më tha të bëhem i papërcaktuar.
I pakufishëm.
Që atëherë zvogëlohem.
Dhe s’e di në kam për ta mbërritur përsosmërinë
e këllëfit të jastëkut të saj në lulëzim,
të filxhanit prej procelani
me pijen e përvëluar,
të ballkonit deng me
bukavile,
apo të mbulesës së tavolinës së saj karo
të shtruar.
Por e di se dikur do të mbërrij tek ajo pikë:
te presja e Oksfordit
sepse në ka diçka që mësova të dashuroj
është dykuptimësia.
Tani po shkoj, e pavlerë,
se cigaret mbarojnë shpejt,
mjaft më mbajte në prag të shtëpisë atërore.
Po shkoj të gjej veten, binjakun tim (,)
dhe idhullin e Apolonit.
2.
PELAGJIA FITOPULU
METROPOL
ndërtesa që këndon
është një strehë e re rrëfimtare
një shtrat në stomakun tim
ku e vdekur u shtri natyra
lama e të uriturit në barkun tim
pikturon zogj me klithma minimale
kanë për ta gjykuar
ndërtesën që këndon, qytetin brenda meje
3.
KRISTOS ARMANDO GEZOS
I KRYQËZUARI
Endesha rrugëve të fshatit
me kufomën e tim ati në shpinë.
Qielli kullonte urinë
ngordhësira
shpretka të kalbura
kurse unë me një gjethe maruleje rrekesha
të zija vrimat në kokën e tij
që të mos i kullonin trutë.
Kur arritëm në shtëpinë mbi mal
e pashë mbi gorricën plakë
me kyçe të fryra
në vend të gozhdëve në pëllëmbë kishte shkarpa
në vend të kurorës kapelë kashte;
kurse mjekra i puthte kraharorin, si qengj i therur
pranoi, pra, ai që jetoi me aq krenari
ta varnin në atë pozicion qesharak;
pra, prej kaq vitesh mbaja në shpinë
një kukull.
4.
THOMAS JOANU
MË QUAJNË GJITHMONË THOMA
Më quajnë gjithmonë Thoma
Duhet të dukem
I padenjë për emrin që mbaj
E vështirë të mbash të tillë emër
Kur të tjerët besojnë
Ti duhet të kërkosh provat
Duhet të vë gishtin
Në shenjë të peronave
Jam mësuar të mat të vërtetën me plagë
Të dyshoj për dhimbjen e të tjerëve
Të dyshoj për mrekullitë
E perëndive dhe të njerëzve
I detyruar të bisedoj me plagët
Të prek të ardhmen
Në trupin e kryqëzuar të kujtesës
U dënova të ndërtoj një jetë
Për të grishur zhgjëndrra
Një jetë të përpiqem
Që plagët të mos heshtin
Jam besëmirë thellë-thellë
U afrova me përkrahësit
Pas të parave shenja të ngjyrës
Kaq shumë pata nevojë
Të besoj në Ngjallje
Por tani që edhe unë jam
Ngjitur në kryq
Dhe mbi trupin tim mësova
Ç’do të thotë jetë
Dhe sa shumë vrer kullon shpresa
Në buzët e përzhitura të ëndrrave
Nuk e di në ekziston një kohë
Kur duhet të braktis
Edhe jetën e ardhshme
5.
JAZRA KHALEED
REPUBLIKA E GREQISË
Jam një mysliman i qirë,
grusht, shkelm, kar.
Në atdheun tim s’kam për t’u kthyer
(nuk kam atdhe).
Jam kërcënim për higjienën publike,
jam infeksion,
asnjë race të qytetëruar s’i përkas.
Ç’e prish imazhin e vendit tuaj,
dhëmbët apo gjuha ime?
Në gjoksin tim, mbushur emigrantë,
ngulen anijet e kalbura,
në shpinën time fillojnë luftëra civile,
mercenarët kërcejnë nga brinjët e mia.
Mjekë të shoqëruar nga hafije
Shpallin faunën time mikrobiologjike,
regjistrojnë çdo sekrecion timin;
teksa unë rizbuloj sifilizin
ata garantojnë sigurinë.
Komisionet e banorëve përgatisin pogrom,
mëditjet ulen,
punëmarrësit blejnë;
shumica e heshtur ndërron stacionin.
Qytetarët e mirë dhe të bindur ndaj ligjit
e hanë frikën me lugë,
dalin në manifestime që të mbështesin shtetin,
kërkojnë mbylljen e kufijve;
imperializmi i mikroborgjezëve.
Jam një mysliman i qirë,
grusht, shkelm, kar.
Në këtë vend
dhunojnë emigrantët,
djegin motrat,
satëri i republikës helenike
copëton, copëton, copëton.
Nën presën e tmerrshme
të shpatës
keni për të jetuar
një mijë vjet
të kulluar
6.
NIKOLAOS KUCODHONDIS
KAFENEJA SPITFAJËR
Lavatriçet vrapojnë në rrugicat e Leukosisë
shpëlajnë kanotierat e ushtarëve
dhe të brendshmet plot lëngje onirike.
Kuadrot falimentojnë me krizën
qytetarët falimentojnë si kuadrot
komunistët e kanë fajin për të gjitha
teksa njeriu përkrah mbante erë djerse dhe fryme
marrë hua nga një grua në bordello
limuzinat rendnin në bulevardin Griva
natën përpara parakalimeve të shkollave
ku adoleshentët mbanin në duar meandre.
I binte detyrë dezhurnit të dhomës
që ushtarët t’i mbulonte kur
në ëndrra luftonin me çarçafët.
Ruante kasafortën e armëve numëronte
dhe hekuri kishte një shije
si e çara e gishtit që kemi futur në gojë.
Pajimet qenë grisur dhe çelësat
tingëllonin në lojën garipçe.
Ishte vetëm, sigurisht.
Në kodrën e Maqedonitisës[4] ishin rreshtuar
thellë bimsave të kujtesës
hallavitesha përpara fotografive të të vdekurve.
Ishin të rinj me pantallona xhinsi
dhe më buzëqeshnin nën cullufe
teksa më tutje dukej goja e Kisingerit
aeroport i vjetër me xhama të thyer.
Kishim pasditen e leje-daljes
për te seri e hamtoreve, te kafenetë me brandy
imamët këndonin dhe në internet kafetë
gjatë pushimit bënin skajp shërbëtorët aziatikë.
Por mes gjithë gërmadhave që u bënë vijë kufitare
me dritaret dhëmbëdala
plot çimento dhe ndryshk
shqova kafenenë “Spitfajër”[5].
Popullohej nga insektet dhe gëzhojat e rëna
të denja për emrin e vet!
Në fund të shërbimit tim në Qipro
s’kam gjë për të kujtuar
asgjë veç një muri në fjetore
ku kishin shurruar shokët
dhe në banja
spermën e trashë derdhur përdhe.
7.
DHANAI SIOZIU
BURRI MË I BUKUR MBI DHE
Sikur gjyshi të mos ishte burri më i bukur mbi dhe
ndoshta s’do ta kisha dashuruar me shikim të parë
dhe po të mos e kisha dashuruar ndoshta e keqja s’do të ishte bërë.
Po të mos besonte se kam vështrimin e tij
sikundër me krenari e pat shpallur ditën e lindjes sime
dhe mund të mos kisha trashëguar vështrimin dhe zemrën e tij të fortë
shijen e tij për kapelat dhe gratë
dhe ai të mos e kishte shtyrë për pesë vjet vdekjen e tij
po të isha djalë ndoshta do të më vinte të zgjidhja ushtrime matematikore dhe unë
në vend që të më mësonte sjelljet e fisme, kacavarjen, pse e dashurojmë pianon
dhe po të dinte se kuptoja
nuk do të m’i kishte thënë kurrë ato histori të shkurtra
që besonte se do t’i harroja
sikur gjyshi të mos ishte ai burrë trim dhe i bukur
me këmbët e forta, që ndreq botën, tek kacavaret
lart e poshtë mbi dhe, deri në frymën e fundit
ndoshta do të kishte mustaqe hijerëndë
ndoshta do të ishte martuar dy herë, do të kishte bërë edhe fëmijë të tjerë
do ta kishim humbur fare numërimin
sikur të kishte zemër të ashpër dhe duar të buta, pra, të kundërtën
ndoshta nuk do të më linte të kërceja në shtratin e tij
t’i ledhatoja barkun
ndoshta s’do të kishte frikë nga operacioni
dhe ne do të rronim mirë
sikur gjyshi të mos ishte një nga ata
që kaluan kufijtë
varret tona gjetiu do të qenë gërmadhë
po të mos vallëzonte dhe po të mos bënte krem pastiçerie për ëmbëlsirë
po të kursente të hollat për luna-park apo biçikletë
nuk do të kishte qenë dashuria ime e parëdhe vdekja ime e parë
s’do të kishte qenë burri më i bukur mbi dhe
do të kisha një shpresë tani.
8.
HARIS VLAVIANOS
OFICERI QË VRAU ARKIMEDIN
Sipas stilit së Holub-it
Për Mihal Oratin
Me një lëvizje të rrufeshme
e zhyti shpatën në zemër të rrethit
dhe me të dytën e ndau trekëndëshin në mes.
Tashmë pensionist,
jeton në periferi të Sirakuzës,
ku drejton një Shkollë të re Filozofike,
parimi themelor i së cilës është
se nga numri tre e sipër
nuk ekziston asnjë numër tjetër.
Çdo mëngjes,
qoftë shi a borë,
nxjerr nxënësit në kopsht
dhe i urdhëron të vrapojnë qark ndërtesës
duke thirrur fort: “një-dy, një-dy”.
9.
ELENI (SUELA) DUKSHI
QYTETI
Qyteti vlon përbrenda brenda një reaktori
frymëmarrjet e shkurtra
trokthet e egra
korrespondenca boshe
dashuria që çjerr fytin me sonata shurdhuese.
Topi i diellit merr shenjë bërthamën
copë e çikë u bë ëndrra
fije-fije mishi
mushkëritë e saj një oazë zhytur
në llumin e aligatorit reklamues gojëtar.
Qyteti im i kthen edhe faqen tjetër
nën fuqinë e vet të kërrusur.
Përmbysjet e fundit që hëngri
gjithë ndryshojnë duar e ferman
s’i mbeti faqe bojërozë ku të mbështetesh
cipa iu bë çarçaf i grisur
me çimkat dhe gjithçka përmban
tek valëvitet mbi telat e korrentit
nga ku ngazëllehen sternat e qiellit.
I madh mëkati i tij
si dhe brinjët e kafshuara
nën buzëqeshjen e fajdexhinjve
gjithë shëtit invalidët e vet
dhe me dhjetëshet e zjarrta të vdekurit bën pazar.
Qyteti im vlon përbrenda nëpër gjirize
copëton me një sëpatë
klithmat e detyrës kolektive
bishë e çalë nëpër shi
si anemona kërkon plasë të nxjerrë krye
beton arme muri dhe sinjal i tërbuar
shpon si peronë zemrën e saj rini’ e përvëluar.
10.
JORGOS PREVEDHURAKIS
KAÇAKÇE
(fragment)
IV.
O Hir Hyjnor – e kam të vështirë të të përfytyroj –
me fustan të gjatë dhe pankreatit
dhe një kapelë kashte kulmharkuar
duke gulçuar në të përpjetat e Pireut
ndanë Qendrës së Vjetër të Torturave
në korridorin e p a f u n d
në sallë
ku mblidhen të dëshpëruarit duke planifikuar
kompromisin e radhës,
– fytyra jote e gështenjtë, e trishtuar
lotët e detyrimit bashkëshortor
(ç’normalizime të pangushëlluara, vajtime të mbytura,
kontrata huamarrjeje dhe angari mëngjesore – mes rrobave të bardha të mëhallës –
zmbrapsje e pafundme – nënshtrim – marrëveshje paqeje – në këmbët e ndonjë profeti Elia)
atëherë kur qëndroja në banjë lakuriq
kurse ti pudrosje mavijosjet në gjunjët e mi –
vallë ç’mendoje atëherë – fshehtas – tek shikoje si burrërohesha dalëngadalë –
e unë një hibrid i heshtjes familjare në platformën e flatrave të tua të padukshme
gati për t’u vithisur – Muzeu i Kastelës –
Hir Hyjnor
Patakos[6] jeton – Patakosi zgjohet më pesë pa një çerek ndaj të gdhirë – për not dhe shtriqje – sot do të flasë në Hotel Kalipso – në Anavisos[7] – shoqata e ushtarakëve në lirim ka përgatitje – tani po lustrojnë brirët e drerëve të balsamosur –
po ndriçojnë sallën e ceremonive martesore dhe nxjerrin nga papafingot porcelanet e vjetra – me
stemën e mollës dykrenore të ngurtësuar – dhe të cjapit të përjetshëm të betuar – në mbrëmje do të mblidhen falluse fushore – ish shpresat
mesfushorët e ekipit vendor – tellallë të gunëpunuesit “Andama” –
do të ngrenë krenarisht shpresat kaltëroshe të kombit – duke kënduar
Three blid mice dhe London Bridge a ndonjë tjetër
ninullë fëmijnore të ndihmave të pasluftës civile –
vetëm se ti s’ke për t’u bërë kurrë plakë
as ke për ta parë këtë qytet t’i merren këmbët
i rraskapitur dhe kërrusur – zhytur në mitologjinë e vet të oksiduar –
një Jerusalem wannabe që shitet si punëmadhi
mes veremlinjve dhe të gjymtuarve
duke shpërndarë vaj merluci në katekizma
kore nafore bajatenë mensat bujare të bashkisë
një pjatë thjerrëza – një pjatë thjerrëzash të dhjera –
për njëfarë bukurie – që dështoi – edhe në shekullin tonë –
t h a m ë
s’e kam të lehtë të të përfytyroj – dikush harroi hapur një telefon në mendjen time
– mbrëmjeve bie me dridhje dhe s’më lë të fle –
Ndërkaq ende të shoh tek qëndron, – fantazmë e Ermupolit –
tek porta me kangjella e lamtumirave stolisur me dorëzonjë
kishe veshur në mish dashurinë e padhënë
dhe diçka që në kushte të tjera ndoshta ishte fustan mëndafshi –
duke u çapitur nën qiellin e përhimët,
duke recituar përmendsh adion:
adio – një labirint ku përbirohen fijet lëmsh
adio – një Minotaur ambivalent
dhe dobia e vetme e të prekurit: të fërkojmë gjithë ditën
në një skaf të paraluftës
Gjithësinë
Hir Hyjnor
ç’dreq kockash mban errësira?
si është atje? ka shushurimë?
këtu – siç na ke lënë –
kemi veshur antiplumb – bukur mirë –
por jeta merr shenjë kokën
prapa numrave
te cigaret e shtëpisë – te pijet e mbytura
tek ekstrat dhe frymëmarrjet e pensionit të stërgjyshërve
te sherret tona mbrëmësore me një flamur të bardhë teksa i hedhim peshqirin
këtij fundi të çdo përdëllimi
askush s’u çlirua nga lineariteti i dashurisë
askush s’u çlirua nga ciklika e heshtjes
të pambrojtur – të gjallët e së ardhmes dhe të vdekurit –
të pambrojtur – nga urrejtja e “qytetarit të mesëm” –
kudo dhe kurdo të papërgatitur për kohën e thatësirës
në fillim të këtij përdëllimi të ri:
bukë mërzi foshnjecid
nuk gjen azil parulla e tyre e humbur
nuk është këtu———————————-Politeknik[8]
Patakosi jeton dhe Dhespiniadhi do të shtypë Kaçakçe në 500 kopje
– më të vrarën ke mbajtur –
Jorgoja dhe Fei pa rrogë bëjnë akrobacira në Ano Ilisia
Gjyshja vështron stoikisht shthurjet tona
tani nuk rri më të rendisë të vdekurit e saj,
herën e fundit të takova në klinikën private
mes krekosjes së vizitave mjekësore
mes vulgaritetit të sponsorëve me broshura,
vajzë e zbehtë – pa ndjenja – në dhomën me oksigjen,
pëllumbat gugatin – banalitete të padurueshme – në gallustër
dhe nga kafka jote bojëhiri shkëlqenin venat e të mundurve,
koha kalon, por lufta mes njerëzve nuk duket se ka fund
o Hir Hyjnor
[1] Antologji e poezisë greke, “Naim Frashëri”, Tiranë, 1986 (zgjedhur e përgatitur nga Piro Misha, me parathënie nga Ismail Kadare).
[2] Ficus religiosa, pemë e madhe dhe fort e lashtë nën të cilën predikoi Siddhartha Gautama dhe u bë i njohur si Buddha.
[3] Ishull në Arkipelagun e Cikladeve në Mesdhe, vendlindja e Apollonit.
[4] Kodra e Maqedonitisës, në Leukozi të Qipros greke e ka marrë emrin nga manastiri me të njëjtin emër që ndodhet në të. Pas përpjekjeve turko-qipriote, ushtarët qipriotë dhe grekë të rënë mes viteve 1967-1974 janë varrosur në një pjesë të kodrës. Më 22 korrik 1974, gjatë një operacioni sekret për transportimin e ushtarëve komando nga Greqia në Qipro, një prej aeroplanëve transportues u qëllua nga kundërajrorët e ushtarëve qipriotë-grekë, të cilët nuk ishin njoftuar për operacionit. 28 ushtarë humbën jetën nga përplasja, por edhe dhjetëra të tjerë u plagosën apo u vranë nga zjarri i forcave aleate. Ende nuk janë qartësuar rrethanat dhe shkaqet e kasaphanës që mund të ishte shmangur.
[5] Bar-kafe Spitfajër (Spitfire Cafe), ndërtesë emblematike në Nikozi e cila u la të rrënohej nga koha pas pushtimit të Qipros nga Turqia më 1974, pasi bar-kafeja u ndodh në vijën kufitare të zonës asnjanëse të kontrolluar nga forcat e Kombeve të Bashkuara.
[6] Stilianos Patakos (1912-2016), nëngjeneral i forcave ushtarake të Greqisë (i shkarkuar), një nga ideologët e grushtit të shtetit të vitit 1967. Gjatë periudhës së juntës ushtarake shërbeu si ministër i punëve të brendshme dhe zëvendës-kryeministër i parë i qeverisë.
[7] Hotel dhe zonë turistike në Gadishullin e Atikës, pranë Athinës.
[8] Universiteti Politeknik i Athinës ishte vatra e rezistencës kundër juntës ushtarake në Greqi (1967-1974).
|
11,742 | https://peizazhe.com/2012/12/27/gishti-i-statistikes/ | null | 2012-12-27T19:51:27 | GISHTI I STATISTIKËS | Statistika publike ka gjithnjë lidhje me demokracinë. Kjo e vërtetë e vjetër, meqë shumë vende e kanë diskutuar me kohë rolin e statistikës në shoqëritë moderne, duket sot tejet aktuale për Shqipërinë. Thelbi i shkrimit të Xhaxhait, për censusin e fundit, më duket se shkon përtej pavarësisë dhe autoritetit të Institutit shqiptar të statistikës, sepse lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin tonë ndaj institucioneve.
Përse kanë rëndësi numrat, përqindjet, pyetësorët, vlerësimet, grafikët, që nxjerrin periodikisht institutet statistikore? E thjeshtë: sepse në bazë të tyre veprojnë qendrat vendimmarrëse të shoqërisë, orientohet opinioni publik, ndikohet ekonomia, lëviz politika, e kështu me radhë. Shembulli që jepet në artikullin e lartpërmendur është tejet elokuent, por mund të merren edhe të tjerë që shkojnë përtej instrumentalizimit fetaro-politik. P.sh. le të marrim papunësinë. Në rast se shifrat e Institutit të statistikës, të çfarëdo vendi, tregojnë se papunësia është rritur, qeveria nuk mund të rrijë duarkryq, por duhet të marrë menjëherë masa për ta rregulluar prirjen e verifikuar. Në këtë kuptim, të dhënat e Instat-it rezultojnë përnjimend të vyeshme për qeverinë.
Mirëpo rregullat e lojës politike thonë se të dhënat e supozuara më sipër mund të bëhen armë e hatashme në duart e opozitës, e cila do të nënvizojë gabimet e mazhorancës në lëmin ekonomik. Mirëpo, politika e një vendi, edhe pse perceptimi në Shqipëri është absolutisht i përndrydhur, nuk bëhet vetëm nga qeveria qendrore, por edhe nga entet vendore, të cilat mund të ndërmarrin nisma kundër papunësisë në lokalitetet përkatëse. Vetë shoqëria civile, sikurse organizmat ndërkombëtarë, mund të promovojë veprimtari për nxitjen e punësimit.
Janë po ato rregulla loje që do ta bënin qeverinë të mburrej e opozitën të bënte mea culpa, në qoftë se statistikat do të dëshmonin për uljen e papunësisë. Përparësitë do të ndryshonin e vëmendja e politikës do të drejtohej gjetiu, atje ku dhemb dhembi i shoqërisë. Në këtë kuptim, është në të mirën e të gjithëve që statistika publike të thotë të vërtetën, sikurse është në të keqen e të gjithëve kur gënjen. Manipulimi ose keqmenaxhimi i statistikës dëmton interesin kombëtar, sepse depiston vëmendjen e publikut, edhe pse mund të sjellë ndonjë votë në kuti për ndonjë parti të caktuar.
Nga ana tjetër edhe vetë institutet statistikore (këtu është fjala për ato me funksion publik, jo institutet private) janë të interesuara të krijojnë marrëdhënie besimi me opinionin publik, duke u sjellë si institucion, pr ai pavarur, e jo si fondacion partiak. Në fakt, institutet e tilla në botë frymëzohen nga parime etike të larta kur prodhojnë statistika e/o parashikime për aspekte të ndryshme të shoqërisë, që jo gjithnjë janë të vakëta si numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse, apo treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar. Ka statistika që prekin identitetin, ka të tjera që trajtojnë ekonominë e të tjera akoma që ngacmojnë moralin publik. Në të gjitha rastet, institutit duhet t’i interesojë njohja e temës së trajtuar, jo përdorimi i njohjes. Por kjo vlen edhe për shoqërinë e politikën shqiptare.
Është e qartë se në Shqipëri institucioni i statistikës publike – meqë për institucion bëhet fjalë – nuk e ka prestigjin që gëzojnë simotrat e veta në perëndim. E ndoshta me pa të drejtë, në disa aspekte. Gishtin nuk mund t’ua vësh vetëm ekspertëve ose drejtuesve të saj. Faj ka natyrisht edhe politika që e tërheq për mënge, e kushtëzon dhe e përdor atë, faj ka edhe opinioni që e pranon këtë dukuri të dëmshme në perspektivë për të gjithë. Kam frikë se humbja e besueshmërisë nuk rikuperohet shpejt, ngaqë paragjykimet ndaj punës së këtyre institucioneve do të vazhdojnë gjatë, edhe kur ta pasqyrojnë realitetin më së miri e me standardet metodologjike më të larta.
Me fjalë të tjera, jo vetëm statistika publike me shifra e përqindje, por edhe qëndrimi ndaj saj përbën pasqyrën e një vendi.
|
7,408 | https://peizazhe.com/2011/05/17/pasvota-disa-sqarime/ | null | 2011-05-17T23:02:24 | PASVOTA – DISA SQARIME | Angazhimi minimal lidhur me vijueshmërinë e procedurave elektorale në Republikën e Shqipërisë nuk mund të jetë më shumë se një lloj krosi pa vlerë rrotull një stadiumi bosh, i cili kurrsesi nuk të bie triumfin e sportistit, por ndoshta të ndihmon pak të mbash muskujt në formë.
Në këtë kuptim, shënimet e mëposhtme nuk do të duhej të kuptohen si përpjekje ambicioze për gjetjen e ndonjë lloj të vërtete elektorale në Shqipëri, por thjeshtë si një lloj gjimnastike mëngjesore, përpara se të filloni ditën e re, e cila me shumë gjasa duket se ka për të pasur plot andralla.
Situata deri tani është pak a shumë kjo.
PD antikomuniste dhe LSI socialiste në një koalicion antisocialist konkurruan kundër PS në Tiranë në zgjedhjet për Kryetar Bashkie dhe institucione të tjera komunale. Si palë e tretë në garë u paraqit edhe Partia Komuniste, e cila me ndihmën e LSI arriti të përmbushte standardet formale për këtë qëllim.
Thënë thjesht Edi Rama kishte kundër vetes gjithë spektrin politik tjetër nga Berisha e Meta deri tek Hysni Milloshi, pra një lloj përpjekjeje për jetë e vdekje, t’u zihet besë edhe gojëve të këqija, se pushteti qendror e shtrëngoi administratën shtetërore të votonte kundër Ramës.
Numërimi i votave vijoi për faqe të zezë, shteti shqiptar dështoi, u desh ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar, që palët të mos përgjakeshin gjatë numërimit.
Unë nuk besoj në Zot, por ka qënë me siguri dora e tij, e cila, pavarësisht se si vijuan zgjedhjet dhe numërimi i votave, i dha Ramës 9 apo 10 më shumë në kutitë për kryetar Bashkie sesa rivalit të tij.
Ishte kjo dorë, që njëherazi i dha edhe një dackë Berishës për të gjitha zullumet e tija të mëhershme elektorale.
Për momentin diskutohet, nëse duhen numëruar vota të hedhura gabimisht në kuti të tjera, të cilat sipas gjasave do të ndryshonin rezultatin e votimit.
Përfshirja e këtyre votave për mendimin tim do të ishte e paligjshme puer arsyet e mëposhtme.
Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 106 për zgjedhësin, fletën e votimit, kutinë e votimit dhe votimin si më poshtë:
Neni 106
Votimi
1. Pasi merr fletën e votimit, zgjedhësi hyn i vetëm në dhomën e fshehtë dhe në fletën votimit shënon në krah të emrit të subjektit zgjedhor apo partisë pjesëtare të një koalicioni shenjën “x” ose “+” apo një shenjë tjetër që tregon qartë zgjedhjen e bërë prej tij.
2. Zgjedhësi, pasi bën shënimin në fletën e votimit, palos fletën e votimit, në mënyrë që shenja të mos jetë e dukshme, por të paktën një nga vulat në pjesën e pasme të fletës të jetë e dukshme. Zgjedhësi, pasi del nga dhoma e fshehtë, e hedh fletën e votimit në kutinë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit.
Ç’duhet vënë re:
Parimi i rëndësishëm i karakterit përmbajtësor i kryerjes së zgjedhjeve të fshehta (dhoma e fshehtë, palosja e sigurt për fshehjen e votës).
Domosdoshmëria e tregimit të qartë të vullnetit të zgjedhësit, nëpërmjet shënimit në mënyrë të dukshme me (x ose +), edhe kjo një element i karakterit përmbajtësor
Hedhja në kutinë përkatëse, element përcaktues i karakterit formal, pra “jo hedhje diku tjetër”
Largim nga qendra e votimit, element të cilit rëndom keqkuptohet si një nevojë konvencionale për të mos u grumbulluar shumë njerëz pa punë në qendër, por që kuptimin primar e ka në faktin, që votuesi e ka përfunduar procesin e dhënies së votës, pra që ka pushuar nevoja e pranisë së tij fizike.
Ky rregullim ligjor i dhënies së votës për nga natyra nuk lejon një interpretim zgjerues nga organi zbatues, pa rrezikuar ndryshimin cilësor të karakterit të votmit vetë, gjë që do të shkaktonte andralla kushtetuese të mëdha, po të mbahet parasysh, se procesi i votimit është ai më i rëndësishmi i ushtrimit të pushtetit, i cili buron nga populli dhe i takon atij. Ligjërisht është parashikuar, se “hedhja e votës në kutinë përkatëse” si elementi i procesit të votimit, është një veprim personal, mungesa e të cilit vetëkuptohet do të shkaktonte pavlefshmërinë e votës.
Pra e hedh ti dhe vetëm atje ku duhet.
* * *
Por ç’ndodh, kur vota nuk hidhet në kutinë përkatëse?
Ligji parashikon për fletët e votimit në nenin 97 parag. 3 të Kodit Zgjedhor:
Për Bashkinë e Tiranës, zgjedhësi voton më katër fletë votimi me ngjyra të ndryshme, një për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, një për Këshillin e Bashkisë së Tiranës, një për kryetarin e njësisë bashkiake dhe një për këshillin e njësisë bashkiake.
… në nenin 104 parag. 3 të Kodit Zgjedhor për kutitë e votimit:
Për zgjedhjet vendore në Bashkinë e Tiranës në qendrën e votimit vendosen katër kuti votimi, një për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, një për Këshillin e Bashkisë së Tiranës, një për kryetarin e njësisë bashkiake dhe një për këshillin e njësisë bashkiake.
… në nenin 117 parag. 3, germa a të Kodit Zgjedhor për votat e pavlefshme:
Vota të pavlefshme janë fletët e votimit kur fleta e votimit nuk ka të njëjtën madhësi, ngjyrë ose formë me fletën e votimit të miratuar nga KQZ-ja.
Fakti që ligjvënësi ka rregulluar shprehimisht nevojën e kutive të ndryshme të votimit, për hedhjen e fletëve të votimit me ngjyra përkatëse tregon se ai e ka vënë këtë si kusht për një votim të rregullt, përndryshe, cila do të ishte arsyeja, që kjo gjë rregullohet shprehimisht në ligj? Çdo veprim i ndryshëm nga kjo praktikë do të ishte një shmangie nga një detyrim formal, po ashtu si do të ishte ai, që unë e plotësoj vetë fletën e votimit, por lë dikë tjetër ta hedhë në kutinë përkatëse, qenin për shembull.
Në momentin që një fletë votimi nuk është hedhur në kutinë përkatëse, ajo ka një ngjyrë tjetër dhe si e tillë është e pavlefshme.
I njëjti argument përfitohet indirekt edhe nga leximi i nenit 116, parag. 5, fjalia e dytë lidhur me numërimin e votave:
Në rastin e zgjedhjeve vendore, kutia e votimit për partitë politike dhe/ose koalicionet zgjedhore hapet vetëm pasi të jenë përfunduar procedurat e numërimit e të vlerësimit dhe të jetë mbyllur kutia me fletët e votimit për kandidatët për kryetar të njësive të qeverisjes vendore.
Ligjvënësi ka parashikuar shprehimisht, se votat për Kryetar Bashkie gjenden vetëm në kutinë për kandidatët për kryetar të njësive të qeverisjes vendore, numërimi i të cilave përfundon përpara fillimi të numërimit të kutive për partitë politike.
Në rast se ligjvënësi do të kishte gjetur të nevojshme cilësimin si të vlefshme edhe të atyre votave të hedhura gabimisht në kuti të tjera, do ta kishte rregulluar shprehimisht këtë, ose të paktën nuk do të kishte vendosur kufijtë kohorë të fillimit të numërimit të kutive të dyta pas mbarimit të numërimit të kutive të para, pra (që të përsëris veten për të qenë sa më i saktë), që vota e parë e kutisë së dytë numërohet pas votës së fundit të kutisë së parë.
Ky do të duhet të ishte ma do mendja arsyetimi ligjor dhe i drejtpërdrejtë për ato 9 votat e Zotit, ndërkohë që si arsyetim indirekt Ramës mund t’i shërbente pohimi, që hedhja e votave në kutitë e gabuara mund të ketë qenë dëshira e votuesit për ta bërë votën e tij për konkurrentin politik të Ramës kështu të pavlefshme.
|
19,346 | https://peizazhe.com/2015/10/01/do-te-botojme-material-bombastik/ | null | 2015-10-02T00:30:20 | DO TË BOTOJMË MATERIAL BOMBASTIK | Në valën e publikimit të materialeve komprometuese që po trondit politikën shqiptare dhe paralajmërimeve se paska shumë të tjera gati për botim, njoftojmë se edhe ne kemi në sirtar dokumentacion për ta shokuar përfundimisht opinionin publik.
Tani për tani nuk po i botojmë emrat e personazheve publike, por po mjaftohemi me informacion të përgjithshëm. Ata që janë aty, e dallojnë veten fare mirë në përshkrim dhe e dinë se ç’duhet të bëjnë.
Ja më poshtë disa materiale që mezi po presin të dalin nga kasaforta jonë:
– Foto e një personazhi me pushtet tek lexon një libër në bar;
– Foto e një politikani që shëtit në bulevard dorë për dore me gruan e vet;
– Dokument nga biblioteka që vërteton se një kryetar komune ka marrë hua disa libra pa figura;
– Video e një pushtetari me një vajzë joshëse, por që i thotë asaj “jo” e nuk pranon të ketë marrëdhënie jashtë martese;
– Selfie e një biznesmeni në një muze të rëndësishëm ndërkombëtar;
– Certifikatë mjekësore që vërteton se disa këngëtare yje nuk kanë bërë operacione plastike;
– Editorialist i fiksuar nga telekamera duke menduar para se të shkruajë;
– Dokumente nga gjykata të vendit e të huaja që dëshmojnë se parlamentari shqiptar nuk ka asnjë dënim civil e penal;
– Foto e një pronari dyqani tek jep kuponin tatimor dhe paguan sigurimet shoqërore të punonjësit të vet;
– Imazhe nga telekamerat e sigurisë të një profesori, që refuzon të marrë nga studenti një zarf të fryrë për të kaluar provimin;
– Foto intime të një zv/drejtori duke ngrënë një byrek në zyrën e vet;
– Audio të regjistruar në një spital, ku një mjek kirurg nuk pranon të marrë parà nga të afërmit e të shtruarit;
– Foto të një imprenditori të njohur dhe shumë të pasur ndërsa udhëton me linjën e autobusit urban;
– Faksimilen e denoncimit të një qytetari që akuzon disa policë që nuk kanë pranuar të marrin ryshfet por kanë parapëlqyer t’i vënë gjobë;
– Zëri i regjistruar i një pushtetari të fuqishëm që pranon në bisedë me një shok se nuk e ka tradhtuar kurrë gruan dhe se nuk ka dashnore;
– Video e një kryeredaktori gjatë një mbledhjeje konfidenciale teksa deklaron se shtypi shqiptar po konkurron për nga cilësia me plehrat;
– Audio e plotë e zënkës midis një politikani dhe një ndërtuesi, i pari i pakorruptueshëm, i dyti ambientalist;
– Pjesë bisedash në studio televizive, por të patransmetuara, ndërsa opozitari dhe qeveritari deklarojnë me sinqeritet se duan të punojnë së bashku për të mirën e vendit;
– Dokument trashëgimie të një qytetari në favor të një gjykatësi ngaqë “nuk pranoi të korruptohej”;
– Video e një politikani me rol institucional ndërsa rrëfen se këtej e tutje do të thotë gjithnjë të vërtetën.
Po e sqarojmë që tani se ky është shantazh i pastër, madje jemi duke mbledhur edhe materiale të tjera komprometuese, por ftojmë lexuesit që të na dërgojnë materiale të këtij lloji për t’u treguar pushteteve se i kemi në dorë.
|
29,044 | https://peizazhe.com/2018/06/30/luvri-dhe-sepetja-e-gjyshes/ | null | 2018-06-30T08:44:20 | LUVRI DHE SEPETJA E GJYSHES | nga Mariglena Meminaj
Gjyshja ime kishte një sepete, nga ato që gratë e brezit të saj i kishin ose marrë me vete me pajën, ose i kishin gjetur në shtëpitë ku kishin hyrë nuse. Nuk e di ku e kishte e nga e kishte sepeten gjyshja ime, sepse në të gjallë të saj nuk e kisha pyetur. Di vetëm që sepetja zinte vend në dhomën e gjumit të prindërve të mi. Ajo, nuk ishte aty si objekt zbukurimi, as si relike. Kryente një funksion, mbante në bark sendet e çmuara: fotografitë, dokumentat, “pajën” që mami im kishte përgatitur për ditën e vdekjes së gjyshes.
Jo vetëm pse mbante ‘pasuritë’ e familjes, jo vetëm pse mbi të mami im vendoste të palosur jorganet (stivën e rrobave e quante), por sepse ishte diçka më shumë sesa një kafaz i drunjtë, pothuaj një shtëpi, ajo u bë për mua një dëshmitare e të fjalosurit me veten në fëmijëri, e historive që tregonte gjyshja, përrallave… e më tej, pasi im atë më tregoi se në një moment të vështirë kur familja mbeti pa kokë, pa themele dhe me sepeten në shpinë mori rrugët nëpër Shqipëri në kërkim të strehës (ajo vetë ishte streha), sepetja u bë për mua pjesë e identitetit dhe dëshmi e forcës që lind prej sprovave të jetës.
Por, kur ndërruam vendbanim prej fshatit në qytet, në vitet 2000, dhe familjes sime iu desh të përshtatej me kushtet e një banese me qira, sepetja mbeti aty, në shtëpinë e vjetër, e cila u shit pak kohë më vonë. Më kujtohet që nuk e pranoja dot këtë fakt atëherë, po mami im (së cilës jeta nuk i kishte dhënë mundësinë të luante sado pak rolin e romantikes, por vetëm të njeriut praktik që duhej të zgjidhte punët) me vuri para faktit të kryer: nuk ka asnje centimeter vend të tepërt në shtëpinë me qira, më tha, dhe sepetja është tepër e madhe dhe nuk na hyn më në punë.
Të gjitha këto, e një lëmsh ndjesish keqardhjeje, dashurie, dhimbjeje, më pushtuan kraharorin kur pata fatin që të vizitoja Luvrin 16 vjet me vonë.
Vetëm 15 euro biletë? Kjo ishte habia ime e parë. Habi që zgjati fare pak. Derisa hyra brenda, pashë lehtësitë e krijuara aty për qindra-mijëra vizitorë në ditë, si dhe turmat që ecnin mes për mes sallave, duke dashur të prekin sa më shumë prej magjisë së tij. Sa pak kohë të mbetej në këtë tollovi t’i kushtoheshe në mënyrë të posaçme veprave të artit, të duhej të vrapoje me kokën sa majtas djathtas, të mahniteshe me sallat, dyshemetë, tavanet, e mijëra piktura, skulptura, artefakte të kulturave anekënd globit, pasurive të vyera të mbretërve, dhe të rendje në kërkim të asaj, Monalizës, të cilën ne ca nga ndjeshmëria që na ka dhënë në foto e filmime, ca nga përfolja e madhe në filma, dokumentare, e barazojmë në mënyrë të mirëqenë me të bukurën në vetvete, me majën e artit, me Artin me A.
Nuk pata turp, madje u ndjeva mirë me veten që me shkathtësi kalova poshtë litarit për të siguruar një vend prej nga ku do të mund ta shikoja (më kujton kjo radhën e qumështit në fëmijëri, nëna që më porosiste të mos shtyja po të respektoja pleqtë e unë që e dëgjoja me bindje, pavarësisht se edukata ime gjithmonë shpërblehej me shtytje nga gratë që kundërmonin asokohe), i dola para turmës së aziatikëve me aparate në duar, e fotografova dhe unë dhe pastaj, i dhashë vetes një çast për ta parë Atë. I ngula sytë. Edhe Ajo më pa. U mbusha. Fillimisht për kënaqësinë e madhe që isha aty. I thashë vetes: Ti e pe Atë dhe Ajo të pa ty. Prita të përjetoja ndjesinë zhgënjyese që përjetoj gjithmonë kur pasi arrij diçka e kuptoj se ka qenë më e bukur në imagjinatën time. Jo, Monaliza nuk ishte e huaj para meje, ajo më shumë sesa ishte objekt i vëzhgimit tim, më bëri mua objekt të syve të saj.
Që prej atij çasti të vetëdijes, sytë më rrodhën përgjatë sallave të stërmëdha të Luvrit, pa e kuptuar përse, mes turmave pjesë e të cilave isha dhe unë, që përtypnin Artin ashtu si çamçakëzin, apo që mahniteshin me ndjesitë e shumëfishta brenda vetes dhe me forcën që e bukura dhe e kaluara ka në shpirtin njerëzor. Madje, zori më mbajti të mos lotoja më shumë, e ende më vjen të qaj tani.
M’u duk vetja si një fëmijë që i vjen shikimi dhe sheh për herë të parë botën, si një bari që shkel në pallatin e mbretit, si një kalë apo zog që flet si njeri e përkthen në gjuhë një univers të cilin gjuha nuk e rrek dot. M’u duk vetja konsumatore e pashpirt e artit në epokën e konsumit, duke rendur në Luvër nga salla në sallë, duke vrapuar për ta parë atë sa më shumë, për t’ia parë të gjitha pasuritë, bukuritë, por duke qenë e vetëdijshme që, megjithëse mahnitëse në gjithçka, Luvri, ashtu siç ta jep mundësinë t’i shohësh kryeveprat e artit botëror, ashtu edhe të kufizon të respektosh secilën më vete. Të gjitha, përveç Monalizës, të cilën sadopak unë e pashë dhe më pa, në brendësi.
Mbase prej saj, a mbase prej artefakteve të pafundme të ekspozuara aty, më erdhi ndër mend sepetja e vjetër e gjyshes. Me erdhi keq për të. Më erdhi keq për veten që e humba atë. Nuk dua të marr me mend historinë e mëtejshme, krejt të palavdishme të saj. Dua të kujtoj gjithçka për të cilën ajo ka qenë pjesë e dëshmi. Dua ta shoh në përfytyrimet e mia praninë e saj, dua ta ndiej gjithmonë shtëpinë që ajo ngriti mbi supe, pasuritë që fshehu në bark, ngrohtësinë që më jepte kur hapej prej mamit e nxirrte nga thellësia e saj pasuritë. Dua që të përfytyroj se edhe ajo më ka parë, ashtu siç më pa Monaliza. E ndoshta më thellë, e ndoshta më qartë.
E ndoshta, megjithë mrekullitë impresionuese të Luvrit, megjithë mahninë e kryeveprave të artit, megjithë mistikën e magjinë e vështrimit të Monalizës, vështrimi i sepetes së vjetër të gjyshes sime tani nuk do të më shqitet më.
|
30,930 | https://peizazhe.com/2019/03/20/aspekte-te-se-drejtes-zakonore-shqiptare-te-breznite-e-hankonateve/ | null | 2019-03-20T07:33:14 | ASPEKTE TË SË DREJTËS ZAKONORE SHQIPTARE TE “BREZNITË E HANKONATËVE” | Sprovë mbështetur tek “Breznitë e Hankonatëve”
nga Agron Alibali, LL.M.[1]
Përmbajtja: 1. Hyrje; 2. E drejta pozitive dhe e drejta zakonore; 3. Ligj i lashtë dhe i mirë; 4. Shkrimtari dhe e drejta zakonore; 5. E drejta zakonore tek “Breznitë e Hankonatëve”; 6. Përfundim.
Hyrje
Kjo sprovë rreket të përcjellë disa anë të së drejtës së pashkruar[2] shqiptare të fushës civile, të pasqyruara në veprën e Kadaresë “Breznitë e Hankonatëve”[3]. Përndryshe, aspektet më prekëse e dramatike të së drejtës dokësore shqiptare, ato në fushën penale, që lidhen me gjakun, gjakmarrjen, besën, mikprerjen etj. janë trajtuar gjerësisht dhe në këndvështrime të ndryshme nga kritika vendase dhe e huaj.[4][5] Përmes përshkrimit të fateve të gjashtë brezave të familjes Hankoni, “Breznitë e Hankonatëve” na përçon aspekte sa të çmuara, aq edhe të çuditshme të së drejtës pozitive dhe asaj zakonore, si dhe të ndërthurjeve e ndërveprimit midis tyre.
Le të shqyrtojmë fillimisht faktet dhe rrethanat e çështjes, që përbën boshtin e novelës.
Data e gjykimit është 20 mars 1703 – mëngjes, prag pranvere;
Vendi i gjykimit është Gjirokastra, në agun e zgjerimit të saj qytetës;
Palët ndërgjygjëse janë Basri Hankoni – paditës, ardhës diku nga malet e Zagorisë apo Tepelenës, dhe Jahja Toro – anas, i paditur;
Objekti i padisë apo i mosmarrëveshjes është Ara e Mullenjave, të cilën e pretendon paditësi;
Gjykatës është Kadiu Abdelkadir. “Kadilerët e Gjirokastrës – shton Shkrimtari – ishin të dëgjuar në gjithë shtetin e madh osman për zotësinë e tyre”.[6]
Procesi gjyqësor kishte qenë i zvargur. Gjykata ishte munduar t’i jepte zgjidhje, duke shqyrtuar maspari tapitë e vjetra. Mirëpo përcaktimi i kufirit kishte qenë i pamundur për shkak të rrëmujës së arkivave, por edhe për shkak të një përroi të ardhur nga Mali i Gjerë, që me zigzaget e paparashikueshme të prurjeve stinore, e kishte ngatërruar dhe më shumë fillin e sinoreve.
E drejta pozitive dhe e drejta zakonore
Në thelb, konflikti civil nuk ishte vetëm njëfarë përplasjeje interesash pasurore midis anasit dhe ardhësit. Ai ishte sidomos konflikt midis dy sistemesh të ndryshme juridike: midis ligjit otoman si shprehje e së drejtës pozitive, të prurë nga Anadolli, me ligjin e gjetur ose ekzistues, që s’ishte tjetër veçse kodi i lashtë dhe i pashkruar vendas. Megjithë përpjekjet e kadiut, kishte qenë e pamundur që çështja të zgjidhej me ligjin otoman. Mjeti i vetëm i mbetur ishte e drejta dokësore vendase – apo rregullat e lashta që përcaktonin ndarjen e pleqësisë përmes bésë. Atë ditë agu pranvere të vitit të largët 1703 palët ndërgjyqëse parandjenin në heshtje se “e drejta e lashtë gjindet mes nesh sot e gjithë ditën“.[7]
E drejta pozitive është, në thelb, tërësia e normave, dispozitave apo rregullave, e ngulitur në trajtën e shkruar, në ligj. Ajo shfaqet tek “Breznitë” përmes përmendjes së dekreteve, fermaneve sulltanore, reformave juridike të Tanzimatit, rregulloreve të ndryshme etj.[8] Natyrisht, kjo tablo e ligjit “të importuar” nuk do të ishte e plotë pa sheriatin.[9]
Nga ana tjetër, e drejta e pashkruar mund të përkufizohet si tërësia e normave të transmetuara gojarisht ndër breza – qysh “herët herët”, siç gjejmë të shprehur në Kanunin e Lekë Dukagjinit – ose të vendosura si sulle[10] në kuvende, të cilat rregullonin në mbarë trojet shqiptare marrëdhëniet shoqërore, familjare, pronën, trashëgiminë etj.
Nëse rrekemi ta ndajmë më tej këtë korpus të çmuar dokësor mund të themi se ai, sikurse e drejta pozitive, përbëhet nga e drejta zakonore penale, që rregullonte “mbrapshtinat”, apo krimet ndaj personit, komunitetit, pronës, gjasë etj,[11] dhe e drejta zakonore civile, që rregullonte të gjitha mosmarrëveshjet për pasurinë e luajtshme e të paluajtshme.[12] Kësaj të fundit mund t’i bashkëngjisim edhe rregullimet në fushën e trashëgimisë e të mosmarrëveshjeve familjare etj.[13] Kjo Jus non scriptum e shoqëron rrëfimin e Shkrimtarit përgjatë gjithë novelës.
Ligj i lashtë dhe i mirë
Ligji apo e drejta dokësore ka dy tipare themelore. Maspari e drejta e pashkruar duhet të jetë e vjetër. Njiheri, ajo duhet të jetë e mirë.
Mosha apo vjetëria ishte përgjithësisht tipari më i qenësishëm i dokeve më të hershme, të cilave po u referohemi si ligji objektiv. I lindur në agun e shoqërisë njerëzore, i përsëritur, transmetuar, përcjellë e zbatuar brez pas brezi, ky “leges patrum” apo “ligji i etërve”…ishte, në fakt, zakon”.[14] Dhe pikërisht “sipas zakonit të vjetër”, apo kryerjes së bé-së në pronën objekt padie, vërtiten ngjarjet në novelën tonë.[15]
Mirëpo nuk është veç mosha që krijon ligjin e pashkruar. Ky përmban në vetvete edhe një element tjetër të qenësishëm: ai duhet të jetë edhe ligj i mirë. Sepse zakonet apo praktikat e ngulitura jo gjithnjë janë të mira.[16] Shembuj tipikë janë gjakmarrja, pozita relative e gruas, fejesat në djep etj.[17]
Atë ditë të marsit 1703, kur e drejta pozitive kishte shteruar në tagrin e vet për të vendosur të drejtën, palët vendosin ta zgjidhin mosmarrëveshjen përmes së drejtës dokësore. Dhe pikërisht me institutin e lashtë të bé-së. E drejta pozitive, megjithatë, nuk dorëzohet kollaj. Në vend të pleqve, apo pleqnarëve mitikë, që ndanin gjyqet e mosmarrëveshjet nëpër malet shqiptare, “seancën gjyqësore” në qiell të hapur e drejtonte gjykatësi otoman.
Pyetja e parë është se çfarë burimi të së drejtës zbaton Kadareja në rrëfimin e vet? E thënë ndryshe, çfarë ligjesh dokësore, sulle apo institute zakonore përdor Shkrimtari si mjete artistike për ndërtimin e tekstit dhe për ta ripërcjellë konfliktin ligjor / dokësor në veprën e tij?
Dhe më tej, si mund ta ketë përthithur dhe përçuar ai këtë korpus gjigand ligjesh dhe sullesh të pashkruara? Dhe së fundi, çfarë e ndan fiksionin, të përcjellë përmes tekstit si narrativë, nga burimorja, të nënkuptuar dhe referuar në shkrim?
Dihet se areali ku ngjarjet marrin shtat është vendlindja e Kadaresë. Kuptohet që Shkrimtari mbështetet në të drejtën zakonore të Shqipërisë së Poshtme, një masë dheu që, në atë kohë, përmblidhej midis lumit Shkumbin dhe Gjiut të Artës. Këtu përfshihen, në vija të trasha, e drejta zakonore e Çamërisë, ajo e Labërisë, dhe e Toskërisë.[18]
Një shënim i çuditshëm i Gjeçovit na jep të dhënat rrethanore për korpusin juridik që Shkrimtari zbaton në Gjirokastër. Shkruan gjurmuesi i njohur: “Edhe Labëria ose arbëneshët e Toskënisë bajnë kuvende mbas Kanunit të Lekë Dukagjinit.” Dhe më tej: “Krahi qi i afrohet Gjinokastrës thonë: “Me ba kuvend mbas kanunit të Pirrit.”[19]
Kjo thënie e Gjeçovit, natyrisht, duhet marrë me rezervë dhe duhet qartësuar më tej.[20] Ajo çka na intereson këtu është uniciteti në diversitet, njëjësia apo përbashkësia[21] e së drejtës zakonore shqiptare në jugë e veri. Përtej shumësisë së Arbërive të vogla të kohës, me dallimet, lokalizmat e veçoritë e tyre të natyrshme në të drejtën dokësore, ngrihej Arbëria e përbashkët dhe e plotë, që kishte të njëjtë jo vetëm gjuhën e gjakun, por edhe thelbin e së drejtës dokësore.[22] Pavarësisht nga variacionet apo devijacionet, ku veçojmë për shembull “martesën midis kushërinjve të parë për shkak të moscopëtimit të pasurisë,”[23] kjo e drejtë e lashtë gojore ishte e njëjtë dhe koherente sa u takon parimeve, institucioneve dhe trajtave të veta themelore.[24] Kuvendet në rrethet e Gjirokastrës i “bajnë …mbas Kanunit të Lekë Dukagjinit”, shprehet Gjeçovi. Edhe Kadareja pra, kur flet apo shkruan për të drejtën zakonore të Gjirokastrës, nuk është aspak larg Kanunit të Lekës, të Skënderbeut apo të Dibrës në veri.
Shkrimtari dhe e drejta zakonore
Si diçka e pashkruar, dhe e transmetuar gojarisht nëpër breza, e drejta zakonore ruan në vetvete ngjizjen dhe qëndrueshmërinë e parimit a normës, mbështur në kujtesën individuale dhe kolektive, dhe sidomos në parimin thelbësor procedural të precedentit. Mirëpo për vetë karakterin e saj të pashkruar dhe mbështetjen tek kazusi i gjykuar dikur, ajo është veçanërisht e prirur për intertekstualizim, ndryshim e përpunim. Ky elasticitet apo plasticitet – duke ruajtur gjithnjë boshtin e trashëguar nga leges patrum – përfaqëson pikërisht forcën, larminë, apo edhe vetë gjallërinë e jetës së saj.
Në këtë sprovë të jashtëzakonshme Kadareja na shfaqet, së pari, si njëfarë mbledhësi apo gjurmuesi të normës së pashkruar. Si vëzhgues i mprehtë dhe i vëmendshëm, Shkrimtari shkon në gurrë. Ai e “mbledh” të drejtën zakonore nga tregimet dhe bisedat e paraardhësve të tij, netëve të gjata rreth oxhakut të odàve të qytetit të gurtë, ose si dëgjues i kujdesshëm i kumteve gojore të anève gjirokastrite rotull “masà-së”[25] së kafesë.
Mirëpo Kadareja nuk ndalet këtu. Ai e qëmton atë edhe si vëzhgues i drejtpërdrejtë, ose si dëshmitar i dorës së parë i ngjarjeve të çuditshme që zhvillohen rreth tij, dhe që i përshkruan në vepër. Shkurt, Shkrimtari e ka përthithur të drejtën e pashkruar të pastër e të kulluar nga burimi, por edhe të zbatuar drejtpërdrejtë në praktikë. Shembull i qartë është zakoni lokal i martesave brenda gjakut, i praktikuar në Gjirokastër, i cili përbënte largim thelbësor nga praktika e gjithëzbatuar e së drejtës së pashkruar shqiptare.
Pa hyrë thellë në analizë, natyrisht, Shkrimtari ka pikëtakime e dallime me gjurmuesin apo mbledhësin, ta quajmë, profesionist. Çfarë metodologjie ka zbatuar, për shembull Shtjefën Gjeçovi, në mbledhjen dhe përpunimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit? Ne dimë se ai ka mbledhur lëndën e së drejtës zakonore shteg më shteg nga goja e popullit. Mirëpo dimë, nga ana tjetër, se versioni i Kanunit, i botuar për herë të parë tek Albania e Konicës, ndryshon nga ai i botuar më vonë tek Hylli i Dritës. [26] Pra, në thelb, edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, po t’i referohemi variantit që kemi sot të mbledhur nga Gjeçovi, përmban një element të pamohueshëm subjektiv. Çka na sjell tek Shkrimtari, tek i cili subjektivitetin e marrim të mirëqënë.[27]
Ndryshe nga mbledhësi profesionist, roli i të cilit përfundon tek kodifikimi apo ngulitja në tekst e normave dhe kazuseve gojore të mbledhura, të drejtën e pashkruar Shkrimtari e vëzhgon dhe e përjeton. Kësisoj, ai e përthith, e përpunon dhe na e transmeton atë artistikisht. Nëqoftëse mbledhësi i parë e shkëput të drejtën zakonore nga burimi gojor dhe na e ngurtëson atë në trajtën e tekstit, apo së shkruarës, shkrimtari, përmes lartësimit artistik të këtij ligji dokësor, e thith nektarin e gurrës dokësore dhe ia rikthen atë lexuesit – që në njëfarë kuptimi është vetë burimi gojor i produktit të mbledhur – jo si një kod i thatë nenesh dhe ligjesh, por si një kronikë e gjallë jete, dashurish dhe vdekjeje. Në vështrim krahasimor, Shkrimtari ngjan me gjykatësin në “common law”[28], i cili vendimin e mbështet në faktet dhe provat, dhe e arsyeton të mbështetur në ligj, në parimin stare decisis[29] apo precedentin gjyqësor, si dhe në një mori parimesh e doktrinash juridike të zhvilluara në shekuj.
E drejta zakonore tek “Breznitë e Hankonatëve”
Sikurse u përmend më herët, “Breznitë e Hankonatëve” është një kronikë shumëbrezëshe, ku përveç konfliktit anas – ardhës, ndërthurren e përplasen e drejta e shkruar me të drejtën e pashkruar.
Novela fillon me një gjyq për pronën – në njëjës, të Basri Hankonit I. Ajo mbaron me një gjyq për pronat! – në shumës, për të shfuqizuar testamentin e detajuar apo vakëfnamen e Basri Hankonit III.[30]
Kryekrejet dalin në pah disa institute dhe elemente të rëndësishme të së drejtës zakonore, siç janë kufiri, besa e rreme, opinioni publik etj.
Le ta nisim, së pari, me një “zakon të lashtë…me prejadhje nga shoqëria fisnore”, d.m.th. me martesën me kunatën. Studiuesi Kahreman Ulqini, që e analizon atë kryesisht sipas praktikës së dokeve të veriut, e kategorizon në dy trajta: (i) martesa e burrit me gruan e vëllait të vdekur; ose (ii) martesa me motrën e gruas së vdekur.[31] Mirëpo zakoni është mbarëshqiptar, duke dëshmuar sërish njëjësinë e së drejtës dokësore shqiptare. Shkrimtari na e përcjell këtë përmes veprës artistike. Tek Hankonatët zakonin e lashtë e hasim tek breznia e dytë, ku Kaskapani, vetë i ve, martohet me vejushën e të vëllait, Hatibit. Vendimi përkatës, “sipas zakonit”, u mor “në këshill”, ose në mbledhjen e vëllazërisë dhe motrës Shano.[32]
E drejta e pashkruar, pra, është edhe uniteti midis njëjësisë dhe larmisë, apo raporti dinamik “midis kombëtares dhe krahinores”.[33] Martesa “brenda familjes”, për “me e ndalë” dhe “mos me e nxjerrë nga shtëpija” të vejën e të afërmit, ishte dëshmi e njëjësisë në rrafsh kombëtar të së drejtës së pashkruar shqiptare. Nga ana tjetër martesa brenda gjakut ishte shmangie dramatike nga thelbi i “zakonit të lashtë”. Dhe si e tillë, ajo ishte thjesht risi krahinore, ose më saktë, qytetëse. Në Gjirokastrën e Hankonatëve atë e hasim në brezin e tretë: Basri Hankonit II, djali i Hatibit, martohet me Selmanë, vajzën e hallës, Shanos. Rravgimin e bujshëm nga norma e përgjithshme dokësore Kadareja na e shpreh kështu: “Martesat midis kushërinjve të parë, për shkak të moscopëtimit të pasurisë, nuk ishin të pazakonshme në Gjirokastër“.[34] Porse pasojat do të ishin krejt të pazakonshme…
Të analizojmë më tej institutin e kufirit, që sipas Margaret Hasluck, kishte rëndësi thelbësore në të drejtën zakonore shqiptare.[35] “Kufini ngulet njiherë e përgjithmonë“;[36] “Kufini që dihet, s’luhet ma“;[37] “Kufiri nuk preket; Ligji e sheh ndryshimin e kufirit si dhunimin më të madh; kufiri është i shenjtë”, theksohet tek Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe Kanuni i Skënderbeut.[38] Konfliktet për kufirin mund të ishin veçanërisht të përgjakshme, duke cenuar rëndë rendin shoqëror dhe ekonomik në malet shqiptare.[39]
E pra, i gjithë thelbi i konfliktit të parë, por edhe atyre të lindur në breznitë e mëpasme të Hankonatëve, ishte lufta për më shumë prona, që në në vetvete ishte luftë për kufirin.
Përmendim shkarazi edhe aspektin e lashtë procedural sipas të cilit gjyqet bëhen vetëm në mëngjes, dhe jo pasdreke.[40] Edhe béja e 20 marsit 1703 tek Ara e Mullenjave u bë në mëngjes.
Le të përqendrohemi tek akti i bésë së rreme. Siç na përshkruan Kadareja qysh në fillim të novelës, Basri Hankoni ngjeu shojet e këpucëve me baltën e arës së vet në kufi me Arën e Mullenjave dhe, kur kadiu me sekretaren, që qëndronin në mes të arës, e ftuan të betohej mbi Kuran, pa ia bërë syri tërr, ai tha: “Betohem mbi këtë kuran të shenjtë, se balta që është nën shojet e mia është toka ime”.[41]
Betimi mbi librin e shenjtë është një ndër llojet e bé-së sipas Kanunit. Për “kufijt e harruem”, “Kanuja e hershme njeh benë “me gurë në krah”.[42] Në rastin tonë, në mos ishin të harruar, kufinjtë ishin sigurisht të diskutueshëm. Megjithatë, për shkak të shartimit juridik të kohës, béja me gurë në krah ia la vendin bésë mbi kuran.
Në Kanunin e Lekë Dukagjinit hasen edhe lloje të tjera bésh: (i) béja mbi kryet e fëmijës; (ii) mbi bukë e krypë; (iii) mbi zjarrmin e votrës; (iv) me gurë në krah; (v) mbi vorret e pleqve.[43] Edhe Béja e Motmotit, një ndër më të rëndësishmet në malet shqiptare, bëhej “me gurë në krah”.[44]
Mirëpo betimi, si proces, nuk ishte aspak veprim rutinor. Béja, apo akti në themel të procedurës së betimit, me Kanun “…asht gja e shejt”. Madje, “béja e rrejshme heret e vonë e vret të zonë”.[45] Pasojat, pra, ishin më shumë se morale dhe fizike. Ato mund të ishin fatale. Ishte njëfarë sentence apo dënimi universal, që “Bérrejshmi i humb të gjitha“, siç sanksiononte Kanuni.[46]
Këtu dalim papritur tek roli i opinionit publik,[47] i cili është i pranishëm gjerësisht në veprën e Kadaresë. Ai është si personazh misterioz dhe i padukshëm, që shfaqet herë përmes frazave të tilla si: “thoshin njerëzit“, “në qytet filluan ta thërritnin“; ose herë me variante të foljeve “thuhej“, “flitej” “pëshpëritej“; apo veprimeve të lidhura me emra a kategori të tjera gramatikore, si “njerëzit”, “tregimtarët”, “të gjithë” etj.”[48] Dënimi i parashikuar në Kanun përcillej – edhe pse heshturazi – pikërisht përmes opinionit publik.
Në këtë rast, opinioni publik merrte përsipër rolin e njëfarë arbitri kolektiv apo jurie, e cili gjykonte e dënonte përmes mjetit më të çuditshëm dhe, pse jo, edhe të efektshëm, heshtjes. “Mjerë ata ç’i gjeti, thoshin”, ku opinioni publik shprehte keqardhje për fatin e Fatri Hankonit, fëmijës idiot të lindur nga martesa midis Basri Hankonit II dhe Selmasë, të dy kushërinj të parë.[49]
Heshtja, pra, është mënyra me të cilën opinioni publik ballafaqohet me shkelësin. Diskutimet – njëlloj si debatet e brendshme (deliberare) të jurive gjykuese – qartësojnë e ngurtësojnë qëndrimin e kësaj mase të pacaktuar qytetarësh ndaj ngjarjes apo veprimit të shkelësit. Por ndryshe nga juritë e zakonshme, që verdiktin e shpallin publikisht, vendimet e bashkësisë gjirokastrite do të mbeten brenda për brenda kuadrit të opinionit publik, dhe nuk i shpallen apo nuk i përplasen në fytyrë shkelësit. “Basri Hankoni s’do të bënte kurrë prokopi me atë mall harram” “pëshpërisnin”[50] “njerëzit që e dinin punën e besë së rreme”.[51]
Arma tjetër në arsenalin e opinionit publik ishte leçitja, d.m.th. izolimi i përgjithshëm e absolut që i bëhej dhunuesit të zakonit, duke mos i shkelur në shtëpi.[52]
Heshtja dhe një formë e leçitjes u shfaqën papritmas si sanksione përmbi brezninë e pestë të Hankonatëve, pas vetëvrasjes së pleqve Çanatë, natën e Vitit të Ri, ngaqë “s’kishin t’u kthenin Hankonatëve borxhin e dyfishuar nga fajdeja”.[53] Sikurse përmendim tjetërkund, fajdeja ishte e ndaluar me kanun. Mirëpo Hankonatët e kishin shkelur këtë dispozitë të së drejtës zakonore. Dënimi i opinionit publik ndaj këtij veprimi të Hankonatëve nuk vonoi. Ai u shfaq në trajtën e një “vale inati shurdhan kundër tyre“[54] në mbarë qytetin. Ishte njëfarë hibridi midis heshtjes dhe leçitjes. Përveç dëbimit nga vendbanimi, i sanksionuar sipas rastit të skajshëm nga pleqësia, dënimi me heshtje nga ana e opinionit publik ishte më i ashpri. Paralelizmi me ligjin e vjetër dhe të mirë nuk mund të jetë më i afërt. Lex est mutus magistrus – ligji është veç një gjykatës i heshtur, shprehej Ciceroni shumë shekuj më herët…[55] Ligji, si shprehje tekstuale e heshtur, e pa shpirt, dhe që merrte frymë e jetë nga opinioni i pleqnarit apo gjykatësit, tashmë përdorte si ndëshkim pikërisht heshtjen.
Opinioni, po ashtu, vepron si njëfarë “standardi” sjelljeje shoqërore dhe juridike. Në këtë drejtim, Gjirokastra e fundit të mesjetës në botën dokësore shqiptare, dhe më konkretisht, instituti i “opinionit publik” sjell, çuditërisht, pikëtakime me institute thelbësore në të drejtën krahasimore, siç janë bonus paterfamilias[56], apo reasonable person.[57]
Opinioni publik thërret në vëmendje krahasimisht korin në tragjeditë e lashta antike greke. Intertekstualiteti, tipar par excellence, i fushës të së drejtës, vepron në një këndvështrim, përmes interpretimit që lexuesi i bën tekstit. Lexuesi vendoset përballë dilemës së arsyeshme se si do të reagonte dhe si do të vepronte ai vetë përballë veprimeve në shkelje të normës dokësore të Basri Hankonit dhe pjestarëve të tjerë të familjes.
Nëse rrotën e madhe të kohës e rrokullisim me 200 vjet më pas, Basri Hankoni i tretë, e ndjente se mbante mbi ndërgjegje peshën e pabesive dhe krimeve të paraardhësve të vet. Qarku, tashmë, ishte mbyllur. Béja e rrejshme ishte takuar me fatin e vet të pashmangshëm e të pamëshirshëm. “Mëkati fillestar”, ishte vërtetuar madje edhe me zbulimin e “corpus delicti“, ose me këpucën e përdorur atë ditë marsi të vitit 1703, të gjetur disa breza më pas në sterénë e shtëpisë së Hankonatëve.[58]
Basriu i fundit do të përshkruante kësisoj të tri “krimet” e breznive të Hankonatëve:
Së pari, béja e rreme;
Së dyti, vrasja e Roksanës – çka sjell në vëmendje institutin dokësor të gjakut dhe të nderit, të shpërfytyruar tek veprimi i dyshuar i Hankonatëve;
Së treti, vetëvrasja e pleqve Çanatë, nga fajdeja të cilën nuk mund ta paguanin.[59][60]
Në krye, natyrisht, Basri Hankoni i tretë do të vinte bénë e rreme! Tejet tragjikisht, por jo fare papritur, 200 vjet dhe gjashtë breza më vonë, Hankonatët vuanin, pra, pasojat e “mëkatit fillestar”, bejës së rrejshme të Basriut të parë. Si retë e murrme mbi Malin e Gjerë, ajo bé u ndenji mbi kokë brez pas brezi.
Përfundim
“Nuk ka nder më të madh për shkrimtarin sesa të arrestohet për një roman të tijin“, përmendte Kadareja para ca kohe.[61] Të burgosesh për të shkruarën është ndofta aspekti më i skajshëm, quasi tragjik i marrëdhënies së shkrimtarit me ligjin, ose më mirë, me peshën e pamëshirshme të tij në diktaturë. Përndryshe, marrëdhënia e shkrimtarit me ligjin në demokraci është më e hapur, më transparente, më ndërkomunikuese e me përfitim të ndërsjelltë.
Nëse raporti i shkrimtarit me ligjin pozitiv në diktaturë është i ngurtë e i shtangët, raporti midis tij me të drejtën zakonore është i lirshëm, dinamik. Në njëfarë mënyre, trajtimi artistik i së drejtës dokësore në diktaturë është si rreze shprese e dritë lirie në errësirë.[62] Marrëdhënia shkrimtar – e drejtë dokësore luhatet midis nxënies së korpusit të saj përmes ngulitjes në tekste të dokeve e sulleve të qëmtuara nga të tjerë, dhe mbrujtjes artistike përmes përvojave individuale jetësore. Dhe pikërisht, tek takimi i dokësores me tekstin fillon edhe shkëputja nga ky i fundit, çka na vjen me anë të transformimit artistik, dhe ngulitjes së krijimtarisë si fiksion në veprën letrare. Edhe qarku i krijimtarisë tashmë mbyllet: e drejta zakonore u vol dikur prej mbledhësit nga goja e popullit, drejtpërdrejtë në gurrë, për t’iu kthyer artistikisht lexuesit, d.m.th. burimit, përmes Shkrimtarit. Atë çka mbledhësi e merr, në një pikëpamje Shkrimtari e kthen.
Kjo dinamikë e çuditshme intertekstuale, e luhatur midis sulleve kuvendore dhe normave kanunore, kazuseve si precedentë gjyqësorë të pleqnarëve, rolit të opinionit publik përmes standardit juridik të “reasonable person“, dhe prurjes fiksionale të shkrimtarit,[63] nuk parakupton aspak që shkrimtari dhe mbledhësi profesionist arrijnë konkluzione diverguese në vëzhgimet e tyre. Përkundrazi. “Kodi i vjetër zakonor shqiptar…ngjan çuditërisht demokratik”, vëren me mprehtësi Kadareja.[64] Krahasimisht, Margaret Hasluck, studiuesja dhe gjurmuesja e shquar britanike, do të shprehej se “…vetëqeverisja e malësorëve të Shqipërisë ishte shumë pranë konceptit të demokracisë së vërtetë….Në mënyrën e vet të mirëfilltë ajo ishte qeverisje e popullit, nga populli, për popullin”.[65]
E parë me dritën e sotme, e drejta zakonore shqiptare, e përcjellë përmes veprës madhore të Kadaresë “Breznitë e Hankonatëve”, si dhe ndërthurja e saj me të drejtën pozitive, ka çuditërisht rezonancë aktuale.
Nëse krahasojmë këtë “lesharap gjyqesh”,[66] siç e quan Kadareja, apo konfliktet anas – ardhës shoqëruar me përplasjet e sotme të jashtëzakonshme për çështjet e pronave në Shqipëri, nuk mund të mos vëmë pyetjen nëse hija apo fantazma e “bérrejshmit” Basri Hankoni është e gjallë dhe shtruar këmbëkryq sot e gjithë ditën tek palët ndërgjygjëse shqiptare.
Me të vërtetë, nëse pranojmë se e vërteta është një, dhe të tilla e të mirëpërcaktuara janë edhe sinoret, apo kufinjtë e trojeve a pronave, dhe nëse mbajmë parasysh se dy ose më shumë palë pretendojnë të drejtën apo të vërtetën, atëhere mund të themi se béja e rreme, ashtu si atë mëngjes mitik të 20 marsit 1703, fatkeqësisht vazhdon të ushtrohet sot e gjithë ditën nga paditës e të paditur shqiptarë. Pyetja që mbetet është nëse pasojat e këtyre “mbrapështinave”, në shkelje të plotë të së drejtës së sotme pozitive dhe asaj të lashtë të pashkruar, do të vërtiten dikur përmbi fatet e pretenduesve a fituesve të pandershëm, bashkë me pasardhësit e tyre, njëlloj sikurse e pësuan në fund vetë Hankonët me marritë, mallkimin ndër dhe mbarëbrezor, dhe fatin e zi të tyre.[67]
(c) 2019, autori. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Bibliografi e pjesshme
Aaron Xavier Fellmeth, Maurice Horwitz, Guide to Latin in International Law
Alan Watson, Ancient Law and Modern Understanding – At the Edges, The University of Georgia, Athens and London, 1998
Davis Report, Le primer report des cases & matters en ley resolues & adiudges en les courts del Roy en Ireland. Collect et digest per Sr. Iohn Dauys Chiualer Atturney Generall del Roy en cest realme
E Drejta Zakonore Shqiptare, I, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Tiranë, Akademia e Shkencave të R. Shqipërisë 1989
Fjalori i Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Tiranë, 19
Floresha Dado, Lexuesi “në kurth”, eseistika e Kadaresë, Tiranë, 2016
Fritz Kern, Kingship and Law in the Middle Ages, translated with an introduction by S.B. Chrimes, Basil Blackwell, Oxford, 1948
Ismail Kadare, Dialog me Alain Bosquet, Onufri, bot. IV,
Ismet Elezi, E drejta zakonore e Labërisë në planin krahasues, Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 1984
Ismet Elezi, E drejta zakonore e Labërisë, Tiranë, 1994
Kanuni i Lekë Dukagjinit mbledhur nga Shtjefën Gjeçov, Gjonlekaj, New York, 1989
Margaret Hasluck, The Unwritten Laws in Albania, Cambridge University Press
Peter Goodrich dhe Yifat Hachamovitch, Habeas Corpus: A semiotic analysis of common law cartographies, tek Tracing the Semiotic Boundaries of Politics, Edited by Pertti Ahonen, Mouton de Gryuter, Berlin, NY, 1993
Pëllumb Xhufi, Árbërit e Jonit, Onufri, 2016
Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, I Varianti i Pukës, Botimet Çabej MÇM, Tiranë, 1997
Xhevat Lloshi, Parathënie, e veprës së Ismail Kadaresë, Breznitë e Hankonatëve, “Onufri”, Tiranë, 2000.
Artikuj
Abaz Dojaka, Disa udhëzime për mbledhjen, sistemimin dhe studimin e së drejtës zakonore, Etnografia Shqiptare, Akademia e Shkencave, Vol. VII-VIII, Tiranë, 1976. f. 277,
Abaz Dojaka, Doke e zakone ndër shqiptarët në Mesjetë dhe në kohë të sotme, Etnografia Shqiptare», Vol. 13, 1983
Ani Kokobobo, The “Curse” of Eastern Blood in Ismail Kadare’s “Elegy for Kosovo”, Ulbandus Review, 1.1.2010, Vol. 13, ff. 79-93;
Charles Johnson, the Land of the Blood Feud, Harper’s Weekly, 1913, Vol. 57
Elvira Lumi, The Traditional System of Justice in the Ismail Kadare’s Novel, International Journal of Arts and Sciences, 2011, 4(14), ff. 197 – 209;
Kahreman Ulqini, E drejta kanonike shqiptare përballë së drejtës kanonike dhe sheriatit, Etnografia Shqiptare, Vol. 16, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1989
Mirjona Sadiku, the Origins of the Kanun, Exploring the Development of the Albanian Customary Law, Balkan Arastirma Enstitusu Dergisi, Dec. 2014, Vol 3 (2), ff. 77-95;
Pal Doçi, Rreth disa çështjeve të së drejtës së malësisë, Kultura Popullore, 1/1991, f. 169
Persida Asllani, Kanuni në prozën shqipe: miti i përbashkët “i shenjtërimit”, Studime Filologjike, 2008, 1-2, ff. 37-50;
Sandra F. Joireman, Aiming for Certainty: the Kanun, blood feuds and the ascertainment of customary law, the Journal of Legal Pluralism and Unofficial Law, May 2014, ff. 1-14;
Revista “Ylli”, 1965, Nr. 6
Kazuse
Healthcare at Home Limited v. The Common Services Agency [2014]
[1] Autori është studiues në Universitetin e Masaçusets-it në Boston. Ndër punime të tij të përparshme përmenden përmbledhja “Kushtetuta, Europa dhe Minoriteti Çam“, Tiranë, 2013, dhe vepra studimore “Faik Konica – Dritëhijet e një Diplomati”, Tiranë, 2016. Ligjërata u paraqit për herë të parë në Konferencën In Honorem Kadare, organizuar nga Departamenti i Letërsisë i Fakultetit Histori – Filologji, Universiteti i Tiranës, me 15 dhjetor 2016.
[2] Në thelb, Jus non Scriptum, ose zakon që ka marrë forcën e ligjit. Shih edhe referencën në citimin 27 e 54 më poshtë. Ky, dhe termat “e drejtë zakonore”, “e drejtë dokësore”, përdoren shkëmbyeshëm në tekst. Shih përkufizimin: “Doke: Zakone në jetën shoqërore të një populli, që lindin në kushte të caktuara historike dhe ruhen brez pas brezi”: Fjalori i Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1980. Për përdorimin e shumëfishtë të termave shih Pal Doçi, “Rreth disa çështjeve të së drejtës së malësive”, Kultura Popullore, 1/1991, f. 169. Nuk na duket me vend përdorimi i termit “e drejtë kanunore”.
[3] Novela është botuar për herë të parë në bleun me tregime e novela “Emblemat e Dikurshme”, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977. Analiza jonë është mbështetur në botimin e dytë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981. Novela është botuar më vete nga Sh. B. “Onufri”, Tiranë, në vitin 2000, me parathënie nga Prof. Xhevat Lloshi.
[4] Shih, p.sh. Floresha Dado, Lexuesi “në kurth”, eseistika e Kadaresë, Tiranë, 2016; Persida Asllani, Kanuni në prozën shqipe: miti i përbashkët “i shenjtërimit”, Studime Filologjike, 2008, 1-2, ff. 37-50; Ani Kokobobo, The “Curse” of Eastern Blood in Imail Kadare’s “Elegy for Kosovo”, Ulbandus Review, 1.1.2010, Vol. 13, ff. 79-93; Elvira Lumi, The Traditional System of Justice in the Ismail Kadare’s Novel, International Journal of Arts and Sciences, 2011, 4(14), ff. 197 – 209; Sandra F. Joireman, Aiming for Certainty: the Kanun, blood feuds and the ascertainment of customary law, the Journal of Legal Pluralism and Unofficial Law, May 2014, ff. 1-14; Mirjona Sadiku, the Origins of the Kanun, Exploring the Development of the Albanian Customary Law, Balkan Arastirma Enstitusu Dergisi, Dec. 2014, Vol 3 (2), ff. 77-95.
[5] Analiza mbështetet tek bleu “Emblema e Dikurshme”, botimi I, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1977. Vepra është ribotuar disa herë. Tashembrapa “Breznitë”.
[6]“Breznitë, f. 273.
[7]“The impact of ancient law is with us today”, Alan Watson, Ancient Law and Modern Understanding – At the Edges, The University of Georgia, Athens and London, 1998, at xiii.
[8] Shih, p.sh. Dekreti i Sulltanit për dhënien e Timarit Sinan Bejogllu-së, shpërblim për fushatën e Hungarisë; Dekreti i Sulltanit për kalimin e timarit të Sinan Bejogllu-së tek Turhan Spahiu, hero i luftës së Kërk-Kilisë; Dekreti mbretëror për dhënien në sipërmarrje të kriporeve, 1729; Fermani për ndalimin e copëzimit të timareve; “Breznitë”, ff. 272, 273, 232, 285, 286.
[9] “Breznitë”, ff. 274-275. Sheriati: E drejta fetare islamike (në vendet ku vepron feja myslimane; gjatë sundimit osman edhe në Shqipëri). Gjyqi i sheriatit. Kanunet e sheriatit. Me sheriat. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, ASHRPSSH, IGJL, Tiranë, 1980, f. 1828
[10] Sull / Osull. Vendime të Kuvendit që bëhen norma kanunore. “Sulli asht dëshira e populli”. “S’mund të dalin kush mbi sullet“. Xhemal Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, I Varianti i Pukës, Botimet Çabej MÇM, Tiranë, 1997, f. 257, [tashembrapa KLD-P]. Termi nuk gjindet në Fjalorët e Gjuhës së Sotme Shqipe, botimet zyrtare përkatësisht të viteve 1980 dhe 2002.
[11] Shih, p.sh. kreun “E Drejta Ndëshkimore”, Mbrapshtinat, KLD-P, ff. 143-162.
[12] Shih, p.sh. kreun “E Drejta e Detyrimeve, KLD-P, ff. 125 – 143, ose kreun Rendi Ekonomik – pronat dhe kufiri, KLD-P, ff. 106.
[13] Shih p.sh. kreun “Ndamja dhe Trashëgimia”, tek KLD-P, ff. 121 – 125.
[14] Fritz Kern, Kingship and Law in the Middle Ages, translated with an introduction by S.B. Chrimes, Basil Blackwell, Oxford, 1948, f. 149. [Hereinafter Kern]. Kern e përkufizon ligjin objektiv si “doke që vijnë nga një epokë që s’mbahet mend, të dëshmuara nga kujtesa e pleqnarëve më të moshuar dhe më të besuar; leges patrum, ngandonjëherë, por jo domsdoshmërisht, e var kujtesën tek mjete të jashtme ndihmëse, si p.sh. …kufinj, libra ligjesh, ose çfarëdolloj sendi tjetër që e mbijeton qenien njerëzore”. Ibidem. [Në origjinal: Kern defines objective law as “Immemorial usage, testified to by the memory of the oldest and most credible people; the leges patrum, sometimes but not necessarily prone by external aids to memory, such as cuarters, boundaries, law-books, or anything else that outlived human beings.” Ibidem.]
[15] “Breznitë”, f. 272.
[16] “…mosha nuk ndërton ligjin, dhe përdorimi i gjatë i një praktike nuk provon se ajo është e drejtë.” [“…age cannot create law, and long usage does not prove a practice to be rightful.”] Kern, f. 150.
[17] Shih, për shembull, Charles Johnson, the Land of the Blood Feud, Harper’s Weekly, 1913, Vol. 57, f. liii. Autori i referohet një bisede të Edith Durham me një malësor: “Unë jam katolik i mirë…pra, jam në gjak me myslimanët, sepse ata nuk besojnë. Jam në gjak me hebrenjtë, sepse ata vranë Zotin. Jam në gjak me sllavët sepse ata nuk i luten Atij ashtu siç duhet”. Po aty.
[18] Ismet Elezi, E drejta zakonore e Labërisë në planin krahasues, Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 1984; Ismet Elezi, E drejta zakonore e Labërisë, Tiranë, 1994, ku autori i referohet edhe zbatimit në Toskëri [Kanuni i Adetit], në Çamëri [shkurt, Adeti], në Labëri [Kanuni i Papa Zhulit ose i Idriz Sulit], shih Parathënie e Kanunit të Labërisë, tek www.kanuniilaberise.tripod.com; Shih edhe një shkrim të Vehip Runës për Kanunin e Labërisë dhe Kuvendin e Zhulatit, të botuar në Dielli, rreth viteve 1957 [arkiva private e autorit].
[19] Dorëshkrime të Gjeçovit, f. 13, refereruar tek botimi E Drejta Zakonore Shqiptare, I, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Tiranë, Akademia e Shkencave të R. Shqipërisë 1989, Hyrje nga Koço Nova, f. 128.
[20] Nuk e kemi hasur referencën tek studiues të tjerë.
[21] Përkimi apo ngjashmëria e termit përbashkësi me Common Law nuk është aspak e rastit.
[22] Për më tepër lidhur me Arbëritë, shih Pëllumb Xhufi, Árbërit e Jonit, Onufri, 2016, ff. 1260-1264.
[23] Kjo shmangie e rëndësishme nga norma e përbashkët zakonore “nuk ishte diçka e pazakonshme në Gjirokastër”, thekson Kadareja. “Breznitë”, f. 297. Krahaso me Kanunin e Lekë Dukagjinit, varianti i Pukës, ku martesat brenda fisit nuk lejoheshin madje edhe deri pas shumë brezash.
[24] “…si element i fuqishëm qëndrese” dhe kohezioni, e drejta dokësore shqiptare “nuk lejoi që vendi ynë të ndahej në «tri kultura» simbas përkatësive fetare, në tri kombe, ashtu siç ndodhi në disa vende të Ballkanit.” Kahreman Ulqini, E drejta kanonike shqiptare përballë së drejtës kanonike dhe sheriatit, Etnografia Shqiptare, Vol. 16, Akademia e Shkencave, Tiranë, 1989.
[25] Masà – nga turqishtja, tryezë. Sipas Lloshit, në botimin e fundit [v. 2000] të “Breznive” “janë zëvendësuar mjaft fjalë të huaja në gjuhën tone, sidomos orientalizma, me fjalë shqipe”. Xh. Lloshi, vep. Cit. f. 21-22.
[26] Për metodologjinë e mbledhjes së normave të së drejtës zakonore vlen të theksohet studimi i Abaz Dojakës, Disa udhëzime për mbledhjen, sistemimin dhe studimin e së drejtës zakonore, Etnografia Shqiptare, Vol. 7-8, ff. 280 e vijuese. Një kritikë ndaj Gjeçovit shpaloset nga Nopsca: “botimi i Gjeçovit vuan nga e meta se a priori i vë vetes detyrën ta paraqesë kanunin siç e paraqet ose dëshiron ta paraqesë kleri i Shqipërisë së Veriut, prandaj duhet të përdoret me shumë kujdes“. F. Nopcsa, Shqipëria, fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe ligji i zakoneve, (Arkivi i Institutit të Historisë, Tiranë, Përkthimi shqip i dorëshkrimit që gjendet në Vjenë, f. 316), cituar nga Kahreman Ulqini, vep.cit. Kurse në veprën të botuar së fundmi nga Qendra e Studimeve Akademike, Instituti i Historisë, Tiranë, 2013, përkthyer nga Dr. Iur. Mihallaq Zallari, citimi është në faqen 291.
[27] Të mos harrojmë – vepra e tij, në intertekstualitetin e detyruar përmes – së paku – referencave kanunore, është fiksion. “Kemi përpara një tekst të letërsisë artistike. Nga vetë thelbi i tij ai lejon disa lexime, domethënë disa mënyra për ta kuptuar, për ta interpretuar”. Prof. Xh. Lloshi, vep. Cit. f. 13.
[28] “Common law” apo e drejta e përbashkët, është e drejta e zbatuar në Angli pas pushtimit norman në shekullin XI, që ishte njëfarë hibridi midis së drejtës së pushtuesit me atë të vendasve, ku rol të veçantë kishte precendenti gjyqësor, i zbatuar gjerësisht, që mundësonte siguri në kuptimin dhe zbatimin e ligjit, dhe lirshmëri në përshtatjen me rrethana të reja. Më tej u përhap në zotërimet koloniale dhe në SHBA. Shih edhe referencën në citimin 54 më poshtë.
[29] Stare decisis, nga latinishtja, përafërsisht ka kuptimin se vendimi i marrë zbatohet në çdo rast, është doktrina e precedentit gjyqësor, sipas të cilit një vendim i marrë nga një gjykatë zbatohet përgjithësisht nga çdo gjykatë tjetër nëse faktet dhe rrethanat janë të njëjta ose të përafërta.
[30] “Breznitë“, 325-327.
[31] Kahreman Ulqini, vep. cit.
[32] “Breznitë”, 284 -285. Kaskapani e kishte kundërshtuar me këmbëngulje, duke u shprehur se “nusja ime e zezë me Hatibin përbri në varre, unë me nusen e tij në shtrat. Ç’është ky fat kështu!”. Po aty. Pas nëntë muajsh lind Roksana.
[33] Abaz Dojaka, Doke e zakone ndër shqiptarët në Mesjetë dhe në kohë të sotme, Etnografia Shqiptare», Vol. 13, 1983
[34] “Breznitë”, f. 297. Shih edhe shënimin 22.
[35] Margaret Hasluck, The Unwritten Laws in Albania, Cambridge University Press, 95 – 109.
[36] KLD-P, Neni 300, f. 105.
[37] E buruar në Pukë, më 1856, KLD-P, f. 236.
[38] Kanuni i Lekë Dukagjinit mbledhur nga Shtjefën Gjeçov, Gjonlekaj, New York, 1989, Neni 57, f. 73 [tashembrapa KLD].
[39] “Sipas normave të së drejtës zakonore gojore, «gjak për gjak», hakmarrja ka shkurtuar jetën e ajkës së djalërisë … Në mes të Nikajt e Shalës për çështje të kufirit të kullotave, u vranë 33 shaljanë, gjatë pesëmbëdhjet ditëve…Revista “Ylli”, 1965, Nr. 6.
[40] KLD, Neni 142, para 1029. Me gjasë kjo bëhej për t’u lejuar të gjithë të pranishmëve kohën e mjaftueshme për t’u kthyer në shtëpi para perëndimit.
[41] “Breznitë”, 272 – 273. Teknikisht, béja e Basri Hankonit nuk ishte e rrejshme: balta në shuaj ishte vërtetë e arës së tij. Mirëpo zhvendosja fizike dhe kryerja e betimit në mes të Arës së Mëllenjave e kthente veprimin, në tërësi, në mashtrim, dhe pra, edhe bénë në vetvete në të rrejshme.
[42] KLD-P, Neni 302, f. 105.
[43] KLD-P. Neni 222. Beja ka me u ba si të lypet. Kategoria jepet e tillë: “Be mbi kishë a xhami, mbi kryq a teqe, mbi ungjill a qitape, vetëm a me pleq beje“. Po aty, (vi).
[44] KLD-P, Neni 223. f. 86, 171. Formula ishte: “Shete beja Zotit. [E shejt asht beja e Zotit. Si e basha, më ndihmoftë! Nuk kam me vjedh gja t¨ze hujen në ban nji dorë krande e pêrpjetë me hjeksue kand mbranda kufive të katundit”. Shih edhe “Kudo në popullin tonë festohet kryet e motmotit ose festa e verës, në thelb festë pagane që feja e quajti dita e Shëngjergjit.” Tek Abaz Dojaka, Doke e zakone ndër shqiptarët në Mesjetë dhe në kohë të sotme, Etnografia Shqiptare», Vol. 13, 1983.
[45] KLD – P, Neni 221. f. 86.
[46] KLD – P, Neni 236, f. 89. Një konflikt i mesit të shekullit XVIII midis fisit të Kokës së Kabashit dhe të Qerretit të Rrafshit të Dukagjinit është shumë domethënës, madje na paraqet institutin e vetëdënimit. Dy fiset kishin njëfarë konfliktu për çështje kufinjsh, Megjithatë, kjo nuk nënkuptonte mosdhënien e ndihmës në rast nevoje. Në tbunën e Kokës ra zjarr, dhe ata “lëshuan poteren” duke kërkuar ndihmë nga Qerreti, që s’iu përgjigj thirrjes. Dëmi ishte i madh. Koka lypi arsyen e refuzimit ose benë. “Qerreti i mblodh në kuvend të vet. Pleqnoi se ishte në faj. Bé nuk mund të bënte se nuk ia pranonin pleqtë, se shihej që ishte be në rrenë. Kështu që vendosi të ikte natën e të rikthehej në Rrafsh Kosovë”. KLD-P, f. 203. Shih dëshminë sipas misionarit italian A. Dedë Pasi në shënimin 104, ku një ngjarje në Buhot të Kabashit, viti 1896 përcjell sanksionet ndaj besë së pasaktë prej të betuarve kundër shkelësit, vjedhës i një pushke. Shih edhe shënimet 99-105. Po aty, ff. 171-172.
[47] Togfjalëshi përdoret me rezervën dhe mungesën e gjetjes së një termi më të qëlluar.
[48] “Breznitë”, ff. 292, 293, 295, 304; Disa shembuj përdorimi: “siç thoshin” (296), “u pëshpërit”, “thuhej se”, “thoshin”(299), “njerëzit (299), “tregimtarët (300), “të gjithë ishin të një mendimi” (300), “erdhi fundi i botës, thoshin” (304), “mjerë ata ç’i gjeti, thoshin” (306). “Folja më e përsëritur është ‘thoshin’, me të gjitha sinonimet e saj”. Prof. Xhevat Lloshi, Shekujt e një familjeje si histori në të sotmen, Parathënie tek “Breznitë e Hankonatëve”, Onufri, Tiranë. 2000, f. 9
[49] “Breznitë”, 306. Krahasoje me f. 307.
[50] Rendi i frazës është ndryshuar. Termi me gërma më të zeza është i autorit të kumtesës.
[51] “Breznitë”, f. 275.
[52] Leçit – mos me i hy brenda shtëpisë për asnjë rast dikuj që është sjellë keq, që ka shkelur zakonet. KLD-P, f. 255.
[53] “Breznitë”, f. 320.
[54] Ibidem.
[55] Citimi jepet tek Sir John Davis Report, Le primer report des cases & matters en ley resolues & adiudges en les courts del Roy en Ireland. Collect et digest per Sr. Iohn Dauys Chiualer Atturney Generall del Roy en cest realme, Early English Books Online, etk quod.lib.umich.edu
[56] Standardi i përkujdesjes në të drejtën civile krahasimore. Shih edhe Aaron Xavier Fellmeth, Maurice Horwitz, Guide to Latin in International Law, f. 47.
[57] Për një trajtesë shteruese më të fundit lidhur me konceptin e reasonable person ose “the man on the Clapham Omnibus” shih kazusin Healthcare at Home Limited v. The Common Services Agency [2014] UKSC 49, paragrafet 1 – 4.
[58] “Breznitë”, ff. 322-323.
[59] “Breznitë”, ff. 323.
[60] Dihet se në të drejtën zakonore shqiptare fajdeja ishte absolutisht e ndaluar KLD, Neni 82, Shënim.
[61] Bisedë me të nënshkruarin, Tiranë, pranverë 2016.
[62] “Breznitë e Hankonatëve” u botua për herë të parë në vitin 1977, ose në kulmin e diktaturës komuniste.
[63] Shih edhe Peter Goodrich dhe Yifat Hachamovitch, Habeas Corpus: A semiotic analysis of common law cartographies, tek Tracing the Semiotic Boundaries of Politics, Edited by Pertti Ahonen, Mouton de Gryuter, Berlin, NY, 1993, ff. 175 – 203.
[64] Ismail Kadare, Dialog me Alain Bosquet, Onufri, bot. IV, 1999, f. 96.
[65] Citimi i plotë në origjinal: “…[t]he self-government of the Albanian mountaineers went far towards being true democracy in the Anglo-American sense of that much-abused word. In its primitive way it was really government of the People, by the People, for the People”. Margaret Hasluck, The Unwritten Law in Albania, Cambridge University Press, 1954, 11.
[66] “Breznitë”, f. 288.
[67] Relevancën aktuale të “Breznive” e trajton gjerësisht edhe Lloshi, vep. Cit. f. 17, 19, 21.
|
28,265 | https://peizazhe.com/2018/03/06/reportazh-nga-furrat-e-kosoves/ | null | 2018-03-06T18:39:35 | REPORTAZH NGA FURRAT E KOSOVËS | nga Tinka Kurti
Në këtë vend nuk janë vetëm qentë e uritur. Kjo është republika e varfërisë në të cilën këndohet zëulët kënga e urisë. Nëse nuk i keni lidhur fytyrat e zbehta e buzët pa ngjyrë me mungesën e ushqimit a kequshqyerjen ndoshta është për shkak se keni qenë të pavëmendshëm në furrën e lagjes. Ndoshta shitësja e bukës do t’u tregonte se pse shitet aq shumë buka me gjysmë çmimi. Bajate. Pse ka aq shumë kërkesa për gjysmë byreku? Pse ka kifle bajate që shiten me qese? 4 kifle, 2 leqenikë e 2 byrekë, 10 mantia për 50 centë. Me gjysmë euro hiqet një vakt për të gjithë anëtarët e familjes. Aty, askush nuk e pranon që po e zgjedh qesen çmimlirë për shkak se kështu i leverdis. E marrin me arsyetime të tjera. Askush nuk e komenton. Ne, populli i varfër e i uritur kemi turp nga këto dy fjalë. Më shumë ndjejmë turp për varfërinë sesa mllef për ata që na varfërojnë përditë.
Nuk iu gërryejnë zorrët vetëm atyre që u përkasin 26 mijë e 450 familjeve me ndihmë sociale. Stomaku që kërkon të ngopet gjendet te shumë prej studentëve, shumë prej punëtorëve. Shitëses që paguhet 150 euro në muaj i ndodhë shpesh që disa njerëzve t’u japë kripë pasi kanë blerë një bukë të cilën e hanë aty. Herë me një domate, herë pa të. Shitësja e cila punon 6 ditë në javë nganjëherë u përgjigjet njerëzve “Kushton kaq, NËSE KE”.
Qeveria e kaluar e Republikës së Kosovës (Isa Mustafa) e pati ulur tatimin mbi vlerën e shtuar për bukën nga 16% në 8%. Mirë fort. Por kjo nuk pati sjellë uljen e çmimit të bukës. Sipas raportit të publikuar në tetor të vitit 2017 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me titull “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit”, çmimi i bukës në Kosovës është rritur me një (1) për qind, krahasuar me një vit më parë.
Por për çmimin e bukës raportohet rrallë. Zakonisht përmendet kështu kur publikohet indeksi i çmimeve të konsumit. Aty tregohet se është shtrenjtuar buka sikurse janë shtrenjtuar cigaret dhe rryma elektrike. Këto dy të fundit ngjallin reagime. Revoltë. Këto prekin xhepat e shtresës së mesme. Por buka jo. Kjo është temë e shtresës së varfër. Një herë kur ishte problematizuar më shumë kjo punë, në vitin 2008, kur si efekt i lëkundjeve financiare çmimi i bukës ishte rritur dukshëm, deri në 45 centë të euros, nga 30 sosh, qytetarët ishin kritikuar se pse hanë bukë kaq shumë. Thua se zgjedhja e bukës para ushqimeve të shumëllojshme qoftë të shëndetshme, qofshin të shijshme qenka punë e mosdijes, mungesës së shijes dhe jo e mospasjes.
Ne i përkasim republikës, rendit që ka lindur kundër urisë. Ne po e shënojmë edhe 8 Marsin, Ditën ndërkombëtare të gruas e dikush do ta shtrëngojë stomakun fort, duke lënë vetën pa u ushqyer atë ditë, që t’i blejë nënës trëndafila. Por ne nuk jemi vendi i trëndafilave dhe as nuk kemi bukë për të gjithë. Edhe në Kosovë në vitet 90 protestat e grave janë mbajtur me bukën në duar lart duke kërkuar “bukë për Drenicën”. Ama sot uria është turpi i një faji që nuk e kemi bërë. Mbulohet aq mirë dhe nuk përmend kurrë.
Janë bërë më shumë se 100 vite prej përdorimit për herë të parë të sloganit poetik e politik i cili u përvetësua më vonë nëpër protestat për barazi dhe të drejtat e grave, “Bukë dhe trëndafila”. Nga ky togfjalësh që ishte titull poezie e autorit James Oppenheim u bë formë e kërkesës politike në grevat për të drejta të punëtorëve të tekstilit në Massachusetts duke kërkuar “Bukë dhe trëndafila për të gjithë”. Janë bërë gati 100 vite prej kur Migjeni e Nonda Bulka shkruanin për mjerimin shqiptar. Dhe sot buka mungon. Trëndafilat u përkasin pakkujt dhe bota e ka ngatërruar paqen.
Shitësja e luleve në ditë paguhet sa një trëndafil dhe studentja rri barkthatë. Fëmijët nganjëherë e hanë darkën me ujë e qytetet rrugët i ndajnë në bazë të aty ku bëhen tostat ose në ato të filan restoranteve, atje ku shqyhet mishi dhe ngulen pirunët pa mëshirë.
Por ky vend u përket atyre që gatuajnë duke shkundur mirë thesin e miellit. Ky vend u përket atyre që ushqehen në gjellëtoret më të lira. Ky vend u përket atyre që e porosisin menynë më të lirë të restorantit.
|
162 | https://peizazhe.com/2007/07/17/ivani-i-pare-shqiptar/ | null | 2007-07-17T18:08:23 | IVANI I PARË SHQIPTAR | Shoh në “Shekullin” e sotëm se Ardian Klosi ka intervistuar historianin zviceran Oliver Jens Schmitt – autor i studimit “Arbëria Venedike” botuar para pak muajsh edhe në shqip – për një monografi që ky i fundit është duke përfunduar, në lidhje me mesjetën arbërore dhe figurën e Skënderbeut.
Shkruan Klosi në hyrje të intervistës:
Përveç trajtimit origjinal të një figure të madhe në një mjedis të caktuar politik-kulturor, kjo vepër shquan nga pasurimi i bibliografisë së deritanishme skënderbejane me një numër dokumentesh të reja, të cilat profesori 34-vjeçar i Vjenës i ka nxjerrë nga disa arkiva qytetesh europiane, sidomos nga Biblioteka Kombëtare e Francës. Njëri prej tyre, një letër e vitit 1454 e shkruar prej diplomatësh milanezë, vërteton se motivi kryesor i braktisjes së kampit turk prej Skënderbeut ishte gjakmarrja: pas vrasjes së t’et, Ivanit (apo Juanit) prej Muratit II, Gjergj Kastrioti vë njerëz që vrasin të vëllanë e Mehmetit II.
[theksimi është imi, Xh.]
Natyrisht, nuk them dot gjë për kërkimet e historianit zviceran, por habitem pak se një letër arkivash milaneze qenka e mjaftueshme për t’i trivializuar deri në këtë shkallë motivet që e shtynë Skënderbeun të kthehej në Krujë e të niste luftën kundër osmanëve.
Gjithashtu nuk më rezulton që historiografia e sotme e Skënderbeut, në Shqipëri dhe gjetiu, të ketë pranuar gjëkundi se Gjon Kastriotin, të jatin e Skënderbeut, e paskan vrarë osmanët e Muratit II ose të tjerë armiq – edhe pse mund të jem i gabuar, meqë fati i Gjon Kastriotit asnjëherë nuk më ka interesuar drejtpërdrejt. Megjithatë, po të kish qarkulluar ndonjë hipotezë e tillë, do ta kishte përmendur të paktën Kristo Frashëri, në monografinë e vet të fundit për Skënderbeun; por ky vetëm sa thotë se data e vdekjes së Gjon Kastriotit nuk dihet me saktësi…
E pastaj, sikur ta kishin vrarë të ziun Gjon me urdhër të Muratit II, nuk do ta kishin përmendur këtë të gjithë ata që kanë shkruar për Kastriotët në atë kohë (nga Muzaka te Barleti e te historianët bizantinë e turq), por do të kish mbetur puna te këta bojarët nga Milanoja e largët që ta përhapnin lajmin?
Mirëpo gjëra edhe më të pabesuara kanë ndodhur, prandaj nuk shprehem dot prerë.
Më në fund, nuk kuptoj se ç’po e shtyn Klosin ta quajë Gjon Kastriotin me emrin Ivan, i cili është një version sllav i emrit shqiptar Gjon. Nëse historianët dhe krejt kultura shqiptare kanë përdorur deri më sot emrin Gjon, ose nëse është vendosur një traditë krejtësisht e përligjur në përdorim, adoptimi i formës sllavishte Ivan do të kërkonte shpjegime të mëtejshme. Tek e fundit, në vend të Ivan mund të përdoreshin edhe forma si Giovanni, John, Johann, Ion, Iannis, Juanis, Jovan e kështu me radhë; sepse emrat në dokumentet e saj kohe përktheheshin rëndom në gjuhën me të cilën hartohej dokumenti.
Thotë pastaj Oliver Jens Schmitt:
Mendoj se zbulimi më i rëndësishëm, në pikëpamje burimore, është motivi i vërtetë i veprimit të Skënderbeut, që ishte gjakmarrja. Kemi në duar tani një dokument të ri nga arkivat e Milanos, i cili tregon se sulltan Murati II ka pasë vrarë të atin e Skënderbeut, Ivanin, dhe se Skënderbeu ishte pjesë e një përbetimi që çoi në vrasjen e vëllait të madh të Mehmetit II, Alaedin Ali Çelebiut, e pra ky motiv, gjakmarrja si shtysë personale e Skënderbeut, është një e re. Një interpretim i dytë i rëndësishëm ka të bëjë me kryengritjen e Skënderbeut, e cila në fazën e saj të parë nuk duhet vlerësuar si kombëtare, por si kryengritje e popullatës ortodokse në Ballkanin perëndimor, vërtet me një shumicë arbërish, por gjithashtu me pjesëmarrje të sllavëve jugorë e të vllehëve, të cilët ngritën krye si të krishterë ortodoksë kundër Perandorisë osmane, në një kohë kur kjo perandori po kalonte, në vitin 1443, një periudhë dobësimi politik.
[përsëri theksimi është imi, Xh.]
Edhe ky interpretim, se kryengritja e Skënderbeut duhet vlerësuar si kryengritje e popullatës ortodokse në Ballkanin perëndimor, jo si kryengritje e fiseve shqiptare kundër osmanëve, më duket disi i guximshëm; po të kemi parasysh se Skënderbeu kujdesej të identifikohej si princ shqiptar në dokumentet e kancelarisë së vet; e nga ana tjetër, vetë historiani zviceran, në po këtë intervistë, e quan themelimin e një mbretërie katolike nga ana e Skënderbeut si ide të rëndësishme politike të këtij udhëheqësi të shqiptarëve. Megjithatë, për këtë duhet lexuar monografia që, pas gjase, do të përkthehet së shpejti nga Ardian Klosi vetë.
|
35,972 | https://peizazhe.com/2020/07/30/mbi-gjuhen-dhe-letersine-shqipe/ | null | 2020-07-30T08:02:16 | MBI GJUHËN DHE LETËRSINË SHQIPE | Nga Gustav MEYER
përkthyer nga Anila Omari[1]
Nga “Rruga detare” në Korfuz shijohet pamja e maleve shqiptare. Këtej jeta e harlisur në dritën e kthjellët të pranverës, ullishtat e ndritshme dhe portokallet me gjethet e tyre të errëta, dhe nga lart, të ndara vetëm nga ngushtica e vogël e detit, sundojnë lartësitë e errëta e të zymta. Fshatra të vegjël kanë mbirë mbi shkëmbinj dhe majat janë të mbuluara me borë: janë atje në gjithë magjinë e botës greke, si një enigmë, si një botë e huaj e jo mikpritëse. “Këtu endet ujku, shqiponja mpreh kthetrat, këtu banojnë njerëz të egër si ujku e si shqiponja”. Të shumta janë lëvdatat e thurura nga lordi Bajron për këta njerëz, dhe Georg von Hahni bëri për zakonet dhe institucionet e tyre studime të gjata e plot dashuri. Megjithatë vetëm ngjarjet politike të viteve të fundit tërhoqën vëmendjen e gjithë botës mbi shqiptarët. Tani dihet se ata janë një element i rëndësishëm në gadishullin Ballkanik, një element që në çdo mënyrë duhet ta marrin në konsideratë si grekët ashtu edhe sllavët. Sidomos sllavëve shqiptarët u rrinë përpara me pushkë në dorë, por edhe praktikat miqësore të grekëve deri tani nuk kanë pasur ndonjë rezultat të mirë.
Kur lexojmë për fshatra, banorët e të cilëve përshkojnë me not një lumë me calikë e me lëkura dhish të fryra, priremi t’i kërkojmë në Kongo ose në Guinenë e Re. E megjithatë këto fshatra ndodhen në një vend europian, dhe lumi është Drini në rrjedhën e tij nga liqeni i Ohrit deri në Shkodër. Të tilla veçanësi fsheh Shqipëria. Është e çuditshme që zelli për zbulimet gjeografike dhe etnografike nuk është drejtuar te ky vend, të cilit pak vetë pas Grisebachut e Hahnit ia kanë parë bukuritë mahnitëse natyrore dhe askush më nuk i përshkroi. Edhe në fushën ende të errët të historisë shqiptare janë bërë pak hetime; në përgjithësi edhe sot nuk dimë më shumë nga ajo që na njoftoi Hahni në vitin 1854. Shumë shpesh na u paraqitën tezat e tij, por për fat të keq pa ia përmendur emrin; e edhe gabimet jo të pakta ku ra dijetari i shquar si pasojë e kulturës së pamjaftueshme gjuhësore, shpesh nuk na kursehen, edhe pse sot mund të sillet i njëjti justifikim. Thuajse i harruar, për shkak të përmbledhjeve të bëra nga Hahni, mbeti njëri prej paraardhësve të tij, i cili i pari shprehu për marrëdhëniet e popujve më të lashtë të gadishullit Ballkanik ato gjykime, që ende mbahen si të drejta; dhe ky është Thunmanni, hulumtimet e të cilit për historinë e popujve të Europës lindore janë një vepër, e cila, për kohën kur u shkrua (1774), është pa dyshim e denjë për admirim.
Shkaku kryesor i njohurive tona të gjymta për historinë shqiptare është mungesa e burimeve. Te ky popull nuk lindi kurrë mendimi për të mbajtur shënim të paktën gjërat më të rëndësishme të historisë së tij dhe gjithmonë duhet t’u drejtohemi për njoftime atyre popujve që erdhën në kontakt me shqiptarët. Për kohët e reja nuk mungojnë; dhe ne jemi në gjendje të përshkruajmë me qartësinë e duhur karakterin dhe prirjet e një Ali Tepelene.
Në mesjetë shqiptarët u vunë në vëmendje të gjithë perëndimit, pra kur fuqia dhe heroizmi i Gjergj Kastriotit shkatërruan ushtritë islame; por panegjiriku pa kritikë që i bëri Barleti ndikoi më tepër për ta mbajtur të errët historinë e asaj periudhe. Më anë tjetër njoftimet për historinë e Shqipërisë në mesjetë i gjejmë te kronistët bizantinë, të cilët vetëm rrallë u merakosën për atë vend të largët. Një shqyrtim i imtë i këtyre burimeve ndoshta do të japë si rezultat ndonjë hollësi interesante, por natyrisht jo një njohje të plotë. Gjithsesi një shqyrtim i tillë është për t’u dëshiruar, pasi traktati i Hopfit është një gjë e rrallë, leximi i tij është i vështirë dhe përmbledhja që i bëri zoti Hertzberg është krejt e pamjaftueshme.
Siç dihet, emri i shqiptarëve alban del për herë të parë te gjeografi Ptoleme, domethënë në gjysmën e shekullit II pas Krishtit. Gjatë numërimit të fiseve ilire krahas taulantëve, elimiotëve dhe orestëve figurojnë edhe albanët me kryeqytetin e tyre Albanopoli. Sipas të dhënave të Ptolemeut, ky fis duhet kërkuar në rajonin e Dibrës e pranë Drinit të Zi; por duket se këto të dhëna janë arbitrare e pa ndonjë vlerë.
Prandaj besoj se nuk mund të ketë ndonjë kundërshtim, nëse te Albanopoli duam të gjejmë Elbasanin e sotëm. Mirëpo kjo pa dyshim është e gabuar. Ne e dimë emrin e lashtë të Elbasanit, Skampën, dhe nuk gabojmë po të besojmë se ky emër është ruajtur në atë të lumit Shkumb; në brigjet e të cilit shtrihet Elbasani. Veç kësaj emri Alban i shkruar me l s’është gjë tjetër veçse trajta e greqizuar e emrit të shkruar në zanafillë me r. Serbët i quajnë shqiptarët, fqinjët e tyre me emrin Arbanas, grekët i quajnë Arvanitis, dhe nga kjo trajtë e fundit zë fill turqishtja Arnaut, që përdoret edhe nga bullgarët. Arbëri është emri i një krahine të Shqipërisë, dhe në të vërtetë i po asaj krahine që quhet edhe Lapëri apo Labëri; është krahina e maleve Akrokeraune dhe e zonës në brendësi prapa tyre që përfshin rrethet e Vlorës, Kurveleshit, etj. Banorët quhen arbër. Në këtë emër duhet të shohim rrënjën e atij, i cili më pas, siç ndodh shpesh, u bë prej të huajve emri i përgjithshëm i një krahine shumë më të madhe. Vetë shqiptarët, sidomos ata të Veriut dhe ata që jetojnë në mbretërinë e Greqisë dhe në Itali, u përshtatën të përdorin këtë emërtim. Në gojën e shqiptarëve vlejnë si emërtime më të drejta të kombësisë së tyre emri Shqiptar, që do të thotë “arbër”, dhe emërtimi shqip që do të thotë “gjuha shqipe”.
Janë bërë orvatje për të shpjeguar këtë fjalë, duke e rrjedhuar nga emra që kanë kuptimin “shqipe” apo “shkëmb”; por i vetmi shpjegim i mundshëm është ai nga folja shqiponj “kuptoj”. Pra shqiptar nuk do të thotë tjetër, veçse “ai që kupton”; dhe pikërisht kështu shqiptari quan atë që kupton gjuhën e tij. Emërtimi është relativisht i ri, sepse folja është marrë nga latinishtja excipere “kuptoj”.
Si në raste të tjera, edhe këtu nuk mund të themi me siguri se si emri Arbër u bë emër i përbashkët i shqiptarëve. Duket se shqiptarët emigruan në rajonet ku banojnë tani nga vende më në veri; në hartën e Kiepertit gjejmë pranë lumit Arzen (Erzen – sh. p.), në jug të Tiranës dhe në lindje të Durrësit, vendbanimin Arbona, emri i të cilit ndoshta ka lidhje me ato që thamë. Kështu i afrohemi krahinës së shënuar nga Ptolemeu. Shndërrimi i një emri vendas Arbër, apo, siç shqiptohej emri në zanafillë e shqiptohet edhe sot në veri, Arbën, në Alban, nuk duhet të na habisë meqë është fjala për grekët. Për fat të keq grekët nuk u denjuan asnjëherë të riprodhonin saktë emrat e huaj të popujve e vendeve në trajtën e tyre vendase; dhe duke dashur t’ua përshtasin ligjeve të gjuhës së tyre dhe duke dashur t’i afrojnë me emra të njohur e të dëgjuar më shpesh, shkaktuan shndërrime, që tani në çdo hap krijojnë pengesa për gjeografinë dhe etnografinë, dhe madje kanë çuar në rrugë të gabuar shumë hulumtime. Në këtë pikë mund të kenë pasur ndikim arbëreshët e Italisë apo ata të Kaukazit.
Është karakteristike për njëfarë rryme të etnologjisë fakti që ky barazim i emrave, që është i mëvonshëm, mjaftoi për të ndërtuar përrallën, e besuar deri në kohët e reja, të një emigrimi të shqiptarëve nga Kaukazi. Kjo hipotezë nuk ka as themelin më të vogël, nuk mbështetet nga ndonjë traditë historike, as nga krahasimi mes gjuhës shqipe dhe dialekteve të folura nga popullsitë e Kaukazit.
Më tepër duhet të besojmë, meqë asnjë fakt nuk flet kundër, se shqiptarët kanë banuar në Shqipëri ose të paktën në një pjesë të saj qysh prej kohësh shumë të lashta, dhe se janë pasardhës të ilirëve, të cilët në lashtësi kishin ardhur e ishin vendosur në rajonet e Dalmacisë së sotme, Bosnjës dhe Shqipërisë; dhe kjo pikëpamje po vjen duke u përhapur gjithnjë e më shumë.
Pra t’i quash shqiptarët me emrin ilirë të rinj (Neo-Ilirë) është po aq e drejtë sa të quash grekë të rinj grekët e sotëm. Një tjetër gjë në vetvete shumë e mundshme dhe që vërtetohet gjithnjë e më shumë nga rezultatet e kërkimeve gjuhësore, është se gjatë shekujve u zhvillua në shkallë të gjerë një shkrirje me elementët italikë e sllavë. Po të vërejmë se si shkrimtarët antikë theksojnë dallimet trupore mes pushtuesve keltë, të gjatë, të zhvilluar, flokëverdhë, dhe banorët e Ilirisë të shkurtër, të dobët, të zeshkët, kjo nuk përkon aspak me tipin e luftëtarit të sotëm shqiptar. Për këtë ndoshta mund të presim sqarime nga antropologjia, kur kjo t’i ketë dhënë një formë më shkencore metodës së saj, dhe kur t’i jetë vënë në dispozicion lëndë e mjaftueshme nga ato zona.
Duke lënë mënjanë faktin e sigurt se shqiptarët rrjedhin nga ilirët, ka ende shumë gjëra të errëta e të dyshimta. Hahni deshi të dallonte në të dy dialektet kryesore të gjuhës shqipe, pra në gegërishten dhe në toskërishten, ndarjen e lashtë në ilirishte e epirotishte. Kjo është e mundshme, madje mund të them se ka të ngjarë, por nuk është aspak e vërtetuar. Nuk është e sigurt se banorët e Epirit, të cilët ndërkaq nga grekët janë mbajtur gjithnjë si barbarë, flisnin një gjuhë që nuk ishte greke dhe ishte e afërt me ilirishten. Gjithsesi, ndryshimi i sotëm mes gegërishtes e toskërishtes, i cili në fund të fundit nuk është aq i madh, mund të rrjedhë nga një dallim i mëvonshëm. Studimi i shqipes së folur në Greqi tani më bën ta mbaj këtë pikëpamje si më të pëlqyeshmen.
Për shtrirjen e trungut ilir në lashtësi nuk mund të thuhet gjë. Autorët antikë dhe kompiluesit e mëvonshëm quajnë ilirë ata popuj për të cilët nuk dinin asgjë të saktë, ashtu si në rajone të tjera abuzuan me emrin e skithëve. Që atyre u përkisnin edhe dalmatët e delmatët është thuajse e sigurt, megjithëse unë nuk e quaj të vërtetuar prejardhjen e këtij emri nga shqipja dele.
Nisseni në librin e tij shumë të mirë “Italische Landeskunde” i mban edhe popujt fqinjë, domethënë liburnët, istrët e venetët, si pjesë përbërëse të trungut ilir; dhe ne mund të krahasojmë me kënaqësi një fjalë si venetishtja ceva “lopa”, me shqipen ka-u.
Edhe Helbigu me të drejtë i cilësoi japigët e mesapët e gadishullit të Tarantos si ilirë. Dhe kur lexojmë që Straboni kur arriti në Brindizi mësoi se brention te mesapët kishte kuptimin “krye dreri”, lehtësisht mund të shkojë mendja te shqipja brin. Por nuk duhet harruar se interpretimi i emrave antikë të vendeve e popujve përmes një gjuhe aspak të lashtë, madje përkundrazi krejt të tjetërsuar në tinguj, në forma e në fjalë nga lloj lloj ndikimesh të huaja, siç është shqipja, ka pak baza të qëndrueshme. Shpesh deri në ditët tona është shkruar, për shembull edhe në gjeografinë e shkëlqyer të Kiepertit, se emri i japigëve është identik me atë të labëve, banorë të vendit të lartpërmendur të Arbërisë. Kjo më duket e gabuar sepse emri lap, Labëri (pasi del edhe trajta me b), pa dyshim nuk është tjetër veçse emri Arbëri, në sllavishte Alberi, i ndryshuar sipas teorive tingullore të sllavëve, të cilët në këtë mënyrë ndryshuan emrin dalmat Albona në Labin, dhe emrin e lumit Albis “Elba” në Labe.
Ilirët e Japigisë mbërritën në këtë vend duke përshkuar detin që midis Otrantos dhe kepit të Gjuhëzës nuk është shumë i gjerë. Duhet përmendur një veçori e tingujve, që haset në Italinë e jugut dhe që gjendej që në gjuhën e lashtë oske, domethënë asimilimi i nd në nn, dhe i mb në mm; dhe këtë veçori e gjejmë edhe në shqipe. Me këtë rast mund të mendojmë për ndikimin e gjuhës japige, sadoqë nuk duhet harruar se shpesh herë rastësia ka përftuar dukuri të njëjta në gjuhë krejt të huaja për njëra-tjetrën. Më duket për t’u hedhur poshtë kryekëput hipoteza që ilirët janë shtrirë në gjithë Greqinë dhe po ashtu identifikimi i tyre me pellazgët e zakonshëm të etnografisë antike.
Kësaj hipoteze i përgjigjet pohimi i një eruditi të shquar grek, i cili mori për shqiptarë deri dhe sllavët, që gjatë mesjetës ishin shpërngulur në Greqi. Kur u bë ky pohim, unë e hodha poshtë prerazi, dhe megjithëse miku im Sathas – që është autori i saj – u lëndua nga kjo, unë edhe sot mbroj mendimin se në mos tjetër emrat e vendeve sllave në Greqi e vërtetojnë si të pamundur këtë mendim. Është për të ardhur keq që grekët e shndërrojnë këtë çështje thjesht shkencore në një çështje politike e kombëtare; dhe mua më kujtohet se si u nxeh një herë Karl Simrocku, kur Adalbert Kuhni e pati quajtur me prejardhje sllave.
Pra, nëse ilirët qenë paraardhësit e shqiptarëve dhe gjuha ilire një fazë më e lashtë e shqipes së sotme, atëhere ilirishtja ka qenë një gjuhë indogjermane; prandaj shqipja është pa dyshim indogjermane. Meqenëse kjo gjuhë është pak e njohur dhe shumë e përzier me elementë të huaj, për një kohë të gjatë këtë fakt nuk deshën ta pranonin, e madje edhe kur qe një gjë e vërtetuar, nuk u besua dhe aq.
Tani duhet përcaktuar më saktë vendi i saj në familjen e gjuhëve indogjermane. Ende sot mbizotëron mendimi se ka farefisni të afërt me greqishten, madje se nuk është gjë tjetër veçse një dialekt i lashtë grek shumë i prishur. Kësaj pikëpamjeje i dhanë shkas idetë historike jo fort të qarta për një marrëdhënie të ngushtë mes helenëve dhe ilirëve; ngatërresë solli jo vetëm hipoteza mbi pellazgët por u futën gjithashtu edhe prirjet politike për të shkrirë elementin shqiptar me atë grek. Në mënyrë të veçantë Kamarda, arbëresh nga Italia, u përpoq ta vërtetojë këtë pikëpamje me vullnetin e tij të mirë me të cilin nuk shkojnë baraz njohuritë e tij gjuhësore. Nga ana tjetër edhe një analizë e kujdesshme shkencore e gjuhës shqipe nuk e zgjidh aspak këtë problem.
Gjuha iliro-shqipe duhet konsideruar si anëtare e pavarur në familjen indogjermane. Këtu nuk mund të zgjatem për marrëdhëniet e saj me gjuhën e Trakës, e cila është krejt e vdekur, por, siç besohet, ka lënë gjurmë të saj në rumanishte. Ilirët, pra, erdhën dikur, në kohët parahistorike, në atdheun ku banojnë ende; të paktën deri tani asnjëra nga hipotezat e ndryshme që janë bërë për vendbanimet e para të popujve indogjermanë nuk ka përmendur si të tillë gadishullin Ballkanik. Por me këtë arrijmë sakaq ta mbajmë si afër mendjes mundësinë që ilirët të kenë gjetur atje një popullsi më të vjetër; pasi është e sigurt se Europa ishte e banuar para se indoeuropianët të shtriheshin në vendbanimet e tyre të tanishme. Kjo hipotezë përforcohet kur marrim parasysh thesarin e fjalëve shqipe. Një numër i madh fjalësh që lidhen me kulturën janë të përbashkëta me shqiptarët dhe me racat e tjera indogjermane; dhe mund të besohet se këto fjalë janë mbartur me vete nga atdheu i parë. Të tillë janë, për të përmendur disa shembuj, emrat: vit, muaj, dimër, ditë e natë, emrat e hënës, dheut, ujit. Nga kafshët kanë emra indogjermanë ariu, ujku, miza, pleshti, miu, delja, dhia, krimbi; si indogjermane mund të shpjegohen fjalët që i përgjigjen mishit, hudhrës, arrës, barit, gurit; emrat e pjesëve të trupit si sup, krahëror, gisht, dorë, gju, vesh, dhëmb, dhe fjalët mjekër, gjak, eshtra, lot gjejnë fjalë të afërta në gjuhët motra. Emrat që dalin në qerthullin e jetës shtëpiake nuk janë gjithmonë ata që përdoren në shumicën e popujve indogjermanë: por kemi për atë e nënë emra jo të huaj për gjuhët indogjermane; emrat për bir e bijë përkojnë me latinishten, kurse fjalën motër unë e besoj identike me indogjermaniken mater “nënë”, që në lituanishte ka kuptimin e përgjithshëm të “gruas”.
Vetëm fjala vëlla ka pamje të huaj, por ndoshta është e mundur të vihet në lidhje me indogjermaniken bhràter.
Me lëndën gjuhësore që kemi tani për tani në dorë, vështirë se është e mundur të krijojmë një ide të qartë për shkallën e kulturës së ilirëve në kohën e zhvendosjes të tyre për në vendbanimet e reja, pasi shumë fjalë të vjetra që lidhen me kulturën më vonë humbën ose u zëvendësuan me fjalë latine. Por më i rëndësishëm është fakti se në gjuhën shqipe gjejmë një sasi fjalësh, të cilat nga të gjitha anët t’i shohësh nuk janë indogjermane. Ka mundësi që disa prej tyre t’i përshtaten në analizë të fundit një prejardhjeje nga gjuhët ariane; por sigurisht jo të gjitha. Mund të hamendësohet që fjalë të tilla t’i përkisnin gjuhës së banorëve të parë dhe që pastaj të kenë depërtuar në shqipe. Disa nga këto fjalë interesante janë të përbashkëta në shqipe e në rumanishte; kjo të shpie të besosh se fazat më të lashta të këtyre dy gjuhëve kanë pësuar ndikimin e një gjuhe të njëjtë parahistorike e të huaj.
Kur agimi i historisë kishte lindur prej kohësh për Greqinë, në veri në Iliri mbretëronte ende natë e errët. “Në lëvizjen e madhe të popujve, që edhe atje mund të ketë ndodhur asokohe, nuk mbërrin flaka e historisë dhe vezullimet e vetmuara që shihen aty, janë si një dritë e zbehtë në errësirë të thellë, më e aftë të prodhojë pështjellim sesa të sjellë ndriçim.” Kemi lajme të përsëritura të luftërave mes mbretërve të Maqedonisë dhe ilirëve, të cilat ndërkaq duket se nuk kanë pasur kurrë si pasojë një nënshtrim të plotë. Dyndja e keltëve, të cilët në fillim të shekullit të katërt para Kr. u shfaqën në gadishullin Ballkanik dhe pushtuan për një kohë mjaft të gjatë tokën e ilirëve, nuk la, me sa shoh, asnjë gjurmë në gjuhën e tyre. Më pas sundon në histori figura e mbretit Pirro. Ai është një epirot me emër grek; pa dyshim qysh atëhere në ato krahina ishte shumë i fuqishëm ndikimi i helenizmit. Te ky njeri shikojmë qartë gjurmën e “kapedanëve” të ardhshëm shqiptarë. Filloi si kapiten i madh dhe përfundoi si aventurier. Luftërat e romakëve në Iliri, që bashkohen me emrat e mbretëreshës Teuta e të mbretit Gent, janë shtjelluar gjerësisht nga Zippeli. Pasojë e saj qe një regjim romak, dhe kjo pati ndikim shumë të madh edhe në gjuhën ilire. Mund të thuhet se vetëm me shumë vështirësi gjuha i shpëtoi një romanizimi të plotë, dhe për pak sot nuk kemi në vend të shqipes një gjuhë romane. Fjalët e marra nga latinishtja janë në numër shumë të madh, dhe nuk ka dyshim që janë marrë shumë herët, pasi c para e-së dhe i-së e ruan ende vlerën e saj të lashtë të grykores. Dhe nga romakët u morën jo vetëm fjalë që shprehnin sende kulture, të cilat ilirët ndoshta i mësuan prej tyre, por edhe të tjera në të cilat zakonisht ndikimi i huaj nuk ka fuqi: dhe në këtë kohë shumë fjalë të lashta ilire u zhdukën përgjithmonë nga gjuha. Nga emrat e kafshëve janë latinë[2]: kalë, qen, pëllumb, gjel, luan, iriq, flutur, peshk; po ashtu mollë, qershi, bathë, frut, thekër e deri dhe rremb e fletë; mbajnë emra latinë ar, argjend, plumb, ashtu si dhe vaj, bukë, qepë, piper, ve, ndoshta edhe verë e uthull. Për emrat qiell, erë e ajër, lumë, flakë gjithashtu hynë fjalë latine.
Shumica e fjalëve që lidhen me banimin në banesa të qëndrueshme dhe me marrëdhëniet publike kanë emra romane: qytet, mur; fshat, kështjellë, burim, banjë, shtëpi, kasolle, shkallë, stufë, tendë, këmbanë; mbret, kurorë, gjyq, ligj, luftë e paqe, mik e armik, fqinj. Në jetën shtëpiake janë fjalë të huazuara: nip, thjeshtër, martoj, i varfër, e ve. Mbajnë emra të huaj veshje si: këmishë, pantallona, kapele, xhep, mëngë dhe sende të përdorimit të përditshëm, si: shtrat, libër, kartë, pendë, kandil, vazo, lugë, sharrë, bastun. Por fjalët latine vlejnë edhe për shtat e shpirt, gojë, stomak, mëlçi, flokë, madje deri për “jetë”. Nga stinët pranvera ka emër latin, ndërsa janë pak të rëndësishme dhe jo të shumta në numër fjalët e futura nga krishtërimi, si Pashkë, Kërshëndella, kreshmë, engjëll, djall; edhe një nga emrat e “Zotit” (Perëndi) është me burim latin. Por të gjitha këtyre nuk u duhet dhënë shumë rëndësi; përzierjet në fjalor nuk tjetërsojnë në fund të fundit thelbin e gjuhës; kjo ndodh vetëm kur eptimi gjendet i prekur në themel nga ndikimet e huaja; atëhere fillojnë të shfaqen disa veçori të cilat më në fund shpien në përdorimin e plotë të ndërtimit të huaj; dhe kjo ka ndodhur në shqipen. Në zgjedhim gjejmë forma kohore e mënyra thjesht latine, në lakim shumësi ndjek latinishten: mund të bëhet pyetja nëse disa përemra të rëndësishëm dhe nyja janë me burim latin. Lidhur me këtë nuk vlen ndonjë gjë e madhe të tregohet se janë marrë nga latinishtja lidhëza shumë të përdorshme si: e, po/por, që, dhe shumë parafjalë.
Sidoqoftë dimë se në mesin e shekullit të pestë para Krishtit në vendet mes Adriatikut, Egjeut dhe Detit të Zi, latinishtja ishte gjuha e shtetit dhe e familjes. Dhe është dëshmi e shkëlqyer e fuqisë asimiluese të gjuhës latine fakti që ia doli mbanë të arrinte suksese të tilla me një popull kaq të pabindur dhe të dashuruar me lirinë, si populli shqiptar. Asnjë nga popujt, të cilëve më vonë iu nënshtruan shqiptarët, nuk arriti me gjuhën pasoja të tilla. Gotët dhe normanët nuk lanë asnjë gjurmë. Alariku qeverisi Ilirinë për afro dhjetë vjet; edhe pas vdekjes së tij qëndruan disa gotë në Shqipërinë e Veriut, dhe ushtria e tyre u tërhoq nga Dalmacia vetëm në vitin 535, pra mund të thuhet se sundimi i tyre zgjati 130 vjet; e megjithatë askush nuk mundi të vërtetojë seriozisht që në shqipen gjendet një fjalë gotike. Pa pasoja qe gjithashtu depërtimi i normanëve nën Guiskardin e Boemundin. Midis këtyre dy pushtimeve bien depërtime të ndryshme të sllavëve, të cilët pas gjase u shfaqën për herë të parë në gadishullin Ballkanik në shekullin e tretë. Që atëhere dyndjet sllave përsëriten vazhdimisht në të gjithë historinë bizantine. Këtu nuk është vendi t’i ndjekim një nga një; për ato na njoftojnë hulumtimet e njohura, mes të cilave duhet vënë re me spikamë të veçantë ai i eruditit bullgar Drinov. “Në mesin e shekullit të shtatë kolonizimi i gadishullit Ballkanik nga sllavët ishte përfunduar.” Shqipëria veriore deri në gjysmën e dytë të shek. XIV formonte një provincë të Serbisë; vetëm gjatë rrëmujave që lindën pas vdekjes së Stefan Dushanit mes trashëgimtarëve të tij, shtëpitë dinastike vendase u çliruan. Shqipëria jugore mbeti rreth njëqind vjet nën sundimin e bullgarëve; zotërimi i car Simeonit përfshinte bregdetin shqiptar, me përjashtim të disa porteve që kishin mbetur nën bizantinët nga Korfuzi deri në grykëderdhjen e Drinit; nga ana e Serbisë kufijtë formoheshin nga Drini i Bashkuar, Drini i Bardhë dhe Ibri, dhe vetëm me sundimin despotik të Epirit mbaroi sundimi i bullgarëve.
Për sllavët në Shqipëri ka një traktat të shkruar në rusisht nga Makushevi, studiues i merituar i historisë së sllavëve të jugut, por për fat të keq deri tani nuk kam mundur ta konsultoj. Në gjuhën e shqiptarëve nuk mund të mos vihet re një ndikim i fortë sllav. Numri më i madh i fjalëve të marra nga sllavishtja gjendet në të folmet e Shqipërisë veriore, e cila qëndroi më gjatë nën sundimin sllav dhe ndodhet edhe sot në kontakt të vazhdueshëm me elementin sllav. Por një numër fjalësh të marra hua nga sllavishtja është i përbashkët për të gjitha dialektet e shqipes, edhe për ata që fliten në Greqi e në Itali; kjo tregon se këto fjalë kanë hyrë në shqipe mjaft herët, pa dyshim para shekullit XIV.
Në Itali, për shembull, përdoren për kyç, grazhd, treg, gozhdë fjalë sllave; trajta gozd del vetëm në bullgarishte. Përndryshe thuajse të gjitha elementet sllave në shqipe ndjekin në formë serbishten. Edhe këtu fjalët e huazuara janë në numër shumë më të madh nga ç’duhet të jenë; për shembull u futën jo pak folje, por eptimi gjatë kontakteve mbeti krejt i paprekur. Shumica e fjalëve të huazuara lidhet me jetën fshatare; kjo përkon me pohimin e Kallayt, që shqiptarët në Serbi kanë qenë kryesisht blegtorë. Kësula (shapka) dhe sandalet (opinga) mbajnë emra sllavë, si dhe zanate si ai i farkëtarit (kovaç) dhe endësit (kaç). Emra të huazuar kafshësh e bimësh janë të paktë; por kemi fjalët që lidhen me marrëdhënie pronësie çeta dhe bashtina; zakon është fjalë e njohur edhe në Itali.
Shqiptarët që banojnë në mbretërinë e Italisë arrijnë në rreth 100.000. Të parët kanë ardhur me siguri në vitin 1461, kur Skënderbeu ndërmori ekspeditën e tij plot aventura në Pulje në ndihmë të Ferdinandit të Aragonës. Tregohet se për këtë ndihmë, e cila ishte me rëndësi të paktë, iu vu në dispozicion qyteti i Tranit me dy vende të tjera të fortifikuara, si vendstrehim dhe spirancë shpëtimi në rast katastrofe. E cila mbërriti menjëherë pas vdekjes së Skënderbeut (1468).
Një numër i madh ikanakësh gjetën në truallin italian mikpritje dhe gëzimin e privilegjeve të favorshme. Në atë kohë lindën fshatrat shqiptare në Kalabri, Kapitanatë, Bazilikatë dhe në Terra d’Otranto; lista e saktë gjendet te Biondelli. Në Sicili ngulimi i parë ishte Kontesa (në vitin 1450); pasuan Palaco Adriano (1481), Piana dei Greci (1488) dhe Mexojuzo (1490); Santa Kristina është një ngulim dytësor i rrjedhur nga Piana në shekullin XVII. Të folmet e arbëreshëve të Italisë mbartin tiparet kryesore të shqipes së Jugut, por shfaqin një gjurmë shumë më të vjetër sesa toskërishtja moderne.
Është e natyrshme që ato të jenë të mbushura me fjalë të marra nga italishtja; dhe që nuk mungojnë fjalë sllave, kjo u tha më lart. Që edhe sot këndohet një këngë ku vajtohet Moreja, tregon se një pjesë e këtyre të shpërngulurve vinin nga Greqia, prandaj nuk duhet të na duken të çuditshme disa fjalë greke që dalin në leksikun e gjuhës së tyre. Më të rëndësishme këtu janë huazimet nga turqishtja: në esetë gjuhësore të Papantit gjejmë hak “e drejtë”, inat “zemërim”; pranë Otrantos për treg thuhet pocar domethënë “pazar”, në këngët popullore të De Radës haset pexher për “dritare”. Këto dhe fjalë të tjera të huazuara duhet të jenë mbartur që nga përtej deti, dhe tregojnë sa pak qëndresë ka mundur t’i bëjë shqipja ndikimit turk, që asokohe ishte i shkurtër.
Plot me fjalë turke është shqipja moderne e folur në Shqipërinë turke, sidomos të folmet gege, dhe mes tyre në mënyrë të veçantë dialekti i qytetit të Shkodrës. Prirjet puriste të Kristoforidhit drejtohen veçanërisht kundër këtyre fjalëve të huazuara. Në Shqipërinë e Jugut vendbanimi i përbashkët me elementin grek nuk mbeti pa pasoja. Natyrisht numri më i madh i fjalëve greke gjendet midis shqiptarëve që banojnë në mbretërinë e Greqisë; kur pyesja për kuptimin e disa fjalëve, ndër dhjetë syresh dëgjova gjithnjë pesë deri gjashtë greke. Dihet se në Atikë fshatarët janë në shumicën dërmuese shqiptarë (për shembull në Eleusinë, në Menidhi etj.); para dyerve të Athinës dëgjohet të flitet shqip, dhe “Ishullari i vogël” i Vilhelm Mylerit, që frymëzon për ushtrime recitimi nxënësit e vitit të katërt të gjimnazeve austriake, është një çunak shqiptar. Në faqet më të lavdishme të historisë së luftës për liri të grekëve gjejmë shqiptarë, Boçarët e Xhavellat dhe Miaulin, kapitenin trim të detit. Ata përfaqësohen në numër të madh edhe në pjesë të tjera të Greqisë, sidomos në Beoci, në Argolidë, në Korint, në Arkadinë jugore, gjithsej jo më pak se 200.000. Nuk dimë gjë më të saktë për kohën e këtyre ngulimeve dhe as për prejardhjen e tyre. Shqiptarë në Peloponez përmenden për herë të parë në vitin 1349, por nuk mund të vihet në dyshim se që shumë kohë më parë disa fise shqiptare kanë banuar në Greqi. Duke shqyrtuar gjuhën jemi të detyruar të besojmë në një imigrim nga Shqipëria jugore.
“Kombit tim të ndarë e të shpërhapur por një të vetëm” – kështu lexon kushtimi i librit Degli Albanesi, ricerche e pensieri, botuar në vitin 1848 nga Vincenzo Dorsa, patriot shqiptar i lindur në Itali në Frashinetë të Kalabrisë. Arbëreshët e Italisë, të cilët nga kultura ua kalojnë mjaft bashkëkombasve të tyre të Epirit, nuk e humbën kurrë ndjenjën e bashkimit shpirtëror me ta, sidoqë mendojnë më tepër për një panshqiptarizëm. Por deri dhe bashkimi i shqiptarëve që banojnë në atdhe lë shumë për të dëshiruar si nga ana politike ashtu edhe fetare e gjuhësore. Të ndarë politikisht në një numër fisesh me madhësi e rëndësi të ndryshme, rivalitetin e të cilave, i mbajtur gjallë thuajse gjithnjë nga gjakmarrjet, e pati përshkruar me ngjyra të gjalla Gopçeviqi në veprën e tij për Shqipërinë e epërme; fetarisht të përçarë nga kundërshtia midis krishtërimit dhe islamizmit, dhe nga ajo mundësisht dhe më e spikatur mes kishës katolike e asaj greke ortodokse, shqiptarët vuajnë edhe nga ndryshimet në gjuhë, gjë që bën që shqipja e veriut, gegërishtja, të kuptohet me vështirësi nga toskët e jugut.
Askush nuk duhet të habitet që mes një populli, tek i cili shkrimi e këndimi janë artikuj të rrallë luksi, dhe ku pushka – e çfarë pushke e lashtë dhe e nderuar me strall! – përbën shpesh pasurinë më të çmuar të një njeriu, nuk ka dalë ende një Dante apo një Luter, për t’i sjellë këtij populli të mirat e një gjuhe të shkruar. Shqiptarët e varfër gjenden në kushtet më të këqia njerëzore: nuk kanë as edhe një alfabet që të jetë i njohur nga të gjithë. Në Shqipërinë veriore, ku shqiptarët e krishterë janë të gjithë katolikë romanë, mbizotëron ndikimi i klerit italian; për ta Propaganda e Romës hartoi nja dy doracakë gramatikorë e leksikorë dhe përktheu në shqip disa traktate të vegjël fetarë. Janë shtypur me shkronja italiane; për tingujt karakteristikë e të posaçëm të shqipes janë përdorur disa shkronja të shpikura rishtas, që nuk duken dhe aq bukur, dhe që u zbatuan qysh nga murgu Blancus (Bardhi) (shqiptar) në fjalorin e tij të botuar në vitin 1635. Edhe arbëreshët e Italisë përdorin shkronjat latine; vetëm siciliani Demetrio Kamarda në gramatikën dhe në tekstet e tij shtiu në punë alfabetin grek. Në ato vende, ku elementi grek mbizotëron moralisht, si në Shqipërinë jugore, mbizotëron edhe përdorimi i alfabetit grek; kështu është shtypur për shembull një përkthim i Dhiatës së Re botuar në Korfuz në vitin 1827. Por madje edhe midis shqiptarëve të Greqisë disa përdorin alfabetin latin, siç e tregon letërkëmbimi i të ndjerit doktor Reinholdit nga Athina, që unë kam në dorë. Nga dijetarët e huaj, pastaj, të cilët u morën me gjuhën shqipe, thuajse secili ka ndonjë veçori në riprodhimin e tingujve vendas; Xylanderi dhe Hahni përdorin shkronjat greke, Miklosichi dhe Dozoni latinet; dhe në disa raste të tjera ndryshojnë mes tyre.
Nuk ka dyshim se krijimi i një shkrimi të njësuar është kushti themelor për të vendosur një lidhje shpirtërore mes fiseve e dialekteve të ndryshme të shqiptarëve, prandaj disa atdhetarë në kohë të ndryshme bënë përpjekje të ndryshme. Hahni zbuloi në Elbasan një alfabet kombëtar prej 52 shenjash, dhe na njoftoi gjerësisht për të në pjesën e parë të “Studimeve shqiptare” të tij. Unë besoj se asnjeri nuk është sot në një mendje me të, që ky alfabet qenka një monument i lashtë i kulturës pellazgjike, dhe që bashkë me alfabetin grek të jetë zhvilluar nga fenikishtja; mësuesi grek Teodor, që tradita e lidh me emrin e tij, me gjasë duhet mbajtur autori i tij. Më pas alfabeti u krijua përsëri nga fundi i shekullit të kaluar, por nuk u përhap jashtë Elbasanit; dhe madje atje numri i njerëzve që e njohin nuk është më i madh se pesëdhjetë. Nga një shkrim i vogël i shtypur në Lamie në vitin 1861 del se njëfarë Naum Bithkuqi deshi të shkruajë shqipen me shkronja sllave; ndonjë gjë më të saktë për metodën e tij nuk munda të mësoj. Në çdo rast kjo përpjekje është në bashkëlidhje me atë të gjuhëtarit të njohur Kopitar, i cili në një disertacion, që për atë kohë ka qenë pa dyshim i shkëlqyer, i botuar në Vjetarin vjenez të letërsisë të vitit 1829 (f. 50-106), trajtoi gjuhën rumune, bullgare e shqipe në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella, e veç kësaj jep një provë nga gjuha shqipe (parabola e djalit plangprishës nga Ungjilli i Sh. Lukës), në të cilën e shkroi tekstin me shkronja latine, duke u ndihmuar edhe me shenja cirilike. Me alfabetin grek u bënë shpesh përpjekje, sidomos nga një toskë i frymëzuar nga dashuria për të kaluarën dhe për të ardhmen e popullit të tij, në një gazetë të themeluar në Lamie në vitin 1860. Pa dyshim përdorimi i alfabetit latin, i plotësuar me disa shenja është jo vetëm i përshtatshëm për qëllime shkencore, por është edhe i arsyeshëm nga ana praktike, pasi atë e përdor pjesa më e madhe e popujve europianë; dhe prandaj në përpjekjet për të krijuar një alfabet kombëtar, të cilat kanë një bazë më reale sesa hamendja për farefisninë e lashtë të pellazgëve me helenët, u mor si pikënisje shkrimi latin. Këto përpjekje janë dy: njëra është bërë nga zoti Kristoforidhi nga Elbasani, dijetar e studiues shqiptar, që ia mësoi shqipen konsullit francez Dozon, dhe që ka në dorëshkrim një fjalor të pasur të kësaj gjuhe.
Në një përkthim gegërisht të Dhiatës së Re, ashtu si dhe në një abetare dhe në një pjesë nga historia biblike ai përdori një sistem shkrimi shumë të lavdërueshëm, domethënë prej shkronjash latine me shenja diakritike, siç i përdorim ne në veprat shkencore dhe siç i përdorin për shembull çekët në alfabetin e tyre tepër racional. I huaji do të dëshironte të shtoheshin edhe thekset, po për vendasit natyrisht nuk janë të nevojshme.
Nuk e di përse përpjekja e dytë e bërë kohët e fundit është larguar kaq shumë nga metoda e Kristoforidhit. Falë mirësjelljes së profesor Comparettit nga Firencja mora një vepërzë të shtypur në Stamboll në vitin 1879, që përmban statutet e një shoqërie të krijuar me qëllimin për të shtypur libra për popullin shqiptar në gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohë mora një abetare të botuar nga kjo shoqëri, e cila, përveç ushtrimeve të leximit e shkrimit, përmban copa të shkurtra të historisë së Shqipërisë, të gjeografisë, të elementeve të historisë së natyrës, të katër veprimeve aritmetike e gjëra të ngjashme të domosdoshme. Sistemi i shkrimit qëndron shumë më poshtë nga thjeshtësia e qartësia nga ai i përdorur nga Kristoforidhi, pasi shkronjat me shenja diakritike janë zëvendësuar me shkronja të ndryshuara arbitrarisht nga forma e tyre fillestare, ose me shkronja greke të përdorura arbitrarisht. Me të njëjtën ortografi ka filluar të dalë pikërisht tani në Stamboll një gazetë shqiptare “Drita”.
Megjithatë, edhe nëse shqiptarët do të binin në një mendje për të përdorur njërin apo tjetrin alfabet, nuk do të kishin edhe shumë gjëra për të shtypur. Së pari dua të përjashtoj nga ajo që mund të quhet letërsi shqipe, përkthimet e lartpërmendura të porositura nga Propaganda. Unë kam një koleksion të pasur të vepërzave të tilla në dialektin gegë. Meqenëse mënyrat e shprehjes dhe ndërtimet janë shumë të kushtëzuara nga italishtja, sigurisht që shpesh herë dhunojnë frymën e gjuhëve të tjera, kështu që në këto përkthime, që nuk janë as të një Schlegeli as të një Heyse, nuk mund të presim të gjejmë një shprehje besnike të shqiptimit shqip të pastër e burimor. Megjithatë për gramatikën e për fjalorin kanë disa vlera. E njëjta gjë vlen për përkthimin e Biblës. Përkthimi toskërisht i Dhiatës së Re, për të cilëm folëm më lart, botuar në Korfuz më 1827, u rishtyp në Athinë në vitin 1858; ajo qe minierë e çmueshme për punimet gramatikore të Xylanderit dhe të Hahnit. Veç këtyre munda të njihem me disa përkthime më të reja. Dhiata e Re u shtyp në Korfuz në vitin 1870, Psalteri qysh në vitin 1868 në gjuhën shqipe me shkronja greke; dialekti edhe këtu është toskërishtja; përkthyes është zoti Kristoforidhi. Por shumë më interesante janë përkthimet e këtij të botuara në vitin 1872 në Stamboll, domethënë ai i Dhiatës së Re dhe i Psalmeve në dialektin shumë më të panjohur të Shqipërisë së Veriut, domethënë në gegërishte. Më në fund princi Luciano Bonaparte, i njohur për hulumtimet e tij gjuhësore sidomos për dialektet italiane dhe për baskët, përktheu Ungjillin e Sh. Mateut në dialektet e shqiptarëve të Piana dei Grecit në Sicili, të Frashinetës në Kalabri dhe të Shkodrës, dhe e nxori në botime shumë elegante në Londër në vitet 1868-70.
Alfabeti i përdorur këtu për gjuhën shqipe është më i thjeshti dhe më i miri që njoh; për fat të keq librat u shtypën në pak ekzemplarë, prandaj janë pak të njohur; ksomblat që kam, ia detyroj mirësjelljes së zotit Comparetti nga Firence, si edhe vetë princit Bonaparte.
Nëse unë ia jap vendin e parë veprimtarisë letrare të arbëreshëve të Italisë, këtë e bëj sepse pikërisht atje sundon prej kohësh një jetë e gjallë intelektuale, e cila tek ne është krejt e panjohur, e madje edhe në Itali mezi vihet re.
Klasa e kulturuar e arbëreshëve merr pjesë gjallërisht në zhvillimin politik e letrar të atdheut italian (deputeti i njohur e i famshëm Crispi është një arbëresh nga Sicilia), dhe kjo nuk ua zbeh dashurinë e thellë për kombësinë e tyre. Duke pasur parasysh pozitën e jashtëzakonshme që vazhdojnë ta gëzojnë arbëreshët në Itali në lidhje me kishën – ata janë katolikë romanë të ritit grek – dhe nevojën që rrjedh këtej për të pasur priftërinj bashkëkombas, nuk mund të na habisë fakti që një numër i madh njerëzish me vlerë të lartë intelektuale i është kushtuar priftërisë, dhe se midis shkrimtarëve, pjesa më e madhe janë priftërinj.
Për atë që do të mësojë hollësisht rreth kësaj veprimtarie letrare, që nuk u shua kurrë që nga fillimi i këtij shekulli, mund ta udhëzojmë te një disertacion i princeshës Elena Gjika, e cila me pseudonimin Dora d’Istria shkroi shumë për popujt ballkanikë, dhe në të gjitha shkrimet e saj shfaqi një mirëkuptim të hollë për gjithë ç’ishte kombëtare e popullore. Disertacioni u botua në revistën Indépendance hellénique, dhe u përkthye e botua si broshurë në italisht nga zoti N. Camarda (Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale, Palermo, 1867).
Lënda e mbledhur këtu është më e plotë sesa në traktatin më të vjetër të G. Stierit “Die Albanesen in Italien und ihre Literatur”, e shtypur në “Periodico mensile universale” të vitit 1853, f. 864-874, i cili në thelb mund të mbështetet në shkrimin e përmendur më parë të Vincenzo Dorsës. Unë nuk dua ta mbaj më gjatë lexuesin as mbi Jul Varibobën, i cili ashtu si murgu Otofrid iu përkushtua historisë së shenjtë dhe shkroi një poezi në rimë për jetën e Shën Mërisë së Virgjër, as mbi Anton Santorin, i cili më 1848 kompozoi një himn plot frymëzim për lirinë, dhe quhet autor novelash dhe i një drame, as për të tjerë, veprat e të cilëve ose nuk u shtypën kurrë, ose unë nuk i pata para syve. Do të mjaftohem të them diçka për poetin më aktiv e të ndritur të arbëreshëve të Italisë, Jeronim de Radën. Ai është me prejardhje nga San Demetrio në Kalabrinë Latine, dhe familja e tij përmendet që në shekullin XVI. Poezitë e tij, të hartuara pjesërisht para vitit 1848, por të rishtypura herë pas here në Napoli deri vitet e fundit, trajtojnë tema nga legjenda heroike e Shqipërisë nën udhëheqjen e Skënderbeut në shekullin XV. Ai e mori shtysën nga këngët popullore, siç këndohen edhe sot ndër bashkatdhetarët e tij, dhe në poezitë e tij u përpoq të përshtaste formën e kësaj poezie popullore për poezinë artistike. Sipas mendimit të tij ndër shqiptarët e atdheut të tij ekzistojnë cikle këngësh, si ato që kërkimet shkencore i kanë mbajtur si parathënie e themel të poezive homerike dhe të epopeve të tjera më të lashta. Më vonë, në vitin 1866, ai i botoi ato këngë popullore shqiptare, duke i titulluar “Rapsodi të një poeme shqiptare”, nga e cila disa pjesë u riprodhuan në faqet e kësaj reviste nga zonja Caterina Pigorini Beri në vitin 1883 me titullin Passeggiate in Calabria. Në të njëjtën formë që De Rada u përpoq të përcaktojë për poezinë popullore të arbëreshëve të Kalabrisë, janë hartuar edhe poezitë e tij origjinale. Figura e De Radës ka diçka prekëse; ai plak, i goditur së fundi nga vdekja e të gjithë pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë e anësorë, nuk lodhet së luftuari me fjalë e pendë për kombin e tij që e do mbi çdo gjë tjetër dhe për të cilin prej disa kohësh ka themeluar deri edhe një gazetë shqiptare.
Poeti më i rëndësishëm artistik i lindur mirëfilli në Shqipëri është Nezim Beu nga Përmeti. Pak gjëra janë të njohura nga poezitë e tij, të cilat nuk u shtypën asnjëherë. Ato janë shkruar në të folmen gege, dhe poeti gëzon një nam të madh ndër bashkëkombasit e vet. Zoti von Hahn botoi tetë këngë prej tyre në përmbledhjen e tij me këngë popullore shqiptare; një koleksion i gjerë i poezive të Nezimit të shkruara me shkronja turke thuhet se gjendet në duar të një beu nga Elbasani. Ato që botoi Hahni janë shkruar me frymën sensuale e të shthurur erotike orientale, dhe janë larg nga shija jonë artistike, pasi nuk i drejtohen një të dashure, por një të dashuri. Kjo lloj lirike dashurore, që pavarësisht nga Shekspiri dhe (August) Plateni na duket e çuditshme, i përgjigjet plotësisht një veçorie kombëtare të gegëve. Secili banor i Shqipërisë veriore para se të martohet ka një marrëdhënie të pasionuar, edhe pse krejt platonike, me një të ri tjetër, i cili e keqtrajton po aq sa ndër ne një dashnore e virtytshme apo koketë; këngë të shumta popullore na përshkruajnë mizorinë e të dashurit të ri, admirimin dhe vuajtjet e të dashuruarit.
Frymës së poezive të Nezimit, që përmend Turqinë e Persinë, i përgjigjet edhe forma gjuhësore; me fjalët shqipe është përzier një sasi kaq e madhe fjalësh turke, e relativisht kaq shumë persiane dhe arabe, saqë vetëm kush i njeh gjuhët orientale është në gjendje të kuptojë këto vjersha. Po jap këtu një nga vjershat më të thjeshta të Nezimit në version të lirë.
“Unë jam robi yt dhe ti je i adhuruari im; pra të lutem o xhan, më vra ose më bëj derman; merr e zgjidh çfarë të pëlqen. Tërë kohës po lotoj e dëshpërohem, se jeta m’u mërzit, dhe dua të vras veten që të çlirohem nga kjo dashuri. Asnjë fjalë e mirë s’na ngushëllon; jemi robër të dashnorëve; oh! vdekja na bën derman”.[3]
Në qoftë se me këto poezi nuk mund të flitet për një letërsi kombëtare të shqiptarëve, si shpërblim gjejmë aq më të zhvilluar këngën popullore. Të gjithë popujt e ndryshëm që banojnë pranë njëri-tjetrit në gadishullin Ballkanik, serbët, bullgarët, shqiptarët e grekët, kanë një poezi popullore shumë të pasur në të cilën, ndryshe nga popujt e tjerë, kënga popullore epike shfaqet veçanërisht e kultivuar. Është një çështje me interes të veçantë për psikologjinë e përgjithshme të hulumtohet dhe të paraqitet gjithçka që bashkon këngët e këtyre katër popujve. Ajo shkrimtare plot finesë, që është princesha Elena Gjika (Dora d’Istria), në një artikull plot frymëzim, në Revue des deux mondes të 15 majit 1866, u përpoq të karakterizojë kombin shqiptar nga poezitë popullore. Natyrisht sot mund të thuhet shumë më tepër për këtë temë, pasi qysh atëhere nga ato treva na janë bërë të njohura shumë poezi popullore. Disa prej tyre u botuan nga konsulli francez Auguste Dozon në veprën e tij Manuel de la langue chkipe (Paris, 1879); por pjesa më e madhe gjendet në një përmbledhje shumë të pasur, që botoi në Aleksandri në vitin 1878 një toskë që jeton në Egjipt, zoti Mitko, me titullin “Bleta shqiptare”. Me këtë libër është vërtetuar si e sigurt ajo që më parë dyshohej, domethënë se edhe te shqiptarët jeton në këngë kujtimi i ngjarjeve të ndryshme të historisë kombëtare. Sigurisht ngjarje të kohëve moderne, sepse edhe në këtë përmbledhje më kot kërkohet heroi i madh kombëtar i mesjetës, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Për të këndohet ende sot vetëm ndër arbëreshët e Italisë, siç tregojnë të lartpërmendurat “Rapsodi” të zotit De Rada. Në to heroi, që “në verën e nxehtë shkul lisat dhe i bën freskore”, arrin deri në figurën e gjigantit.
Në këto këngë gjëllijnë ende të gjitha tmerret e kohës turke, të cilat i panë me sy paraardhësit e përtejdetit.
Në një kullë të vetmuar pranë detit qëndron i burgosur djali i vetëm i vejushës. Kalon në fluturim një trumbë zogjsh, dhe ashtu si i burgosuri në gjirin e Mauritanisë në poezinë e bukur të Béranger-së, ai i pyet nëse vijnë nga atdheu i tij. “Jo, por do të kalojmë nga fshati yt.” Atëhere ai i lutet një zogu t’i shpjerë një letër nënës së tij.
“Kur të mbërrish te porta ime, atje është një ulli; ulu mbi atë ulli, shkund e rrih krahët, se prej teje do të bjerë letra. Do të dalë nëna ime në mëngjes për të parë këto male dhe do të shohë letrën; e merr dhe shkon te i dituri: Kam gjetur këtë fije letër. – Kjo është letra e tët biri dhe thotë që yt bir do të vijë. Kur deti të bëhet vreshtë, atëhere yt bir do të vijë; kur lisi të bëjë arra, atëhere yt bir do të vijë”.
Një nokturn edhe më të zymtë gjejmë në poezinë popullore: Një turk ndjek në male një vashë, e kap dhe e lidh nga gërshetat pas bishtit të kalit të tij. Ulërimat e së gjorës që hiqet zvarrë jehojnë në lugina. Katër shqiptarë, që rrinë në pritë duke gjuajtur drerin, i dalin përballë kalorësit. I pari hap zjarr dhe gabon, po kështu i dyti dhe i treti, por Nik Peta e qëllon turkun në zemër. Ai ndalon kalin, dhe kur hedh sytë te vajza njeh gruan e tij që po jep shpirt.
Por turqit dridheshin kur Skënderbeu zhvishte shpatën, dhe si Cidi spanjoll edhe pas vdekjes, i lidhur fort mbi kalin e tij Babiesa u kallte tmerrin arabëve, ashtu dhe heroi ynë në çastin e vdekjes u thotë besnikëve të tij:
“Mbi kokën e kalit shpalosni flamurin tim në erën e detit, në mes të flamurit lidhni shpatën time. Kur të fryjë tramundana e fortë, kali do të hingëllijë, flamuri do të valëvitet dhe shpata do të tringëllijë; turku do ta ndiejë dhe i frikësuar do të kujtojë vdekjen që fle në pallën time dhe nuk do t’ju ndjekë andej nga do të shkoni.”
Përkundrazi në këngët e mbledhura nga Mitkoja fondin themelor e formojnë luftërat e Ali Pashës; por edhe ngjarje më të reja i dhanë subjekt poezisë popullore, siç ishin luftërat kundër boshnjakëve dhe malazezëve. Që të ketë mes këngëve popullore të Epirit, siç njofton Biondelli, një këngë lufte që nga koha e Pirros, lejohem ta vë në dyshim, aq më tepër që edhe për Biondellin një këngë e tillë mbeti e panjohur. Askujt nuk do t’i shpëtojë afërsia e madhe që ekziston mes këtyre këngëve shqiptare dhe këngëve greke të kleftëve të Epirit. Po citoj këtu si provë një këngë të vjetër e shumë të njohur për vdekjen e një të mercenari të ri shqiptar.
“Mbeçë, more shokë, mbeçë përtej urës së Qabesë. Jepini të fala nënës dhe i thoni të m’i shesë qetë dhe t’i japë paratë nuses sime. Nëse pyet nëna për mua, i thoni se u martua, nëse pyet se ç’nuse mori, i thoni, tre plumba krahërorit, gjashtë në këmbë e gjashtë në krahë; në pyet se ç’krushq i vajtën në dasmë, i thoni se korbat e sorrat e hanë.”
Në përgjithësi këngët popullore erotike të shqiptarëve lënë për të dëshiruar atë thjeshtësi e atë butësi që i dallojnë kaq shumë këngët greke. Sensualiteti është më i ashpër, ekspozicioni më i ngarkuar dhe më afër frymës së popujve orientalë. Megjithatë hasen atje mendime të brishta e plot frymëzim, sidomos në improvizimin e katër vargjeve, që me një fjalë turko-arabe quhen bejte. Këto përfaqësojnë këtu formën më të lashtë të këngëve popullore të dashurisë, dhe mund të krahasohen me kuartinat e italianëve veriorë dhe me distikët erotikë grekë, të cilat vetëm në dukje përbëhen prej dy rreshtash, pasi secili nga vargjet “qytetare” që sundojnë gjithë poezinë popullore greke shpërbëhet vetvetiu në dy gjysma. Folëm më parë për veçorinë që një pjesë e madhe e erotikës shqiptare i drejtohet një djali të ri. Këtu po sjellim disa shembuj të kthyer në prozë. I dashuruari ndalon në rrugë dhe bën gjeste të ëmbla drejt dritares së të dashurit:
“Si një gur mbeta në rrugë – dhe kushdo më shkel me këmbë; – trëndafili në saksi – dhe ne shihemi sy më sy.”
Bukuria e të dashurit edhe në dimër pasqyron pranverën:
“Jaseminë e narcizë – kurrë nuk pashë në dimër – më thuaj në ç’vend i mblodhe – që të na sjellin pranverën.”
I dashuruari i kërkon të dashurit një fjalë të vetme miqësore:
“O i dashur, do të të them një fjalë; – plotësoma! – “Ti e di, o i dashur, sa të dua, – fol e më thuaj një fjalë.”
Por ai është më mizor se malet e ashpra:
“Këto male me dëborë – si vajtojnë mbi vuajtjen time! – Ç’ke, o i dashur, që s’flet me gojë! – Oh, Zoti të vraftë!”
Megjithatë ai është mendimi i vetëm i adhuruesit, të cilin e ndjek imazhi i tij edhe në xhami dhe në gjumin më të thellë:
“Kur arrita në xhami, – vështrova rretheqark; – ç’më ka ikur mendja! – Në faqe më rridhnin lotët.”
“Edhe gjumë kur fle – më djeg dashuria për ty; – derisa të vdes – nuk do të ndahem prej teje, o i shtrenjtë.”
Nuk dua të përmend proverbat dhe gjëegjëzat shqiptare; dhe do të trajtoj akoma edhe një anë tjetër të letërsisë popullore, domethënë përrallën. Zoti von Hahn në veprën e tij “Përralla greke dhe shqiptare” (Laipcig, 1861) botoi nëntë përralla shqiptare të përkthyera; njëzetekatër gjenden në tekstin e tyre origjinal në librin e Dozonit, i cili botoi edhe një përkthim frëngjisht të tyre, dhe dymbëdhjetë të tjera në “Bletën shqiptare” të Mitkos. Edhe këtu gjejmë temat e njohura të përrallave, që, në vijim të hulumtimeve të vëllezërve Grimm, u vërtetuan që gjendeshin tek të gjithë popujt europianë: Borëbardha (në dy versione, Hahn nr. 103, Dozon nr. 1), Vëllai i vogël i shndërruar në qingj (këtu në dhi; Mitko 1), Vëllezërit që bëjnë çudira (Dozon 4, Mitko 10), Përralla e Fatbardhit (Mitko 9) etj., etj. Për të treguar që edhe ekspozicioni i këtyre përrallave është shumë i lehtë, po përkthej këtu përrallën “Borëbardha” siç e ka Dozoni; lexuesi mund ta krahasojë me përrallat siciliane nr. 2-4 në përmbledhjen e Laura Gonzenbachut, dhe me atë të popujve të tjerë që ka shtuar në shënime Reinhold Köhler.
“Na ishin një herë tri motra; më e vogla, Fatimja, ishte më e bukura nga dy të tjerat. Një ditë motrat u ngritën dhe pyetën diellin: “Diell o diell i dashur, kush është më e bukura nga ne?” “Fatimja”. Atëhere dy të tjerat vranë mendjen ç’mund t’i bënin dhe i thanë njëra-tjetrës: “Nesër do bëjmë sikur shkojmë për dru, do të ngrihemi para Fatimes dhe do t’i themi: Do të na gjesh atje ku do të varim kungullin.” Kështu vendosën, dhe ditën tjetër i thanë Fatimes: “Ti pastro shtëpinë, ne po shkojmë për dru, dhe do na gjesh atje ku do të varim kungullin.” Dy motrat dolën jashtë dhe Fatimja, pasi pastroi shtëpinë, shkoi atje ku ishte varur kungulli. Kërkoi andej-këtej, por nuk i gjeti motrat. Atëhere u end nëpër pyll duke kërkuar rrugën, por s’gjeti gjë. Ndërkohë u bë natë dhe ajo u ngjit në majë të një peme. Atëhere pa nga larg një dritë të zbehtë, vajti në atë drejtim dhe duke u lutur me zjarr hyri në një shtëpi.
“Mirëpo ajo shtëpi ishte banesa e dyzet hajdutëve, të cilët natën dilnin për plaçkë dhe ditën ktheheshin në shtëpi. Si zakonisht edhe atë ditë erdhën në shtëpi, goditën derën me një pushkë dhe ajo u hap e ata hynë brenda. Pasi u ulën në tryezë, vunë re se gjellët nuk ishin gatuar nga dora e shërbëtorit të tyre. Pra ky kishte ngarkuar Fatimen të gatuante gjellët, ngaqë ishte dashuruar pas saj. Ata i thanë shërbëtorit: “Ke njeri në shtëpi?” “Ai në fillim nuk deshi të tregonte gjë, por më në fund u tha të vërtetën. Atëhere secili prej tyre donte ta merrte për vete, por për të mos u zënë ia dhanë shërbëtorit. Dhe që atëhere edhe shërbëtori dilte me ta dhe dyzet hajdutët e donin Fatimen si motër dhe i sillnin në shtëpi shumë gjëra të bukura.
“Por motrat e saj e morën vesh që Fatimja ishte gjallë dhe ishte martuar. U zemëruan shumë dhe vendosën t’i gjenin anën e ta vrisnin. Një ditë i dërguan me një shërbëtore një gjerdan ari që e kishin helmuar, që kur ta vinte të vdiste. Shërbëtorja shkoi, e përshëndeti siç e kishin porositur motrat, dhe i dha gjerdanin; dhe ajo me ta vënë, vdiq. Hajdutët erdhën dhe goditën me pushkë që ajo, si zakonisht, t’u hapte derën; por më në fund, meqë nuk po u përgjigjej njeri, e shpërthyen dhe hynë brenda. Atëhere panë Fatimen të shtrirë në mes të dhomës. E tundën nga të gjitha anët, më në fund i hoqën gjerdanin dhe sakaq ajo u ngjall. Atëhere ajo u tregoi si kishte vdekur, dhe kur ata e dëgjuan i thanë që herë tjetër të mos pranonte gjë nga motrat.
“Kur ditën tjetër motrat dëgjuan që ajo s’kishte vdekur, i dërguan me të njëjtën shërbëtore një sitë plot me flori. Fatimja u magjeps prej tyre, dhe sapo i ranë nga sita florinjtë në rroba, vdiq prapë. Hajdutët u kthyen me shërbëtorin e tyre nga plaçkitja dhe si e gjetën të vdekur, e kontrolluan gjithandej dhe i gjetën florinjtë që i kishin rënë në gjoks, e kështu ajo u ngjall përsëri. Atëhere e këshilluan më me ngulm të mos pranonte asgjë nga ç’i dërgonin motrat; po ajo prapë u magjeps, sepse ditën e tretë motrat, që kishin dëgjuar që ishte ngjallur prapë, i dërguan një unazë. Fatimja e mori, dhe me ta vënë në gisht, vdiq edhe një herë. Hajdutët u kthyen nga plaçkitja dhe e gjetën përsëri të vdekur; kërkuan andej-këtej, por nuk u shkoi në mend t’i shihnin duart dhe atëhere filluan të qanin.
“Pastaj e vunë në arkivol, e mbuluan dhe e vendosën në një pemë, në këmbët e së cilës ishte një burim. Një ditë në atë burim shkoi një stallier i mbretit për t’i dhënë ujë kalit; por kur iu afrua burimit kali iku dhe nuk deshi të pijë, sepse në ujë pasqyrohej pamja e arkivolit. Stallieri u kthye te mbreti dhe i tregoi ç’kishte ndodhur; atëhere mbreti shkoi vetë atje, dhe meqë kali iku përsëri, vështroi ujët dhe pa pasqyrimin e arkivolit. E zbriti poshtë nga pema, dhe kur pa se në të ishte një vajzë e bukur, e mori arkivolin me vete dhe e mbylli në një nga dhomat e tij. Fatima, duke ndenjur shtrirë e vdekur për një kohë të gjatë, filloi të dobësohej dhe atëhere i ra unaza nga gishti, dhe ajo u ngjall përsëri, dhe mbreti e mori për grua. Ajo u plak dhe jetoi e lumtur.”
Shihet qartë se në fushën e letërsisë nuk rritet dafina për të cilën synon apo mund të synojë shqiptari. Ashtu si njëmijë a dymijë vjet më parë, edhe sot ai është thjesht luftëtar. Trimëria dhe dashuria e zjarrtë për atdhe janë cilësitë më fisnike të një shqiptari. Për vite me radhë, shpesh deri në gjysmën e jetës së tij, ai shërben si ushtar në vende të huaja dhe shikon zakone më të lira dhe jetë më të këndshme; por kur kthehet, malet e egra dhe luginat shkëmbore e të thikëta të atdheut janë për të po aq të dashura sa në kohën kur në ato vise i ati për herë të parë i kishte mësuar të përdorte pushkën. Në një strofë të bukur të “Pelegrinazhit të Çajld Haroldit” lord Bajroni lëvdoi virtytet luftarake të shqiptarëve: “Të pagdhendur janë bijtë e Shqipërisë, por kjo racë krenare malësore ka edhe virtyte që e zbukurojnë. Kur ndonjëherë ua panë shpinën armiqtë? Kush e duron më me guxim se ata mundimin e luftës? Të fortë si shkëmbi qëndrojnë në betejë dhe në vështirësitë e katastrofave; zemërimi i tyre sjell vdekjen, e kulluar është miqësia e tyre; nëse nderi e mirënjohja i shtyn drejt vdekjes, hidhen verbërisht në luftë nën komandën e zotit të tyre.”
Por kjo mbyllje është ndoshta më poetike dhe optimiste sesa e saktë.
Sigurisht shqiptari është besnik ndaj vëllait të gjakut, që ka pirë në një filxhan me verë gjakun e tij përzier me të vetin; po përndryshe shokë të pandarë të tij janë mashtrimi dhe tinëzia.
Jeta e orientalit nuk është si jona e mbrojtur nga ligji; gjithkush duhet të qëndrojë syçelët kundër të tjerëve; që këtej vjen edhe dinakëria e finokëria më e madhe, por që këtej vjen edhe sinqeriteti më i paktë dhe besimi i paktë i gjithë orientalëve.
Te asnjë njeri tjetër cilësitë qoftë të mira qoftë të këqia të shqiptarit nuk gjetën shprehje kaq të plotë sa tek Ali Pasha, zot i Janinës. Nuk duhet të jemi sentimentalë, nëse duam të vlerësojmë denjësisht këtë figurë demoniake. Vështirë një tjetër mund të realizojë kaq besnikërisht idealin e princit të Makiavelit. I shtyrë në karrierë nga e ëma dhe e motra me gjakimin e jashtëzakonshëm për hakmarrje, që me papajtueshmërinë e saj të tmerrshme të kujton Krimhildën e epikës heroike gjermane, gjatë gjithë jetës së tij ai, me këmbëngulje e guxim, grabiti e vrau, fshehu e gënjeu, bëri be të rreme dhe u tall me marrëveshjet; e megjithatë të ngjall në shpirt një ndjenjë thuajse mëshire kur tirani, plak tetëdhjetë vjeç dhe i braktisur nga të gjithë, herën e parë kur beson pa dyshuar, goditet në zemër nga hanxhari i mysafirit të tij. Një njeri i trajtuar nga Napoleoni me kaq dashamirësi, pa dyshim që nuk ishte njeri i zakonshëm. Dhe në të vërtetë jeta e tij iu kushtua realizimit të dy ideve të mëdha politike. Në njërën dështoi, nuk arriti ta çlirojë atdheun e tij nga sovraniteti i Portës së Lartë; por tjetrën e kreu. Si në Francë Luigji XI, ashtu dhe ai në Shqipëri e theu pavarësinë e krerëve të veçantë, dhe në këtë mënyrë i dha fund mesjetës për vendin e tij. Ai qëndron në kufirin e fundit të historisë moderne të Shqipërisë. Natyrisht pas vdekjes së tij shpërthyen përsëri armiqësitë mes fiseve, dhe ekzistenca e gjakmarrjes tregon se atje mesjeta la gjurmë shumë më të thella se tek ne, por fakti që sot ekziston një Lidhje shqiptare tregon që mendimi unitar i Ali Pashës jetoi edhe pas tij. Dhe jetoi edhe kujtimi i luftërave të tij të lavdishme, dhe shqiptari turk mund të këndojë edhe ai himnin luftarak të Bajronit:
Kurrë gjysmëhëna, nga Muhameti e këha,
S’pa një hero të lavdishëm si Ali Pasha.
Falënderojmë Anila Omarin që pati mirësinë të na e dërgojë këtë artikull të albanologut Gustav Meyer, botuar më parë në Milosao, 22 dhe 29 nëntor 2015; dhe pastaj Studime Filologjike, nr. 1-2 2015. Po e risjellim këtu edhe si pjesë të një debati, që po duam ta mbajmë të hapur, për orientimin ideologjik të albanologjisë këta dy shekujt e fundit.
[1] Marrë nga: G. Meyer, “Della lingua e della letteratura albanese”, Nuova Antologia, vol. L, Serie II, 1885, f. 585-607. Përktheu Anila Omari.
[2] Disa nga etimologjitë latine të Meyerit janë ripërcaktuar nga dija e mëvonshme, khs. E. Çabej, Studime etimologjike në fushë të shqipes, vëll. I-VII. (Shën. i përkth.)
[3] Ja dhe versioni origjinal i Nezimit: “Më ke rop e të kam xhan. Shpirti im ashtu më rrush; No më vra no më ban derman, Merr e sgjith cin të dush. Qaj e qaj e po pëlcas, Se mu ka mërzit dynjaja, Ne vetvetën dua t’a vras, Të shtëpoj nga sëvdaja. Mbi gjith’ këto hallë që kemi Dylberat’ me goj’ s’na flasin; Na qolet’ e tynë jemi, Makar le t’na vrasin.”, shih R. Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Tiranë, 1997, f. 54.
(http://www.elsie.de/pdf/B1997HistLetShqip.pdf)
|
42,270 | https://peizazhe.com/2022/10/06/kur-dielli-te-ike/ | null | 2022-10-06T11:54:52 | KUR DIELLI TË IKË | “Kur dielli të ikë, do ta pikturojmë qiellin”[1]
nga Ester Celami
“Le Ciel est mort.
Vers toi, j’accours! donne, ô matière,
L’oubli de l’Idéal cruel et du Péché”
Mallarmé
Le ta ndërmendim me Mallarménë se qielli ka vdekur. Njëlloj, Deleuze dhe Guattari e thonë qartë se nuk ka qiell për konceptet. Konceptet lindin vetëm mbasi t’i kemi kthyer shpinën qiellit, mbasi ta kemi tradhtuar kujtesën. Sepse sa herë që ka qiell, ka transhendencë, sa herë që ka kujtesë, ka subjekt melankolik për origjinën dhe sa herë rikthehet origjina statike, ka vertikalitet, ka fe, ka dhe ateizëm që s’resht s’u sekretuari prej vetë feve. Ndërsa plani i rrafshtë i mendimit abstrakt është e vetmja tokë absolute e theqafjes së idhujve.
Qielli është sidoqoftë përbërës i tokës. Është një epifani që banon planin e mendimit si tokë e posaçme e njeriut, prej nga rrjedhin opinionet në formën e një zbulese. Natyrisht, qielli është shtëpia e Subjektit-Diell. Por Artaud e thoshte edhe më ashpër se ne: subjekti është anusi i një miu të vdekur që rri pezull në tavanin e qiellit. Dieu est mort.
Le ta sqarojmë se figura e qiellit është ferment i procesit të sublimimit, projektim i jetës psikike të subjektit. Sublimimi në psikanalizë, si formë e realizimit të dëshirës së subjektit nëpërmjet represionit të saj origjinar, është procesi i simbolizimit që ngreh një formë anale të të dëshiruarit. Dëshira që orbiton e tëra në këtë dipolin qiell-anus, bëhet konsum i përgjithshëm dhe ekskretim. Sublimimi funksionon i tëri sipas analitetit. E paramendon dëshirën si një vrimë, një fundërri, një profanitet, një basifond dhe ngreh lartësinë qiellore ku dëshira pastrohet, kyretohet dhe bëhet fallokratike. Sublimimi është procesi i strukturimit psikik që përjashton anusin dhe ngreh fallusin. Personazhet libidinale që popullojnë këtë trekëndësh tokë-diell-qiell shpëtojnë nga anusi dhe pikërisht për këtë arsye zhyten tërësisht në m…. Prandaj nuk bën sens një artist që joshet nga figura e qiellit, edhe nëse alibia e tij është vetë pafajësia. Lëvizjet që instalojnë qiell kanë bërë historinë e robëtimit të shpirtrave. Ndërsa liria vjen nga banimi i shpirtit në sipërfaqen e vet.
Po pse ky merak ndaj frazave? Sepse meraku për frazat është fibra e filozofisë. Fraza për filozofinë është instanca ku rrënjoset intimiteti parakonceptual i njeriut me qenien, është shprehësja e një vëmendjeje intuitive ndaj Ideve që e orienton njeriun në botë. Prandaj ka rëndësi madhore që të kërkojmë shprehjet e duhura dhe të heqim dorë nga riciklimi i figurave të rreme, sepse te frazat që propozojmë luhet destini etik dhe estetik i ekzistencave tona.
Kur arti bëhet riciklim i ideologjive dhe tipave psikosocialë, ai mvishet me autoritetin e mendimit abstrakt dhe bëhet leva e preferuar e kapitalit për t’i luajtur një rreng mizor filozofisë: e hedh konceptin në treg duke e pajisur atë me imazh dhe e bën kësisoj të konsumueshëm. Por konceptet u kalojnë gjithnjë tangent të gjitha imazherive. Ndërsa imazhi ruan shumë transhendencë dhe sikurse e dëshmojmë qartë, flirton gjithnjë me qiejt. Prandaj nuk është rastësi që filozofia e mirëfilltë s’njeh kurrë sukses, ndërsa arti është bërë industria më e suksesshme e kënaqjes. Transhendenca ka fituar ndaj imanencës, garancia e kapitalit ka fituar ndaj guximit për të krijuar.
“Nuk mund ta kuptojmë që me vështrim të parë pse është kaq e rrezikshme imanenca, por në fakt kështu është. Ajo gëlltit të urtët dhe zotat.”[2]
Kur matematikanët e braktisën qiellin si strehën e privilegjuar të objekteve abstrakte, ata zbuluan sipërfaqen. Kur Gaussi e çliroi gjeometrinë nga përmasa vertikale dhe e trajtoi pikën si një sipërfaqe me të drejta të plota, nuk skiconte më qiej mbi plan por merrej vetëm me relievin e planit. Duke ndryshuar postulatin e pestë të gjeometrisë euklidiane, sipas të cilit nëpër një pikë jashtë një vije, kalon një dhe vetëm një drejtëz paralele me vijën, Gaussi e çliroi pikën nga diktati i gjeo-metrikës dhe e lejoi atë që të bëjë diferencën: tashmë nëpër pikë nuk kalon asnjë ose një pafundësi drejtëzash paralele me drejtëzën e dhënë. Nëse në gjeometrinë euklidiane pika është një negativ i hapësirës, pra një zonë ku hapësira afrohet infinitesimalisht drejt zhdukjes, gjeometria diferenciale e Gaussit i jep pikës dinjitet ontologjik duke ia njohur karakterin hapësinor prolifik dhe erratik. Kësisoj pika bëhet origjina dinamike e anarkisë në plan, prej nga burojnë gjeometri nga më të pagjasshmet. Nga boshi i pikës buron hapësirë me bollëk. Big bangu është një teori e tillë e origjinës pikëlore të universit: pika zero si origjina me dendësi të pafundme që ildis pëlhurën e rrafshtë të hapësirës kozmike. Kozmogonia si një endje (ëndje) e shpërmasuar, i përafrohet shumë imagjinarit kozmik të fëmijës Jack te kënga angleze: “Jack did dream of very odd things…of a world completely unwoven…he stitched it up and a hero Jack was…”. Jacku ëndërron për botë të shthurura, të rriturit vrapojnë t’ia arnojnë ato, të ngrehin qiej ku ta strehojnë. Ndërsa artisti, sikurse matematikani, filozofi apo fëmija, si personazhe të të menduarit intensiv, nuk janë kurrsesi ata që i bëjnë thirrje qiellit, por ata që bëjnë vrima në qiell, ata që e zbresin qiellin në tokë.
Ky shkrim mëton të ndjekë plasaritjet brenda frazës së artistit dhe të ndërtojë me to një antikonstelacion filozofik.
Për shembull, togfjalshi “Kur dielli të ikë…” mund të na ndërmendë jo thjesht perëndimin e diellit, por perëndimin e perëndimeve. Në esenë “Si l’on peut penser sans corps?”, te “L’inhumain”[3], J. F. Lyotard e peshoi pasojën e vdekjes së diellit direkt mbi mendimin. Sipas tij, vdekja e diellit mbas disa bilionë vitesh, ngjarje e parashikuar nga kozmologjia moderne, duhet kuptuar si vdekja e transhendentalit të mendimit, si zhdukja e diferencës së jetëvdekjes, e për pasojë edhe e mendimit, i cili vjen në ekzistencë si mishërim i mundësisë së kësaj diference. Vdekja si motori dialektik i metafizikës perëndimore është menduar si prerogativë e njeriut, si fati specifik i tij. Vetëm njeriu vdes në këtë metafizikë sepse vetëm ai është forma singulare e jetës që e ngre vdekjen në objekt mendimi. Ndërsa zhbërja iminente e ngjarjes së mendimit, vdekja e vdekjes e cila përkon me zhdukjen e diellit, i jep një tronditje tektonike kësaj metafizike.
Sa kohë ka diell, ka jetëvdekje dhe ekzistenca e njeriut vijon potencialisht në pafundësi si hallkim kronologjik i fundësisë njerëzore. Po mbas ndalimit të orës diellore, mbas ndoca biliona vitesh? Lyotard druhet se horizonti i ngjarjes së mendimit është pikërisht horizonti diellor. Mesa duket, me vdekjen e diellit mendimi zbulon vdekshmërinë e vet…. Për Lyotardin nuk mund të ketë biografi të mendimit mbas vdekjes së Subjektit-Diell. A thua se mendimi filozofik është formësuar nën garancinë se do të ketë gjithnjë diell. A thua se mendimi filozofik është themeluar nën garancinë e funksionimit in perpetuo të trurit. Për filozofinë ka qenë gjithnjë e qartë se dielli mund edhe të mos lindë nesër. Po ashtu, prania e trurit s’ka garantuar asnjëherë asgjë për lindjen e mendimit. Por (ah, por, kjo pjesëz që kondenson fuqinë absolute të mendimit filozofik), kjo s’e ka penguar aspak filozofinë. Dielli është kushti i trurit, por sikurse prania e trurit s’garanton asgjë për ushtrimin e mendimit, as vdekja e Diellit apo edhe e mbarë Universit s’garanton asgjë për zhdukjen e mendimit si virtyt ontologjik.
Sidoqoftë, plaga që merr cogito është e pashmangshme: subjekti bëhet hemorragjik për shkak të vdekjes iminente të diellit. Gjithçka ka vdekur tashmë, thotë Lyotard, në qoftë se dielli vdes. Fakti që e dimë se dielli do të vdesë, do të thotë se ai ka vdekur tashmë. Bëhet fjalë për një vdekje që e përjetojmë si formë paraardhjeje të kohës. Vdekja e diellit ka ndodhur tashmë. Atëherë mendimi përballet me traumën sizmike të çdo filozofie: zhdukjen e transhendentalit nën forcën korrozive të boshit. Mendimi e mbartka shenjën e zhdukjes së jetëvdekjes që prej fillimit: vdekja e diellit qenka trauma aborigjinale që mendimi kur ngjizet e lë të pamenduar. Mendimi është i rrethuar nga horizonti i ngjarjes së vet. Ky horizont qenka i fundëm. Vdes siç vdes gjithçka, madje edhe vdekja. Forca rrafshuese dhe barasvlerëse e zhdukjes, e hiçësimit, përfshin gjithçka. Madje, kozmologjia moderne parashikon ngjarje shumë më të kobshme se vdekja e diellit. Parashikon vdekjen e vetë universit. Thanatropizëm kozmik. Pra, vdekja, ose më mirë (meqë edhe vdekja zhduket), boshatisja, zbrazja, qenka thelbësisht aftësi universi, fat universal, mbasi boshi qenka hija që e shoqëron ekzistencën e gjithçkaje që prej fillimit të saj. Në këtë pikë, vdekja e programuar e universit i përngjan tmerrësisht apoptozës qelizore si mekanizmi biologjik nëpërmjet të cilit qeliza vjen në ekzistencë pasi ka përbrendësuar metodën e saktë të fundit të vet. Prandaj kozmologjia moderne është njëlloj kozmobiologjie. Qielli po vrapon drejt zhdukjes së tij me të njëjtën siguri e saktësi me të cilën rruaza e kuqe e gjakut përgatitet të jetojë vetëm 120 ditë. Kjo apoptozë kozmike mbase mundet të na ngushëllojë, se në fund të fundit njeriu vdiska i shoqëruar nga një marsh funebër i tërë universit që përshpejton drejt zhdukjes së vet. Në fund të fundit, vdekja nuk duhet marrë personalisht. Vetë energjia e errët kozmike, mbasi thërrmon jo vetëm trupat kozmikë, por edhe gërshetimet kuantike grimcë-antigrimcë, pra mbasi shfaros edhe pluhurin kuantik, vetë kjo energji me gjasë zhduket duke lënë pas vetëm hiçin. Dhe në këtë kozmologji pa eskatologji, paradoksalisht, vetë ligjet e fizikës “vdesin”. Dihet se inkonsistencat e ligjeve fizike fillojnë që te vrimat e zeza ku ekuacionet e relativitetit s’funksionojnë më sepse graviteti nuk shpjegohet dot më gjeometrikisht. Por kjo inkonsistencë rëndohet kur me fundin e vetë universit, përfundon legjitimiteti i vetë ligjeve fizike të cilat janë konservatore në natyrë (ligjet e ruajtjes). Shkenca përballet me detyrën për t’i lejuar legjitimitet vetëm lokal ligjeve fizike globale. Të menduarit e qenies vetëm në kuadrin e ligjeve nuk mjaftoka.
Inkonsistenca e vetë ligjeve që postulon shkenca prej mungesës së auto-referencës së sistemeve të saj formale është provuar thuajse një shekull më parë nga Gödel. Atëbotë Gödel zbuloi po ashtu ngjashmërinë midis estetikës transhendentale të Kantit dhe relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit. Sipas tij, të dy e relativizojnë dimensionin e kohës, e shohin si realitet të derivuar, dytësor, e zhveshin nga roli fizik dhe e degdisin në një iluzion metafizik. Mbasi filozofi dhe shkencëtari e kanë përzënë kohën absolute nga universi fizik, koha mbetet thelbësisht e lidhur me mendjen si sensi i brendisë, dhe të dyja bashkë mbeten të përjashtuara nga kozmologjia moderne. Në metrikën qiellore të Minkowskit, sigurisht nuk ka vend për çastësinë absolute, për Kohën e tanishme. E tanishmja është e pamendueshme në fizikë sepse ajo është fuqi e Kohës absolute, ndërsa kjo e fundit është përzënë që prej aty. Por, ajo që fitohet mbas përjashtimit të kohës dhe mendjes nga realiteti themelor i kozmosit është zbulimi se këto të fundit nuk bashkëndajnë me të fatin e zbrazjes. Ndodh një rikthim i përforcuar i mendjes si fuqi e Kohës së zbrazur nga kozmosi: jo se koha është vetëm iluzion i mendjes, por se te mendja përkryhet shpalosja e realitetit absolut të Kohës, e absolutit që Koha është.
Në një përmbysje të mirëfilltë kopernikane të Kantit, Einsteinit dhe Gödelit, do të themi se nuk është mendja ajo që e sekreton kohën si një iluzion të domosdoshëm, por është Koha që e ngjiz mendjen si përgjigje të një problemi ontologjik. Është mendja si formë brendie që orbiton rreth Kohës si struktura dinamike që e ngjiz atë, si referenti i saj ontologjik imanent. Pra mendja është thelbësisht problem i Kohës. Madje, mendja është Koha që shpalos vetveten si struktura e auto-referencës, si fuqia e vetëreflektimit të qenies. Po, koha e universit mund të zhduket, por vetë Koha e kulluar si parim dialektik i individuimit ontologjik nuk ka as fund e as fillim sepse ka konsistencë në vetvete. Ndërsa mendja njerëzore është pikërisht një kristalizim i kësaj lëvizjeje ideale për konsistencë, prandaj dhe gëzon formën e vet të “pavdekësisë”.
Vetëm filozofia mundet t’i japë konsistencë pafundësisë absolute të mendimit sepse vetëm koncepti është autoreferencë me shpejtësi të pafundme, si qenia. Kohësia e posaçme e konceptit është ajo e çastit absolut, jo ajo e dritës prej së cilës kufizohet edhe vetë truri. Dikujt mund t’i tingëllojnë si dokrra: të flasësh për shpejtësi të pafundme kur kozmosi e ka një censurë të qartë ndaj shpejtësisë: atë të dritës. Mirëpo studimi i energjisë së errët kozmike tregon se shpejtësia e kësaj energjie e tejkalon shumë atë të dritës, e madje është duke u përshpejtuar në mënyrë konstante. Prandaj karakteri i këtyre censurave është vetëm relativ. Vetë kozmosi i thyen rregullat e veta. Rregullat janë bërë për t’u thyer dhe kanë vlefshmëri vetëm të përkohshme. Duket se aksiomatika kozmike tejkalohet kudo nga problematika ontologjike. Duket se kaosi futet kudo nëpër poret e kozmosit. Prandaj dhe shpejtësia e pafundme e konceptit nuk ka pse të habisë askënd dhe as të kalojë si një tekë e filozofisë. Ajo është thelbësisht aftësi qenieje.
Vetë shkenca kur intensifikohet, përballet me këto aritmi, atëherë kur i resht përpjekjet për t’i normalizuar pafundësitë.
Le t’i përfytyrojmë vrimat e zeza si grisje të pëlhurës qiellore, si mbartëset e peshës absolute të Kohës së kulluar. Aty shfaqet trashësia e plotë e çastit që shtriqet deri në absurd: aty koha nuk rrjedh më sepse koha bëhet prani. Ndërsa për hapësirë gjeometrike s’ka kuptim të flasim sepse te vrimat e zeza hapësinorizimi është vetëm në syth.
Prandaj mendojmë se vrimat përbëjnë laboratorë interesantë për përfytyrimin, bash sepse e tradhtojnë gjeometrinë e vazhduar të qiellit.
Meqë vrima e zezë është siti ku hapësirë-koha përthyhet në pafundësi, shkencëtarët mendojnë se prej saj mund të “përfytyrohen” topologji nga më të çmendurat, nga më të pamundurat, struktura hapësinoro-kohësore që s’ngjajnë aspak me ato të universit tonë, por që qarkullojnë si informacion mes vrimës së zezë dhe simulakrave të veta. Veçse nocioni i informacionit në këtë skenar hipotetik, s’ka qenë ndonjëherë më i ngjashëm me ëndrrën. Antikonstelacioni i vrimave të zeza kozmike duket sikur përbën një topologji të hapësirës onirike të qenies.
Sipas ekuacioneve të kozmologjisë moderne dhe një teknike të huazuar nga teoria e fijeve dhe e holografisë, entropia e rrezatimit të vrimave të zeza (Renyi entropy) mund të llogaritet nëpërmjet rregullit të ishullit (Island Rule), që është siti brenda vrimave: singulariteti. Singularitetet e vrimave të zeza duke qenë se përkufizohen vetëm në formë relacionale, në fqinjësi me një tjetër singularitet, mendohen të lidhura në formë labirintike mes tyre, nëpërmjet tuneleve të krimbit (wormholes). Çdo vrimë e zezë përfytyrohet e lidhur me disa simulakra të vetat, vrima të tjera qiellore si projeksione holografike të cilat përmbajnë informacion për njëra-tjetrën, duke qenë se mendohen të ngatërruara kuantikisht mes tyre. Atëherë entropia e rrezatimit të vrimës së zezë përllogaritet si integrali i udhëve të shumta gravitacionale që projekton, imagjinon apo ëndërron vrima. Ndodhemi përballë një dramaturgjie gati metafizike: graviteti nuk shpjegohet më gjeometrikisht, por rezulton si një forcë emergjente, e përftuar në rrugë dinamike nëpërmjet entropisë së brendshme të vrimës e cila është funksion i mbivendosjes së topologjive të shumta të hapësirë-kohës. Kjo entropi e brendshme ose negentropi përbën fuqinë e vrimës për të procesuar informacion, infodinamikën e saj, një thuajse-cerebralitet. Kështu, integrali i udhëve gravitacionale (nën shembullin e integralit të Feynmanit në mekanikën kuantike), pra integrali që përllogarit shumësinë e këtyre topologjive virtuale, na jep gravitetin entropik. Kjo origjinë gati onirike e gjeometrisë së kozmosit, shpie te aksi i kohës së kulluar, e cila në këtë skenar hipotetik, nuk paraqitet më si dimensioni i katërt i hapësirës qiellore, por si parametruesja e divenirit të gjeometrive universale. Vrimat e zeza qenkan si kratere ku Koha e kulluar ëndërron format. Principi i individuimit topologjik të universit qenka Koha si informalitet (shformësí) absolut dhe njëherësh si fuqi cerebraliteti (neg-entropie). Mbase pikërisht Koha si cerebralitet e realizon ngatërrimin kuantik të entropisë gravitacionale me gravitetin entropik (ligjësia e relativitetit të përgjithshëm) duke vepruar kësisoj si gjeneruesja e thurimës së mikrokozmosit me makrokozmosin, si aksi i rezonancës se realitetit material me atë mendor.
Koha i bën bashkë këto dy vetmi: vetminë e mendimit në tokë, vetminë e vrimës në qiell.
Le të rikthehemi strategjikisht te qielli si problem i rremë për të çuar përpara një arkeologji të përfytyrimeve të vërteta.
A mund të ngjyroset më qielli kur arsyeja njerëzore të reshtë së ekzistuari? Penelata supreme është ajo e arsyes. Po pas saj? Lautmani e shpjegon raportin e Ideve dialektike me teoritë matematike nëpërmjet strukturës dinamike të transhendencës ontologjike hajdegeriane. Për Heideggerin, transhendenca është kahu i lëvizjes ontologjike të çdo enti teksa ky tejkalon vetveten dhe është njëherësh referenti fundor imanent i çdo enti, kushti i transformimit të tij. Kjo lëvizje karakterizon raportin e teorive matematikore me Idetë dialektike. Pra, transhendenca nuk nënkupton më një qenie që e tejkalon botën dhe e qeveris atë nga jashtë, por një akt që e banon botën së brendshmi, e themelon dhe e çthemelon njëherësh. Ky akt Daseini i atribuohej fillimisht njeriut. Por te Heideggeri i vonë, Daseini shkon përtej strukturës së ekzistencës njerëzore dhe bëhet impersonal, strukturë anonime, Kohë e kulluar. Transhendenca shenjon pikërisht strukturën dinamike të kohësisë së Daseinit. Nëse Daseini resht së qeni njeriu dhe bëhet vetë Koha si realiteti i Ideve, atëherë themi se bota e Ideve nuk zhduket me zhdukjen e mendimit cerebral. Penelata e arsyes do të vazhdojë ta përbëjë qenien si aftësi qenieje, si vektor i një lëvizjeje dialektike anonime që është vetë Koha.
Filozofi pikturon me koncepte, piktori arsyeton me ndijime ngjyrash, shkencëtari sheh te frekuenca arsyen e mjaftueshme të ngjyrës. Një refren ekzistencial i mbështjell gjestet e secilit: Daseini i Kohës.
Daseini është dramaturgji e ekzistencës, shoshë ekzistenciale ku filtrohen diferencat.
Plani i imanencës së mendimit kalon nëpër pikën zero të çastit absolut: Now-here, Nowhere. Te ky çast absolut si pikë koincidence, pikë e përkimit të Ideve ontologjike, mendimi është mëkëmbësi i një dinjiteti të posaçëm të qenies së njeriut. Mendimi e mëkëmb njeriun si intensitet të kohës së kulluar. Mendimi është sinteza e pamundur, e megjithatë reale, e kohësive antitetike të fundit dhe të pafundësisë, formë absolute që përsërit Kohën e pafundme si kushtin e risive ontologjike, por po ashtu edhe kushtin e shfronëzimit të çdo subjekti autoritar, të çdo uni, qoftë mikroskopik a kozmik, individual a kolektiv. Mendimi shpalos një histori të Kohës, ndërsa Koha sjell pabarazitë, asimetritë tona në raport me faktin gjithnjë rastësor të ekzistencave tona. Kjo Kohë nuk vdes por është kushti i vdekshmërisë.
Vdekja e diellit është ngjarje metafizike dhe estetike përpara se të jetë parashikim i shkencës. Po çfarë vajtojmë vërtet te vdekja e diellit? Natyrisht që vdekjen e cogitos. Pyetja mund të transformohet: kur të vdesë dielli, kush do ta bëjë cogiton? Mendimi i mbijeton vdekjes së subjektit të cogitos, sepse ai është thelbësisht virtyt i qenies, ai është fuqia absolute e Kohës boshe. Te mendimi, cogiton e bën Koha si fuqi anonime e qenies, ndërsa njeriu është thjesht figurë e (për)kohshme e mendimit.
Nëse shfaqja e trurit është përgjigjja e një Ideje si problem ontologjik, me zhdukjen e përgjigjes a mos duhet menduar se zhduket edhe problemi? Çdo dukje dhe zhdukje është gjithnjë dukje-zhdukje e përgjigjeve. Problemet janë të pakohshme në sensin që nuk janë në kohë por janë vetë Koha, fuqia e saj shprehëse. Prandaj qenia e tyre është gjithkund-askund dhe askurrë-gjithnjë. Prandaj themi se problemet janë për natyrë imune ndaj forcës së zhdukjes. Madje madje, kjo forcë e zhdukjes së zgjidhjeve është vetë qenia e problemit. Forca e mendimit filozofik është se ai përmbys raportin mes përgjigjeve dhe pyetjeve dhe i përgjigjet përgjigjes me pyetje, si për t’i thënë se ekzistenca e saj nuk e shteron dot qenien e pyetjes. Streha e filozofisë është tepria e problemit. Do të teprojë gjithnjë një problem si lëndë potenciale filozofemash. Prandaj edhe kur të ketë vdekur truri, qenia e Kohës do të vijojë të ekzistojë si idealitet problematik. Mendimi njerëzor nuk është i vetmi që shtron problemet e qenies. Qenia vetë e mbart problemin e mendimit. Mendimi është virtyt ontologjik.
Filozofia lind kur mendimi njerëzor vendoset transversal me rendin e gjërave, kur mendimi zbulon vijën abstrakte të qenies, kur mendimi nga cerebral bëhet ontologjik. Arti po ashtu ka kohë që e ka zbuluar diagonalen: vija abstrakte e Kleesë. Edhe matematika e Lautmanit e përfytyron qenien si lëvizjen tangente me të gjitha teoremat. Pra, mendimi merr pjesë te qenia dialektike duke e patur atë si referent imanent strukturor, një referent që është edhe imanent, edhe transhendent, pra edhe merr pjesë me të drejta të plota te ideja e qenies, edhe nuk e shteron dot atë qenie nëpërmjet koncepteve. Sepse lëvizja ideale e qenies është e tillë, e pashterueshme. Nëse fundi i kozmosit vjen si pasojë e ligjeve të tij dhe këto ligje marrin fund me vetë kozmosin, atëherë qenia nuk merr fund me fundin e kozmosit, sepse qenia e fundit nuk është fundi i qenies. Këtë e dimë me Cantorin. Cantori është ai që artikulon fundësinë me pafundësinë në teorinë moderne të bashkësive dhe e pajis nocionin matematik të limitit me fuqinë gjeneruese të pafundësisë së radhës. Kalimi nga alefi 1 te alefi 2 e kështu me radhë fut një hierarki të saktë mes pafundësive. Nocioni i transfinitit është absolut dhe është ai që e bën pafundësinë ontologjike lëvizje dinamike të përsëritjes së diferencave ideale. Kështu e rrethon qenia e mendimit njeriun, njëlloj sikurse numrat irracionalë i rrethojnë numrat natyrorë, njëlloj sikurse pafundësia e mbështjell një tjetër pafundësi në transfinit. Pra e vërteta e fundit nuk përkon me fundin e së vërtetës. Dhe sa kohë që mendojmë, ekzistojmë si të pakohshëm.
Prandaj transhendenca duhet lënë bosh dhe nuk duhet absolutisht të mbushet. Ky është imperativi absolut i mendimit. Jo të pyesim për qiellin, po për Kohën e boshatisur nga transhendenca. Jo për njëshin por për zeron. Ekzistenca inaugurale e zeros në teorinë e numrave e çkushteton njëshin si kategori ontologjike. Vërtet moderniteti i zeros e shfronëzon klasicizmin e njëshit. Prandaj edhe Frege e rikonceptualizon numrin si fuqi të diferencës dhe jo të identitetit. Njëlloj sikurse koncepti i zeros e çthemelon identitetin si parim ontologjik dhe epistemik, ashtu edhe lëvizja universale e zerimit nuk duhet kuptuar si një barasvlerës i përgjithshëm i qenësorëve por si imperativi për të bërë diferencën që rëndon te secili prej tyre. Zero është fuqia e imanencës por njëherësh edhe transhendenca e kulluar: bashkësia boshe, qielli i përmbysur platonian.
Kur të zhduket kushti i ekzistencës faktike të cerebralit njerëzor, a do të marrë fund edhe ideja e njeriut? Nëse fati i gjithçkaje është zhdukja, pse vazhdojmë të luajmë në teatrin mizor të dukjes? A do ta përzgjedhë Koha si kthimi i “përjetshëm” niçean diferencën e bërë prej njeriut? Nëse qenia është shosha e ekzistencave, a do t’ia mbërrijë njeriu të filtrohet me format që kanë dinjitet ontologjik? A do ta bëjë dot njeriu në kohë diferencën nga vetja? A do t’i tradhtojë qiejt e transhendencës që ia garantojnë dobësinë e tij për t’u subjektivuar në mendim, apo do ta gjejë forcën për të qenë diell i vetvetes, lëvizje drejtvizore e mendimit që mbush pafundësinë në çastin zero?
Mbase do të zhdukemi përpara se të kemi mëkëmbur një Ide të njerëzimit që rri në vetvete pa u garantuar nga asnjë qiell providencial. E drejta e njeriut për të qenë është çështje sineidosi, çështje e sintezës së Idesë së drejtësisë te forma njeri, që sekretohet kur njeriu jeton intimitetin e tij me Idetë. Të ngjizim një Ide të njeriut që nuk prehet në kohë por që e bën Kohën të shprehet. Çdo ikje tjetër do të jetë e parakohshme. Nëse ikim të ngopur me Idenë e drejtësisë ndaj qenies së njeriut, një Ide që s’vjen si epifani qiellore por është autoreferenciale, e vetë-ndërtuar, nuk do të zhdukemi dot sepse do të kemi zotëruar artin e dukjes në Kohë.
Po, vdekja e diellit është vdekje e trurit sepse truri është ekologji diellore, e madje kozmike. Ndërsa mendimi ontologjik vetëm sa fillon me zhdukjen e jetëvdekjeve. Fundi i sferës diellore hap lëvizjen e pafundme të abstraktes në mendim. Requiemin e diellit mendimi e ka kompozuar që me lindjen e filozofisë. Filozofia është “dielli” i zi që ndriçon të padukshmen dhe synon përkryerjen e Idesë nën horizontin e fundeve që parasheh fizika. Bufi i Minervës i hap krahët vetëm në muzg (Hegel), mbas perëndimit të diellit dhe idhujve të tij. Çdo riprojektim i qiejve e prish zinë e mendimit. Mendimi duhet të jetë i pangushëlluar. Njeriut duhet t’i ushqehet një empati ndaj Ideve. Vetëm në planin e Ideve i duhet bërë thirrje njeriut, ajo është toka e tij. Ai është aktiviteti posaçërisht njerëzor.
Çfarë pretendon kjo formë intensive e të menduarit? Të zhgjetojë rrufeshëm mbërjen më infitesimale të njeriut, të shoqërojë dhe të nxisë shndërrimet e tij, ta bëjë ekzistencën e njeriut që të qëndrojë më vete në kohë. Ta mëkëmbë atë. Vetëm Koha e ka fuqinë ta mëkëmbë njeriun dhe mendimi është mjeti i kapjes së rezonancave ontologjike, i krijimit të refreneve të reja ekzistenciale mes njeriut dhe qenies.
Kur “… njerëzit nuk pushojnë së fabrikuari tendën nën të cilën strehohen, në pjesën e brendshme të së cilës ata vizatojnë sferën qiellore dhe shkruajnë marrëveshjet e opinionet e tyre; … poeti, artisti, kryen një çarje në ombrellë, madje e gris të vërtetën e qiellit për të lënë pak rrymë kaosi të lirë…”[4].
Pyetja atëherë është: pse gjithnjë e më shumë artistët i arnojnë çarjet e qiellit me klishe psiko-sociale? Shkenca ka që prej thuajse një shekulli që përfytyron vrima në qiell. Klee e pati zbuluar pafundësinë e lëvizjes së vijës abstrakte të artit. Për të imperativi i artit është Baraz Pafundësi.
Kopertina: Photo by Elizabeth Lewis on Unsplash
© 2022 Ester Celami. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Kjo është fraza e instaluar nga artisti P. Halilaj në taracën e Hotel Grand, në Prishtinë, në suazën e pjesëmarrjes së tij në Mannifesta Biennal, event artistik që po mbahet në qytet që prej muajit Korrik 2022.
[2] Deleuze, G., Guattari, F., “Ç’është filozofia?”, bot. Zenit
[3] Lyotard, J.F., “L’Inhumain”, bot. Galilee
[4] Deleuze, G., Guattari, F., “Ç’është filozofia?”, bot. Zenit
|
36,982 | https://peizazhe.com/2020/11/11/per-hir-te-modelimit-mendor-te-tjetrit/ | null | 2020-11-11T09:02:10 | PËR HIR TË MODELIMIT MENDOR TË TJETRIT | nga Alisa Velaj
(Rreth librit me ese “Sende që nxirrte deti” të Ardian Vehbiut, Dudaj 2013)
Në një letër që i dërgonte mikut të vet, muzikantit dhe shkrimtarit Johann Friedrich Rochlitz, Goethe e ndante publikun e lexuesve të kohës së tij në tri grupe: “Ka tre lloje lexuesish: lexues që shijon pa gjykuar, një i tretë që gjykon pa shijuar dhe një i mesëm, i cili shijon duke gjykuar dhe gjykon duke shijuar; në të vërtetë ky e riprodhon sërish veprën e artit. Anëtarët e këtij grupi nuk janë të shumtë, prandaj na duken më të çmueshëm e më të denjë.”[1]. Në të tre rastet, modeli i Goethe-s për llojin e lexuesit shtjellon njëherazi dhe një lloj mentaliteti, me anë të të cilit lexuesi i afrohet një vepre të caktuar. Një lexues që shijon pa gjykuar fare është një lexues me mungesë të plotë mentaliteti, I paaftë as për vete dhe as për tekstin, ndërsa kur gjykon pa shijuar, ky lexues vjen i armatosur me një lloj mentaliteti egoist, shumë larg mendjehapjes, apo pranimit të tjetrit, që do të përballet brenda tekstit, çka e bën të ngjashëm me një shijues frutash tropikale, apo të një zonë tjetër të largët, për të cilën ka dëgjuar kushedi çfarë dokrrash, dhe tani që ndodhet para aktit të shijimit, nuk mbërrin dot deri aty, pasi trurin ia pushtojnë gjithfarë rrëfenjash të çuditshme. Helmimi i qelizave të trurit apo brainwashing mund të jetë i atij niveli, sa me t’u përpjekur ta afrojë frutin në gojë, receptorët ndijorë të shijimit t’i përcjellin në tru shijen e injektuar dhunshëm, dhe jo shijen e vërtetë që individi/lexues po ndjen. Shija e modeluar drejt frutit, sigurisht se nuk ndodh për faj të frutit. E njëjta gjë ndodh me disa lloje veprash, të cilat mund të jenë fiction ose non fiction, si në rastin konkret.
Librit me ese “Sende që nxirrte deti” më mirë të mos i afrohesh fare, po ta kesh trurin pa kujtesë jodi, ose po të kesh mentalitetin e gabuar, se sendet që i nxjerr deti, mund të jenë gjendur edhe në mal dhe të jenë shpënë ndanë deti me kas. Ky libër nuk ka nevojë as për lexues që gjykojnë pa shijuar, as për lexues që shijojnë pa gjykuar. Esetë e Vehbiut kanë nevojë për atë lexuesin e mesëm, që shijon duke gjykuar dhe gjykon duke shijuar. Lexuesi, si në rastin kur është bashkëkohës shqiptar i autorit dhe lexon aty përfytyrimin e brezit të tij për Perëndimin, në vitet 60-80 të shekullit të shkuar, pra si kur gëzon statusin e dëshmitarit okular, si kur nuk e gëzon këtë status, që i bie të jetë, ose një lexues i lindur në një kohë më të vonë, ose një lexues i huaj, i duhet të jetë patjetër i pajisur me mentalitetin e patundur se e vërteta e Shqipërisë duhet të ketë patjetër një të ardhme. Përndryshe, ky lexues nuk u afrohet dot këtyre eseve; ose do t’u afrohet thjesht për t’i gjykuar, ose thjesht për t’i shijuar. Rasti i dytë mund të marrë kuptim njëfarësoj, nëse e shijon tekstin thjesht si memuaristikën e një kohe që nuk është e jotja, me ndjenjën e së papriturës dhe kërshërisë, çka në të vërtetë është një nga funksionet e këtyre teksteve. Por për të qenë objektivë, deri në shkallën se deti është det dhe mali mal, këtu kemi të bëjmë vetëm me funksionin denotativ të ligjërimit. Ese të tilla kaq shterruese, forcën e tyre mrekullore e kanë te e padukshmja, pjesa e fshehur e ajsbergut para syve tanë.
Autori shkruan në parathënien që i paraprin eseve, se në këtë libër, kapituj me natyrë më teorike dhe refleksive alternohen me kapituj të tjerë me natyrë më personale, çka lyp që libri të këqyret edhe si produkt i arsyes, edhe si produkt i kujtesës. Pak më lart folëm për pjesën e padukshme të ajsbergut, ndaj do të ndalemi te teksi si produkt i arsyes. Vehbiu interpreton faktet e një periudhe historike me syrin vëzhgues të një sociologu, duke i lidhur këto fakte kokëforta përmes një induksioni të paqtë, apo një deduksioni shtangës, që s’lë vend për kundërshtime. Madje edhe kur lë vend, ky kundërshtim nuk ka të bëjë me vërtetësinë e diskutimit, por me një lloj ndjesie, se këtë të vërtetë ti si lexues e kishe ditur që ekzistonte në një formë apo në një tjetër, por kurrsesi s’e pate pandehur të shfaqej para teje kaq e lakuriqtë.
Ajo që e shqetëson më tepër autorin është koncepti i rezervatit social. Ky term në totalitarizëm i referohet gjendjes së izolimit të imponuar të Shqipërisë, që ishte në fakt, izolim selektiv, që kërkonte jo aq shkëputjen nga bota sesa vënien e plotë në kontroll të kontakteve me botën. I rëndësishëm këtu është procesi i izolimit, dikur i imponuar, ndërsa tani i kërkuar me ngulm. A po shkojmë me këmbët tona, ashtu si pakuptuar drejt një dominimi tjetër totalitar? Sipas Arendt, ajo që e përgatit njeriun për dominimin totalitar në botën jo-totalitare është fakti se vetmia, e përjetuar si përvojë borderline (e personalitetit kufitar), e cila zakonisht ndjehet në kushte të caktuara margjinale siç është pleqëria, është bërë një përvojë e përditshme…[2] Le t’i kthehemi disa teksteve të Vehbiut për të përligjur aksiomën e Arendt.
Perëndimi u përpoq madje vazhdon të përpiqet, me mënyra të ndryshme, që t’i qëndrojë larg përqafimit shqiptar, meqë interesi kryesor i Perëndimit, sa u përket shqiptarëve dhe Shqipërisë, ka qenë dhe mbetet që këta të mos lihen të rrezikojnë në ndonjë farë mënyre stabilitetin dhe paqen në rajon; duke u ndihmuar të ngrihen në këmbë dhe t’u dalin vetë zot punëve të tyre, poe edhe duke u penguar , nëse është nevoja.
E megjithatë, pështypja që më jep kultura shqiptare e tanishme, në të gjitha nivelet , është ajo e një populli që, i çliruar më në fund nga izolimi njerëzor dhe ideologjik, ka zgjedhur t’i lëpijë plagët e veta në izolim kulturor; dhe ka ecur së prapthi, duke iu qasur sërish pozicionit mendor të fëmijës, i cili rregullisht ngatërron dashurinë e të tjerëve për të, me dashurinë ë tij për të tjerët.
Gjatë kontaktit tonë me Perëndimin, nuk kemi qenë në gjendje t’i perceptojmë, në masën dhe plotësinë e vet, ato tipare që e bëjnë perëndimin të sukseshëm dhe të lakmuar, në një kohë që tipare të tjera të këtij qytetërimi, më të afërta me kulturën tonë të gjymtuar nga izolimi, kemi qenë në gjendje t’i perceptojmë, madje t’i bëjmë tonat pa vonesë.
Për të luftuar totalitarizmin duhet të kuptohet vetëm një gjë: totalitarizmi është mohimi më radikal i lirisë.[3] Ardhja e një totalitarizmi të ri ka të bëjë me modelimin tonë mendor për hir të tjetrit, tërheq vëmendjen Vehbiu. Ky modelim (sipas autorit) ngjizet në tri drejtime; së pari, raporti na duam/i duam, së dyti, perversioni etik i konfrontimit ose i tmerrit ndaj Tjetrit dhe së treti, totalitarizmi i grupit, se ne jemi më të mirët dhe të drejtët dhe ata të ligjtë dhe të mbrapshtët i ka rrënjët në totalitarizmin e djeshëm, që synonte identifikimin urgjent të individit me shtetin. Shkaku i tretë na ka shpënë natyrshëm në përcaktimin që Arendt bën për personalitetin kufitar. Në esenë “Midis skajeve” Vehbiu e përshkruan këtë proces me termin gjeste kufitare.
Duam apo s’duam ne, dritën në histori e sjellin gjestet kufitare, të guximshme, sfiduese të status quo-së imponuar prej të gjithë atyre që stanjacionin sa e krijojnë, aq edhe krijohen prej tij e këndellen në kutërbimin e ujit të ndenjur.
Gjestet kufitare kërkojnë gjithashtu një lexues kufitar, të gatshëm për të pranuar vërtetësinë e fakteve shoqërore që paraqet ky tekst. Për Emile Durkheim, një fakt shoqëror është një kategori e fakteve që paraqesin karakteristika shumë të veçanta: ato përbëhen nga mënyra veprimi, të menduari dhe ndjenje të jashtme ndaj individit, të cilat investohen me një fuqi shtrënguese, në sajë të së cilës ata ushtrojnë kontroll mbi të.[4] A është lexuesi shqiptar sot, ai lexues që është njëkoshshëm edhe qytetar shqiptar me sytë nga Perëndimi, pikërisht ai qytetar që pretendon të mos bjerë sërish në rezervatin e izolimit, i gatshëm për një mënyrë të re të vepruari apo të menduari krejtësisht objektive, ku në qendër të mos ketë modelimin e vetes për hir të tjetrit, por modelimin e vetes për hir të vetes?
Modelimi i vetes për hir të vetes është udha e vetme, përmes së cilës, e vërteta do të ketë një të ardhme për ne shqiptarët. Ky libër me ese, i cili shtjelllon vetëm e vetëm vërtetësinë e fakteve shoqërore, i këmbëngul pa asnjë kompromis kësaj filozofie.
© 2020, Alisa Velaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim: kjo analizë kritike nga Alisa Velaj del te “Peizazhe të fjalës” edhe në kontekstin e prezantimit të botimit të versionit italisht të librit, “Cose portate dal mare” (përkthimi Valentina Notaro) nga Besa Editrice. Biseda online, me përkthyesen dhe autorin në Facebook, mund të ndiqet live këtu.
[1] Letër e Goethe-s për Joh. Fr. Rochlitz, 13.6.1819, Cituar sipas: Benedikt Jeßing / Ralph Köhnen. Einführung in die Neuere deutsche Literaturëissenschaft, përkthyer prej Hysni Ndreut, 4. Auflage, J. B. Metzler Verlag, Stuttgart 2017, Seite 9.
[2] Arendt, Hannah. (1967). The Origins of Totalitarianism, London: George Allen and Unwin, p.478.
[3] Arendt, Hannah. (2005). Essays in understanding, 1930-1954: formation, exile, and totalitarianism. New York: Schocken Books, p. 328.
[4] Durkheim, Emile. (1982). The Rules of the Sociological Method, (Ed. by Steven Lukes; trans. by W.D. Halls). New York: Free Press, p. 52.
|
1,468 | https://peizazhe.com/2009/03/21/1468/ | null | 2009-03-22T01:44:41 | VIZITË NË KATAKOMBET | “Shekulli” botonte të përkthyer një artikull të Neue Zürcher Zeitung, me titull “Kush ishte Skënderbeu”, i cili merret me jehonën që pati ndaj publikut shqiptar monografia e përkthyer për Skënderbeun, e historianit zviceran Oliver Jens Schmitt.
Artikulli i drejtohet publikut zviceran të asaj gazete dhe ndoshta nuk ia vlente fare të përkthehej, sikur të mos ishte sot e modës në mediat e Tiranës, që të përkthehet çdo rresht që shkruhet poshtë e lart për Shqipërinë. Megjithatë, më bëri përshtypje numri, zelli dhe egërsia e komenteve të lexuesve.
Natyrisht, shumica e këtyre komentuesve, në mos të gjithë, janë njerëz që librin e Schmitt-it nuk e kanë lexuar as do ta lexojnë, sepse shtrihet përtej caqeve të interesave të tyre kulturore; por kjo nuk i bën më pak të ngeshëm për t’u futur, brezlëshuar, në përleshje të tilla kulturore.
Çfarë komentohet nuk është pikërisht libri, as vepra e historianit zviceran në tërësi, por më tepër reaksioni që ka ngjallur ky botim në mediat shqiptare, dhe veçanërisht orvatja për revizionim të mitit të Skënderbeut nga ana e disa intelektualëve të njohur, si Klosi (që edhe e ka përkthyer librin) dhe Lubonja.
Këta lexues fiktivë, kanë gjetur në librin e Schmitt-it, para së gjithash, dëshirën për t’ia hequr Skënderbeut statusin si hero kombëtar i shqiptarëve; duke ia deheroizuar motivet dhe duke ia lëkundur përkatësinë etnike. Ky interpretim librit të Schmitt-it i është bërë nga përfaqësues të rrymës kombëtariste në mediat, duke përfshirë edhe shkrimtarin Ismail Kadare, por edhe personalitete të larta të kombit si Presidenti i Republikës Bamir Topi.
Reagimi i komentuesve të “Shekullit” do parë kështu si reagimi i një turme virtuale, përballë halucinacionit të një sulmi ndaj idhullit kombëtar, Skënderbeut. Objekt i zemëratës së turmave që ka hedhur në veprim shkrimi nuk është Schmitt-i historian, por Schmitt-i dordolec, së bashku me “lakejtë” e tij, pseudo-intelektualët shqiptarë që i kanë dalë në mbrojtje.
Natyrisht, komentuesit nuk janë historianë, as kanë shumë idenë se si mund të kundërshtohet një tezë e një historiani, qoftë edhe e gabuar. Shumë prej tyre, madje edhe me vullnet të mirë, i vënë Schmitt-it përballë Barletin, madje edhe Naim Frashërin, Gjergj Fishtën dhe Fan Nolin.
Megjithatë, e shumta e komenteve nuk merren aq me përmbajtjen e tezave të librit të historianit zviceran, por kalojnë sakaq në analizën e “shkaqeve” të këtij libri, ose më mirë akoma, të motiveve që e shtynë Schmitt-in, “t’i hedhë baltë Skënderbeut”.
Këtu kemi të gjithë rastin fatlum të shohim nga afër mënyrën si funksionon mendja e një turme të hipnotizuar nga propaganda kombëtariste.
Një pjesë e mirë e komentuesve besojnë se vepra e Schmitt-it, së bashku me përkthimin e saj në shqip, janë porositur, madje financuar nga armiqtë shekullorë të shqiptarëve: serbët dhe grekët (ndonjë shton në këtë çorbë edhe turqit).
Mire e kemi ne. Nuk vejme mend. Armiqte e perjetshem turq, sllave e greke me siguri po kenaqen nga cfare po degjojne [2:47].
Lobi greko-serb vazhdon me pamfleta te tjera. Kesaj radhe paskan investuar ne pseudo historian zviceran. Pak muaj ma par parapaguan diplomaten e njohur si gjyqtare ne Hage per ta zhytur luften e popullit te Kosoves se gjoja ne Shqipri paskan gjet spital ku u jan marrë serbve gjymtyr … etj. etj Kjo makineri perfide antishqiptare ska te nalun, por nuk do te ken sukses se populli jon esht tashme ne nivel dhe i kupton kto nerskamsa… [5:28]
Është pikësynim i këtyre armiqve që t’ua “mohojnë” shqiptarëve heroin e tyre kombëtar, për t’ua ulur vlerat në Europë ose për ta përvetësuar Skënderbeun ata vetë. Edhe një interpretim që iu bë në mediat ndërrimit të emrit të babait të Gjergjit nga Gjon në Ivan, prej Schmitt-it dhe përkthyesit të tij, duket se i ka ndihmuar kësaj psikoze.
Duhet vërejtur këtu se akuzën Schmitt-it se e ka shkruar veprën e vet “me porosi” ia kanë bërë edhe personalitete të larta të politikës shqiptare.
Tani, që grekët dhe serbët punojnë kundër shqiptarisë dhe shqiptarëve, kjo pak a shumë dihet; madje është mes atyre faktorëve që i konstituojnë turmat kombëtariste reale dhe virtuale. Përkundrazi, një element i ri që e nget mllefin e këtyre njerëzve ka të bëjë me faktin që Schmitt-i është historian “i huaj”.
po keto jan ne vete mo po ky palla Schmid t’i vije turp, u be ky te na beje historin e Skenderbeut. [Le] te beje historine se si mbillen patatet ne Zvicer. [3:49]
Turma e bën lehtë supozimin se një “i huaj” e ka të lehtë t’ua mohojë vlerat shqiptarëve, sidomos kur nxitet, me mënyra të ndryshme, prej armiqve të përjetshëm të këtyre; prandaj edhe shumë komentues hedhin ose mbrojnë idenë se çështjet e historisë së shqiptarëve nuk u duhen lënë në duar “të huajve”.
Le te shkruante ky shkrimtari zviceran per heroin kombetar grek Aleksandrin e madh dhe te mohonte prejardhjen e tij, dhe pastaj te shikonit çdo behej ne Greqi. [4:52]
Pas ksenomanisë, ndonjëherë krejt përulëse, të viteve 1990, kjo ksenofobi e tanishme përbën një zhvillim që meriton vëmendje.
I huaj nuk është vetëm Schmitt-i, i cili sipas disa komentuesve kurrë nuk do të kishte guxuar të përbaltte ndonjë hero kombëtar të zviceranëve; por edhe përkrahësit e Schmitt-it në Shqipëri: Klosi dhe Lubonja.
Kujt i sherben kjo? Vetem armiqve tane shekullore. Te me fale Klosi, por po ndryshove racen s’e ke problem te ndryshosh edhe kombin. [3:11]
Këtu kombëtarizmi vulgar i turmës bën të vetën edhe një fillesë të pavarur, që ka të bëjë me sabotimin që po i bëhet kulturës kombëtare dhe çështjes kombëtare shqiptare prej të ashtuquajturit element vllah – ku zakonisht përfshihen të gjithë intelektualët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile shqiptare që janë, realisht ose nominalisht, të fesë ortodokse.
Teza, që e kemi parë të artikuluar më mirë gjetiu, është se elementit vllah i mungon përkushtimi ndaj shqiptarisë; prandaj edhe është kthyer në promotorin e lëvizjes kozmopolite ndër shqiptarët, duke uzurpuar qarqet elitare në Tiranë, me mënyra të ndryshme.
Vllehet apo dhe rraca te tjera ne Shqiperi ne disa raste dhe me arsye mund ta ndiejne vetet keq kur identifikohen si shqiptare. Eshte e drejte e tyre qe ne keto raste ata te distancohen e te deklarohen si te deshirojne. Shqiptaret jane treguar jo vetem tolerante por dhe dashamires ndaj atyre qe mendojne ndryshe apo ndjehen te tille. Besoj se eshte e tepert qe tipa si Klosi apo Lubonja te shkojne aq larg sa per qellime te dyshimta (apo perverse), te hedhin balte mbi ate qe per shqiptaret eshte e duhet te mbetet e shenjte. [10:44]
Për një takëm kombëtaristësh shqiptarë, vllahu është veçanërisht i rrezikshëm, sepse ai e mohon dikotominë, përndryshe themelore, shqiptar/joshqiptar; por vllahut njëkohësisht i mungon burrëria në fjalë dhe në vepra, madje zakonisht përfytyrohet si “pederast” – seksual ose intelektual. Siç mund të pritej, procesi i marrëveshjes ose i komunikimit me Tjetrin (të huajin, armikun) metaforizohet në trajtat e një marrëdhënieje homoseksuale.
Klosi dhe Lubonja nuk e di cili është më pederast intelektual. Atyre nuk u pengon Skenderbeeu por fakti që kanë lidur ku kanë l,indur prandaj shkelin mbi vetveten athua nuk i pranojnë “të tjerë” për të vetë. Skenderbeu ishte ai që ishte atë nuk mund ta ndërrojmë. Mund ta ndërrojmë veten tonë jo duke dashur ta ndërrojmë Skenderbeun. Të gjitha ata që mundohen ta perdorin Skenderbeun si monedh për të hyrë aty ku ata nuk e kanë vendin, mashtrohen keq. Klosit dhe Lubonjës nuk i pengon vetem Skenderbeu por edhe Kadareja, neser në mos edhe sot iu pengon edhe Nëna Tereze, por të më ndjejnë këta hermofrodit se ata janë të medhenj pavarësisht deshires pederastëve që ata t’i rrenojnë. [3:33]
Kjo tezë e vllehëve si kalë i Trojës brenda shqiptarizmit do të ishte përnjimend e rrezikshme, sikur të mos ishte e vetëkufizueshme në skajet madje në skutat e mendimit kombëtarist shqiptar, ose atje ku kompleksi i inferioritetit bashkëjeton me paranojën ekstreme; por unë asnjëherë nuk reshtem së habituri me idiotizmin e saj, si historik ashtu edhe sociologjik. Në vetvete, ajo i kundërvihet tezës tjetër, njëlloj vulgare, se shqiptarët e vërtetë janë të krishterët, meqë këta e mbajtën “amanetin” e Skënderbeut; dhe të dyja do të mjaftonin për t’i vënë zjarrin Shqipërisë, sikur të ishte e mundshme që ujërat e zeza të merrnin vërtet zjarr.
Te gjithe ata qe flasin dhe mundohen te nderrojne historine e Gjergj Kastiotit,jane ISLAMIK te qelbur ja kan shitur bœthen islamizmit, keto lloj njerezish janë armiq te shqipetarve, keto punojne per qarqe islamike e terroriste… [2:27]
Kështu, turma e komentuesve të “Shekullit” e ka përpunuar tashmë teorinë e vet të komplotit: grekët dhe serbët paguajnë një pseudo-historian si Schmitt-i për të shkruar një libër ku hidhet baltë mbi heroin kombëtar; sikurse paguajnë pseudo-intelektualë si Lubonja dhe Klosi për ta mbrojtur Schmitt-in nga kritikat dhe për ta çuar përpara, nga brenda, orvatjen djallëzore për revizionim të kulturës shqiptare.
Çfarë duhet bërë përballë këtij rreziku halucinant?
Jo të gjithë komentuesit shprehen aq qartë sa njëfarë Tina, e cila e ka zgjidhjen gati:
Populli me kote ne bote jemi ne shqiptaret. Nuk jemi patriotë qe lejojme nje qen bir qeni, nje bir buçeje nga Zvicra te flasi per historine tone. S’kemi shtet ne. Sikur te dali nje shqiptar te shaje historine e Zvicres behet nami. Ku eshte Shqiperia e viteve 50 e derine vitet 89? Nuk e shanin dot, se kishte baba bicak. Çohu Enver e rrallo ca koka ne Shqiperi… [1:22]
Nuk mungojnë thirrjet për protesta në atdheun e të shiturit Schmitt:
Po ku jane kta perfaqsuesit e Shqiperise ne Zvicer ka ambasade apo jo kemi shtet apo servila Evrope pse nuk organizon ambasada jon ne Zvicer nje miting para ministrise se kultures zviceriane ose para ambasades zviceriane ne Tirane po flene si bufi… Kane faj dhe kta injorantet dhe antishqiptaret e letersise tone qe shesin dhe nderin e vet per pak leke apo nqs kane interesat e tyre do kene kene mare ndonje vize Shengen si shperblim legenat tane… [6:10]
Të tjerë nuk shtyhen deri atje sa të trazojnë kockat e Enverit, por kërkojnë mbrojtjen me ligj të figurës së Skënderbeut (duke sjellë shembullin e turqve me Ataturkun); ose në përgjithësi të figurave dhe të vlerave kombëtare nga sulmet ose “përbaltjet” që u bëhen nga revizionistët, kozmopolitët dhe pseudo-intelektualët e Tiranës.
Hej kur po na hipen nervat keto plehra.. po pse mor morra Shmidin pritet ju qe tu tregoi kush ishte Skenderbeu, do na vika ky muti nga Zvicra t’na tregoka kush qeka Skenderbeu shko mor mbushu anej nga ke ardh. Ketu duhet bo siç e bejne turqit me Ataturkun qe e mbrojne me ligj figuren e tij, kush e cenon dinjitetin e tij e rrasin mrena atje […] Te shkelesh ne te renet e kombit tend kjo nuk quhet gje tjeter vetem se tradhti. Dhe tradhtia lahet vetem me gjak. [9:27]
Disa komentues përmendin, si faktor antikombëtar, “shoqërinë civile”, duke iu referuar ndoshta artikullit të NZZ, por edhe duke i bërë jehonë, sipas mendimit tim, një legjende tashmë prej kohësh popullore në qarqet kombëtariste-fashiste të shqiptarisë, sipas të cilës OJQ-të e Tiranës, që financohen “prej të huajve”, punojnë në thelb kundër shqiptarëve dhe shqiptarisë; dhe shembulli më elokuent për këtë qenkan të gjitha ato organizata dhe forume që financohen prej Soros-it, hebreut kozmopolit të dalë i armatosur gjer në dhëmbë prej ikonografisë së Protokolleve të Zionit, njëlloj si Athina prej kokës së Zeusit.
Lubonja, Klosi e shoqerite civile, qe i behen mburoje historianit anti Skenderbe, me sa duket jane te porositur (te mos them te paguar) per te shkruar ashtu, per ta bindur popullin shqiptare se nuk kemi histori… Ky eshte turp i madh, qe i fshehur pas nje objektiviteti, gjoja shkencor, te punohet kunder historise… [4:34]
Në mllefin e turmës virtuale të komentuesve gjen kështu shprehje edhe pakënaqësia e thellë e shqiptarit provincial me elitat në Tiranë dhe në Prishtinë, të cilat funksionojnë si ndërfaqe (interface) e Shqipërisë dhe e Kosovës me botën e huaj; sepse shqiptarit provincial, të varfëruar dhe të poshtëruar, por edhe të mbetur prapa zhvillimeve në Shqipëri dhe në botë, i duket sikur këto elita i kanë tradhtuar interesat kombëtare, janë shitur tek “i huaji”, dhe punojnë kundër shqiptarëve dhe shqiptarisë.
Ashtu siç shfaqet në komentet e këtij artikulli, kombëtarizmi shqiptar duket se po ushqehet, në momentin e tanishëm, jo nga ndonjë vizion për të ardhmen e shqiptarëve dhe të shteteve të tyre, por nga paranoja ksenofobike që i ka rrënjët në histori, dhe nga një mënyrë të menduari paralogjike, pothuajse primitive, që përjashton çfarëdo dialogu ose përpjekjeje për të negociuar me të renë.
Mund të pyetet se ç’interes ka “Shekulli” t’i lërë këto komente të pacensuruara; e bën për t’ua njohur të drejtën e fjalës turmave të zemëruara, apo për t’u treguar elitave se me çfarë muri u duhet të përplasin kokat, nëse duan t’i realizojnë synimet e tyre modernizuese, revizionuese ose në përgjithësi iluministe.
Unë nuk i gjej dot përgjigje këtyre pyetjeve; por as mund t’i shpërfill thirrjet që bëhen atje për gjak, ose akuzat që u bëhen njerëzve për tradhti kombëtare ose insinuatat sistematike se ky apo ai është shitur te greku ose te serbi. Këto turma janë të sëmura dhe si çdo i sëmurë tjetër kanë nevojë për mjekë – po kush mund t’i mjekojë tjetër turmat, përveçse mass mediat, të cilat janë të vetmet në gjendje të komunikojnë me to dhe t’ua zbutin komplekset e inferioritetit? Prandaj e kam të vështirë të kuptoj se ç’duan të realizojnë këto mass media, kur këmbëngulin me mesazhin kombëtarist primitiv, i cili pjell urrejtje, mllef dhe gjithfarë paranojash në mendje si këto, të lëna djerrë nga shkolla dhe komuniteti.
Shënim: numrat në kllapa katrore në fund të citimeve tregojnë orën se kur është afishuar komenti dhe i kam vënë për lehtësi identifikimi në faqen e “Shekullit”.
|
3,447 | https://peizazhe.com/2010/01/11/pronat-leksikore/ | null | 2010-01-11T14:13:38 | PRONAT LEKSIKORE | Të kujt janë fjalët?
Pyetja nuk është aq naive sa ç’mund të duket.
Me intuitë, do të përgjigjeshim se fjalët i përkasin gjuhës; p.sh. një fjalë shqipe i përket gjuhës shqipe.
Mirëpo kjo është po aq metaforë sa edhe koncepti i huazimit, ose i shtegtimit të fjalës nga njëra gjuhë në tjetrën.
Aq më tepër që vetë huazimi është në të vërtetë një lloj kopjimi, meqë gjuhës që merr hua i shtohet një fjalë, por gjuhës që jep hua nuk i pakësohet.
Atëherë të kujt janë fjalët?
Ja një përgjigje më solemne: të popullit që e flet gjuhën. Një fjalë shqipe i përket popullit shqiptar.
Po çfarë do të thotë kjo pikërisht?
Çfarë të drejtash ka pronari – populli shqiptar – mbi një fjalë shqipe?
A mund ta heqë nga qarkullimi, ose t’ia japë një populli tjetër, ose t’ia ndryshojë kuptimin, ose ta bashkojë me një fjalë tjetër, për të krijuar një fjalë më të madhe?
Natyrisht jo.
Sipas një metafore saussuriane, fjalët janë si kartëmonedhat; kanë vlerë, por kjo vlerë përftohet në procesin e qarkullimit (komunikimit).
Të jesh pronar i një kartëmonedhe nuk është njëlloj si të jesh pronar i një toke, një dyqani, një biçiklete, një formule për prodhimin e një pijeje freskuese, ose një unaze me gur të çmuar.
Vlera e kartëmonedhës përcaktohet, ndër të tjera, nga besimi që kemi në institucionet financiare, ose garancia që këto u ofrojnë përdoruesve në transaksionet.
Po ashtu, të jesh pronar i një fjale do të thotë të kesh besim se ajo do ta përcjellë besnikërisht kuptimin, gjatë komunikimit.
Diskutimi për pronësinë e fjalës prek dy çështje të natyrës juridike: emrat e markave (markat tregtare, markat e regjistruara) dhe pronësia intelektuale.
Sa për markat tregtare, këto dihet se janë pronë e atyre që i regjistrojnë.
Kur dikush e përdor markën me shkrim, pronari mund të kërkojë që çdo okurrencë e markës të shoqërohet nga një simbol përkatës (TM), ose (R).
Për shembull: Shqipologji®.
Mund të pyetet, në këtë kontekst, nëse pronari zotëron vetë fjalën, apo vetëm çdo përdorim të saj.
Përsëri me Saussure-in: marrëdhënia e pronësisë shtrihet në gjuhë apo në ligjërim?
Dihet se markat janë ndonjëherë aq të suksesshme, sa shndërrohen në fjalë të zakonshme të gjuhës – p.sh. aspirinë, e cila për shumëkënd, anembanë botës, shënon thjesht acidin acetilsalicilik; edhe pse në më shumë se 80 vende të botës mbetet markë tregtare e regjistruar e kompanisë farmaceutike Bayer (p.sh. në Gjermani dhe në Kanada, por jo në SHBA).
Të njëjtin fat kanë pësuar emra tregtarë të tjerë si Xerox (i cili në anglishte është shndërruar në folje), Polaroid, Vazelinë, Jakuzzi, Jeep, Scotch (shiriti ngjitës), Velkro dhe Walkman.
Në shqipe ka ndodhur gjithashtu që një markë e hershme sapuni, Venus, të përfundojë në fjalë që shenjonte çdo lloj sapuni tualeti (në togfjalëshin “sapun venus”, i cili përdorej për të shenjuar sapun për larje të fytyrës dhe të trupit; ndryshe nga “sapun rrobash”, i cili përdorej për të larë rrobat). Sipas të njëjtit mekanizëm shpronësues, locioni i pasrrojes thirrej figaro (sipas markës së një produkti specifik); qumështi i kondensuar i importuar nga Kina, në kanoçe cilindrike me një panda në etiketë ishte “qumësht milk”; ndërsa djathi i shkrirë quhet edhe sot e kësaj dite, së paku nga brezi i vjetër, “djathë bebe” (për shkak të markës me të cilën tregtohej në vitet 1960-1980).
Përndryshe, shumë produkte gjuhësore mbrohen nga e drejta e pronësisë intelektuale.
Çuditërisht, por ndoshta jo dhe aq çuditërisht, fjalët e krijuara rishtas (neologjizmat) përjashtohen nga kjo e drejtë; edhe pse janë krijime të mirëfillta.
Ndonjëherë është më e vështirë të krijosh një fjalë, sesa të shkruash një vjershë.
Mjaft të kujtoj këtu ndjeshmërinë e madhe gjuhësore të kujt ka krijuar, gjatë Rilindjes, fjalë si çështje, sasi, cilësi, ndërgjegje, marrëveshje, vetëdije, përjashtoj etj.
Mirëpo neologjizmi me sa duket nuk bëhet dot fjalë, sa kohë që i ruan fijet që e lidhin me aktin krijues.
Edhe një herë, fjala dhe pronësia duket sikur e përjashtojnë njëra-tjetrën.
Emrat e përveçëm, p.sh. Nikotin Lukashi, u përkasin vërtet pronarëve të tyre – në kuptimin që përdorimi i këtyre emrave mund të kufizohet me ligj; por emrat e përveçëm, njëlloj sikurse markat tregtare, nuk janë si fjalët e tjera të gjuhës.
Edhe më absurde është të kërkosh pronësi në nivele elementare të gjuhës, si fonetika ose morfologji – pa çka se, në fushën e imazhit, ekzistojnë deri edhe ngjyra që mbrohen me të drejta të autorit (magenta).
Po si qëndron puna me nivele më të larta, p.sh., me sintaksën?
Askujt nuk i përkasin shprehje të tipit: “dil përjashta”, “si jeni nga shtëpia”, “kush ishte në telefon”, “do vesh në punë sot?” etj.
Ndërkohë, shumëkush do ta njohë pronësinë e thënies së mëposhtme:
Ca pika shiu ranë mbi qelq
E cila haptazi është marrë nga një vjershë e I. Kadaresë.
Nëse dikush e përdor këtë në një thënie ose tekst të vetin, ose citon ose po bën plagjiaturë.
Po ta krahasojmë thënien më lart me variante të saj të ndryshme, si:
Disa pika shiu ranë mbi qelq
Ca pika shiu u rrokullisën mbi qelq
Pika shiu ranë mbi qelq
Mbi qelq ranë ca pika shiu
Ca pika boje vaji ranë mbi qelq
Ca pika shiu ranë mbi xham
Ca pika shiu mbi qelq ranë
Ca kokrra breshri ranë mbi qelq
Ca pika shiu ranë në xham të dritares
Do ta kuptojmë edhe se vargu kadarejan i përket autorit vetëm ngaqë është pjesë e një teksti letrar, ose njëfarësoj “të shenjtë”.
Nuk mjafton vetëm kombinimi i fjalëve ca, pika, shiu, mbi, qelq, as ritmi jambik i vargut nëntërrokësh, për ta bërë thënien unike. Duhet edhe përkatësia e këtij teksti në një vjershë pak a shumë të famshme.
Përndryshe, vargun tjetër:
Këndo, o muzë, zdrukthin e Jorgo marangozit
Askush nuk do ta njohë dhe respektojë si timin, edhe pse unë sapo e krijova dhe mund të ndihem krenar me të (përkundrazi, shumë lexues do të njohin, besoj, referencën e detyruar ndaj vargut të parë të Iliadës së Homerit; në fakt, poema ime do të quhet Mobiliada).
Por e gjithë kjo nuk ka të bëjë shumë me gjuhën, e aq më pak me fjalët; madje mund të shkojmë edhe më tutje e të pranojmë se pronësia fillon aty ku mbaron fjala.
Po atëherë të kujt janë fjalët?
Këtë pyetje ia bëj vetes edhe kur dëgjoj të flitet për “fjalë të gegërishtes”, të cilat janë lënë jashtë fjalorit të shqipes – histori e vjetër, ankime të vjetra.
Vëreni këtu hipostazën e gegërishtes si pronare fjalësh të nëpërkëmbura.
Vëreni edhe kontradiktën e kujt mund të ndihet i pakënaqur se nuk ia kanë “shpronësuar” pronën sa duhet.
Mbaj mend një fjalë që përdornin pleqtë (dhe sidomos plakat) e fisit tim: çaçút, e cila shenjon një fëmijë të vogël, të shkathët dhe kurioz (ose një këlysh qeni ose kotele). Kujt i përkiste ajo fjalë? Kujt i përket? E ka nëpërkëmbur njeri? E kanë lënë jashtë apo e kanë mbyllur brenda?
(Ma chi se ne frega?)
Megjithatë, çështja e pronësisë, në këtë kontekst, nuk është aq e pafajshme; meqë lidhet drejtpërdrejt me mistikën gege, krahinizmin, mendësinë folklorike-konservatore, etnografizmin romantik dhe partikularizmin gjuhësor.
Fjalë të gegërishtes?
Vetë togfjalëshi, i ndërtuar kështu, sugjeron një marrëdhënie pronësie të një dialekti ose varianti letrar ndaj fjalës, e cila marrëdhënie përdoret më pas si bazë emocionale dhe racionale për t’u ankuar për padrejtësitë dhe diskriminimin.
Arshi Pipa dikur ankohej se gegërishtes standardi ia kishte “përvetësuar” fjalët – njëlloj siç kishte bërë regjimi me pronat ose pasuritë private, të tundshme dhe të patundshme.
Arshi Pipa, me sa mbaj mend, ankohej edhe për fjalë të tilla si shtatzënë, të cilat, sipas tij, ishin rezultat i një orvatjeje për ta lyer me bojë makinën e vjedhur; meqë fjala gegërishte origjinale është shtatzanë.
Po a mund të shmanget kjo?
Për plagjiaturën kanë thënë se është forma më e sinqertë e miklimit. A nuk është përvetësimi i fjalës së “tjetrit” forma më e sinqertë e adhurimit leksikor?
Në hullinë e Pipës, ndesh sot një numër autorësh që, herë haptazi e herë fshehurazi, kërkojnë të imponojnë një lloj copyright-i kulturor mbi tekstet dhe manifestimet gjuhësore të gegërishtes.
Qëllimet e tyre mund të jenë të mira; gegërishtja letrare ka nevojë të popullarizohet, sidomos ndër elitat, të cilat shpesh e mjaftojnë edukimin e tyre gjuhësor me Kadarenë; por nuk di sa është e mundshme t’i realizosh këto qëllime të mira, duke u mbështetur në mistifikime.
Kush ka bredhur nëpër Shqipëri, si unë, me ekspedita leksikore, e di se çdo fshat e katund ka emrat e vet për dhitë, delet, pulat, cjepët, deshët, qingjat, gjelat, kecat, viçat, lopët, demat, qetë, gomerët, mushkat, kuajt, qentë, macet e kështu me radhë, sipas ngjyrës së qimes ose të puplës, modelit të larave në trup dhe në fytyrë etj. Kartoteka e leksikut të shqipes dokumenton me mijëra fjalë të tilla.
Të kujt janë këto fjalë?
Të fshatit, sa kohë nuk i duhen kujt; të askujt, sa kohë përdoren në gjuhë.
Edhe pse jetojmë në ditë të ethshme ripronësimesh, kur njerëzit ngrysen në darkë me ëndrra për gjithfarë tokash, pallatesh dhe dyqanesh në kryqëzime, për t’u gdhirë me letra tapish në duar, duhet saktësuar se, kur vjen puna për leksikun e gjuhës, një qëndrim prej “komunisti” të staxhionuar është i vetmi që u bën dot ballë kritikave: fjala është e atij që e përdor.
|
11,474 | https://peizazhe.com/2012/11/30/nje-racizem-i-tille/ | null | 2012-11-30T07:26:03 | NJË RACIZËM I TILLË | Duke menduar se jetoja në SHBA, një i njohur, sapo më pa në një rrugë të Tiranës më pyeti nga larg: Si e keni atë jevgun? Nuk e di nëse është e nevojshme të saktësoj për kë e kishte fjalën, por ai nuk qe i vetmi rast kur dëgjova të flitet për “jevgun”. Natyrisht është fjala pë “jevgun” më të njohur të planetit.
Megjithëse nuk di të them se shqiptarët janë me tendenca më të theksuara raciste se popujt e tjerë, është mjaft e dukshme se ata i shfaqin ato më hapur se të tjerët. Në një rast a në një tjetër askujt nuk i kalon pa vënën re një ndjenjë të tillë përçmimi ndaj njerëzve me ngjyrë.
Këtu e kuptoj që shumë vetë do të kishin dëshirë të mos shkoja më tej pa më vënë në dukje se racizëm ka edhe në Amerikë dhe gjetiu. Ashtu është. Sapo lexova një intervistë të një njeriu të cilit i besoj, Morgan Freeman-it. Thoshte se edhe sot fëmijët e bardhë dhe ata me ngjyra nuk rrinë bashkë. E megjithatë kjo vetëm sa më kujton një ndjenjë lehtësimi kombëtare që ditët e fundit u ngrit mbi trojet amtare, kur shtypi i Tiranës zbuloi se edhe në perëndim vjedhin. (Eshtë e gjithnjë e sikletëshme të jesh fillikat në punë të tilla!). Por sikundër një gjë e tillë nuk është arsye bindëse për tu akomoduar me vesin, po aq kemi arsye ta tolerojnë racizmin me motivin se ai ekziston edhe gjetiu.
Një punë pakmujore përkthyesi që mu desh të bëj vite më parë për hesap të një organizate humanitare, nëpër strukturat pritëse të emigrantëve që vinin nga vendet e ndryshme, kryesisht nga Lindja dhe Afrika, më dha mundësi të zbuloj gjëra të çuditshme. Në tërësi qytetarët e ish vendeve komuniste tregonin një racizëm virulent, por më të theksuar e më të egër e shihja te djemtë shqiptarë dhe te rusët.
Gjatë gjithë ditës ishin si të hutuar, të humbur, të stresuar e deprimur nga pritja e pashpresë, por gjithçka ndryshonte kur ishin në prani të afrikanëve. Gjallëroheshin, ndiheshin superiorë, i shihnin me përbuzje, largoheshin kur ata u uleshin në të njëjtën tavolinë, kërkonim të mos i vinim në të njëjtën dhomë me ta, i shanin e i tallnin në shqip, edhe pse ishte fjala për avokatë, gazetarë a intelektualë ruandezë, kongolezë apo të tjerë që u iknin luftërave civile e që kishin parë familjet tu masakroheshin më kmesë.
Kur, më fatlumturve prej tyre “u vinin letrat”, pra u legalizohej qëndrimi, shumë prej shqiptarëve bëheshin keq, nuk arrinin të kuptonin se, “për çfarë i duan këta jevgjit këtu”. Më vjen keq që sjell fakte të tilla, por them se ndihmojnë në mënyrën e tyre për të njohur veten tonë.
Ndërkohë vura re se shumë nga kosovarët e pranishëm tregoheshin më të rezervuar (mbase pasojë e hapjes sër dikurêshme të Jugosllave ndaj vendeve t e Botës se Tretë). Si burrat edhe gratë e kishin zakon që afrikanët t’i quanin “bythëzinj”, por nganjëherë edhe “magjypë”. Në fillim mendoja se ishte thjesht një epitet fyes, por nuk qe tamam ashtu, shumë prej tyre nuk e njihnin fjalën zezak (neologjizëm i Nolit, më duket). Më të kultivuarit i thërrisnin “negër”, por në tërësi të gjithëve u duhej kohë të kuptonin dallimet kulturore dhe etnike midis shtetasve të vendeve arabe dhe të atyre që vinin nga vendet e Afrikës së Zezë. ‘Arab’ për ta ishte edhe banor i vendeve arabe, por edhe ‘arap’ pra i zi, afrikan.
Më mbetet gjithnjë enigmë nëse ky lloj racizmi është i trashëguar apo i kultivuar. Nuk ka asnjë shenjë që teoritë e A. Gobinosë të kenë qarkulluar në Shqipëri. As për periudhën e regjimit komunist nuk mund të thuash gjësendi të veçantë. Të paktën një gjë të tillë nuk mund t’ua faturosh atyre. Flitej për një lloj internacionalizmi proletar që në parim ishte mbiracor.
Në këto kushte nuk është e habitshme që si komb të kemi për tendencë të riprodhojnë dhunën që kemi pësuar vetë si popull i shpërfillur në periferinë e perandorive të mëdha, por pa mundur të integrohet plotësisht as në njërin e as në tjetrin kah, pa një profil antropologjik të përcaktuar, një situatë kjo krejt e rrallë që duket se ka lënë gjurmë simptomash të një personaliteti të dyfishtë, që shfaqet në tendencën për të shtypur me këmbë më të dobtit dhe të përkuljes para më të fuqishmëve.
Për shkak të një krenarie pa kuptim (që bie në gjunjë para një torte të madhe), por që shkon deri në kufijtë e teatralitetit dhe në pamundësi të vënë në pah vlera që t’i veçojnë nga të tjerët, ata (ajo pjesë që e shfaq një gjë të tillë) kërkojnë të veçohen duke besuar në superioritetin e lëkurës së tyre të bardhë. Dhe këtë e shprehin nëpërmjet njëfarësoj racizmi parak, foshnjarak, por të rrezikshëm e me pasoja. Ai mund të shndërrohet dhe marrë trajta e një racizmi doktrinar, aty nuk pritet.
Një gjë të tillë të sjell ndërmend një deklaratë të fundit, sa të pavend aq edhe absurde e Ministrisë së Punëve të Jashtme që i tërhiqte vëmendjen e dënonte palën palestineze për sulmet ndaj Izraelit. Gjithsesi, një kurs i çuditshëm politik më ka tërhequr vëmendjen që para disa muajsh kur pjesa më e madhe e vendeve të botes votoi dhe u hapi palestinezëve një vend modest në UNESCO- ndërsa Shqipëria për turpin e saj abstenoi.
Nesër presim të mësojmë, nëse për nëpunësit tanë më të rëndësishme janë interesat kombëtare apo ato të B. Netanjahut, kur në OKB do të kërkohet një përfaqësim formal për Palestinën. Po nuk patën guxim të nxjerrin pak hundën nga rreshti, nuk kanë më të drejtë të bëjnë të habiturin pse shumë nga vendet arabe mëdyshen të njohin Kosovën. Arsyetimi i znj. Klinton se problemi nuk zgjidhet në OKB, por nëpërmjet bisedimesh në bazë, më ngjan fort i dyshimtë. Para një Izraeli të veshur në hekur e që përgjon e kërcënon me një avion dron mbi kokë çdo kuadër palestinez, çfarë argumentesh do të hedhë në tavolinë një jo-shtet, një popull që njihet si “entitet”, që nuk ekziston në forumet botërore e që ka vetëm gurë e llastiqe në duar? Si mund të japë zgjidhje të pranueshme në një tavolinë në Lindjen e Mesme nja ekuacion kaq i pabarabartë?
Po qe se do të abstenojnë edhe nesër, nëpunësit shqiptare do të mbrohen duke thënë se ashtu bënë edhe të tjerët, por harrojnë se të “tjerêt” nuk kanë pas vetes gjysmën e kombit tê tyre, të cilin ende nuk e njeh gjysma e botës.
Te deklarata që përmendëm më sipër, shihen më të theksuara shenjat e një racizmi doktrinar, që shpërfill një popull të vogël, të nëpërkëmbur e që nuk ka gjasa të paraqesë ndonjëherë interes strategjik për Shqipërinë. Dhe gjithçka për hir të një pragmatizmi banal, i zhveshur nga humanizmi, që shquhet vetëm për rendjen deri në imoralitet pas të fortit, edhe pse nuk besoj se diplomacia amerikane është ulur deri në atë pikë sa tu kërkojë nëpunësve shqiptarë të abstenojnë në UNESCO apo të qëllojnë Palestinën me deklarata absurde këto ditë, apo të abstenojnë nesër. Besoj më fort në atë se rajatë e zellshëm të kohëve moderne e ndjejnë në ajër se çfarë u duhet të bëjnë.
Përgjigja e shpërpjesëtuar ushtarake e Izraelit shkaktoi edhe një herë viktima midis arabëve palestinezë, por për to Ministria e Jashtme nuk gjeti asnjë fjalë të thotë, nuk pipëtiu fare. Duket se në Tiranë janë të mendimit se “terrorizmi” i të rrethuarve që qëllojnë me raketa artizanale “Kasam”, e meriton ndëshkimin e rrethuesve dhe me këtë rast u rreshtua në anën e teknologjisë dhe Cahalit që lëshonte mbi ta raketa nga avionët F-16 dhe helikopterët Apache. Ajo nuk gjeti asnjë fjalë të flasë për ata të rinj të pashpresë, për ato breza njerëzorë që lindin e vdesin kampeve të refugjatëve dhe që dëshpërimi i shtyn të ngrihen me gurë e llastiqe kundër një prej ushtrive më të forta.
Të paktën te ketë zgjuarsinë të heshtë, deri sa midis zyrtarëve të saj shpresojmë se do të ketë ndonjë që së fundi do të kuptojë se të mos rreshtohesh në çdo çast në anën e politikës së qeverisë së Izraelit nuk është qëndrim antisemit. Janë gjëra të ndara.
Qesharakë e kundërthënës, duke përcjellë imazhin e atij që pret degën poshtë këmbeve të veta, nëpunësit shqiptarë të politikës së jashtme lënë të kuptojnë se motivi i pashprehur i aksionit të tyre politik është se ata besojnë thellë se pigmenti i bardhë ka më shumë vlera se sa ai me ngjyrë.
|
2,411 | https://peizazhe.com/2014/08/16/perzhitje/ | null | 2014-08-16T16:17:11 | PËRZHITJE | Mjeku i mirë, spitali plot.
***
Në Epir hanë në fillim qershinë, pastaj tortën.
***
Enigmë post-mesjetare: kalon dot D.V.-ja në brimë të gjilpërës?
***
Në Epir hanë vetëm qershitë, tortat ua hedhin qenve.
***
Animalistët në Tiranë duan ta lëshojnë shqiponjën nga flamuri.
***
U prish Epiri per një çikë uzo.
***
Vrau veten me tortë. S’mund t’i duronte më qershitë.
***
Kur të mos ketë më bërryla per të hipur, ke arritur në Stamboll.
***
Teatri i Kukllave, tha: ne në skenë, kukllat në sallë.
***
Në Epir nuk lënë qershi të bjerë në tortë.
***
Ky është burg model; prit kur të shohësh të vërtetin.
***
Një shtet ku policët u bien qemaneve, mbetet në dorë të mësuesve (Le Nin).
***
Ia shkopsita në ëndërr filatelistes pullat e postës.
***
Edhe viçat qumësht lope pijnë dhe s’i gjen gjë prej gjëje.
***
Ca blejnë lubrifikant për buzët.
***
Shqiptarët janë populli më i varfër në Shqipëri.
***
Zi buke në Idaho. Nuk gjen bukë të zezë.
***
Po t’i ndajmë binarët më dysh, kujt i mbetet treni?
***
Në Epir i japin me qira shtëpitë publike.
***
Në Epir pjell gjeli në derë të hanit.
***
“Po ti, s’ke ndonjë gjë për të thënë?” e pyetën memecin.
***
Kush e prishi kompjuterin e parë shqiptar?
***
Kjo karrotë nuk përmban shumë vitamina. Prandaj e ka lëkurën me puçrra.
***
Në Epir qershinë e mbjellin në tortë.
***
Hoqi të zitë e ullirit në Idaho. E morën per të zi.
***
Po ata që s’hypin në taksi, pse paguajnë taksa?
***
Në Epir mbreti shkon në hale me veturë.
***
Edhe unë vegjetarian jam, i tha lisi bredhit.
***
Në Epir ujqërve u japin hashash natën.
***
“Kur do të martohemi, Sonja?” “Prapë?”
***
Qingji që do të hamë sonte i kishte sytë e shtrembër.
***
Në Epir kaktusin e ujitin me ujë deti.
|
6,551 | https://peizazhe.com/2011/01/11/nje-vit-me-perpjekjen-26-27/ | null | 2011-01-11T08:26:16 | NJË VIT ME PËRPJEKJEN 26-27 | nga Eda Derhemi
Prolog
Perçapjet për numrin 26 -27 të Përpjekjes mbi mërgimin e shqiptarëve pas vitit 1990, nisën në fundvitin 2009.
Sapo kisha përfunduar një shkrim të zgjeruar mbi dukuritë kulturore dhe reagimet social-psikologjike të brezit të parë të emigruar, me fokus tek emigrantët shqiptarë që kishin ardhur në ShBA pas 90-ës. I kalonte 20 faqet, ndaj nuk ishte e thjeshtë ta botoja në një të përditshme pa e sakatuar thuajse krejt. Për fat të keq, Shqipëria është e varfër në revista shkencore apo social-kulturore që lejojnë formatin e gjatë. Mendova se shkrimi ishte i përshtashëm për një revistë të tipit të Përpjekjes, të cilën e njihja pak a shumë. Kisha vënë re se, sido që numrat e Përpjekjes i përmbaheshin një teme bazë, përfshinin shpesh shkrime apo copa letrare që veç tërthorazi, e ndonjëherë aspak, lidheshin me temën themelore. Mendova se mund të kish hapësirë edhe për timin. Gjithashtu, përderisa shkrimi im nuk ishte i një natyre strikte akademike, sido që në disa pjesë të tij ndiqte pikërisht këtë stil, mendova se do t’i përshtatej më fort audiencës relativisht të gjerë (jo në numër, por në specializim) e shumëllojëshe që informon revista Përpjekja.
Një mëngjes i shkrova Fatos Lubonjës, të cilin nuk e njihja veçse sa e njeh çdo shqiptar, dhe e pyeta nëse kish interes dhe vend për shkrimin tim në ndonjë numër afër botimit. M’u përgjigj brenda orës (një kusht komunikues ky i domosdoshëm që Lubonja e kënaq mirë, pa të cilin nuk do kisha punuar dot kurrë për përfundimin e numrit) dhe tha, se shkrimi i pëlqente, por nuk kish asgjë në dorë për momentin ku të mund ta përfshinte. Shtonte se tema e emigracionit nuk ish trajtuar ende nga Përpjekja, dhe se ideja e krijimit të një numri për të, e tërhiqte. Më numëronte vështirësitë e Përpjekjes dhe faktin se, kohët e fundit, dalja e saj e rregullt qe bërë edhe më problematike, si dhe mungesën e kohës së tij personale për të ndjekur revistën. Më pyeste nëse mund të gjeja disa autorë të tjerë që ishin marrë me këtë çështje dhe që mund të përfshiheshin në numrin e ri, ende vetëm potencial. I thashë që, nëse ishte dakord, mund të punoja si guest-editor për numrin, të bëja një plan të projektit ideor, si dhe të shkrimeve dhe autorëve, dhe një farë skice paraprake të numrit. Pa dyshim i dërgoja edhe një resume të punëve të mia redaktoriale dhe akademike lidhur me temën. Të dy kërkuam disa ditë për t’u menduar: Fatosi që të bisedonte me grupin e Përpjekjes, të konsideronte këtë mënyrë të re të zhvillimit të revistës me guest-editor, si dhe hyrjen time në valle; dhe unë doja kohë për të bërë një plan dhe konsultuar burime të ndryshme, si dhe doja të peshoja përsëri nëse do kisha kohë që, veç kusureve e kënaqësive të tjera, të merrja një tjetër kungull nën sqetull, një kungull rëndesën e të cilit e konsideroja më të lehtë sesa më doli. Idetë e mia atij momenti ishin që, në pak muaj numri të ishte gati. Plani im ishte të kërkoja punime që ishin në proces ose të paramenduara mirë, dhe që, së fundmi, do donin jo më shumë se 2 muaj për dorëzimin e tyre përfundimtar. Duhet të them se në këtë pikë Fatosi u përpoq disa here, duke u kujdesur që të mos më fyejë, të më ulte këmbët në tokë, dhe më tha se në kushtet e Shqipërisë shpejtësia, entuziazmi dhe pritshmëritë e mia nuk ishin fort realiste. Më bezdiste kjo pjesë e tij, por e vërteta është se numri mori një vit plot që të përgatitej. Por ndoshta pa atë energji fillestare, mund të mos ia kisha dalë deri në fund. Pra, kështu ramë dakord, dhe nisi rrugën numri 26 -27 i Përpjekjes (që, deri me datën 25 dhjetor, unë e dija se ishte thjeshtë numri 26).
Puna për ndërtimin e numrit
Si guest-editor parimet themelore që kam ndjekur ishin: të krijoj nje numër që, brenda mundësive, të përfaqësojë sa më mirë temën që ka marrë përsipër të trajtojë; të kem një komunikim të hapur, miqësor dhe shkencërisht kritik e produktiv me të gjithë kontribuesit e numrit; të respektoj parimet mbi të cilat është bazuar Përpjekja si revistë, duke u përpjekur të sjell diçka pozitive në zhvillimin e saj. Për këto, më është dashur të jem në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë autorët si dhe me Fatos Lubonjën, me periudha më të qeta, si vera, dhe të tjera më intensive, si fillimi dhe fundi i punës. Njihja drejtpërdrejt veç pak nga ata që tani janë bashkëpunëtorët e numrit. Por si emra e si fusha, i njihja pak a shumë të tërë. Nisa të kërkoja intensivisht në Internet çdo gjurmë lidhur me punë akademike dhe ese mbi emigracionin tonë. Pyeta të gjithë miqtë e kontaktet nëpër botë e në Shqipëri të më furnizonin emra kërkuesish dhe autorësh letrarë për temën si dhe materiale. Për mua personalisht, pjesa më sfiduese ishte ajo e poezive dhe prozës artistike për emigracionin, që e njihja më pak sesa emrat e shkollarëve në fushë. Duhet të nisja nga një kriter, dhe mendova se më e thjeshtë e orientuese do ishte të ndiqja kriterin gjeografik, pra studimet të bazoheshin pak a shumë në një hartë të vendeve kryesore në të cilat kishin emigruar shqiptarët.
Kam bërë një llogari të përafërt për punën për këtë numër të Përpjekjes: rreth 600 emaile të miat, kryesisht me ata që u vendos të bashkëpunonin për numrin, pak prej të cilave me autorë që u skualifikuan për arsye të ndryshme në proces. Shto edhe një minimum prej 600 mesazhes që vijnë si përgjigje. Vetëm me Fatos Lubonjën kam pasur rreth 480 këmbime, sipas memories së sistemit të yahoo-së. Në këtë moment togu ‘revista Përpjekja’ referon në 616 mesazhe, ndërkohë që në shumicën e komunikimeve me autorët, emri i revistës nuk kish pse përmendej fare. Disa nga mesazhet janë pak rreshta, e disa janë disa faqëshe. Nuk përllogaris dot kohën e shpenzuar mbi komputer, dhe atë të të menduarit, që është kryesorja sipas meje. Kjo e gjitha, pa llogaritur punën për hulumtim autorësh, çështjesh që duheshuin trajtuar, lexime dhe përkthime që duheshin për numrin, dhe pa llogaritur punën për shkrimet e mia. Me disa autorë më është dashur të bëj pak punë, ndoshta veç për të vendosur se cili shkrim I tyre të futej në numër, si dhe çështje të gjatësisë, organizimit në nënkapituj dhe mënyrës së citimit në to. Për disa shkrime të tjera është dashur më shumë punë për sqarimin e disa ideve të shprehura në shkrim apo argumentimin e opinioneve, shkurtime rrënjësore shkrimesh shumë të gjata, apo adaptimin e teknikaliteteve të larta e specifike të një fushe, për një audiencë relativisht të paspecializuar. Rreth dhjetë përçapje me autorë të ndryshëm, kanë dështuar, dhe autorët nuk janë futur në numër ose nuk kanë mundur të bashkëpunojnë. Sidoqoftë shumicës së autorëve u kam dhënë feedback të gjerë me aq sa kam mundur për çfarë shkonte mirë, e çfarë ishte e paplotë a e paqartë në një shkrim të prezantuar, kjo edhe për autorë që nuk u futën në numër. Gjëja më e frytshme e këtij komunikimi ka qenë marrëdhënia e ngushtë me kontribuesit: Të gjithë kanë ndihmuar dhe janë përfshirë në çdo hap të punës, që nga përzgjedhja e autorëve, deri tek diskutimi i çështjeve dhe mungesave të ndryshme zgjedhjes së terminologjisë në shqip, që ka vazhduar përgjatë gjithë vitit, deri tek vetë përkthimet, të cilat nuk do mund të kryheshin pa ndihmën e shumë prej autorëve të numrit.
Përsa i përket marrëdhënies me Fatos Lubonjën për nxjerrjen e numrit, ai ka qenë i pranishëm gjatë gjithë procesit. E kam mbajtur në korrent me çdo zhvillim duke i shpjeguar psenë dhe logjikën e vendimeve të ndryshme, sepse kjo për mua është kusht themelor i punës për një guest-editor, dhe sepse Fatosi ka ndihmuar procesin e ndërtimit të numrit që nga seleksionimi i autorëve, deri tek editimi përfundimtar i formës. Ndërkaq, ai nuk ka ndërhyrë në përmbajtjen e shkrimeve, dhe as në formësimin apo përmirësimin e secilit prej tyre sipas nevojave të Përpjekjes, me të cilën jam marrë unë. Pa dyshim që në këtë proces kemi diskutuar shumë, dhe ndonjëherë edhe me fërkime të vogla, por kam përshtypjen se kanë rezultuar duke e përmirësuar numrin. Psh, ideja ime për organizimin e shkrimeve sipas një kriteri gjeografik sipas sasisë së emigracionit të tërhequr, u modifikua nga Fatosi që sugjeroi nisjen e numrit me Italinë dhe jo me Greqinë, për hir të rëndësisë simbolike të Italisë në imazhin kolektiv të shqiptarëve të socializmit, si destinacion themelor në një të ardhme të lirë. Me këtë unë rashë dakord, dhe kështu u bë. Ose, në një pikë të avancuar të përgatitjes së numrit, Fatosi u ankua se kisha përzgjedhur më shumë shqiptarë dhe më pak të huaj, dhe tha se të huajt shohin probleme që ne nuk i dallojmë ose që i fshehim. Me këtë ide, unë pajtohem filozofikisht, por aspak në rastin konkret, sepse autorët e zgjedhur, siç i thashë edhe Fatosit, janë të tillë që për nga natyra personale dhe për nga trainimi kritik akademik, kryqëzojnë veten madje edhe nënë e babë në analizë. Por ky ishte një kriter ndryshimin e të cilit Fatosi nuk e toleronte. Atëherë vendosa t’i hap rrugë (unë jam ‘guest’), por ta shfrytëzoja këtë për ta përmirësuar numrin; kështu u lidha me dy nga autorët e huaj që sugjeroi Fatosi (të cilët janë të dy autorë seriozë që i njihja mire që më parë), dhe mora prej tyre shkrime që nuk do shtonin veç anën sasiore me dy artikuj më shumë, por që sillnin dy pikëvështrime të reja. Veç kësaj, vendosa të sillja një tjetër autor të huaj që i bënte një vështrim tërësor gjithë emigracionit shqiptar të pas 1990-ës pa dallim gjeografik, për të hapur numrin. Besoj se në gjendjen e tanishme numri është më i mirë sesa do ishte pa to. Këta janë vetëm dy shembuj, por komunikimi me Lubonjën ka qenë i pandërprerë gjatë gjithë procesit për krijimin e numrit. Nëse Përpjekja do ndjekë këtë linjë pune me guest-editor në të ardhmen (që unë personalisht e rekomandoj fort), për ata që do të punonin më pas, do përmblidhja kështu eksperiencen time në komunikimin me Fatosin: Jo gjithnjë i lehtë në komunikim, por i hapur ndaj ideve të ndryshme prej të tijave nëse punon për ta bindur apo i shpjegon keqkuptimin; shumë i qartë (dhe i patundur) për imazhin, qëllimet dhe rolin e revistës së vet, por shpesh këto ide duhet ose t’ia marrësh me mend nga njohja praktike e revistës, ose nga komunikimi me të, sepse nuk janë të shkruara gjëkundi; i drejtpërdrejtë dhe operativ në komunikim, sido që mund të injorojë disa nga problemet në emaile të gjata e interpretative. Në këto raste, pa dyshim duhet insistuar duke ia bërë më shpesh sesa një herë të qarta pyetjet apo problemet; tejet i ndershëm në komunikim. Nuk kam ndierë asnjëherë vogëlsira apo prapaskena komunikuese: What you see is what you get! Së fundmi, revista ka një lidhje të pashkëputshme prej tij si emër i papërlyer dhe si segment jo integral, madje kritik i mendimit institucional shqiptar. E di që shumë shqiptarë ankohen se shfaqet shumë shpesh në TV apo nëëpr gazeta, por kjo s’ka lidhje me vlerën e ideve që ai shpreh dhe as me Përpjekjen. Prania e tij vëzhguese dhe kritike i vlen revistës. Është vetëm në dobi të revistës që kjo të mbetet kështu, jo veç sepse bashkëpunëtorët rendin të kontribuojnë pikërisht për këtë arsye, por sepse ky kusht e mban gjallë Përpjekjen si një tribunë të veçantë ideore në Shqipëri. Pa Lubonjën revista do pushonte së ekzistuari.
Pa kaluar në pjesën e tretë të këtij shkrimi, duhet të them se, veç Fatosit, kam komunikuar për hir të punës edhe me dy punonjës të tjerë të Përpjekjes, që, pa u dukur, bëjnë të mundur daljen e suksesshme të revistës. I admiroj të dy për qetësinë, racionalitetin dhe njerëzillëkun në komunikim, si dhe për ndihmën pa cak që përpiqen të të japin në punë. Më duken cilësi aq të rralla në Shqipërinë e sotme, dhe më japin shpresë.
Epilog: Probleme për t’u zgjidhur dhe të mirat e këtij numri
A ka dalë numri tamam siç do doja të ishte? Pa dyshim që jo krejt. Do doja një njësim formal më të mirë të numrit, që nga korrektimi i njëtrajtshëm i materialeve (që jam përpjekur ta bëj sa më ka lejuar koha, por që nuk është absolut), deri tek kriteret formale të përshkrimit të autorëve, citimit, bibliografisë, dukjes së shkrimit etj. Në punë të tjera paraprake me revista ndërkombëtare si guest-editor, me korrektimin apo kontrollin përfundimtar të bibliografisë, është marrë një personel i veçantë, pasi unë kisha ndërtuar numrin dhe furnizuar artikujt e zgjedhur e të përpunuar në gjendjen përfundimtare. Por, për kushtet e veçanta dhe financat e Përpjekjes, këtu më është dashur ta bëj kryesisht vetë këtë punë. Dhe këtu ka disa probleme, shkaktuar sidomos nga distancat disa herë të gjata mes punës me shkrime të ndryshme. Një ndryshim që do ta përmirësonte e lehtësonte punën e një guest-editor-i në të ardhmen, do ishte hartimi i një guide të qartë e të detajuar për gjithë autorët kontribues në numër, ashtu edhe për guest-editor, si dhe një guidë e detajuar formati. Këtë Fatosi dhe grupi i Përpjekjes duhet ta ndërtojnë, nëse vendosin ta çojnë revistën në këtë drejtim. Guest-editor do ndihmohej shumë edhe nëse do kish një ‘mission statement’ të plotë e konkret për revistën. Edhe ky duhet hartuar qartë që të mos i lihet hapësirë as hamendjes dhe as dyshimit, dhe të mos humbet kohë me punë dyfishe.
Një problem me të cilin jam ndeshur në faza të ndryshme të punës, ka qenë pajtimi i audiencës, që çdo guest-editor duhet ta mbajë parasysh papushim, me natyrën e shkrimeve. Që në letrat e para që u kam shkruar bashkëpunëtorëve, jam përpjekur t’i mëshoj faktit që shkrimet duhet të përdorin gjuhë të kuptueshme, dhe të mos rëndohen me bibliografi apo citime shumë të shpeshta që janë të domosdoshme veç në një revistë ekskluzivisht dhe rreptësisht akademike. Shumë nga autorët i përshtatën formën dhe gjuhën e shkrimeve për një audiencë më të gjerë. Por, teksa kaloi një vit, dhe shkrime të reja, herë-herë me terminologji tejet special e të pakuptueshme për publikun, u përfshinë në numër, kjo kërkesë e imja fillestare u zbeh disi, dhe, në disa nga shkrimet (përfshirë timin që e sakrifikova dhe e kam lënë thuajse pa bibliografi që të mos bezdis lexuesin, dhe që tani duket ndryshe nga të tjerët për këtë arsye), nuk gjeta dot të mesmen e artë midis skrupolozitetit akademik dhe qartësisë e thjeshtësisë së domosdoshme për një lexim audiencash të edukuara, por jo të specialitetit.
Nga ana e përmbajtjes, do doja të kisha pasur disa shkrime më shumë, por e mira s’ka fund, dhe numri duhej nxjerrë. Nga ana gjeografike, do më kish pëlqyer të përfshija një shkrim që trajtonte një çështje të veçantë (ose një pasqyrë të përgjithshme) nga emigracioni shqiptar në Kanada, dhe një për Gjermaninë; do doja të kisha një tjetër shkrim për marrëdhëniet mes emigracionit të vjetër të Paraçlirimit, dhe atij të sotmit, në mënyrë krahasuese në vende të ndryshme ose në një ‘case-study’ të veçantë; do doja një shkrim për rolin e gruas emigrante në procesin e integrimit në vendin e ri të shqiptarëve; së fundi, do doja së paku dy shkrime për letërsitë në gjuhë të ndryshme nga shqipja, dhe publikët e rinj të kësaj letërsie, të prodhuar nga brezi i parë i emigracionit shqiptar pas 90-ës dhe fëmijët e tyre. Por kjo e fundit, mund të ishte një temë shumë interesante për t’u trajtuar nga një numër i tërë i Përpjekjeve të ardhshme.
Dhe, pa dyshim, sfida themelore në një numër si ky, ka qenë përkthimi. Pa ndihmën e shumë prej autorëve pjesëmarrës në këtë numër, diskutimeve me ta për terminologjinë, dhe kalimeve shumëfishe që u kam bërë vetë shumë përkthimeve, numri do kish qenë gjysmak. Përkthimi i një terminologjie që është e ditëve të fundit në shkencat e ndryshme shoqërore që lidhen me çështje të emigracionit, dhe vetë gjuha dhe stili i përpunuar akademik që në anglisht ka avancuar shumë, e vë shqipen, që për pesëdhjetë vjet nuk e ka ndjekur as mendimin dhe as terminologjinë shkencore moderne të fushave shoqërore, në një pozicion shumë të pafavorshëm. Kjo është zgjidhur në numër duke mos qenë puristë, por në të njëjtën kohë duke lejuar transparencën e kuptimit shqip, duke ndërhyrë me shumë shpjegime të termave nga përkthyesi në fund të faqes, dhe duke lejuar bashkëjetesën e termave të ndryshëm, pa e njësuar krejt përdorimin e tyre. Pjesë të këtij problemi i kam trajtuar në hyrjen e përgatitur për numrin.
Së fundmi, duhet të shtoj se duhet gjetur një formë më e mirë publiciteti për revistën, pa kaluar në komercializim të saj, dhe një mundësi e re për përmbushjen e kërkesave të një numri lexuesish më të madh sesa tirazhi i tanishëm i botimit. Leximi online kundrejt një pagese si dhe shpërndarja më e mirë jashtë Shqipërie duhen konsideruar. Për vetë tematikën e këtij numri, kërkesat për ta blerë revistën do jenë shumë më të mëdha jashtë Shqipërisë. Shumë njerëz më kanë shkruar pas botimit për të më kërkuar numrin, por nuk e kam idenë ku t’i drejtoj. Artan Puto është ndërkaq i mbuluar nga mesazhet e vetë autorëve të numrit me të cilët po kryen mbylljen e marrëdhënies së tyre me këtë numër të revistës. Gjithashtu, ai nuk do kish as mundësi fizike (edhe sikur të mos kish punë tjetër) t’u përgjigjej një për një kërkesave të audiencës së gjerë, për furnizim me numrin e ri. Pa dyshim, zgjidhja e këtyre problemeve, në vetvete kërkon mjete financiare. Por kjo do plotësonte misionin e vërtetë të një reviste që synon të ndryshojë opinione dhe thyejë klishe institucionale duke emancipuar kulturën shqiptare. Kusht elementar për këtë është pikërisht ekspozimi i audiencave ndaj revistës.
Gjithsesi, çfarë zhvillimi pozitiv që mund të mbahet dhe çohet më tej në numrat e ardhshëm, sjell ky numër i Përpjekjes sipas mendimit tim? Së pari, kohezion ideor gjithëpërfshirës e pa ndërprerje të shkrimeve, të cilat duket se plotësojnë mirë njëri-tjetrin, i mëpasmi si vazhdim logjik i idesë së shkrimit paraprak; mbulim më të balancuar e relativisht më të madh të fushës tematike të paracaktuar; njësim tematik të çdo elementi përfshirë në numër, pavarësisht nga lloji dhe zhanri; lexueshmëri më të lehtë për hir të shpërndarjes sipas një vije logjike dhe estetike ritmike të tematikës dhe formës, sheshit të pushimit poetik, lëvizjes nga proza akademike në atë eseistike, apo letërsi artistike; e, së fundi, përzgjedhje të ekuilibruar dhe përfaqësuese të autorëve sipas eksperiencës në fushën tematike, origjinës, seksit, etj (këtë e sqaroj më gjatë në hyrjen e përgatitur për numrin).
E mbyll sa ju dëfteva, duke thënë se Përpjekja, edhe në këtë numër, është siç e thotë vetë emri i saj, një përpjekje; përpjekje dhe sakrificë e bërë nga të gjithë ata që shkruajnë e punojnë për të, me dëshirën që të mbahet gjallë në Shqipëri një tribunë ideore avant-garde dhe hapësirë mendimi të lirë, ende politikisht e pakomprometuar dhe ideologjikisht e pakomercializuar.
|
15,931 | https://peizazhe.com/2014/07/26/red-peril/ | null | 2014-07-26T17:54:09 | RED PERIL | Dje një numër mediash shqip online përcollën lajmin për dy vëllezër barinj, nga Kalaja e Dodës, të kafshuar nga “miu i kuq” – për ç’arsye njëri prej tyre kish vdekur nga ethet hemorragjike, ndërsa tjetri në gjendje të rëndë në spital.
Lajmi gjendet, mes të tjerash, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu, këtu dhe këtu.
E zgjodha këtë lajm të rastit – edhe pse të dhimbshëm për personat e prekur nga ngjarja – për të ilustruar si mediat elektronike të Tiranës janë duke shpërfillur ABC-në e gazetarisë dhe të marrëdhënieve me lexuesin.
Para së gjithash, edhe pse një krahasim i teksteve mjafton për të parë se bëhet fjalë për të njëjtin lajm që është përcjellë nga një media në tjetrën, asnjë prej faqeve që pashë nuk e citonte burimin e lajmit.
Ka vërtet disa agjenci lajmesh, në Shqipëri; por kam frikë se pjesa më e madhe e informacionit që jepet sot në mediat elektronike dhe, besoj edhe në ato të printuara, është televizioni.
Televizionet e Tiranës i kanë mjetet financiare dhe gazetarët e nevojshëm për të qëmtuar dhe ndjekur lajme të tilla; edhe pse nuk e bëjnë gjithnjë ashtu siç duhet.
Edhe mund ta kuptoj që një lajm të merret nga televizioni; por gazeta – dhe faqja e saj online – duhet t’ia përshtatin tekstin mediumit; duke i dhënë publikut atë çfarë shtypi ia jep më mirë se ekrani.
Lajmi flet për dy njerëz që i kafshuar një shtazë relativisht e panjohur: “miu i kuq”; dhe për një sëmundje të rëndë të transmetuar nëpërmjet kafshimit: “ethet hemorragjike”.
Në këto rrethana, gazetari i mirë menjëherë do të kish bërë dy-tre intervista telefonike: me një profesor universitar të zoologjisë (nuk po pretendoj për rodentolog); me mjekun e zonës ku ka ndodhur ngjarja dhe, më në fund, me kryetarin e komunës ose një autoritet lokal të ngjashëm.
Lajmet për kafshime, minj, sëmundje dhe epidemi kanë prirjen të dizinformojnë dhe të shkaktojnë panik; që këtej, një faqe e kuruar nga profesionistë duhet të japë informacion me natyrë enciklopedike.
Të sqarojë, bie fjala, se ç’është ky “mi i kuq”, ku jeton dhe çfarë rreziku paraqet për popullatën.
Një prej faqeve të cituara më lart përcillte një intervistë me mjekun infeksionist P.Pipero, edhe ajo e marrë nga televizioni; por ai mjek fliste për gjendjen e pacientit që kishte në duar, jo për “miun e kuq.”
Në fakt, lajmi për incidentin mund të kish shërbyer si pretekst për informacionin e mirëfilltë – informacion që mund të përmbante edhe të dhëna për miun në fjalë, por edhe për shndërrimet e mjedisit, që jo rrallë lidhen me incidente të tilla; dhe më tej, për sëmundjen, mënyrën si përhapet, mënyrën si kurohet ose parandalohet; dhe më në fund për raste të ngjashme sëmundjesh që përhapen nga minjtë dhe kafshë të tjera.
Kështu do të mbushet edhe faqja e gazetës, dhe nuk do të ketë nevojë për gjigantografi femrash të përsëritura me bikini.
Ka kaluar ajo kohë, kur një gazetë prestigjioze mund të financonte, me mjetet e veta, një ekspeditë zoologjike në Kalanë e Dodës, për ta kapur “miun e kuq”, për të dalë në fotografi me të dhe për t’ia vënë pastaj në dispozicion shkencës.
Çfarë mund të bëjnë gazetat sot është, përkundrazi, të tregojnë respekt për lexuesin, duke e informuar, në vend që ta hutojnë me budallallëqe.
Janë derdhur miliona euro dhe dollarë, për të kualifikuar personelin e mediave; por po të shohësh si bëhen lajmet, në gazetat kryesore të Tiranës, nuk gjen asnjë gjurmë të këtyre investimeve, sikurse nuk gjen profesionalizëm dhe seriozitet.
|
136 | https://peizazhe.com/2007/07/09/politika-lakuriq/ | null | 2007-07-09T17:13:26 | Politika lakuriq | Botimi i fotove të Edi Ramës lakuriq në plazh e gjetiu, nga disa gazeta në Tiranë pikërisht në prag të zgjedhjeve lokale atje, është nga ato ngjarje që nuk mund të të lërë indiferent. Për fat të keq, ky incident duket se ia ka dëmtuar më shumë reputacionin shoqërisë civile në Shqipërinë post-totalitare, sesa Edi Ramës vetë.
Fotot pas gjase janë botuar nga një palë që kërkon ta pengojë jo thjesht e jo aq rizgjedhjen e Ramës si kryetar bashkie, sesa karrierën e tij politike të mëtejshme. Meqë ky gjest është i skajshëm në vetvete dhe fton për reperkusione njëlloj të skajshme, atëherë duhet menduar se kundërshtarët e tij, cilëtdo qofshin, kujtojnë se, edhe sikur ta fitojnë betejën e tanishme, luftën afatgjatë me Ramën e kanë humbur qysh tani.
Pavarësisht se ç’është thënë poshtë e lart, unë nuk dua të besoj që Berisha dhe Olldashi të jenë implikuar drejtpërdrejt në këtë silurim, edhe pse do të kisha dashur edhe që këta ta denonconin tani me forcë të madhe botimin e fotove (gjë që nuk e bënë). Edi Rama në sferën politike shqiptare tashmë përfaqëson një faktor të cilin shumëkush përpiqet ta neutralizojë, thjesht ngaqë ai gëzon përkrahje të shumëkujt tjetër – brenda dhe jashtë vendit.
Çështja këtu nuk është thjesht te kryebashkillëku i Tiranës, por se kush do të marrë timonin e së majtës, dhe ndoshta të qeverisë shqiptare në vitet e ardhshme. Nga kjo pikëpamje, fotografitë pa dyshim do t’ia dëmtojnë shumë Ramës perspektivën si lider i PS-së, deri në atë pikë sa vetë partia e tij mund të jetë e detyruar ta zëvendësojë e ta largojë nga drejtimi, për shkak të ekspozimit ndaj kritikave.
Pavarësisht se ç’thuhet nga analistët liberalë në mediat, që më tingëllojnë ende të shokuar, e pavarësisht nga gatishmëria e supozuar e shumë të rinjve tiranas për ta likuiduar këtë incident si sulm të shëmtuar ndaj një figure politike, masa e votuesve dhe e publikut në Shqipëri nuk e pranon lehtë një stil të jetuari që shoqërohet me lakuriqësi publike.
Në të vërtetë, fotot që pashë të botuara në “Sot” nuk janë foto të nxjerra me teleobjektiv nga ndonjë paparazzo; por foto të marra me dijeninë dhe pëlqimin e të zotit, nga ndonjë i njohur a dashamirës. Krahasimi që bëhet me fotot e ndryshme të celebrities që botojnë fletushkat e skandaleve në Perëndim nuk qëndron; sepse ato të Ramës janë foto thellësisht private, të destinuara për përdorim privat.
Në rastin e fotove të paparazzi, i dënueshëm është para së gjithash akti i dhunimit të privatësisë të personit, nëpërmjet teleobjektivit; dhe vetëm më pas botimi i fotos nga një gazetë e verdhë përkundrejt pagesës. Në rastin e fotove të Ramës, dhunimin privatësisë së kryetarit të bashkisë së Tiranës ia ka bërë gazeta “Sot”, jo objektivi i kameras.
Publikut në Shqipëri e gjetiu nuk i shpëton që Rama ka pozuar në këto foto. Qëllimi i siluruesve të “Sot” ka qenë jo t’u tregojnë lexuesve hallatet e politikanit të majtë, as parapëlqimin e tij për të plazhuar nudo, por pikërisht dëshirën e gatishmërinë e tij për t’u fotografuar lakuriq, meqë kjo do ta prezantokësh, njëfarësoj, si “të degjeneruar” e të papërshtatshëm për të udhëhequr Shqipërinë.
Çështja nuk është, pra, as te frekuentimi i plazheve nudiste nga Rama, as te heqja e brekëve në një plazh publik e as te përdorimi i kompjuterit lakuriq – por pikërisht te gatishmëria e Ramës, nëse mund të shprehem kështu, për t’i pasur këto momente të përjetësuara në foto. Te kjo gatishmëri shumë njerëz do të shohin, sikurse edhe kanë parë, dëshirën për transgresion banal, ose një ekzibicionizëm seksual që nuk mund të mos ia dëmtojë Ramës ambicjet politike të mëtejshme.
Vetë, nuk arrij ta kuptoj si Rama është treguar aq i shkujdesur, sa t’i ketë lënë këto foto t’i qarkullojnë. S’është çudi që ndonjë mendje psikanalizuese të shihte këtu, pas gjase, dëshirën e pavetëdijshme për t’u ekspozuar… Kjo nuk di pse më kujton personazhin e marrë Joe Devola nga seriali komik “Seinfeld”, i cili e linte hapur derën e apartamentit të vet, meqë “he liked to encourage intruders.”
Nuk është e qartë si kanë përfunduar këto foto private në duar të gazetarëve të “Sot” e të asaj gazetës tjetër në Sarajevë që i paska botuar e para. Në Internet kanë qarkulluar versione të tyre të paretushuara dhe eksplicite, të cilat pa kurrfarë dyshimi nuk janë kopjuar nga kopertina e “Sot”.
Asnjë gazetë serioze, kudo në botë, nuk do të pranonte të botonte materiale të tilla private nga jeta e një politikani sado të spikatur. Ka disa kufij që mbrohen me ligje të pashkruara, e që nuk duhen shkelur. Është për të ardhur keq që deri edhe gazetarë me emër, si Mero Baze, e kanë përdorur këtë skandal për të sulmuar Edi Ramën më tutje.
Nga ana tjetër, mbrojtës e dashamirës të Ramës kanë shpjeguar se të dalët lakuriq plazheve publike të Perëndimit qenka normale dhe krejt e tolerueshme. Këta duket sikur nuk duan ta kuptojnë se (1) në Shqipëri e në përgjithësi në Ballkan e në Evropën katolike lakuriqësia publike ende nuk pranohet dhe (2) problemi nuk është aq te lakuriqësia vetë, sesa te dëshira e Ramës për t’u fotografuar i zhveshur.
Që kur filloi kjo fushatë, megafonët e PD-së kanë ngulur këmbë në hollësi të jetës private të Ramës, preferencave të tij seksuale, të dashurave, grave, gjyqeve. Kjo më është dukur gjithnjë e neveritshme, sepse askush nuk ka jetë private të kulluar, me përjashtim të atyre që nuk kanë jetë private fare. Është meritë e padiskutueshme e Ramës që nuk e ka përlyer gojën, ai vetë, në akuza të kësaj natyre për kundërshtarët politikë.
Por Rama, nga ana tjetër, ka dashur gjithnjë ta paraqitë veten si figurë kontroversiale madje transgresive, jo vetëm në sjelljen e tij personale në publik, por edhe në stilin e drejtimit të bashkisë së Tiranës. Në këtë kuptim, të dalët në fotografi lakuriq dhe bojatisjen e fasadave në Tiranë i bashkon një fill konsistence stilistike. Çështja është nëse Shqipëria do ta pranojë dot një udhëheqës të tillë, më lart se Bashkia e Tiranës.
Vetëm pak ditë më parë u fol e u diskutua gjatë për një poster që i ftonte të rinjtë të votonin (“Shkunde Votën”), nëpërmjet fotos së këmbëve lakuriqe të një femre. Lakuriqësia në sfond erotik ishte përdorur për të zgjuar nga letargjia masën e votuesve të rinj në Tiranë. Fotot porn të kryetarit të bashkisë së Tiranës janë, në këtë rast, ana tjetër e së njëjtës medalje, dhe më bindin edhe më se politika duhet t’i qëndrojë larg mishit.
Nëse shtyhemi edhe më në kohë, do të na kujtohet një videoklip i çuditshëm i Nikoll Lesit duke iu shmangur një femre në një nevojtore restoranti, e më tej biseda e përgjuar e Nanos me Abdiun; nëse përkundrazi, duam të kthehemi përsëri në fushatën e sotme, nuk mund të na shpëtojë lajmi i pak ditëve më parë se PS-ja ka investuar rreth 150.000 euro për të blerë e instaluar telekamera që do të “kontrollojnë” procesin e votimit në qendrat.
Të gjitha këto orvatje për të mbrehur teknologjinë në shërbim të fiksimit të “realitetit” tradhtojnë një krizë të thellë të legjitimitetit të klasës politike në Shqipërinë e sotme. Ndryshe nga, bie fjala, Berlusconi e Prodi në Itali, në Shqipëri krerët e forcave politike kundërshtare nuk ia njohin shoku-shokut as edhe thjesht atributet prej lideri.
Më në fund, Rama nuk ishte i vetëm në ato foto. Në dy prej tyre pashë dhe njoha një vajzë – të dashurën e tij – e cila është fyer njëlloj si partneri i saj, në mos shumë më rëndë, nga provokimi i “Sot”. Ajo vajzë nuk është figurë publike, as ka kërkuar të dalë në krye të Shqipërisë, as është përfshirë në luftën e ashpër politike atje. Sikurse e njoha unë, do ta kenë njohur edhe qindra të tjerë…
[2007]
|
4,882 | https://peizazhe.com/2010/06/24/katalogu-i-fytyrave/ | null | 2010-06-24T13:36:16 | KATALOGU I FYTYRAVE | Në një intervistë dhënë tani së fundi, themeluesi i Facebook-ut Mark Zuckerberg ndalet ndër të tjera edhe në çështjen aq të debatuar të privatësisë.
Thotë Zuckerberg:
Duhet të kemi parasysh se gjërat kanë ndryshuar shumë në gjashtë vjetët e fundit. Dhe se koncepti që kam unë për privatësinë nuk është i njëjti me atë të tim eti, as me atë të një djali 14-vjeçar. Gjashtë vjet më parë, askush nuk dëshironte që të dhënat e veta personale të dilnin në ueb, ndërsa sot një numër i madh njerëzish s’e kanë për gjë të bëjnë publik numrin e tyre të celularit në Facebook. Për prindët e mi privatësia ishte vlerë, për moshatarët e mi vlerë është përndarja (sharing). Për ne kontrollet ndaj privatësisë kanë qenë gjithnjë me rëndësi që në krye, nëse kemi bërë ndonjë gabim, e kemi ndrequr menjëherë. Kryesor është dialogu me përdoruesit e sajtit, dhe ka ndodhur që këta kanë shtruar disa çështje dhe ne i kemi marrë parasysh duke i thjeshtuar punët dhe bërë më të kuptueshme.
Vërtet po zhvlerësohet kështu privatësia për brezat e rinj? Dhe, çka është edhe më e rëndësishme, vërtet nevoja për privatësi i kundërvihet nevojës për përndarje (sharing)?
Pyetjes së parë nuk di t’i përgjigjem; por nga përvoja vetjake, nuk më duket se brezi i ri ka ndonjë koncept të ndryshëm për privatësinë nga imi; ndoshta ndryshimi ka të bëjë me raportet e të rinjve me njëri-tjetrin, në krahasim me raportet e tyre me brezin më të vjetër. Çfarë këta e kanë të lehtë ta ndajnë mes tyre, mund të mos duan t’ua bëjnë të ditur, bie fjala prindërve.
Më anë tjetër, nevoja për të ndarë me të tjerët më duket se ndihet më shumë brenda një grupi, ose në kontekst; ndërsa nevoja për privatësi ka rëndësi pavarësisht nga konteksti. Një informacion imi publik në Facebook nuk është aq publik për njerëzit që më njohin – edhe pse gjasat janë që ata do ta përdorin vetën – por për të tjerët, për të gjithë ata që sot nuk më njohin, por që ndoshta interesohen për mua, për të më shitur mallra, ide politike, ideologji, propagandë e kështu me radhë.
Tek e fundit, unë përndarjen e shoh edhe si privilegj; nëse i ndaj me ty disa gjëra të miat, kjo ndodh ngaqë kam besim tek ti. Në momentin që privatësia e humb domethënien, atëherë edhe vetë vlera etike e përndarjes vjen e tkurret.
Ka edhe një aspekt tjetër që duhet cekur: privatësia merr rëndësi së bashku me peshën e një individi në jetën e të tjerëve. Sa më publik të jetë dikush, aq më kritike është që disa anë të jetës së tij të mbeten jashtë vëmendjes publike; dhe këtë e them jo vetëm duke pasur parasysh tabloidët, ose rrezikun për shantazh.
Sinqerisht, Zuckerberg-u më tingëllon hipokrit; sepse ai vetë tashmë bën pjesë në një elitë njerëzish të suksesshëm, të cilët i përkufizon pikërisht distanca nga të tjerët, muri ndarës ose… privatësia.
Nga ana tjetër, një sipërmarrjeje tregtare si Facebook-u i intereson që t’i kosherizojë përdoruesit e vet, sepse ashtu e ka më të lehtë t’ua zotërojë sjelljet, shijet dhe prirjet. Nga kjo pikëpamje, zhvlerësimi i privatësisë përfton para së gjithash insekte kolektiviste – bletë ose milingona, të dobishme para së gjithash për t’u ndërtuar piramidat faraonëve të rendit të ri të botëror: korporatave.
Për Facebook-un dhe rrjetet sociale në përgjithësi po flitet shumë, në disa nivele. Kohët e fundit, blogu Programe shqip ka botuar përkthimin e një analize të thelluar të Tom Hodgkinson me titull Me të tillë miq…, i cili meriton të lexohet krahas dhe përballë flluskave që lëshon Zuckerberg-u, për të kuptuar përmasën ekonomike të dukurisë.
|
7,325 | https://peizazhe.com/2011/05/03/smart-google/ | null | 2011-05-04T03:03:51 | SMART GOOGLE | Më në fund një lajm i mirë për koleksionistët e humorit: kushdo mund ta blejë Agron Llakajn me çmim të arsyeshëm:
Mjaft të dish të kërkosh. Këtë xhevahir e gjeta këtu; nuk di pse, shërbimi ofrohet nga Google në serbo-kroatisht ose slovenisht.
|
41,380 | https://peizazhe.com/2022/07/21/gjurmimet-e-detektivit-fakir-konica/ | null | 2022-07-21T08:02:34 | GJURMIMET E DETEKTIVIT FAKIR KONICA | nga Idlir Nivik
1.Gjurmësi
Ky tregim ka vite që më gërryen shpirtin. E kam rrëfyer disa here më parë; por më bëhet se çdo herë ia nis nga fillimi. Në fakt, është çudia ime që ia nis nga e para. Njerëzit e marrin këtë për “llojisje”. Pra si shenjë të pavdekshmërisë së shpirtit. Ka të bëjë ca me mënyrën si, papritur, mendohem me vete, teksa rrëfej historinë. Që në thelb mbetet pak a shumë e njëjta; e versionet ndryshojnë sa produktet e qumështit në varësi të përqindjes së ujit në to. Edhe rifillimi i përsiatjes mbi këtë ngjarje ka të bëjë me vramendjet e viteve të fundit. Sepse jam gjurmës. Zakonisht thuhet “detektiv privat”. Diçka e tillë jam dhe unë, se nuk punoj për shtetin. As nuk kam punuar kurrë për të. Sepse shteti as nuk më njeh. Në radhë të parë, termi “gjurmës” s’bën të zhgënjejë njerëzit. S’kam fare tiparet e hetuesve policeskë, që kanë bërë traditë si pishtarë në qiellin e zi të ecejakeve njerëzore. Ndryshe nga detektivët heronj të librave dhe filmave, nuk punoj për para; as nuk bëj favore. Angazhimi që marr përsipër, niset thjesht nga fakti se duhet të lëviz, sa të justifikoj ekzistencën.
Më quajnë Fakir Konica, detektiv i të humburve. Njerëzit më thërrasin të vihem në kërkim të jetës së tyre. Gjurmoj vetëm ngjarje që priren të zhduken përfundimisht. Një ngjarje i paraprin përherë rrëfyesit, sikundër Meka ish vend pelegrinazhi qysh para Muhametit. Unë gjurmoj gjithçka që humbet njëherë e mirë e përfundimisht në historinë tonë zyrtare. Humbje të tmerrshme këto, duke llogaritur lashtësinë e vendit. Ka shumë të humbur këtu përreth. Çdokush rreket fort të triumfojë, sepse vendi vetë bëhet përherë e më i lashtë. Kjo lashtësi bymehet aq shumë, sa e afron turirin ngjitur me ninëzën e syrit. Mua vetëm fukarallëku themelor më ka shpëtuar pa u përplasur verbazi me këtë surrat gjigand. Vetë unë, ose të paktën emri që kam, jam e është krijesë këngësh. Si çdo gjë tjetër në këtë vend, sajë mungesës së kureshtjes, ne ulemi i këndojmë çdo çast asaj çka ikën e parrokur nga mendja aq e shëndoshë. I tillë është dhe çasti i vërtetë i ngjizjes sime. Bëhet prapë fjalë për ngjizjen e emrit tim; jo timen si krijesë, si fetus që rezulton në fëmijë.
Ja pra ku nuk kam lindur ende: jam një i palindur. Ende nuk jam tamam, si me thënë. Kjo më ve në një pozitë barazie absolute, ndryshe nga gjithçka që ekziston bujshëm në vendin tonë. Veç të vdekurit dhe ende të palindurit janë në gjendje ta jetojnë këtë lloj barazie. Në këtë mënyrë ia lejoj vetes të flas për tim atë. Tashmë që ia ka vdekur, e mund ta marr lehtë e shtruar, pa m’u turrur dot njeri. Nisur nga ajo barazia më sipër. Dhe, përmbi përkatësinë e tij si « babai im » del pa-anshmëria që përjeton ai në domenin e të vdekurve. (Në atë botë hijesh ai vendoset në të kundërt të babait të Hamletit). Dhe tjetër: duke folur për të në jetë, kur ai qe, unë as ekzistoja ende, sepse kam lindur kur ai nuk qe më. Si çdokush, as ai nuk arriti të hapte varrin e vet. Paçka se qe varrmihës me zanat, si dhe i ati. Për këtë arsye njerëzit e thërrisnin “fakiri”, e gjithë karriera e tij përmblidhej në hapjen e gropës së varrit të dikujt. Por gjithsesi bëhet fjalë këtu për një keqkuptim shekullar. Si për gjithçka në vendin tonë. Ai e kish reduktuar vërtet aktivitetin në përdorimin ekskluziv të dy veglave: kazmës e lopatës. Këto dy instrumente pune, që i përkisnin zbuluesve e kërkuesve të thesarit, ishin bërë me kohë pasioni i tij tërësor. Këto vegla ai i kish zhveshur nga çdo ngjyresë e tepruar sociale. I kishte ngritur në kulmin e tyre fizik, objektiv. Ndoshta për këtë arsye njerëzit e trajtonin si fakir. Doemos dhe për të kompensuar para varrmihësit frikën ndaj vdekjes. Ndërkohë që, tim ati, ato vegla i qenë bërë aq elementore, sa uji e ajri për këdo. E pikërisht këtij njeriu i kushtuan një këngë! Konsakrim i pamendueshëm ky për një fakir. Mandej, fakti që sfondi i kësaj kënge qëlloi të ishte dasmë, kjo sa i shton ironinë fakteve. Gjë që unë s’e analizoj dot, përderisa atë çast as që ekzistoja fare. Në këtë pikë iu ngjaj artistëve aborigjenë: ata nuk guxojnë të pikturojnë territorin të cilit s’i përkasin. E as do kisha ekzistuar, sikur të mos kish ndodhur kjo dasmë. Për më tepër që nuk ish dasma e tim ati. Ai ndodhej aty i pavënë re. (Këtë aftësi trashëgim e përdor unë tani për gjurmimet e mia). Festa dasmore e përfshinte edhe tim atë. Dasma duhet të jetë vetiu e gjerë – si bazamenti ku shtrohet e ardhmja. Tollovia që e shoqëron dasmën përsërit disi zhurmën e punës për ndërtimin e banesës. Kënga, mandej, ia heq kujtimin e mundit dhe punës. Djersa nën sqetullat e çiftit mbetet prapëseprapë. Por është më e ëmbël se e muratorëve. Me të çifti i ri puqet e krijon njëfarë peme brenda strehës së re. E në çastet e para të martimit, kjo strehë ngrihet ngadalë, në sytë e çiftit, e me lëvizjen e maces që lëpihet për t’u pastruar. Të themi që kjo kafshë tekanjoze dhe e ngeshme mbetet shkak kryesor për ekzistencën time, duket njëfarë nëpërkëmbje e universit thelbësisht njerëzor të evenimenteve, të mira apo jo, por që i garantojnë atij ekzistencën, për të cilën gjuha jonë spërdridhet veç për të na e treguar. Mirëpo, prapë mbetet kjo: që duke ndjekur një mace, im atë po shkonte, pa e ditur, drejt meje. Kështu, në atë dasmë, ku e kishin pranuar të merrte pjesë, pa e vënë re, pa ia varur, s’isha unë, por as ai. Dhe si ndodh këtu nëpër dasmë, të ftuarit flisnin për gjithçka që nuk ndodhte aty. Dasmorët gëlonin në diskutime e shkëmbime. Bisedat kërcisnin me zhurmë. Të ftuarit nuk dëgjonin praninë përkatëse aty, atë çast. Secili po vërtetonte me dell urrejtjen e të qenit apo të ndodhurit aty. Ballë këtij tipari të vetëm të shenjtë, që i ka mbetur kësaj ceremonie, askush nuk ndodhi ta vërente çastin kur nusja briti: i kishte humbur papritur unaza! Nuk e kish më në gisht rrethin. Paniku i plasi egërsisht jo vetëm në fytyrë, por në gjithë qenien, siç thuhet aq gabimisht. Nusja kishte humbur unazën, që deri atë çast e kishte bërë të padukshme. Asnjeri s’merrej me të. E padukshme në sytë e diskutantëve dasmorë. Atëherë nusja u gjend në pozitë të vështirë. Jo lakuriqe, si e do shprehja e urtë. Por mëse e dukshme tashmë, mu në mes të diskutimeve lakuriqe të dasmorëve. Brenda kësaj lakuriqësie pat ardhur çasti i triumfit të tim eti. Si personi me zanatin më të nëpërkëmbur, i kërkuan të kridhej në kërkim të unazës. Askush tjetër s’do pranonte të rrëmonte ashtu. Prandaj të dy krushqit i premtuan gjithçka do lypte, veç t’i shpëtonte nga kjo lakuriqësi familjare në mes të dasmës. Dhe ai i hyri mihjes e kërkimeve poshtë tavoline e kudo rreth. Varrmihësi i zonës po mihte tani, por në sipërfaqe, anash. Duke qenë aq pa rëndësi në “sytë e të tjerëve”, kishte kohën dhe ngenë e duhur të vërente detaje që gjithkush aty s’mund t’i perceptonte. Atëherë e kish vënë re se nusja e vështronte me bezdi, me krupë madje, peshkun që i kishin servirur në pjatë. Ajo e kapi peshkun nga koka e përtharë, vështroi pjesën e çarë të barkut, vijën e salcës së kosit në të çarën … E ngriti lart dhe e këqyri. Ndërsa dasmorët po grindeshin për radhën e valles. Aty për aty nisi grindja, se kush kish paguar orkestrën. Një pjesë e orkestrës nisi një melodi, ndërsa pjesa tjetër nisi një tjetër. Kjo befasi e tronditi nusen. Dora iu drodh, nëpër gisht unaza i shkiti brenda « sallcës » në të çarën e peshkut. Krisma e revoles së grindjes e tronditi dhe më. Peshku i shkau nga duart dhe ra drejt e në gojën e maces që vigjëlonte me kohë aty pranë. Kështu përfundoi unaza flori mes salcës së kosit me disa fragemente kastraveci. Mbi të u hodh si lakuriq nate macja e zezë. Kështu dasma u shndërrua në luginë. Ku sytë e dasmorëve hovnin si bletë të tërbuara. Sikur i filmuar prej atyre syve, im atë shpejt u përkul, u fut poshtë e nisi të rrëmonte sipërfaqen e dasmës. Njerëzit nuk reaguan. E pandehën këtë sjellje si tipike prej fukarai të gatshëm për të marrë një shpërblim ç’t’i dalë. Por ata s’kishin llogaritur një fukarallëk më të madh akoma. Sepse ai, kur iu turr pas peshkut në gojën e maces, që e tërhiqte ta konsumonte rehat nën një strehë, imazhit të tij i binte ashtu pas. Vetëm në këtë turr siguron njëfarë imazhi lypësi e pabukësi, ndërkohë që mbeturina, mbi të cilën hidhet, jeton çastet e fundit të imazhit të sendit nga rrjedh. E ndoqi peshkun instinktivisht. Tek ai peshk qenë mbledhur krejt copëzat e jetës së tij të pavëreshme. Me gishtin tregues drejt, ai u shtri barkas mbi cipën e dasmës, në kërkim të peshkut hajdut. Në këtë falje të improvizuar pa dashje, im atë duket lundronte në atë “ujë” për të cilin si Bibla e Kurani* ndanin opinion të ngjashëm. Një dritë duket i shpërtheu tim eti në sy. Dhe ai e dalloi macen që po mbytej me unazën në grykë. Macja kollej e gërrviste fytin për të nxjerrë andej unazën. Macja u koll sërish të nxirrte pengesën e florinjtë. Në vrullin drejt vetes, varrmihësi kuptoi se macja po burgoste në grykë imazhin e tij. E mbërtheu kafshën nga gryka. E shtrëngoi, e shkundi, e troshiti, si çdo popull që lufton për të drejtën e figurës së vet “në sytë e botës”. Ndërkohë, duke përfitur nga tollovia, të rinjtë lëshuan pa radhë muzikën e tyre, Two wrongs that make a right. Macja e volli ushqimin, me tingullin kh aq karakteristik. Cifla pështyme e peshku e salce hovën jashtë. Dielli vezulloi në topthat e pështymës. Ciflat e peshkut bojë hëne ngelën një çast në ajër, ndërsa sytë e maces pikëluan si yje diku larg. Varrmihësi e ndiqte këtë skenë nga sipër. Syri i tij e pa syrin e skuqur të peshkut si u lëshua rruzë e vockël përdhe. Pastaj, mes atyre lëndëve kaotike e të paforma, u hodh dhe unaza rrethore flori. Ajo doli nga errësira e maces, dhe ra pikë mbi pëlhurën e zhubravitur të dasmës. Varrmihësi e uli poshtë dorën me macen ende kapur nga zverku. Me një gjest po aq të qetë. Gati të krahasueshëm me aktin e profetit, kur nisi preu me thikë pjesën e tunikës, mbi të cilën flinte macja e tij, për të mos e trazuar. Sepse im atë u turr e futi gishtat mes vjelltinës. Rrëmihu dhe më në fund e ngriti para vetes atë disk të hollë. Nuk kërkonte hënën ajo ekstazë. Por shpejt e fshiu pas mollaqeve me pantallona të grisura e pa xhepa. Një pjesë e hënës mbeti aty në dok.
Gjithë sa rrodhi më pas mbetet rezultat i aplikimit të dobësive, me të cilat njerëzit zbukurojnë virtytet. Sepse “faji”, rezultat i të cilit ishte dhe ekzistenca ime më pas, i bie tërësisht përsipër përdorimit pa fre, keqpërdorimit që i bëjnë devizës së Fjalës së dhënë. Është ndryshe nga ç’mendohet në vise larg nesh. Atje këtë përdorim e konsiderojnë institucion fisnikërie e sinqeriteti. Por veç ne na ndodh ta shohim sesi mbrojtja e fjalës së nderit mishëron edhe tregtarizimin e marrëdhënieve. Kaq gjë nuk arrijnë ta dallojnë dot të ardhurit nga viset larg nesh: sesi jetojmë ende modelet demode të negocimit. Ky është ndryshimi. Këtu, sekushi e mban fjalën e dhënë, domethënë e jep gjithë duke e mbajtur atë. Ose, thënë ndryshe: sekushi do që tjetri ta dijë në mënyrë konstante që tjetri ia ka dhënë. E tjetri i tjetrit sjell po atë Un të fillimit. Kështu, tregtia e fjalës, që vetë është dhuratë hyjnore, mbetet shkëmbim shterpë. Mbi këtë parim funksionojnë OJQ-të e satelitët e vet. Krushqit i kishin dhënë fjalën varrmihësit fukara të kërkonte ç’të donte nëse do gjente unazën. Ai e gjeti, dhe lakuriqësia e dasmës u mbulua. Ai e ngriti unazën lart. Ia zgjati dhëndrit të hutuar. Pikërisht atë çast gjithçka ngriu në vend. E dasmorët për herë të parë e dalluan varrmihësin. E panë kokë e këmbë, më në fund. Gjithmonë e kishin parë nga gryka e lart, të zhytur në ndonjë varr që hapte. Ndoshta ky kujtim, ky imazh i cunguar nga mesi e poshtë, u farkëtua në mendjen e krushqve. Iu kujtua pamja e tij zhytur përgjysmë në dhé, në varre. E menduan cung nga mesi e lart vetëm. E mbase vetëm kështu vendosën ta mbajnë fjalën e dhënë. Kur ai, që do bëhej atë çast im atë, lypi një kërkesë të pazakontë. Si shkëmbim për unazën që sapo gjeti. Kërkesa e tij bëri skandal. Dasmorët mezi e përtypën. Grindjet fillestare mes njerëzve të nuses e të dhëndrit nxorën në shesh të palara që nuk qenë risi. Në kompensim të cingunërisë së përhershme njerëzore, e për nder të ngjarjes së papritur, lindi kënga, që është dhe amësia ime e vërtetë:
Fakiri s’i deshi gjë
Një natë të fjetur-ë
Të luajë me nusen
E të qeshë me të,
Herë mbi të, e herë nën të.
Virtyti i vetëm i fakirit është se kudo ta hedhësh, po jashtë mbetet. Vetëm kështu e garanton ai të qenit në botë. Prandaj, në ishte im atë sipër apo poshtë saj në çastin e ngjizjes sime, këtë e kërkoj tash e mot. Në çdo gjurmim timin, besoj ky është motivi i kryesor.
Im atë vdiq kështu në vend, në çastin e ngjizjes sime. Iku sajë një ngazëllimi që s’e kish menduar kurrë t’i përkiste. Mbase s’do kish thënë gjë fare, nëse krushqit nuk do e mbanin fjalën. E thjesht do njësohej sërish me fatin e tij si fukara, e kaq. Mirëpo, ja që ka arsye pse ka dhe histori. Nëntë muaj më pas, nusja e dasmës më lindi. E të nesërmen u zhduk pa gjurmë. Unë, biri i varrmihësit fakir, e kam emrin të formuar ngadalë, në distancë kohore, jo si të gjithë fëmijët. Termi “fakir” më mbeti emër, për arsye që kuptohen kollaj. Për vite u enda vetëm me një emër, pa mbiemër. Si heronjtë e lashtësisë. Deri ditën kur dikush erdhi të bënte regjistrimin e popullsisë. Ai më mori në fotografi, dhe kërkoi emrin e plotë ta shënonte në regjistër. Banorët i shpjeguan emrin tim të pjesshëm. Dhe sesi im atë kish qenë njohur si “fakiri” varrmihës. Atëherë regjistruesi kroi kokën. Pa ditur ç’të bënte, shtyu lehtë anash aparatin fotografik. Kur sakaq e afroi drejt vetes, lexoi markën e aparatit fotografik, dhe shpejt shënoi në regjistër: Fakir Konica.
Ajo fotografi është gjithë sa më ka mbetur nga fëminia. E mbaj në xhep sa herë jam në gjurmim të ndonjë rasti, nga ato që janë përherë gati për të humbur.
Varret-fytyra ose Vezëbook
I dalloj fytyrat sepse i shoh përmes stofit që tjerrin sytë e mi
Khalil Gibran
Nuk qeshë i vetmi që asistova në këtë skenë. Edhe termi “skenë” ngjan ca i tepërt. Nëse del këtu në pah, vjen nga fakti se atë ditë unë dhe kortezhi, ku isha pjesë, mbetëm gojëkyçur para asaj çka pamë. Vërtet na u bllokua goja, ndërsa sytë rrokën skenën, si vala e detit shkëmbin.
Mora pjesë në një varrim, ndërkohë që i ndjeri s’ishte i njohur imi. Asokohe dhe varrimet po zhdukeshin si zakon. Personi i familjes kryente i vetëm ritin funerar në varrezë. Pastaj ftonte në kafene miqtë për kryeshëndoshë. Sepse « nuk kemi më ngenë e duhur të shoqërojmë të vdekurin e të përjetojmë sërish sëmbimin », nënvizonte Shagiri, më antiarkaiku i vendit tonë. Ky, madje, kish punuar gjatë e shtruar që t’ia adaptonte këtë rit të shkuar kafenesë. Saj kontributit të tij, gjuha e përdorur për ngushëllim familjes së mortit i afrohej gradualisht, po sigurt, thirrjes kamerierit për porosi.
Familja që shoqëroja ishte nga të rrallat me zakone të vjetra. Mes kortezhit, po gjurmoja, si zakonisht. Në fund të ceremonisë, kortezhi mori rrugën e daljes nga varrezat. Kur, pas shenjës së papritur të dikujt mes grupit, ndalëm. Kthyem kokën nga ku tregonte gishti i tij. Dhe dalluam dy koka varresh ngjitur me njëri-tjetrin. Në pamje të parë s’kish asgjë të veçantë në atë mjedis. Por shpejt dalluam se ishin dy varret e dy grave. Të paktën nga emrat përmbi pllaka. Ndërsa fotot sipër … ishin portrete meshkujsh.
Ja dhe disa detaje që veçova më pas. Njëri nga burrat, te varri i njërës nga gratë, kishte qenë oficer i policisë. Gruan e tij e kishin gjetur një ditë të vrarë; të masakruar madje. Në fillim qe zhdukur pa gjurmë. Mandej e kishin gjetur në një troll gati për ndërtim. Në trollin ku e gjetën më vonë s’kishte asnjë kodrinë dheu, apo shkurre. E gjetën në një sipërfaqe si të qëruar, thua vrasësi kish marrë sa duhet kohë për ta pastruar territorin. Që ta linte pastaj kufomën në pastërti të kulluar.
Pas ceremonisë mortore do të niste dhe hetimi serioz për gjetjen e autorit të krimit. E duke qenë vetë oficer policie bashkëshorti i gruas viktimë, policia e mendoi të arsyeshme t’ia linin atij ndjekjen. E vërteta është se këtë vendim prisnin heshturazi dhe familjarët e dy palëve. E sidomos ata të gruas, të viktimës.
***
Shprehja fort e njohur “vaj me-det” natyrisht nuk ka të bëjë me sasinë e vajit në ujin e detit. As me ndonjë detaj preciz fizik, si për shembull : ai i vajit që pluskon mbi ujin. Por, në rastin konkret (lidhur me ngjarjen në fjalë), këtë frazë e pat lëshuar babai i gruas viktimë, pra vjehërri i bashkëshortit polic. As kish të bënte kjo frazë e plakut me ndonjë detaj që vinte nga jeta e tij prej pijetari. Sa herë ai e tepronte në pije me miq, i hidhte stomakut dy tri lugë vaj ulliri këmbe. “Kjo ta vesh barkun e t’i mbron paretet e stomakut”, i pat shpjeguar pijetari i thekur dhëndrit, dikur, pas fejesës. « Kështu e mban mirë pijen, se vaji rri lart, pluskon mbi lëngjet e tjera ». Ai vazhdonte e cyste rioshin, që mezi priste të rrinte vetëm me të fejuarën. « Kështu alkooli nuk ngjitet lart e mund të pish si fuçi”, orientonte plaku. Po jo: atë klithmë vaj-me-det, babai i viktimës e kish lëshuar, kur oficeri i policisë shpalli se nuk do t’i hynte hetimit, nuk do vihej në kërkim të vrasësit. E kish bërë të qartë se nuk kish ndërmend të shkonte pas gjurmëve të kriminelit, “si zagar”, pat shtuar ai, në habinë e pamatë të familjes. Fillimisht familjarët pandehën se kish rënë në krizë nga humbja e rëndë. Menduan se si rrjedhojë kish pësuar njëfarë krisje brenda vetes. E ky sy, i zgjeruar në formë plage të padukshme, e bënte të mos shihte më larg se lëkura e vet. Po të kish patur ndonjë filozof (nga ata me diplomë) në fisin e tyre, me siguri do kish shtjelluar se nuk ia vlente të çoheshe e të viheshe në lëvizje rreth-e-rrotull. Sepse më keq do ishte ta kritikoje personin në këtë gjendje krize, sa ky qerthull aty do e çonte prapë.
Por, ditë kaluan, dhe oficeri polic sërish e përforcoi vendimin: se nuk kish ndërmend të gjurmonte autorin e veprës penale. E për më tepër, iu përgjërua me ngulm edhe policisë, pra kolegëve, të mos i hynte asesi kërkimit. Se sa e morën parasysh këtë “kapriço” zyrtarët e rendit, nuk mas dot. Nuk gjurmoj dot deri në rangje të tilla, që as më interesojnë hollë-hollë. Porse të dyja familjet ishin shkrehur rëndshëm në vaj. Sidomos nëna dhe dy motrat e gruas viktimë. Madje, njëra nga motrat, që dihej se kish uruar dikur të fejohej vetë me policin, pra me kunatin, lotonte më shumë se të tjerat. Ideja që ky fat dyfish i zi mund t’i kish rënë asaj në kokë, e ngryste në urrejtje e dëshpërim të barabartë. Një lumë i pafre lotësh derdhej në atë familje. Sa fqinjëve iu mbush mendja se një det i tërë mund të formohej, nëse ato lotë grumbulloheshin diku.
Ka patur një rast të ngjashëm, shumë kohë para kësaj ngjarjeje. Por bëhet fjalë për ndodhi të parrokshme nga mendësia e sotme. Dhe që i përkiste një kohe, kur “tipi” që pat krijuar tokën kish nisur të vajtonte, si e kaploi ndërgjegjja. Dhe, si kish ulur sytë poshtë, dalloi pikla të shkëlqyeshme, pra lotët e vet. “Nga vaji pa fre, lotët e tij, ranë poshtë atij vetë”, thuhet në këtë ndodhi, “e u bënë detet që ne shohim sot**”. Ky kuptim kish prekur tashmë, si detet tokën, dhe familjen e gruas viktimë. Kështu shprehja vaj-me-det u regjistrua në gjurmimin tim, krah detajeve të tjera. Vajtim i rëndë, por dhe i arsyeshëm. Sepse dhe bashkëshorti-polic me gjasë po aq arsyeshëm përsëriste: “Nuk e kam në mend të nisem pas gjurmëve të autorit! » Porse, çdo gjë në botë hetohet. Kur e pyetën se ç’kish ndërmend të bënte, ai foli shkurt, e tha se vetëm do shihte. Qysh prej atij vendimi, ai shkonte çdo ditë, qysh në mëngjes, te varri i bashkëshortes. Anëtarët e familjeve, që ishin treguar të sertë dhe inatçorë me këtë vendim, e merrnin nëpër gojë kotësinë e atij qëndrimi. Të gjithë mendonin pasojat, të ardhmen. Ndërkohë që përsëriste si maniak se tani: tani veç do ulej të shihte!
Familjet tani përsërisnin bashkë se krimineli kthehet përherë te vendi i krimit; por jo te vendi i varrimit. Thonin: përvojë as e parë, as e dëgjuar. E kjo i bënte t’i mëshonin dhe më fjalës së urtë, ndërsa shihnin këmbënguljen e tij “prej mushke”. E baballarët e familjeve e përmbyllnin ritualin, duke shpallur se burri ishte veç një « copë-gomar ». « A thua po rri në kafe ! » habiteshin familjarët me këtë survejim habi të tij të gropës së saj.
***
Me sytë e mi prej fakiri, e prej biri varrmihësi, e përfytyrova skenën: burrin të ulur te buza e varrit të gruas. E prej ay e hidhte vështrimin para. E lëshonte sikur një rrjetë peshkimi perzevoll në ujë; e priste që shikimi të binte ngadalë, ngadalë, e të prekte tabanin e rërës.
Ndoshta çfarë s’e kap syri, e thotë goja. Çfarë hyn në legjendë bëhet legjendare menjëherë. Kështu rrjeta e vështrimit të tij binte e kapte peshk kurmin e së ndjerës nën dhé. Ai rrinte i ngujuar në trollin e varrit të saj. E ajo ia mbante vendqëndrimin me një dorë, e shtynte për sipër, për ta rehatuar në atë kundrim prej peshkatari allasoj. As shpirt tashmë, as perlë në gropë të dheut, gruaja viktimë sa i lëshonte dheut eshtrat e saj, çka s’e bënte trollin as më të pasur, as më të çuditshëm se më parë. Ndërkohë që gjithë zona ia kish ndaluar atij të kthehej e të hynte aty, sa kohë vazhdonte këtë kokëfortësi.
Kështu nisën aktivitetin kureshtarët e familjes. Sjellja e pazakontë e dikujt në raste ngjarjesh, ku norma zë vend vetiu, shkakton trazimin e njerëzve që s’e dinë si do kishin vepruar në vend të tij. Herët e para, i deleguari i familjes së policit, u nis të përgjonte qëndrimin kokëderr të këtij, teksa refuzonte të gjurmonte autorin e krimit. “Unë jo, as që dua”, kishte përsëritur ai sërish para vërejtjeve të shumta. Përgjuesi ishte kthyer, kish raportuar çfarë kish parë varreza. Por familjet ngurronin ta absorbonin imazhin që iu raportohej. E dëgjonin rrëfimin e përgjuesit të radhës. Mirëpo, sa herë që këta raportonin çfarë kishin parë, familjarët rrinin si para ndonjë video të vënë në pauzë. Ky qëndrim i policit të varreza, duke pritur i fiksuar, as bënte orvatje “t’u mbushte syrin” atyre. Thjesht imazhi i tij nuk ua mbushte syrin. Pamja e burrit të ngulitur te varri i së ndjerës iu dukej shumë e varfër për ta komentuar. E prandaj, shpesh ata mjaftoheshin vetëm me një: “Epo kjo!? Dhe njëlloj si bënin redaksitë e lajmeve, familjet dërgonin dikë tjetër, një tjetër kushëri, të përgjonte qëndrimin e burrit e të kthehej ta raportonte.
Derisa një ditë përgjuesi më i vjetër ishte kthyer. Familjet e ulën të niste të rrëfente. Dhe ja çfarë rezultoi: Qëndrimi i burrit atje, ishte krejt e fiks qëndrimi e vështrimi i gjyshit të familjes, kur ky rrinte dikur me sytë ngulitur kazanit të bakrit ku ziente rakinë. Po ajo rëndesë e përhumbur, si një elefant stërmadh, por prej tullumbaci; ajo ngulitje që babëgjyshi shfaqte ndonjëherë, kur ziente bërsitë, e tërhiqte ca zjarrin poshtë kazanit, që currili i rakisë të dilte sa më gradual, i ftohtë, dhe jo i trashë e i nxehtë, ndryshe, alkooli avullonte dhe rakia dilte shumë e butë.
Ky “imazh” për familjarët ishte një histori, dhe kjo ua shtonte dhe më enigmën. Paçka se skenën me gjyshin e kishin të njohur e boll të deshifrueshme. Vura re se po përjetonin të gjithë atmosferën e romaneve me detektivë, pa e ditur. Romane që bëhen me gjëra që të gjithë i njohin, porse, nga mania për të mbushur menjëherë syrin, shkojnë me uri drejt e te përfundimi, pikërisht te imazhi që s’është aty. Kështu lexuesit nuk pranojnë dot, që, ato çka nuk ndodhin në histori, janë prapë diku midis nesh.
Këtë ma përforconte prania e asaj pemës së lartë e të harlisur atje buzë varrit, ku priste ai, ngultazi. Nga mënyra sesi degët krejt i vareshin veç në njërën anë, të vjetërit ia kishin ngjitur nofkën “pema flamur”. Dikur ajo pat joshur jo pak njerëz. Sajë imitimit që i bënte mjekrës së Moisiut të Biblës. Disa e merrnin dhe si imitim të shkurres prej flake, që i foli dhe liderit Moisi. Pak rëndësi ka kjo tashmë. Sidomos para rrëfimit se kjo pemë qe bërë sebep për një pelegrinazh të hershëm dhe mandej për vendosjen e një popullsie hebreje në vendin tonë.
Sepse i paqenë iu dukej familjarëve ky qëndrim i policit hetues. Por unë nuk bëj pjesë në asnjërën familje. Kështu që s’kam si them konkretisht çfarë nuk donin tamam të shihnin ata. Sipas gjasave, e bazuar te raportet e përgjuesve, polici enigmatik në pritje, as nuk i ngrinte sytë në horizont, sikundër pritet nga këto lloj soditjesh “pa bukë”. Të paktën unë për vete kështu do bëja, instinktivisht. Ka mundësi që polici hetues, i rrahur me investigime, ta ketë ditur që asgjë s’ka përtej horizontit. Domethënë se bota vazhdonte, natyrisht, përtej vijës së horizontit. Vazhdonte, por as e ftohtë, as e ngrohtë. E me gjithë çka, në fakt, s’është tamam gjë përtej tij. Aq sa pyes veten në është gjë vetë horizonti përtej vetes !? Këtu e ka burimin dhe nofka “Fontanë e virgjër” që ia ngjitën banorët policit, në buzë të varrit të gruas. Pra, po të më kishin çuar mua si përgjues, them se do i kisha ngatërruar më keq familjarët. Sepse do u tregoja se ai ishte njeri-pa-horizont (bazuar te sa më sipër). E këtë me siguri do ma merrnin për fyerje ndaj birit të tyre. Për më tepër që, sado enigmatik, edhe ai ishte në hall të rëndë. Ndërkohë që unë e kisha më lehtë. Sepse do t’u thoja që ai njeri kishte rreth vetes sendet e hallin e tij, veç horizontin jo. Nisur nga mënyra e tij e qëndrimit dhe vështrimit. Dhe do u thoja se, kur ai rrinte ashtu i ngulitur, kokulur, nuk rrinte asisoj para botës, para krimit, apo familjeve (që e trajtonin si “gomar”), por vetëm para horizontit … Kuptohet lehtë pasoja që do sillte ky lloj raportimi te ta. Ndaj jam fatlum që kam veç një rol fakir në këtë histori. Gjë që më jep të paktën kohën dhe mundësinë të “shoh” me nostalgji kohët para shpikjes së mjeteve të transportit. Kur njerëzit sa ngrinin ndonjëherë vetëm sytë lart, kur gjenin kohë: kohën e ngritjes së syve lart. Dhe i ulnin prapë; por duke marrë diçka me sy nga horizonti, një dorë prej tij; dhe e hidhnin drejt e në trup, e në shpirt mandej. Kështu që drita qenkësh shpikur shumë më vonë nga ç’na e kanë mësuar.
Por, para se të hallakatem kot e të më marrin për konservator, të them më mirë faktet, me sa mund të mblidhja në aq hapësirë sa ofron varreza. Duke ndenjur në pritje, anash varrit të ish bashkëshortes, policit hetues sikur i vinte një zë i fshehtë, dashamir, por dhe i sertë, që i tregonte vendin:
“Ti je pjesë e kësaj historie. Autori i krimit, do s’do, të ka bërë personazh të saj. Kur vrau bashkëshorten tënde, dashur pa dashur të futi dhe ty në lojë. Ti e di tashmë ngjarjen, por jo vetë historinë. Ti di rezultatin, por jo ecurinë, as detajet. Sesi ka ndodhur, mund ta marrësh diç me mend. Përfshirë dhe ndonjë detaj fizik të autorit, ndonjë përfytyrim. Sidomos mbi surratin e tij. Që është dhe pjesa më e vështirë, sepse është më vendimtarja. Sepse në këtë gjendje ku je, autori është, për çastin, veç detaj. Ai të ka përfshirë në lojë. Me të, e sajë tij, ti ke lindur për së dyti. Ke lindur si hap i tij, si troll ku ngulet një gjurmë e krimit. Ngase ai ka marrë arratinë. Dhe ka hyrë kështu në botë si i palindur. E ta gjurmosh tani, do të thotë të bësh lojën e tij. Të lëvizësh nëpër ç’ka mbetur nga roli i tij. Përderisa tani ai vetëm sa kërkon të fshihet. Pra don të mos jetë. Prandaj detektivi ndjek hapat e tij e bëhet gradualisht njeriu që i ka bërë tashmë ato hapa. Romani detektiv është veç një shkretëtirë, por me hapa në vend të rërës. Ndaj ana sociale s’ka më rëndësi në këto rrëfime. Gjithë sa do autori i krimit është të mos e gjejnë. Jeta e tij i ngjan sportistit që s’del kurrë nga stoli i rezervave. Prandaj ai rreket të kthehet në vendin e krimit. E në këtë mënyrë ka triumfuar ligji dhe drejtësia. Edhe nëse ai del një ditë para tyre, ti personalisht, po e ndoqe, do kesh ecur këmbëshqyer apo shalëngjitur me atë hapin avdall kur kalon përgjatë dy shinave të trenit. Duke u munduar të vesh hapat sa më puq gjurmëve të tij. Gjurma e tij, do s’do, bëhet kështu kallëp i këmbës tënde. Dhe pa ndonjë siguri të madhe, përsa gjurmët e tij janë të padukshme. E prapë shumë të zhurmshme. Atëherë ti do jesh veçse një copë dëgjues vesh-gricur para drejtësisë, nëse autori i krimit del para saj një ditë. Dhe ti, sikur avokati i vetes të bëheshe, nuk ia merr dot atij kafkën në duar, lart, pa e hedhur edhe veten në gjyq …”
Ndoshta një zë si ky e bënte policin “gomar” të rrinte i ngulitur buzë varrit, si shelg njerëzor. Nga degët e të cilin kullonin thjesht hamendjet, sikurse fjalët e 1001 Netëve kishin treguar, pa hiç shkrim, sesi “krimineli është vetë krim e vetë ndëshkim».
Nuk di saktë, por dukej se në mishërim të gjithë kësaj rrinte i menduari ngujuar buzë varrit të së ndjerës. Aty ngjante diçka që lidhej a që kish të bënte me shiun. Veçse kësaj here, ai shi binte brenda tij. Si një monolog i shtruar, por me fjalë torturuese. Shi i brendshëm, krejt vertikal, që bie në fakt si “lotët e qepës”, teposhtë syve të dikujt që vazhdon t’i presë ndërsa gjella ka filluar të ziejë.
Kështu ishte kthyer prej andej dhe përgjuesi i fundit. Pasi kish zhbiruar pozicionin e policit hetues te varri, ishte kthyer te familjet. Porse tashmë ai ishte i ndikuar thellë nga rrëfimi i përgjuesit më të vjetër. Sidomos nga historia e plakut para kazanit ku vlonin shpirtrat e alkoolit. Ndaj, i ndikuar prej tij, por dhe me njëfarë ngrefje, ai kish treguar se pozicioni i policit hetues ishte kështu: një kokë, që për trup kish kazanin e avujve të rakisë së gjyshit. Bënte fjalë për një kazan të padukshëm, doemos, figurativ. Dhe se tani hetuesi i ngulitur nuk vështronte më shumë drejt, para vetes. Duket ai s’kish më vete, s’ishte në vete, kështu që para apo pas saj, vështirë ta pozicionoje mes tokës dhe vijës së horizontit. Dhe se Eskili një si ai duhet të kish parë, për të thënë se: « Boll të qash më vete viktimën, dhe haka vjen pastaj vetë! » Përgjuesi nuk kishte fuqinë e poetit. Por e dallonte shkarjen e vështrimit. Dhe lajmëroi familjet se biri i tyre këqyrte tani nga një kënd i ri. Dhe dukshëm i nguliste sytë anash, te varri i një gruaje tjetër.
***
Tek ai varr e kish orientuar policin në zi varrmihësi i atyshëm. Një ditë, ky ishte gërrmuqur nga mundimi. I mbështetur pas bishtit të lopatës, si për t’i vënë furkë një dege të rënduar nga ujthi i vet. Pak më tej, njëlloj i ngulitur si beli i tij në dhé, dukej polici hetues i fiksuar. Dhe i kishte folur varrmihësi nga pas shpinës: “Ujët s’fle, se për kockat është armiku numër një”. Ky transformim i parullës së dikurshme, që ishte dhe kulmi i përdorimit të natyrës për ilustrime politike, e kish bërë hetuesin të kthente kokën. Koka doli papritur para syve të varrmihësit. Menjëherë moti kish ndryshuar, sapo u shfaq koka e hetuesit. Mu në mes të shiut, që binte qysh në mëngjes, kish plasur dielli. Rrezet çanin gjerë mes piklave. Përmes kësaj “dasme merimangash”, siç thotë kënga fëminore, të dy kishin parë një burrë që hyri në prag të portës së varrezës. Por, pas soditjes së gjatë e të ngulitur, hetuesit nuk iu duk e papritur shfaqja e atij vizitori. Dukej se shiu e solli aty me një të rënë, thua një rreze dielli, që çan vrik ajrin si teh.
I ardhuri ndenji fillimisht brenda kanatit të portës së varrezës. Pastaj qe endur vërdallë midis varreve e lexonte emrat mbi pllaka. E më në fund kish mbërritur te varri ngjitur me atë të gruas së hetuesit. Aty ndali, ndryshe e çante maja e vështrimit të tjetrit, policit.
Arsyeja përse hetuesi ngulmonte prej kohësh në atë varr ishte e thjeshtë: varrmihësi i kish treguar se aty prehej jo vetëm një grua që kishte vrarë veten; porse e kishin varrosur po atë ditë me bashkëshorten e tij, pasdite. Ky detaj i humbur, i harruar, e kish bërë hetuesin më ngulmues.
Burri i sapoardhur kish shqyrtuar njëherë varrin e gruas së vetëvrarë. Pastaj dalloi fiksimin e hetuesit mbi pllakën e varrit të saj. Kjo e kish bërë të dyshonte për ndonjë “gjë në atë mes”. Dhe ishte turrur drejt tij. Por, më shumë se mërdhezje e furi, ai kish lëvizur, sikur t’i hynte hetuesit drejt e në tru. Dhe për pak sa do hynte. Sikur të mos qe futur mes tyre tampon varrmihësi. Koka e tij pluskonte në ajrin e ngjeshur e të tensionuar mes dy burrave. Ashtu krahët s’i dukeshin më. Si Adami i hershëm ai mihte lehun, ku po mbillej historia e atyre dyve. Aty mbi trollin, ku hapte dhé e ndërtonte banesat më afatgjata në botë. Përditë, si dhe im atë dikur, ai shqyente gjymtyrët e dheut e me to formonte këto banesa, brenda të cilave banori futej e tretej përgjithnjë. Një flutur kish hovur pastaj përmbi kokat e tyre. Ndryshe pamja do dukej statike pa kufi. Dukshëm shpirti, hija e atyre dy grave në varre s’kishte dalë akoma. Aroma e dheut përplasej pas qiellit, e kështu sikur binte prej andej. Aq sa i bënte të njëjtë të dy, qiellin dhe tokën. Në këtë tokë, në kodrinë, vetëm sytë e tyre dukeshin gjë e gjallë. Deri në çastin kur një lepur kish kaluar, i trembur. Pastaj kish hyrë për t’u strehuar në një kaçube. Kështu e bënte lepuri ditën strukje, errësi.
***
Të dy burrat rrinin tashmë turivarur, “të bërë dhé”. Dhe çdo formë e njohur përhumbej në këtë puqje të re mes qiellit e tokës. Buzë varreve përhumbte dhe urrejtja, inati e format e tyre sipas nesh. Bashkë me të vërtetën, sado pus e e thellë të jetë.
E vërteta është se burri i sapoardhur ishte pikërisht autori i krimit. Ai kishte vrarë gruan e hetuesit. Ndërsa gruaja në varrin ndanë saj, ishte bashkëshortja e tij. E tërbuar, dhe e shëmtuar, kish vrarë veten nga dëshpërimi, kur kishte marrë vesh lidhjen e burrit të saj me gruan e hetuesit. Meqë i fshihej drejtësisë, ai natyrisht s’kish marrë pjesë në varrimin e gruas së vet.
Fillimisht nuk kish patur as fotografi në pllakën e varrit të gruas së hetuesit. E ëma plakë e këtij, skile plakë, ishte në dijeni të lidhjes së nuses me burrin tjetër. Nusen e djalit s’ia kish patur ënda kurrë. Sepse i ati i nuses nuk kish pranuar ta merrte grua dikur. Ajo kish bërë çmos që, kur varri të hapej, fytyra e “të pafytyrës” që mbante mbiemrin e saj, të mos ngulitej në pllakë. E ngadalë, gradualisht, sajë ngulitjes së hetuesit te varri i saj, portreti i tij kish zënë vend në pllakën e saj. Kjo nuk kish ndodhur realisht, sajë ndonjë transporti magjik. Por boshi total i figurës së saj kish zaptuar krejt botën e tij. Mungesa e portretit të saj qe përhapur gjithkund sajë syngulitjes së tij, që familjarët s’e kuptonin dot. E më kohë, edhe hetuesin familjarët s’e kishin më “parasysh”. Me kohë, e në këtë mënyrë, surrati i tij sikur qe hedhur në pllakën e saj; në një troll ku gjurmët as bëjnë zhurmë. Kjo habi u bë shkak që fraza: “Në fe të s’ëmës” të përmendej lumë te kjo zonë.
Që burri i sapoardhur nuk ishte kthyer për hir të dashurisë ndaj gruas së tij të vetëvrarë, kjo u duk qartë. Ai tani veç kish hyrë intensivisht në meditimin e hetuesit në varrezë. Sikur donte të merrte pjesë nga afër në rrënimin e tij shpirtëror. Por mënyra si qe shfaqur në kanatin e portës së varrezës duket e hiqte dhe këtë opsion. Për këtë arsye familjarët e shastisur i quajtën “bashkëshortët ujëvara”. Dhe me këtë emërtim të pazakontë edhe njerëzit nisën t’i shohin ndryshe, detyrimisht të ndikuar nga nofka. Banorët thonin pastaj se krahët e dy burrave qenë qepur tani pas trupit. Dhe se prej heshtjes së tyre shembullore dallohej qartë zemra poshtë mishit të tyre. Disa thanë që kishin parë qartë trurin e të dyve. Kishin dalluar ato ojat prej rrjete peshkimi në to. Dhe si peshq të trembur kishin rendur t’ua rrëfenin familjarëve.
Ky shfigurim i kishte preokupuar mandej shumë familjarët. Të dy familjet ishin puqur tani në orvatjen të shpëtonin diçka prej bijve të tyre “të vdekur të pakallur”. Të paktën t’i jepnin njëfarë kuptimi gjithë kësaj historie. Sidomos, qysh kur dy burrat qenë zhdukur prej aty pas rrebeshit të fundit, që kish zgjatur një javë. Kështu vendosën të ngjisnin fotografitë e tyre në pllakat e varreve e të dy grave përkatëse.
Kjo qe pamja atë ditë teksa dilnim nga varrezat: fotot e burrave të gdhendura në pllakat e varreve të dy grave. Nga aq largësi sa pamë, dy portrete dukeshin mjaft të ngjashëm. U afrova të këqyrja për detaje. Por diçka më pengoi të shkoja më tej. Mbaj mend vetëm se fotoja e hetuesit sikur kish nisur të zverdhej e të zbehej, më shpejt se ajo ngjitur.
***
Sa herë bëj hetime, e përmbledh ngjarjen në një fletë. Për këtë përdor një bllok të vogël, sa pëllëmba. Mundohem të mbledh me precizion të gjitha detajet thelbësore të ngjarjes. E nuk e kaloj kurrë fletën, që të mos hallakatem. Nëse përshkrimi i rastit fillon kalon në fletën tjetër, e gris dhe filloj nga e para. Derisa e gjitha të përmblidhet brenda një flete të vetme. Dhe para se të nis gjurmimin, i bëj kështu një portret-identikit të gjithë historisë.
Në këtë fletë ngjarja quhet Historia e malit që shkon te Muhameti. Citoj këtu njërin nga banorët e zonës. Edhe ky vetë pjesë e zheleve të realitetit, e atij stofi që çjerrin sytë e mi.
(c) 2022 Idlir Nivik. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënime :
*« Çdokush që falet në xhami është peshk në ujë të kthjellët », Kurani.
**Detaj nga mitet kozmogonike afrikane.
|
9,330 | https://peizazhe.com/2012/01/08/liria-per-te-shkruar/ | null | 2012-01-08T05:44:58 | LIRIA PËR TË SHKRUAR | Në kumtesën e saj me titull A JANË TË LIRË TË SHKRUAJNË GJITHË SHQIPTARËT? mbajtur në Konferencën “Gegnishtja sot”, të organizuar nga Instituti për Promovimin e Vlerave në Gjuhën Shqipe, Ledi Shamku-Shkreli u ndal në disa çështje kritike të qasjes së fëmijëve të shkollës ndaj gjuhës së shkruar. Kumtesën, e cila është relativisht e gjatë dhe teknike, e kam ngarkuar në blog dhe mund ta lexoni duke klikuar në linkun më lart; ndërkohë, dua të tërheq vëmendjen tuaj dhe, mundësisht, të nxis një debat në lidhje me pasazhin e mëposhtëm, i cili më duket veçanërisht me interes, në raport edhe me disa tema të cilave u jemi kthyer e rikthyer këtu në PTF.
Thotë autorja:
Mund të thuhet pa mëdyshje se te nxënësit liria e shkrimit nuk ekziston asfare. Pavarësisht nga përkatësia e tyre gjuhësore parashkollore, shkolla i edukon ata vetëm dhe vetëm me Gjuhën Standarde. Afërmendsh kështu duhet të jetë për lëndët si fizika, matematika, apo biologjia, por jo kur është fjala për lëndën e gjuhës e të letërsisë. Nxënësi shqiptar duhet t’i njohë mjetet burimore të shqipes, vlerat shprehëse, standard ose jo, që kanë formuar shtratin historik të gjuhës së tij amtare, pasi kësisoj mund të kuptojë e të shijojë përftesën artistike dhe dokumentore që kjo gjuhë ka sendërtuar ndër shekuj, pra vetëm kështu mund të njohë qetë dhe saktë, pa romanticizëm me sfond ksenofobik apo pragmatizëm të tipit kozmopolit, identitetin e tij historiko-kulturor. Atë identitet vijimor që nuk lind as me “njeriun e ri” të socializmit, e as me fitoren e pluralizmit në vitet ’90. Lidhur me këtë, politikat gjuhësore në Europë janë të qarta. Ilustrim i kësaj është edhe vërejtja që bëri gjuhëtari Tullio De Mauro në takimin e mbajtur në Akademinë e Shkencave në tetor 2005 në Tiranë, kur duke folur për aspekte të edukimit gjuhësor ndër shkolla, tha se: “Duhet të jemi të kujdesshëm për të njohur realisht se cila është pasuria gjuhësore me të cilën fëmijët nisin shkollën. Është thelbësore të mos u kërkojmë atyre që të flakin tutje si të ishte një faj atë çka ka qenë mënyra e tyre e parë e të folurit. Vetëm kjo mënyrë do t’u ofrojë në të ardhmen burime për të luftuar mungesën e të shprehurit”[1]. Fjalët e mësipërme, të shoqëruara aty për aty me lëvizje pohuese koke, u pasuan nga mosveprimi (si përgjigje e problemit).
Shkojmë më tej. Për një edukim gjuhësor sa më efikas, sikundër e kërkon gjuha amtare, nuk mjafton vetëm që nxënësi t’i njohë mjetet e mbarëshqipes, por ai duhet lejuar e madje nxitur që të provojë t’i përdorë ato në kodin e tij të shkruar – fjala vjen gjatë një hartimi apo sprove letrare, pasi të praktikuarit vë në provë aftësitë e tij të lira përzgjedhëse.
Këtu del faqeza një tjetër problem i cili qëndron para shkollës sonë, kësaj radhe i formimit universitar të studentëve – kandidatë për mësues të gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Ta zemë se nxënësi, duke u nisur nga njohuritë vetjake apo nga përkatësia e tij krahinore, zgjedh të shkruajë në normën parastandarde toskë, apo në normën parastandarde gegë, apo gjithë sipas shijeve personale të shtjerë në punë një sistem të përzier normativ, të cilin n’atë rast e gjykon më efikas për të formësuar krijimin artistik. Ta zëmë pra se nxënësi mundet prej vetiu; cili mësues i sotëm do të ish në gjendje t’ia korrigjonte gjuhësisht krijimin?
Sot kjo është e pamundur, pasi në formimin universitar të mësuesve të ardhshëm ka munguar krejt dhe mungon sot e gjithë ditën lënda e Filologjisë Shqipe. Studentëve të Gjuhës dhe të Letërsisë u jepet dhe u kërkohet vetëm Praktikumi Drejtshkrimor i Gjuhës së Sotme Shqipe. Natyrisht që diturinë në fjalë nuk mund t’ua përmbushë as lënda e Dialektologjisë e as ajo e Gramatikës Historike, pasi gjithkund në botë këtë formim e realizon Filologjia. Jo më kot studentët e Shqipes pranë Universiteteve të Shën Petërburgut apo gjetiu, gjatë gjithë vitit të fundit të studimeve universitare kryejnë (në një cikël të plotë njëvjeçar) lëndën e filogjisë së gjuhës shqipe, përmes së cilës mbërrijnë të njohin në teori dhe praktikë të dyja koinetë letrare parastandarde: toskë dhe gegë. Kësisoj studentët në Rusi, në këtë kuptim, e njohin gjuhën tonë më mirë se studentët në Shqipëri (?!)
Në përfundim të kësaj parashtrese, del vetiu se shqiptarët nuk janë ende të lirë të shkruajnë. Jo vetëm kaq, por shkolla shqipe vijon të rrisë qenie gjuhësisht të kufizuara, që do të thotë edhe kulturalisht, estetikisht edhe etikisht të kufizuara, dhe ky është dëmi më i madh i një politike gjuhësore, në rastin më të mirë, indiferente. Duke kufizuar gjuhën, kufizohet vetiu edhe mendimi, se, sikundër thotë edhe Nietzche, “nëse duam të dalim jashtë qelës së gjuhës, duhet të reshtim së menduari”.
Kështu, mënyra e vetme për t’u kthyer shqiptarëve lirinë e shkrimit është rikalibrimi i kursit të politikës gjuhësore ndaj shqipes-gjuhë amtare nëpërmjet :
Organizimit të kurseve të riaftësimit për mësuesit e gjuhës dhe të letërsisë, sidomos për ata që japin mësim ndër shkollat e trevave gegë, ku nxënësit e nisin edukimin e tyre arsimor nga një bazë gjuhësore tipologjikisht e ndryshme nga gjuha standarde.
Themelimi i lëndës së Filologjisë së Gjuhës Shqipe pranë departamenteve të shqipes në universitet e vendit e ku të përfshihet studimi i tri koineve letrare të shqipes: gege, toske dhe arbëreshe.
Rishikimi i teksteve shkollore të gjuhës, të leximit, të letërsisë si edhe antologjitë letrare, në mënyrë që të mos mbushen fletët, sikundër sot, me stërhollime të tepërta metagjuhësore apo me pragmatizëm vorfnor e të njëanshëm (në aparatet shpjeguese të copave letrare).
Në vështrim të parë, shumëkush do të ketë të njëjtin reaksion epidermik si unë ndaj kësaj analize dhe do të kundërshtojë me argumentin se shkolla nuk është vendi më i përshtatshëm për të ushtruar lirinë e shkrimit, meqë në shkollë nxënësit shkojnë, ndër të tjera, edhe për t’u disiplinuar nga ana gjuhësore, duke qenë kjo disiplinë një nga hallkat e kalimit nga komuniteti lokal në qytetari; dhe se, nga pikëpamja thjesht teorike, një fëmijë ose edhe nxënës qoftë, nuk mund ta ushtrojë lirinë e të shkruarit, sa kohë që të shkruarit vetë nuk është ndonjë aspekt i natyrshëm i gjuhës, por një veprimtari kodifikuese artificiale, e cila në raste të caktuara (gjuhët ideografike, si kinezçja e deri diku japonishtja, por edhe gjuhët që ndjekin parimin historik të drejtshkrimit, si anglishtja e frëngjishtja) nuk ka shumë lidhje me ligjërimin e folur, lokal dhe kombëtar; por është një sistem paralel, i cili synon jo vetëm t’u japë mundësi fëmijëve të fillojnë të shprehen me shkrim dhe sidomos të lexojnë tekstet shkollore dhe në përgjithësi informacionin e shkruar, por edhe t’i “zdrukthtojë” këta fëmijë, në mënyrë të tillë që të komunikojnë aktivisht dhe pasivisht në bazë të një standardi gjuhësor çfarëdo (çfarëdo, në kuptimin që të pasurit e një standardi është më i rëndësishëm, shoqërisht dhe kulturorisht, sesa natyra e atij standardi; sikurse në një organizatë adoptimi i një bashkësie rregullash nga anëtarët, qofshin ato edhe të këqia ose të mangëta, është më i mirë për organizatën vetë dhe statusin e anëtarëve të saj sesa të mospasurit e ndonjë sistemi rregullash).
Nga ana tjetër, autorja ka doemos të drejtë kur përshkruan vështirësitë relative të bashkësive gege, sidomos gege verilindore dhe veriperëndimore, për të përvetësuar shkrimin e shqipes standard, i cili nga njëra anë pretendon të jetë fonetik nga natyra, por nga ana tjetër i largohet mjaft mënyrës si shqiptohet e në përgjithësi si flitet shqipja nga ato bashkësi. Paradoksalisht, parimi fonetik i drejtshkrimit të shqipes, i cili duhej të ndihmonte dhe në fakt ka ndihmuar shqiptarët që të mësojnë shpejt e pa vështirësi shkrim e këndim, fillon të pengojë kalimin e rrjedhshëm nga dialekti në standard, për ato dialekte që i shmangen standardit jo vetëm në forma individuale, por edhe në strukturë (p.sh. gegërishtja me hundoret, ose grupin -ue, ose ekonomizimin e theksuar të ë-ve, sa për të sjellë ndonjë shembull të shpejtë).
Në këto rrethana, Ledi Shamku-Shkreli propozon një sistem të diferencuar të alfabetizimit shkollor, sipas krahinave dhe veçorive dialektore, i cili nuk mund të zbatohet, veçse nga një shtresë mësuesish të përgatitur në filologji të krahasuar dhe me njohuri të mira për historinë e shkrimit shqip dhe të varianteve letrare – shtresë e cila sot për sot nuk ekziston në Shqipëri, çka e bën propozimin e autores të pazbatueshëm në praktikë.
Megjithatë, sistemi i diferencuar mund të testohet në shkolla eksperimentale, në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, meqë 4-5 mësues të përgatitur dhe të përkushtuar do të gjenden. Ashtu do të shihet edhe nëse kalimi i ngadalshëm nga e folmja në standard, me ndërmjetësinë e formave variante dhe të teksteve në variante letrare alternative, do të ndihmojë apo jo integrimin e fëmijëve në kulturën dhe qytetarinë kombëtare, e cila parakupton edhe përvetësimin e plotë funksional të standardit vetë.
Gjithnjë për mendimin tim personal, vështirësitë për përvetësimin e standardit janë më shumë kulturore sesa gjuhësore, veçanërisht në rrethanat kur fëmijët u ekspozohen mass mediave (televizionit) i cili u flet pareshtur në gjuhën e njësuar të Tiranës dhe u shërben si ndërfaqe për t’u lidhur me qendrën. Them vështirësi kulturore, madje edhe sociale, pasi ato zona të gegërishtes veriore (përfshi këtu edhe Kosovën) ku ndeshet edhe rezistenca më e madhe ndaj standardit, janë zonat më të izoluara dhe më të prapambetura të trevave shqiptare në Ballkan. Këtu bën përjashtim, natyrisht, qyteti i Shkodrës dhe shkodranishtja, si e folme dhe si variant letrar, meqë bartësit e kësaj alternative jo vetëm gjuhësore, por edhe kulturore ndaj standardit, nuk mund të gjykohen si të prapambetur; refraktarë dhe kulturorisht subversivë ndoshta po, por të prapambetur kurrsesi jo. Në rastin e tyre është më tepër fryma e theksuar lokaliste, e kombinuar me një traditë nga më të spikaturat, madje të shkëlqyerat në kulturën shqiptare (ndonëse edhe ajo shpesh po aq lokaliste sa edhe bartësit e vet), që e ushqen rezistencën dhe refuzimin herë të arsyetuar dhe herë emocional të standardit. Prandaj Shkodra dhe shkodranishtja duan trajtuar më vete, madje edhe në vështrimin e reformës eksperimentale të alfabetizimit, që kërkon të promovojë Ledi Shamku-Shkreli, në kumtesën e vet.
Gjithsesi mendimet tuaja do të ndihmojnë për ta çuar më tej këtë debat; dhe unë veçanërisht do të isha i interesuar të mësoja diçka për eksperienca të ngjashme, në vendet ku jetoni – meqë unë vetë, edhe në Itali dje, edhe në ShBA sot, nuk kam ndeshur në diferencime të tilla.
[1] T. De Mauro në përmbledhjen “Dukuri të shqipes bashkëkohore”, Botime Çabej, Tiranë 2006
|
15,724 | https://peizazhe.com/2014/06/23/voji-i-bylbylit-iii/ | null | 2014-06-23T16:45:37 | VOJI I BYLBYLIT (III) | Si faktor që e merr në pyetje pushtetin ndaj informacionit, whistleblowing-u mundësohet vetëm në ato shoqëri ku është vendosur tashmë një drejtpeshim midis tejdukshmërisë së plotë dhe sekretit; në kuptimin që nuk mund të presim të gjejmë whistleblowers në komunitete të mbyllura, ku gjithkush di gjithçka për gjithkënd; ose në shoqëri të organizuara vertikalisht, si ato totalitaret dhe autoritaret, ku pushteti përkufizohet edhe si aftësi për të kontrolluar dhe kufizuar qarkullimin e informacionit dhe dijen në përgjithësi.
Në rastin e Shqipërisë, kjo merr rëndësi, meqë shteti shqiptar ka një traditë të gjatë si shtet totalitar, dhe një traditë edhe më të gjatë si shtet autoritar, ku e drejta e qytetarit për t’u informuar nuk përfillet dhe ku zotërimi i informacionit, sidomos i atij të rëndësishëm, është prerogativë e pushtetarit.
Për të kuptuar si organizohej zotërimi i informacionit në totalitarizëm, bëjmë mirë të nisemi nga një thënie tashmë e famshme e ish-sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Rumsfeld, i cili pat vërejtur një herë se “ka gjëra të ditura, që dihen; ka edhe gjëra të paditura, që dihet se janë të paditura; dhe më në fund, ka gjëra ta paditura, që nuk i dimë.” (Këtyre tre fytyrave të dijes, Zhizheku u shtoi gjysmë me shaka një të katërt: gjëra që i dimë, por që nuk e dimë se i dimë.)
Gjithsesi, në totalitarizëm informacioni organizohej në mënyrë të tillë, që roli i gjithsekujt, brenda shoqërisë totalitare, përcaktohej nga ajo çfarë dinte, ajo çfarë mund t’ua komunikonte të tjerëve, dhe ajo çfarë nuk dinte. Kriteri i parë, ose “ajo çfarë dinte”, kishte lidhje me sekretin – ose me një dije që nuk mund të komunikohej.
Çdo shtet ka sekretet e veta, por në rastin e regjimit komunist në Shqipëri kemi të bëjmë me një sistem pushteti i cili u konceptua si konspirativ që në origjinë; meqë grupet komuniste, që i paraprinë PKSh-së, ishin të organizuara rreth sekretit, dhe jo vetëm për arsye rrethanore. Përkundrazi, ruajtja e sekretit dhe shpërndarja e dijes mes anëtarëve të grupit më parë dhe të partisë më pas shërbenin si mënyrë për të rregulluar hierarkitë brenda organizatës dhe për të disiplinuar anëtarët.
Shpesh një nga këto sekrete lidhej drejtpërdrejt me krimin iniciatik, që kishte përftuar grupin (p.sh. një vrasje rituale); një dukuri që sot e ndesh edhe në grupet mafioze ose në gangs.
Në fakt, PKK-ja mbeti organizatë sekrete, ose e papërmendur në publik, edhe pas vitit 1945; madje edhe kur u vendos “legalizimi” i saj, mbledhjet e organizatës bazë të Partisë dhe më tej (deri te plenumet e KQQ-së) mbeteshin me dyer të mbyllura dhe publikut si rregull i njoftoheshin vetëm rezultatet, ose “vendimet”.
Afrimi i një individi me pushtetin do të shprehej jo vetëm me dhënie të përgjegjësive etj., por edhe duke ia dhënë këtij individi në ngarkim disa sekrete; dhe administrimi i sekretit ishte po aq pjesë e pushtetit sa edhe restriksioni i informacionit.
Natyrisht, në atë kohë mediat e lira nuk ekzistonin, dhe as mundësia që shtypi të ndërmjetësonte sekretin, duke ia bërë të ditur publikut; prandaj ruajtja e sekretit kishte të bënte, sa i përket veprimtarisë organizative, me kufizimin e pjesëmarrjes; dhe sa i përket informacionit, me kontrollin ndaj shpërndarjes.
Vitet 1960 ishin vërtet vite të revolucionarizimit, edhe sa i përket marrëdhënieve të PPSh-së me masat; por fletë-rrufetë, të cilat u nxitën me të madhe nga vetë kupola e Partisë, shërbyen më tepër për të nxitur luftën e klasave në bazë dhe për të trembur kuadrot e mesme dhe intelektualët; ose për të krijuar një buffer midis energjisë “revolucionare” të masave dhe pushtetarëve të lartë.
Në atë kohë dhe sidomos gjatë dhjetëvjeçarit që pasoi, rolin e whistleblower-ve e luajtën veçanërisht “letrat nga populli”, herë të nënshkruara dhe herë anonime; të cilat ndonjëherë iniciuan deri edhe spastrime të mëdha brenda kupolës, si në rastin e “grupit të sabotatorëve të naftës”. Megjithatë, është për t’u shënuar se këto letra, që i drejtoheshin udhëheqjes, zakonisht Enver Hoxhës, nga njerëz të thjeshtë në bazë, asnjëherë nuk bëheshin publike, madje edhe kur përdoreshin për t’i vënë kuadrot me shpatulla pas murit.
Prandaj letra të tilla janë më tepër kundërvlerë e raporteve informative të Sigurimit të shtetit, sesa si dukuri të mirëfillta të whistleblowing-ut; pavarësisht nga synimet që mund të kenë pasur autorët e tyre.
Përndryshe, kontrolli i dijes dhe i informacionit që qarkullonte brenda shoqërisë totalitare mbetej i plotë; dhe sekretit i kundërvihej jo informacioni, por dizinformacioni (ose gënjeshtra).
Si rregull, nuk ishte e ndaluar të dije diçka, por vetëm t’ia përcillje këtë diçka të ndaluar tjetrit; gjërat që ishin sekret ishin edhe, ndryshe, gjëra që nuk thuheshin.[1]
Ky bllokim-qarkullimi i dijes, i shoqëruar edhe me ndalimin për t’i thënë disa gjëra, ose tabunë (p.sh. sëmundjen e Enverit), modeloheshin sipas organizimit që i bëhej hapësirës në totalitarizëm, meqë edhe aty individit i ndalohej qarkullimi i lirë në disa zona – p.sh. në bllok, dhe sidomos largimi i paautorizuar nga territori shtetëror, ose “arratisja”.
Për këtë arsye, ata të arratisur që vendosnin t’u jepnin informacion mediave të andejme për realitetin në Shqipëri kishin një shans të luanin rolin e whistleblower-it, sa kohë që besonin se ky informacion do t’i ndihmonte sadopak publikut në atdhé; p.sh. duke folur për dhunën e organizuar, të burgosurit politikë, varfërinë e tregut, etj.
Është për t’u habitur sa pak dihej në Perëndim për Shqipërinë totalitare, çfarë nuk përligjet dot vetëm me indiferencën ndaj këtij vendi të vogël të paangazhuar dhe bindjen se Shqipëria vetë nuk përfaqësonte kurrfarë rreziku për të tjerët. Në fakt, kjo mungesë informacioni lidhet drejtpërdrejt me mënyrën si ishte organizuar dija brenda shoqërisë shqiptare; në kuptimin që të arratisurit nuk kishin ç’të ofronin.
[Në këto rrethana, deri edhe informacioni se një diplomat i rangut të ulët (I. Zh.) në misionin e Shqipërisë në OKB do të kthehej në atdhé për të operuar hemorroidet do të konsiderohej me aq interes nga një informator i CIA-s, sa të gjente rrugën në raportin e tij për takimin në fjalë.]
Madje, falë një mekanizmi psikologjik të vetëkuptueshëm, meqë një pjesë e mirë e dijes ishte sekret; dhe një pjesë e mirë e sekretit ishte edhe tabu, atëherë shpërfaqja e informacionit rregullisht do të përjetohej si shkelje e një tabuje elementare; dhe çdo kërkesë për informacion rrezikonte të perceptohej si provokim. Në fakt, askush nuk e dinte se ç’pjesë e informacionit që zotëronte ishte edhe i lejuar që ta përcillte lirisht në publik.
Imponimi i sekretit si tabu kishte edhe një tjetër efekt: e drejta e fjalës, si e drejtë elementare, do t’i përhihej shqiptarit si e drejtë për “t’i rënë bilbilit”, ose për të denoncuar; sikurse edhe ndodhi gjatë periudhës së agonisë së regjimit Alia dhe në muajt e parë gjatë ndërrimit të sistemeve, kur shumë qytetarë e realizuan lirinë e tyre për të folur duke “zbrazur barkun”, ose duke nxjerrë në shesh gjithçka që kishin qenë të detyruar të mbanin brenda vetes më parë (prirja e tipit “ju rrëfej” që, në një formë a në një tjetër, ka vazhduar me vite).
Nga kjo situatë përfituan të gjithë, madje edhe ato qarqe që ishin përlyer rëndë gjatë regjimit të mëparshëm; që këtej edhe dizinformimi që pushtoi faqet e mediave, gjatë viteve të para të dekadës 1990; meqë pikërisht kur erdhi momenti për t’u thënë disa të vërteta, këto u mbytën sakaq në llumërat e gënjeshtrave, shpifjeve, dhe teorive të komplotit; në një kohë që edhe vetë mediat u tunduan të ngatërrojnë informimin për të fshehtat private të personazheve publike me whistleblowing-un e mirëfilltë.
[1] Kështu do të vendoset në kontekstin e vet edhe dukuria jashtëzakonisht e përhapur e thashethemeve, të cilat kompensonin mungesën e informacionit zyrtar dhe publik; dhe që regjimi, edhe pse në dukje u përpoq t’i luftonte, në të vërtetë ishte kryesisht i interesuar që t’i përdorte për interesat e veta, kryesisht në funksion të dizinformimit.
|
30,157 | https://peizazhe.com/2018/12/08/per-protesten-e-studenteve/ | null | 2018-12-08T18:02:00 | PËR PROTESTËN E STUDENTËVE | Mbresëlënëse protesta e studentëve! Shuplaka e duhur një regjimi që prej vitesh po e fsheh impotencën e vet pas arrogancës dhe inkompetencën pas ekzibicionizmit prej kuplaraje.
Megjithatë protestës së tanishme i mungon ende diçka: artikulimi politik. I cili nuk ka lidhje me angazhimin parazitar të politikanëve tashmë të konsumuar. Në fakt protesta është politike; dhe i mbetet që ta fitojë sa më shpejt vetëdijen e qartë, publike, për këtë; dhe të mos lejojë forca politike parazitare që të përfitojnë “falas” nga mobilizimi i tyre dhe energjia e protestës.
Duke filluar nga vetë kërkesat që janë parashtruar deri më tash, dhe që nuk po më duken në lartësinë e mobilizimit dhe as të virtytit kolektiv të pjesëmarrjes.
Studentët dëshpërohen për tarifat e larta jo pikërisht sepse nuk i përballojnë dot, por sepse këto tarifa nuk u garantojnë asgjë – as punësim të mirë, as status, as mundësi për karrierë. Investimi që bëjnë ata vetë për të marrë arsim të lartë nuk u kthen praktikisht asgjë. Prandaj edhe kjo protestë, si ajo e krizës së shoqërive financiare të vitit 1997 (piramidave) i detyrohet, në thelb, zhgënjimit të investorëve që e shohin veten të prerë në besë dhe të braktisur prej shtetit; në kuptimin që tarifat janë duke i përjetuar si taksa.
Po të ishte universiteti publik i lakmueshëm dhe i nivelit mesatar europian, askush nuk do të ankohej për këto tarifa.
Prandaj ka ende kohë që protesta ta shprehë si objektiv të vetin kryesor dhe të vetëm reformën themelore të Universitetit Publik, me synim përmirësimin e të gjitha parametrave cilësorë – nga struktura e lëndëve, të profili i pedagogëve, te numri i studentëve, te bibliotekat dhe laboratorët dhe terrenet sportive dhe institucionet kulturore satelitore dhe kështu me radhë.
Ky objektiv, që të arrihet, kërkon investime serioze nga fondet publike; investime të pakrahasueshme me këto të derisotmet.
Po a mund ta përballojë Shqipëria një universitet publik që të jetë edhe cilësor (më i miri në vend), edhe falas, edhe i hapur masivisht për të gjithë?
Le të mos gënjejmë veten kot: Shqipëria, me këtë ekonomi të sëmurë që ka sot, nuk mund ta përballojë një universitet të tillë publik.
Prandaj është e kotë të kërkosh edhe ulje të tarifave, edhe rritje të cilësisë së procesit mësimor dhe akademik, edhe përmirësim radikal të kushteve ku zhvillohet mësimi dhe të shërbimeve aksesore (biblioteka, laboratorë, etj.).
Edhe sikur shteti të përdorë paratë që deri më sot i shpenzon për panem et circenses, të tilla si spektaklet në sheshe ose bojatisja e fasadave ose butaforizimi i mjedisit publik (shndërrimi i tij në skenografi për gjestet patetike të pushtetit); ose edhe t’ua heqë krejt financimin publik partive politike dhe të përgjysmojë numrin e deputetëve; madje edhe sikur të taksojë dyfish a trefish universitetet private, të cilat e ushtrojnë veprimtarinë e tyre me qëllim fitimi. Vetëm një ekonomi e shëndetshme do të mund ta garantonte universitetin cilësor falas, ndërsa ajo e Shqipërisë është krejt anemike. Për të njëjtën arsye, argumentet që sillen se Danimarka ose Luksemburgu e kanë universitetin publik falas janë vetë-kundërshtuese, sa kohë që në ato vende universitetin falas e mundëson vetë sasia absolute e taksës (absolute, jo relative) që vilet mbi të ardhurat shumë të larta për frymë të popullsisë.
Cila do të ishte, pra, një zgjidhje në momentin e tanishëm?
Nuk sugjeroj dot gjë tjetër, veç një projekti për elitarizimin të Universitetit Publik, nëpërmjet numrit të mbyllur; në kuptimin që vetëm studentët e shkëlqyer të fitonin, me konkurs, të drejtën për të studiuar falas, ndërsa të tjerët të kanalizoheshin drejt zgjidhjeve të tjera – instituteve profesionale, universiteteve private – të mbrojtur nga një legjislacion i cili t’u lejonte të paguanin studimet me hua të buta (të shlyeshme vetëm pas mbarimit të studimeve dhe vetëm sa kohë që studentët tashmë të diplomuar të jenë në punë); kombinuar me një sistem bursash dhe ndihmash për ata më në nevojë. Një universitet publik i vogël dhe me degë me rëndësi kritike për jetën e vendit, ku të kultivohej sistematikisht mendja kombëtare, do të mund ta realizonte pastaj më lehtë hopin cilësor drejt niveleve të synuara për cilesinë, duke lejuar njëkohësisht kultivimin e një profesorati të paguar mirë dhe të përkushtuar ndaj mësimdhënies universitare dhe kërkimit shkencor, me studentët dhe për studentët. Vetëm në një etapë të dytë, mund të krijoheshin kushtet për zgjerimin gradual të numrit të mbyllur, krahas edhe forcimit të ekonomisë së vendit.
Gjetja e një zgjidhjeje për krizën e arsimit të lartë është me rëndësi kritike për Shqipërinë, sepse në universitete formohet elita e vendit; prandaj edhe nuk mund të shpresohet në arna dhe masa gjysmake dhe padronizime. Nuk më duket se qeveria e tanishme do të jetë në gjendje të japë ndonjë rrugëdalje – pavarësisht gatishmërisë për t’i ulur tarifat (koncesion i vogël dhe i lehtë). Madje disa nga politikanët e sotëm janë kaq të etur për të qëndruar në pushtet, sa të tregohen gati të kalojnë edhe ndonjë ligj që t’ua japin studentëve diplomat falas dhe në dorë, me t’u regjistruar këta në universitet. A nuk ish vallë ky parlament që, vetëm para pak muajsh, kaloi një ligj ad hoc për të shembur Teatrin Kombëtar? Prandaj objektivi logjik i protestës së tanishme do të ishte të paktën riformulimi me themel i qeverisë ekzistuese dhe zëvendësimi i saj me një ekip në gjendje të realizojë reformën radikale të arsimit të lartë.
(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Kopjuesit pa leje do të ndiqen ligjërisht.
|
7,447 | https://peizazhe.com/2011/05/24/turp-dhe-indiference/ | null | 2011-05-24T23:25:22 | TURP DHE INDIFERENCË | Që votimet lokale në Tiranë dështuan tërësisht dhe bujshëm, nuk ka nevojë të jesh Erion Braçja, për ta kuptuar.
Shteti i Berishës tregoi faqeza, në sy të qytetarëve të vet dhe të botës mbarë, se nuk është në gjendje as të lidhë brekët e veta.
Megjithatë, ende nuk i është dhënë ndonjë përgjigje pyetjes nëse kjo katrahurë, ky débâcle kaq total, i duhen faturuar Berishës dhe etjes së tij për pushtet, apo vetë sistemit demokratik, që është i papërshtatshëm për shoqërinë shqiptare.
Natyrisht, alternativa më lart mund të jetë e rreme; meqë faji mund t’i lihet edhe opozitës së drejtuar nga PS-ja e Ramës.
Kur mendoj për gafat e njëpasnjëshme të institucioneve që duhej të siguronin paanshmërinë e procesit elektoral dhe të numërimit të votave, më kujtohet një thënie e famshme e Joseph Fouché-së, ministër i Policisë i Bonaparte-it, në lidhje me vrasjen e Dukës së Enghien-it:
C’est pire qu’un crime… c’est une faute ! tha Fouché-ja atëbotë. Kjo është më keq se krim… është gabim!
Publiku – e theksoj, publiku – e ka ndjekur këtë farsë me pasionin që gjetiu u rezervohet ndeshjeve të mëdha sportive, futbollit, boksit, kupave europiane ose të botës, olimpiadave.
Nuk ka asgjë politike të mirëfilltë në këtë pasion, por vetëm dëshirë për t’u zbavitur, me të vetmen lojë fati që i bashkon, për pak kohë, të gjithë shqiptarët.
Siç lexoj tani në BalkanWeb, kryetari i PS-së Rama u bëri apel ndërkombëtarëve që “të ndërhyjnë edhe më me forcë për të shpëtuar një proces që rrezikon ta fusë Shqipërinë në qorrsokak.”
Më bën përshtypje kjo vëmendje e përsëritur ndaj faktorit ndërkombëtar; dhe jo vetëm ngaqë unë vetë jam shprehur disa herë kundër përfshirjes kaq këmbëngulëse të ndërkombëtare në kacafytjet politike të Tiranës.
Kam përshtypjen se Ramës nuk i ka mbetur kartë tjetër për të luajtur, veç kësaj ndërkombëtares. Dhe këtë e them sepse, me votën e tanishme, përtej manipulimeve dhe farsës së padurueshme të numërimit, u vërtetua, më shumë se gjithçka tjetër, amoraliteti i votuesit shqiptar.
Qindra mijëra vetë në Tiranë ia dhanë votën e tyre një personi në pozitë të paktën “delikate”, si Basha – lidhjet e tij me vrasjet e 21 janarit mbeten për t’u sqaruar, në një kohë që, nga akuza për shpërdorim fondesh në rrugën “e kombit” u lirua vetëm për teknikalitete (skadim afatesh, ose diçka e ngjashme).
Jam gati t’ia jap të plotë prezumimin e pafajësisë, por më duket skandal që Tirana t’ia japë qoftë edhe gjysmën e votës së vet ministrit të Brendshëm të 21 janarit.
Nuk është vetëm Basha. Në skenën e teatrit politik qarkullojnë figura shumë të diskredituara, si Meta dhe Mediu; madje Meta mori më shumë vota se në 2009-ën, megjithë akuzat për korrupsion, nga të cilat nuk është çliruar ende. Sa qindra mijë ishin ato “zemrat” që rrihnin për LSI-në?
T’ia njohim edhe atij patjetër pafajësinë – por kjo nuk përligj votën që mori, as votën e shtuar.
Çfarë i mbetet PS-së dhe Ramës të bëjnë, përballë këtij amoraliteti?
Si rregull, partitë e majta e kanë pasur bazën sociale në lagjet punëtore, në sindikatat e fabrikave të mëdha, në të rinjtë. Kohët e fundit, kësaj baze i janë shtuar edhe të gjithë ata që preokupohen për mjedisin.
Asgjë e tillë nuk ekziston në Shqipëri; dhe unë ende nuk e kam të qartë se cila është baza sociale e PS-së, përtej disa NGO-ve në Tiranë.
Në këto rrethana, nuk më duket se PS-ja mund të bëjë shumë, për të mobilizuar “popullin” kundër vjedhjes së votës; ose më mirë, përtej disa veprimeve sporadike ose televizive.
Nëse fiton PD-ja apo PS-ja, kjo nuk është se ndryshon ndonjë gjë në jetën e qytetarit standard; sipërfaqet e gjelbra njëlloj do t’ia marrin për t’ia shndërruar në kantiere dhe parkingje; frymën njëlloj do t’ia zënë me pallate dhe çimento dhe plehra; komunitetet njëlloj do t’ia shkatërrojnë.
Sa kohë që pushteti, qendror dhe lokal, nuk bën dot gjë për të ndikuar në mënyrë vendimtare në jetët e njerëzve, atëherë këta nuk do të rrezikojnë asgjë, për hir të “demokracisë”, të cilën tashmë e kanë parë se u shërben vetëm klaneve.
U vodh vota? Njëri-tjetrit ia kanë vjedhur, të thotë ai i panjohuri proverbial, në rrugë.
Shto këtu edhe që shteti është punëdhënës i madh në Shqipëri; nuk i kam të dhënat, por me siguri është punëdhënësi kryesor. Një punonjës i zakonshëm i administratës publike sot me siguri nuk arrin dot të artikulojë diferencat në programe politike mes PD-së dhe PS-së, por ama është krejt i sigurt se në rast rotacioni të pushtetit do t’i duhet t’ia lirojë vendin e punës atij “tjetrit”.
Që partitë kryesore politike nuk kanë ndonjë dallim mes tyre në programe, kjo dihej; por edhe ashtu, së paku njerëzit ende mund të bënin dallime sipas profilit moral të liderëve përkatës – kriter i thjeshtë dhe disi i padenjë, por gjithsesi i pranueshëm.
Mirëpo suksesi i tanishëm elektoral i Bashës, Mediut, Metës, zemrave të LSI-së dhe, tërthorazi, edhe i vetë Berishës së 21 janarit, tregon se zgjedhësit nuk po ndjekin më as kritere etike, kur është fjala për vota të rëndësishme në planin politik.
Amoralitetin e tyre e projektojnë edhe tek liderët (jo se këta kanë nevojë, po prapë…).
Me zhvillimet politike që ndodhin aty në mënyrë të njëpasnjëshme, shoqëria shqiptare veç konfirmon se nuk ka lidhje me sistemin politik që ka adoptuar. Metafora që më vjen në mendje është ajo e një teatri ku në skenë luhet një pjesë një një gjuhë të cilën publiku nuk e kupton.
Në këto rrethana, apeli ndaj ndërkombëtarëve për të ndërhyrë në emër të etikës politike dhe respektit për institucionet merr tjetër kuptim; sepse Shqipëria ka këtë sistem politik vetëm e vetëm sepse ia kanë imponuar ndërkombëtarët.
|
44,265 | https://peizazhe.com/2023/06/19/1x10-vdekja-e-enver-hoxhes/ | null | 2023-06-19T08:43:53 | 1X10 VDEKJA E ENVER HOXHËS | Titulli: Vdekja e Enver Hoxhës.
Autori: Pëllumb Kulla
Shtëpia Botuese: Toena
Përzgjodhi: D. Kokonozi
1.
Aty ishte vetëm një kufomë e boshatisur, një objekt pune. Pjesë të organeve të tij ishin hequr tej. Njerëz, para meje, patën punuar mbi të dhe vazhdonin të punonin, që ai të merrte edhe një herë, për herë të fundit, formën dhe pamjen e rëndë madhore, atë që jetonte në përfytyrimin e milionave vetëve. Pra, Komandanti dukej se qe i çmontuar, i shpërbërë, i hapërdarë, ca nën çarçaf, ca në ato pjesët që kirurgët dhe ai njeriu me sytë e lidhur i ndanë nga trupi, ca në zyrën e Kryesisë, ca në ambientet e familjes, ku duhet të kish pikëllim gjithsesi.
2.
Njeriu ishte vërtet atje, në dhomën time. E kishin sjellë dhe ai po na priste. Ne e gjetëm në këmbë, ngaqë, si dukej, ai qe ngritur sapo dëgjoi zhurmën që bëri çelësi im, tek hapja portën. Nuk na përshëndeti dhe as ne nuk e përshëndetëm. Rrinte si më gjemba, mjaft i trembur duke pritur një urdhër a një qortim nga Teloja, të cilit, me sa vura re, i trembej shumë.
Kishte shtatin e atij, për të cilin qe zgjedhur ta dublonte. Dhe sidomos i ngjante shumë, jashtëzakonisht shumë. Dukej e gjitha si një situatë sureale. Dhe sureale e bënte më shumë fakti, që shëmbëlltyra e atij njeriu që kisha përpara ndodhej i vdekur disa metra më tej, në dhomën përbri.
Dhe ne, te ky, e shihnim përsëri të gjallë.
3.
Aty ra një heshtje, nga ato të rrallat fare. Ai i qe afruar thelbit.
“E hidhur është sa nuk bëhet, po, a keni menduar ndonjëherë, se Komandanti një ditë do të na lerë? Si po përgatitemi ne?”
Heshtje po heshtje, kjo e dyta! Heshtja e parë ishte lule, para kësaj!
Ish nga ato që bëjnë të të buçasin veshët nga shurdhëria. Si arriti t’ia thotë goja atë gjëmë!
“Hë mo, po ju pies: e keni menduar, që shoku Komandant një ditë do të na ikë?”
Kush t’i përgjigjej kësaj pyetjeje?! Le që ajo nuk ish pyetje. Ish bubullimë!
Të ftuarve ua hoqi litarin Nora, që erdh’ e solli kafetë. I ndau ajo dhe kushedi sa do jetë habitur që ata, shtatë burra aty, nuk lëshonin asnjë pipëtimë! Tamam sikur burrat të paskëshin prerë në mes një muhabet femrash. Veç, tek tuk, dëgjohej ndonjë përplasje luge, pas filxhanëve të kafesë. Nora mbaroi punë dhe i la. Kjo kohë qe mjaft për Namikun, drejtorin e Pallatit të Kulturës, për t’ia gjetur një përgjigje të parit të partisë. E ndjente drejtori i Pallatit të Kulturës, se atij i binte barra, si më i vjetri nga të tjerët. Kështu, që kur Aziz Dejazi e bëri pyetjen për të tretën herë, drejtori nuk priti që i zoti i zyrës, t’i vinte pikë pyetjes.
“Vetëm ai nuk vdes!” i a ktheu Namiku me zë shpelle.
“Nuk ka vdekje për Komandantin, shoku Aziz!” kish menduar një
përgjigje dhe e dha, edhe poeti, Moisi Dhëmblani. “Për ne, po. Për të, jo!”
Sekretari i Parë pa të dytin.
4.
E gjetën shtëpinë e Vitorisë. Ajo banonte në një lagje të qetë, ku sokakët nuk e njihnin asfaltin, teksa kalldrëmin e kishin të punuar nga ustallarë të vjetër.
I trokitën në portën e oborrit. E gjetën në shtëpi. Ajo i priti njerëzit e Pallatit të Kulturës tok me burrin dhe i futi ata në dhomën më të mirë, aty ku prisnin miqtë. Ulviu u tregoi arsyen e ardhjes së tyre. U kërkoi ndjesë që po ua zinin shtëpinë ditën e djelë. Pastaj e vërtiti muhabetin edhe më mirë se ç’e kishin bërë sekretarët me ta. Burrë e grua dëgjuan se çfarë kërkonin ata nga Vitoria dhe nuk nxorën asnjë fjalë, sikur patën përpirë gjuhët. Zonja e shtëpisë, pa dhënë përgjigje fare, doli të merrte diçka që të qeraste mysafirët, kurse burri kyçi gojën dhe nuk dinte ku t’i shpinte sytë. Pas pak vajti dhe ai, bashkoi të shoqen dhe, nuk kishin kaluar as pesë minuta, kur burrë e grua u shfaqën të dy. Nuk sollën as liko e as kafe, por katër sy që lëshonin flakë.
“Qërrohuni që këtej!” i u shkreh gruaja që ata e kishin caktuar të udhëhiqte ison e vajit. “Zhdukuni nga shtëpia ime dhe të mos u a shoh bojën! Zuzarë! I merrni të keqen Komandantit, ju!”
Të dërguarit e Pallatit u ngritën në këmbë edhe deshën t’i sqaronin edhe më mirë, por aty hyri në valle burri. Ata bërtit – e ai ulërit! Buçiste odaja e miqve e nuk merrte vesh qeni të zonë.
“Mbathjani sa s’kam rrëmbyer çiften!” tha më në fund burri i Vitorisë, “se po e mora, do t’jua mbush zorrët me saçme!”
“More, dale,” u tha Fatosi. “Se na nuk jemi as të marrë dhe as armiq.
Kemi një porosi partie. Porosinë e kemi nga vetë shokët e ngushtë të Komandantit!”
“Ia kemi parë shokët e ngushtë atij, na! Dyzet vjet që përpiqen t’i bëjnë varrin!” nuk mbahej burri.
E tërë mëhalla do të qe ngritur në këmbë.
Dy të dërguarit deshën të iknin nga sytë këmbët, por nuk arritën. Duket se Vitoria u paskësh bërë zë edhe djemve të saj. Ata hynë që të tre me tërsëllëmë dhe e iu bënë krah babait. I shtynë vizitorët në oborr drejt portës, pastaj zunë t’i godisnin me këmbë dhe me duar, me grushte e me shkelma. Të rrahur, po të rrahur! I hodhën jashtë shtëpisë, e i plasën mbi kalldrëm, po për fat asnjeri nuk i pa. Aty mbi gurët e sokakut, instruktorët e Kulturës nuk po i ndjenin shembjet, se ishin akoma të nxehtë. Ulviut i dukej një e çarë në ballë dhe ata u morën gjatë me të deri sa e ndalën gjakun që rridhte.
Vendosën të mos ankoheshin gjëkundi.
5.
Sekretari i Parë i nxiti që të fillonim pa vonesë përgatitjet e tha se të nesërmen ai do të vinte vetë, që të shihte se çfarë do të ishte bërë.
Dhe të nesërmen në mbrëmje Aziz Dejazi erdhi me një grup të madh njerëzish, që mbushën gjysmën e sallës së teatrit. Në këto dy ditë radhazi qe bërë vërtet një punë e madhe. Kur i panë bashkë në skenë gjithë elementët e veçantë të nderimit dhe vajtimit të të vdekurit të shquar, u vu re se angazhimi i njerëzve që punonin në Pallatin e Kulturës, paskësh qenë më i gjerë, se sa vetëm harmonizimi i gjashtë grave, që qajnë me bot duke shoqëruar të parën e tyre që thotë vargjet. U duk mirë kjo në atë rreshtim të njëpasnjëshëm të klithmave të dhimbjes, që atë mbrëmje iu paraqit Sekretarit të Parë dhe tërë atyre njerëzve të heshtur, që e ndjenin veten të nderuar që mundën të hyjnë në këtë shfaqje të çuditshme, të një lloji të paparë ndonjëherë.
Ishte vërtet atmosfera e provave te përgjithshme, njësoj si ajo kur bënte teatri, estrada dhe ansambli muzikor i qytetit. Njësoj u hap perdja, njësoj lëviznin aktorët nëpër hapësirën e skenës, njësoj në sallë instruktorët e komitetit të partisë merrnin shënime të shfaqnin opinionet dhe propozimet e tyre. Veçse morti, që ishte thelbi i subjektit, ua kish kyçur gojët të gjithëve. Muzika që kish zgjedhur Ulviu të mpinte. Pallati i Kulturës, një herë të vetme në dyzet e ca vjet, shëmbëllente me një katedrale.
6.
Para se të fillonte paraqitja, Moisiu erdhi dhe solli një lajm të tmerrshëm, por shumë, shumë, shumë të rezervuar! Iu ul afër shokut më të ngushtë që diç po shkruante aty në radhën shtatë, vuri dorën mbi gojë dhe tha me pëshpërimë:
“Fatos… Ai paska vdekur vërtet!”
“Kush ka vdekur vërtet?” e pyeti me pëshpërimë edhe Fatosi.
“Ai. Komandanti.”
Fatosi u bë kallkan.
Atëherë Moisiu me fytyrën e qeshur, sikur bënte shaka, si me tallje, e goditi në sup dhe me një alarm të fshehur në zërin që i dridhej, e urdhëroi: “Mos bëj asnjë lëvizje e asnjë koment! Se do të na marrësh në qafë të dyve! Është lajm i tmerrshëm! Sapo ma thanë. Nuk e tregoj se kush ma tha, sikur të ma presin mishin thela-thela.”
Me ato lloj pëshpërima të egra që dilnin nga një gojë e qeshur, që bëhej ashtu për sytë e të tjerëve, poeti të kallte tmerrin.
“Më mirë të mos ma kishe thënë!”
“Nuk e mbaja dot.”
“Këta të mëdhenjtë e partisë këtu, e dinë?”
“Më duket se jo,” ia ktheu Moisiu. “Vdekja ka ndodhur, por kushedi se kur e shpall kryeqyteti tani. Këta kanë pamjen dhe humorin e zakonshëm. Do të jenë artistë të mëdhenj, në qoftë se e dinë dhe bëjnë sikur nuk e kanë marrë vesh!”
7.
“Të kishin parë duke qarë,” tha Operativi ndërsa ndizte cigaren e tij.
“Kush?”
“Roja. Nga penxherka e fshehtë e portës. Ai kish thirrur pastaj edhe dy shokë të tjerë dhe fshehurazi të kishin vëzhguar ty, që të tre.“
Kujtimi ia nguli sytë duarve të tij të palidhura dhe nuk nxori zë. Operativi vazhdoi të thithte cigaren dhe të bashkonte heshtjen e tij me atë të Kujtimit.
Ishte po oficeri që e prishi.
“Është qarë e derdhur shumë lotë në të gjithë vendin. Nga Tirana kanë ardhur udhëzime që të mblidhen tërë vajet, tërë vjershat, tërë letrat e ngushëllimit, tërë ngjarjet prekëse, të jashtëzakonshme që lidhen me këtë vdekje të madhe.”
Kujtimi nuk dinte se ç’të thosh për këto gjëra që i tregonte Operativi me atë zë të butë. Ai nuk e kuptonte dot, përse ia thoshin këto. Dhe, në fund të fundit, po i vinte inat që nuk po e nuhaste përse e kishin thirrur.
“Dhe lotët e tu, aty, ku nuk të shihte njeri, ishin një gjë e bukur, e jashtëzakonshme, që ne kemi vendosur ta raportojmë. Dje dhe sot kanë qarë disa nga të burgosurit, por ajo u ka ardhur nga një dëshirë për t’u dukur, për t’i parë ne. Logjika thotë, që ata duhet të gëzoheshin.”
Tjetri e dëgjonte oficerin me vëmendje dhe e besonte në ato që thosh. Por ende kish dëshirë të zbulonte shkakun, se përse po ia tregonin. “Kurse vajtimi yt në vetmi,” vazhdoi Operativi, “ish i mbyllur, pa përpjekje për t’u parë, se nuk kish kush të ta shihte, mes katër mureve. Ish një vajtim, që, siç më thanë, kish vazhduar me orë. Ish tjetër gjë, ai, i yti! Unë, sinqerisht, vetëm tani e besoj, se ëndrra për të cilën të futa në birucë, paska qenë e sinqertë, pa pikë urrejtjeje. Përkundrazi. Ne do t’ia raportojmë qendrës lotët e tu të ngrohtë për shokun Komandant. Gjëja më e rrallë në tërë burgjet tona! Nuk e kam në dorë unë, por ama, jam i sigurtë, që falja e dënimit tënd duhet të jetë punë ditësh.”
Kujtim Gjyzari e urreu veten, që e kish kuptuar aq vonë oficerin.
“Shikoni, zoti Operativ… Hm, nuk di a keni dëgjuar historinë time me birucat, se si e nisa burgun dhe përse më ndëshkonin. Shumë vetë e dinë atë histori. Unë nuk kam ndryshuar shumë, që atëherë.”
“Nuk po të kuptoj,” tha Operativi.
Kujtimi mori frymë thellë.
“Nuk qava për Komandantin!” Dhe duke përfituar nga hutimi i oficerit, shtoi: “Dhe për ëndrrën, mua më vjen turp që e pashë ashtu. Dhe që e tregova.”
Ulurima e operativit u dëgjua në tërë burgun:
“Në birucë! Egërsirë! Gëzohuni, por mos mendoni se jeta juaj do të bëhet më e bukur pas vdekjes së tij! Do ta shikoni! Në birucë! Menjëherë! Roooojeeee!”
Kujtim Gjyzarin e plasën përsëri në birucë.
Pas pak, dikush hapi saraçineskën dhe dalëngadalë uji arriti në nivelin e kërcijve të të burgosurit.
Kujtimi vetë nuk i shtoi më asnjë pikë nga lotët e tij.
Radioja vazhdonte të jepte muzikë funebre.
8.
“Melis, sapo më treguan një barceletë fantastike, që do të të pëlqejë pa masë edhe ty. Njëri e zuri gruan…”
Këta artistët janë leshko, për nder. “Nuk e kam mendjen tek barceletat sot?” i thashë prerë me qortim.
“Ti nuk e ke marrë vesh?!!”
Ai u bë menjëherë serioz dhe i vëmendshëm.
“Çfarë?!” më pyeti shumë i shqetësuar. “Mos e ke fjalën për atë, që na ka vdekur ai, i madhi? “
“Po,” i a bëra. “Pak të duket?!!!”
Ai u qetësua, që unë nuk kisha për t’i thënë ndonjë gjëmë tjetër më të madhe akoma.
“Atë e dimë, or babaxhan.Por akoma nuk na e kanë bërë të njohur. Ky është lajm i sjellë me pëshpëshe. Me pëshpëshe, nuk do të merremi ne!”
“Po është i sigurt, ama!” ngula këmbë unë.
“Mijë për qind i sigurt!” nguli dhe ai. “Por do presim orën. Na thanë se pikëllimi do fillojë më dymbëdhjetë. Gjëmë e madhe do jetë, për nder!”
Më leshko se ky djalë, nuk kisha parë gjer atë ditë e nuk kam parë as gjer sot.
“Po mirë, ore,” i thashë i nxehur. “Të duket me vend, që edhe e di lajmin, edhe m’i bie kitarës, më dëgjon barceleta dhe qesh e zbardh dhëmbët, në një ditë si kjo?!”
Ai, mëndjepyka, m’u zemërua.
“T’ëmën, po si, bre, të mos qesh! Edhe ay që na e tregoi barceletën, e dinte që shoku Komandant na ka lënë. Po pse, si thua ti, o mëndjelli, të rri turivarur-a?! Po sikur të vijë ndonjë… nga ata… nga ata-de! E ai të më thotë: pa hajde këtu ti shok: kush të ka thënë të vrerosesh? Kush ta dha lejën të fillosh pikëllimin i pari? Nga e ke marrë vesh? Ato belá nuk i dua, unë.”
9.
Ne iu trembëm grave, por gratë nuk e prekën të vdekurin. Ato e qanë me oi-oi të zgjatura. Njëra përdorte në qarjen e saj ca vargje mjaft prekës që edhe në transmetimin televiziv bënë një efekt të madh emocional. Nuk i mbaj mend të gjitha strofat që u kënduan dhe u përsëritën pas solistes nga vajtojcat e tjera, por njëra prej tyre më goditi me figurat burrërore që kish në tekst.
Qysh duron e qëndron shtrirë
gjëmëmadhi prej stërralli!
Vetëm vdekjes sate, bir,
qysh s’ia hodhe dot litarin?!
O biro e o baba! Oi, oi!
Edhe strofat e tjera ishin mjaft të goditura. (Dikush më tha që ato vargje i kish shkruar Moisi Dhëmblani, por Moisiu ma mohoi kategorikisht këtë. “Gratë e qytetit tim”, tha ai, “janë poetesha të lindura”).
Gratë e mira u larguan qetësisht dhe ne u larguam pas tyre duke humbur syçeltësinë.
Por aty papritur ndodhi hataja. Në harkun e vizitorëve kishin zënë vend tre Heronj të Punës Socialiste. Njëri prej tyre lëshoi një klithmë që drithëroi tërë lampadarët e rëndë të Presidencës.
“O Komandant, vdiqe ti e rroj unë! Ke thënë që perëndi nuk ka, dhe është e vërtetë! Se, ndryshe, qysh kjo vdekje e zezë, të mori ty dhe më le mua?!!! Rroj unë, o që më fshiftë mortja sapo të dal prej këtej! Ooooo, oh!”
Unë isha te dera që më nxirrte në korridor dhe ndala këmbët të dëgjoja atë që po mallkonte Zotin për vdekjen e udhëheqësit. As unë dhe asnjeri nuk priste, që ai, befas, t’i vërsulej trupit e të hidhej mëndjehumbur nga dhimbja, përmbi të.
Të gjithë ulëritëm:
“Moooos!”
10.
Vetëm në vitin e tretë dasmat, në të gjithë vendin, morën atë gaz dhe atë haré që kishin pasur para vdekjes së madhe që nxirosi peizazhet shqiptare.
Mbeti, ama, një qytet…
Ishte ky një qytet, që e kish pikëllimin më të thellë nga të gjithë të tjerët, ku zia mbeti më e zgjatur dhe kjo zi, me kalimin e muajve dhe viteve, u bë krenaria e qytetit, një veçori që e vuri qytetin në bashin e Televizionit dhe gazetave.
Po hyej në vitin e pestë e në qytet nuk shënohej asnjë dasmë me orkestër, me këngë e me valle! More, as edhe një dajre nuk ishte parë dhe dëgjuar në tërë martesat që ishin bërë pas vdekjes së Komandantit.
|
736 | https://peizazhe.com/2008/10/22/filmi-shqiptar-ne-muzg/ | null | 2008-10-23T02:20:13 | FILMI SHQIPTAR NE MUZG |
Alma Mile, në Shekulli, pyet se pse filmin shqiptar nuk shkon ta shohë njeri në kinema.
Arsyeja e këtij shkrimi duket të ketë qenë publiku i paktë që ndoqi premierën e filmit Koha e kometës, me regji të Fatmir Koçit, në qytetet kryesore të Shqipërisë: gjithsej 2100 spektatorë.
Edhe filma të tjerë janë pritur ftohtë nga publiku: Trishtimi i znj. Shnajder i Pirro Milkanit, i cili përfaqëson tani Shqipërinë në edicionin e 81-të të Academy Awards, është ndjekur nga 5600 shikues; ndërsa Sekretet e Spartak Pecanit vetëm nga 1200 shikues.
Për krahasim, po përmend vetëm që blogu Peizazhe të fjalës ka çdo ditë rreth 400 vizitorë.
Thotë Mile:
Statistikat e ftohta tregojnë se një film shqiptar ndiqet sa gjysma e shikuesve të një filmi të huaj mesatar, për të mos thënë i dobët. Ndoshta sepse tematika është disi “e rëndë”, apo edhe për shkak të cilësisë.
Pse duhet të ndodhë kjo?
Pse nuk e gjen më veten publiku i kinemasë në filmin shqiptar?
Arsyet që sjell Mile janë të besueshme: filmi i huaj është më argëtues dhe e tërheq publikun edhe për shkak të snobizmit ose të adhurimit të gjithçkaje që prodhohet në Hollywood; filmi shqiptar trajton tema serioze, që shpesh nuk përtypen dot nga publiku i gjerë, meqë ky i fundit tashmë është mësuar ta konsumojë filmin si të ishte fast food; televizioni i mban njerëzit larg kinemasë; filmi shqiptar ndonjëherë është i dobët; filmi shqiptar nuk reklamohet mirë, as informohet publiku në kohën e duhur.
Përsëri Mile:
Nga ç’mësohet, publiciteti i këtyre prodhimeve është bërë në mënyrë individuale kryesisht nga regjisorët e filmave, të cilët kur vjen momenti i premierës, ngrenë duart për mungesë fondesh. Posterat dhe e gjithë fushata publicitare kushton. Po kaq edhe koha e qëndrimit në kinema me një numër minimal shikuesish.
Nuk ka dyshim që publiciteti është faktor i dorës së parë në shitjet e biletave për një film të ri; por meqë unë nuk i shoh zakonisht kanalet TV shqiptare nuk di nëse atje transmetohen trailer-a të filmave që do të shfaqen së shpejti. Një trailer i filmit Koha e kometës, që ka qarkulluar në YouTube, më është dukur i bërë aq keq, sa në vend që ta afrojë ndaj filmit publikun artdashës, e largon.
Megjithatë, kam përshtypjen se shkrimi i Shekullit nuk e ka rrokur dot arsyen e vërtetë e dështimit të filmave shqiptarë në Shqipëri, dhe që ka të bëjë me mënyrën si financohen këta filma.
Dihet se filmat e sotëm prej regjisorësh shqiptarë janë gjithnjë bashkëpunime, ku barrën kryesore të investimit e mbajnë institucione dhe kompani të huaja. Këta investues nuk kanë shumë shpresë që investimi t’u kthehet nga shitjet e biletave ose të drejtave të tjera në Shqipëri, sepse publiku shqiptar nuk ngre peshë nga ana ekonomike. Për pasojë, investuesit nuk parashikojnë ndonjë shpenzim kushedi çfarë për ta reklamuar filmin në Shqipëri.
Një pjesë e financuesve të filmave janë institucione të ndryshme pa qëllim fitimi, publike ose private, që kanë për qëllim të nxitin kinematografinë në vende të Europës lindore ose në vende me burime financiare të kufizuara, si Shqipëria. Një pjesë tjetër janë firma private që shpresojnë ta shëtisin filmin nëpër festivale ndërkombëtare, me shpresë të ndonjë çmimi dhe të suksesit pasues.
Për shembull, në qoftë se një film si Trishtimet e znj. Shnajder ose Koha e kometës fiton çmim në Cannes, në Venezia, në Berlin ose në Academy Awards, shitjet e këtij filmi në Perëndim do të jenë të tilla që t’i kthejnë investimet shumëfish, pa përmendur pastaj ekspozimin e regjisorit dhe të aktorëve ndaj publikut, që premton për filma të ardhshëm.
Regjisorët shqiptarë janë të vetëdijshëm për këto kërkesa dhe synime të sponsorëve dhe të financuesve të tyre, prandaj përpiqen, herë me vetëdije e herë pa vetëdije, që filmi t’i përshtatet më mirë publikut në Perëndim, sesa publikut shqiptar. Kjo shpesh duket qartë në temat e zgjedhura, në personazhet, në subjektin e rrëfimit dhe në efektet.
Prandaj them se duhet të kemi kujdes me shprehjen “film shqiptar” – meqë kjo tashmë i përshtatet më shumë një filmi me temë shqiptare dhe regjisor e aktorë shqiptarë, sesa një filmi të prodhuar në Shqipëri ose në Kosovë, me para të shqiptarëve, për t’iu shitur publikut shqiptar.
Është e drejtë e regjisorëve të sotëm shqiptarë që të përpiqen t’ia shpien filmin e vet publikut të huaj; sepse arti nuk njeh kufij, dhe reagimi i publikut shqiptar, shpesh me shije të prishur dhe krejtësisht provinciale, nuk mund të përdoret më si etalon për të vlerësuar filmin. Nga ana tjetër, meqë këta regjisorë janë shqiptarë dhe të formuar kulturorisht në Shqipëri, s’do mend se do të priren të trajtojnë tema shqiptare në filmat e tyre.
Çështja këtu është nëse mund të krijohet art për eksport vetëm?
Kjo është çështje e vjetër, e cila ekziston të paktën qëkur romanet e Ismail Kadaresë filluan të përkthehen në frëngjisht, këtu e 30-40 vjet të shkuara.
Fakt është që ato romane kanë pasur sukses të madh dhe vazhdojnë ta kenë, ndërsa filmi shqiptar, sado i manifakturuar për eksport, nuk arrin dot të shkëputet nga ato qarqe ekskluzive ku publiku i huaj snob konsumon produkte ekzotike dhe të çuditshme.
Shkaqet që filmi shqiptar, edhe kur prodhohet për publikun në Perëndim, nuk po arrin dot të çajë në sallat e kinemave ose në tregjet e DVD-ve, janë të shumta; por unë do të veçoja këtu nivelin e pakënaqshëm të realizimit (production) teknik.
Tek e fundit, vijmë përsëri tek investimi; prandaj, çfarë i duhet sot filmit shqiptar, është një sukses në arenën ndërkombëtare, për të cilin duhet fat më shumë se gjithçka tjetër. Suksesi do të sjellë më shumë para, paratë do t’i lejojnë producentët të shpenzojnë më shumë për realizimin teknik e kështu me radhë.
Çka nuk duhet bërë, përkundrazi, është që ta trajtojmë filmin e sotëm “shqiptar” vetvetiu si pjesë të trashëgimisë kulturore shqiptare – sepse nuk është i tillë, as është konceptuar për të qenë i tillë.
Kjo është për të ardhur keq, po të mendosh se filma të tillë si Kapedani sot e kësaj dite u japin shikuesve shqiptarë një kënaqësi të tillë që vështirë se mund të replikohet nga filma të huaj, sado të arritur.
Po kush do t’i prodhojë filma të tillë në Shqipëri, në kushtet kur publiku i ka braktisur sallat?
Rreth vicioz ky, që me përkufizim nuk i gjendet fundi.
|
30,396 | https://peizazhe.com/2019/01/12/fenomenologjia-e-ures-te-kadare-dhe-ivo-andric/ | null | 2019-01-12T09:44:32 | FENOMENOLOGJIA E URËS TE KADARE DHE IVO ANDRIÇ | (Mbi romanet « Ura me tri harqe », të Kadaresë dhe « Ura mbi Drin » të Ivo Andriç)
nga Ilir Yzeiri
Mbi poetikën e urës
Të dyja romanet kanë qenë objekt vështrimi nga kritika e huaj dhe, në këtë rast, më shumë i është mëshuar nënshtratit të legjendës së murimit që gjendet si shtysë e nisjes së intrigës sesa fenomenologjisë së të dyja veprave. « Urat në Mesjetë » titullohet libri i botuar nga « Presse de l’Université Paris-Sorbone », 2006, libër që përmbledh kumtesat që u mbajtën në seminarin e organizuar nga ky Universitet me argument « Urat në Mesjetë ». Një prej referuesve, përkatësisht, Claude Tomasset, në kumtesën e tij « La construction du pont médieval dans deux romans contemporains » ka analizuar dy romanet e sipërcituara. Ai është përpjekur që të shpjegojë fenomenologjinë e urës te të dy këta shkrimtarë duke u kujdesur më shumë që të zbulojë shtratin mesjetar të ndërtimit të Urës, qoftë te Kadare qoftë te Andriç. Mes të tjerash, ai shkruan : « Les deux romans, décrivant les observateurs, se font l’echo d’une conscience populaire, pour qui la construction du pont, met en œuvre des secrets qui appartiennent au monde des démons– Të dy romanet, shkruajnë vëzhguesit, u bëjnë jehonë vetëdijes popullore, sipas së cilës ndërtimi i urës, nxjerr në reliev sekrete që i përkasin botës së demonëve » (f. 24). Po ashtu, Veronique Gely pedagoge e letersisë së krahasuar në Universitetin e Sorbonës, (Vanhese Gisèle. Le Lait de la Mort. La ballade de l’emmurée et sa fortune littéraire. Anthologie et études réunies par Véronique Gély-Ghedira. In: Romantisme, 2002, n°115. pp. 123-124, flet për përhapjen e legjendës së murimit në Ballkan dhe për rimarrjen e kësaj teme nga autorë të shquar si Ivo Andriç e Kadare, por edhe rumuni Mircea Eliade. Për Kadarenë ajo ka ritheksuar atë që kanë vënë re më parë studiuesit Eric Faye et Jean Paul Champsieux. E kam fjalën për leximin e dyfishtë të tekstit ose bartjen e së sotmes në të shkuarën. Krahas studimit të Champsieux unë do të përmendja edhe atë të Peter Morgan, studiuesit austrialian të Kadaresë i cili në Kolokuiumin Ndërkombëtar « Lecture de Kadare, Paris, 2009 » mbajti kumtesën « Sacrifice, modernité et perte – Le pont aux trois arches de Kadaré”. Siç e përmenda, studiuesi francez Champsieux është përpjekur të vërë përballë dy romanet dhe ka treguar se Ivo Andriç dhe Kadare, megjithëse kanë në qendër të veprës së tyre ndërtimin e një ure në Mesjetë, rrëfejnë dy botë krejtësisht të ndryshme. Kadare, duke folur për librin e Andriçit në novelën e tij « Muzgu i perëndive të stepës” thotë se balada jonë e murimit është më e bukur se ajo boshnjake e përdorur nga Andriç.
Për një kohë të gjatë, sidomos gjatë periudhës komuniste, në studimet shqiptare shpallej gati si me triumf vjetërsia e baladave dhe motivet e tyre të patjetërsueshem, për të sfiduar në një farë mënyre variantet e fqinjve. Në pamje të parë, të duket sikur edhe këta dy shkrimtarë duan të bëjnë të njëjtën garë, mirëpo, kam përshtypjen se duhet të vështrojmë edhe diçka tjetër në këto dy vepra. Qoftë njëri, qoftë tjetri e përdorin legjendën ose baladën si një artific në veprën e tyre për t’i dhënë ngjarjes atmoseferën mistike të Mesjetës te Andriç, ndërsa te Kadare legjenda aktualizohet dhe ajo trajtohet si një aferë që ka të bëjë me një krim njerëzor si ata që ndodhin shpesh në shoqëritë që jetojnë me paranojat e fatit të paravendosur ose të magjive.
Nga autori te rrëfimtari, Ura si fiksion dhe Ura si imazh
Kur flasim për fenomenologjinë në një vepër letrare zakonisht sjellim në vëmendje punimet e Roman Ingarden dhe veprën e tij « L’œuvre d’art littéraire » (1931). Po ashtu, kujtojmë punimet e Pol Rikër mbi rrëfimin e fiksionit nën vështrimin e hermeneutikës. Kështu, vepra letrare na shfaqet si një tërësi dinamike kuptimesh që nisin nga autori, vijojnë me konfigurimin e veprës dhe mbyllen me lexuesin që e përfundon këtë proces. Po ashtu, nocioni i fenomenologjisë letrare sqarohet më mirë edhe nga kuptimi që i jep Rikër shenjueshmërisë në veprën letrare te librat e tij « Metafora e gjallë » dhe « Koha dhe rrëfimi ». Ai thotë se në veprën letrare shenjuesi nuk shenjon realitetin por irealen. Kjo ireale mund të jetë fiktive ose imagjinative. Për këtë, autori ndërton figurën e rrëfimtarit i cili është irealizacioni i autorit. Nga kjo pikëpamje, si shfaqet rrëfyesi te Andriç dhe te Kadare ? Që në fillim vërejmë se te Andriç kemi një rrëfimtar që na tregon një ngjarje irreale, ndërsa te Kadare, rrëfimtari na rrëfen një ngjarje të trilluar. Ivo Andriç e shkroi veprën e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1942-43 dhe e botoi në vitin 1945. Kadare e shkroi në vitin 1978 këtë vepër dhe, nëse do t’i përmbaheshim parimit të qëllimshmërisë aq i dashur për fenomonologjinë e Huserlit, do të thoshim se bota që rrëfen narratori i Andriçit, ndryshon krejtësisht nga bota që rrëfen narratori i Kadaresë. « Ura mbi Drin » ose ura e Vishegradit është një objekt real, « Ura me tri harqe » nuk ekziston askund, ajo është një trillim i autorit i cili kërkon të ndërtojë një botë të humbur dhe të harruar që ngjet me botën në të cilën jeton autori. Ura e Andriçit është një sagë moderne që përmbledh gjithë historinë e popujve sllavë të Ballkanit që jetojnë në kufi të njëri-tjetrit. Ata janë bosnjakë, turq, hebrej, serbë. Dikur ishin të ndarë nga lumi Drin, por një djalë i krahinës, Mehmet Pasha, kur po merrej peng nga Sulltani u betua sipas gojëdhënës, se do të ndërtonte një urë që të tjerët të mos vuanin siç vuajti ai kur u transportua në një kosh. Ura bëhet metafora e bashkëjetesës dhe ndarjes. Ura është gjithashtu porta nga vjen i huaji, tjetri, i ndryshmi që ndryshon rregullat dhe stilin e jetesës. Te Kadare Ura është shfrytëzuar si një metaforë për të ndërtuar Shqipërinë para pushtimit turk. Nëse Ivo Andriç është përpjekur që të japë gjithë historinë e sllavëve të Ballkanit, nga pushtimi turk e deri në Luftën e Parë Botërore, përmes Urës së Vishegradit, Kadare ka zbërthyer një tekst tjetër ose narratori i Kadaresë lexon një tekst të shkruar më parë. Mua më duket se asnjë prej studiuesve që janë marrë me këto dy romane nuk ka vënë re se fraza me të cilën nis novela e Kadaresë : « Unë murgu Gjon, biri i Gjorg Ukcamës, tue u kujtuom se në gluhën tonë ende s’ka gja të shkruom për urën e Ujanës së Keqe… » të kujton pasthënien e librit të parë të shkruar në shqip, Meshari (1555) të Gjon Buzukut, në të cilën thuhet «U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nuk kish gja të ndigluom n së shkroumit shenjtë, etj… ». Kështu, narratori i Kadaresë, murgu Gjon, në qoftë se do t’i referoheshim Rikërit e shmang të shenjuarin real që është bota e Gjon Buzukut dhe në vend të saj ndërton botën fiktive të autorit Kadare. Të duket se rrëfimtari i Kadaresë kërkon të ndriçojë jo kronikën e Ujanës së Keqe, por Shqipërinë e para pushtimit otoman. Kadareja e ka projektuar rolin e vet si shkrimtar te murgu i Mesjetës dhe ashtu si ai kërkon të rindërtojë edhe njëherë historinë e shqiptarëve deri sa ajo u zhbë nga pushtimi otoman. Te Ivo Andriç, Ura, siç thotë me të drejtë Champsieux, është indiferente ndaj historisë. Ajo është një dëshmitare e heshtur dhe autori, përmes imazhit të saj, rindërton rrugën, hapat. Ura është vendi më i plotë ku gjurmët e kalimtarëve ose me një metaforë më të plotë, gjurmët e historisë, duken më shumë. Ndërkaq edhe funksioni epistemologjik që merr ura ndryshon te të dy shkrimtarët. Ura e Ivo Andriçit dëmtohet nga Perëndimi, nga austriakët ; Ura e Kadaresë është një ndërtim apokaliptik, se ajo do të lejojë që vendi të pushtohet nga hordhitë otomane, që vendi të bjerë në gjumin e rëndë të shfytyrimit për 500 vjet. Të duket sikur kjo fenomenologji e portës së Lindjes dhe Perëndimit funksionon edhe sot. Bombardimet në Beograd gjatë konfliktit të fundit të kujtojnë bombardimet e Urës nga Astro-hungarezët, ndërsa debatet për modifikimin e historisë dhe për rregullimin e imazhit të otomanëve në vetëdijen kolektive shqiptare i ngjajnë ankthit që ka rrëfimtari i Kadaresë ose trallisjes që murgu Gjon shpreh kur dëgjon gjuhën e tyre që i ngjitet jetës dhe rutinës shqiptare. Rënia e kontëve shqiptarë njëri pas tjetrit po bëhej një ngjarje e rëndomtë. Ndërkaq, një detaj në dukje i vogël do ta prishte drjtpeshimin psikik të kombit. “Në vend të vitit 1379, ata sipas kalendarit islamik dhe kjo ishte një nga kërkesat e pakta të osmanëve, kishin shkruar “hixhra 757”. Fatzestë. E kishin çuar kohën gjashtëqind vjet prapa dhe qeshnin dhe talleshin. Ç’tmerr”. (Ura me tri harqe, Shtëpia botues “Naim Frashëri”, Tiranë 1978, f. 110)
Në fund unë do të shtoja se romani i Ivo Andriçit si sinekdokë e objektit, e vendit për të shenjuar historinë e atij komuniteti ngjet më shumë me “Kronikë në gur » të Kadaresë.
© 2018, autori.
|
10,499 | https://peizazhe.com/2012/07/11/danezi-dhe-kinezi/ | null | 2012-07-12T03:02:21 | DANEZI DHE KINEZI | Po veçoj në fillim disa pasazhe nga intervista, tashmë e mirënjohur, e ambasadorit danez në Tiranë, Karsten Ankjær Jensen, dhënë Skënder Minxhozit të Javës.
Theksimet janë të miat.
Fakti shqetësues është se komuniteti ndërkombëtar, për më shumë se njëzet vjet, ka harxhuar shuma marramendëse në ndihma dhe asistenca të tjera për Shqipërinë, me qëllim që ajo të hyjë shpejt në rrugën drejt Evropës. Përpjekje të ngjajshme në vendet e tjera ish-komuniste të Evropës janë kurorëzuar me sukses. Ata tashmë janë anëtarë të BE-së. Ndërsa në Shqipëri, pushtetet e rradhës, me vendosmëri kanë mbetur në vend dhe për vite me rradhë kanë hedhur poshtë shumë mundësi që iu janë ofruar. Jo me fjalë, – përkundrazi, me vepra, vepra të tëra. Kur shikoni se një sjellje e tillë shpërblehet vazhdimisht nga elektorati shqiptar, ju duhet t’i falni ndërkombëtarët që ndonjëherë ndjejnë se integrimi i Shqipërisë në BE duket si një mision i pamundur.
[…]
[P]asojat rrënuese të korrupsionit për perspektivën e ardhshme të Shqipërisë zor se janë kuptuar plotësisht, edhe nga shqiptarët që kanë përvojë jashtë vendit. Korrupsioni është një krim, edhe sipas ligjit shqiptar. Çdokush i përfshirë në korrupsion është një kriminel. Thjeshtë dhe qartë. I tillë është dikush që tejkalon kufirin e lejuar të shpejtësisë, parkon në mënyrë të paligjshme apo tymos në restorante. Nga përvoja ime shumë shqiptarë priren ta shohin korrupsionin e zakonshëm si një krim të papërfillshëm. Nuk ndodh kështu në vendet e Evropës veriore, përfshirë Danimarkën, ku korrupsioni përbën një krim shumë të rëndë. Korrupsioni shihet me përbuzje të thellë dhe fajtorët janë të destinuar për të hyrë në burg për sjellje të pahijshme, të cilat në Shqipëri nuk do ta bënin ndonjërin as të ngryste vetullat.
[…]
[Ë]shtë jashtëzakonisht shqetësuese të shohësh një numër politikanësh shqiptarë, që hapur shesin mend me pasurinë e tyre, të cilën çdokush e di që nuk mund ta kenë fituar me punë të ndershme. Jo vetëm sepse ata janë në gjendje t’ia hedhin paq, por edhe se njerëz të tillë zgjidhen, urohen madje edhe konsiderohen si të përshtatshëm, edhe për postet më të larta të shtetit. Pyetja që nuk e dëgjoj ta bëjë askush, por të cilën votuesit shqiptarë dhe analistët politikë me të vërtetë duhet të kishin filluar ta drejtonin prej kohësh është kjo: A ka ndonjë mundësi që politikanët e korruptuar, pra kriminelët, ta udhëheqin këtë vend drejt BE-së?
[…]
[P]arimi i shtetit të së drejtës dhe drejtësia për të gjithë, ende nuk ka zënë rrënjë në shoqërinë shqiptare. Lidhjet personale dhe pushteti duket se marrin përparësi mbi atë që është e drejtë apo mbi atë që thotë ligji. Shumica e shqiptarëve duket se në heshtje e pranojnë që ka një palë rregulla për njerëzit me pushtet dhe para, si dhe një palë rregulla krejtësisht të ndryshme për veten e tyre.
[…]
Problemi me zgjedhjet shqiptare nuk është ligji, por vullneti për ta zbatuar atë. Siç e kam thënë më parë, ligji danez është një broshurë, në krahasim me ligjin shqiptar, që ka madhësinë e një libri. Ligji danez funksionon sepse çdokush punon për të respektuar gërmën dhe frymën e tij. Ligji shqiptar nuk respektohet, as teksti as fryma e tij, pra nuk mendoj se ka rëndësi se çfarë shkruhet për të penguar keqpërdorimin, sepse zgjuarsia njerëzore gjithmonë do e gjejë mënyrën për të mashtruar, nëse ka këtë qëllim.
[…]
[F]atkeqësisht, sikurse e pamë gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2011, në fund, nuk duket se ka shumë rëndësi se çfarë thotë ligji. Ajo çfarë ka rëndësi në Shqipëri, është se kush ka shumicën dhe kush administron rregullat. Kjo nuk është demokraci apo shtet i së drejtës. Këtë fakt nuk e ndryshon as ndryshimi i tekstit në letër. Vetëm ndryshimi në mentalitet mund ta bëjë këtë gjë. Vetëm atëherë Shqipëria mund të pretendojë se është më tepër se një demokraci në krijim.
[…]
jam habitur nga ngurrimi i popullit shqiptar për t’u ngritur për të drejtat dhe interesat e tij. Nuk mendoj se ndonjë popull tjetër evropian do të kishte reaguar ndaj ngjarjeve të 21 Janarit, ashtu siç reaguan shqiptarët. Nuk mendoj se shumica e evropianëve do të pranonin nivelet e korrupsionit dhe padrejtësinë që ju shikoni në Shqipëri, pa reaguar. Nuk besoj se ndonjë popull tjetër evropian do të pranonte në heshtje që mjedisi i tij të shkatërrohej për shkak të përfitimit dhe lakmisë personale. Por më e habitshme është se elektorati shqiptar, herë pas here, vazhdon të zgjedhë të njëjtët njerëz, të cilët nuk e gëzojnë aspak respektin e tij.
Një lexim i kujdesshëm i këtyre pasazheve të hidhura, në mos i krejt intervistës, nuk lë vend për dyshime: ambasadori danez në thelb beson se shqiptarët, si të tillë, janë ende larg standardeve të një shoqërie që kërkon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Natyrisht, është lehtë të qortosh për këtë udhëheqjen politike dhe ekonomike të vendit, por kjo udhëheqje, tek e fundit, është krijesë dhe pasqyrë e kulturës politike sunduese sot në Shqipëri – dhe këtë e dimë të gjithë, pa qenë nevoja të na e kujtojë kush.
Shqiptarëve, si shoqëri, u mungon zemërata (angl. outrage) për abuzimin flagrant me gjithçka publike, thotë ambasadori danez; çka tradhton një mangësi të thellë etike, ose një tipar të një populli që ende nuk e ka arritur pjekurinë e vet. Provë e mëtejshme për këtë do të ishte edhe lehtësia me të cilën indinjohemi për gjepura: për një fyerje imagjinare të fisit ose të krahinës, për një këngë kundër flamurit, për një shtrembërim të “historisë.” Si të ishim fëmijë, nuk duam të na i prekë kush lodrat, as të na i shtrembërojë përrallat – në një kohë që nuk ndihemi të përgjegjshëm, as na bëhet vonë për hajnitë e prindërve.
Ndërkohë më qëlloi lexoja, këto ditë, një pasazh ku shkrimtari i njohur kinez Lu Xun flet për popullin e vet, e të cilin po e sjell më poshtë, pjesë-pjesë:
Masat kineze janë asnjanëse; në kohë lufte ato nuk e dijnë se cilit krah i përkasin, dhe në fakt nuk i përkasin asnjë krahu. Kur vijnë rebelët, e konsiderojnë popullin si të qeverisë, dhe bëjnë plaçkitje dhe vrasje. Pastaj vjen ushtria e rregullt dhe, në vend që t’i njohë dhe t’i pranojë të vetët, edhe ajo plaçkit dhe vret, thuase populli kish marrë anën e rebelëve. Në këtë pikë, e vetmja dëshirë e popullit është të gjejë një Zot, një Zot që do të denjonte ta pranonte si popullin e vet; madje jo, më pak akoma, ta pranonte si bagëtinë e vet. […] Si rregull, pas çdo periudhe anarkie, kur kaosi arrin kulmin, shfaqet ndonjë personalitet i fortë […] që merr përsipër të bashkojë vendin dhe të vendosë një farë rregulli. […] Me pak fjalë, mënyra më e thjeshtë dhe më e përshtatshme për të përshkruar historinë e Kinës do të ishte të shquanim dy lloj periudhash: (1) Periudhat kur populli dëshiron më kot që të gëzonte një jetë të qëndrueshme prej skllavi; dhe (2) Periudhat kur populli arrin të gëzojë një jetë të qëndrueshme prej skllavi. Këmbimi mes këtyre dy gjendjeve është ajo çka dijetarët tanë e kanë quajtur “cikli i kaosit dhe rregullsisë.” (nxjerrë nga Leys, S., Chinese Shadows).
Sikurse kinezët, edhe shqiptarët kanë qenë një popull kryesisht fshatar, me një kulturë që nuk ka arritur të organizohet as të koagulohet rreth Qytetit, si mishërim të publikes, të historisë jociklike dhe shoqërisë civile. Ndryshe nga kinezët, të cilët Perandorinë e kishin të tyren, ne shqiptarët Perandoritë gjithnjë na kanë qeverisur nga jashtë, duke na reduktuar në popull periferik me përkufizim; dhe kjo ndoshta shpjegon, më thjesht se argumente të tjera, si etnocentrizmin tonë ashtu edhe qëndrimin aq ambivalent ndaj të huajve; sikurse shpjegon edhe lehtësinë me të cilën, në çdo shqiptar të respektueshëm, bashkëjetojnë kapadaiu kokorroç dhe servili më i jargavitur – meqë ky shqiptar, për të cilin ndër të tjera flet ambasadori danez, është zot e patriark në katundin e vet shpirtëror, dhe lustraxhi i përunjur në pallatet e pushtetit.
E keqja e një populli, e një shoqërie, e një kulture, nuk ka aq të bëjë me situatën reale në të cilën gjenden, ose me plagët nga të cilat vuajnë, sesa me aspiratat praktike, me planet për të ardhmen, ose me çfarë këta dëshirojnë të arrijnë, me përpjekje dhe sakrifica, materiale dhe morale, të pashembullta. Dhe nëse është kështu, atëherë disa nota optimizmi, përndryshe të domosdoshme në fjalët e diplomatit europian, tingëllojnë disi të papërligjura.
|
40,202 | https://peizazhe.com/2022/01/06/limerike/ | null | 2022-01-06T09:02:45 | LIMERIKË | nga Arben Dedja
Limeriku është një formë poetike e light verse që lindi në Anglinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Ka vetëm një strofë (me katër ose pesë vargje) dhe i duhet, brenda kësaj hapësire, të shprehë gëzim, humor dhe një mungesë të plotë logjike e zhvillimi mendimi, që ia thonë nonsense. Skema është kjo: pesë vargje anapestike (∪ ∪ —), i pari, i dyti dhe i pesti me nga tri këmbë dhe që rimojnë mes tyre; i treti dhe i katërti me nga dy këmbë dhe që rimojnë mes tyre. Këto të fundit mund të shkruhen edhe si një varg i vetëm, me kusht që të ketë rimë të brendshme.
Ndërsa origjina e lindjes së kësaj poezie është e mbuluar me mjegull, kulmin e famës limeriku e arriti me Edward Lear-in. Ne shqiptarët Lear-in e njohim si piktor të peizazheve të mëmëdheut (tonë) dhe si përshkrues të botës shqiptare në ditarët e tij prej udhëtari metikuloz. Kurse bota anglosaksone, në përgjithësi pjesa tjetër e botës, e njeh për limerikët që shkroi, duke filluar nga libri i parë, “A Book of Nonsense”, botuar më 1846 me shpenzimet e veta (si çdo poet i denjë për këtë emër). Limerikët e tij Lear-i i shoqëronte me një vizatim, edhe ai absurd, me njerëz në ca pozicione të çuditshme, ndonëse krejt në harmoni me ç’rrëfenin vargjet. Ja, të shqipëruar, disa nga limerikët e librit (vizatimet janë të autorit).
Na qe një Plak mustak-e-mjekër
që thosh: “E çë të ndodhë tjetër!—
Dy Bufë një Trumcak,
një Pulë katër Ferrakë
fole pleksur kanë në mjekër!”
Na qe një Zonjushkë prej Rajdi
që gand lidhëset zgjidhur i mbajti;
me nallane-furi
e qenushë pullali,
fort shpesh u faneps përgjat’ Rajdi.
Na qe një Burrë Plak me hundë,
që thosh: “Pandehni ju po mundët,
që qenkam hundëderr
dhe bëkeni qeder!”
Ky Burrë i shquar me hundë.
Na qe Burri Plak mbi një çukë,
që rrallë, po qe se, ndejti squkë;
pa vrapoi sërish,
me të Gjyshes këmishë,
stolí e Burrit Plak mbi çukë.
Na qe një Zonjushkë me kësulën
q’u zgjidh kur do zogj aty u ulën;
tha ajo: “S’ka përse!
Tërë zogjtë me hare
le t’ulen mbi timen kësulë!”
Na qe një Plak pemës përpjetë
q’ja nxiu keq jetën një Bletë;
kur i thanë: “A zhuzhet?”
u përgjigj: “Aq ia pret!”
“Bah ç’shtazë shtazarake kjo bletë!”
Na qe një Zonjë q’fulqiri i saj
i ngjante porsi gjemb me majë;
për së mbari e mprehu
dhe një harpë sa bleu
e cimbis me fulqirin e saj.
Na qe një Gërxho prej Kilkeni
që s’pati kurrë dot dy peni;
se tërë ato sumbulla
i bëri rrush e kumbulla
ky Gërxho kokëgdhë Kilkeni.
Na qe një Gërxho në kaike,
që thosh: “U mbyta! Ore, ika!”
Kur i thanë: “Jo mor ti!”,
sa s’i ra vilani,
atij Gërxhoje qyq në kaike.
Na qenkësh një Person prej Bude
me sjellje dreqe e harbute;
gjer u quk nga vareja
dhe ju squk batareja
personit t’zgërlaqur prej Bude.
Na qe një Plak që derdhte lot
se derë e gardhit s’mbyllej dot;
pa do minj barkbaula
llupën pallto e kësula
tek kotej ky kreshnik i kotë.
Na qe një Zonjushkë me sytë
me ngjyrë e formë pa të dytë;
që kur i zgurdullonte
miletin tej e zbonte,
kollitur nga ç’i shihnin sytë.
Na qe një Zonjë nga Norvegjia
q’u ngec tek e derës burgjia;
kur aty u bë petë
ulëriti: “Ç’të jetë?”
Kjo Burrëreshë nga Norvegjia.
(vijon)
|
42,969 | https://peizazhe.com/2022/12/11/clerihews-iv/ | null | 2022-12-11T13:29:29 | CLERIHEWS (IV) | nga Arben Dedja
Mircea Eliade
Mircea Eliade,
tek me hap parade
ecte: “Me zotninë Koliq”
thoshte, “jemi miq!”
Konfuci
Konfuci
i nguci
mendimet pa teklif
dhe në një të vetëm hieroglif.
Leonardo Fibonacci
Leonardo Fibonacci
te Liber Abaci
nuk pati skrupuj
për problemin me lepuj.
El Greco
Domenikos Theotokopoulos El Greco:
“Te Vista y plano de Toledo,
mirë që e bëra” tha, “Spitalin e Taverës
mbi re, se ia zinte pamjen Derës.”[1]
Gjergj Basta
Gjeneralit Gjergj Basta
kuzhinieri i tha: “A t’ju gatuaj pasta?”
Ky: “Më ka marrë malli për bukë e ullinj”
i tha, “po ja që s’ka në Transilvani!”
Oliver Cromwell
Oliver Cromwell-it
seç i hipi delli
çdo katedral
ta bënte stallë.
René Descartes
Ngaqë René Descartes
porosiste à la carte,
François Vioguè e mërziste
me osten menu fikse.
Évariste Galois
Évariste Galois:
“Mos qaj” të vëllait i tha,
“se kam nevojë për guximin e botës mbarë
të vdes njëzetvjeçar.”
Osman Taka
Osman Taka
s’mbathte këpucë me taka.
“Përndryshe” thosh, “vallen hata
s’e kërcej dot në sufra.”
Hugo Ball
Hugo Ball
kish një hall:
ta linte që Tristan Tzara
t’i dilte përpara?
Çerçiz Topulli
Çerçiz Topulli,
populli
të desh në Gjirokastrën trime
pa nënkuptime.
Hilë Mosi
Hilë Mosi
ia palosi
katërsh gabimisht
letrën Fishtës.
Maurice Ravel
Maurice Ravel
tha: “S’jam bedel!
S’e shkrova koncertin
t’i heq Paul-it dertin.”
Bertolt Brecht
Bertold Brecht
kish vështrim të mprehtë:
me sy miopi
e pa likantropin.
Charles Bukowski
Charles Bukowski
nuk blente “Swarovski”.
“Don’t try!” thosh. “Më mirë
koleksionoj tapat e birrës!”
Freak Antoni
S’e di si Freak Antoni
buthtoi nga sifoni
në park.
Apo në thark?
Giorgio Armani
Giorgio Armani
tha: “S’më pëlqen divani.
Duhet për të destrukturuar jetën,
por jo xhaketën!”
Abebe Bikila
Abebe Bikila
i la si birila
Rhadi Ben Abdes-salam-in, francezin Mimoun
bash tek obelisku Axum.
Antonín Panenka
Antonín Panenka
tha: “Gjermani s’qenka
hiç në dijeni
si gjuaj penallti.”
Petrit Dume
Petrit Dume
s’i dha dum
ç’lloj bunkeri
desh Enveri.
Zygmunt Bauman
Kur Zygmunt Bauman
vajti në dyqan,
i thanë: “Merre me lëng…”
Dhe ky: trëng!
Ridvan Peshkëpia
Ridvan Peshkëpia,
kur hyri në grevë urie:
“Nuk dua të shoh” tha, “panine
mbi komodinën time.”
Marina Abramović
Marina Abramović
s’ju drodh qerpiku hiç
sy më sy me Ulay
gjer… zuri të qajë.
Elena Kocaqi
Elena Kocaqi
tha: “Ç’janë pocaqi
ca profesorë;
Flamuri u ngrit në Vorë!”
Alda Bardhyli
Alda Bardhyli
i zbërdhyli
ç’ishin para saj Drejtorë Libri,
ca, bile, edhe poetë kalibri.
(c) 2022 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shënim i autorit:
Clerihew është një formë e çuditshme poetike: një si biçim mikrobiografie. Unë Clerihew-të e para i kam ndeshur në vëllimin e tretë të së famshmes (për ne, shqiptarët) The Essential English for Foreign Students, nga C. E. Eckersley, e vetmja metodë për mësimin e anglishtes që qarkullonte në Shqipërinë e dikurshme, bile shumëfishohej – pa të drejta autori – nëpër shtypshkronjat e vendit (po unë mburresha që i zotëroja të katër vëllimet në origjinal). Atëbotë nuk i kuptoja siç duhet këto vjershëza, por kujtimi i tyre më notoi gjithnjë në mendje, e kapërceu mijëvjeçarin.
Te Clerihew-të kemi të bëjmë me rastin e rrallë, do të thosha unik, kur poeti i ka dhënë emrin një forme poetike. Sot ne themi sonet “petrarkian”, sonet “shekspirian” – emra hijerëndë – por autorët këtu përdoren si plotës të termit “sonet”, në një kohë që Clerihew është i vetëmjaftueshëm. Edmund Clerihew Bentley (1875†1956), thonë, filloi t’i shkruajë që gjashtëmbëdhjetëvjeçar, në shkollë, dhe i botoi kryeherazi më 1905, në vëllimin Biography for Beginners, pasuar nga dy vëllime të tjera (më 1929 dhe 1939). E para vjershëz e këtillë që shkroi është:
Sir Humphry Davy
Abominated gravy.
He lived in the odium
Of having discovered sodium.
E. C. Bentley ishte edhe një romancier, eseist e tregimtar shumë i mirë, por, sigurisht, sot e gjithë ditën kujtohet veç si shpikësi i këtyre poezive, që të tjerë, vite më vonë dhe që në të gjallë autorit, i quajtën me emrin e tij të mesit, aq të veçantë.
Clerihew është, pra, një poezi fare e shkurtër e shakatare, e përbërë nga vetëm katër vargje me numër të lirë rrokjesh, që rimojnë (por pranohen bujarisht edhe rimat jo të plota, asonancat, konsonancat, rimat me fjalë të gjuhëve të tjera nga anglishtja – ne mund të themi të tjera nga shqipja) sipas skemës: AABB. Bile, sa më ekstravagante të jenë rimat – aq më mirë. Vargu i parë është thjesht emri i personit (zakonisht i njohur, i famshëm) të cilit i bëhet biografia: në një intervistë të vonë E. C. Bentley saktësonte që emri duhet të jetë “at the end of the first line”, se gjithë puna është të arrish të bësh deri edhe kokëdollapçe rimore (dhe ju siguroj që nuk është aspak e lehtë, sidomos kur personazhi biografik është i huaj) me emrin. Në një Clerihew të denjë personi që përmendet në vargun e parë vihet gjithnjë në një situatë komike, absurde, anakronike, kallpe ndoshta, pak tallëse, të thjeshtëzuar sigurisht (janë vetëm katër vargje, je i detyruar), të shtrembët. Nuk bëhet satirë, nuk janë vargje fyese. E, megjithatë, shpesh janë më të vërteta se e vërteta.
[1] Bëhet fjalë për Puerta de Visagra, e paraqitur edhe ajo në këtë tablo.
|
19,051 | https://peizazhe.com/2015/08/27/fjalet-e-krijojne-peizazhin/ | null | 2015-08-27T23:12:24 | FJALËT E KRIJOJNË PEIZAZHIN | Ka plot shkrime që komentohen vetë, nuk kanë nevojë as për shpjegime e as për reagime. Janë si të thuash të vetëmjaftueshme, pasi janë shumë të qarta në sytë e publikut për mesazhin që bartin. Nga ana tjetër, me natyrën e tyre bllokojnë e neutralizojnë çdo lloj hapësire për diskutim e dialog.
Një prej tyre është pa dyshim edhe shkrimi “Ardian Vehbiu si kurbetçiu i akçihaneve”, me autor Agron Gjekmarkaj, botuar sot (27 tetor 2015) në gazetën “Panorama”, sipas gjasës pas shkrimit të Vehbiut, me titull “Si të protestosh” në Peizazhe të fjalës, ku ngrinte disa probleme të rënda të mediave shqiptare.
Artikulli ta heq dëshirën e komentit, ose të replikës, sepse është një sulm i ashpër ad hominem, duke e skualifikuar veten thjesht ngaqë nuk i përmbahet temës e, për më tepër, nuk përmban asnjë argument. Pa përmendur fyerjet e rënda dhe epitetet denigruese, për të cilat është e vështirë të jepen shembuj se janë të shumtë, ngaqë i tërë editoriali është i mbushur plot e përplot, madje me një crescendo të frikshme. Por nuk mund të sillen gjithashtu, pasi do të përsërisnim aq shumë pështymë e vrer fjalësh saqë do të na vinte ndot prej vetes. Ndërkohë, çdo lloj përgjigjeje me të njëjtën monedhë do të konsiderohej si tradhti ndaj etikës profesionale dhe edukatës qytetare.
Por nuk ishte kjo arsyeja që më bëri të shkruaj këto radhë, sepse Vehbiut i këndon pena vetë dhe nuk ka nevojë për mbrojtje, aq më tepër në raste të tilla, kur zelli i tepërt i akuzuesit dëmton kauzën e vet; u detyrova të hedh dy mendime sepse në editorialin e mësipërm u përbaltua edhe blogu Peizazhe të fjalës. Në një pasazh të editorialit lexohet se Vehbiu “lëshon anatemat si ‘rrufe zhgjetare’ nga akçihania e tij virtuale”; në një vend tjetër doza shtohet: “Çdokush mund ta shohë blogun e tij, i cili ngjan me një makinë fekalesh të azdisura”; e diku tjetër shkruhet ironikisht “blogu i tij zulmëmadh…” . Duket qartë se blogu Peizazhe të fjalës është në qendër të sulmit.
Tani, pikë së pari, në blog shkruajnë disa autorë, që janë shtuar me kalimin e kohës, sikurse janë rritur autorët e ftuar dhe kolegët që komentojnë rregullisht prej vitesh. Sipas logjikës së shkrimit të lartcituar, të gjithë këta, përfshirë mua, bëjnë pjesë në një “akçihane virtuale” dhe ndezin një “makinë fekalesh të azdisura”. E nuk janë jashtë loje as mijëra lexuesit e dashamirësit që e vizitojnë rregullisht.
Projekti i Peizazhe të fjalës lindi me idenë e krijimit të një hapësire të lirë dhe qytetare, ku të lëvrohej mendimi dhe diskutimi i kulturuar, edhe kur ky i fundit merr tonet e debatit. Liria e mendimit dhe e shprehjes kërkon së pari respektin ndaj Tjetrit, njohjen e tij si palë në debat, jo denigrimin totalitarist dhe asgjësimin e fjalës së tij duke e sulmuar me emër e mbiemër. Të gjitha format e argumentum ad hominem janë në thelb fashistoide, sepse synojnë mbylljen e gojës duke përdorur sharje dhe fyerje personale. Në fakt, një nga rregullat më të rrepta që ka ky log virtual është pikërisht bllokimi i çdo sulmi ad hominem, që në realitet dëshmon për dështimin e dialogut, por edhe për mungesën e forcës bindëse.
Edhe pse pa reklama dhe grante, blogu është përpjekur t’i japë një shembull tjetër modelit mediatik që është instauruar pjesërisht në Shqipëri, ku banaliteti vulgar prek shpesh shëmtinë pornografike, ku përbaltja e kundërshtarit merr trajtat e dhunës, çka krijon përzierje helmuese dhe mjedis asfiksues për komunikimin publik dhe fjalën e lirë. Në fakt, edhe në polemikat më të ashpra, në shkrimet e blogut nuk do të gjeni kurrë fyerje personale, sepse fjala e lirë ruhet e kultivohet gjithashtu duke ia pastruar vendin nga barishtet e këqija.
Nga ana tjetër, blogu është karakterizuar si një nga hapësirat virtuale shqiptare ku komentet cilësore jo vetëm respektohen dhe nxiten, por edhe vlerësohen. Një palestër e vërtetë demokracie dhe dialogu. Në asnjë rast nuk janë hequr komente që shprehin mendime të kundërta me autorin e shkrimit, sikundër ndodh sot e kësaj dite në mediat shqiptare, por janë vënë disa rregulla të përbashkëta për ta mbrojtur blogun nga trollët dhe rrugaçët. Arsyeja është se këta e kthejnë hapësirën e komunikimit të qytetëruar në mure të nevojtores publike, ku shkruajnë pisllëqe nga më të ndyrat. Ndërsa peizazhin e bukur të fjalës e ndotin me gjithfarë mbeturinash toksike. Për respekt të lexuesit të qytetëruar i duhen treguar rregullat e mirësjelljes dhe më pas pasojat e mungesës së saj.
Sa për cilësinë e shkrimeve, pavarësisht nga idetë që shprehin, nuk ka shumë diskutime. Përjashto shkrimet e autorit të këtyre radhëve, të gjitha të tjerat janë të një niveli shumë të lartë, çka pranohet pothuajse nga të gjithë ata që nuk kanë paragjykime. E nuk është mister që materialet e blogut kanë qenë minierë ari në qiell të hapur për lexues, studiues dhe media, çka ia rrit vlerën kësaj hapësire, edhe pse ndonjëherë ia nëpërkëmb të drejtat e autorit.
Ka qenë pikërisht kjo hapësirë virtuale, pra Peizazhe të Fjalës, e cila që në fillesat e veta parapëlqeu dhe zgjodhi argumentin e bazuar ndaj emrit të përveçëm, temën e trajtuar ndaj biografisë së autorit, arsyetimin ndaj akuzës, dialogun ndaj përbaltjes, respektin ndaj urrejtjes, edukatën ndaj rrugaçërisë, kulturën ndaj injorancës, ballafaqimin ndaj përplasjes. Këto kanë qenë arsyet e suksesit në rritje të vetë blogut, sikurse ka ndikuar liria që shpreh me mendimet veta, çka nuk do të thotë paanshmëri, por angazhim qytetar e të ndershëm për të mirën publike.
Sfida është e stërmadhe, sepse vështirë të qëndrosh përballë një ventilatori që ushqehet herë me baltë e herë me indiferencë, por është e vetmja rrugë për të rimëkëmbur hapësirën e ligjërimit publik në Shqipëri, qoftë duke dhënë një shembull tejet modest. E meritojnë rastet pozitive që nuk mungojnë as në media, por mbi të gjitha e kërkon Shqipëria e së nesërmes.
|
25,422 | https://peizazhe.com/2017/04/13/kujt-i-sherbejme/ | null | 2017-04-13T08:43:09 | KUJT I SHËRBEJMË? | Gjatë viteve të regjimit totalitar në Shqipëri – në vija të trasha, 1945-1990 – u shkrua letërsi shqipe si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e shqiptarëve: me qindra e qindra vëllime poetike, romane, tregime dhe novela, drama dhe kritikë letrare, të cilat vepra i përkisnin, ose të paktën ishin të detyruara t’i përkisnin realizmit socialist, si metodë letrare.
Letërsia shqipe e realizmit socialist vërtet zuri fill “zyrtarisht” që me marrjen e pushtetit nga komunistët, fill pas mbarimit të Luftës II Botërore, por pjekurinë e arriti dikur nga fundi i viteve 1960, së bashku me shkrimtarët e saj më të shquar dhe më të zotët, si Ismail Kadareja dhe Dritëro Agolli, të cilët i dhanë pushtetit, dhe lexuesit, vepra që sot e kësaj dite vlerësohen si artistikisht të arrira.
Paradoksalisht, shumë nga këto vepra, që nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur” e deri te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, e futën në krizë metodën e realizmit socialist. Ka akoma ndonjë që, sot e kësaj dite, mendon se një paradoks i tillë provon që një vepër nuk mund të ishte njëkohësisht edhe e realizuar mirë, edhe t’i përkiste një metode të ngurtë dhe artificiale, si realizmi socialist.
Por më shumë gjasa ka që veprat më të mira të asaj kohe të jenë krijuar pikërisht në përpjekje për t’ia testuar metodës limitet dhe shtrëngimet, siç ndodh zakonisht me sistemet dogmatike dhe reagimet e artit ndaj tyre.
Në çdo rast, sistemi i përftimit dhe i konsumit të veprave letrare të asaj kohe i nënshtrohej i tëri dhe me detyrim synimeve të regjimit; dhe pikërisht, që letërsia e botuar duhej t’i shërbente edukimit komunist të masave punonjëse dhe krijimit të “njeriut të ri.” Çdo vepër që botohej në atë kohë rishtas dhe që shitej në libraritë anembanë Shqipërisë duhej ta plotësonte këtë kriter; përndryshe nuk duhej të ishte botuar.
Për të njëjtën arsye, regjimi subvenciononte një shtresë krijuesish, mes tyre një numër shkrimtarësh të zgjedhur, duke i mbajtur me rrogë në profesion të lirë dhe duke i nxitur të krijonin sa më shumë vepra të realizmit socialist; jo sepse kjo i shërbente lexuesit ose kulturës, por sepse ashtu ndihmohej ndërtimi i socializmit në Shqipëri.
Vetë letërsia kontrollohej tërësisht nga ideologjia; dhe ishte e detyruar të pasqyronte dhe të riprodhonte, në përmbajtje, të gjitha dogmat ideologjike të momentit; përndryshe do të mbetej e pabotuar. Kontrolli ideologjik ndaj letërsisë dhe i organizatave të PPSh-së ndaj shkrimtarëve dhe artistëve ishte vetvetiu i ashpër, sepse vetëm ashtu mund të garantohej që shkrimtarët dhe artistët të mbeteshin “ndihmës të Partisë për edukimin komunist të masave punonjëse.”
Shumë qytetarë të Shqipërisë së sotme, që nuk e kanë jetuar as përjetuar atë periudhë, nuk e kanë shumë idenë se si funksiononte sistemi letrar dhe çfarë roli luante letërsia në indoktrinimin e lexuesve. Fajin dhe përgjegjësinë për këtë e ka shkolla, por edhe mass mediat dhe në përgjithësi shoqëria, e cila nuk duket ta çajë shumë kokën, për të mirëmbajtur përmasën kohore, ose diakronike në letërsi.
Kjo shkëputje e së sotmes nga e shkuara dhe pamundësia e së tashmes për ta përfytyruar veten si produkt të një historie të caktuar ka dhënë efekte të ndryshme, ndonjëherë të kundërta. Një nga këto efekte, është që letërsia e realizmit socialist pothuajse ka dalë nga vëmendja e lexuesit, me pak përjashtime të njohura, si vepra në prozë e Ismail Kadaresë.
Ky eklipsim ka ndodhur krahas me eklipsimin e përgjithshëm të librit në jetën kulturore të publikut; sepse shumë nga lexuesit e djeshëm sot parapëlqejnë ta kalojnë kohën në Internet ose para televizorit; çfarë do të thotë se letërsia e realizmit socialist nuk ka dalë nga skena ngaqë ka qenë e realizmit socialist, por ngaqë lexuesit shqip nuk para lexojnë më. Provë e tërthortë për këtë hipotezë do të ishte gjallëria e ruajtur e filmave të Kinostudios “Shqipëria e re”, të cilët kanë qenë edhe më skematikë dhe të indoktrinuar se letërsia e kohës; çfarë nuk i ka penguar që ta ruajnë dhe ta riprodhojnë publikun e tyre.
Efekti tjetër, edhe më tinëzar se i pari, ka të bëjë me çfarë pret sot prej letërsisë bashkëkohore kultura dhe institucionet e saj drejtuese. Nëse dje regjimi totalitar nuk e fshihte interesimin e vet të drejtpërdrejtë ndaj dukurisë letrare, meqë prej veprave kërkonte që t’i shërbenin ideologjisë sunduese, sot shkrimtarët e mendojnë veten të lirë të shkruajnë çfarë të duan, gjithë duke shpresuar se lexuesi do t’ua njohë dhe do t’ua vlerësojë këtë lloj lirie, siç u shprehet dhe mishërohet në krijimet e tyre dhe siç promovohet prej këtyre krijimeve.
Ndërkohë, edhe pse realizmi (jo socialist) si metodë letrare mbizotëron për shumë arsye, ideologjia e djeshme e imponuar forcërisht nga regjimi totalitar sot nuk vepron më – për t’u zëvendësuar nga humanizmi, nihilizmi ose ndonjë formë tjetër ideologjie soft ose kitsch, të cilën autorët bashkëkohorë nuk e lënë t’u ndërhyjë në procesin krijues, përveçse në mënyrë të kufizuar dhe të kontrolluar.
Mirëpo një gjë është të shpallësh çlirimin nga një lloj ideologjie, moniste dhe dogmatike; dhe një gjë tjetër ta çlirosh vërtet letërsinë nga të gjitha ato forca sociale, politike dhe kulturore që duan ta kontrollojnë. Në fakt, edhe atëherë kur shkrimtarët vetë besojnë se janë të lirë të krijojnë çfarë të duan dhe si të duan, shoqëria ende nuk është çliruar nga vizioni i djeshëm instrumental për veprën letrare; në kuptimin që ajo vazhdon ta vlerësojë këtë vepër sipas shërbimit që ajo i ofron një kauze tjetër, e cila gjykohet si supreme, ose si të paktën më e lartë se ajo letrare.
Ky nënshtrim i vlerave letrare ndaj një sistemi tjetër vlerash, këtë herë fund e krye ideologjik, nuk është i ri; dhe as është trashëguar thjesht nga periudha e monizmit letrar. Përkundrazi, i ka rrënjët që në fillimet e letërsisë kombëtare, kur veprat gjykoheshin më parë sipas rolit të tyre në “zgjimin kombëtar” të shqiptarëve dhe në lëvrimin e gjuhës shqipe dhe në edukimin e “djalërisë” shqiptare; dhe vetëm më pas e po t’u vinte radha, për nga vlera letrare mirëfilli.
Letërsia e Rilindjes, për të sjellë shembullin më tipik, ishte në masë të madhe e vënë në shërbim të çështjes kombëtare dhe vetë autorët e saj kryesorë e shihnin veten si apostuj të kombit; çfarë edhe shpjegon pse një pjesë e mirë e letërsisë shqipe deri vonë ka vuajtur nga didaktizmi dhe skematizmi dhe folklorizmi; në kuptimin që sot nuk mund të lexohet thjesht për kënaqësi, në daç estetike në daç intelektuale.
Edhe pas 1990-ës, me venitjen e plotë të ëndrrës dhe të projektit komunist, ishte ideologjia kombëtare në format e saj nga më të ndryshme, herë vulgare dhe herë të sofistikuara, që ia zuri vendin enverizmit të djeshëm; në kuptimin që si kriter për vlerësimin e letërsisë së krijuar rishtas u përdor suksesi i një vepre letrare jashtë Shqipërisë, ose prezantimi i mirë që ia bënte Shqipërisë – dhe shqiptarisë – letërsia.
Kështu letërsia shqipe do të përfytyrohej si një industri që ose punon ekskluzivisht për eksport, ose prodhon produkte irrelevante.
Arsyet e këtij involucioni shkojnë më tej se thjesht mbijetesa e një sistemi të tillë kulturor, ku çdo vepër dhe çdo produkt gjykohen para së gjithash nga masa me të cilën i shërbejnë një kauze tjetër, “madhore.”
Rol të madh ka luajtur në këtë mes edhe mungesa e një kritike letrare të mirëfilltë, ose të tillë që të ndërmjetësojë midis autorëve, shtëpive botuese dhe lexuesve; por edhe të mirëmbajë lidhjet midis së sotmes dhe traditës, përtej nivelit foshnjor të recensioneve që shoqërojnë botimin e një vepre.
Rol sërish të madh ka luajtur edhe preteksti ose alibia e ekonomisë së tregut; ose ideja e çuditshme se një vepër letrare, për më tepër në një gjuhë me aq pak lexues si shqipja, mund madje duhet të jetë ekonomikisht fitimprurëse; çfarë i ka stresuar marrëdhëniet e autorëve me botuesit, por edhe marrëdhëniet e autorëve me lexuesit, që shpesh nuk i përballojnë dot çmimet e larta të librave.
Botuesit, që janë në treg për të fituar para, kanë nevojë të hedhin në qarkullim sa më shumë produkte të reja, të cilat promovohen me përparësi ndaj atyre më të vjetrave, si të ishte fjala për modele çizmesh ose produktesh kozmetike. Kjo frenezi bën që të zhduken nga qarkullimi të gjithë ata tituj letrarë, që nuk kanë pasur mundësi as të vjetrohen normalisht – meqë këta duhet t’ua lirojnë vendin titujve të rinj. Për pasojë, letërsisë – si dukuri sociale të prodhimit, qarkullimit, leximit dhe rileximit të veprave – i priten rrënjët, sepse vjen dhe i mungon përmasa kohore.
Sot për sot lexuesi shqip ka përballë ose titujt e ditës, ose një plejadë autorësh të traditës, si Fishta dhe De Rada dhe Noli që i kanë përkitur një periudhe ante-diluviane, ose një mjegullnajë veprash të realizmit socialist, të shumta në numër dhe të palexueshme, që shiten trotuareve. Çfarë i mungon, është ideja për marrëdhënien e këtyre veprave me njëra-tjetrën, ose koncepti për letërsinë si një dukuri me karakter historik.
Filozofi amerikan Francis Fukuyama do të mbahet mend, para së gjithash, për tezën e vet provokuese, sipas së cilës shfaqja e demokracisë liberale perëndimore si sistem politik dhe qeverisës kish lajmëruar fundin e historisë; tezë që duk sikur u konfirmua bujshëm nga kolapsi i Bashkimit Sovjetik dhe fundi i Luftës së Ftohtë, në fund të viteve 1980.
Kjo tezë e Fukuyama-s është kritikuar nga shumë anë; por duket sikur e ka ruajtur vlerën, të paktën sa i përket kulturës dhe institucioneve në vende të tilla të vogla dhe periferike, si Shqipëria; ku shembja e regjimit totalitar, në vitin 1990, është shoqëruar vërtet me simptomat karakteristike të “fundit të historisë”, mes të cilave edhe pamundësia e institucioneve për ta perceptuar rrjedhën e kohës në mënyrë të artikuluar dhe organike; ose për të ruajtur vetëdijen e së shkuarës, ose kujtesën në daç institucionale, në daç kolektive; pavarësisht nga pseudo-historizmi i ideologjisë kombëtariste dhe i formave folklorike të kësaj ideologjie.
Sa i përket letërsisë shqipe, ky farë përçudnimi ka bërë që letërsia e realizmit socialist të mos përjetohet më si pararendëse e kësaj të sotmes, pa çka se një pjesë e shkrimtarëve të atëhershëm janë aktivë edhe sot; por më tepër si një pjesë a shfaqje teatrale, që nuk mund të ketë histori tjetër përveç asaj të vënies në skenë dhe që nuk ka ndonjë lidhje, gjithsesi, me aktorët përkatës.
Nëse një zgjidhje e tillë, karakteristike për një psikodramë, ka qenë kusht për shkrimtarët që të fitojnë në mos lirinë, të paktën iluzionin e lirisë, kjo gjithnjë mund të diskutohet; por njëkohësisht duhet diskutuar edhe se çfarë ka mbijetuar pikërisht, pas përmbysjes së sistemit kulturor të djeshëm; sikurse duhet diskutuar se sa dhe si po e pengon dhe dëmton e djeshmja të sotmen, sa kohë që vazhdon të maskohet me mos-ekzistencë.
Shënim: Kjo ese, e shkruar në shkurt të këtij viti, ka dalë në numrin e fundit të revistës “Saras.”
|
42,162 | https://peizazhe.com/2022/09/20/bidoni/ | null | 2022-09-20T08:02:41 | BIDONI | nga Endrit Marku
Prej disa muajsh jetojmë me qira tek “Ali Demi”, në një nga ato pesëkatëshet e Enverit. Dhjetë vitet e fundit i kemi kaluar tek Komuna e Parisit në një bllok të ndërtuar pas viteve dy mijë. Aty, ndër të tjera, kishim parkimin tonë me qira. Shpenzimi sikur e justifikonte veten, pasi na kishte çliruar nga bezditë e përditshme të lidhura me makinën, nga ecejaket për të gjetur një vend, dëmtimet pa adresë e angari të tjera. Ndërsa presim t’i rikthehemi së shpejti rutinës së Komunës, përditë e më shumë po e njohim si banorë, jo thjesht si vizitorë, lagjen që po na mirëpret. Realiteti i të jetuarit tek blloku me pesëkatëshe i “Ali Demit” ndryshon nga jetesa e mëparshme. Në mbrëmje kthehemi me pasigurinë e të gjeturit të një vendi për të lënë makinën. Sillemi me fëmijët në sedilen e pasme në kërkim të një parkimi nëpër rrugica mbushur me makina, të ndalura anës rrugës me bllokazh ndezur, mes vendeve të zëna, dhe, këtu qëndron veçoria e këtij teksti, mes vendeve të zbrazura. Nëpër lagje ka shumë vende që qëndrojnë bosh për orë të tëra, gjithë ditën, deri darkën vonë. Në fakt ato janë pjesërisht të zbrazura pasi në mes të drejtkëndëshve të asfaltuar qëndron vetëm një objekt i vogël, që nuk e justifikon hapësirën që zë me masën që ka. Në shumë nga vendparkimet e lagjes ku po jetoj ka nga një bidon, nga ato pesëlitërshet bojë qielli, që i gjen në shumicën e shtëpive shqiptare.
Bidonët janë të lirë, janë të njëjtë, të tejdukshëm, në ta mund të gjesh ujë ose guralecë që të mos i marrë era. Nuk i dihet i zoti, pasi ata janë vendosur përballë banesave kolektive. Mbi rrugë ngrihen fasada me plot dritare. Në secilën prej tyre mund të jetë dikush që me vigjilencë pret që ti të gabosh duke e hequr bidonin. Veshët e tyre, të ndihmuar nga muret pa izolim dhe zhurmat e vazhdueshme të qytetit janë stërvitur që ta dëgjojnë heshtjen e fikjes së motorit poshtë dritares. Nëse do të guxosh ta prekësh bidonin, me gjasë do të të vijë sulmi verbal nga ndonjëra prej dritareve, e ai sulm nga verbal mund të shndërrohet shumë shpejt në konflikt me shumë të panjohura. Nëse askush nuk do të dalë, mbase sherrnaja do të të presë të nesërmen në mëngjes ndërkohë që po nxiton për në punë. Ekziston dhe mundësia e tretë, që e gjitha të zgjidhet përmes ndonjë sulmi nokturn drejtuar makinës. Përdorimi i arsyes në përballjen potenciale është deri-diku i kotë, pasi edhe po të argumentosh që parkimi është publik, nuk mund të mohosh faktin tjetër, që bidoni mbi të cilin vure duart është privat.
Marrëdhënia bidon-pronar është e veçantë, ajo duket sikur ndjek disa nga skemat e panoptikonit të teorizuar nga Benthami. Panoptikoni duhet të ishte një burg rrethor. Qelitë e të burgosurve qëndronin të dukshme përgjatë perimetrit, ndërsa më mes kishte vetëm një dhomë, ku duhet të rrinte inspektori. Aty i fshehur nga perde ose mjetet të tjera ai vështronte çdo gjë. Dhoma e inspektorit mund të kishte një ose dhjetë rojtarë brenda saj, ajo mund të ishte dhe bosh, pasi vetë vendndodhja dhe natyra e saj mjaftonin për t’i shkurajuar banorët e qelive nga kryerja e veprimeve të ndaluara.
Bidonët rrethorë qëndrojnë të paprekur nëpër rrugët e lagjes si qendra të vogla panoptikonësh. Brenda secilit prej tyre ka një inspektor që ushtron pushtetin e tij përmes së ashtuquajturës “invisible omnipresence”, e thënë shqip, gjithëprani e padukshme. Edhe sikur inspektori të ketë shkuar me pushime diku buzë detit me makinë e tij të parkuar nën hijen e ndonjë pishe, për sa kohë ka lënë enën e kauçukut ai do jetë njëkohësisht dhe tek parkimi poshtë shtëpisë, i padukshëm, por i pranishëm.
Qyteti ynë ka dhe inspektorë zyrtarë dhe janë të shumtë. Ata i sheh disa herë në javë nëpër lagje. Që kur kemi ardhur, kemi marrë tri gjoba. Pas xhirove nëpër lagje në errësirën e të ftohtin e dimrit, në disa raste kemi vendosur ta lëmë makinën aty ku me sa duket nuk lejohej. Mes shenjës së bidonit dhe shenjës rrugore, kemi zgjedhur të mos respektojmë këtë të dytën. Po të bësh një llogari, gjoba 1000-lekëshe për 10 orë është më pak se tarifat e parkimit në qendër, ndërsa 3000 mijë lekë në 10 muaj janë pak a shumë sa gjysma e tarifës mujore tek parkimi i Komunës. Mes përballjes me inspektorin e bidonit dhe gjobës nga inspektori i qytetit kur kemi qenë të detyruar të zgjedhim, kemi zgjedhur të dytën. Dikush mund të revoltohet nga ky vendim dhe ta konsiderojë shkruesin e këtij teksti si dikush që nuk respekton ligjet dhe nuk e do rregullin. Në fakt është e kundërta.
Ne si qenie njerëzore duam të mbijetojmë, me gjasë këtë instinkt e kemi të shkruar në gjenet tona. Sipas Platonit, qyteti ishte shpikje ngordhalaqësh, që nga paaftësia për të mbijetuar, të vetëm u bënë bashkë[1]Plato, 1979, p. 41. Arnheimi, studiues i gjuhës pamore, shkruan që rregulli është parakusht i mbijetesës[2]Arnheim, 1971. Qytetari mesatar, “ngordhalaqi”, që jeton duke i respektuar ligjet përgjithësisht i dëshiron strukturat e rregulluara. Mes paqartësisë që fshihet pas heqjes së bidonit bojë qielli, ai mund të vendosë të gabojë, pasi ky është i vetmi mjet për t’u futur përsëri në kornizën e rregullit. Vetëm duke gabuar, mes ndërtimit të marrëdhënies krim-ndëshkim me inspektorët e qytetit, ai ia del të hyjë brenda strukturës së legalitetit. Pra, unë zgjedh të parkoj gabim dhe të pastrohem nga ky faj, duke kryer dënimin përmes gjobës. E thënë me fjalë të tjera, qytetari shpesh zgjedh të jetë i burgosur i qytetit tij, ai është po aq i dobët, sa hapësira publike e zënë nën bidonin plastik.
Para disa muajsh parkuam në një vend të lirë, ishte zheg vere e vende kishte plot. Gjatë daljes nga makina vumë re që prania jonë po shqetësonte një zotëri që qëndronte pak më tutje. Hezitonte të fliste, por gjuha e trupit të tij po thërriste gjithë tension: Kush je ti? I fola unë i pari, e pyeta nëse kishte ndonjë shqetësim, i tregova që jetoja tek hyrja ngjitur megjithëse për pak kohë. Pasi ndërtuam një lloj besimi të ndërsjellë, zotëria e pranoi që banonte aty, që e shihte shpesh makinën tonë afër dritares së tij dhe që ky fakt e kishte bezdisur. Ndër të tjera, aty afër e linte makinën edhe djali i tij, një fuoristradë ende e gërvishtur nga dikush që ishte larguar në drejtim të paditur. Në fund më tha që kishte njerëz që vinin nga matanë Lanës për të parkuar aty dhe që kishte dyshuar që edhe ne ishim nga ata. Pra, armiku ishte matanë Lanës.
Pak javë më pas, afër vendit ku dialoguam, u shfaq bidoni i parë i rrugicës sonë. Pas disa ditësh i dyti, supozoj për fuoristradën që sapo përmenda. Përballë pallatit këto ditë numërohen të paktën pesë bidonë, të cilët shtohen me nga një çdo dy-tri ditë. Bashkësia e bidonëve e ka lënë brendinë e bllokut dhe tani po zë vend ditë pas dite gjithmonë e më afër dritares sime. Gjetja e parkimit po kthehet vërtet në problem, dhe tashmë familjarisht jemi në dilemën nëse ka ardhur koha të vendosim dhe ne bidonin tonë.
Inspektorët e qytetit vazhdojnë patrullimin e lagjes. Ata i sheh të qetë e të heshtur me blloqe nëpër duar, duke shënuar targat e makinave të shkelësve. E gjithë skena zhvillohet në praninë e pashqetësuar të bidonëve. Fundja ç’t’i bësh bidonit, ai as të flet, as të sheh, as mendon, nuk ka as targë, as zot të dukshëm. Nuk i thua dot të largohet, nuk i lë dot fletën e gjobës, as nuk e heq dot, pasi ajo nuk është detyrë e inspektorit, por e pastruesve të qytetit, aktiviteti i të cilëve përqendrohet në hapësirën përreth koshave dhe rrugëve kryesore.
Rezistenca e bidonit bojë qielli të Tiranës të fut në mendime. Mes shumë gjërash ata më sollën ndër mend një poezi të shkruar nga poeti amerikan Wallace Stevens, të cilën pa shumë pretendime e me fjalët e mia u përpoqa ta sjell në shqip. Poezia titullohet “Anekdota e kavanozit”, Anecdote of the Jar:
Vendosa një kavanoz në Tenesi
I rrumbullakët qëndronte mbi kodër
Ai e nxiti natyrën e egër
ta rrethonte kodrën.
Natyra u ngjit deri tek ai
u shpërhap rreth e përqark tashmë jo më e egër
Kavanozi i rrumbullakët qëndronte mbi tokë
i lartë si port plot me ajër.
Ai nisi të sundojë mbi çdo gjë
Kavanozi ishte gri dhe i zhveshur
Nuk pyeste për zogj e shkurre
Si asgjë tjetër në Tenesi.
Vargjet enigmatike flasin për një kavanoz qelqi, i cili megjithëse i zakonshëm dhe i pajetë, arrin të sundojë mbi gjithë peizazhin afërndenjës. Kavanozi, përmes tipareve të tij, na thotë që është vepër e krijuar nga dora e njeriut. Objekti artificial, me gjithë kufizimet e tij, e tejkalon natyrën, ndërsa kjo e fundit, megjithëse dinamike dhe plot larmi, zbehet përpara atij, madje humbet dhe tiparin e saj thelbësor, egërsinë. Përmes veprës duket sikur autori flet për efektin tjetërsues të njeriut mbi sistemet ekzistuese. Dhe bidoni plastik është sundues, përderisa askush nuk e sfidon autoritetin e tij, ai qëndron i drejtë dhe i palëvizur; ai nuk është si ato shishet e vogla, që i flakin pa adresë nga dritare e veturave. Vendosja e tij është akt i vetëdijshëm njerëzor mbi një hapësirë që, me sa duket, është e egër. Mbase hapësira publike e qytetit tonë është vërtet e pazbutur dhe pa zot si vetë natyra.
Banorët e pesëkatësheve tek “Ali Demi”, sidomos ata më të hershmit, kanë parë degradimin e mjedisit poshtë dritares, dikur lulishte pa pengesa e makina. Ata janë rritur aty, kanë luajtur në ato vende që në moshë të vogël, praktikisht një pjesë e qenies së tyre është formësuar në atë hapësirë. Është joreale të pretendosh prej tyre që ta kufizojnë hapësirën e tyre të përkatësisë brenda mureve të shtëpisë. Kemi, gjithashtu, krizën e një qyteti që po shpërthen nga brenda. Pallate të reja ndërtohen nëpër parcela që dikur ishin të zbrazura. Ato, përveç apartamenteve e ndonjë vendi për bizneset private, nuk i plotësojnë të gjitha nevojat e banorëve të tyre. Shërbimet, këta të fundit i kërkojnë nëpër lagje, nëpër rrugët, në kopshtet, në shkollat, në parqet e lojërave, nëpër vend-parkimet ekzistuese. Në këtë mishmash makina është problem më vete, duke qenë se sot për sot ajo është harxhuesja më e madhe e hapësirës urbane, gjithashtu ato:
…e izolojnë njeriun, jo vetëm nga mjedisi, por edhe nga kontakti njerëzor. Ato lejojnë vetëm ndërveprim të kufizuar, kryesisht, garues, agresiv dhe shkatërrues.(Hall)
Në hapësirat e Tiranës së ndërtuar gjatë periudhës së socializmit shohim për së gjalli pasojat e mbipopullimit, që sipas antropologut Edward T. Hall, po e çon strukturën sociale të qytetit drejt kolapsit. Gjendjen ai e ilustron shpesh përmes eksperimenteve të kryera me minjtë. Një nga mënyrat për të ulur stresin e shkaktuar nga mbipopullimi i kolonive në studim laboratorik zgjidhet duke i futur individët nëpër kuti për të shmangur kontaktet mes tyre. Kutitë mund t’i vësh njëra mbi tjetrën nëpër sa kate të duash, ata do të rriten më të qetë e të shëndoshë. Ama kolonitë e korrigjuara e kanë një problem: minjtë e kutisë janë përgjithësisht të paaftë dhe budallenj.
Qytetarëve të Tiranës i duhet ta gjejnë vetë zgjidhjen. Kush ka mundësi, transferohet në kulla shumëkatëshe, ca më mirë në blloqet e reja me parking e oborr, disa të tjerë nëpër fshatra me vila të rrethuara me mure e postblloqe, dikush tjetër ikën jashtë Shqipërisë. Ndërsa atyre që mbeten, shumica, që nuk kanë asnjë nga këto mundësi dhe që jetojnë në kufi të hapësirës së ashtuquajtur publike, u duhet të nxjerrin bidonin. Mbase ky i fundit është nga të paktat shenja qytetërimi, sado primitiv, në mes të pyllit tonë urban.
© 2022 Endrit Marku. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Të interesuarit për ribotim të këtij shkrimi duhet të kontaktojnë autorin.
References[+] References
↑1 Plato, 1979, p. 41
↑2 Arnheim, 1971
|
16,610 | https://peizazhe.com/2014/11/05/censura-qimen-e-nderron/ | null | 2014-11-05T19:18:09 | CENSURA QIMEN E NDËRRON… | Nëse në Tiranë gjen akoma kaqolë që i përshëndetin lapërdhitë e mediave si sukses të “lirisë së fjalës”, ka shenja shqetësuese që censura – gjithnjë e aftë për t’u përshtatur – po zhvillon forma të reja, në pajtim me rrethanat e reja ku ndodh komunikimi publik.
Kështu, është krijuar përshtypja se mediat – të shkruara dhe në linjë – botojnë gjithçka, meqë i kanë ulur standardet në minimum. Që këtej, çdo refuzim për botim i një shkrimi çfarëdo do të perceptohet, nga autori, si një formë censure.
Pa çka se, në kushte normale, refuzimi për botim do të ishte provë e seriozitetit editorial – jo për këtë apo atë shkrim, por në parim. Madje, mediat profesionale nuk duhej të ishin të hapura, gjithnjë në parim, ndaj kontributeve vullnetare; dhe t’u rezervonin këtyre, në raste të posaçme, një vend më vete në faqe.
Disa autorë, ndërkohë, duke pasur parasysh edhe që shkrimi mund të mos u botohet, ose edhe të mos lexohet fare nga redaktorët, e dërgojnë atë në disa gazeta dhe faqe njëherësh, me shpresë se të paktën te njëra do ta çajnë “bllokadën.”
Kjo praktikë nuk duhet ngatërruar me shkëmbimet e clearing-ut të shkrimeve midis mediave vetë (në të cilat merr pjesë, shpesh pa u pyetur fare, edhe Peizazhe të fjalës). Në këtë rast të dytë, një shkrim që konsiderohet i mirë ose, më shpesh akoma, i dobishëm, kalohet dorë-më-dorë nga një gazetë në tjetrën, në linjë dhe në letër.
Meqë gazetat nuk kanë politikë editoriale, dhe as i shpallin kriteret e botimit ose të mosbotimit të një shkrimi, atëherë kjo u jep liri të madhe redaktorëve, duke ua zbritur këtë liri autorëve. Një redaktor gjithnjë mund ta refuzojë një shkrim, madje pa qenë i detyruar të përgjigjet – në rast se shkrimi është dërguar pa qenë i porositur më parë.
Dhe pikërisht këtu fle lepuri: kjo liri refuzimi, që duket legjitime e parë nga larg, shfrytëzohet për të censuruar një artikull, koment, analizë ose opinion të padëshiruar.
Censura në këtë rast vepron nëpërmjet përzgjedhjes: nga dhjetë artikuj që më kanë ardhur unë përzgjedh vetëm pesë, duke lënë jashtë jo vetëm të dobëtit, por edhe problematikët.
Po si mund ta denoncosh këtë lloj shurdhimi të zërit? Herë pas here sheh ndonjë shkrim të mirë në Facebook, që fshikullon institucione ose persona me pushtet; të shoqëruar me shënimin: “ky artikull u refuzua për botim nga kjo ose ajo gazetë.”
Kështu ndodhi, tani së fundi, me një shkrim të Arlind Qorit, ku kritikohej mënyra si u shkarkua nga posti Hysamedin Ferraj, pedagog i shkencave politike në UT. Kur e botoi më në fund shkrimin te faqja Organizata Politike (dhe te gazeta Telegraf), Qori e shoqëroi me këto fjalë:
Ky artikull iu është dërguar për shtyp disa gazetave kryesore që një javë më parë. Disa syresh e kanë justifikuar mosbotimin me eufemizma, të tjera s’kanë lodhur gishtat as të kthejnë përgjigje për mosbotueshmërinë e tij. Arsyet që më vijnë ndër mend janë tre: mospërfillja e temës së artikullit, ndikimet okulte censuruese dhe cilësia e shkrimit. Uroj të jetë kjo e fundit.
Natyrisht arsyeja e fundit nuk qëndron, sepse artikulli është solid; dhe një incident si ky i heqjes nga puna të një intelektuali të mirënjohur si Feraj meritonte të paktën debat publik në mediat kryesore shqip.
Gjithsesi, kaq nuk mjafton, për të pranuar se po vepron censura. Në fakt asnjë gazetë nuk është e detyruar të botojë një shkrim që i vjen nga një i jashtëm; madje edhe kur ky shkrim i ofrohet falas. Sikurse nuk është e detyruar të japë shpjegime se pse e refuzoi shkrimin.
Nga njëra anë, shumë prej atyre që dërgojnë shkrime e keqkuptojnë lirinë e fjalës me një liri hipotetike për të publikuar atje ku dëshirojnë – edhe pse kjo e dyta nuk garantohet gjëkundi (as edhe stenda e fletë-rrufeve dikur nuk ta garantonte). Aq më tepër, teknologjitë Web 2.0 ua bëjnë të mundur të gjithëve të publikojnë; prandaj vështirësia nuk është te publikimi, por si të arrish te lexuesi.
Dhe autorët, tek e fundit, duan që t’i lexojnë; sidomos të papaguarit.
Nga ana tjetër, çdo gazetë ndjek një vijë editoriale të caktuar, çka parakupton edhe përzgjedhjen midis shkrimeve në dispozicion. Censura, nëse ekziston, nuk ka të bëjë as me vijën editoriale, as me përzgjedhjen vetë, por me mungesën e transparencës në marrëdhëniet me autorët – duke filluar që nga kriteret e dorëzimit të shkrimeve.
Një mënyrë më e stërholluar, për ta censuruar një shkrim problematik në linjë, është duke e hequr nga faqja hyrëse ose kryesore dhe duke e lënë vetëm në rubrikat; me shpresë se vizitorët e faqes nuk do ta gjejnë dot. Natyrisht, struktura e sajtit të një gazete në linjë janë njëlloj si raftet në supermarket: markat, firmat dhe kompanitë përkatëse luftojnë mes tyre me thonj e me dhëmbë, që të sigurojnë një vend në lartësinë e syve të blerësit.
Kjo ndodhi me një shkrim të Viktor Malajt në Dita, që analizonte debatet pas një letre publike të shkrimtarit Nasho Jorgaqi drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare; i cili ende mund të lexohet lirisht këtu, pa çka se në faqen hyrëse të Ditës mund të mos ketë qëndruar më shumë se shtatë minuta. Më ra në sy veçanërisht ky shkrim, sepse kisha qenë përlyer vetë në debat dhe “shqytarët e vrerosur”, për të cilët fliste artikulli (ca zelltarë, ca klounë), më kishin baltosur me ngut të paparë.
I hequr nga faqja kryesore dhe nga indekset përkatëse, artikulli serioz i Viktor Malajt kaloi pa u lexuar, edhe pse normalisht duhej të ish shoqëruar edhe ai me debat; dhe, në fakt, në Google sot e kësaj dite ia gjen vetëm tre hit-e; pa çka se mbetet i vizitueshëm lirisht te Dita. Do t’i kuptoja ata që do të flisnin, edhe këtë herë, për një lloj censure të butë por tepër efikase, sidomos po të kemi parasysh se fati i një materiali në ueb varet i tëri nga dukshmëria.
Një formë më e rrallë, edhe pse më flagrante e censurës është tërheqja e shkrimit nga faqja në linjë*, pa dhënë asnjë shpjegim. Kjo ndodhi, bie fjala, me një kritikë të Besmir Vokopolës, botuar para disa ditësh, për probleme me vënien në skenë të operës Toska në Tiranë (“U katandis Toska një thelë”), e cila u botua nga Shqip dhe ResPublica, por pastaj u hoq nga të dy këto faqe (edhe pse gjithnjë mund të lexohet në cache, këtu dhe këtu).
Natyrisht, Shqip dhe ResPublica kanë të drejtë të modifikojnë arkivat e artikujve dhe të heqin që andej çfarë mendojnë se duhet hequr: problemi është te mungesa e informacionit për këtë escamotage. Dhe kur është fjala për materiale me përmbajtje tepër kritike, është afërmendsh të dyshosh për censurë.
Shënim: më ka qëlluar edhe mua, rrallëherë, të tërheq shkrime të miat nga Peizazhe të fjalës; e kam bërë kur shkrimi mbështetej mbi një informacion ose interpretim të pasaktë nga ana ime, edhe pse in fair play. Nuk më ka pëlqyer kjo që kam bërë, por e kam konsideruar si të keqen më të vogël, duke pasur parasysh çakenjtë që i vërtiten blogut; dhe gjithnjë e kam shoqëruar tërheqjen me shpjegimet përkatëse.
|
35,510 | https://peizazhe.com/2020/06/28/ne-kullen-e-cudirave/ | null | 2020-06-28T07:03:16 | NË KULLËN E ÇUDIRAVE | nga Ajkuna Dakli
Shënime mbi librin “Kulla e Mishit” të autorit Arben Dedja, botuar nga Shtëpia Botuese “Pika pa sipërfaqe” 2016.
Sapo merr të lexosh faqet e para të librit me tregime “Kulla e Mishit” të autorit Arben Dedja, e ndjen se ke shtyrë portën për të hyrë në një botë çudirash, në të cilën shpesh nuk e kupton se ku mbaron arsyeja dhe ku fillon absurdi. Veçse, ndryshe nga bota e çudirave të Lizës, karakteret dhe ngjarjet nuk janë të stisura. Autori i gjen ato në legjendat, folklorin, mistikën e përrallave, historinë, të shkuarën e të përditshmen e shoqërisë shqiptare.
Libri vjen në dy pjesë që titullohen “Pushkini dhe unë” – një përmbledhje prej nëntë tregimesh – dhe “Intervista të pamundura” një përmbledhje prej nëntë intervistash imagjinare.
Tregimet në pjesën e parë “Pushkini dhe unë”, janë të larmishëm si nga struktura ashtu edhe narrativa, e cila i shkon për shtat dhe e mbush skeletin strukturor të çdo tregimi me një rrëfim të rrjedhshëm e me humor, që të tërheq deri në germën e fundit.
Gjen aty, heronj të legjendave tona, veçse pa tymnajën e madhështisë dhe virtytet e larta që gjithnjë ia veshim vetes si komb. Të përfshirë ndërkaq në ngjarje disi komike, me bëmat e marritë e tyre, ata zbulojnë të metat që na kanë çuar në gabimet tona historike:
“Kur kryetari i çetës [..] Muji, pra, u tha të vetëve se pa të nuk e nxirrnin dot as qimen nga qulli, vëllait të tij të vogël i kërcyen dhe e grishi në dyluftim. [..] Të nesërmen vëllezërit u nisën për në Bjeshkët e Thata.[..] Aty u vërtitën si hije ditë e net të tëra pa ngrënë, pa pirë, pa fjetur. [..]U nisën pastaj të dy drejt kroit më të afët në Lugjeverdha ku pinë e pinë pa fund.[..]Pastaj ranë në një hije dhe i zuri gjumi sakaq.[..]Po kështu armiqtë i diktuan kollaj, i rrethuan, i zunë me leqe, i shtunë në kaush. E vetmja shpresë për ta ishte që e shoqja shtatzënë e Mujit të lindte përsëri djalë, siç kishte ndodhur edhe shtatë herë të tjera, këtij djali t’i vihej emri Omer, siç kishte ndodhur edhe shtatë herë të tjera, ky të rritej e të bëhej shtatë vjeç, pa do të vinte shigur t’i lironte.
Gjasa që kjo të ndodhte qe e madhe.”
ngjarje reale, rrëfyer në një ditar të mjekut të urgjencës, ku absurditeti i realitetit shqiptar në vitet e tranzicionit shfaqet lakuriq, si pjesa e sëmurë e trupit të një pacienti në një sallë operacioni:
“Ishte ndaj të gdhirë kur në sallë ikën dritat. Ndoshta u mendua që në atë kohë të ditënatës spitali nuk kish nevojë për rrymë.[..]Nuk e di ç’ndodhi nëpër repartet e ndryshme të reanimacionit, por ne po operonim një perforacion.[..]Pastaj vënia në punë e gjeneratorit dështoi në mënyrë spektakolare,[..]siç doli më vonë[..]i mungonin gjysma e ingranazheve,ai ishte aty për sport vetëm si kallafát.[..]Ndezëm gazeta nga ato që gjendeshin me bollëk në paradhomë teksa gruaja e pacientit u vërsul te një minimarket përballë për të blerë qirinj. [..]
Gazetat digjeshin shpejt : “ Zëri i Popullit” i hareshëm, bubulitës, gati i gëzuar që po merrte flakë; “Rilindja Demokratike” namuzqare, fodulle, e zhubravitur nga hallet e njerëzve që mbante mbi shpinë ; “Koha Jonë” si e penduar që ndodhej aty. [..]
Kur erdhën qirinjtë na u duk se gjendeshim nën ndriçimin madhështor të një salle në Versajë, aq na lëbyrte sytë drita e tepërt….”;
apo një pamje të gjallë të fëmijërisë së autorit, që përkon me periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri, në një rrëfim me gjuhën e thjeshtë e naive të një djali 10-11 vjeçar, i cili mundohet të gjejë logjikën në botën absurde që e rrethon:
“Ora e Dituri Natyrës.[..] Në fund të kapitullit mbi shpendët, Zysha vendos të bëjë eksperimentin. I vjen në ndihmë Pushkini [..] Për eksperimentin do t’i sjellë njërin nga pëllumbat, Hundëderrin.
“Nuk do t’i bëj asgjë të keqe – thotë zysha dhe fërkon duart si miza.- Do ta marrësh prapë në fund të mësimit”.[..]
Atë natë pëshpërimat e babait arrijnë kulmin. Të nesërmen në rrugë njerëzit në rrugë më duken pak si ndryshe. Më të ngrirë. Po në pushim të madh e kam harruar ngrirjen njerëzore. [..] Përpara se të fillojë eksperimentin zysha shpjegon:
“ Duhet ta dini që frymorët jetojnë me oksigjen që ndodhet në ajër – thotë. Ne thithim oksigjen dhe nxjerrim dyoksid karboni. E fut Hundëderrin poshtë një kambane qelqi.
“Kur jetojmë në mjedise të mbyllura, ajri varfërohet…Hapeni pak dritaren, ju lutem!”
Atë çast në klasë hyn Metja.[..].Me shkallë me vete.E vë para dërrasës së zezë.Të gjithë mbajmë frymën për të parë si do ta përdorë kësaj radhe Metja këmbën prej druri.[..] Hundëderri në kambanën prej qelqi merr frymë rrallë.[..]Metja heq portretin e anëtarit (tonë) të Byrosë mbi dërrasën e zezë. E nxjerr nga klasa kokëposhtë. Hyn prapë me portretin e xhaxhi Udhëheqësit (kokëpërpjetë). Hipën te shkalla prej druri.[..] Hundëderri në kambanën prej qelqi lëkundet. Metja ve portretin e xhaxhi Udhëheqësit mbi dërrasën e zezë. Zysha duartroket. Duartrokasim.[..] Hundëderri rrëzohet pa frymë në fund të kambanës.
Pushkini nuk flet. E shoh në profil. Përcillet shpesh. Kaq.”
Narrativa është e zhdërvjellët, e ndërthurur me një fill humori të hollë, gjë që e bën akoma më tërheqëse. Ngjarjet shihen nga një këndvështrim njerëzor pa kurrfarë dramaticiteti, me një vërtetësi që të bën të qeshësh e të qash në të njëjtën kohë :
Të gjitha bandat e Tiranës u ndeshën dyshe-dyshe në të njëjtën mbrëmje me çerek-finalet e Champions League-s.[..] Era hynte tej- e- tej dhe menteshat e ndryshkura kërkëllinin duke i dhënë atmosferës një frymë gotike, dekadente.[..] Dikush, me një breshëri kallashnikovi ia kishte thyer morgut llampat. Kështu kufomat i kërkonin duke vënë Benz-at me fenerë të ndezur përpara golles së derës. Nuk e morëm vesh kurrë cila bandë / ekip e kaloi fazën çerek finale.
Edhe karakteret e sjella në libër, janë gjithashtu të larmishëm e të përshtatur mirë me strukturën dhe narrativën. Të ngjizur nga simbole mistike a të fotografuar nga e përditshmja me një ndriçim aq sa duhet, me gjithë kompleksitetin e tyre, pa shtuar apo hequr asnjë detaj, ata shërbejnë si një pjesë organike e pikturës së botës absurde që na shfaqet përballë:
Përfytyroni një simbol mistik, të huazuar nga përrallat, por të veshur me një moral të njohur e madje, edhe me tipare fizike që i kemi parë. Portreti që na vjen përballë është i gjallë : dikush që e njohim mirë, e shohim rëndom, dhe ia ndjejmë peshën mbytëse në realitetin shqiptar sot :
“Syqenhënjëri.
Zbërthehet: Sy qeni që ha njerëz. Kuptohet, që një qenie e këtillë është e tmerrshme, për sa kohë që ka për emër një fjalëformim-përbindësh, përbërë nga (trungje) pesëfjalësh të mëvetshme, një formim- deformim qeniesh që, vënë së bashku i japin jetë përbindëshit tonë.[..] Në këtë soj fjalëformimi, ndër gjuhët e gjalla veç gjermanishtes nuk na e ha qeni shkopin.
Përmend qenin bëj gati shkopin.
Si duket Syqenhënjëri sot ? Ka benz, shall kashmiri dhe kësulë me strehë nga pas. Vjen i bëshëm, është i qethur shkurt, ka miq në doganë. Ka këpucë me pluhur, djersitje të përhershme, frymëmarrje të rënduar. Mëton të kapë miliardin. Ha në fillim ortakun e vet të ngushtë.[..]Ha pastaj gazetashitësin (me gjithë kioskë).[. .]Qysh asikohe s’e nginjën dot më dhe sofrabezi iu mbush me rrathë bythkash gotash vere…”;
Përfytyroni tani një portret nga e përditshmja e periudhës së pas tranzicionit : një mjek të urgjencës të cilit, edhe pse i duhet të bëjë detyrën në një realitet të shformuar, mbetet në thelb dikush që përpiqet të shpëtojë jetë:
“Kur po i referoja pacientin e dytë, filloi gradualisht të mos përgjigjej. Pastaj, në një pikë të monologut tim, u bëra i vetëdijshëm që s’po më dëgjonte. Po më dukej bile si një hije, ishte i tejdukshëm dhe unë shihja përtej tij. Fjalët thjesht i rrëshqisnin anash si ujë që lëpin gurin. Nuk isha më i sigurt a ndriçonte më shumë cigarja në buzë, apo sytë-golle të zjarrta. Po hynte dalëngadalë në atë fazë transi që hyjnë kirurgët përpara operacionesh të vështira. Fillojnë ta boshatisin mendjen nga çdo mendim apo shqetësim tjetër. Të përgjigjen automatikisht teksa me sytë e mendjes, me neuronet-pasqyra e kanë hapur tashmë pacientin, kanë filluar të kërkojnë ethshëm rropullive, po rreken ta shkulin, ta fshijnë ankthin që ndodhet brenda thelbit të tjetrit” ;
Ose, ( nuk mund të lë pa e përmendur) një djalë të vogël me një emër të çuditshëm nga komuniteti me ngjyrë në kohën e Diktaturës, një portret të gdhendur me aq dashuri dhe vërtetësi, si një statujë të rilindjes, ku detaji i çdo kurbe, ka rolin e vet të pa zëvendësueshëm.
Djali quhet Pushkin. Absurdi këtu fillon që te emri i poetit të madh që ai mbart por, me të cilin nuk ka asnjë lidhje. Ai është një fëmijë, të cilin familja nuk arrin as ta ngopë me bukë, shoqëria e përbuz, sistemi e lë në baltë, mësuesja e gënjen, ndërsa shoku i fëmijërisë, i ndodhur përballë të njëjtit realitet nuk ka asnjë mundësi ta ndihmojë.
Autori ka ditur të ndriçojë edhe skutat më të thella të shpirtit të tij : një shpirt fëmije që është një poezi njerëzore më vete. Ku ai ai fsheh revoltën dhe trishtimin pasi e kupton se çdo përpjekje rebelimi do ishte e kotë. Në një skenë të përshkruar në një paragraf të vetëm, qetësia e Pushkinit ndërsa lotët (për vrasjen e pëllumbit) i përzihen me shiun është një akuzë për përçudnimin e shoqërisë shqiptare:
“Kur dalim çantat kaliqafë, ia fillon shiu. Kokërrmadh, i rrallë. Tani rrimë në mes të oborrit të shkollës, drejt, gatitu dhe numërojmë me zë çdo pikë shiu që ndjejmë të na çikë. Për 20 minuta mua më bien 19 pika. Pushkinit 21. Por fytyra e Pushkinit është e lagur.
Vetëm 21 pika, e konfirmon Pushkini.”
Pjesa e dytë “Intervistat e pamundura”, përmbledh nëntë intervista imagjinare me personazhe të folklorit, historisë, ose personazhe reale të shoqërisë shqiptare, ku është përdorur dialogu (intervistat) bazuar në prozopopenë si figurë retorike sepse asnjëri nga të nëntë personazhet e intervistuar, të cilët i përkasin një shtrirjeje shumë të gjatë kohore, që nga lashtësia (Pirro i Epirit) e deri në kohët tona (Riza Lushta), nuk jetojnë më. Kjo është arsyeja që intervistat quhen të pamundura.
Në intervistat ka mjaft elemente historike dhe biografike dhe duket qartë se, përpos artit të tij, autorit i është dashur të gërmojë thellë në histori dhe në biografinë e personazheve.
Siç shprehet autori në një hyrje të shkurtër:
“Intervistuesi është i sjellshëm, i kujdesshëm, kureshtar, pak i ndrojtur nganjëherë naiv (për të mos thënë i leshtë), herë i identifikuar si autori vetë (me ndonjë kumt autobiografik pikuar aty-këtu), herë tjetër si dikush i një brezi më të ri dhe, në të këtillë rast, autorit s’i mbetet veçse të futet nën lëkurë të personazhit, të fshihet pas maskës. Nganjëherë është intervistuesi që zbret thellë në kohë për ta kryer bisedën, ndoshta edhe ta kapë heroin një çast para hapit fatal, nganjëherë është heroi i lehtë dhe i tejdukshëm, që i ngjitet përpjetë mjegullës së kohës të takojë intervistuesin këtu, tani.”
Intervistat janë pa dyshim një risi në letërsinë shqiptare dhe jo vetëm për sa i përket strukturës dhe nga narrativës. I intervistuari mund të vijë nga lashtësia ose kohët tona, mund të jetë një figurë historike ose mitologjike, mund të jetë mbret, poet, luftëtar, sportist, burrë apo grua, por edhe këtu, ndryshe nga sa jemi mësuar në prozën tradicionale shqipe, këndvështrimi është krejt ndryshe. Biseda me personazhin risjell dhe nxjerr në pah problematika aktuale të të përditshmes.
Autorit nuk duket se i intereson legjenda, fama apo virtytet e kombit. Personazhet shihen nga një kënd krejt tjetër, ai njerëzor, këndvështrim me të cilin, historia jonë zulmëmadhe zor se është marrë ndonjëherë.
Shote Galica intervistohet nga gazetari i një reviste mode për kostumin e saj burrëror. Është një debat i zhdërvjellët që krahason dy role të skajshme që shoqëria i vesh gruas shqiptare: modelen ku çmohet vetëm eleganca dhe bukuria fizike dhe burrneshën ku çmohet vetëm forca, si vlerë për ta bërë atë të pranueshme nga shoqëria jonë patriarkale. Me fjalët e saj Shota shfaq nën kostumin burrëror të veshur nga rrethanat, thelbin e gruas së vërtetë, asaj njerëzores, të lindur për të qenë e dhimbsur dhe e brishtë, për të krijuar e ushqyer jetë.
– Sh G. : Çne një luftëtare e lirisë, hmmm një ish-luftëtare e lirisë në një revistë të tillë?
– I : E pra, jemi frymëzuar nga veshja e heroinës sonë Shote Galica, në të vetmen fotografi që na ka mbërritur prej saj. [.. ] Shota rri në këmbë pranë të shoqit, fatosit Azem Galica që ka dalë ulur. Na shfaqet e hijshme, me shtatin selvi si prej modeleje, e armatosur me një mauzer të shkurtër.[..] Në brez ka një rrethatore fishekësh dhe dopio shokë që ia nxjerr më në pah belin e hollë ku rri e ngjeshur një gjarpërushe që vezullon me dorzën e saj larë serm e ar.
– Sh G : Do t’i armatosni pra edhe modelet ?
– I : E kemi menduar ta bëjmë këtë ditët e para të lançimit të koleksionit, sigurisht duke përdorur armë të rreme [..] që nga pamja e jashtme ( se pamja, dukja është gjithçka), janë fare të ngjashme më të vërtetat.
– G : Vërtet punë e lëvdueshme! Mirëpo tani duhet ta gjeni këndejpari teksa qentë e katundit lehin si të tërbuar. Të thërrasësh : “ O ku je o Shote Galica! “ nuk do të gjegjësh mbrapsht piskamën malësorçe,as heshtjen e përmortshme, por zërin e ngjirur të gjinkallave. Dhe tash ma bëj hallall po më duhet të shkoj. Kam bonjakët që po rris vetë. I dua si jeta. Fëmijët e mi të gjakut më vdisnin në bark ose kërthi krye disa javësh gjer më mbeti veç pushka besnike supesh të njoma. Po këta nuk dua ti hup.
Ajkuna e Eposit duke qenë bashkëshorte heroi, është parë tradicionalisht në letërsinë tonë në rol mbështetës të luftës dhe lavdisë së bashkëshortit, deri në tragjedi. Autori e sjell këtu në një dritë tjetër. Të vetëdijshme për kotësinë e madhështisë të burrit të saj po edhe për dashurinë dhe dhembshurinë e një gruaje që mund të zbusë dhe ëmbëlsojë botën.
– I : Desha të di, për shembull, si ndikoi kjo tragjedi, po edhe të tjerat tragjedi të shpirtit tuaj fisnik, në raportin me bashkëshortin tuaj, Mujin e madhërishëm?
– A : Zotëri, unë jam një nënë qyqe që qan përjetësisht djalin e vrarë ende i mitur. Që mbetet e padjalë jo njëherë e dy, po bash tetë herë. E si mund ta kuptojë një burrë të gjithë këtë? Një hero mitologjik akoma më pak.[..] Tani Muji rri më tepër jashtë kulle se këtu me mua. [..] Shpirtin e ka hije, vemesë trupore të pajisur me një fije materialiteti. Trimëritë e sjelljet e mbinatyrshme që nga këtej e përtej varri i janë bërë rutinë e mërzitshme. E them pa drojë tash së fundi ka filluar të këtë frikë nga trimëria e radhës. Se s’ka ç’të jetë tjetër veç një riprodhim i ronitur trimërish të shkuara.Po kur vjen në odën time, troket, heq opingat pas dere dhe avitet të mi mbështesë kryet në parzëm dhe atëherë qetësohet materializohet, dhe (e ndjej) lumturohet të mësojë që s’është më ai zot në këtë kthinë.
Në intervistën me Pirron e Epirit intervistuesi bën pyetjen ( një milion dollarëshe) nëse EPIRI ËSHTË SHQIPTAR APO GREK
Përgjigja është po aq zbavitëse sa edhe e bukur në vërtetësinë e saj
– PiE : Pyetjen nuk ua kuptoj tamam çun, po prapë, përgjigjen do ta jap.[..] Mëma ime e ëmbël, Ftia, ishte thesale, po nga pema e gjakut jam pasardhës i Neoptolemit, birit të Akil këmbëshpejtit që erdh e u vendos këtupari. Po cilët ishin ata që i popullonin vërtet këto vise, nuk jam në gjendje t’jua them, se nuk e kam vrarë ndonjëherë mendjen. Më pyet ç’peshq kishte deti të të përgjigjem, jo ç’luzmonte brendatokën. Pastaj, a nuk janë vetë historianët grekë që i quanin epirotët e mi barbarë? Se ne grekët ashtu e kishim, si të gjithë popujt e ardhur nga veriu, dava racistësh. Po edhe nuk u vë faj, lumëmëdhenjve, se siujdhesa jonë ishte vërtet një lëmsh. Maqedonia për shembull… a nuk është edhe sot e kësaj dite një pjatë e shijshme : sallatë frutash (për të lëpirë mustaqet!). Po gjithsesi popujt, kombet janë të lëngshëm. Rrjedhin. E njihni parimin e enëve komunikuese. Edhe popujt i mbushin njëlloj enët që lidhen mes tyre duke kaluar nga njëra te tjera dhe, si çdo lëng, marrin formën e enës ku u takon të ndodhen. Populli, kombi, është i lëngshëm miku im, vetëm Atdheu është një gur i përhershëm brenda rropullive tona.
Dhe së fundmi, në libër autori i qaset Migjenit për të përcjellë me vuajtjen e tij njerëzore fuqinë profetike të fjalës.
– I: Ashtu ishim atëherë, kurse tani, pas më shumë se një shekulli nga lindja juaj….
– M: Ah, ashtu, kaq shumë kohë paska kaluar ! Po më falni vazhdoni ju lutem…
– I: ….pas lindjes suaj pra [.. ] pabrekësia ( pornografia) kanë pushtuar gjithçka dhe ato aludime, ato simbolet tuajat të dikurshme ngjajnë aq të pafajshme. E keni pak të vështirë t’u flisni sot brezave, zoti Migjen
– M : Koleg, poeti është i vetëdijshëm për këtë. Ndaj i vë vargjet te bardhësia e fletës. [.. ] Në poezi kemi fjalën lakuriqe, vetëm me bagazhin e vet muzikor dhe metaforik të hipur mbi piedestal, mbi piedestalin spartan të fletës dhe në raport të përjetshëm me hapësirën e bardhë rrotull, që është bardhësia e heshtjes. Dhe besomëni, e para vjen bardhësia. Vetëm në një kohë të dytë, (në dit’n e fatkobit tonë nëse mund të shprehem kështu ) ne shtojmë aty fjalën, që ajo t’i hovë e beftë në sy e në mendje lexuesit të përjetshëm, si ai lepuri i zi që kërcen i trembur në dëborë[..]dhe të shtang me ngjethje e buzagaz.”
Unë nuk jam kritike dhe këto radhë nuk i shkrova si e tillë: Me realizmin, artin, humorin, ndjenjën e përkitjes dhe vërtetësinë e rrëfimit, “Kulla e Mishit” lë gjurmë te lexuesi, dhe unë i shkrova këto radhë si lexuese. Tek e fundit vlera e një libri qëndron në atë çka libri sjell te lexuesi i zakonshëm, çka ai gjen aty nga bota që njeh, mbresat e fijet që e lidhin botën e tij me atë të librit.
Për t’i mbyllur këtu këto shënime, nëse i referohem shprehjes së autorit vënë në gojën e Migjenit “ fjala me bagazhin e vet muzikor dhe metaforik” në librin “Kulla e Mishit”, i ngjan një bisturie në duart e një kirurgu e cila, duke iu referuar përsëri fjalëve të autorit, “me hijeshinë e një vize hequr nga dora e një piktori me laps të mirëprehur” i bën një autopsi realitetit shqiptar dhe na e sjell para syve të gjallë dhe të vërtetë si një plagë e hapur.
(c) 2020, Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Shihni edhe: NJË INTERVISTË E PAMUNDUR.
|
3,686 | https://peizazhe.com/2010/02/17/pertej-batutes/ | null | 2010-02-17T15:29:25 | PËRTEJ BATUTËS | Takimi i fundit midis kryeministrave të Shqipërisë dhe Italisë, jemi të bindur të gjithë, do të kishte kaluar pa u vënë re sikur Berluskoni të mos e kishte bërë batutën, tashmë mjerisht të famshme, për femrat shqiptare.
Për ata që nuk e dinë, po kujtojmë se gjatë konferencës për shtyp pas takimit dypalësh, Berluskoni bëri disa batuta tejet të diskutueshme, midis të cilave la shenjë të veçantë ajo për femrat e bukura shqiptare, që u tha në çastin kur Berisha po fliste për ndalimin e trafikut njerëzor midis dy brigjeve të Adriatikut. Sipas batutës së Berluskonit mund të bëhej përjashtim për vajzat e bukura. Gjithsesi, për shkak vështirësish objektive në përdorimin e thonjëzave, por edhe për amatorët e citimit të drejtpërdrejtë, ju sugjerojmë imazhet televizive qarkulluese në internet.
Shënimet e mëposhtme nuk mëtojnë të jenë shteruese, por thjesht një orvatje për të bërë bilancin e parë të një “incidenti” që shkon përtej fushës diplomatike apo mediatike.
Lajmi i kësaj batute u dha menjëherë nga pothuajse të gjitha mediat kryesore italiane. Pjesa më e madhe e tyre përqendroheshin, pak a shumë, tek batuta tipike berluskoniane. Përse vallë? Në përgjithësi mund të rreshtohen katër arsye kryesore madhore:
Berluskoni ka një galeri të pasur me batuta të cilat, sipas pikëvështrimit, mund të konsiderohen pavend ose të goditura, me shije të hidhur ose të këndshme, në caqet e simpatisë ose të shëmtisë. Mediat janë të prirura t’i rendisin në kohë këto batuta edhe për të nënvizuar një farë koherence të profilit berluskonian;
Mediat italiane, si shumë të tjera në botë, janë të marrosura pas fishekzjarrëve rreth lajmit dhe jo lajmit vetë. Kjo për të rritur numrin e lexuesve, por edhe për shkak të procesit të ndërlikuar, deri diku të induktuar qëllimisht, të tabloidizimit të informacionit;
Korniza e madhe ku mund të futet lajmi, nga pikëvështrimi i mediave aktuale, përbëhet nga raporti i Berluskonit me femrat. Ky raport është shndërruar edhe në skandal pas ndarjes me gruan dhe disa marrëdhënie të përfolura jashtëmartesore të manjatit italian.
Korniza më e ngushtë ka të bëjë, së fundi, me hetimin e prokurorisë italiane që prek – gjithnjë sipas mediave – edhe disa skandale të autoriteteve të mbrojtjes civile (që varet nga Kryeministria) me prostituta dhe ryshfete.
Vëmendja e mediave shqiptare është më e lehtë për t’u shpjeguar, sepse duhet parë kryesisht si reagim ndaj batutës në vetvete e më pas si vijim-shtojcë e mediave italiane. Konteksti, për të cilin fola më lart, nuk kishte se si të ndikonte mediat shqiptare. Nuk duhet harruar se elementi politiko-editorial ekziston edhe tek masmediat italiane, ku më shumë e ku më pak, çka i kushtëzon detyrimisht në dhënien e lajmit. Mirëpo, pati qëndrime në hapësirën mediatike shqiptare, që i kaluan kufijtë e normales, sepse për batutën e Berluskonit i kërkuan llogari Berishës, që në rastin konkret mund të konsiderohet deri palë e lënduar, gjithsesi jo bashkëfajtor. Teorikisht, Berisha do të kishte shumë të drejtë të nxehej me batutën e mësipërme, sepse si kryeministër përfaqëson jashtë shtetit edhe femrat shqiptare, sepse po fliste seriozisht kur homologu ia ktheu me shaka (d.m.th. ia prishi muhabetin), sepse do të kishte me siguri preferuar që mediat të flisnin për marrëdhëniet midis dy vendeve se sa për batutën.
Gazetat shqiptare informuan gjithashtu për deklaratat e mëpasshme të Berishës lidhur me batutën e Berluskonit. Fjalët e kryeministrit shqiptar, ashtu siç mund të parashikohej fare mirë dhe siç është logjike në marrëdhëniet ndërkombëtare, i bënin bisht problemit kryesor dhe ishin në thelb justifikuese. Çdo reagim tjetër i Berishës, përveç heshtjes, nuk do të kishte pasur kuptim.
Reagimi i një grupi intelektualësh shqiptarë, protagonistë në jetën shoqërore italiane e më gjerë, m’u duk dinjitoz e i goditur. Edhe pse këto mjete nuk janë gjithnjë të efektshme, duhet pranuar se letra e hapur e ka domethënien dhe legjitimitetin e vet, sidomos kur heshtja bëhet mbizotëruese e zhurmuese. Zërat në shkretëtirë mund të duken absurde, por bëhen të domosdoshme kur shkretëtira është prej indiference ose e ndërtuar artificialisht.
Megjithatë, reagimet ndaj batutës së Berluskonit, ose me mirë ndaj batutave të tij, e kanë përherë një kleçkë, sepse ecin në terren të llumtë plot gropa thithëse. E jo gjithnjë, jehona e merituar mediatike përkthehet në arritje objektivi. Gjithsesi, rreziku i parë ka të bëjë me perceptimin politik. Berluskoni është një nga ato personazhe që kanë funksionin e ujëndarëses në politikë e shoqëri, sipas motos “ose me mua, ose kundër meje”. Vetë pozicionimi ndaj Berluskonit, madje ndaj një fjalie të tij, perceptohet si pozicionim politik. Kuptohet që ky lloj perceptimi është i shtrembëruar, sepse qytetari mund edhe ta votojë sipas programit, por pastaj të revoltohet për ndonjë batutë të tij. Berluskoni, si të thuash, i skajëzon shqisat dhe ndjenjat e opinionit publik, duke e zbrazur hapësirën e qendrës dhe duke e mpirë ndjenjën e masës. Pra çdo reagim ndaj Berluskonit, përfshirë letra e hapur e intelektualëve shqiptarë, mund të shikohet nga këndvështrimi politik, madje si paragjykim politik ndaj tij. E nuk është se qëndrime të tilla nuk ka pasur ndonjëherë.
Për shkak të klimës kulturore që është krijuar këto vite në Itali, batutat e tij të diskutueshme relativizohen deri në atë pikë saqë reagimet mund të dalin huq, në mos blof. Ndikon, pa dyshim, edhe trajta prej shakaje që marrin batutat e mësipërme. A mund t’i përgjigjesh seriozisht diçkaje që është thënë me shaka? Edhe mundet, por rrezikon të të thonë që s’kupton shakanë. Rasti më flagrant ka qenë cilësori “abbronzato” me të cilin Berluskoni e quajti Obamën, Presidentin e porsazgjedhur të SHBA-së. Polemika pati sa të duash, por shpjegimi i Berluskonit, sipas të cilit termi i fajësuar ishte në thelb kompliment, duket se i “bindi” autoritetet amerikane, sikundër opozitën dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të cilat u akuzuan për antiberluskonizëm dykacidhesh.
Shembuj batutash e xhestesh mund të jepen edhe më. Problemi është se të gjitha janë në cak, në kufi të bonsensit, çka i bën të diskutueshme, por të rrezikshme në kundërveprim, sepse të çekuilibrojnë e të ekspozojnë më shumë seç duhet. Është e vërtetë se batuta të tilla e bëjnë të detyrueshme përgjigjen, po aq sa është e vërtetë se përgjigjet tingëllojnë shpeshherë të tepërta, retorike, madje pa vend. Ka raste që reagimet duken fillimisht të drejta, për të marrë më pas pamjen e topit që zbrazet për të vrarë një mizë.
Përse vallë ndodh ky fenomen? Për karakterin e batutës, së pari. Duke qenë në borderline, ajo është gati e pakapshme, e pafokusueshme, me fjalë popullore të rrëshqet nga duart si ngjalë kënete. Vetë shakaja nuk e pranon reagimin serioz. Shumë shumë, shokut mund t’i thuhet të mos bëjë shaka pa vend, ose pa kripë, por jo gjithnjë mundësohet ky reagim. Përndryshe, ka rrezik të të marrin për leshko. Por a mund të rrihet pa reaguar ndaj batutave të tilla si ajo e mësipërme për femrat shqiptare? Jo, nuk rrihet, sepse shkon e prek jo vetëm nerva të zbuluara personale, por edhe ndjeshmëri kolektive. Madje, nuk rrihet pa folur sepse detyrimisht përshoqërimet të çojnë tek imazhi që ka perëndimi në përgjithësi, e italianët në veçanti, për shqiptarët e shqiptaret. Mirëpo, nuk mund të mohojmë faktin se Berluskoni e tha me shaka, duke qeshur. Pamjet flasin qartë. Madje unë jam i sigurtë që e tha me shaka, sepse nuk ka ndërmend ta bëjë realisht seleksionimin estetik të femrave shqiptare që hyjnë në Itali.
Ka një farë rasenjimi që ka kllapuar opinionin publik italian me barsoletat e batutat e Berluskonit, ndoshta me vetë berluskonizmin. Kjo përbën temë më vete, por lidhur me batutën mund të kishin reaguar edhe femrat italiane, ndoshta të të gjithë botës, meqë në themel të saj mund të fshihet fare mirë një koncept maskilist, seksist, maçist e utilitarist i femrës, që e shikon femrën thjesht si objekt dëfrimi. Ka mundësi të jetë kështu, por mund të më thonë, në fund të fundit, se ishte thjesht shaka e dështuar, pa vendin e pa kohën e duhur. Si të thuash, një nga ato shakatë që themi mes shokësh në bar e që nuk bëjnë për të qeshur. Ndoshta s’bëjnë për të qeshur, por as në bankën e të akuzuarve nuk të çojnë dot. Tek e fundit, mund të shtojnë akoma, nuk është hera e parë që bën batuta të tilla, as mahitet vetëm me shqiptarët. Personazhi është i tillë: miqësor, shakatar, i përzemërt, informal. Ndoshta jemi ne shqiptarët pak të sertë, pasi trashëgojmë nga e kaluara ngurtësi e komplekse. Me siguri kështu thonë. Gabojnë ndoshta?
Është afërmendsh, madje të vjen natyrshëm ta prekësh plagën sociale të prostitucionit, sepse batuta e mësipërme atje të çon, hallkë pas hallke, përshoqërim pas përshoqërimi. Mirëpo, ne shqiptarët kemi vuajtur shumë nga kjo plagë, ndaj edhe na dhemb kur bëhet mahi me këto gjëra, ndaj edhe jemi dakord me reagimin e intelektualëve shqiptarë në Itali. Megjithatë, nuk di ç’t’i thuash atij që të kujton se Berluskoni nuk është për trafikimin e njerëzve dhe se i ka luftuar skafistët. Faktet flasin qartë, trafikimi është luftuar, përndryshe kanali i Otrantos nuk do të ishte kaq i zbrazët si tani.
Situata paraqitet disi e ndërlikuar e viskoze, ndoshta pa zgjidhje imediate. Edhe në këtë pikë nuk mungojnë analogjitë me realitetin shqiptar, sikurse nuk mungojnë shenjat e qarta të berluskonizmit në Shqipëri. Gjithsesi, e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje e vështirë është rikthimi i diskursit publik në qerthullin e duhur socio-semantik. Tërheqja e lumenjve kuptimorë në shtretërit e tyre të natyrshëm…, kjo do ta shpëtonte ligjëratën publike nga përmbytjet e kodeve subversive dhe stileve të harbuara. Përndryshe, tabutë janë joshëse për transgresivët, madje mahnitëse për turmat kur rrëzohen me rrapëllimë, ndoshta gajasëse e zbavitëse kur ngacmohen me art, aq më tepër nga lart, nga ku tabutë ruhen zakonisht me fanatizëm e nuk goditen kurrë; por rregullat bashkërisht të njohura i përkasin një universi tjetër, respektimi i të cilave duhet të jetë i natyrshëm, edhe pse i paimponueshëm me forcë. Vetëm në një hapësirë kulturore të patjetërsuar e të pandotur, vetëm në një mjedis ekologjik komunikimi, si batutat ashtu edhe reagimet do të merrnin ato ngjyra që kanë; si rrjedhim, do të mjaftonte vetëm një fëmijë për ta parë mbretin lakuriq, ose të vërtetën.
|
40 | https://peizazhe.com/2007/07/08/denimi-me-vdekje/ | null | 2007-07-08T23:36:17 | Dënimi me vdekje | Oportuniteti i dënimit me vdekje – diskutim gjithnjë i dobishëm.
Si temë e ndan opinionin më dysh: në SHBA, në Shqipëri, por edhe në shumë vende të tjera. Nuk e kam të qartë pse disa njerëz janë gjithnjë të prirur për ta favorizuar, kurse disa të tjerë nuk mund ta pranojnë.
Të ketë lidhje me psikologjinë e thellë të njërit apo të tjetrit?
Unë vetë, për ç’vlerë mund të ketë kjo, jam kategorikisht kundër dënimit me vdekje. Në asnjë rrethanë shteti i qytetëruar dhe demokratik nuk mund t’ia japë vetes prerogativën e arbitrit të jetës ose të vdekjes së individit. Aq më tepër që vrasja ceremoniale e një krimineli nuk luan asnjë lloj roli objektiv në shlyerjen e pasojave të krimit të kryer.
Është gjë e mirë që legjislacioni shqiptar e ka përjashtuar dënimin me vdekje. E kuptoj që kjo është bërë nën ndikimin qytetërues të Evropës, si edhe shumë gjëra të tjera të mira në Shqipëri, duke përfshirë respektin për të drejtat e njeriut, pluralizmin, mbrojtjen e minoriteteve.
Mirëpo kultura evropiane vetë ofron shumë arsye në favor të këtij qëndrimi, të cilat mund t’i përcillen publikut shqiptar, të përshtatura për rrethanat specifike të Shqipërisë.
Dënimi me vdekje, ashtu siç zbatohet për shembull në SHBA, është mbeturinë e shenjë barbarizmi dhe kryesisht kënaq instinktet gjakatare të turmës. Tek e fundit, njerëzit që kryejnë krime aq të rënda sa të meritojnë atë lloj dënimi, nuk mendojnë shumë për pasojat e veprimeve të tyre, në momentet kur e kryejnë ose e përgatitin krimin.
Dikur varja e një krimineli në litar (ose shtrige), përbënte spektakël publik. Njerëzit mblidheshin në shesh për të bërë sehir, duartrokisnin, brohorisnin. Xhelati ishte një figurë e gjithëpranishme në imagjinatën kolektive. Më pas varjet filluan të bëheshin vetëm natën, por të varurit ekspozoheshin në qendër të qyteteve, për të trembur të tjerët. Kjo është bërë edhe në Shqipëri, besoj, deri nga fundi i viteve gjashtëdhjetë.
Nuk ka asnjë provë që dënimi me vdekje e ul kriminalitetin. Nuk bën të ngatërrojmë rënien e krimit nën një regjim autoritar ose diktatorial ose totalitar, me zbatimin e dënimit me vdekje nga ky regjim. Është e vërtetë se nën një regjim të atillë individi kujton se nuk ka më kontroll mbi jetën e vet, por kjo nuk ka të bëjë me frikën nga vdekja e dhunshme, e shkaktuar prej shtetit.
Përkundrazi, ekzistenca e një realiteti të tillë kur njerëzit presin me vite për t’u ekzekutuar, prodhon një sasi të jashtëzakonshme zgjyre morale. Nga ç’kam parë e lexuar, për shumë nga ata që ekzekutohen, arsyeja e dënimit nuk qëndron më, në momentin e ekzekutimit – sepse janë budallallepsur, ose penduar sinqerisht, ose janë shpëlarë trush, ose transformuar për mirë, ose gjetur “Jezus-in”.
Mirëpo ndër shqiptarë ideja e vetëgjygjësisë, e hakmarrjes, dhe e parimit “një kokë për një kokë” është tepër e përhapur. Kjo ide duhet çrrënjosur nga lart, me durim, reforma, edukim.
Dënimi me vdekje nuk është edhe nga ato çështje që mund të vendosen me referendum. Njëlloj, po të bëhej një referendum për heqjen e taksave, për shembull, shumëkush do të votonte në favor!
As mund t’u lihet për propozim të afërmve të viktimave të një krimi të rëndë, për shembull një vrasjeje. Shteti nuk mund ta mbështetë legjislacionin mbi emocion, as mbi parimin e hakmarrjes. Shtypi tabloid i ka shumë qejf këto histori me të afërm viktimash që shprehin opinionet e tyre dhe kërkojnë kokën e vrasësit, sepse kjo e tërheq një lloj publiku dhe ndihmon edhe për njëfarë katarsis-i.
Për fat të keq, në shumë njerëz ndeshet pikëpamja se “ç’t’i bësh, kur nuk u jep dot plumbin ballit…”, e cila në vetvete është edhe një teori e tërë për interpretimin e një situate ligjërisht të dalë nga kontrolli. Mirëpo shteti nuk mund të shpresojë se do ta kthejë veten në palë të jetës publike duke vrarë njerëz! Përkundrazi, e vetmja gjë që nevojitet është zbatimi korrekt i legjislacionit ekzistues.
Me fjalë të tjera, krimi në Shqipëri bën “ligjin” sepse ligji nuk po zbatohet, jo sepse kriminelëve nuk u jepet plumbi ballit. Zbatimi i ligjit është një problem real, që mund të trajtohet më gjerë edhe në mediat; në vend të thirrjeve të herëpashershme për kthimin e dënimit kapital…
[2004]
|
10,583 | https://peizazhe.com/2012/07/19/pergjues-dhe-te-pergjuar/ | null | 2012-07-19T04:22:43 | PËRGJUES DHE TË PËRGJUAR | Qëkur ngritën foletë në Internet, mediat e Tiranës janë shquar për përdorimin jashtëzakonisht joprofesional të fotografisë – sidomos në funksionin e saj ilustrues për lajmet.
Te blogu simotër Gastare, kemi sinjalizuar disa herë shembuj flagrantë fotosh pa lidhje me tekstin, fotosh të ripërdorura nga lajmi në lajm (si p.sh. ambulanca që shfaqet sa herë ndodh ndonjë aksident rrugor), fotosh “të marra hua” poshtë e lart në Internet pa kurrfarë njoftimi për të drejtat e autorit, fotosh të denja për tabloidë vetëm, e kështu me radhë.
Nëpërmjet aktesh të tilla të papërgjegjshme, mediat jo vetëm dëmtojnë raportin që kanë me publikun e tyre, por shkaktojnë edhe interferenca në konfliktet politike.
Këto ditë, gazeta Tema dhe media të tjera njoftuan gjerësisht për një aparat përgjimi pas gjase të instaluar në mjediset e Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, dhe që mund të ketë qenë përdorur për të përgjuar bisedat telefonike të personaliteteve të ndryshme politike dhe diplomatike në Tiranë.
Ja një pamje e lajmit, ashtu siç u botua në faqen online të gazetës Tema.
Në tekst ndër të tjera thuhet:
Një zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes ka mundur të fotografojë me celular pajisjen e përgjimit, montuar në një zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes, 100 metra larg murit të ndërtesës së Partisë Socialiste. Në këtë distancë kjo pajisje arrin të interceptojë çdo bisedë telefoni celular që vihet në përgjim. Kjo pajisje është e lëvizshme dhe ajo mund të pozicionohet edhe pranë ndërtesave të institucioneve të tjera.
Meqenëse ky tekst është vendosur përbri fotos së aparaturës në fjalë dhe poshtë një titulli që thotë: Ja pajisja e përgjimit të Arben Imamit, lexuesi ka të drejtë të supozojë se fotoja në ilustrim është pikërisht ajo që ka arritur të shkrepë zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, në mjediset e këtij institucioni.
Krejt rastësisht, sonte, në një koment anonim në ResPublica (te kjo faqe, në orën 22:44), lexova se fotoja ilustruese e artikullit të Temës qenka nxjerrë nga një blog i çfarëdoshëm i WordPress, kushtuar teknologjisë së zbulimit:
Në të vërtetë, mjafton një kërkim i thjeshtë në Google për termat GSM Monitor, për të konstatuar se fotoja e përdorur nga Tema shfaqet e para në listën e imazheve përkatëse (rezultate të ngjashme jep edhe kërkimi për GSM Interceptor).
Çfarë ka ndodhur pikërisht?
Nuk jemi në gjendje të formulojmë ndonjë hipotezë më bindëse se të tjerat, por veç të spekulojmë, duke e ftuar lexuesin që t’i krahasojë vetë këto dy foto.
Mund të ketë ndodhur që Temës t’i jetë “ushqyer” një foto e rreme (sting), nga i njëjti subjekt që po pikon tani përgënjeshtrimin. Këtë version duket ta mbështetë, tërthorazi, edhe lehtësia dhe shpejtësia me të cilën u identifikua fotoja burimore online nga komentuesi John te ResPublica-s, i cili po e përsërit njoftimin edhe në sajte të tjera mediash shqip (p.sh. në BalkanWeb).
Mundet që Tema ta ketë foton origjinale, por ta ketë zëvendësuar me një foto “stock” për arsye që nuk i marrim dot me mend; dhe ky fakt është pikuar nga një i brendshëm i Temës.
Mundet që fotoja nuk ekziston; ose ekziston diku, por ende nuk i është dorëzuar Temës, prandaj redaktori i artikullit e ka zëvendësuar me një foto çfarëdo të aparaturës në fjalë.
Mundet që fotoja e Temës të jetë autentike, dhe të jetë “mbjellë” në Google nga SHIU, për të turbulluar ujërat (duke e pasdatuar foton stock të sistemit interceptues SecPro Cell si të publikuar në dhjetor 2009; gjithsesi, në Google qarkullojnë edhe foto të tjera të këtij sistemi).
E përsërit – me të dhënat që kemi në dorë, mund vetëm të qortojmë Temën për përdorim të pakujdesshëm të burimit; edhe pse, në të vërtetë, nuk ka asgjë në tekst që të konfirmojë, haptazi, se fotoja e përdorur si ilustrim është e njëjtë me foton e shkrepur nga zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë.
Është rasti të theksohet se fotot, sidomos kur janë kaq delikate si kjo e tanishmja, nuk mund të trajtohen si ilustrime të abetares, por gjithnjë duhen shoqëruar me informacion për burimin dhe, sipas rrethanave, edhe copyright-in; përndryshe, fotoja mund të mashtrojë njëlloj si edhe fjala.
Vetëm kaq; nuk mundemi as duam të shqiptohemi më tej për natyrën e këtij operacioni, as do të dëshironim që qortimet tona për përdorimin e fotove ilustruese nga mediat shqip në Internet të keqpërdoren nga palë të treta për qëllime politike.
|
8,413 | https://peizazhe.com/2011/10/14/fistula-me-te-shkuaren-ii/ | null | 2011-10-15T01:09:09 | FISTULA ME TË SHKUARËN (II) | Kur na qëllon të flasim për emrat e përveçëm në një kulturë, gjithnjë përfundojmë duke folur jo aq për emrat, sesa për procesin e emërtimit ose të “pagëzimit” (e vendos këtë fjalë në thonjëza për ta dalluar nga pagëzimi i mirëfilltë); i cili ka natyrë më tepër antropologjike dhe sociologjike, sesa gjuhësore të mirëfilltë.
E dimë që emri që ia vëmë fëmijës, si rregull, shpreh një dëshirë të prindit ose të kumbarës; dhe shpesh në këto dëshira mund të lexojmë çfarë e vë në lëvizje shoqërinë dhe kulturën për një moment të caktuar. Natyrisht, edhe vullneti për ta përfshirë fëmijën, nëpërmjet emrit, në një traditë të caktuar – p.sh. familjare, kur ia vë emrin e një gjyshi; ose fetare, kur ia vë emrin e një shenjti – është edhe ai një lloj dëshire.
Tani, ka një kategori emrash të përveçëm, të cilët i quajnë apelativë dhe që lidhen drejtpërdrejt me emra të përgjithshëm të gjuhës, te të cilët kjo dëshirë shprehet pothuajse haptazi, ose në mënyrë naive – p.sh. një fëmijë e quajtur Flutur bart me vete dëshirën e prindërve për ta pasur të bukur e të hajthme si flutura; edhe pse, me kalimin e kohës, emri Flutur mund të bëhet pjesë e një tradite “pagëzimi” dhe asociacioni me fluturën të vijë duke u zbehur.
Gjithsesi, apelativët në sistemin e emrave të përveçëm, të paktën në kulturat europiane, nuk janë dhe aq të suksesshëm; duket sikur kulturat i tolerojnë, por deri në një farë shkalle, dhe vetëm sa kohë që mbeten në pakicë, përballë emrave të tjerë të përveçëm, që nuk motivohen dot nëpërmjet gjuhës. Kjo ka të bëjë, besoj unë, me atë që gjuha kërkon të dallojë, edhe nga pikëpamja leksikore, midis emrave të përveçëm dhe emrave të përgjithshëm; duke i preferuar të parët të pamotivueshëm. Aq më e vërtetë është kjo për shqipen, ku emri i përveçëm është integruar gramatikisht në sistem më shumë e më thellë se ç’ndodh në gjuhë të tjera – p.sh. duke u lakuar, ose duke pranuar nyjën shquese.
Përndryshe, zgjedhja e emrit për një fëmijë e ka gjithnjë një moment solemn, ose mistik; edhe pse kulturat racionale nuk e pranojnë që emri të ketë ndikim në fatin e fëmijës. Më anë tjetër, edhe kultura që mbeten laike kanë mitet e tyre – p.sh. kombëtarizmi, i cili synon që ta shkruajë historinë e kombit, reale dhe të imagjinuar, në regjistrat e gjendjes civile; duke i nxjerrë emrat nga një arkiv i traditës, që përmban gjithçka të përveçme, historikisht dhe gjeografikisht: emra heronjsh dhe mbretërish të së shkuarës, emra gjeografikë, të lashtë dhe të rinj, e kështu me radhë. Kështu, emra si Valbona, Korab, Vlora, Drin, Arbëri, Vjosa, Shkëlzen, Shkumbin, Gramoz, Tomor, etj. do ta transpozojnë gjeografinë kombëtare në antroponimi.
Në këtë kontekst, zgjedhja dhe rekomandimi i emrave ilirë për shqiptarët interpretohet rëndom si pjesë e një prirjeje ose mode laike, për ta ruajtur ose ringjallur historinë e kombit nëpërmjet promovimit të emrave të personazheve të kësaj historie; siç ndodh edhe me emra të tillë si Gjergj, Lekë, Aranit, Kastriot, Donika, Mamica, Vojsava, Tanush, Gjin, Pirro, etj.; të cilët u referohen personazheve historike të njohura, ose “të kuptimshme”. Edhe operacioni kulturor i ndërmarrë prej grekëve, gjatë kapërcyellit të shekujve XVIII-XIX, për të ringjallur dhe përhapur në masë emra nga lashtësia greke, si Sofokli, Elektra, Odhise, Ksenofon dhe Andromaqi, i përket të njëjtit gjakim për ta shndërruar historinë në një lloj feje shekullare të kombit, të paktën sa i përket rolit kulturor të fesë. Të vërehet se emra si Sofokli dhe Elektra kanë “kuptim”, meqë janë emra personazhesh të njohura dhe të adhuruara nga kultura shekullare; si “shenjtorë” të kalendarit kombëtar të atij populli, ku janë përfshirë me rrugë kulturore (arti, librat, tekstet, shkolla, historiografia, etj.).
Tani, për ilirët si stërgjyshër të shqiptarëve dimë shumë pak; dhe ato që dimë, i kemi të ndërmjetësuara nga fqinjët e tyre, ose të nxjerra nga dheu dhe gjithsesi të paintegruara në kulturë: pak emra mbretërish dhe luftëtarësh, një listë emrash të fiseve, dhe emra të shumtë njerëzish nga mbishkrimet e stelave të varreve. Me pak sforcim, mund të themi se emra si Teuta, Agron, Genci kanë “kuptim”, meqë u referohen personazheve për të cilët dimë diçka nga historia – edhe pse çfarë dimë nuk është se na mbush doemos me admirim. Por, të paktën, prindët që i vënë fëmijës emrin Genci janë të vetëdijshëm se po i referohen një mbreti të dikurshëm, që mbahet mend, për fat të keq, edhe ai për disfatën që pësoi dhe rolin që luajti në triumfin e Gallus-it (po le ta kujtojmë më mirë me emrin e bimës aq fisnike gentiana, e cila thuhet se është quajtur ashtu për nder të tij).
Mirëpo priftërinjtë e kombëtarizmit shqiptar shkuan edhe më tej, duke u rekomanduar shqiptarëve “të shekullit të ri” edhe emra ilirë të lexuar prej mbishkrimeve të varreve, por përndryshe pa kurrfarë reference kulturore ose historike. Emra si Epikad, Etleva, Etrit, Etuta, Bledar, Gresa, Anila, Tritan, Lidra dhe plot të tjerë, që i ndesh sot e kësaj dite në shqiptarët, janë enigmatikë; i vetmi kuptim i tyre është ai që lidhet me origjinën, ose me faktin që këto emra kanë qenë përdorur prej ilirëve.
Kjo karakteristikë i kalon emrat ilirë në një rrafsh pragmatik dhe kulturor të ndryshëm nga ai i emrave “historikë”; sepse emrat historikë kanë gjithnjë “kuptim”, sa kohë që u referohen personazheve historike. Për këtë arsye, grekët nuk u vënë fëmijëve emra si Minotaur ose Gorgona, meqë është praktikisht e pamundur që këtyre emrave t’u bashkëlidhësh një dëshirë për fëmijën e sapo ardhur në botë.
Meqë nuk kanë “kuptim”, emrat ilirë u ngjajnë emrave eufonikë, ose atyre që sajohen ndonjëherë prej prindërve thjesht ngaqë tingëllojnë bukur (përmbajnë tinguj si l, n, r dhe e); madje, shpesh parapëlqehen për arsye eufonike, sa kohë që emra të tjerë ilirë, si Plahes, Stenas, Tritaneria, Oplika, Darmok, Viniok, Klevat, Zanat, Buzet, Voltisa nuk më rezulton t’i ketë zgjedhur kush, edhe pse gjithnjë do të kenë figuruar në listat përkatëse. Nëse është kështu, atëherë emrat ilirë, në kulturën e sotme shqiptare, nuk janë veçse emra eufonikë, të kunguar prej priftërinjve kombëtaristë.
Përndryshe, tradita ilire është një traditë artificiale, e mbjellë nga lart prej ideologëve kombëtaristë, të cilët dëshironin t’ua jepnin shqiptarëve një lashtësi të krahasueshme me atë të grekëve të lashtë. Kjo nuk do të thotë se ilirët nuk kanë ekzistuar, madje as edhe që shqiptarët e sotëm nuk janë pasardhës të ilirëve (kjo çështje meriton dhe duhet të diskutohet veçan; këtu vetëm po shënoj se hipoteza e prejardhjes ilire të shqiptarëve është më e mbështetur se të tjerat); por vetëm se tradita ilire ndër shqiptarë nuk ka pasur vijueshmëri, siç ka pasur vijueshmëri tradita greke e lashtë në grekët; ose tradita romake në italianët. Arsyet për këtë janë të shumta dhe të thjeshta; këtu po mjaftohem të përmend vetëm mungesën e shkrimeve ilire, meqë asgjë nuk e ngulit traditën më mirë sesa tekstet e ruajtura; por ilirët nuk e shkruan gjuhën e tyre, pas gjase ngaqë shkrimi si praktikë kulturore, ndër ta, do të ketë qenë tabu.
Natyrisht, lidhjet shqiptaro-ilire janë përsiatur prej historianëve dhe gjuhëtarëve europianë prej shekujsh; por në kulturën shqiptare moderne ato u shfaqën vetëm në shekullin XX. Përndryshe, Rilindja Kombëtare, edhe ndër arbëreshë në fillim, edhe në kolonitë shqiptare të Lindjes më pas (Stamboll, Bukuresht, Sofje, Kajro, Aleksandri), i mëshonte kryesisht hipotezës pellazgjike, e cila ishte veçanërisht tërheqëse për kulturën e shqiptarëve dhe të vllehve ortodoksë të asaj kohe, të cilët i jepnin shtysën kryesore lëvizjes kulturore të Rilindjes; por edhe të arbëreshëve të Italisë së Jugut, të cilët edhe pse katolikë, i kishin ruajtur për bukuri rrënjët dhe ritet bizantine, duke i ruajtur marrëdhëniet preferenciale me kulturën greke, fetare dhe laike.
Suksesi i hipotezës ilire dhe zbulimi i ilirëve prej kulturës shqiptare kombëtare lidhen me dy arsye: (1) arritjet e gjuhësisë indo-europiane dhe popullarizimi i tyre në Europë dhe (2) fuqizimi i fillesës katolike në kulturën shqiptare. Sa më shumë që i largohej kjo e fundit ndikimit grek dhe përgjithësisht bizantin, sa më shumë që orientohej kultura shqiptare drejt perëndimit europian, aq më interesante bëhej kjo hipotezë, derisa do të shndërrohej në hipotezë zyrtare, pas imponimit të regjimit totalitar edhe në kulturën kombëtare.
Ky kontekst do të ndihmojë për të kuptuar edhe pse emrat ilirë, në kulturën shqiptare, ishin efekt i një kombinimi faktorësh të rastit, mes të cilëve do përmendur autarkia kulturore gjatë periudhës komuniste, nevoja për të zhvilluar një kombëtarizëm të çliruar krejt nga faktori religjioz, dhe nevoja për t’i dhënë rrënjë pemës së kombit shqiptar, përndryshe ende të njomë.
Çështja këtu është se ilirët nuk kanë ndonjë histori, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës; ose historia e tyre, ajo që njohim, është historia e disfatës së tyre dhe e asimilimit të tyre prej Romës. Një prind mund t’ia vërë fëmijës emrin Etleva, meqë ky është eufonik (tingëllon bukur) dhe rekomandohet nga pushteti laik, nëpërmjet librit të emrave (ekuivalent i kalendarit katolik të shenjtëve); por vështirë se mund t’i dëshirojë fëmijës së vet rrënjë ilire, meqë nuk ka asgjë të lavdishme, në historinë e këtyre fiseve indo-europiane, të cilat nuk i bënë dot ballë Romës dhe u mbajtën pastaj mend vetëm nëpërmjet varreve të tyre, kulturore dhe arkeologjike.
Natyrisht, nuk ka asgjë të re në zgjedhjen e emrave nga një listë e miratuar, ose e bekuar prej autoritetit kulturor (kishës, etj.). Dihet se të krishterët katolikë i kanë pasë zgjedhur emrat nga kalendari; ndërsa protestantët rikthyen traditën e adoptimit të emrave drejtpërdrejt nga shkrimet e shenjta (Bibla). Çfarë është e re, madje e çuditshme, në rastin e emrave ilirë, nuk ka të bëjë aq me lashtësinë e tyre, as me ringjalljen e tyre artificiale, as me imponimin e një fistule që do të lidhte shqiptarët e sotëm me ilirët e djeshëm; por ka të bëjë me faktin që shumë nga këta emra, të rekomanduar me forcë nga kultura zyrtare në Shqipëri, nuk kanë kurrfarë kuptimi (përveçse tingëllojnë si emra ilaçesh).
Çështja do të ndriçohet më mirë po ta shohim nga pikëpamja e origjinës. Një emër ilir, si Etrit, ka origjinë të dyfishtë: origjinën historike, si emër i përdorur nga ilirët këtu e dymijë vjet më parë; dhe origjinën arkeologjike, si emër i lexuar në një mbishkrim votiv ose në një rrasë varri. Lidhjen mes këtyre dy origjinave mund ta bëjë vetëm specialisti, duke lëvizur së prapthi në kohë; çka shpjegon edhe pse, për kulturën në përgjithësi, “kuptimi” i emrit Etrit është i njëjtë me informacionin që kemi për origjinën e tij.
Si operacion kulturor, dukuria është një farë kanibalizimi; e ngjashme me çfarë ka ndodhur me mermerin e Apolonisë, i cili ka përfunduar në gropat e gëlqeres të banorëve të sotëm të Myzeqesë, duke filluar nga sarajet e bejlerëve të atjeshëm; ose edhe me atë të Romës së lashtë, i cili është përdorur njëlloj nga banorët e mëvonshëm nevojtarë të atij qyteti të bekuar.
Përndryshe, dhe siç e thashë edhe më parë, unë besoj se emrat ilirë nuk kanë të ardhme në kulturën shqiptare; meqë ilirët vetë janë një madhësi e mjegullt dhe enigmatike, për të cilët mund të mësojmë gjëra, por që megjithatë nuk arrijmë t’i njohim, sepse njohja nënkupton edhe përvetësimin e historisë në kulturë, p.sh. nëpërmjet artit ose mitit; por edhe ngaqë vetë shqiptarët e “pagëzuar” ilirisht (grup ku bëj pjesë edhe unë, tek e fundit) kanë jetuar në një periudhë nga më të errëtat të historisë së Shqipërisë, kur individi dhe emri i përveçëm si shenjë konstitutive e individualitetit u shtypën për vdekje nën thundrën e kolektivizmit totalitar, prandaj brezat që vijnë nuk do të kenë arsye as të zgjedhin emra nga paraardhësit e tyre pothuajse anonimë të gjysmës së dytë të shekullit XX; dhe më në fund, po të gjykohet nga mekanizmat me të cilët prindët sot përzgjedhin emra për fëmijët e tyre, do të shihet menjëherë roli kritik që luajnë, në këtë proces, mass mediat dhe kultura e celebritetit, e cila me ilirët realë dhe të imagjinuar nuk ka fare, po fare lidhje. Kombëtaristët, nga ana e tyre, të cilët po përjetojnë edhe një ringjallje sado të parafinuar me lëvizjen AKZ, do të kenë gjithnjë në dispozicion databazën e historisë reale të shqiptarëve, si dhe apelativët, që mbeten gjithnjë alternativë tërheqëse ndaj emrave të modës, si Kevin, Kristi, Rihana dhe Eshli.
|
15,458 | https://peizazhe.com/2014/05/16/cohu-prift-te-ulet-hoxha/ | null | 2014-05-16T16:30:53 | ÇOHU PRIFT TË ULET HOXHA | Ndriçim Kulla mendon se çmimi Ardian Klosi do të duhej quajtur, më mirë, çmimi Branko Merxhani, meqë emri i parë është i pameritueshëm, sidomos në krahasim me të dytin.
Këtë edhe e mbron, me një artikull të botuar dje në Panorama.
Nuk më takon mua, për arsye etike, që ta kundërshtoj argumentin e autorit; sado që unë, që i vlerësoj lart edhe Klosin edhe Merxhanin, mendoj se kontributi i të parit në kulturën shqiptare është më i rëndësishëm se i të dytit. Gjithsesi, artikullin e Kullës ju ftoj ta lexoni vetë, për të parë nivelin e publicistikës dhe të sulmeve ad hominem.
Çfarë më shtyn të shkruaj është, përkundrazi, ideja e çuditshme se nuk mund të lartësohet dikush, në piedestal të kulturës, pa rrëzuar dikë tjetër; në rastin konkret, nuk mund të vlerësohet B. Merxhani, pa bërë shoshë A. Klosin.
Kjo mënyrë e nderimit të personaliteteve dhe të traditës në fakt nuk e lejon konsolidimin e traditës – pse i projekton edhe në kohë konfliktet meskine të politikës dhe të klaneve të sotme.
Asnjë të keqe nuk shoh që të krijohej edhe një çmim nën emrin e Branko Merxhanit; dhe ky t’i jepej kushedi revistës kulturore më të mirë të vitit, ose një emisioni të ngjashëm televiziv ose publicistikës më të mirë shqipe online; krahas çmimeve të tjera që jepen tashmë.
Një kulturë që kërkon të jetë pluraliste, duhet të dijë të nderojë edhe Merxhanin edhe Klosin; dhe jo të rrëzojë njërin për të ngritur tjetrin, a thua se kemi një piedestal vetëm.
Dhe nëse kjo qëndron, madje është elementare për t’u kuptuar, atëherë të krijohet përshtypja se N. Kulla nuk e ka merakun te Merxhani, por te rrëzimi i Klosit.
Nuk synon të diskutojë dedikimin e çmimit në fjalë, por ta shkatërrojë atë.
Të njëjtin qëndrim e gjen sot gjetiu – edhe për çështje të panteonit letrar e të gjuhës standard ose në fushën e rehabilitimeve kulturore; dhe figurat e shquara, që i kemi aq të pakta, i trajtojmë si të ishin të papajtueshme mes tyre.
Dhe premtova diçka në krye, por nuk po arrij dot ta mbaj fjalën: biografia që ia bën Klosit autori i artikullit lexohet si të ishte ndonjë tablo sinoptike, nga ato të lashtat.
|
23,800 | https://peizazhe.com/2016/10/13/streha-e-fundit-e-autorit/ | null | 2016-10-13T17:02:27 | STREHA E FUNDIT E AUTORIT | “Mos më pyesni kush jam dhe mos më kërkoni të mbetem i njëjti: le t’ua lëmë burokratëve dhe policisë që të kontrollojnë nëse i kemi në rregull letrat. Së paku na i kurseni moralitetin e tyre, kur ne shkruajmë.” Kështu thotë M. Foucault-i, tek Arkeologjia e dijes – edhe pse këto fjalë të tij do të merrnin kuptim tjetër, më të guximshëm, në mos edhe më subversiv, në epokën e uebit 2.0, kur gjithsekush doli në rrugë dhe i shkroi mendimet e veta me shkronja të mëdha, por për t’i nënshkruar me një emër tjetër. Kësisoj, pseudonimi u shndërrua sërish, nga përftesë letrare dhe hokë adoleshentësh, në një faktor ndryshimi social, si në kohën e revolucionarëve, të Leninit, të Stalinit dhe të Che Guevarës, pa folur për Tarasin dhe Delikaten dhe të tjerë noms de guerre.
Në fakt pseudonimi gjithnjë tradhton një siklet të padurueshëm me fatalitetin e ekzistencës, ose një reklamim sado të vonë të asaj lirie që të mungonte, kur të tjerët vendosën për ty. Emri im, Ardian, i referohet një fisi ilir që jetonte diku në Perëndim të Ballkanit; prindërit e mi e zgjodhën sepse ishte kulturorisht i modës në atë kohë, kur qytetarët në Shqipëri po zbulonin se stërgjyshërit e tyre nuk paskëshin qenë pellazgët, por ilirët: risia këtu kish të bënte edhe me një gënjeshtër të vjetër, që tashmë kish kafshuar dheun. Përkundrazi, mbiemri im, Vehbiu, më klasifikonte sakaq si anëtar të një familjeje, të një dege, të një lisi, të një fisi; kish diçka të përbashkët me gjakun, por që e mbulonte si të ishte band-aid. Kombinimi i këtyre dy emrave, si enë në fillim e zbrazët, do të mbushej dalë nga dalë me mua, si shumë e bëmave të mia dhe perceptimeve të botës për mua; pa çka se të parët që u morën me këtë kombinim dhe që e riprodhuan në dokumente dhe lista dhe fac simile ishin burokratët, kushedi më vonë edhe policia; duke më dhënë një identitet që, për mua, thellë-thellë manifestohej me nevojën, ndoshta duhet të them imperativin, për të qenë sot i njëjti me atë që kam qenë dje. Pa çka se ky identitet i subjektit nuk ka shumë të bëjë me firmën që vëmë, në përfundim të një vepre arti, të një artikulli, të një propozimi, të një projekti, të një deponimi, të një rrëfimi. Sërish Foucault-i: “Fjalimet dhe librat iu bashkëlidhën [në krye, A.V.] autorëve të mirëfilltë, dhe jo figurave fetare mitike ose të rëndësishme, vetëm atëherë kur autori u bë subjekt ndëshkimi dhe në atë masë që diskursi i tij u konsiderua si transgresiv.” Me fjalë të tjera, autori ishte ai që shkonte në burg ose në gijotinë, në qoftë se gabonte me veprën e vet. Çfarë do të ishte edhe një arsye e mjaftueshme, në mos optimale, për të shkruar me pseudonim.
Sot në forumet online dhe në faqet e komenteve të disa mediave pseudonimet janë ende de rigueur – njëlloj si kostumet në një ballo me maska: ai që nuk mbulohet, do të tregohet me gisht si lakuriq. Por këto pseudonime çlirojnë nga përgjegjësia, ose nga nevoja që dikush t’i dalë zot fjalës; duke shtruar njëkohësisht një çështje gati filozofike madhore: a mund të funksionojë normalisht ai tekst, të cilit nuk i del zot përveçse një personazh? Sërish do të na duhet të pyesnim: a mund ta çosh një pseudonim në burg? Në një farë mënyre, po – duke ia ndaluar qarkullimin; pa çka se ai që ia lëviz fijet, ose kukulltari në hije, sakaq mund të krijojë një pseudonim të ri: një, dhjetëra, mijëra. Borges-i i pat vënë në gojë një personazhi, te “Tlön, Uqbar, Orbis Tertius,” thënien se “pasqyrat dhe akti seksual janë të përbindshme, sepse i shumëzojnë njerëzit”; po të ish gjallë sot, kushedi do të kish shtuar këtu edhe Internetin. Pa çka se jo gjithmonë pseudonimin e sugjeron djalli; mund të tradhtojë edhe ndrojtje, modesti, ngurrim për të përdorur emrin e vërtetë, meqë ky ende nuk ka asnjë kuptim, përveç atij që i kanë dhënë shkresat.
Aq më tepër që, dikur midis viteve 1995 dhe 2005, të gjithë ne e kishim të paktën nga një pseudonim, që na shërbente jo aq si maskë për të mbuluar fytyrën (tek e fundit, një fytyrë që nuk na e njihte kush), sesa si një targë, nga ato që varen në gjoks, dhe që të lejojnë të qarkullosh i papenguar në virtualitet. Nuk e dinim atëherë që emrat e rinj ishin edhe ftesa për të eksploruar drogën e personalitetit të shumëfishtë – ti zgjidhje një emër për veten dhe i nënshkruaje tekstet e tua me të; dhe pas një farë kohe e kuptoje, herë me tmerr dhe herë me entuziazëm, se ky emër tashmë po të kërkonte ty, po të varej pas qafe si ta kishe fëmijë.
Shumë shkrime të miat të hershme, në një forum diskutimesh të quajtur Alb-Club, i kam pasë nënshkruar si Dale Hashorva, një emër që mua më sillte në mend imazhin e një burri të shëndoshë me kostum liri dhe borsalinë ngjyrë kremi me vrima dhe këpucë të bardha ndoshta edhe këto me vrima; dhe që merrej shumë me politikë. Kur më pas një dorë e fshehtë brenda meje filloi të trokiste me të madhe dhe të kërkonte penën për të shkruar letërsi të mirëfilltë, këtë nuk mund t’ia besoja sërish Dales, i cili e kish krijuar tashmë një profil të vetin.
Ashtu erdhi njëditëzaj në jetë Maks Gjerazi, autor gjithnjë eksperimental dhe dadaist, i njëjti që më vonë do të përmendej në titullin e librit tim Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit. Për këtë të fundit, ideja ime ish që të dilte me Maks Gjerazin si autor; por botuesi, A. Klosi, më bindi që të përdorja emrin tim – edhe pse jam i sigurt se ai nuk kish parasysh burgun. Kujtoja se një libër që i këndonte paranojës e meritonte të nënshkruhej nga një autor fiktiv; sot kujtoj se asgjë nuk është më fiktive, se emri real, ose ai që nuk e ke zgjedhur ti vetë por ta kanë vënë të tjerët, njëlloj siç i shënjon bariu delet me hekur të djegur, ose sot duke u injektuar një chip nën lëkurë. E megjithatë, pseudonimi është edhe fatalitet – vetë Maks Gjerazi më dukej i predestinuar për të krijuar një lloj të caktuar letërsie, ose i kapur peng i arsyes për të cilën kish ardhur në jetë; të lashtët kanë pasë thënë nomen (est) omen, emri është shenjë, emri flet; unë do të shtoja këtu se emri është kryq që e mbajmë në shpinë gjithë jetën, madje edhe kur nuk kemi mëkatuar dhe aq.
Duke e ndier këtë peshë të papërballueshme te pseudonimet, fillova të kuptoj se sa më e rëndë ishte, kur i bashkëlidhej emrit tim real. Për autorin, emri rëndon si guri i Sizifit; për lexuesin, emri i autorit është lodhje. Sot janë të shumtë ata lexues që, sapo shohin emrin tim poshtë një eseje ose një copëze letrare, e ndalojnë leximin – jo sepse më urrejnë, më përçmojnë a më refuzojnë, por sepse “e dinë” se çfarë shkruan A.V.; në kuptimin që çdo nënshkrim e sjell kuptimin me vete. Që këtej edhe mundësia për të përdorur pseudonim i ngjan një dhurate pothuajse mistike: ta anulon ballastin, t’i heq thasët me rërë nga shpatullat, ta pastron dosjen që ka hapur për ty publiku, ta djeg kartelën mjekësore duke të dhënë krahë për të fluturuar sërish. Ashtu lexuesi do t’u afrohet shkrimeve të tua me kuriozitetin e duhur, teksa ti shpreson që pyetja “kush është ky” mund të shndërrohet në pyetjen tjetër “çfarë shkruan ky” dhe që është e vetmja që ty të intereson, së paku si autor.
Nga kjo pikëpamje, teksti i hedhur në qarkullim i ngjan nga pak një romani policor, të ndërtuar rreth pyetjes: “kush e ka bërë (krimin)?”; çfarë edhe bashkëtingëllon bukur me autorin që gjithnjë e mban gati, në dhomën e gjumit, valixhen e burgut; duke konfirmuar, edhe një herë, se lexuesi nuk mund të kënaqet, pa u siguruar se pas fjalëve që i janë dhënë të lexojë qëndron dikush; ose të paktën, një palë kyçe duarsh të bëra gati për prangat. Aq sa, me kalimin e kohës, tekstet sa vijnë e bëhen edhe më të tejdukshme, në kuptimin që do të lexohen duke pasur parasysh tekstet e mëparshme të këtij autori; ose në një orvatje, ndonjëherë patetike, për t’i dhënë këtij të shkretit një biografi, madje edhe atëherë kur kjo biografi nuk ka doemos trajtën e një dosjeje. Vjen pastaj momenti kur çdo tekst i nxjerrë rishtas nuk perceptohet veçse si portret i atij që e ka shkruar, ose që pretendon ta ketë shkruar: një moment që nuk ka shkrimtar dhe artist të mos e urrejë, me përjashtim të atyre që e prisnin t’u mbërrinte gjithë jetën. Dhe shumëkush do ta ketë ëndërruar, në këto rrethana, mundësinë për t’u rilindur nën një emër tjetër, ose për t’i dhënë vetes një palë flatra të reja.
Dikur, rreth vitit 2004, pata rinxjerrë në qarkullim, për veten si autor non-fiction, një pseudonim të vjetër, të viteve të shkollës së lartë: Xha Xhai; ky më shoqëroi edhe gjatë periudhës kur u konsolidua “Peizazhe të fjalës”, më parë blog tani revistë; por edhe Xha Xhai me kohë u konsumua, sepse u mbush me material dhe me junk, si disku i ngurtë i një kompjuteri të vjetër; aq sa m’u desh tani ta lë mënjanë, për t’iu kthyer emrit tim real, si streha e fundit e autorit. Në mënyrë të ngjashme, Maks Gjerazi pas botimit të librit u kap peng në paranojat e atyre rrëfimeve dhe e pati të vështirë ta rikrijonte veten si personazh dhe si autor; thirra në ndihmë një personazh tjetër, castigat, me të cilin shkruaj herë pas here tekste letrare, tregime të shkurtra dhe skica, te “Peizazhet.” Tani që e mendoj, të gjithë këta emra më kanë shërbyer njëfarësoj edhe për t’u mbrojtur – jo nga përgjegjësia, sa nga konsumi dhe rrëgjimi në sytë e lexuesit; sikurse më kanë shërbyer për të mbajtur gjallë iluzionin, në fakt patetik, se autori ende mund të ruajë ndonjëfarë kontrolli, ndaj atyre që shkruan dhe ua jep të tjerëve.
Shënim: ky shkrim u botua në numrin e fundit të revistës “Saras.”
|
36,010 | https://peizazhe.com/2020/08/02/thirrja-e-tekstit/ | null | 2020-08-02T20:32:58 | THIRRJA E TEKSTIT | nga Natasha Shuteriqi
Marrëdhënia ndërtekstuale e “Rubairave” me “Plak topall dhe ashik”
Në qoftë se sot do të isha në fillimshekullin XX dhe do të kisha përballë Fan Nolin përkthyes, do t`i bëja një pyetje të përafërt me atë që i kanë bërë gati një shekull më vonë Eco-s pas përkthimit në frëngjishte të romanit “Lavjerrësi i Fukosë”: Si arrinte të përshkruante aq saktë hapësirat?[i].
Pyetja ime për Nolin do të ishte: Si arrin të m’i përcjellësh aq saktë instinktet epshore? Do të kisha ngecur në dy përvoja tekstore të Nolit, përkthimin e “Rubairave” dhe poezinë e tij te vëllimi “Album”, Plak topall dhe ashik, nëse fare rastësisht, falë një emisioni televiziv të mos më qasej në formën e një receptimi aktiv teksti i një kënge tipike shkodrane Plak me marak. Kjo m`ì ngatërroi tekstet dhe nuhata si lexues një tekst të vetëm që vërtitej brenda mendimit tim, i cili më sulmonte tekstet e tjera dhe, më tej akoma, më krijonte një të katërt apo të pestë që si një diagramë matematikore përvijonte fushën ku priteshin bashkësitë semantike dhe topike.
Atëherë, marr pozicionin e receptuesit: receptuesit – në ndijimin e tekstit të këngës në fjalë sepse referuar Y.Chevrel, kjo veprimtari luajti një rol të dorës së parë në ecurinë komunikuese timen si perceptues [ii] në bashkëveprimin e marrëdhënieve të të tria teksteve.
E përdëllyer nga erotizmi i teksteve të cilat i dhanë kuptim një imazhi të ri të perceptuar mbi to, pasi i bëra të ekzistojnë brenda një mendimi dhe imazhi të vetëm, referuar Plangaricës[iii], krijova infratekstin tim si lexues bashkëpunues, kalova në një nivel të dytë (tanimë sipas Chevrel-it), nga niveli i lexuesit të tekstit, te niveli i publikut. Duke marrë këtë pozicion të perceptuesit tekstual, mendova të shmangem, të heq dorë dhe të kaloj në analiza operacionale, mbështetur në lëmenjtë ku do të më ndihmojë jo gjetja e sa më shumë referencave, por përzgjedhja pikërisht e atyre që do të më çojnë te një kuptim sa më i saktë i secilit prej teksteve. Shkurt, si lexues i lexuar ndieva thirrjen e tekstit zanafillor, i cili më udhëzoi dhe modeloi shkrimin drejt evidentimit, emërtimit dhe synimit prej një teksti fillestar nëpërmjet tentativës për një analizë të plotë të perceptimit tim dhe receptimeve që më qasen. Por, ndërsa shqyrtoj dhe mbështetem në tekstet që kam shtruar, më qartësohet gjithnjë e më shumë bindja se ndërtekstualiteti gjen një mundësi shpjegimi edhe përmes analizës stilistike, krahas krejt analizave të tjera.
Objekt i vëzhgimit zanafillor ishte teksti Plak topall dhe ashik, të cilin Fan Noli e ka sjellë përmes një toskërishteje të butë dhe jo pak të dendur me turqizma, sa ç`kishte përcjellë edhe Rubairat e Khajamit. Duke shtrirë kështu si në një fushë pokeri tekstet që ngacmojnë disa hapësira imazhesh, pohojmë edhe një herë Frey-n se poezia nuk është vetëm pasqyrim. Ajo nuk riprodhon veçse një hije të natyrës: detyron natyrën të reflektojë në formën e saj përmbajtjesore[iv]. Dhe, në këtë rast, natyra përmbajtjesore e poezive të Nolit devijon menjëherë imazhin drejt Khajamit dhe dashurisë së tij për jetën, verën dhe dashurinë e pamoshë. Por përkrah teksteve që evidentuam na qaset papritur teksti i këngës Plak me marak, i cili na çon në pohimin se një tekst nuk është asnjëherë i izoluar, por gërshetohet gjithmonë me vepra të tjera, me të cilat dialogon. Në vitin 1968, Bakhtin[v] kishte theksuar se shpesh, në të njëjtën faqe apo edhe në të njëjtën fjali, ekziston prania e njëkohshme e dy “zërave” të ndryshëm, të cilët përfaqësojnë dy pika të ndryshme vështrimi, që nënkuptojnë dialog me njëri-tjetrin dhe që pasurojnë strukturën semantike të veprës. Këtë dukuri, e cila është krejtësisht linguistike, Bakhtin e quajti shumësi zërash (ose polifoni). Dukuria analoge e aplikuar në tekstet e shkruara bëhet ndërtekstualitet[vi].
Nëse të përkthesh do të thotë të kuptosh sistemin e brendshëm të një gjuhe dhe strukturën e një teksti të caktuar në atë gjuhë, si dhe të ndërtosh një sistem të dyfishtë tekstor, (Eco 2006: 17), arrijmë në përfundimin se ndërsa Noli përkthente Khajamin, duhej të kishte stiluar një proces, i cili, po aq sa parakuptonte një situatë normimi gjuhësor, po aq edhe konfliktonte gjuhësisht me dy realitete që qëndronin tetë shekuj larg në kontekste linguistike dhe kulturore. Për të kuptuar se si Noli ka normuar procedet e veta stilistikore, mjafton të kujtojmë Chevrel-in, sipas të cilit poezia është padyshim fusha ku rregullat janë ndjerë më fort, pasi në të bashkohen rregullat e gjuhës me ato të gjinisë. (Chevrel 2016:135). Duke vendosur në një anë normimin gjuhësor dhe rregullat e poetikës dhe në anën tjetër procesin e përkthimit, si një vështirësi për të thënë gati të njëjtën gjë, sipas Eco-s, arrijmë të evidentojmë mënyrën se si Noli ka proceduar për të sjellë Rubairat në shqip. Kjo procede do jetë udhërrëfyesja që do paqësojë mekanizmin e mbledhjes së copëzave-nyje kuptimore të teksteve të tij origjinale, me udhën nga ku na thërret teksti fillestar, që nuk është veçse një (i vetëm) në kontekst tjetër, tashmë të njohur (Rubairat).
Poezia është ikonike. Përgjatë leximit të saj, Noli nuk ka lexuar fjalët por ikonat[vii]. Ato kanë krijuar një imazh të ngrirë në vetëdijen e tij. Që kjo ikonë e ngrirë është gjëja[viii] për të cilën flet Eco ndërsa përpiqet të shpjegojë vështirësinë e të përkthyerit, ne e kuptojmë nga pohimet e vetë Nolit mbi vuajtjen e veshjes me fjalë të figurës ikonike khajamiane të formuar në vetëdijen e tij krijuese. Në Introduktën që paraprin përkthimin, Noli liston origjinalitetin e Rubairave, duke renditur në fakt, në mënyrë të përgjithësuar, vështirësitë (në emër të përkthimit si procede) që has veshja stilistike, leksikore dhe topike e vështrimit të të njëjtit objekt estetik, i cili duhet të përkojë me frymën e luhatshme të Rubairave sipas gjendjes së poetit në çastin e krijimit. Duke pohuar në këtë formë shumësinë e personaliteteve në një ikonë të vetme, përkthyesit i është dashur të qartësojë sistemin poetik, të normojë rregullat gjuhësore (që përmendëm më lart) të luajë me kuptimet dhe nënkuptimet, si dhe të gjejë rrobën e duhur për ta veshur vargun.[ix]
Një nga këto ikona që vjen në imazhin e ndjesisë së frikës ndaj ikjes së moshës, është strumbullari që vërtit mendimin e Rubairave dhe që Noli përpiqet të bëjë qokë[x], duke e ndërkallur imazhin në kushtet e një antiteze elegante: E dashur mbushmà Kupën që kthjellon/Të sotmen nga vrer qìkën, tmerr q`afron/Po nesër? Nesër nofta fryra, humba/Në shqotën ku e djeshmja fluturon (strofa 60); metonemisë së shoqëruar me thirrje: U-bëra prap djal i ri: Sill verë! (str. 62); metaforës që luan me përmasën e lëvizjes: Se Koha nëpër këmbë po na shket (str. 66); shkrirjes së pasthirrmës me similitudën: Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë/ m`i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë (str. 74) etj.
Gjendja përgjatë së cilës ikona ka mbetur e ngrirë në vetëdijen rikrijuese, ka skalitur dhe veshur me mish imazhin e frikës ndaj kohës që shkon dhe moshës në ikje. Kjo është një pikënisje nga ku do të gjurmojmë tekstualitetin, i cili, në rastin tonë, vjen nëpërmjet së njëjtës pendë e stil. Nëse duam t`i dallojmë këto procedime te Noli, sipas Kutelit, ato dalin në pah më së miri nëpërmjet të lexuarit gjithëpërfshirës[xi].
Ngacmuesi i parë, i vërtetë që të shpie drejt kërkimit është kujtesa.
Dale moj, se kam një fjalë… dale moj se s`jam më djalë… një lexues bashkëpunëtor është gjithmonë një lexues i lexuar, i cili ndjen më së pari tekstin ta thërrasë dhe të kërkojë drejt një teksti tjetër, që, përveçse një teme të njohur, pa dyshim paraqet edhe stil e tregues kuptimorë familjarë.
Për të qenë më konkretë, i referohemi qokave ku gjejmë prizmin përmes së cilit, jashtë çdo kronologjie, do të lexojmë tekstet e Nolit dhe Khajamit, që pa dyshim janë të pranishme njëherazi në kujtesën tonë si lexues. Nga Khajam veçuam strofat 3, 20, 29, 31, 33, 34, 36, 45, 66, të cilat në kujtesën tonë erdhën si forma të fshehta takimi me tekstet e Nolit.
Evidentimi i tipareve të foljeve dhe përputhshmëria e imazheve/efekteve që ato krijojnë.
Identifikimi i parë shtresëzon foljet që realizojnë dinamikën e ikjes, por me synimin për të detajuar efektet e frikës përzierë me dhembjen: Khajam – u plakëm, (nesër) zbresim, (koha) shket, vdiq, (e nesërmja) s`na gjen. Noli – s`jam (më djalë), më rrjedhin djersët (nga lodhja) qenkam plakur, s`ka takat, të mbuloni (me dhe)
Duke i shtresëzuar tiparet e foljeve do të krijonim fusha semantike të cilat priten në efektet e tyre stilistikore:
Khajam.
u plakëm – konstatim i qartë, dorëzues dhe i pakthyeshëm;
(nesër) zbresim – ikje nga një realitet moshor, plakje, por ende një fije shprese;
(koha) shket – konstatim i plakjes dhe dorëzim;
(e djeshmja) vdiq – konstatim dhe pohim i aktit të mbarimit të një procesi;
(e nesërmja) s`na gjen – pohim, por edhe një fije shprese për të jetuar të tashmen.
Noli.
s`jam (më djalë) – konstatim i qartë, dorëzues dhe i pakthyeshëm;
më rrjedhin djersët (nga lodhja) – pohon, por ende kemi tentativa për të qëndruar;
qenkam plakur – konstatim i qartë, dorëzues dhe i pakthyeshëm;
s`ka takat – konstatim i qartë, dorëzues dhe i pakthyeshëm;
(kur) të mbuloni (me dhe) – pohim, por edhe një fije shprese për të jetuar të tashmen.
Dinamika e lëvizjes që sjell kuptimi i foljeve është imazhi i individit që luhatet mes fundit të jetës dhe dëshirës për ta shijuar atë edhe në atë hon ku ka arritur. Nëse do të realizonim prerjet ku fushat semantike takojnë mes fjalëve, atëherë grupet që do të rikrijonim do të ishin:
Grupi i parë: u plakëm, (koha) shket, (e djeshmja) vdiq, s`jam (më djalë), qenkam plakur, s`ka takat
Ky grup i parë ravijëzon pohimin e pakthyeshëm se imazhi ka ngrirë në buzë të ikjes. Është konstatim a pohim, që, pavarësisht çdo konteksti, lexohet në të njëjtën dritë, lakuriqësia e një ndjenje që heroi as e mohon, as e kundërshton, por e pohon atë si fakt që s`ka rrugëdalje.
Grupi i dytë: (nesër) zbresim, (e nesërmja) s`na gjen, më rrjedhin djersët (nga lodhja, (kur) të mbuloni (me dhe)
Në këtë grupim të dytë fusha semantike pëson një zhvendosje, falë edhe referentit që ajo ka si synim qasjeje. Lëvizja merr tjetër drejtim. Foljet e këtij grupimi shmangin imazhin e lëvizjes në ikje të grupit të parë dhe devijojnë drejt një tjetër lëvizjeje: tundimit për të mos u dorëzuar, për të përfituar edhe pak, ndjesi e cila pushtohet te Noli nga folja në urdhëroren e butë, lutëse dale (prit).
Kjo dinamikë, e quajtur tekstuale nga Kristeva, siç shihet, na hedh drejt një leximi të njëtrajtshëm të të dy teksteve, i cili në fakt e mund njëtrajtshmërinë e tekstit si të tillë. Duket sikur Noli vjershëtar, nëpërmjet aludimit në poezitë e tij (referueset) kërkon ta bëjë lexuesin bashkëpunëtor. Në këtë shtrirje, infrateksti nis të lëvizë dhe njëjtëson lexuesin duke nxjerrë një imazh të vetëm që duket se merr homogjenitet në vendosjen e rrafsheve kuptimore të foljeve të këtij grupimi.
Nga kjo përqasje semantike prodhohet dinamika, procesi që aktivizon kujtesën e përbashkët, gati pavetore (kemi pohuar Nathalie Peigay-Gros, 2011: 53) dhe tekstet, nga ky këndvështrim, pushojnë së ekzistuari si referenca të autorëve dhe gati i fshijnë skajet tekstuale respektive.
Por, këtu fjala gati na qartëson, e ndihur nga dallime semiotike, të cilat referojnë shenjues që dallojnë mes tyre. Për të bërë identifikimin e dytë, na ndihin kohët e foljeve dhe mjetet stilistikore.
Koha e tashme e foljeve te Khajam aktualizon në secilin prej grupimeve ndjesinë e moshës që tashmë po ikën çdo ditë. Për më tepër, foljet që evidentuam në këto kontekste te Khajam janë shumë të orientuara dhe nuk luajnë me poliseminë. Metafora koha nëpër këmbë po na shket vjen menjëherë pas pasthirrmës ah, duke krijuar simbiozën e ikjes me dhimbjen. Si të dojë ta derivojë ndjesinë, kjo lidhje stilistike pasurohet me metaforën dhe asidentin e djeshmja vdiq, e nesërmja s`na gjen. Metafora krijon lidhje interesante me një antitezë të mbetur në tentativë, sepse në fakt dyston të njëjtën ide (iku koha, s`ka as dje as nesër, ka vetëm sot). Asidenti e rrit nxitimin, e shpejton mundësinë për të jetuar dhe shfrytëzuar vetëm atë që kemi sot. Atëherë shenjuesi merr konturet e një imazhi që ndjesinë e moshës në ikje e shoqëron me emocionin e frikës dhe nxitimit për të përfituar atë që ai dëshiron, por gjithmonë me dhimbje.
Noli, duke cekur skajet (besojmë vetëm skajet) e parodisë, i rimerr foljet duke realizuar përdorime të shfazuara të kohëve të tyre. Përdor kohën e kryer të thjeshtë për treguar në këtë mënyrë një gjendje që përzgjatet (kapite, sfilite, këpute, etj). Por kjo përzgjatje nuk shkon dhe humbet. Ajo shoqërohet gjithashtu nga pasthirrma (si në rastin e Khajam) moj. Pasthirrma moj specifikon referentin dhe realizon kontekstin qesharak të poezisë, e cila pasurohet nga një kombinim metrik i përsosur i numrit të rrokjeve në vargje me kohët e foljeve. Tri vargjet e para të çdo strofe i kemi tetë-rrokshe, ndërsa vargun e katërt e kemi pesë-rroksh (dihet tashmë që kjo thyerje përkon me ecjen çalamane të heroit lirik). Zgjatja e veprimit që të përcjell koha e kryer e thjeshtë në foljet e tri vargjeve të para, këputet në mes, aktualizohet nga koha e tashme e foljeve në vargun e fundit. Noli ka punuar në magjen e tij me nikoqirllëk, asnjë rrokje s`ka dalë tepër, dhe konteksti e realizon qëllimin: teksti është rishkruar në një stil më të ulët, krahasuar me Khajam, është afër tij, por humori i ndan imazhet.
Si përfundim, nëse semantika afron, semiotika ndan.
Por të gjitha foljet vrapojnë drejt së njëjtës domethënie. Ndaj, për hir të së vërtetës duhet pohuar se më tepër sesa ndarje këto tekste realizojnë marrëdhënie bashkëpranie mes tyre.
Sigurisht që në gjithë e curinë e ndërtekstualitetit është fare e rrallë, madje ndoshta përjashtohet krejtësisht, mundësia që secili prej teksteve në fjalë të merret në tërësinë e tij; privilegjohet një element (fonik, konceptual, tematik…); Chevrel 2016: 132]. Në këtë kuptim, duke lënë pak mënjanë elementë të tjerë do t`ì referohemi atij konceptual, sepse në perspektivën e të lexuarit global, ky element është homogjen dhe përbën korpusin bazë të procesit të ndërtekstualitetit. Që të analizosh perceptimet konceptuale duhet para së gjithash të saktësosh normëzimin semantik të gjuhës së përdorur. Normëzimi semantik i gjuhës së përdorur nga njëra anë i përket marrëdhënies mes shenjave gjuhësore dhe asaj që ato shenjojnë (foljet, pasthirrmat, figurat) dhe nga ana tjetër marrëdhënies mes mendimit korrespondues (konceptit) dhe produkteve gjuhësore me të cilat formulohen mendimet (Klaus.G, 2006:144).
Te Khajam dhe Noli i ndeshim ndjesitë të ndërkallura me njëra-tjetrën: E shkurtër është jeta, ja, u plakëm (Khajam), Qenkam plakur, e kuptova. (Noli). Thëniet janë të drejtpërdrejta sepse referojnë të njëjtën fushë semantike: konstatimin apo pohimin për fazën e fundit të jetës njerëzore. Në këtë rast, peshën në fjali e mban fjala plakje.
Produkti gjuhësor ardhur nga Khajam është sentencë, e cila realizohet me anë të një fjalie pohuese, ndërsa te Noli, kemi përdorimin e dy modaliteteve foljore brenda një fjalie: habitorja dhe pohorja, që e kthen tonin e poezisë drejt humorit. Për të zgjeruar pastaj fushën semantike me foljet këpute, sfilite. Kjo ndan tonalitetet te dy poezitë, siç është normale të ndodhë në një proces ndërtekstualiteti ku toni i tekstit të dytë (zakonisht parodik) është më i ulët.
Pasi je distancuar nga tekstet, të mbetet në shije ndjesia që provon heroi lirik: frikë, keqardhje, dëshirë. Padyshim që nuk jemi në gjendje të përcaktojmë paktin që Noli ka bërë me tekstin në origjinal, por ama ajo që është e dukshme konfigurohet në rrafshet ku ndërteksti merr kuptim. Të dyja tekstet rëndojnë erotizëm.
Nëse i referohemi disa fjalorëve shpjegues, termi erotik, (nga i cili vjen erotizëm), shpjegohet si kompleks i manifestimit të impulseve seksuale në rrafshe psikologjike, afektive, të sjelljes[xii]. Këto impulse janë të dukshme te Khajam dhe gati të paturpshme te Noli.
Te Khajam krijohen imazhe që referent kanë shqisën e të parit, me të cilën krijojnë metonemi të mrekullueshme: 1- Ty natën të kujtonj e psherëtinj/Nga malli digjem, si qiri kam shkrirë; 2-Zëmërën me sy e dashura ma ndes/Zëmërën –qirime flagën rron e vdes;3- Me syrin bukuri e dritë çpall,/në zëmërën dashuri e zjarr më kall. Syri i lexuesit aktivizon ngjyrën e kuqe, por jo si referent, si rrjedhojë. Sepse referenti që vjen nga similitura (shembulli 1), nga metaforat (shembulli 2 dhe 3) dhe elipsa (shembulli 2) nuk është gjë tjetër veçse një produkt konceptual i realizuar figurativisht nga e kuqja prej zjarrit (nxehtësi). Imazhi mishton marrëdhënien mes përftesave ligjërimore[xiii] dhe konceptit që ato përcjellin në formën e një metonemie mbresëlënëse.
Noli është më i drejtpërdrejtë, në kërkesën e tij: Gjithë peshën e mban folja dale, e përsëritur katër herë, nëse pranojmë që semantikisht kjo folje është e barasvlershme me foljen prit (prit-e). Folja dale (sado që në urdhërore) në fakt merr nota lutëse. Duket se heroi lyp. Në mendjen e lexuesit shqipfolës, folja dale vjen në kontekste të qarta lutëse, madje me vlerën e fjalisë së paplotë (dale, prit të flas unë; dale të të shoh pak; dale të të them një fjalë në vesh; dale, prit, mos u nxito). Referenti luan përsëri me shqisën e të parit, por imazhi i Nolit është i ndryshëm nga imazhi i Khajam. 1-Dale, moj, se kam një fjalë,/Se më rjedhin djersët valë; Dhe më s’ecënj dot;2- Dale, moj, se më kapite,/Më këpute, më sfilite,/Prite, moj, ashikun, prite/Që të vjen me not; 3-E arriva dhe ia thashë, 4-Dhe më s’ecënj dot.;Që të vjen me not. Semantikisht të gjitha foljet i përkasin lëvizjes, madje specifikisht ecjes së mundimshme. Kjo përforcohet nga hiperbola (shembulli 1) që i jep përmasë lodhjes dhe nxitimit, enumeracioni (shembulli 2) që nxit sensin e humorit, apostrofi (shembulli 2) që çon në një nivel më të lartë humorin, i cili shpërthen në kontrastin final (shembulli 4). Ai zjarri që digjte heroin e Khajamit, është po i njëjti i heroit të Nolit që në të dyja rastet është erotika dhe instinkti i heroit lirik që nxiton të fitojë atë ç`ka i ka mbetur. Sepse ndjesitë e përcjella janë instinktive dhe të ngjeshura me erotizëm: 1-Ty natën të kujtonj e psherëtinj/Nga malli digjem, si qiri kam shkrirë; 2-pikova gjak u çora e u shemba; 3-Te flag` e bukur zëmra-flutur turet/kur unë psherëtinj për ty me mall; 4-shpejt! Nesër zbresim që të dy në Lomë. (Khajam)
Erotizëm që te Noli shfaqet si një tjetër përmasë sjelljeje: instinkt, i realizuar me morinë e foljeve dhe tonet lutëse të habitores.
Ky erotizëm i Khajam, që merr nota filozofike (siç e përmend edhe Noli vetë në Introduktin që paraprin Rubairat), kthehet në modalitet sjelljeje instinktive te Noli, duke aluduar tekstin e mëparshëm, sigurisht edhe duke e rrotulluar kuptimin (Piegay-Gros. N, 2011). Për ta përmbyllur këtë evidentim, ngurtësojmë pezull një kuptim, imazh dhe efekt sjelljeje nga teksti i parë, i cili shfaqet në dykuptimësi të veçantë në tekstin e dytë.
Ndalemi te dy fakte tekstuale: Khajam-E prisnja! si rrufeja më tronditi/e dashuria më shkoi, më neveriti; Noli- Hapi gojën, dhe vajtova,/Qenkam plakur, e kuptova,/M’ardhi keq, po s’e mohova.
Përballim sintagmat: e prisnja dhe hapi gojën dhe vajtova. Në këtë rast teksti fillestar e ka të dukshëm gjurmën nëpërmjet llojit të fjalisë së përdorur (mungesore) dhe produktit thëniesor. Ky i fundit është kaq konvencional, i shkoqur, sa teksti i parë është dukshëm qartë i referuar në tekstin e dytë. Për të vijuar me dy tekstfaktet e mëposhtme
Khajam: S`e çmonja kur e kisha…Ah! Ç`m`a priti/Në Ferrin nga parajsa më vërtiti.
Noli: Dhe nga jeta u mërzita,/Dhe nga lumi u vërvita/Që të vdes, se u korita/Dy-tri herë sot.
Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe për foljen vërtit shkëputëm njërin nga kuptimet që përkon me dy tekstet: vërvít (vërvís) folje kalimtare; -a,-ur -e hedh tutje diçka me vrull; e flak: vërviti gurin. Sipas Gros-it, teksti burim do të pikaset lehtë kur copëza e thirrur përmban një fjalë apo një shprehje aq të rrallë për të qenë e lidhur ngushtë me një kontekst të përcaktuar (Piegay-Gros. N, 2011:135). Folja në të dyja tekstet na dërgon të njëjtin shenjues, me përputhshmëri të plotë semantike. Kemi një lloj agramatikaliteti: kalimi nga forma veprore (Khajam) në formën pësore (Noli), por nuk cenohet referenti, përkundrazi, ai njëjtësohet në imazh dhe ndan në këndin e të vështruarit. Këtë dallim të hollë e realizon forma veprore që ndjesinë e sjell nga jashtë brenda dhe pësorja që e zhvendos nga brenda jashtë.
Për ta përmbyllur analizën me detajimin e Gros-it drejt kontekstit të përcaktuar, aludimi i Nolit përcjell si Parajsë dashurinë dhe si Ferr shpërfilljen. Gjithashtu, përdorimi lidhëzave (dhe, që) në nisje të fjalisë i zhvesh ato nga funksioni që i cakton gramatika, krijon enumeracion duke e zgjeruar konceptin fillestar për Ferrin si shpërfillje të dashurisë (e hasëm në tekstin e parë). Ky zgjatim i mendimit nolian kontraston me konçizitetin e anasjellës (inversionit) te Khajam, por operacionet mendore të lexuesit saktësojnë të njëjtat kontekste thëniesore, ndërsa prodhojnë efekte ndijore të ndryshme (njëri filozofik dhe tjetri humoristik).
Për t`iu rikthyer efekteve instinktive epshore të Nolit, bashkëvendosim strofën e parafundit: Po ti, Zot, më ngushëllove/Pas një tjatre më lëshove,/Dhe nga mbytja më shpëtove,/Lavdi paç, o Zot.; me strofën 66 të Khajam: Ah mbushmi kupat! Zemra na thërret/se koha nëpër këmbë po na shket/e djeshmja vdiq, e nesërmja s`na gjen/ç`mërziti kur e sotmja ka lezet?
Po ta vëzhgosh vargun si një të vetëm, hasim një lloj tragjikomizmi që vjen nga prania e dëshirës erotike dhe pamundësisë trupore[xiv]. Khajami filozof, përmes dhimbjes (e sqaruam më lart rolin e pasthirrmës), thërret për të jetuar çastin gati me nxitim. Dominante në funksionin e saj brenda sentencës, fjalia shkakore (se koha nëpër këmbë po na shket), është sfond tragjik, i cili thyhet nga pyetja retorike e realizuar brenda periudhës së shkurtër që mbart një fije humori në të (ç`mërziti kur e sotmja ka lezet). Noli satirizon duke u tallur edhe me vetë dhimbjen, duke përdorur trajtën e shkurtër më në funksion kundrinori, i cili e mbyll qarkun e veprimit rreth vetes (më: ngushëllove, lëshove, shpëtove-vetë kupton, vetë mërzitet, vetë gjen rrugëdalje), por që në fakt është po i njëjti veprim i nisjes. Kemi një farë rrethvetërrotullimi të imazhit, ndjesisë dhe reflektimit. Këtu buron humori që përcjell edhe keqardhje, tragjizëm për këtë energji të shpërdoruar e të pashpresë.
Që Noli nuk ka mbetur indiferent ndaj temës erotike, këtë e kanë pohuar edhe studies të tjerë[xv], madje e kanë analizuar atë në marrëdhënie me erotikën e letërsisë shqipe deri në kohën e shkrimeve të tij. Por ne mendojmë se teksti fillestar i Rubairave ka gjetur një terren tejet të përshtatshëm në personalitetin krijues e ndijor të Nolit, duke përcjellë pjesë të tijat drejt tekstit të ri.
(c) 2020, Natasha Porocani-Shuteriqi
[i] Eco, Umberto, Të thuash gati të njëjtën gjë, Dituria, Tiranë 2006, fq. 210.
[ii] Chevrel. Yves, Letërsia e krahasuar, Naimi (Shtëpi botuese dhe studio letrare), Tiranë 2016, fq. 69.
[iii] Në veprën e tij Aspekte të gjuhësisë së zbatuar II, Plangarica trajton nocionin e Inftratekstit, i cili sipas analizës së tij është teksti i lexuesit, përtejteksti a infrateksti, që si i tillë përftohet në raport me tekstin letrar në një proces të të lexuarit që jo thjeshtë dekodon e zbërthen, por njëherazi përfton një tjetër tekst, një përtejtekst, ku barten natyrshëm tharmet estetike dhe letrare që i ka bujarisht në pronësi ai tip lexuesesi që arrin të përftojë këtë proces të veçantë të lexuarit te tekstit letrar. (Tiranë 2018:131)
[iv] Frey. Northrop, Teoria dei modi, dei simboli, dei miti e die generi letterari, Piccola Biblioteca Einaudi, Torino 1969, fq. 112.
[v] https://it.pearson.com/aree-disciplinari/italiano/idee-per-insegnare/intertestualita-insegnamento-letteratura.html
[vi] Termi “intertekstualitet” u fut në kritikën letrare nga psikanalistja franceze me origjinë bullgare Julia Kristeva më 1978, në një kuptim pjesërisht të ndryshëm nga ai aktual.
[vii] Kur flasim për aspektin ikonik të perceptimit, duam të qartësojmë se po përdorim konceptin, por jo shtjellimin e tij.
[viii] Eco,Umberto, vepër e cituar, fq. 9.
[ix] Noli, Fan, Vepra I, Botimet Dudaj, Tiranë 143-157). Noli pohon: Mënyra me të cilën Omar Khajami lot me kuptimet e ndryshme të këtyre fjalëve ua ka turbulluar kokën të gjithë këndonjësve dhe përkthenjësve të tij, të cilët që nga kohët e vjeta e gjer sot kanë dashur t`a simplifikojnë punën me sëpatë Dardhari, dyke na e paraqitur Omar Khajamin a vetëm Anakreontian e Hedonist, a vetëm Epikurian e Skeptik anti-fetar, a vetëm Fetar e Mistik.
[x] Këtë term e kemi huazuar nga Plangarica, Aspekte të gjuhësisë së zbatuar (2017), i cili, ndërsa saktëson terminologjinë e përkthimit nga frëngjishtja, shkruan: Për të vijuar më tej, skaji repère, mendojmë se duhet përkthyer me qokë, ndërsa të ardhurat prej tij repérer, repérage, repéré përkatësisht me qokëtoj, qokëtim dhe i qokëtuar; përkthim i tillë nuk është bërë ende në shumë gjuhë të tjera. P.sh. në anglisht, për mungesë të një fjale që do ta jepte barasvlershëm nocionin përkatës të gjuhësisë franceze, përdoret skaji reper i huazuar nga frëngjishtja. Është parapëlqyer skaji qokë, sepse i përgjigjet më mirë skajit gjegjës frëng repère, se që të dy vijnë nga fusha e marrjes, e vënies së diçkaje (qokë, popël, kunj, etj.) si skaj orientimi, sepse fjala qokë me kuptimet dhe përdorimet e saj në gegërisht i përgjigjet më mirë jo vetëm nocionit të orientimit, saktësisë, urtësisë, maturisë, por edhe shërben si temë më pak e zënë për të formuar çerdhe homogjene terminologjike fjalësh : qokëtoj, qokëtim, i qokëtuar, qokëtues, i qokëtueshëm, etj.
[xi] Kuteli, Mitrush. Shënime kritike, Shtëpia Botuese Grand Print, Tiranë 2007, fq 39.
[xii] Cituar nga Lisandri Kola, Modeli i erotizmit simbas Arshi Pipës tek poezia „Epsh“ përmes proçedimesh figuracionale, http://kens.al/revista/Kens.pdf
[xiii] Edhe në këtë rast termin e kemi referuar nga T.Plangarica, (Cikël ligjëratash pranë Universiteit të Elbasanti, 2013)
[xiv] Këtë konstatim për herë të parë e ka pohuar Agim Vinca në artikullin Fushata kundër Nolit, akuzat e pavend të Sabri Hamitit, Rilindasi, 10/06/2012
[xv] Këtu i jemi referuar disa mendimeve studimore: Krifca-Beqiri Majlinda, Femra në poezinë shqipe të decieneve të para të shekullit XX, fq. 140; Hamiti Sabri, Konferenca e parë shkencore ndërkombëtare Erotizmi në Letërsinë shqiptare, nëntor 2011, gazeta Mapo, 21/11/2011, Goce Blerina, Mungesa e erotikës në letërsinë e shkruar, revista Haemus-blogspot/03/2016.
|
28,153 | https://peizazhe.com/2018/02/28/ramalog-iii-town-halls/ | null | 2018-02-28T09:02:34 | RAMALOG III: TOWN HALLS | Komunikimi politik i E. Ramës është një objekt interesant studimi për të kuptuar se si metodat amerikane të marrëdhënieve me publikun zbatohen në Shqipëri dhe i përshtaten personalitetit të udhëheqësit. Nga analizat e mëparshme (Rama 1 & 2), Rama rezultonte më i suksesshëm se Sali Berisha dhe Lulzim Basha, pasi prezantimi i tij në Facebook tërhiqte një numër të madh reagimesh. Televizioni ER-TV dhe kuvendimet me popullin, town halls, janë dy të tjera momente interesante për tu analizuar.
Për të siguruar pavarësinë nga mediat dhe ruajtur konsistencën në përcjelljen e imazhit, ai krijoi një kanal televiziv digjital, ERTV (me paratë e shqiptarëve!). Por, suksesi i kanalit në Youtube ka qenë i vakët, sikurse edhe prezantimi i tij në Facebook. Numri i të abonuarve në kanalin në Youtube ERTV është 269, numri i videove është 44 (përfshirë edhe ato me transmetim direkt disa orësh), numri i shikimeve ka qenë rreth 1150 për të gjitha videot. (Për krahasim me TV Klan: krijuar në 2011, rreth 300 mijë abonime, 34 mijë video e 450 milion shikime në total). Në Facebook ERTV ka tërhequr më shumë vëmendje, por kjo ka ardhur në zbritje që prej zgjedhjeve të korrikut 2017 (shih grafikun). Luhatjet e mëdha në reagime (përjashto mobilizimin e militantëve dhe administratës publike gjatë zgjedhjeve) dëshmojnë se popullariteti i Ramës ka rënë.
Imazhi i Ramës ndryshon hera-herës, sikurse edhe strategjitë e tij. Kjo tregon se, ai ka guxim të eksperimentojë me instrumente të ndryshme marketingu. P.sh. imazhi në tentativë si “mësues i popullit”, që ushqente publikun me kulturë (Amarcord), nuk rezultoi i suksesshëm. Tanimë roli i tij ka ndryshuar. Ai ka veshur kostumin e pushtetarit të fuqishëm e të gjithëdijshëm. Edhe prirja për të goditur kundërshtarët me batuta, është në funksion të imazhit si i gjithëdijshëm. Këtë imazh ai e përcjell në kuvendimet me popullin, duke e përdorur konceptin e town halls thjesht si mjet marketingu.
Town halls janë mbledhje të politikanëve me elektoratin për të dëgjuar apo diskutuar çështje të ndryshme politike. Të kryera edhe online, këto janë ndër format më moderne të angazhimit qytetar dhe demokracisë pjesëmarrëse. Sipas studiuesve (shih Neblo et al., 2017), këto forume debatesh (deliberative) premtojnë të zgjidhin disa prej problematikave që dëshmon demokracia perëndimore sot (besimi i ulët te politikanët, polarizimi, pabarazia etj.). Forume të tilla përbëhen nga individë të ndryshëm (në opinione e interesa) dhe ato duhet të krijojnë mundësi për të ndikuar mbi vendimmarrjen. Nga një studim i Minozzi et al. (2015) i mbi 20 town halls të kryera online, me disa anëtarë të Kongresit amerikan, rezultoi se këto forume ndikojnë mbi perceptimin e zgjedhësve ndaj kandidatëve. Autorët gjetën se, këto takime ndikonin pozitivisht në të tre dimensionet e bindjes (në qëndrimin ndaj një çështjeje, në qëndrimin ndaj kandidatit dhe në sjellje, si p.sh. në pjesëmarrjen politike). Gjithashtu, pjesëmarrësit e këtyre forumeve priren të ndërrojnë mendim, nëse përballen me argumente bindëse.
Formatet e organizimit të town halls janë pak a shumë standard: njoftimi paraprak (apo shpërndarja e një broshure) mbi çështjet që do të diskutohen; nisja e bisedës nga moderatori duke parashtruar qëllimin dhe prezantuar të pranishmit apo panelistët; vijimi i diskutimit me pyetje e përgjigje. Shkurtimisht, në këto lloj forumesh pritet që udhëheqësit të dëgjojnë më shumë e të flasin më pak.
Por për Edi Ramën, organizime të tilla bëhen me synimin që ai të dëgjojë veten. Edi Rama ka vendosur përdorimin e online town halls që ai të flasë dhe të paraqitet më shumë në media. Nëse Berisha dilte në çdo përurim e çelje takimesh pa rëndësi dhe dehej nga turmat gjigande, Veliaj del disa herë në ditë në media duke mbjellur nga një pemë, Rama e kërkon përditë audiencën e pranishme fizikisht. Takimi i tij i fundit me Senatin Akademik të Universitetit të Tiranës dëshmoi epshin e tij për të tilla takime, ku ai ka mundësi të dëgjojë jehonën e zërit të vet. As miratimet servile të ish-administratorëve nuk ja lëngëzuan dot veshin aq sa kumbimi i romuzeve e batutave të veta.
Mbledhja, që u transmetua direkt nga ER-TV, nuk ishte e qartë se pse ishte thirrur. Nuk kishte një agjendë, e as moderator. Nga dy orë takim, kryeministri foli vetë plot një orë, ndërsa ministrja e arsimit, znj. L. Nikolla foli 20 minuta. Pjesa tjetër e bisedës u nda kryesisht ndërmjet dekanëve të dy fakulteteve, ish-administratorë (ish-rektor, Dhori Kule, Fakulteti i Ekonomisë, dhe ish-drejtor juridik, Artan Hoxha, i Drejtësisë), të cilët më së shumti u dhanë zë letrave të dërguara më parë me ankesa ndaj rektorit të UT, si dhe brohoritën e përgëzuan kryeministrin. Në mes të ndërprerjeve të shpeshta, folën vetëm dy pedagogë, rreth gjashtë minuta gjithsej.
Sipas prof. Dh. Doka (Gazeta Shqip, 20 Shkurt 2018), takimi ishte thirrur në mënyrë të beftë dhe për një diskutim të një organizimi (Forumi i Pedagogëve për Liri Akademike) që nuk kishte lidhje me Senatin Akademik. “Me arrogancën që e karakterizon, ai [Edi Rama] nuk u ndal jo vetëm me retorikën dhe delirin e tij, por edhe me fyerje, tallje e përçmime. E kishim dëgjuar kështu në takimet “gju më gju” me popullin, ku pyet si janë me hashashin, gruan se si shkon me burrin etj., por që do sillej edhe me profesorët e senatit akademik kështu[!]” – habitet prof. Doka.
Në town hall me senatin akademik të UT, Rama qartazi kishte ngatërruar audiencën, ose audienca e tij parësore ishte ajo e ER-TV. Gjatë takimit, Rama ndoqi të njëjtën strategji retorike. Ai lëshoi sound bites të gatshme për mediat, llokma gjysëm të gatuara për “mediat e kazanit”, siç i quan ai. Këto sound bites shërbejnë kryesisht për të ankoruar vëmendjen publike (e të medias budallaqe) në disa aspekte të përzgjedhura, duke lënë mënjanë ligjërimin mbi thelbin e çështjes në diskutim. Në rastin e mbledhjes me senatin akademik të UT, thelbi ishte pakënaqësia e profesoratit me qeverisjen e arsimit të lartë në vend, në nivel institucioni dhe në atë të politikave kombëtare. Sound bite kryesor i Ramës ishte me fjalë të tjera se, autonomia e universitetit përbënte problem administrativ, pasi pedagogët e administratorët nuk ishin mësuar me të në këtë formë kaq të zgjeruar. D.m.th., fëmija rrëzohet kur nis të ecë. Ndërsa sound bites të tjerë ishin: tundja e flamurit dhe pavarësia e UT, ligji nuk ndryshon, UT është bishti i fundit i kavallit, pedagogët po vdesin për bukën e gojës, të keqen gjejeni mes vedi etj.
Një prijës i mençur mundohet të kuptojë ngjarjet duke reduktuar kompleksitetin në disa variable dhe duke u fokusuar tek ata faktorë që ai mund t’i ndryshojë, qoftë edhe simbolikisht. Por, edhe pse kjo metodë mund të shërbejë në fushatat elektorale kur parashtrohen alternativat politike, ky lloj diskursi reduktues nuk vlen kur audienca konsiston në profesorë universitetesh (që sipas Ramës janë “mbi nivelin mesatar të inteligjencës”). Për këtë arsye, sound bites nuk kishin vend në atë takim, dhe as në town halls, synimi i të cilave është diskutimi i çështjeve dhe njohja e perspektivave alternative.
Mund të spekulohet këtu mbi motivet dhe predispozitat e E. Ramës për tu sjellë në këtë mënyrë (shih p.sh. përsiatjet F. Lubonjës mbi narcisizmin malinj), por kjo formë komunikimi nuk është aspak e denjë për një kryeministër. Ndërsa dimë se, qoftë nga mënyra e organizmit të town halls, e qoftë nga qëllimi i tyre, vetëm si mjete marketingu nga Edi Rama, pak shpresë ka që kryeministri të ndihmojë për zhvillimin e demokracisë deliberative në Shqipëri. Ky është i dyti kryeministër që refuzon organizimin e referendumit (ai i importit të mbetjeve), i cili është një mjeti i rëndësishëm i angazhimit qytetar në vendimmarrje.
(c) 2018, autori.
Minozzi, William, et al. “Field experiment evidence of substantive, attributional, and behavioral persuasion by members of Congress in online town halls.” Proceedings of the National Academy of Sciences 112.13 (2015): 3937-3942.
Neblo, Michael A., et al. “The need for a translational science of democracy.” Science 355.6328 (2017): 914-915.
|
16,352 | https://peizazhe.com/2014/10/03/rruga-e-babuinit/ | null | 2014-10-03T22:58:00 | RRUGA E BABUINIT | Nëse ke hyrë nga Porta Flaminia e gjendesh në të mrekullueshmen Piazza del Popolo në Romë, ke tre mënyra për ta vijuar udhëtimin mahnitës në kohë. Nëpërmjet Via del Babuino, Via del Corso e Via di Ripetta, ose ndryshe Tredhëmbëshi (Tridente).
Për nga bukuria dhe vendi ku të shpien është e vështirë të përzgjedhësh mes tyre, anipse rrjedha e njerëzve ka preferencat e veta misterioze. Sa herë që gjendem në Sheshin e Popullit dhe më duhet të shkoj drejt qendrës, përshkoj njërën prej rrugëve të mësipërme, me kusht që në kthim të kaloj nga tjetra në krah. Nuk dua t’u mbetet hatri, as atyre e as shijeve të mia.
Këto ditë kalova pikërisht nga Rruga e Babuinit dhe pashë se kishte ndryshuar rrënjësisht. Kisha lexuar se në korrik do të fillonin punimet për ta shndërruar në rrugë për këmbësorë, por nuk e kisha parë me sytë e mi. Kishte marrë vërtet pamje tjetër.
Rruga ka histori tërheqëse, pavarësisht se është e famshme për faktin se lidh Sheshin e Popullit me Sheshin e Spanjës (Piazza di Spagna). Në shekullin XV rruga nuk e kishte emrin e sotëm, por ndahej në dy pjesë. Në vitin 1525 Papa Clemente VII bëri një sërë punimesh në këtë rrugë ndaj edhe mori emrin e tij (Via Clementina). Më pas rruga u quajt Via Paolina, për të njëjtën arsye, sepse Papa Paolo III urdhëroi sistemime të reja.
Emrin e sotëm rruga e ka nga statuja që gjendet andej nga mesi i saj. Bëhet fjalë për një krua ose çezmë publike e ndërtuar në vitin 1571, vaska e së cilës “zbukurohet” nga statuja e Silenit (hyjni e grekëve të lashtë). Thuhet se arti helenik e ka përshkruar gjithnjë kështu hyjninë e burimeve ujore: të shëmtuar, të shëndoshë, leshator e lakuriq. Banorët e Romës e pagëzuan menjëherë statujën me emri e majmunit babuin. Që këtej edhe emri i rrugës.
Sa për kuriozitet. Kam lexuar se në vitet e mëpasshme tek statuja liheshin mesazhe tallëse për Papët ose autoritetet e asaj kohe. Praktikisht kishte rolin e një mediumi satirik. Nejse, pa ditur këtë histori fjala në italisht babuinate nuk do të kishte kuptim të qartë.
Rruga e Babuinit më ka pëlqyer gjithnjë, aq më tepër që anash saj ngrihen disa stoli arkitektonike e kulturore të jashtëzakonshme. Këtu nuk mund të harrojmë kishën e Sant’Atanasio, e cila meriton vëmendje të posaçme, mundësisht një herë tjetër, për historinë, karakteristikat fetare (ritin bizantin) e për faktin se atje janë kremtuar ndër vite mesha në shqip. Pak metra më tutje gjendet kisha anglikane All Saint, e ndërtuar dyqind vjet më vonë, por tejet interesante nga pikëpamja arkitektonike.
Që nuk kemi të bëjmë me një rrugë të dosido të Romës, shpresoj të mos jem i detyruar të sjell si provë binjakëzimin e lidhur me Madison Avenue të Nju Jorkut. Rruga e Babuinit është pak më e vjetër.
Të gjitha bukuritë e Via del Babuino deri dje kishin një pengesë të bezdisshme: trafikun e makinat e parkuara. Të ecje në atë rrugë donte të thoshte të bëjë slalom nga trotuari në trotuar, nëpër motorë, makina luksoze, automjete në lëvizje. Duhet ta kishe më shumë mendjen tek siguria se sa tek bukuria. Mund ta ngrije kokën për të kundruar një kambanore, por mund të gjendeshe për pak sekonda nën rrotat e një makine, që e bëjnë dëmin edhe kur janë të kushtueshme.
Nuk mund të mos më vijnë ndër mend disa rrugë asfiksuese të Tiranës, ku makinat ia kanë marrë frymën kryeqytetasit me kalimin e viteve. Këtë e ndjejnë më shumë ata që e kanë jetuar Tiranën e dikurshme, kur automjetet private nuk lejoheshin me ligj. Rruga ishte për njeriun e jo për automjetet. Po kështu qyteti. Kthim prapa as që mund të përfytyrohet, megjithatë administrata duhet të bëjë diçka më shumë që t’ua kthejë banorëve rrugët e trotuarët tyre, të cilat duket se janë privatizuar nga automjetet kaba. Do të përfitojë njeriu e cilësia e jetës.
Në epokën kur u projektua rruga e kryeqytetit italian, makinat nuk ishin shfaqur as në ëndërr. Me kalimin e kohës automjetet ia pushtuan hapësirën njeriut, duke ia vjedhur gradualisht edhe estetikën. Sepse kjo e fundit ka nevojë të shikohet në qetësi, mundësisht duke ecur në këmbë.
Në qytete të lashta si Roma ndryshimet janë të ngadalta, gati të paperceptueshme. Kur bëhen, hyjnë në histori sepse ndryshojnë rrjedhën shumëshekullore të historisë. Fotografitë e punimeve të rrugës i bëra edhe për këtë arsye, përveç nga kënaqësia se shëtitja kësaj here m’u duk më e këndshme.
Trotuari ishte zgjeruar dhe shtruar rishtas. Rruga ishte ngushtuar, po pa i humbur tiparet e dikurshme. Shtrimi i kalldrëmit me gurët tipikë të Romës (sanpietrini) nuk kishte përfunduar ende. Makinat nuk lejoheshin të kalonin. Merrje frymë më lirisht, ose të paktën ashtu ishte ndjesia. Tani rruga dukej sikur u përkiste më shumë këmbësorëve, ose më mirë, qytetarëve, të cilët që këtej e tutje do ta shijojnë të qetë bukurinë e shëmtisë së “babuinit”.
|
9,003 | https://peizazhe.com/2011/12/04/alfabeti-ne-mes-te-rrugetimit-europian/ | null | 2011-12-04T16:10:36 | ALFABETI NË MES TË RRUGËTIMIT EUROPIAN | nga Ledi Shamku-Shkreli
Pavarësisht ndeshtrashave historike që shtrënguan rrjedhën e përdorimit publik të shqipes letrare, qyshse doli nga prehistoria (e saj) e u shfaq si gjuhë e shkruar, mund të thuhet se deri në gjysmën e shek. XX, korpi i kësaj shqipeje kish mundur të naltohej kryesisht sajë kompromisesh jo të vogla bërë prej elitave që e selitnin atë. Në themel të këtyre ujdive, me rëndësi jetike për gjithë shqiptarët, fillimisht qëndronte përdallimi etnik, e më tej: çështja kombëtare.
Parsat e lëvizjeve të mëdha kulturore shpesh lëshuan pjesë nga bindjet e pëlqimet e veta, për ta lënë kulturën shqiptare të rritej pa humbur më kohë, kryesisht në momentet më delikate të ardhmënisë së kombit tonë, të cilat u përthekuan me hyrjen në historinë e re. Një nga shembujt e vonë, më domethënës të këtyre ujdive mbarëkombëtare, qe pikërisht Kongresi i Manastirit. Ky ish një kongres linguistik i thirrur për të rregullarizuar, normuar, e mundësisht sanksionuar, alfabetin modern e të unjisuar të gjuhës arbënore, i cili alfabet, pavarësisht luhatjeve në kohë (për pasojë të trysnisë sllave, greke apo turke), ish paraqitur qysh në krye të herës, e në vijimësi, me bazë solide latine.
Do ndaloj këtu në dy aspekte të tij cilat kanë pasë ndikim të rëndësishëm në ecurinë pasmanastirore të gjuhës – më pak deri në Luftën e Dytë e më tepër pas saj – e që mendoj se duhen vënë në fokus nga studiuesit e sotëm:
E PARA çështje ka të bëjë me probleme të paraqitjes grafike (shkronjore) të alfabetit të gjuhës shqipe dhe specifikisht me digramat e saj, të cilat për të mbuluar tinguj të caktuar, u krijuan duke përdorur germa të dyta (h dhe j) ose dopio (rasti i digramës ll).
Me germën e dytë h, formohet shumica e digramave të shqipes të cilat mbulojnë përkatësisht tingujt dh, sh, th, xh dhe zh. E deri këtu, për ortografinë dhe didaktikën, nuk duket se ka ndonjë problem. Por ndërkohë, veç tyre, ekzistojnë edhe dy digrama të tjera, përkatësisht ato gj dhe nj. Këto dy digrame, të cilat u bënë me dëshirën e mirë për të përfaqësuar tinguj specifikë të gjuhës, e madje shumë të vjetër të saj, çuditërisht (për arsye të cilat hanë diskutim) i’u shmangën logjikës së përgjithëshme të krijimit të digramave të grupit të parë që ai Kongres, duke u mbështetur edhe në traditat e mëparshme, miratoi. Kështu digramat që përfaqësonin tingujt gj dhe nj, u formuan duke i shtuar g-së dhe n-së grafemën j, por jo atë h, sikundër qenë formuar digramat dh, sh, th, xh e zh (madje po përmendim këtu edhe faktin se, në këtë rrjedhë, shoqëria “Bashkimi” kish propozuar me të drejtë që edhe tingulli ç të paraqitej jo me këtë germë “të rrallë”, por me një digramë normale të formuar sikundër të tjerat, dmth prej germës c plus h; të qe pra ch).
Sikur të mos mjaftonte kjo anomali, një tjetër grup digramsh, të themi i një lloji të tretë, është ai që përfaqëson tingujt ll dhe rr të cilat u formua sipas një tjetër shtegu: atij të përdorimit të së njëjtës germë, përsëritur dy herë; pra l+l dhe r+r. Mbërrihet kësisoj në tre lloje digramash, dy formuar përmes shtesave me germat h, j dhe një tjetre përmes përsëritjes së të njëjtës germë dy herë, atyre l dhe r.
Parë në kontekstin e kohës, dhe kuptuar klima në të cilin u zhvilluan punimet e Kongresit të Manastirit, alfabeti që u krijua ish një arritje madhore, por vështruar sot, në distancë njëshekullore nga ai sanksionim, mund të themi se është disi rrëmujë. Duke evituar në këtë shkrim përsëritjen e arsyeve që sollën në vendime të tilla, debatet e kohës, apo edhe arsyetimet mbi fonofaginë që një pjesë e këtyre digramave kanë shkaktuar mbi tinguj të shqipes (kryesisht në ligjërime që nuk i përkisnin asaj pjese të toskërishtes ku më pas u mbështet standarti) do duhej që këto digrame a dyshkronjësha të rregullarizohen sot sipas të njëjtave parime që u patën formuar edhe pjesa më e madhe e tyre, duke krijuar vargun normativ: ch, dh, gh, lh, nh, rh, sh, th, xh, zh. Lidhur me këtë, grafistika dëshmon se “në gjuhët moderne, germa h përdoret rëndom në kompozimin e mjaft grupeve fonetike, të ashtuquajturat bashkëtingëllore dyshe: ch në frengjisht që i korrespondon sh-së; ndërsa në spanjisht e anglisht përkon pak a shumë me ç-në; po ashtu kemi lh dhe nh në provencalisht e portugisht, apo ph dhe th, që përdoren tek ato fjalë që vijnë nga hebraishtja dhe greqishtja; kemi edhe rh e cila përkon me rr-në e butë; ch dhe gh, të përdorura në italishte për të shenjuar tingullin e fortë gutural të c dhe g“[1].
Kështu pra, parë sot nën dritën e zhvillimeve të grafive dhe alfabeteve bashkëkohore, është bartur deri në ditët tona, e pa më të voglin rregullim, alfabeti dhe germat e formuluara në vitin 1908-ë, me gjithë pështjellimin grafik pasues. Kjo papërsosmëri nuk e cënon aspak arritjen madhështore të atij kongresi fatlum dhe nuk rrënon asnjë pjesë të ngrehinës që misat e tij lartuan, por si çdo ngrehinë tjetër në këtë tokë, edhe kjo ka nevojë të mirëmbahet, përsoset e plotësohet në rrjedhë të kohëve. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se ajo qe një punë e vendosur prej njerëzish të mëdhej, ndryshe nuk do kish kaptuar një shekull, por po aq jemi të vetëdijshëm se koha ka nxjerrë në pah edhe atë pjesë të “imperfeksionit të natyrshëm njerëzor”, i cili, po prej njerëzve, me kohë e kur të krijohen kushtet, duhet rregulluar (siç kanë bërë edhe gjuhët e tjera në Europë, edhe në këto dekada të fundit); ndoshta jo krejt menjëherë, por me rradhë e dora-dorës.
Fare mirë mund të fillohet prej germës ç, e cila paraqitet sot më problematikja në rrjedhen e komunikimit te shtuar publik edhe si rezultat i përparimit të teknologjisë shkrimore nga dora, te shtypshkrimi e nga ky i fundit tek epoka digjitale. Mjafton t’u hidhet një sy mijëra blogjeve të internetit, miliona dosjeve kompjuterike dhe miliarda komunikimeve on-line për të kuptuar ngërçin tashmë të pazgjidhshëm të germës ç; e cila herë shkruhet thjesht c, duke e përkeqësuar situatën komunikuese, e herë-herë ch, si një novacion analogjik i përdoruesve më pragmatik të shqipes (kryesisht ata në kontakt me gjuhë anglo-saksone). Ky zëvendësim logjik ose lejim përdorimi formash dysore, veç lehtësimit të rrjedhës shkrimore, do përmirësonte edhe transkriptimin e emrave të huaj, e do zgjidhte njëkohësisht edhe atë të emrave e mbiemrave tanë në rastet kur ato ballafaqohen me grafitë e vendeve të tjera euro-atlantike[2].
E DYTA çështje ka të bëjë me problemin e numrit të germave të alfabetit të shqipes. E këtu nuk bëhet fjalë thjesht për kakografinë e shtjelluar më lart. Në të vërtetë, me përcaktimin e parimit një fonemë një shenjë grafike (apo një tingull një shkronjë – siç u tha atëherë), pati edhe një keqkuptim të dytë: u unifikuan germat me grafemat transkriptuese. Për të qenë më të qartë grafema dh përbëhet nga germat d dhe h, por nuk mund të ekzistojë një germë përfaqësuese dh ashtu si në alfabet të anglishtes nuk ekziston germa ch (e cila shqiptohet ç) me të cilën shkruhet childe. Kësisoj pra dh-ja ekziston si rrjedhë, por jo si njësì më vete. Do të konsiderohej germë nëse do të ishte një germë e mëvetësishme dhe e ndryshme prej cilësdo germë të alfabetit latin[3].
Mjerisht, megjithë arritjen e madhe që Kongresi i Manastirit pati në unifikimin dhe krijimin e një alfabeti të parë (të përbashkët) për gjuhën shqipe, pranuar me kohë nga të gjithë, megjithkëtë pra, asnji nga tubimet, konferencat apo kongreset e mëpastajme nuk e pa të udhës t’ia hynte telasheve dhe ballafaqimeve të garrametshme për dallimin që në fakt ekziston mes germës, grafemës dhe rrjedhave grafike apo tingullore.
E pra sot, ndryshe nga ne, gjuhët neolatine apo gjermanike i kanë bërë mëse të thukëta alfabetet e tyre; për pasojë variantet e ndryshme tingullore realizohen lirshëm në rrjedhën e të folurit përmes ligjësive fonologjike të bashkëveprimeve në zinxhirin akustik. Italishtja ka një sh e një xh në shqiptim (sciagurato apo giovane), por nuk ka një germë më vete për të treguar sh-në, apo xh-në, e poashtu ka edhe sh e ç në gjermanisht por nuk ka germa më vete për to në alfabet. Aglishtja thamë që e ka, sikundër ne, tingullin dh, por nuk ka në alfabet një germë a digramë dh, përfaqësuese për të. Po kjo mund të thuhet për sh në frengjisht apo nj në spanjisht etj. etj. etj. Kombinimi në zinxhirin shkrimor i vetëm 21 germave jep spektrin e variacioneve fonematike të gjuhës italiane. E po ashtu realizojnë më së miri këtë spektër artikulimesh edhe 26 germat e thjeshta të frengjishtes, 26 të anglishtes etj. Dhe po ta mendosh pak më hollë këtë çështje, kupton edhe më tepër; kupton se në gjuhë s’ka thjesht tinguj, por shtrirje tingujsh në rrjedhën e folur. Nuk janë tingujt ata që i hasim pikësëpari; rrokja shfaqet më drejtpërdrejt se tingujt që e përbëjnë. Ndërkohë që grafia e sotme e përzierë, përveçse ndërlikon pa nevojë e pa kriter shkencor alfabetin dhe fjalorët tanë, në instanca të caktuara ligjërimore, pengon një realizim të lirë fonik. Në të folmet shqipe ato vijojnë të ndodhin, porse pikërisht prej lidhjeve të ngurta e pjesërisht të anshme që ka ngulitur në alfabet prania e disa grafemave transkriptive bri germave të thjeshta, këto kombinime të lira të rrjedhës së folur sot nuk mund të përfaqësohen dot përtej cakut të vulgares. Kjo na kujton atë që thotë Saussure: Ta zëmë se një kordë e pianos është çakorduar: sa herë që ta prekim duke ekzekutuar një melodi, do të na dalë një notë e gabuar, po ku? Në vetë melodinë? Sigurisht që jo; nuk është prekur melodia; është dëmtuar vetëm pianoja. Po kështu ndodh edhe në fonetikë.
Tash jemi mëse njëqind vjet pas këtij vendimi të rëndësishëm, kohë kjo mëse e mjaftueshme për të reflektuar mbi mundësinë e përmirësimeve e të modernizimeve. Poashtu vërejmë se gjuhët e mëdha rrotull nesh i kanë thjeshtuar kohë pas kohe alfabetet e veta, gjithë sipas logjikës që kombinimet fonike të përcaktohen nga tingujt, jo nga fotografia e tyre, pra nga shkronjat. E kanë bërë këtë qoftë gjuhë të mëdha si anglishtja, spanjishtja e gjermanishtja, qoftë gjuhë më të vogla, si greqishtja a kroatishtja. Kështu edhe alfabeti ynë, i cili pa drojë zgjodhi Europën njëqind vjet më parë, duhet të vijojë pa drojë të bëjë zgjedhjet që edhe Europa bën sot për alfabete e saj, duke ruajtur kësisoj lidhjet e natyrshme historike të gjuhës shqipe me simotrat e veta. Ky përditësim alfabetik në fakt duhet të kishte ndodhë sinkron me të tjerët, pas luftës së dytë botërore, atëherë kur shtetet rrotull nesh nisën punën për modernizimin e kulturave të tyre dhe përhapjen në popull por me mjete moderne, që domethënë: demokratike. Ndërsa te ne ky zhvillim u step, madje në do fusha që përkonin me çështje të mendimit e të trashëgimisë, ndër të cilat ajo e gjuhës është e tillë par exellence, në këto fusha pra u shënua një atrofizim i përgjithshëm.
Thjeshtimi i alfabetit tonë pa humbur asnjë nga vlerat e tij mbetet kështu një çështje që duhet riparë, pasi prej mëse një shekulli nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje modernizuese në këtë alfabet, i cili gjithsesi edhe atëherë u krye në kushtet e një emergjence të madhe, asaj të çështjes së rizgjimit kombëtar. Në vazhdë të shpirtit përbashkues europian mbi të cilin u hartua ky alfabet, ai duhet të lehtësohet, duke ndjekur kësisoj rrjedhat e kohës, pa hequr dorë natyrisht nga thelbi i tij. Ky lehtësim e modernizim njëherësh kërkon dy ndërhyrje:
thjeshtimin, pra heqjen nga lista e alfabetit i të gjitha digrameve (apo shkronjat dyshe), për arsyet që përmendëm më sipër;
dhe shqyrtimi i mundësisë që tingulli ç, sot problematik në shumicën e paraqitjeve të shqipes së shkruar, të realizohet në shkrim përmes rrjedhës grafike [ch] – kjo është mëse e mundur edhe për faktin se togu ch nuk korrespondon me asnjë fragment të rrjedhës zanore shqipe, pra nuk ngatërrohet dot.
Pas kësaj ndërhyrjeje thjeshtuese e modernizuese, alfabeti ynë do të paraqitej si më poshtë: a, b, c, d, e, ë, f, g, h, i, j, k, l, m, n, o, p, q, r, s, t, u, v, x, y, z; plot 26 germa përfaqësuese, të lira për t’u kombinuar si ta lypë rrjedha kumtuese sidhe situata ligjërimore.
Si rrjedhojë e lirisë kombinatore që përftohet nga thjeshtimi i alfabetit garantohet jo vetëm ortoepia e gjuhës vehikulare, por edhe paradigma e të folmeve shqipe në përgjithësi, në të cilat bashkimet e germave dhe shndrimet e tyre në tinguj e rrokje duhet të kryhen sipas ligjësive diatopike.
Shënim: ky shkrim është version i ripunuar i shkrimit tjetër, Shtigje të alfabetit shqip, të cilin autorja e ka sjellë në blog para më se tre vjetësh; ripunim që ka marrë parasysh edhe diskutimet rreth versionit të parë.
[1] – Grande Dizionario Enciclopedico – VI (Fta-Il), fq. 894, Torino 1957.
[2] – Si shembull tipik i eliminimit dhe zëvendësimit të germave “anormale” mund të përmendet reformimi i fundit i germës ñ në alfabetin spanjoll zëvendësuar si forme dysore me nh, apo ndërhyrjet në sistemin grafik të gjermanishtes, ku germa tipike ß zëvendësohet gjithnjë e më shpesh me formën dysore ss.
[3] – E në fakt, me të drejtë, ky rregull nuk u ndoq për tingujt e veçantë të gegnishtes mb, nd, ng, që u konsideruan nga kongresi si variante të pjesshme të shqipes (koine veriore) të cilave u përgjigjeshin digramat përkatëse nn a nd, mm a mb etj., po ashtu të lëna si forma ortografike dysore, por që nuk morën për shenjues germa apostafat, ashtu sikurse morën dh-ja dhe nj-ja. E po ashtu nuk u mor parasysh kërkesa e qarqeve t’arbëreshëve t‘Italisë për të paraqitur me një grafemë edhe tingullin karakteristik të arbërishtes lj (paraqitur me shenjën ł tek Reinholdi apo Meyeri). Kongresi i Manastirit i la qëllimisht të pambyllura këto probleme, pasi vërtetë nuk mund të përmbylleshin në atë etapë historike të zhvillimit të shqipes së shkruar. Nëse do të ishin pranuar edhe këto variante me germa dyshe, sikundër u veprua me gj dhe nj, atëhere do të kishim mbërritur në një alfabet prej mëse 40 germash. Menjëherë pas Kongresit të Manastirit Anton Xanoni punon “Gramatikën Shqyp” të cilën e boton një vit më vonë, në 1909 në Shkodër, dhe në njoftimin “Abeçeja e ree vûemun me t’vjetrën” shënon se në shkrim grupi mb zëvendëson atë mm, grupi nd atë nn etj. Kjo do të risanksionohej vazhdimisht edhe në tubimet e mëvonëshme. Aq e vërtetë është kjo sa dhjetë vjet më vonë, në janar të 1918, krahas rregullarizimeve të tjera të natyrës drejtshkrimore e gramatikore, Komisija Letrare Shqipe, në bleun “Parime e rregulla – mbi Orthografinë e gjuhës shqipe të shkrueme”, në nyjen 4, bëri një kompromis tjetër në drejtim të unifikimit të formave grafike; ajo heq dorë nga variantet grafemore dysore dhe vendosi që “tufat e bashkëzânorevet mb e nd do të shkruhen në formën e vjetër të ruajtun në djalektin toskënisht“. Por kjo, sikurse u tha edhe më lart, nuk kishte të bënte me drejtshqiptimin, i cili do vijonte të ruante veçanësitë e dy koineve.
|
22,383 | https://peizazhe.com/2016/05/22/ekzistojme-dhe-rezistojme_2/ | null | 2016-05-22T22:15:11 | EKZISTOJMË DHE REZISTOJMË | “Peizazhe të fjalës” ka qenë, që prej nëntë vjetësh, pjesë e diskursit publik shqip, me një numër lexuesish dhe dashamirësish që ka ardhur duke u rritur. Gjatë gjithë këtyre vjetëve kur kemi botuar në faqen tonë mbi 3,000 poste tërësisht origjinale, nga një numër i konsiderueshëm autorësh tanët dhe të ftuar, të vetmet fonde që kemi pranuar me mirënjohje kanë qenë dhuratat individuale të lexuesve, të pamjaftueshme për t’u quajtur si të ardhura, por gjithnjë të vyera dhe motivuese për ne. Nga ana tjetër, dëshira jonë ka qenë që Peizazhet të tërheqë edhe pena të tjera, edhe qasje të tjera ndaj diskursit publik; dhe sido që ne vetë jemi angazhuar në këtë punë me dëshirën tonë, nuk mund të pretendojmë që edhe të tjerët të ofrojnë punët e tyre pa u shpërblyer.
Prandaj, kur u bë e njohur thirrja për mbështetje publike nga Ministria e Kulturës, menduam të aplikojmë për të zgjeruar prurjet në faqe, si dhe për të çuar përpara modelin e shpërblimit të autorëve nga media. Menduam të mundësojmë për bashkëpunëtorët tanë, edhe pse në shkallë të kufizuar, atë çfarë do të kishim dashur për krijuesit dhe autorët e rregullt të kësaj faqeje. Aplikimin e bëri, si individ, një nga drejtueset e faqes sonë, Elona Pira, me projektin e titulluar “Laboratori i diskursit kritik shqip”, i cili parashikonte botimin, në “Peizazhe të fjalës,” të një serie prej dhjetë esesh të përzgjedhura me temë nga fusha e kulturës. Ky do të ishte, pra, fond nga ato që u jepen individëve, pa çka se do të përdorej për të mbështetur 10 bashkëpunëtorë, të cilët do të përgatitnin ese relativisht të gjata (prej 5,000 deri 10,000 fjalësh); dhe, në masë minimale, edhe përpjekjen tonë editoriale. Natyrisht, të gjitha këto ese do t’i ofroheshin publikut falas, ndryshe nga revistat e librat që gjithashtu mbështeten me fonde publike, madje shumë më fuqishëm, por që lexuesi përsëri duhet t’i blejë në treg. Me anë të projektit tonë, gjithashtu dëshironim të sugjeronim një standard të ri për revistat, me të cilin puna krijuese të shpërblehet; standard i cili sot pothuajse nuk ekziston, jo vetëm si praktikë, por edhe si pritshmëri.
Kërkesa jonë u miratua dhe Ministria e Kulturës na akordoi një fond modest prej 400,000 lekësh, prej të cilëve çdo autor do të merrte një honorar prej 30,000 lekësh, ndërsa pjesa e mbetur do të shkonte për punën editoriale. Përndryshe projekti për të cilin aplikuam, “Laboratori i diskursit kritik shqip” , si dhe fondet që iu dhanë, ishin pjesë e një nisme me natyrë të kufizuar për botimin e një serie esesh, pa kurrfarë pretendimi për të mbështetur vetë faqen “Peizazhe të fjalës”. Me fjalë të tjera, kërkuam një fond publik vetëm e vetëm sepse dëshiruam të shpërblenim monetarisht, sado pak, autorët që do të merrnin pjesë me esetë e tyre te “Laboratori”; ndërkohë që ne vetë, administratorë, editorë dhe autorë që shkruajmë dhe kujdesemi rregullisht për këtë faqe, nuk kemi pretenduar ndonjëherë të shpërblehemi dhe as të nxitemi për përpjekjet tona me para publike.
Përndryshe kemi besuar, dhe ende besojmë, se fondet publike duhet të vihen në dispozicion për të mbështetur të gjitha ato produkte kulturore bashkëkohore, të cilat nuk mund të mbijetojnë ndryshe, në rrethanat e sundimit të logjikës së tregut dhe të fitimit.
Megjithatë, që nga koha e aplikimit tonë dhe deri më sot, disa gjëra kanë ndryshuar dhe disa prirje në politikën kulturore të institucioneve publike janë bërë, të paktën për ne, më të qarta se më parë, sikurse janë kristalizuar disa të meta dhe mangësi që dikur, me dashamirësi, ia kishim atribuuar mungesës së përvojës nga ana e ekzekutivit të tanishëm në Tiranë.
Për këtë arsye, kemi vendosur që ta refuzojmë publikisht fondin që na kish akorduar Ministria e Kulturës.
Në kontekstin politik-kulturor të tanishëm, kur shohim si pushteti po i përdor fondet publike jo për t’i shërbyer kulturës dhe vetë publikut, por për të promovuar politikat e veta dhe si pjesë e përpjekjeve për të ngritur kulte të caktuara, edhe politike edhe kulturore, nuk mund të rrimë indiferentë dhe të pranojmë të jemi pjesë e kësaj shfaqjeje të pahijshme, që luhet çdo ditë në sytë e taksapaguesve.
Meqë asnjë pjesë e fondit ende nuk na është dorëzuar, e kemi edhe më të lehtë për ta refuzuar atë; për fat të mirë, do të shtonim. Aparatçikët e Ministrisë së Kulturës e kanë bërë tërkuzë këtë transaksion elementar, mu në një kohë kur paratë e taksapaguesve po shpenzohen dhe shpërdorohen, haptazi dhe ditën për diell, për projekte të dyshimta dhe që bashkojnë, në vetvete, megalomaninë me klientelizmin.
Ndërkohë, ne si “Peizazhe të fjalës” kemi paguar honorarët e dy autorëve që kanë dorëzuar esetë e tyre dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe për autorët e tjerë të përfshirë në projekt, me fondet e përgjithshme të faqes dhe me ato tonat personale, në mënyrë që ky projekt të dalë me sukses.
Kontratat tona me autorët e projektit “Laboratori i diskursit kritik shqip” mbeten në fuqi, përveçse kur ndonjë prej tyre vendos të tërhiqet nga projekti ose ta refuzojë honorarin, tani që kanë ndryshuar rrethanat; dhe aq më tepër nëse ndonjë autor vendos t’i bashkohet gjestit tonë simbolik të protestës.
Me këtë rast, duam t’ia bëjmë të qartë të gjitha atyre autoriteteve publike që administrojnë marrëdhëniet e shtetit me kulturën bashkëkohore në Shqipëri, se kjo kulturë nuk mund të jetë pronë e një partie politike ose e një grupi njerëzish; dhe aq më pak mund të jetë pronë e pushtetit ekzekutiv kritika edhe kulturore edhe politike nga ana e shoqërisë civile, pjesë e së cilës mbetet “Peizazhe të fjalës”.
Ne nuk mund të ndalojmë pushtetin e sotëm që të zbatojë atë politikë kulturore që ai e gjen me vend dhe të arsyeshme; por nuk duam të jemi dhe nuk do të jemi pjesë e kësaj politike, edhe pse e kemi të qartë se fondet publike, që pushteti shpesh po i përdor për të promovuar axhendat dhe interesat e veta ngushtësisht politike, i janë besuar këtij pushteti thjesht që ky t’i administrojë për të mirën e publikut, jo për të pompuar njerëz dhe grupe që i pëlqejnë dhe për synime të tjera mirëfilli klienteliste.
E kemi thënë edhe më parë dhe do ta themi sërish: është fat i madh, për ne të “Peizazheve të fjalës”, që veprimtaria jonë publike nuk ka nevojë për bekimin e pushtetarëve të Tiranës, që të vazhdojë. Jemi të vendosur të mbetemi një zë i pavarur në diskursin publik shqip dhe të japim shembullin e një institucioni të shoqërisë civile që mbahet gjallë falë marrëdhënieve horizontale që ka me publikun, jo ngaqë i pëlqen pushtetit.
Edhe vetë këtë refuzim po e bëjmë publik, me shpresën se ashtu do të arrijmë të përcjellim një mesazh më të pasur dhe domethënës, se vetë pakënaqësinë dhe zhgënjimin tonë; meqë nuk duam të bëhemi pjesë e një narrative që e lejon shtetin të marrë kredit për ekzistencën e zërave kritikë, pa çka se zëra të tillë, si yni i “Peizazheve”, kanë qenë të pranishëm në arenën publike për një kohë të gjatë (shumë më të gjatë se grupi i tanishëm në fuqi) dhe janë mbështetur publikisht nga lexuesit, miqtë, dashamirësit dhe të gjithë ata që nuk e konsiderojnë shoqërinë civile si trampolinë drejt pushtetit.
Por le të themi në mbyllje edhe këtë: qëllimi dhe misioni i “Peizazheve të fjalës” nuk janë të ndjekë hap pas hapi bëmat e pushtetit në Tiranë, dhe as t’i kritikojë ose t’i lavdërojë ato sipas rastit – sepse ashtu njëlloj do t’i kishim shërbyer atij pushteti duke e konsideruar si faktor kulturor të mirëfilltë dhe lojtar po aq të mirëfilltë në skenën e kulturës. Në të vërtetë jeta dhe veprimtaria kulturore as fillojnë dhe as mbarojnë në kancelaritë dhe burokracitë e institucioneve që administrojnë fondet publike të kulturës; madje sa më shumë që pushtohen këto institucione nga klientelizmi dhe interesat politike meskine, aq më peshë fiton hapësira tjetër, ajo alternative, ku kultura mund t’i rezistojë pushtetit dhe politikës jo vetëm duke e kundërshtuar, por edhe vetëm duke e shpërfillur.
Si edhe më parë, publiku që na lexon e ka vetë në dorë të na mbështetë, jo vetëm moralisht por edhe financiarisht, nëpërmjet mekanizmit të dhuratës së lirë dhe vullnetare, i cili nuk ka nevojë për ndërmjetësinë as të shtetit as të pushtetit, dhe aq më pak mund të uzurpohet, për mburrje dhe protagonizma të ditës.
|
33,235 | https://peizazhe.com/2019/12/10/ricosi-kuvendon-me-lasgushin/ | null | 2019-12-10T09:44:48 | RICOSI KUVENDON ME LASGUSHIN | nga Eleana Zhako
Duke lexuar poezitë e dashurisë së Lasgush Poradecit, që përfshihen në veprën e tij letrare botuar në vitin 1990 nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, mendova për një bashkëkohës të tij të huaj, i cili vdiq pikërisht në vitin e botimit të veprës së Lasgushit dhe fill dy vite pas vdekjes së poetit shqiptar. Bashkëkohësi i Poradecit, porsi ai, do të lindë në një vend bregdetar, por vendin e liqenit “pa kufir”, do t’ia zërë deti i kaltërthellë i Monemvasias. Të dy janë të lidhur me letërsinë greke, i pari si djalosh i porsaardhur në Athinë në moshën 17-vjeçare nga qyteti i Pogradecit, për të vazhduar atje studimet, i dyti një grek i lindur dhjetë vite më vonë, i cili do të njihet me kohë si një ndër poetët më të famshëm të Greqisë.
Janis Ricos, i cili lindi në vitin 1909 në Monemvasia të Greqisë dhe vdiq në vitin 1990 në Athinë, pavarësisht se nuk është bashkëkohës i përpiktë i Poradecit, për shkak të periudhës 10 vjeçare që i ndan në moshë, ka jetuar paralelisht me të në të njëjtën epokë letrare dhe historike; ndan me të dashurinë për artin dhe letërsinë greke, frankofoninë dhe lidhjen me letërsinë franceze, vdekjen e parakohshme të etërve të tyre në moshë të re, sëmundjen e tuberkulozit, dhe shëndetin e brishtë, që do t’i mundonte të dy gjithë jetën.
Por, Poradeci nuk do t’i përkushtohej letërsisë me zellin e një komunisti të indoktrinuar, çka kishte si pasojë harresën e tij ekzistenciale në botën e letrave shqipe. Ricosi, që se u burgos për idetë e tij komuniste gjatë diktaturës së kolonelëve në Greqi, mbeti anëtar i devotshëm i Partisë Komuniste Greke deri në fund të jetës. Por, pavarësisht militantizmit dhe krijimtarisë së pasur politike, do të shkruajë perla të tilla, që në Shqipërinë e asaj kohe do të damkoseshin si letërsi dekadente. Kjo bëhet më e dukshme në krijimtarinë e tij të fundviteve ‘70, e cila dallon për modernizmin dhe erotizmin e theksuar.
Vëllimi i poezive erotike të Ricosit, me titullin “Erotiká”, që doli në Greqi në vitin 1981 dhe paralelisht në frëngjisht e italisht, për t’u botuar më pas në një mori gjuhësh të tjera, përballë poezisë së realizmit socialist, do konsiderohej si krijimtari pornografike, dhe Ricosi pa dyshim do të hynte në listën e eurokomunistëve dekadentë, duke rrezikuar të katandisej si antikomunist. Në një variant imagjinar, nëse përmbledhja e poezive erotike të Ricosit botohej gjatë viteve ‘80, kur Shqipëria ishte ende nën regjimin komunist, misioni i përzgjedhjes së poezive të destinuara për botim, do të ishte ferr i vërtetë; dhe akoma më e tmerrshme për përkthyesin do të ishte heqja, zëvendësimi apo ripërshtatja e vargjeve ose fjalëve me referim të drejtpërdrejtë seksual, çka do ta bënte këtë mision të pamundur.
Brenda kontekstit erotik, përkthyesit të vonë të poezive të Ricosit, nuk do t’i duhet më të përballet me problemin e censurimit, por me lëvrimin e fjalorit erotik në shqip. Në një skenar filmi, nëse Ricosin e zhvendosnim në Shqipërinë e Lasgushit, në rastin më të mirë ai do të konsiderohej si një poet i çartur, pasi frymëzimi i tij poetik do të ngrihej mbi përkushtimin e tij politik. Ricosi zgjodhi të jetë poet komunist dhe anti-konformist, në një vend jo komunist, por me një bërthamë të rëndësishme intelektualësh komunistë. Lasgushi, zgjodhi të jetë një poet anti-konformist, në një vend totalitar.
Erotizmi i poezisë së Ricosit të periudhës së fundit, ndonëse është tërësisht i zbuluar dhe flet me gjuhën e trupit, duket se nuk bie ndesh me bindjet e tij komuniste, madje në të kundërt, u jep atyre një dimension më human. Përpiqem të imagjinoj Ricosin në qytetin e poetit të liqerit, në një bashkëbisedim me Lasgushin. Ricosi, që i fal Lasgushit, pak nga lakuriqësia provokuese e poezisë së tij dhe Lasgushi, që i fal Ricosit pak nga erotizmi shushuritës i liqerit të tij.
Poshtë fustanit
është lakuriq
mbi fustan
krejt lakuriq
para dritares
mban një gotë me fron –
do të jap’ pakëz?
a s’do të jap’?
e pi vetë
nuk të vështron
kështu ngjan më e lakuriqtë
me një trëndafil
mes gjinjve.
Erotika, Botimet Dituria (2019)
Përktheu: Eleana Zhako
Ku shtrohet vala…
E mora shoqezën përkrah,
E matmë rrugën ca-nga-ca,
Sikur na ndillte larg diçka.
Pa zuri dita perëndoj,
Pa zuri nata na mbuloj,
Pa zura shoqen ta pushtoj.
Përse buçet, liqer i qet!
Liqer, ti ç’ thua ndaj buçet!
C’far’, pe, liqer, mi zall të shkretë?
E çasin kur e sjell nër mend,
Kur sjell nër mend, ah! atë vend,
As rroj, as vdes, po jam pa mend.
Lasgush Poradeci, Vepra Letrare
(Botimet, Naim Frasheri 1990)
© 2019, Eleana Zhako.
|
15,617 | https://peizazhe.com/2014/06/04/36-2-kaos/ | null | 2014-06-04T09:14:53 | 36 – 2 = KAOS | Sot ka dy sisteme për shkrimin e shqipes: ai që mbështetet në alfabetin 36-shkronjësh dhe një tjetër, më i ri, që përdor një alfabet të thjeshtuar, 34-shkronjësh, ku ë-të dhe ç-të janë zëvendësuar, përkatësisht, me e dhe c.
Kemi shkruar shpesh për këtë dukuri, duke vënë në dukje – sado pa nevojë – se ky zëvendësim nuk ka ardhur gjë nga ndonjë nevojë e brendshme, ose organike, e shqipes së shkruar për thjeshtim, por vetëm e vetëm ngaqë këto shkronja u mungojnë tastierave të kompjuterëve që përdoren prej shqipshkruesve.
Asnjë logjikë dhe largpamësi nuk ka, te kjo zgjidhje e sajuar me bricolage, si përpjekje e skajshme për t’ia përshtatur shqipen e shkruar një alfabeti të rastit.
Me shtrirjen e Web 2.0 edhe ndër shqipshkruesit anembanë botës, sasia e teksteve të shkruara rishtas me alfabet të gjymtuar vjen duke u shtuar; dhe bashkë me të, edhe trysnia e këtij gjymtimi në mënyrën si funksionon shqipja e shkruar në komunikim.
Standardit të 1972-shit vijnë dhe i përballen tani së paku tre alternativa jostandarde: shqipja e shkruar me gabime drejtshkrimore, por që gjithnjë përpiqet të ndjekë standardin; shqipja e shkruar “me dialekt”; dhe, më në fund, shqipja e shkruar me alfabet të thjeshtuar.
Këto alternativa kanë rrethprerje mes tyre, por problematikat i sjellin të ndryshme. Kështu, shumë nga ata që e shkruajnë shqipen me alfabet të thjeshtuar, e zotërojnë mirë drejtshkrimin; unë vetë, në komunikimet private me e-mail, e përdor tashmë rregullisht këtë formë të shkrimit shqip, për arsye kohe.
Ndërkohë, mungojnë studime të mirëfillta të impaktit që ka kjo shqipe me alfabet të thjeshtuar, mbi rendimentin e komunikimit me shkrim.
Më poshtë kam sjellë një shembull çfarëdo të një teksti të shkruar me alfabetin 34-shkronjësh, por që përndryshe përpiqet të ndjekë normën drejtshkrimore të shqipes, me fare pak gabime.
Shkronja ë jo vetëm është nga më të dendurat në përdorim, por edhe kundërvënia e/ë luan rol kritik në shprehjen e disa funksioneve gramatikore, si dallimi midis rasave të drejta dhe atyre të zhdrejta për një kategori emrash femërorë (mollë/molle, punë/pune), ose ai i gjinisë në shumësin e emrave të vepruesit ose që tregojnë profesione, etj. (punëtorë/punëtore, banorë/banore) etj.; ose për të shënjuar diferencën gramatikore në disa forma të zgjedhimit (shkojë/shkoje, etj.)
Pa pëmendur pastaj çiftet minimale me fjalë nga më të rëndomtat në shqipe, si më/me, në/ne, të/te, kë/ke etj.
Të gjithë biem dakord se rrafshimi i këtyre dallimeve e dëmton komunikimin, meqë krijon pengesa në “marrje”.
Por ka edhe më. Që në fillimet e shtypshkrimit të vet, shqipja ka adoptuar dhe ndjekur parimin fonetik në të shkruar (në vija të trasha), sipas të cilit “fjalët do të shkruhen ashtu siç shqiptohen” – çka do të thotë edhe se shkronjat e një teksti të shkruar u përgjigjen, pak a shumë, fonemave të ligjërimit të folur (ose njësive të sistemit të dytë të artikulimit).
Pa dashur të zgjatemi këtu në diskutimin e këtij parimi në vetvete, po vërejmë vetëm se kalimi i menjëhershëm nga alfabeti 36-shkronjësh në atë të thjeshtuar e ka shfuqizuar, vetvetiu, parimin fonetik, sepse fjalët – në tekstet me alfabet të thjeshtuar – nuk shkruhen më ashtu siç shqiptohen, por ashtu siç ishin shkruar më parë, me disa modifikime thjeshtuese.
Në fakt, prirja për t’i shkruar fjalët ashtu siç janë shkruar më parë ndeshet në të gjitha gjuhët që kanë një traditë shkrimore të konsoliduar dhe nuk ka shumë lidhje me parimin fonetik, i cili ka vlerë, para së gjithash, në momentin kur fillon të shkruhet një gjuhë, jo në praktikën e përditshme. Gjithsekush prej nesh, kur vihet të shkruajë, nuk është se transkripton rrjedhën e folur që ka në mendje, por vetëm sa i riprodhon trajtat e shkruara të fjalëve, ashtu siç i ka mësuar në shkollë. Për këtë arsye, kur dikush shkruan keq (ose “në dialekt”) nuk themi se po e zbaton ndryshe ose në mënyrë krijuese parimin fonetik, por vetëm se nuk është i alfabetizuar si duhet.
Gjithsesi, thjeshtimi i ë-ve dhe i ç-ve e ka futur në krizë parimin fonetik, por pa e zëvendësuar me ndonjë parim tjetër; meqë ky thjeshtim nuk ka ardhur ngaqë e kanë vendosur specialistët, as ngaqë e ka kërkuar vetë gjuha; por për shkak të një aksidenti teknologjik.
Për pasojë, funksionimi i shqipes së shkruar, si sistem, po ndesh në vështirësi potencialisht serioze, të cilat u kushtojnë lexuesve (“marrësve”) energji.
Ironike, në këtë mes, është edhe që, teksa gjetiu diskutohet në nivelin akademik për çështje të vogla, si mënjanimi në drejtshkrim i ë-së së patheksuar në fjalë si anëtar, etj., shqipja po shkruhet në praktikë, gjithnjë e më gjerësisht, me alfabet të cunguar, i cili mes të tjerash ka ndërruar edhe vetë parimin në themel të drejtshkrimit të vitit 1972, i cili – paradoksalisht – po thirret në ndihmë për të përligjur ndryshimet kozmetike të propozuara.
Edhe sa kohë mund ta shpërfillim këtë shmangie, kaq masive, nga norma drejtshkrimore, fajtorë për të cilën jemi të gjithë ne që përdorim tastierat për të shtypur shqip?
Mu nën hundët tona, një gabim i thjeshtë administrativ – mungesa e një ligji për tastierat e kompjuterëve që do të tregtoheshin në Shqipëri – ka çuar, brenda pak vjetësh, në konsolidimin e çfarë unë do ta quaja një “dialekt i shkruar” për shqipen – i cili tashmë është rrënjosur në përdorim, në kontekste të caktuara sociale; aq sa shumë prej të ashtuquajturve digital natives nuk janë më në gjendje ta shkruajnë më shqipen me alfabet të rregullt, pse e kanë çmësuar kodin.
Siç e kemi thënë edhe më parë, kjo shqipe me alfabet të thjeshtuar nuk është sistem i mëvetësishëm, por sistem që paraziton mbi standardin me 36-shkronja. Pavarësisht se mungojnë studimet dhe testimet e mirëfillta shkencore, logjika dhe introspeksioni sugjerojnë që përdoruesit, kur përballen me tekste të shkruara me alfabet të gjymtuar, i rindërtojnë mendërisht trajtat e rregullta të fjalëve, në bazë të çfarë kanë mësuar në shkollë.
Në parim, alfabeti i shqipes mund të thjeshtohet, qoftë edhe duke ia ndërruar parimin bazë; por alfabeti i thjeshtuar, që përdoret sot kaq gjerësisht dhe me lehtësi, do të ishte kandidati më i papërshtatshëm për këtë thjeshtim – meqë tekstet e shkruara me alfabetin 34-shkronjësh kërkojnë zotërimin e normës së shkruar, me 36 shkronja, për të funksionuar.
Njëlloj si stenografia, alfabeti i thjeshtuar mund të na ndihmojë për të shkruar më shpejt, por faturën për këtë shërbim e paguajnë “marrësit” e teksteve, të cilëve u duhet punë shtesë, për t’i deshifruar.
|
8,270 | https://peizazhe.com/2011/09/16/hija-e-rende-e-incestit/ | null | 2011-09-17T03:32:57 | HIJA E RËNDË E INCESTIT | Këngën e Gjergj Elez Alisë të gjithë e njohim dhe e admirojmë: një kreshnik që dergjet në shtrat prej nëntë vjetësh, për shkak të plagëve që ka marrë në luftë; një motër e dhembshur që përkujdeset për të; një bajloz i zi që del prej detit dhe kërkon t’ia marrë Gjergjit të gjitha, madje edhe motrën; Gjergjin që ngrihet nga shtrati si prej varrit, për t’i dalë bajlozit në dyluftim; dyluftimin që përfundon me vrasjen e bajlozit të zi; Gjergjin që më në fund jep shpirt i qetë, në krahët e të motrës.
Është një këngë trimërie, por edhe një këngë e dashurisë së vëllait për motrën dhe të motrës për vëllain; motiv ky që del shpesh në Epos, ku motra, veçanërisht motra e madhe, kujdeset për heroin, ndonjëherë edhe në këmbë të nënës; dhe ky i fundit lufton deri në vdekje për t’ia mbrojtur nderin, veçanërisht kur motrën ia grabit një krajl ose një kreshnik a kapidan i huaj.
Tema e motrës është delikate, në vetvete dhe në raport me temën e vashës për t’u marrë nuse ose robinjë; ka një tension mes këtyre personazheve arketipale, i cili duhet rrokur në kontekstin e marrëdhënieve sociale, dhe veçanërisht familjare dhe të gjakut, të periudhës së cilës i referohet Cikli.
Mes klisheve të Eposit, është edhe shpjegimi që jep ndonjë prej kreshnikëve, kur e pyesin se pse nuk është martuar ende, dhe ky përgjigjet se “të gjitha vashat e Jutbinës i kam motra”, ose në mënyrë të ngjashme. Siç e kanë sqaruar me kohë, ky shpjegim ka lidhje me ekzogaminë dhe me tabunë e martesës brenda fisit, e cila njëfarësoj rregullon, duke frenuar, edhe marrëdhëniet midis sekseve brenda një komuniteti të dhënë. Nëse është kështu, atëherë marrëdhënia mes vëllait dhe motrës vjen dhe përfshihet në një sistem më të gjerë, ku “motra” janë edhe të gjitha ato vajza në fis, me të cilat është “tabu” të trazohesh seksualisht.
Natyrisht, ka tabu dhe tabu; dhe tabuja e endogamisë, sado e rëndësishme, nuk e ka forcën vdekatare të tabusë së incestit, e cila prek marrëdhëniet brenda familjes së ngushtë, ose ato mes prindërve dhe fëmijëve, ose vëllait dhe motrës.
Vetë tema e incestit vëlla-motër nuk është e huaj për Ciklin në Ballkan; ekziston, në ciklin serb, një baladë ku Stefan Dushani kërkon të martohet me të motrën. Në këngë të tjera, incesti mund të ndodhë në mënyrë aksidentale, ngaqë vëllai dhe motra janë ndarë që në fëmini dhe nuk e njohin njëri-tjetrin; por kjo pastaj shmanget, me artifice të ndryshme. Robert Elsie përmend një aksident të tillë, në një baladë arbëreshe; duke vërejtur se kjo situatë lidhet me praktikën e devshirmesë që zbatonin osmanët në Ballkan.
Gjithsesi, incest të mirëfilltë në Eposin shqip nuk ka (këtu nuk do të marrim parasysh ato raste kur Ajkuna del herë si nënë, herë si grua, herë si motër dhe herë si mbesë e Mujit; sepse këto nuk i përkasin të njëjtave linja narrative); por ka situata narrative të cilat forcën e tyre dramatike ia detyrojnë tabusë së incestit, e cila qëndron e fshehur, si të thuash, në nënvetëdijen e tekstit.
Një situatë të tillë e ndeshim edhe te balada aq e kremtuar e Gjergj Elez Alisë.
Në baladë Gjergji jeton i vetëm në kullë me motrën e paemër, e cila kujdeset për të:
ja lan varrat me ujt e gurrës nandvjeçe,
ja lan varrat me ata lott e syve,
ja terë gjakun me ata flokët e ballit,
shtatin vllaut ja shtërngon m’ruba t’nanës,
n’petka t’babës trupin ja hijeshon,
armët e brezit ja rendon mbi krye!
Sa herë trupin motra p’e ternueke,
dhimbn e varrëve vllau krejt e harrueke,
dhimba e motrës dekun n’tokë e lëshueke!
Në këtë hyrje të këngës Gjergji është i pranishëm si trup, me shpirtin që ia ka kapur peng dhimbja e madhe e varrëve, por edhe së motrës.
Kjo situatë elementare, ku heroi dergjet në shtrat dhe motra kujdeset për të, ia jep motrës atributet e nënës që kujdeset për fëmijën. Nuk mund të mos kujtojmë këtu vetë etimologjinë e shqipes motër, e cila krahasohet me latinishten mater; duke pasë pësuar, në shqipe, një ndryshim kuptimor themelor që, sipas Çabejt, ka të bëjë me faktin se, në lashtësi, rolin e nënës e merrte përsipër shpesh motra (e madhe).
Motra e Gjergjit, në këtë rol përkujdesës, shfaqet kështu edhe si motër, edhe si “mater” indo-europiane, që i jep jetë fëmijës, përndryshe krejt të pambrojtur dhe të rrezikuar.
Pas kësaj, del prej detit bajlozi i zi, edhe ai i paemër, dhe kërkon, ndër të tjera, edhe t’ia marrë motrën Gjergjit, si haraç. Ja si e komenton këtë motra në këngë:
Po qysh mordja, o vlla, me na harrue?
Nanë e tatë kah kalben për nan bli,
trupi i vllaut vorrue qe nandë vjet në shpi,
trupi i motrës n’dorë t’balozit t’zi?
Edhe këtu, fokusi është te trupat: ai i Gjergjit, i paaftë për të funksionuar, rrezikon që “trupi i motrës” t’përfundojë në dorë t’balozit të zi.
I prekur nga këto fjalë, Gjergji e dërgon të motrën në qytet, që t’ia bëjë gati gjogun. Dhe kë do të takojë motra atje, e kujt do t’i drejtohet për ndihmë? Dy probatinëve të Gjergjit: nallbanprobatinit dhe nallbanjaranit. Në epos, probatinët luajnë rol narrativ të rëndësishëm; ata kanë pirë gjak me kreshnikët dhe pritet që t’u dalin krah ose t’i ndihmojnë, kur këta kanë nevojë. Vetë fjala probatin vjen nga serbishtja probratim, dhe ka kuptimin “vëllamë”. Sipas kanunit të Lekës, “Vllaznimi, qi bahet tui pî gjak, e ndalon krushqin pergjithmone ndermjet t’vllaznuemve, shpis së tyne e zjarmit të tyne.” Për motrën e Gjergjit, vëllami është edhe ai vëlla. Megjithatë, nallbanprobatini i thotë motrës së Gjergjit:
Për n’m’i falsh, moj vashë, dy sytë e ballit,
ta kam pshtue vlla-Gjergjin prej mejdanit.
Edhe këtu, rreziku i incestit shfaqet, në trajta simbolike, por njëlloj kërcënuese.
Mourning (nga Mehmet Turgut)
Motra e Gjergjit është e pamartuar; me përkufizim, e virgjër. Virgjëria e saj është virtyti që ekziston, në atë masë që mbulon skenarin e incestit nën vete. Sa më i papranueshëm të jetë ky skenar, aq më e virtytshme është dashuria e motrës për vëllanë, aq më e sublimuar, aq më e shenjtë. Tek e fundit, arsyeja e vetme që ajo ka mbetur pa martuar, është dergja e Gjergjit, ose pamundësia e këtij për të qenë “burrë”, për shkak të nandë varrave; i plagosur rëndë dhe pa shpresë shërimi, Gjergji ka regresuar nga burrë në fëmijë, dhe kjo ia ka shndërruar motrën në nënë, e cila duhet të përkujdeset për të.
Shfaqja e bajlozit të zi e ndërpret këtë stazë; dhe vetë bajlozi vjen në rrëfim si element agresiv, ose një anti-Gjergj në të gjitha pikëpamjet, duke përfshirë këtu edhe agresivitetin seksual, që i materializohet në kërkesën për t’ia marrë motrën Gjergjit si skllave ose robinjë, dhe për t’ia përdorur “trupin”. Motra, që në raport me Gjergjin ekziston vetëm si shpirt, ose e sublimuar në dashurinë e motrës për vëllanë, rrezikon të shndërrohet në “trup” sapo t’i bjerë në dorë bajlozit.
Nga kjo pikëpamje, dalja e bajlozit në skenë do të interpretohet si shfaqje brutale e seksualitetit aktiv, fallik, mashkullor, që e ndërpret idilin vëlla-motër në shenjtërinë e tij sublime; në rrafshin narrativ, si faktori që e detyron Gjergjin të ngrihet nga shtrati dhe të dalë në fushë të mejdanit për t’i dalë zot motrës, si nënë de facto; por edhe në rrafshin simbolik, si faktori seksual që e rrezikon sublimitetin e dashurisë vëlla-motër nëpërmjet tabusë supreme të incestit.
Gjergji e vret bajlozin në dyluftim, këtë demon që ka ardhur prej nënvetëdijes, dhe pasi e vret ia pret kokën, me një gjest që i referohet kastrimit (tredhjes) po aq sa ç’i referohet seksualitetit fallik bajlozi vetë. Pas kësaj, trimi kthehet në kullën e vet, përqafohet me të motrën dhe të dy vdesin së bashku:
motërzezën ngrykas kesh me e marrun,
të dy zemrat priherë por janë ndalun,
vlla e motër dekun paskan ramun!
Sikur të mos mjaftonte kjo vdekje në momentin që vëllai përqafohet me të motrën, shokët i bajnë gjamë të madhe të dyve dhe pastaj:
Po ia çilin nji vorr bukur të gjanë
vlla e motër ngrykas për me i xanë
Duke i futur, pra, të dy bashkë në të njëjtin varr. Po të kemi parasysh se Gjergji kish nëntë vjet që dergjej në vorrin e shtratit prej plagëve, aq sa edhe bajlozi vetë, para dyluftimit, i thotë:
P’a prej vorrit, Gjergj, ti konke çue…?
Atëherë edhe varri ku bien të flenë në amshim Gjergji me të motrën, përqafuar me njëri-tjetrin, nuk është veçse shtrati i incestit të tyre simbolik, që mund të realizohet vetëm pas vdekjes së të dyve, ose zhdukjes së trupit si objekt, seli dhe dinamo e tundimit seksual tabu; dhe kremtimit të varrimit në mbyllje të këngës, si një lloj dasme mistike mes dy protagonistëve të baladës.
Këtë interpretim duket se e mbështet edhe fusha tematike (ose izotopia, siç e quajnë në semantikën tekstuale) e lëngjeve në baladë.
Kjo izotopi prezantohet që në vargjet e para të këngës:
Trimb mbi trima ay Gjergj Elez Alija!
Qe nan’ vjet nan’d varra në shtat m’i ka!
Veç nji motër nat’ e ditë te kryet,
ja lan varrat me ujt e gurrës nandvjeçe,
ja lan varrat me ata lott e syve,
ja terë gjakun me ata flokët e ballit.
Në një nivel sipërfaqësor, uji përfaqëson efektin purifikues të kohës që kalon; lotët dhimbjen e motrës dhe gjaku jetën që po i rrjedh tutje Gjergjit të plagosur (izotopia vetë përforcohet edhe nga folje si laj dhe ter, që lidhen me fushën tematike të ujit).
Megjithatë, në një nivel tjetër, më të thellë, edhe gjaku është çfarë i bashkon Gjergjin me të motrën, në një lidhje që ndërtohet si e kundërta e incestit, ose dashuri e pastër dhe e kulluar (si uji) mes vëllait të plagosur dhe motrës së pamartuar.
Më lart përmendëm njëjtësimin simbolik të motrës dhe të nënës; ky njëjtësim ndërmjetëson edhe shndërrimin e lotëve në një metaforë për qumshtin amnor, i cili përndryshe është element i pranishëm në Epos (mjaft të kujtoj këtu se Ajkuna ende i jep qumësht gjiri Omerit të Mujit, kur ky është gati të marrë malin për me çetue; pa përmendur pastaj Mujin vetë, që ushqehet me “tamël gjiut” prej zanave, për të fituar fuqitë mbinjerëzore prej kreshniku përmbi kreshnikë). Gjithsesi, motra e Gjergjit është e virgjër; qumështi i saj është i kulluar si loti; ky qumësht prej virgjëreshës nuk ushqen as jep forcë si ai i zanave, por shpëlan e pastron plagët si shiu – një tjetër element magjik në Epos (që shfaqet sërish, për të fshirë gjurmët e gjakut, këtë herë të motrës së kreshnikut, te Deka e Hasapit).
Më tej në këngë, pasi Gjergji e vret bajlozin në mejdan, ia pret kryet dhe ia hedh trupin në një bunar:
të tanë lumën gjaku e ka tërzue,
për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.
Gjaku që rrjedh nga trupi kokëprerë i bajlozit është “i keq” dhe kutërbues; duke e vrarë bajlozin, Gjergji nuk lejoi që ky gjak të përzihej me të tijin, çka do të ndodhte sikur bajlozi ta kish bërë të vetin trupin e motrës.
Në këtë kuptim, edhe te Gjergji edhe te bajlozi gjaku lajmëron kastrimin, ose zhburrnimin; që te Gjergji vjen si pasojë e varrave të marra në nuk dihet ç’luftra të vjetra, ndërsa bajlozit ia shkakton Gjergji vetë, duke e vrarë dhe, sidomos, duke ia prerë kokën (dekapituar). Të dy burrat kësisoj të kastruar janë edhe kapari fatal për motrën e Gjergjit që të mbetet e virgjër deri në vdekje, duke lëshuar deri në fund lot (dhimbje, sterilitet, vdekje), jo qumësht (pjellshmëri, forcë, jetë). Qumshti në këtë baladë vërtet nuk përmendet kurrë, por si kundërvlerë simbolike e lotit reflektohet, negativisht, në qelbin ndytës që del e rrjedh prej trupit kokëprerë e tashmë të vdekur (impotent ose të eunukëzuar) të bajlozit të zi, i cili, po ta vazhdojmë paralelizmin, do të simbolizojë spermën ose farën që këtij i mbeti pa mbjellë në trupin e motrës së Gjergjit.
Kësisoj në tekstin e këngës gjejnë shprehje të tri kundërvëniet që janë edhe baza e izotopisë likuide: gjaku – uji, loti – qumështi dhe qelbi – sperma.
Ky lexim i poemës sipas çelësit të incestit vëlla-motër dhe tabusë përkatëse ka të bëjë jo aq me thelbin e saj etik, ose motivin e përjetshëm të të dobëtit që e mund të fortin, kur e ka të drejtën me vete; por me metodën ose strategjinë që përdor teksti, për ta tejçuar këtë thelb. Nënshtresa e tabusë seksuale shërben kështu si katalizator emocional, duke e turbulluar dhe tronditur dëgjuesin/lexuesin në pavetëdije. Në vetvete, konsumi i kësaj nënteme lidhet me pjekurinë seksuale, tabunë e incestit brenda fisit, ekzogaminë dhe kërcënimin me kastrim në rast moskontrolli të instinktit; sikurse lidhet edhe me përforcimin e një figure të femrës në funksionin e saj ushqyes dhe përkujdesës, ose prej nëne; e që duhet mbajtur rreptësisht i ndarë nga aspekti tjetër, si arë për t’u mbjellë (ose “shakull për me bartë”, siç e quan Kanuni), nëse vërtet duam ta arrijmë virtytin e burrit në një botë të sunduar prej burrave.
Jashtë Ciklit të Kreshnikëve, të njëjtat motive të ekzogamisë, tabusë së incestit vëlla-motër, vdekjes dhe martesës mistike, i ndeshim në këngën e Doruntinës dhe në versionet e saj; në të cilën motra e ka realizuar tashmë misionin e vet ekzogamik, duke u martuar në fund të dynjasë; dhe ku vëllai, Kostandini, teksa ia mban fjalën që ia ka dhënë nënës për t’ia sjellë të bijën në shtëpi, përmbush ëndrrën e vet incestuale, duke u bashkuar me të motrën, kjo e gjallë dhe ai i vdekur, në shalën e kalit – që përfaqëson në këtë lloj leximi ampleksin. Edhe në këtë këngë, motra vdes, sapo mëson se çfarë ka ndodhur, duke ndjekur të vëllanë në errësirën e përtejme. Tabuja e incestit nuk shkelet as cenohet, përveçse në nivelin simbolik, ose onirik; çfarë nuk bëjnë dot personazhet në rrafshin narrativ, pse e ndalon tabuja, e bëjnë metaforat, në rrafshin diskursiv të ëndrrës.
|
5,382 | https://peizazhe.com/2010/09/05/shkrime-dhe-komente/ | null | 2010-09-05T18:05:36 | SHKRIME DHE KOMENTE | Herë pas here, ndonjë koment qëllon i menduar e i shkruar kaq mirë, ose trajton çështje aq me peshë, sa me shumë dëshirë e kalojmë si shkrim kryesor të blogut.
Si dhe pse merret ky vendim, nuk mund të shtjellohet këtu, sepse varet nga rrethanat. Megjithatë, PTF është i hapur për kontribute të kësaj natyre, edhe nga anonimët.
I vetmi kusht i nevojshëm që komenti të konsiderohet për “gradim” është paraqitja gjuhësore e rregullt: zbatimi i alfabetit të shqipes, si dhe rregullave drejtshkrimore dhe gramatikore të standardit.
Këtu nuk mund të bëjmë asnjë lëshim; dhe nuk do të bëjmë. Një nga synimet e PTF është t’u japë mediave anembanë një shembull të kujdesit, ndër të tjera, edhe për ligjëratën shqip.
Përndryshe, ftesa mbetet e hapur, edhe pse jo e garantuar.
|
31,381 | https://peizazhe.com/2019/05/07/kur-autori-zevendeson-vepren/ | null | 2019-05-07T08:44:26 | KUR AUTORI ZËVENDËSON VEPRËN | Diskursi i sotëm mass-mediatik e ka zor të bëjë dallim midis produktit kulturor dhe atij thjesht argëtues – sikurse nuk bën dot dallim as midis produktit kulturor dhe autorit si person. Aq më tepër që shpesh është më e lehtë të flasësh për “historinë” e produktit, sesa për “historinë” që rrëfen produkti – p.sh. duke u përpjekur të promovosh dhe të shesësh një roman në bazë të rrethanave të jashtëzakonshme kur u shkrua, apo të diçkaje të jashtëzakonshme për të cilën bie në sy autori ose i ka ndodhur këtij.
Disa pak shembuj të njohur nga bota do të shërbejnë për ta ilustruar këtë dukuri – “Vargjet satanike” i Selman Ruzhdiut, që fitoi famë jo për hir të meritës artistike, por ngaqë autori i saj u dënua me vdekje nga autoritetet fetare në Iran; dhe më herët, “Doktor Zhivago” i Pasternakut, i cili u lexua dhe u nderua me Nobel si manifest kundër bolshevizmit në Rusi, i kontrabanduar në Perëndim si të ishte projekti i një arme sekrete (siç edhe ishte). Përtej letërsisë, i pak ditëve më parë ishte lajmi për një vizatim primitiv të Nelson Mandelës në burg, që do të shitej për një shumë prej dhjetëra mijëra dollarësh. Vepra të tilla, përfshi këtu edhe tablotë e Hitlerit ose të Churchill-it, kanë vlerë të madhe nga pikëpamja e koleksionistëve; ato mund të zënë kryet e vendit në një muze historik, por jo në një galeri arti.
Por e gjithë kjo vëmendje për vepra – letrare dhe të fushave të tjera – të krijuara në rrethana të pazakonshme, për të mos thënë të jashtëzakonshme, i përket jo aq diskursit mirëfilli kulturor, sa sensacionalizmit dhe orvatjeve për të rrafshuar vlerat dhe për ta vënë kulturën e veçanërisht artin në shërbim të politikës, të sociologjisë dhe të tregut. Kështu, mediat gjithnjë do ta bëjnë të madhe një pikturë të një të verbri, ose të një gjenerali armate; një simfoni të një vrasësi të dënuar me vdekje; kujtimet e një ish-kurtizaneje të lartë; vargëzimet e një poeti relativisht të dambllosur; e kështu me radhë, duke investuar në narrativën që shoqëron autorin. Në këto raste, blerja dhe konsumi i veprës përkatëse, nëse ndodh, janë veç mënyra për t’iu asociuar një rituali social, pa shumë lidhje me vlerat e mirëfillta të veprës.
Këtu e ka vendin edhe diskutimi për vlerat kulturore të asaj që njihet si “letërsi burgu”. Jo rrallë, burgu u ofron autorëve mundësi të rralla për të medituar dhe krijuar; ngaqë atje kufizimi i hapësirës së jashtme kompensohet nga mundësitë për të eksploruar brendësitë e mendjes (dhe të shpirtit). I ngjan ashtu një manastiri, një vendi ngujimi, madje – meqë po flasim për produktivitetin kulturor – kullës së fildishtë[1], si metaforë e një vendi që ofron izolim kulturor të privilegjiuar; vetëm se burgu është e kundërta e kullës së fildishtë, diçka si kullë prej fildishi të zi. Në burgje është krijuar gjithnjë letërsi dhe art i dorës së parë – mjaft të përmend Don Kishotin e Cervantes-it, Udhëtimet e Marco Polo-s, Ngushëllimin e filozofisë, të Boethius-it, Jerusalemin e Çliruar të Tasso-s (ky i shkruar në çmendinë), Justine-n e markezit de Sade dhe plot të tjera. Përtej letërsisë, po përmend kuartetin e harqeve Quatuor pour la fin du temps, të Oliver Messiaen-it, të kompozuar kur autori ishte rob lufte i nazistëve në 1941, madje edhe të vënë në skenë në kampin e burgimit.
Për të gjitha këto vepra, vendi se ku janë krijuar është vetëm pjesë e “paratekstit”, ose e informacionit që shoqëron veprën, pa qenë pjesë e saj; tek e fundit, çdo artist ka nevojë njëfarësoj për burgun, për të krijuar. Që një roman ose një poemë janë shkruar në burg, aq më tepër në kushtet e rënda të burgimit politik, kjo mund t’ia rritë vlerën dokumentare veprës, veçanërisht kur kjo ka natyrë auto-biografike; por nuk ndikon në vlerën e saj artistike. Për të njëjtën arsye, letërsia e ashtuquajtur “e sirtarëve”, që është botuar pas 1990-ës në Shqipëri, nuk ka pasur sukses, ndoshta pikërisht ngaqë është promovuar gabim; ose me shpresën se një histori disidence, persekutimi ose censure do të mjaftonte për t’ia shtuar veprës vlerat mirëfilli letrare. Ky konflikt mes etikës dhe estetikës gjithnjë përfundon me katastrofën e etikës: një autor a një gjest mund të jenë të admirueshëm, por ky virtyt nuk i transferohet dot veprës.
Ngatërrimi i autorit me veprën ndodh edhe në kah të kundërt – ose kur vepra nuk mund të kuptohet, as të vlerësohet, jashtë kontekstit biografik. Kjo ka ndodhur, më shumë se një herë, me vizatimet e kryeministrit të tanishëm të Shqipërisë, Edi Rama, të cilat e nisën rrugëtimin si gjeste artistike të një zyrtari, të cilit i rrinte ngushtë kostumi i funksionarit dhe i burokratit, dhe e kërkonte një rrugëdalje duke vizatuar me ngjyra mbi dokumentet zyrtare. Për mua, vlera e atyre vizatimeve nuk ndahej dot nga performativi – ose nga fakti i nevojshëm për t’u përmendur, se ato i kish krijuar një funksionar i lartë i shtetit, në detyrë e sipër. Thjeshtimi që pësuan vizatimet e Ramës më pas, kitsch-ifikimi i tyre nëpërmjet ndarjes nga konteksti dhe shndërrimi deri në letra muri & etiketa shishesh vere dhe promovimi i tyre në galeri anembanë botës nga autori kryeministër, i katandisën në “pikturat e Ramës”, ose në një rrafsh me vepra të ngjashme nga Mandela, Churchill-i dhe Hitleri. Edhe pse ato vazhdojnë të ekspozohen me sukses, më duket se e kanë marrë rrugën nga galeritë drejt muzeve, ku do të ruhen me kujdes njëlloj siç ruhet koburja e Zhukovit, çibuku i Stalinit ose stilografi i Luigj Gurakuqit: emanacione të rëndomta të një personaliteti përndryshe historik, që përfaqësojnë autorin (“pronarin”) e tyre, ndryshe nga ç’mund të ketë qenë dhe është ambicia e Ramës vetë.
Pak vjet më parë, bëri një farë buje libri me poezi “Vrima”, i autores Rita Petro, i cili fitoi edhe një çmim për dizajnin; por që u sulmua nga publiku, si “pornografik”. Me gjasë, edhe botuesit e librit nuk e kundërshtuan këtë lloj leximi të tij, i cili ia rriti shitjet, por vetëm për ta përfshirë në bashkësinë e veprave eksploitative. Dhe sidoqë të kenë qenë punët, për atë libër u fol shumë më tepër se për çdo libër tjetër poetik, çfarë konfirmoi se kultura jonë e sotme nuk arrin dot të ruajë tensionin e nevojshëm intelektual, për të diskutuar veprën letrare jashtë kontekstit sociologjik vulgar. Ashtu muhabeti u degradua në komente rreth erotizmit të autores dhe në denoncime kinse “morale”, në vend që të shërbente si platformë për ta shpënë debatin përpara edhe në tema të konsideruara si tabu.
Kjo qasje, e adoptuar zyrtarisht nga institucionet publike të kulturës, praktikohet sa herë që vjen fjala për përfaqësimin në botë e shkrimtarëve dhe të artistëve nga Shqipëria – që nga letërsia e përkthyer në gjuhë të tjera, te këngëtarët e operës. Veçanërisht për letërsinë e përkthyer, ka dekada që ngulet këmbë te natyra e saj “shqiptare”, ose fakti – tejet i diskutueshëm – që autorët e përkthyer përfaqësojnë edhe Shqipërinë edhe shqiptarinë dhe kanë meritë në atë masë që arrijnë t’ia rrëfejnë mirë këtë Shqipëri dhe shqiptarí botës. Ky reduktim i artit në nivelin ilustrativ mund t’i shërbejë politikës, por jo kulturës. Koncepti për artistin si rrëfyes të kombit të tij e ka gjetur rrugën edhe drejt teksteve të shkollës, ku letërsia shqipe shpesh trajtohet si të ishte një përmbledhje liturgjish kombëtariste.
Që një shkrimtar, bie fjala Kadareja te “Kush e solli Doruntinën”, mbështetet mbi një legjendë folklorike për ta ngritur mbi të romanin, kjo nuk do të thotë se romani mund të pompohet rilisht dhe madje të shitet si ilustrim i legjendës dhe i folklorit shqiptar në përgjithësi; do të ishte e papranueshme edhe për autorin edhe për lexuesit, që përjetimi i tyre estetik të katandisej në argument propagandistik në gojën e kujt shpesh as që arrin dot të vendosë një raport mirëfilli kulturor me një vepër letrare ose arti, qoftë kjo edhe aq e thjeshtë sa një këngë mejhanesh.
Në një ese të mëparshme, u mundova të tregoj se karuseli i sotëm i diskursit kulturor zyrtar i ka flakur veprat tutje, meqë nuk arrin dot të merret me to: veprat përfundojnë të trajtuara si aksesorë, për selfie-t e autorit dhe të së tjerëve. Kështu, para pak ditësh, ministrja e tanishme e Kulturës Elva Margariti lajmëroi botën se, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Librit (23 prill) kish pasur për vizitë në zyrë një vajzë 11-vjeçare, Sibora Huda, e cila “ka botuar 3 vëllime me poezi dhe brenda 10 ditësh boton të katërtin”. Unë këtë e lexova si tallje për të gjithë ata që ia kanë kushtuar jetën librave dhe letërsisë. Poezitë e Siborës gjenden online për t’i gjerbur – asnjë prej tyre nuk më tërhoqi vëmendjen për mirë. Një fëmijë që boton katër vëllime me poezi më duket më tepër si material për një talent show, se si objekt i vëmendjes së posaçme të një institucioni që merret, mes të tjerash, edhe me mirëqenien e letërsisë (dhe që duhet të kujdeset që fëmijëve si Sibora të mos u mungojnë librat, jo që këta të fillojnë të shkruajnë libra qëkur janë në shkollën fillore). Nga ana tjetër, kjo ma ilustron më së miri argumentin që po dua të shtjelloj në këtë shkrim – ose atë të shndërrimit të kulturës në paradë cirku, me bekimin institucional.
© 2019 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi – kopjuesit do të përndiqen ligjërisht.
Në kopertinë: një vizatim burgu nga Nelson Mandela.
[1] Edhe pse shprehja “kullë e fildishtë” del që në Bibël, përdorimi i saj si metaforë, me kuptimin e një vendi izolimi intelektual, thuhet se është relativisht i vonë dhe lidhet me një ndërtesë të shekullit XVIII në Oxford.
|
7,307 | https://peizazhe.com/2011/05/01/dhembe-te-prishur/ | null | 2011-05-01T15:10:10 | DHËMBË TË PRISHUR | WARNING: unbalanced footnote start tag short code found.If this warning is irrelevant, please disable the syntax validation feature in the dashboard under General settings > Footnote start and end short codes > Check for balanced shortcodes.Unbalanced start tag short code found before:“p.sh. Astropol P, Astropol HP, apo Astrobrush) si dhe me disqe dhe breza të lëmuar për t’i lëmuar restaurimet deri në një shkëlqim të qëndrueshëm.
Additional information1. In the case of repair, additional XXX can be directly applied to polymerized material. If the XXX restorati…”Teksti në vijim i përket fletës informative që shoqëron një produkt stomatologjik, të tregtuar në vende të ndryshme të Europës, mes të cilave Shqipëria dhe Kosova.
Më ra në dorë rastësisht; ose më mirë ma ofruan si referencë për një listë termash.
Në vijim, po sjell tekstin që kam nxjerrë nga origjinali në PDF, i cili mund të konsultohet këtu (i shkurtuar; kush dëshiron të shohë dokumentin e plotë, në të gjitha gjuhët, le të më shkruajë privatisht). Materialin ma paraqitën si të përkthyer nga anglishtja, por kam dyshim se do të jetë përkthyer nga ndonjë gjuhë tjetër; ndoshta gjermanishtja.
Hidhini një sy, çdo koment është i tepërt. Mbani parasysh se autori është paguar mirë për përkthimin; edhe pse dukshëm nuk zotëron as shqipen as gjuhën burimore, cilado qoftë ajo.
Qëllimi i përkthimeve të tilla është të ndihmojnë personelin teknik (në rastin konkret, mjekët stomatologë dhe personelin ndihmës) për të kuptuar karakteristikat e produktit që kanë në dorë.
Natyrisht, teksti shqip nuk e përmbush këtë funksion; përkundrazi, vetëm dizinformon, ngaqë përkthyesi nuk e ka idenë se për çfarë po shkruan.
Përballë këtij teksti, përdoruesi heq dorë nga leximi dhe u drejtohet për ndihmë gjuhëve të tjera: anglishtes, frëngjishtes, italishtes, gjermanishtes. Të gjitha, fatmirësisht, janë të pranishme.
I përsëritur, ky akt e dëbon shqipen nga sfera e përdorimit teknik (në stomatologji), duke e reduktuar në zhargon të gjyshes dhe të petullave.
Shqipes, madje edhe shqipes teknike, nuk i mungojnë shembujt e përkthimit të mirë, as mjetet për të përballuar pasurinë terminologjike dhe kuptimore të origjinalit.
Megjithatë, me keqardhje më duhet të pohoj se materiali në vijim nuk përbën ndonjë përjashtim por, përkundrazi, është tipik.
Kjo është fytyra e sotme e shqipes së përkthyer, nga amatorë xhahilë, të pagdhendur dhe kokëtrashë, kriminelë kulturorë, të cilët po shkatërrojnë jo vetëm tregun e përkthimit shqip, por edhe vetë kapacitetin e shqipes së shkruar për t’u paraqitur me dinjitet në pazarin e gjuhëve europiane.
Nuk po komentoj tekstin në hollësi; lexuesit e blogut janë në gjendje të analizojnë mangësitë dhe të habiten, ndonjëherë edhe të zbaviten me guximin e pashembullt të këtij paraziti dhe mashtruesi (mua më ngacmoi shumë, p.sh. përkthimi i anterior teeth si “dhëmbë të mëparshëm”).
Origjinali anglisht
Versioni shqip
DescriptionXXX is a state-of-the-art, light-curing, radiopaque, nano-hybrid composite for the direct restorative therapy. XXX cures with light in the wavelength range of 400–500 nm (blue light).
PërshkrimiXXX është gjendja rent-denopake, radiale, me përbërje nanohibride për terapinë mbushëse dhe cementim të restorimeve keramike dhe të përbëra. XXX forcon me dritë të gjatësisë së valëve 400–500 nm (dritë e kaltërt).
ShadesXXX is available in the following 22 shades:– Enamel shades: A1, A2, A3, A3.5, A4, B1, B2, B3, C1, C2, C3, D2, D3, T
– Dentin shades: A2 Dentin, A3.5 Dentin, A4 Dentin, B2 Dentin
– Bleach shades: Bleach XL, Bleach L, Bleach I, Bleach M
HijezimetXXX është në dispozicion në 22 hijezime:– Hijezimi i smaltit: A1, A2, A3, A3.5, A4, B1, B2, B3, C1, C2, C3, D2, D3, T
– Hijezimet e dentini: A2 Dentin, A3.5 Dentin, A4 Dentin B2 Dentin
– Hijezime të zbardhuara: Bleach XL, Bleach L, Bleach I, Bleach M
CompositionThe monomer matrix is composed of dimethacrylates (17–18% weight). The fillers contain barium glass, ytterbium trifluoride, mixed oxide and prepolymer (82–83% weight). Additional contents: additives, catalysts, stabilizers and pigments (<1.0% weight). The total content of inorganic fillers for the Bleach shades is 79–80% weight or 60–61% volume, for all the other shades 75–76% weight or 53–55% volume. The particle size of the inorganic fillers is between 40 nm and 3,000 nm with a mean particle size of 550 nm.
PërbërjaMonomer matriksi përbëhet prej dimetakrilateve (me peshë 17–18%). Mbushësit përmbajnë: barium, uterbium trifluorid, oksid dhe prepolimer të përzier (me peshë 82–83%). Përmbajtje shtesë: Aditiv, katalizatorë, stabilizues, dhe pigmente(me peshë < 1.0%). Përmbajtja e përgjithshme e mbushësve joorganik për hijezime të zbardhuara është 79–80 % prej peshës ose 60–61% prej volumit, për të gjitha hijezimet tjera 75–76% të peshës apo 53–55% të volumit. Madhësia më e vogël e mbushësve jo-organik është ndërmjet 40 nm dhe 3000 nm që nënkupton madhësinë prej 550 nm.
Indication– Restorations of deciduous teeth– Restorations in the posterior region (Classes I and II)
– Anterior restorations (Classes III, IV)
– Class V restorations (cervical caries, root erosion, wedge-shaped defects)
– Veneering of discoloured anterior teeth
– Splinting of mobile teeth
– Extended fissure sealing in molars and premolars
– Repair of composite and ceramic veneers
– Build-ups for transparent, removable Invisalign® orthodontic retainers
Indikacioni– Restaurimi i dhëmbëve të qumshtit– Restaurimi pjesës së pasme (Klasi I dhe II)
– Restaurime të mëparshme (të klasit III,IV)
– Restaurime të klasit të V-të(karies gypor, erosion në rrënjë, defekte të veçuara)
– Lustrimi i dhëmbëve të mëparshëm
– Gështallëzimi i dhëmbëve të lëvizshëm
– Të çarat e zgjeruara tek dhëmballat dhe paradhëmballat
– Riparimi i përbërësve dhe lustrimet qeramike
– Konstruktim i provizioneve ortodentike transparent të Invisalign® të lëvizshme.
ContraindicationPlacement of XXX restorations is contra-indicated:– if a dry working field cannot be established, or if the stipulated technique cannot be applied.
– if a patient is known to be allergic to any of the ingredients in XXX
KontraindikacioniVendosja e restaurimeve XXX është kontraindikuese:– nëse nuk mund të krijohet fushë punuese e thatë, ose nëse teknika e parashikuar nuk mund të aplikohet.
– nëse dihet se pacienti është alergjik ndaj ndonjërin prej përbërësve në XXX.
Side effectsIn individual cases, components of XXX may lead to sensitization. XXX should not be used in such cases. To avoid possible irritation of the pulp, areas close to the pulp should be protected with a suitable pulp/ dentin protector (apply a calcium hydroxide-based preparation in areas close to the pulp).
Efektet anësoreNë raste individuale, pjesët përbërse të XXX në raste të rralla mund të çojnë deri te sensibilizime të ndryshme te personat e predestinuar. Në raste të tilla duhet të hiqet dorë nga përdorimi i mëtutjeshëm. Për të mos ardhur deri te ngacmimet e mundshme të puplës, zonat pranë pulpës duhet të jenë të mbrojtura me mbrojtës të posaçëm të puplës/dhëmbit (afër puplës në formë pikash vendoni një preparat që përmban kalcium hidroksid).
InteractionsSubstances containing eugenol/oil of cloves may inhibit the polymerization of composite materials. Consequently, application of such materials together with XXX must be avoided. Discolouration may occur in combination with cationic mouthwashes, plaque disclosing agents, and chlorhexidine.
Ndikime të ndërsjelltaSubstancat që përmbajnë Eugenol/vaj e pengojnë forcimin e përbërjes. Duhet të hiqet dorë nga përdorimi i materialeve të këtilla bashkë me XXX. Në kantakt me lëngjet dezinfektuese për gojën, si dhe me klorheksidinin mund të shfaqet ngjyrosje.
Application1. Shade determinationClean the teeth prior to shade determination. The shade is selected with the tooth still moist.
2. Isolation
Appropriate isolation, best with a rubber dam (e.g. OptraDam® Plus), is required.
Përdorimi1. Përcaktimi i nuancësPasto dhëmbët para determinizimit të hijëzimit. Hijëzimi është selektuar me dhëmbin deri sa ai është end i lagësht.
2. Izolimi
Kërkohet izolim më i përshtatshëm dhe kjo më së miri arrihet me koferdam (p.sh. OptraDam® Plus).
3. Cavity preparationCavity preparation is carried out according to the requirements of the adhesive technique, i.e. protecting the tooth structure. Do not prepare sharp, internal edges or additional undercuts in caries-free areas. The dimensions of the cavity are generally determined by the extent of the caries or the size of the old restoration. Bevel enamel edges in the anterior region. For the posterior region, only the sharp enamel edges should be rounded (finishing diamonds, 25–40 μm). Caries-free cervical defects are not prepared, only cleaned with pumice or other suitable cleaning pastes with the help of rubber cups or rotary brushes. Subsequently, remove all residue in the cavity with water spray and dry with water- and oil-free air.
3. Përgatitja e KavitetevePërgatitja e kaviteteve pason sipas rregullave të teknikës adezive, p.sh., mbrojtja e strukturës së dhëmbit. Mos e përgatisni dhëmbëzime të brendshme e të mprehtë, ose dhëmbëzime shtesë në zonat e kariesit të lirë. Dimensionet e zgavrës në përgjithësi janë të vendosura në shkallën e kariesit apo madhësinë e restaurimit të vjetër. Skajet e smaltit të pjerrët në pjesën e mëparshme. Për pjesën e pasme, vetëm tehe të mprehta smalt duhet të rrumbullakosen (diamante të përfunduara, 25–40 μm). Defektetet e qafës së mitrës nuk përgatiten, ato vetëm pastrohet me shtuf apo gjëra tjera të përshtatshme, xhel pastrues, me ndihmën pastave pastruese apo furça rrotulluese. Më pas, hiqni të gjitha mbetjeve në zgavrë me anë të spërkatjes me ujë dhe e thani atë.
4. Pulp protection / BaseDo not apply a base material when using an enamel/dentin bonding agent. Only cover very deep areas close to the pulp with a calcium hydroxide material (e.g. ApexCal®) and subsequently use a pressure-resistant cement (e.g. a glass ionomer cement, such as Vivaglass® Liner). Do not cover other cavity walls, since they can be used to support the bond with an enamel/ dentin adhesive.
4. Mbrojtja e Pulpës / BazësMos aplikoni material për nënmbushje kur jeni duke përdorur ndonjë agjendë lidhëse për smaltin/dentitin. Mbuloi vetëm zonat e thella afër pulpës me një preparat të kalciumit hidroksidit (p.sh ApexCal®) dhe më në fund shtresohet me një shtresë stabile të çimentos (p.sh. Vivaglass® Liner). Pjesët tjera të kaviteteve nuk mbulohen, që të ketë vend për adezimin e smaltitdentinit.
5. Matrix / Interdental wedgeUse a wrap around matrix for cavities affecting the proximal area (e.g. the selectively thinned OptraMatrix) or a sectional matrix and wedge it.
5. Matriksi / Mbështjellësi matricëPërdor një mbështjellës matricë (p.sh. OptraMatrix®) ose matricën seksionale dhe shtrëngoni atë.
6. Conditioning / Application of the bonding agentCondition and apply the bonding agent according to the Instructions for Use of the product in use. We recommend using Syntac® (with phosphoric acid etching) or ExciTE® F (with phosphoric acid etching) or the self-etching adhesive AdheSE® One F.
6. Kondicionimi/Aplikimi i agjendës së produktit lidhësKondiciono dhe apliko agjendë sa u përket instruksioneve për përdorim të produktit lidhës. Ju rekomandojmë për-dorimin e Syntac® (me gel te acidit fosforik) ose ExciTE® F (me gel të acidit fosforik) ose Adezivin vetëngjitës AdheSE® One F.
7. Application of Tetric EvoCeram– For an optimum result, apply XXX in layers of max. 2 mm or 1.5 mm (Dentin shades, Bleach XL) and adapt with a suitable instrument (e.g. OptraSculpt). Use a special contact point instrument (e.g. the bifurcated OptraContact) for large cavities where the contacts are difficult to create.– Sufficient exposure to the curing light prevents incomplete polymerization. For the recommendations regarding exposure time and light intensity see Table 1.
– When using a metal matrix, additionally polymerize from the buccal or lingual/palatal after removing the matrix.
– In many cases, a flowable composite is used today as an initial layer to create an even cavity floor and to facilitate the adaptation of the subsequently used restorative material. A flowable composite (e.g. Tetric EvoFlow®) can be used in a thin initial layer. This optional layer has to be cured separately (please refer to the respective Instructions for Use).
7. Aplikimi i Tetric EvoCeram– Për të arritur një rezultat optimal, aplikojeni XXX në një shtresë max. 2 mm ose 1.5 mm (nuancat e dhëmbit, Bleach XL) dhe adapto ato më një instrument të përshtatshëm (p.sh. OptraSculpt). Përdorni pikën e instrumentit me një kontakt special (p.sh. OptraContact të bigëzuar) për kavitete të mëdha kur kontaktet janë më të vështira për t’u realizuar.– Ekspozimi i mjaftueshëm të dritës shëruese parandalon polimerizimin e pamjaftueshëm. Për rekomadime sa i përket kohës së ekspozimit (Exposure Time) dhe intensitetit të dritës (Light Intensity), shih tabelën 1.
– Gjatë përdorimit të matricës prej metali, polimerizo prej gjuhës/nepcës pas heqjes së matrices.
– Në raste te shumta, një përbërje e rrjedhshme që përdoret sot është vetëm një shtresë fillestare për të krijuar një shtresë govatë dhe ndihmojë adaptimin e materialit të përdorur restorative. Një përbërje e rrjedhshme (p.sh. Tetric EvoFlow) mund të përdoret në një shtresë fillestare të hollë. Kjo shtresë e hollë duhet të shërohet në mënyrë të ndarë (ju lutemi referojuni Udhëzimeve përkatëse për Përdorim).
8. Finishing / Checking the occlusion / PolishingRemove excess material with suitable finishers (e.g. Astropol® F) or fine diamonds after polymerization. Remove proximal excess with diamond or tungsten carbide finishers, finishing strips, or flexible finishing discs. Check the occlusion and articulation and apply appropriate grinding corrections to prevent premature contacts or undesired articulation paths on the surface of the restorations. Use silicone polishers (e.g. Astropol P,Astropol HP or Astrobrush) as well as polishing discs and polishing strips to polish the restorations to a durable high gloss.
8. Përfundimi / Kontrollimi i mbylljes / LustrimiLargo materialin e tepruar me përfundues të përshtatshëm (p.sh. Astropol® F) ose me diamante të lëmuar pas polimetrizimit. Largo tepricën e afërt me diamataët ose përfunduesit tungsten carbide, shirita përfundimtar, apo disqe fleksibël përfundimtarë. Kontrollo okluzionin dhe artikulimin dhe apliko korrigjimet e grimcuara për të parandaluar kontaktet e pamatura ose shtigjet e artikulimeve të padëshiruaranë sipërfaqe të restaurimit. Lustrimi i fundit bëhet me lustra të silikonit ((p.sh. Astropol P, Astropol HP, apo Astrobrush) si dhe me disqe dhe breza të lëmuar për t’i lëmuar restaurimet deri në një shkëlqim të qëndrueshëm.
Additional information1. In the case of repair, additional XXX can be directly applied to polymerized material. If the XXX restoration has already been polished, it must first be roughened and wetted with Heliobond before fresh XXX is applied.2. XXX should have at least room temperature when applied. Cool temperatures render the material difficult to extrude.
3. If XXX is applied from the Cavifil directly in the mouth of the patient, the Cavifil must not be used for more than one patient due to hygienic reasons (prevention of cross-contamination between patients).
4. Syringes or Cavifils should not be disinfected with oxidizing disinfection agents.
Udhëzimet të vecanta1. Në rast të riparimit, në mënyrë direkte mund të aplikoni XXX shtesë në materialin e polimerizuar. Nëse është e nevojshme XXX mund të aplikohet në mënyrë direkte në material të polimetrizuar. Nëse restaurimi i XXX tanimë është lëmuar, duhet që së pari të jetë i ashpër dhe i lagur me heliobond para se të aplikohet XXX i freskët.2. XXX gjatë përpunimit duhet të ketë temperaturë të dhomës. Temperaturat e ulëta ndihmojnë materialin që mos të shtrydhet.
3. Nëse XXX aplikohet nga Cavifil direkt në gojën e pacientit, për arsye higjienike është e përshtatshme vetëm për një pacient (për të shmangur infeksionin kryq në mes të pacientëve).
4. Shiringat apo Cavifils nuk duhet të dezinfektohen me agjentë dezinfektues të oksiduar.
WarningUnpolymerized XXX should not come in contact with skin, mucous membrane, or eyes. Unpolymerized XXX may have a slight irritating effect and may lead to a sensitization against methacrylates. Commercial medical gloves do not provide protection against the sensitizing effect of methacrylates.
Vërejtje– XXX i pa poli-metrizuar nuk duhet të vijë në kontakt me lëkurën/mukozën dhe sytë. XXX i pa polimetrizuar në gjendje të paforcuar mund të ketë ndikim ngacmues dhe mund të çojë deri te sensibilizimi i metakrylateve.
– Dorëzat medicinale të zakonshme nuk ofrojnë mbrojtje nga efektet sensibilizuese të metakrylateve.
Storage– Do not use XXX after the indicated date of expiration.– Storage temperature 2–28 °C / 36–82 °F.
– Close syringes / Cavifils immediately after usage. Exposure to light causes premature polymerization.
– Shelf life: see information on Cavifils, syringes and packages.
Udhëzime për ruajtje– Mos e përdorni XXX pas datës së skadimit.– Ruhet në temperaturë 2–28 °C/36–82 F.
– Shiringat/Shishet pas përdorimit duhet të mbyllen menjëherë. Hyrja e dritës çon deri te polimerizimi i parakohshëm.
– Afati i përdorimit: shih udhëzimet në mbështjellës, në shiringë dhe në paketimin.
Keep material out of children’s reach.For use in dentistry only.This material has been developed solely for use in dentistry. Processing should be carried out strictly according to the Instructions for Use. Liability cannot be accepted for damage resulting from failure to observe the Instructions or the stipulated area of application. The user is responsible for testing the material for its suitability and use for any purpose not explicitly stated in the Instructions. Descriptions and data constitute no warranty of attributes and are not binding.
Mos lejoni të preket nga fëmijët!Vetëm për përdorim stomatologjik!Ky material është paraparë për përdorim për qëllime stomatologjike. Produkti duhet të përdoret sipas informacioneve për përdorim. Për dëmet që mund të dalin nga përdorimi i ndryshëm ose në kundërshtim me përdorimin e rekomanduar, prodhuesi nuk mban përgjegjësi. Përveç kësaj përdoruesi është i detyruar, që produktin ta përdor me vetëpërgjegjësi dhe të kontrollojë mundësitë e përdorimit për qëllimet e parapara, sidomos nëse këto qëllime nuk janë të dhëna në informacionet për përdorim. Përshkrimet dhe shënimet nuk përmbajnë garancion të atributeve dhe nuk kanë për qëllim ndonjë lidhje.
|
40,620 | https://peizazhe.com/2022/03/07/burreria-ka-vdekur/ | null | 2022-03-07T17:27:42 | BURRËRIA KA VDEKUR! | nga Oksana Duqi
Ka disa ditë që dëgjova dikënd të shpjegonte fjalën burrëri (a burrni). Po e perifrazoj: “Kur them se ai ka burrëri, dua të them se e mban fjalën, i qëndron asaj që ka thënë. Ja kjo është burrëria.” Atëherë, unë jam burrë me siguri. Nëse burrë do të thotë të jesh njeri i fjalës, jam burrë. Megjithatë, unë jam vajzë, jam grua. Atëherë, fare shkurtimisht, ashtu si përkufizimi shkurtimisht i perifrazuar, rezulton që unë jam edhe burrë, edhe grua. Thënë ndryshe, një burrë është një grua. Nga ku rrjedh edhe se një grua është një burrë. Pra, një grua e mban fjalën, i qëndron asaj që ka thënë.
Mund të duket si një lojë fjalësh, edhe pse ka shumë kuptim. Gjithsesi, ju detyrohem një shpjegim më të detajuar. Jo vetëm për të vërtetuar atë që deklarova më lart, por për të justifikuar edhe ndonjë gabim filozofik nga entuziazmi i së vërtetës që parashtrova aq çlirët.
Për të analizuar pak ç’do të thotë të bësh atë çka thua a premton se do të bësh, t’i qëndrosh në vazhdimësi fjalës që thua, është një nga elementët e të krijuarit besim tek të tjerët e vetja. Jam mirënjohëse që mund t’i referohem një studimi të plotë mbi besimin, kështu skeptikët do t’i mbyllin sytë e ta lënë leximin përgjysmë prej faktit se ka një studim që më ndihmon të vërtetoj çka thashë në fillim.
Të besuarit a të krijuarit besim, në kornizën e plotë, përmban shtatë elementë. Kjo është studiuar nga një kërkuese shkencore që vjen nga studimet në Punë Sociale, Brené Brown. Shtatë elementët e të besuarit, në anglisht formojnë akronimin BRAVING: boundaries, reliability, accountability, vault, integrity, nonjudgment, generosity. Pra, kufijtë, të qenit i përgjegjshëm, dy anët e konfidencialitetit, integriteti, jo- (para)gjykues, zemërgjerësia. Ndërkohë elementi i dytë për nga akronimi, qëllimisht i lënë në fjali më vete – reliability, është në shqip është elementi i cili u parashtrua që në fillim. Një përkthim i fjalës reliability, sugjerohet të jetë besueshmëri a qëndrueshmëri, por nuk do të përdoret vetëm një përcaktim specifik, meqenëse besueshmëria në vetvete ndahet në elemente dhe përfshin shumëçka tjetër, kurse qëndrueshmëria duhet kuptuar në kontekstin e dhënë.
I kërkoj ndihmë dikujt për të më dhënë një mendim mbi atë çfarë kam shkruar. Personi e lexon shkrimin dhe më jep një mendim, pavarësisht angazhimeve të veta e orëve të lodhshme të punës. Ky është një person që e mban fjalën. Megjithatë në këtë rast përfshihen edhe elemente të tjera të besimit, si integriteti, të qenit jo-(para)gjykues, të cilat janë të rëndësishme po aq sa çdo element tjetër.
Situatat e ndryshme, ndonjëherë ato që duken të vogla, ndonjëherë si të parëndësishme janë ato të cilat ndikojnë shumë, sepse të mbash fjalën është një vlerë që matet vazhdimisht dhe jo vetëm njëherë. Në këtë rast i referohemi qëndrueshmërisë.
Kur dikush, neglizhon të ardhurit në orar në takim vazhdimisht, ose fillon një luftë me Ukrainën pasi ka mohuar planet për ta sulmuar, thyen një element të rëndësishëm të besueshmërisë. Pra, çdo veprim ka ndikimin e vet, qoftë i thjeshtë dhe që ndikon në një person, a qoftë një veprim që ndikon botën. Çdo rast i përmendur deri më tani, lidhet me besimin e qëndrueshmërinë në raport me të tjerët (duke ndikuar edhe në perceptimin për veten).
Në raport me veten, gjithashtu rastet janë të shumëllojta. Një njeri që është pro idesë se qyteti u përket qytetarëve dhe jo personave specifikë, do ta shprehë atë qëndrim në mënyrat e veta: kritikon hapur shkatërrimin e qytetit, ngre zërin në atë zyrën ku po i shkelen të drejta. Kjo nuk neglizhon asnjë formë reagimi, pse është e rëndësishme të konsiderohet çfarë vetë personi vëren si të vlefshme, duke konsideruar kontekstin nga i cili vjen. Ja një shembull i bujshëm se si të vendosësh në zbatim atë që i thua vetes, e njeh në veprime.
Ama, nëse dikush e ka të vështirë të dalë nga dera e shtëpisë dhe i thotë vetes se do të dalë dhe del jashtë asaj dere, ndonjëherë apo shpesh, në varësi të qëllimit që i vendos vetes, kjo është të mbash fjalë që i thua vetes. Janë fort të rëndësishme fjalët që i themi vetes, qofshin ata të lidhura me veprime që të tjerët i shohin e qofshin të fshehura në bisedime që ndodhin veç në kokë.
Secili person mund të ketë situatat e veta që i vijnë ndërmend, të cilat i konsideron si të rëndësishme apo më pak të rëndësishme. Thelbi qëndron në faktin se të mbash fjalën, të vësh në veprim atë që shpreh se është e vërteta e personit, është vlerë njerëzore. Nuk pati as nuk ka rëndësi në ndonjë moment nëse një person është i një gjinie, race, moshe, orientimi seksual a diçka tjetër që e prezanton si pjesë të një grupimi apo komuniteti të caktuar. Të ndërtosh besim tek vetja e tek tjetri është me rëndësi për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme a perceptime pozitive.
Unë i qëndroj asaj që them pse jam qenie njerëzore. Ndaj, më datë 8 Mars, ju ftoj të varrosim burrërinë. Nuk ka asgjë të tillë, as superiore, as inferiore. Më vjen keq nëse parashtrimi për lajmërimin e vdekjes së burrërisë ka lënë ndokënd të revoltuar apo të zhgënjyer. Është e vërtetë që vdekjet e varrimet janë të rënda emocionalisht. Por janë të domosdoshme. Ndaj jeni të ftuar të gjithë të vini. Kodi i veshjes: jo veshje të zeza. Nuk mbahet zi për vdekje, asgjë nuk mitizohet pas vdekjes.
(c) 2022 Oksana Duqi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
21,454 | https://peizazhe.com/2016/03/13/shkruesia-dhe-leximi-si-perbetim/ | null | 2016-03-13T07:33:00 | SHKRUESIA DHE LEXIMI SI PËRBETIM | nga Arb Elo
Një nga leximet që më kanë lënë më shumë mbresa në jetë ka qenë padyshim përballja e parë me „Procesi“-n e Kafkës, përvojë kjo për të cilën i detyrohem një të njohurit tim sipërfaqësor atëbotë, ndoshta ndonjë dashamirës i grupit tonë shoqëror, por mbase edhe hafije e Sigurimit, me motivin për të na bërë bashkëfajtor leximesh „të ndaluara“.
Ai përmendi si shkarazi në ndarjen tonë prej disa vetësh, ndarjen e përmbrëmshme diku andej nga Rruga e Fortuzit, se kishte atë darkë, porse i duhej doemos ta kthente prapë në mëngjes, romanin e famshëm në shtëpi, të cilin ne të tjerët e kishim me të dëgjuar, natyrisht duke e ditur fort mirë se kjo përmendje kish efekt të përkundërt; atë të përgjërimit për të na e huazuar atë. Ne të tjerët ishim tre e kështu i binte që librin ta mbante gjithsekush për tri orë. Mua më qëlloi turni 12,00-3,00 i natës.
Më në fund ora shkoi dhe poshtë dritares sime në kat të parë u shfaq në errësirë, mu si Herr K., për të cilin do të lexoja ca minuta më vonë, silueta e të parit shok, që ma dorëzoi nga poshtë vëllimin me fjalët: „I fortë shumë!“, por që me siguri ose nuk e kishte lexuar fare, ose nuk kish marrë shumë vesh për ç’bëhej fjalë aty. Këtë e them se më vonë, kur binte fjala për librin, mjaftohej veçse me vërejtjen „E kam lexuar!“ e nuk merrte pjesë kurrë në bisedat që bënim ne të tjerët për të.
Në ora 12.00 fiks pra u ula në ndenjësen e parapëlqyer, pasi i kisha përgatitur vetes një kafe turke, nga ato që të hedhin në erë, për të mos fjetur mbi fashikujt, dhe mobilizova gjithë qelizat e mundshme për të mos lënë asgjë të më shpëtonte nga proza e çekut, por u zhgënjeva rëndë qysh në fjalitë e para. Kjo sepse përkthimi ishte bërë në kosovarishte bruto,- „tullë“, do të shtonte ndoshta këtu ai shoku im i lartpërmendur,- dhe, ndonëse librin, bëra si bëra, e çova me shumë vullnet deri në fund, nuk mund të them se mora vesh gjë; më e saktë do të ishte të thuhej: „e mora me mend“ se për çfarë bëhej fjalë.
Mund të krahasohej kjo përvojë e çuditshme me teleshikimin e sa e sa filmave, edhe ata të ndaluar, gjysmë erotikë më së shumti, që veç kujtoje se i shikoje pas perdes së „mizave“ të ekranit dhe etheve për ta lëvizur „kanaçen“ a „grupin“ nëpër dhomë a „varakun“ nëpër kabëll e për të gjetur kështu një pikë në të cilën „e merrte“ më mirë. Më shumë se shikoje filmin, tani që e mendoj edhe një herë, ka shumë të ngjarë që ne të shihnim pikërisht pritshmëritë tona për çka na kishin privuar në ekran e të plotësonim kështu pjesën e paparë të pamjes me atë që „dëshironim“ të shihnim aty. Filma që në atë kohë bënin bujë e na ngjanin radikalë, si për shembull „Tango e fundit në Paris“, kur i kam parë në një kohë të dytë, me pamje të pastër e me ekrane me ngjyra e me funksionin „revers“, më kanë ngjarë thuajse puritanë për nga erotika, të cilën e mendoja deri më atëherë si tepër të guximshme.
E megjithatë, një pjesë të madhe të respektit dhe admirimit që kam për Kafkën ia detyroj atij leximi, që tek e fundit nuk ishte as i tillë, lexim pra.
Ndërsa m’u ndërmend këto ditë me vete e gjitha kjo, shpejt arrita në përfundimin se leximi si i tillë është gjysmak pa gëzimin e paraleximit, pa parantezën e tij, e ky mendim më degëzoi në asosiacionin e shkruesisë si procesi i parë në këtë vargan hallkash që lidhen jo me patjetër në rendin e duhur me tjetrën: paranteza e shkruesit: pritshmëria e tij- shkruesi- shkruesia- pritshmëri shkruesi- pritshmëri lexuesi- lexim.
Një nga pyetjet që i mundon më së shumti shkruesit për të qenë, përkrah të famshmes „Pse shkruaj?“, është ajo „Për kë shkruaj?“. Shkruesit që të përgjigjen: „Për të tërë lexuesit“, me pak përjashtime, mund t’i klasifikosh menjëherë tek ata që nuk shkruajnë mirë, thjesht sepse është e pamundur „të shkruhet“ për të gjithë.
Ka intervista pa fund shkrimtarësh të shquar e të mëdhenj për këtë çështje e përgjigje po aq të panumërta, plot mendjehollësi e esprit, përvojë jete e shkrimi. Mirëpo kjo nuk ia zbeh aspak pyetjes mprehtësinë dhe virgjërinë, nuk ia topit asaj asnjëherë aktualitetin.
Sidomos në kohët tona, kur paradigmat e marrëdhënieve, tradicionale deri para pak vitesh, janë kthyer thuajse kokëposhtë nga mundësitë relativisht të reja teknologjike.
Ndonëse edhe libraria e dikurshme nuk ishte vend i mbrojtur deri në fund,- qarkullimi i librit ish asokohe dhe vazhdon të jetë i pakontrollueshëm prej autorit,- vetë forma fizike e librit në letër si e tillë e kufizonte mjaftueshëm prostituimin e tij të pafré, e ruante atë nga duart e ashpra të harbutëve, i ruante vetiu perlat nga derrat, si të thuash. Ndërsa sot, më shumë se kurrë, – dhe gjasat janë se do të bëhet edhe më keq,- ka fort të ngjarë që vargjet a rreshtat e tua, ku ke hedhur, sipas teje gjithnjë, gjëra intime e të dëlira, ndoshta të çmuara pa çka se këtë nuk e vendos ti, të t’i kopjojë pa turp ndonjë xhambaz forumesh, të cilat nuk e di as se ekzistojnë, e t’ia hedhë për mbllaçitje turmës së të ngeshëmve të salloneve të llotarive, që në pushimet mes dy basteve të vëna futbolli, të shajnë nga nëna me gramatikë natyrisht të përçudnuar.
Mund të krahasohej kjo me publikimin në faqe të parë të të përditshmeve, pa dëshirën e protagonisteve kuptohet, të fotove të tyre intime, ku kanë hequr reçipetat për të dashurin, për veten e tyre apo thjesht se janë gjendur në ndonjë plazh ku kjo lloj lakuriqësie nuk përbën problem.
Mund të ngresh krahët në pafuqi përkundër zhvillimeve të tilla; mund të nisësh beteja të pamundura ligjore me ata që abuzojnë me privatësinë tënde e me radhë, porse ndoshta ka ndonjë mënyrë për t’iua hedhur atyre më me lezet.
E këtu m’u ndërmend sërish fytyra mospërfillëse e të njohurit tonë të dikurshëm, të përmendi si shkarazi e në ndarje e sipër se kishte për një „one night stand“ „Procesi“-n në shtëpi.
Duhet shikuar për strategji të reja, mendova. Promovimet, lexuesi,- më së shumti i përfytyruar, por që është kimerë e autorëve dhe botuesve,- kritika kinse, dashamirësit, shokët, miqtë, admirueset: gjepura egosh të pashuara.
M’u kujtuan ca materiale për „desantin ajror“ dhe pushkën „model 52“, materiale „për përdorim të brendshëm“. Pikërisht, më shpëtoi një si eureka!, kjo është zgjidhja: krijimi i ca rretheve të mbyllura, diçka si ato klubet angleze të xhentëlmenëve, ku nuk mund të hysh pa rekomandimin e të paktën tre vetave.
Dhe në mendje m’u formëzuan menjëherë delirime qarqesh konspirative me letërsi të mirë, rrethe kontrabandiste poezie të zgjedhur, dealer-a që të japin „mall“ të freskët prej autorit anonim K.P.
Dhe lexues të trullosur nga kureshtja për të marrë vesh se kush na i paska në dorë fatet e shqipes: judenjtë e Vëllazërisë së Sionit, kryqtarët e trëndafilit apo dhe vetëm e thjesht ai tipi i gërmuqur që e pi kafenë me pak ngjitur me Kullën e Sahatit. Flitet për një mjeshtër të gradës së tridhjetëetretë nga Komuna e Parisit; se kush është tamam-tamam e dinë vetëm shtatë persona në këtë botë, as më pak e as më shumë, tre emigrantë klandestinë në Greqi dhe katër virgjëresha sepse murgesha të letërsisë; ka dalë kohët e fundit një „stof“ i mirë fort dhe i fortë; thuhet se e ka gatitur një usta nga Veriu në gegnisht: ku muj me e gjet’? Ah, nuk gjendet, as mos e ço nëpër mend, më lehtë gjendet kupa e shenjtë.
Si mund të bëhem anëtar i këtij sekti nëntokësor? Duhet të të rekomandojnë të paktën tre vetë. Që të ndodhë kjo duhet të biesh në sy së pari si aktivist, pastaj si militant, pastaj të gradohesh si njeri me shije dhe i letrave e të shpresosh se dikur, në një kohë të pacaktuar, ndoshta kurrë, do të të qaset në ndonjë qoshe të mugët dikush me kapuç të ulur fort mbi vetulla e do të të lerë në dorë ftesën për aktivin e radhës… le që pse i bie kaq gjatë dhe unë? E ke parë filmin „Eyes wide shut“? E kam parë posi. Ja, mu si në film do të të ndodhë edhe ty. Me femra lakuriq, me shampanjë, me maska dhe me orgji thua? E ke vërtet? Në mes të Tiranës? Pak a shumë, po, por nuk është e thënë të jetë as në Tiranë e as me seks dhe drogë e muzikë. Por me çfarë atëherë? Kjo pra është pyetja. Se po ta dija vetë, do të isha anëtar, po ja që s’jam akoma. Hë, hë, se je ti, por bën sikur nuk je… Nuk jam vërtet, të betohem! Po ç’do të thoje ti po të ishe, që jam? Edhe kjo qëndron. Atëherë je? Të thashë që s’jam. Je, ti je… e kështu me radhë pafundësisht.
|
308 | https://peizazhe.com/2007/12/25/shqipja-totalitare-xxvi/ | null | 2007-12-25T04:12:14 | SHQIPJA TOTALITARE (XXVI) | Ligjërimi publik gjithnjë i ngjan teatrit, me aktorë që shkëmbejnë replika duke i qëndruar pak a shumë besnikë një teksti bazë, përpara një publiku që merr pjesë në këto shkëmbime sporadikisht, por që është megjithatë i pranishëm në ligjërim si trysni sociale.
Natyra teatrale e këtij ligjërimi edhe në kontekstin politik totalitar është për t’u mbajtur gjithnjë parasysh, kur analizohet përdorimi i përemrave vetorë nga ana e ligjëruesve. Analiza e këtyre përemrave, nga ana e vet, nuk është aspak ushtrim skolastik e rutinë, por ndihmon drejtpërdrejt për të kuptuar rolet në procesin e ligjërimit, si dhe bashkëveprimin e këtyre roleve me hierarkinë e pushteteve.
Mes konteksteve të shumta ligjërimore, po zgjedh për të analizuar gjyqin politik, ose atë situatë kur dikush akuzohej, në publik, se kishte gabuar. Gjyqi politik shembëllzohej në praktika ndërveprimi publik që shkonin nga mbledhjet e Byrosë Politike, në mbledhjet e organizatës së Rinisë në një shkollë 8-vjeçare, ose të organizatës-bazë të Partisë në një lagje qyteti. Nga ana tjetër, analistët e ligjërimit kanë vënë në dukje se ligjërimi publik, në përgjithësi, priret të modelohet sipas ligjërimit gjyqësor, ose gjuhës, roleve, teksteve dhe konteksteve në sallë të gjyqit; dhe kjo vlen edhe për ligjërimin totalitar.
Gjyqi politik ndiqte, zakonisht, një skenar pak a shumë standard: në krye parashtrohej gabimi dhe tregohej me gisht fajtori; pastaj u jepej fjala njerëzve ose dëshmitarëve “nga salla” për ta mbështetur, përforcuar ose kundërshtuar akuzën; më pas i jepej mundësia fajtorit vetë për t’u mbrojtur, dhënë llogari ose bërë autokritikë që mund të pranohej ose jo; më në fund, kolektivi ose i organizata merrte vendim në lidhje me çështjen në fjalë, zakonisht me votë të hapur.
Kush merrte fjalën për të parashtruar akuzën, mund të zgjidhte midis dy përemrave vetorë për veten: “unë” dhe “ne” (vetë e parë njëjës ose shumës të përemrave, së bashku me format foljore përkatëse, madje edhe kur këto të fundit përdoreshin të pashoqëruara nga përemrat). Tipike për ligjërimin totalitar ishte tkurrja totale e përdorimit të vetës së parë njëjës, në të gjitha ato raste kur folësi interpretonte akuzën. Që nga Enver Hoxha në majë të piramidës të pushtetit, deri te një komandant çete në një shkollë fshati malor, akuzuesi do t’i drejtohej vetes rregullisht si “ne”.
“Ne” si përemër vetor shënon folësin si pjesë të një grupi me të cilin identifikohet folësi; në rrethanat e ligjërimit publik, shumësi sjell me vete edhe forcën ose arrogancën e grupit. Në gojën e një udhëheqësi të lartë, p.sh. të Enver Hoxhës, “ne” mund t’i referohej popullit shqiptar, komunistëve, Partisë, Byrosë Politike, Plenumit, Komitetit Qendror, proletariatit ndërkombëtar, revolucionarëve, masave të gjëra e kështu me radhë. Në gojën e një diskutuesi të thjeshtë në bazë, “ne” i referohej zakonisht kolektivit të qendrës së punës, por edhe grup-moshës: “ne të rinjtë e fshatit”, profesionit “ne volejbollistet e Dinamos”, ose vendbanimit: “ne qytetarët e Lushnjes”. Me fjalë të tjera, përemri vetor në shumës i jepte folësit liri të madhe në identifikimin e grupit ku dëshironte të bënte pjesë.
Nga pikëpamja e etikës totalitare, sa më kolektiv të ishte një veprim, një akt, një plan, ose një synim, aq më të mëdha ishin gjasat që ky të ishte në anën e së drejtës. Kur Enver Hoxha i drejtohej armikut të radhës në byro, për t’i thënë: “ne të kemi këshilluar disa herë,” shumësi e bënte edhe më të padiskutueshme fajësinë e të akuzuarit. Kur sekretari i Partisë i drejtohej një qafëleshi në mbledhjen e kolektivit me fjalët: “sa herë të kemi thënë që të qethesh?”, detyrimi i viktimës për t’i shkurtuar flokët merrte karakterin e një ligjësie objektive.
I akuzuari, nga ana e vet, nuk lejohej të përdorte vetën e parë shumës; sepse çdo “ne”, në gojën e fajtorit, do të implikonte vetvetiu në faj të tjerë pjesëtar të grupit, real ose imagjinar. Prandaj, shpesh “armiqve” do t’u kërkohej, nga drejtuesit e mbledhjes, që ta sqaronin se cilët ishin këta “ne”. Për këtë arsye, i vetmi përemër i disponueshëm mbetej ai i vetës së parë njëjës: “unë”, i cili e mbante fajin të bashkëlidhur me autorin individ.
Kjo ndarje rolesh, midis kolektivin “ne” si akuzues, dhe fajtorin “unë” si të akuzuar, merrte përmasa pothuajse mitike; deri në atë shkallë sa kësaj mase sa abstrakte, aq edhe imagjinare njerëzish t’i toleroheshin gjykime dhe vendime përndryshe infantile, të skajshme dhe ndonjëherë krejtësisht absurde.
Nga ana tjetër, përdorimi në publik i përemrit të vetës së parë njëjës do t’i shoqërohej aq shpesh ligjërimit të fajtorit – autokritikës, dhënies llogari, shfajësimit, kërkesës për zemërgjerësi, pranimit të fajit, deponimit të plotë, e kështu me radhë – saqë vetë përemri njëfarësoj do të shmangej nga përdorimi, deri edhe në nivelet më të larta të pushtetit. Në forma ligjërimore deklarative ose përshkruese, “unë” tradhtonte dobësinë, braktisjen nga grupi, humbjen e privilegjit për të përfaqësuar të tjerët; “unë” ishte e pështirë dhe intelektuale; “unë” ishte interesi i përveçëm mbi atë të përgjithshmin.
I vetmi kontekst ku përdorimi i përemrit “unë” ose i vetës së parë njëjës në përgjithësi mbetej krejtësisht legjitim, ishte ai i ligjërimit performativ, me të cilin, duke folur kryejmë edhe një akt të mëtejshëm, përtej aktit të të folurit. Shembuj të performativit eksplicit në shqipen totalitare do të ishin:
Betohem para flamurit dhe shokëve të mi pionierë…
Unë zotohem para kolektivit se planin e vitit 1970 do ta realizoj brenda vitit 1969…
Marr angazhim para Partisë që…
U premtoj solemnisht shokëve se sot e tutje do të marr vetëm dhjeta.
I jap fjalën Byrosë Politike se që sot e tutje…
Kur prodhimi i këtyre thënieve është njëkohësisht edhe akt i betimit, zotimit, angazhimit, premtimit, etj. Natyrisht, akte të tilla mund të realizoheshin edhe në vetën e parë shumës, në rrugë tepër konvencionale, për shembull në letra drejtuar udhëheqjes:
“Ne blegtorët e kooperativës së tipit të lartë të Gollokamjes “Marsel Kashen” zotohemi se do ta rritim prodhimin e leshit me 30% brenda vitit 1982.”
Një formë edhe më abstrakte e identifikimit me grupin ishte zëvendësimi i krejt përemrit me një emër kolektiv të vetës së tretë, që ndodhte rëndom në ligjëratat e krerëve totalitarë: në gojën e Enver Hoxhës, “këtë ia ke mbajtur të fshehtë Partisë” donte të thoshte “këtë ma ke mbajtur të fshehtë mua.”
Brenda kontekstit të një gjyqi politik, edhe përemri vetor i vetës së dytë njëjës mund të shndërrohej në armë për të goditur armikun – të cilit kushdo mund t’i drejtohej me “ti”. Kundërvënia ti/ju në ligjërimin shqip, për të shprehur shkallë të ndryshme të politesës dhe të familjaritetit, nuk ishte aq e formalizuar sa, të themi, në frëngjishte; megjithatë, ishte e vetmja e përdorshme, kur ishte fjala për ta përdorur përemrin si të ishte një vezë e prishur ligjërimore për t’ia vërvitur objektit të urrejtjes ose përbuzjes.
“Pa na thuaj, ç’deshe ti në makinën e ambasadës jugosllave?” do të pyeste Enver Hoxha nuk di ç’viktimë, në gjyqin politik të autorëve të puçit ideologjik, në konferencën e Partisë së Tiranës, në 1956. Kur përemri ti shoqërohej edhe me emrin e plotë të të akuzuarit, për këtë të fundit nuk kishte më shpresë shpëtimi:
“Ti Kadri Hazbiu kujtove se do t’i hidhje hi syve Plenumit.”
Përkundrazi, togfjalëshi i tipit: “ti Kadri”, pa mbiemrin, linte akoma pak hapësirë shprese, meqë veta e dytë njëjës ende nuk ishte zhveshur tërësisht nga familjariteti, i mbështetur në të kaluarën e përbashkët.
Kjo përforcohej edhe nga mungesa e qëllimshme e ndajshtesës “shoku” para emrit.
Nga ana tjetër, “ju” ishte përemri i sallës, i publikut, ose i atyre që kishin gjithnjë të drejtë. “Ju” ishte titulli me të cilin udhëheqësi u drejtohej masave të gjëra punonjëse, turmave oqeanike shesheve të kombit, minatorëve, shkrirësve të bakrit, naftëtarëve pararojë, tekstilisteve, vullnetarëve të hekurudhës, nxënësve ditën e parë të shkollës, veteranëve në Festën e Brigadës. “Ju” ishte edhe idhulli, edhe objekti i propagandës totalitare.
Brenda një dinamike të përkundërt, “ju” shërbente si përemri i shenjtë me të cilin publiku (populli, masat) i drejtoheshin udhëheqjes: “Ju, shoku Enver” mbartte në vetvete edhe nderimin, edhe adhurimin e folësve për komandantin; të cilët folës, p.sh. në një letër përshëndetëse, nuk mund t’i drejtoheshin vetes veçse si “ne”, meqë ishte e pamendueshme që një “unë” t’i drejtohej sy për sy timonierit të revolucionit.
Më në fund, veta e tretë, njëjës dhe shumës, përfaqëson një klasë të dobët përemrash vetorë, gjithnjë të mpleksur me dëftorët e së njëjtës formë. Përdorimi i tyre në ligjërimin publik e sjell gjithnjë me vete një farë artificialiteti, siç duket nga shembuj të tipit: “Ai nuk jeton më. Ai ka vdekur. Atë e vrau plumbi i një fashisti, në zgrip të arës me grurë,” që tradhtojnë edhe formën më kaba të kitsch-it letrar në shqipe. Për këtë arsye, në kontekstin e gjyqit politik, prirja ishte që vetorët ai/ajo të zëvendësoheshin nga dëftorët e afërsisë ky/kjo, pavarësisht nga shkalla e afërsisë reale ose të perceptuar.
Zëvendësimi i ai me ky e reduktonte distancën, duke e paraqitur folësin si në kontroll të plotë të situatave:
“Na kanë thënë që ky ka marrë takim me eksponentë të Ballit Kombëtar në Zonën e Parë Operative.”
Si edhe në rastin e përemrit ti, edhe ky, në përdorimin e vet përemëror, e sillte me vete një farë kërcënimi të fshehtë, ose të maskuar; në kundërvënie me përmendjen e emrit të plotë të personit, mundësisht të shoqëruar nga ndajshtesa shoku.
Të krahasohen:
Titoja i propozoi shokut Nako bashkimin e ushtrive.
Titoja i propozoi këtij bashkimin e ushtrive.
Në situata të tilla, përdorimi i përemrit tradhton një dëshirë, sado instinktive, për të mos e përdorur emrin; i cili vjen duke u shndërruar në tabu, si emri i një armiku, ose së paku i dikujt që dyshohet se ka tradhtuar, ose gabuar rëndë.
Për t’u shënuar është edhe se, në ligjërimin subversiv, përemri këta u referohej rregullisht klasës në pushtet: “këta nuk e kanë të gjatë”; “nuk ikin këta pa gjak”; “ku iu merret vesh këtyre, o të keqen.” Arsyet e këtij përdorimi ndoshta duhen kërkuar jo vetëm në tabunë e përmendjes së emrave, por edhe në perceptimin e udhëheqjes totalitare si të kudogjendur, ose të gjithëpranishme.
Në teatrin e ligjërimit publik totalitar, vetorët njëjës përfaqësonin rregullisht fajtorët, aq të vetmuar sa edhe delet e ndara nga tufa; së bashku me të gjithë ata që mungonin në skenë, ose vetën e tretë. Përkundrazi, vetorët shumës, të sigurtë në drejtësinë absolute të vijës së tyre, e luanin tashmë pa asnjë lloj lëkundjeje e dyshimi rolin e trefishtë të akuzuesit, gjykatësit dhe xhelatit. “Ne” dhe “Ju” shndërroheshin kështu në shenja të fitores së kolektivit ndaj individit, ose të masës ndaj “njëshit”; fitore që ishte e shkruar në rendin e sendeve, e që i premtonte jetë të gjatë sa malet totalitarizmit në Shqipëri.
|
7,761 | https://peizazhe.com/2011/07/11/bjeri-ti-biem-2/ | null | 2011-07-12T01:17:21 | BJERI T’I BIEM | nga Xhabyni
Tashmë që vendimi u mor, tashmë që fjala u tha të gjithë janë gati të zbrazin armët e tyre. Një pjesë e kaubojsave do të godasin fituesin ndërsa një pjesë tjetër e kaubojsave do të mbrojnë fituesin, po më tej? Më tej nuk ka asgjë, të paktën nuk e di se çdo të ndodhë. Por gjithsesi patllaket kësaj radhe do të jenë mbushur më mirë, municionet do jenë grumbulluar më shumë dhe gjithsekush ka thurur planet për të sulmuar shënjestrën e kundërshtarit.
Ata që kanë rënë nga pushteti do të jenë më të egërsuar për të sulmuar fortifikatën në të cilën sapo është vendosur fituesi i ri, sepse pluhuri i të mospasurit pushtet do t’i ketë lënë një shijë shumë të hidhur, ndërkohë që fituesi dhe kaubojsat e tij do të zënë vendet pranë fortifikatës në mënyrë të tillë që t’i bëjnë ballë sulmit të atyre që sapo u larguan për të ruajtur pushtetin.
Ata që do të sulmojnë fituesin do të përdorin fishekë sa populistë aq edhe juridikë, por në çdo rast do distancohen nga të qenët një analist për popullin apo një jurist, kështu do të jenë kaubojsa më të zellshëm dhe më të rrezikshëm për t’u mbërthyer apo për t’iu mbyllur goja, sepse do të flasin nga “padija” apo nga dija e marrë në një moshë të vonë.
Do të ngrihen edhe do të pohojnë se regjimi i mëparshëm në bashki ishte shumë më i suksesshëm dhe më i mirë menaxhuar se ai që do të vijë tani. Do të pohojnë se zgjedhjet u vodhën (a thua të jetë e para herë që ndodh kjo?), do të krahasojnë Shqipërinë dhe Tiranën (që me demek e duan si sytë e ballit) me ndonjë Kandahar, Azerbaixhan, Republikë Islamike, Sudan Jugor etj; duke rënë nga paragjykimi në racizëm, ndërkohë që mbiemrave të ndryshëm të krahut fitues do t’u veshin ndonjë prapashtesë turkoshake apo me origjinë lindore si për të treguar nofkën “Ja Lulka është bir i lindjes, nuk është perëndimor si Edi”. Do të përdorin thashethemnajat që bëjnë në Lounge-t e Tiranës si meze për shkrimet e tyre duke vënë gjithnjë në pah se nuk po vajtojnë për karrigen e humbur, por për Tiranën e dashur.
Ndonjë kauboj do të bëj edhe ndonjë dredhi lufte duke sulmuar me kinse komandantin e tij, për t’i mëshuar faktit se po mendon për Demokracinë (pra për popullin, qytetin, komunitetin), por në realitet vetëm po mëkon dhe ngushëllon komandantin, sa herë që ai kujtohet se ka humbur pushtetin.
Kështu duke u kthyer në një filozof cinik, kauboji në fjalë, fillon dhe i predikon moralin e lartë (brenda një audience të madhe), moralin e përkryer, ndërkohë që komandanti i tij luan rolin e atij liderit të penduar që ka kuptuar gabimin dhe që premton se jo vetëm që do ndryshojë por edhe do sjellë ndryshimin.
Dikush tjetër thotë se do të largohet nga qyteti, se tashmë në këtë qytet nuk mund të jetohet më, duke qenë se kamzalinjtë do ti zënë vendin tepelenasve, duke qenë se me shumë mundësi Lulka do ti heqë nga puna të gjithë dhe ndryshe nga komandanti i tij ai nuk do ketë mëshirë për askënd.
Po ç’të bëjë Luli kur Edi të gjithë ushtarët dhe figurat e tij i kishte krijuar me duart e veta në bashki?! Dikush tjetër do të dezertojë sepse s’do të durojë më “vuajtjen” e të qenit pa pushtet dhe do të vijë me flamurë të bardhë përpara kalasë së fituesit duke shpresuar në mishërimin e shprehjes “Armiku i armikut tim është miku im!”.
Kaubojsat që janë rreshtuar krah Lulit, do të mundohen të mbrojnë idetë e tij (që në të shumtën e rasteve janë dhe idetë e tyre), për të ruajtur balancën mes kritizerit dhe shtytësit. Shumë prej tyre do t’u duhet t’i thonë shpesh derrit dajë. Disa të tjerë mund të mbeten të zhgënjyer, sepse mund të kenë shpenzuar shumë në këtë betejë dhe tani nuk do të jenë të kënaqur me plaçkën e luftës, kështu që do të mërziten…do të dezertojnë.
Disa syresh do të sulmojnë Lulin sepse do ta shohin si rrezikun e ri brenda tarafit të tyre, disa të tjerë do të qëndrojnë në hije duke pritur rastin për t’iu afruar sërish plaçkës të cilën e kanë kërkuar por nuk u është dhënë. Të tjerë do të ngazëllehen aq shumë për fitoren që korrën ndaj kundërshtarit, saqë do të mund të dehen sikundër bënë trojanët kur menduan se i kishin mundur Grekët, por kujdes Uliksin dhe kalin e tij!
Do t’u duhet shumë punë sherifave, për të mbrojtur premtimet; do t’u duhet të luftojnë shumë ndaj vetes së tyre por edhe ndaj presioneve të të premtuarve; në fund të fundit duhet të tregojnë se e meritojnë ngritjen në detyrë nga Kauboj në Sherif të qytetit. Do t’u duhet që plumbave populiste dhe juridike të kaubojsave t’ua kthejnë me plumba të tjerë, për të treguar atë maturi që treguan në fushatë, kështu do të kuptojmë të gjithë nëse Luli me kinse bënte në fushatë apo është realisht i tillë. Do t’u duhet që të mos hutohen nga pasuritë e mëdha që mund t’u ofrojë kryeqyteti, për të treguar se nuk e morën me hile kalanë, se e kanë pasur me të vërtetë sloganin “Të parët jeni ju”.
Për këtë të fundit dyshoj, gjithsesi një pjesë e qytetarëve kanë qenë të bindur, në votën e tyre, se Tirana meriton më shumë dhe kanë besuar te plani i Lulit dhe ia kanë dhënë votën me shpresën dhe bindjen se ai do të bëjë diçka. Të tjerë u mërzitën nga prepotenca e komandantit të kaubojsave, nga feudalizmi i tij, nga idetë diktatoriale dhe anarkiste që jo pak herë shfaqen në fjalimet e tij, nga dhuna mediatike (të cilën po e kopjon mot à mot edhe Berisha, çka do t’i kushtojë shumë).
Shumë të tjerë, që kanë votuar për Edin më së shumti, do të vazhdojnë të pohojnë se Luli nuk e mori por ia dhanë apo e grabiti, të tjerë akoma do të marrin plumbat e kaubojve dhe do t’i përdorin si argument. Ka prej tyre që nuk kanë votuar, të lodhur dhe të mërzitur nga feudalizmi i veshur me maskën “Kapitalizëm neoliberal” dhe natyrshëm shtrohet pyetja: Ç’duhet të bëjë fituesi? Duhet të punojë! Kush paragjykohet le të tregojë se ata (paragjykuesit) e kanë gabim; dhe kush ka besuar le të shpërblehet në besimin e tij, përndryshe do të vazhdojmë të mishërojmë shprehjen “Bjeri ti biem”!
|
21,438 | https://peizazhe.com/2016/03/01/nje-histori-italiane/ | null | 2016-03-01T15:16:22 | NJË HISTORI ITALIANE | Matteo, një nxënës 8 vjeçar italian nga Copparo (një komunë rreth 20 km larg Ferrarës), i mbërthyer në ethen poetike të përshkrimit të një luleje të paktën me dy mbiemra, kërkesë kjo e mësueses së tij, shkoi fort më tutje dhe sajoi fjalën « petaloso » (plot petale, petaleshumë) duke kryer kështu një gabim fatal që do të përflakte mediat sociale të Çizmes dhe do të derdhej në pjesën tjetër të kontinentit.
Mësuesja e tij, Margherita Aurora, e pikasi menjëherë fjalën e panjohur, se ndryshe nga tingëllimi i saj fort familjar, ajo nuk ekziston gjëkundi në gjuhen italiane. Pra qe një gabim, por një gabim që nuk iu duk se mbante erë fort të të keqe. Përkundrazi.
Kjo qe arsyeja që “zysha”, në vend që t’i ulte notën Matteos, u ul e i shkroi një letër që ia drejtoi Accademia della Crusca, një shoqëri ekspertësh të gjuhës italiane, të cilët që prej pesëqind vjetësh janë ngarkuar të ndajnë miellin nga krundja (crusca). Në thelb, letra përmbante propozimin për ta përfshirë këtë fjalë në fondin e leksikut italian.
Përgjigja e Akademisë së famëshme (është krijuar rreth 80 vjet para Akademisë Franceze) nuk vonoi. Edhe ajo një shembëll serioziteti e pasioni sikundër vetë letra e znj. Margheritës, në emër të nxënësit të saj :
« I dashur Matteo, i shkruan Maria Cristina Torchia, antare e Akademisë, fjala që ke krijuar është një fjalë e formuar mirë dhe mund të përdoret në gjuhën italiane ashtu sikundër fjalët e formuara në të njëjtën mënyrë »
Për të ajo është një fjalë « e bukur dhe e qartë » që mund të hyjë madje edhe në fjalorin e gjuhës italiane dhe të gjithë mund ta përdorin për të përshkruar një lule.
« Por që të hyjë në fjalor, vazhdon letra, është e nevojshme që fjala e re të njihet dhe përdoret jo vetëm nga ai që e ka shpikur, por edhe nga shumë vetë të tjerë dhe të gjithë këta ta kuptojnë. Nëse do t’ia dalësh mbanë ta përhapësh fjalën tënde dhe mjaft vetë në Itali të fillojnë të shkruajnë « com’è petaloso questo fiore ! » apo siç thua ti « le margherite sono fiori petalosi, mentre i papaveri non sono molto petalosi », atëherë petaloso do të bëhet një fjalë e italishtes sepse italianët e njohin dhe e përdorin.
« Se kështu ndodh, vazhdon ekspertja e gjuhës, nuk janë gjuhëtarët që bëjnë gjuhën, nuk janë ata që vendosin cilat fjalë janë të shëmtuara apo të bukura, të dobishme apo jo. Kur një fjalë e re gjendet në gojën e shumë vetave atëherë studiuesit kuptojnë se ajo fjalë është bërë si gjithë fjalët e tjera dhe e fusin në Fjalor.
Edhe një Matteo tjetër e uroi Matteon tonë të vogël, ai që mban postin e kryeministrit të Italisë, por mua më bëri më fort përshtypje ndërhyrja e Claudio Marazzini-t, president i Akademisë. Ai, pasi i uron fat të mbarë kësaj fjalë, shton se : « Është gjë e bukur që diskutohet për një fjalë të ndërtuar sipas normave të italishtes, duke krijuar një mbiemër nga emri. Është kënaqësi edhe jehona që pati ajo, se të paktën këtë herë ndryshon fare nga polemika mbi anglicizmat apo fjalët e huaja që duhen pranuar apo jo në gjuhën italiane ». (Ju kujton gjësendi kjo?)
Përgjigjen e Akademisë më tej, është zysha e Matteos që e bëri të njohur në FB e saj, duke shënjuar kështu fillesën e një diskutimi të flaktë e krejt të pazakonshëm në rrjetet sociale.
Personalisht e solla këtë histori jo për ta zgjatur këtu jehonën e këtyre mediave, por për disa elementë që më lanë mbresa. E para është funksionimi perfekt i shkollës italiane (të paktën në rastin në fjalë), vullneti i saj për të mos mbetur e mbyllur brenda rregullave të njohura, më la mbresa pasioni dhe inteligjenca e mësueses në fjalë që kapi menjëherë fenomenin e pazakonshëm dhe veproi në të kundërtën e asaj që sugjeron rutina e mësimdhënies (ajo mund të mbyllte historinë me një notë më pak për Matteon), më tërhoqi vëmendjen angazhimi serioz i Akademisë italiane të gjuhës, duke ngarkuar një nga ekspertet e saj më të mira të merrej me këtë rast, përgjigja inkurajuese dhe transparente ndaj një fëmije 8 vjeçar, mosngurrimi për të shpjeguar një nga mekanizmat bazë të krijimit dhe përhapjes së fjalëve.
Së fundi m’u krijua përshtypja se teknologjitë e reja na kanë futur në një epokë kur krijuesit e neologjizmave nuk mund të mbesin më anonimë, siç ka ndodhur në qindra mijëra vjet.
Kisha dëshirë të them edhe diçka për rolin e Akademisë shqiptare (jo për mësuesit se me sa mbaj mend kur e lashë atë vend, vetëm mësuesit dhe orët punonin), por për Akademine dhe (apo) Institutet përkatëse që mbetën në surdinë në këtë kapërcyell ndryshimesh të pashoqe të shoqërisë shqiptare, që prekën thellë edhe dimensionin e saj gjuhësor, por nuk po them asgjë.
Kam po atë siklet që ndjejmë kur flasim keq për dikë që nuk është më i kësaj bote…
|
13,371 | https://peizazhe.com/2013/08/11/cte-mos-bejme/ | null | 2013-08-12T01:34:32 | Ç‘TË MOS BËJMË? | nga Paskal Stafa
“Në mes të të verbërve dikush me një sy është mbret”- thotë një fjalë e urtë. Nëse e përkthejmë verbërinë jo me barazvlerën e saj më të afërme të shqisës së dëgjimit: shurdhërinë, por me formën më të sublimuar të saj: heshtjen, atëherë edhe proverbi do të tingëllonte pak a shumë kështu: “Në mes të fjalëshumëve i heshturi është mbret”. Aksioma e fjalës që qorron, që shurdh, topit, flashk, mpak, squll është padyshim po aq e dyshimtë, pasi antonimet: të fal sy e veshë, të mpreh, rinon, shumon, forcon, i shtojnë pikënisjes edhe një të dytë, më optimiste e më të argjendtë, nëse heshtja, siç thuhet gjithashtu rëndom, qenkësh flori.
Dyzimi qysh në aksiomë vlen edhe për heshtjen: ka heshtje të mira e heshtje të liga. Por është shumë e thjeshtë, në kuptimin e lig të thjeshtësisë, të luhatesh nga një aksiomë tek tjetra, të biesh pre i dualizmit zibardhë a bardhezi; e nuk po duam të marrim të dhënë burimin e të na marrë ashtu lumi e të na derdhë aty ku derdhen të gjithë ujërat, të pastrat e të zezat. Po duam të shkojmë si tren mbi të dyja shinat njëherësh e të mbërrijmë në një stacion jo fort të largët, prej nga mund të kthehemi në bazë qetë e pa mundime, të heshtim me masë e të flasim po ashtu me masë. Për heshtje fisnike për të cilat duhet folur e për të heshtur për fjalë fisnike, të cilave nuk ke ç’u shton e për antipodet e tyre: heshtjen si placebo për kë kërkon të dijë nga dëshmitarët e zhurmat që nuk të lenë të dëgjosh të vërtetën. Për heshtje poetësh e për çfarë thonë a nuk thonë ato. Se kush di të flasë e për pasojë, a më saktë si shkak, të heshtë më mirë e më bukur se poetët; kush di të flasë aq bukur mirë larg fjalës cullak se ata që e veshin atë me gjithfarë plaçkash a rreckash: mediatikët, analistët, politikanët e, për fat të keq, edhe shumë gazetarë të sodit e dordolecë shqiponjash? Shina tjetër do të jetë pra llafi bosh, fjala si rrenë, zhurma për hiçgjë, besa e ngrënë, propaganda, zhurmuesi.
Është folur shumë për heshtjen e Lasgushit. Mendojmë se ka qenë ekzogjene, rrjedhojë e kompromisit të munguar me sistemin: heshtje pra e rëndë e ndoshta më fisnike se vepra e tij. E ngjashme me heshtjen e shtatë të tetave të ajsbergut zhytur në ujë të bashkëkohësit të tij Migjenit. Trysnia ka qenë e jashtme: tek Migjeni forca madhore të cilës do i nënshtrohemi të gjithë; tek Lasgushi pamundësia për të folur drejt, padashja për të folur si shumë të tjerë, për t‘u bërë borizan i partisë. Nuk dimë se ç‘do të kishte bërë i pari, në do të kishte jetuar mesatarisht: do të kishte përfunduar në Spaç për agjitacion e propagandë, a do të ishte bërë sekretar i degës së Lidhjes së Shkodrës? Nuk po duam të hamendësojmë për këtë, pasi mungesa e tij është më e thellë se sa do të kish qenë e lartë prania e tij në ato kohë të errëta. Por, nisur nga sivëllai i tij që nuk i ngjan në poezi, ndoshta do të ngjanin në jetë, pra, me gjasë, do të kish heshtur edhe ai.
Njerëz të tillë na duhen, më shumë se kurrë ndoshta, por jo për të heshtur, por për të na folur siç duhet, pasi ligjërimi është „shprishur”. Nuk flitet saktë e qartë, pasi flitet shumë. Nuk dihet a nuk mundet t‘i jepet të drejtë kundërshtarit, kur ky thjesht ka të drejtë, të paktën pjesërisht. Foltoret publike, letrat, ekranet kanë rënë në duar jo të mira, në duar të ngathëta, në gojë që nuk dinë a nuk munden të flasin qartë, saktë e drejt. Edhe nëse e bën dikush, në mes të rrokopujës, zhurmës, tallavasë, mitingjeve, fjalimeve, sharjeve, teprimeve, patetikës, kompromentimit, korrupsionit, nuk ka gjasa të dëgjohet.
Çështja shtrohet si dikur në Rusinë e pararevolucionit të tetorit, kur intelektualët pyesnin „Ç‘të bëjmë?”. Ndërsa tek ne, e përkthyer si zakonisht kokëposhtë, pyetja shtrohet „Ç‘të mos bëjmë?”
[vijon]
|
23,565 | https://peizazhe.com/2016/09/17/mikrobiografi-vi/ | null | 2016-09-17T16:55:00 | MIKROBIOGRAFI (VI) | Aleks Aleksi
U duk sikur historia e dosjeve u harrua, gjer mësoi që qe në listë.
Pagoi, të mos ia nxirrnin emrin me qindëshen e parë.
Kish radhë te fallxhorja Mereme dhe falli që i hodhi qe i gjatë dhe i ndërlikuar.
Në fund i dolën 4 fanta.
“Harroje zhdukjen fizike të dosjeve”, i tha, “përdor mënyrën e kundërt: riprodhoje imazhin tënd si në pasqyrë, si fantat e dyzuar”.
Tani në Tiranë qarkullojnë plot 27 dosje ku ai del rregullisht bashkëpunëtor i Sigurimit.
Sa i përket atij, s’e merr më vesh qeni të zotin.
Andi Llaço
Nga nxitimi për t’ia kaluar konkurrentëve hodhi pa dashje në furrën e gatimit macen.
Arianít Çela
Në degët e lisave pranë vendeve ku ish ndjerë i lumtur, lidhte një gur.
Që, i vdekur, të kthehej përsëri.
Asdreni
Ia kërkuan vjershëtorit të dëgjuar kombëtar ta shkruante.
Anëtarët e korit thërrisnin:
“Rroftë Asdreni!”
“Asdren!”
“Asdren!”
“Himnin, Asdren!”
Pa u turbulluar prej zhurmës së shokëve u nis në një qoshe.
Dikush i shkeli këmbën.
Dikush kish fëndur nga emocioni dhe era e zorrëve të kalbura përhapej nëpër sallën Transilvania.
Pati vetëm pak vështirësi për vargun e parë, pastaj vazhdoi, si në trance:
Rreth flamurit të përbashkuar,
me një dëshir’ e një qëllim,
të gjith’ atij duk’ ju betuar…
Me të në gojë u mbllaçitën nëpër vite heronjtë, pushtët, dhe një kategori e ndërmjetme: tifozët.
Benc Gashi
Kur e merrte malli, priste me zarf në dorë te zyra postale.
Njëri nga punonjësit aty ishte kopje e Bencit.
Rrinte 20 minuta – gjysmë ore, kujtonte histori të vjetra me shokun që tani banonte në hemisferën tjetër, dilte këmbëzvarrë.
Zarfin nuk e postonte.
Bule Naipi
Fëmijë, kishte parë njerëz të varur dhe i qe ngulitur shëmtia e tyre, sidomos gjuha përjashta.
Kur torturat mbaruan dhe bashkë me Persefonin u dënua me varje, veç një gjë mendonte: të vdiste me dinjitet.
Vigjilien e kaluan duke u stërvitur në kafshim gjuhe, që të mos u varej një pashë kur litari t’i mbyste.
Por i patën rezervuar një të papritur: e vunë të shihte ekzekutimin e shoqes, si lëkundej e pajetë, kurse të sajin ia shtynë ca ditë.
E përsosi kafshimin.
Mëngjesin fatal shtrëngoi nofullat, kafshoi gjuhën fort dhe e shtyu stolin vetë.
Candido Malagò
Kur iriqi u shfaq në pallat, gjithë kalamajtë nga ishin e nga s’ishin u dyndën për ta parë.
E ushqenin me fletë sallate dhe merimanga të ngordhura; e përkëdhelnin me doreza boksi.
Dukej qartë që iriqi kish humbur orientimin, vërtitej rrotull pallatit, por, për lumturinë e kalamajve, mënonte të ikte.
Pastaj Candido, komshiu i katit të dytë, keq me reumatizëm, e zjeu dhe i piu lëngun.
Gaxhie Goxha
Nga frika mos të burgosurat e tjera, për hakmarrje të vjetra a për vetëmburrje, i ngulnin ndonjë gërshërë në gjoks, nuk dilte kurrë nga qelia.
Djemtë e pajisën me oturak dhe sapllake.
Gjon Markagjoni
Miqtë në fshatin malor ishin aq të rrallë, sa kullat qenë në gjak me njera-tjetrën kush t’i bunte më parë.
Ivona Staller
Kishte atë mënyrë ledhatare të çapituri rrugës që qe për një ortoped me përvojë shenja e një luksacioni femoral ende të largët në kohë.
Kishte atë mënyrë hokatare të pari në sy që qe për një okulist me përvojë shenja e një miopie të lehtë, të pamjekuar.
Ishte vajza më e bukur e Tiranës.
Mark Kakarriqi
Në fotografitë historike të periudhës së Pavarësisë botuar gjatë komunizmit, ky çifut shëtitës, me pak retush, u bë në tre raste Isa Boletin dhe në pesë Luigj Gurakuq.
Mary Edith Durham
Kokrra e rrufesë që mbante në xhep e mbrojti nga turqit.
Mehmet Shpendi
Hyri në historinë e Shqipërisë kur në kulmin e luftërave për Pavarësi, i shpëtoi jetën një qengji humbur në dëborë.
Ia zgjati të shoqes, që e ngrohu në gji e i dha sisë.
Mërgime Hishtja
Sot ende s’e themi dot me siguri si migrojnë sendet në organizmin njerëzor, ç’busull ndjekin t’u dalë e tyrja.
Gëlltit, në mëri me të shoqin, njërën nga thikat e servisit: një thikëz ëmbëlsirash nga ato që përdoren për glikonë, e re trëng, pra, meqë të gjithë janë të prirur ta hanë glikonë me duar.
Pas tre vjetësh kjo thikë i preket tashmë nën lëkurën e krahut të djathtë.
Kirurgu që ia heq do ta provojë këtë shkencërisht: gëlltit bisturinë.
Ka tash 10 vjet që s’e gjen gjëkundi.
Milto Doraci
Llagapi i kish ngelur nga ndonjë katragjysh dorëkëputur.
Vetë qe i rëndomtë nga duart.
Mina Peza
E zbërtheu protezën e këmbës dhe ua hodhi qenve, që të fitonte, të paktën, 30 sekonda jetë kur, atë çast, mina plasi.
Muho Azgani
Okulisti, rrobaqepësi, diabetologu, kasapi, kardiologu, roja personale, dermatologu, sekretari, këpucari, dentisti, dadoja e fëmijëve, krushka, bahçevani, shitësja e ushqimeve, shoferi, qilimshkundësi, elektriçisti, të gjithë botuan libra ose dhanë intervista shteruese me kujtimet e tyre rreth Diktatorit.
Mbeti vetëm berberi, që mbi të tjerë ia kish pasur jetën në dorë, tek e rruante me brisk.
Thosh librin e kish gati, veç priste ankandin (thikë më thikë) midis shtëpive botuese.
Mumtaz Dhamo
Pastronte gjithë monumentet dhe bustet e bronzta të Tiranës.
Kish një shtupëz të posaçme për vrimat e hundës të Mbretit Zog, një sfungjer të bollshëm për bolet e kalit të Skënderbeut.
Çdo vepre në bronz ia dinte pikat e dobta: për shembull, monumenti i Nënë Terezës kishte prirjen të zinte pezhishka.
Bustet e poetëve i linte pa larë.
Musine Kokalari
I mbështollën qytat e automatikëve me pecet e këmbëve dhe filluan të më godisin.
Nuk mbetej shenjë në trup, por thellë në kujtesë.
Pashk Bardhi
– ç’i ka ngecur ashtu nga pas atij Benz-it që na parakaloi?
– Si bukë peshku më ngjan…
– Hmmm, shih si po zgjaten, qenkan zorrë; dikë paska shtypur, më duket.
Petrit Dume
Shumë nyje lidhi në krifë, përpara se të kalëronte drejt fatit tragjik.
Përparim Xhixha
Në fjalorthin latinisht-labërisht të një guide të bregdetit përpiluar për turistët, Pecunia non olet e kish dhënë me korrektesë si: Xhixhat s’vijnë erë.
Tobias Schmidt
Ky është teli im
më i akorduar:
metali që prek mishin.
Ymer Pampuri
Ende kujtonte, si krejt Kombi, që e kish fituar medaljen.
Zijafet Zhulali
Nuk e dinte që i kishin ngelur vetëm dy orë jetë mbas dasmës së mbesollës, ndaj shkoi atje gjithë mallëngjim.
|
25,959 | https://peizazhe.com/2017/07/01/shqalfi/ | null | 2017-07-01T14:51:53 | SHQALFI | Ka ca kohë që në youtube është hedhur një video e shkurtër, nga më zbavitëset që kam parë, e bërë ndërkaq virale në Itali. Babë e bijë (vajza është vetëm 3 vjeçe) recitojnë poezinë “Il Lonfo”, të Fosco Maraini-t, poezia më e njohur e vëllimit të tij poetik“Gnòsi delle fànfole” (1978). Mund ta shikoni këtu:
https://www.youtube.com/watch?v=WJxb1y5FEXk
Fosco Maraini (i ati i shkrimtares Dacia Maraini), intelektual eklektik, i quan këto poezi të vetat metasemantike. Fjalët në to janë pakuptim, ndonëse ruajnë karakteristikat gramatikore të gjuhës ku janë shkruar (italishtes). Tek-tuk ka edhe ndonjë fjalë të njohur, por forca e rëndesës e poezisë (ndonëse ky term më duket krejt pa vend, se këto poezi janë puplore, eterike) gjithsesi bie te fantafjalët, që çdo lexues mund t’u japë kuptimin që dëshiron. Rima ua shton muzikalitetin. Ja poezia:
Il Lonfo
Il Lonfo non vaterca né gluisce
e molto raramente barigatta,
ma quando soffia il bego a bisce bisce,
sdilenca un poco e gnagio s’archipatta.
È frusco il Lonfo! È pieno di lupigna
arrafferia malversa e sofolenta!
Se cionfi ti sbiduglia e ti arrupigna
se lugri ti botalla e ti criventa.
Eppure il vecchio Lonfo ammargelluto
che bete e zugghia e fonca nei trombazzi
fa legica busia, fa gisbuto;
e quasi quasi in segno di sberdazzi
gli affarferesti un gniffo. Ma lui, zuto
t’alloppa, ti sbernecchia; e tu l’accazzi.
Fjalëve të kësaj poezie, të zhveshura nga kuptimi, u ka mbetur vetëm taktiliteti që ka fjala e gjuhës tënde, e bërë gjë konkrete, materie. Dhe Maddy e vogël, në pjesën e dytë të videos, aty ku recitimi rifillon nga e para e kupton (fëmijët e kanë këtë inteligjencë trupore) dhe fillon edhe ajo t’i riprodhojë fjalët për hesap të saj, i shpik pa e ndjekur tekstin e parashkruar: a s’ishte ky qëllimi sekret i autorit? Në këtë pikë, e kotë të shtoj se për cilindo që e ka pak me qejf përkthimin, tundimi për t’u ulur e për ta kryer një përkthim të kësaj poezie është i madh. Bile, në këtë rast nuk ka asfare nevojë ta njohësh me themel italishten, mjafton një njohje e muzikalitetit të saj që vjen ashtu vetvetiu nga radioja, pa le më nëse ndjek muzikën italiane apo operën. Të duhet vetëm një farë veshi dhe kujdesi për gjuhën tënde (gjuhën pritëse) dhe për 1 orë (e ç’them, edhe më pak!) ia del në krye, duke u zbavitur e pa e ndjerë kohën që shket. Për një si unë pastaj, që përkthen pothuaj ekskluzivisht poezi dhe që sasia e vargjeve që ka përkthyer e kalon me 4-5 herë atë të vargjeve origjinale, përkthimi i saj kthehet në must:
Shqalfi
Shqalfi nuk kyhen edhe as gërtillet
e më të rrallë fort bartallon,
por kur begia ngrihet bille-bille,
pidulet pak dhe njakur seç përgon.
I shpulur Shqalfi! Citë me këlezë
taraferí e keqkuqur dhe sofkëne!
Në lurfsh, të vë kër dhe të përlez
në u çonfsh, të bukon dhe të lë shtëne.
Po prapë Shqalfi plak hatamxhevotur
që bat, crug e folít nëpër trombira
bën legjë bivane, zgjak duke gilotur;
e gati-gati që t’ia theç kolirat
do t’i vërbesh një kllënjë. Po ai, i zotur
ty të halon, t’çërmel; pa ti i vë kira.
Po ju?
|
1,135 | https://peizazhe.com/2009/01/14/pertej-mbretit-dhe-babes/ | null | 2009-01-15T00:45:32 | PERTEJ MBRETIT DHE BABES | Po të dëgjosh e të lexosh gjithë sa ç’thuhen e thonë për “inaugurimin” e presidentit Barack Obama, të duket sikur nuk po merr detyrën një qytetar i zgjedhur, po sikur po kurorëzohet ndonjë mbret i këtij krahu të galaktikës, me një ceremoni që, për fat të keq, i ruan tonet dhe simbolikën e fortë mesjetare dhe monarkike.
Dhe meqë ne shqiptarët, si më filo-amerikanët në Europë, i mbajmë gjithnjë sytë të kthyer nga SHBA për ide, modele, simbole dhe frymëzime, nuk mund të mos të të shkojë mendja për kontradiktat që shoqërojnë figurën dhe rolin e Presidentit të Republikës në politikën e sotme shqiptare.
Prej Presidentit në Shqipër të gjithë presin shumëçka – realizimin e iluzioneve autoritare; pozicionime dhe deklarata bombastike kombëtariste ose vëmendje gati paternaliste ndaj njeriut të thjeshtë; bindje ndaj palës politike që e ka sjellë në fuqi, ose rebelim të hapur ndaj saj në emër të parimit balancues të pushteteve; kultivim të respektit ndaj ligjit ose, përkundrazi, interpretimin e tij human; bashkërendimin e komunikimit mes institucioneve dhe nisma për reformimin e thellë të po këtyre institucioneve; fytyrën protokollare të shtetit dhe përpjekjet e palodhura për t’u shërbyer si kontekst institucional të gjitha veprimtarive politike domethënëse, edhe pse larg kamerave dhe syve të medias.
Tradicionalisht shqiptarët janë mësuar të kenë një të parë ose të fortë mbi kokë; dhe ashtu ka qenë kultura politike që pa u bërë akoma e pavarur Shqipëria, që nga komunitetet e vogla e deri te përkatësia në perandoritë. Kishte pushtet Sulltani, por kishte edhe pashai, sikurse kishte edhe bajraktari e beu, dhe ashtu nga lart poshtë në hierarkitë deri në familje, ku pushtetin e mbante dhe e ushtronte plaku ose babai. I njëjti model absolutist realizohej në figura autoritare të ndryshme, por sipas po asaj logjike ose raporti me pushtetin. Ndërkohë, presidenti i tanishëm i Republikës, siç e përcakton Kushtetuta, nuk i ngjan aq mbretit ose babait autoritar të kombit; por më tepër përftohet si rol nëpërmjet veprimtarisë së tij ndërmjetësuese midis institucioneve, ose lubrifikuese të jetës së shtetit.
Paradoksalisht, shqiptarët e patën ndoshta më të lehtë kapërcimin nga mbretëria në diktaturën totalitare, sesa nga kjo e fundit në republikën pluraliste dhe demokratike, meqë shndërrimi i dytë guxoi të reformojë ose të korrigjojë me themel modelin e stërlashtë patriarkal-autoritar. Vetë kalesën nga sistemi politik i vjetër si projeksion i kulturës patriarkale në sistemin politik bashkëkohor të ndarjes së pushteteve dhe të sovranitetit të ligjit e kanë shoqëruar vështirësi psikologjike, të cilat pastaj kanë pështjelluar opinionin publik dhe kanë shkaktuar keqkuptime ose shtrembërime në mediat.
Dinjitarë të lartë, sidomos të ekzekutivit, e kanë ndonjëherë të vështirë të orientohen në prani autoritetesh paralele dhe të pavarura; dhe këto probleme të referimit rreken t’i maskojnë pastaj si kontradikta të Kushtetutës, ose t’i zgjidhin duke ia qepur Presidentit rishtas kostumet, sipas shijeve të tyre politike. Mirëpo në kushtet kur një forcë politike arrin të shtjerë në dorë shumicën parlamentare dhe të mësyjë me ushtarët e vet institucionet siç e do zakoni në Shqipëri, Presidenti i Republikës shpesh vjen e shihet nga publiku si alternativë ndaj partitokracisë, ose si përfaqësues i institucioneve shtetërore, çka është për t’u përshëndetur dhe mbështetur.
Nga ana tjetër, ka një kategori shqiptarësh që me “president” kanë gjithnjë parasysh kryetarë republikash presidenciale, si presidenti i SHBA ose presidenti francez, edhe pse këtu është fjala më tepër për një ngatërresë të ndjellë nga vetë termi, meqë SHBA dhe Franca janë republika presidenciale, ndërsa jona parlamentare; por kam frikë se e njëjta ngatërresë i ka rrënjët edhe në dëshirën për të parë, më në fund, një burrë të fuqishëm në krye, një dorë të fortë dhe autoritare, që të mos i tutet ligjit.
Për shkak të dukshmërisë në mass mediat, presidenti amerikan imponohet më shumë se kushdo tjetër si model i autoritetit jomonarkik, ndonëse kultura amerikane pop presidentin vazhdon ta përfytyrojë sikur të ishte monark pa kurorë dhe jo vetëm në ditën e inaugurimit; mjaft të mbahet parasysh me ç’vëmendje privilegjiuese ia ndjekin mediat familjen e veçanërisht bashkëshorten. Tani vonë të njëjtat histori e bëma të denja për revista floktoresh po përcillen edhe për Zonjën e Parë të Francës, thuase e kaluara e saj nga një blic në tjetrin do t’ia shtojë një përmasë estetike madje dramatike politikës franceze.
Mirëpo në republikat parlamentare të Europës, kushtetutat u kërkojnë presidentëve zotime dhe përpjekje të tjera, më pak të dukshme për publikun, por ndoshta tepër të rëndësishme për funksionimin e institucioneve. Që presidentët shqiptarë ndonjëherë perceptohen madje edhe kritikohen, gabimisht, si të dobët, kjo kryesisht vjen ngaqë kultura politike në Shqipëri instinktivisht ende e kërkon autoritetin të mishëruar në një burrë prej mishi dhe gjaku, pa u mjaftuar dot me autoritetin suprem të ligjit.
Megjithatë, jeta politike parlamentare në Shqipëri mbetet aq e polarizuar, dhe palët kundërshtare aq të groposura në pozicionet e tyre, sa roli i Presidentit edhe pse ndonjëherë i padukshëm, është vendimtar për funksionimin e shtetit; në një kohë që imitimi prej mass mediave i zakonit amerikan e tashmë francez për ta trajtuar e mikluar familjen presidenciale si të ishte familje mbretërore e një mbretërie fantazmë brenda republikës shqiptare nuk i shërbejnë askujt dhe asgjëje, ndoshta përveç banalizimit të politikës.
Për t’u kthyer tani tek inaugurimi i Obamës, ndoshta do të ishte më kuptimplotë sikur presidentët amerikanë dhe në botën mbarë të kremtoheshin jo në momentin kur u dorëzohet detyra, por kur gatiten ta lënë. Jam kureshtar të dija sa dinjitarë të lartë, politikanë të rinj e të vjetër, liderë komunitetesh fetare, gjeneralë e pashallarë, personalitete televizive, figura të mëdha të artit dhe të kulturës, bosë të industrisë dhe të financës, çmime Nobel në fizikë dhe në kimi, këngëtarë të pop-it e të tjerë si këta do të vinin për t’i dhënë lamtumirën, bie fjala, George W. Bushit.
Ashtu do të vlerësohej vërtet puna, mundimi, përkushtimi, prodhimtaria intelektuale, profili etik dhe dinjiteti i një presidenti – me cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve dhe institucioneve, jo nëpërmjet shpresave dhe ëndrrave në diell. Tolstoj thotë diku se romanet zakonisht përfundojnë me martesën e heroit; edhe pse pikërisht me atë martesë duhej të fillonin.
|
20,084 | https://peizazhe.com/2015/12/21/me-proust-in-ne-itali/ | null | 2015-12-21T19:21:32 | ME PROUST-IN NË ITALI | Për Proust-in, orari i trenave ishte një katalog kënaqësish të mundshme, teksa syri lëvizte nga një qytet gjysmë i panjohur në tjetrin, në listën e stacioneve dhe të ndalesave – e cila e ftonte për një udhëtim përmes qytetesh, fshatrash dhe hapësirash ku ndoshta nuk do të shkonte kurrë.
Më prozaiku i teksteve ofronte kështu një eksperiencë pothuajse psikadelike – për ta thënë me Eco-n; madje edhe Proust-i vetë e mbante “leximin” e orarit të trenave për më të vyerin e leximeve; mbase ngaqë aty gjente vetëm aq tekst, sa ç’i duhej për të nisur fluturimin e imagjinatës.
Kush u qaset listave jo nga nevoja, por thjesht nga kurioziteti, do ta provojë këtë efekt hipnotik të radhitjes, të emrave të njëpasnjëshëm, të shifrave, të orëve dhe të bashkëpërkimeve të tjera.
Efekti është i mrekullueshëm, me kusht që t’ia mbash dyert të hapura.
E kam kaluar fëmijërinë në epokën e radios: televizioni, edhe kur bunte gjëkundi, e bënte këtë vetëm orëve të mbrëmjes, teksa dita i përkiste ende zërit.
Si në shumë shtëpi të tjera, edhe në shtëpinë time radioja rrinte gjithnjë ndezur; dhe zakonisht e sintonizuar te RAI.
Arsyeja për këtë ishte nga më të thjeshtat: prisnim që radioja të jepte ndonjë këngë të bukur; sepse në atë kohë muzika ishte diçka që ta jepnin, sa kohë që nuk kishim magnetofonë, gramafonë dhe teknologji të tjera për të zgjedhur çfarë na kish ënda.
Dhe teksa prisnim që RAI të na befasonte me Adrianon, Nicola di Bari-n dhe Ray Charles-in, i ekspozoheshim, dashur pa dashur, hipnozës së informacionit që rridhte nga altoparlanti i vogël.
Duke filluar nga parashikimi i motit – le previsioni del tempo – për një gjeografi të përtejme, të pavizitueshme por gjithnjë të imagjinueshme: shirat herë të lehtë herë të rrëmbyeshëm, mjegulla – herë nebbia, herë foschia që pushtonte luginat e veriut dhe ndonjëherë shkaktonte anulimin e një ndeshjeje futbolli të shumëpritur; dëbora dhe preokupimet e skiatorëve: të gjitha gjëra të pamundura, por prandaj edhe joshëse.
Duke vazhduar, ndoshta pak më vonë, me informacionin për trafikun në autostradat e Italisë; të cilat gjithashtu i përshkoja me mendje; i intriguar nga emrat e tyre: A1, A22; dhe pastaj e gjithëpranishmja Salerno–Reggio Calabria.
Më tej akoma, njoftimet e numrave të llotos – le estrazioni del lotto: një kombinim i emrave të qyteteve kryesore të gadishullit dhe i numrave të rastësishëm, të lexuar me zë monoton, që vinin dhe u ngjanin mesazheve që përndryshe mund t’i dëgjoje ndonjëherë natën, nga të ashtuquajturat numbers stations, të cilat thuhet se përdoreshin nga agjenturat e spiunazhit për t’u përcjellë mesazhe të fshehta agjentëve të tyre anembanë.
(Pyetje dikur torturuese: a të bënte ndonjëfarësoj agjent thjesht dëgjimi i këtyre numrave?)
Kurrë nuk më qëllonte të mendoja se prapa radhëve me shifra fshiheshin miliona lira, që do t’i shkonin ndonjë fatlumi; për të cilin loja me rastësinë shndërrohej papritur në domosdoshmëri.
Gjithsesi, për t’u kthyer te RAI, emisioni më hipnotik nga të gjithë do të ketë qenë “Il bollettino del mare”, me informacion për gjendjen e deteve – që nga Mesdheu, e më tej deti Tirren, deti Jon, deti Ligur; për fuqinë e erës dhe të valëzimit; dhe forca të tjera poseidonike.
Ky buletin vazhdonte për një farë kohe (mund të dëgjohet një version i vonë këtu), pse Italia është vend gjysmë i zhytur në det; mendja ime, prej fëmije, shëtiste nga një anije në rrezik lundërthyerjeje në tjetrën; duke përsëritur, këtë herë përreth Italisë, aventurat e Uliksit.
Aty dëgjoheshin edhe fjalë sugjestive dhe frymëzënëse si “mare forza sette”, “burrasca”, “condizioni burrascose”, “visibilità discreta”, “vento di direzione variabile”, “mare poco mosso”, “visibilità buona in diminuzione”, “moto ondoso in aumento”; të cilave tashmë e di se hija e rëndë u vjen nga burokratizimi i natyrshëm i meteorologjisë, si iluzion i kujt pandeh se mund t’i kontrollojë elementet duke u vënë emra.
Pak gjë kuptoja atëherë nga kjo radhitje kërcënimesh: moto ondoso in aumento… visibilità ridotta… Përveçse po të mbyllja sytë dhe të përfytyroja qiellin si nxihej mbi detin Adriatik në Durrës, para ndonjë stuhie të pa-paralajmëruar. Jules Verne-i, që në atë kohë veç e rilexoja si të ish tekst i shenjtë, më kish përgatitur për këto situata.
Hipnoza vinte si një mjegull informacionesh për gjeografinë e Italisë – madje edhe kur ishte fjala për thjesht leximin e rezultateve të futbollit të kategorisë së tretë, të ndarë në gironi: emra pas emrash, sërish ftesa për imagjinatën si stacionet e trenave të Proust-it, me jehona bardhezi filmash italianë neo-realistë dhe memesh jetime nga epoka fashiste.
Italia e provincës, që pushtonte përkohësisht radion nëpërmjet listave gjithfarësh, për t’ia lënë pastaj vendin sërish metropolit, me lajmet për Palazzo Chigi, për Montecitorio, për Papën dhe Vatikanin; ose për gjëra tashmë “të njohura.”
Fëmijën tek unë e mahniste edhe sinjali orar – i detyrueshëm për radiot e asaj kohe, në një botë që nuk ishte e sinkronizuar si kjo e tanishmja; dhe që aso kohe (1951-1991) transmetohej nga Instituti elektroteknik kombëtar Galileo Ferraris, në Torino.
Këtë institut e përfytyroja si një vend të fortifikuar me shije, ku ruhej “ora e shtetit” – ose zemra pulsuese e sinkronizimeve, bashkërendimeve dhe qarkullimeve; e vetmja në gjendje të shmangte kaosin, vonesat dhe katastrofat.
Këtë Galileo Ferraris e pandehja emrin e plotë të Galileo-s, të cilin mua fëmijës ma kishin prezantuar si dijetarin që hidhte gjithfarë sendesh nga ballkoni i kullës në Pisa, për të matur a provuar nuk di çfarë (por që unë nuk duhej ta imitoja kurrsesi, madje as me pështymë).
Galileon mjekërshprishur, të veshur si murg e me teleskop në dorë, që thërriste “eppur si muove” në gjyq.
Njëlloj enigmatik, me tone të lehta prej përralle arabe, ka qenë edhe sinjali i intervalit, i njohur ndryshe edhe si “bilbili i radios”; një cicërimë e cila lajmëronte për kalesat nga një emision në tjetrin; dhe që tani lexoj se ka qenë prodhuar nga një mekanizëm i mirëfilltë, në gjendje të prodhonte një tingull të ngjashëm me këngën e bilbilit.
Ndonjëherë, për shkak vonesash teknike, bilbilin e linin të këndonte pak më gjatë – si për t’i joshur dëgjuesit ashtu si veç bilbili mundet, për ta pezulluar rrjedhën e kohës.
Gjithsesi, Italia përbri – kaq e afërt, kaq e njohur e megjithatë kaq krejtësisht e paarritshme – ishte vendi ideal për mua, që të lëshoja të lirë kuajt e imagjinatës.
Shumë vite më pas, kur kam shkuar atje për herë të parë, dhe kam zbarkuar nga trageti në Trieste, për t’i hipur një furgoni të ambasadës; e që gjithë natën do të udhëtonte mes për mes gadishullit për të arritur në Romë në mëngjes, i kam përjetuar sërish si në ëndërr tabelat me emrat e qyteteve që më dilnin para syve në autostradë, nga një segment errësire në tjetrin: edhe këtë herë, gjeografia aq e dëshiruar po më shfaqej nëpërmjet shenjave të radhitura, në vend të hapësirës së mirëfilltë.
Sikurse i kam përjetuar sërish e sërish, sa herë e kam përshkuar Italinë më pas me tren; i ngecur mendërisht midis realitetit dhe orarit të trenave, sërish në trajtë tabelash në stacionet e zbrazura nën dritën e Hënës dhe idesë së çmendur për të zbritur diku kuturu dhe për ta filluar gjithçka nga e para; ose për ta sfiduar njëfarësoj “fatin.”
Pastaj më ka ndodhur e kundërta; kur jam kthyer nga Italia, i pasigurt nëse do të më jepej ndonjëherë prapë shansi për të shkuar atje sërish, kam dëgjuar një “onda verde” në Tiranën e vitit 1989 – që sot e kësaj dite vazhdon si buletin informacioni për trafikun në RAI – dhe jam mallëngjyer, kur kam dëgjuar emrat e rrugëve të bllokuara të Romës: Aurelia, Tiburtina, Prenestina, Circonvallazione Nomentana…
Sërish i vizituar, sërish i trazuar, sërish i torturuar nga pamundësia; ose nga mungesa e lirisë për të shkuar a për t’u kthyer diku, kudo.
|
45,742 | https://peizazhe.com/2023/12/21/dhjete-mije-vjet/ | null | 2023-12-21T16:27:30 | DHJETË MIJË VJET | Më bëri përshtypje ky dialog mes kryeministrit të Shqipërisë Mehmet Shehu, me liderin e PKK-së, Jao Ven Juan[1], në një takim të datës 30 nëntor 1974.
Kur Shehu i thotë kolegut, si për ta ngarë muhabetin, se “ju vazhdoni t’i qëndroni ballë për ballë revizionizmit sovjetik”, tjetri i përgjigjet se polemika e kinezëve me sovjetikët vazhdon pa pushim dhe se shoku Mao Ce Dun ka thënë se ajo “do të vazhdojë 8 mijë vjet dhe asnjë ditë më pak.” I kapur, me gjasë, në befasi nga ky parashikim zemërgjerë, Shehu përgjigjet: “Urojmë që ajo të vazhdojë 12 mijë vjet.”
Çfarë të kenë qenë ato 8 mijë vjet, në gojën e Maos? Hiperbolë, doemos, por e pazakonshme për një gjuhë si shqipja, dhe me siguri edhe gjuhë të tjera i.e. Shqipja do ta kish më të natyrshme të thoshte: “do të vazhdojë edhe njëqind vjet”; më shumë për të treguar një kohëzgjatje të pacaktuar. Për të njëjtën arsye, themi “edhe njëqind!” si urim dikujt për datëlindjen, ose në shprehje të tilla si “ta kam thënë njëqind herë!” Një politikan shqiptar do të ish shprehur: “Edhe njëqind vjet sikur të vazhdojë…”
Por, me sa duket, te thënia e kinezit ka ndikuar ajo që në kinezçe këtë rol e luan shprehja “dhjetë mijë (vjet)”, e cila përdoret rëndom për të shënjuar një numër shumë të madh, por të pacaktuar. Shprehja wansui (萬歲), që ka kuptimin “dhjetë mijë vjet”, përdoret me funksion të ngjashëm me atë “edhe njëqind” të shqipes; ose për t’i uruar dikujt jetëgjatësinë, nëmos përjetësinë.[2]
Lexoj tani që në kinezçe, njëlloj si në shumë gjuhë të tjera të Azisë lindore, “dhjetë-mija” përfaqëson njësinë më të madhe diskrete në numërim – ngjashëm me “një mijë” të shqipes dhe “thousand” të anglishtes.
Nuk kam ndonjë mënyrë për të verifikuar nëse Maoja ka thënë vërtet që polemika me sovjetikët do të vazhdonte 8 mijë vjet – materiali i cituar ka kaluar të paktën në tre duar. Por një shfletim i veprës së Maos më konfirmon se ky e përdor shprehjen “dhjetë mijë vjet” për të shënjuar një numër ose sasi të madhe, por të pacaktuar. Për shembull[3]:
Subjectivism and commandism are always bad and will be so even ten thousand years hence. (f. 137)
They all know there are two aspects to everything, why do we mention only one? There will always be two aspects, even ten thousand years from now. (f. 303)
We must not only learn from other countries during the period of our First Five-Year Plan, but must go on doing so after the completion of scores of five-year plans. We must be ready to learn even ten thousand years from now. (f. 306)
There will be subjectivism in the future, just as there is today. Subjectivism will always be there, ten thousand years and even a hundred million years from now, and it will be so as long as humanity does not perish. (f. 316)
Will it be possible to make no mistakes at all in planning ten thousand years hence? Things happening ten thousand years hence will no longer be our business, but one thing is certain, mistakes will be made even then. (f. 333)
Take the courts for instance, their function is to deal with counterrevolutionaries, but that is not all, for they have to settle numerous disputes among the people. It looks as if courts will still be needed ten thousand years from now. (f. 338)
I just said that there would still be revolutions ten thousand years from now, so possibly great democracy will have to be practised then (f. 344)
Weeds will grow even ten thousand years from now, and so we must be prepared to wage struggles for that long. (f. 359)
I believe there will always be subjectivism. Will there be no trace of subjectivism ten thousand years from now? I don’t think so. (f. 372)
Marxism and the Communist Party have been abused from the very beginning. Even ten thousand years hence, things progressive will still be abused at the outset. (f. 380)
Even ten thousand years from now people should work hard. (f. 437)
Wherever there are masses of people — everywhere except deserts — they are invariably divided into the Left, the middle and the Right, and this will be so ten thousand years hence. (f. 445)
Në gojën e Maos, kjo “ten thousand years” shënjon një të ardhme të largët, por të vijueshme me të sotmen; gati-gati, distancën dhe cakun që ndan të përfytyrueshmen nga e papërfytyrueshmja, të paktën historikisht.
Duket sikur kultura kineze e mat kohën me njësi shumë më të gjata se jona; meqë ne do të thoshim “njëqind vjet”, ose e shumta “një mijë vjet”. Megjithatë, gjasat janë që ky përdorim të ketë rrënjë idiomatike dhe të lidhet me atë që njësia numërore për “dhjetë mijë”, në kinezçe, është njësia më e madhe diskrete në numërim, siç e thamë; dhe ashtu edhe shërben për të treguar një ekstrem kalendarik të largët, por të numërueshëm.
Por të vihet re, këtu, se Jao Ven Juan-i thotë se polemika me sovjetikët do të vazhdojë “8 mijë vjet”, duke iu afruar cakut kalendarik non plus ultra të dhjetë mijë vjetëve, por pa e përmendur; sepse ajo “dhjetë mijë vjet” do të shënjonte përjetësinë; dhe përjetësia e kësaj polemike do të ishte edhe përjetësi e revizionizmit sovjetik, çfarë nuk mund të pranohej parimisht.
Mehmet Shehu, nga ana e vet, nuk e vret shumë mendjen dhe e zgjat parashikimin në 12 mijë vjet, madje duke e uruar kështu; duke e nxjerrë nga kufijtë e universit kalendarik të përfytyrueshëm nga kinezi.
Tani, po të kthehemi për një çast dhe të shohim kontekstet, ku e përdor Maoja shprehjen “dhjetë mijë vjet”, do të vëmë re se ai i referohet jetëgjatësisë së disa dukurive negative, me të cilat luftojnë komunistët: subjektivizmi, komandizmi, gabimet politike, barërat e këqia, abuzimi me idetë progresive, e kështu me radhë. Logjika dialektike pas këtij ideacioni metaforik është se jetëgjatësia e së keqes garanton edhe jetëgjatësinë e së mirës: komunisti vetëm forcohet, nga kjo kontradiktë që veç riprodhohet në kohë.
Edhe polemika me “revizionistët sovjetikë” është e tillë, që e ruan dhe e përsos konfigurimin politik të PKK-së; prandaj po të zgjatë 8 mijë vjet, kjo nënkupton edhe 8 mijë vjet të tjera PKK në pushtet. Për Mehmet Shehun, si kryeministër i një regjimi që përfiton nga aleanca e shumanshme me RPK-në, 8 mijë vjetët bëhen 12 mijë, dhe ato 12 mijë vjet janë edhe jetëgjatësi e PPSH-së, që konfigurohet politikisht në përplasje me revizionizmin sovjetik.
Në diskursin politik shqip, këto metafora numerike tingëllojnë megjithatë groteske: ndryshe nga Kina, Shqipëria e mat me metër më të shkurtër kohëzgjatjen e historisë së saj. Njëqind vjet, ose një shekull, mjaftojnë për të krijuar dhe zhdukur jo vetëm njësi dhe entitete politike, por edhe shtete. Mbase Mehmet Shehut, dhe Enver Hoxhës pas tij, do t’u dukej provokim i madh nënkuptimi, që revizionizmi sovjetik mund të mbijetonte “8 mijë vjet”, sa kohë që Enveri seriozisht kish parashikuar fundin së shpejti të uzurpatorëve të Partisë së Leninit dhe të Stalinit – madje po punonte me ngulm, që ky parashikim të realizohej.
Edhe pse në atë kohë PPSH-ja dhe PKK-ja ende bashkëvepronin ngushtë në luftë kundër sovjetikëve, përfytyrimi i palëve për kohëzgjatjen e këtij konflikti dhe, në përgjithësi, për rrjedhën e kohës në histori, mbetej i ndikuar nga gjuha: shqipja as që e njihte atë lloj milenarianizmi, që përçonte kinezçja; dhe e maste të ardhmen me njësi diskrete shumë më të shkurtra. Një kundërvënie e tillë semantike do të ketë krijuar, më shumë se një herë, situata komike në bashkëbisedimet.
© 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është krijuar me AI.
[1] Është fjala për Yao Wenyan, lider i PKK-së gjatë revolucionit kulturor, më pas i dënuar si anëtar i famëkeqes “bandë e të katërve”.
[2] Kjo wansui përdorej edhe si përshëndetja tradicionale për perandorin dhe ishte kthyer në një sinonim të fjalës “perandor”.
[3] Citatet i kam nxjerrë nga një botim omnibus në PDF, i veprave të zgjedhura të Mao Ce Dunit.
|
36,340 | https://peizazhe.com/2020/09/09/i-perkthyeri-perkthyes/ | null | 2020-09-09T14:56:27 | I PËRKTHYERI PËRKTHYES | Pasi “u arratis” nga Çekosllovakia, bashkë me të shoqen Vera Hrabankova, duke kaluar kufirin normalisht me veturë dhe e ndali vrapin në Francë, Milan Kundera shkroi në çekisht romanet Libri i të qeshurit dhe harresës (1979), Lehtësia e padurueshme e qenies (1984) dhe Pavdekësia (1990). Romanin e parë në frëngjisht, La Lenteur, e përfundoi në 1993 dhe e botoi në 1995; dhe nga ajo kohë do t’i shkruante librat e vet gjithnjë drejtpërdrejt në frëngjisht.
Romanet e shkruara çekisht, të periudhës franceze, nuk kishin shans që të binin në dorë të lexuesit model të Kunderës “çekosllovak” dhe në fakt nuk u botuan veçse shumë më pas – autori tashmë ishte non grata në kulturën e vendlindjes, madje në 1979 i patën hequr edhe shtetësinë çekosllovake, gjest simbolik por gjithsesi i dhimbshëm për një shkrimtar.
Sa kohë që origjinalet në çekisht nuk botoheshin, Kundera mbetej shkrimtar pa lexues amtar.[1] Siç shkruan Michelle Woods (“Original and Translation in the Czech Fiction of Milan Kundera”, në Translation and Literature, Vol. 10, No. 2, 2001) lexuesi i parë i këtyre romaneve të Kunderës ishte përkthyesi.
Edhe Kundera vetë pat thënë, në 1977:
“Unë i shkruaj romanet e mia në çekishte. Por që prej vitit 1970 nuk më lejojnë të botoj në vendin tim dhe ashtu askush nuk më lexon në atë gjuhë. Librat e mi më parë përkthehen frëngjisht dhe botohen në Francë, pastaj në vende të tjera, por teksti origjinal mbetet në sirtarin e skrivanisë sime, si një lloj matrice.
[…]
Kur po shkruaja dy romanet e mia të fundit, kisha në mendje para së gjithash përkthyesin tim në frëngjisht. E detyrova veten – në fillim pa e kuptuar – të shkruaja fjali që ishin më të përkora, më të kuptueshme. Një lloj pastrimi (cleansing) i gjuhës.”
Kjo lë të kuptosh, sipas Woods-it, një hibriditet inherent në tekst, para aktit të përkthimit ndërgjuhësor – Kundera ishte i vetëdijshëm se po shkruante në një gjuhë të shkëputur nga kultura me të cilën ajo është vetvetiu e lidhur; dhe një lloj internalizimi të procesit të vetë-përkthimit, brenda gjuhës së tekstit. Kësisoj, vazhdon Woods, përkthimi mund të shihet si estetikë e prozës së Kunderës (pas 1970-ës), deri atje sa Kundera të këqyret si përkthyes brenda tekstit.
Po e ilustroj idenë me një shembull të sajuar nga unë vetë: supozojmë se një Kundera shqiptar rrëfen në roman për një darkë familjare në Tiranë, ku shërbehet hoshaf; i vetëdijshëm se lexuesi i ardhshëm francez do ta ketë të vështirë ta rrokë kuptimin e kësaj ëmbëlsire, dhe se një sqarim poshtë faqes nga përkthyesi ose nga redaktori do ta zhvendoste vëmendjen drejt një përmase etnografike ekzotike të kuptimit që nuk duhet lejuar të zgjerohet (meqë hoshafin e ka gatuar vjehrra e protagonistit, skulptor mendjehapur pro-perëndimor), ky Kundera shqiptar, që tashmë komunikon veç me përkthyesin e vet, do të tundohet që ta zëvendësojë hoshafin me komposto, për t’ia lehtësuar tjetrit “lokalizimin”.[2]
Më tej, Kundera e shndërron nevojën në virtyt, duke e racionalizuar handikapin e vet si një shans të ri[3]:
“Të mos e shohësh dot veprën tënde të botuar në vendin tënd është pësim mizor, por besoj i dobishëm. Në kohën tonë, ne duhet të fillojmë të mendojmë se një libër që nuk mund të bëhet pjesë e letërsisë botërore [në kuptimin që i jepte këtij termi Goethe-ja, A.V.] nuk do të ekzistonte dot fare.”
Ky imazh, i autorit që shkruan në një gjuhë të vetën, idiolektale, enigmatike dhe pastaj ua kalon tekstin e vet, pak a shumë të ripërtypur, përkthyesve që t’ia ndërmjetësojnë publikut, sikur evokon edhe ca profetë hebrenj të antikitetit, por edhe orakuj të Greqisë së Lashtë dhe Romës, që kishin nevojë që fjalët, mesazhet a kumtet t’u “përktheheshin” nga shërbesëtarë profesionistë – sipas rastit, priftërinj, skribë ose përkthyes; të cilët interpretonin, për të tretët, ligjërimin profetik ose orakullar, përndryshe të pazbërthyeshëm (krezmologët). Natyrisht, teksti letrar nuk synon divinacionin, ose largpamjen a parashikimin e së ardhmes; por mund të ndodhë, si në rastin e Kunderës të cekur më lart, që përkthimi jo vetëm ta përçojë, por edhe – njëfarësoj – ta krijojë origjinalin a posteriori.
© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Imazhi në kopertinë: Priftëresha (Pythia) në Delphi.
[1] Ndryshe nga të themi, Nabokovi pas ikjes nga Rusia; sepse Nabokovit ia lexonin veprën e botuar rusisht masa jo e vogël e émigré-ve rusë në Europë.
[2] Ngjashëm, nëse libri do të botohej i përkthyer në një kulturë myslimane, bërxollat e derrit mund të rishkruheshin si bërxolla qingji – jo për censurë, por thjesht për t’i bërë këto bërxolla, në përkthim, po aq jo-ofensive sa në origjinal. Njëlloj mund ta përfytyroj si do të reagoja sikur, në një roman të përkthyer nga koreanishtja, personazheve t’u servireshin, për darkë, kotoleta qeni. Teksti i përkthyer besnikërisht do të përftonte tek unë një efekt turbullues të paparashikuar.
[3] Stërgjyshja ime do ta shprehte këtë proces me një frazeologji më pikante: “e bën pordhën fuqi.”
|
8,132 | https://peizazhe.com/2011/08/26/gjuha-e-mujit/ | null | 2011-08-27T03:25:03 | GJUHA E MUJIT | Çfarë gjuhe fliste Muji i Ciklit të Kreshnikëve?
Pyetja në vetvete tingëllon absurde, meqë Muji si personazh i Ciklit të Kreshnikëve në versionin shqip, nuk mund të flasë veçse shqip.
Nga ana tjetër, dinamikat narrative të Ciklit zhvillohen gjithnjë si ballafaqime mes turqve (Mujit, Halilit dhe çetës së tyre) dhe kaurëve (shkjave, njerëzve të Kralit). Me të drejtë është vënë në dukje nga disa studiues, se fjala turk, në këtë kontekst, i referohet fesë myslimane të Mujit me shokë, jo etnisë ose kombësisë së tyre.
Kështu, kur Jevrenija shkije i thotë të jëmës se i pëlqen “Sokole Halili”:
E ama ngjat m’i ka qillue,
nji shplakë ftyrës çikës ia ka dhanë
Dashtni n’turk tha, qysh me m’xanë,
fesë e fisit marre me na i lanë?
Siç e vëren Lambertz-i duke analizuar pikërisht këtë pasazh, koncepti i kombit është krejt i panjohur [për Ciklin].
Nga ana tjetër, te Muji e Behuri, Muji i flet kalit të vet turqisht:
turçe gjogut po i bërtet
[Përkundrazi, Halili i flet gjogut të vet shqip (te Halili merr gjakun e Mujit):
Edhe shqyp ai gjogut m’i ka britë
Lambertz-i vëren se vargu i mësipërm ka kuptim vetëm në kontekstin ku Halili u ka folur më parë shkjeve; me fjalë të tjera, ai u ka folur atyre serbisht, ndërsa gjogut të vet ia kthen në shqipe.]
Turqisht u flet Muji zanave edhe te Deka e Halilit:
Zadrani Mujin e ka rrxue
Edhe Muja Zadranit po i thotë:
– Tri fjalë turçe a po m’len me i thanë?
Edhe djali i Mujit, Omeri, i flet turqisht kalit të vet, siç duket nga ky pasazh nga Omeri prej Mujit:
Kur ka marrë djali n’gjog me hypë
n’vithe t’gjogut s’und i ka mrri
e turqisht gjogut i ka britë:
– Në t’thaçin gjok, si t’kanë thanë,
n’dyu gjuj ti për me ra,
n’vithe tua un për me hypë.
Këtë të dhënë, nga universi narrativ i Ciklit, Lambertz-i e shpjegon si rezultat të një keqinterpretimi, nga ana e rapsodëve sllavë, të gjuhës së huaj që flet myslimani, ose “turku” (në kuptimin e përkatësisë fetare, jo kombëtare); dhe se turçe, në këtë rast, nuk do të thotë turqishte, por gjuhë që flet myslimani në përgjithësi.
Ky shpjegim i Lambertz-it do të qëndronte, me kusht që të pranonim se këngët e Ciklit shqip janë përkthime të versioneve sllave; gjë që fokloristët dhe etnologët në Shqipëri e kanë kundërshtuar me të madhe.
Nga ana e vet, albanologu Robert Elsie me të drejtë e shpjegon emrin Gjeto Basho Muji si Ĉetobaša Mujo, ose “Mujo kreu i çetës ose kapobanda”, në serbishte); madje përsiat se ky mund të ketë qenë personazh historik, i përmendur në një dokument gjermanisht të shekullit XVIII, ku thuhet:
Von Gross Kladuscha, da am maisten tschettiert würdet: der Haram-Bassa Mustaffa, dess Hernizo Brueder, sonsten Khasslitschitsch Musstaffa genandt.
(“Nga Kladusha e madhe, ku mbizotërojnë çetat, Mustafa Harambashi dhe vëllai i tij Hrnjico, i njohur ndryshe edhe si Mustafa Hasliçiç”). Të kihet parasysh se Mujo është shkurtim (hipokoristik) i njohur i emrit Mustafa, ndërsa Harambash ka kuptimin “kapedan i kaçakëve” (gjermanisht: Räuberhauptmann).
Sikurse Gjergj Elez Alia, gjithnjë sipas Elsie-t, përkon me sllavo-boshnjakun Alija Djerzelez dhe turkun Gürz Ilyas.
Në rastin e Gjeto Basho Mujit, sikurse në rastin e Gjergj Elez Alisë, do vërejtur struktura tripjesëshe e emrit – që për Mujin është paretimologjike, sa kohë që Gjeto Basho është një shtrembërim i “çetobashit” boshnjak, dhe vetë Muji, në ndonjë këngë të Ciklit quhet Qeto ose Çeto Bashe Muji (p.sh. te Deka e Halilit, e botuar në Leka, në 1932).
Sipas Çabejt dhe autorëve të tjerë struktura tripjesëshe e emrit është tipike për shqiptarët e trevave veriore, myslimanë dhe katolikë (Dedë Gjo Luli) dhe dikur edhe jugore (në Labëri dhe në zonën e Bregut: Zenel Gjoleka nga Zenel Gjon Leka; Koço Gjipali nga Kiço Gjin Pali, pa përmendur pastaj Gjin Bua Shpatën nga Mesjeta), dhe mund të interpretohet si element arbëror arkaik në cikël.
Për t’u përmendur është edhe Arnaut Osmani, personazh që del edhe në ciklin serb edhe në ciklin shqiptar (disa herë në këtë të fundit) dhe që, me emrin që ka, nuk është se e konfirmon gjë përkatësinë etnike shqiptare të agallarëve të tjerë të Mujit; meqë në një mjedis etnikisht “arnaut”, nuk ka shumë kuptim ta quash dikë Arnaut.
Punët ngatërrohen edhe më, kur dëgjojmë historinë e këtij personazhi, siç ia tregon ky vëllait të vet të cilin s’e ka njohur ende (te Arnaut Osmani e Hyso Radoica):
Atherë foli Arnaut Osmani:
– Fisin tem djalë po ta kallxoj,
Se prej Zaharës vetë jam,
unë jam kenë i grues së vejë,
zenjine nana â kenë,
gjysën e shehrit të veten e ka pasë;
kur Muji në Zaharë ka ra,
luftë të madhe Muji ka ba
edhe të tanë shehrin e dogj
e n’oborr të kishës Muji më ka gjetë,
në bukuri Muji m’ka lakmue,
para vedit n’shalë më ka marrë
e n’Jutbinë Muji më ka çue…
Më pas e merr fjalën Hysoja, për të treguar se edhe ai ishte prej Zaharës, i grues së vejë dhe se Muji ia pati marrë rob vllanë e vogël dhe se nana e tij i kish marrë borxh krajlit e s’ia kish shlyer dot, prandaj ishte detyruar t’ia jepte peng të birin e vetëm që i kish mbetur, Hyson.
Lambertz-i vëren, me këtë rast, se Arnaut Osmani kish lindur sllav, dhe kishte marrë emrin Arnaut vetëm pasi ishte bërë mysliman, duke marrë edhe mbiemrin “Osmani”. Në Cikël, ai njihet (sipas Lambertz-it, por jo Skendi-t) edhe si Dizdar Osman Aga – në turqishte dizdar është komandanti i kështjellës (italisht castellano), ose si Temkoviq Osmani. Lambertz-i shënon edhe se emri i tij fillestar, ose serb i krishterë, ishte Tanak.
Nga ana tjetër, Hyso (vëllai i humbur i Arnautit) mua s’më tingëllon si emër sllavi të krishterë; dhe ndoshta Lambertz-i e merr me mend origjinën e krishterë të Arnaut Osmanit në bazë të këtyre fakteve: që Muji e gjen atë në oborr të kishës; që ai ishte nga Zahara (Zara), qytet i krishterë në Dalmaci (po ajo Zarë që do të priste, pak më vonë, një koloni të vogël arbëreshësh nga zona e Shkodrës); dhe që Hysoja vetë ishte oborrtar i krajlit.
Të tërheq vëmendjen në vargjet e mësipërme që Muji e gjen Arnaut Osmanin “në oborr të kishës”: kjo mund të interpretohet edhe si metaforë për konvertimin e fëmijës nga të krishterë në mysliman. E habitshme është edhe arsyeja pse Muji e merr këtë fëmijë me vete: jo sepse i vjen keq për të, as sepse i duhet për ta rritur si skllav ose si oborrtar ose për çfarëdo shërbimi tjetër, por sepse “n’bukuri e ka lakmue.”
Si virtyt i pamjes, bukuria nuk ndahet nga lakmia, brenda etosit të Ciklit.
Në një këngë tjetër (Muji e Jevrenia), Arnaut Osmani u thotë agallarëve të tjerë se “un meshë mirë dij me çue”; edhe pse i rrëmbyer i vogël prej fisit të vet sllav të krishterë, ky “shqiptar” i adoptuar i mban mend disa gjëra nga fëminia dhe e kapërcen me sukses provën e qiririt (duke e prerë qiririn mes për mes me shpatë, pa e fikur), e cila duhej të tregonte nëse ky ishte vërtet i krishterë apo jo – të jetë kjo jehonë, sado e ndërmjetësuar, e laramanisë së disa shqiptarëve?
Po çfarë gjuhe fliste, pra, Muji i Ciklit të Kreshnikëve shqip, sa kohë që asgjëkundi nuk pohohet, në tekstet ekzistuese, se fliste shqip?
[Lambertz-i përmend një variant minor kënge ku rapsodi shqiptar e ndërron fjalën turçe me fjalën shqip, pasi e kupton kontradiktën midis heroit të një kënge shqip dhe faktit që ai flet turçe ; por nuk ka dyshim se varianti me turçe është autentik.]
Nëse Cikli në versionin shqip nuk është doemos përkthim i versionit sllav, atëherë do të pranojmë se, të paktën në disa prej këngëve, Muji trajtohet si “turk” jo vetëm nga feja, por edhe nga gjuha që flet; ndoshta ngaqë, për mendësinë e një rapsodi mysliman të periudhës osmane, atributi i të qenit “turk” jo vetëm në fé por edhe në gjuhë, do t’ia ngrinte vlerat heroit, sidomos në luftë me shkjaun kaur.
Një shpjegim tjetër do të ishte edhe se Muji e përdorte turqishten si lingua franca, kur komunikonte me shkjaun e krishterë, edhe pse kjo duket si e pabesueshme, në kushtet e kontakteve të përditshme që kishin me shkjaun kreshnikët e Ciklit.
Përndryshe, do t’i besojmë versionit të Lambertz-it, se fjala turçe i referohet çfarëdo gjuhe që fliste një “turk” ose një person i fesë myslimane, nga pikëpamja specifike e kallëzimtarit serb-boshnjak të eposit.
Bibliografi
1. Lambertz, M., Die Volksepik der Albaner, Halle (Saale) M. Niemeyer, 1958.
2. Elsie, R. Some Observations on Albanian and Bosnian Epic Traditions. Paper given at the international Albanological conference: “50 Jahre Albanologie an der LMU München,” Wessobrunn, Germany, 23-25 June 2011.
|
11,827 | https://peizazhe.com/2013/01/17/integrim-apo-bashkim/ | null | 2013-01-17T14:26:41 | INTEGRIM APO BASHKIM? | Julius
Po bëhen gati dy muaj që nga festa e 100 vjetorit të pavarësisë, dhe nën avujt e festimeve ndërkohë, gjetën vend të mbrujteshin disa ide interesante në lidhje me të ardhmen e Republikës së Shqipërisë dhe jo vetëm asaj. Euforia e festimeve në paralelizëm me shpërfilljen e Europës ndaj hilaritetit të shqiptarëve për festën e tyre të demostruar vrullshëm ato ditë, u pasua nga mohimi i statusit të vendit kandidat prej euroburokratëve, për të tretin vit rradhazi. Këto ngjarje, pjesëmarrja aktive në festime, hilariteti, ekzagjerimi, shoqëruar me shpërfilljen nga ana e evropianëve, për shkak të kontroversialitetit të prodhuar dhe në antipod të njera tjetrës prodhuan reagime.
Shqiptarët festojnë, evropianët shpërfillin. Ky dyzim i dukshëm, u shfaq politikisht më pas si pikëpyetje e pranëvendosjes së dëshirës për bashkim dhe mundimit për integrim.
Një artikull nga Fatos Lubonja, flet për këtë dualizim, apo këtë skizofreni midis dy projektesh. Ai e quan përftimin e projektit si nacional-europianizim. Dhe tenton të thotë nëpërmjet analizës së vet, se ky projekt vjen i keqkuptuar për dhe prej shqiptarëve, të cilët dhe nga integrimi nuk heqin dorë, por edhe nacionalizmin e duan në dorën tjetër.
Akoma më tej, editoriali i fundit i kryetarit të AKZ-së, Kreshnik Spahiu, hedh dritë mbi dualizmin e projektit dhe mes rreshtash lë të kuptohet se përballë sfidës së integrimit, do të zgjidhte bashkimin e shqiptarëve në të dy shtetet e tyre tashmë të pavarura.
Në një linjë përfshirëse midis dy projekteve, atij të bashkimit dhe integrimit gjendet një tjetër autor, Dardan Mustafaj, i cili shkruan se përplasja midis dy projekteve, vjen veç për shkak të këndvështrimit ndaj tyre, dhe nuk është se a priori e mohojnë njëri tjetrin.
Sigurisht që qëndrimi në paradhomën e BE-së për një kohë të gjatë, do të sillte në një masë të madhe njerëzish një lloj frustrimi, akoma dhe reagimi reaksionar mohues ndaj projektit të integrimit. Disa të dhëna sipërfaqësore do të dukeshin që më parë, rreth tyre kam shkruar diçka në këtë artikull. Ngelet të shihet nëse këtë frustrim të masave do e marrë në dorë ndonjë kalorës i domenit politik dhe do e përdorë atë për qëllime elektorale. Deri tani AKZ duket se mundet, po ngelet të shihet nëse e ka seriozisht dhe sa larg mund të shkojë, përtej populizmit që e shfaq barbarisht kaq dukshëm.
Një dyshim i imi ngelet se ka mundësi që kjo dilemë integrim apo bashkim, do të ripërmasojë politikën e së ardhmes për vitet në vijim.
Thyerja, apo radikalizimi i elektoratit, mund të ndodhë sipas idesë së Lubonjës, nëse projekti i integrimit do të largohet akoma më shumë dhe do bëhet i paprekshëm. Arsyet që shtojnë mundësitë pse mund të ndodhë kjo në të ardhmen, janë të ndryshme. Këtu mund të përmenden diferencimet historike të shqiptarëve me fqinjët që stimulohen nga nxitja e një retorike nacionaliste agresive ndaj tyre – tashmë pjesëmarrës në BE, apo në proces e sipër. Akoma më, perceptimi i elitës së sotme politike si bashkëfajtore me burokratët e BE-së për vonesën. Kjo mund të konceptohet dhe si marrëveshje e heshtur, gati komplot të njërës pjesë me tjetrën, apo dhe si shfrytëzim i idesë së integrimit për interesa personale të kastës drejtuese. Nervoziteti për këtë shkak, është vënë re i artikuluar dhe prej eksponentëve mediatikë të opozitës të cilët janë pro integrim në dukje. Kufizimet e çdo lloji, qofshin këto ligjore, burokratike, apo ekonomike, që do të pengonin procesin e zgjerimit të BE-së nga lart, janë akoma, një arsye tjetër. Për më tepër arsyeve të mësipërme, u ofrohet tashmë dhe alternativa politike e bashkimit.
Pyetjes se përse Shqipërisë, përsëri iu mohua statusi i vendit kandidat, i nevojitej një përgjigje e munguar jashtë llogoreve politike. Dhe mungesa e kësaj përgjigjeje, investon në qëndrimin reaksionar të elektoratit. Një tipar që duhej vënë re, është paaftësia për të komunikuar me Evropën politike e asaj që quhet ndërfaqe (interface), pra të zgjedhurit politikë, karshi euroburokratëve. Nuk flasim të njëjtën gjuhë me Evropën, kjo është e dukshme.
E dhëna karakteristike për këtë dështim komunikimi, është pohimi shumë herë i disa analistëve të medias, ku pyetjes që rëndom u bëjnë burokratëve evropianë të akredituar në Shqipëri, nëse sjellje të ngjashme të politikanëve do toleroheshin prej vendeve nga të parët vijnë, këta u përgjigjen duke u shfajësuar se “kështu është Shqipëria”. Kemi të bëjmë duket, me rënien në kompromis për faktin se nuk po merremi vesh. Dhe nëse politika nuk është art i marrëveshjes, kjo kthehet në konflikt. Këdo që të ardhmen e Shqipërisë e sheh në Evropën e bashkuar, gjendja e tanishme duhet ta vinte në mendime.
Së fundi, ideja e shfaqur prej artikullit të Dardan Mustafës që i shikon të dy projektet në një linjë, pra atë të bashkimit përmes civilizimit duket shumë tërheqëse; madje do mund të përdorej dhe si etalon i elitës politike: një elitë që nuk shfaq civilizim, nuk ka mundësi të prodhojë bashkim.
|
36,262 | https://peizazhe.com/2020/08/30/ne-kujtim-te-atjon-zhitit/ | null | 2020-08-30T08:02:53 | NË KUJTIM TË ATJON ZHITIT | Sot më 30 gusht 2020, Atjon Zhiti do të ishte 25 vjeç. Kur na la aq befasisht, në 2014, vazhdonte studimet për Filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano, në Itali.
Janë bërë disa botime me emrin e tij: përmbledhja “Për atë që dua(m)”, me shkrime që ai i quante “traktate”, albumi “Opera Atjon”, me vizatime dhe piktura të fëminisë dhe adoleshencës.
Në Prishtinë sapo ka dalë libri “Jam Atjoni”.
Për këtë përvjetor ende shumë të trishtë për prindët dhe të afërmit, shokët dhe miqtë e tij dhe të familjes dhe të gjithë ne që kurrsesi nuk mund ta pranojmë këtë lloj ikjeje, kemi zgjedhur për lexuesin një nga esetë e Atjonit: 19 vjeç ishte kur e shkroi, por na duket sikur ta ketë shkruar dje…
KUR U SHPIK 1+1: MIZORIA QË LULËZON NGA DOBËSIA
nga Atjon Zhiti
– njëri nga Traktatet e Studentit të Filozofisë –
Një flashback i vazhdueshëm që kthehet vazhdimisht në të tashme, kurrë e shkuar e kurrë e ardhme, një lojë që vizaton portretin më besnik të shoqërisë shqiptare në kohërat tona. Vetëpyetesh pse, pse ndodh kaq stishëm, gjërat duhet të ishin normalizuar, s’duhet të kishte të korruptuar, të paktën jo kaq. Dhe jo, ata jo vetëm nuk janë zhdukur, por kanë vazhduar pa i bezdisur kush, bile janë shumuar, janë shumëzuar, kanë rafinuar teknikat bashkë me kompetencat kriminale.
Pse korrupsioni është sistem? Sistem deri në atë pikë që seleksionohen të korruptuarit dhe diskriminohen të ndershmit duke i vendosur në konditat që të mos dëmtojnë me të paparashikueshmen dhe antisistematiken ndershmëri të tyre. Ka një arsye nistore, besoj. Që nuk është pak e vërtetë për të qenë një zbulim i momenteve të fundit. Korrupsioni është një krim ndaj kolektivit, një plagë ndaj të mirave të saj materiale dhe jo. Gjithsesi. Jepet rasti që shoqëria jonë që prej hapjes së tregut të lirë është kthyer në një konglomerat privatësh dhe partikolarësh ku pasioni civil nuk ka zënë rrënjë.
Kuptohet që në këtë habitat korrupsioni është i toleruar, bile i mirëparë edhe nga kush nuk ka asgjë tjetër në dorë përveçse të humbasë. Në qoftë se nga një anë publikisht e rrallëherë shprehet përçmim ndaj këtij fenomeni, privatisht e shpeshherë gjendet gatishmëria për ta admiruar dhe, po u pat mundësia, të imitohet nga kush ia del pa u kapur dhe kush ndërton pasurinë mbi këtë “virtyt” të pështirë.
Qytetari i ndërgjegjshëm ama duhet të bëjë kujdes ndaj dialektikës së kontrollit, sepse ai/ata që po aq shumë shajnë (antagonistin politik), po aq shumë dëshirojnë të jenë në vendin e tij (pushtetarit).
Kontrollimi i këtij fenomeni është patjetër i domosdoshëm, por të mos krijohen iluzione: nuk do të ketë asnjë kontroll derisa ky “virtyt” të jetë virtyti më i virtytshëm. Por në një shoqëri tashmë të bërë kështu kjo nuk është epiqendra e problemit. Nuk është fort në modë të thuhet, por korrupsioni rrjedh nga fort-e-dashura shoqëria civile: që ka pushtuar botën e sipërmarrjes, të kreditit dhe të informacionit, ka kalbur privatin gati po aq sa gjënë publike.
Dhe vatra e problemit është politika, sepse e tillë është bërë veshja, por prapë nga vatra mund të vijë ndryshimi, në këtë rreth ku i përbashkët është fillimi dhe fundi.
Kur politika nuk dallohet më nga rruga,
pasoja e menjëhershme dhe e pashmangshme është një mynxyrë. Kokëposhtë – kthimi i vlerave përfiton nga këto sjellje antisociale që legjitimohen nga ndjenjat e përbashkëta dhe fatkeqësisht rezultojnë të përligjura.
Urgjentisht duhet katalizatori i një reforme intelektuale e morale.
Kush e bën sot politikën në atdhe? Kampionët e moralit të thyer ose të çalë dhe interpretuesit e modernitetit shqiptariot. Në hipotezën më të mirë ata janë teknikë pa vizion, më shpesh adept punësh që njohin tejmirë rrjetën e relatave që u kanë lejuar të pushtojnë poste dhe fuqi.
Ndërkaq në sfond kemi një sistem partish që rron për t’u riprodhuar pa përdorur masa mbrojtëse ndaj sëmundjeve të transmetueshme, duke mos kaluar nëpër mend as një çast hipotezën për t’u vetëvendosur nën kthetrat e kritikës. Dhe në sajë të saj, hipotezat, hamendësimet ose teoritë janë në funksion të problemeve: janë dyshime që duhen kontrolluar. Dhe çdo kontrollim i një propozimi në vetvete është një tentativë flakjeje.
Hipotezat tona derisa vihen në praktike nuk mund të verifikohen, nuk mund të demonstrojmë të vërtetën e tyre: ato, ama, mund të falsifikohen, të shqyrtohen edhe si të pasakta. Dhe sa më parë ne gjejmë që një teori është e rreme, aq më shpejt komuniteti do të ndodhet në nevojën shtrydhëse për të shpikur dhe për të provuar një teori më të mirë se ajo paraardhëse, me të pasur në përmbajtje, parashikuese dhe shpjeguese.
Gabimet e gjetura dhe të zhdukura përbëjnë dritën e vogël e të mjegullt, që na lejon të dalim nga terri i shpellës së injorancës tonë.
Shkencat shkojnë para, sepse nuk gabojnë dy herë në të njëjtën mënyrë po ashtu si dhe njerëzimi. Ky qëndrim i ndërgjegjshëm kritik kundrejt vetë ideve tona është diferenca reale midis qenieve me dije dhe qenieve pa shtylle kurrizore. Qeniet me dije gabojnë, por në një mënyrë ndryshe nga jokurrizorët, qeniet me dije janë vazhdimisht të eksituara nga dëshira për të gjetur një gabim tek teoria e vet; me dëshirën për ta asgjësuar sa më shpejt. Ndërkohë jokurrizori vdes bashkë me teorinë e tij të gabuar.
A domethënë kjo të jesh i korruptuar? Në shkallë të gjerë po. Dhe prapë se prapë kuptohet që korrupsioni zhvillohet shumë thjeshtë, kur finaliteti i të bërit politikë është të bërit politikë.
Ndjenja e shumëshpeshtë që “të gjithë bëjnë kështu” është vetëm maska e asfiksimit, “populli” nga një anë stigmatizon këto lloj sjelljesh dhe kërkon gijotinën ndaj këtij fenomeni, nga ana tjetër është i projektuar që të mirëkuptojë e të justifikojë. Dhe për këtë arsye “populli” ose “shoqëria” i qëndron larg si kundrejt një murtaje politikanit vizionar dhe ideologut idealist.
Shoqëria jonë duhet të jetë e hapur
Ndaj një zgjedhjeje vlerash më të shumta, ndaj më shumë vizioneve të botës, ndaj një shumësie propozimesh për të zgjidhur problemet konkrete dhe një sasie më të madhe kritike (kuptohet, asaj konstruktive).
Shoqëria e hapur është vetëm kur pranon të qaset edhe ndaj një numri më të madh të mundur idesh dhe idealesh të ndryshme, bile dhe në kontrapozicion me njëra-tjetrën. Shoqëria e hapur është e mbyllur vetëm ndaj intolerancës.
Dhe burimi më i pastër për intolerantët është suponimi fatal i besimit të të ndodhurit në poses të një të vërtete absolute, të një vlere të vetme, të qenit në të drejtë dhe të paturit detyrën për ta imponuar këtë të vërtetë dhe këtë vlerë. Për ters, në rastin konkret flitet për pseudo të vërteta e pseudo vlera. Shembujt i kemi vazhdimisht përpara prej shtatëdhjetë vitesh.
Fasada është e bukur plot shpresë, rrënjët janë të njëjtat, të kalburat…
|
33,826 | https://peizazhe.com/2020/02/03/strumbullari-i-nje-qyteti/ | null | 2020-02-03T09:02:47 | STRUMBULLARI I NJË QYTETI | Intervistoi Arta MARKU
Me Ardian Vehbiun, për librin “KULLA E SAHATIT”
“Kjo emblemë e varur pezull në kohë, e paasimilueshme në paradigmë, strumbullar dhe pasqyrë e vetëdijes qytetëse, heroikisht i bëri ballë çdo adoptimi të dhunshëm nga ana e shtetit. Monument i askujt, i ndërtuar nga askush, i papërvetësueshëm. Mbijetoi si kumt për syrin, fjalë e braktisur në rrymë të kohës, jetime, e rritur me pekulet e shikimeve në atë teatër permanent që ishte qendra e Tiranës. Në të vërtetë më të shumtët prej nesh, as nuk e dinim se kush e kishte ngritur dhe pse. Në përlavdim apo kujtim të kujt, ndoshta pse prania e saj ishte shndërruar në kusht elementar për perceptimin e qytetit.”
Kjo është Kulla e Sahatit, sipas Ardian Vehbiut… dhe me të drejtë.
Do të flasim për detajet e librit tuaj, për këndvështrimin tuaj, për mënyrën se si e keni parë dhe se si e keni interpretuar Kullën, por do ta fillojmë së jashtmi, nga kopertina. Libri i parë, sepse në dorë kemi një ribotim, i takon vitit 2003, 15 vjet të shkuara. Kishte në atë kohë në kopertinë një fotografi të vjetër të Kullës së Sahatit, kur Kulla ishte mbizotëruese, mbi pullazet. Është shumë më lart mbi pullazet e çative, ora është me numra romakë… Fotografia flet në mënyrë të drejtpërdrejtë, pra është shpjegim i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë i titullit. Kësaj radhe, në këtë ribotim, më duket sikur është prirja që nëpërmjet kopertinës të flitet simbolikisht për brendinë e librit. Pra, kemi Kullën të shndërruar në një laps, që vizaton objektet e tjera rreth e rrotull…
Librin e pata botuar në krye me K&B, një shtëpi botuese që drejtonte Ardian Klosi dhe Juta Bezenberg. Kam përshtypjen se kopertinën e ka bërë Juta, që është fotografe dhe ka futur dhe disa fotografi të tjera në atë libër, në versionin e parë. Ajo e ka kuruar anën grafike të librit dhe mua më pëlqen kopertina e librit të parë. Për botimin e dytë diskutuam pak edhe me Brikena Çabejn (botuesen) edhe me Annën, që është administratore e shtëpisë botuese, për t’i dhënë diçka tjetër kopertinës. Më pëlqente ideja e Kullës si laps, sepse ka një ngjashmëri vizuale. Por edhe mund të shihet si laps që vizaton objektet e tjera të qendrës, sepse është një ide që ndeshet edhe në libër. Kulla duke qenë permanente i jep qenie dhe pamje të gjitha objekteve të tjera të qendrës.
-Është strumbullari.
Ne e shikojmë Kullën, por dhe Kulla na shikon duke qenë atje. Dhe na shikon jo vetëm ne, por shikon edhe objektet e tjera që ka përreth. Ky ishte koncepti im që në krye dhe mendova se ndoshta një piktor, një artist, mund ta realizonte në kopertinë. Dhe, kështu lindi ideja e Kullës që vizaton.
-Pra, është një mënyrë tjetër, është një mënyrë vizuale e asaj që brenda librit thuhet me fjalë. Kur ju e keni shkruar këtë libër, në 2003, nuk ka ekzistuar as Hotel Plaza, nuk ka ekzistuar as Torre Drini, të cilat në fakt e kanë dëmtuar, e kanë shkatërruar siluetën e Kullës që ishte përcaktuese për Tiranën. Tashmë ato janë mbi të, të dyja. Mbi të gjitha është Plaza, në vetvete një objekt interesant, por Kullës i bën dëm. Çfarë i kanë sjellë librit ndryshimet marramendëse të ndodhura gjatë hapësirës kohore mes botimit dhe ribotimit? Libri në këtë ribotim i merr në konsideratë edhe këto objekte të reja? Pra, a ka kapituj të shtuar apo është i njëjti libër si herën e parë?
Librit i kam shtuar pjesë. Është rreth 20 për qind i ri, por gjithmonë i referohet periudhës së para ’90. Nuk ka shumë ekskursione në të tashmen, por kjo përmendet ndonjëherë tek-tuk thjesht për një konsideratë timen, pa marrë në analizë çfarë i ka ndodhur Kullës në kontekst. Sepse, besoj e tashmja meriton një ese më vete, përndryshe uniteti tematik i esesë do të thyhej.
-E meriton një ese më vete. Mendoni që ta shkruani? Do ta shikoni tashmë ndryshe Kullën në hapësirën kohore të pas ’90?
Kisha materiale për kullat që po ngrihen në Tiranë dhe për ndryshimet që sjellin në kontekstin urban, sidomos në qendër. Thashë t’i shtoja si apendiks te ky botim, por pastaj m’u duk sikur do ta lodhja lexuesin kot. Ashtu do të hapja një tematikë krejt tjetër, të lidhur me ndryshimet e pas ’90, të cilat nuk kanë të njëjtën natyrë me ato të para ’90. E kam nisur ta shkruaj librin besoj në ’99 dhe në fillim nuk e dija se ç’do të bëja me të. Thjesht më vinte për ta shkruar si ese. Madje, mbase nxitja për ta shkruar besoj më ka ardhur – atë kohë jetoja në New York dhe punoja në Manhattan – nga ballafaqimi me arkitekturën e Manhattan-it. Përvoja ishte shokuese, por njëkohësisht dhe shumë stimuluese nga ana intelektuale, se përpiqesha të kuptoja se ç’është ky qytet. Ka një pasazh në një libër të Céline, që tregon se si i afrohet personazhi kryesor New York-ut nga deti për herë të parë, befas i del New York-u përpara dhe thotë: Ah, është i pari qytet që shoh, që rri në këmbë. Më ka mbetur në mendje kjo.
-E bukur. Sepse qytetet shtrihen zakonisht.
Po, New York-u rri në këmbë, sidomos Manhattan-i. Thashë, për mua ishte një shok i madh. Gjithmonë kam pasur interes për qytetet dhe kam jetuar në disa qytete të rëndësishme, si në Romë dhe në Napoli, por Manhattan-i ishte diçka krejt e re dhe më nxiti të mendoj për arkitekturën, jo dhe aq në vetvete se sa në raport me njeriun. D.m.th.., si e modifikon ajo jetën e qytetarit. Dhe, duke menduar për Manhattan-in në fillim, gradualisht kalova mbrapa në kohë dhe fillova të mendoj për Kullën e Sahatit dhe jetën tonë në totalitarizëm.
-Po pse pikërisht Kullën dhe jo një objekt tjetër?
Është çështje personale. Unë gjithmonë e kam pasur Kullën në sy, meqenëse kaloja aq shpesh në qendër dhe…
-Keni kaluar kaq afër Kullës dhe keni parë edhe Xhaminë, minaren që është gjithashtu elegante, vertikale. Megjithatë, Kulla është ajo që meriton të identifikojë Tiranën?
Kullën unë e kam parë si student. Gjithmonë duke shkuar në universitet… jam vonë, jam herët. Në një farë mënyre lidhet me përditshmërinë time. D.m.th., Kulla ishte atje që më maste, unë sikur të isha akrepi që i vija rrotull. Edhe kur dilja në darkë e njëjta gjë, shihja sa është ora. Në njëfarë mënyre ishte qendra e jetës time si qytetar i Tiranës. Xhamia nga ana tjetër ishte dhe nuk ishte. Në kuptimin që, ishte objekt i bukur në vetvete, por që ishte e privuar nga funksioni. Nuk funksiononte. Ishte thjesht një ornament në qendër.
-Edhe po të ishte në funksion, kam përshtypjen se nuk do të ishit kaq i interesuar ta lidhnit me elementin fetar identitetin e Tiranës. Apo gaboj?
Për mua, që jam rritur në një atmosferë krejt të laicizuar, [xhamia] është shenjë e Tiranës së vjetër më shumë se sa shenjë e fesë islame, sepse ka qenë atje edhe kur feja nuk praktikohej. Ne i kalonim pranë, uleshim te shkallët ndonjëherë, i shikonim afresket. Ishte një objekt shumë familjar. Por, nga ana tjetër kur flas për funksionalitet të Xhamisë, kam parasysh edhe atë funksion që është i ngjashëm me atë të Kullës. Sepse, edhe minarja shërben njëfarësoj për të fiksuar jetën e përditshme nëpërmjet këngës së myezinit.
-Nëpërmjet faljes… Na tregon orën, kohën edhe ajo.
Po. Tregon orën. D.m.th.. janë dy mënyra të ndryshme për të treguar orën dhe për të organizuar jetën e qytetit. Njëra fetare, tjetra laike. Dhe në fakt, ata që janë marrë me historinë e sahateve të qyteteve dhe kullave të sahateve, në përgjithësi e kanë vënë re që këto kanë lindur të bazuara mbi rregullimin e orareve në manastire, nëpërmjet lutjeve. Gjithmonë ka qenë një bazë e ritit fetar për organizimin e ditës nga njerëz që i përkushtohen Zotit dhe pastaj ka kaluar në laicitet ose në realizimin e jetës së qytetit, i cili nuk i kushtohet më Zotit, por qytetarit, si të thuash.
-Le të flasim pak, po e quaj, një lloj historiku të Kullës së Sahatit duke e parë vizualisht. Përpara se ajo të kishte një orë, me sa dukej, koha matej ndryshe atëherë nëpërmjet kambanës, çfarë mund të themi për Kullën dhe për ndryshimin e formës së saj, të fytyrës së saj?
Në fakt, kur e sheh e kupton sa e rëndësishme është pjesa e sipërme e Kullës. Duket sikur gjithë Kulla ekziston si strukturë për të treguar atë gjënë sipër. Ajo është vendi ku të shkon syri, sepse kur e shikon në një formë tjetër, gati-gati nuk e njeh. E vjetra është tjetër lloj kulle dhe po ta shikosh dhe ndryshimi që i është bërë në raport me sot, sikur është oksidentalizuar pak. Ndoshta vetëm sa është laicizuar. E vjetra është kullë tipike e një qyteti oriental. Ngjan me atë të Elbasanit, ndoshta dhe me atë të Shkodrës.
-Të gjitha këto kulla, kam përshtypjen, se duhet të kenë qenë dikur me kambanë. Lajmëronin kohën çdo orë duke i rënë kambanës.
Kemi të bëjmë me njëfarë zhvillimi teknologjik, të një qyteti osman si të thuash. Ndoshta dhe në imitim të çfarë ndodhte në Perëndim, u pa, edhe në perandorinë osmane, nevoja për të pasur një formë laike, jo fetare të organizimit të ditës nëpërmjet kambanave për të lajmëruar orët. Por arkitektura, siç e shohim, është ndryshe. Natyrisht unë nuk jam ekspert as i historisë së arkitekturës, as i arkitekturës vetë.
-Imazhet flasin vetë.
Po. Imazhi pikërisht këtë më thotë: kësaj Kulle, që duket tani kaq e ndryshme, në fakt i ka ndryshuar vetëm pjesa e sipërme. Dhe kjo ka rëndësi, sepse tek e fundit qytetarët atë shikojnë, majën e bukur. Ndryshe nga kullat për të cilat flasim sot, të cilat kanë funksionalitet gjatë gjithë gjatësisë së trupit, p.sh., për të shërbyer si zyra ose si apartamente banimi etj.
-Për të shfrytëzuar hapësirën tek e fundit.
Ndërsa te Kulla e Sahatit, jo. Kjo është thjesht një makinë, si të thuash, për të arritur lartësinë.
-Edhe një detaj tjetër në aspektin e jashtëm të Kullës. Ora që kemi sot ka numra arabë. Në fillimet e saj, kur për herë të parë është vendosur një orë, ajo ka qenë me numra romakë dhe deri vonë ka qenë me numra romakë. Kam përshtypjen që kësaj arkitekture numrat romakë i shkojnë më shumë. Është ajo që shihet te kopertina e librit tuaj të parë…
Në fakt kanë një lloj vjetërsimi numrat romakë, që mund të jetë dhe i shtuar, mund të jetë artificial. Ndonjëherë e sheh sot në orën e dorës, disa kanë numra romakë sepse duket sikur është një vjetërsi stilistike, për një shkelje syri, sepse askush nuk kërkon të falsifikojë dhe ta tregojë si të vjetër.
-…ama edhe kullat e sahatit që kam parë në qytete të ndryshme evropiane, kryesisht në Itali, i shoh me numra romakë…
Sepse ashtu kanë qenë.
-Sepse kanë ruajtur frymën e kohës.
Sepse numrat romakë përdoreshin për orët. Edhe tradita e tillë ka qenë, por kam përshtypjen që numrat romakë njëfarësoj i shkonin dhe arkitekturës që ndërtuan italianët rreth e rrotull, në qendër, deri lart te universiteti. Sepse, dhe ajo kishte referenca të forta ndaj arkitekturës së Romës imperiale.
-Shkruani: “Kulla është e vetmja siguri pas së cilës mund të kapem, pas së cilës mund të mbahem për të qëndruar në këmbë jo vetëm si mysafir, por dhe si i kthyer”. Dhe, pastaj flisni për një lidhje sentimentale me Kullën. Çfarë do të thotë lidhje sentimentale e një individi me një objekt, që është objekt publik? Me një objekt që është i të gjithëve dhe i askujt? Si kryqëzohet lidhja, historia juaj vetjake me historinë kolektive pikërisht te Kulla e Sahatit?
Janë disa pika të qiellit të Tiranës, skyline siç i thonë anglisht, që për mua kanë pasur shumë rëndësi gjithmonë. P.sh. mali i Dajtit ka qenë gati si një perëndi që më përshëndeste çdo mëngjes. Kjo është gjë e veçantë për Tiranën. Kur jeton në një qytet tjetër që është i sheshtë, menjëherë të mungon mali. Do që ta shikosh dhe nuk e gjen dot. Tjetër referencë, sërish e lartësisë, është Kulla. Ka qenë për mua, sepse e kam konsideruar si timen në kuptimin që jam identifikuar lehtësisht me të, gjë që nuk e bëja dot me objektet e tjera në qendër sepse kanë qenë gjithmonë të konotuara ose politikisht ose historikisht, në një mënyrë që unë nuk e gjeja timen. Ndërsa te Kulla e kam gjetur veten, sepse është një monument edhe teknologjik edhe laik edhe i bukur, se edhe kjo ka rëndësi. Është edhe eleganca edhe misteri gjithashtu. E kam përmendur pak edhe në libër, madje që fëmijë e mbaj mend, kur kaloja aty më bënte gjithmonë përshtypje që dera kishte një dryn. Dryni gjithmonë më bënte që të mendoja.
-Në përfytyrimin tim, dryni asaj dere ishte shumë i madh për derën dhe dera ishte shumë e vogël për Kullën.
Edhe mua ashtu më duket. Tani nuk e di sa i përgjigjet realitetit kjo, sepse njeriu i rregullon vetë kujtimet. Por, ai dryn gjithmonë më dukej i madh dhe i ndryshkur dhe misterioz. Çfarë është mbyllur, thosha në fillim, atje. Dhe më vonë bëja të njëjtën pyetje, por të kthyer përmbys, çfarë mbahet jashtë, çfarë nuk lihet që të hyjë.
-Nuk ka qenë e mundur më parë, para viteve ’90, që të hyje në Kullën e Sahatit? Ju kur keni hyrë për herë të parë?
Nuk kam hyrë asnjëherë…
-Duhet të jetë një ndjesi krejt e ndryshme duke e parë Kullën, një gjë të ngushtë dhe vetëm me shkallë. Duhet të jetë dhe mbytëse pak, duhet të jetë klaustrofobike. Duhet të jetë komplet tjetër nga ndjesia kur e sheh nga jashtë.
Është e gjitha shkallë. Madje ndonjëherë thonë për rrokaqiejt në New York, por edhe në qytete të tjera që, ka një limit për lartësinë, sepse nëse kalohet ky, atëherë kulla do të jetë vetëm ashensor.
-Shumë qytete i kanë tejkaluar këto limite me kohë. Çfarë i ka bërë njeriut kjo? Çfarë i bën njeriut tejkalimi i këtyre lartësive?
E shkëput nga dheu.
-Nuk e kam fjalën kur je brenda në kullë, por kur je jashtë. Ju përmendni në libër Aristotelin që thotë, qyteti duhet të jetë aq i madh sa zëri i tellallit të dëgjohet deri në skajet. Pra, përmasa njerëzore. Arkitektura greke e ka pasur tipike përmasën njerëzore. Romakja e tejkaloi. Dhe, sidomos në kohën tonë përmasa njerëzore nuk ekziston më. Qytetet nuk janë më të arritshme. Tirana nuk arrihet, të mos flasim pastaj për metropole të mëdha. Por, mbi të gjitha në lartësi. Kjo ndikon negativisht në psikikën tonë?
Ka mbetur ndjenja e komunitetit ndoshta në mëhalla të caktuara ose në lagje të caktuara… Unë mbaj mend se si ka qenë, madje dhe në vitet ’60 e kam një farë ideje se si ishte ky komunitet dhe nuk mund të krahasohet më. Tani, Tirana është e pakapshme nga njeriu, individi. Por ka një logjikë të vetën dhe ngaqë ne nuk e kapim dot, na kap ajo ne, pa e kuptuar.
-Është logjika e zhvillimit?
Është logjika e qytetit të madh që ka interesat e veta. Dhe si çdo teknologji, sepse në fund të fundit qyteti është një lloj teknologjie, kërkon të ruajë, të përjetësojë dhe të riprodhojë veten.
-Më parë, Tirana kishte siluetën e vet urbane që e identifikonte. Po t’i afroheshe qendrës nga rruga e Durrësit dalloje siluetën e pangatërrueshme me dy elemente vertikale, Kullën e Sahatit dhe xhaminë. Sot nuk përvijohen më në sfondin e qiellit. Dhe më shumë se sa Plaza që është larg, siluetën e dikurshme e ka prishur Torre Drini, kam përshtypjen.
I bën dëm sepse nuk ka ndonjë estetikë ajo ndërtesë për të qenë kaq në plan të parë. Përndryshe, tani e rrethuar me ndërtesa të larta, që me gjasë që do të shtohen, Kulla do të vijë duke u dukur si një zog në kafaz. Prapë do ta duam, por do të na vijë keq. Mua që tani më vjen pak keq, siç më vjen keq për rininë time, më vjen keq edhe për Kullën. Janë e njëjta gjë për mua. Ka një plan të përfytyrimit ku janë i njëjti objekt, si kujtimi im i materializuar në një ndërtesë, e cila sa vjen dhe ripërmasohet për shkak të kontekstit që ndryshon. Është dhe një nga temat e librit ky ndryshim i vazhdueshëm i kontekstit përreth Kullës, që bëhet edhe më i perceptueshëm, ngaqë Kulla vetë nuk ndryshon. Kjo gjë sjell ndryshim edhe në psikologjinë e të gjithë atyre që te Kulla gjejnë veten, siç jam unë. Por, nuk besoj se jam vetëm unë. Ka dhe shumë banorë të tjerë të Tiranës që e përjetojnë këtë.
-Kulla nuk ndryshon dhe ky është fakt. Kulla është gjithmonë e njëjta. Edhe kur e lyejmë me të bardhë, ajo pak më vonë do të zverdhet gjithsesi. Por, ka një këndvështrim tjetër ku duhet të qëndrojmë. “E parë nga afër, – thoni për kullën, – është madhështore në raport me pamësin”. Pra, kur ti je përballë saj, ajo vërtet duket madhështore por jo në aspektin e përmasës. Madhështi, jo në kuptimin e madhësisë por të mrekullisë. “E parë nga larg është madhështore në krahasim me qytetin. Nuk zvogëlohet kurrë”, – thoni. Çfarë do të thotë ky këndvështrim, nuk zvogëlohet, kur ajo në fakt në momentin që ka Plazën afër, duket me të vërtetë e vogël.
Është e vërtetë. Por, këto unë i kam shkruar në kohën kur e përfytyroja Kullën siç ka qenë, pa Plazën. Por edhe tani, ajo për mua nuk zvogëlohet. Plazën unë e shoh më tepër si një kërcënim se sa si një mik, një bashkudhëtar të Kullës në qytet. Është një kërcënim, është një rrezik për ekzistencën e këtij objekti, gjithnjë në vështrimin e qytetarëve. Akoma nuk është në të njëjtin plan me Kullën nga pikëpamja e përjetimit të qytetit nga banorët. Është diçka tjetër, kështu që Kulla mbetet ajo që është, madhështore dhe monument edhe për nga forma duke ngjarë dhe me obeliskun e me të tjerat, edhe nga fakti që është e vogël, bazën e ka shumë të vogël. Ti mund të shkosh atje dhe të ngresh kokën e ta shohësh. Është një ndjesi e jashtme me atë që kemi përjetuar të gjithë kur kemi vajtur e parë rrokaqiejt në Perëndim. Ka një vështirësi që përtej një lartësie të caktuar, ato duken të gjitha të larta njëlloj. Ne, ma merr mendja, psikologjikisht nuk jemi në gjendje ta kuptojmë diferencën përtej një lartësie të caktuar. Një ndërtesë që është 100 metra ne na duket e njëjtë me një tjetër 200. Në kuptimin, që kur sheh nga afër një ndërtesë 50 kate dhe pastaj një tjetër me 100 kate, të duket sikur nuk ka ndonjë diferencë shumë të madhe. Por, po të largohesh e kupton që nuk kanë të krahasuar.
-“Sahati, është atje, – shkruani, – në emër të organizimit të hapësirës së qytetit për ta vaksinuar këtë të fundit, kundër kaosit”. Pra, e diskutuam. Ka gjithmonë nevojë qyteti për një strumbullar rreth të cilit sillet. Si duhet të jetë ky objekt, që të jetë strumbullar i qytetit, çfarë karakteristikash duhet të ketë? Me çfarë modelesh mund të krahasohet Kulla jonë e sahatit?
Kulla e Sahatit është perfekte, për mendimin tim, në këtë rol.
-Pse pikërisht Kulla dhe jo një kambanare të themi?
Sepse sahatin e sheh, ndërsa kambanoren e dëgjon. Në kuptimin që, orën te Kulla ti mund ta shohësh në çdo moment sa është, ndërsa kambanoren duhet të presësh që të bjerë. Në një kuptim je në mëshirën e saj. Mund të bjerë për një sekondë, apo mund të bjerë pas një çerek ore. Ndërsa Kullën e sheh. Në këtë kuptim Kulla ka dy tipare që e bëjnë të përshtatshme si strumbullar. Është permanente në kuptimin që ka qenë aty dhe është dhe organizon qytetin rreth vetes, por sidomos për tiparin e dytë që është matja e kohës. Pavarësisht se ne sot e kemi orën me vete në telefona, në aksesorët e tjerë elektronikë, nuk është se kemi nevojë për ta parë atje përtej. Por, megjithatë syri shkon vetvetiu.
-Në fakt, atëherë kur na duhej për të matur kohën, nuk funksiononte si e tillë.
Në kohën kur filluan të mungonin dhe dritat në Tiranë, për një kohë të gjatë nuk punonte. Sepse me sa duket ngecte motori e besoj se do ta kenë fikur pastaj, sepse ishte e vështirë ta kalibroje.
-Asokohe të gjitha orët rreth e rrotull nuk përkonin me njëra – tjetrën. Në faqe të ndryshme të Kullës shihnim kohë të ndryshme.
Sepse iu prish ora dhe vetë Tiranës dhe Shqipërisë në atë kohë. U prish koordinimi i jetës sociale. Nuk ishte më vend normal Shqipëria. Ishte një vend që po priste katastrofën dhe segmente të caktuara, qoftë dhe brenda Tiranës, e jetonin kohën në orë të ndryshme. Disa si shumë të ngadalshme e disa si shumë të shpejtë. Ndoshta kjo meriton të studiohet më vete, përjetimi i ndryshëm i kohës në momente krizash nga segmente të caktuara të popullsisë: ata që humbin, ata që po bëhen gati të fitojnë… si rrjedh në mënyra të ndryshme koha. Por, në Tiranën e asaj kohe ndodhi edhe që ora vetë, ose sahati, mbeti. Kështu që, gjithsecili ishte i lirë ta kalibronte sipas dëshirës dhe interesit.
-Le të flasim pak dhe për modele të ngjashme, një krahasim me sahate të tjera në Lindje, por dhe në Perëndim. Apo është më tepër model perëndimor ky yni?
Nuk e di. Në Lindje nuk kam qenë përveçse në Stamboll. Stambolli është në kufi midis dy qytetërimeve, por kullat e sahatit në qytete të tjera, më tepër ngaqë kanë qenë për mua objekte të reja, i kam parë më tepër si kuriozitete dhe si gjëra të bukura. Nuk kam arritur dot ta përjetoj sahatin në një qytet tjetër, sikurse e përjetoj Kullën e Sahatit në Tiranë.
– Më duket se sahatet, në përgjithësi, nuk janë, ose rrallëherë janë, kulla në vetvete, të shkëputura. Janë kulla që duhet të jenë pjesë e një ndërtese të caktuar.
Sepse shumë qytete në Perëndim, besoj, e kanë kapërcyer fazën kur organizoheshin rreth një sahati. Ky është si model pak më mesjetar. Ose i kohës së Rilindjes evropiane. Më vonë kanë ndodhur gjëra të tjera në qytet. Edhe në Romë shikon orë, por jo kulla. Në Romë është dhe konfiguracioni i qytetit i tillë, që varet nga lagjja ku je se çfarë do të kesh si pikë reference. Në New York pastaj nuk ekziston asgjë e ngjashme.
-Në një moment ju thoni për Kullën e Sahatit: mori atributet e një blasfemie. Çfarë doni të thoni?
Blasfemi në raportin me ndryshimet që po shkruheshin në qendër. Sepse ajo nuk mori pjesë në to, përveçse si spektatore. Në një kohë kur gjithçka përreth modifikohej për të shprehur ideologjinë e kohës, Kulla vetë nuk ndryshonte. Ishte apolitike dhe duke qenë e tillë tregonte me gisht politizimin, natyrën thellësisht politike të asaj që po ndodhte në qendër. Ishte si një spektator ose si një pikë kontrasti, që ndihmonte. Nuk ishte e vetme, ndoshta dhe xhamia merrte pjesë aty. Por, ne xhaminë ishim mësuar ta filtronim. Nuk e shikonim praktikisht. Ishte si në një pikë të verbër (blind spot), sepse nuk ia gjenim dot një përdorim përtej ornamentit në qendër. Brezi im u rrit në këto kushte. Ndërsa, Kulla ishte atje, në një kohë kur rreth e përqark u prish Pazari i Vjetër, u ndërtua Pallati kulturës, u prish Bashkia, u ribë sheshi disa herë. Gjithë këto gjëra kaq thelbësore, jo vetëm për qendrën, jo vetëm nga ana arkitektonike, por edhe për jetën e banorëve të Tiranës të cilët ishin mësuar ta përjetonin qendrën në një mënyrë të caktuar. Ka shumë rëndësi për identitetin e gjithsekujt, se si e jeton qytetin.
Për shembull, te Bashkia ka pasur lokale. Ishin Reklamat e Kinemasë [një varg tabelash ku afishoheshin posterët e filmave dhe oraret, për çdo kinema, A.V.]… një vend për të cilin thuhej: “te reklamat”. Ishte një pikë e nxehtë e qytetit, do të thoja edhe e dashur, megjithëse nuk kishte ndonjë gjë specifike aty. Mbaj mend vetëm gështenjat që binin nga lart. Ishte një pemë e madhe, gështenjë e egër, që e mbushte trotuarin poshtë me “frutat” e veta. Gjëra që në vetvete ndoshta nuk kanë ndonjë vlerë, por që ua jep qyteti vlerën duke i zgjedhur mes të tjerave. Dhe ajo ishte një pikë e nxehtë. Po ashtu Bashkia. Të gjitha këto gjëra të reja që ndodhnin rreth Kullës u ndryshuan, sipas një plani edhe arkitektonik natyrisht, por mua më intereson plani ideologjik. Për të shprehur një gjë të caktuar aty rreth e rrotull Kullës. Kulla vetë nuk mori pjesë në këto. I vetmi rol i saj ishte si dëshmitare.
-E megjithatë, mbeti mbizotëruese në aspektin e lartësisë. Ju thoni që: “Urbanistika e pasluftës në Shqipëri kishte një farë alergjie sado të ndrojtur ndaj kullave, teksa mbetej e dashuruar pas shtrirjes”. Pse e lexoni faktin që gjatë diktaturës Tirana nuk u rrit në lartësi, si një lloj alergjie ndaj lartësisë dhe jo si pamundësi financiare?
… Tregojnë një histori në librat e antropologjisë për një indian-amerikan, prijës, nga ata legjendarët, i cili, në pleqëri erdhi të vizitonte Chicago-n. Nuk kishte qenë ndonjëherë më parë. I treguan rrokaqiejt e Chicago-s. I thanë, çfarë mendon për këto? Ky i pa, por nuk është se shfaqi ndonjë habi shumë të madhe. I thanë, po nuk të duket çudi? Shiko se ç’bëhet këtu. Ne kemi kapur qiejt. Nuk e di, tha, nuk po më duket ndonjë gjë. Ne e kemi zakon që shtëpitë t’i ndërtojmë njëra përbri tjetrës, ndërsa ju i ndërtokeni njëra mbi tjetrën. Ai kështu, kaq thjesht e pa këtë gjë. Ndërsa tek ne, në vitet ’40, ’50, ’60 që ndoshta ishte periudha e ndërtimeve të mëdha, kishte vend. Nuk kishte mungesë vendi, që të shkoje në lartësi.
-Nga ana tjetër kjo ndikoi që asgjë të mos e rivalizonte Kullën derisa u ndërtua 15-katëshi.
Për mua ka qenë një moment pak patetik, përpjekja për ta ndërtuar 15-katëshin në atë kohë. E kam përmendur edhe në libër, ishte si një sprovë që edhe ne mund të bënim ndërtesa të larta edhe pse nuk ishte dhe aq ndërtesë e lartë…
-Parë nga këndvështrimi i sotëm nuk ishte dhe aq ndërtesë e lartë, në fakt ishte trefishi i ndërtesave të zakonshme. Ishte shumë e lartë.
Ne na dukej shumë e lartë. Unë kam qenë në gjimnaz atëherë, megjithëse ndërtimi mund të ketë vazhduar dhe më pas. Por, kur u ngrit ajo strukturë kishim dhe një farë krenarie që, ja, më në fund u bëmë edhe ne me një ndërtesë të tillë. Kam shtuar një episod në botimin e dytë: Në gjimnaz, me disa shokë të klasës, jemi ngjitur me këmbë deri në majë të godinës së pambaruar, nëpër ato shkallët prej betoni, ashtu siç ishin, pa parmak, avash-avash dolëm në tarracë dhe u habitëm me ç’na doli përpara. Na u duk sikur pamë një gjë që nuk duhej parë. Sikur bëmë një akt, një lloj mëkati, sepse pamë një Tiranë, atë mbrapa hotelit, që ishte si e prishur, si e keqe, si e shtrembër. Nuk e kishim parë ndonjëherë ashtu në atë mënyrë. Pa çka se ato rrugica ne të “Sami Frashërit” i kishim përshkuar me dhjetëra në mos qindra herë.
-Po, parë nga brenda është tjetër gjë.
Nga lart ishte e frikshme. Dhe ideja tjetër që, këta që do të vijnë në hotel çfarë do të shikojnë këtu! Pse kështu do të na e shikojnë Tiranën!
-Kaq e keqe ishte!? Pullaze të e kuqe dhe hurma. Me siguri kështu do të ketë qenë me çati të kuqe dhe me hurma.
Tani, unë i kujtoj me nostalgji ato, sepse më duket si një vlerë e qytetit të atëhershëm, por mendo që për mendjen e një adoleshenti që admiron teknikën, lartësinë, lustrën, teknologjinë, ajo ishte: obobo ç ‘paskemi në Tiranë! Në këtë kuptim e them.
-Meqë jemi te 15-katëshi. Ju nuk mund ta shikoni Kullën e Sahatit si një objekt të vetmuar. Sepse, asnjëherë një objekt arkitektonik nuk mund të shikohet vetëm pa u vënë në kontekst. Ai duhet parë në krahasim me fqinjët. Dhe ju e ballafaqoni Kullën e Sahatit si me xhaminë, si me 15-katëshin, Pallatin e Kulturës, me Bankën. Le të flasim pak duke filluar nga 15-katëshi, meqë jemi këtu, për ballafaqimin e Kullës me 15-katëshin dhe disa objekte të tjera të qendrës.
Gjithmonë nga perspektiva ime prej qytetari, sepse një specialist i shikon ndryshe këto gjëra.
Si qytetar, i shikoj si dikush që është rritur me Kullën; dhe pastaj shikon këto objekte që mbijnë rreth e rrotull Kullës disa dhe të larta si 15-katëshi, që e rrezikonin njëfarësoj dominimin e saj; i shikon, pra, si kërcënim ose si të padëshirueshme. Nga ana tjetër, sheshi midis tyre ka ardhur duke u zgjeruar, sepse më parë ishte Bashkia që i jepte një farë mbylljeje tjetër sheshit. E bënte më të vogël dhe më të ngrohtë.
-Gjithë Tirana ka qenë më e vogël dhe më e ngrohtë.
Edhe më mikpritëse për njeriun. Mirëpo erdhi duke u hapur e duke u hapur. Filloi të hapej si një nga ato plagët që nuk mbyllen dot më. Dhe kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite. Qendra e Tiranës, për mua, është ose një plagë që nuk mbyllet dot, ose një lloj alopecie. Pra, një vend ku bien flokët dhe vazhdojnë të bien rreth e rrotull dhe hapet e hapet dhe nuk arrin dot ta kontrollosh më.
-Le ta pranojmë më mirë të hapur, sepse mund të kujtojnë njerëzit se po hedhim idenë ta mbyllim dhe ta ndërtojmë. Jo, më mirë e hapur.
Jo, për të ndërtuar jo… Megjithatë, mua më vjen keq, sepse te rruga e Dibrës ose tek e Barrikadave ka pasur gjallëri të madhe. Edhe në vitet ’70 se në ’60 po e po, aty ka qenë zemra e Tiranës, ndërsa sot është shumë e trishtuar, e zbrazur.
-Pse jo? Dalin gjithmonë prioritete të reja. Njerëzit gjejnë disa fokuse të reja me joshëse, më në modë dhe braktisen të vjetrat.
Po janë vende që mezi krijohen. Asnjë nuk e di që njerëzit do investojnë shpirtërisht në një zonë të caktuar. Ti si arkitekt ose urbanist shpreson që të ndodhë kjo, por nuk mund ta dish me siguri. Për shkak të një kombinimi të panjohshëm rrethanash, vende të caktuara papritur bëhen të dashura për njerëzit dhe ata fillojnë të shkojnë aty, lënë takimet. Kjo ndodh jo vetëm në Tiranë, ndodh në çdo qytet tjetër. P.sh. në New York, në Manhattan, është një mëhallë, Lower East Side quhet… Po ta shikosh nga jashtë thua kjo është një gërmadhë, një gjë pa asnjë vlerë. Mirëpo për banorët e qytetit vende si ky janë shumë të dashura, sepse aty ka lokale të vogla, klube ku luhet muzikë xhaz. Kanë histori ato, sepse aty ka luajtur filani apo fisteku dhe mbahen në këmbë me këtë histori. Kështu, edhe në Tiranë sot e kësaj dite ka vende që e kanë këtë magji që ia kanë dhënë njerëzit, Nuk e kanë nga arkitektura. Arkitektura mund të ndihmojë, por nuk është e thënë. Po sjell në vështrim pedonalen, e cila nuk është as vend tamam, është një hapësirë midis ndërtesash, megjithatë ka ngjitur te njerëzit. Sepse, shkojnë aty. Gjithnjë e shikoj plot. Shkojnë, lënë takime. Njerëzit lënë të takohen në vende që u pëlqejnë. Këto vende nuk duhen humbur…
-Por qyteti duhet zhvilluar… Është i pashmangshëm ndryshimi…
Megjithatë, nëse ti fillon dhe bën ndërhyrje me kritere të tjera qofshin dhe funksionale, nganjëherë e vret organicitetin e qytetit. Nuk është më vend i gjallë ai, pastaj. Mund të ndodhë edhe që një ndërtesë shumë e bukur, e projektuar nga arkitektët më të mirë, që fiton madje çmime në konkurse, nuk ngjit madje e dëmton indin urban. Njerëzit nuk shkojnë atje. Nuk kanë arsye pse të shkojnë. Mund të jetë një muze i përsosur, por të jetë i rrethuar nga boshllëku. Asnjeri nuk shkon atje, përveçse vizitorët dhe turistët, dhe kjo gjë e vret qytetin. Sepse, çfarë do të bëjnë aty? Krijon dhe probleme sociale, sepse një zonë, me një mur që mund të jetë 100 metra i gjatë pa asnjë dyqan, pa asnjë hyrje, pa asnjë gjë, mund të kthehet në vend të rrezikshëm natën. Ose fillojnë e shkruajnë mbi të, bëjnë graffiti. Zona e humbet furnizimin me gjak, si ndonjë gjymtyrë e trupit që ka pësuar trombozë. Fillon të degradojë. Është shumë delikate.
Sa i përket ndërhyrjeve në Tiranë, ato janë bërë nga politika, le ta zëmë dhe nga qëllimet më të mira. Në rastin tonë nuk ka qenë kështu, po le ta marrim për të mirëqenë, për hir të argumentit. Qytetarët zakonisht nuk janë pyetur. Ose edhe kur janë pyetur, mendimet e tyre nuk është se janë marrë parasysh.
-Nuk e di nëse është kjo zgjidhje në fakt. A duhen pyetur njerëzit? A e kuptojnë njerëzit, a di njeriu paraprakisht se çfarë do të ndodhë në një vend që do të ndërtohet? Ajo vjen më pas ndoshta, njeriu e kupton më vonë.
Mund të ketë institucione dhe struktura me specialistë, të cilët janë në gjendje ta ruajnë balancën.
-Pra jemi te mendimi i specialistit. Gjithsekush e njeh fushën e vet.
Specialisti mund ta ruajë balancën mes vlerës arkitektonike, vlerës sociale, komunitare të zonave të caktuara. Sepse, e kupton që qyteti ka nevojë të zhvillohet, por e kupton që edhe qytetit i duhen ruajtur komunitetet, përndryshe dëmi social që shkaktohet është i pallogaritshëm. Qoftë në faktin që, njerëzit hallakaten, nuk i kanë më ato struktura sociale të mbrojtjes që të ndihen mirë, por edhe nga ana psikologjike. Madje është konstatuar si rriten neurozat, për shkak të ndërhyrjeve të shumta në strukturat urbane; sidomos agorafobia, ankthet, dhe forma të tjera të ngjashme, sepse njerëzit nuk arrijnë dot të orientohen në beton. Nuk është strukturë normale, sidomos kur ndryshon dhe shpejt. P.sh. kur ka mëhalla të vjetra, jo vetëm që mëhalla është e bukur…
-Gjithmonë shkojmë te përmasa njerëzore, që është shumë e rëndësishme për njeriun.
Është komuniteti. Janë ato që i kanë quajtur anglisht eyes on the street. D.m.th. sytë e njerëzve në rrugë, që në Shqipëri i kanë pasur gjithmonë plakat dhe që shërbejnë si kamera të sigurisë. Siç janë kamerat sot, ishin plakat dikur. Ato merrnin vesh çdo gjë që ndodhte dhe ishin dhe një lloj sigurie për të gjithë banorët, dhe për fëmijët e vegjël që kalonin aty. Funksiononin në mënyrë perfekte mëhallët. Ne kur ishim të vegjël shkonim në shkollë, unë e kam pasur shkollën relativisht afër, por mund të ktheheshe në shtëpi edhe natën, nuk kishte problem, sepse ishte mëhalla, ishin gjithë këta njerëz që shërbenin si kamera. Sepse komuniteti ishte i fortë. Është shumë i rëndësishëm komuniteti. Nuk është e thënë që të jetë një vlerë e kapërcyer, sepse sot e kësaj dite, njerëzit e duan komunitetin.
-Më kujtuat kohën e vështirë, vitet ’97. Ishte shumë e rrezikshme të lëvizje nëpër Tiranë vetëm dhe, në momentin kur hyja në rrugicën time, sadoqë bosh, pa njerëz, fillonte qetësia ime. Aty filloja ndihesha e qetë, sepse isha në mëhallë.
Komuniteti është shumë i rëndësishëm. Për fat të keq, jo thjesht për shkak të ndërhyrjeve urbane, por në Shqipëri janë shkatërruar komunitetet. Ngaqë shumë njerëz kanë ikur, kanë ardhur shumë njerëz të rinj. Këta kanë shkatërruar komunitetet që kanë lënë dhe ende nuk kanë formuar dot komunitete të reja, në vendet ku kanë ardhur.
-Gjithsesi janë probleme në mos të pazgjidhshme, vështirë të zgjidhshme. Sepse nuk janë vetëm problemet e Shqipërisë, tek e fundit. Po le të kthehemi te Kulla e Sahatit. Ajo që më bëri përshtypje ishte një moment kur ju përmendni poetët, të cilët siç thoni, e shijonin shumë praninë e Kullës teksa pinin një gotë birrë, e shijonin shumë përshëndetjen e saj kur ktheheshin nga Tirana, sidomos kur ishin të rrezikuar për të mbetur jashtë Tiranës.
Ishte ngushëlluese.
-Ishte shumë ngushëlluese e megjithatë, ata nuk i shkruan dy vargje për Kullën e Sahatit, ndërkohë që shkruanin për shtyllat e tensionit të lartë, për oxhakët e fabrikave etj. Si shpjegohet?
Unë nuk është se i kam kontrolluar, por përshtypja ime…
-me gjasë keni të drejtë. Së paku nuk na ka mbetur në mendje ndonjë poezi për Kullën. Do të thotë se diçka që mbetet, nuk është shkruar…
Unë lexoj, por sidomos në atë kohë lexoja shumë edhe poezi si student i letërsisë që kam qenë, nuk mbaj mend të kem ndeshur në një poezi të mirë për Kullën. Kam përshtypjen që ishte një lloj autocensure, sepse Kulla ishte apolitike.
-Ishte një ndërtesë tek e fundit. Mund të mos i këndoje një ndërtese, por mund të ishte së paku e pranishme në poezi.
Është autocensurë, e hiqnin ose e mbanin për vete. Ose ishte kaq e çmuar saqë e mbanin për vete. Nuk donin ta ndanin me të tjerët. Ishte një lloj sekreti individual, për t’u shijuar në heshtje.
-Interesant më duket si këndvështrim.
Nuk ka pasur. Në atë kohë ka qenë edhe një lloj prirjeje ndër poetët, që t’u thurnin vargje objekteve. Sot nuk ndodh më. Kështu që brezit të ri mund t’i duket e çuditshme të thuash pse s’i kanë kënduar Kullës. Fundja, pse do t’i këndohej Kullës? Mirëpo atëherë kështu bënin. Këndonin për fabrikën, këndonin për oxhakun, për hidrocentralin, për digën.
-Por jo vetëm në realizmin socialist, jo vetëm në letërsinë e asaj metode. Me një objekt mund të krijohen lidhje sentimentale. Siç keni thënë ju në libër, që keni lidhjen tuaj sentimentale me Kullën dhe i kushtuat një libër… pse jo?
Në realizmin socialist kërkonin objekte me kuptim. Por, me kuptim ideologjik. Kulla nuk e kishte. Kulla kishte një kuptim intim ose identifikues për individin ose për qytetarin. A mjaftonte kjo për të nxjerrë një vjershë në publik? Mund të krijonte dhe probleme në raste të caktuara.
-Sqaroni për librin se nuk është një libër kujtimesh. Dhe në fakt është një interpretim, megjithatë mund ta provokojë kujtesën tonë. Dhe ju vetë keni zbuluar shumë gjëra gjatë rishikimit. Unë p.sh. “zbulova” një detaj që është krejt periferik, por është një detaj për të ilustruar momentin e kujtimit. Nga ky libër u kujtova që kongreset e PPSH-së janë bërë në Pallatin e kulturës, te Teatri i Operës përpara se të ndërtohej Pallati i Kongreseve. Ka plot detaje të tilla. Ju vetë çfarë “zbuluat”, çfarë ju risolli në kujtesë, gjëra të harruara, rishikimi i këtij libri?
Po. Është e çuditshme se atëherë kur i shkruaja këto, kryesisht mes viteve 1999 dhe 2000, e kisha shumë më të freskët kujtesën për Tiranën time, sepse unë kisha ikur nga Tirana pastaj. Unë në ’90 u largova dhe nuk u ktheva më.
-Ju kishit ikur, ama kujtesa ruhet, ngurtësohet ashtu siç ka qenë në momentin që ikni. Për ne do të ishte ndoshta pak më e vështirë, sepse ndryshimet ndikonin.
P.sh. unë mbaja mend që, te salla e Operës dhe Baletit parullat e përdorura për kongreset e PPSH-së, nuk i hiqnin, i linin aty. Dhe ti mund të shkoje të dëgjoje simfoninë e shtatë të Beethovenit mu nën parullat e kongreseve, Lavdi PPSH, e kështu me radhë…
-Ka qenë diçka sipër Pallatit të Kulturës…
Lavdi PPSh ka qenë. Edhe sipër Bankës ka pasur, edhe sipër ministrive; dalin në fotografitë e kohës. Sa i përket qendrës, kur e rishikova esenë para botimit të dytë, vura re gjëra që i kisha harruar ndërkohë. I kisha harruar midis kohës kur e pata shkruar për herë të parë dhe momentin të tanishëm. Kisha harruar p.sh. si ishte shkatërruar Bashkia. Ishte dramë më vete ajo. E rrethuan vendin me mur…
-Thoni se njerëzit që nuk donin ta shihnin shkatërrimin, se ndiznin cigare në momentin që kalonin aty, për të shpërqendruar vëmendjen, për të mos parë…
Po. Do e hedhin në erë, s’do e hedhin në erë. Kur do ta bëjnë… Pastaj thanë do ta bëjnë në mëngjes herët… do largonin njerëzit nga qendra.
-Në fakt ndodhi natën, në mëngjes herët?
Po. Diçka në orën 04 të mëngjesit, por u tund sepse ishte një shpërthim i madh për qendrën e Tiranës. Unë shtëpinë e kam aty afër, te Ministria e Arsimit. Gjithë këtë unë e kisha të harruar. Jo se e kisha harruar, por nuk e kisha menduar më atë atentat që iu bë qendrës. Të shkatërrosh një ndërtesë të tillë, që atëherë edhe e përgojuan shumë. Thanë është e shëmtuar, është e keqe, kanë derdhur italianët shumë beton, gati- gati si një muhabet kasapësh që thonin: ky derr nuk po e vrasim dot aq i shëndoshë është.
Mirëpo ndërtuan pastaj muzeun që e prishi gjeometrinë, harmoninë e sheshit. Dhe që atëherë shkoi e tatëpjetë e gjithë puna. D.m.th.. raporti i qytetarëve me sheshin.
-Edhe pse nuk kanë të bëjnë me thelbin e librit ka dhe disa momente shumë kureshtare ky libër. Dhe unë për njërën prej tyre, dua të flasim. Në momentin kur flisni për Pallatin e Kulturës dhe për hapësirat e Pallatit të kulturës, përmendni një sallë mbledhjesh në katin e dytë, prej nga Mehmet Shehu, gjatë një mbledhjeje, shikon dikë në rrugë, një djalë me flokë të gjatë… Cila është historia dhe sa lidhje ka me të vërtetën?
Ka qenë një histori që qarkullonte në Tiranë në atë kohë, me siguri ka ndodhur se është afër mendsh. Ishte periudha e luftës kundër shfaqjeve të huaja, kryeministri Shehu ishte veçanërisht aktiv, i ashpër. Bëhej një mbledhje në një sallë të katit të dytë. Më duket se quhej salla e leksioneve, atëherë. Kjo sallë kishte dritare të mëdha, të cilat shikonin nga rruga, nga ana e Sahatit. Dhe Shehu shikon nga dritarja, siç ishte i ulur, një person që ecte, por që kishte flokë të gjatë dhe pantallona kauboj, siç visheshin atëherë. “Gango” i thoshim ne atëherë, tani ka ndryshuar kuptimi i fjalës “gango”, por atëherë këta quheshin “gango” që kishin një rrip me një tokëz të madhe, një bluzë të ngushtë, ndoshta dhe një golf sintetik.
-Kur i shohim tani na duket shumë e shëmuar, por atëherë…
Atëherë ishte edhe një lloj deklarate, ajo veshje. E pa këtë Mehmet Shehu dhe i thotë rojës a ndonjë bashkëpunëtori aty: Shkoni dhe silleni këtu. Zbritën ata poshtë, e gjetën atë tipin dhe i thanë hajde se të kërkojnë në mbledhje. Nuk e di si e morën, me zor a me qejf. E sollën aty dhe Mehmet Shehu filloi t’u thotë njerëzve: Ja shikoni ky është një ilustrim i shfaqjes së huaj. Po çfarë je ti? – i tha atij djalit, Adriano Celentano-ja je që i mban flokët kështu? Ky ishte një muhabet që qarkullonte. Nuk mund ta garantoj, por më pëlqen ta rrëfej.
-Qoftë edhe sikur të jetë e trilluar është shumë e bukur.
Nuk është se morën ndonjë masë ndaj tij, por thjesht e përdorën si ilustrim të nevojës për t’i luftuar këto shfaqje të huaja. Mbase edhe e porositën të qethej, të rregullonte pamjen. Po mua më pëlqen edhe që Adriano Celentano-ja vazhdonte të konsiderohej si kryegangsteri italian në atë kohë. Gjithmonë kishte një lloj frike ndaj Adrianos veçanërisht, se mos korruptonte rininë shqiptare, sidomos vajzat. Mesa duket edhe vajzave u pëlqente, u dukej tërheqës, prandaj emri i Adrianos përmendej si gangsteri kryesor i Italisë e mbase i gjithë Europës.
-Z. Vehbiu, thatë pak më parë se mundet që një ese tjetër për sheshin për qendrën do të shkruhet. Mundet apo keni projektuar diçka?
Kam material. I kam botuar te revista “Peizazhe të fjalës” një revistë që del online, administrator dhe kryeredaktor i së cilës jam. Ato kanë dalë atje.
-Ju do t’i zhvilloni?
Ka një numër të madh esesh që vazhdojnë të trajtojnë temën e qendrës së Tiranës, të kullave, ajo që biseduam mes raportit mes urbanistikës dhe komuniteteve, por edhe në lidhje me çështjen e Teatrit. Kam shkruar unë, por edhe të tjerë. Kjo temë është një nga më të rrahurat veçanërisht gjatë këtij viti të fundit. Tema jo thjesht e Teatrit [Kombëtar], por e raportit të qytetarëve me qytetin.
-Pra del jashtë kontekstit të një kohe, jashtë një ngjarje?
Jemi përpjekur të zhvillojmë një temë që, për mua, është e rëndësishme për ta perceptuar historinë e Tiranës si një histori të përplasjes, konfliktit, të luftës midis qytetit dhe kryeqytetit. Pra, Tirana qytet dhe Tirana kryeqytet. Për mua është një përplasje elementare, çelës, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë në Tiranë. Sepse, është një përplasje që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Ka një kryeqytet, në kuptimin që shteti i ka institucionet kryesore këtu dhe që kërkon t’i imponohet Tiranës qytet, e cila ka interesa që nuk përkojnë me ato të kryeqytetit. Tirana qytet ka interesa të tjerë. Kjo është një temë që, për mua, do të meritonte edhe një konferencë. Nuk them që të marr unë pjesë dhe të flas, por konferencë për të parë se si ndërveprojnë këto dy entitete, qyteti dhe kryeqyteti.
-Dhe se si konfliktohen në këtë rast qyteti dhe kryeqyteti?
Nuk kanë interesa të njëjtë. Kanë interesa të ndryshëm, shpesh të kundërt. Dhe dikujt i takon që t’i harmonizojë. Të ulet në tavolinë dhe t’i harmonizojë këto gjëra, sepse lindin pastaj konflikte sociale. E kam shkruar disi këtë tek Peizazhet, do t’i kthehem prapë sepse është një temë që më duket e nxehtë edhe në raport me zhvillimet e fundit. Zhvillimet në urbanistikë janë në qendër të vëmendjes, ka interes të shtuar për to edhe nga qytetarët, edhe nga mediat, ma merr mendja dhe nga pushtetarët.
-Sepse Tirana është në zhvillim.
Secili sipas këndvështrimit të vet. Ka interes për të përmirësuar jetën e njerëzve, ka interes për të bërë para dhe pasuruar, ka interes për të riprodhuar pushtetin nëpërmjet investimeve urbane. Të gjitha këto gjëra meritojnë të shihen jo veç e veç, siç janë parë deri tani, por bashkë, në ballafaqim.
Ky ka qenë libri im i parë, ose më mirë libri im i parë shqip që botova. Më parë kam shkruar me një koleg timin një libër që u botua në italisht. Por, ky është libri i parë shqip dhe në njëfarë mënyre këtu gjen të gjitha temat e shkrimeve të mia publicistike, eseistike të mëvonshme. Këtu është hedhur fara. Nganjëherë thonë që, një autor, një shkrimtar shkruan vetëm një libër, dhe ky është për mua libri që kam shkruar. Të tjerët janë zgjatime të tij, ndonjëherë të çuar dhe shumë shumë larg siç janë variacionet rreth një teme në muzikë: ndonjëherë ka ca variacione që as nuk i lidh dot lehtë me temën. Kështu mund të jenë dhe librat që kam shkruar më vonë, por që gjithnjë kanë për strumbullar temën e kulturës dhe të semiotikës në përgjithësi dhe të semiotikës të qytetit në veçanti.
Shënim: Intervista më lart, e marrë në vjeshtë 2018 fill pas ribotimit të librit tim “Kulla e Sahatit” nga Botime Çabej, është përgatitur si tekst nga redaksia e programit “Bibliotekë”, të RTSH. Falënderoj Arta Markun për intervistën aq të mirë dhe për kujdesin e treguar më pas. Teksti është prekur për gramatikë dhe qartësi.
|
35,004 | https://peizazhe.com/2020/05/26/downtown-one-tirana-ii/ | null | 2020-05-26T06:04:28 | DOWNTOWN ONE TIRANA (II) | Në esenë e parë në lidhje me kullën Downtown One Tirana shpreha shqetësimet e mija në vija të përgjithshme për sa i përket qasjes konceptuale të arkitektëve në dizajnin e ndërtesës. Në këtë ese dua të përqëndrohem tek ato që për mua janë probleme më konkrete të realizimit të projektit nga pikëpamja e integrimit urbanistik dhe arkitekturor në hapësirën ku po ndërtohet në Tiranë. Në fillim do të shikoj atë që autoriteti shtetëror nëpërmjet planeve vendore sugjeron apo rregullon (nëse kjo ndodh) për ndërtim në këtë parcelë ku po ngrihet kulla specifikisht, dhe në atë menjëherë ngjitur saj në lindje, ku tashmë është instaluar njëfarë parku, që mjerisht mendon të zëvendësojë parkun e lojërave 7 Xhuxhat. Më pas do të kritikoj zgjidhjen e ofruar nga arkitektët për të evidentuar që agjencia dhe ekspertiza e tyre, sado subjektive qofshin këto në lëmin e dizajnit, për mendimin tim, nuk janë ushtruar kritikisht, por vetëm formalisht, si një përgjigje gatitu ndaj dëshirës së zhvilluesit. Kjo vë në dyshim edhe arsyen e zgjedhjes së një firme kaq të mirënjohur, për aq kohë sa ajo nuk ofron zgjidhjen inovative që emri i saj premton. Them zgjedhjen dhe kërkoj ndjesë nëse gaboj kur mendoj se për të vendosur se ç’do duhej bërë me një bllok kaq të rëndësishëm në Tiranë, e aq më tepër për të ndërtuar kullën më të lartë në një vend, do t’ishte e arsyeshme ftesa në konkurs e disa urbanistëve, arkitektëve, e inxhinjerëve.
Duke qenë se nuk jam i përfshirë nga afër dhe nuk jam i njohur me kodin e ndërtimit në Tiranë, dokumentet që po përdor si referencë janë ato që lehtësisht munda të gjej në faqet publike të Bashkisë së Tiranës dhe Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Dokumentet janë paketat e udhëzimeve për hartimin e një plani të detajuar vendor (PDV) dhe plani i përgjithshëm vendor i Tiranës (PPV). Bashkëngjitur në fund të shkrimit mund të gjeni vendndodhjen e tyre. I lutem çdokujt që ka referenca më të sakta të më korrigjojë.
Po e filloj nga plani i përgjithshëm vendor i Tiranës (PPV). Plani tregon qartësisht njësitë strukturore në të cilat është ndarë Tirana dhe stadin e tyre të zhvillimit. Gjithashtu për çdo njësi strukturore, ndër të tjera, na thotë nëse nevojitet apo jo një plan i detajuar vendor (PDV) dhe funksionin e ndërtesave të propozuara aty. Sipas këtij plani (PPV), dy parcelat, për të cilat po shkruaj, janë të trajtuara si një njësi strukturore e vetme e quajtur TR97, gjë që do të sugjeronte zhvillimin e tyre të përbashkët. Kjo njësi strukturore duket të ketë nevojë për një plan të detajuar vendor (PDV), i cili parashikon me më shumë detaje ndërtimin në njësinë strukturore. Gjithsesi këtë PDV për njësinë strukturore TR97 nuk arrita ta gjej, as në këto faqe e as në ndonjë tjetër, dhe nuk e di nëse është hartuar nga një instancë publike apo private. Sido që të jetë, duket që të gjitha palët e përfshira të jenë marrë vesh dhe të kenë vendosur që Po! ky PDV me kullën me të lartë në Shqipëri dhe, si për t’i amplifikuar madhështinë kullës, parkun më të vogël në botë, të jetë çka zë vend më së miri në njësinë strukturore TR97.
Megjithatë, vetë bashkia e Tiranës, nëpërmjet udhëzuesve të saj, sugjeron mënyra të ndryshme të ndërhyrjes në territor, dhe për të mos hyrë më thellë në kushtet teknike, që pa dyshim mund të jenë përmbushur mjaftueshëm për të legjitimuar projektin, po citoj një paragraf nga udhëzuesi i bashkisë mbi tipologjitë hapsinore (udhëzuesi PDV Faza II, fq. 46):
“Tipologjia hapsinore konsideron njëtrajtshmërinë e llojit dhe volumit të strukturave në territor, si dhe organizimin e tyre në parcela apo përgjatë skemave rrugore duke gjeneruar tipologji strukturash dhe hapësirash që ndikojnë në hapësirë publike dhe volumetri urbane të unifikuara për nga forma dhe përmbajtja e tyre.”
Me aq sa e kuptoj gjuhën e drunjtë që përdoret, jam dakord me këtë paragraf që na sugjeron të konsiderojmë njëtrajtshmërinë e llojit dhe volumit të strukturave dhe volumetritë urbane të unifikuara për nga forma dhe përmbajtja. Para ndërhyrjes, në këtë njësi strukturore ekzistonte parku për fëmijë 7 Xhuxhat dhe anash tij, një parking i hapur. Në njësinë ngjitur në perëndim ishte dhe vazhdon të jetë ndërtesa me logon e bankës Raiffeisen, e cila gjithashtu është relativisht e lartë në krahasim me çfarë ka rreth e rrotull. Pra, për mua, dhe idealisht edhe për autorët e paragrafit më lart, problemi fillon që me ndërtesën me logon e bankës. Për aq kohë sa nuk e di saktësisht qëllimin pas dizajnit të asaj godine, ashtu siç edhe nuk di qëllimin pas Downtown One Tirana, për sa i përket arsyeve të formës së tyre dhe veçanërisht lartësisë, mund të gjykoj vetëm nga ajo që shoh. Nëse i hedhim një sy hartës së Tiranës, në këtë zonë do të shohim që këto njësi strukturore (TR596 dhe TR97) janë të vetmet njësi në jug të lumit të Lanës dhe në lindje të rrugës Papa Gjon Pali II që strehojnë ndërtesa në disproporcion me shkallën e stofit urban të parcelave rrethuese. Lana dhe kjo rrugë mund të lexohen si vijat ndarëse natyrale midis parcelave në juglindje, që kanë pak a shumë njëtratshmëri lloji dhe volumi, dhe janë pak a shumë të unifikuara për nga forma dhe përmbajtja, dhe njësive në veriperëndim të lumit dhe rrugës, që janë përgjithësisht ndërtesa me funksione publike me një dendësi tjetër, të përziera me zona të gjelbra, të cilat, gjithsesi, janë të lexueshme si të njëtrajtshme. Atëherë kur këto dy karaktere qartësisht të ndryshëm janë qartësisht të ndarë nga këto dy arterie, përse ndryshohet shkalla e TR596 dhe TR97 në mënyrë kaq drastike? Mund të hamendësojmë që këto ndërtesa duhet të jenë të larta sepse kështu, më në fund, edhe Tirana do të fillojë të ketë downtown-in e vet apo skyline-n e saj. Por dhe në qoftë kështu, ngritja e kësaj kulle, si veshka mes dhjamit, është një ndërhyrje artificiale. Ca më shumë, kur vetë ndërtesat stonojnë edhe mes vedit për nga proporcionet. Një ndërhyrje e tillë fragmentarizon jo vetëm karakterin e dy njësive strukturore fqinje por edhe uniformitetin e të gjithë zonës në juglindje të lumit dhe rrugës Papa Gjon Pali II.
Më tutje, mënyra tragjike e trajtimit të parkut të lojërave më lë pa fjalë. Si fillim, parku 7 Xhuxhat ishte shumë më i madh nga ajo çka është ndërtuar tani në vend të tij. Me sa mbaj mend nga frekuentimet e mija të parkut, si fëmijë 10 vjeçar i Tiranës, ai ishte i mbrojtur nga një kanape e dendur pishash, poshtë së cilës, ndër të tjera, mund të gjeje edhe një pellg të vogël ku lundrohej me makina notuese dhe mbikalohej aty këtu me ura të drunjta. Ky park ishte i mirëizoluar nga pluhuri mbytës dhe zhurma dhe egërsia e makinave në kryqëzimin përbri. Ofronte njëfarë paqeje që me sukses mposhtte kakofoninë e krijuar në këtë nyje kaq të dendur të Tiranës. Por tani, pas ndëryhyrjes së ideuar nga firma e mirënjohur dhe mirëvlerësuar hollandeze MVRDV, parku është shndërruar në asgjë më shumë se një tapet rripa-rripa pllakash e bari që lë, jo vetëm fëmijët, por edhe këdo që merr guximin të shpjerë fëmijët aty, në mëshirën e egërsisë së kryqëzimit, i cili për nga karakteri i përbindshëm as nuk ka ndryshuar fare. E gjithë kjo merr nota akoma më dramatike, kur shikoj që po të njëjtët arkitektë në projektin Markthal në Rotterdam kanë arritur poetikisht të përkulin një godinë banimi përmbi një markatë, duke harmonizuar të dy funksionet pa dashur të sakrifikojnë njërin prej tyre. Kam dëgjuar kryeministrin Rama të thotë se qytetarët e Ballkanit nuk janë qytetarë të kategorisë së dytë. E nëse është kështu, atëherë pse privohen këta qytetarë të Tiranës nga produkte arkitekturore të së njëjtës cilësi me atë të qytetarëve të Rotterdamit? Përse, këta arkitektë, mbajnë një qëndrim në Rotterdam dhe një tjetër në Tiranë? Ndoshta pasi kanë rishpikur rrotën për rrafshin e vendeve të ulëta, kanë vendosur që në shkëmbijtë e vendeve të larta, aty ku realisht një rrotë katrore mund të bënte punë, të mos e vrasin shumë mendjen. Nga ana tjetër, ofiqarët shqiptarë sedërpërkëdhelur i ofrojnë me zell të madh starkitektëve ndriçimtarë të planetit një llokmë të mirë sheshi në mes të kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve për të bërë një përshesh që shumë shpejt do i rrijë Tiranës si huri i radhës në gardhin e mosarsyes.
MRVDV Markthal: https://www.mvrdv.nl/projects/115/markthal
Këto dy parcela dhe këto dy funksione do të ishin një mundësi e jashtëzakoshme për cilindo arkitekt për të krijuar diçka kontekstuale, të aftë për të dialoguar butë, njëlloj siç është Tirana vetë, me çatitë e kuqe të vilave përreth, gjithnjë duke trupëzuar në vetvete, dhe pse jo amplifikuar, parkun e lojërave. Çfarë do duhej bërë (duke marrë të mirëqenë që vendimi për të bërë kurban parkun e radhës është marrë)? Përgjigja e kësaj pyetjeje do të duhej të na vinte nga një konkurs i hapur arkitekture. Gjithsesi shembuj të tjerë ka plot. Broadgate – Exchange House është një ndërtesë në Londër e dizenjuar nga amerikanët e SOM.
SOM Broadgate-Exchange House: https://www.som.com/projects/broadgate__exchange_house
Që kur përfundoi së ndërtuari në 1990, kjo godinë-urë prej 10 katesh zgjatet 78 metra përmbi platformat e shinave të trenave. Nëse i njëjti problem dizajni do të ishte ngritur në Tiranë, ne tashmë e dimë se cila do të ishte zgjidhja. Shinat e trenave do duhej të spostoheshin pak djathtas që të bëhej një bythë vend nga ku të dilte një kullë. Unë mendoj se mikro-parku në atë pozicion është një lëvizje e gabuar sepse mungesa e një ndërtese aty (theksoj: tashmë që parku 7 xhuxhat nuk ekziston më) humb shansin për të ankoruar një godinë ikonike, pa qenë nevoja për të qenë e lartë, në cepin e një rruge, që kur kryqëzohet me rrugën e Elbasanit, ka nevojë për një vazhdimësi të qartë të të famshmes urban edge. Me këtë dua të them që aplikimi i një rule of thumb-i të thjeshtë të profesionit, siç është krijimi i një sipërfaqeje të vazhdueshme ndërtimi, përgjatë hapësirës publike të vijës së qarkullimit (rruga dhe trotuari), që të sigurojë shërbime dhe funksione të ndryshme, do të ishte më e pakta që mund të konsiderohej. Kjo do ta bënte cepin më të lexueshëm jo vetëm nga krahu i lumit, por edhe nga rruga e Elbasanit, dhe njëkohësisht do të kundërpeshonte dinamizmin e kryqëzimit. Një shembull klasik për të ilustruar çfarë dua të them është ndërtesa Flatiron në New York, dhe një shembull akoma më i ri Ginza Place në Tokyo (nga Klein Dytham). Megjithatë ndoshta një arsye për ta lënë atë cep bosh ekziston. Përballë këtij boshllëku, në anën tjetër të lumit, ndodhet xhamia sulltanike, dhe një ndërtesë përballë saj, fatkeqsisht, do ta bllokonte korridorin e shikimit të xhamisë nga rruga e Elbasanit. Nëse ky korridor nuk është lënë qëllimisht i hapur për ta shndërruar xhaminë në një ikonë përfaqësuese të Tiranës, kur i qasesh qytetit nga rruga e Elbasanit (përderisa kjo është lehtësisht e shqueshme që nga Fakulteti Ekonomik), atëherë nuk është e qartë, të paktën për mua, pse cepi vetmitar është lënë i ngërthyer nën kafshimin e kullës nga njëra anë dhe kryqëzimit nga tjetra. Situata do të ishte absurde sikur ky konfigurim i krijuar të ishte vetëm pasojë e pavetëdijëshme e pakujdesisë gjatë planifikimit urban të projektit.
PDV Faza I:
https://tirana.al/uploads/2019/6/20190626154026_udhezuesi_si-te-hartosh-aplikosh_pdv-faza-i_azhornuar-2019.pdf
PDV Faza II:
https://tirana.al/uploads/2019/5/20190521145000_udhezuesi_si-te-hartosh-aplikosh_pdv-faza-ii.pdf
PPV Tiranë:
https://www.arcgis.com/apps/webappviewer/index.html?id=ff270e99f5be45f19c7b7a1e3e618b27
|
22,303 | https://peizazhe.com/2016/05/13/kusuret-e-zotit-shyti/ | null | 2016-05-13T22:33:51 | KUSURET E ZOTIT SHYTI |
[Intervistë nga Fatmira Nikolli]
Kush është Zoti Shyti, ose ai që fshihet pas personazhit: jeni ju, është ish-kryeministri Berisha, kryeministri Rama, janë të tjerë në raste të ndryshme sipas temës?
Jo, nuk është figurë e njohur politike. Është kompozitë e disa njerëzve që kam njohur dhe që më kanë bërë përshtypje me ekspansivitetin e tyre dhe aftësinë për të angazhuar të tjerët në biseda dhe debate. Por bëhet fjalë këtu për njohje me natyrë private. Tek e fundit, çdo personazh letrar do të zërë fill nga një kujtim i autorit, nga një mbresë sado fluturake, nga një iluzion a një zhgënjim; edhe pse, siç shohim në historinë jo vetëm të letërsisë por edhe, të themi, të arteve vizuale, lidhje të tilla mund të jenë sa befasuese – kujtoj Caravaggio-n, për të cilin thuhet se përdori një prostitutë si model për Shën Mërinë në një nga pikturat e tij; aq edhe pa interes për pritjen dhe interpretimin e veprës.
A ju jep distanca fizike me Shqipërinë një farë lehtësimi në të thënit të atyre që mendoni?
Besoj se po; edhe pse kjo është më e vërtetë për veprimtarinë time mirëfilli publicistike. Përndryshe, distanca është gjithnjë kusht për të krijuar letërsi. Shehrazadja i tregonte përrallat për të mbetur gjallë; mua më duket ndonjëherë sikur i tregoj për të mbetur në lidhje me gjithçka dhe gjithkënd për të cilët më merr malli. Edhe kështu, është çështje jetë a vdekje.
Zoti Shyti, herë-herë të kujton Doktor Gjilpërën, në rrokjen e tematikave dhe në mënyrën si i gjykon dukuritë e shoqërisë shqiptare…
Po më duket shumë i hollë ky vëzhgim, sidomos ngaqë nuk e konsideroj Doktor Gjilpërën si influencë… por tani e kuptoj se do të jetë një konvergjencë e cila njëfarësoj më miklon; dhe që ka lidhje me artin dhe privilegjin e të vrojtuarit nga larg; por edhe me një farë tradite tonën publicistike, që i ka rrënjët në muhabetet karakteristike të kafeneve. Në rastin tim, gjithsesi, kemi të bëjmë me një personazh që di diçka më tepër se autori.
“Shkelja e privatësisë dhe kufizimi i transparencës janë dy anë të së njëjtës monedhë kallpe, me të cilën na e shpërblen besnikërinë shteti i mbikëqyrjes”. A mendoni edhe ju si Z. Shyti?
Po. Jemi fare zbuluar, përballë teknologjisë së përgjimit. Dhe nuk duhet të mendojmë se kjo po përdoret vetëm për të kënaqur pasionet tona voyeuriste – si në rastet e bisedave erotike të zbardhura, ose të filmimit të vrasjeve, me të cilat na gostitin mediat çdo ditë. Kjo lloj transparence më shumë mbulon, sesa zbulon. Natyrisht, kjo nuk lidhet vetëm me Shqipërinë; madje në Shqipëri survejimi masiv është ende në shkallë primitive, po të krahasohet me çfarë ndodh gjetiu në Europë dhe në ShBA. Por mendoj se kjo nuk do të kuptohet dot mirë, pa ndriçuar marrëdhënien midis survejimit dhe sekretit, e cila gjen pastaj shprehje si (pseudo)transparencë. Çfarë do të thotë edhe se survejimi është vjedhje e privatësisë, ndërsa transparenca e shpallur me të madhe shenjë e raporti neurotik me sekretin. Shyti i thotë të gjitha këto nga pozitat e një paranojaku; por kam përshtypjen, të cilën mund edhe ta përpunoj në një vazhdim eventual të kësaj serie, se ai ka arsye për të qenë paranojak; sepse paranoja ndonjëherë është arma e vetme që u mbetet atyre që nuk duan ta shesin shpirtin.
Në një prej ndërhyrjeve, i pyetur për “përmalljen irracionale ndaj një diktatori të pamëshirshëm”, pra ndaj Enver Hoxhës, zoti Shyti thotë se shqiptarët çmon arbitraritetin jo besnikërinë. Në fakt, si e shpjegoni ju atë ‘përmallje’ për Hoxhën?
Vlerësimi për arbitraritetin e liderit është pjesë e kulturës sonë politike kolektive; çka do të thotë edhe, përkundrazi, që nuk kemi ndonjë respekt të madh për një lider që i përulet ligjit. Dhe meqë sot drejtësia nuk po arrin të jetë “e drejtë” dhe ligji ndihet i pafuqishëm përballë paligjshmërisë, kjo e fuqizon nostalgjinë për atë kohë kur lideri mund të vendoste me kokën e vet, duke i anashkaluar institucionet; sidomos për të ndëshkuar të gjithë ata që e shohin pushtetin edhe si një autorizim ose carta bianca për ta shpërfillur ligjin. Por që të jetë i tillë, lideri “ideal” duhet të qëndrojë jashtë sistemit, si dikur Hoxha.
Diku ju keni edhe një koment mbi/për ata që vranë të atin-Enverin mbasi e kishin adhuruar, që sipas jush janë më të rrezikshmit. Më gjerësisht, çfarë nënkuptoni?
Atëvrasja është krim i rëndë edhe ndaj vetes; simbolikisht, është ekzekutim i autoritetit moral (super-egos) që kemi brenda nesh – në kuptimin që pas kësaj jemi të lirë, në mos të përligjur, të kryejmë çdo lloj krimi tjetër. Në rastin tonë, kjo vlen për të gjithë ata që e konsideronin Hoxhën si babanë e tyre, por që pastaj e mohuan. Ende nuk e di, nëse mes tyre ka qenë edhe vetë Shyti, për të cilin nuk e përjashtoj një farë entuziazmi politik për regjimin, qoftë edhe gjatë rinisë së hershme; dhe që tani e detyron ta mbyllë veten në monologë dhe të fortifikohet në tryezën e vet në kafe; por kushedi ai tregohet pak si tepër i rreptë me veten. Të gjithë ne, që kemi qenë të mitur atëherë, e kemi recituar një vjershë a thënë një lutje për Enverin; por kjo nuk na bën gjë të pashelbueshëm.
Mungesa e shtetit ose mbi prania e tij, si në rastin e instalimit të kamerave, kanë marrë jo pak vëmendjen e Z. Shyti. Si janë pritur kritikat tuaja mbi shtetin shqiptar dhe mbi qeverisjen e tashme?
Përtej zotit Shyti, i cili nuk merr dot pjesë në këtë bisedë tonën, do të thoja që kritikat e mia janë pritur zakonisht mirë nga lexuesi/publiku dhe ndonjëherë kanë pasur efekt edhe institucional, ose konstruktiv. Synimi im, më shumë se të kritikoj për këtë apo atë dukuri, është të krijoj një praktikë të diskursit kritik, e cila të zhvillohet pastaj në hapësirën e shoqërisë civile, jo të politikës. Me fjalë të tjera, synimi im – ideal dhe besoj vështirë i arritshëm, si çdo synim tjetër i denjë – do të ishte tkurrja e pranisë agresive të politikës në komunikimet tona. Kjo do të thotë edhe se vetë libri për të cilin flasim është edhe produkt i frustrimit tim, brenda kësaj hapësire komunikimi të cungët dhe të shurdhët; zoti Shyti i dorëzohet monologut, me ngushëllimin që të paktën e dëgjoj unë, autori; dhe përmes meje si përçues teksti edhe lexuesit e librit; por kjo parakupton një parim pothuajse teologjik, që nuk e zbatojmë dot në realitet.
Duke u ndalur prapë tek qeverisja: Ju nuk keni ngurruar të jepni mendimin dhe qëndrimin tuaj për shumë çështje të përditshmërisë shqiptare, nga plani për Tiranën tek “kullat” e shumë më gjerë. Madje, një prej artikujve tuaj flet për mënyrën se si e pret qeverisja kritikën (Ju punoni, ne ju paguajmë). A keni pasur presione, kritika, armiqësi për shkak te mendimeve të dhëna?
Ndonjëherë njerëz të caktuar më kanë shprehur pakënaqësi ose zhgënjim, por unë s’e konsideroj këtë si presion, dhe besoj as ata. Problemi që ka ekzekutivi me kritikën nuk kufizohet dhe as lidhet kryesisht me ato që them unë; por me bezdinë për t’u angazhuar me kritikuesit jashtë skemave të llojit pozitë-opozitë. Kjo vjen, besoj unë, edhe për shkak se një kategori kritikash janë, që në origjinë, instrumentale.
Dikur kishte censurë për mendimet ndryshe, shpalleshe armik, po sot? Ku shkojnë sot ata ‘autorët që dikur përfundonin në orizore’?
Censura vjen në forma të ndryshme – dikujt mund t’ia mbyllësh gojën edhe duke e rrethuar me zhurmë. Përndryshe, sot kam vënë re që shumë zëra që u humbet privilegji i deridjeshëm, kërkojnë strehë në bunkerët e Internetit: portalet. Por sistemi i sotëm i komunikimit publik është i tillë, që shumë nga ata që kanë gjëra për të thënë, nuk arrijnë ta çojnë fjalën e tyre te shumë nga ata të tjerët, që kanë nevojë për atë fjalë. Pra, potenciali i komunikimit nuk po realizohet dot, sepse sistemi nuk funksionon – dhe kjo edhe në letërsi, edhe në media, edhe në art. Dhe kjo dukuri është gjithashtu një lloj censure.
Megjithë “miqësinë” që keni me kryeministrin, pozicionimi juaj në “Peizazhet e fjalës” ose edhe tek ndërhyrjet e Zotit Shyti, ka treguar se jeni shpesh kundër disa vendimeve të palës qeverisëse. Si e ruani veten për të mos qenë “shkrimtari i oborrit”? Dhe a ju ka distancuar kjo ju nga miqtë?
“Miqësia” ime me kryeministrin nuk ekziston; dhe përgjithësisht nuk ka të bëjë me marrëdhëniet e mia me Edi Ramën. Nga ana tjetër, unë i jap rëndësi të madhe pavarësisë sime dhe mundësisë për të ndërhyrë lirisht në debatet e ditës, qoftë edhe për t’i krijuar ose nisur ato; por edhe mundësisë tjetër për t’i injoruar këto debate, si të papërfillshme. Miqtë e mi, të vërtetët, besoj se ashtu më njohin e më pranojnë, dhe nuk kam humbur asnjë prej tyre, madje edhe kur kemi polemizuar ndonjëherë haptazi – ndoshta sepse unë nuk hyj kurrë në këto “konflikte” si palë me interesa privatë për të mbrojtur, dhe as për të larë hesapet me armiqtë e mi, realë qofshin a imagjinarë.
Tek çështja e sozive politike, vihet në lojë prania në media e politikanëve. Mbase duhen shtuar këtu edhe Facebook-ët e tyre dhe albumet me fotografi profesionale. A është kthyer politikëbërja ironikisht në “luftë imazhesh” në ekrane e fotografi?
Po të më pyeste ndonjë prej politikanëve, do t’ua sugjeroja të largoheshin menjëherë nga Facebook-u dhe rrjetet e tjera sociale, të rrallonin daljet në televizion dhe t’ua linin propagandën zyrave përkatëse dhe ekspertëve. Ndoshta paraqitja e përditshme mund të ndihmojë me votën, por ajo largon të gjithë ata që mund të ndihmonin mirëfilli në politikë dhe kudo gjetiu. Kjo e politikanit që sillet si të ishte rock star ose celebrity nuk është shpikje jona dhe deri diku ushqehet edhe nga mediat, që ashtu e kanë më të lehtë; por një politikan nuk mund të funksionojë dot si politikan, kur reduktohet në imazh; sepse imazhi është dy-përmasor, i mungon thellësia – në kuptimin që personi i sheshuar në imazh nuk arrin të mendojë; dhe publiku, në analizë të fundit, gjithnjë e kupton këtë.
Si i shihni çështjet e kulturës në Shqipëri: teatrin, artin pamor, muzikën, trashëgiminë, letërsinë. A jemi në “drejtimin e duhur” apo po reklamojmë mirë?
Edhe pse përpjekjet nuk mungojnë, ende nuk janë përcaktuar mirë marrëdhëniet e institucioneve publike me artistët dhe krijuesit. Mua më bezdis veçanërisht një lloj protagonizmi prej këtyre institucioneve në çështje të artit dhe të kulturës; në vend të protagonizmit, do të kisha parapëlqyer padukshmërinë. Nga ana tjetër, reklama mund të jetë teknikisht e arrirë, por kjo nuk të thotë gjë për produktin që reklamohet; madje sa më e madhe të jetë diferenca midis teknikës së reklamimit dhe vlerës së produktit të reklamuar, aq më e madhe do të jetë neveria.
Ju trajtoni në libër edhe tabunë seksuale, edhe mungesën e higjienës intime, shpesh edhe mungesën e kulturës a të mirësjelljes, e në raste të tjera edhe mungesën e dijes. Çfarë na thonë gjithë këto mangësi?
Besoj se kjo i duhet kërkuar zotit Shyti, i cili për këto çështje ka opinione shumë më të forta se unë.
Ju përmendni vizitën e saj në Shqipëri, megjithatë a biem dakord për Nënë Terezën si një figurë unifikuese të shqiptarëve?
Nuk do të ishte keq që të nderohej; por me kusht që të pranohej se Nënë Tereza me vetëdije dhe vokacion i përkiste më parë Kishës Katolike dhe pastaj shqiptarisë; prandaj edhe forca e saj unifikuese do të varej nga sa jemi gati ne të gjithë që ta pranojmë këtë rend përparësish.
Botuar për herë të parë te Gazeta Shqiptare (BalkanWeb).
|
36,790 | https://peizazhe.com/2020/10/24/roman-i-ri/ | null | 2020-10-24T10:00:15 | NJË JAVË NË MANASTIR | Publicisti dhe shkrimtari Mustafa Nano sapo ka botuar një roman të ri, me titullin “Një javë në Manastir” (UET Press). Më poshtë po sjellim dy fragmente nga ky roman, që autori pati mirësinë të na dërgojë.
Fragmenti i parë bën fjalë për përshtypjet e ndjesitë e para të Robertit, një piktori ekspresionist anglez, që sapo ka mbërritur me tren në Manastir. Është dita, kur ka filluar punimet Kongresi i famshëm i alfabetit.
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………….
Roberti hodhi shikimin nga dritarja e trenit, që po bëhej gati të ndalej, dhe pa se në murin e ndërtesës së vogël dykatëshe të stacionit, dikush kishte shkruar me dorë, me ca germa të mëdha e të shtrembra, që nga brenda trenit mezi shquheshin, fjalën “Битола”. Për një grimë iu bë se ishte hera e parë që po shihte diçka në germa cirilike, por ndërkaq u kujtua se i kishte ndodhur në më shumë se një rast. U fiksua një copë herë pas tyre, sidoqoftë. Po vriste mendjen se ç’mund të ishte ajo fjalë me shkronja të atilla, por nuk iu desh shumë për të kuptuar si ishte puna. Rrokja e mesit “то” dhe germa e fundit “а”, të cilat ai i mori për ato që ishin sipas alfabetit latin, e të cilat e ftuan të luante si me një anagramë, e siguruan se bëhej fjalë për versionin sllav të emrit të qytetit ku ai sapo kishte mbërritur: Bitola. Pa i hequr sytë prej grafemave mbi faqen e murit, që me kalimin e sekondave nuk diti pse po i ngjanin më pak të shtrembra, i shkoi mendja se emri i Billit, mikut të tij diplomat, me të cilin kishte kaluar ditët e qëndrimit në Stamboll, mund të shkruhej “Билл” me alfabetin sllav. Dhe i erdhi për të qeshur që truri i shkoi tek ai kombinim, i vetmi në gjuhën angleze që mund të bëhej me germat “b”, “i” e “l”. Kombinimet e tjera të mundshme “ilb”, “ibl”, “lbi”, “lib” e “bli” nuk iu duk se kishin ndonjë kuptim. “Ndoshta ‘bli’? Hëm, nuk jam i sigurt.” Sakaq i erdhi në mendje për të disatën herë, prej çastit kur i kishte hipur trenit, se në atë qytet duhet të ishte hapur po atë ditë një Kongres i shqiptarëve, në të cilin këta të fundit ishin mbledhur për të zgjedhur apo njësuar alfabetin e tyre.
Nxori nga xhepi me njërën dorë orën e markës “Morton” dhe e mbërtheu atje ku ajo lidhej me qostekun, ndërsa me dorën tjetër hapi kapakun e argjendtë të saj. Po shkonte tetë. “Ora tetë e mbrëmjes,” ia bëri me vete, a thua se ishte nevoja që zëri i brendshëm t’i konfirmonte çfarë i kishin parë sytë, dhe aty për aty, si të donte ta rrokte të plotë sensin e kohës që po jetonte, saktësoi: “E shtunë, 14 nëntor 1908”. E mbylli kapakun, mes kandjes që i jepte kumbimi i përplasjes dhe i puthitjes me buzët e holla të orës. I kishte pëlqyer gjithnjë ai tingull, aq sa shpesh besonte se atë orë e shihte më shumë për të kënaqur veshët me të, sesa për tjetër gjë. “Paf,” ia bëri kushedi për të satën herë prej kohës që e kishte blerë, në një përpjekje për ta shoqëruar zhurmën me versionin e vet tingullimitues. U vu të llogariste se sa herë mund ta kishte dëgjuar. Kishte pothuaj njëzet vjet që e mbante atë orë. Njëzet vjet shumëzuar me treqind e gjashtëdhjetë e pesë ditë, shumëzuar më tej me të paktën dhjetë, që ishte, sipas tij, numri mesatar i herëve në ditë kur ai e nxirrte orën nga xhepi i vogël, bënin shtatëdhjetë e tre mijë. “Shtatëdhjetë e tremijë paf-e. I bie që kjo të jetë fjala që unë kam përdorur më shumë gjatë jetës sime. Apo ka fjalë të tjera? Ndoshta nyja shquese e emrave, lidhëzat ‘dhe’ e ‘por’, foljet ‘kam’ e ‘jam’, përemrat vetorë, fjalët ‘pará’, ‘ngjatjeta’, ‘mot’, apo edhe vetë fjala ‘orë’. Bah!”
“Paf,” ia bëri sërish me vete. E ndillte gjithnjë ajo lojë për ta shndërruar çdo kapule të pështjelluar tingujsh në një njësi të disiplinuar shenjash grafike. Kërkoi me sy mes udhëtarëve, që ndërkohë ishin çuar, një djalë skërfyell, i cili në përçapje për të imituar zhurmën e lokomotivës me avull, ia kish bërë dorë pas dore gjatë udhëtimit “çaf-çuf, çaf-çuf, çaf-çuf”. Dhe në çdo rast, pasi kthente kryet nga Roberti që, kur nuk kotej apo nuk binte në mendime, vizatonte me laps mbi një tog letrash që i mbante mbi gjunjë, shkulej gazit. Qeshnin edhe të tjerët, që i kishte shquar si shqiptarë prej fustanellave, të cilat i kishte parë në shumë fotografi. Dhe mes të qeshurave hidhnin romuze, të cilat, edhe pse nuk i kuptonte, dukej që lidheshin me të. Ndonjëri matej edhe t’i fliste, duke i drejtuar ndonjë pyetje në gjuhën e vet. Që bëhej fjalë për pyetje, Roberti e kuptonte prej intonacionit. Një copë herë ishte rrekur të merrte me mend se ç’pyetje mund të ishin. “Hë, kështu i thoni edhe ju në gjuhën tuaj zhurmës së trenit, ‘çaf-çuf’?”, ose: “Ç’dreqin shkarravit në ato letrat e tua?”, ose: “Për ç’punë të ligë ke lënë vendin tënd e ke ardhur në anët tona?”, ose: “Mos të ka kapur veremi që kollitesh kështu?” etj.
Njëri syresh, një burrë i shtyrë në moshë me pamje të ngrysur, me një palë tespihe të gjelbra në duar, ia kishte hedhur sytë gjithë kohën me inat, teksa ai vihej të vizatonte. Roberti nuk kishte shumë që kishte lexuar shënimet e udhëtimit të E. Learit në viset osmane, në të cilat ai fliste për myslimanët, sidomos ata shqiptarë, që bëheshin nervozë e nuk i mbante vendi kur e shihnin duke pikturuar, dhe nuk do çuditej fare, sikur ai plaku nursëz të ngrihej papritur nga vendi ku ishte ulur, e t’u bërtiste të vetëve me dorën e tespiheve të drejtuar nga Roberti: “Ky është shejtan. Është shejtan, po ju them. Që kur kemi lënë Selanikun, këtë punë ka bërë. Na vjedh surratet neve dhe i hedh në kartë.” E kushedi se ç’mund t’i punonin pas kësaj. Mund t’i hidheshin përsipër, mund të rrekeshin ta mbysnin duke ia vënë duart në fytin e tij të holluar prej sëmundjes, e pasi të siguroheshin se ia kishin marrë frymën, të hapnin dritaren e trenit për t’ia hedhur kufomën jashtë. Dhe më pas, kur të shihnin skicat e tij, pamje të mjegullta njerëzish, fytyra të shtrembëruara, trupa të tretur e të zdërgjarë, gjymtyrë të hallakatura, peizazhe të zbehta, do të ndiheshin të lehtësuar prej krimit që sapo kishin kryer. “Po, qenkan vërtet punë shejtanësh! Shikojini trupat tanë! A nuk ngjajnë me shpirtra të liq?”, do t’i thoshin njëri-tjetrit me sytë e zgurdulluar. “Sa do doja t’i shihja ata sy të zgurdulluar, që t’i vizatoja, ashtu siç ishin, pa shtënë në punë fantazinë, e pa qenë i ndihur prej maktheve të mia, porse ç’e do që unë do të isha i vdekur ndërkohë,” mendoi, teksa ishte ende në grackën e asaj ngjarjeje të hamendësuar. Më shumë do kishte dashur të vizatonte udhëtarin me vështrimin e zymtë e me ballin e mbrudhur. Do kishte dashur t’i thoshte: “Ti, mor zotëri, nuk mundohesh fare për ta fshehur se nuk më sheh dot me sy, dhe unë nuk po e bëj për të madhe këtë gjë, veçse në këmbim dua të të kërkoj një nder të vogël. Më lejo të hedh në letër disa skica të fytyrës sate, kështu siç është. Dhe të duarve, tok me rruazat e gjelbra të tespiheve. Duhet gjysmë ore, jo më shumë. Hë, si thua?”
Roberti e kundroi vjedhurazi, dhe si për ta sfiduar, bëri t’i huazonte pamjen. U kreshpërua në fytyrë. Do kishte dashur ta shihte veten me atë maskë, që mirëfilli nuk i shkonte, por në të njëjtën kohë u çudit prej atij veprimi. Sikur shqiptari të kthehej vrikthi dhe ta kapte në flagrancë, në atë provë të pacipë shkërbimi, Roberti nuk do dinte si e ku të fshihej prej zorit. Ndërsa tjetri kushedi se si do të reagonte. “Si guxon të tallesh me mua, qen bir qeni?” U tërhoq sakaq nga ajo lojë që i ngjau e rrezikshme, por jo nga ngasja për të luajtur. Pa ia shqitur sytë, i dha fytyrës së vet një pamje të gëzuar, me dëshirën që nursëzi të kthehej nga ai e që shikimet t’u përplaseshin. Le të reagonte si të donte! Mirëpo, ai as që e kishte në plan t’i përgjigjej asaj loje, si të donte t’i thoshte, se e gjitha kishte lidhje veç me udhëtimin dhe se, tani që u duhej të zbrisnin nga treni, secili ishte në hall të vet.
Kishte pasur një farë ngurrimi para se të vendoste për të hipur në vagonin e tretë, që ishte i parafundit. I fundit ishte i grave. Vuri re që në të po ngjiteshin katër-pesë syresh të mbuluara nga koka te këmbët, dhe pyeti veten pse ato kishin nevojë për një vagon më vete. Të fshehura se të fshehura ishin. Nuk ua ndau sytë një copë herë megjithatë, teksa drejtoheshin për nga vagoni. Pamja e tyre e bënte kureshtar. U përpoq t’u lexonte moshën. Fillimisht iu duk si një ushtrim i pamundur për t’u zgjidhur, por shumë shpejt i mbushi mendjen vetes se ishte shí e kundërta. Dy prej tyre ishin vajza të reja, gjë që shquhej prej siluetave të gëzueshme e të zhdërvjellëta. Nuk kishte veshje që mund t’ua maskonte gjallërinë e trupit. Aty për aty Roberti zuri të përfytyronte trupat e hajthëm të tyre, flokët e mbledhur pas qafe, gjinjtë e paprekur, të linjtat, qimet e pubisit apo të sqetullave. Ajo ngasje e kishte kapur për herë të parë në Stamboll, dhe prej atij momenti nuk po dinte se si t’i shpëtonte. Në rrugicat e populluara të Kapali Çarshisë, por edhe në avulloren e Lloydit, me të cilën kishte mbërritur në Selanik një ditë më parë, ishte ndier i pafuqishëm për të ndalur cytjet erotike të përfytyrimeve të veta. Çuditërisht, sa më shumë përpiqej t’u ikte atyre përfytyrimeve, aq më lapërdhare i bëheshin. Kurrë nuk e kishte besuar se gratë e mërtisura mund t’i jepnin ato lloj ngacmimesh. Në kuvertën e avullores i kishte tërhequr vëmendjen një grup grash të tilla, të veshura me burka e me fustane të zinj e të gjatë, të cilat era ua valëviste duke u nxjerrë në pah format vajzërore. E mendoi veten në situatën, ku do t’i duhej të zgjidhte njërën syresh për të kaluar disa orë, apo një natë. Do të ishte shumë torturuese në rrethana reale. Era, që ua ngjishte pas trupit rrobat që kishin veshur, krijonte një ide të qartë mbi linjat e tyre, por puna ishte se ai kishte nevojë t’u shihte fytyrën. Fytyra e një vajze ishte shumë e rëndësishme për të. Kish burra, mes të cilëve bënte pjesë edhe Billi, që shenjtëronin gjithçka nga qafa e poshtë, por atij nuk i hynin në sy gjinjtë, vithet, format trupore në përgjithësi, po qe se nuk shoqëroheshin me një fytyrë ndjellëse e të hijshme. Ndërsa e kundërta, domethënë një fytyrë e bukur, ndodhte shpesh që ishte mjaft për ta bërë për vete.
I kishte qëlluar të shihte gra të mbuluara edhe nëpër rrugët e Londrës, porse atje ishin të rralla. “Ende të rralla,” ia bëri, pasi i erdhi në mendje një shkrim që e kishte lexuar në një nga gazetat e vendit të vet, ku autori mbronte tezën se Islami, për shkak të fuqisë së besimit e lindshmërisë së lartë të myslimanëve, shumë shpejt do ta ndryshonte Britaninë e Madhe. Ideja se numri i grave të mbuluara mund të shtohej, apo se ato një ditë mund të ishin shumicë mes grave në Trafalgar Square, Hyde Park, Palace Theatre, Royal Opera House e në çdo mjedis tjetër publik, e trazonte keqazi. Afërmendsh, do të duhej shumë kohë të ndodhte një gjë e atillë, ndoshta një shekull, ndoshta dy, ndoshta më shumë, por ai fakt nuk ia hiqte trazimin aspak. Një botë pa fytyrat e grave i dukej më keq sesa një botë e kthyer përmbys. Dhe ishte ajo një nga arsyet që ia bënin Stambollin të papëlqyeshëm, sido që edhe papastërtia, tollovia, e mbi të gjitha armiqësia me modernitetin e shkujdesja ndaj historisë, do të mjaftonin për t’ia tëhuajtur atë qytet. I kishte lënë shije të keqe vizita që kishte bërë në Shën Sofi, e rrethuar nga katër minaret e ndërtuara pas pushtimit osman të Kostandinopojës. E kishte parë të shfytyruar e të gjymtuar atë ndërtesë, që kishte lindur si kishë një mijë e pesëqind vjet më parë e që shërbente si xhamí prej pesë shekujsh. “Ishte madhështore, por më shumë ishte e pistë sesa madhështore.” E kishte lexuar diku atë frazë? Apo i lindi në kokë atij vetë në përpjekje për të përshkruar çfarë i panë sytë? Nuk e kishte të qartë atë gjë. Por edhe nuk kishte rëndësi. Ai pohim ishte i vërtetë. Pamja e Shën Sofisë i kishte shkaktuar një dhembje në shpirt, që në atë rrethanë kishte rivalizuar me parehatinë fizike që ndiente. Në hapësirat e brendshme kishin shtuar disa mbishkrime në gjuhën arabe, të cilat ishin shkruar me germa pazakonshmërisht të mëdha, e ishin varur nëpër mure, në mënyrë që (ashtu i tha mendja) të mos e linin vëmendjen e gjindjes të përqendrohej veç te lartësia e kupolës, kupola vetë, kolonat, ikonat e afresket nëpër mure, e çdo gjë tjetër e krishterë që ishte ruajtur nga autoritetet, apo që nuk ishte dëmtuar prej kohës. Ndërsa në zona të caktuara të dyshemesë, nën ndriçimin e dobët (që Robertit i ngjante gjithashtu i pistë) të llambave elektrike, të cilat ishin instaluar rishtazi, shiheshin burra të vetmuar, që kryenin ritualet e lutjes. Uleshin në gjunjë me fytyrën të drejtuar nga Qabeja, pastaj çoheshin në këmbë, përkuleshin përpara, çoheshin sërish, murmurisnin një falje, e kështu me radhë, e kështu pa fund. Ata njerëz nuk bënin shaka me besimin. Kur luteshin, luteshin. Dhe ajo shënonte ndryshimin nga çfarë ndodhte në Kishën e Trinisë së Shenjtë që gjendej jo më larg se 100 metra prej shtëpisë së tij në Londër, apo në kishat anglikane në përgjithësi.
E kishte shmangur qëllimisht vagonin e klasit të parë, në kupetë e të cilit, mes oficerëve, klerikëve, udhëtarëve, tregtarëve, autoriteteve të Vilajetit dhe gazetarëve e diplomatëve të huaj, do të gjendej padyshim ndonjë që do donte të hynte në bisedë me të. Ishte i sigurt se çdo bisedë do të niste me pyetjen e tjetrit: “Nuk jeni mirë? Keni nevojë për ndihmë?” Sëmundja e tij ishte e vetmja gjë, për të cilën do kishte dashur të mos fliste me askënd. Dikujt që iu avit gjatë udhëtimit me avullore, e që iu prezantua si mytesarifi i Kosturit, ia preu shkurt me t’u bërë e qartë se kishte gjetur pamjen e ligur të tij si motiv të bisedës, të cilën e hapi me një frëngjishte të rryeshme: “Nuk kam gjë. Jam si kokrra e mollës.” Për ta bërë me dije se nuk i kandej të fliste në frëngjisht, e mbylli përgjigjen duke i përsëritur të njëjtën gjë në gjuhën e vet, pa u bërë merak se i pari i Kosturit nuk kishte si ta kuptonte. Pak më pas, kur ai rrahu të vijonte bisedën me të njëjtën ngadalësi në të folur, Roberti filloi të besonte se qëllimi i tij ishte të testonte frëngjishten e vet, që kushedi kur kishte pasur rast ta përdorte për herë të fundit, e jo të dinte detaje të kartelës së tij mjekësore.
Mori njërin nga dy vagonët e klasit të dytë, atë që vinte përpara atij të grave. Ishte i ngacmuar prej idesë se për herë të parë në jetën e vet do t’i duhej të kalonte gjashtë orë të mira mes njerëzve që, teksa i shihte duke hyrë në vagon apo duke qëndruar te dera në pritje që të hipnin pak para se treni të nisej, i silleshin si të harruar prej qytetërimit. Nuk dinte në do të mund të skiconte ndonjë gjë gjatë udhëtimit, por ishte i sigurt që motivet e skicave do të ishin të panumërta: burra me mustaqe, shqiptarë, sllavë, vlleh, grekë, ushtarë turq, besimtarë që luteshin, pamje të ndrojtura, vështrime të përhumbura. Priste që edhe vagoni vetë t’i shkonte për shtat statusit të tyre të përulur, por u befasua kur pa se ishte normal, ani se ishte i pistë. “Papastërtia i shoqëruaka kudo këtyre anëve. Pak papastërti, nga sa duket, u bëka mirë. Ose ata menduakan se u bën mirë. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet.” Nuk e bëri hiç për të madhe, sidoqoftë. U rehatua në një nga ndenjëset e lira, dhe zuri të dëgjonte me kujdes murmurimën e bisedave rrotull tij, duke u përpjekur t’u jepte ndonjë kuptim, bazuar te shprehitë e fytyrave dhe gjuha trupore që i shoqëronte. Ajo përvojë udhëtimi nuk e zhgënjeu. Nuk ishte bezdisur prej asgjëje, as prej çaf-çuf-eve të skërfyellit, e aq më pak prej armiqësisë së padëmshme të nursëzit. “Me siguri do isha penduar po të kisha udhëtuar në vagonin e klasit të parë,” mendoi.
Të gjithë brofën më këmbë ende pa ndaluar treni. U ngrit pas tyre, por më shumë nga nevoja për të shpirë trupin sesa për t’iu bashkuar ngutit pa kuptim të udhëtarëve të tjerë. Ktheu kryet sërish nga binaja dykatëshe e stacionit, dhe mes kokave të tre-katër vetëve kërkoi me sy atë pjesë të fasadës, ku ishte shkruar: Битола. “Билл,” ia bëri, dhe ishte i sigurt tanimë se sa herë të zihej ngoje në versionin sllav emri i qytetit, ku do të kalonte ca ditë, do t’i vinte vetvetiu në mendje edhe emri i Billit me shkronja cirilike. Qeshi me vete. I vajti mendja që të nesërmen, që në mëngjes, të shkonte te zyra e postës së Manastirit për t’i shkruar një telegram mikut të tij në Stamboll: “Билл, mbërrita. Боб.”
Jashtë ishte formuar një turmë e vogël, e cila qëndronte e palëvizur në mes të largësisë që ndante trenin nga muri ballor i ndërtesës së stacionit. Roberti picërroi sytë për të sjellë më afër pamjet e atyre që prisnin jashtë. Për shkak të territ, që thjesht sa lëndohej prej dritës që dilte nga kandilat me vajguri të vagonit dhe dritës së dobët të një bishtuku, që dikush e mbante në duar në mes të turmës jashtë, dritarja shërbente edhe si pasqyrë, dhe kështu siluetat e njerëzve në peron iu përzien aq fort me pamjet e pasqyruara në xham të udhëtarëve të trenit, sa nuk kuptohej mirë se cilët ishin brenda e cilët ishin jashtë. Provoi të anonte pak kokën majtas e djathtas, dhe trupat në të dy anët e dritares iu ndërfutën njëri-tjetrit, duke krijuar kombinacione të çuditshme. Në një moment në xham, mbi trupin e tij iu shfaq një kokë me qylaf të zi, me mjekër të thinjur e me mustaqe të zeza, të mëdha, gati të varura, si ato të Madhërisë së Tij, Eduardit VII. Qylafi ishte në stilin e kapave, që ai kishte parë t’i mbanin burrat rrugëve të Stambollit, një kon i zgjatur e i prerë.
Kishte lënë porosi t’i nxirrnin në stacion dy kuaj, për atë vetë e për bagazhet, ku përfshiheshin një baule jo fort e madhe rrobash dhe një çantë dore, në të cilën mbante kutinë e furçave e të bojërave të ujit dhe një tufë letrash, ku hidhte shënime e skica të ndryshme pikturash të ardhshme. Kërkoi me sy jashtë ndonjë çift kuajsh, por brenda zonës së ndriçuar para stacionit, kishte vetëm njerëz, mes të cilëve duhej të ishte edhe një shqiptar me emrin Grigor Toska. Billi i kishte thënë se ai, një djalë rreth të njëzetepestave, ortodoks i kthyer në protestant, që punonte për Shoqërinë Biblike, do ta priste e do ta shoqëronte gjatë gjithë kohës. “Ai do të jetë shumë i zënë në ditët e qëndrimit tënd në Manastir, për shkak të forumit mbi alfabetin, por ma mori përsipër. Kështu që mund ta quash punë të kryer,” e kishte siguruar.
Kur të gjithë zbritën, ai nuk pa askënd të interesohej për të. Një grup njerëzish, që dukej se sapo kishin mbërritur, po përpiqeshin të shquanin nëse kishte të tjerë brenda vagonit, dhe me të parë se Roberti ishte i fundit, u larguan për te vagonët e parë. Njëri syresh, një rrumaduc qafëshkurtër, me veshë të mëdhenj e me nofullën e poshtme të dalë, ecte me kokën e tij të madhe të kthyer pas, duke mos ia ndarë sytë Robertit.
“Po sikur përkthyesit t’i ketë ndodhur ndonjë gjë? Po sikur t’i ketë dalë fare nga mendja?” Dera e hapur, tok me një dritare të trenit, që ishte e hapur gjithashtu, përftuan një rrymë ajri, e cila e përshkoi sa ora të tërin. Ishte më ftohtë sesa e priste. Ndjeu një dhembje në kryqe e në kyçe, aq sa instinktivisht, si për të marrë një masë mbrojtëse, e lëshoi baulen në dysheme. E kapi një angështi e lehtë, por pikërisht në atë çast, përpara tij, poshtë shkallëve, aty ku ato bashkoheshin me platformën, çatisi një djalë i ri me pamje të hareshme, e me mustaqe të prera me kujdes. Ishte i veshur si perëndimor.
-Zoti Bolton?
-Grigor Toska?
Folën të dy gati njëherësh.
Fragmenti i dytë bën fjalë për ditën e parë të Kongresit, kur Grigor Toska, njëri prej personazheve të romanit dhe organizator i atij forumi, vijon ta shkruajë shqipen ende me një alfabet të vetin, të cilin kishte kohë që e përdorte. Ishte i tëri latin, pa shenja diakritike, me përjashtim të “i”-së, dhe me dyshkronjësha që i formonte me ndihmën e bashkëtingëllores ndihmëse “h”. Kështu, grafemat e alfabetit të Stambollit ç, δ, ƍ, ƞ, б, ƌ, צ, ᶎ i kishte zëvendësuar përkatësisht me ch-në, dh-në, gh-në, lh-në, nh-në, rh-në, sh-në, th-në, xh-në e zh-në. Nuk e bëri këtë vetëm me rr-në e ll-në, në respekt të shpikësve të tyre, Buzukut e Matrëngës. Ndërsa për sa i takonte zanores “ë” i dha dum punës të shtinte në punë “e”-në e përmbysur: “ǝ”. Ishte e vetmja thikë pas shpine që i futi alfabetit latin. Por edhe atë e bëri në emër të thjeshtësisë e të logjikës. “E”-ja dhe “ë”-ja, si fonema, ngjanin të ishin alter-ego të njëra tjetrës, të afërta, të ngjashme, në një farë kuptimi edhe të kundërta. Grafemat e tyre do duhej ta jepnin atë ide. “E prandaj, e-ja dhe ǝ-ja ishin një zgjedhje e mirë”, mendonte.
E shtunǝ, dita e parǝ e Vjeshtǝs sǝ Tretǝ, 1908
Kishim javǝ tǝ tǝra qǝ lodhǝshim t’i gatitnim ghǝrat pǝr mbledhjen e madhe tǝ Abesǝ. Ne tǝ Manastirit e dimǝ se ch’kemi hequr. Mǝ lehtǝ munt tǝ kishim gatiturǝ ferrnǝ a paradisnǝ sesa kǝtǝ ngharje. Gher nǝ chastǝ tǝ fundit patǝm frikǝ se nuk do tǝ dilnim faqebardhǝ. Mǝ e madhja pjesǝ e tǝ ftuarǝvet ishin me huqe. Na e plasnǝ buzǝn gher ditǝn qǝ ardhnǝ. Mezi u-pǝrghighǝshin ftesavet qǝ u-dǝrgonim. Na nxirrnin lloj-lloj chfajǝsimesh e kundǝrshtimesh. Nuk donin tǝ vinin o ngaqǝ nuk mbesonin se Shqiptarǝt munt tǝ bǝjǝnǝ nhǝ punǝ pǝr tǝ qǝnǝ, o ngaqǝ donin tǝ sigurohǝshin se u-ish caktuarǝ nhǝ rol me rǝndǝsi pǝr tǝ lozurǝ, o ngaqǝ vinin si konditǝ tǝ mbajturit lark tǝ ca tǝ tjerǝve, o ngaqǝ kishin frikǝ se kǝjo punǝ do delte pǝr tǝ mirǝ. Po, po, ǝshtǝ kǝshtu si po them. Kishin frikǝ nga mbarǝsia. E nga bashkimi. Se kur nheriut pǝrcharja i bǝnet mǝndyrǝ tǝ rrojturi, ahere nuk munt tǝ bǝnhǝ pa tǝ, e pǝr rrjedhojǝ zǝ dhe i ep munxǝt bashkimit.
Mirǝpo, i kapǝrcyejtǝm tǝ ghitha kǝto pengime. Dhe kǝshtu, sot paradrekǝs, nǝ orǝn 9 (nǝ orǝn 3 allaturka), muarrnǝ udhǝ punimet e Kongresit. Kish shumǝ njerǝz tǝ ngjeshurǝ pas njǝri-tjatrit. Po tǝ hidhǝsh njǝ kokǝrr molle, do mbetǝsh mi supet e njerǝzvet e nuk do binte mbǝrdhé. Ishin aq shumǝ, sa pǝr tǝ zbriturǝ e nghiturǝ shkallǝt qǝ lidhnin katin e parǝ me tǝ dytinǝ, nherǝzvet u-duhǝsh tǝ pǝshtetǝshin pas parmakǝvet, a pas murit nǝ krahun tjatǝrǝ. Ish e tǝrǝ Shqipǝria qǝ ish ngucurǝ nǝ fare pak metra katǝrchipe: burra tǝ veshurǝ me rroba kombiare tǝ tǝ ghithǝ krahinavet, tǝ ghithǝ me mustaqe, klerikǝ tǝ besimeve tǝ ndryshme, kush me turban e kush me veladon, tǝ tjerǝ tǝ veshurǝ allafrǝnga, me kostum e kravatǝ, qǝ mbanin mustaqe ghithashtu. Ndǝrsa Shkodranǝt Katholikǝ ishin pa qylafnǝ e zi turk nǝ kokǝ. Vech ata, Foti e unǝ ishim pa atǝ qylaf. Me tǝ mos qenǝ ne atje, ay forum do ish mirǝ tǝ quhǝsh “Kongresi i Qylafǝve dhe i Mustaqeve”. Por kǝto ghǝra nuk i vinte re nheri. Do lipsǝsh nhǝ mendǝje e prapǝ si kǝjo e imja qǝ n’atǝ mbledhje tǝ madhe tǝ shqiptarǝvet tǝ tǝrhiqǝsh nga tǝ tilla hollǝsira. Rǝndǝsi pati masa e madhe e pjesǝmarrǝsvet dhe gǝzimi i tyre. Disa u-panǝ edhe tǝ ngashǝryer. Mos mbesoni nǝ dachi, por nhǝ Shqiptar nga Drenica qǝ kish erdhurǝ nǝ Manastir pǝr tǝ blerǝ nhǝ kalǝ e qǝ e pruri rasti atje, u-shastis fare dhe e zu tǝ qarǝt kur u-ndoth nǝ dhomǝn e hyrjes sǝ katit pǝrdhes. “Kurrǝ s’mǝ pat shku menha se kisha me kajt nǝ jetǝn teme. Kjo asht nhǝ ditǝ fort e madhe pǝr Shqyptarǝt,” tha ay mes lotǝve, qǝ i fshinte me dorǝ. Posposi, qǝ ishte aty pranǝ, u-avit tǝ merrte vesh se ch’i kish ngharǝ Drenicarit. Por mbeti pa fjalǝ kur i dǝftyen se ay thjesht ishte prekurǝ nga ch’i shihnin sytǝ. Konsujt, meqǝ ra fjala, pǝrjashtuarǝ Serbin e Grekun, ishin tǝ ghithǝ. Tok me ta ishin edhe autoritetet e Vilajetit. Dukǝsh sikur ishte nhǝ e kremte e qytetit, jo njǝ mbledhje e Shqipǝtarǝvet.
Unǝ nuk dua t’i zǝ besǝ tǝ dukurit. Sepse tǝ dukurit tǝ gǝnhen e tǝ shpǝrudh e tǝ nginh me shpǝresa tǝ kota. Por nuk munt tǝ fshihǝsh se po ndothte nhǝ ghǝ qǝ nuk kishte ndodhurǝ mǝ parǝ. Tǝ bǝnǝsh tǝ mbesonhe se Shqiptarǝtǝ po nisnin tǝ bǝrǝt e istorisǝ nga e para, se po mbesonin nǝ tǝ pǝrlindurit e kombit tǝ tyre, a mǝ saktǝ, nǝ tǝ sghuarǝt pej nhǝ ghumi tǝ rǝndǝ, tǝ thellǝ e tǝ ghatǝ. Se, tǝ rrimǝ shtrembǝrǝ e tǝ flasim drejtǝ, tǝ ghitha tǝ ngharat e ghertanishme kanǝ qenǝ tǝ nxitura pej hallesh tǝ ngushta e fisnore, qǝ ne kemi dashurǝ t’i quajmǝ kombiare. Edhe Lidhja e Prizrenit, pǝr shǝmbǝll, qǝ ca e ca e mbajnǝ pǝr nhǝ provǝ tǝ madhe mǝmǝdhetarie, ish e mejtuarǝ dhe e shtyrǝ nga osmanǝt vetǝ, qǝ donin t’i pǝrdoronin Shqiptarǝt e ngratǝ si mashǝ pǝr punǝrat e tyre. Ǝshtǝ punǝ tjatǝr qǝ ajo lǝvizje u-bǝ mǝmǝdhetare mǝ tǝhu, dhe u-bǝ e tillǝ nga pasojat e jo nga qǝllimet. Sepse qǝllimet nuk ishin mǝmǝdhetare. Pjesǝmarrǝsit atje ishin tǝ ghithǝ Myslimanǝ. Nuk pati Orthodhoksǝ. Nuk pati qoftǝ edhe nhǝ, sa pǝr be a pǝr shǝnhǝ. “Kanǝ qenǝ edhe pak Katholikǝ,” thonǝ ata qǝ duan tǝ shohin ndjenha mǝmǝdhetare nǝ atǝ Lidhje, por nuk na apǝn emǝrat e tyre. Nǝ kanǝ qǝnǝ, duhetǝ tǝ jetǝ fjala pǝr ca Katholikǝ qǝ janǝ ghǝndurǝ m’ato anǝ pǝr punǝ tǝ tyret, dhe janǝ kǝthyer tǝ shohǝnǝ se ch’po nghante me ca shqiptarǝ qǝ ishin bǝrǝ tok nǝ Prizren, ja, sich u-ndoth sot ay Drenicari nǝ shtǝpinǝ e Zavalanǝvet, ku zuri tǝ qante posi fǝmijǝ. Lǝri tǝ tjerat, por nǝ Prizren nuk pati as Toskǝ. Hiq Abdylnǝ e Frashǝrllinhvet, qǝ atǝherǝ ishte i vetǝmi shqipo qǝ kish nǝ kokǝ nhǝ mǝmǝdhe, Toskǝ tǝ tjerǝ nuk kish. Mirǝpo, tǝ ghithǝ e dinǝ se nuk munt tǝ kish vepǝrim kombiar nǝ atǝ mot (1878) pa Toskǝt. Dhe ndǝr Toskǝt, duhen vechuarǝ Orthodhoksǝt. Kǝtǝ po e shkruanh kǝtu, nǝ ditarin tim, se faqe botǝs nuk do tǝ mundǝsha ta thonha. Do tǝ ishte pǝrcharǝse. Do tǝ ish si tǝ mbillnhe ghemba mes nevet, a thua se pak ghemba kemi. Se nǝ kǝtǝ pikǝ ku kemi arritur, e vetǝmja ghǝ qǝ nuk na lipset neve Shqiptarǝve ǝshtǝ e grindurit me sho-shoqnǝ. Janǝ tǝ mjaftǝta gërgasat qǝ kemi me tǝ tjerǝ, si-do-mos me fqinhǝtǝ. Por le tǝ shpǝrejǝmǝ qǝ ghǝrat do tǝ marrǝnǝ pǝr mbarǝ, sich nghan se kanǝ marrǝ. Kǝtu ka Toskǝ e Gegǝ, ka Myslimanǝ e tǝ Krishterǝ. Kur i shihnha bashkǝ, mejtonha me frikǝ nǝ zǝmǝrǝ se dichka kish pǝr tǝ ndodhurǝ. Se si i thonǝ fjalǝsǝ? “I truari nuk bǝnet i uruar”. Dhe kǝshtu, kur asghǝ nuk tǝ ka vajturǝ pǝr mbarǝ, mendǝja vech tersin ndjell. Sich bǝn edhe mendǝja e Memésǝ, apo, sich e kanǝ quajturǝ tǝ ghithǝ kǝto ditǝ, shtrigǝs plakǝ. Pǝr ghatǝ ghithǝ javǝsǝ para Kongresit, nherǝzia vech pǝr tǝ foli, mǝ saktǝ pǝr oguret e zeza tǝ sajat. Tǝ ghithǝ ishin gatiturǝ se nhǝ ghǝ do tǝ ndothte. Nhǝ ghǝ e ligǝ. Ishte aqǝ e fortǝ kǝjo psyhozǝ e frikǝsǝ, sa edhe unǝ, pǝrpara se tǝ dilnha nga shtǝpia, mora pisqollǝn me vet’he. Nusha shqyejti sytǝ kur mǝ pa. Ajo e dinte qǝ unǝ e kisha nhǝ armǝ nǝ shtǝpi, por nuk mǝ kishte parǝ no nhǝ herǝ ta merrja para se tǝ dilnha. E nuk kish se qysh tǝ mǝ kish parǝ. Se unǝ nuk e kisha bǝrǝ atǝ vepǝrim. Dhe po tǝ mǝ pyesǝsh pse e bǝra, mendǝja nuk mǝ shkon nǝ tjatǝr vǝnt, vechse te Meméja. Frosina do mbetǝsh pa gojǝ po ta merrte vesh. Se ajo e di qǝ unǝ nuk ua kam vǝnǝ veshin kurrǝ tǝ chaprashituravet tǝ fallxheshǝsǝ. Dhe mǝ duhetǝ tǝ them qǝ, edhe pse dita e parǝ kalojti pa tǝ nghara tǝ chudichime qǝ do tǝ provonin gojǝn me tǝ ndjellurit keq tǝ sajǝn, mua frika ende nuk mǝ ka dalǝ. Nesǝr nuk kam pǝr ta marrǝ pisqollǝn me vet’he, por kǝtǝ do ta bǝnh ngaqǝ mǝ vjen turp nga vet’heja qǝ jam kǝthyer nǝ besǝtytǝ, e jo ngaqǝ jam i qetǝ. Nuk jam hich i qetǝ. Sepse thellǝ-thellǝ mǝ ǝshtǝ nguliturǝ nǝ kokǝ qǝ dichka ka pǝr tǝ ndodhurǝ.
(c) 2020, Mustafa Nano. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
19,491 | https://peizazhe.com/2015/10/19/njeriu-minimum/ | null | 2015-10-19T20:26:08 | NJERIU MINIMUM | Kam pasur një koleg dikur, këtu në New York; punonte si PM në një agjenci me mua.
Njeri i ndjeshëm dhe nervoz, i rafinuar dhe ironik, siç i ndesh rëndom mes hebrenjve laikë të këtushëm.
Gjithnjë i sintonizuar me jetën kulturore në metropol – koncerte, movies, Broadway shows, muzikë, letërsi – vibronte natyrshëm me qytetin.
Pastaj erdhi një kohë kur erdhi e u zymtua dhe kalonte një kohë të gjatë duke vështruar ekranin e kompjuterit (waiting for something to happen, thoshte një koleg tjetër). Nuk bënte më shaka, nuk lexonte më, nuk futej më në biseda si dikur.
I deprimuar, më thoshte ndonjëherë edhe se, disa plane që kish për të shkruar e rishkruar një skenar filmi, nuk po i çonte më përpara.
Muajt kalonin dhe ai sa vinte e bëhej zhgualli a zgavra e çfarë kishte qenë dikur. Muhabetet i kish shkurtuar në ndërhyrje njërrokëshe, madje edhe telefonatat e punës po më dukej sikur nuk i zgjaste më.
(I kishim zyrat ngjitur.)
As të mërkurave, kur e kishim 1 orë pushimin e drekës, nuk e shihja më të kapërcente me hap të shpejtë ato dy blloqe nga avenuja e 7-të tek e 5-ta dhe të vinte e të sorollatej, sikurse unë, në korridoret mes rafteve të Mid-Manhattan Library.
Me siguri krejt energjinë shpirtërore e digjte në kacafytje me çfarë e gërryente përbrenda – ndoshta një neurozë depresive ose ankthi; ose kushedi ç’problem a hall tjetër, i jashtëm: një diagnozë e mbrapshtë, një ndarje me njeriun e dashur…; ose edhe të gjitha së bashku (kur të vijnë hapu derën).
Nuk kisha nga ta dija. Por ai vetë ma pranoi njëherë, ashtu si rastësisht, se ndihej shpirtërisht i rënduar, ose i errësuar; dhe se i kish ikur shija e gjërave.
E pyeta nëse kish folur për këtë me ndonjë mjek; e pyeta edhe nëse kish menduar kurrë të provonte ndonjë prej antidepresivëve më të rinj, që thuhej se kishin pak efekte anësore.
Ah, më tha, e di: nëna ime, që jeton në Florida, ka disa vjet që merr Celexa. Epo mirë, pra, i thashë. Pse nuk e provon edhe ti?
Nuk e di, plako, më tha. It messes with my head.
Me siguri kish provuar gjithfarë drogash të lehta në jetë – që nga hashashi. Kish pirë benzodiazepina dhe mbase edhe barbiturate, kur këto ishin të modës; mbase kish eksperimentuar edhe me kokainë ose LSD; e di me siguri që nuk e refuzonte një gotë verë ose edhe një shishe sipas rastit.
Por neurozën nuk donte që t’ia preknin, si fëmija që i konsideron fecet pronën e vet. Nuk ishte fetar, që ta konsideronte vuajtjen shpirtërore si ndëshkim ose mesazh nga Ai lart; por ishte baby boomer dhe e refuzonte çdo lloj manipulimi të mendjes, pse kushedi e përjetonte si ndonjë formë kontrolli ose nëpërkëmbje lirie (të drejtës për të qenë i sëmurë).
I ndarë nga gruaja, jetonte vetëm.
Dhe ashtu do të kalonte muajt e më pas vitet; i mësuar tashmë me neurozën si pjesë të unit të vet – xheloz për individualitetin, por në fakt skllav i një aksidenti.
E shtynte jetën si njeri minimal, i kapur me thonj e me dhëmbë pas një kamerdareje imagjinare, në mes të një deti imagjinar. Do të kish qenë e dhimbshme, për të dhe për mua që e shija përditë, sikur edhe ky refuzim për të dalë nga errësira të ishte gjithashtu një nga simptomat e neurozës.
Një fabul për ditën botërore të anti-psikiatrisë, kur të festohet.
|
28,911 | https://peizazhe.com/2018/06/12/gjuha-kunder-letersise/ | null | 2018-06-12T08:44:13 | GJUHA KUNDËR LETËRSISË | Kur shkruaj ndonjëherë për dëmet që ia sjell shqipes purizmi, si përthyerje e kombëtarizmit në kulturën e gjuhës, një nga kritikat që më bëhet rregullisht është se “po e teproj”, se “nuk ka asnjë të keqe”, se “problemi nuk ekziston”, dhe kështu me radhë; edhe pse unë gjithnjë mendoj se praktika e ndërhyrjes në leksik për të zëvendësuar fjalë veç e lëndon leksikun si sistem, gjuhën vetë dhe komunikimin; dhe se mirëmbajtja e shqipes publike ka nevojë për profesionalizëm, jo zelltari ideologjike.
Për ta ilustruar këtë, po parashtroj këtu në vijim disa vëzhgime që pata rastin të bëj tani së fundi, në një nga prozat shqip më të lexuara dhe, për mua, më të arrira, të shekullit të XX.
Sapo marr në dorë romanin Dimri i vetmisë së madhe[1] të Ismail Kadaresë (botim i Onufrit, i vitit 2012), më ngecën sytë te ky paragraf (f. 6):
Kur Besniku doli në rrugë, ora nuk kishte shkuar ende shtatë e gjysmë. Mbrëmja ishte e lagët. Ai pa njerëzit e parë veshur me mbipetk nëpër bulevardin e madh dhe pothuajse u çudit, sikur të bënte një zbulim të papritur. Kishte ardhur përnjëmend vjeshta.
Dhe sytë më ngecën pikërisht te kjo fjalë, mbipetk, të cilën nuk e mbaj mend ta kem hasur ndonjëherë dhe që, me siguri, nuk ka qenë në botimin origjinal të romanit.
Kam shkruar disa herë për këto ndërhyrje “higjienizuese” që u janë bërë teksteve klasike të Kadaresë, në botimet e reja – për të hequr fjalë të gjykuara si “të huaja” dhe për t’i zëvendësuar ato me gjithfarë neologjizmash dhe preciozizmash.[2]
Në parathënien e botimit të vitit 2012 të romanit, tashmë të rikthyer në titullin e kryehershëm Dimri i vetmisë së madhe, ndërhyrje të tilla janë likuiduar nga Kadareja si “retushe artistike që autorit i janë dukur të vlefshme”; por më poshtë do të orvatem të tregoj se cilësimi “artistike” për zëvendësime të tilla fjalësh do të ishte shumë zemërgjerë.[3]
Në shembullin e cituar më lart, mbipetk ka dëbuar nga teksti fjalën pardësy.[4]
Po pse më ngecin sytë te kjo mbipetk? Sepse është fjalë e pazakonshme; dhe sepse i referohet një teme – petk – që është edhe ajo e rrallë në shqipen e sotme dhe me siguri edhe në tekstet e këtij autori.
Origjinalisht, paragrafi i cituar synonte të krijonte një farë atmosfere – ardhjen e vjeshtës. Edhe po të ketë pasur fjalën pardësy, këtë e përdorte shqipja rëndom aso kohe, dhe ndoshta e përdor edhe sot po aq rëndom. Asnjë problem praktik nuk i krijojnë fjalë të tilla përdoruesit. Përkundrazi, ato i japin një arsye për të ekzistuar ideologut purist.
Në leximin e tanishëm, ose pas ndërhyrjes leksikore, ky paragraf e ndërron edhe synimin: në vend që të përgatitë skenografinë përkatëse (vjeshta, shiu, zymtësia etj.), kthehet në një vitrinë ku reklamohet neologjizmi mbipetk. Efekti zhvendos vëmendjen dhe, në analizë të fundit, e sakrifikon rrjedhshmërinë diskursive për një parim ideologjik/didaktik.[5]
Prandaj edhe mund të bëhet pyetja: kjo fjalë e pazakontë, mbipetk, a është në shërbim të tekstit, ose të veprës; apo është futur për të promovuar një utopi leksikore të autorit a të redaktorit gjuhësor të tekstit? Unë besoj se ajo nuk i shërben tekstit; dhe se, duke qenë kaq e rrallë dhe e panjohur për lexuesin, e vë tekstin (dhe tërthorazi edhe veprën) në shërbim të një një ideologjie që nuk ka lidhje me artin. Një roman, aq më tepër i kalibrit të lartë si “Dimri”, nuk mund të ripërshtatet dhe as të fillojë të përdoret si manual ilustrativ për përdorimin e fjalëve të rralla dhe neologjizmave të shqipes: si lexues i hershëm dhe i apasionuar pas veprës, unë ndihem personalisht i lënduar.[6]
Ja edhe një shembull i ngjashëm, këtë herë nga faqja 16:
“Liri,” e ndërpreu Kristaqi, “në vend që me thashetheme politike të merren këta që banojnë poshtë nesh,” ai bëri me dorë nga fundashtroja, “po merresh ti?”
Fundashtroja? Origjinali ka dyshemeja – fjalë e rrënjosur në shqipe; por që tani shkarkohet “nga detyra” për shkak të biografisë së keqe, për t’u zëvendësuar me një gjë amorfe dhe krejt kundër-intuitive, sa kohë që dyshemeja nuk është gjë që shtrohet, siç është, për shembull, shtroja.
Në qoftë se ka njeri që gjen diçka sado pak artistike te kjo fjalë, fundashtrojë, dhe tek akti i përdorimit të saj në vend të fjalës shqipe krejt të rëndomtë dysheme, është i lutur të ma shpjegojë.[7]
Për purizmin kanë thënë edhe se e varfëron gjuhën. Ja një shembull, nga faqja 12, se si mund të ndodhë varfërimi (është momenti kur Besniku vjen për vizitë në shtëpinë e Zanës):
Besniku bëri një lëvizje me kokë, që donte të thoshte “mirë”, dhe u ul në njërën nga ndenjëset.
Kjo ndenjëset ka zëvendësuar kolltuqet e origjinalit, që ka përfunduar në listën e zezë të fjalëve për t’u spastruar thjesht për shkak të biografisë së keqe, si fjalë e huazuar nga turqishtja-osmanishtja. Pa çka se ndenjëse në shqipe ka prirje të specializohet për “sediljet” e një makine a të një avioni, ose ato të një teatri a salle kinemaje; ose për t’u përdorur krahas kolltuk. Tani, një shqipe që ka edhe ndenjëse, edhe kolltuk në përdorim, me kuptime të ndryshme, është më e pasur se një shqipe që e nxjerr fjalën kolltuk përjashta, pa çka se kjo ende është pjesë e leksikut bazë të shqipes.
Nuk di kush i ka bërë këto spastrime në tekstet e Kadaresë; refuzoj të besoj që t’i ketë bërë autori vetë. Me logjikë, më shkon mendja te ndonjë redaktor i zellshëm, por tone-deaf ndaj gjuhës, ose pa vesh gjuhësor; një lloj buldozeri, që shkallmon ç’t’i dalë përpara. Nuk e pranoj dot që një shkrimtar t’i trajtojë kështu tekstet e veta, jo për t’i përmirësuar artistikisht, por për t’i higjienizuar, në emër të një parimi a kriteri që, në çdo rast, nuk është letrar por ideologjik.
Purizmi jo vetëm e varfëron, por edhe e pështjellon gjuhën. Ja një shembull si ndodh kjo (f. 8):
Kapërceu rrugën te vijat e bardha dhe hyri në barnatore. Te sporteli shërbente një farmaciste e bukur. Ajo po i shpjegonte një fshatari plak përdorimin e barnave. Fshatari dëgjonte i hutuar […] Një çast ajo ngriti sytë, si për të kërkuar një mbështetje tek ata që prisnin. Sytë e saj takuan rrëshqitazi sytë e Besnikut dhe [ajo], duke ngritur supet lehtë, buzëqeshi. Ja dhe gjarpri, tha ai me vete. Sytë i kishin shkuar pa dashur te simboli i farmacisë, mbi qelq.
Le të shohim se çfarë i ka bërë purizmi këtij pasazhi: më parë, kemi fjalën barnatore që zëvendëson farmaci; një ndërrim i pranueshëm, meqë barna, për medikamente (ilaçe) ka hyrë tashmë në ligjërimin libror, duke e shtyrë ilaçe në kufijtë e ligjërimit bisedor (gjë e mirë, pasurim). Nga ana tjetër, traktori që ka lëruar paragrafin, nuk ka prekur fjalën farmaciste, edhe pse mund ta kish zëvendësuar edhe këtë me barnatare[8]; tek e fundit, është më koherente që në një barnatore të punojë një barnatare (po aq koherente sa edhe që në një farmaci të punojë një farmaciste).
Dhe lexuesi mund të pyesë: ç’bën një farmaciste në barnatore? Pse jo në farmaci? Çfarë të keqe i ka sjellë shqipes farmaci, që u dashka zëvendësuar, dhe për më tepër në mënyrë të izoluar, ose pa prekur çerdhen e fjalës? Për më tepër, fjala farmaci shfaqet në tekst vetëm dy rreshta më poshtë: “simboli i farmacisë”; meqë këtu zëvendësimi me barnatore nuk do të funksiononte – sepse farmacia tani nuk është më dyqani (tregtiza!) ku përgatiten e shiten barna, por shkenca dhe teknologjia dhe praktika e përgatitjes së barnave (në shqipen e puristëve do të ishte barnataría, njëlloj si vreshtaría dhe kopshtaría dhe këpucaría).
Normalisht, çrregullimi që sjell një huazim i ri në gjuhë është se përdoruesit nuk e kuptojnë: në qoftë se unë përdor fjalën grintë/grinta në një telekronikë sportive me kuptimin “shpirt luftarak, vendosmëri,” atëherë jam duke u folur (dhe duke u shkelur syrin) dëgjuesve që dinë italisht; sepse të tjerët nuk do të më kuptojnë. Mirëpo fjalët që vihen në shënjestër prej puristëve – dhe këtu kam parasysh pikërisht kopshtarët e prozës së ribotuar të Kadaresë – nuk e kanë këtë problem, përkundrazi. Janë fjalë që njihen dhe përdoren rëndom; ndërsa fjalët e sjella për t’i zëvendësuar nuk i kupton kush. Për shembull, fjala mbipetk, në korpusin Albanian National Corpus me rreth 20 milion tokens ndeshet vetëm në tekste të I. Kadaresë, çfarë përbën një anomali.
Në raste të caktuara, zëvendësimi shkon aq larg, sa të prekë ndërkombëtarizmat – shenjë kjo e një purizmi zelltar, të dalë jashtë kontrolli. Sjell si shembull paragrafin më poshtë, ku përshkruhet procesi i larjes së filmit në një laborator fotografik:
Laboranti e nxori njërën letër. Xani afroi kokën. Ishte një grup partizanësh, por pamja ishte kaq e zbehtë, saqë fytyrat e tyre ngjanin krejt pa jetë. Xani shkrofëtiu. Bëje mirë, thirri. Zhdrivillimi nuk ka mbaruar, zotni, tha tjetri, dhe e zhyti letrën përsëri (f. 34).
Kjo fjalë, zhdrivilloj, që në fjalorët del me kuptimin “shpalos, shtjelloj”, zëvendëson fjalën proces të origjinalit; një ndërkombëtarizëm, që nuk i sjell asnjë problem shqipes. Çfarë përparësish do të sillte zhdrivillim ndaj procesit? Ndoshta duke u specializuar si term i përpunimit të fotografive? Nga teksti kjo nuk del e qartë; dhe, në çdo rast, dyshoj shumë se lexuesit do ta kuptojnë se për çfarë bëhet fjalë.
Një kontroll i shpejtë dhe aspak shterues i tekstit lë të kuptohet se ndërhyrja në leksikun e tekstit origjinal ka qenë e zellshme, por jo sistematike. Kështu, në f. 23 lexojmë për një “mesore të redaksisë”, e cila nuk është veçse korridori (e kam të pamundur ta kuptoj atë mendje që shqetësohet nga fjala korridor); ndërkohë, në f. 260, ftohemi në hollin e teatrit, një anglicizëm shumë më pak i rrënjosur në leksik se korridori. Shembuj të tillë të inkonsistencës, dhe do të ketë me siguri të tjerë, lënë të kuptohet sikur ndërhyrja në tekstet është bërë më shumë në mënyrë demonstrative, ose në fasadë; çfarë e pështjellon lexuesin edhe më, përveçse cenon integritetin diskursiv dhe leksikor të veprës.
Sërish do t’i kthehem pyetjes që bëra më lart: kush i ka bërë këto ndryshime në leksik? Nuk dyshoj se Kadareja i ka miratuar në parim; por cilësia materiale e ndërhyrjeve, dora e rëndë dhe vrazhdësia, mungesa e ndjesisë së tekstit dhe harmonisë, natyra prej arnash dhe shurdhëria ndaj asaj që do ta quaja tingëllim të fjalës në kontekst, të gjitha këto më bëjnë të dyshoj se “fajtori” për këtë prishje të teksteve shqip do të jetë ndonjë redaktor çfarëdo, pa vesh letrar, pa vesh gjuhësor, që i është vërsulur tekstit me egërsi mekanike.[9]
© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të revistës.
[1] Veçanërisht i dashur për mua në adoleshencë, ky roman në versionin e parë u botua në periudhën kulturorisht të errët që pasoi Plenumin IV të KQPPSH të vitit 1973 dhe flakërimin e luftës “kundër shfaqjeve të huaja” në kulturë dhe në art. Pati aq sukses në atë kohë, sa u zhduk sakaq prej librarive dhe në shtëpitë tona prisnim radhën për ta lexuar. Për mua që sapo kisha nisur shkollën e mesme, Tirana e romanit ishte qytet i dëshiruar.
[2] Në studimin sistematik që u kam bërë zëvendësimeve të tilla dhe ndërhyrjeve të ngjashme te Kështjella, besoj se kam provuar që pas tyre qëndron jo vetëm dëshira për të pastruar leksikun, por edhe vullneti për të rishikuar vizionet historike. Për këto të fundit, autori mund të mbrohet me shpjegimin se, kur e botoi romanin për herë të parë, kish qenë i detyruar që të bënte disa kompromise me politikat letrare dhe kulturore të regjimit; dhe se vetëm tani ka mundur që t’ia japë romanit formën e dëshiruar. Por ky shpjegim nuk vlen për arnat leksikore: politikat gjuhësore të regjimit totalitar kanë qenë njëlloj puriste.
[3] Krahasimin filologjik të motërzimeve të këtij romani në rrjedhë të viteve e ka ndërmarrë në mënyrë sistematike Brunilda Dashi, nga Universiteti La Sapienza, në Romë. Ky krahasim është shtrirë edhe në fushën e leksikut, edhe pse përshtypja ime është se kjo studiuese ose mjaftohet që t’i katalogojë dallimet që gjen, ose i përshëndet ndërhyrjet e autorit si pozitive; por po e rezervoj gjykimin, sepse nuk i kam gjetur dot të gjitha punimet e saj me këtë temë.
[4] Këtu dhe më poshtë po i referohem botimit me titullin “Dimri i madh”, të vitit 1977, nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë.
[5] Kadareja e ka futur këtë fjalë, mbipetk, edhe te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”:
në stadiumin ku po bëjmë tani gërmime, vjen vazhdimisht një vajzë e bukur dhe pret të fejuarin, kur ai ka stërvitje. Kur bie shi, vesh një mbipetk blu dhe rri aty në një kënd, nën shtyllat e tribunës, duke ndjekur me sy lojtarët që stërviten. Stadiumi i zbrazët është i trishtuar. Shkallët prej çimentoje janë të lagura. Gropat nxijnë anëve. E vetmja gjë e bukur është ajo, me atë mbipetk të tejdukshëm blu….
Dhe pastaj te “Kronikë në gur”:
Nëna, dyllë e verdhë, me duart që i dridheshin ndezi fenerin, ndërsa babai hodhi në kokë një mbipetk të zi, ia mori fenerin dhe shkoi të hapte portën.
Por mbipetku i “Kronikës” është tjetër nga ai i “Gjeneralit”. Origjinali ka: “babai hodhi në kokë mushamanë e zezë”.
[6] Kadareja, dhe veçanërisht ndjekësit e tij, mbajtësit e valixheve, hapësit e dyerve të makinës dhe mbrojtësit e tij publikë, tregojnë kujdes të madh për mirëmbajtjen e figurës së tij publike në Shqipëri, ndaj çdo sulmi që i bëhet dhe çdo njolle që ia vënë detraktorët. Unë besoj se kultura shqiptare do të përfitonte më shumë sikur një pjesë e këtij zelli dihatës të tregohej për mirëmbajtjen e trashëgimisë së veprës letrare me autor Kadarenë. Kultura e sotme shqip nuk funksionon dot mirë pa praninë aktive dhe të integruar të kësaj vepre – dhe kur them kështu, nuk kam parasysh përmendjen e saj në lista, as ekspozimin e saj në MURE librarish, as përfshirjen e saj në kurrikulumet shkollore të detyruara (një farë mallkimi), as zhurmën e përvitshme për Nobelin; por leximin dhe rileximin e saj nga brezi që nuk e ka njohur periudhën totalitare. Ndryshe nga shumë zhurmëtarë të sotëm publikë, mua më intereson përvetësimi letrar i veprës, jo përdorimi (dhe abuzimi) politik dhe ideologjik i suksesit të kësaj vepre.
[7] Mehmet Elezi e ka përfshirë fjalën në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (me rreth 41,000 fjalë që “nuk gjinden në FGJSSH”) në trajtën fundshtrojë, duke e shoqëruar me një ilustrim nga romani Hija i Kadaresë dhe duke shtuar se “e zëvendëson plotësisht fjalën dysheme”.
[8] Por mbase edhe jo. Ja si e përshkruan barnatarin Martin Camaj:
Luka, nji plak trupshkurtë e i thatë ka te barijtë ndër Alpe famë njeriu magjík dhe nji emën krenár që nuk e ka askúsh: barnatari. Verë e vjeshtë gjindet në mal, me një torbë lëkure krahaqafë, e vjetër e që dikúr ishte rrëshíq, ku tash shtue mbrendë lule e barna të thata, rranjë e gjetje. Edhe duert e tij janë si rranjë e teshat si gjethe e u vjen era bimësí si me pasë nji pyll në krah.
Barnat shërúese Luka i njeh me emën. Ai thotë: çdo njerí apo mal ka nji emën si unë, për shembull barnatár! Ky, si njerí magjík, mbahet si bestytës e thotë: vetëm barnat që kanë nji emën shërojnë, sidomós ethet! Andáj disá sosh kanë edhé emna sëmundjesh: bar lie, bar fruthi, bar lëngimi. Mekët thonë: barnatari âsht njerí fantastík!
Mund të jetë ashtú, por Luka në të vërtetë si shitës barnash malore âsht edhé nji reklamist!
[Grammatica Albanese, Edizioni Brenner 1995, f. 52-53]. Teksti ka natyrë didaktike, meqë sillet si copëz leximi në një gramatikë, por dëshmon se barnatari do të mund të përshtatej më mirë si fjalë shqipe për it. erborista, angl. herbalist, sesa të zëvendësonte me pahir fjalën farmacist.
[9] Për shkrime të ngjashme me këtë më lart, më kanë sulmuar personalisht dhe egërsisht në publik. Gjithnjë e kam bindur veten se ka qenë fjala për gjeste personash mendjevarfër, që duan t’i bien në sy për mirë dikujt që adhurojnë si idhull (Kadaresë), jo për veprime të urdhëruara dhe të bashkërenduara nga Kadareja vetë. Nuk mund të pretendoj që ky autor të ushtrojë kontroll mbi të gjithë ata që i mblidhen rrotull dhe që, njëlloj si langonjtë në një gosti mesjetare, nguten të përfitojnë nga çdo kockë që bie poshtë tavolinës. Mua më duket krejt normale që vepra e Kadaresë të lexohet në mënyrë kritike, pikërisht për shkak të peshës që ka në kulturën e sotme: tek e fundit, edhe kritika – qoftë edhe ajo me natyrë të specializuar si imja – është pjesë e efektit dhe jehonës kulturore të një vepre. Përkundrazi, lavdërimi i pakushtëzuar i veprës dhe sakralizimi i saj do të ishin mënyra më e mirë për ta mumifikuar Kadarenë si autor dhe për ta shndërruar në thjesht armë të gjithfarë luftrave të neveritshme për pushtet dhe supremaci.
|
37,714 | https://peizazhe.com/2021/02/07/letersia-qe-dija-une/ | null | 2021-02-07T13:15:08 | LETËRSIA QË DI(JA) UNË… | – Duke shfletuar “Kartela të Realizmit të Dënuar” –
nga Visar ZHITI
METODA E RE E TË SHKRUARIT:
…Kishte vdekur parakohe Migjeni, nga turberkolozi i pashërueshëm, por dhe nga parandjenja e rrezikut të një sëmundje ngjitëse që i kanosej letrave shqipe. Vërtet me Migjenin kishte marrë fund romantizmi i zgjatur, por gjithsesi ai s’kish si të ishte, siç donin ta bënin dhe pararendës të realizmit socialist shqiptar, më i pashpirti që mund të ekzistonte.
Dhe liriku qiellor, i mbetur gjallë, shtërgu elegant me flatrat plot fshikje yjesh, Lasgush Poradeci, nuk do të shkruante më. Poema e tij e heshtjes do të ishte më e mistershmja.
Dihet që heshtja nuk është letërsi. Dhe letërsia është e domosdoshme për shpirtin njerëzor, arti për shoqërinë. Kultura në tërësinë e saj është jetike për vendin.
Dhe letërsia nuk është heshtje, por në kushtet kritike për të e jo vetëm, do të duhej të zgjidhje: të ishe me detyrim me ata që do të shtypin, me sistemin e tyre apo me ata që do të shtypeshin, me vuajtjen e tyre, kur do të ishte aq shumë e vështirë, sakrificë?
Prandaj dhe pati nga ata që zgjodhën heshtjen…
Me vendosjen e sistem i ri duhej letërsi e re. Partia-shtet po stërviste shkrimtarët e saj ashtu si oficerët.
Letërsia duhet t’i shërbejë ndërtimit të socializmit, Të ishte e partishme, në shërbim të Partisë. Nga përmbajtja – socialiste, në formë – kombëtare. Por përmbajtja dikton formën, pra dhe në formë socialiste. Të pasqyrojë luftën për ndërtimin e socializmit, personazhet duhet të jenë nga klasa punëtore dhe fshatarësia punonjëse, ku të dalë kudo e gjithmonë roli udhëheqës i Partisë. Arritja më lartë e kësaj letërsie do të jetë kur ajo të ketë personazhe udhëheqësit e socializmit, etj, etj.
Realizmi Socialist: I ardhur nga jashtë, nga qendra e perandorisë komuniste, iu dha me detyrim gjithë arteve dhe letërsisë, metoda e re dhe e vetme, supreme, që e vinte veten në shërbim të ideologjisë dhe politikës së diktaturës komuniste, të udhëhequra në Shqipëri nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver.
Metoda e Realizmit Socialist vërtet u bë e detyrueshme në të gjithë perandorinë komuniste, por jo e zbatueshme njëlloj në të gjitha vendet, e kushtëzuar dhe nga antropologjitë e kulturologjitë specifike, nga arsimimi tradicional, se sa e ashpër ishte dhe diktatura e secilit vend e kundërtrysnia, por dhe nga ajo e fundit, që është e para, por harrohet, nga shijet e një populli, sa honeps ai..
Realizmi socialist nuk është i njëjtë me realitetin socialist, por se ç’është na ndihmon dhe Fjalori Enciklopedik, Tiranë 1985, i vetmi që mundi të botojë regjimi:
“Realizmi socialist, metodë krijuese e letërsisë artistike dhe e arteve, që u formua pas fitores së revolucionit popullor në Shqipëri. R. S. i zgjedh, i interpreton dhe i vlerëson faktet e dukuritë e jetës nga pozita e realizmit shkencor… Letërsia dhe artet u rritën në luftë me orvatjet e armiqve të ndryshëm për të penguar ecjen e tyre… orvatje që u dërrmuan…”, etj., etj.
Të duket sikur po lexon Historinë e Partisë Komuniste deri dhe Kodin Penal të saj. Gjuhë dhune dhe entuziazmi pa kuptim për letërsinë.
S’kish si të ishte rastësi që, kur krijohej lidhja e shkrimtarëve dhe e artistëve shqiptarë, me anëtarët e kryesisë të ishin bashkë dhe gjeneralë serbë, e dëshmojnë dhe fotografi të asaj kohe, ashtu si dhe Partia Komuniste në themelimin e saj pati drejtues serbë.
Pse pak më vonë një pjesë e asaj kryesie do të asgjësohet? S’i deshën gjeneralët? Madje dhe ngrehina e Lidhjes kishte qenë shtëpia e oficerëve dhe iu kalua shkrimtarëve, oficerëve të fjalës së Partisë.
Realizmi socialist tipik është në botimet e Enver Hoxhës, që i quanin vepra, në kujtimet e tij, prolikse dhe mediokre, plot me shtrëmbërime të së vërtetave historike dhe aktuale deri dhe antinjerëzore për urrejtjen që kërkonin të përçonin mes shqiptarëve dhe të shqiptarëve ndaj botës, që na i lexonin me detyrim dhe burgjeve si vazhdim i torturave fizike në tortura mentale.
Në atë shembull duhej të ecte dhe letërsia.
Dhe Shqipëria e vogël duhej ta zbatonte metodën e re si në Bashkimin e madh Sovjetik. Nga përmbajtja socialiste dhe nga forma kombëtare. Dhe njeriu i ri. Të treja të vështira, për të mos thënë të pa mundura, se socializëm s’kishte, por diktaturë dhe forma kombëtare nuk ishte kristalizuar, në fund të fundit ishte dhe e dënueshme, kurse njeriun e ri ku ta gjeje, ku ta kapje, nuk ekzistonte..
Kërkohej dhe Gorki ynë dhe romani i tij “Nëna” shqiptare. Të vendosej zyrtarisht dhe kryetari i parë i shkrimtarëve dhe artistëve dhe të dilte romani i parë i realizmit socialist. Cili do të ishte?
Mbas disa rrëzimesh e heqjesh, pas partizanit udhëheqës Sejfulla Malëshova, pedagog i marksizmit dhe në Moskë, poet, përkthyes, që u dënua dhe pas partizanit tjetër Shefqet Musaraj, që e përdorte penën ashtu siç duhej, si pushkën, që i thanë të dorëhiqej për arsye shëndetësore, u arrit te Dhimitër Shuteriqi, kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ai i kishte lënë eksperimentet poetike alla franceze, fare të vakëta, që i dukej se kishte bërë në rini, pas studimeve në Francë, por si të gjithë partizanët, nuk duhej të linte pushkën dhe granatat dhe në art. Tashmë ai ishte shkrimtar i angazhuar politik duke nxituar ta nxirrte ai, pikërisht në vitin 1952, romanin e parë të realizmit socialist, “Çlirimtarët”, i takonte ky nder. Por volumin e dytë s’e bëri që s’e bëri dot.
Shkrimtari me emër i viteve ’30, Sterjo Spasse, do të ngulmonte se romani i tij “Ata nuk ishin vetëm” qe shkruar më parë, kurse partizani i çartur Kasëm Trebeshina, do të shpjegonte nervoz se makinacionet e udhëheqjes së Partisë, intrigat, e penguan atë, me qëllim që të dilte në dritë patjetër romani me dy vëllime i Shuteriqit.
Në fakt një vit më parë qe botuar romani i një partizani tjetër, “Në gojën e ujkut” i Kin Dushit, me tmerret që ai hoqi në kampet naziste të përqendrimit në Prishtinë.
Me shkuarjen e partizanëve këtej në Kosovë andej, nën komandën e Shefqet Peçit, me komisar Ramiz Alinë, vendasit nacionalistë u bindën të dorëzonin armët. Por, kur panë se forcat bashkatdhetare po largoheshin e po i linin në dorën e të huajit, dilnin para kamionëve duke thirrur: si na pretë në besë, na ju besueme si vllazën, mosni, bre burra, mos na lęni peng te serbt…!
Të kthehemi te letërsia. Romani i Shqipërisë së re s’mund të fillonte kurrsesi me shkrimtarin Kin Dushi, që do të binte së shpejti në burg.
Fatmir Gjata do të nxirrte tregimet e tij me pika gjaku nga lufta si partizan. Dhe prapë një tjetër partizan, Shefqet Musaraj, po shkruante librat e tij për para dhe pas agimit, me stilin disi gazetaresk të “Zërit të popullit”.
Dhe po përzgjidheshin shkrimtarë dhe talente të reja për t’i çuar në Bashkimin Sovjetik e në vende të tjera socialiste për studime.
Skedë për Drago Siliqin
(1930 – 1963)
Do të ishte njëri nga ata, që do të sillte mendimin e ri kritik, me pasionin dhe kurajon e poetit.
Doli malit partizan, s’ishte as 14 vjeç dhe një vit më vonë nxjerr librin e parë. Dhe shkon të studiojë për letërsi në Bashkimin Sovjetik, në Moskë, në Institutin e njohur “Gorki” Kthehet në atdhe dhe bëhet drejtor i të vetmes shtëpi botues “Naim Frashëri”.
Me të do të botohej antologjia e poezisë ruso-sovjetike në 1959 dhe një vit më vonë do të nxirrte poemën e tij “Këngë e re për dashurinë e vjetër”, etj.
Me Drago Siliqin dolën emra të rinj dhe vepra të reja. Ai hapi qendrën e përkthimit me mjeshtrit, që vinin “nga e kaluara…”, por dhe nga burgjet. Do të ishte mbëshetja e parë dhe për autorët që s’i donte regjimi Dhe solli romanin e huaj bashkëkohor, Heminguejin, Remarkun etj,..
Kur kthehej nga Kina, avioni ku ishte dhe ai, ra nga hapësirat ajrore të Bashkimin Sovjetik. Ishte viti 1963, Në kampin socialist kishte ndodhur përçarja e madhe. Shqipëria kishte ndërprerë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe ishte lidhur ngushtë me Kinën. Në atë avion kishte dhe diplomatë shqiptarë, por më e rëndësishmja, fluturonin shkencëtarë dhe studiues kinezë. Avioni ra apo e rrëzuan? Kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje dhe sot.
Ndërkaq letërsia e re shqipe humbi në moshë të re një poet, kritikun pararendës, botuesin guximtar.
Ky akt tragjik sikur më përfton një metaforë, atë të rrëzimit të fluturimeve poetike, kur nuk do… komunizmi.
Ndërkaq Gorki ynë qe bërë jo njëri, të gjithë nga pak. Po kështu dhe Fadejevi. Si Majakovski i pasrevolucionit po i thyente vargjet në poemat e tij entuziaste Lazar Siliqi.
Do të krijohej treshja sunduese me poetët Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi, renditja e të cilëve ndryshonte sipas situatës politike në vend dhe raporteve të partisë me veprën e tyre
Esenini nuk lejohej dhe aq, ja, ia falnin ndonjëherë Dritëroit. Liriku Dhori Qirjazi seç kishte në biografi, babanë të ikur. Shollohov mund të ishte Jakov Xoxa me romanet e tij prolikse, por triologjia “Lumi i vdekur”, ama, ishte një arritje, një realitet edhe gjuhësor, që e pasuroi aktualitetin letrar. Ka dhe një personazh kosovar, e mori nga të dëbuarit…
Dhe dolën romanet e rëndësishëm: “Qyteti i fundit” i Petro Markos dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë. Dhe pas rënies së diktaturës do të mund të diskutohej se me cilin nga këta dy romane fillonte letërsia moderne shqiptare. Me Gjeneralin?… Jo me Qytetin… se është botuar tre vjet më parë, më 1960.
Po në këtë vit në Romë, azilanti politik, shkrimtari Ernest Koliqi kishte botuar romanin “Shija e bukës së mbrume”, por ai dhe vepra e tij ishin të dënuara si e gjithë letërsia e të ikurve.
Ecje e vështirë:
Por për ndryshim… të regjimit? A mund të guxonte letërsia? S’ke pse e mendon?… Ata që e duan, janë në burgje ose nën dhé. Dhe s’është punë e letërsisë? Po ruajtja e regjimit pse është?…
E përcakton realizmi socialist. Atëhere…
Letërsisë shqiptare i duhej të ishte, si të mundëte në gjithnajën e saj, nëpër kohëra dhe vende, aq shumë të copëtuara, si dhe brenda mureve e telave me gjemba e përtej tyre, në gjysmën tjetër a më larg, përtej detit e oqeanit, përtej mundësive, edhe nën tokë, atje ku nuk shfaqej.
I duhej të shpikte mënyrat e qendresës në ecjen e vështirë.
Letërsia u bë pronë e shtetit dhe u arrit deri atje sa Partia të bëhej gati dhe bashkautore. U injektua sindromi i të qenit shkrimtarë të socrealizmit, pa çudira letrare, por me aksionet e asaj që quhet brainwash (po sovjetikët a e lejonin këtë term? – sepse këtu u shkërbye shumëçka e tyrja. Te ne njiheshin veç “larje rrobash… hesapesh… të lash kokën një herë në javë” etj, por jo “larje trush”). Dhe kështu një pjesë e madhe e veprave të asaj kohe të afërt, e përngjitur dhe e përzierë me kohën që po jetojmë tani, kanë diçka hibride prej monstrash të ftohta, pa jetë, gjysmë të balsamosura, metalike, patetike, hovëzuese, që të ngjethin.
Librat duhej të kishin ideologjinë sunduese, politikë dhe propagandë për socializmin, ndryshe i priste mënjanimi, deri edhe dënimi.
Duheshin zbuluar mundësitë dhe shtigjet përmes vështirësive, që letërsia të ishte sa të mundej letërsi, që thelbi të mbetej i tillë.
Po idealet? Ato jashtë letrare. Ëndrrat? Ato jashtë letrare. Të përzgjidhen. Tonat të vihen në qendër. Letërsia po kalamendej, bënte mbrapsht, kthehej, merrte turr, mbetej në vend, ecte, ecte kuturu, jo, në rrugën e përcaktuar…
Është detyrë e studiuesve dhe e kritikës të na e bëjë të njohur dhe të çertifikojnë periudhat dhe përfundimet.
* * *
Si mund të ishin përsiatjet e një qytetari që lexonte, me gjakimin se duheshin pranuar, madje dhe mbrojtur ç’ishte e arrirë me librat, thënë thjeshtë, e shkruar mirë?
Gjersa letërsia është, nuk mund të bëhet sikur nuk është. Gjithaq, kur ti beson në letërsi, pavarësisht se ku është shkruar ajo, studiove të kryeqytetit nga shkrimtarë të mirëpaguar apo qelive të burgjeve a mes humbëtirave të internimeve, që po t’u kapej një dorëshkrim, do merrnin dënime të tjera, ti u jepesh vlerave, emocioneve të tyre, porosive që përfton dhe ato mbeten.
Vetvetiu ti do të dish se si letërsia i ka bërë ballë së keqes së letërsisë, që s’është gjithmonë e njëjtë me atë të jetës, po aq e thjeshtë dhe me dinakëritë e saj e fshehtësitë studimi i të cilave, them se do të ishte me interes, i dobishëm, gjithsesi dhe përvojë e të shkruarit dhe e leximit, që s’është njëlloj si në parajsë dhe në ferr e purgator. Edhe Dante është dhe s’është po ai, i njëjtë gjithmonë…
* * *
Letërsia, ajo pjesë brenda truallit të Shqipërisë, që quhej Republikë, pastaj shtoi një Popullore e më pas Socialiste, natyrisht që i shërbeu ndërtimit të një bote të re, atij besimi dhe entuziazmi, Partisë që udhëhiqte, Shefit të saj të parë. Misioni për t’i shërbyer socializmit, diktaturës së proletariatit dhe mbylljes e dëmtoi atë letërsi dhe e bëri të fajshme përgjithësisht.
Letërsisë në total po i viheshin pjesë këmbimi si veglat e traktorëve, të marra nga ndihmat e Bashkimit Sovjetik e vendet e tjera të perandorisë komuniste, pse jo edhe nga Mongolia. Pegasin e bënë kalë karroce në kooperativat bujqësore dhe e ngarkonin me kashtë, pleh. Të rinjve iu kërkua të revolucionarizonin poezinë, emfaza e së cilës pëlqehej dhe kishte ndikim.
Diçka ndryshe mund t’u thuhej lexuesve dhe duhej, sidomos atij të vëmendshmit, pse jo dhe të ardhshmit. Po dhe atyre lart, që drejtonin. Në kërkim të përmirësimit të sistemit shoqëror, shpesh duke bërë thirrje për ashpërsi.
1.
Gjuha e Ezopit,
si natyrë e brendshme e vetë letërsisë, ka arritur të cenojë ideologjinë dhe praktikat e Partisë-shtet, një lloj moskuptimi që zbulonte kuptimet, mbyllje kundër mbylljes, që vinte edhe nga pamundësia për të ushtruar hermetizmin artistik.
Metafora
s’po honepsej në botime, hapte punë, keqpërdorej, po urrehej, sa dhe u vendos dënimi i saj. Sidomos te poezia, që konsiderohej pararojë. Goditjet do të ishin brutale si gjithmonë dhe do të shtoheshin në aradhët që do të vinin. që teksa rrekeshin ta afronin, si të thuash Europën e poezisë, ajo bëhej vegim tantalian dhe më i largët.
Proza, që konsiderohej si artileria e rëndë, ribënte historinë e luftës siç do të donte të ishte, dhe realitetin socialist e përndrinte aq shumë, sa nuk të linte të shikoje pothuaj asgjë, veç iluzion dhe irealen e rëndomtë. Por ndodhte që në sulmet e saj gabonte dhe i derdhte predhat jo në pozicionet e armikut, por në tonat. Se si dilte ndonjë vepër “me gabime ideore”, jo aq e realizmit socialist, me nëntekst të gabuar, me aludime.
Pengesat:
Krahas kazmës dhe pushkës, në emblemën e saj Partia vinte edhe librin. Por cilin libër? Atë që i shërbente. Të tjerët ishin ndaluar, letërsia e vite ’30, ajo gjatë Luftës… Por dilnin nga qarkullimi dhe librat e rinj, të botuara gabim, sipas tyre, pasi zbulonin ndonjë gjë të dyshimtë në përmbajtje, jo tipike, jo optimiste, pra jo aq lavdërues, që ndonjëherë i aviteshin realitetit, pa le dhe e nxinin.
Prapë Petro Marko, e harroi burgun ai? Dhe ndaloheshin veprat e tij me radhë, madje dhe ai vetë. Dhimtër Xhuvani është çuar punëtor si dënim, madje bashkë dhe me një personazh të vetin, ia gjetën .
Një novelë më e vonë e Koço Kostës do të botohej përgjysmë në revistën “Nëntori”, se do t’i ndalohej vazhdimi, i cili do të mund të dilte vetëm pas rënies së diktaturës.
Kritika do të forconte partishmërinë. Do të binte më shumë mbi poezinë e të rinjve por dhe mbi autorët, ja, Sadik Bejkon e çuan të punonte në minierë, etj.
Komplotoheshin me zhurmë, kritikoheshin me heshtje, madje dhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli; ndalohej përgjysmë a i gjithë libri, ka ndodhur me Fatos Arapin, kërkohej një variant tjetër i pranueshëm i veprës siç ka ndodhur me Ismail Kadaresë, edhe ku personazhi më i rëndësishëm në vepër ishte vetë Enver Hoxha, që s’i lejohej kujtdo ta trajtonte.
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, fshehur brenda një libri me novela, do të hapte punë, më ndryshe se romanet pararendës. Sistemi dilte më shumë i frikshëm, se sa të fortë.
Metafora ishte shkatërruese. Do të mblidhej një plenum, që do ta kritikonte ashpër atë dhe përdoruesit e saj si të ishte drogë dhe s’dihej ç’ndëshkim i priste. Se Partia të ngre, të çon në majë dhe Partia të ul, të flak në ferr, ishte shprehur pasardhësi i diktatorit, Ramiz Alia.
Kur do të vendosej demokracia, Presidenti i parë i posdiktaturës, Sali Berisha pikërisht romanin oruellian “Pallati i ëndrrave” do ta konsideronte si veprën më disidente në të gjithë Lindjen, kurse Presidenti tjetër i mëpastajmë, Bamir Topi, do t’i dërgonte së voni një letër Akademisë Suedeze në Stokholm, që çmimi “Nobel” t’i jepej Kadaresë, kaq kohë kandidat për të.
Humori, satira.
Klasat e përmbysura dhe armiku i jashtëm duheshin përtallur, kështu jepej rasti të nxirrje dukuri negative të realitetit, vese, gjoja të së kaluarës, mendësi që s’arrinin të kapnin rendin e ri, ndikime nga presioni borgjezo-revizioniste etj. Qoftë dhe pa dashje, krijohej një si gaz i keq, i pa të keq dhe grotesk i përgjithshëm, i pakuptim nga qindra e qindra skeçe të estradave të vendit, nga disa prej komedive dhe ndonjë romani satirik etj.
Duke e marrë me pak humor humorin, tolerohej disi rreziku i tij nga shteti dhe censura, pa e kapur gjithë dëmin që mund të sillte.
Po gjithë ai folklor opozitar, anekdota e gazmore, jo vetëm në kryeqytet, por sidomos në Veri, në Shkodër, me humorin më fin, aq të shquar në Ballkan, ku kishte bërë traditë i ndaluari i shkëlqyer Gjergj Fishta, sarkazmi i hidhur migjenian e deri te shpotia e gjallë, karikaturisti Tef Palushi, për të cilin mungon pafalshëm një rrëfim monografik.
Ndërkaq ndodhte që të dënoheshin përhapësit e atij humori kundërshtar, ku e qeshura ishte aq pranë së qarës.
Lëvdatat:
Prapë një tjetër dukuri, zelli festiv, brohoritës, i tepërt, i kthyer kundër vetes.
Nëse kishte një letërsi të socrealizmit dhe pararojë paranojake të saj, që vetëm i thurte lavde të padurueshme Partisë dhe sistemit (pati vende si Rumania që e përdorën teprimin me qëllim neverie, sipas ndonjë studiuesi të huaj), u arrit kështu, pa dashje prej propagandës së shfrenuar, në velje dhe ç’është më keqja, në mosbesim, jo vetëm për atë lloj arti, por dhe për kohën që kishte nevojën e tij.
Shkrimtarë të politizuar ortodoksalisht, fanatikë të pandreqshëm, misionarë të pandërgjegjësuar për antimisionin, me talent të pamjaftueshëm, i sollën dëme realizmit socialist duke ua lehtësuar ndjeshëm punën disidentëve, kundërshtarëve dhe armiqve të tij.
Letërsia për fëmijë,
edhe aty duhej shkuar, ku nis e ardhmja, ta bëjmë tonën dhe kujdes dhe me përrallat, dhe me letërsinë e huaj, me ato mrekullitë ashtu… Mrekullira bën socializmi…
Edukim. ku më shumë se gjithçka, dhe se fëmininë e tyre, vogëlushët duhej të donin nënën Parti, udhëheqësin e saj. Të futej pedagogjia e luftës së klasave. S’ishte fantazi kjo, por detyrë.
Nga shkolla tradicionale, gjimnazet po hiqeshin lëndët humane dhe gjuhët e vjetra: greqishtja dhe latinishtja dhe po dominonte rusishtja si gjuhë e Leninit dhe Stalinit.
Letërsi për fëmijë u hodhën të shkruanin dhe ata që s’kishin mundur dot të bënin letërsi “për të rriturit”, duke dëmtuar kështu pafajësinë dhe mahnitjen ndaj botës, duke shenjuar palumturinë e perspektivës.
6.
Letërsia e huaj,
edhe aq sa lejohej, ndikoi në emancipimin e leximit, në estetikën e shijeve, duke qenë më së shumti e traditës, ajo ndikoi në konservimin e sjelljeve jo të reja, të pikëpamjeve të dikurshme, në etike, etj aq sa mund të shkohej dhe në mendimin ndryshe, në të kundërt.
U arrit të kishte një shkollë të mirë përkthimi, duke sjellë në shqip klasikë, të afërt e të largët, modernë e deri në antikitet duke i dhënë kështu dhe një shtysë të dy kahëshme gjuhës, në riaktivizimin e fjalëve dhe strukturave të vjetra dhe në krijimet e neologjizmave dhe shkathtësimet sintaksore.
Ndërsa Faik Konica dhe Fan Noli, dy të ikurit e mëdhenj të shekullit XX, kishin lënë si trashëgimi, bashkë me magjepsjen e përrallave arabe, Shekspirin tragjik, Servantesin komik dhe aftësinë e shqipes, për të mbartur tragjiken hamletiane, komiken donkishoteske si dhe magjepsjen e çdo kryevepre në botë.
Koha lejoi të përktheheshin nga klasikët, nga të vjetrit, jo thjesht nga të vdekurit, por dhe duke u parë si letërsi e vdekur, e shkuar. Erdhën në shqip vepra nga klasikët rusë Tolstoi, Gogoli, Çehovi, Gorki patjetër, Dostojevskij jo, në asnjë mënyrë, etj, klasikë francezë, Viktor Hugo, Balzak, Emil Zola, Gi Dë Mopasan, etj. Nga gjermanët Gëte, Hajne, etj. Nga anglezët Xhon Gollsuorthi, Bernard Shou, Bërnsi…
Kërkohej letërsi revolucionare, ku të ishte, por me dhe kujdes…
Fëmijëve iu dha Hamleti i tyre, “Pinoku”, dhe “Liza në botën e çudirave”, edhe Zhyl Verni, Mark Tueni, por s’e kuptonin pse ndaloheshin ndonjëherë.
Përkthenin me normë klasikët e përkthimit Lasgush Poradeci, Sotir Caci, Vedat Kokona, etj, Mitrush Kuteli – ish i burgosur, do merreshin dhe të burgosur të tjerë, etj, etj.
Ndaloheshin shpesh libra, sipas politikave dhe luftës së klasave brenda për brenda dhe marrëdhënieve me jashtë, me kampin socialist dhe luftën e popujve ndaj kapitalizmit dhe dhe imperializmit ndërkombëtar. Kështu flitej.
Përkthehej gjysma e “Dekameronit” të Bokaçios ose romani “Çoçarja” i Alberto Moravias, Hemingueji: “Lamtumirë armë”, “Plaku dhe deti”; Shollohovi: “Doni i qetë”, “Tokat e çara”, vetëm vëllimi i parë, se u prishën marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik në vitet ’60 të shekullit të kaluar, jo vetëm ato politike, por edhe letrare dhe çuditërisht ndaloheshin dhe Gollsuorthi, Cvajgu, Kuprini, etj. Ndalohej edhe Remarku i brezit të humbur: “Tre shokë”, “Harku i triumfit”, përkthyer nga Robert Shvarc, hebreu i ardhur qysh fëmijë nga Bosnja, që i dha shqipes së përkthimeve lartësinë e origjinaleve. Edhe “Ushtari i mirë Shvejk” ishte ndaluar, sidomos në repartet ushtarake.
Bibliotekave u dërgohej urdhëresa e re me listën e librave që s’duhej të qarkullonin më. Do të ndalohej dhe Esenini, liriku rus, fshatari i zhgënjimeve nga revolucioni, por edhe Lukreci i lashtë, s’dihet pse, patjetër nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez. Por, kur u prishën marrëdhëniet edhe me Kinën, u ndaluan dhe “Poetët klasikë kinezë”, të para 1000 vjetëve, Du Fu e Li Bo…
Uollt Uitmanin, që e solli në shqip rebeli Skënder Luarasi, nuk qe nevoja ta ndalonin. Përmbledhja e tij “Fije bari” mbetej në vitrinat e librit bujqësor, mes botimeve që s’i merrte askush “Si të rritim grurin”, patatet… barin… derrin. Kurse për më modernët evropianë s’lejohej as të flitej. Dënoheshe, po të përmendje Kafkën e Xhojsin, Eliotin, Joneskun a Beketin, Sartrin, etj. As shkrimtarë si Pol Elyar e Bertolt Breht, le të ishin me pikëpamje të majta, s’duheshin lejuar, prishnin punë. Bukë dhe trëndafila për të gjithë, është një varg pacifist i Elyarit, pra i dënueshëm. Po “Marshi i viçave” i Brehtit dukej si e shkruar enkas për ne:
Dhe viçat pas daulles
hedhin çapin.
Lëkurën për daulle
vetë e japin.
Kush e kishte përkthyer, prapë ai hebreu? Dhe nuk duhej të ishin gjallë autorët e huaj, që të mund të përktheheshin në shqip, qofshin dhe komunistë, sepse ndodhte që e tradhtonin kauzën. Por, kur lexonim për diktaturat e Amerikës Latine nga Asturiasi, p.sh., përkthyer marramendshëm nga Petro Zheji kundërshtar, nënkuptonim dhe tonën.
Ndërkaq nisën të botoheshin dendur shkrimtarë afrikanë, nga ata që s’njiheshin as në vendet e tyre. Ribotoheshin klasikët e socializmit parak, si Gorki e Anri Barbys, Fadejev, Go Mo Zho, Mao Ce Dun, kurse Majakovski futurist, jo. Shtoheshin veprat e romantikut sovran Viktor Hygo, i bezdisuri gjenial Honore De Balzak, që po njihej goxha mirë te ne, e ndonjë tjetër, nëse bënte pjesë në autorët që kishte pëlqyer në rininë e vet në Francë diktatori Enver Hoxha. Sigurisht që botoheshin me pjesë të hequra, krerë të tërë të shkulur si të papërshtatshëm ose, siç thuhej atëherë: me gabime ideore e kufizime. Lord Bajroni qe futur nëpër tekstet e shkollave, se kishte folur mirë për shqiptarët gjatë atij udhëtimi me kalë të Çajd Haroldit, në fund të mesjetës sonë.
Por po vinte Gabriel Garsia Markes, ende gjallë, siç kishin ardhur Moravia, Buzati, Ekzyperi, Bölli, ende gjallë dhe ai me përkthyes të rinj si Shpëtim Çuçka, Aurel Plasari, Mira Meksi, Pirro Misha, Ardian Klosi etj, dhe do të dilnin, po aq modernshëm dhe të shtatë tragjeditë e Eskilit.
Si kështjella hijerënda do të mbeteshin Homeri, “Iliada” dhe “Odisea” dhe Dante “Komedia hyjnore”, të përkthyer… nga të burgosur…
LIBËR TJETËR
“Si na erdhi ai, i ndaluari”
Koha nxori në skenë treshen emblematike Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi.
I pari rrokej për lart, maleve që mendoheshin dhe shqiponjave sipër tyre, avionëve që fluturonin mbi dëshirat, antenave në acar, metropoleve, duke sjellë risi të shkëlqyera, jo pa ndikim nga poezia sovjetike, nga Majakovskij dhe futurizmi i tij, etj, deri dhe nga bashkëgjeneratasi i tij Jevtushenko, por, për fat, Kadare kritikohej dhe për qasje nga poezia Perëndimore Europiane.
Ndërsa Agolli u bë poet i tokës, i gjerësisë naimjane dhe begatisë së saj në kushtet e varfëra të kooperativave… por prirej nga një lloj eseninizmi shqiptar, optimist, sidomos nga Bagrickij që dhe e përktheu, me frymë lokale rurale.
Fatos Arapi, më pak i lavdëruari, me më pak ndikim sovjetik, shkëlqeu tek poezia vetanake, ajo e dhimbjes dhe dashurisë, mbarti më ekzistencializëm duke konfiguruar poezinë elitare më europiane të kohës që mundej në Shqipërinë e mbyllur.
Nëse na duket se në poezinë e Jevtushenkos gjenden dhe “ndjesi kristiane”, të një poet “ortodoks”, me përçikje biblike, edhe të forta, te Arapi, mbasi braktisi thirrjet revolucionare, ku çuditërisht arriti të botojë dhe klithmën: “jemi tragjedi nga tragjeditë e komunizmit”, sikur gjejmë ca ortodoksi fshehtanake, një si hije kryqi, varre dhe përshpirtje.
Te Kadare ka dukje ateizmi, materializëm të aktualitetit, kurse tek Agolli sulme kundër besimit fetar.
Ky mosbesim kryeneç, i një poezie pa fe, por me luftë të ashpër klasash, është një tjetër mëkat shkretues i kolektivitetit të saj.
Pas rënies së perandorisë komuniste e për rrjedhojë dhe të diktaturës në Shqipëri, poezia e Arapit vazhdoi pothuaj siç kishte qenë, por më e lirë, po ai ritëm, duke u bërë më e thellë në trishtimet e veta, plotësisht europiane. Agolli shtoi zhgënjimet dhe kundërshtitë sociale, motivet njerëzore, edhe ato të pleqërisë, dashurinë si kujtim gjenerues, futi shpirt, se plakesh dhe kur je komunist, por në fund të fundit te Dritëroi mbetet shenjimi i poetit të gjithkohshëm, kurse Kadare, që poezinë e lënë po e zbrazte në romanet e tij të njëpasnjëshëm, të shkëlqyer, që me suksese përktheheshin nëpër botë, shfaqte një lloj sikleti ndaj poezisë, që sipas tij, ia kishte zvordhur lexuesit realizmi socialist. Por romanet e tij janë edhe poema të mëdha.
Kjo treshe krenare mbetet e konsoliduar. Dhe ajo për të cilën ka më pak nevojë poezia, sipas meje është krenaria.
(c) 2021, Visar Zhiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
32,269 | https://peizazhe.com/2019/08/16/32269/ | null | 2019-08-16T08:44:20 | HAP NË DREJTIMIN E DUHUR? | nga Agron Alibali
Temperaturat e larta politike dhe stinore në Tiranë kanë lënë jashtë vëmendjes publike e mediatike një risi të rëndësishme ligjore të miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë. Fjala është për Ligjin Nr. 54/2019, dt. 18.07.2019 “Për nismën ligjvënëse të zgjedhësve në Republikën e Shqipërisë”.
Ligji çel shtegun për zbatimin e dispozitave kushtetuese për procesin ligjvënës në Shqipëri, duke u mundësuar më në fund zgjedhësve shqiptarë të drejtën për ndërmarrjen e nismave ligjvënëse nga poshtë.
Me Kushtetutën e v. 1998, Presidentit iu hoq tagri i nxjerrjes së dekreteve normative, çka e ktheu vendin nga republikë semi-presidenciale në republikë parlamentare. Mirëpo Kushtetuta e v.1998 hapi mundësinë edhe të nismave ligjvënëse nga poshtë, duke sanksionuar se “të drejtën për të propozuar ligje e ka Këshilli i Ministrave, çdo deputet, si dhe 20 mijë zgjedhës” [Neni 81.1 i Kushtetutës, nënvizimi A.A.].
Kësisoj, Ligji Nr, 54/2019 përbën plotësim të rëndësishëm të Nenit 81.1 të Kushtetutës, i cili deri më sot kishte mbetur i pazbatueshëm.
Ligji Nr. 54/2019 është i shkurtër, me vetëm 18 nene. Ai është botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 116/2019 me datë 6 gusht 2019, dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit të tij, d.m.th. me 22 gusht 2019.
Ligji mund të shqyrtohet i plotë në lidhjen më poshtë:
https://qbz.gov.al/eli/fz/2019/116/cefba541-edd9-4c6a-9832-ca386de2677b
Nisma ligjvënëse e zgjedhësve përkufizohet si “propozimi në formë të shkruar i një projektligji, i nënshkruar nga jo më pak se 20 000 zgjedhës, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë” [Neni 3.6].
Ligji nuk kufizon objektin e nismave ligjvënëse [Neni 2.1], që gjithsesi duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, dhe “standardet ligjore për hartimin e akteve normative” [Neni 5.2].
Duke u nisur edhe nga përkufizimi më lart, mund të themi se nismat ligjvënëse nga poshtë kanë tri kërkesa thelbësorë:
Përcjellin një projektligj që, normalisht, shfaq një nevojë publike ende të patrajtuar, apo që është anashkaluar nga Kuvendi;
Ato ndërmerren nga të paktën 20,000 shtetas shqiptarë me të drejtë vote; dhe
I përcillen për shqyrtim dhe miratim përfundimtar Kuvendit të Shqipërisë.
Nga pikëpamja organizative, nisma ligjvënëse qytetare drejtohet nga një Përfaqësi, e cila merret me mbledhjen e nënshkrimeve [pas miratimit të organeve të pushtetit vendor, Neni 8], me mbarëvajtjen e bashkërendimin e procesit. [Neni 5.6]. Përfaqësia mbulon edhe koston e shpenzimet e procesit të mbledhjes së nënshkrimeve, burimet e të cilave bëhen publike [Neni 7].
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve [KQZ] ka rol qendror në mbarështimin dhe drejtimin e procesit. Për shembull, KQZ miraton modelet e fletëve tip dhe të dhënat përkatëse për mbledhjen e nënshkrimeve {Neni 10], verifikon nënshkrimet, regjistron apo refuzon nismën ligjvënëse, etj. [Neni 14],
Ndryshe nga normat ekzistuese për referendumin, Ligji 54/2019 nuk i njeh rol vendimtar e paraprak Gjykatës Kushtetuese.
Ligji parashikon procedura lehtësuese për mbledhjen e nënshkrimeve edhe ndaj personave “në pamundësi fizike” [Neni 10.5]. Ai parashikon procedura të veçanta nënshkrimi për zgjedhës që nuk mund të shkojnë në mbledhjen e nënshkrimeve “për arsye shëndetësore” [nënshkrimi merret në vendndodhjen e zgjedhësit, Neni 11.1], ose për zgjedhës me problematikë penale [Neni 11.2].
Risia thelbësore e Ligjit 54/2019 është njohja e së drejtës së nënshkrimit, dhe për rrjedhojë, edhe të nismës ligjvënëse, edhe për shtetasit me banim jashtë Shqipërisë. Dispozita përkatëse është si vijon:
Neni 11.3. “Zgjedhësit, të cilët banojnë jashtë territorit
shqiptar gjatë mbledhjes së nënshkrimeve mund të nënshkruajnë fletët përkatëse në ambasadat ose postet konsullore të Republikës së Shqipërisë. Vendi dhe koha e mbledhjes së nënshkrimeve përcaktohen nga drejtuesi i zyrës përfaqësuese përkatëse dhe njoftohen në mënyrën që siguron akses të plotë ndaj informacionit për shtetasit shqiptarë.”
Kujtojmë se këtu nuk është fjala për të drejtën e votës për shqiptarët me banim të përhershëm jashtë shtetit, por vetëm për ndërmarrjen e nismave ligjvënëse.
E drejta e votës për zgjedhësit shqiptarë që punonin apo studionin jashtë shtetit njihej dhe zbatohej, edhe pse formalisht, edhe gjatë periudhës së regjimit komunist në Shqipëri. Zgjedhësit që ndodheshin jashtë Shqipërisë votonin nëpër Ambasadat e Shqipërisë nëpër botë, dhe zona e tyre zgjedhore ishte ish-Lagja 2 në Tiranë, ku ndodhet Ministria e Punëve të Jashtme. Sot, e drejta e votës për shqiptarët jashtë atdheut njihet de jure [në kuptimin që të gjithë shtetasit që kanë regjistrimin në gjendjen civile në Republikën e Shqipërisë regjistrohen automatikisht edhe për të votuar], por de facto ushtrohet rrallë [pasi zgjedhësit duhet të vijnë fizikisht në Shqipëri për të votuar].
Dhe këtu vijmë edhe tek risia e fundit e Ligjit 54/2019, dhe pikërisht tek mundësia e nënshkrimit elektronik, si vijon:
“Mbledhja e nënshkrimeve në mënyrë elektronike kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për nënshkrimin elektronik, dokumentin elektronik dhe atë për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara.“ [Neni 12],
Përmbajtja dhe qasja bashkëkohore e ligjit zgjeron hapësirën e vendimmarrje për shtetasit shqiptarë. Mirëpo hapi tjetër i domosdoshëm, sipas parimit të demokracisë së drejtpërdrejtë [Nenit 2.2 i Kushtetutës: Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti], është rishikimi dhe thjeshtimi i kreut për referendumet në Kodin Zgjedhor.
Referendumet janë mjete të mirëfillta demokratike për shprehjen e vullnetit të popullit për një çështje akute të caktuar. Klasa politike shqiptare nuk ka pse të tutet, apo të ketë alergji nga referendumet. Përkundrazi, vendimmarrja e drejtpërdrejtë popullore do ta fuqizonte e zhdërvjelltësonte demokracinë në Shqipëri. Për shembull, edhe çështja e shumëdebatuar e Teatrit Kombëtar mund të zgjidhet fare mirë me një referendum vendor.
Sa i takon Ligjit 54/2019, natyrisht përfitimet e tij konkrete duhet të testohen në praktikë. Këtu mund të themi se nismat ligjvënëse duhet të jenë shkurtra, të qarta e koncize. Ato lipset të rrahin probleme që, për arsye të ndryshme, kanë mbetur jashtë vëmendjes së Kuvendit apo të qeverisë.
Falë qasjes së hapur dhe fleksibël të ligjit, do të përcillnim këtu dy shembuj të mundshëm për zbatim.
Shqipëria, si vend europian, çalon rëndshëm për gjendjen e hekurudhave të vendit. Treni është, pak a shumë sinonim i një shoqërie të përparuar, moderne, europiane, Mirëpo për arsye të ndryshme investimet në infrastrukturë këto tri dekadat e fundit janë përqendruar kryesisht tek rrugët automobilistike. Një nismë ligjvënëse nga poshtë do të ishte, për shembull, një projektligj që të detyronte shpërndarjen e balancuar, ta zëmë 50 % me 50%, të fondeve buxhetore e investimeve në infrastrukturë midis hekurudhave dhe rrugëve automobilistike.
Një tjetër nismë ligjvënëse nga poshtë mund të lidhej me çështjen delikate të huamarrjes. Ka shqetësime të ligjshme se huamarrja nga administratat e tranzicionit ka prirje për të kapërcyer në nivele të papërballueshme. Askush nuk duhet të marrë borxh për të mos e larë atë. Pakkush do të donte që borxhin e marrë sot t’ia shpërngulë si detyrim shlyerjeje brezit tjetër. Parimi i shtrirjes së këmbëve sa jorgani zbatohet në praktikë sipas normës së pashkruar se borxhi shlyhet gjatë jetës së huamarrësit, dhe huaja nuk mund e nuk duhet ta pasjetojë huamarrësin.
A nuk mund të ndërmerrej një nismë ligjore nga poshtë, për shembull, për të vendosur me ligj që çdo huamarrës në Shqipëri, në nivel qendror apo vendor, duhet detyrimisht ta lajë borxhin e marrë brenda për brenda mandatit qeverisës të ushtrimit të veprimtarisë së vet, dhe s’mund t’ia përcjellë detyrimin administratës pasardhëse? Nisma, që në dukje mund të mos paraqitet si praktike, të paktën do të disiplinonte jo vetëm huamarrjen në Shqipëri, si dhe ruajtjen e saj brenda niveleve të qëndrueshme, por do të rriste edhe përgjegjësinë e klasës politike në rrafsh qendror e vendor.
Edhe pse e vonuar me 21 vjet, pêrfundimisht, hyrja në fuqi e legjislacionit zbatues të normës kushtetuese për nismat ligjvënëse nga poshtë është hap në drejtimin e duhur. Le të shohim se si do të zbatohet në praktikë.
(c) 2019, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
41,200 | https://peizazhe.com/2022/07/05/zmbrapsja-nga-nje-e-drejte-e-vyer/ | null | 2022-07-05T06:52:30 | ZMBRAPSJA NGA NJË E DREJTË E VYER | nga Liri Kuçi
Titulli origjinal: Çfarë i jehon botës dhe grave të varfra zmbrapsja e SHBA-ve nga e drejta e abortit
24 Qershor 2022: Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmbysi Roe v. Wade, vendimin i cili qëndronte në fuqi prej 22 Janarit të vitit 1973, mbi të drejtën për qasje në abort për 46 shtete. Përreth 50 vjet prapakthim.
Kohë të palavdishme për gratë dhe përpjekjet permanente për të drejtat bazike njerëzore.
Të drejtat e njeriut dhe toka e premtuar
Nëse do të gërvishtim paksa mbi sipërfaqen e mitit “Amerika = toka e ëndërruar”, lustra që vesh përmbajtjen do të fillojë të hiqet copash me lehtësi, duke zbuluar nën të një shtrat të fabrikuar gënjeshtrash e të vërtetash bashkë. SHBA-të në thelb një projekt kolonizues, janë mbajtur në këmbë dhe orientuar nga interesa ekonomike që amplifikojnë ndikimin në një fushë sa më të gjerë veprimi duke përdorur si masha ideologjike kahun konservator dhe liberal.
Amerika ka shërbyer si shtrat klasik i prodhimit të teorive mbi lirinë e individit dhe demokracinë, çuar përpara me mendimin liberal, që prej Locke e Rawls kultivuan traditën e lëvrimit të tyre në rrafshin e demokracive liberale. Ky mjedis bëri vend për diversitet dhe përfshirje jo si rrjedhojë e letrave dhe filozofisë liberale per se, porse vetëm kur erdhi nga nevoja për qëndresë. Përrallat me oaze demokracie janë një nevojë e yshtur pikërisht për të zbehur prapavijën problematike të SHBA-ve me të drejtat e njeriut, këtu kryesisht: gratë, emigrantët, racat zezake, kafe, afrikane, latine, etj.
Rezistenca shpeshherë mori emrat e përveçëm të atyre tyre që u vetëflijuan për të ngjizur përnjëmend në popull idenë e çlirimit, dinjitetit dhe barazisë. Fred Hampton e vrau shteti amerikan në emër të luftës anti-raciste dhe klasore, si dhe në po ato vite përndoqi dhe burgosi pamëshirshëm aktivisten dhe mendimtaren Angela Davis, e cila fatkeqësisht sot është dëshmitare e ortekut të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor që rrezikon jo vetëm Amerikën. Idetë e saj mbi gratë, klasën dhe racën i flasin sot një bote që nuk i ka kaluar sfidat e viteve ‘80 kur ajo botoi dhe librin e saj profetik “Women, Race & Class”.
Si e tillë, siç dëften dhe historia politike në zhvillim të së cilës jemi dëshmitarë dhe ne, zor se mund të themi se projektime të tilla udhëhiqen prej premisash të larta me strukturë themelore të drejtën qytetare si busull shtetpërbërëse. Çka kemi parë të ndodhë është katërçipërisht e kundërta e saj. Flakadani i të drejtave të njeriut është fik-ndezur në mënyrë konstante në SHBA: nga odiseja historike e ratifikimit të ERA-s (Equal Rights Amendment) që nis në 1972 dhe ende vijon sot e panjohur prej 12 shteteve – ku Gloria Steinem aktivistja dhe gazetarja e shquar asokohe në ballë të fushatave, sot ende jeton për të dëshmuar agoninë që vjen prej luftës së papërfunduar për barazi e drejtësi shoqërore.
Për të përmendur më pas vazhdimësinë e lëvizjes Black Lives Matter që rigjenerohet me vrasjet e civilëve zezakë, deri te qasja e pakontrolluar në armë, si dhe së fundmi përmbysja e vendimit për të drejtën e abortit. Në historikun e palavdishëm të të drejtave të grave në Amerikë, është e rëndësishme të nënvizojmë se ato janë përndjekur jo vetëm moralisht dhe shoqërisht, por edhe penalisht – ngulur pas hekurave në momentin që kishin ndërlikime shëndetësor, pasojë të dhunës, aksidente apo kushte të tjera që u pamundësonin vazhdimin e shtatzënisë pavarësisht dëshirës për ta zhvilluar fetusin. Këto gjyqe publike dhe ligjore nuk kanë ndodhur vetëm përpara legalizimit të abortit, por edhe vitet e fundit (përpara se të shfuqizohej sërish). Lista vazhdon me plot nisma e skandale jo më pak të dëmshme e të këndshme se më lart, sidomos përgjatë lidershipit famëkeq super të djathtë të dekadave të fundit, nga Donald Trump – peshqesh i politikave të së cilit është edhe ndalimi i të drejtës së abortit. Premtim i bërë që në periudhën e fushave së bashku me një tufë dokrrash të tjera mizogjiniste dhe raciste. Largimi i tij nga karrigia presidenciale nuk qe zgjidhje dhe as e keqja më e vogël, sikundër nuk rezulton të jetë as shpresa e përfaqësimit dhe diversitetit nëpër pozita hierarkike vetëm për hir të përligjjes së kulturës së përfshirjes, për sa kohë nuk ka njëherazi prapavijë thelbësore, edukuese, kritike dhe profesionale të garantimit të të drejtave.
Zhvillimi teknokratik i vlerave kinse demokratike është veçse një instrument i mirëpërdorur për të mbajtur lart imazhin hegjemon e për pasojë për të vjelë në mënyrë të sigurtë përfitimet që vijnë prej të gjitha anëve. Shpeshherë, këto mite janë nevojë jo vetëm e kolonizatorëve për vetëjustifikim, por edhe njerëzve që në njëfarë forme përmes tyre të shpërblejnë mundin e sakrificën për të përkitur brenda tij – pavarësisht realitetit tëhuajsues.
Andaj për t’i vënë fre të logjikshme tronditjes e skandalit të shkaktuar këtyre ditëve në kontekstin amerikan, duhet të gërmojmë ca më shumë se cipa e ambalazhit “demokratik” që bën shitje të majme nën markën e ashtuquajtur të “të drejtave të njeriut” në tregun ndërkombëtar.
Cilat janë pasojat e kufizimit të abortit?
Këtë tablo e përbëjnë dhe e jetojnë në pësore së shumti gra të cilat vijnë nga kontekste më pak të privilegjuara në baza edukimi, qasje në sistemin shëndetësor – në terma klase, race, etnie e sidomos nëse janë emigrante dhe/apo persona trans. Mbi to, barra (fjalë për fjalë) do të rëndojë e disafishtë. Tronditja e jetës së grave për të drejtën për të vendosur mbi trupin, shëndetin, sigurinë dhe mënyra sesi do të ripërcaktohen pavullnetshëm marrëdhëniet e tyre – është e kobshme. Kufizimi dhe kriminalizimi i abortit të sigurtë si pjesë e kujdesit shëndetësor të garantuar me ligj, do t’i shtyjë drejt kryerjes së zgjidhjeve të rrezikshme për jetën e tyre. Marrja e pilulave për ndërprerjen e abortit në kushte shtëpiake (FDA) ndonjëherë mund të rezultojë fatale në varësi të ndërlikimeve, ndaj nevojitet dhe këshillohet paralelisht mbikëqyrje e specializuar. Megjithatë edhe më e dëmshme se kaq është pezullimi i qasjes në këto pilula si zgjidhje alternative dhe e sigurtë për të ndërprerë shtatzëninë në kushte vetëkujdesi.
Sakaq kriminalizimi i abortit do të jetë një barrë e cila inkriminon edhe mjeke/ët, që do të vendosin ta kryejnë abortin në kushte të jashtëligjshme, qoftë edhe për t’i ardhur në ndihmë dikujt që metoda e kujdesit shtëpiak nuk i ka rezultuar e suksesshme – mund t’i çojë në përndjekje penale dhe potencialisht t’i ngjeshë pas hekurave.
Ndërkohë shtetet më të afërta ku aborti është i lejuar, do të kthehen në “atraksion”. Gratë do të duhet të gjejnë para për të udhëtuar drejt klinikave që do të kthehen në vitrina reklamash për të shitur ofertën më të mirë. Duke iu nënshtruar marrëdhënieve të tregut do të shndërrohen në bankomate që në konkurrencë me njëra-tjetrën do të tregëzojnë shërbim vetëm për të paktat.
Megjithatë edhe ato të cilat në rastin më të mirë, mund të përballojnë biletën e udhëtimit, prej kërkesës së lartë për “thertore” do të telendisen nëpër lista pritjesh, sa ndoshta do të jenë fatlume nëse dita e kryerjes së abortit iu përkon brenda 12-javëshit të lejuar e nuk ua vë në rrezik procesin e jetën më vonë. Qameti do të ktheheshin në zinxhir tregtimi të mishit të freskët, nga thertorja e drejt për në kompaninë e funeralit që me gjasë do ta kenë mbyllur ujdinë me vakt.
Detyrimi ligjor për të mbartur shtatzëni të padëshiruara ka si kundërshembull përfytyrues këto raste që u përngjajnë skenarëve të filmave horror dhe kështu i vihet kapak edhe dalldisë për autonomi, kontroll, zotërim të trupit, jetës, vetes. Kontrolli mbi trupat e grave, siç parashikon dhe Silvia Federici, ekzekutohet si plan ashtu siç është nisur në Evropën e shek. të 16-17, me gjueti shtrigash. Edhe njëherë trupi si vendkontroll e ushtrimi pushteti. Long live America!
A mund të flasim për një efekt domino?
Ndonëse Shtetet e Bashkuara te Amerikës nuk kanë dëshmuar ndonjë historik të nderuar të arritjes, mirëmbajtjes dhe avancimit të të drejtave të grave, gjithsesi mungesa e konsistencës në kohë rrëzon mite e krijon potencial për pikëpyetje të mëdha strukturore. Sidomos kur bëhet fjalë për një kontekst të atillë që krenarinë më të madhe e trumbeton prej forcës institucionale, shtetit ligjor e demokracisë burokratike. Martesa me mendësinë patriarkale bëhet pothuajse e pakthyeshme teksa edhe kur flasim për një superfuqi ekonomike si konteksti amerikan me një industri të zhvilluar farmaceutike, dhe mbi të gjitha pavarësisht gjithë reagimit madhështor qytetar, ende nuk është bërë pjesë e diskutimit publik si zgjidhje potenciale pilula kontraceptive e testuar për burrat.
Ndalimi i qasjes në abort pas rreth 50 vitesh legalizim është dekurajues edhe në jehonën që mund të marrë në pjesën tjetër të botës. Nuk është larg mendsh që efektet prapakthyese në të drejtat e shëndetit riprodhues të ndihen edhe në vende të tjera. Ujërat kanë filluar të trazohen që në ditët e para të kriminalizimit të abortit nga SHBA-të. Ky vendim përbën precedent të rrezikshëm për vendet me historik më të brishtë dhe problematik në të drejtat e njeriut dhe shëndetit riprodhues (jo se Amerika e ndriti – por dhe pikërisht prej këtij fakti tashmë dhe ndikimit potencial që ushtron ky dështim).
Pavarësisht protestave të forta prej së paku dy viteve të fundit në Poloni, ndihmuar edhe nga “trendi” i ri në qarkullim, parlamenti polak para pak ditësh, sërish votoi kundër rregullimit të së drejtës së abortit duke mbajtur në fuqi vendimin e kufizimit të tij vetëm në rast se përbën rrezik për shëndetin e nënës. Gjithashtu në Gjermani përtej zhurmës pozitive që ndërmori rrëzimi i aktit 219a, gjithsesi aborti nuk lejohet dhe kjo vijon të kritikohet nga organizatat e të drejtave të grave edhe pas bujës që kërkon të shuajë zërat përmbi faktin që aborti ngelet ilegal. Sakaq në Itali ku ligjërisht aborti lejohet, situata bëhet edhe më “interesante”, pasi në praktikë është pothuajse e pamundur të kryhet për shkak se nuk ka mjekë/e që e marrin përsipër. Teksa në valën e vëmendjes që po merr sërish çështja, në Itali dukshëm kanë lulëzuar qarqet konservatore dhe të ekstremit të djathtë, të cilët kanë dalë publikisht në duartrokitje të vendimit amerikan të kriminalizmit të abortit.
Po me bishtin e kavallit?
Në këto kushte ku influenca qartazi ushtrohet në pozita pushteti e fuqie gjeo-politiko-ekonomike, ku duket sikur plani po shkon sipas një axhende e cila po shtyhet përpara me sukses – është pak të thuash naive a retorike pyetja që mund të ngresh për vendet e dorës së tretë. Vendet e pazhvilluara që mund të jenë edhe potencialisht në listën e peshkimit të lehtë, janë në anën tjetër ato që përballen me mungesë akute të edukimit seksual, qasjes në shëndetësi cilësore, papunësi të lartë e të ardhura të paqendrueshme për familje.
Në lidhje me kontekstin në Indi Dr. Veena JS, aktiviste dhe profesoreshë e mjekësisë ligjore thotë se fatkeqësisht mund të parashikohet një ndikim i ngjashëm edhe aty “Do të detyrohemi të rrisim fëmijë që nuk i mbajmë dot.” Ajo shpjegon më tej se sipas hulumtimeve të fundit “Gratë të cilat detyrohen të lindin kundër dëshirës së tyre, zhvillojnë psikoza e depresion që ndikojnë si në cilësinë e jetës dhe shëndetit mendor tyre, gjithashtu dhe fëmijëve të ‘padëshiruar’.”
Shqipëria po ta marrim si shembull, ndonëse ligjërisht e lejon abortin që prej vitit 1995, në anën tjetër mbahet në këmbë prej institucionesh kukulla në dorën e qeverive në pushtet. Të gjitha qeveritë post viteve ‘90-të në një shumatore të përbashkët dalin a priori dashnorë të ëndrrës amerikane, apo në version pak më të sofistikuar, ithtarë të llojit të demokracisë që proklamohet s’andejmi. Mirëpo në këtë rast ndryshimet autentike të kontekstit indian nga ai shqiptar që mund të përcaktojnë edhe shkallën e ndikimit, lidhen me popullsinë. Në kushtet që vendi ynë po shpopullohet me shpejtësi, pavarësisht legjislacionit aktual, nuk do të ishte çudi që situata e re botërore të mund të sjellë edhe momentin oportun për një rrëshqitje drejt favorizimit të kriminalizimit të abortit. Fundja, liderët tanë nuk dallohen për ndonjë konsistencë të hatashme politike a respektimi të të drejtave të njeriut, e sidomos njerëzve me mitër (gjysmës së popullsisë – grave!) që po vriten në shifra marramendëse prej dhunës e pasigurisë së jetës. Deviza: Të shumojmë ç’ka ngelur. Mbi të gjitha në situatën e një vendi me opozitë pothuajse inekzistente, gjithçka lehtësohet. Në këtë farë mjedisi hobsian, nuk përbëjnë më çudi panelet e mbushura me burra të cilët, marrëzinë e të ftuarit në cilësinë e adaptëve për të folur për abortin, e zbatojnë mu si kasapë. Polarizimi i debatit në një vend me abort të legalizuar prej dekadash në këtë formë është kanosje e drejtpërdrejtë e ushtrimit të kësaj të drejte, respektimit dhe garancisë së saj.
Posaçërisht në kushtet e Shqipërisë kjo do të rezultonte fatale, teksa marrim parasysh mjedisin historik të pamundësisë së ngjizjes së një lëvizjeje të konsoliduar e të zëshme feministe, potenciali që mund të përcillej edhe në terma të përveçëm u luftua prej regjimit të Shqipërisë staliniste, u izolua, shkëput dhe atomizua deri në pikën sa të mos mund të linte trashëgimi solide të organizimit feminist. Mbaresat e një mungese të tillë sot janë të reflektuara e projektuara edhe në rrafsh pushteti, pozicione qeverisëse e parlamentare, çka përthyhet më pas në mosprani akute në edukim, retorikë, politika, ligje, nisma feministe. Në këtë mjedis djerrë, inkurajimi i vetëm vjen prej dekadës së fundit në organizimin e një strukture feministe nga poshtë, çka është për t’u nënvizuar se vlen si njëfarë katalizatori që na mban toruan dhe njëkohësisht i vlen frymës së rezistencës së përbashkët. Mandej, në kushtet e një kanosjeje globale si kjo e shtrëngesës së të drejtës së abortit, duke mbajtur parasysh ngërçin e trashëgimisë historike të një lëvizjeje sociale të fortë, vakumi i së cilës mund të përkthehet në forcë mobilizuese të pamjaftueshme për qëndresë e presion thelbësor organizativ. Mospengesa e ekzekutimit të nismave regresive të këtilla paralajmëron efekt të drejtpërdrejtë në jetët e grave dhe cilësinë e jetës së tyre e fëmijëve të pamundur për t’i pasur. Aplikimi i metodave popullore për ndërprerjen e shtatzënive të padëshiruara, do të rrezikojë thelbësisht jetën e njeriut, përveç ushtrimit të dhunës për lirinë e zgjedhjes dhe uzurpimin e autonomisë mbi trupin e personit që shtrëngohet ta mbajë shtatzëninë.
Gratë e familjet e varfra do të vijojnë të jenë vatrat ku mjerimi rehatohet. Në zonat e paurbanizuara, ekonomia e dobët shkrihet me mungesën e edukimit dhe informacionit mbi kujdesin e shëndetit seksual, ku së bashku shoqërohen me mungesë infrastrukture për ta ofruar e qasur si të mirë publike – do të prodhojnë krizë e do të mbivendosin një barrë të re në rrafsh individual, shoqëror, e shtetëror gjithashtu. Kështu, mentaliteti patriarkal do të ketë martesë të shëndetshme me shtypjen e legjitimuar përmes strukturave të pushtetit – ku në çdo rast do të pjellin fëmijë të padëshiruar me mbiemër mjerimin. Synimi është i qartë, riprodhimi i këtij cikli me çdo kusht. Riprodhimi e prodhimi i zinxhirëve që e sigurojnë jetën, fundja do të vijojnë ngelen gjithnjë “markë” që vetëm më të paprivilegjuarat e kanë si veçanësi për ta siguruar, për veten dhe masën.
Cili është skenari optimist?
Historia e vështirë e organizimit feminist siç na mëson çmagjepsjen nga bota, teoria apo praksisi, ndonjëherë, na tregon se fill pas pesimizmit mund të gjejmë optimizëm dhe arsyetimin mbi të – ardhur nga kthjelltësia e nevojës për rezistencë. Teksa edhe në vende të zhvilluara dhe me njëfarë tradite më të konsoliduar të zbatimit të të drejtave të njeriut, debati mbi abortin ia del të marrë valencë problematike bashkëkohore – është fakt sa shkurajues aq edhe ka potencë për revoltë masive. Paradigmën e Simone de Beauvoir se “Këto të drejta nuk duhen marrë për të mirëqena. Duhet qëndruar në gatishmëri përgjatë gjithë jetës”, na duhet ta kthejmë në refren qëndrese.
Vendimi i përmbysjes së Roe v. Wade nuk është pritur pa potere dhe me bisht ndër shalë. Përkundrazi, reagimi kolektiv e solidarizues ka qenë i menjëhershëm në rrugë e sheshe publike po aq sa edhe në mediume virtuale. Jeta dhe prindërimi nuk mund të bëhen me komandë nga lart, porse mund të vijnë kur piqen bashkë dëshira dhe mundësitë. Andaj, lipset që në këtë moment t’i mëshojmë diskursit feminist përmbajtesor që jo vetëm nuk i komprometon të drejtat e arritura mes përpjekjesh vetëmohuese në histori, por i bën ato mburojë për të kërkuar garantimin e sigurisë mbi jetën, shëndetin e zgjedhjen e lirë. Forcimi i organizimit kolektiv dhe aleancave feministe duhet të kulmojë me kërkesa të përbashkëta për qasje falas në kujdesin shëndetësor dhe prioritizimin e shëndetit riprodhues, nxitja e shkencës për metodat kontraceptive që nuk përmbajnë hormone për gratë dhe hyrje në qarkullim për përdorim në masë të pilulës kontraceptive për burrat, bashkëndarjen e zgjeruar të kujdesit dhe lejes prindërore, cikle progresive të edukimit falas dhe qasje në mensa.
Nga dallga e madhe që rrezikon të kthejë një faqe të zezë në historinë e të drejtave të grave, mund të krijohet potenciali i një tsunami rezistence transnacionale. Kur i merr njëherë të drejtat dhe mëson të jetosh me to, sado e vështirë qoftë do t’i rrëmbesh sërish. Në këtë moment në kohë kemi nevojë për një përgjigje të organizuar feministe. Robëria nuk mund të shërbejë kurrë si alternativë. Dhe ndoshta këtë herë po na japin arsye të mjaftueshme për ta rrokur historinë e rezistencës kolektive feministe në përmasa të tjera.
© 2022 Liri Kuçi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
14,273 | https://peizazhe.com/2013/12/30/lajmi-i-kafshimit/ | null | 2013-12-30T19:56:50 | LAJMI I KAFSHIMIT | Kush ka lexuar qoftë një libër të vetëm për gazetarinë, me siguri do ta ketë hasur maksimën e famshme të qenit dhe njeriut. “Kur një qen kafshon njeriun nuk përbën lajm, sepse ndodh shpesh. Por në qoftë se njeriu kafshon një qen, ky është lajm”. Pavarësisht autorësisë, meqë fjalia e njohur u atribuohet gazetarëve të ndryshëm, fakti është se rregulli për mediat vlen edhe sot e kësaj dite. Kemi të bëjmë me karakteristikat që e shndërrojnë ngjarjen në lajm, ose rrethanat që e kushtëzojnë informacionin të ngjallë interes për mediat e publikun.
Po ta merrnim si absolut rregullin e mësipërm të qenit, lajmi i botuar nga Balkanweb (29.12.2013), me titull “Tiranë, fëmija 10-vjeçar kafshohet nga një qen, prindërit denoncojnë pronarin në polici”, nuk duhet ta kishte parë dritën e botimit.
Duhet thënë që në fillim se gazetarët e redaktorët nuk është se gjatë procesit të botimit evokojnë gjithnjë kriterin e kafshimit; në të shumtën e rasteve kjo bëhet me intuitë, ose vetë ngjarja imponohet për nga rëndësia. Tema është e gjerë, duke pasur parasysh studimet e shumta në lëmin e komunikimit dhe të gazetarisë, që kanë hulumtuar se si një ngjarje bëhet “e lajmshme”, në qoftë se mund të shprehemi me një neologjizëm antipatik.
A përbën lajm kafshimi i fëmijës nga qeni? Normalisht jo. Kushedi sa kafshime ndodhin në ditë në Shqipëri; gjithsesi fakti është disi i rëndomtë, gjithnjë sipas rregullit të gazetarisë. Lajmi i lartcituar nuk duket me shumë interes, të paktën nga pjesa e parë e titullit. Po të kishte qenë (larg qoftë!) një fëmijë disamuajsh edhe ndoshta, por një dhjetëvjeçar është fëmijë i rritur, mund të ketë qen vetë e mund të luajë me kafshët pa ndonjë problem të veçantë. Mund të kishte qenë lajm, nëse do të ishte rasti i kushedisatë, praktikisht epidemi kafshimesh; ose do të bëhej lajm në rast se është folur më parë për qenë të tërbuar, që enden rrezikshëm në qytet. Nejse, lajm i përmendur edhe mund të mos dilte, ose të publikohej në ndonjë gazetë të lagjes (në qoftë se ekzistojnë).
Ja si është komunikuar lajmi i plotë:
Një fëmijë 10-vjeçar është dërguar në spital mbremjen e sotme pasi është kafshuar nga një qen. Ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Fusha e Aviacionit në kryeqytet, ku fëmija është kafshuar nga nje qen i racës “rodvajler”. Mesohet se vogëlushi është kafshuar disa herë nga qeni dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore. Prindërit e fëmijës kanë denoncuar nç polici pronarin e qenit, ndërsa banorët e zonës shprehen se qentë që shëtiten në rrugë përbëjnë shqetësim për ta.
Teksti nuk po riprodhohet për t’u argëtuar me korrigjime ortografike, ose sugjerime stilistikore; çdo lajm mund të jepet e të shkruhet ndryshe nga pikëpamja formale. Nuk është ky problemi ynë.
Mua më duket se ngjarja përbën lajm, por lajmi duhet kërkuar nëpër tekst. Dy janë faktet me rëndësi sociale. I pari ka të bëjë me shqetësimin që shkaktojnë qentë e shoqëruar, pra ata që dalin me “pronarët” e tyre dhe jo qentë endacakë, të rrugës. I dyti ka të bëjë me denoncimin që i është bërë të zotit, nga ana e familjarëve të vogëlushit të dëmtuar nga kafshimet e qenit.
Lajmi mund të hapë debat publik, sepse shqetësimi është i përbashkët. Kur qentë e rrugës tërbohen e të sulmojnë papritur u kërkohet hesap organeve vendore, në mënyrë që të ndërhyrjnë me ekspertët e tyre. Kur dëmet i kryejnë qentë që e kanë të zonë, atëherë përgjegjësia i kërkohet këtij. Në botë, në kësi rastesh të rënda, plasin polemika të ashpra për racën e qenve, për rrezikshmërinë e tyre, por me sa kam lexuar faji është gjithnjë i njerëzve, i atyre që i edukojnë qentë, dhe jo i kafshëve të gjora, që shpesh janë viktima. Aq më tepër që po flasim për një nga kafshët më fisnike, mik besnik i njeriut dhe tejet i rëndësishëm për të. Përveç kësaj, tema e ngritur mund të pasurohej edhe me problemet higjienike, për sa kohë njerëzit që shëtisin qentë e vet nuk ua mbledhin ekskrementet, siç bëhet normalisht në të gjitha vendet e qytetëruara.
Me rëndësi sociale më duket edhe denoncimi që i është bërë të zotit të qenit pranë organeve të drejtësisë. Ky akt mund të duket i zakonshëm, madje i detyrueshëm, por në Shqipëri jo çdo vepër penale ose kundërvajtje i denoncohet drejtësisë. Denoncimi, nga një anë tregon vetëdijen qytetare për përgjegjësinë e aktit, nga tjetra dëshmon besimin se do të jetë shteti, me mjetet e tij, që do ta ndjekë ankimin e shtetasit. Nëpërmjet denoncimit, gjithashtu, shmangen incidente të tjera që mund të ndodhnin në të ardhmen.
Lajmi mund të ishte paraqitur ndryshe, por siç e pamë, lajmi e ka rëndësinë e vet, edhe kur qeni kafshon njeriun. Rregullat kanë përjashtimet e veta, çka e bën rregullin më të besueshëm. Anipse rregulli duket pak cinik. Tek e fundit, ëndrra jonë do të ishte një botë pa lajme të çuditshme e bombastike. E pamundur: utopi e pastër. Po pse mos të bëjë lajm druri që rritet dhe jo ai që rrëzohet me rrapëllimë?
Gazetaria ka rregulla të veta. Le të marrim, në fund, rregullin e 5W (who = kush; what = çfarë; when = kur; where = ku; why = përse). Lajmi i mësipërm përgjithësisht e ka respektuar rregullin e 5W që, sipas manualeve, gazetarët duhet t’u përmbahen kur i japin informacion publikut. Natyrisht, pika e fundit (përse) nuk është thelluar në lajmin e mësipërm, por dihet që i referohet të zotit, jo qenit.
|
25,543 | https://peizazhe.com/2017/05/09/kur-arratisen-milioneret/ | null | 2017-05-09T10:34:12 | KUR ARRATISEN MILIONERËT | Dhëndëri i Presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, gjatë një mbledhje me investitorë kinezë citohet të ketë thënë se, anëtarë të familjes së Kushnerit të ardhur emigrantë në SHBA kishin punuar shumë dhe e kishin kapur veten mirë, e nëse të ftuarit do të investonin në pronat e patundshme të Kushnerëve do ja mbërrinin edhe ata asaj dite.
Mesazhi i organizatorëve kishte lidhje me mundësinë e përfitimit për vizë emigrimi në SHBA nëpërmjet investimit (viza EB-5). Programi EB-5 (employment-based fifth preference) nxit investitorët e huaj të hapin vende pune në mënyrë që ata të përfitojnë kartën jeshile (Green Card) për vete e familjarët e tyre. Çdo vit përfaqësitë e SHBA-ve lëshojnë mesatarisht rreth 20 000 viza të tilla.
Veprimi i Kushner u interpretua si konflikt interesi për shkak të afërsisë së tij familjare me Presidentin dhe pozicionin e tij politik si këshilltar, e kritikët u morën më së shumti për mundësinë e përdorimit të administratës së Donald Trump për interes të këtij pronari të madh pronash të patundshme. Por ky diskutim për Shqipërinë ka lidhje me disa dukuri më interesante që shkojnë tej këtij këndvështrimi dhe ndërveprimit të kapitalit ndërkombëtar me politikat kombëtare. Këtu tërhiqet vëmendja në arratisjen e kapitalit dhe pasigurinë që ekziston në punëdhënësit shqiptarë, çfarë ndoshta i shtyn ata të largohen nga ky vend së bashku me paratë e tyre.
Në Shqipëri, që prej hapjes së programit në viteve 90 deri në vitin 2016 janë përfituar rreth 1000 nga ky program (së bashku me familjarët, shih tabelën më poshtë). Nga viti 2005 deri në 2016 janë lëshuar rreth 264 viza të tilla, mesatarisht 22 në vit. Pra investitorë shqiptarë duhet të kenë hapur rreth 3000 vende pune në SHBA prej 2005.
Tabela e vizave të emigrimit për SHBA, 2005-2016.
Numri i madh i investitorëve shqiptarë që përfitojnë prej këtyre vizave bie në sy edhe në krahasim me vendet e rajonit. Në raport me rajonin e Evropës Shqipëria ka një numër të konsiderueshëm të këtyre vizave (duke përfshirë edhe familjarët). Në vitin 2016 zinte rreth 11% të totalit (962 nga 8596), prej 6% në vitin 2013 (376 nga 6792). Vetëm Rumania, me popullsi thuajse 10-fishin e Shqipërisë, ka të dhëna të ngjashme, e ndoshta pikërisht për problematikat me korrupsionin dhe pasigurinë ligjore (tabela e mëposhtme tregon vetëm vizat për kategorinë kryesore).
Tabela e emigrimit nëpërmjet programit të vizave për investime EB-5 për Shqipërinë, 2013-2016.
Nga vëzhgimet numri më i madh i këtyre vizave lëshohen një vit pas ose para zgjedhjeve, kur pasiguria ndihet më së shumti dhe ndoshta persona të inkriminuar në afera korruptive largohen për të mos u bërë viktima të reprezaljeve politike.
Besohet se përfaqësitë e SHBA-ve i shqyrtojnë kërkesat që programi të mos bjerë pre e kriminelëve që pastrojnë paratë e pista, duke gjurmuar p.sh. origjinën e parave. Por disa raste të keqpërdorimit kanë shkaktuar diskutime në dhomat e përfaqësimit amerikan. Siç ishte rasti i një “investitoreje” kineze, e cila u hetua dhe gjykua për pastrim parash. Nuk dihet nëse ka raste të tilla në Shqipëri, por ka disa persona me pasaporta amerikane e shqiptare që janë gjykuar në Shqipëri ndër të tjera edhe për pastrime parash.
|
23,372 | https://peizazhe.com/2016/08/23/samiti-i-diaspores-kur-per-cfare-e-per-ke/ | null | 2016-08-23T07:33:20 | SAMITI I DIASPORËS – KUR, PËR ÇFARË E PËR KË? | Do kisha preferuar kuvend ose tubim ose edhe konferencë qoftë a kongres, se “samiti” pra takimi i krerëve lart për të zgjidhur tensione të nivelit po lart, nuk më duket i gjetur, veçse po të synonte të fryhej me formë pa përmbajtje. Në nëntor 2016 duhet të mblidhet samiti i diasporës shqiptare! Dhe shpresojmë që mbjellja e datës në media, kësaj radhe të jetë pararendëse e ngjarjes reale. Në fakt data e parë duhet të ishte mars 2016, por me mençuri ajo nuk u raportua fort, dhe as u shpërnda mjaftueshëm, që, nëse marsi nuk na vinte për mbarë, të mund ta shtynim. Dhe, shyqyr! Se marsi u bë nëntor. Me padurim e priste gazetari Afrim Krasniqi samitin efemer të marsit 2016, dhe mençurisht ngre shumë pyetje si për mungesën e kujdesit të shtetit shqiptar për diasporën, si për problemet kushtetuese që dalin nga injorimi dhe abuzimi i emigrantëve prej shtetit shqiptar, si për shtyrjen në kalendat greke të përfshirjes formale të këtij segmenti prej një milioni e gjysmë shqiptarësh të ikur pas 1990-ës.
Më 28 shtator 2015 në faqen e vet FB kryeministri njofton se
Qeveria do të bashkëpunojë me të gjithë të interesuarit për organizimin e Samitit të Parë të Diasporës Shqiptare, në marsin e vitit të ardhshëm në Tiranë.
Disa gazeta e ndjekin. E kuptoj që samiti nuk u krye kur u tha se do kryhej, dhe as u kërkua ndjesë a u dhanë shpjegime për shtyrjen, por unë do doja të dija se çfarë do të thotë kryeministri me “qeveria do të bashkëpunojë me të gjithë të interesuarit”. Unë jam e interesuar, dhe kam kërkuar sa kam mundur info si një pjesë e publikut shqiptar. Por s’kam mundur të gjej asgjë të qartë. Përse duhet që unë si qytetare e interesuar, si emigrante, si studiuese e diasporës, pra si SHUMË e interesuar, të mos marr dot informacion më të plotë e transparent në sajte që bëjnë thirrje racionale dhe të mbarështuara për pjesëmarrje në kuvend, për seancat themelore të kuvendit, për temat e trajtuara në secilën seancë, për misionin, qëllimet, pyetjet dhe objektivat e të parit mes shumë grumbullimeve të tjera që duhet të ndjekin, për përzgjedhjen e folësve, për të ftuarit, për mundësitë e pjesëmarrjes së të interesuarve, për kohëzgjatjen, për venynë e mbledhjeve dhe ditëve, e sidomos për vetë organizimin e një aktiviteti të tillë.
Me mundim gjej informacion të dhënë me pikatore, konfuz, sipërfaqësor ose retorik. Përfundoj me gjykimin se, ose unë i kam mbushur mendjen vetes se jam një ndër të interesuarit pa qenë e tillë, ose qeveria mua nuk më quan të interesuar. Por e sigurtë është që në këtë pikë, në kohë unë jam e djegur si një ndër ata që do donin të ishin pjesë e kuvendit dhe e diskutimit për ndryshim pozitiv. Sepse, që të mund të merrja pjesë në të, duhet të kisha marrë informacionin e duhur që të përgatisja udhëtimin dhe të kompensoja për detyrat familjare, të organizoja zëvendësimin tim në punë, dhe para këtyre hapave praktike, të peshoja vlerën dhe përmbajtjen e asaj që propozohej si tematikë dhe qëllim dhe të kuptoja nëse ia vlente apo jo të kthehesha nga vendi i kurbetit për në atdhe për ndërgjegje civile e publike.
Kontributi im nuk do të ishte domosdoshmërisht i domosdoshëm, por fakti që kur unë, e mësuar me aplikime e procedura pjesëmarrjesh në konferenca, nuk ia dola të merrja vesh si merrej pjesë në samit, besoj se segmente shumë më të mëdha emigrantësh kanë ngelur pa përfaqësim aty. Sepse, po qe se japim dy paragrafë të bukur krenimi që do mbledhim samitin nën kujdesin e këtij apo atij, për mediat apo për sitet zyrtare, por pastaj tradhtojmë diasporën me procedurat me lista të njohurish, organizmash të vetëzgjedhur dhe megalomanë, apo me lista hartuar nga burokratë që duan të mbarojnë punë shpejt e të plotësojnë numrin e kërkuar të pjesëmarrësve apo të vendeve pjesëmarrëse, atëherë diaspora është tradhtuar që pa ia mbledhur ende samitin.
Por nisma, qoftë edhe e vonuar siç është, është e brohoritshme, sepse akute dhe shumë e rëndësishme për shqiptarët. Dhe, sado e lodhur të jem me dështime institucionale të mbledhjeve dhe aktiviteteve fasada që kryhen për ekranin dhe për rrjetet sociale, më shumë sesa për të ndihmuar njerëzit që më fort kanë nevojë, një kuvend i tillë do mjete financiare dhe kapacitete organizuese të nivelit shtetëror. Ndaj unë jam për shtetin, ministritë apo kryeministrinë si organizues parësorë të tij. Por realizimi i këtij organizimi dhe kushtet ku e shoh të jetë në këtë moment vetëm dy muaj para datës së mbledhjes së madhe, më bëjnë dyshuese dhe nervoze për qëllimet serioze të Kryeministrisë apo Ministrisë së Jashtme. Do ta shkojmë kot edhe këtë mundësi dhe energji, edhe një tufë tjetër me para, siç u shkuan kot ato për ekzagjerimet dhe farsat me emigrantët për 100-vjetorin e Pavarësisë? Apo do i përdorim paratë publike (e paçim edhe ca donacione private, inshallah, sido që donatorët tanë “biznesmenë” i kemi dorështrënguar dhe me synime të mprehta politike, pra që e hapin qesen veç e ekskluzivisht për fushata zgjedhore) që të diskutohet se si shteti të mund të ndihmojë emigracionin shqiptar?
Ja pjesa më informuese e lajmit në faqen e Ministrisë së Jashtme në Prill 2016. Prilli i shkuar rimerr lajmet e shtatorit ’15 dhe i përforcon pak ato, pa shtuar fort info, gjithsesi.
Kryeministri Rama çmoi historinë e marrëdhënieve shqiptaro-hebraike, duke nënvizuar historinë e vështirë të të dy popujve, suksesin e tyre në vendin e lirisë dhe shembullin efikas të rolit të Diasporës hebraike, si model për veprim e organizim të komunitetit shqiptar në SHBA.
Për t’i dhënë një impuls konkret e pozitiv rolit e përpjekjeve të Diasporës për të kontribuar direkt në zhvillimet sociale, ekonomike e politike në Shqipëri dhe organizimin e saj në mbarë botën, Kryeministri Rama njoftoi mbajtjen e Samitit të Parë të Diasporës shqiptare më 13 nëntor në Tiranë.
Ky Samit do të mbledhë në Tiranë shoqata shqiptare, personalitete të shquara dhe anëtarë të thjeshtë bashkëkombës nga të gjitha kontinentet, me synim krijimin e një ure solide bashkëpunimi, komunikimi e ndërveprimi, në të mirë të ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve mes komunitetit shqiptar në botë, si me Shqipërinë, ashtu edhe me vendet ku ata jetojnë.
Retorikë e përgjithshme, diskurs pozitiv, po pa asnjë element që më bën të kuptoj çfarë do të ndodhë apo si do kryhet konkretisht samiti. Dhe në fakt unë gjërat konkrete nuk po i prisja nga kryeministri dora vetë, por nga vartësit e tij, dhe zyra të tjera, dhe kur s’i gjeta gjëkundi tjetër, iu vërsula referencave që më vinin nga kryeministri. Në një tjetër raportim thuhet se kryeministri parashtron këto synime për samitin:
Samiti i nëntorit do të jetë çasti kur ne do të tregojmë kush jemi, çfarë mund të bëjmë dhe se kemi mjaftueshëm eksperiencë për të bërë edhe më shumë,
një tjetër fjali opake kjo dhe që duket deklamuese më shumë sesa informuese.
Bën vaki edhe lajmi i nëntorit do na kërcejë hareshëm ose shurdhërisht në një datë tjetër, sepse sado të zhbirilosh, nuk ia del të gjesh të dhëna të sakta se mbi ç’parime është organizuar, si bëhen ftesat, a ka drejtim shkencor në diskutime, sa ditë zgjat, çfarë seancash ka, ku do kryhet, çfarë pritet të ndryshojë. Hiç, asgjë, për be! Po si nuk qarkullon asgjë informuese për këtë samit kaq të rëndësishëm veç deklaratave?! A t’i besoj një lajmi ku fshehur në një rresht del se na qenkësh vendosur të jetë më datën 13 nëntor? Si mundet të dalë vetëm në një instancë në gjithë kërkimet që kam bërë në web? Pastaj si mund të jetë një samit i këtij tipi vetëm njëditor? Lajmet koncize ose përsërisin boshllëkun e njëri-tjetrit, ose janë një jehonë shterpë dhe formale e lajmit vetë.
Lajmet nisën të jehojnë rishtazi që nga muaji prill i këtij viti. Rando Devole në Maj me më shumë dashamirësi sesa kritikë, i mëshon rëndësisë së këtij samiti, por pa lënë mënjanë edhe dilemat dhe dyshimet se qëllimi i këtij tubimi ka fort të ngjarë të jetë formal dhe për t’u dukur e larë gojën, që më në fund edhe për diasporën po mendon politika shqiptare. Pra Edi Rama hyn në histori si i pari kryeministër që nuk shkon në New York thjesht në vizita puthadorëse me të ashtuquajturit “përfaqësues” të komuniteteve shqiptare, por edhe fton në Shqipëri përfaqësuesit “e vërtetë” të komuniteteve kurbetlie. Po Devole i bën një analizë kritike një tjetër konference që lidhet po ashtu me diasporën, një nismë në dukje pozitive e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë e Kosovës, por që gjithashtu duket e paplotë dhe e tipit me të cilin jemi mësuar tashmë: aktivitete shumë të nevojshme e që duhen brohoritur, që kryhen për të plotësuar planin, më shumë se për të zgjidhur problemin.
Kam ndjekur këto dy muajt e fundit edhe lajmet dhe mbledhjet e kategorisë “Jam shqiptar” në Greqi dhe Itali (duhet të ketë edhe një në ShBA) organizuar gjithashtu nga Ministria e Jashtme, dhe nuk jam e qartë se si procedohet në to, dhe si realizohet përfaqësimi i diasporës nëpërmjet tyre për në samit. Mbulimi institucional dhe mediatik i mbledhjeve është minimal; ashtu janë edhe pjesëmarrjet nga sa shoh prej fotove. Duken si deklarata ministrore që synojnë të dëftejnë se po lëvizim, po ndryshojmë, po ecim përpara, meritojmë votat tuaja, më shumë se çfarë problemesh e hallesh keni, si t’i zgjidhim e si t’i sjellim në samit, nëse është kjo rruga e vetme. Kam frikë se jemi para konferencash tipike shqiptare: zgjedhim një lokal të mirë e të dukshëm për konferencën që nuk e dimë me saktësi deri ditën e fundit, por nuk është problem se kemi fuqi dhe njohje, e hapim me figura të njohura të rangut kryeministror, me shumë kamera e media, me pasanikë apo figura martire nga diaspora në rresht të parë, që na presin, sajdisin e duartrokasin kur i vizitojmë nëpër botë e na nderojnë kur i thërrasim që të vijnë këtu. I sjellim që të bëjnë sikur ngrenë probleme, por kryesisht të na admirojnë kurorën e të na falënderojnë për ftesat; dhe pastaj për të mbushur numrin dhe reston e karrigeve, ftojmë kë mundemi e si mundemi, të njohur e ndere-bërës. Dhe pastaj themi “U kry!”.
Nëse ka vërtet punë reale dhe të pastër që po kryhet (fshehurazi) për këtë samit, shpërndani mes njerëzish informacion! Unë gëzueshëm tërheq gjithë dyshimet e mia lart bazuar në eksperiencë. Shumë nuk ndryshon, se ka mbetur pak kohë deri në fatlumin nëntor, por më mirë vonë, thuhet.
Ministri i Jashtëm Bushati kur përmend mbledhjet “Jam shqiptar”, le të kuptohet se qëllim themelor i tyre (dhe i samitit) është angazhimi i Diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit. Shpresoj të mos jetë vërtet kështu. Po qe se Diaspora po shihet rishtas si mënyrë për të shpëtuar binanë e lëkundur ekonomike shqiptare dhe si potencial i jashtëzakonshëm votuesish, atëherë qeveria ia ka hipur kalit së prapthi. Shqiptarët e pas-90ës janë braktisur nga shteti, sido që nuk e kanë braktisur në asnjë kuptim atë qe e quajnë vend të tyre. Ata kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë, ashtu siç bëjnë të gjitha shtetet jo veç perëndimore dhe jo veç të pasura ndaj minoriteteve të të njëjtit fis (kin state dhe kin minorities), si edhe ndaj grupeve madje edhe individëve bashkëkombës që ndodhen jashtë për arsye të ndryshme.
Gjuha, identiteti dhe përkatësia nuk janë komoditete luksi dhe as diamante që mbahen prej emigrantëve për të shitur mend nëpër botë. Ato janë premisa themelore të qenies, nevoja dhe të drejta bazale të shqiptarëve që kanë ikur. Këto dimensione janë shumë problematike ndër shqiptarët e mërguar, sidomos ndër ata më të rinjtë në moshë. Pikërisht këto duhet të jenë në themel të çdo samiti a diskutimi për diasporën dhe emigracionin shqiptar.
|
12,660 | https://peizazhe.com/2013/05/13/ftese/ | null | 2013-05-14T01:21:54 | FTESË | [Miku Ernest Nasto, analist financiar dhe studiues i politikave ekonomike, do të mbajë javën e ardhshme një cikël leksionesh në Tiranë, duke më kërkuar, me këtë rast, t’ua përcjell ftesën edhe lexuesve të blogut tonë nga Shqipëria. Më poshtë mund të lexoni njoftimin e përgatitur prej tij.]
FTESË
Në kuadrin e leksioneve të hapura të organizuara nga Universiteti Marin Barleti lidhur me politikat e sotme botërore, në datat 21, 22 dhe 23 maj do të zhvilloj atje një cikël rreth rolit dhe ndikimit politik të Religious Right në SHBA.
Ky grupim e ka transformuar krejt jo vetëm konservatorizmin, por edhe tërë peizazhin elektoral në Amerike, duke u bërë një faktor shumë i rëndësishëm në përcaktimin e politikave të superfuqisë botërore.
Plani i leksioneve është si më poshtë:
E martë 21 maj, ora 14.00 – 15.30 (Kampusi 1)
Kushtetuta Amerikane, bazat Deiste të saj dhe ndarja e kishës nga shteti.
Krijimi i së Djathtës Fetare, botëkuptimi dhe parimet e saj udhëheqëse.
E mërkurë 22 maj, ora 14.00 – 15.30 (Kampusi 1)
Disa nga politikat dhe çështjet morale kryesore në kohën e sotme në SHBA dhe më gjerë. Përgjigjja politike e së Djathtës Fetare Amerikane ndaj këtyre çështjeve (kryesisht aborti, të drejtat e homoseksualëve, mbrojtja e mjedisit dhe politika e jashtme).
E enjte, 23 maj, ora 14.00 – 15.30 (Kampusi 1)
Roli dhe ndikimi i së Djathtës Fetare në politikat ekonomike dhe sociale në SHBA. Efektet e rekomandimeve dhe politikave të saj për shtresën e ulët dhe të mesme të shoqërisë amerikane.
Të interesuarit mund të regjistrohen në adresën info.master@umb.edu.al deri në datën 18 maj 2013.
Te gjithë jeni të mirëpritur!
Ernest Nasto
|
39,531 | https://peizazhe.com/2021/10/17/ashensor/ | null | 2021-10-17T15:14:40 | ASHENSOR | nga Ajkuna Dakli
2019
“ Dhe të mendosh që gjithë kjo filloi qëkur u shpik ashensori. Ndryshe nuk do mund të ngjiteshim aq lart” – thotë shoferi me anglishten e tij me aksent, ndërsa unë zgjas kokën nga dritarja duke pritur me padurim që turma të kalojë rrugën.
Është mëngjes. Kam marrë uber për të kursyer kohë dhe megjithatë jam vonë. Na janë dashur plot 45 minuta për 10 km nga shtëpia ime deri në downtown. Një lumë makinash, rregullime aty-këtu të rrugëve, rikonstruksion i Gardiner-it, e vetmja autostradë që del në downtown në jug të Torontos, ndërtim i dy qiellgërvishtësve të rinj në York Street që ka bllokuar për muaj një nga daljet kryesore, dhe, pasi i kemi kaluar të gjitha pengesat, makina ka ngecur pas dritës së kuqe duke pritur që lumi i njerëzve që derdhet nga Union Station të kalojë kryqëzimin. Një turmë e njëjtë, po aq e madhe, vërshon në kalimin e nëndheshëm që, si një rrjetë merimange përshkon gjithë zonën e downdown në Toronto për kilometra të tëra.
“ Po” – them “lart” .
Në jetën tonë, të njerëzve të metropolit, të gjitha shigjetat tregojnë “lart” : Katet e qiellgërvishtësve që shtohen, pritshmëria financiare e bizneseve që i ndërtojnë dhe i shesin, pritshmëria financiare e bizneseve që do t’i popullojnë këto ndërtesa, pritshmëria financiare e atyre që do t’i drejtojnë këto biznese, ashensorët plot në mëngjes, pritshmëria e performancës profesionale për secilin prej nesh në kubikët ku kalojmë pjesën më të madhe të ditës e të jetëve tona.
Motoja e shoqërisë në metropolet e e Amerikës së Veriut është “Rritje”.
Janë qindra mijëra qeniet njerëzore si unë, grimca të një rrëkeje njerëzore që derdhet çdo mëngjes dhe çdo pasdite, ndërsa intervalin 8-9 orësh midis dy derdhjeve e kalojnë mbyllur në salla të mëdha duke punuar që të arrijnë më lart gjithnjë më lart.
Me përjashtim mbase të ndonjë ore në food-court në sheshet e nëndheshme veshur me pllaka mermeri ku hanë me ngut dhe bisedojnë me zë të lartë sepse tjetrin e kanë kaq afër, sa zërat përzihen në një gumëzhime të përgjithshme që e mbulon vendin si një avull pothuaj i dukshëm. Një skenë që më kujton një film me Charlie Chaplin – punëtor fabrike të cilin mundoheshin ta ushqenin me anë të disa makinerive për të minimizuar kohën e drekës.
Kur fillova punë vite të shkuara në downtown, në katin e 20-të të një qiellgërvishtësi me 25 kate, më rastisi fati ta kisha kubikun pranë dritares nga ku shihja Liqenin e Ontarios . Pamja ishte shplodhëse dhe më jepte një ndjesi lirie dhe privatësie, më dukej se atë pjesë hapësire e kisha disi për vete.
Po vitet kanë bërë të tyren edhe me hapësirën vertikale. Nga ajo dritare liqeni nuk duket më sepse pamja është zënë nga dhjetëra ndërtesa të reja që kanë populluar gjithë bregun. Shumë nga ndërtesat që ngrihen në downtown janë më të larta . Të gjitha shpojnë qiellin, ndërsa hapësirat brenda ngushtohen.
Ndërtimi i rrugëve publike bëhet ngadalë, ato kushtojnë. Ndërkaq edhe rreth rrugës ekzistuese hapësira që popullohet me ndërtesa të bizneseve private ngushtohet duke e kthyer nga një autostradë nga e cila dikur shihej liqeni, në një korridor midis qiellgërvishtësve.
Apartamentet e banimit bëhen gjithnjë e më të vogla dhe kushtojnë gjithnjë e më shtrenjtë. Megjithatë blihen sepse konsiderohen “trendy” dhe “convenient“ . Nga njerëz që nuk kanë kohë për të shijuar hapësirën, familjen, për të cilët shtëpia është vetëm një qosh për të fjetur. Nga njerëz të tjerë që ndodhen përballë zgjedhjes midis hapësirës dhe kohës : një apartament pak më i madh do të thotë orë të tëra në trafik.
Toronto ka mbi 6 milion banorë. Popullsia rritet përditë. Rrëketë njerëzore që derdhen çdo mëngjes shtohen e ngjiten akoma më lart, hapësirat tona ngushtohen, koha rrudhet, betoni gërvisht qiellin, bizneset shesin më shumë, njerëzit punojnë më shumë për të paguar po ama, shtypin të tjerë butona dhe jeta u duket më komode.
Në ndërtesën ku punoj tani nuk jam aq lart – në kat të 11-të dhe ndërtesa është nga më të vjetrat në zonë e si rrjedhojë më të ulëtat vetëm 13 kate. Rrethuar nga tre anët me ndërtesa më të larta. Nganjëherë, shkoj disa minuta pranë njërës nga dritaret e dhe shoh sheshin përballë. Një shesh i vogël me disa statuja lopësh prej metali vendosur aty për t’i sjellë pak gjallëri turmës që mbush sheshin në pushim për të marrë një rreze diell kur bën ngrohtë. Por në dimër, statujat duken të ftohta dhe të braktisura.
Më duket, se po jetojmë një kohë, kur koncepti hapësirës dhe kohës shtrembërohet çdo ditë e më shumë . Për tu përshtatur, ngaqë nuk kemi zgjedhje, ose ngaqë tashmë u mësuam .
Bizneset shesin, ne blejmë një milion gjëra për të cilat nuk kemi nevojë, dhe punojmë që të blejmë më shumë, përpiqemi të shkojmë lart dhe nuk e vëmë re se kjo na e gëlltit jetën kafshate pas kafshate, çdo ditë rrotullohet gjithnjë e më shpejt si një karusel derisa zgjohemi pas dekadash dhe çdo gjë që mbajmë mend është e “turmëzuar”
Por jeta fizikisht, është më komode, butonat që shtypim për t’i pasur gjërat gati shtohen, dhe na duket se komoditeti dhe mundësia që t’i kemi të gjitha aty me një lëvizje të mollëzës së gishtit është ajo çka ka rëndësi .
Drita jeshile hapet më në fund dhe makina kalon kryqëzimin. Jam vonë. Ora e ka kaluar 9-ën.
Rrëkeja njerëzore që vazhdon të derdhet është gjithashtu vonë. Kjo duket qartë te nguti për të kaluar rrugën vend a pa vend, duke shtypur ndërkohë butonat e celularëve, qenieve të reja teknologjike pas të cilave jemi lidhur pazgjidhshmërisht dhe pa të cilat nuk dimë më të jetojmë.
Kthej kokën dhe i buzëqesh shoferit “ Ja që te ashensorët nuk më kishte shkuar mendja “
“Po “ përsërit shoferi. “Ndryshe nuk do kishte qenë e mundur te ngjiteshim aq lart “.
Kujtoj padashur provat e zjarrit kur punoja në kat të 20-të. Morëm shkallët dhe na u deshën plot 20 minuta për të zbritur.
“ Ashensori është lehtësi e madhe. “- them – “ Vetëm se ka një problem të vockël : Kur ndodh diçka, nuk punon dhe duhet të marrësh shkallët. Dhe kur ngjitesh shumë lart nuk është aq lehtë për të zbritur .”
Ai qesh .- “ Sigurisht . Kemi ndërtuar një botë gjigande mbi cingla . Nëse njëra prishet i gjithë sistemi bie. Ngjitemi e ngjitemi, pa menduar se sa më lart të ngjitesh aq më fort vritesh kur bie.”
Më në fund arrijmë. 50 minuta për 10.2 km. Makina ndalon. I them shoferit ditën e mirë dhe zbres. Nuk ka nevojë ta paguaj. Më duhet vetëm të shtyp një buton në telefon. Kafen gjithashtu e marr në vrap e sipër pa pasur nevojë të paguaj. Një tjetër buton në telefon.
Në ashensor, ndërsa ngjishem mes turmës që nxiton të ngjitet lart, ëndërroj padashur një tjetër epoke, shumë vite më parë, një jetë që nuk rrotullohej kaq shpejt, jo kaq komode, më pak butona që ti sillnin gjërat gati po kur hapësira dhe koha kishin tjetër vlerë.
As ëndrra nuk zgjat shumë . Ashensorët janë te shpejtë. Shtyp një tjetër buton dhe dal. Ulem në tavolinën e punës. Dita duket me diell, po nuk e kuptoj në është një rreze mëngjesi që përvidhet nga jashtë, apo drita artificiale mbi kokën time.
2021
Është e pazakontë ndjesia që më le pamja e downtown pas kaq kohësh. Këta 18 muaj qenë të vështirë për shumë nga bizneset që popullojnë zonën. Arkitektura urbane e qytetit e ndërtuar mbi parimin e qendërzimit ishte e papërgatitur për një ngjarje të tillë .
Shumë nga zyrat e bizneseve financiare që popullonin dikur godinat e larta, janë akoma mbyllur ose punojnë me kapacitet të kufizuar, duke e lënë një pjesë të madhe të punonjësve të punojnë nga shtëpia. Restorantet, dikur të tej mbushura dhe plot zhurmë janë rihapur me kapacitet të kufizuar dhe janë pothuaj bosh. Nëpër dyqane raftet janë janë varfëruar dhe shitëset të këshillojnë të porositësh online.
Në rrugë ka pak njerëz dhe pothuaj askush nuk nxiton, kalimtarët duken qytetarë të ngeshëm që kanë dalë të shijojnë kohën.
Vetëm ndërtuesit punojnë njëlloj duke drejtuar të tjera shigjeta betoni drejt qiellit.
© 2021 Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
8,255 | https://peizazhe.com/2011/09/14/fjaleformim-nga-lart/ | null | 2011-09-14T23:14:06 | FJALËFORMIM NGA LART | Sipas shtypit shqiptar Instituti i Statistikave ka vendosur t’ia ndryshojë emrin procesit të numërimit të popullsisë nga “regjistrim” në “census”. Ky i fundit konsiderohet si i papërshtatshëm meqë procesi në organizim e sipër nuk e regjistron popullsinë por e numëron atë duke vlerësuar edhe kushtet e jetesës së saj. Instat mendon se “census është i vetmi term i saktë për të përshkruar aktivitetin që po organizon Instat”.
Mësojmë gjithashtu nga shtypi se “termi regjistrim u përdor në vitin 2001 për të njëjtin proces dhe u ngatërrua shpesh me regjistrimin e popullsisë, i cili është dokumenti shtetëror ku shënohen lindjet, vdekjet, martesat e të dhëna të tjera. Censusi, nga ana tjetër, numëron popullatën banuese për të korrigjuar statistikat për ndryshimet e paregjistruara në regjistrin civil, përfshirë ndryshimet e vendbanimit brenda apo jashtë vendit”.
Pavarësisht nga shpjegimet, të sakta ose të rrumbullakosura, dallimi midis regjistrimit e census-it (sipas termit të ri) nuk është i vështirë. Regjistrimi i popullsisë e i banesave të një vendi të caktuar bëhet në fillim. Më pas ka vetëm përditësime të tij, ose rilevime periodike për të korrigjuar të dhënat e mëparshme sipas ndryshimeve të reja. Pra censusi hyn gjithsesi në kategorinë e regjistrimeve të përgjithshme. Metoda e mbledhjes së të dhënave mund edhe të jetë e ndryshme siç do ta shpjegojmë më tej.
Dy janë problemet që lindin me “dekretimin” e neologjizmit ose huazimit të ri census. I pari lidhet me procesin e krijimit të termit të ri; i dyti ka të bëjë me implikimet e mundshme gjuhësore.
Lajmi në media të jep përshtypjen sikur ka qenë Instat ai që ia ka vënë vulën emërtimit të ri, duke e ndryshuar nga regjistrim në census. Po të ishte kështu do të ishim përballë një fakti të diskutueshëm, përderisa krijimi i termave të rinj, që përfshijnë të gjithë popullsinë dhe jetën e qytetarëve, u lihet në dorë vullnetit të organizmave të ndryshme. Mirëpo jemi përballë një pasaktësie. Përdorimi i termit census është vendosur me ligjin nr. 10442, datë 7.7.2011, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8669, datë 26.10.2000 ‘për censusin e përgjithshëm të popullsisë dhe banesave’, të ndryshuar”. Neni 1 i tij thotë: “Në titull dhe kudo në ligj fjala ‘regjistrim’ zëvendësohet me fjalën ‘census’”.
Ligji merr përsipër edhe ta shpjegojë termin e porsaligjëruar:
‘Census’ është mbledhja e informacionit me anë të pyetësorëve dhe përpunimi i të dhënave të tilla në mënyrë që të sigurojë një numërim të plotë të të gjithë individëve, familjeve e banesave dhe të ndërtesave të shfrytëzuara për qëllime banimi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, në një moment të vetëm në kohë, si dhe prodhimi i statistikave, në lidhje me karakteristikat demografike, ekonomike dhe sociale të popullsisë së Shqipërisë.
Pra dallimi është kryesisht metodologjik e qëndron pikërisht tek mbledhja e të dhënave nëpërmjet pyetësorëve dhe tek numërimi i plotë. Sqarime të mëtejshme, anipse interesante, do të përbënin në thelb humbje kohe.
Përse vallë iu ndryshua emri regjistrimit të popullsisë? Ka gjasa që kërkesa për saktësimin terminologjik të ketë ardhur nga polemikat, shpesh instrumentale, që kanë përfshirë procesin në fjalë, kryesisht për faktin se prekte nerva të zbuluara si feja, shtetësia e kombësia, përndryshe nuk kuptohet urgjenca e këtij ndryshimi. Megjithatë, duhet shënuar se rregullat e lojës u ndryshuan ndërsa loja në realitet kishte filluar.
Çdokush e kupton se fjala “census”, e njohur kryesisht nga anglishtfolësit e nga latinistët, por jo nga pjesa dërmuese e popullsisë, nuk ka ndonjë vlerë kuptimore për njerëzit. Në kuptimin që përdorimi i këtij termi të ri nuk është se i shpjegon gjërat më mirë, as i vë pikat mbi “i” në mënyrë përfundimtare. Po ta pyesësh qytetarin me arsim mesatar se ç’është censusi, ka mundësi të ngrejë supet e të të shikojë shtrembër.
Vëzhguesve më të mprehtë nuk mund t’u shpëtojë fakti se në kohërat e tanishme, kur kryqtarët e purizmit vringëllijnë shpatat kundër fjalëve e toponimeve të huaja, rezulton disi i çuditshëm vendimi i kundërt: pra i zëvendësimit të një fjale tashmë shqip (regjistrim), me një huazim krejtësisht të huaj e të pa konsoliduar në gjuhë (census). Qeveria dhe Instat duket sikur ecin me guxim kundër rrymës.
Për arsyet e ndryshimit gjithfarë hipotezash mund të ngrihen. Natyrisht nuk mund të pranohen ato që e justifikojnë emërtimin e ri me kërkesën e saktësisë terminologjike. Njerëzit do ta kuptonin procesin që do të zhvillohet së shpejti edhe sikur ta quanin “Regjistrimi i përditësuar i popullsisë”, ose me ndonjë mbiemër tjetër cilësor. Hipoteza më bindëse duket ajo që ka të bëjë me konotacionin negativ që mori regjistrimi në debatet e ashpra politike. Përdorimi i një termi tjetër, i ri, steril, i pandotur, do t’ia qepte virgjërinë procesit të vjetër, tashmë të kompromentuar e të përfolur.
Nga ana tjetër, fjala e porsalindur presupozohet të jetë më e saktë nga pikëpamja terminologjike ndaj i jep një farë autoriteti shkencor procesit, një lloj paanësie që shkon përtej politikës së polarizuar. Edhe vetë tingulli modern i termit (si konsensus p.sh.) sikur ia shkel syrin botës demokratike dhe rregullave të saj për statistikat, kurse risia e perceptuar sikur evokon imponimet nga lart, por absolutisht të drejta, që bëhen nga jashtë, nga ndërkombëtarët.
Pavarësisht se mbi ç’themele ngrihen motivet e ndryshimit, duhet parë nëse emërtimi “census” – kundrejt të cilit nuk kemi asnjë paragjykim – i shkon apo jo për shtat procesit të lart cituar. Termi duket latinizëm (emri censŭs, folja cens-ère, rrënja cens) që në Romën e lashtë tregonte regjistrimin e popullsisë për përcaktimin e taksave dhe të klasave shoqërore. Gjithsesi, nuk është afërmendsh që staticienët, ose ekspertët e fushës, ta kenë propozuar këtë term të huazuar nga latinishtja. Është më e pranueshme, për vetë kontaktet e sotme me botën e globalizuar, që ta kenë marrë drejtpërdrejt nga anglishtja “census”, etimologjia e së cilës gjendet prapë tek latinishtja, madje përkon në trajtën e shkruar me të. Në anglisht kjo fjalë përdoret për të shenjuar “an official count or survey, especially of a population”.
Edhe në gjuhët neolatine, siç mund të pritej, fjala “census” (it. censimento, es. censo, fr. recensement) ka rrënjë latine që lidhet me procesin e vjetër romak. Po në shqip si thuhej regjistrimi romak i pasurisë? Pak vetë e dinë, por edhe “Fjalori i shqipes së sotme” (Tiranë, 1984) e ka shënuar kështu:
CENS m. 1. hist. Regjistrimi që i bëhej çdo pesë vjet pasurisë së qytetarëve në Romën e lashtë për t’i ndarë në kategori, sipas të cilave paguheshin taksat. Viti i censit. Bëhej censi.
2. Kërkesë, kusht që u vihet qytetarëve në vendet borgjeze për të penguar përdorimin e të drejtave politike. Cens kufizues. Cens i lartë. Censi i pasurisë (i moshës, i votimit, i arsimit). Censi i tokës. Censi i banimit. Vunë një cens. Hoqën censin.
Përderisa fjala cens ekziston në shqip, e përderisa u ndje nevoja e zëvendësimit të fjalës regjistrim, përse nuk u përdor si term në rastin tonë? Pra në vend të census-it të padëgjuar më parë, mund të vendosej fare mirë censi i kodifikuar dhe i kolauduar. Është e vërtetë, fjala cens, edhe pse ekziston në shqip, paraqet disa probleme për përdorimin e sotëm: a) ka karakter historik (i referohet një kohe të caktuar) dhe b) ka kuptimin e kërkesës kushtëzuese (mund të ketë mbingarkesë kuptimore). Arsyet për ta refuzuar qëndronin, por pa harruar gjithsesi se për poliglotët e Tiranës fjala cens kishte kohë që dergjej në varrezat gjuhësore, kurse census gjallërohej çdo ditë e më shumë në e-mailet me kolegët e huaj.
Duhet shtuar se fjala census është disi shterpë, sepse nuk lidhet e as lind me anëtarë të tjerë të familjes. Si quhet në shqip veprimi që lidhet me censusin, pra cila është folja? Po personi që do ta bëjë censusin? Nga kjo pikëpamje do të ishte më prodhimtar neologjizmi censim, meqë rrënja latine cens (ekzistuese në shqip) do të mbetej, nga e cila mund të rridhnin fjalë të tjera si censoj, censues, etj. Bashkimi i prapashtesave me temën e fjalës përbën një nga mënyrat më prodhimtare të fjalëformimit në shqip, ndërkohë që suksesi i këtij procesi, përveç pasurimit të gjuhës, sanksionon përfundimisht metabolizimin e plotë të termit të ri brenda sistemit.
Në analizë të fundit, ajo që ka rëndësi është vetëdija se imponimi i fjalëve të reja ose i huazimeve nga lart duhet menduar mirë para se të bëhet, çka shpresoj ta kenë kryer edhe ligjvënësit e Tiranës, sepse në këtë mënyrë do të fashiten edhe dyshimet e mia ndoshta të pabaza.
|
8,302 | https://peizazhe.com/2011/09/25/virtytet-e-gardhit/ | null | 2011-09-26T01:40:44 | VIRTYTET E GARDHIT | Kur na ftojmë të mendojmë për historinë e pronës, përfytyrojmë atë njeriun e parë të famshëm, që rrethoi një copë tokë me gardh dhe përdori pastaj një përemër pronor të vetës së parë: imja!
Shenjtërinë e pronës e lidhin me lirinë e individit dhe rendin demokratik, edhe pse jo të gjitha pronat janë të barabarta mes tyre. Kështu pronësia mbi tokën kushtëzohet, në thelbin e vet, nga fakti që toka (trualli) është i fundmë me përkufizim dhe nuk mund të krijohet si të mirat e tjera materiale.
E megjithatë, imazhin e pronësisë e mishëron më së miri gardhi i famshëm i atij njeriut të parë: një teknologji e thjeshtë, por magjike në efektet e saj, e cila e ndan hapësirën në “këtej” dhe “andej”, ose në “brenda” dhe “jashtë” ose edhe “imja” dhe “jo e imja”, nëse duam të shprehemi kështu.
Pastaj, kur flasim për truall, mendja na shkon edhe te sovraniteti; ose rrënjosja e shtetit në truallin gjeografik, të përcaktuar qartë nëpërmjet kufirit, i cili nuk është veçse një gardh edhe ai, që ndan “tonën” nga “e atyrja”, dhe ofron pretekst të mjaftueshëm madje edhe për sakrificën supreme.
Trualli planetar është ndarë midis shteteve tashmë; nuk ka më vende për të eksploruar dhe për të ngulur mbi to flamurin. Një shtet i ri nuk lind dot, përveçse nga trualli i një shteti të vjetër: me rrugë seksuale dhe aseksuale. Përndryshe harta gjeografike është ajo që është, po aq e fundme sa edhe një plazh ose një luginë.
Të hapësh muhabetin e pronësisë së tokës në një vend me tradita në këtë lëmë, si ShBA, do të thotë të projektosh, në ekran, një pamje të shenjës No Trespassing. Ndalim kalimi, do ta përkthenim ndoshta. Sipas rastit, kjo shenjë shoqërohet me një kërcënim: me armë zjarri, qen, bletë, gardh të elektrifikuar, hendek të mbushur me ujë, mina antikëmbësorie ose forma të tjera dhune.
Sa herë e shoh këtë shenjë, më duket si simbol i dyfishtë i lirisë: për ta pasur këtë vend si “tëndin”, dhe për të mos lejuar njeri tjetër, që të vërë këmbë aty pa të pyetur ty; dhe këtë lirinë e dytë mund ta konsideronim edhe si liri për t’ia kufizuar lirinë tjetrit, që dëshiron të vijë aty; ndoshta edhe të ngrejë aty çadrën, ose të këpusë kumbulla të freskëta nga dega e pemës sate.
No Trespassing. Po të dëgjosh disa filozofë, krejt qytetërimi ashtu siç e njohim, i ka themelet në këtë shenjë modeste, në këtë manifestim të individit nëpërmjet një negativi, ose një jo-je, ose një ndalimi, ose një rezistence.
Metafora shtrihet lehtë edhe në biologji; që nga muret e qelizave, deri te lëkura – sepse çfarë është kjo e fundit, në mos një No Trespassing për të gjitha ato gjallesa që janë “jashtë” dhe që do të donin të hynin brenda?
Arsyetimi shtjellohet me thjeshtësinë më të madhe: çdo sistem që kërkon të nyjëtohet, ose të pakësojë entropinë, mund ta bëjë këtë me kusht që të ekzistojë një kufi mes sistemit dhe josistemit. Ta zëmë, atmosfera që ndan planetin Tokë nga kozmosi. Ose, në një perspektivë krejt tjetër, korniza e një pikture, ose dy heshtjet që i paraprijnë dhe përkatësisht i vijnë pas, sado shkurt, një mazurke të Chopin-it.
Paradoksalisht, unë vetë nuk jam i bindur që e drejta e pronësisë private mbi tokën është kaq e shenjtë, sa të konsiderohet si e pacenueshme. Tek e fundit, vetë trualli është i kufizuar në shtrirje, ndërsa numri i individëve priret të rritet në pafundësi. Çdo shenjë No Trespassing, në përmasën e vet kohore, është shkelje e të drejtave të brezave që do të vijnë – sado të kompensohet nga mekanizmi i shitblerjes, ose i dhënies me qira të tokës.
Përndryshe, edhe kufiri shtetëror është një shenjë e tillë; njëlloj si roja i armatosur te dera e një institucioni të rëndësishëm, ose dryni në derën e shtëpisë sate. Ndryshe nga gardhi, i cili ngrihet si një diversion i vogël në përmasën e tretë, për të shenjuar konfigurimin e rrafshit dypërmasor, dryni vjen edhe me vullnetin e pronarit me vete; duke i dhënë këtij atributin aq të lakmuar të mbajtësit të çelësit.
Te No Trespassing, pronari ekziston si energji mohuese, ose si kërcënim dhune; përkundrazi, dryni e emancipon pronarin, duke e pajisur me çelës; dhe me të gjitha atributet abstrakte që sjell çelësi.
Duke folur për gardhe, për mure, për dryne dhe për çelësa jemi duke evokuar, në thelb, metaforën e një shtëpie; dhe nga shtëpia nuk është vështirë të kalosh te qyteti dhe, që andej, te qytetërimi.
Jo më kot fëmija i përfytyron institucionet si ndërtesa; sepse ato i kanë shumë veti të ndërtesës, duke përfshirë këtu edhe katër të mësipërmet.
Ka edhe një farë ironie këtu; dhe pikërisht që një teknologji si shtëpia, që shërbente për të na mbrojtur prej elementeve të natyrës (shiut, ariut, etj.), përfundoi si metaforë e përgjithshme e shoqërisë njerëzore dhe institucioneve të saj.
Nga ana tjetër, që një shtëpi të jetë imja, do të thotë që unë të mund të vendos se kush ose çfarë mund të hyjë dhe kush ose çfarë nuk mund të hyjë atje; dhe si në shembujt e tjerë, mekanizmi i mbajtjes jashtë ose i përjashtimit (no trespassing) luan gjithnjë rol themelor; duke përfshirë këtu edhe subjektin që mund të thotë no trespassing përnjimend – ose që e ka të drejtën të ndalojë të tjerët të hyjnë në një “brendësi” që i përket atij; dhe kjo në kuptimin fizik ose gjeometrik, por edhe e sidomos në kuptimin social.
Shenjtëria e pronësisë vepron për bukuri edhe në hapësirën sociale, duke u mishëruar në rregulla të përkatësisë, ose nëse duam, të përjashtimit. Edhe një klub filatelistësh i pajis anëtarët e vet me fletë-hyrje; po të mos jesh anëtar, nuk merr dot pjesë në veprimtaritë që organizohen atje.
Nuk ka veprimtari sociale, që të mos themelohet mbi përjashtimin; edhe një shfaqje filmi, në kinema, kërkon që ti të blesh biletën dhe t’ia provosh këtë rojes ose “drynit” te dera e sallës; përndryshe ti nuk bëhesh dot pjesë e publikut të filmit. Ka edhe më; nëse ti bën zhurmë gjatë shfaqjes, atëherë ke shkelur një kufi të një rregulli tjetër, dhe pronari i sallës ka të drejtë të të nxjerrë që andej “për zhelesh”. Edhe vetë folja shkel, e përdorur me kuptimin “veproj në kundërshtim me një rregull”, është në thelb një metaforë hapësinore, e dikujt që vë këmbën në oborrin e tjetrit: No trespassing.
Natyrisht, i gjithë ky sistem gardhesh virtuale, drynash, dhe rregullash që vijnë së bashku me “jo”-të përkatëse është edhe një sistem që i kundërvihet lirisë: ti mund të duash të luash tenis, por ti nuk je anëtar i klubit tonë. Na vjen keq – duhet të aplikosh për anëtarësim. Ti mund të duash të këndosh, por sonte do të këndojmë ne. Ti mund të duash të mbash fjalim, por mitingun sonte e ka organizuar Partia e Lirisë Demokratike, etj. Siç e kanë thënë të vjetrit, liria jote mbaron aty ku fillon imja; dhe për ta mbrojtur dhe kultivuar lirinë time, që është edhe thelbi i individualitetit tim dhe i personit tim, unë organizohem me të tjerë dhe mbyllem, ndonjëherë me dryn, në kullat e “institucioneve.”
Po a mund të ketë vërtet progres, në një sistem që nuk e lejon entropinë brenda vetes? Tek e fundit, edhe perlat formohen rreth një papastërtie çfarëdo, që ka depërtuar në bark të moluskut; siç e dëshmon, me mënyra të tjera, edhe fakti që shoqëritë e qëndrueshme dhe të rregulluara e shprehin këtë nevojë për liri nëpërmjet artit; artit që ia hap derën entropisë, qoftë edhe për një çast të vetëm, për ta mohuar pastaj.
Ngastrimi (parcelizimi) i hapësirës sociale, në shoqëri të zhvilluara, është gjithnjë kërcënim për lirinë, edhe atëherë kur të gjithë e kanë të qartë se liria nuk mund të ushtrohet, përveçse brenda një gardhi të çfarëdoshëm.
Kontradiktën e nxjerr në pah, me elokuencë të paparë, krijimi i të ashtuquajturave “Zona të fjalës së lirë” (Free Speech Zones, ose FSZ), të njohura edhe si “Zona të protestës” ose “Zona të amendamentit të parë”, të cilat i ndesh gjatë protestave politike, në ShBA: ngastra të gardhuara, në vendet publike, ku aktivistët politikë mund të ushtrojnë të drejtën e fjalës. Ekzistencën e këtyre kullave të ngujimit për kundërshtimin politik e përligj një arsyetim i gjykatave amerikane, sipas të cilit qeveria mund të rregullojë kohën, vendin dhe mënyrën – por jo përmbajtjen – e shprehjes.
Si edhe në shumë raste dhe kontekste të tjera, një të drejte themelore e individit, siç është e drejta e fjalës, i ofrohet një zgjidhje gjeometrike ose hapësinore, në trajtat e një ngastre të gardhuar. Ironia, këtë herë, është se ngastra e gardhuar – që nuk është gjë tjetër veçse një lloj qelie burgu në mes të qytetit – është krijuar që kushdo të mund të ushtrojë, atje dhe vetëm atje, lirinë e fjalës. Për ta thënë ndryshe: shenja No Trespassing tani është e kthyer në anën e kundërt, ose me fytyrë “nga brenda”.
FSZ-të janë një zgjidhje ekspediente, por e shëmtuar, e problemeve konkrete që kanë forcat e rendit në ShBA, për të kontrolluar protestat në mjedise urbane; dhe gjithsesi, jo më e shëmtuar se të gjitha ato zgjidhje të tjera, të cilat nënkuptojnë përdorimin e murit ose të drynit.
Natyrisht, çdo sistem ka nevojë për një gardh ose për një kufi (boundary) që ta mbajë jashtë entropinë; nga ana tjetër, çdo individ vjen në botë vetëm një herë, me të drejtën e shenjtë për të ushtruar individualitetin e vet, mes të tjerash, edhe nëpërmjet lirisë së shprehjes. Ky tension midis interesave të sistemit dhe të drejtave të individit ofron edhe energjinë e nevojshme për progres; por pa qenë vetvetiu dobiprurës në të gjitha rastet. Kontradiktat herë i vuan sistemi, herë individi – edhe pse shoqëria civile, ose muret brenda muret dhe dyert brenda dyerve, mund të luajë rol amortizues, duke ndihmuar edhe qëndrueshmërinë e sistemit, edhe lirinë si përmasë të individualitetit.
Për fat të mirë, hapësira sociale nuk është e fundme, si trualli; as mund të zihet, siç zihet trualli. Institucione mund të krijojë kushdo, dhe t’i kultivojë, me kusht që këtë të drejtë, për pronësi virtuale, t’ia garantojë ligji. Historia e artit, në shekuj, na ka treguar se sfidat ndaj lirisë individuale njerëzit i kanë përballuar rregullisht me art; në rrethanat moderne, kjo mund dhe duhet të përkthehet edhe si ftesë për t’i zgjidhur problemet sociale nëpërmjet krijimtarisë, ose duke krijuar: ide dhe institucione, vëllazëri dhe shoqata, miqësi dhe bamirësi.
Prej shtetit nuk do të kërkojmë, atëherë, përveçse që të na e garantojë këtë të drejtë për të krijuar.
|
8,182 | https://peizazhe.com/2011/09/03/peshqit-ne-uje/ | null | 2011-09-04T03:06:43 | PESHQIT NË UJË | Që Cikli i Kreshnikëve është i pasur, deri në zbavitje, me anakronizma teknologjikë, këtë mund ta vërejë çdo lexues.
Aty një botë e hershme, të cilën njerëzit e ndajnë me zanat dhe orët e malit, bashkëjeton me botën e bashkëkohësisë së rapsodit, ku kreshnikët pinë kafe me sheqer e pa sheqer, dredhin duhan dhe i shkruajnë letra shoku-shokut; edhe pse në raste urgjente, kur nuk ka ndonjë qyqe rrotull, lajmin e përhap “pushka habertare.”
I njëjti kaos kronologjik sundon edhe arsenalin e armëve: kur Zuku Bajraktar niset të dalë në bjeshkë “për me gjue”:
po ma merr pushkën në dorë,
po ma merr topuzin e shpatën
e n’shpinë gjogut m’i ka hypë…
Surreale, kjo pamje e kalorësit të armatosur me pushkë, me shpatë dhe me topuz!
Gjithsesi, studiuesit përgjithësisht flasin për anakronizma në kuptimin që teknologji të periudhës kur këndohej Cikli shartohen në një botë mesjetare, më të hershme, ku nuk do të mund të ekzistonin. Në këtë kuptim, do të themi se anakronike është pushka në shoqëri me topuzin dhe shpatën; jo e kundërta. Njihet mirë, ndër të tjera, rrëfenja në prozë “Kur dul pushka s’parit”, në të cilën Halili habiten me pushkën që ia sheh njërit në rrugë dhe i kërkon ta provojë duke i shtënë në dorë, me rezultate që kuptohen (“E shikjon Halili e habitet sa mirë e shpon dorën.”)
Shkon Halili te Muji dhe i thotë: “Kish dal pushka, vlla! Tash nuk kena shka me ba jasht, por duhet me u nry mren n’dhe!”
Ndërkohë, ka edhe ndonjë shembull anakronizmi në drejtim të kundërt; ose të një teknologjie të parakohshme jo vetëm për botën e Ciklit, por edhe për botën ku riprodhohet dhe konsumohet Cikli, ose malësinë shqiptare të periudhës osmane.
Te Halili pret bajlozin edhe merr çikën e Kralit, agët mblidhen në kuvend dhe flasin për çikën e Kralit të Miskovit; kur njëri prej tyre thotë se ajo çikë “në dynja shoqen nuk e ka”, Halili zotohet:
Pa e marrë për vedi at çikë s’e la.
Këtu e merr fjalën Dizdar Osman Aga, që ka informacione të mëtejshme për çikën:
Nuk asht kollaj atë çikë me e marrë
se në roje të madhe ajo asht;
fort e bukur ajo asht qillue,
[…]
në dymbëdhetë kate kullat qillue,
n’ma të eprin kat çika asht,
nji odë të mirë ja kanë mbarue,
do uj n’odë ja kanë çue,
peshqit në te ja kanë vnue,
kur të mërzitet me i shique.
Pra e bija e Kralit të Miskovit jeton në një “odë të mirë” në katin e sipërm të një kulle me dymbëdhjetë kate, ku i kanë çuar “do uj” dhe peshq, që t’i shohë kur të mërzitet.
Nuk besoj se e teproj, po të them se ky është shembulli më i hershëm i përshkrimit të një akuariumi me peshq ornamentalë në kulturën shqipe!
Në fakt, sikurse lexoj në këtë faqe të Wikipedia-s, romakët e kishin këtë zakon që të mbanin peshq në vaska të vogla mermeri, të cilat i vinin nën krevatet e mysafirëve; më pas, këtyre vaskave ua bënin një faqe prej xhami, që të dukeshin peshqit më mirë.
Përndryshe, zakonin e të mbajturit të peshqve për bukuri, në vazo, e përsosën kinezët në Mesjetë; mbajtja e peshqve në akuariume u bë e modës vetëm gjatë shekullit XIX; dhe vetë fjala akuarium u përdor për herë të parë në vitin 1854.
Se ku e kanë parë akuariumin malësorët shqiptarë, kjo mbetet enigmë; vetë kënga ku përmendet teknologjia në fjalë mund të jetë e re, ose e sajuar gjatë shekullit XX; por fakti që ky informacion sillet në këngë vetëm për kontekst, ose për të përshkruar luksin se si jetonte e bija e “Krajlit të Miskovit” dhe përndryshe nuk luan asnjë rol në fabul, as përmendet sërish, lë të kuptohet se shtesa nuk do të ketë qenë dhe aq e vonë, pse tek e fundit nuk është e nevojshme, nga pikëpamja narrative.
Enigmë mbetet edhe si do ta kenë interpretuar këtë anakronizëm dëgjuesit, ose publiku i këngës; madje edhe rapsodi vetë. Në malësinë shqiptare akuariumi, si teknologji zbukurimi ose dëfryese, do të ketë hyrë shumë vonë, pas gjase në gjysmën e dytë të shekullit XX – po të mos marrim parasysh futjen e saj nëpërmjet këngës vetë.
|
2,228 | https://peizazhe.com/2009/07/18/viktimizem-vizash/ | null | 2009-07-18T05:01:21 | VIKTIMIZËM VIZASH | Bashkimi Evropian synon t’i liberalizojë vizat me tre shtetet e mëposhtme: Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Ky njoftim u interpretua në Shqipëri kryesisht në planin politik. Përqasja duket korrekte, pavarësisht se neo-opozita dhe neo-mazhoranca, siç mund të pritej, e lexuan ndryshe mesazhin që erdhi nga Brukseli. Mirëpo, shpjegimin e mospërfshirjes së Shqipërisë në grupin e vendeve pa viza nëpërmjet faktorit fetar nuk e kisha parë gjëkundi.
Gazeta SOT, ka botuar një artikull me titull tejet sqarues, që nuk lë vend për keqkuptime: “Përjashtohen nga liberalizimi i vizave tre vende myslimane; Shqipëria, Kosova dhe Bosnja”. Ja çfarë shkruan autori, identiteti i të cilit në faqen e Internetit nuk zbulohet, në paragrafin më nëntitull: “BE shpërthen në racizëm”:
“Europa rrit hapur racizmin ndaj vendeve me mazhorancë myslimane. Jo rastësisht edhe vendi ynë, këtë vit mbeti jashtë listës së liberalizimit të vizave, nisur nga fakti se përqindjen më të madhe të popullsisë së Shqipërisë e zë feja myslimane. E njëjta gjë ndodh edhe me Kosovën dhe Bosnjën. Mesa shihet në vendimin e fundit, është bërë një ndarje sa e qartë aq edhe e padrejtë mes shteteve, të cilat prisnin liberalizimin e vizave. E qartë për faktin se tre vendet që u pranuan Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia ishin vende ortodokse, dhe e padrejtë për faktin se iu mohua liberalizimi pikërisht tri vendeve me mazhorancë myslimane. Shqipëria, ku pjesa më e madhe e popullsisë është myslimane, jo pa qëllim mbeti jashtë liberalizimit të vizave edhe këtë vit”.
Paragrafi i mësipërm është i qartë. Kosova, Bosnja dhe Shqipëria mbetën jashtë për arsye fetare, sepse kanë shumicën e popullsisë me fe myslimane. Mëtimet e Bashkimit Evropian për mosrespektimin e disa standardeve, sipas gazetës SOT, nuk qëndrojnë:
“Këshilli përjashtoi nga lista vendin tonë, duke u justifikuar me disa pretendime, të cilat në fakt nuk janë aspak të vërteta, por janë qartë një pretekst i dukshëm për të na nxjerrë jashtë loje. Lufta e pamjaftueshme kundër korrupsionit, pasaporta biometrike dhe mungesa e sigurisë në kufij kanë qenë tre pretekstet e BE për përjashtimin e Shqipërisë nga liberalizimi i vizave. Në fakt, të treja pretendimet e mësipërme janë flluskë sapuni, pasi kufijtë shqiptarë janë tashmë më të sigurtit në rajon pas moratoriumit i cili persekuton shqiptarët. Ka qenë vetë Fratini i cili ka deklatuar se kufijtë shqiptarë nuk përbëjnë më problem për vendet e BE. Pasaportat biometrike janë një tjetër justifikim që nuk qëndron në pretendimet evropiane. Tashmë shqipëria e ka plotësuar këtë kusht pasi prodhimi i tyre ka filluar dhe më së miri BE mund të hapte kufijtë vetëm për personat me pasaporta biometrike, por mesa duket për europianët nuk janë kushtet por feja problemi që kanë me shqiptarët, problem që të sjell në kujtesë një racizëm primitiv të tyre. Përsa i përket korrupsionit si Serbia dhe Mali i Zi janë në parametra më skandalozë se Shqipëria, por dhe si në rastet e mësipërme kriter është feja dhe jo standardet që janë sajuar për të përjashtuar Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjen”
Natyrisht, gazeta SOT nuk më bind aspak, ngaqë arsyetimi i saj ecën në telin e tendosur të paranojës ose të komplotizmit, mekanizmat perverse të të cilit u trajtuan nga Xha Xhai pak kohë më parë në këtë blog. E kuptoj që obsesioni kolektiv që kemi me vizat na krijon herë herë halucinacione të hatashme, por vetëkontrolli ynë, siç kam pasur rastin ta shpjegoj gjatë në shkrimin Euroviza, fillon nga konceptimi i Evropës si entitet shumëplanësh që duhet ndërtuar fillimisht në vend, dhe jo si hapësirë për t’u eksploruar vetëm fizikisht nëpërmjet vizave. Me fjalë të thjeshta, le të shikohemi realisht para pasqyrës, para se të shikojmë portretet që na bëjnë të tjerët. E këtu nuk kam ndërmend të fsheh mëkatet e Evropës në shndërrimin e Shqipërisë në një geto të njëmendtë.
Mirëpo, ta shikosh çështjen e liberalizimit të vizave vetëm në planin fetar, personalisht më duket shumë e rrezikshme. Jo aq për pathemelësinë e kësaj teze (kundërshtitë e së cilës janë të shumta e të dukshme), se sa për viktimizmin që ajo shpreh dhe dëmin që i sjell kauzës së integrimit shqiptar në Evropë.
Nuk besoj se Evropa arsyeton me terma të tilla diskriminuese. Tek e fundit, po të parafrazoja thënien e famshme të Groucho Marx, në cilësinë e qytetarit shqiptar, do të thosha: “Nuk dua që vendi im të futet në një bashkësi ku nuk e durojnë dot”. Kurse artikullshkruesit do t’i kërkoja ta analizonte më tej thënien origjinale të humoristit amerikan, që tingëllon pak a shumë kështu: “Nuk dua të bëj pjesë në një klub që pranon të anëtarësojë tipa si unë”. Ndoshta, atje shikon vetveten.
|
40,706 | https://peizazhe.com/2022/03/31/videoloja-e-sizifit/ | null | 2022-03-31T14:10:09 | VIDEOLOJA E SIZIFIT | Të marrim Sizifin – që përveçse hero mitologjik me të gjitha kartat në rregull, ishte edhe i biri i Eolit, drejtorit të drejtorisë së erërave.
Homeri e quante si më dinakun e burrave; dhe jo më kot autorë të lashtësisë, nga Eskili te Sofokliu dhe Euripidi, e mbajnë për babanë e Odiseut.
Ky është Sizifi që shtyn gurin, heroi i torturës; por edhe Sizifi që e pat mashtruar vdekjen dy herë. Herën e parë, kur Zeusi e pat urdhëruar Thanatos-in që ta lidhte Sizifin me vargonj, te një shkëmb në Tartarus. Por kur shkuan atje, yni i kërkoi Thanatos-it që t’ia tregonte si punonin vargonjtë – dhe teksa Thanatos-i po ia demonstronte, Sizifi e la ashtu, të mbërthyer në shkëmb, dhe u largua. Me Thanatos-in të mbërthyer me vargonj, nuk po vdiste kush më – çfarë krijoi probleme në Olimp: e dimë që vdekja është pjesë “jetike” e ekonomisë së Zotave. Ashtu edhe dërguan Aresin, që t’ia hiqte Thanatos-it hekurat.
Sipas një miti tjetër, Sizifi tashmë i vdekur përfundimisht iu lut Persefonit, perëndeshës së Nëndheut, që t’i jepte leje të kthehej për pak kohë mes të gjallëve, pse i kish mbetur një punë përgjysmë. Por me t’u kthyer në këtë botë, Sizifit iu lezetua jeta sërish, dhe e mori në sy të mos paraqitej më në “kazermë” – aq sa u detyruan Zotat të dërgojnë Hermesin, për ta sjellë me forcë.
Sizifi mbahet mend për gurin që bart; por ky gur nuk ishte veçse dënimi që i dha Hades-i, pse kish guxuar ta mashtronte vdekjen dy herë dhe për mendjemadhësinë që tregonte, në përgjithësi.
Torturën ia përshkruan Homeri tek Odiseja, kur protagonisti i poemës rrëfen se çfarë pa në mbretërinë e të vdekurve: Sizifi shtynte një shkëmb të madh drejt majës së një kodre; por kur arrinte majën, guri rrokullisej pamëshirshëm teposhtë. Dhe ashtu Sizifit i duhej ta niste përpjekjen e vet sërish.
Ndëshkimi që i ish dhënë Sizifit, i ngjan atij të Tantalusit, që nuk arrin dot të njomë buzët e rreshkura nga etja, në pellgun ku e kanë zhytur e as të këputë një frutë nga dega e pemës që i varet mbi krye; Iksionit, që e patën lidhur pas një rrote të zjarrtë, në rrotullim të përhershëm; dhe gjigantit Tityus, të cilit ia hanin mëlçinë dy shkaba, pa mundur ky që t’i trembte. Të gjithë këta – sipas mitologjisë greke – banonin në Tartarus, që ishte edhe gufa më e thellë e dheut, e ruajtur për më të ligjtë e të ligjve.
Edhe Ferri dantesk organizohet rreth pashmangësisë së përsëritjes dhe të kthimit, aq sa t’i duket lexuesit se vuajtësit atje i mundon jo aq dhimbja fizike, sa siguria që dhimbja do të rikthehet.
Për Camus-në, Sizifi – ky proletar mes Zotave – është “heroi absurd”.
Shumë interpretime i janë dhënë torturës së gurit: Lukreci shihte atje gjakimin e politikanit për postin që nuk e arrin kurrë, e që në çdo rast mbetet “diçka boshe”; të tjerë e kanë gjykuar si simbol të përpjekjeve të kota të njeriut për njohje.
Bind krahasimi me punën (toil) – sikurse imazhi i njeriut që shtyn gurin të bën të mendosh për ndërtuesit e piramidave, të cilët lindin dhe vdesin brenda ciklit të ngritjes dhe pastaj të rënies poshtë.
Fizikanëve do t’u shkojë mendja tek ekuilibri i paqëndrueshëm i gurit, mu para se të fillojë rrokullimën poshtë.
Psikologët do të sugjerojnë se tortura mirëfilli nuk është ajo e mundimit për ta shtyrë e rishtyrë gurin drejt majës, por vetëdija e Sizifit se këtë e kanë dënuar ta bëjë në amshim.
Pra, kujtesa e Sizifit.
Përndryshe, asgjë nuk na pengon ta përfytyrojmë një Sizif me kujtesë të fshirë, si protagonisti i filmit Memento, që harron gjithçka që ndodh, me të kaluar pak minuta (amnezi anterograde).
Ky do të ishte një Sizif i reduktuar në nivelin e një kafshe pune, të kalit që sillet në lëmë, por që nuk e vuan kotësinë e mundimit të vet.
Alternativisht, mund të përfytyrojmë një Sizif të burgosur në shtyrjen e gurit; që jeton dhe rijeton të njëjtën ngjarje, i kapur në një time loop, si protagonisti i filmit Groundhog Day.
Edhe pse ky i fundit e kish vetëdijen e përsëritjes, e perceptonte loop-in.
Kam përsiatur se Sizifi i fyejti Zotat, kur u rebelua ndaj vdekjes – kësaj ngjarjeje me përkufizim të njëhershme; prandaj edhe Zotat e dënuan që ta përsëriste të jetuarit në amshim. Madje jo të jetuarit tamam, por një parodi të së jetuarit si burgim në një rutinë sa të mundimshme aq edhe të kotë.
Si për të na kujtuar se tortura mirëfilli nuk është bartja e gurit përpjetë, me të cilën njeriu edhe mësohet; por momenti kur guri rrokulliset poshtë sërish.
Një pyetje që ia kam bërë vetes, kur kam menduar për fatin e Sizifit: si ta shpjegoj, që ky nuk e kundërshton kurrë torturën e gurit?
I njëjti Sizif, që e pat mashtruar vdekjen dy herë, dhe që i kish arritur deri edhe të kthehej me dredhi nga bota e të vdekurve tek ajo e të gjallëve, si vallë i nënshtrohet tani fatit të vet kaq fatalisht?
T’ia kenë hequr Zotat vullnetin për të kundërshtuar? T’ia kenë imponuar nënshtrimin ndaj fatit? Të jetë pikërisht ky dënimi që i është dhënë këtij njeriu që guxoi të sfidoi vdekjen?
Sizifi nuk kundërshton, nuk rebelohet. Gati-gati, kjo më tundon që ta shpjegoj gjakimin e tij si performancë, si shfaqje teatrale, e cila jepet për publikun 24/7.
Le ta përfytyrojmë këtë si monodramë, ku Sizifi gjen kohë dhe fuqi që, në punë e sipër, t’i flasë sallës për la condition humaine. Diçka si Camus-ja, i rishkruar nga Beckett-i, i “Try again. Fail again. Fail better.”
Tartarus-i si teatri i Zotave.
Por në epokën e tanishme, edhe më mirë bind analogjia e torturës së Sizifit me videolojën, e cila jo vetëm e kthen dështimin në formë arti, por të cilën edhe mund ta nisësh nga e para, sapo ta kesh përfunduar (zakonisht: sapo të kesh humbur).
Ashtu Sizifi, më shumë edhe se vetë lojtari që fails better dhe kthehet që ta shijojë dështimin e vet rishtas, shndërrohet në personifikim të videolojës vetë.
Një videolojë për Zotat. E thjeshtë, ose me ndërlikime që ne, vdekatarëve, na shpëtojnë pa vënë re. Çfarë nuk na shpëton, përkundrazi, është se edhe Zotat këtë lojë herët a vonë do ta humbin – njëlloj siç na ndodh në Tetris, kur tetrominotë më në fund bllokohen në krye të ekranit (ky do të ishte momenti i resetimit, kur Sizifit nis t’i rrëshqasë guri tatëpjetë).
Camus-ja besonte që Sizifi përjetonte një “gëzim të heshtur”; dhe se duhet ta përfytyrojmë si “të lumtur”. Këto fjalë do t’i përshtateshin edhe më mirë lojës që kthehet e kthehet në zanafillë, sikur kjo të mund ta ndiente lumturinë.
© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
|
28,165 | https://peizazhe.com/2018/02/25/mundesia-e-dyshemese-se-humbur/ | null | 2018-02-25T09:44:39 | MUNDËSIA E DYSHEMESË SË HUMBUR | nga Teuta Sadiku
Lava pjatat shpejt e shpejt para se të pritej uji e të më mbeteshin pa shpëlarë. Atë moment më ra në sy rrugica drejtkëndëshe e thurur me lecka që shtronte nëna në vend të tapetit, çka nuk m’u shoqërua nga ndonjë mendim, as ide të re që të më kalonte nëpër mendje për të. Ishte thjesht një pamje e zakonshme që këmbëngulte poshtë thembrës sime se ishte një kujtim nga e shkuara. Mundohesha mos të kapja ndonjë kuptim që mund të kishte apo merrte atë çast ajo festë përvjetori, por më kot. Nënkuptohet që vinte nga e kaluara ashtu siç vijnë kujtimet, për nënën, gjyshen e të afërmit nga bota e përtejme.
Për momentin dëfreja me idenë se ndoshta kishte të bënte jo me një kujtim nga e kaluara, por me një shfaqje të së ardhmes –si rezultat i një defekti që mund të kishte pësuar mekanizmi i kohës. Ndoshta e kishte fajin ndriçimi i dobët që vinte përtej dritares, pasi dritat fikeshin shpesh në atë qytet-shtet. Edhe pse ishte gjysmë errësirë, pamja nuk pranonte të ishte misterioze. Hodha një hap drejt qendrës së tapetit dhe m’u duk sikur zbrita një shkallë të paqenë.
Rashë në boshësi dhe u tremba se kushedi se çfarë tjetër do të ndodhte në atë dhomë, atë ditë feste. Përvjetor hesapi.
Dhomë?! Nuk kishte dhomë kurrkund. Si mund të kishte dhomë, kur jo vetëm nuk kishte dysheme, por nuk ekzistonte as dyshimi më i vogël se kishte pasur ndonjëherë dysheme poshtë asaj rrugice thurur me lecka. Shtriva dorën dhe zgjata gishtërinjtë e shtrembëruar nga pesha e flamujve. Në mure pashë radiografinë e shpirtit të shpendit të zi që linte shenja në papiruse të dala boje, çka të tjerët i flaknin në kazanët e plehrave të ndërgjegjes, çdo mëngjes kur kalonte karroca e plehrave. Dritat akoma nuk po vinin, ndaj u hodha një vrap në errësirën poshtë rrugicës për ta nxjerrë në dritë dashurinë e atij vendi. E dija që sapo të shihnin të njëjtin flamur, do ta bënin copë- copë, derisa yjet të uleshin në një copë tjetër qielli blu. Nuk mundej që i njëjti shpend i zi të fluturonte në një pellg gjaku. Poetët u këndonin yjeve në qiell, pasi mbaruan së thururi vargje hënës. Thonë se yjet ishin ankuar, nga frika se mos shuheshin nga faqja e dheut. Duhej patjetër diku të mbeteshin në një copë pëlhure. Dhe ashtu u bë.
Nuk ndihesha mirë as unë, as nëna e cila ndodhej në atë periudhën kalimtare të moshës, kur menstruacionet herë i vinin e herë e linin, sipas gjasës. Nuk kisha dëgjuar të përmendej nëna ime në zijafetet e organizuara enkas nga oratorët e mëdhenj, ashtu siç nuk kisha parë ndonjë fjalë të shkruar në qitapët e kohës. Ishte e pamundur të ecej më kështu, ku as nuk shihja përpara, po as nuk më vinte ndonjë ide e re në kokë. Kishim mbetur në vendnumëro këtu e vite. Vazhdimisht bija në një brimë të pashpjegueshme dhe pa taban. Për tavan nuk bëhej fjalë fare, ishte thjesht një qiell, ku çdo risi e merrte era dhe e vërviste tutje në hallkën e këputur ballkanike ku bëhej një boshatisje e rrethinave. Poshtë thembrës mbi rrugicën e shtruar në mes e ndieja akoma atë sëmbimin e telave me gjemba përreth avllisë, gjembin e telave të lëvizte tutje-tëhu ditën me diell ku drita tepronte dhe ujët e detit më vinte deri te këmbët e krevatit ku notonin lajmet. Ngado patrullojnë fjalë të armatosura deri në dhëmbë, largojnë mendimet shtrigëliga apo fjalët e mallkuara që askush nuk i lexon.
Ktheva kokën nga autostrada, prej nga dëgjova hingëllimën e kalit të zotnisë rënë nga vakti, por ja që ish-nusja po e çonte të ngratin t’i mbathnin patkonjtë në një nga hanet më të dëgjuara të botës. Oh çfarë çmendurie kur kalova nëpër mend se dasma po gatitej në një kohë kur krushqit kishin ngrirë para bankave zvicerane të bllokuara. Dreq o punë, po ku i shpie kjo mushkë drutë e këtij vendi, a bëhen dasma në këtë kohë, thirra sa pata në kokë. U dëgjua një zë nga kamarja pranë. Ishte fqinji që më kërkonte hua një pëllëmbë dheu për të mbjellë diçka. Nuk e kuptova mirë, ndoshta kërkonte një govatë ujë, qoftë edhe të kripur, për t’u larë sepse shtëpisë së tij po i bëhet kontroll kapital. Kur pashë luftën që bëhej brenda meje, nga frika se mos fitonte logjika, shtrëngova më tepër rripin e pantallonave, të çitjaneve doja të thosha. Njerëzit brenda tyre ecejaknin mbi rrugicën e shtruar enkas.
Isha në ëndërr dhe për çudinë më të madhe shihja po të njëjtën ëndërr. Makthin e kullës, kullës ku luheshin rolet që nga antikiteti. Aktorët donin të mbeteshin brenda mureve të kullës, kurse personazhet donin të dilnin rrugëve e sokakëve të botës një orë e më parë. Mos o zot. Sikur ishte festë apo jo, dhe ishte e vetmja mundësi e dyshemesë së humbur. Po sikur të rrëzoheshin muret e kullës? Jo nuk do rrëzoheshin vetë, nga vjetërsia, donin t’i rrëzonin para se të gremiseshin e të na zinin të gjithëve brenda. Në raste të tilla pritej lindja e një muri të ri. Po a mundej dyshemeja e humbur të ngrinte një mur të ri? Vrisja mendjen të kujtoja se ku e kisha parë për herë të fundit këtë skenë. Si nuk e kisha parashikuar një gjë të tillë. Po më shfaqej përsëri e njëjta ëndërr.
|
7,020 | https://peizazhe.com/2011/03/10/larje-duarsh/ | null | 2011-03-10T17:21:07 | LARJE DUARSH | Më bëri përshtypje një frazë përmbyllëse e një artikulli të Afrim Krasniqit, sot në Gazeta Shqiptare:
Nuk e di ku punon autori, as më intereson; nuk pati asnjë moment, kur po lexoja artikullin, që të më shkonte mendja se Krasniqi atje po shprehte pikëpamje jo personale, por të tilla që të përfaqësonin zyrtarisht ndonjë institucion.
Si rregull, nëse Krasniqi do të shkruante si punonjës ose titullar i një institucioni të caktuar, këtë do ta tregonte duke e shtuar titullin e vet pas emrit, një konvencion ky i njohur dhe i pranuar, që nga koha e Gutenberg-ut.
Natyrisht, e mora me mend edhe arsyen e këtij shënimi – incidentin e paradokohshëm, kur Dritan Hilën, autor analizash në shtypin e ditës, e shkarkuan nga detyra në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke i përmendur konfliktin e interesit, ose mospërputhjen e veprimtarisë së diplomatit me atë të polemistit në mediat.
Megjithëse Hilës ia kam vlerësuar gjithnjë shkrimet, edhe unë mendoj se një diplomat është i kufizuar, nga vetë natyra e punës që kryen, në shprehjen e mendimeve në shtyp, sidomos për çështje të cilat i mbulon edhe në detyrë.
Mirëpo pezullimi i Hilës ka krijuar një precedent; dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri në rrethana të tilla, precedenti do të kthehet sakaq në armë të pamposhtur në duart e idiotëve.
Pjesa më e madhe e analistëve në mediat e shkruara nuk e nxjerrin dot bukën si analistë; të shkruarit në gazetë është më tepër një hobby, kur nuk është përpjekje për të tërhequr vëmendjen e pasuruar C.V.-në, ose në rastin ideal, efekt i një shtyse të papërmbajtur për t’u angazhuar në debatin qytetar.
Të supozosh se kushdo që ulet të shkruajë një analizë për mediat po flet jo në emrin e vet, por në emër të institucionit ku punon është cenim i drejtpërdrejtë i lirisë së fjalës.
Precedenti Hila është i rrezikshëm jo sepse atij autori iu bë një padrejtësi, por për të kundërtën – sepse me të u veprua drejt, në pajtim me rregullat e institucionit. Mirëpo jo çdo institucion ka specifikën e Ministrisë së Jashtme – dhe rrethanat në Shqipëri janë të tilla, që analistët, intelektualët, zërat referencë të Shoqërisë Civile, janë të angazhuar me punë të gjithë në institucione të ndryshme.
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe një drejtor gazete, bie fjala Adrian Thanoja i Shekullit, kur ulet të shkruajë një analizë, nuk e bën këtë me titullin e drejtorit të gazetës, por si autor dhe analist.
Dua të them me këtë se akti i pjesëmarrjes në debatin publik është thellësisht individual – dhe nuk mund të lejojmë ndotjen e tij me referenca institucionale ose burokratike.
Përkundrazi, nëse vazhdohet me këtë identifikim të autorit me postin, detyrën ose rolin e tij në një organizatë ose institucion, atëherë debati vetvetiu do të shndërrohet nga një debat mes qytetarësh, në një debat mes profesionistësh, çka nuk është në interesin e askujt, përveçse të atyre që nuk duan t’u trazohen ujërat.
|
15,345 | https://peizazhe.com/2014/04/24/dhune-e-fundosur/ | null | 2014-04-24T18:49:11 | DHUNË E FUNDOSUR | Në një panel sot në Festivalin e Librit dhe të Arteve, kushtuar letërsisë së angazhuar nga gruaja dhe për gruan, nuk pata kohë të shkoj më tej, sesa të përmendja nevojën për një rrëfimtari të gjinisë femërore, në kuptimin që bota t’i përcillet lexuesit përmes vështrimit të një autori femër; dhe të vëreja se kjo letërsi, al femminile, e ka ende një potencial të fortë subversiv, brenda një kulture patriarkale si jona.
Isha përgatitur të sillja një shembull, si pièce de résistance – romanin Piccola guerra perfetta (Luftë e vogël e përkorë), të Elvira Donesit, botuar më parë në italisht dhe tani edhe në shqip (nga Dudaj, me përkthim të Adrian Beshajt); por nuk arrita dot, meqë ndërkohë në sallë po hynin të ftuarit për “eventin” pasues, prandaj s’më mbeti veçse t’ua rekomandoj librin të pranishmëve, si vazhdim të argumentit tim, kushedi edhe kurorëzim.
Donesi ndërton në roman një mozaik jetësh gjatë ditëve të Luftës së NATO-s për Kosovën, në sfondin e bombardimeve piroteknike, raprezaljeve të serbëve ndaj shqiptarëve, largimit masiv të kosovarëve nga shtëpitë e tyre drejt vendeve fqinjë, ankthit, familjeve të shpërbëra dhe në shpërbërje e sipër; dhe e bën këtë – çfarë më duhet ta theksoj – nga këndvështrimi i gruas; në kuptimin që syri në okularin e kamerës i përket gjinisë femërore dhe ashtu e vështron botën.
Ideologjia kombëtariste dhe strukturat patriarkale të mendimit na kanë mësuar ta lexojmë historinë e vonë të Kosovës sipas çelësit heroik: qëndresa shqiptare, UÇK-ja, çlirimi nga zgjedha serbe, të rënët dhe ritualet pedagogjike të kujtimit të tyre. Asgjë të re në këtë mes; kështu na kanë mësuar ta lexojmë krejt historinë e kombit, si një vargëzim a hallkëzim përplasjesh, betejash dhe gjestesh heroike, që sot materializohet, mes të tjerash, në emrat e rrugëve e të shesheve dhe në statujat e përmendoret që pikësojnë hapësirën publike.
Donesi i jep luftës për Kosovën – këtë gjë “të vogël” dhe “të përkorë”, një lexim tjetër; duke e mbajtur kamerën të fokusuar në dramën e heshtur të viktimave: burra dhe gra të vrarë dhe të keqtrajtuar prej paraushtarakëve serbë, në mes të kolapsit të njerëzillëkut dhe të qytetërimit në rrethanat e konfliktit dhe të spastrimit etnik; dhe sidomos akt-torturën e parrëfyer dhe të parrëfyeshme të përdhunimit të femrës, si anë të fshehtë dhe të varrosur nëmos si kundërimazhin e heroizmit mashkullor.
Në shumë kapituj të librit, teksa dëshpërimi i serbëve për humbjen e Kosovës vjen e merr përmasa mitologjike, edhe distanca ose kufiri midis dhunimit dhe përdhunimit fillon të zhduket në mënyrë alarmante; në kuptimin që çdo personazh grua – dhe ka disa të tilla – e ndien veten të kapur peng nga trupi i vet, pa çka se përdhunimi, kjo armë e përdorur deri në përsosmëri nga paraushtarakët serbë ose burracakët më të mëdhenj të Ballkanit, synon më shumë gjunjëzimin e shpirtit, ose sakatimin e dinjitetit të një kombi që nderin ua lë burrave t’ia mbrojnë, pa çka se mbijetesën ia garanton gruaja.
Piccola guerra perfetta është lexim i vështirë; meqë ngjarjet rrëfehen në mënyrë aq të ankthshme, sa të kërcënojnë edhe vetë qetësinë tënde si lexues. Reflekset e leximeve të vjetra për luftën dhe përndjekjet, në kujtesën time, më përgatitnin për një shpëtim të viktimave, ose një rescue, që nuk arrinte kurrë (aq më pak nga UÇK-ja, gjë që e vëren edhe Roberto Saviano në parathënien që ia ka bërë romanit); kreshnikët e këngëve dhe të tablove që sot varen në sallat institucionale nuk dalin gjëkundi, ose janë të parët që e paguajnë ekzistencën e tyre me kokë; dilema e dhunës së pashpresë ka thjesht të bëjë me faktin nëse kjo dhunë do të konsumohet pikërisht tani nën sytë e tu prej dëshmitari të përtejmë dhe të pafuqishëm, apo pak më vonë, duke të dhënë ty kohë që ta kthesh kokën nga ana tjetër dhe të fillosh të harrosh. Epopeja e çlirimit të Kosovës numëroi trembëdhjetë mijë civilë shqiptarë të vrarë: le ta përfytyrojmë vdekjen e secilit prej nesh, si individë, trembëdhjetë mijë herë, për ta kuptuar këtë statistikë: tonën dhe të grave, vëllezërve, motrave, të dashurve, fëmijëve, fqinjëve, kolegëve. Një lagje e madhe qyteti me të vrarë.
Edhe kështu mund të bëhet kronika e një lufte, natyrisht. Në sfond të romanit qëndron gozhduar, si përkujtesë ironike, lajmi i hareshëm se asnjë ushtar i NATO-s nuk u vra gjatë kremtimit paraprak me anti-fishekzjarret e bombardimeve nga ajri; kushedi i shoqëruar me përshtypjen se avionët e aleancës së madhe kundër padrejtësisë, spastrimit etnik dhe nacionalizmit arkaik të serbëve nuk iu afruan kurrë aq shumë dheut, sa për të parë çfarë ndodhte me karvanët e refugjatëve, shtëpitë e djegura në fshatrat, lagjet e braktisura, rutinat e ndërprera – puna, shkolla, amësitë, planet, dashuritë; ose krejt atë çmenduri të përgjithshme, të cilën shumëkush më pas ka dashur ta varrosë: humbësit për shkak të humbjes, fitimtarët për shkak të fitores.
Lufta në Kosovë, lufta për Kosovën e rrëfyer me syrin e një gruaje – me këtë vepër Elvira Donesi bëri për mua çfarë qindra, në mos mijëra faqe me rrahje gjoksesh epike dhe përdëllime kuqezi rapsodike nuk e kanë bërë dot. Vetëm pak ditë më parë, në një bisedë mes kolegësh për keqkuptimet dhe ndërprerjet e sinjalit në komunikimin Shqipëri-Kosovë, u pata thënë miqve të mi nga Prishtina se ne, që e kemi përjetuar Kosovën nga jashtë, kemi nevojë të ngutshme për ta përjetuar atë edhe nga brenda, dhe këtë nuk mund ta bëjë veçse arti: letërsia, teatri, televizioni, filmi; sikurse kemi nevojë jo që dikush tjetër, i hipur në tribunë, të na thotë se çfarë të ndiejmë dhe si, por të na ndihmojë që ta jetojmë realitetin e atëhershëm të përcjellë përmes fjalës dhe imazhit dhe tingullit.
Asnjë ceremoni, uniformë, bandë ushtarake, flamur valëvitës, statujë me mbishkrimin lapidar, valle shpatash, vjershë e recituar me muzikë funerale dhe/ose bombastike në sfond, nuk mund ta mbushë boshllëkun e mos-rrëfimit. Dhe nëse liria që fitoi Kosova kërkon të kremtohet, drama e dhunës serbe, kundër kosovarëve dhe kosovareve të mbetura në më të shumtën pa emra, kërkon jo aq të kremtohet, madje as të dëshmohet në gjyqet e historiografisë, sesa thjesht të rrëfehet.
Jemi kulturë thelbësisht patriarkale, madje edhe shpërthimet sporadike feministe (të tipit “ju burrat”), të nivelit elitar ose folklorik qofshin, ia referojmë gjithnjë gramatikës bazë të patriarkalizmit; prandaj edhe për disa aspekte të luftës e kemi të vështirë të flasim. Më kollaj e kemi t’i këndojmë heroizmit, sesa t’i kushtojmë një moment dhimbjeje, ose qoftë edhe një pikë loti, dikujt që është vrarë anës rrugës, si qen – dhe e përdor me vetëdije këtë fjalë – pa pasur kohë as t’i pështyjë vrasësit e vet. Ashtu harrojmë se edhe kujt nuk arriti të ishte hero, ose edhe nuk mundi, i dhimbset jeta po aq sa edhe atij tjetrit, që ia vuri gjoksin topit, si Mic Sokoli; në mos edhe më tepër.
Të shkruash për viktimat e një lufte që tani të gjithë po rendin ta derdhin në kallëpet e rapsodive dhe të bronzit të statujave – ose për ato rrethana, më të rëndomta se të tjerat, ku heroizmi nuk arrin dot të manifestohet si gjest, por mbetet në nivelin e përballimit të brendshëm të dhimbjes dhe të shkëlqimit prej diamanti të asaj çfarë dhuna, cilado dhunë, nuk e arrin dot kurrë në shpirtin e të dhunuarve; të shkruash, pra, për të gjitha këto, është gjithashtu një lloj heroizmi,dhe jo vetëm al femminile.
Me këtë roman të fundit, Donesi fut në krizë rregullsitë tradicionale të narrativës historike/heroike, brenda kulturës sonë patriarkale; meqë nuk e kremton luftën, madje as heroizmin; por më shumë rrëfen se çfarë i ndodh njeriut, të kapur në mes të mokrave të historisë. Të gjitha personazhet e saj bartin diçka të çmuar me vete, të shkëlqyer dhe të papërsëritshme; diçka që ka ardhur në botë vetëm një herë dhe që nuk do të vijë dot më; dhe që lidhet drejtpërdrejt me çfarë na bën njerëz, të gjithëve ne, përballë çnjerëzores. Një femër që shtrëngon dhëmbët, dhe muskujt e krahëve, dhe kapakët e syve, teksa po e përdhunojnë në emër të nuk di ç’logjike të mllefit historik ose të shpagimit për padrejtësi të llojit epik ose mitologjik, ndoshta nuk sillet dot si shembull dhe flamur i heroizmit – të popullit tonë në shekuj – por është edhe një imazh për të cilin kultura jonë ka aq urgjentisht nevojë, tani që po dalim qoftë edhe duke u zvarritur nga ëndrrat e këqija të mbijetesës.
|
10,047 | https://peizazhe.com/2012/04/15/detyrat-e-sht%d1%91pis%d1%91/ | null | 2012-04-15T13:21:54 | DETYRAT E SHTЁPISЁ | Debati pёr detyrat e shtёpisё filloi nё Francё, pёr tё vijuar mё pas nё Itali e ndoshta nё vende tё tjera. Tema ёshtё nga ato qё diskutohen nё publik nё mёnyrё ciklike. Apeli i prindёrve francezё, qё ndezi diskutime anembanё, mund tё interpretohet edhe si zёri i shumё prindёrve nё botё, tё cilёt ankohen ndaj detyrave qё mёsuesit u japin femijёve pёr t’i bёrё nё shtёpi. Ankesat mund t’i dёgjosh nё mёngjes pёrballё shkollёs, kur fёmijёt pёrcillen pёr mёsim, ose gjatё fundjavёs, kur planet e prindёrve bien ndesh me detyrat e shtёpisё.
Personalisht i përkas brezit qё e ka konceptuar shkollёn gati ushtarakisht, nё kuptimin e disiplinёs, ndjenjёs sё detyrёs, sakrificёs, pёrgjegjёsisё, meritёs, saqё e kam tё vёshtirё ta kap shpejt problemin e ngritur nga prindërit. Nga ana tjetёr, i përkas po atij brezi qё fundjavёn si fjalё e mёsoi nё libra, nё variantin weekend, por asnjёherё nuk pati mundёsi ta zbatojё si mёnyrё jetese. Kam edhe vёshtirёsi tё tjera qё mё vijnё nga kultura shqiptare, qё deri pak kohё mё parё e konsideronte shkollёn si mjet pёr rritjen personale e shoqёrore tё individit, kulturё qё e kanё tё gjithё prindёrit shqiptarё, anipse aktualisht kjo kulturё po vidhiset drejt shtigjeve tё reja.
A duhet tё ankohen prindёrit pёr detyrat e shtёpisё sё fёmijёve tё vet? Unё them qё jo, edhe pse i kuptoj fare mirё sikletet e tyre postmoderne. Ёshtё e vёrtetё qё fёmijёt e sotёm, sidomos nё mjediset e mёdha urbane, vuajnё nga stresi, kanё angazhime tё shumta, bёjnё jetё frenetike, interferojnё me angazhimet familjare, pёrballojnё ndёrlikimet e familjeve tё zgjeruara, e kёshtu me radhё. Nga ky kёndvёshtrim, kёrkesa qё detyrat e shtёpisё tё bёhen nё klasё duket logjike.
E pranoj. Edhe unё, kur isha i vogёl, i kisha inat detyrat e shtёpisё, sidomos kur dёgjoja nga penxherja zёrat e shokёve qё shkelmonin topin me sa fuqi kishin. Detyrat e shtёpisё mё vidhnin kohёn e lojёs, e argёtimit, e qejfit. Tani qё u rrita, mёsova se pedagogjia qё kam pёsuar nё bankat e shkollёs, ndonjёherё e akuzuar si e prapambetur, i pёrkiste asaj rryme qё i konsideronte detyrat nё shtёpi nё njё kuadёr mё tё gjerё, qё shkonin pёrtej fletores me vija ose me katrorё, pёrtej ushtrimeve tё matematikёs ose tё gramatikёs; pavarёsisht nga teprimet e mundshme, detyrat nё shtёpi lidheshin me disiplinёn e vetёdisplinёn, me durimin e sakrificën.
E pranoj gjithashtu, se ideja e shkollёs si vend ku mёsohet duke u zbavitur, pra ideja e pedagogjisё moderne, m’u duk mahnitёse nё fillim, por jo sa tё ma prishte mendjen pёrfundimisht. Tepër e bukur për të qenë e vërtetë. Kishte diçka qё nuk mё bindte nё formulёn ludike tё veprimtarisё shkollore, pikёrisht pёr faktin se shkolla nuk ёshtё argёtim dhe se mёsimi kёrkon gjithsesi mund e djersё. Edhe mësuesit mё zbavitës tё botёs, edhe lёndёs mё interesante tё shkollёs, madje edhe lojës vetё, i duhet koha e pёrqёndrimit, e uljes sё kokёs, e kërkimit tё llogarisё.
Debati pёr detyrat e shtёpisё mund tё zhvillohet edhe nё Shqipёri. Ka sot mjaft shkolla qё premtojnё pikёrisht kёtё gjё; qё fёmijёt t’i bёjnё tё gjitha detyrat nё klasё. Nё pamje tё parё duket shёrbim i shkёlqyer: fёmijёt hanё, studiojnё, ushtrohen, argёtohen nё shkollё, duke e çliruar kёshtu familjen nga andralla tё ndryshme. Nё kёtё mёnyrё, gjatё pasdites, fundjavës e pushimeve, fёmijёt janё mё tё lirё dhe prindёrit tё pakushtёzuar nё organizimin e familjes. Nga ana tjetёr, pa bёrё pёrgjithёsime negative, duhet thёnё se kёrkesa nё shkollat shqiptare po ulet dita ditёs. Mёsuesit u kёrkojnё gjithnjё e mё pak nxёnёsve e studentёve, duke e shndёrruar shkollёn, me pёrjashtimet e duhura, pothuajse nё njё vend pёr tё kaluar kohёn sa mё mirё.
Mirёpo lidhja e shkollёs me nxёnёsin dhe me familjen nuk ёshtё si lidhja e supermarketit me klientin. Nёse shkolla merr pamjen e parkimit tё fёmijёve, edhe pse me kёnde lojёrash shumёngjyrёshe – sikurse bёjnё disa supermarkete tё mёdha qё krijojnё hapёsira tё posaçme pёr fёmijёt ndёrsa prindёrit merren me pazarin –, atёherё familja vetёpёrjashtohet nga procesi i edukimit tё fёmijёs, duke ia deleguar tёrёsisht shkollёs rolin e rёndёsishёm. Detyrat e shtёpisё janё vёrtet tё lodhshme, por prindёrit duke i ndihmuar fёmijёt kanё rastin tё krijojnё lidhje tё reja me ta, kanё mundёsinё t’i ndjekin hap pas hapi, pёrveçse tё mёsojnё (jo rrallё) nga mёsimet vetё. Paradoksalisht, kohёt moderne tё internetit, tё televizionit e tё playstation-it i bёjnё mё imperative detyrat e shtёpisё, sepse e detyrojnё familjen tё komunikojё brenda saj e tё mos kthehet nё bashkёsi elektronesh qё rrotullohen rreth vetes nё vetmi.
Koncepti i detyrave tё shtёpisё si angazhim serioz bie ndesh me atё kulturë qё e konsideron shkollёn vetёm si pengesё kohore drejt marrjes sё dёftesёs, ose diplomёs, tё asaj cope letre qё vёrteton (vetёm nё letёr) aftёsitё e personit. Pёr fat tё keq kjo kulturё po fuqizohet dita ditёs nё Shqipёri, ku dikur “futej mik” pёr tё kaluar klasёn, ose pёr tё marrё njё notё mё tё mirё, kurse sot paguhet me valutё pёr njё provim ose diplomё. Nuk e teprojmё po ta pёrfytyrojmё edhe vetё sistemin universitar shqiptar si legalizimin e blerjes sё diplomёs, pёr sa kohё do tё ketё universitete qё e konsiderojnё arsimin si treg e biznes, ku studentёt kthehen nё konsumatorё e klientё, tё cilёt, siç dihet nga parulla e famshme cinike, kanё gjithnjё tё drejtё. Nё kёtё kuadёr, detyrat e shtёpisё nuk kanё kurrfarё kuptimi.
Pёr t’iu kthyer apelit tё prindërve kundër detyrave të shtëpisë, mund tё thuhet se dallohet njё farё egoizmi nё ankesёn e tyre. Pёr rehatinё e vet, kёrkojnё qё fёmijёt tё mos ngarkohen me detyra shtёpie. Dikush e ka interpretuar kёtё qёndrim me kulturёn e sotme tё adultocentrizmit. Porse nuk duhet harruar edhe e kundёrta, d.m.th. kur prindёrit, pёr arsye tё ndryshme, u japin gjithnjё tё drejtё fёmijёve, ua plotësojnё çdo kёrkesё apo kapriço, duke i pёrkёdhelur pa masё qё nё vegjёli. Kemi tё bёjmё me metamorfozёn mё tё çuditshme: prindi shndёrrohet nё avokat tё fёmijёs. Ja pёrse, shpeshherё, prindёrit ankohen pёr mёsuesit, duke u bёrё kundёrshtarё e jo aleatё nё edukimin e fёmijёve. Natyrisht, nuk mund tё pёrjashtohen pёrgjegjёsitё e shkollёs sё sotme e tё pedagogjisё moderne, që në disa raste konkurojnë me prindërit duke vënë në qendër jo të mirën e fëmijëve por dëshirat e tyre, që jo gjithnjë përkojnë me njёra tjetrёn.
Alergjia ndaj detyrave të shtëpisë, si sinonim i sakrificës dhe i arritjes së objektivave nëpërmjet mundit, pra meritës, nuk mund të shihet jashtë mjedisit të sotëm kulturor. Në Shqipëri mund t’i referohemi opinionit të përgjithshëm, sipas të cilit rëndësi ka të bësh parà sa më shpejt, sa më shumë e me çdo mjet të mundshëm. Në fakt, që të bëhesh “i suksesshëm” në Shqipëri nuk duhet domosdoshmërish diplomë, njohuri ose mund i jashtëzakonshëm; kërkohen aftësi të një lloji tjetër. Firmat piramidale të viteve nëntëdhjetë ishin simboli i kulturës që kërkon t’i nxjerrë paratë nga paraja, pa kaluar nga “lodhja” e prodhimit. Por për këtë nuk mund të akuzohen vetëm shqiptarët, meqë vetë kriza e fundit ekonomike në botë u shkaktua pikërisht nga financiarizimi i tepërt i ekonomisë. Si të thuash, nga disa Sude me kravata që punonin në bursat e globalizimit pa kontroll e skrupuj.
Kjo tregon që njeriu nuk mëson asnjëherë nga gabimet e veta. E të mendosh që Pinoku e pësoi paq nga maçoku e nga dhelpra që i premtuan se nga monedhat e arit do të rritej një pemë plot me para. Pinoku e kuptoi se pa shkollë, pa detyrat e shtëpisë, d.m.th. pa lodhje e përpjekje, njeriu bëhet gomar, në kuptimin e injorantit. Dakord që Pinoku e mori vesh, po lexuesit e përrallës së Kolodit e kanë kuptuar vallë mësimin?
|
42,062 | https://peizazhe.com/2022/09/12/arberishtja-gjuhe-e-rrezikuar/ | null | 2022-09-12T15:23:31 | ARBËRISHTJA GJUHË E RREZIKUAR | nga Edmond Cane
Para dy vjetësh, me krijimin e QSPA[1], filluam të njiheshim me kuadrin e Gjuhëve të Rrezikuara (GjRr) në gjithë botën si dhe me ato pak studime që ishin bërë për arbërishten. Ndërsa gradualisht rritej njohja dhe dija jonë, po kështu rritej edhe shqetësimi mbi gjendjen e arbërishtes. Megjithatë, kuadri i njohjes sonë ishte modest dhe rezervimi ishte maksimal. Mënyra e shprehjes ka qenë e kujdesshme edhe për faktin që katedra e studimeve shqipe në Kalabri ka qenë e distancuar – faktikisht, nuk a ka pranuar idenë e rrezikimit të arbërishtes. Kërkimet dhe të dhënat për këtë problem kanë qenë tepër të pakta për arbërishten, që është disi e pafavorshme në ditët e sotme kur konstaton studimet e shumta për gjuhët e tjera në Europë e më gjerë në botë.
Fenomeni i GjRr njihej edhe më herët. Por, në fillim të viteve 1990, gjuhëtarët filluan të konstatonin ritme të përshpejtuara që po çojnë drejt një katastrofe gjuhësore për shkak të globalizmit. Për këto 30 vjet, ka pasur vëmendje speciale gjuhësore, studime e kërkime, fonde, grante si dhe një eksplozion dijesh me përfshirjen e katedrave më të njohura gjuhësore në SHBA, Kanada, Australi, Britani, Spanjë, Holandë, Finlandë, Francë, Belgjikë, etj.[2] Shumë nga gjuhët minoritare po bëjnë përpjekje për mbijetesë: mbi bazën e studimeve të avancuara gjuhësore, kanë ndërtuar strategji dhe politika gjuhësore, kanë siguruar shkollim për fëmijët meqë është dëmtuar mekanizmi i transmetimit te brezi më i ri në kushtet moderne me globalizëm. Krahasuar me këtë lëvizje dhe përkushtim, situata për arbërishten ndodhet ende në një dilemë fillestare. Edhe ato pak studime janë bërë kryesisht nga autorë jashtë Kalabrisë dhe zonave të tjera arbëreshe, dhe për to nuk ka pasur referime – për këtë arsye edhe nuk janë njohur nga komuniteti akademik e universitar në zonat arbëreshe dhe në Shqipëri. Ndër studimet kërkimore kryesore janë: teza doktorale e Carmela Perta-s (në Universitetin e Edinburgut) dhe disa artikuj të tjerë të saj më pas në bashkëpunim me studiues të tjerë italianë, Derhemi në një sërë artikujsh nga 2002 deri 2022, përfshi edhe tezën doktorale në 2003, Gianni Belluscio me raportin që bëri në 2010 për gjendjen e arbërishtes për programin kërkimor të BE-së Mercator, si dhe artikullin e 2019 për nivelet e rënies së gjuhës në 4 komuna arbëreshe objekt i studimit.
Që në 2003, në tezën doktorale, Derhemi theksonte se synimi i studimit të saj ishte vlerësimi i arbërishtes nëpërmjet simptomave të gjendjes së rrezikimit dhe vitalitetit, shqyrtimi i proceseve të ndërhyrjes institucionale dhe komunitare për rigjallërimin e arbërishtes dhe përcaktimi i hapave në të ardhmen. Ende sot, nuk kemi të parashtruar dhe të diskutuar, një vlerësim institucional kërkimor për gjendjen e rrezikut dhe aq më tepër, një strategji për mbijetesë. Si rezultat, nuk ka asnjë politikë gjuhësore si në shtetin italian as nga shteti shqiptar që të adresojë këtë problem. Madje nuk ka politikë gjuhësore në përgjithësi.
Në përgjithësi dija shkencore ka kapacitetin dhe vlerën unike që u paraprin fenomeneve, arrin të skanojë dhe të perceptojë që herët praninë e kërcënimit apo dëmtimit, identifikon dhe analizon faktorët, dhe bazuar në të gjitha rrethanat, paradigmat, dijen e disponueshme, zhvillon skenarë dhe alternativa kurimi, zgjidhje dhe zhvillim. Për GjRr, pika kulmore ka qenë në vitet 1991-1992, që i hapën rrugë një angazhimi masiv të katedrave universitare, institucioneve shkencore. Gjuhëtarët kanë paraprirë duke analizuar se ritmet e sotme të shuarjes së gjuhëve nuk janë të zakonshme, përbëjnë një humbje të dijes dhe thesarit konjitiv akumuluar në shekuj nga komunitetet e rrezikuara, një vlerë për të cilën justifikohet ndërhyrja institucionale, fondet dhe vëmendja shtetërore. Brenda studimeve arbëreshe dhe albanologjike, nuk është zhvilluar ende një nëndegë kërkimi në GjRr, që të përcjellë këto zhvillime të shkencës botërore në funksion të arbërishtes, arvanitishtes etj., të kultivonte këtë dije, informacion dhe mekanizma për të matur dhe vlerësuar shkallën e rënies së gjuhës, ndërgjegjësim të komunitetit, ndërgjegjësim të institucioneve italiane dhe shqiptare, politikë gjuhësore dhe ndoshta angazhim real për ndërhyrje shtetërore.
Një përmbledhje e fakteve të deritanishme për gjendjen e sotshme të arbërishtes.
Siç u përmend më sipër, ka pasur studime për komuna të veçanta, por ka munguar një studim i përgjithshëm për nivelet e përdorimit të arbërishtes, dhe sidomos, ka mbetur e pambuluar Kalabria, që ka më shumë se gjysmën e popullsisë arbëreshe. Prandaj në ekspeditën e qershorit 2022 ne u fokusuam në komunat e Kalabrisë. Gjetjet janë shumë më shqetësuese nga çfarë parashikonim[3]. Nivelet e përdorimit të gjuhës raportuar nga 288 subjekte konfirmojnë se, ndër brezin e vjetër, gjuha vijon në nivele të larta, shumë pak të ndikuara, ka një përthyerje të konsiderueshme të grupmoshat më poshtë, dhe ka një dominim të lartë të italishtes tek 20-vjeçarët dhe një rënie drastike, pothuaj italianizim tek adoleshentët dhe fëmijët. Ndërsa brezat më herët e merrnin kontaktin e parë me italishten në shkollën fillore dhe mbanin arbërishten si gjuhë primare edhe pas shkollimit, sot fëmijët dominohen nga italishtja që 2 vjeç në scuola materna. Kur hyjnë në fillore, në moshën 6 vjeç, ata janë tashmë italianizuar. Të gjitha kontekstet ku ata veprojnë dhe komunikojnë dominohen nga italishtja, Për më tepër, fëmijët po përdorin italishten me shokët/shoqet e tyre arbëreshë si dhe në familje.
Këto gjetje janë në të njëjtën rezultante dhe konfigurim me studimet më te hershme: në Sicili (Derhemi 2002, 2003), Chieuti në Apuglia (Maria Teresa Massaro 2010), San Marzano di San Giuseppe në Taranto, Apuglia (Belluscio 2018, Fritiofsson 2013), komunat në provincën e Campobassos, rajoni i Molises (Perta 2005), Greci në Campania; (Milano & Valente 2010), Villa Badessa në Abruzzo (Perta et al. 2014), 2 komuna në Catanzaro (Belluscio 2018).
Komuniteti arbëresh po vuan insuficiencën akademike, mungesën e kërkimeve dhe dijes shkencore. Përgjithësisht ka një vitalitet mbi mesataren në nivelin e komunitetit, por një mbështetje të munguar nga institucionet akademike, institucionet e qeverisjes lokale dhe institucionet në nivel shtetëror. Në raste të tjera, si për shembull në gjuhët minoritare në veri të Italisë, në Spanjë, Holandë, Gjermani, Kroaci,, Finlandë, Belgjikë (ndoshta dhe në Serbi, Ukrainë, Rusi, të cilat kanë ratifikuar Kartën Europiane në fjalë dhe kanë marrë përsipër angazhimet evropiane), është krijuar një mjedis më i favorshëm. Janë 25 vende evropiane që kanë ratifikuar Kartën Europiane. Këtu nuk përfshihen shtete si Greqia, Turqia, etj. Edhe Italia e Franca nuk e kanë ratifikuar, dhe përpiqen të mbajnë një status të vagullt, kryesisht në nivele deklarative duke shmangur thelbin dhe zbatimin real. Në këtë pikë, bëhet e qartë se arbërishtja ndodhet në kontekstin e shumë faktorëve që nuk janë as vrasës absolutë dhe as mbështetës të qartë. Qëndrimi i shtetit italian, i shprehur edhe në ligjin 482 të vitit 1999 është dashamirës por jo konstruktiv – pasi po lejon në mënyrë të qartë shuarjen e ngadaltë të arbërishtes. Ndonëse nuk ka dhunën sociale, psikologjike dhe institucionale siç ishte në rastin e arvanitishtes (në Greqi), që dihet se po shkon drejt vdekjes së sigurtë, edhe arbërishtja është tashmë drejt kësaj rruge.
Përse vlen dija shkencore?
Arbërishtja do të kishte një shans më shumë nëse studiuesit arbëreshë apo albanologët do të kishin dhënë të parët alarmin për humbjen e gjuhës. Në mënyrë më empirike, kishin shfaqur preokupim Gangale (1976), Zef Schiro di Maggio, Vehbi Bexheti, Rrahman Pacarizi, etj. Më pas, kur për gjithë botën u bë e qartë masakra që po shkaktonte globalizmi, gjuhëtarët kanë qenë ndërmjetësit kryesorë për të ndërgjegjësuar nga njëra anë komunitetin, dhe nga ana tjetër politikë-bërësit. Për arbërishten, pati studimet e mirëfillta në terren në nivel individual, domethënë jo institucional – Derhemi, Belluscio, Perta.
Ka shumë gjuhë në Europë që kanë ndërprerë kursin e rënies apo humbjes, dhe kanë filluar ringritjen. Studimet gjuhësore si dhe kuadri i GjRr i Unesco’s, Këshillit të Europës kanë detyruar shumë shtete evropiane të fillojnë mbrojtjen me ligj dhe me ndërhyrje institucionale. Arbërishtja nuk e ka këtë mbështetje, ndodhet në kushtet e një gjysma-ligji, që funksionon për gjuhët minoritare në veri, por jo për gjuhët në Italinë e Jugut. Për arbërishten ka studime fragmentare, jashtë institucioneve akademike dhe ndërgjegjësimi për shkallën e kërcënimit gjuhësor është në nivele të ulta. Ka një ndjesi instinktive për vijimin e gjuhës nga brenda komunitetit, dhe ende gjallon lidhja e njerëzve me identitetin arbëresh, me gjuhën e të parëve. Megjithatë, në kushtet e vijimit të jetës së përditshme, prindërit zgjedhin të mos këmbëngulin me fëmijët që flasin pak ose aspak arbërisht në familje. Ligji vërtet jep të drejtë për organizimin e kurseve të gjuhës arbëreshe, megjithatë ana tjetër e medaljes është se prindërit preferojnë anglishten, frëngjishten, gjermanishten, spanjishten, pasi kjo ndihmon të ardhmen dhe karrierën e fëmijëve të tyre. Ka prindër që megjithatë dërgojnë fëmijët në kurse, por mësuesit shohin shpesh se mungon vëmendja – fëmijët vijnë për hatër të prindërve, dhe ecuria nuk është e mirë. Ka një seri problemesh që nga përshtatshmëria e metodës, koha e papërshtatshme gjithmonë pas shkollës, dhe në limite didaktike – 1-2 orë në javë, deri te çështje më të mëdha, duke filluar nga fakti që është jashtë sistemit arsimor, nuk është brenda një kurrikule të caktuar. Është kurs jashtëshkollor, por jo shkollim.
Njerëzit e zakonshëm besojnë se ligji është i mirë, por ky ligj ‘i mirë’ nuk ka bërë të mundur as përhapjen normale të kurseve të e arbërishtes në komunat arbëreshe. Shumë nga komunat ose i kanë ndërprerë këto kurse (na thanë për mungesë fondesh, mungesë mësuesish, ose prindërit nuk dëshirojnë) ose nuk i kanë hapur asnjëherë. Pra shkollimi për arbërishten rezulton i parealizuar, por ekspertët dhe studiuesit duhet të kishin perceptuar që herët se ligji i vitit 1999 nuk ishte i “përkushtuar” në misionin e tij, dhe ishte i ndryshëm nga çka parashtronin standardet e Unesco-s dhe standardet e Kartës Europiane. Po ashtu, nëse do të kishte studime akademike, do të ishin zgjidhur një sërë problemesh: cili variant i gjuhës duhej organizuar në kurrikulën shkollore dhe në tekstet, si do organizoheshin tekstet, si do organizohej përgatitja e mësuesve të arbërishtes. Nëse do të kishte studime, komuniteti do të ishte më i ndërgjegjshëm se arbërishtja është më shumë se instinkt identitar e trashëgimor, është një vlerë që nuk duhet humbur. Kjo duhet të ishte kultivuar në vijimësi në komunitet, për prindër e fëmijë, që ka një letërsi, histori arbëreshe. Nxënësit arbëreshë, sidomos ata që vijojnë studimet në scuola superiore ose edhe studentët në universitet, mund të kishin një hapje më të madhe për letrat shqipe në një kontekst më të gjerë, ashtu si nxënës e studentë të përfshirë në mësimin e anglishtes, frëngjishtes, zgjerohen me erudicion për letrat, historinë, letërsinë angleze e franceze. Ky është standardi që ofrojnë shtetet evropiane për minoritetet, edhe Shqipëria për fëmijët e minoritetit grek në shkollat fillore, të mesme e më tej. Gjatë ekspeditës në Kalabri në qershor 2022, ne pamë se me përjashtim të një grupi të vogël, kryesisht të diplomuar në Universitetin e Kalabrisë, njerëzit e tjerë pothuaj nuk e njihnin letërsinë apo historinë arbëreshe. Ata që lexonin arbërisht ishin shumë të paktë.
Nëse katedrat që lidhen me studimet albanologjike në përgjithësi do të kishin parë zhvillimet në Europë e në botë, do ishin njohur me studimet për GjRr, do kishin mundësuar dhe formalizuar rrezikun e gjuhës, do ta kishin përcjellë kauzën tek institucionet shtetërore me forcën që të jep dija, do të kishin dijen shkencore dhe profesionale për ndërtimin e zgjidhjeve. Këto zgjidhje do të nisnin me të drejtën që fëmijët të mësojnë në gjuhën e mëmës, dhe gjithë kornizën kurrikulare që e mundëson këtë. Sot fëmijët arbëreshë nuk mësojnë gjuhën e mëmës. Ndërsa, të dhënat e studimit që u krye në Kalabri në 2022 dhe të dhënat më herët për katunde të tjera konfirmojnë në mënyrë të qartë se gjuha po humb te brezi më i poshtëm. Të vjetrit na u shprehën ende më këmbëngulës për gjuhën, megjithatë shumica ishin realistë dhe u shprehën që gjuha do të vijojë edhe për 1 ose 2 gjenerata. Prindërit shikojnë qartë që gjuha tashmë ishte në rrugën e humbjes, por kanë më pak ndjeshmëri se brezi i vjetër. Ata e shikonin si një tranzicion dhe humbje natyrale, pasi jeta e tyre dhe e fëmijëve të tyre vijon normalisht në italishten dominante.
Studimet akademike kanë nxjerrë në pah që, ndryshe nga ç’mendohet nga publiku i zakonshëm, mësimi paralel i gjuhës mëmë dhe asaj zyrtare, dmth. bilingualizëm, nuk është dizavantazh dhe pengesë, por favorizon zhvillimin e përgjithshëm konjitiv, psikologjik e social. Kjo filozofi do mundësonte një qasje të re për prindërit në radhë të parë dhe për institucionet arsimore në Itali për krijimin e një konteksti ku të valorizohet dhe aktualizohet mjedisi i bilingualizmit. Sot mbizotëron e kundërta. Gjithashtu, bilingualizmi si kulturë dhe mentalitet do ta bënte më të favorshëm trajtimin dhe lobimin për arbërishten në kontekstin italian, në kërkesat që do t’i parashtroheshin shtetit italian për fillimin e një linje dhe strategjie të re, ku një ligj i ri, i bazuar në kërkesat evropiane do të niste rrugën e gjatë për një ndërhyrje të angazhuar italiane.
Studimet e shumta për GjRr në gjithë botën kanë konverguar në disa paradigma dhe korniza të caktuara, që janë bërë orientuese për studimet teorike dhe për studime të rasteve individuale gjuhësh të rrezikuara. Sipas sistemit për vlerësimin e niveleve të rrezikut, përcaktimi bëhet mbi bazë të 9 faktorëve që përgjithësisht njihen dhe aplikohen nga studiuesit e GjRr[4]. Arbërishtja përcaktohet si “definitivisht e rrezikuar”[5] ose me status “e kërcënuar, niveli 6b”[6]. Këto përcaktime janë në thelb të ngjashme pavarësisht terminologjisë së aplikuar, dhe i referohen situatës kur gjuha paraqet qartë nivelet e bjerrjes, në shkallë të tillë që brezi i fëmijëve nuk po mëson gjuhën. Niveli i mëpasshëm është kur gjuha shkon drejt shuarjes, pasi do ta përdorin vetëm brezi i vjetër. Siç u përmend më sipër, studimet për arbërishten kanë qenë të pakta, fragmentare. Përcaktimet në dokumentet ndërkombëtare janë bërë herët, në bazë të të dhënave të përgjithshme të mangëta. Ndërkohë, edhe brenda këtij niveli përcaktuar për arbërishten ka shumë diferenca e zhvillime, që janë të rëndësishme për të kuptuar nivelin specifik të rënies, si dhe për të përcaktuar strategjitë më të efektshme për rivitalizimin e gjuhës.
Fillimisht duhet vënë në dukje se si në Itali edhe në Shqipëri, nuk janë zhvilluar studime dhe politika gjuhësore për rigjallërimin e gjuhëve minoritare apo diasporike, që është një mungesë e rëndësishme dhe parakusht për të tentuar diçka.
Pse Shqipëria? Çfarë roli ka?
Ka një pritshmëri të arbëreshëve për Shqipërinë. Praktikisht, kjo është shprehur deri në takime rëndësishme. Në një takim në qershor 2022 të disa përfaqësuesve lokalë arbëreshe dhe një delegacioni të Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme, përfaqësues arbëreshë i paraqitën këtij komisioni realitetin që ligji për mbrojtjen e 12 gjuhëve minoritare në Itali, me një format kompleks, siguron mbrojtje dhe mbështetje të privilegjuar për minoritete të caktuara në veri, pasi këto mbështeten nga Gjermania, Franca, Spanja, etj., por ligji nuk ka qenë efektiv për arbërishten, dhe gjatë kësaj kohe, shteti shqiptar ende nuk ka artikuluar ndonjë kërkesë. Një nga përfaqësuesit arbëreshë përmendi edhe faktin që vetë ligji parashikon nënshkrimin e memorandumeve mes Italisë dhe shtetit të origjinës historike të gjuhës minoritare. Ka aq shumë memorandume mes dy vendeve, por asnjë që të ketë lidhje me preokupimin dhe interesin për mbrojtjen dhe zhvillimin e arbërishtes.
Një njohje më e mirë e përcaktimeve për GjRr dhe dokumenteve ndërkombëtare si psh. Karta përkatëse e Këshillit të Europës, kuadri i UNESCOs, raporteve eksperte ndërkombëtare do të orientonte Shqipërinë nëse mund të angazhohet, në çfarë shkalle, dhe si. Janë një sërë raportesh delikate politike, diplomatike por edhe komunitare. Përveç njohjes jo shumë të mirë të rolit që mund të luajë, në qëndrimet aktuale ka pasur edhe pasaktësi ose papërshtatshmëri – si për shembull aplikimi shabllon i gjuhës standarde shqipe, ndërkohë që te arbëreshët kjo ka shkaktuar frustrim. Por më shumë bie në sy pasiguria e Shqipërisë nëse duhet të ngrejë këtë çështje dhe mungesa e qartësisë çfarë duhet të kërkojë.
Gjithashtu, Shqipëria dukshëm ka më shumë kapacitete akademike dhe institucionale për studime teorike dhe të aplikuara për kauzën në fjalë, për zhvillimin e një mjedisi të nevojshëm gjuhësor, të unifikuar sipas një skeme standardizimi të përshtatshme – jo detyrimisht ndërtuar mbi standardin e shqipes dhe filozofinë me frymën e viteve 1970 që e përshkon këtë koncept. Duhet thënë që kjo degë e re e studimeve gjuhësore nuk njihet ende në Shqipëri[7].
Si rezultat, nuk është angazhuar as faktori politik dhe as ai akademik. Kur këto palë t’i përgjigjen sfidës, Shqipëria do të jetë në gjendje të përgatisë dhe të konceptojë një politikë gjuhësore, një strategji të ndërhyrjes gjuhësore të avancuar me shpresën e rigjallërimit të gjuhës. Pyetja kritike është: “A mund të presë arbërishtja deri sa të zhvillohet ky kapacitet?”
Kjo dije nuk është gati.
Disa aktorë kryesorë nuk janë gati: aktorët akademikë, aktorët politikë-bërës, ndërkohë që aktorët politikë lokalë vërtiten brenda një kafazi të ngushtë pa potencialin e duhur
Gjuha po bjerret me shpejtësi. Të dhënat nga studimet ende të pakta në dispozicion tregojnë që koha për veprim është ngushtuar shumë.
Dijet aktuale në GjRr rekomandojnë një skenar të mundshëm shprese: lobim i aktorëve të interesuar: komunitetit, mësuesve arbëreshë, asociacioneve, drejtues lokalë në komunat dhe provincat arbëreshe, rajone, institucione të rëndësishme në Shqipëri (institucione akademike, politike), që të hapin diskutimin për një ligj të ri, me një ndërhyrje krejt ndryshe, për një angazhim të institucioneve akademike dhe arsimore që të ndërtojnë politikë gjuhësore, strategji për shpëtimin e arbërishtes, zhvillimin e kornizës kurrikulare dhe kurrikulave specifike për arbërishten, hapjen e programit universitar për mësues të arbërishtes që sa më shpejt të kemi mësues me laurea në mësimin e arbërishtes (jo të shqipes), që të gjenden fondet e duhura për klasat dhe mësuesit e arbërishtes dhe fëmijët arbëreshë të kenë të drejtën e gjuhës së mëmës dhe të mësojnë lëndë të tjera mbi bazë bilingue: domethënë, në shkollën fillore, media, ndoshta edhe superiore, të jepet mësim lexim, histori, etj. mbi bazën e italishtes dhe arbërishtes.
Problemi i angazhimit të të gjitha palëve më sipër është një ekuacion me shumë të panjohura. Krijimi i një ligji të ri do të jetë vetëm fillimi i përpjekjes. Duke pasur parasysh gjendjen e sotme të arbërishtes, faktin që transmetimi pothuajse është ndërprerë te fëmijët në shumë komuna, pas një gjenerate, domethënë, pas 20-30 vjetësh, kjo përpjekje nuk do të jetë më e nevojshme pasi nuk do ketë as fëmijë arbëreshë që të duan dhe të mund të mësojnë, dhe as prindër që të duan arbërishten për fëmijët e tyre. Të dhënat e studimeve të deritanishme konvergojnë të gjitha në një parashikim të pafavorshëm: në shumicën e komunave arbërishtja nuk po transmetohet, numri absolut dhe numri proporcional i folësve që vërtet e flasin arbërishten ka pasur secili rënie radikale. Ato pak fshatra që do të mbeten, do të jenë ishuj të parëndësishëm, për të cilat nuk do ketë arsye të bëhet ligj i ri apo ndërhyrje shtetërore. Që të shikosh se çfarë do të ndodhë pas një brezi (20-30 vjetësh), duhet kurajë dhe fuqi me dije shkencore.
Konkluzioni paraprak nga sa më sipër është se, në këtë kohë të ngushtë që mund të ketë ende hapësirë për të pasur gjallërim real të arbërishtes, profili i aktorëve dhe ecuria e tyre e deritanishme nuk tregon se do të ketë surpriza dhe ndonjë ndryshim radikal të kursit të tanishëm. Një veprim i shpejtë, një angazhim i gjithanshëm, do të ishte shpresa e vetme. Për këto një test direkt do të jetë nëse për 1-2 vjet, aktorët e interesuar do të kërkojnë dhe do të lobojnë për një ligj të ri (mbi 20 vjet të vonuar), sipas shumicës së vendeve të BE, në përputhje me Kartën përkatëse Europiane – të cilën, Italia me sa duket ka pasur arsye mos ta ratifikojë. Ndoshta ligji 482 nuk u konceptua që të siguronte mbijetesën e arbërishtes. Ligji italian ishte rrjedhojë e një kuadri më të gjerë – presionit mbarëeuropian për mbrojtjen e gjuhëve minoritare që po kërcënoheshin në epokën e globalizmit – pra pikërisht për këtë kërcënim që arbërishtja do ta kishte në këto 20-30 vitet e fundit. Në vend të kësaj, ligji devijoi nga kursi evropian dhe siguroi vetëm një vëmendje dhe respekt për arbërishten, homazh, botime librash, projekte kulturore dhe disa kurse për fëmijë.
Në lidhje me një parashikim të mundshëm të perspektivës arbëreshe, ky parashtrim e drejton fokusin te probabilitetet më poshtë:
Cilët nga aktorët do të ndryshojnë rrjedhën e deritanishme dhe brenda 1-2 vjetësh do projektojnë dhe formalizojnë kuadrin ligjor institucional të ndërhyrjes?
Edhe nëse kjo bëhet, do ketë fonde të mjaftueshme, studime, zhvillim strategjie e politikash, përgatitje mësuesish, ndërtim kurrikular, planifikim në nivel shkollash, krijim mjedisi që prindërit dhe fëmijët arbëreshë ta besojnë se do jetë ndërtuar një trase për zhvillim arsimor, social e profesional me bazë arbërishten?
Përkundër kontekstit jo shumë të favorshëm parashtruar më sipër, qëndron avantazhi i vitalitetit arbëresh që mendoj se është i pranishëm edhe në realitetin e sotëm në 2 nivele të rëndësishme. Së pari, brenda komunitetit, brenda familjeve arbëreshe. Megjithë konstatimet referuar nga studimet, përfshi edhe gjatë ekspeditës sonë, shkalla e rezistencës komunitare është e lartë. Siç e ka referuar edhe Derhemi në disa kumtesa (FEL25 në 2021, Seminarin e Prishtinës 2022), qëndresa dhe vijimi i arbërishtes dhe arbëreshëve është një fenomen për t’u konstatuar në kushtet e sotme të globalizmit dhe vështirë të presësh më shumë se kaq në nivel komunitar. Gjatë ekspeditës sonë ne hasëm shumë raste që e ilustrojnë këtë, por këto do të meritonin hapësirën e një shkrimi tjetër. Së dyti, është faktori i inteligjencies lokale, veçanërisht mësuesve, pavarësisht se nuk janë brenda një institucioni ose një kornize të caktuar institucionale. Mësues apo njerëz të letrave që kemi takuar në komuna (San Cosmo, Civita, Firmo, Lungro, San Martino, San Demetrio, Vaccarizzo Albanese, Spezzano Albanese, Cerzeto, etj. kanë zhvilluar individualisht, për 20-30 vjet rresht, materiale kurrikulare të nivelit të lartë, që do të ishin modele të avancuara kurrikulare edhe për institucionet tonë shtetërore. Përpjekjet, eksperienca dhe outputet që kanë zhvilluar deri tani Ambrogio Bellizzi, Vincenzo Bruno, Annunziata Bua, Carmine Stamile, Alessandro Constantino, Vincenzo Perelli etj., janë një bërthamë nga mund të ndërtohet adresimi dhe përpjekja për mbijetesën arbëreshe në një mënyrë të shëndetshme dhe moderne.
Ne kemi hulumtuar, me kujdes dhe kuriozitet, si anën e kërcënimit, edhe anën e vitalitetit. Të dyja kanë kompleksitete të shumta shkencore dhe jetësore. Kjo sfidë jo detyrimisht është një fatalitet, siç mendojnë shumë njerëz. Studimet për GjRr përfshijnë si realizmin e kërcënimit, edhe potencialet e vitalitetit.
(c) 2022 Edmond Cane. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
[1] Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
[2] Disa universitete kanë zhvilluar edhe programe master, doktorate si dhe shumë evente të rëndësishme shkencore. Ka pasur konferenca tematike si dhe konferenca vjetore të rregullta në kuadër të disa programeve dhe rrjeteve ndërkombëtare: ICLDC (http://ling.lll.hawaii.edu/sites/icldc/), ELDP (https://www.eldp.net/) etj. Fondacioni i Gjuhëve të Rrezikuara (FEL – Foundation of Endangered Languages – https://www.ogmios.org/), është një tjetër rrjet ndërkombëtar që po vepron prej 25 vjetësh, dhe promovon, organizon, mundëson konferenca, seminare, bashkëpunime për gjuhët e rrezikuara. Këto rrjete shkencore kanë qenë kontribuesit kryesorë në një sërë dokumentesh botërore të rëndësishme, përfshi Raportin e UNESCO-s 2003, Atlasin botëror të Gjuhëve të Rrezikuara (1996, 2001, 2010). FEL organizon edhe konferencat vjetore ndërkombëtare të gjuhëve të rrezikuara.
[3] Të dhënat do të botohen së shpejti në një organ shkencor, për të prezantuar në mënyrë të plotë mekanizmat matës, të dhënat dhe analizën e tyre. Të dhënat janë marrë nga 10 komuna dhe 2 katunde, pjesë e një komune më të madhe, nga provinca e Kozencës, 2 nga 3 komunat në Crotone dhe nga Barile, provinca e Potenzës..
[4] Shih raportin e Unesco 2003, Chistopher Moseley 2010, Simons & Lewis 2013
[5] Shih Moseley 2010 (Atlasi I UNESCO’s për Gjuhët e Rrezikuara)
[6] shih https://www.ethnologue.com/size-and-vitality/aae
[7] Në lidhje me standardizimin, ka pasur disa valë të mëpasshme studimesh dhe qasjesh teorike, që e shikojnë të tejkaluar preokupimin centrist deri 50 vite më parë. Sot rekomandohet një qasje pluricentriste për kontekste të ngjashme me shqipen, me balancën për frymëmarrje mes dialekteve, dhe harmonizimin e tyre brenda një kornize kombëtare, jo detyrimisht të kufizuar me rregulla të ngurta, dhe jo detyrimisht me një qendër standardi.
|